S. dhe MARPER kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(kërkesat nr. 30562/04 dhe 30566/04)
4 dhjetor 2008
Dhomë e Madhe
ruajtja e gjurmëve të gishtërinjve dhe shembujt e AND-së nga autoritetet
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit, S. dhe Michael Marper, janë që të dy shtetas britanikë që kanë lindur më 1989 dhe 1963 respektivisht. Ata jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
2. Më 19 janar 2001, S. u arrestua dhe u akuzua për tentativë vjedhje. Ai ishte 11 vjeç në atë kohë. Atij iu morën gjurmët e gishtërinjve dhe të ADN-së. Ai u lirua më 14 qershor 2001. Z. Marper u arrestua më 13 mars 2001 dhe u akuzua për kërcënim të partnerit të tij. Atij iu morën gjurmët e gishtërinjve dhe të ADN-së. Më 14 qershor 2001, çështja u mbyll formalisht dhe ai me partnerin e tij u pajtuan.
3. Pas mbarimit të procedurave, të dy kërkuesit kërkuan pa sukses që gjurmët e gishtërinjve dhe ADN-ja e tyre të shkatërroheshin. Informacioni u ruajt në bazë të një ligji që autorizonte ruajtjen e tij pa asnjë limit kohor.
4. Kërkesa u paraqit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut më 16 gusht 2004. Dhoma së cilës iu caktua çështja vendosi t’ia kalonte juridiksionin Dhomës së Madhe më 10 Korrik 2007[1].
5. Kërkuesit u ankuan në bazë të neneve 8 dhe 14 të Konventës për ruajtjen e gjurmëve të gishtërinjve, për qelizat dhe profilet e ADN-së pas lirimit të tyre.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 8
6. Gjykata konsideroi se qelizat dhe profilet e ADN-së, si dhe gjurmët e gishtërinjve, përmbanin informacion personal tepër delikat dhe se ruajtja e tyre çonte në një ndërhyrje me të drejtën për respektin e jetës private të kërkuesit, sipas nenit 8 § 1 të Konventës. Gjykata vuri re se ruajtja e gjurmëve të gishtërinjve, e qelizave dhe profileve të ADN-së kishte një bazë të qartë në ligjin vendas sipas Aktit të vitit 1984, dhe se ndiqte një qëllim legjitim, më saktësisht, identifikimin dhe parandalimin e krimit.
7. Gjykata tregoi se legjislacioni i brendshëm duhet të ofronte garancitë e duhura për të parandaluar ndonjë përdorim të të dhënave personale që mund të mos jetë në përputhje me garancitë e nenit 8 të Konventës. Gjykata shtoi se nevoja për këto garanci ishte dhe më e madhe kur bëhej fjalë për mbrojtjen e të dhënave personale të cilat i nënshtroheshin një procedimi automatik, dhe jo vetëm kur këto të dhëna përdoreshin për qëllime policore. Çështja që duhej marrë në konsideratë nga Gjykata në këtë rast, ishte nëse ruajtja e gjurmëve të gishtërinjve dhe e të dhënave të ADN-së së kërkuesve, si persona të dyshuar, por jo të dënuar, për disa krime, ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.
8. Gjykata mori parasysh parimet thelbësore të instrumenteve të përshtatshëm të Këshillit të Europës si dhe ligjin dhe praktikën e shteteve të tjera kontraktuese, sipas të cilave ruajtja e të dhënave duhej të ishte proporcionale me qëllimin e mbledhjes së tyre dhe e limituar në kohë.
Gjykata vërejti se Mbretëria e Bashkuar dukej se ishte juridiksioni i vetëm në KE që lejonte ruajtjen e përhershme të gjurmëve të gishtërinjve dhe të materialit të ADN-së të çdo personi në çdo moshë të dyshuar për vepër penale. Të dhënat në fjalë mund të mbaheshin pavarësisht nga natyra ose rëndësia e veprës penale për të cilën individi ishte akuzuar ose nga mosha e personit të dyshuar; ruajtja nuk qe e limituar në kohë; dhe ekzistonin vetëm disa mundësi të kufizuara që të dhënat e një individi të liruar të fshiheshin nga baza e të dhënave kombëtare ose materialet të shkatërroheshin.
9. Gjykata shprehu një shqetësim të veçantë për rrezikun, që rridhte nga fakti se personat në situatën e kërkuesve, që nuk qenë dënuar dhe përfitonin nga parimi i prezumimit të pafajësisë, trajtoheshin njësoj si personat e dënuar. Ruajtja e të dhënave të personave të padënuar mund të ishte e dëmshme sidomos në rastet e të miturve, siç ishte rasti i kërkuesit të parë, pasur parasysh situatën e tyre të veçantë dhe rëndësinë e zhvillimit të tyre dhe integrimin e tyre në shoqëri.
10. Si përfundim, Gjykata konstatoi se natyra arbitrare dhe e gjerë e kompetencave të ruajtjes së gjurmëve të gishtërinjve, qelizave dhe profileve të ADN-së të personave të dyshuar por jo të dënuar për vepër penale, siç ishte zbatuar në çështjet në fjalë, nuk siguronte një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesave publikë dhe privatë, dhe se shteti përgjegjës kishte shkelur çdo hapësirë vlerësimi të pranueshme në lidhje me këtë. Si vijim, ruajtja në fjalë përbënte një ndërhyrje joproporcionale me të drejtën e kërkuesve për respekt të jetës private dhe nuk mund të konsiderohej si e nevojshme në një shoqëri demokratike. Gjykata konstatoi një shkelje të nenit 8 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 14 dhe nenin 8
11. Nën dritën e arsyetimit të mësipërm, Gjykata konsideroi se nuk ishte e nevojshme të analizonte ankesën sipas nenit 14.
C. Në lidhje me nenin 41
12. Gjykata konsideroi se konstatimi i një shkelje, me pasojat që kjo mund të ketë në të ardhmen, mund të shihet si një dëmshpërblim i drejtë në lidhje me dëmin moral të pretenduar nga kërkuesit. Gjykata i akordoi kërkuesve 42 000 euro përsa i përket shpenzimeve, dhe më pak se
2 613.07 euro të paguara për ndihmën juridike.
D. Në lidhje me nenin 46
13. Ajo vuri re se, në përputhje me nenin 46 të Konventës, shteti përgjegjës duhet të zbatojë, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, masat e duhura të përgjithshme dhe/ose masat individuale për të përmbushur detyrimet e tij për të siguruar të drejtën e kërkuesve dhe personave të tjerë në situatën e tyre për të respektuar jetën e tyre private.
[1] Teksti i nenit 30 të Konventës: Heqja dorë nga juridiksioni në Dhomën e Madhe kur një çështje e mbetur pezull para një Dhome ngre një çështje serioze që cenon interpretimin e Konventës ose të protokolleve të saj ose kur zgjidhja e një çështjeje para Dhomës mund të ketë një rezultat të papajtueshëm me një vendim të dhënë më parë nga Gjykata, në çdo kohë para se të ketë dhënë vendimin e saj, Dhoma mund të heqë dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, nëse një prej palëve të çështjes nuk kundërshton.
Full & Egal Universal Law Academy