R. dhe të Tjerë kundër HUNGARISË
(kërkesa nr. 19400/11)
4 dhjetor 2012
ky vendim ka të bëjë me detyrimet e shteteve për mbrojtjen e dëshmitarëve të cilëve iu kërcënohet jeta
I.Faktet kryesore
1.Kërkuesi i parë, Z. R.R është shtetas serb, dhe banon në Hungari, ndërsa kërkuesja e dytë, Znj. H.H është shtetase hungareze dhe bashkëjeton me kërkuesin e parë. Tre kërkuesit e tjerë janë fëmijët e tyre të mitur.
2.Z. R.R kishte qenë pjesë aktive e trafikut të lëndëve narkotike dhe i fshihej mafies serbe dhe autoriteteve në Hungari duke përdorur një identitet të rremë. Ai kishte pranuar autorësinë për vepra të ndryshme penale dhe kishte rënë dakord të bashkëpunonte me autoritetet në hetimet e tyre. Bashkëpunimi i tij u dha mundësi prokurorëve të ngrinin akuza kundër anëtarëve të tjerë të mafias serbe. Pavarësisht kundërshtimeve nga ana e kërkuesit të parë, prokurorët hungarezë e bashkuan çështjen e tij me çështjet mbi akuzat kundër anëtarëve të tjerë të mafias serbe, për të cilët ai kishte dhënë informata. Si rezultat, Z. R.R. iu kërkua të paraqitej në seancë gjyqësore publike duke zbuluar kështu identitetin e tij si bashkëpunëtor i drejtësisë.
3.Duke menduar se në këto rrethana, Z. R.R dhe familja e tij mund të ishin pre e akteve hakmarrëse nga ana e mafias serbe, në gusht 2007 ata u regjistruan në Skemën e Mbrojtjes së Dëshmitarëve (‘SMD’). SMD-ja përmbante një klauzolë sipas së cilës nëse Z. R.R. nuk respektonte kushtet e SMD-së, të gjithë anëtarët e familjes humbisnin të drejtën e tyre për mbrojtje. Kërkuesit pretenduan se një nga fëmijët e tyre, i cili vuante nga autizmi i gradës së ulët, nuk i ishte ofruar kujdesi i duhur shëndetësor, dhe se dy kërkuesit e parë ishin nxitur që të ndaheshin. Pak kohë pas pranimit të tyre në SMD, familjes iu akordua një ndihmë financiare mujore. Kjo mbulonte qiranë e tyre, shkollimin e fëmijëve dhe pagesat për shërbimet. Kërkuesi i parë mbahej i burgosur në një burg të paidentifikuar, por familjes i mundësohej të udhëtonte për ta vizituar atë.
4.Gjatë gjykimit të tij, kërkuesi i parë parashtroi se, nëna e tij ishte kërcënuar në shtëpinë e saj në Serbi. Ai gjithashtu paraqiti shqetësimin se, mafia serbe kishte premtuar një “shpërblim në para” për vrasjen e tij, dhe se prindërit e tij ende vazhdonin të kërcënoheshin nga mafia serbe dhe nga autoriteteve serbe. Autoritetet hungareze vlerësuan se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme që të provohej se ishte premtuar një “shpërblim në para” për vrasjen e kërkuesit. Kërkuesi i parë pohoi se kjo nuk ishte provuar për shkak të hetimeve të pamjaftueshme.
5.Në shkurt 2009, kërkuesi u gjet fajtor për trafikimin e lëndëve narkotike, armëmbajtje dhe për vepra të tjera penale, dhe u dënua me nëntë vjet burg. Disa prej personave që, sipas autoriteteve, përbënin një kërcënim për kërkuesit, u dënuan në të njëjtin proces gjyqësor. Më 28 shkurt 2012, kërkuesit të parë iu gjet në qeli një laptop dhe modem USB me internet, të cilët e lejonin atë të përdorte ‘VOIP’[1]. Nuk u arrit të identifikoheshin personat me të cilët kërkuesi i parë kishte komunikuar por mund të konkludohej se ai mbante kontakte me qarqe kriminale. Për shkak të shkeljes së rëndë të marrëveshjes së tij me SMD, kërkuesi u përjashtua nga kjo skemë. Më 12 prill 2012, gjithë familja u përjashtua nga skema si një sanksion për këtë shkelje. Autoritetet e bënë të qartë se arsyeja e përjashtimit ishte shkelja e marrëveshjes dhe jo zhdukja e rrezikut.
6.Pas kësaj kërkuesit u vendosën nën një skemë tjetër mbrojtjeje, atë të ‘mbrojtjes personale’, e cila, për kërkuesin e parë, solli transferimin e tij në një burg të sigurisë së lartë, më vete nga të burgosurit e tjerë. Ai mbahej i burgosur në një qeli 6 m2, me dritare nga ku nuk mund të shihte jashtë dhe iu lejua të shëtiste një orë në ajër të hapur në ditë. Kërkuesja e dytë dhe fëmijët e saj u detyruan t’i ktheheshin shkollës dhe jetës së tyre nën emrat e tyre të vërtetë, dhe u pajisën me një numër telefoni emergjence. Vendndodhja e familjes mund të zbulohej letësisht nga çdokush.
7.Kërkuesit pretendonin se heqja nga SMD i ekspozonte jetët e tyre ndaj rrezikut të hakmarrjes nga mafia serbe, çka binte në kundërshtim me nenet 2 dhe 5 të KEDNJ-së.
II.Vendimi i Gjykatës
A.Në lidhje me nenin 2
8.Kërkuesit pretendonin se, vendimi i autoriteteve hungareze për t’i përjashtuar ata nga SMD binte në kundërshtim me të drejtën e tyre për jetë sipas nenit 2, pasi ata mund të ishin viktima të hakmarrjes së mafias serbe. Gjykata u shpreh se, pozita e kërkuesit të parë nuk kishte ndryshuar materialisht, përveç transferimit të tij në një formë tjetër burgimi. Pra, pretendimi i kërkuesit të parë ishte haptazi i pabazuar.
9.Megjithatë, përsa i përket kërkuesve të tjerë, Gjykata konstatoi se, pajisja e familjarëve me një numër urgjence nuk u ofronte atyre mbrojtje ose siguri të mjaftueshme. Gjykata më tej përsëriti se e drejta për jetën është formuluar në nenin 2 § 1 në mënyrë të tillë që t’i detyrojë shtetet të ndërmarrin hapat e duhur për të mbrojtur jetën e personave që ndodhen në juridiksionin e tyre. Kështu, në situata të mirëpërcaktuara, ishte tërësisht normale që Shtetet të kishin detyrimin pozitiv për të ndërmarrë hapa parandaluese për të mbrojtur jetën e atyre që kërcënohen nga akte kriminale të personave të tjerë.
10. Më tej, Gjykata vërejti se, duke i vendosur fillimisht kërkuesit e tjerë në SMD, autoritetet kishin pranuar faktin se ekzsitonte një rrezik real për jetën, mirëqënien fizike dhe lirinë e tyre personale. Pas përjashtimit të tyre nga SMD, identitetet e tyre të fshehta u zbuluan, dhe kështu Gjykata u shpreh se, nuk do të ishte e paarsyeshme të supozohej se kushdo që dëshironte të hakmerrej ndaj tyre, tashmë mund t’i gjente lehtësisht dhe ta çonte deri në fund hakmarrjen. Gjykata u shpreh se, në këto kushte, ekspozimi i kërkuesve të tjerë ndaj rrezikut për jetën nga hakmarrja e mundshme nga qarqet kriminale nuk plotësonte standardet e kërkuar nga neni 2 i KEDNJ.
B. Në lidhje me nenet 5, 6 dhe 8
11. Gjykata i konstatoi se pretendimet e mëtejshme të kërkuesit të parë ishin haptazi të pabazuara, dhe në këtë mënyrë të papranueshme.
C. Mbi nenin 41
12. Gjykata u akordoi kërkuesit të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë së bashku shuma prej 10 000 eurosh në lidhje me dëmin jo material dhe 3 000 euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet para Gjykatës.
[1]VOIP (voice-over-internet-proxy)kupton një teknologji komunikimi nga PC në PC apo nga PC në telefon.
Full & Egal Universal Law Academy