© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2016. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2016. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2016. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document
SEKSIONI I PESTË
ÇËSHTJA RUSLAN YAKOVENKO k. UKRAINËS
(Kërkesë nr. 5425/11)
VENDIM
(themeli)
STRASBURG
4 Qershor 2015
Përfundimtar
04/09/2015
Ky vendim është përfundimtar, sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Ruslan Yakovenko k. Ukrainës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i pestë), me trup gjykues të përbërë prej:
Mark Villiger, President,
Angelika Nußberger,
Boštjan M. Zupančič,
Ganna Yudkivska,
Vincent A. De Gaetano,
André Potocki,
Aleš Pejchal, gjyqtarë,
dhe Milan Blaško, Zëvendës Kancelar seksioni,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 21 prill 2015,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar në bazë të kërkesës (nr. 5425/11) kundër Ukrainës drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas ukrainas, z. Ruslan Anatoliyovych Yakovenko (“kërkuesi”), më 17 janar 2011.
2. Kërkuesi u përfaqësua nga z. O.V. Levytskyy, avokat që ushtronte profesionin në Kiev. Qeveria e Ukrainës (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj, z. Nazar Kulchytskyy.
3. Kërkuesi u ankua në lidhje me paligjshmërinë e ndalimit të tij dhe shkeljen e së drejtës së tij për të apeluar në procedurën penale.
4. Më 12 dhjetor 2012 kërkesa iu komunikua Qeverisë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur në vitin 1979 dhe jeton në Korolivka, Kiev.
6. Më 12 korrik 2010, gjykata e qytetit të Bila Tserkva ("gjykata e Bila Tserkva"), e shpalli kërkuesin fajtor për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore kundrejt z. N. më 12 maj 2006. Megjithëse kjo vepër penale dënohej nga pesë deri në tetë vite burgim, gjykata e konsideroi të mundshme vendosjen e një sanksioni më të butë për kërkuesin. Ajo mori parasysh, në veçanti, faktin se ai e kishte pranuar fajësinë dhe kishte shprehur pendesë. Kështu, gjykata e dënoi kërkuesin me katër vjet e shtatë muaj burgim. Ai gjithashtu vendosi të përfshijë në pjesën e shlyer të dënimit të kërkuesit periudhën prej 20 tetorit 2005 deri në 3 maj 2006 (gjashtë muaj dhe katërmbëdhjetë ditë), gjatë së cilës ai kishte qenë i arrestuar për një tjetër çështje penale. Së fundi, gjykata vuri në dukje se në përcaktimin e dënimit të kërkuesit ajo kishte marrë parasysh faktin se ai "kishte kaluar më shumë se katër vjet në ambientet e paraburgimit, në të cilin kushtet e ndalimit ishin konsiderueshëm më të ashpra se në burgjet ku vuhet dënimi me burgim dhe vendimet e tij të mëparshme u rrëzuan". Nuk ka asnjë informacion të mëtejshëm mbi paraburgimin e lartpërmendur të mëparshëm të kërkuesi, çështje të tjera penale ndaj tij, apo për vendimet që janë rrëzuar.
7. Gjithashtu, në pjesën operative të vendimit, Gjykata e Bila Tserkva vendosi që kërkuesi të vazhdonte të qëndronte në një qendër paraburgimi (Sizo) si një masë parandaluese në pritje të hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Ai më tej vuri në dukje se vendimi mund të kundërshtohet brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga data e shpalljes së saj.
8. Më 15 korrik 2010 afati i dënimit të kërkuesit përfundoi dhe ai i kërkoi administratës së Sizo-së lirimin e tij. Kërkesa e tij u refuzua. Megjithatë, në të njëjtën ditë, administrata e Sizos, kërkoi nga Gjykata e Bila Tserkva leje për lirimin e kërkuesit, me kusht që ai të angazhohej se nuk do të fshihej, duke qenë se e kishte shlyer tërësisht dënimin. Nuk pati asnjë përgjigje.
9. Më 19 korrik 2010, avokati i kërkuesit aplikoi përsëri në administratën Sizo për lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Ai parashtroi, në mënyrë të veçantë, se nuk kishte baza për vazhdimin ndalimit të tij. Një kopje e kësaj letre iu dërgua edhe Zyrës së Prokurorit të Kievit.
10. Më 27 korrik 2010, afati pesëmbëdhjetë ditor për paraqitjen e ankimit kundër vendimit të datës 12 korrik 2010 përfundoi dhe, në mungesë të një ankimi, ai mori formë të prerë.
11. Në të njëjtën ditë administrata e SIZO-s i shkroi avokatit të kërkuesit se nuk mund të lironte kërkuesin deri sa të ndryshohej masa parandaluese në lidhje me të apo vendimi të bëhej përfundimtar. Në letrën e tyre sillej në vëmendjen e personit të cilit i adresohej se, në çdo rast, ishte Gjykata e Bila Tserkva që autorizonte lirimin e kërkuesit.
12. Më 29 korrik 2010, kur SIZO urdhrin e gjykatës për të ekzekutuar gjykimin përfundimtar, kërkuesi u lirua.
13. Më 5 gusht 2010, Departamenti i Shtetit për Burgjet i shkroi avokatit të kërkuesit, në përgjigje të kërkesave të tij për lirimin e vonuar të klientit të tij, se nuk ka pasur shkelje të Kodit të Procedurës Penale.
II. E DREJTA E BRENDSHME E ZBATUESHME NË KOHËN E NGJARJEVE
A. Kodi i Procedurës Penale (1960)
14. Neni 148 specifikonte qëllimin dhe arsyet për zbatimin e masave të sigurimit. Ai parashikonte, në veçanti, se vendosja e masës së sigurimit bëhej kur kishte baza të mjaftueshme për të besuar se një i dyshuar, i akuzuar, i pandehur apo një i dënuar mund të përpiqej të arratisej, nuk respektonte vendimet procedurale, pengonte zbardhjen e së vërtetës në një çështje ose mund të përfshihej në aktivitete kriminale.
15. Në fazën e procedurave gjyqësore një i paraburgosur mund të lirohej vetëm në bazë të vendimit të gjyqtarit ose gjykatës (neni 165). Siç përcaktohet edhe në nenin 165, një masë sigurimi mund të hiqej ose ndryshohej nëse nuk ishte më e nevojshme kjo masë apo çdo masë tjetër siguruese.
16. Ndërsa gjatë hetimeve paraprake një i paraburgosur duhej liruar menjëherë nga administrata e institucionit përkatës të paraburgimit nëse afati i mbajtjes së tij i ndaluar kishte përfunduar dhe nuk kishte një vendim gjyqësor për zgjatjen e këtij afati deri në ato momente (neni 156, in fine), ose nuk kishte ndonjë parashikim në lidhje me modalitetet e lirimit të të ndaluarit në fazën e procedurave gjyqësore.
17. Neni 274 kishte të bënte me vendosjen, heqjen ose ndryshimin e një mase sigurimi nga gjykata. Ajo detyronte gjykatën ti referohej dispozitave përkatëse të kapitullit 13 ("masat e sigurimit" - nenet 148 deri 165-3).
18. Bazuar në nenin 324, gjykata që jep vendimin e dënimit, vendos, në veçanti, në lidhje me masën e sigurimit që duhet zbatuar ndaj një personi të dënuar derisa vendimi të bëhet përfundimtar.
19. Neni 343 përsëriste në thelb dispozitën e mësipërme dhe specifikonte me tej se gjykata mund të kthejë një të dënuar në paraburgim si një masë sigurimi vetëm në rastet e parashikuara në dispozitat përkatëse të kapitullit 13.
20. Neni 358 listonte çështjet, të cilat gjykata e apelit mund t’i merrte parasysh në një seancë përgatitore. Ajo mund të vendoste, veçanërisht, për të ndryshuar, hequr apo vendosur një masë sigurimi në lidhje me një të dënuar.
21. Sipas nenit 401, një vendim hynte në fuqi në qoftë se ai nuk apelohej brenda afatit të përcaktuar (pesëmbëdhjetë ditë - neni 349). Nëse ndaj vendimit bëhej ankim, ai hynte në fuqi pas shqyrtimit të çështjes nga gjykata e apelit (nëse nuk e rrëzonte vendimin). Një vendimi pafajësie, ose vendimi që heq dënimin, ekzekutohej menjëherë, ndërsa një vendim ku i pandehuri shpallet fajtor, zbatohej pasi hynte në fuqi. Neni 404 parashikonte se gjykata, e cila jepte vendimin, kërkonte ekzekutimin e tij jo më vonë se tri ditë nga hyrja e tij në fuqi.
B. Kodi Civil (2003)
22. Neni 1176 vendos mbi shtetin detyrimin për të "kompensuar plotësisht një individ për dëmin e shkaktuar atij për dënimin në kundërshtim me ligjin, konstatimin e paligjshëm të përgjegjësisë penale, zbatimin në mënyrë të paligjshme të një masë sigurimi [ose] arresti ... pavarësisht nga faji i zyrtarëve të organeve hetimore, të hetimeve paraprake, të prokurorisë apo të gjykatave" (paragrafi 1). Më tej specifikohet se "e drejta për dëmshpërblim kundrejt një individi për shkak të veprimeve të paligjshme të organeve të marrjes në pyetje, hetimeve paraprake, ndjekjes penale ose gjyqësore lind në rastet e parashikuara në ligj" (paragrafi 2).
C. Ligji ukrainas mbi procedurën për kompensimin e dëmit të shkaktuar qytetarëve nga veprimet e paligjshme të organeve hetimore, autoriteteve të hetimeve paraprake, prokurorëve dhe gjykatave "1994 ( “Ligji për Dëmshpërblimin” )
23. Sipas nenit 1, një person kishte të drejtën e shpërblimit për dëmet e shkaktuara, në mënyrë të veçantë, nga dënimi, ngritja e akuzës, arrestimi dhe paraburgimi në kundërshtim me ligjin. Në këto raste dëmi kompensohej pavarësisht veprimit me faj apo jo të zyrtarëve të organeve hetimore, të hetimeve paraprake, të prokurorisë dhe të gjykatës.
24. Neni 2 listonte rastet në të cilat u ngrit e drejta për kompensim. Ato përfshinin: (1) vendimet e pa fajësisë; (1-1) vendimet gjyqësore që pranonin, në veçanti, paligjshmërinë e ndalimit; dhe (2) pushimin e procesit penale në bazë të mungesës së corpus delicti ose për shkak të mungesës së provave të fajësisë së të akuzuarit.
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 5 § 1 TË KONVENTËS
25. Kërkuesi pretendoi se ndalimi i tij nga 15 në 29 korrik 2010 kishte qenë i paligjshëm. Ai u mbështet në nenin 5 § 1 të Konventës, i cili në pjesën përkatëse parashikon:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
(a) kur burgoset ligjërisht, pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
...
(c) kur është arrestuar dhe paraburgosur për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent, kur ka arsye të besueshme për të dyshuar se ai ka kryer një vepër penale ose kur ka motive të arsyeshme për të besuar se është e nevojshme që të pengohet të kryejë një vepër penale ose të largohet pas kryerjes së saj;
...”
A. Pranueshmëria
1. Shterimi i mjeteve të brendshme ligjore
(a) Parashtrimet e palëve
26. Qeveria argumentoi se kërkuesi nuk ka vepruar në pajtim me rregullin e shterimit të mjeteve të brendshme ligjore. Ata vunë në dukje se ndalimi i tij nga 15 në 29 korrik 2010, ka qenë i pabazë. Bazuar në nenin 1176 të Kodit Civil (shih paragrafin 22 më lart), Qeveria pohoi se kërkuesi mund të kërkonte shpërblim dëmi, por ai nuk kishte shteruar këtë mundësi.
27. Kërkuesi kundërshtoi. Ai parashtroi, në veçanti, se që një mjet ligjor të jetë efektiv në rastin e tij, ai duhet të garantonte mundësinë e lirimit të menjëhershëm të tij pasi afati i dënimit të tij me burgim kishte përfunduar. Ai theksoi se kishte kërkuar nga administrata e SIZO dhe prokuroria lirimin e tij me. Megjithatë, administrata SIZO e konsideroi të pamundur deri në hyrjen në fuqi vendimit. Për sa i përket prokurorisë, ata nuk kishin ndërhyrë në asnjë mënyrë.
(b) Vlerësimi i Gjykatës
(i) Parimet e përgjithshme të jurisprudencës
28. Gjykata vëren se rregulli i shterimit të mjeteve të brendshme ligjore është bazuar në supozimin, i reflektuar në nenin 13 të Konventës me të cilin lidhet ngushtësisht, se sistemi i brendshëm ligjor siguron një mjet efektiv ligjor që mund të trajtojë thelbin e një ankese të diskutueshme sipas Konventës dhe të ofrojë një zgjidhje. Kështu, është një aspekt i rëndësishëm këtij parimi, se mekanizmi i mbrojtjes i themeluar nga Konventa është dytësor krahasuar me sistemet kombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut (shih Ananyev dhe të tjerë k. Rusisë, nr. 42525/07 dhe 60800/08, § 93, 10 janar 2012 me referenca të mëtejshme).
29. Një kërkues duhet të shfrytëzojë mjetet e brendshme ligjore që janë në dispozicion dhe të mjaftueshme për të adresuar pretendimet për shkelje të të drejtave të tij. Ekzistenca e këtyre mjeteve ligjore duhet të jetë mjaft e sigurt jo vetëm në teori por edhe në praktikë, dhe nëse kjo nuk arrihet atëherë mund të themi se mungon mundësia e aksesit dhe efektiviteti i nevojshëm. Është detyrë e Qeverisë e cila pretendon mos shterimin e mjeteve të brendshme ligjore për të vërtetuar para Gjykatës, se mjeti ligjor së cilës i referohet ishte i aksesueshëm, i aftë për të siguruar zgjidhje në lidhje me pretendimet e kërkuesit, dhe ofronte një mundësi të arsyeshme suksesi në lidhje me to. Megjithatë, kur barra e provës përmbushej nga Qeveria, ajo zhvendosej tek kërkuesi i cili duhet të dëshmonte nëse mjeti ligjor i pretenduar nga Qeveria ishte përdorur ose për disa arsye kishte qenë i pamjaftueshëm dhe jo efektiv në rastin e tyre, ose ekzistenca e rrethanave të veçanta e përjashtonte atë nga detyrimi për përdorimin e tyre (shih, për shembull, Melnik k. Ukrainës, nr. 72286/01, § 67, 28 mars 2006).
30. Më tej, Gjykata vëren se, kur kemi të bëjmë me shkelje të paragrafit 1 të nenit 5 të Konventës, paragrafët 4 dhe 5 të këtij neni përbëjnë leges speciales në lidhje me kërkesat më të përgjithshme të nenit 13 (shih Svetoslav Dimitrov k. Bullgarisë (vendim[1]), nr. 55861/00, 9 maj 2006). Prandaj, në mënyrë që të vendosë nëse një kërkues është duhej të kishte shteruar mjetet e brendshme ligjore në lidhje me kërkesën e tij ose të saj sipas nenit 5 § 1 të Konventës, Gjykata duhet të vlerësojë efektivitetin e këtij mjeti nga pikëpamja e dispozitave të lartpërmendura.
(ii) Ekzistenca e mjeteve ligjore parandaluese në pajtim me nenin 5 § 4
31. Gjykata vërejti se që nga dita kur akuza përcaktohet, qoftë edhe vetëm nga një gjykatë e shkallës së parë, i pandehuri ndalohet "pas vendimit nga një gjykatë kompetente" brenda kuptimit të nenit 5 § 1 (a) (shih paragrafët 46-51 më poshtë për një shqyrtim më të hollësishëm të parimeve përkatëse të përcaktuara në jurisprudencën e Gjykatës).
32. Gjykata ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se në një rast të tillë kontrolli gjyqësor i heqjes së lirisë sipas nenit 5 § 4 konsiderohet se përfshihet tashmë në vendimin fillestar të dënimit. Megjithatë, sa herë që lindin çështje të reja që ndikojnë në ligjshmërinë e një ndalimi të tillë, neni 5 § 4 gjen zbatim (shih, vendimin e fundit Stoiçkov k. Bullgarisë, nr. 9808/02, §§ 64 dhe 65, 24 mars 2005 me referenca të mëtejshme).
33. Gjykata pranon se në rastin konkret një çështje e re lindi në lidhje me ligjshmërinë e ndalimit të kërkuesit duke qenë se ai e shleu dënimi i tij me burg, por përsëri nuk ishte liruar. Në atë fazë ai nuk pati mundësinë e nisjes së procedurave gjyqësore mbi ligjshmërinë e ndalimit të tij të vazhdueshëm që të vendosej sa më shpejt lirimi i tij. Kështu, rasti nuk ishte më para gjykatës së shkallës së parë. Si një procedurë e zakonshme apeli, shqyrtimi i saj do të zgjaste më shumë se kohëzgjatja e ndalimit të për të cilën kërkuesi apelonte (dymbëdhjetë ditë). Për më tepër, mund të ndodhte që paraqitja së ankesës do të kishte çuar në zgjatjen e mëtejshme të ndalimit të tij, si një masë parandaluese në pritje të hyrjes në fuqi të vendimit. Megjithatë, kjo çështje do të analizohet më hollësisht në vazhdim.
34. Për sa i përket shkresat e kërkuesit drejtuar administratës SIZO dhe prokurorisë, këto autoritete nuk ishin "një gjykatë", në kuptim të nenit 5 § 4 të Konventës.
35. Gjykata vijon se, nuk kishte mjete të brendshme efektive ligjore të cilat kërkuesi duhet ti shteronte në mënyrë që ti jepte fund shkeljes së pretenduar të nenit 5 § 1.
(iii) Ekzistenca e një mjeti ligjor kompensues në pajtim me nenin 5 § 5
36. Gjykata rithekson se jemi në respektim të neni 5 § 5, kur është e mundur për të aplikuar për kompensim në lidhje me heqjen të lirisë në kundërshtim me paragrafët 1, 2, 3 ose 4 të nenit 5, kur heqja e lirisë sa më sipër është përcaktuar qoftë nga një autoriteti kombëtar ose Gjykata. Gëzimin efektiv i së drejtës për kompensim, në pajtim me nenin 5 § 5 duhet garantuar në një shkallë të mjaftueshme sigurie (shih Lobanov k. Rusisë, nr. 16159/03, § 54, 16 tetor 2008, me referenca të mëtejshme).
37. Gjykata vëren se në rastin konkret Qeveria në parashtrimet e tyre janë kufizuar në deklarimin se ndalimi i kërkuesit kishte qenë pa bazë dhe se ai mund të kërkojë dëmshpërblim sipas nenit 1176 të Kodit Civil. Megjithatë Gjykata vëren se dispozita e përmendur është formuluar në terma mjaft të përgjithshme: ajo as nuk krijon parakushtin ligjor për të pretenduar kompensim as nuk parashikon mekanizma ose procedura të veçanta. Për më tepër, neni 1176 i referohet një ligji të veçantë që rregullon këto çështje. Pra rezulton se ka një ligj për kompensimet të zbatueshëm (shih paragrafët 23 dhe 24 më lart). Qeveria nuk i referohen këtij ligji në vëzhgimet e tyre. As nuk specifikon se cilat dispozita të ligjit të brendshëm ishin shkelur nga ndalimi i kërkuesit. Gjithashtu, Qeveria nuk përmendi ndonjë praktikë të brendshme përkatëse në këtë drejtim. Prandaj mbetet e paqartë mbi ç ‘baza dhe me çfarë mekanizmash kërkuesi mund të arrinte që pretendimi i tij për paligjshmërinë e ndalimit të shqyrtohej nga një gjykatë kombëtare dhe të pretendonte kompensim për dëmet në lidhje me këtë.
38. Në rrethana të tilla, Gjykata nuk është e bindur nga argumenti i Qeverisë se mjeti ligjor i vënë në dispozicion ishte efektiv për tu përdorur nga kërkuesi.
(iv) Përfundimi
39. Në dritën e konsideratave të mësipërme, Gjykata konstaton se kërkuesi nuk kishte në dispozicion të tij një mjet ligjor efektiv që të mund ta përdorte për adresimin e pretendimeve të sipas nenit 5 § 1 të Konventës. Prandaj Gjykata hedh poshtë kundërshtimin e Qeverisë lidhur me këtë.
2. Në lidhje me pranueshmërinë për arsye të tjera
40. Më tej, Gjykata vëren se kjo kërkesë nuk është haptazi e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe as nuk është e pa pranueshme për asnjë arsye tjetër. Rrjedhimisht kërkesa është e pranueshme.
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
41. Kërkuesi parashtroi se ndalimi i tij nga 15 deri në 29 korrik 2010 kishte qenë i pa bazë dhe në këtë mënyrë në kundërshtim me nenin 5 § 1 të Konventës.
42. Në vëzhgimet e tyre në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës (shih paragrafin 26 më lart) Qeveria pajtohej me kërkuesin në këtë pikë. Megjithatë, ata nuk bënë parashtrime në lidhje me themelin e kërkesës.
2. Vlerësimi i Gjykatës
43. Gjykata çmon se për qëllime të analizës së saj, ndalimi i kërkuesit duhet ndarë në dy periudha të dallueshme:
(1) nga 15 në 27 korrik 2010, që është pas shpalljes së vendimit nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe para hyrjes në fuqi; dhe
(2) gjatë dy ditëve të mëvonshme, nga 27 deri më 29 korrik 2010, koha që autoriteteve iu desh për të përfunduar të gjitha formalitetet administrative me qëllim lirimin e kërkuesit pasi vendimi i gjykatës kishte marrë formë të prerë.
44. Gjykata do të shqyrtojë përputhshmërinë e çdo periudhe të lartpërmendur të ndalimit të kërkuesit me nenin 5 § 1 të Konventës, veç e veç.
(a) Ndalimi i kërkuesit nga 15 deri në 27 korrik 2010
(i) Bazat për heqjen e lirisë të kërkuesit
(α) Parimet e përgjithshëm të jurisprudencës
45. Gjykata rithekson se neni 5 mishëron një të drejtë themelore të njeriut, konkretisht mbrojtjen e individit kundër ndërhyrjeve arbitrare nga ana e shtetit në të drejtën e tij për liri. Nën paragrafët (a) deri (f) të nenit 5 § 1 përmbajnë një listë të plotë të rasteve kur mund të hiqet liria e një individi në përputhje me nenin 5 § 1. (shih, midis të tjerash, Austin dhe të Tjerët k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 39692/09, 40713/09 dhe 41008/09, § 60, 15 mars 2012).
46. Gjykata vëren se një i pandehur konsiderohet se mbahet i ndaluar "pas dënimit të dhënë nga një gjykatë kompetente" brenda kuptimit të nenit 5 § 1 (a) pasi vendimi shpallet në gjykatën e shkallës së parë edhe nëse nuk është ende i ekzekutueshëm dhe mund të apelohet. Qëndrimi i Gjykatës në lidhje, është se shprehja "pas dënimit" nuk mund të interpretohet si i kufizuar vetëm pas dënimi të formës së prerë, sepse kjo do të përjashtonte arrestimin gjatë seancës dëgjimore të personave të dënuar, ndërkohë që janë ende të lirë, pavarësisht mjetet juridike në dispozicion të tyre (shih Wemhoff k. Gjermanisë, 27 qershor 1968, f. 23, § 9, Seria A nr. 7). Për më tepër, një personi i dënuar nga gjykata e shkallës së parë dhe që mbahet i ndaluar në pritje të apelit nuk mund të konsiderohet se mbahet i ndaluar në pritje të nxjerrjes së tij përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale sipas nenit 5 § 1 (c) (shih, në veçanti, Solmaz k. Turqisë, nr. 27561/02, § 25, 16 janar 2007).
47. Gjykata ka deklaruar vazhdimisht në jurisprudencën e saj se është e ndërgjegjshme për qëndrimet e ndryshme midis Shteteve Kontraktuese, në lidhje me çështjen nëse personi i dënuar në shkallën e parë ka filluar vuajtjen e dënimit me burg, ndërkohë që pritet apelimi. Megjithatë, Gjykata përsëriti se garancitë e nenit 5 të Konventës nuk varen nga legjislacioni kombëtar (shih B. v. Austrisë, 28 mars 1990, § 39, Seria A nr. 175, dhe Solmaz, cituar më lart, § 26 ). Kështu, edhe nëse e drejta e brendshme e një shteti anëtar parashikon që dënimi bëhet përfundimtar vetëm pas përfundimit e të gjitha procedurave apeluese, periudha e paraburgimit përfundon, për qëllimet e Konventës, me shpalljen e fajësisë dhe dhënien e dënimit gjyqësor në shkallë të parë (shih Solmaz, cituar më lart, § 26).
48. Për shembull, në rastin e Grubic k. Kroacisë kërkuesi, i cili ishte dënuar me tridhjetë vjet burgim nga gjykata e shkallës së parë, u ankuan për paligjshmërinë e disa muajve të ndalimit të tij, pas shpalljes së vendimit në gjykatën e shkallës së parë. Heqja e lirisë gjatë kësaj periudhe u konsiderua si "paraburgim" sipas legjislacionit të brendshëm. Gjykata e shqyrtoi kërkesën e mësipërme nga pikëpamja e nenit 5 § 1 (a) të Konventës dhe nuk konstatoi asnjë shenjë arbitrariteti (nr. 5384/11, §§ 30-45, 30 tetor 2012).
49. Gjykata ka në jurisprudencën e saj është shprehur se, duke pasur parasysh tekstin francez (condamnation), fjala "dënim", për qëllimet e nenit 5 § 1 (a), nënkupton edhe konstatimin e fajit në pajtim me ligjin në kryerjen e një vepre penale dhe vendosjen e një dënimi ose masave të tjera që përfshijnë heqjen e lirisë (shih Guzzardi k. Italisë, 6 nëntor 1980, § 100, Seria A nr. 39 ; Van Droogenbroeck k. Belgjikës, 24 qershor 1982, § 35, Seritë A nr. 50; dhe, në jurisprudencën më të fundit, Del Río Prada k. Spanjës [GC], nr. 42750/09, § 123, ECHR 2013).
50. Për më tepër, fjala "pas" në nën paragrafin (a) të nenit 5 § 1 nuk do të thotë thjesht se ndalimi duhet të ndjekë "dënimin" për sa i përket kohës. Përveç kësaj, "ndalimi" duhet të rezultojë nga "dhënia dhe të varet nga" apo të ndodhë "për shkak të" "të dënimit". Me pak fjalë, duhet të ketë një lidhje të mjaftueshme shkakësore ndërmjet dënimit dhe heqjen e lirisë në fjalë (shih Murray k. Holandës, nr. 10511/10, § 77, 10 dhjetor 2013, me referenca të mëtejshme).
51. Kështu, Gjykata ka gjetur më parë se forma të ndryshme të paraburgimit përveç dënimit me burgim përbënin ndalim të kërkuesit "pas dënimit nga një gjykatë kompetente" (shih, për shembull, Van Droogenbroeck, cituar më lart, §§ 33-42; M. k. Gjermanisë, nr. 19359/04, § 96, ECHR 2009, dhe James, Wells dhe Lee k. Mbretërisë së Bashkuar, nr 25119/09, 57715/09 dhe 57877/09, §§ 197-199, 18 shtator 2012). Ndalimi përkatës nuk ishte pjesë e një dënimi në rrethana të tilla, por është pasojë e një "mase tjetër që përfshin heqjen e lirisë", siç vuri në dukje në paragrafin 49 më sipër.
(β) Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen në fjalë
52. Gjykata vëren se ndalimi i kërkuesit gjatë kësaj periudhe u bë pas shpalljes së vendimit në lidhje me çështjen e tij penale, por ende konsiderohej "paraburgimi" sipas legjislacionit të brendshëm.
53. Pavarësisht klasifikimit në nivel vendor, Gjykata vëren se kjo periudhë e ndalimit të kërkuesit ra nuk binte më fushëveprimin e nenit 5 § 1 (c) (shih, në veçanti, paragrafi 46 më sipër). Mbetet për t’u parë nëse kjo periudhë justifikohej sipas nën paragrafit (a) të nenit 5 § 1 të Konventës, pasi asnjë nga nën-paragrafët e tjerë të kësaj dispozite në parim nuk ishin të zbatueshëm për situatën në fjalë.
54. Gjykata vëren se vendimi i 12 korrikut 2010, parashikonte vendosjen e dy masave të veçanta që përfshinin heqjen e lirisë së kërkuesit: së pari, një dënim me burgim, dhe, së dyti, ndalimin e kërkuesit si një masë parandaluese në pritje të hyrjes në fuqi të vendimit. Ndërsa ndëshkimi i vendosur përfundonte tre ditë më vonë, masa e dytë e përmendur do të zgjaste të paktën dymbëdhjetë ditë më shumë, duke pasur parasysh afatin pesëmbëdhjetë ditësh për apelim. Në rast nuk do ishte apeluar, kohëzgjatja e paraburgimit të kërkuesit do të kishte qenë edhe më gjatë dhe do të varej nga shqyrtimi i çështjes nga gjykata e apelit.
55. Prandaj, Gjykata vlerëson se ndalimi i kundërshtuar i kërkuesit, edhe pasi ai shleu tërësisht dënimin e tij me burgim, mund të konsiderohet si "masë tjetër që përfshin heqjen e lirisë", e cila u zbatua "pas dënimit" në kuptim të nenit 5 § 1 (a).
56. Si përfundim, Gjykata konkludon se kjo periudhë e ndalimit të kërkuesit bie brenda përjashtimeve të përcaktuara në nënparagrafin (a) të nenit 5 § 1 të Konventës. Megjithatë, mbetet për t’u parë, nëse kjo dispozitë është respektuar.
(ii) Ligjshmëria e ndalimit të kërkuesit gjatë periudhës nga 15 deri 27 korriku 2010
(α) Parimet e përgjithshme të jurisprudencës
57. Gjykata rithekson se çdo heqje lirie duhet, përveç se të përfshihet në një nga përjashtimet e parashikuara në nën paragrafët (a) deri (f) të nenit 5 § 1, të jetë "e ligjshme". Kur është në diskutim "ligjshmëria" e ndalimit, përfshirë edhe pyetjen nëse është respektuar "procedura e parashikuar me ligj", Konventa i referohet në thelb të drejtës kombëtare dhe përcakton detyrimin për respektimin e rregullave materiale dhe procedurale të saj (shih, ndërmjet të tjerash, Erkalo k. Holandës, 2 shtator 1998, § 52, Raportet e vendimeve 1998-VI; dhe Baranoëski k. Polonisë, ka 28358/95, § 50, ECHR 2000-III).
58. Në vlerësimin nëse ndalimi është i ligjshëm, Gjykata duhet të vlerësojë nëse e drejta e brendshme në vetvete është në përputhje me Konventën, duke përfshirë edhe parimet e përgjithshme të shprehura apo të nënkuptuar në të. "Cilësia e ligjit" do të thotë se kur një ligj kombëtar autorizon heqjen e lirisë ai duhet të jetë mjaftueshëm i aksesueshëm, i saktë dhe i parashikueshëm në zbatimin e tij, për të shmangur të gjitha rreziqet e arbitraritetit. Standardi i "ligjshmërisë" i vendosur nga Konventa kërkon që të gjitha ligjet të jenë mjaft të saktë për të lejuar personin - nëse është e nevojshme, me këshillimin e duhur - për të parashikuar, në një shkallë që është e arsyeshme për rrethanat, pasojat që një veprim i caktuar mundet sjellë. Në rastet kur veprimi në kundërshtim me parashikimet e ligjit shoqërohet me heqjen e lirisë, është thelbësore që ligji i brendshëm të përcaktojë qartë kushtet për ndalim (shih Del Rio Prada, cituar më lart, § 125, me referenca të mëtejshme).
59. Për më tepër, asnjë ndalim arbitrar nuk mund të jetë në përputhje me nenin 5 § 1. Nocioni i "arbitraritetit" në këtë kontekst shtrihet përtej mungesës së pajtimin me të drejtën kombëtare. Si pasojë, një heqje lirie e cila është e ligjshme sipas ligjit të brendshëm, mund të jetë arbitrare e për rrjedhojë në kundërshtim me Konventën (shih Mooren k. Gjermanisë [GC], nr. 11364/03, § 77, 9 korrik 2009).
60. Gjykata nuk ka formuluar paraprakisht një përkufizim global se çfarë lloje të sjelljes nga ana e autoriteteve mund të jenë "arbitrare" për qëllimet e nenit 5 § 1. Megjithatë, parimet kryesore që janë zhvilluar mbi praktikat rast pas rasti demonstrojnë se nocioni i arbitraritetit në kontekstin e nenit 5 ndryshon në një masë të caktuar në varësi të llojit të ndalimit të përfshirë (shih Saadi k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13229/03, § 68, ECHR 2008 dhe Pleso k. Hungarisë, nr. 41242/08, § 57, 2 tetor 2012). Një parim i përgjithshëm i themeluar në jurisprudencën e Gjykatës është se ndalimi do të jetë "arbitrar", kur, pavarësisht se është në përputhje me të drejtën kombëtare, ka elementë të keqbesimit apo mashtrimit nga ana e autoriteteve ose kur autoritetet vendase neglizhojnë zbatimin korrekt të legjislacionit përkatës (shih Mooren, cituar më lart, § 78).
61. Për më tepër, kërkesa që ndalimi të mos jetë arbitrar nënkupton nevojën për një marrëdhënie proporcionaliteti midis arsyeve mbi të cilat është mbështetur ndalimi dhe arrestimi në fjalë (shih James, Wells dhe Lee, cituar më lart, § 195). Shtrirja e testit të proporcionalitetit për t’u zbatuar në një rast të caktuar ndryshon në varësi të llojit të ndalimit të përfshirë. Në kontekstin e ndalimit në pajtim me nenin 5 § 1 (a), Gjykata përgjithësisht është shprehur se vendimi për të vendosur një dënim për heqje lirie dhe kohëzgjatja e këtij dënimi, u takon autoriteteve kombëtare dhe jo Gjykatës (shih T. k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24724/94, § 103, ECHR 2000-I, dhe Saadi, cituar më lart, § 71). Në të njëjtën kohë, në vlerësimin nëse ka pasur arbitraritet në vendosjen e masës parandaluese të heqjes së lirisë ndaj kërkuesit që nuk përbën pjesë të dënimit, por përsëri binin në fushëveprimin nenit 5 § 1 (a), Gjykata e vlerëson të nevojshme identifikimin e qëllimit të ndalimit sipas nenit 5 § 1 (a) dhe zbatimin e testit të proporcionalitetit (shih James, Wells dhe Lee, cituar më lart, § 205).
(β) Zbatimi i parimeve të mësipërme në rastin konkret
62. Gjykata nuk vëren asnjë tregues se vendimi i Gjykatës Bila Tserkva për të mbajtur kërkuesin të ndaluar derisa vendimi të hynte në fuqi është në kundërshtim me të drejtën e brendshme. Për më tepër, dispozitat ligjore në fuqi ishin të qarta dhe të parashikueshme. Kështu, është kërkesë e parashikuar shprehimisht në Kodin Penal të Ukrainës se gjykata që jep dënimin duhet të vendosë mbi masën parandaluese që do të zbatohet për të dënuarin në pritje të hyrjes së vendimit në fuqi (shih paragrafin 18 më lart). Gjithashtu nga legjislacioni vendas del se kohëzgjatja e masës përkatëse parandaluese nuk varet dhe për këtë arsye mund të jetë më shumë se kohëzgjatja e dënimit kryesor me burgim.
63. Gjykata duhej ende të vlerësonte nëse ndalimi i kundërshtuar, pavarësisht pajtueshmërisë së tij me legjislacionin e brendshëm, ishte arbitrar dhe në këtë mënyrë në kundërshtim me Konventën.
64. Gjykata nuk vëren se ka pasur keqbesim nga ana e Gjykatës Bila Tserkva në vendimin e tij për vazhdimin e paraburgimit të kërkuesit si një masë parandaluese. Në të njëjtën kohë, Gjykata vëren se vendimi nuk përmbante arsyetimin në këtë drejtim, përveç një shpjegim të përgjithshëm mbi zbatimin e masës së përmendur në pjesën operative të vendimit. Mbetet e pashpjegueshme se çfarë e bëri gjykatën që dha vendimin e dënimin për të vendosur vazhdimin e ndalimit të kërkuesit si një masë parandaluese, e cili do të kalonte në mënyrë të qartë kohëzgjatjen e dënimit kryesor me burgim.
65. Gjykata pranon se mund të ketë konsiderata të veçanta që arsyetojnë, pavarësisht kohëzgjatjes së dënimit kryesor me burgim, heqjen e lirisë së të dënuarit si një masë parandaluese për qëllim sigurimin e pranisë së tij për procedurat gjyqësore në apel nëse vendimi i gjykatës së shkallës së parë apeluar. Megjithatë, konsiderata të tilla as nuk janë përmendur dhe as mund të kuptohen nga vendimi i Gjykatës Bila Tserkva i 12 korrikut 2010. Për më tepër, gjykata vuri në dukje bashkëpunimin e kërkuesit me hetuesit dhe vendosi, mbi këtë bazë, zbatimin e një sanksioni më të butë se ai që parashikonte ligji (shih paragrafin 6 më sipër). Prandaj, mbajtja e kërkuesit të ndaluar përtej kohëzgjatjes së dënimit të tij kryesor me burgim ishte i pajustifikuar. Në lidhje me ketë, Gjykata vëren se, Qeveria gjithashtu e pranoi këtë në vëzhgimet e tyre (shih paragrafin 26 më lart).
66. Në funksion të konsideratave të mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin se ndalimi i kërkuesit për periudhën 15-27 korrik 2010 ishte në shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës.
(b) Ndalimi i kërkuesit nga 27 deri më 29 korrik 2010
67. Gjykata vëren se më 27 korrik 2010, vendimi i Gjykatës së Tserkva Bila i 12 korrikut 2010 mori formë të prerë. Kështu, nuk ekzistonin më arsyet për mbajtjen të ndaluar kërkuesin, e cila kishte qenë një masë parandaluese në pritje të hyrjes në fuqi të vendimit të lartpërmendur. Gjithashtu, kjo periudhe ndalimi e kërkuesit nuk kishte të bënte me zbatimin e dënimit me burgim të dhënë ndaj tij, sepse ai ishte shlyer edhe më herët.
68. Gjykata rithekson se disa vonesa në zbatimin e një vendimi për lirimin e një të burgosuri janë të kuptueshme dhe shpesh të pashmangshme në funksion të konsideratave praktike që lidhen me drejtimin e gjykatave dhe respektimin e formaliteteve të veçanta. Megjithatë, autoritetet kombëtare duhet të përpiqen që këto vonesa ti mbajnë në nivele minimale (shih Quinn k. Francës, 22 mars 1995, § 42, Seritë A nr. 311; Xhulia Manzoni k. Italisë, 1 korrik 1997 § 25 in fine, Raporte të Vendimet 1997-IV; K.-F. k. Gjermanisë, 27 nëntor 1997, § 71, Raportet 1997-VII;. Mancini k. Italisë, nr. 44955/98, § 24, ECHR 2001-IX). Formalitetet administrative lidhur me lirimin nuk mund të justifikojnë një vonesë prej më shumë se disa orë (shih Nikolov k. Bullgarisë, nr. 38884/97, § 82, 30 janar 2003). Kështu, Shtetet Kontraktuese duhet të organizojnë sistemin e tyre ligjor në një mënyrë të tillë që autoritetet e tyre të zbatimit të ligjit të përmbushin detyrimet duke shmangur heqjen e pajustifikuar të lirisë (shih, për shembull, Shukhardin k. Rusisë, nr. 65734/01, § 93, 28 qershor 2007; dhe Mohanlal k. Ukrainës, nr. 19246/10, § 44, 10 nëntor 2011).
69. Në rastin në fjalë, autoriteteve vendase iu deshën dy ditë për të mundësuar lirimin e kërkuesit pasi arsye e ndalimit të tij nuk ekzistonin më me hyrjen e vendimit të 12 korrikut 2010. Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka në një shoqëri demokratike e drejta për liri, Shteti i paditur duhet të zbatonte të gjitha mjetet moderne të shkëmbimit të informacionit për të mbajtur në nivele minimale vonesën në zbatimin e vendimit për lirimin kërkuesit, siç kërkohet nga jurisprudenca përkatëse (shih Mojallal, cituar më lart, § 44). Gjykata vlerëson se autoritetet ukrainase nuk e kanë respektuar këtë detyrim në rastin konkret.
70. Ajo vijon se ndalimi i kërkuesit gjatë kësaj periudhe nuk justifikohej sipas nenit 5 § 1 të Konventës.
(c) Përfundimi
71. Në dritën e sa më sipër, Gjykata konkludon se ka pasur shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës në lidhje me të gjithë periudhën e ndalimit që kërkuesi kundërshton (nga 15 deri më 29 korrik 2010).
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 2 § 1 TË PROTOKOLLIT NR. 7
72. Gjithashtu, kërkuesi u ankuan, sipas nenit 2 të Protokollit nr. 7, se ai ishte privuar në mënyrë efektive nga e drejta për të kundërshtuar në apel vendimin në lidhje me çështjen e tij penale. Dispozita mbi të cilën ai u mbështet parashikon si më poshtë:
“1. Çdo person i shpallur fajtor për një vepër penale nga një gjykatë ka të drejtë të paraqesë për shqyrtim përpara një gjykate më të lartë deklarimin e fajësisë ose dënimin. Ushtrimi i kësaj të drejte, duke përfshirë shkaqet për të cilat ajo mund të ushtrohet, përcaktohet me ligj.
2. Nga kjo e drejtë mund të ketë përjashtime për vepra të lehta penale, siç përcaktohen me ligj, ose kur i interesuari ka qenë gjykuar në shkallë të parë nga gjykata më e lartë, ose shpallur fajtor dhe dënuar në vijim të një apeli kundër pafajësisë së tij.”
A. Pranueshmëria
73. Gjykata vëren se kjo kërkesë nuk është haptazi e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe as nuk është e pa pranueshme për asnjë arsye tjetër. Rrjedhimisht, ajo është e pranueshme.
B. Themeli
74. Kërkuesi parashtroi se ishte detyruar të zgjidhte ndërmjet zbatimit nga njëra anë të së drejtës së tij për të apeluar kundër vendimit në çështjen e tij penale dhe në anën tjetër të së drejtës së tij për liri. Me fjalë të tjera, nëse ai do të vendoste të apelonte, kjo do të kishte vonuar lirimin e tij në mënyrë të konsiderueshme.
75. Qeveria nuk komentoi mbi argumentet e mësipërme të kërkuesit. Ata theksuan se, në bazë të legjislacionit të brendshëm, kërkuesi kishte pasur të drejtën e apelimit ndaj vendimit të datës 12 korrik 2010, por ai kishte zgjedhur të mos e zbatonte këtë të drejtë. Prandaj, Qeveria vërejti se të drejtat e kërkuesit sipas nenit 2 të Protokollit nr. 7 nuk ishin shkelur.
76. Gjykata vëren se, Shteteve Kontraktuese në parim gëzojnë një hapësirë të gjerë vlerësimi në përcaktimin se si e drejta e garantuar me nenin 2 të Protokollit nr. 7 të Konventës do të ushtrohet (shih Krombach k. Francës, nr. 29731/96, § 96, ECHR 2001-II).
77. Nga jurisprudenca e Gjykatës, rezulton se kjo dispozitë kryesisht rregullon çështjet institucionale, si aksesi në gjykatën e apelit apo objekti i rishikimit në procedurat e apelit (shih, për shembull, Pesti dhe Frodl k. Austrisë (vendim[2]), nr. 27618/95 dhe 27619/95 18 janar 2000).
78. Në lidhje me aksesin në gjykatë, Gjykata e konsideroi të pranueshme, në mënyrë të veçantë, që në disa vende që i pandehuri të ankohet nganjëherë mund të jetë e nevojshme të kërkojë leje. Megjithatë, është një parim i mirë vendosur i praktikës gjyqësore që çdo kufizim në të drejtën e rishikimit gjyqësor, i parashikuar nga e drejta e brendshme duhet, në analogji me të drejtën e aksesit në gjykatë të mishëruara në nenin 6 § 1 të Konventës, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të mos cenojë thelbin e kësaj të drejte (shih Krombach, cituar më lart, § 96; Gurepka k. Ukrainës, nr. 61406/00, § 59, 6 shtator 2005; dhe Galstyan k. Armeninë, nr. 26986/03, § 125, 15 nëntor 2007).
79. Gjykata përsërit se Konventa ka për qëllim të garantojë të drejtat praktike dhe efektive dhe jo teorike ose iluzore. Kjo vlen sidomos edhe për të drejtën e aksesit në gjykatë, në kuadër të vendit të rëndësishëm që zë në një shoqëri demokratike e drejta për gjykim të drejtë (shih Airey k. Irlandës, 9 tetor 1979, § 24, seria A nr. 32, dhe García Jabardo k. Spanjës, nr. 38695/97, § 43, ECHR 2000-II). Duke pasur parasysh parimin e mësipërme, Gjykata në jurisprudencën e saj ka mbajtur qëndrimin se pengesat në fakt mund të jenë në kundërshtim me Konventën si një pengesë ligjore (shih Golder k. Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1975, § 26, seria A nr. 18, dhe, për referencë më të fundit, Qendra për Burime Ligjore në emër të Valentin Kampeanu k. Rumanisë [GC], nr. 47848/08, § 113, ECHR 2014).
80. Duke iu kthyer çështjes në fjalë, Gjykata vëren se legjislacionin ukrainas ka një procedurë të mirë përcaktuar për ankimimin kundër vendimeve në procedurën penale. Megjithatë, është për t’u parë nëse kërkuesi është penguar në të drejtën e tij për të paraqitur ankesë dhe, nëse po, nëse kjo pengesë mund të konsiderohet se cenonte vetë thelbin e të drejtës së tij të mishëruar në nenin 2 të Protokollit nr. 7.
81. Gjykata vëren se gjykatat vendase vlerësuan të nevojshme për të mbajtur kërkuesin të ndaluar si një masë parandaluese në pritje të hyrjes në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, edhe pasi dënimi me burgim i shpallur nga ky vendimi ishte shlyer tashmë. Në mungesë të një ankimi, periudha në fjalë zgjati për dymbëdhjetë ditë. Nëse kërkuesi do paraqiste ankimimin hyrja në fuqi e vendimit do të zgjatej për një periudhë të pacaktuar kohore.
82. Prandaj, Gjykata pajtohet me argumentin e kërkuesit se realizimi i të drejtës së tij për të apeluar do t’i kishte kushtuar atij lirinë e tij, aq më tepër që kohëzgjatja e ndalimit do të kishte qenë e papërcaktuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kjo rrethanë cenon vetë thelbin e të drejtës së tij të mishëruar në nenin 2 të Protokollit nr. 7.
83. Për gjithë sa më sipër, ka pasur shkelje të këtij neni.
III. ZBATIMI I NENIN 41 TË KONVENTËS
84. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar..”
A. Dëmi
85. Kërkuesi pretendoi 3,000 euro në lidhje me dëmin jo material.
86. Qeveria e kundërshtoi këtë pretendim si të pabazuar dhe të tepruar.
87. Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e rastit konkret, Gjykata pranon se kërkuesi ka pësuar një dëm jo material i cili nuk mund të kompensohet vetëm me konstatimin e shkeljes. Duke bërë vlerësimin mbi baza të barabarta, Gjykata i akordon kërkuesit shumën e plotë të pretenduar.
B. Kostot dhe shpenzimet
88. Kërkuesi pretendoi edhe 1,330 euro për kostot dhe shpenzimet para Gjykatës. Ai i kërkoi Gjykatës transferimin e kësaj shumë në llogarinë bankare të përfaqësuesit të tij.
89. Qeveria e kundërshtoi pretendimin mbi kostot dhe shpenzimet si të tepruara.
90. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një kërkues ka të drejtën e rimbursimit të kostove dhe shpenzimeve vetëm në masën që dëshmohet se kanë qenë të vërteta, të domosdoshme dhe të arsyeshme në masë. Në rastin në fjalë, duke iu referuar dokumenteve të paraqitura para saj dhe duke mbajtur parasysh kriteret e mësipërme, Gjykata i akordon kërkuesit shumën e plotë të pretenduar për kostot dhe shpenzimet prej 1,330 euro.
C. Interesi i munguar
91. Gjykata çmon të nevojshme se interesi i mospagimit, duhet të bazohet në përqindjen ditore të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet ti shtohen tre pikë përqindje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. Deklaron kërkesën të pranueshme;
2. Vendos, se ka pasur shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës;
3. Vendos, se ka pasur shkelje të nenit 2 të protokollit nr. 7;
4. Vendos:
(a) Se Shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë, në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme, që do të konvertohen në monedhën e Shtetit të paditur në kursin e këmbimit të zbatueshëm në datën e shlyerjes:
(i) 3,000 euro (tre mijë euro) për dëmin jo material, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme;
(ii) 1,330 euro (një mijë e treqind e tridhjetë e tre euro) në lidhje me kostot dhe shërbimet, të cilat do transferohen në llogarinë bankare të përfaqësuesit të tij, plus çdo taksë që mund të jetë e zbatueshme;
(b) Se nga mbarimi i afatit tremujor deri në ditën e pagesës, do të zbatohet interesi i thjeshte mbi shumën e mësipërme, në një përqindje të barabarte me përqindjen ditore të kreditimit nga Banka Qendrore Evropiane, gjatë periudhës se mospagimit, plus tre pikë përqindjeje.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 4 qershor 2015 sipas nenit 77 § § 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Milan BlaškoMark Villiger
Zëvendës KancelarPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimi ndryshe i gjyqtarit B.M. Zupančič i bashkëngjitet këtij vendimi.
M.V.
M.B.
“Separate opinions have not been translated, but appear in English and/or French in the official language version(s) of the judgment which may be consulted in the Court’s case-law database HUDOC.”
“Mendimet e pakicës nuk janë të përkthyera, por gjenden në gjuhën angleze dhe/ose franceze në versionet në gjuhën zyrtare të vendimeve, të cilat gjenden në bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës, HUDOC”
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2016.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2016.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2016.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@
[1] mbi pranueshmërinë
[2] mbi pranueshmërinë
Full & Egal Universal Law Academy