© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për informacione të mëtejshme shiko të dhënat e plota për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyrights/droits d’auteur à la fin du present document.
GJYKATA EUROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
ÇËSHTJA SALDUZ K. TURQISË
(Kërkesë nr. 36391/02)
VENDIM
STRASBURG
27 Nëntor 2008
Ky vendim është përfundimtar, por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktorial.
Në çështjen Salduz k. Turqisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në seancë si Dhomë e Madhe, e përbërë nga:
Nicolas Bratza, President,
Christos Rozakis,
Josep Casadevall,
Rıza Türmen,
Rait Maruste,
Vladimiro Zagrebelsky,
Stanislav Pavlovschi,
Alvina Gyulumyan,
Ljiljana Mijović,
Dean Spielmann,
Renate Jaeger,
David Thór Björgvinsson,
Ján Šikuta,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Luis López Guerra,
Mirjana Lazarova Trajkovska, gjyqtarë,
dhe Vincent Berger, Jurist,
Pas diskutimesh në seancë të mbyllur më 19 Mars dhe 15 Tetor 2008,
Shpallin vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në një kërkesë (nr. 36391/02) kundër Republikës së Turqisë, depozituar në Gjykatë më 8 Gusht 2002 në bazë të Nenit 34 të Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore (“Konventa”) nga një qytetar turk, Z. Yusuf Salduz (“kërkuesi”.
2. Kërkuesi pretendonte, në mënyrë të veçantë, se i ishin shkelur të drejtat e tij të mbrojtjes për faktin se nuk i ishte komunikuar opinioni me shkrim i Krye-Prokurorit Publik në Gjykatën e Kasacionit dhe se i ishte mohuar e drejta për avokat mbrojtës ndërkohë që mbahej i arrestuar nga policia. Në lidhje me pretendimet e tij, ai u mbështet në Nenin 6 §§ 1 dhe 3 (c) të Konventës.
3. Kërkesa iu caktua Seksionit të Dytë të Gjykatës (Rregulli 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës).
4. Me një vendim të datës 28 Mars 2006, kërkesa u shpall pjesërisht e pranueshme nga një Dhomë e këtij Seksioni, e përbërë nga gjyqtarët e mëposhtëm: Jean-Paul Costa, Andras Baka, Rıza Türmen, Karl Jungwiert, Mindia Ugrekhelidze, Antonella Mularoni, Elisabet Fura-Sandström, dhe Sally Dollé, Regjistruese e Seksionit.
5. Në vendimin e saj të 26 Prillit 2007 (“vendimi i Dhomës”), Dhoma, e përbëra nga gjyqtarët e mëposhtëm: Françoise Tulkens, Andras Baka, Ireneu Cabral Barreto, Rıza Türmen, Mindia Ugrekhelidze, Antonella Mularoni dhe Danute Jočienė; si dhe nga Sally Dollé, Regjistruese e Seksionit, u shpreh njëzëri se ishte shkelur Neni 6 § 1 i Konventës për arsye të mos-komunikimit të opinionit me shkrim të Krye-Prokurorit Publik dhe me pesë vota përkundër dy votave u shpreh gjithashtu, se nuk kishte shkelje të Nenit 6 § 3 (c) për shkak të mungesës së asistencës ligjore për kërkuesin ndërsa ai mbahej i arrestuar nga policia.
6. Më 20 Korrik 2007, kërkuesi ka kërkuar që çështja t’i përcillet Dhomës së Madhe (Neni 43 i Konventës).
7. Më 24 Shtator 2007, një panel i Dhomës së Madhe vendosi të pranojë kërkesën e tij (Rregulli 73).
8. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në bazë të Nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe Rregullit 24.
9. Kërkuesi dhe Qeveria kanë depozituar secili komentet e tyre për themelin e çështjes.
10. Më 19 Mars 2008, në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, u mbajt një seancë e hapur (Rregulli 59 § 3).
Përpara Gjykatës u paraqitën:
(a) për Qeverinë
Z.M. Özmen,bashkë-Agjent,
Znj.N. Çetin,
Znj.A. Özdemir,
Znj.İ. Kocayiğit
Z.C. Aydin,Këshilltarë;
(b) për Kërkuesin
Z.U. Kilinç,Avokat mbrojtës,
ZnjT. Aslan,Këshilltare.
Gjykata dëgjoi prezantimet nga Y. Kılınç dhe Z. Özmen, si dhe përgjigjet e tyre për pyetjet e gjykatës.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
11. Kërkuesi ka lindur më 2 Shkurt 1984 dhe jeton në İzmir.
A. Arrestimi dhe burgosja e kërkuesit
12. Më 29 Maj 2001, rreth orës 22.15, kërkuesi është ndaluar nga dy oficerë policie të Degës së Anti-Terrorizmit të Drejtorisë së Sigurisë së İzmirit si i dyshuar se kishte marrë pjesë në një demonstratë të paligjshme në mbështetje të një organizate ilegale, të quajtur PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit). Kërkuesi akuzohej, gjithashtu, se më 26 Prill 2001 kishte varur një banderolë të paligjshme nga një urë në Bornova.
13. Rreth orës 12.30 paradite, më 30 Maj 2001, kërkuesi është çuar në Spitalin Mësimor dhe Kërkimor Ataturk, ku është vizituar nga një mjek. Raporti mjeksor shprehej se në trupin e tij nuk kishte shenja të keq-trajtimit.
14. Më pas, rreth orës 1 pas dite, kërkuesi është marrë në pyetje tek Dega e Anti-Terrorizmit, në mungesë të një avokati. Sipas një formulari ku shpjegoheshin të drejtat e personave të arrestuar, të cilën kërkuesi e ka nënshkruar, ai është informuar për akuzat e ngritura ndaj tij dhe të drejtën e tij për të mos folur. Në deklaratën e tij, kërkuesi ka pranuar përfshirjen e tij në degën e rinisë së HADEP-it (Halkın Demokrasi Partisi – Partia e Demokracisë së Popullit). Ai ka dhënë emrat e disa personave që bashkëpunonin me degën rinore të Zyrës Rajonale të Bornovës. Ai ka shpjeguar se ishte ndihmës përgjegjës i shtypit dhe botimeve për të rinjtë për lagjen Osmangazi. Ai ka deklaruar, po ashtu, se pjesë e detyrës së tij ishte edhe caktimi i detyrave për antarët e tjerë të degës rinore. Ai ka pranuar se ka marrë pjesë në demonstratën e 29 Majit 2001, organizuar nga HADEP në mbështetje të liderit të burgosur të PKK-s. Ai ka thënë se kanë qenë të pranishëm rreth gjashtëdhjetë demonstrues dhe kanë brohoritur parrulla në mbështetje të Öcalanit dhe PKK-s. E kanë arrestuar po aty. Ka pranuar, gjithashtu, se kishte shkruajtur “Rroftë udhëheqësi Apo” në një banderolë e cila ishte varur nga një urë më 26 Prill 2001. Policia ka marrë mostra të shkrimit të kërkuesit dhe ia ka dërguar policisë për analizë laboratorike.
15. Më 1 Qershor 2001, Laboratori i Policisë Kriminale të İzmirit ka bërë një raport pasi ka krahasuar shkrimin e kërkuesit me atë të banderolës. Raporti përfundonte se, megjithëse karakteristika të caktuara të shkrimit të kërkuesit kishin ngjashmëri me shkrimin në banderolë, nuk mund të provohej nëse shkrimi në banderolë ishte, në të vërtetë, i tij.
16. Në orën 11.45 të mbrëmjes, më 1 Qershor 2001, kërkuesi është ekzaminuar sërish nga një mjek i cili ka deklaruar se në trupin e tij nuk kishte shenja keq-trajtimi.
17. Po atë ditë, kërkuesi është nxjerrë përpara prokurorit publik dhe më pas përpara gjyqtarit hetues. Ai i ka shpjeguar prokurorit publik se nuk ishte anëtar i ndonjë partie politike, por kishte marrë pjesë në disa aktivitete të HADEP-it. Ai ka mohuar të kishte prodhuar një banderolë të paligjshme apo të kishte marrë pjesë në domonstratën e 29 Majit, 2001. Ai ka deklaruar se, kur ishte arrestuar nga policia, kishte qenë në lagjen Doğanlar për të vizituar një shok. Kërkuesi ka dhënë deklaratë edhe për gjyqtarin hetues, ku ka tërhequr deklaratën që kishte bërë për policinë me pretendimin se deklaratën ia kishin nxjerrë nën presion. Ai ka pretenduar se e kanë rrahur dhe fyer ndërsa mbahej i arrestuar nga policia. Ka mohuar përsëri se ishte i angazhuar në ndonjë veprimtari të paligjshme dhe ka shpjeguar se më 29 Maj 2001 kishte shkuar në lagjen Doğanlar për të vizituar një shok e nuk kishte qenë pjesë e grupit që brohoriste parrullat. Mbas përfundimit të marrjes në pyetje gjyqtari hetues, nisur nga natyra e veprës për të cilën akuzohej dhe dëshmitë, ka vendosur masën e arrestit për kërkuesin. Pas kësaj kërkuesi është lejuar të ketë një avokat.
B. Gjyqi
18. Më 11 Korrik 2001, Prokurori Publik në Gjykatën e Sigurisë Shtetërore të İzmirit ngriti një padi në gjykatë me akuza për kërkuesin dhe tetë persona të tjerë për ndihmesë dhe mbështetje të PKK-s, një shkelje sipas Nenit 169 të Kodit Penal dhe seksionit 5 të Ligjit për Parandalimin e Terrorizmit (Ligji nr. 3713).
19. Më 16 Korrik 2001, në Gjykatën e Sigurisë Shtetërore u zhvillua një seancë përgatitore. Ajo vendosi për vazhdimin e masës së arrestit për kërkuesin dhe të akuzuarit kërkohej të përgatisnin parashtrimet e mbrojtjes së tyre.
20. Më 28 Gusht 2001 Gjykata e Sigurisë Shtetërore mbajti seancën e saj të parë, në prani të kërkuesit dhe avokatit të tij. Ajo dëgjoi dëshminë e vetë kërkuesit, i cili i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij. Ai hodhi poshtë edhe deklaratën e policisë me pretendimin se e kishte bërë nën presion. Ai shpjegoi se ndërkohë që mbahej i ndaluar nga policia, oficerët e policisë e kishin detyruar të kopjonin fjalët e një banderole. Ai deklaroi gjithashtu se kishte qenë dëshmitar i ngjarjeve të ndodhura më 29 Maj 2001; megjithatë, nuk kishte marrë pjesë në demonstratë, siç pretendohej. Përkundrazi, ai kishte qenë në lagje për të vizituar një mik me emrin Özcan. Ai ka mohuar, gjithashtu, edhe faktin se kishte varur një banderolë nga një urë më 26 Maj 2001.
21. Në seancën tjetër që u zhvillua më 25 Tetor 2001, kërkuesi dhe avokati i tij ishin të dy të pranishëm. Gjykata dëgjoi edhe dëshminë e të akuzuarve të tjerë, të cilët mohuan se kishin marrë pjesë në demonstratën e paligjshme të 29 Majit 2001 dhe tërhoqën deklaratat e dhëna më parë. Prokuria pastaj kërkoi që kërkuesi të dënohej në bazë të Nenit 169 të Kodit Penal dhe avokati i kërkuesit kërkoi kohë për paraqitjen e parashtrimeve të mbrojtjes së Kërkuesit.
22. Më 5 Dhjetor 2001, kërkuesi ka paraqitur parashtrimet e mbrojtjes së tij. Ai ka mohuar akuzat kundër tij dhe ka kërkuar të lirohet. Po atë ditë, Gjykata e Sigurisë Shtetërore në İzmir ka shpallur vendimin. Ajo liroi pesë nga të akuzuarit dhe dënoi kërkuesin dhe tre të akuzuarit e tjerë sipas akuzave të ngritura. Kërkuesi u dënua me katër vite e gjashtë muaj burg, dënim që u reduktua në dy vite e gjysëm, meqë në kohën e kryerje së veprës kërkuesi kishte qenë i mitur.
23. Për dhënien e dënimit për kërkuesin, Gjykata e Sigurisë Shtetërore kishte mbajtur parasysh deklaratat e kërkuesit për policinë, zyrën e prokurorit dhe gjyqtarin hetues, përkatësisht. Ajo, gjithashtu, mori në konsideratë edhe dëshmitë e të bashkë-akuzuarve përpara prokurorit publik se ishin nxitur nga kërkuesi për të marrë pjesë në demonstratën e 29 Majit 2001. Gjykata vërejti se të akuzuarit e tjerë kishin dëshmuar, gjithashtu, se kërkuesi kishte qenë i ngarkuar me organizimin e demonstrates. Ajo mori parasysh, po ashtu, edhe raportin e ekspertizës, që krahasonte shkrimin e kërkuesit me atë të banderolës, dhe faktin se, sipas raportit të policisë në lidhje me arrestimin, kërkuesi kishte qenë mes demonstruesve. Ajo doli në përfundimin se:
“... nisur nga këto fakte materiale, gjykata nuk e pranon mohimin nga ana e kërkuesit dhe e gjen të mbështetur pohimin e tij përpara policisë.”
C. Apeli
24. Më 2 Janar 2002, avokatja e kërkuesit ka apeluar vendimin e Gjykatës së Sigurisë Shtetërore të İzmirit. Në njoftimin e saj për apel, ajo ka pretenduar se ishin shkelur Nenet 5 dhe 6 të Konventës, duke argumentuar se procesi gjyqësor në gjykatën e shkallës së parë kishte qenë i padrejtë dhe se gjykata nuk kishte vlerësuar si duhet dëshmitë.
25. Më 27 Mars 2002, Krye-Prokurori Publik në Gjykatën e Kasacionit depozitoi një opinion me shkrim në Dhomën e Nëntë të Gjykatës së Kasacionit, ku parashtronte se Dhoma duhej të ruante vendimin e Gjykatës së Sigurisë Shtetërore İzmirit. Ky opinion nuk i është komunikuar kërkuesit apo përfaqësueses së tij.
26. Më 10 Qershor 2002, Dhoma e Nëntë e Gjykatës së Kasacionit, duke ruajtur argumentimin dhe vlerësimin e dëshmive nga Gjykata e Sigurisë Shtetërore të İzmirit, hodhi poshtë kërkesën për apel të kërkuesit.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE
A. E drejta e brendëshme
1. Legjislacioni në fuqi në kohën e kërkesës
27. Dispozitat përkatëse të Kodit të mëparshëm të Procedurës Penale (nr. 1412), pikërisht Nenet 135, 136 dhe 138, parashikonin se çdo person i dyshuar apo i akuzuar për një vepër penale kishte të drejtën e avokatit që nga çasti i arrestimit nga policia. Neni 138 përcaktonte qartë se asistenca ligjore për të miturit ishte e detyrueshme.
28. Sipas seksionit 31 të Ligjit nr. 3842 të 18 Nëntorit 1992, i cili amendonte legjislacionin për procedurën penale, dispozitat e sipër-përmendura nuk ishin të zbatueshme për personat që akuzoheshin për vepra që ishin në juridiskionin e gjykatave të sigurisë shtetërore.
2. Ndryshimet e fundit të ligjit
29. Më 15 Korrik 2003, me anë të Ligjit nr. 4928, u hoq kufizimi mbi të drejtën e të akuzuarit për avokat në procesin gjyqësor përpara gjykatave të sigurisë shtetërore.
30. Më 1 Korrik 2005 ka hyrë në fuqi një Kod i ri i Procedurës Penale. Sipas dispozitave përkatëse të Kodit të ri (Nenet 149 dhe 150), të gjithë personat e arrestuar kanë të drejtën e avokatit që në çastin e arrestimit nga policia. Caktimi i një avokati është i detyrueshëm, nëse personi në fjalë është i mitur, ose në qoftë se ai apo ajo akuzohet për një vepër të dënueshme maksimalisht me të paktën pesë vite burg.
31. Së fundi, seksioni 10 i Ligjit për Parandalimin e Terrorizmit (Ligji nr. 3713), sipas amendimeve të 29 Qershorit 2006, parashikon që për veprat në lidhje me terrorizmin, e drejta e avokatit mund të shtyhet për njëzet e katër orë me urdhër të prokurorit publik. Megjithatë, i akuzuari nuk mund të merret në pyetje gjatë kësaj kohe.
B. E Drejta Ndërkombëtare Përkatëse
1. Procedura në çështjet me të mitur
(a) Këshilli i Europës
32. Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Këshillit të Europës në lidhje me mënyrat e reja të trajtimit të delinkuencës së të miturve dhe rolin e drejtësisë për të miturit (Rec (2003)20), aprovuar më 24 Shtator 2003 në takimin e 853-të të Zëvendës Ministrave, për aq sa është relevant, shprehet si më poshtë:
“15. Atje ku të miturit mbahen në paraburgim policor, duhet majtur parasysh satusi i tyre prej të mituri, mosha e tyre, cënueshmëria dhe niveli i pjekurisë së tyre. Ata duhen informuar menjëherë në lidhje me të drejtat e tyre dhe garancitë ligjore në mënyrë të tillë që siguron të kuptuarit e plotë nga ana e tyre. Kur merren në pyetje nga policia, në parim, ata duhet të shoqërohen nga prindi/kujdestari ligjor i tyre apo një i rritur tjetër i përshtatshëm. Ata, gjithashtu, duhet të kenë të drejtën e avokatit dhe mjekut...”
33. Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Këshillit të Europës për reagimet sociale ndaj delinkuencës së të miturve (no. R (87)20), aprovuar më 17 Shtator 1987, në takimin e 410 të Zëvendës Ministrave, për aq sa është relevante, shprehet si më poshtë:
“Rekomandon qeveritë e shteteve anëtare të rishikojnë, nëse është e nevojshme, legjislacionin dhe praktikën e tyre me synimin:
8. për të përforcuar pozitën ligjore të të miturve në të gjitha procedurat, përfshirë marrjen në pyetje nga policia, duke njohur, inter alia:
– të drejtën e asistencës së një avokati i cili, nëse është e nevojshme, mund të caktohet zyrtarisht dhe të paguhet nga shteti..”
(b) Kombet e Bashkuara
(i) Konventa për të Drejtat e Fëmijës
34. Neni 37 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës (CRC), për aq sa është relevante, shprehet si më poshtë:
“Shtetet Palë sigurojnë që: ...
(d) Çdo fëmijë i privuar nga liria duhet të ketë të drejtën e përfitimit menjëherë të ndihmës juridike apo të çdo ndihme tjetër të përshtatshme, si dhe të drejtën për të kundërshtuar vendimin për heqjen e lirisë përpara një gjykate ose një autoriteti tjetër kompetent, të pavarur dhe të paanshëm dhe të drejtën për një vendim të shpejtë për çdo rast të tillë.”
(ii) Koment i përgjithshëm nr. 10 i Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, i datës 25 Prill 2007 (CRC/C/GC/10)
35. Pjesa përkatëse e këtij teksti në lidhje me asistencën ligjore për të miturit në paraburgim policor parashikon si më poshtë:
“49. Fëmijës duhet t’i garantohet asistencë e duhur ligjore, apo tjetër, për përgatitjen dhe paraqitjen e mbrojtjes së tij/ saj. CRC-ja kërkon që fëmijës t’i sigurohet asistencë, e cila jo domosdoshmërisht është ligjore në të gjitha rrethanat, por ajo duhet të jetë asistenca e duhur. Lihet në diskrecionin e Shteteve palë për të vendosur mënyrën e sigurimit të kësaj asistence, por ajo duhet të jetë falas...
52. Komiteti rekomandon që Shtetet Palë të vendosin dhe të zbatojnë afate kohore për periudhën midis komunikimit të veprës dhe përfundimit të hetimit të policisë, vendimit të prokurorit (apo të organizmave të tjera kompetente) për të ngritur akuza ndaj fëmijës dhe gjykimit e vendimit përfundimtar të gjykatës apo të organizmave të tjera kompetente. Këto afate kohore duhet të jenë shumë më të shkurtra se ato të caktuara për të rriturit. Por në të njëjtën kohë, vendimet pa vonesa duhet të jenë rezultat i një procesi ku të drejtat e njeriut të fëmijës dhe garancitë ligjore respektohen plotësisht. Në këtë proces vendim-marrës pa vonesa, duhet të jetë e pranishme asistenca ligjore apo ajo e duhur e një lloji tjetër. Kjo prani nuk duhet të kufizohet vetëm tek procesi përpara gjykatës, apo një organizmi tjetër kompetent, por duhet të jetë e pranishme edhe në fazat e tjera, duke filluar që në marrjen në pyetje të fëmijës nga policia.”
(iii) Vëzhgime Konkluduese të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut të Fëmijës: Turqi, datë 9 Korrik 2001 (CRC/C/15/Add.152.)
36. Pjesa përkatëse e këtij teksti parashikon si më poshtë:
“66. Komiteti rekomandon që Shteti palë të vazhdojë të rishikojë ligjin dhe praktikën në lidhje me sistemin e drejtësisë për të miturit me qëllim që ta sjellë atë në përputhje të plotë me Konventën, veçanërisht nenet 37, 40 dhe 39, si dhe me standarde të tjera ndërkombëtare relevante në këtë fushë, si Rregullorja Minimale e Standardeve të Kombeve të Bashkuara për Administrimin e Drejtësisë për të Miturit (Rregullat e Pekinit) dhe Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Delinkuencës së të Miturve (Udhëzimet e Rijadit), me qëllim rritjen e moshës ligjore minimale për përgjegjësinë penale, duke e shtrirë mbrojtjen e garantuar nga Gjykata e Ligjit për të Miturit tek të gjithë fëmijët deri 18 vjeç dhe duke e zbatuar këtë ligj me efektivitet me krijimin e gjykatave të të miturve në çdo province. Në mënyrë të veçantë, ai u kujton Shteteve palë se të miturit delinkuentë duhen trajtuar pa vonesë, me qëllim që të evitohen periudha të paraburgimit incommunicado, se paraburgimi duhet përdorur vetëm si zgjedhja e fundit, duhet të jetë sa më i shkurtër dhe s’duhet të jetë më i gjatë se periudha e përcaktuar në ligj. Masat alternative përkundër masës së paraburgimit duhen përdorur sa herë është e mundur një gjë e tillë.”
2. E drejta e avokatit gjatë paraburgimit policor
(a) Këshilli i Europës
(i) Rregullat e miratuara nga Komiteti i Ministrave
37. Rregulli 93 i Rregullores Minimale Standarde për Trajtimin e të Burgosurve (Rezolutë (73)5 e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës) parashikon: “një i paraburgosur i pagjykuar ka të drejtë, menjëherë sapo paraburgoset, të zgjedhë përfaqësimin e tij ligjor .... dhe të takojë avokatin e tij në lidhje me mbrojtjen, me qëllim që të përgatitet, për t’i dhënë atij dhe për të marrë prej tij instruksione konfidenciale. Me kërkesë të tij, atij do t’i jepen të gjithë mjetet për këtë qëllim. ... Intervistat midis të burgosurit dhe avokatit të tij mund të bëhen në praninë e një polici apo zyrtari të institucionit që ka mundësinë të shohë, por jo të dëgjojë në mënyrë të direkte dhe indirekte.”
38. Veç kësaj, rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Këshillit të Europës për Rregullat e Burgjeve Europiane (Rec (2006)2), miratuar më 11 Janar 2006 në takimin e 952-të të Zëvendës Ministrave, për aq sa është relevante, shprehet si më poshtë:
“Këshillimi ligjor
23.1Të gjithë të burgosurit kanë të drejtën e këshillimit ligjor dhe autoritetet e burgut duhet t’u sigurojnë atyre mjete të arsyeshme për përfitimin e këtij këshillimi.
23.2Të burgosurit për çdo çështje ligjore mund të konsultohen me një avokat të zgjedhur prejt tyre dhe me shpenzimet e tyre.
...
23.5Një autoritet gjyqësor, në rrethana të jashtëzakonshme, mund të autorizojë kufizimin e kësaj marrëdhënie konfidenciale për të parandaluar krime të rënda apo shkelje madhore të sigurisë së burgut.”
(ii) Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit apo Dënimit Çnjerëzor dhe Poshtërues (CPT)
39. Mbas vizitës së saj në Turqi, në Korrik 2000, CPT-ja botoi raportin e saj të datës 8 Nëntor 2001 (CPT/Inf(2001)25. Në raport thuhet:
“61. Pavarësisht ndryshimeve të shumta në legjislacion vitet e fundit, ka ende disa dobësi në lidhje me garancitë formale kundër keq-trajtimit. Mbase mangësia më e rëndësishme është se personat e paraburgosur si të dyshuar për vepra kolektive, që janë në juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore, nuk kanë ende të drejtën e avokatit gjatë katër ditëve të para të arrestimit të tyre. Veç kësaj, pavarësisht pohimeve të mëparëshme për të kundërtën, autoritetet turke e thonë qartë në përgjigjen e tyre në lidhje me raportin mbi vizitën e Shkurt/ Marsit 1999 se këtyre personave, gjatë katër ditëve të para të paraburgimit policor, u mohohet mundësia për të informuar një të afërm në lidhje me situatën e tyre. Ky paraburgim incommunicado vetëm se krijon mundësi për shkaktim keqtrajtimi.
Prandaj CPT-s i duhet të ritheksojë edhe një herë rekomandimin e saj se të gjithë personave që u është hequr liria nga agjensitë e zbatimit të ligjit, përfshirë personat e dyshuar për vepra që janë në juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore, duhet t’u garantohet e drejta e avokatit që në fillim të arrestimit nga policia. CPT-ja pranon se, për të mbrojtur interesat legjitime të hetimit të policisë, mund të jetë përjashtimisht e domosdoshme të vonohet për një periudhë të caktuar kontakti i personit me një avokat të zgjedhur prej tij; megjithatë, në këto raste, duhet të bëhet i mundur kontakti me një avokat tjetër të pavarur.
Zbatimi i rekomandimit të mësipërm kërkon ndërmarrjen e masave legjislative. Megjithatë, ndërkohë, duhen marrë hapa të menjëhershëm për të siguruar respektimin e dispozitave ligjore ekzistuese. Në të vërtetë, informacioni i grumbulluar gjatë vizitës ad hoc të Korrikut 2002 tregon qartë se, edhe pas katër ditëve të para të arrestimit nga policia, kontakti me avokatin për personat e dyshuar për vepra të Gjykatës së Sigurisë Shtetërore në praktikë është më shumë përjashtim se sa rregull. CPT-ja rekomandon që zyrtarët përgjegjës për kryerjen e kontrrolleve dhe inspektimeve sipas procedurës monitoruese të sipër-përmendur të përputhshmërisë me ligjin, të instruktohen për t’i kushtuar vëmendje të veçantë faktit nëse personat e dyshuar për vepra kolektive nën juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore informohen në lidhje me të drejtën e tyre për të kontaktuar avokatin pas katër ditëve të para të arrestimit dhe nëse vihen në kushte të tilla që lejojnë ushtrimin me efektshmëri të kësaj të drejte.”
40. CPT-ja e vizitoi Turqinë përsëri në Shtator 2001 dhe në raportin e saj të datës 24 Prill 2002 (CPT/Inf (2002)8) ajo shprehet:
“12. Amendimet e Nenit 16 të Ligjit për Organizimin dhe Procedurat Gjyqësore të Gjykatave të Sigurisë Shtetërore sigurojnë një përmirësim edhe në lidhje me kontaktin me avokatin për personat e arrestuar si të dyshuar për vepra kolektive nën juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore. Për këta persona, e drejta e kontaktit me avokatin fillon të veprojë pas nxjerrjes së urdhrit nga prokurori për shtyrjen e kohës së arrestimit deri në 48 orë; më fjalë të tjera, atyre tani i mohohet kontakti me avokatin vetëm për dy ditë e jo për katër, siç ndodhte në bazë të ligjit të mëparshëm.
Ndërsa e mirëpret këtë hap pozitiv, CPT-ja shpreh keqardhjen që nuk ishte shfrytëzuar rasti për garantimin e të drejtës së avokatit për personat e paraburgosur për vepra nën juridiksionin e Gjykatës së Sigurisë Shtetërore, që në fillim të arrestimit të tyre (duke harmonizuar kështu të drejtat e tyre në këtë drejtim me ato të të dyshuarve të tjerë penalë të zakonshëm). CPT-ja beson se autoritetet turke shumë shpejt do të venë në zbatim rekomandimin e hershëm të komitetit për garantimin e të drejtës së avokatit që në fillim të arrestimit të tyre nga policia për të gjithë personat që u është hequr liria nga agjensitë e zbatimit të ligjit, përfshirë edhe ata që dyshohen për vepra nën juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore.
...
46. Më lart u përmendën zhvillimet positive legjislative të kohëve të fundit në lidhje me të drejtën e avokatit dhe të drejtën për të njoftuar një të afërm në lidhje me arrestimin e personit (cf. paragrafet 12 deri 14). Ato kanë përmirësuar më tej një kuadër ligjor e rregullator tashmë mjaftë mbresë-lënës për luftimin e torturës dhe keq-trajtimit. Megjithatë, CPT-ja vazhdon të jetë shumë e shqetësuar nga fakti se personave të paraburgosur si të dyshuar për vepra kolektive nën juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore, ende u mohohet kontakti me avokatin gjatë dy ditëve të para të arrestimit të tyre; pozicioni i saj për këtë pikë është bërë i qartë në paragrafin 12.
Veç kësaj, përmbajtja aktuale e të drejtës për avokat për personat e dyshuar për vepra nën juridiksionin e Gjykatës së Sigurisë Shtetërore, mbetet më pak e zhvilluar se sa në rastin e të dyshuarve penalë të zakonshëm. Në mënyrë të veçantë, për aq sa mund të pohojë CPT-ja, është ende e vërtetë që këta persona nuk kanë të drejtë ta kenë avokatin të pranishëm kur i japin një deklaratë policisë, dhe se procedura për caktimin e një avokati nga Shoqata e Avokatëve nuk është e zbatueshme në rastin e tyre. Po kështu, dispozita që e bën të detyrueshme caktimin e një avokati për personat nën 18 vjeç, nuk është e zbatueshme për të miturit e paraburgosur si të dyshuar për vepra nën juridiksionin e Gjykatës së Sigurisë Shtetërore. Në lidhje me këtë, CPT-ja rithekson rekomandimin e bërë tashmë në raportin për vizitën e Tetorit 1997, që dispozitat përkatëse të Neneve 135, 136 dhe 138 të Kodit të Procedurës Penale të bëhen të zbatueshme për personat e dyshuar për vepra që janë në juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore.”
(b) Kombet e Bashkuara
(i) Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike
41. Neni 14 § 3 (b) i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) parashikon se çdo i akuzuar për një vepër penale, duhet të ketë të drejtën “të ketë kohën dhe mjetet e mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes së tij dhe për të komunikuar me avokatin e zgjedhur prej tij”.
(ii) Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër Torturës
42. Në konkluzionet dhe rekomantimet e tij për Turqinë, të datës 27 Maj 2003 (CAT/C/CR/30/5), Komiteti shprehet si më poshtë:
“5. Komiteti shpreh shqetësim në lidhje me:
(c) Pretendimet se personave të arrestuar nga policia u mohohet kontakti i menjëhershëm dhe i mjaftueshëm me ndihmën ligjore dhe mjekësore dhe se familjarët e tyre nuk njoftohen menjëherë në lidhje me arrestimin e tyre.
...
7. Komiteti rekomandon që Shtetet palë:
(a) të sigurojnë që të paraburgosurit, përfshirë edhe ata që mbahen për vepra nën juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore, të përfitojnë plotësisht në praktikë nga garancitë e disponueshme kundër keq-trajtimit dhe torturës, veçanërisht duke garantuar të drejtën e tyre për ndihmë ligjore dhe mjeksore dhe për të kontaktuar familjet e tyre;
...”
43. Në Komentin e tij të Përgjithshëm nr. 2, të datës 24 Janar 2008 (CAT/C/GC/2), Komiteti shprehej:
“13. Disa garanci të caktuara bazike janë të zbatueshme për të gjithë personat të privuar nga liria. Disa prej tyre janë të specifikuara në Konventë dhe Komiteti i bën thirrje në mënyrë të vazhdueshme Shteteve palë për përdorimin e tyre. Rekomandimet e Komitetit në lidhje me masat efektive synojnë të qartësojnë linjën bazë aktuale dhe nuk janë shterruese. Të tilla garanci përfshijnë, inter alia, ... të drejtën për të përfituar menjëherë ndihmë ligjore të pavarur...”
(c) Bashkimi Europian
44. Neni 48 i Kartës së të Drejtave Themelore shpall se “duhet të garantohet respektimi i të drejtave të mbrojtjes për çdo person të akuzuar”. Neni 52 § 3 shpall gjithashtu se e drejta e garantuar nga neni 48 është pjesë e të drejtave që kanë të njëjtin kuptim dhe të njëjtin qëllim si e drejta ekuivalente e garantuar nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 6 TË KONVENTËS
A. Kontakti me avokatin gjatë mbajtjes i arrestuar nga policia
45. Kërkuesi pretendon se i ishin shkelur të drejtat e të mbrojtjes, pasi i ishte mohuar kontakti me avokatin gjatë kohës që ishte i arrestuar nga policia. Ai është mbështetur tek Neni 6 § 3 (c) i Konventës, i cili parashikon:
“3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
...
(c) të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij ose, në qoftë se nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;”
1. Vendimi i Dhomës
46. Në vendimin e saj të 26 Prillit 2007, Dhoma u shpreh se nuk kishte shkelje të Nenit 6 § 3 (c) të Konventës. Në lidhje me këtë, ajo vuri në dukje se kërkuesi ishte përfaqësuar nga një avokat gjatë gjyqit dhe procesit të apelit dhe se deklarata e kërkuesit për policinë nuk ishte baza e vetme për dënimin e tij. Sipas Dhomës, kërkuesi kishte patur mundësinë të kundërshtonte pretendimet e akuzës në kushte që nuk i kanë krijuar atij ndonjë disavantazh substancial vis-à-vis kundërshtarit të tij. Dhoma ka vërejtur, gjithashtu, se për dënimin e kërkuesit, Gjykata e Sigurisë Shtetërore të İzmirit kishte marrë parasysh rrethanat në të cilat ishte arrestuar kërkuesi, raportin e ekspertizës në lidhje me shkrimin në banderolë dhe deklaratat e dëshmitarëve. Në bazë të sa më sipër, ajo konkludoi se drejtësia e procesit gjyqësor të kërkuesit nuk është paragjykuar nga mungesa e ndihmës ligjore gjatë periudhës së arrestimit të tij nga policia.
2. Prashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
47. Kërkuesi kundërshtoi arsyet për të cilat Dhoma kishte shpallur se nuk kishte shkelje të Nenit 6 § 3 (c) të Konventës. Ai ka deklaruar se asistenca e një avokati gjatë periudhës që ai ishte i arrestuar nga policia, ishte një e drejtë themelore. Ai i kujtoi Gjykatës se të gjitha provat e përdorura kundër tij ishin mbledhur gjatë fazës së hetimeve paraprake, gjatë të cilës atij i ishte mohuar asistenca e avokatit. Në këtë pikë, kërkuesi ka argumentuar, gjithashtu, se megjithëse gjykata e brendëshme e kishte dënuar atë, nuk kishte patur prova që provonin se ai ishte fajtor. Ai ka thënë, gjithashtu, se e kishin keq-trajtuar gjatë kohës që mbahej i arrestuar nga policia dhe deklaratën e tij për policinë e kishte nënshkruar nën presion. Kjo deklaratë ishte përdorur nga Gjykata e Sigurisë Shtetërore të İzmirit edhe pse, përpara prokurorit, gjyqtarit hetues dhe në gjyq, kërkuesi ka theksuar, gjithashtu, se në kohën e veprës ai kishte qenë i mitur dhe se nuk kishte histori penale të mëparëshme. Në parashtrimet e tij, duke u nisur nga akuzat e rënda të ngritura kundër tij, mungesa e asistencës ligjore kishte shkelur të drejtën e tij për proces të drejtë gjyqësor. Ai ka argumentuar, gjithashtu, se Qeveria kishte dështuar në dhënien e një arsye të mirë për të justifikuar mungesën e ndihmës ligjore.
(b) Qeveria
48. Qeveria i ka kërkuar Dhomës së Madhe të konfirmojë konstatimin e Dhomës se nuk kishte shkelje të Nenit 6 § 3 (c) të Konventës. Përfaqësuesit e saj kanë deklaruar, së pari, se legjislacioni ishte ndryshuar në vitin 2005. Veç kësaj, në parashtrimet e tyre, kufizimet e vëna mbi të drejtën e kërkuesit për avokat nuk kishin cënuar të drejtën e tij për një proces të drejtë gjyqësor sipas Nenit 6 të Konventës. Duke iu referuar praktikës së Gjykatës (veçanërisht, Imbrioscia k. Zvicrës, 24 Nëntor 1993, Seria A nr. 275; John Murray k. Mbretërisë së Bashkuar, 8 Shkurt 1996, Raporte dhe Vendime 1996‑I; Averill k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 36408/97, ECHR 2000‑VI; Magee k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 28135/95, ECHR 2000‑VI, dhe Brennan k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 39846/98, ECHR 2001‑X), ata u shprehën se, për të vlerësuar nëse procesi gjyqësor ka qenë apo jo i drejtë, duhet marrë parasysh tërësia e procesit. Kështu, meqë kërkuesi ishte përfaqësuar nga një avokat gjatë procesit përpara Gjykatës së Sigurisë Shtetërore të İzmirit dhe Gjykatës së Kasacionit, e drejta e tij për seancë të rregullt gjyqësore nuk ishte shkelur. Qeveria tërhoqi më tej vëmendjen edhe në lidhje me disa çështje turke (Saraç k. Turqisë (dec.), nr. 35841/97, 2 Shtator 2004; Yurtsever k. Turqisë (dec.), nr. 42086/02, 31 Gusht 2006; Uçma dhe Uçma k. Turqisë (dec.), nr. 15071/03, 3 Tetor 2006; Ahmet Yavuz k. Turqisë (dec.), nr. 38827/02, 21 Nëntor 2006, dhe Yıldız dhe Sönmez k. Turqisë (dec.), nr. 3543/03 dhe 3557/03, 5 Dhjetor 2006), në të cilat Gjykata kishte deklaruar të papranueshme ankesa të ngjashme si dukshëm të pabazuara për arsye se, përderisa deklaratat për policinë nuk kishin qenë të vetmet prova ku mbështeteshin dënimet e dhëna, mungesa e asistencës ligjore gjatë kohës që personat mbaheshin të arrestuar nga policia nuk përbënte shkelje të Nenit 6 të Konventës.
49. Duke iu kthyer fakteve të kësaj çështjeje, Qeveria u shpreh se kur kërkuesi ishte arrestuar nga policia, atij i është kujtuar e drejta për të mos folur dhe se gjatë procesit gjyqësor në vijim, avokati i tij ka patur mundësinë të kundërshtojë pretendimet e akuzës. Qeveria ka theksuar më tej se deklarata e kërkuesit dhënë policisë nuk ishte baza e vetme për dënimin e tij.
3. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimi i përgjithshëm i zbatueshëm në këtë çështje
50. Gjykata rithekson se, edhe pse qëllimi parësor i Nenit 6, në lidhje me procedurat penale, është sigurimi i një procesi të drejtë gjyqësor nga ana e një “gjykate” kompetente në vendosjen e “çdo akuze penale”, nuk do të thotë se ky Nen nuk gjen zbatim në procedurat përpara gjyqit. Kështu, Neni 6 – sidomos pargrafi 3 – mund të jetë i rëndësishëm përpara se çështja të kalohet në gjyq për aq kohë sa drejtësia e procesit gjyqësor ka gjasa të paragjykohet seriozisht nga mosrespektimi që në fillim i dispozitave të tij (Imbrioscia, cituar më lart, § 36). Siç është shprehur tashmë Gjykata në vendime të saj të mëparëshme, e drejta e përcaktuar në paragrafin 3 (c) të nenit 6 të Konventës është, ndër të tjera, një element i konceptit të procesit të drejtë gjyqësor në procesin penal që përmban paragrafi 1 (Imbrioscia, cituar më lart, § 37, dhe Brennan, cituar më lart, § 45).
51. Gjykata rithekson gjithashtu se, megjithëse jo absolute, e drejta e çdo personi të akuzuar penalisht për t’u mbrojtur me efektivitet nga një avokat, po të jetë e nevojshme i caktuar zyrtarisht, është një nga tiparet themelore të procesit të drejtë gjyqësor (Poitrimol k. Francës, 23 Nëntor 1993, § 34, Seria A nr. 277‑A, dhe Demebukov k. Bullgarisë, nr. 68020/01, § 50, 28 Shkurt 2008). Megjithatë, Neni 6 § 3 (c) nuk specifikon mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte. Kështu pra, kjo ia lë Shteteve Kontraktuese zgjedhjen e mjeteve për të siguruar që kjo gjë është e garantuar në sistemet e tyre gjyqësore, ndërkohë që detyra e Gjykatës mbetet vetëm të konstatojë nëse metoda e zgjedhur prej tyre është në përputhje me kërkesat e procesit të drejtë gjyqësor. Në lidhje me këtë, nuk duhet harruar që Konventa është modeluar “për të garantuar jo të drejta që janë teorike apo të pazbatueshme, por të drejta që janë praktike dhe të efektshme” dhe se caktimi i një avokati, në vetvete, nuk siguron efektivitetin e ndihmës që ai mund t’i japë një të akuzuari (Imbrioscia, cituar më lart, § 38).
52. Ligjet e brendëshme mund të parashikojnë pasoja të sjelljes së një të akuzuari në fazat fillestare të marrjes në pyetje nga policia, të cilat janë vendimtare për rezultatin e mbrojtjes në procesin penal në vijim. Në të tilla rrethana, Neni 6 normalisht kërkon që i akuzuari të lejohet të përfitojë nga ndihma e një avokati që në fazën fillestare të marrjes në pyetje nga policia. Megjithatë, kjo e drejtë deri tani është konsideruar e tillë që mund të kufizohet për një arsye të drejtë. Kështu, pyetja në çdo çështje ka qenë nëse kufizimi ka qenë i justifikuar dhe, nëse po, nuk i ka privuar të akuzuarit, në kuadrin e tërësisë së procesit, të drejtën e një procesi të drejtë gjyqësor, sepse edhe një kufizim i justifikuar është në gjendje ta bëjë këtë gjë në rrethana të caktuara (shiko John Murray, cituar më lart, § 63; Brennan, cituar më lart, § 45, dhe Magee, cituar më lart, § 44).
53. Këto parime, të përvijuara në paragrafin 52 më lart, janë po ashtu në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (shiko paragrafet 37‑42 sipër) që janë në zemër të konceptit të procesit të drejtë gjyqësor dhe që bazohen në një logjikë që ka të bëjë, në radhë të parë, me mbrojtjen e një të akuzuari përballë shtrëngimit abuziv nga ana e autoriteteve. Ato ndihmojnë, po ashtu, edhe në parandalimin e dështimit të drejtësisë dhe përmbushjen e qëllimeve të Nenit 6, sidomos të barazisë së armëve midis autoriteteve hetuese apo akuzës dhe të akuzuarit.
54. Në këtë drejtim, Gjykata nënvizon rëndësinë e fazës së hetimit për përgatitjen e procesit penal, pasi provat e siguruara gjatë kësaj faze përcaktojnë kuadrin në të cilën do të shqyrtohet në gjyq akuza e ngritur (Can k. Austrisë, nr. 9300/81, raporti i Komisionit, i datës 12 Korrik 1984, § 50, Seria A nr. 96). Në të njëjtën kohë, një i akuzuar shpesh e gjen veten në një pozitë veçanërisht të cënueshme gjatë procesit, gjë që amplifikohet nga fakti që legjislacioni për procesin penal ka tendencën të bëhet gjithmonë e më i komplikuar, sidomos në lidhje me rregullat për mbledhjen dhe përdorimin e provave. Në shumicën e rasteve, kjo cënueshmëri e një natyre të veçantë mund të kompensohet vetëm nëpërmjet ndihmës së një avokati, detyra e të cilit është, ndër të tjera, të ndihmojë në sigurimin e respektimit të së drejtës së të akuzuarit për të mos inkriminuar veten. Kjo e drejtë, në të vërtetë, presupozon se akuza në një çështje penale, çështjen e saj ndaj të akuzuarit përpiqet ta provojë pa përdorur prova të siguruara me metoda shtrënguese apo me anë të presionit që i kundërvihet vullnetit të të akuzuarit (shiko Jalloh k. Gjermanisë [GC], nr. 54810/00, § 100, ECHR 2006‑..., dhe Kolu k. Turqisë, nr. 35811/97, § 51, 2 Gusht 2005). Kontakti që herët me avokatin është pjesë e garancive proceduriale, të cilave Gjykata u kushton vëmendje të veçantë në analizat e saj për të kuptuar nëse një procedure ka shuar thelbin më të thellë të prerogativës ndaj vetë-inkriminimit (shiko, mutatis mutandis, Jalloh, cituar sipër, § 101). Në lidhje me këtë, Gjykata tërheq vëmendjen edhe ndaj rekomandimeve të CPT-s (paragrafet 39‑40 sipër), ku komiteti shprehet në mënyrë të përsëritur se e drejta e një të paraburgosuri për ndihmë ligjore është një garanci themelore ndaj keq-trajtimit. Çdo përjashtim për gëzimin e kësaj të drejte duhet të përcaktohet qartësisht dhe zbatimi i tij duhet të kufizohet në kohë. Këtë parime janë të domosdoshme, sidomos, në rastin e akuzave të rënda, pasi është pikërisht përballë dënimeve më të rënda që e drejta për një proces të drejtë gjyqësor duhet respektuar në shkallën më të lartë të mundur nga shoqëritë demokratike.
55. Në një sfond të tillë, Gjykata shprehet se, me qëllim që e drejta për një proces të drejtë gjyqësor të jetë mjaftueshëm “praktike dhe e efektshme” (shiko paragrafin 51 lart) Neni 6 § 1 kërkon që, si rregull, kontakti me avokatin duhet të sigurohet që në fillim të marrjes në pyetje nga policia të një të dyshuari, përveç rasteve kur, sipas rrethanave të veçanta të një çështje, demonstrohet se ekzistojnë arsye detyruese për kufizimin e kësaj të drejte. Edhe atje ku të tilla arsye detyruese mund të justifikojnë në mënyrë përjashtuese mohimin e kontaktit me avokatin, ky kufizim – çfarëdo qoftë justifikimi për të – nuk duhet të paragjykojë të drejtat e të akuzuarit sipas Nenit 6 (shiko, mutatis mutandis, Magee, cituar sipër, § 44). Të drejtat e mbrojtjes, në parim, janë të paragjykuara në mënyrë të pakthyeshme kur për dënimin përdoren deklarata inkriminuese të bëra gjatë marrjes në pyetje nga policia pa praninë e avokatit.
(b) Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen aktuale
56. Tek çështja në fjalë, e drejta për avokat e kërkuesit u kufizua gjatë kohës që ai mbahej i arrestuar nga policia, në përputhje me seksionin 31 të Ligjit nr. 3842, pasi ai akuzohej për një vepër që ishte në juridiksionin e Gjykatave të Sigurisë Shtetërore. Si rezultat, deklaratat përkatësisht për policinë, prokurorin publik dhe për gjyqtarin hetues ai i ka bërë pa praninë e avokatit. Kështu, nuk është dhënë asnjë justifikim tjetër për mohimin e të drejtës për avokat, përveç faktit se kjo ishte çka parashikohej normalisht nga dispozitat ligjore përkatëse. Si e tillë ajo nuk i përmbush kërkesat e Nenit 6 në lidhje me këtë gjë, siç përcaktohen në paragrafin 52 lart.
57. Gjykata vëren më tej se kërkuesi është vënë në kontakt me avokatin mbas paraburgimit të tij si i arrestuar. Gjatë procesit penal në vijim, ai ka mundur të thërrasë dëshmitarë në favour të tij dhe ka patur mundësi të kundërshtojë argumentet e akuzës. Gjithashtu, është vënë në dukje se kërkuesi e ka mohuar në mënyrë të përsëritur përmbajtjen e deklaratës së tij për policinë, si në gjyq, edhe në apel. Megjithatë, siç duket qartë nga dosja e çështjes, hetimi në pjesën më të madhe ishte përfunduar përpara se kërkuesi të dilte përpara gjyqtarit hetues më 1 Qershor 2001. Veç kësaj, Gjykata e Sigurisë Shtetërore e İzmirit jo vetëm që nuk është shprehur, përpara se të shqyrtonte themelin e çështjes, në lidhje me pranueshmërinë e deklaratës të kërkuesit dhënë policisë, por ajo edhe e ka përdorur deklaratën për policinë si provën kryesore për dënimin e tij, pavarësisht mohimit prej tij të saktësisë së saj (shiko paragrafin 23 lart). Në lidhje me këtë Gjykata komenton se, për dënimin e kërkuesit, Gjykata e Sigurisë Shtetërore e İzmirit, në fakt, ka përdorur provat e paraqitura përpara saj për të konfirmuar deklaratën e kërkuesit për policinë. Këto prova përfshinin raportin e ekspertit të datës 1 Qershor 2001 dhe deklaratat e të akuzuarve të tjerë për policinë dhe prokurorin publik. Megjithatë, në këtë drejtim, Gjykata e konsideron të habitshëm faktin që raporti i ekspertit i përmendur në vendimin e gjykatës së shkallës së parë, ishte në favour të kërkuesit, pasi vendimi shprehej se nuk mund të përcaktohej nëse shkrimi në banderolë përputhej me atë të kërkuesit (shiko paragrafin 15 sipër). Është gjithashtu domethënës fakti që të gjithë të akuzuarit e tjerë për të njëjtën vepër, të cilët kishin dëshmuar kundër kërkuesit në deklaratat e tyre për policinë dhe prokurorin publik, në gjyq i tërhoqën deklaratat e tyre dhe mohuan se kishin marrë pjesë në demonstratë.
58. Kështu, në çështjen në fjalë, kërkuesi patjetër që është cënuar nga kufizimet e vëna mbi të drejtën e tij për avokat për faktin se deklarata e tij për policinë ishte përdorur për dënimin e tij. As asistenca ligjore e ofruar më vonë, as natyra kundërshtuese e procesit gjyqësor në vijim nuk do të mund të korrigjonte difektet që kishin ndodhur gjatë kohës së arrestimit nga policia. Megjithatë, nuk i takon Gjykatës të spekulojë në lidhje me ndikimin që kontakti i kërkuesit me avokatin gjatë kohës që mbahej i arrestuar nga policia, do të kishte në procesin e pastajmë.
59. Gjykata kujton gjithashtu se, as kuptimi, as fryma e nenit 6 të konventës nuk e ndalojnë një person të heqë dorë me vullnet të lirë, shprehimisht apo heshturazi, nga e drejta e garancive të një procesi të drejtë gjyqësor (shiko Kwiatkowska k. Italisë (dec.), nr. 52868/99, 30 Nëntor 2000). Megjithatë, që ajo të jetë e efektshme për qëllimet e Konventës, heqja dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjyq duhet të vendoset në mënyrë të qartë, pa ekuivoke, dhe të shoqërohet me garancitë minimale sipas rëndësisë së saj (shiko Sejdovic k. Italisë [GC], nr. 56581/00, § 86, ECHR 2006‑...; Kolu, cituar lart, § 53, dhe Colozza k. Italisë, 12 Shkurt 1985, § 28, Seria A nr. 89). Kështu, në çështjen në fjalë, nuk mund të mbështetemi tek pohimi në formularin ku deklarohen të drejtat e tij se kërkuesit i është kujtuar e drejta e tij për të mos folur (shiko paragrafin 14 lart).
60. Së fundi, Gjykata vëren se një nga elementet specifike të çështjes në fjalë ishte mosha e kërkuesit. Duke patur parasysh numrin domethënës të materialeve të së drejtës ndërkombëtare në lidhje me ndihmën ligjore për të miturit e arrestuar nga policia (shiko paragrafët 32‑36 sipër), Gjykata thekson rëndësinë themelore të sigurimit të kontaktit me avokatin në rastet kur personi i arrestuar është i mitur.
61. Megjithatë, në çështjen në fjalë, siç shpjegohet më lart, kufizimet e vëna mbi të drejtën e avokati ishin diçka sistematike dhe e zbatueshme për këdo që mbahej i arrestuar për një vepër që ishte në juridiksionin e gjykatave të sigurisë shtetërore, pavarësisht moshës së tij apo të saj.
62. Me pak fjalë, edhe pse kërkuesi e pati mundësinë të kundërshtonte në gjyq dhe më pas në procesin e apelit provat kundër tij, mungesa e një avokati gjatë kohës që ai mbahej i arrestuar nga policia, kanë patur një ndikim të pakthyeshëm tek të drejtat e tij të mbrojtjes.
(c) Konkluzion
63. Nisur nga sa më sipër, Gjykata konkludon se, në çështjen në fjalë, ka patur shkelje të Nenit 6 § 3 (c) të Konventës në kombinim me Nenin 6 § 1.
B. Mos-komunikimi i opinionit me shkrim të Krye-Prokurorit Publik ne Gjykatën e Kasacionit
64. Kërkuesi u ankua se nuk i ishte komunikuar opinioni me shkrim i Krye-Prokurorit Publik në Gjykatën e Kasacionit. Për këtë gjë ai është mbështetur në Nenin 6 § 1 të Konventës, pjesa përkatëse e të cilit parashikon:
“Për të vendosur në lidhje me çdo akuzë penale ndaj tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht... nga një gjykatë ...”
1. Vendimi i Dhomës
65. Në vendimin e saj të 26 Prillit 2007, Dhoma shprehej se, bazuar në jurisprudencën e gjykatës për këtë gjë, mos-komunikimi për kërkuesin i opinionit me shkrim të Krye-Prokurorit Publik në Gjykatën e Kasacionit kishte shkelur të drejtën e tij për procesin në bazë të parimit të kontradiktoriaritetit. Kështu, ajo konkludoi se ishte shkelur Neni 6 § 1 i Konventës.
2. Parashtrimet e palëve
66. Palët nuk kanë depozituar komente të mëtejshme në lidhje me këtë gjë.
3. Vlerësimi i Gjykatës
67. Gjykata mendon se, për arsyet e paraqitura nga Dhoma, është shkelur e drejta e kërkuesit për procesin gjyqësor në bazë të parimit të kontradiktoriaritetit. Si rrjedhim, është shkelur Neni 6 § 1 i Konventës.
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
68. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
1. Parashtrimet e palëve
69. Kërkuesi ka pretenduar 5,000 EUR për dëme materiale 10,000 EUR për dëm moral.
70. Qeveria i kundërshtoi shumat si të tepruara dhe të papranueshme.
2. Vendimi i Dhomës
71. Dhoma nuk dha asnjë kompensim material për kërkuesin, duke u shprehur se ai nuk kishte mundur t’i vërtetojë pretendimet e tij. Ajo gjykoi se gjetja e shkeljes përbënte, në vetvete, një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për dëmin moral të shkaktuar për kërkuesin.
3. Vlerësimi i Gjykatës
72. Gjykata rithekson se forma më e mirë për kompensimin e një shkelje të Nenit 6 § 1 do të ishte duke siguruar që kërkuesi, aq sa është e mundur, të vihet në të njëjtën pozitë ku do të kishte qenë, në rast se do të ishte respektuar kjo dispozitë ligjore (shiko Teteriny k. Rusisë, nr. 11931/03, § 56, 30 Qershor 2005; Jeličić k. Bosnie - Herzegovinës, nr. 41183/02, § 53, ECHR 2006‑..., dhe Mehmet dhe Suna Yiğit k. Turqisë, nr. 52658/99, § 47, 17 Korrik 2007). Gjykata konstaton se ky parim është i zbatueshëm edhe për çështjen në fjalë. Rrjedhimisht, ajo mendon se mënyra më e mirë e kompensimit do të ishte rigjykimi i kërkuesit në përputhje me kërkesat e Nenit 6 § 1 të Konventës, në rast se kërkuesi do e kërkonte këtë gjë (shiko, mutatis mutandis, Gençel k. Turqisë, no. 53431/99, § 27, 23 Tetor 2003).
73. Për sa i takon pjesës së mbetur të dëmit moral, duke vendosur po mbi këtë bazë, ajo i akordon kërkuesit 2,000 EUR.
B. Kostot dhe shpenzimet
1. Parashtrimet e palëve
74. Kërkuesi kishte paraqitur një pretendim për 3,500 EUR për kostot dhe shpenzimet e bëra në procesin e brendshëm dhe përpara Dhomës, pa paraqitur ndonjë dokument mbështetës për pretendimet e tij. Është për t’u theksuar se kërkuesi nuk e ka ndryshuar pretendimin e tij fillestar paraqitur prej tij përpara Dhomës, por ka paraqitur një kërkesë ndihme ligjore për shpenzimet e bëra në procesin përpara Dhomës së Madhe.
75. Qeveria e kundërshtoi pretendimin, duke argumentuar se ishte e paprovuar.
2. Vendimi i Dhomës
76. Dhoma i ka akorduar kërkuesit 1,000 EUR për kosto dhe shpenzime.
3. Vlerësimi i Gjykatës
77. Gjykata vëren se kërkuesi ka përfituar ndihmë ligjore për kostot dhe shpenzimet e bëra gjatë procesit në Dhomën e Madhe. Si rezultat, kostot dhe shpenzimet përfshijnë vetëm ato që janë bërë në procesin përpara gjykatave të brendëshme dhe Dhomës.
78. Sipas jurisprudences së Gjykatës, kostot dhe shpenzimet nuk do të mbulohen në bazë të Nenit 41, në rast se nuk vërtetohet se ato janë kryer faktikisht, kanë qenë të domosdoshme dhe të arsyeshme në vlerë. Veç kësaj, kostot ligjore janë të rikuperueshme, vetëm atëherë kur kanë të bëjnë me shkeljen e konstatuar (shiko, mes autoriteteve të tjera, Beyeler k. Italisë (shpërblimi i drejtë) [GC], nr. 33202/96, § 27, 28 Maj 2002, dhe Sahin k. Gjermanisë [GC], nr. 30943/96, § 105, ECHR 2003‑VIII).
79. Nisur nga sa më sipër, Gjykata i jep kërkuesit shumën e dhënë tashmë nga Dhoma, domethënë 1,000 EUR.
C. Interesi i munguar
80. Gjykata e mendon të arsyeshme që masa e interesit të munguar të bazohet në nivelin e huadhënies marxhinale të Bankës Qendrore Evropiane, mbi të cilin do të shtohen tre pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. Vendos se është shkelur Neni 6 § 3 (c) i Konventës në kombinim me nenin 6 § 1, për shkak të mungesës së ndihmës ligjore për kërkuesin gjatë kohës që mbahej i arrestuar nga policia;
2. Vendos se është shkelur Neni 6 § 1 i Konventës në lidhje me mos-komunikimin e opinionit me shkrim të Krye-Prokurori Publik në Gjykatën e Kasacionit;
3. Vendos
(a) se Shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve, shumat në vijim, të cilat duhen konvertuar në lira të reja turke sipas kursit të këmbimit në datën e shlyerjes:
(i) 2,000 EUR (dy mijë euro), plus çdo taksë të tatueshme, për dëmin moral;
(ii) 1,000 Eur (një mijë euro), plus çdo taksë që mund t’i ngarkohet kërkuesit, për kostot dhe shpenzimet;
(b) se me përfundimin e afatit tremujor të përmendur më lart deri në zgjidhjen përfundimtare do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e specifikuara më lart, i barabartë me nivelin e interesit marxhinal të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së vonesës, plus tre pikë përqindjeje.
4. Hedh poshtë pjesën e mbetur nga pretendimi i kërkuesit për shpërblim të drejtë.
Bërë në anglisht dhe frengjisht dhe shpallur në seancë të hapur, në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 27 Nëntor 2008.
Vincent BergerNicolas Bratza
JuristPresident
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Rregullin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, këtij vendimi i bashkangjiten opinionet pajtuese në vijim:
(a) opinion pajtues i Gjyqtarit Bratza;
(b) opinion i përbashkët pajtues i Gjyqtarëve Rozakis, Spielmann, Ziemele dhe Lazarova Trajkovska;
(c) opinion pajtues i Gjyqtarit Zagrebelsky, së bashku me Gjyqtarët Casadevall dhe Türmen.
Opinionet ndryshe nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose frëngjisht, në variant(et) e gjuhës zyrtare të vendimit, që mund t’i gjeni në bazën e të dhënave HUDOC të jurisprudencës së Gjykatës.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën, e cila nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën Gjykata e ndan atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo-komerciale, me kusht që të citohet titulli i plotë i çështjes, së bashku me të dhënat e mësipërme për të drejtën e autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Për përdorimin e çdo pjese të këtij përkthimi për qëllime komerciale, ju lutemi të kontaktoni në adresën publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights (/humanrightstrustfund ) or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (/humanrightstrustfund ), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sour réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à de fins commerciales est invitee à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy