© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E SARGSYAN kundër AZERBAJXHANIT
(Kërkesa nr. 40167/06)
VENDIM
(Themelet)
STRASBURG
16 qershor 2015
Ky vendim është i formës së prerë por mund t’i nënshtrohet rishikimit editorial.
Në çështjen e Sargsyan kundër Azerbajxhanit,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, Kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Mark Villiger,
Isabelle Berro,
Ineta Ziemele,
Boštjan M. Zupančič,
Alvina Gyulumyan,
Khanlar Hajiyev,
George Nicolaou,
Luis López Guerra,
Ganna Yudkivska,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Ksenija Turković,
Egidijus Kūris,
Robert Spano,
Iulia Antoanella Motoc, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zv/Kancelar,
Pas konsultimeve më dyer të mbyllura më 5 shkurt 2014 dhe 22 janar 2015,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja filloi me një kërkesë (nr. 40167/06) kundër Republikës së Azerbajxhanit të depozituar në Gjykatë mbi bazën e Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas armen, Z. Minas Sargsyan ("kërkuesi") , më 11 gusht 2006. Kërkuesi vdiq në vitin 2009. Më pas, kërkesa u vijua nga vejusha e tij, Znj. Lena Sargsyan, e lindur në vitin 1936, dhe nga biri i tij Vladimiri dhe vajzat e tij Tsovinar dhe Nina Sargsyan, të lindura në vitet 1957 dhe 1959, dhe 1966 respektivisht. Znj. Lena Sargsyan vdiq në janar 2014. Vladimir dhe Tsovinar Sargsyan i vijuan procedurat në emër të kërkuesit.
2. Kërkuesi, të cilit i ishte dhënë ndihmë ligjore, përfaqësohej nga Znj. N. Gasparyan dhe Znj. K. Ohanyan, avokate në Yerevan. Qeveria e Azerbajxhanit ("Qeveria") përfaqësohej nga Agjenti i saj, Z. Ç. Asgarov.
3. Kërkuesi pretendoi, në mënyrë të veçantë, që mohimi i të drejtës së tij për t’u kthyer në fshatin e tij Gulistan dhe për të pasur qasje në pronën e tij atje ose për t’u kompensuar për humbjen e saj dhe mohimi i qasjes në shtëpinë e tij dhe varret e familjarëve të tij në Gulistan përbënin shkelje të vazhdueshme të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe Nenit 8 të Konventës. Më tej, ai pretendoi shkelje të Nenit 13 të Konventës për faktin se nuk kishte zgjidhje efektive në lidhje me ankesat e mësipërme. Së fundi, për sa u përket të gjitha ankesave të cekura më lart, ai pretendoi se i ishte nënshtruar diskriminimit mbi bazën e prejardhjes së tij etnike dhe përkatësisë së tij fetare në shkelje të Nenit 14 të Konventës.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Parë të Gjykatës (Neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Qeveria armene shfrytëzoi të drejtën e saj për të ndërhyrë sipas Nenit 36 § 1 të Konventës. Ajo u përfaqësua nga Agjenti i saj, Z. G. Kostanyan.
5. Më 11 mars 2010 një Dhomë e Seksionit të Parë, e përbërë nga gjyqtarët në vijim: Christos Rozakis, Nina Vajić, Khanlar Hajiyev, Dean Spielmann, Sverre Erik Jebens, Giorgio Malinverni dhe George Nicolaou dhe gjithashtu nga Søren Nielsen, Kancelar i Seksionit, ia kaloi juridiksionin Dhomës së Madhe, ku asnjëra nga palët nuk pati kundërshtime (Neni 30 i Konventës dhe Neni 72 i Rregullores).
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në pajtim me dispozitat e Nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe Nenit 24 të Rregullores së Gjykatës. Kryetari i Gjykatës vendosi që, në interes të administrimit të duhur të drejtësisë, çështja në fjalë dhe çështja e Chiragov dhe të Tjerë kundër Armenisë (kërkesa nr. 13216/05) duhet t’i caktoheshin të njëjtës përbërje të Dhomës së Madhe (Nenet 24, 42 § 2 dhe 71).
7. Një seancë publike mbi pranueshmërinë dhe themelet e kërkesës u mbajt në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 15 shtator 2010 (Neni 59 § 3 i Rregullores).
8. Më 14 dhjetor 2011 kërkesa u deklarua pjesërisht e pranueshme nga një Dhomë e Madhe e përbërë nga gjyqtarët Nicolas Bratza, Jean-Paul Costa, Christos Rozakis, Françoise Tulkens, Josep Casadevall, Nina Vajić, Corneliu Bîrsan, Peer Lorenzen, Boštjan M. Zupančič, Elisabet Fura, Alvina Gyulumyan, Khanlar Hajiyev, Egbert Myjer, Sverre Erik Jebens, Giorgio Malinverni, George Nicolaou dhe Luis López Guerra, dhe gjithashtu nga Michael O’Boyle, Zv/Kancelar.
9. Kërkuesi dhe Qeveria paraqitën vërejtje të mëtejshme me shkrim (Neni 59 § 1 i Rregullores) në lidhje me themelet. Përveç kësaj, u pranuan edhe komente të palëve të treta me shkrim nga Qeveria armene.
10. Më 12 shtator 2013 Gjykata vendosi të kërkonte informacione faktike nga Shoqata Armene për Avancimin e Shkencës ("AAAS") në kuadër të "Programit të saj për Teknologjitë Gjeohapsinore dhe të Drejtat e Njeriut" (Neni A1 §§ 1 dhe 2 i Shtojcës së Rregullores së Gjykatës). Në nëntor 2013 AAAS dorëzoi një raport "Vlerësim i pamjeve satelitore me rezolucion të lartë të Gulistanit, Azerbajxhan, 2002-2012, ("raporti i AAAS"). Qeveria përgjegjëse kundërshtoi zbulimin e disa pamjeve. Më 10 dhjetor 2013 Kryetari e lejoi kërkesën. Vetëm ato pjesë të raportit që mund të zbuloheshin u futën në dosjen e lëndës.
11. Më 3 shkurt 2014 Gjykata shikoi të gjitha DVD-të që përmbanin incizime të Gulistanit dhe rrethinave të tij të paraqitura nga kërkuesi, Qeveria përgjegjëse dhe Qeveria ndërhyrëse, dhe pjesë të raportit të AAAS.
12. Një seancë mbi themelet u zhvillua në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 5 shkurt 2014 (Neni 59 § 3 i Rregullores).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Z.C. Asgarov,Agjent,
Z.M.N. Shaw, QC,
Z.G. Lansky, Avokatë,
Z.O. Gvaladze,
Z.H. Tretter,
Znj.T. Urdaneta Wittek, Këshilltarë;
(b) për kërkuesin
Z.P. Leach,
Znj.N. Gasparyan,Avokatë,
Znj.K. Ohanyan,
Z.A. Aloyan,
Z.V. Grigoryan,Këshilltarë;
(c) për Qeverinë e Armenisë
Z.G. Kostanyan,Agjent,
Z.E. Babayan,Avokat.
13. Gjykata dëgjoi deklarime nga Z. Leach, Znj. Gasparyan, Z. Grigoryan, Z. Shaw, Z. Lansky dhe Z. Kostanyan.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Historiku
14. Në kohën e rënies së BRSS, Oblasti Aunotom i Nagorno-Karabakh (ang. "NKAO") ishte një provincë autonome e Republikës Socialiste Sovjetike të Azerbajxhanit ("RSS e Azerbajxhanit"). I ndodhur brenda territorit të RSS të Azerbajxhanit, ai mbulonte 4.388 km katrorë. Në atë kohë nuk kishte kufi të përbashkët mes Nagorno-Karabakh (të njohur si Artsakh me emrin e tij armen) dhe Republikës Socialiste Sovjetike të Armenisë ("RSS e Armenisë"), të cilat ndaheshin nga territori azerbajxhanas, në distancën më të shkurtër nga liqeni Lachin, përfshirë një rrip toke shpeshherë i quajtur "korridori i Lachin", me gjerësi më pak se dhjetë kilometra.
15. Sipas statistikave të BRSS në vitin 1989, NKAO kishte një popullsi prej rreth 189.000 banorë me 77% armenë etnikë dhe 22% azerë etnikë, me pakica ruse dhe kurde.
16. Në fillim të vitit 1988 u mbajtën demonstrata në Stepanakert, kryeqyteti rajonal i NKAO, dhe në kryeqytetin armen të Yerevan, duke kërkuar futjen e Nagorno-Karabakh brenda Armenisë. Më 20 shkurt 1988 Sovjeti i NKAO u bëri thirrje Sovjeteve Supreme të RSS të Armenisë, RSS të Azerbajxhanit dhe BRSS që NKAO të lejohej të shkëputej nga Azerbajxhani dhe t’i bashkohej Armenisë. Kërkesa u refuzua nga Sovjeti Suprem i BRSS më 23 mars. Në qershor ajo u refuzua edhe nga Sovjeti Suprem i Azerbajxhanit ndërkohë që pala homologe e tij në Armeni votoi në favor të bashkimit.
17. Gjatë tërë vitit 1988 vazhduan demonstratat që kërkonin bashkimin. Qarku i Lachin u bë cak i postoblloqeve dhe sulmeve. Përleshjet shkaktuan shumë të vrarë dhe refugjatë, deri në qindra mijëra në të dy anët, që lëviznin në numra të shumtë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Si pasojë, më 12 janar 1989 Qeveria e BRSS e vendosi NKAO nën sundimin e drejtpërdrejtë të Moskës. Megjithatë, më 28 nëntor të atij viti, provinca u kthye nën kontrollin e Azerbajxhanit. Pak ditë më pas, më 1 dhjetor, Sovjeti Suprem i RSS të Armenisë dhe këshilli rajonal i Nagorno-Karabakh miratuan një rezolutë të përbashkët, "Mbi ribashkimin e Nagorno-Karabakh me Armeninë".
18. Në fillim të vitit 1990, pas përshkallëzimit të konfliktit, trupat sovjetike arritën në Baku dhe Nagorno-Karabakh, dhe në këtë provincën e fundit u vendos gjendja e jashtëzakonshme. Megjithatë, përleshjet e dhunshme mes armenëve dhe azerëve vazhduan, nganjëherë me ndërhyrje të forcave sovjetike.
19. Më 30 gusht 1991 Azerbajxhani shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Kjo u formalizua më pas me anë të miratimit të Aktit Kushtetues të Pavarësisë së Shtetit më 18 tetor 1991. Më 2 shtator 1991 Sovjeti i NKAO shpalli krijimin e "Republikës së Nagorno-Karabakh" (prej këtu "NKR"), e përbërë nga territori i NKAO dhe qarku Shahumyan i Azerbajxhanit, dhe deklaroi që ai nuk ishte më nën juridiksionin e Azerbajxhanit. Më 26 nëntor 1991 Parlamenti i Azerbajxhanit e hoqi autonominë e gëzuar më parë nga Nagorno-Karabakh. Në një referendum të organizuar në Nagorno-Karabakh më 19 dhjetor 1991, 99.9% e pjesëmarrësve votuan në favor të ndarjes. Megjithatë, popullsia azere e bojkotoi referendumin. Në të njëjtin muaj, Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe trupat sovjetike filluan të tërhiqeshin nga rajoni. Kontrolli ushtarak i Nagorno-Karabakh po i kalonte me shpejtësi armenëve të Nagorno-Karabakh. Më 6 janar 1992 "NKR", duke pasur parasysh rezultatet e referendumit, riafirmoi pavarësinë e saj nga Azerbajxhani.
20. Në fillim të vitit 1992 gradualisht u përshkallëzua drejt një lufte në shkallë të gjerë. Deri nga fundi i vitit 1993, forcat etnike armene kishin marrë nën kontroll pothuaj tërë territorin e ish-NKAO si dhe shtatë rajonet ngjitur të Azerbajxhanit (Lachin, Kelbajar, Jabrayil, Gubadly dhe Zangilan si dhe pjesë substanciale të Agdam dhe Fizuli).
21. Më 5 maj 1994 një marrëveshje armëpushimi (Protokolli i Bishek) u nënshkrua nga Armenia, Azerbajxhani dhe "NKR" pas ndërmjetësimit rus. Ajo hyri në fuqi më 12 maj.
22. Sipas një raporti të Human Rights Watch ("Shtatë Vitet e Konfliktit në Nagorno-Karabakh", dhjetor 1994), mes viteve 1988 dhe 1994 rreth 750.000-800.000 azerë u detyruan me forcë të iknin nga Nagorno-Karabakh, Armenia dhe shtatë qarqet e Azerbajxhanit rreth Nagorno-Karabakh. Sipas informacioneve nga autoritetet armene, janë regjistruar 335.000 refugjatë armenë nga Azerbajxhani dhe 78.000 persona të zhvendosur brenda vendit (nga rajonet e Armenisë në kufi me Azerbajxhanin).
B. Situata aktuale
23. Sipas Qeverisë armene, "NKR" kontrollon 4.061 km katrorë të ish Oblastit Autonom të Nagorno-Karabakh. Ndërkohë që është e debatueshme se çfarë sipërfaqeje e dy qarqeve pjesërisht të okupuara është pushtuar nga "NKR", duket se territori i pushtuar i shtatë qarqeve përreth është në total 7.500 km katrorë.
24. Shifrat e popullsisë së sonte të Nagorno-Karabakh lëvizin mes 120.000 dhe 145.000 banorë, ku 95% janë të përkatësisë etnike armene. Azerbajxhanas nuk ka virtualisht asnjë.
25. Deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje politike në lidhje me konfliktin. Pavarësia e vetëshpallur e "NKR" nuk është njohur nga asnjë Shtet ose organizatë ndërkombëtare. Shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes së armëpushimit të vitit 1994 përgjatë kufijve kanë shkaktuar humbjen e shumë jetëve dhe retorika e zyrtarëve mbetet armiqësore. Për më tepër, sipas raporteve ndërkombëtare, tensionet janë shtuar vitet e fundit dhe shpenzimet ushtarake në Armeni dhe Azerbajxhan janë rritur në mënyrë domethënëse.
26. Propozime të shumta për një zgjidhje paqësore të konfliktit kanë dështuar. Negociatat janë zhvilluar nën kujdesin e OSBE-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë) dhe i ashtuquajturi Grupi i Minskut. Në Madrid në nëntor 2007 tre Bashkëkryetarët e Grupit – Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – i paraqitën Armenisë dhe Azerbajxhanit një paketë Parimesh Themelore për zgjidhje. Parimet Themelore, të cilat më vonë u përditësuan, kërkojnë, inter alia, kthimin e territoreve përreth Nagorno-Karabakh nën kontrollin e Azerbajxhanit, një status të përkohshëm për Nagorno-Karabakh që ofron garanci për siguri dhe vetqeverisje, një korridor që lidh Armeninë me Nagorno-Karabakh, një vendim të ardhshëm për statusin ligjor përfundimtar të Nagorno-Karabakh përmes një referendumi ligjërisht detyrues, të drejtën e të gjithë personave të zhvendosur dhe refugjatëve për t’u kthyer në vendbanimet e tyre të mëparshme, dhe garanci ndërkombëtare të sigurisë që do të përfshinin një operacion paqeruajtës. Ideja është që mbështetja e këtyre parimeve nga Armenia dhe Azerbajxhani do të mundësonte hartimin e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të detajuar. Pas veprimeve diplomatike intensive nga diplomatët e Grupit të Minskut dhe pas disa takimeve mes Presidentëve të të dy vendeve në vitin 2009, procesi e humbi ritmin në vitin 2010. Deri tani, palët në konflikt nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje formale mbi Parimet Themelore.
27. Më 24 mars 2011 Grupi i Minskut paraqiti një "Raport të Misionit Vlerësues të Terrenit të Bashkëkryetarëve të Grupit të Minskut në Territoret e Pushtuara të Azerbajxhanit Përreth Nagorno-Karabakh", përmbledhja ekzekutive e të cilit thotë si vijon:
“Bashkëkryetarët e Grupit të Minskut të OSBE-së ndërmorën një Mision Vlerësues në Terren në shtatë territoret e okupuara të Azerbajxhanit rreth Nagorno-Karabakh (NK) nga 7-12 tetor 2010, për të vlerësuar situatën e përgjithshme atje, përfshirë aspektin humanitar dhe aspekte të tjera. Bashkëkryetarëve iu bashkua Përfaqësuesi Personal i Kryetarit të OSBE-së dhe ekipi i tij, të cilët ofruan përkrahje logjistike, dhe dy ekspertë nga UNHCR dhe një anëtar i Misionit Faktmbledhës të OSBE-së të vitit 2005. Ky ishte misioni i parë nga bashkësia ndërkombëtare në ato territore që nga viti 2005, dhe vizita e parë nga personeli i OKB-së në 18 vjet.
Pasi udhëtuan më shumë se 1000 kilometra përgjatë territoreve, Bashkëkryetarët panë prova të zymta të pasojave shkatërruese të konfliktit Nagorno-Karabakh dhe të dështimit për të arritur një zgjidhje paqësore. Qytetet dhe fshatrat që ekzistonin përpara konfliktit ishin braktisur dhe ishin pothuaj krejtësisht të rrënuara. Ndërkohë që nuk ka shifra të besueshme, popullsia e përgjithshme vlerësohet të jetë afërsisht 14.000 banorë, të cilët jetojnë në vendbanime të vogla dhe në qytetet Lachin dhe Kelbajar. Bashkëkryetarët vlerësojnë që nuk ka pasur rritje domethënëse të popullsisë prej vitit 2005. Banorët, pjesa më e madhe e të cilëve janë armenë që janë rivendosur në ato territore pas ardhjes nga vende të tjera në Azerbajxhan, jetojnë në kushte të rrezikshme, me infrastrukturë të varfër, me aktivitet të paktë ekonomik, dhe me qasje të kufizuar në shërbime publike. Shumë prej tyre nuk kanë dokumente identifikimi. Për qëllime administrative, shtatë territoret, ish Oblasti i NK, dhe zona të tjera janë përfshirë në tetë qarqe të reja.
Realiteti i ashpër i situatës në territore e ka përforcuar pikëpamjen e Bashkë-Kryetarëve që status quo është i papranueshëm, dhe që vetëm një zgjidhje paqësore përmes negociatave mund të sjellë perspektivë për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për njerëzit që jetonin në ato territore dhe për njerëzit që jetojnë aty tani. Bashkëkryetarët i nxisin udhëheqësit e të gjitha palëve që të shmangin të gjitha aktivitetet në territore dhe zona të tjera të diskutueshme që do të paragjykonin një zgjidhje përfundimtare ose që do të ndryshonin karakterin e atyre zonave. Ata gjithashtu rekomanduan të merren masa për ruajtjen e varrezave dhe vendeve të shenjta në territore si dhe të sqarohet statusi i të vendosurve që nuk kishin dokumente identifikimi. Bashkëkryetarët synojnë të ndërmarrin misione të mëtejshme drejt zonave të tjera të prekura nga konflikti i NK, dhe të përfshijnë në këto misione ekspertë nga agjenci ndërkombëtare relevante të cilët do të ishin pjesë e implementimit të një marrëveshjeje për paqe."
28. Më 18 qershor 2013 Presidentët e vendeve të Bashkëkryetarëve të Grupit të Minskut lëshuan një deklaratë të përbashkët në lidhje me konfliktin e Nagorno-Karabakh:
“Ne, Presidentët e vendeve të Bashkëkryetarëve të Grupit të Minskut të OSBE-së – Franca, Federata Ruse dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – mbetemi të zotuar që të ndihmojmë palët në konfliktin e Nagorno-Karabakh për të arritur një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare. Ne shprehim keqardhjen tonë të madhe që, në vend që të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të bazuar mbi interesa të ndërsjella, palët kanë vazhduar të kërkojnë avantazhet e njëanshme në procesin e negociatave.
Ne vazhdojmë të besojmë fuqimisht se elementet e ravijëzuara në deklaratat e vendeve tona gjatë katër viteve të fundit duhet të jenë bazat e çdo zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit të Nagorno-Karabakh. Këto elemente duhet të shihen si tërësi e integruar, sepse çdo përpjekje për të zgjedhur disa elemente kundrejt disa të tjerave do ta bënte të pamundur arritjen e një zgjidhjeje të ekuilibruar.
Ne përsërisim që vetëm një zgjidhje e negociuar mund të çojë drejt paqes, stabilitetit dhe pajtimit, duke hapur mundësi për zhvillim dhe bashkëpunim rajonal. Përdorimi i forcës ushtarake që ka krijuar situatën e tanishme të konfrontimit dhe mungesës së stabilitetit nuk do ta zgjidhë konfliktin. Rifillimi i luftimeve do të ishte shkatërrimtar për popullsinë e rajonit, duke shkaktuar humbje jetësh, më shumë shkatërrime, më shumë refugjatë, dhe kosto financiare jashtëzakonisht të mëdha. Në inkurajojmë fuqimisht udhëheqësit e të gjitha palëve që të zotohen sërish ndaj parimeve të Helsinkit, posaçërisht atyre që kanë të bëjnë me mospërdorimin e forcës ose kërcënimit të forcës, integritetin territorial, dhe të drejtat e barabarta dhe vetvendosjen e popujve. Ne gjithashtu u bëjmë apel atyre që të përmbahen nga çdo veprim ose retorikë që mund të ngrejë tensionin në rajon dhe që mund të çojë drejt përshkallëzimit të konfliktit. Udhëheqësit duhet ta përgatisin popullin e tyre për paqe, jo për luftë.
Vendet tona qëndrojnë në gatishmëri për të ndihmuar palët, por përgjegjësia për dhënien fund konfliktit të Nagorno-Karabakh është e palëve. Ne besojmë fuqimisht se vonesat e mëtejshme në arritjen e një marrëveshjeje të ekuilibruar mbi një kornizë për paqe gjithëpërfshirëse janë të papranueshme, dhe nxisim udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë të fokusohen me energji të përtërira mbi çështjet që mbeten të pazgjidhura."
C. Kërkuesi dhe pasuria që pretendohet të ketë qenë në posedim të tij në Gulistan
29. Kërkuesi, i përkatësisë etnike armene, deklaron që ai dhe familja e tij kanë jetuar në fshatin e Gulistanit në rajonin Shahumyan të RSS të Azerbajxhanit. Ai pretendon se ka pasur shtëpi dhe ndërtesa-anekse aty.
30. Gjeografikisht, Shahumyan ndante një kufi me NKAO dhe ndodhej në veri të tij. Ai rajon nuk ishte pjesë e NKAO por më vonë u pretendua nga "NKR" si pjesë e territorit të vet (shih paragrafin 19 lart). Sipas kërkuesit, 82% e popullsisë në Shanumyan kishte qenë e përkatësisë etnike armene para konfliktit.
31. Në shkurt 1991 Shahumyan u shua si rajon i ndarë administrativ dhe u përfshi formalisht në rajonin e sotëm të Goranboy të Republikës së Azerbajxhanit.
32. Në prill-maj të vitit 1991, Forcat e Brendshme të BRSS dhe njësitë ushtarake për qëllime të veçanta ("OMON") të RSS të Azerbajxhanit nisën një operacion me qëllimin e deklaruar të "kontrollimit të pasaportave" dhe çarmatosjes së militantëve armenë vendas në rajon. Megjithatë, sipas burimeve të ndryshme, forcat e qeverisë, duke shfrytëzuar qëllimin e deklaruar si pretekst, dëbuan popullatën armene nga disa fshatra në rajonin e Shahumyan, duke i detyruar kështu ata të iknin nga shtëpitë e tyre dhe të merrnin arratinë drejt Nagorno-Karabakh ose Armenisë. Dëbimet u shoqëruan me arrestime dhe dhunë kundër popullsisë civile. Në vitin 1992, kur konflikti u shndërrua në luftë në shkallë të gjerë, rajoni i Shahumyan u sulmua nga forcat e Azerbajxhanit.
1. Parashtrimet e palëve dhe provat e paraqitura prej tyre
33. Qëndrimet e palëve në lidhje me vendbanimin dhe pasuritë e kërkuesit në Gulistan dallojnë.
(a) Kërkuesi
34. Kërkuesi u shpreh se ai kishte jetuar në Gulistan shumicën e jetës së tij deri në zhvendosjen e tij të detyruar në vitin 1992. Në mbështetje të këtij pohimi ai paraqiti një kopje të ish pasaportës së tij sovjetike të lëshuar në vitin 1979, në të cilën mund të shihet se kërkuesi është i lindur në Gulistan. Ai gjithashtu paraqiti certifikatën e tij të martesës, e cila tregon se ai dhe gruaja e tij, e cila po ashtu është e lindur në Gulistan, janë martuar aty në vitin 1955. Përveç kësaj, kërkuesi pohoi që, pasi ishte rritur në Gulistan, ai ishte larguar për disa vjet për të kryer shërbimin ushtarak dhe për të punuar në qytetin Sumgait. Pak vjet pas martesës ai ishte kthyer në Gulistan, ku kishte jetuar deri në qershor 1992.
35. Kërkuesi paraqiti një kopje të një certifikate zyrtare ("pasaportë teknike") kur dorëzoi kërkesën. Sipas atij dokumenti, të datuar 20 maj 1991, një shtëpi dykatëshe në Gulistan dhe ndërtesa-anekse në një zonë prej 167 metrash katrorë dhe 2160 metra katrorë tokë ishin të regjistruara në emër të kërkuesit. Më tej, ai paraqiti edhe një plan të detajuar të shtëpisë kryesore.
36. Sipas pasaportës teknike, 167 m katrorë ku ishte e vendosur shtëpia ziheshin nga shtëpia kryesore dhe 91 m katrorë nga shtëpi të ndryshme anekse përfshirë një stallë lopësh. Nga 2160 m katrorë tokë, 1500 prej tyre ishin kopsht me fruta dhe perime. Dokumenti gjithashtu përfshin informacione lidhur me shtëpinë kryesore dhe ndërtesa-anekse.
37. Kërkuesi shpjegoi që ai e kishte marrë tokën me leje të Këshillit të Fshatit për të ndarë parcelën e tokës së babait të tij mes atij vetë dhe vëllait të tij. Vendimi ishte shënuar në regjistrin e Këshillit të Fshatit. Me ndihmën e familjarëve dhe miqve, ai dhe gruaja e tij e ndërtuan shtëpinë e tyre mbi atë parcelë toke në vitet 1962-1963. Katër fëmijët e tyre u rritën në atë shtëpi dhe ai dhe gruaja e tij vazhduan të jetonin aty deri në kohën kur u detyruan të largoheshin në qershor 1992. Më tej, kërkuesi shpjegoi që ai kishte qenë mësues i shkollës 8-vjeçare në Gulistan dhe kishte nxjerrë jetesën pjesërisht me pagën e tij e pjesërisht me bujqësi dhe blegtori në tokën e vet, ndërkohë që gruaja e tij kishte punuar në fermën kolektive të fshatit që nga vitet ‘70.
38. Përveç pasaportës teknike dhe planit të shtëpisë të përmendur lart, kërkuesi paraqiti fotografi të shtëpisë dhe deklarata me shkrim që datonin gusht 2010 nga dy ish-zyrtarë të Këshillit të Fshatit, Znj. Khachatryan dhe Z. Meghryan. E para deklaron se ajo ka qenë sekretare e Këshillit të Fshatit nga viti 1952 deri në vitin 1976. Ajo konfirmon që Këshilli i Fshatit e ka lejuar kërkuesin që të ndante tokën e babait të tij mes atij dhe vëllait të vet. Të dy, si Znj. Khachatryan ashtu edhe Z. Meghryan, i cili deklaron se ka qenë anëtar i Bordit të Këshillit të Fshatit për disa vjet gjatë viteve ‘70, pohojnë se shënimet lidhur me ndarjen e tokës mes fshatarëve ishin bërë në regjistrin e Këshillit të Fshatit. Disa deklarata me shkrim nga maji i vitit 2010 prej anëtarëve të familjes (përfshirë gruan e kërkuesit, dy prej fëmijëve të tyre dhe dhëndri i tij), ish-fqinjë dhe miq nga Gulistani, japin përshkrime të Gulistanit dhe konfirmojnë që kërkuesi ka qenë mësues i shkollës 8-vjeçare dhe ka pasur një parcelë toke si dhe një shtëpi dykatëshe në fshat. Ata gjithashtu konfirmojnë që disa ndërtesa-anekse dhe një kopsht me fruta dhe perime i përkisnin shtëpisë së kërkuesit, ku ai dhe familja e tij kanë jetuar deri në qershor 1992.
39. Kërkuesi përshkroi që rajoni i Shahumyan iu nënshtrua një bllokade nga Qeveria e Azerbajxhanit në fillim të viteve 1990. Në vitin 1992 forcat e armatosura filluan të sulmonin rajonin. Në qershor 1992 Gulistani u sulmua direkt nga forcat e Azerbajxhanit. Prej 12 deri më 13 qershor 1992 fshati u bombardua rëndë. Popullsia e fshatit, përfshirë kërkuesin dhe anëtarët e familjes së tij, ikën sepse frikësoheshin për jetën e tyre. Deklaratat e lartpërmendura të disa dëshmitarëve gjithashtu ofrojnë një përshkrim të bllokadës së rajonit të Shahumyan gjatë konfliktit, të sulmit mbi fshat dhe të ikjes së banorëve të tij.
40. Kërkuesi dhe familja e tij ikën në Armeni. Më pas, kërkuesi dhe gruaja e tij jetuan si refugjatë në Yerevan. Në vitin 2002 kërkuesi fitoi shtetësinë armene. Ai u sëmur rëndë në vitin 2004 dhe vdiq më 13 prill të vitit 2009 në Yerevan.
(b) Qeveria përgjegjëse
41. Qeveria përgjegjëse parashtroi që nuk mund të verifikohej nëse kërkuesi faktikisht kishte jetuar në Gulistan dhe që kishte pasur pasuri atje. Për periudhën prej vitit 1998 deri tani, departamentet përkatëse të rajonit të Goranboy nuk kishin dokumentacion në lidhje me parcelën e tokës, shtëpinë ose ndërtesa të tjera që supozohej se ishin në posedim të kërkuesit. Për më tepër, disa arkiva nga ish rajoni i Shahumyan, përfshirë Regjistrin Civil dhe Zyrën e Pasaportave, ishin shkatërruar gjatë luftimeve. Në kohën e tashme nuk kishte asnjë dokument në lidhje me kërkuesin në arkivat rajonale të Goranboy.
42. Në mbështetje të qëndrimit të saj Qeveria paraqiti disa dokumente, të cilat ishin: një deklaratë, e datuar 22 korrik 2007, nga Koloneli Maharramov, Shefi i Departamentit Rajonal të Policisë së Goranboy, ku konfirmohej që arkivat e Zyrës së Regjistrit Civil dhe të Zyrës së Pasaportave të ish Rajonit të Shahumyan ishin shkatërruar gjatë konfliktit; një letër nga Shërbimi Shtetëror i Regjistrimit të Pasurisë së Patundshme e datës 31 korrik 2007 sipas së cilës Arkivat e Departamentit Rajonal përkatës nuk përmbanin asnjë dokument në lidhje me të drejtat pronësore të supozuara të kërkuesit; një deklaratë e datuar 5 mars 2012 nga Z. Mammadov, Kryetar i Komisionit Shtetëror të Tokës dhe Hartave të Republikës së Azerbajxhanit, sipas së cilës vetëm Komiteti Ekzekutiv i Sovjetit të Deputetëve të Popullit të Qarqeve dhe Qyteteve kishte pushtetin të shpërndante tokën sipas Kodit të Tokës së RSS të Azerbajxhanit.
D. Situata në Gulistan
43. Qëndrimet e palëve gjithashtu ndryshojnë në lidhje me situatën aktuale që mbretëron në Gulistan. Qeveria armene, si ndërhyrës i palës së tretë, po ashtu bëri parashtresa në lidhje me këtë çështje.
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
44. Në lidhje me situatën në Gulistan, kërkuesi konstatoi që Republika e Azerbajxhanit kishte kontroll mbi fshatin dhe veçanërisht që ajo kishte pozicione brenda vetë fshatit dhe në periferitë e tij. Sipas mendimit të tij, asgjë nuk vërtetonte se Gulistani ishte në Linjën e Kontaktit (angl. LoC) mes forcave të Azerbajxhanit dhe të "NKR" siç pretendohej nga Qeveria përgjegjëse.
45. Në procedurat para vendimit për pranueshmërinë, kërkuesi paraqiti një deklaratë me shkrim nga një oficer i lartë anonim i forcave të "NKR" e datuar 11 gusht 2010, sipas të cilit Gulistani ishte nën kontroll de facto të forcave ushtarake të Azerbajxhanit (shih paragrafët 51 dhe 58 poshtë). Më tej, kërkuesi pohoi që bashkëfshatarët ishin përpjekur të ktheheshin në Gulistan shumë herë por nuk kishin mundur të hynin në fshat sepse rrezikonin të qëlloheshin me armë nga forcat e Azerbajxhanit.
(b) Qeveria përgjegjëse
46. Qeveria pranoi gjatë tërë procedurave që Gulistani ndodhej në territorin ndërkombëtarisht të njohur të Republikës së Azerbajxhanit.
47. Në parashtrimet e saj para vendimit për pranueshmërinë, Qeveria pohoi që Gulistani ndodhej fizikisht në LoC mes forcave të Azerbajxhanit dhe të Armenisë, e cila ishte vendosur nga marrëveshja e armëpushimit e majit 1994. Fshati ishte shkretuar dhe LoC mbahej me anë të stacionimit të forcave të armatosura në të dy anët dhe nga përdorimi i gjerë i minave të tokës. Kështu ishte e pamundur që Qeveria përgjegjëse të ushtronte ndonjë kontroll mbi atë zonë ose të kishte qasje në të.
48. Në parashtresat e saj pas vendimit për pranueshërinë, Qeveria deklaroi që ajo nuk ushtronte kontroll të mjaftueshëm mbi fshatin. Duke iu referuar deklaratave të disa oficerëve ushtarakë që kishin shërbyer në rajonin e Goranboy dhe kishin dhënë deklarata mbi situatën në Gulistan (shih, paragrafin 62 poshtë), ajo u shpreh veçanërisht që fshati, i vendosur në një luginë në formën e shkronjës "v" në bregun verior të lumit Inzachay ishte në LoC, pra që ishte i rrethuar nga forcat e armatosura të Azerbajxhanit nga njëra anë (në veri dhe në lindje) dhe të Armenisë nga ana tjetër (në jug dhe në perëndim). Forcat armene mbanin pozicione me avantazh strategjik në një rrëpirë të pyllëzuar në jug të lumit, ndërsa pozicionet e Azerbajxhanit në bregun verior të lumit ndodheshin në një territor më të ulët dhe relativisht më të hapur. Qeveria pohoi që, faktikisht, Gulistani nuk ishte nën kontrollin efektiv të asnjërës anë. Ishte zonë e kontestuar dhe përbënte ambient të rrezikshëm. Fshati dhe rrethinat e tij ishin të minuara. Shkeljet e armëpushimit ndodhnin shpesh. Nuk kishte ndërtesa të sigurta në atë zonë meqenëse fshati ishte shkatërruar dhe braktisur.
49. Në deklarimet e saj në seancën e 5 shkurtit 2014, Qeveria nënvizoi që Gulistani ishte ekspozuar ndaj zjarrit nga pozicionet ushtarake armene të vendosura përgjatë lumit në një rrëpirë të pjerrët. Përveç kësaj, ajo iu referua raportit të AAAS mbi Gulistanin (shih paragrafët 74 dhe 75 poshtë), duke shënuar që kjo konfirmonte, përveç faktit që Gulistani ndodhej në territorin e Azerbajxhanit, që zona rreth Gulistanit ishte malore dhe ishte objekt i aktivitetit ushtarak të vazhdueshëm dhe që fshati ishte shkatërruar. Ajo tha se zona ishte e minuar dhe civilët e kishin të pamundur të shkonin aty.
(c) Qeveria armene, ndërhyrës i palës së tretë
50. Qeveria ndërhyrëse u shpreh gjatë tërë procedurave që Qeveria përgjegjëse kishte kontroll të plotë efektiv mbi Gulistan.
51. Në seancën e 15 shtatorit 2010 ajo e kishte kontestuar pohimin e Qeverisë përgjegjëse që Gulistani ishte në LoC. Duke iu referuar deklaratës me shkrim të 11 gushtit 2010 nga një oficer i lartë anonim i forcave të armatosura të "NKR" që shërbente në Gulistan e cila ishte paraqitur nga kërkuesi, Agjenti i Qeverisë së Armenisë kishte deklaruar se ai kishte qenë personalisht i pranishëm kur ishte dhënë deklarata dhe e konfirmoi saktësinë e saj. Mbi bazën e kësaj deklarate, Qeveria armene pohoi që në zonën në fjalë vija ndarëse mes forcave të armatosura të "NKR" dhe Republikës së Azerbajxhanit ishte një grykë përmes së cilës rridhte lumi Inzachay. Gulistani ishte i vendosur në veri të bregut të lumit dhe ishte nën kontrollin e forcave të armatosura të Azerbajxhanit të cilat kishin pozicione ushtarake brenda vetë fshatit dhe në periferitë e tij, ndërsa forcat e "NKR" ishin të vendosura në anën tjetër të grykës. Ajo gjithashtu iu referua DVD-së që përmbante video-incizime të fshatit të cilat i ishin dorëzuar Gjykatës nga kërkuesi në vitin 2008 (shih paragrafin 56 poshtë) duke pretenduar se personi që shihet duke ecur mes shtëpive ishte ushtar i Azerbajxhanit. Qeveria armene deklaroi se ishte e pamundur që forcat e "NKR" ose ndonjë armen të hynte në fshat.
52. Në parashtrimet e saj lidhur me vendimin për pranueshmërinë, Qeveria e Armenisë zbuloi identitetin e oficerit të lartë të "NKR" me kërkesë të Gjykatës. Oficeri në fjalë është Koloneli Manukyan i Ushtrisë së Mbrojtjes së "NKR". Më tej, Qeveria armene parashtroi që Agjenti i saj, Z. Kostanyan, kishte marrë leje nga autoritetet e "NKR" dhe kishte vizituar territorin afër Gulistanit në maj të vitit 2012. Ai kishte incizuar materiale në DVD dhe kishte regjistruar intervista me tre oficerë të "NKR" duke përshkruar situatën në terren në dhe afër Gulistanit (shih paragrafin 71 poshtë). Qeveria armene gjithashtu iu përgjigj pyetjes së Gjykatës në lidhje me pohimin e saj të bërë në seancën e 15 shtatorit 2010 që njeriu që ecën mes rrënojave në DVD-në e paraqitur nga kërkuesi është ushtar i Azerbajxhanit. Ndërkohë që deklaroi se nuk kishte mundësi të komentonte në lidhje me identitetin e atij njeriu, ajo iu referua deklaratave të oficerëve ushtarakë të "NKR" sipas të cilëve në Gulistan kishte pozicione ushtarake azerbajxhanase, por nuk kishte prani civile.
53. Në seancën e 15 shkurtit 2014, Qeveria armene përsëriti përshkrimin e saj të situatës në Gulistan. Për më tepër, ajo pohoi që prania ushtarake azerbajxhanase në atë zonë ishte konfirmuar po ashtu edhe nga raporti i AAAS.
2. Provat e paraqitura nga palët
54. Palët kanë paraqitur materiale dokumentuese të shumta në mbështetje të qëndrimeve të tyre përkatëse. Paragrafët në vijim përmbajnë një përshkrim të shkurtër të provave kryesore.
(a) Kërkuesi
(i) Harta e Gulistanit
55. Harta e Gulistanit dhe rrethinat: Duket se është kopje e një harte zyrtare me emrat në azerisht, ku tregohet i tërë fshati në bregun verior të një lumi (Indzachay). Pozicionet e supozuara të forcave të Azerbajxhanit tregohen si vijon: njëri ndodhet në mes të fshatit, disa të tjera janë në skajin verior të tij, të tjera janë të shpërndara në bregun verior të lumit por ndodhen më larg, shumica e tyre me sa duket në lartësitë rreth fshatit.
(ii) DVD-të
56. Një DVD, e paraqitur bashkë me vërejtjet e tij, e datës 21 shkurt 2008, që përmban pamje të Gulistanit dhe rrethinave të tij. Fshati ndodhet në një kodrinë. Shumë prej shtëpive janë të rrënuara, kurse pak prej tyre ende i kanë çatitë të paprekura. Nga disa oxhakë del tym. Në një moment, një njeri shfaqet duke ecur mes rrënojave të fshatit. Në një kodrinë diku larg fshatit, shihen disa konstruksione që duket se janë pozicione zjarri.
(iii) Deklaratat nga oficerët e "NKR" dhe nga ish fshatarët nga Gulistani
57. Një letër nga "Ministri i Mbrojtjes i NKR" e datës 14 shkurt 2008 që përshkruan situatën në terren në Gulistan dhe pretendon në mënyrë të veçantë që Forcat e Armatosura të Azerbajxhanit kishin shumë pozicione dhe pika të hapjes së zjarrit mu në fshat.
58. Një deklaratë e datuar 11 gusht 2010 nga një oficer i lartë i forcave të "NKR" në pozitë ushtarake afër fshatit të Gulistanit që nga viti 2005 (shih përmbledhjen e deklaratës në paragrafin 51 lart). Deklarata shoqërohej me një hartë të bërë me dorë të Gulistanit dhe rrethinave të tij si dhe disa fotografi të zonës. Oficeri, i cili fillimisht kishte qenë anonim, është Koloneli Manukyan nga Ushtria e Mbrojtjes së "NKR".
Një deklaratë e Z. Aloyan, asistent i përfaqësuesit të kërkuesit, i cili regjistroi deklaratën e dhënë nga oficeri i "NKR" në vend, d.m.th. në njësinë ushtarake afër Gulistanit, ku konfirmohet përmbajtja e deklaratës së atij oficeri dhe fakti që fotografitë janë bërë nga pozicioni ushtarak i "NKR".
Një deklaratë e Z. Kostanyan, Agjent i Qeverisë së Armenisë, në prani të të cilit oficeri i "NKR" dha deklaratën e tij në njësinë e tij ushtarake afër Gulistanit.
59. Deklarata të datuara mars 2012 nga tre ish fshatarë të Gulistanit të cilët pretendojnë se janë përpjekur pa sukses të kthehen në Gulistan gjatë periudhës mes viteve 2002 dhe 2004. Ata pretendojnë se i janë afruar zonës në anën e "NKR" të vijës së armëpushimit, dy prej tyre deklarojnë se kanë mundur të shohin poshtë në fshat nga lartësia e Napat, por e patën të ndaluar të lëviznin më tej nga ushtarët e "NKR" që i shoqëronin për shkak të rrezikut të snajperëve nga forcat kundërshtare. Njëri prej tyre deklaron se, me ndihmën e dylbive, ka mundur të shohë disa llogore në fshat dhe një ushtar duke qëndruar aty.
(b) Qeveria përgjegjëse
(i) Hartat
60. Hartë e Gulistanit dhe rrethinave të tij. Harta tregon tërë fshatin në bregun verior të lumit Indzachay, pozicionet ushtarake të Azerbajxhanit janë gjithashtu në bregun verior të lumit, kryesisht në lartësitë përreth fshatit. Pozicionet e "NKR" janë në bregun jugor to lumit ku më i afërti është përkarshi fshatit.
Një hartë e Nagorno-Karabakh e paraqitur nga Qeveria e Armenisë në Chiragov dhe të Tjerë kundër Armenisë (cituar lart). Harta tregon Gulistanin mu në kufirin e "NKR" në veri të një lumi.
Një hartë e Azerbajxhanit e publikuar në vitin 2006 nga Komisioni Shtetëror i Tokës dhe Kartografisë i Republikës së Azerbajxhanit. Harta tregon Gulistanin mu në kufirin e zonës së pushtuar nga "NKR". Në hartë zonat e pushtuara janë të hijezuara dhe të rrethuara me vijë të kuqe; Gulistani është në atë vijë të kuqe por jashtë pjesës së hijezuar, në veri të një lumi.
(ii) DVD-të
61. Dy DVD që përmbajnë pamje të Gulistanit dhe rrethinave të tij (njëra e paraqitur në shtator 2008, tjetra në korrik 2012). E para tregon fshatin në një pejsazh kodrinor, ku shumica e shtëpive janë të rrënuara, plus disa konstruksione në kreshtën e një kodre të cilat duket të jenë pozicione zjarri. E dyta përsëri tregon fshatin (shtëpi të rrënuara dhe makina bujqësore të shkatërruara) dhe pejsazhin përreth dhe është e shoqëruar me një tekst që shpjegon veçanërisht që në fshat nuk banon askush, që pozicionet armene janë në një rrëpirë të pyllëzuar dhe ata kontrollojnë fshatin me armë të kalibrit të madh, ndërsa pozicionet azerbajxhanase janë në një largësi prej rreth 2.5 km dhe mund ta kontrollojnë fshatin vetëm vizualisht.
(iii) Deklaratat nga oficerët ushtarakë të Azerbajxhanit, oficerët dhe fshatarët nga fshatrat fqinje
62. Deklaratat e dhëna në mars 2012 nga gjashtë oficerë ushtarakë të Azerbajxhanit, Koloneli Babayev, cili shërbeu në njësinë ushtarake në rajonin Goranboy nga viti 1994 deri në vitin 1997, dhe Kolonel-Togerët Abdulov, Mammadov, Ahmadov, Abbasov dhe Huseynov, të cilët shërbyen në njësitë ushtarake në rajonin e Goranboy në periudha të ndryshme mes viteve 1990 dhe 2009, dhe përshkruajnë situatën në terren në Gulistan si vijon:
- Gulistani ndodhet në bregun verior të lumit Indzachay;
- pozicionet ushtarake të Azerbajxhanit janë në bregun verior të lumit në lindje dhe verilindje të vendbanimit të Gulistanit, të vendosura në tokat e ulëta, në largësi prej 1 dhe 3 km nga fshati i shkatërruar;
- pozicionet ushtarake të Armenisë janë në bregun jugor të lumit në perëndim dhe jugperëndim të vendbanimit të Gulistanit, të vendosura në pozicione të larta strategjikisht më të mira (rrëpira të pjerrëta të mbuluara me pyje). Oficerët e vlerësojnë largësinë ku ndodhen pozicionet më të afërta armene mes 200-300 metra deri në 1 km.
- shkeljet e armëpushimit nga forcat armene janë të shpeshta;
- ata e kontestojnë pohimin e Qeverisë armene që disa prej shtëpive në fshat janë riparuar dhe po përdoren si pozicione ushtarake nga forcat e Azerbajxhanit;
- pozicionet e Azerbajxhanit dhe vetë fshati ndodhen brenda distancës së zjarrit së pozicioneve armene (zjarr me mitralozë të kalibrit të rëndë), prandaj personeli ushtarak nuk mund të lëvizë lirisht në atë zonë por vetëm nëpër shtigje të caktuara;
- nuk ka civilë në fshat;
- shumica e ndërtesave (rreth 100 shtëpi) në fshat janë shkatërruar gjatë luftimeve. Meqenëse fshati është braktisur që nga viti 1992, shtëpitë janë prishur, çatitë janë rrëzuar, dhe tani brenda ndërtesave të shkatërruara rriten trungje pemësh. Momentalisht nuk kanë mbetur ndërtesa të banueshme; pas luftimeve, forcat armene kanë minuar territorin e vendbanimeve, këto mina nganjëherë aktivizohen nga kafshët;
- Kolonel-Toger Abdulov deklaron se ka vëzhguar lëvizjet e ushtrisë armene në rrënojat e pjesës jugore të vendbanimeve të Gulistanit, Kolonel-Toger Mammadov pretendon se ka parë ushtarët armenë duke lëvizur nga pozicionet e tyre drejt lumit. Kolonel-Togerët Abbasov dhe Huseynov deklarojnë se kanë vëzhguar forcat ushtarake armene duke shkatërruar ndërtesa dhe duke përdorur materialet e tyre për fortifikatat e tyre.
63. Informacionet nga Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit që mbulojnë periudhën prej vitit 2003 deri në vitin 2010 mbi shkeljet e armëpushimit tregojnë rritje nga viti 2008 (20 në vitin 2008, 35 në vitin 2009, dhe 52 në vitin 2010) dhe viktima në zonën e Gulistanit si pasojë e shpërthimit të minave (5 ushtarë të vrarë më 5 gusht 2003) ose shkeljes së armëpushimit (një ushtar i vrarë më 25 shkurt 2005).
64. Një letër nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare për Veprimin kundër Minave e datuar 12 korrik 2010 deklaron që fshati i Gulistanit në rajonin e Goranboy ishte "i përkufizuar si territor me ndotje në shkallë të gjerë të minave dhe pajisjeve të pashpërthyera (angl. UXO)".
65. Deklaratat e dhëna në mars 2012 nga tetë fshatarë që jetonin në vendbanimet fqinje, fshati Meshali dhe qyteti Yukhari Aghjakand. Ata përshkruajnë që fshati i Gulistanit është shkretuar dhe që rrethinat e tij janë të minuara dhe janë rregullisht nën zjarr nga pozicionet armene.
(iv) Kumtesat për shtyp
66. Dy kumtesa për shtyp të tetorit 2006 nga një burim armen në lidhje me një mision të OSBE-së që monitoronte vijën kufitare mes Nagorno‑Karabakh dhe Azerbajxhanit afër fshatit të Gulistanit.
67. Kumtesa të shumta për shtyp të lëshuara nga Agjencia Azere e Lajmeve mes qershorit 2010 dhe majit 2012 bëjnë fjalë për shkelje të armëpushimit në zona të ndryshme përfshirë pjesën e Gulistanit. Teksti më shpesh i përdorur nga këto deklarata shtypi është si vijon: "Forcat e Armatosura Armene hapën zjarr kundër Forcave të Armatosura Azerbajxhanase nga postet afër fshatit Gulistan" ose "...nga postet në lartësi të paemëruara afër fshatit Gulistan" ose "njësitë armike hapën zjarr në pozicionet e Forcave të Armatosura të Azerbajxhanit nga postet [...] afër fshatit Gulistan të rajonit Goranboy të Azerbajxhanit". Njëra prej këtyre deklaratave, e datuar 3 mars 2012, raporton që "togeri i Azerbajxhanit Gurban Huseynov ka goditur një minë në fshatin Gulistan në vijën e frontit të rajonit të Goranboy. Si pasojë, ai ka humbur këmbën e tij".
68. Një deklaratë nga Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave të Tokës e 20 shtatorit 2013 shprehte shqetësimin rreth vendosjes së shtuar të minave të tokës anti-njeri nga autoritetet e Nagorno-Karabakh përgjatë vijës së kontaktit Armeni-Azerbajxhan në lindje dhe në veri të territorit të diskutueshëm.
(c) Qeveria armene, ndërhyrëse e palës së tretë
(i) Harta
69. Një hartë e Gulistanit dhe rrethinave të tij, e cila tregon tërë fshatin në bregun verior të lumit Idzachay. Pozicionet e Azerbajxhanit gjithashtu ndodhen në bregun verior të lumit dhe shumë afër fshatit (në lindje dhe perëndim të tij dhe në skajin verior të tij) ndërsa pozicionet e "NKR" janë në bregun jugor të lumit, ku pozicioni më i afërt është karshi fshatit.
(ii) DVD
70. Një DVD e paraqitur në korrik 2012, që përmban pamje të Gulistanit dhe të rrethinave të tij dhe intervista të marra në vend nga Agjenti i Qeverisë, Z. Kostanyan, me tre oficerë të ushtrisë së "NKR" që shërbejnë në njësinë ushtarake afër Gulistanit (për përmbajtjen e tyre shiko paragrafin 71 poshtë). Ajo tregon fshatin, me shumicën e shtëpive të rrënuara, dhe pejsazhin rreth tij. Nga fundi i videos, mund të shihet një tufë delesh dhe disa njerëz që lëvizin prapa fshatit të shkatërruar.
(iii) Deklaratat e oficerëve ushtarakë të “NKR”
71. Transkriptet e intervistave të incizuara në maj 2012 me komandantin e Njësisë Sevoyan, Rreshterin Petrosyan dhe oficerin Vardanyan, që shërbenin në njësinë ushtarake të "NKR" të vendosur afër Gulistanit. Ata e përshkruajnë situatën në terren si vijon:
- forcat ushtarake të Azerbajxhanit kanë pozicione në fshat dhe nganjëherë kryejnë detyra luftarake atje, por pika e tyre e përhershme e vendndodhjes është prapa;
- nuk ka civilë në fshat;
- nuk ka mina brenda në fshat por zona përreth është minuar nga forcat e Azerbajxhanit (ata vërejnë që herë pas here kafshët i aktivizojnë minat);
- nganjëherë ka shkelje të armëpushimit nga ana e Azerbajxhanit; në qoftë se njerëzit janë neglizhentë, rrezikojnë të qëllohen nga pozicionet e Azerbajxhanit;
- ka ndodhur disa herë që ish fshatarët e Gulistanit kanë ardhur aty me dëshirën që të shohin fshatin e tyre. Për shkak të rreziqeve nga snajperët ose zjarri me armë luftarake nga ana e Azerbajxhanit, ata nuk i kanë lejuar t’i afrohen fshatit.
3. Provat e mbledhura nga Gjykata
72. Më 12 shtator 2013 Gjykata i kërkoi Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencave ("AAAS"), në kuadër të programit të saj për "Teknologji Gjeohapsinore dhe të Drejta të Njeriut", që të hartonte një raport në lidhje me çështjet në vijim: vendndodhja e pozicioneve ushtarake siç janë llogoret dhe fortifikatat në dhe rreth fshatit të Gulistanit, për periudhën prej hyrjes në fuqi të Konventës në lidhje me Azerbajxhanin (15 prill 2002) e deri tani, dhe gjithashtu në lidhje me gjendjen e shkatërrimit të ndërtesave në fshat dhe në varrezat e fshatit në kohën e hyrjes në fuqi të Konventës (15 prill 2002).
73. Raporti "Vlerësimi i pamjeve satelitore me rezolucion të lartë të Gulistanit, Azerbajxhan, 2002-2012" (raporti i AAAS") iu dorëzua Gjykatës në nëntor 2013. Mbi bazën e interpretimit të pamjeve satelitore me rezolucion të lartë nga vitet 2005, 2009 dhe 2012 të marra nga burime publike, raporti ofron informacionet në vijim.
74. Në lidhje me strukturat ushtarake, ai shënon që ka llogore dhe barrikada në fshat dhe afër tij në pamjet e vitit 2005 dhe 2009, një rritje që ka ndodhur gjatë periudhës ndërhyrëse, ndërkohë që pas vitit 2009 llogoret duket se kanë filluar të mos përdoren, siç tregohet nga pamjet e zbehura të këtyre llogoreve në foton e vitit 2012. Në zonën që rrethon Gulistanin ishin të dukshme aktivitete ushtarake. Shtimi i ushtrisë në periudhën nga viti 2005 deri në vitin 2009, për sa u përket llogoreve, barrikadave, ndërtimeve ushtarake, automjeteve dhe gjurmëve të rrotave të automjeteve u ndoq nga zhvillimet e vazhdueshme ushtarake në rajon gjatë periudhës prej vitit 2009 deri në vitin 2012, por të një lloji tjetër, konkretisht fakti që llogoret dhe barrikadat mbetën pa përdorur, ndërkohë që ndërtimet ushtarake dhe prania e automjeteve vazhduan të shtoheshin.
75. Në lidhje me shkatërrimin e ndërtesave, raporti tregon se shumica e rreth 250 shtëpive në fshat janë shkatërruar, ku fjala "shkatërruar" nënkupton që ata nuk janë më të paprekura. Raporti shënon që degradimi i ndërtesave dhe rritja e harbuar e bimësisë e kishte errësuar pamjen e tyre dhe e vështirësonte numërimin e strukturave. Ndërkohë që në vitin 2005 rreth 33 ndërtesa ishin të paprekura, në vitin 2009 kishte vetëm 17 sosh, dhe në vitin 2012 vetëm 13. Në shumicën e ndërtesave të shkatërruara muret e jashtme dhe të brendshme ishin ruajtur ndërsa çatitë ishin rrëzuar. Ndërkohë që gjendja e ndërtesave sugjeron djegien si shkak të mundshëm të shkatërrimit, raporti nënvizon që shkaku i shkatërrimit nuk mund të konstatohej përmes pamjeve satelitore, e sidomos nuk ishte gjithmonë e mundur të thuhej nëse ndërtesat ishin shkatërruar me dashje. Në pamjet satelitore nuk kishte varreza të identifikueshme. Raporti sugjeron që kjo mund të jetë për shkak të rritjes së madhe të bimësisë.
II. ZOTIMI I PËRBASHKËT I ARMENISË DHE AZERBAJXHANIT
76. Para hyrjes në Këshillin e Evropës, Armenia dhe Azerbajxhani morën përsipër para Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare që të zotoheshin për zgjidhjen paqësore të konfliktit të Nagorno-Karabakh (shih Opinionet 221 (2000) dhe 222 (2000) të Asamblesë Parlamentare dhe Rezolutat Res (2000)13 dhe (2000)14 të Komitetit të Ministrave).
Në paragrafët përkatës të Opinionit 222 (2000) të kërkesës së Azerbajxhanit për anëtarësim në Këshillin e Evropës thuhet si vijon:
“11. Asambleja merr parasysh letrën e Presidentit të Azerbajxhanit ku përsëritet zotimi i vendit të tij për një zgjidhje paqësore të konfliktit të Nagorno-Karabakh dhe ku theksohet se hyrja e Azerbajxhanit në Këshillin e Evropës do të japë kontribut madhor në negocimin e procesit dhe stabilitetin në rajon.
...
14. Asambleja Parlamentare merr parasysh letrat nga Presidenti i Azerbajxhanit, kryetari i parlamentit, Kryeministri dhe kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Parlament, dhe shënon që Azerbajxhani merr përsipër të respektojë zotimet e mëposhtme:
...
ii. për sa i përket zgjidhjes së konfliktit të Nagorno-Karabakh:
a. të vazhdojë përpjekjet për ta zgjidhur konfliktin vetëm me mjete paqësore;
b. të zgjidhë mosmarrëveshjet ndërkombëtare dhe vendore me anë të mjeteve paqësore dhe në përputhje me parimet e të drejtës ndërkombëtare (një detyrim që e kanë të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës) duke refuzuar me vendosmëri çdo përdorim të forcës kundër fqinjëve të tij;"
Rezoluta Res (2004)14 nga Komiteti i Ministrave në lidhje me ftesën dërguar Azerbajxhanit për t’u bërë anëtar i Këshillit të Evropës i referohet zotimeve të marra nga Azerbajxhani, siç ceket në Opinionin 222 (2000) dhe garancitë për përmbushjen e tyre të dhëna nga Qeveria e Azerbajxhanit.
III. E DREJTA PËRKATËSE VENDASE
A. Ligjet e RSS të Azerbajxhanit
77. Ligjet përkatëse lidhur me të drejtën e kërkuesit për pronën e tij bënin pjesë në Kushtetutën e RSS të Azerbajxhanit të vitit 1978 dhe në Kodin e Tokës të vitit 1970 si dhe në Kodin e Banimit të vitit 1983.
1. Kushtetuta e vitit 1978
78. Kushtetuta deklaronte si vijon:
Neni 13
“Baza e pasurisë personale të qytetarëve të RSS të Azerbajxhanit përbëhet nga të ardhurat e fituara. Pasuria personale mund të përfshijë sende të shtëpisë, sende të konsumit personal, praktike dhe të dobishme, shtëpi, dhe kursimet e mbledhura. Pasuria personale e qytetarëve dhe e drejta për ta trashëguar atë mbrohen nga Shteti.
Qytetarëve mund t’u jepen parcela toke siç parashikohet në ligj për bujqësi shtesë (përfshirë mbajtjen e bagëtive dhe shpezëve), kopshtari dhe ndërtimin e shtëpive individuale. Qytetarët duhet ta përdorin tokën e tyre në mënyrë racionale. Fermat shtetërore dhe kolektive u ofrojnë qytetarëve ndihmë për tokat e vogla që mbajnë ata.
Pasuria personale ose pasuria me të drejtë shfrytëzimi nuk mund të përdoret për të nxjerrë të ardhura të pafituara në dëm të interesit publik."
2. Kodi i Tokës i vitit 1970
79. Dispozitat përkatëse të Kodit të Tokës deklarojnë si vijon:
Neni 4. Pronësia e shtetit (popullit) mbi tokën
“Në përputhje me Kushtetutën e BRSS dhe Kushtetutën e RSS të Azerbajxhanit, toka është pronë e Shtetit – ajo është pronë e përbashkët e tërë popullit sovjetik.
Në BRSS toka është në pronësi ekskluzive të Shtetit dhe shpërndahet vetëm për shfrytëzim. Veprimet direkte ose indirekte që shkelin të drejtën e Shtetit mbi pronësinë e tokës janë të ndaluara.
Neni 24. Dokumentet që vërtetojnë të drejtën e shfrytëzimit të tokës
“E drejta e shfrytëzimit nga fermat kolektive, fermat shtetërore dhe parcela të tjera toke vërtetohet nga një certifikatë Shteti për të drejtën e përdorimit.
Forma e certifikatës përcaktohet nga Sovjeti i Ministrave të BRSS në përputhje me legjislacionin e BRSS dhe republikat e unionit.
E drejta për shfrytëzim të përkohshëm të tokës vërtetohet nga një certifikatë në formën e përcaktuar nga Sovjeti i Ministrave të RSS të Azerbajxhanit."
Neni 25. Rregullat e lëshimit të certifikatave për të drejtën e shfrytëzimit të tokës
“Certifikatat shtetërore për të drejtën e shfrytëzimit të papërcaktuar të tokës dhe certifikatat për të drejtën e shfrytëzimit të përkohshëm të tokës u lëshohen fermave kolektive, fermave shtetërore dhe institucioneve, agjencive dhe organizatave të tjera shtetërore, kooperative dhe publike si dhe qytetarëve nga Komiteti Ekzekutiv i Deputetëve të Sovjetit të Popullit të qarkut ose rrethit (sipas qeverisjes së republikës) në territorin ku ndodhet parcela e tokës e cila duhet të jepet në shfrytëzim."
Neni 27. Shfrytëzimi i tokës për qëllime të caktuara
“Përdoruesit e tokës kanë të drejtë të kenë parcela toke dhe duhet t’i shfrytëzojnë ato për qëllimin për të cilin janë shpërndarë parcelat e tokës në fjalë."
Neni 28. Të drejtat e shfrytëzimit të përdoruesve të tokës mbi parcelat e caktuara të tokës
“Varësisht nga qëllimi i paracaktuar i një parcele toke të caktuar dikujt, përdoruesit e tokës kanë të drejtat e mëposhtme në përputhje me rregullat përkatëse:
– të ndërtojnë objekte rezidenciale, industriale dhe publike përveç ndërtesave dhe strukturave të tjera;
– të mbjellin bimë bujqësore, të pyllëzojnë dhe të mbjellin fruta, pemë dekorative dhe drunj të tjerë;
– të shfrytëzojnë fushat e korrjes, lëndinat dhe toka të tjera bujqësore;
– të përdorin burime natyrore, torfë, dhe pjesë uji për nevoja ekonomike si dhe për shfrytëzimin e veçorive të tjera të vlefshme të tokës.
Neni 126-1. E drejta e shfrytëzimit të tokës në rastin e trashëgimit të së drejtës së pronësisë mbi një ndërtesë
“Në qoftë se pronësia e një ndërtese të ndodhur në fshat trashëgohet dhe në qoftë se trashëgimtarët nuk kanë të drejtë të blejnë parcelë për shtëpi në përputhje me procedurën përkatëse, atyre do t’u jepet e drejta e shfrytëzimit të një parcele toke të nevojshme për mbajtjen e ndërtesës, në madhësinë e përcaktuar nga Sovjeti i Ministrave të RSS të Azerbajxhanit."
Neni 131. Caktimi i parcelave të tokës qytetarëve për ndërtimin e apartamenteve personale të banimit
“Parcelat e tokës për ndërtimin e ndërtesave rezidenciale me një apartament të vetëm për t’u bërë pronë personale u caktohen qytetarëve të cilët jetojnë në vendbanime të populluara të RSS të Azerbajxhanit aty ku ndërtimi i apartamenteve personale nuk është i ndaluar nga legjislacioni në fuqi, nga toka që u përket qyteteve dhe vendbanimeve urbane; nga toka e fshatit që nuk përdoret nga fermat kolektive, fermat shtetërore ose ndërmarrje të tjera bujqësore; nga toka e rezervave të Shtetit; dhe nga toka e fondit të Shtetit për pyjet e cila nuk është e përfshirë në zonat e gjelbërimit të qyteteve. Toka caktohet për qëllimet e përmendura në përputhje me procedurën e parashikuar sipas ... këtij Kodi.
Ndërtimi i apartamenteve personale në qytete dhe vendbanime të punëtorëve zhvillohet në zona të zbrazëta të cilat nuk kërkojnë shpenzime për shfrytëzim ose përgatitje teknike; dhe, si rregull, afër hekurudhave dhe autoudhëve të cilat ofrojnë komunikacion të rregullt të udhëtarëve, në formën e lagjeve ose vendbanimeve rezidenciale të veçuara."
3. Kodi i Banimit i vitit 1983
80. Neni 10.3 i Kodit të Banimit thotë si vijon:
“Qytetarët kanë të drejtë të kenë shtëpi si pronë personale në përputhje me legjislacionin e BRSS dhe RSS të Azerbajxhanit."
4. Udhëzimi i vitit 1985 mbi Rregullat e Regjistrimit të Ambienteve të Banimit
81. Udhëzimi i vitit 1985, në Nenin 2, rendiste dokumentet që shërbenin si prova të titullit mbi një shtëpi rezidenciale. Udhëzimi u miratua nga Departamenti Qendror i Statistikave i BRSS me anë të Urdhrit nr. 380 të 15 korrikut 1985. Neni 2.1 numëronte llojet e ndryshme të dokumenteve që përbënin provat themelore të titullit.
Neni 2.2 thoshte që, në qoftë se provat themelore mungojnë, titulli mund të vërtetohet indirekt me anë të dokumenteve të tjera, përfshirë:
“dokumente inventaro-teknike në rastet kur ato përmbajnë referenca të sakta ndaj posedimit nga pronari të dokumentit të zyrtarizuar që vërteton të drejtën e tij mbi shtëpinë rezidenciale"
Neni 2.3 parashikonte si vijon:
“Në zonat rurale, si dhe kur vendbanimet rurale janë të përfshira brenda kufirit të qytetit (fshatit) ose të riorganizuara si qytet (fshat), baza për regjistrim përbëhet nga listat e anëtarëve të familjes, ekstrakte të tyre, deklarata nga Komiteti Ekzekutiv i Deputetëve të Popullit në Fshat ose në Rajon si dhe dokumente të tjera që vërtetojnë një të drejtë pronësore mbi ndërtesat e specifikuara në Nenet 2.1 dhe 2.2 të këtyre Udhëzimeve."
5. Karta e vitit 1958 mbi Këshillat e Deputetëve të Punëtorëve të Fshatit në RSS të Azerbajxhanit
82. Më tej, sipas kërkuesit, Karta mbi Këshillat e Deputetëve të Punëtorëve të Fshatit të RSS të Azerbajxhanit e datës 23 prill 1958 ("Karta e vitit 1958 mbi Këshillat e Fshatit") ishte relevante për sa i përkiste përcaktimit të të drejtave të tij në lidhje me tokën në fillimin e viteve ‘60. Qeveria e kontestoi një gjë të tillë.
Seksioni 2 paragrafi 9 parashikonte si vijon:
“Në fushën e bujqësisë Këshilli i Deputetëve të Punëtorëve të Fshatit:
...
(j) administron tokën nacionale të fshatrave; bën ndarjen dhe shpërndarjen e parcelave të tokës nga një fond i tillë për banorët për ndërtime private; kontrollon respektimin e legjislacionit mbi mbajtjen e tokës."
Seksioni 2 paragrafi 19 parashikonte si vijon:
“Në fushën e ruajtjes së rendit publik dhe të drejtave të banorëve, Këshilli i Deputetëve të Punëtorëve të Fshatit:
...
(e) bën regjistrimin e ndarjeve të pronave familjare në ferma kolektive (familjet e fshatarëve)."
B. Ligjet e Republikës së Azerbajxhanit
1. Urdhri i vitit 1991 mbi "Ofrimin e Banimit Qytetarëve që Janë Larguar me Forcë nga Vendbanimi i Përhershëm (Refugjatë)"
83. Më 6 nëntor 1991 Sovjeti Suprem i Republikës së Azerbajxhanit lëshoi një Urdhër mbi "Ofrimin e Banimit Qytetarëve që Janë Larguar me Forcë nga Vendbanimet e Përhershme (Refugjatë)". Ky urdhër adresonte inter alia praktikën e shfaqur të këmbimit të pronave mes armenëve që iknin nga Azerbajxhani dhe azerbajxhanasve që iknin nga Armenia, Nagorno‑Karabakh dhe provincat përreth.
Seksioni 8
“Të udhëzohen Sovjetët e Deputetëve të Popullit të qyteteve Sumgayit, Gandja, Mingachevir, Yevlakh, Ali-Bayramli, Lenkaran, Naftalan, Sheki dhe të lagjeve dhe organeve të tyre lokale me autoritet ekzekutiv në lidhje me ofrimin, brenda dy muajve, të banimit për familjet e tjera të refugjatëve që kanë prokura ose dokumente të tjera mbi këmbimin e shtëpive dhe apartamenteve nga Armenia në Azerbajxhan.
Duke pasur parasysh faktin që një pjesë e konsiderueshme e refugjatëve kanë këmbyer shtëpitë e tyre pronë private me apartamente pronë Shteti në qytete, të udhëzohen organet lokale me autoritet ekzekutiv që t’i transferojnë këto apartamente në pronësi private të refugjatëve, pas miratimit të ligjit përkatës mbi privatizimin.
Të deklarohen ambientet e banimit të ndërtuara nga ministri, institucione dhe organizata të ndryshme të Republikës së Azerbajxhanit pas vitit 1988 në zona rurale për strehimin e refugjatëve si prona private të refugjatëve të vendosur dhe të udhëzohen organet lokale me autoritet ekzekutiv që t’u lëshojnë atyre familjeve dokumentacionin përkatës.
Të transferohet prona private e familjeve të cilat nuk e kanë këmbyer ose shitur kur kanë ikur nga Republika në pronë private të familjeve të refugjatëve që kanë ardhur në Republikën e Azerbajxhanit dhe janë me banim të përhershëm në ato ambiente, si kompensim për banesë e lënë në vendet e tyre të banimit të përhershëm në Armeni me forcë dhe pa kompensim."
84. Urdhri i vitit 1991 është ende në fuqi. Përveç atij urdhri nuk është miratuar asnjë ligj në lidhje me pronat e braktisura nga armenët që kanë ikur nga Azerbajxhani për shkak të konfliktit të Nagorno‑Karabakh. Rrjedhimisht, për pronat që nuk mbulohen nga urdhri, zbatohen rregullat e përgjithshme të pronësisë të përshkruara në paragrafët vijues.
85. Më 9 nëntor 1991 Republika e Azerbajxhanit miratoi ligje mbi pronën të cilat, për herë të parë, iu referuan tokës si objekt i pronësisë private. Megjithatë, rregullat e hollësishme lidhur me privatizimin e tokës së dhënë qytetarëve u futën më vonë, me Ligjin e vitit 1996 mbi Reformën e Tokës.
2. Ligji mbi Pronën i vitit 1991
86. Ligji i vitit 1991 mbi Pronën në Republikën e Azerbajxhanit hyri në fuqi më 1 dhjetor 1991. Ai parashikonte, inter alia, si vijon:
Neni 21. Objektet e të drejtave pronësore të qytetarit
“1. Qytetari mund të posedojë:
– parcela toke;
– shtëpi, apartamente, shtëpi fshati, garazhe, artikuj shtëpiakë dhe artikuj të përdorimit privat;
– aksione, bono thesari dhe letra të tjera me vlerë;
– pajisje të shtypit të gjerë;
– komplekse ndërmarrjesh dhe pronash për prodhimin e mallrave të synuara për konsumatorin, tregjet sociale dhe kulturore, me përjashtim të disa llojeve të caktuara të pronave të saktësuara me ligj të cilat nuk mund të jenë pronë e qytetarëve për arsye të sigurisë së shtetit ose asaj publike të specifikuara me ligj ose për shkak të detyrimeve ndërkombëtare.
...
5. Qytetari që është pronar i një banese, shtëpie rezidenciale, shtëpie fshati, garazhi ose ambienti apo ndërtese tjetër ka të drejtë të bëjë çfarë dëshiron me këtë pronë: ta shesë, ta lërë në trashëgimi, ta falë, ta lëshojë me qira ose të ndërmarrë veprime të tjera që nuk shkelin ligjin."
3. Kodi i Tokës i vitit 1992
87. Kodi i ri i Tokës, i cili hyri në fuqi më 31 janar 1992, përmbante dispozitat në vijim:
Neni 10. Pronësia private e parcelave të tokës
“Parcelat e tokës u shpërndahen për pronësi private qytetarëve të Republikës së Azerbajxhanit në përputhje me kërkesat e autoriteteve ekzekutive lokale bazuar mbi vendimet e Sovjetit të Deputetëve të Popullit të një lagjeje ose qyteti për qëllimet e përmendura më poshtë:
1) për personat me banim të përhershëm në atë territor në mënyrë që të ndërtojnë shtëpi private dhe ndërtime të mëtejshme si dhe për ngritjen e bujqësisë ndihmëse;
2) për aktivitetin e fermave dhe organizatave të tjera që janë të përfshira në prodhimin e produkteve bujqësore për shitje;
3) për ndërtimin e shtëpive private dhe kolektive të fshatit dhe garazheve private brenda kufijve të qyteteve;
4) për ndërtimet e lidhura me veprimtarinë e biznesit;
5) për aktivitetin e prodhimit tradicional etnik.
Sipas legjislacionit të Republikës së Azerbajxhanit parcelat e tokës mund të shpërndahen në pronësi private të qytetarëve për qëllime të tjera.”
Neni 11. Kushtet për shpërndarjen e parcelave të tokës për pronësi private
“Për qëllimet e cekura në Nenin 10 të këtij Kodi, e drejta e pronësisë mbi një parcelë toke jepet falas.
Parcelat e tokës që u shpërndahen qytetarëve për shtëpitë e tyre private, shtëpitë e fshatit dhe garazhet para datës së hyrjes në fuqi të këtij Kodi transferohen në pronësi të tyre.
E drejta e pronës private ose posedimit të përjetshëm të trashëgueshëm të një parcele toke nuk mund t’u jepet shtetasve të huaj ose entiteteve ligjore të huaja.
Parcela e tokës nuk i kthehet pronarëve të mëparshëm dhe trashëgimtarëve të tyre. Ata mund të marrin të drejtën e pronësisë mbi parcelën e tokës mbi bazën e parashikuar në këtë Kod.”
Neni 23. Shpërndarja e parcelave të tokës
“Parcelat e tokës u shpërndahen qytetarëve, ndërmarrjeve dhe organizatave për pronësi të tyre, posedim, shfrytëzim ose qira me anë të një vendimi të Sovjetit të Deputetëve të Popullit të lagjes ose qytetit, në përputhje me procedurën për shpërndarjen e tokës dhe në pajtim me dokumentacionin e shfrytëzimit të tokës.
Qëllimi i caktuar i një parcele toke shënohet në certifikatën e shpërndarjes së tokës.
Procedura për bërjen dhe shqyrtimin e kërkesës për shpërndarjen ose konfiskimin e një parcele toke, përfshirë konfiskimin e një parcele toke për nevoja të Shtetit ose publike, përcaktohet nga Kabineti i Ministrave të Republikës së Azerbajxhanit.
Kërkesat e qytetarëve për shpërndarjen e parcelave të tokës shqyrtohen brenda një periudhe jo më të gjatë se një muaj.”
Neni 30. Dokumentet që vërtetojnë të drejtat pronësore, të drejtat poseduese dhe shfrytëzimin e vazhdueshëm të tokës
“Të drejtat pronësore mbi tokën dhe të drejtat e posedimit dhe shfrytëzimit të vazhdueshëm të tokës vërtetohen nga Shteti me anë të një certifikate të lëshuar nga Sovjeti i Deputetëve të Popullit të lagjes ose qytetit.
Forma e kësaj certifikate shtetërore vendoset nga Kabineti i Ministrave të Republikës së Azerbajxhanit.”
4. Kushtetuta e vitit 1995
88. Kushtetuta e vitit 1995 mbron të drejtën e pronës dhe parashikon përgjegjësinë e Shtetit në lidhje me çdo dëmtim që rrjedh nga veprimet e paligjshme ose mosveprimet e organeve të Shtetit dhe zyrtarëve të tyre.
Në dispozitat përkatëse të Kushtetutës thuhet si vijon:
Neni 29
“I. Secili ka të drejtë të ketë pronë të vetën.
II. Asnjë lloj prone nuk ka përparësi. Të drejtat pronësore, përfshirë të drejtat e pronarëve privatë, mbrohen me ligj.
III. Secili mund të posedojë prona të tundshme ose të patundshme. E drejta e pronësisë u jep pronarëve të drejtën për të poseduar, shfrytëzuar dhe trajtuar pronën vetë ose bashkë me të tjerë.
IV. Askush nuk privohet nga prona e vet pa vendim gjyqi. Konfiskimi i plotë i pronës nuk lejohet. Transferimi i pronës për nevoja shtetërore ose publike lejohet vetëm në qoftë se paguhet kompensim i drejtë paraprakisht.
V. Shteti garanton të drejtat e trashëgimisë.”
Neni 68
“I. Të drejtat e viktimave të krimit ose të uzurpimit të pushtetit mbrohen me ligj. Viktima ka të drejtë të marrë pjesë në administrimin e drejtësisë dhe të kërkojë kompensim për dëme.
II. Secili ka të drejtën e kompensimit të drejtë nga Shteti për dëmet e pësuara si rezultat i veprimeve të paligjshme ose mosveprimeve të organeve ose zyrtarëve të Shtetit.”
5. Kodi Civil
89. Dispozitat e Kodit Civil në fuqi para 1 shtatorit 2000:
Neni 8. Zbatimi i legjislacionit civil të republikave të tjera të bashkimit në RSS të Azerbajxhanit
“Legjislacioni civil i republikave të tjera të Bashkimit zbatohet në RSS të Azerbajxhanit, sipas rregullave të mëposhtme:
(1) marrëdhëniet që rrjedhin nga e drejta e pronësisë qeveriset nga ligji i vendit ku është e vendosur prona.
...
(4) detyrimet që dalin si rezultat i shkaktimit të dëmit u nënshtrohen ligjit të forumit ose, me kërkesë të palës së dëmtuar, ligjit të vendit ku është shkaktuar dëmi; ..."
Neni 142. Rimarrja e pronësisë nga posedimi i paligjshëm i një tjetri
“Pronari ka të drejtë të rimarrë pronën e tij nga posedimi i paligjshëm i një tjetri."
Neni 144. Rimarrja e pronës publike shtetërore, kooperative apo tjetër të transferuar në mënyrë të paligjshme
“Prona e Shtetit ose e kolkozës ose organizatave të tjera kooperative dhe publike që është transferuar në mënyrë të paligjshme me çfarëdo mjeti mund të rimerret nga çdo blerës nga organizatat përkatëse."
Neni 146. Marrëveshjet mbi rimarrjen e pronës nga posedimi i paligjshëm
“Gjatë rimarrjes së pronës nga posedimi i paligjshëm i një tjetri, pronari ka të drejtë të pretendojë nga ai person, në qoftë se ky e ka ditur, ose duhet ta ketë ditur, që ka qenë në posedim të paligjshëm (pronar në keqbesim), kompensim për të gjitha të ardhurat që ai ka nxjerrë, ose duhet të ketë nxjerrë, gjatë tërë periudhës së posedimit, dhe nga një person në posedim në mirëbesim kompensim për të gjitha të ardhurat që ai ka nxjerrë, ose duhet të ketë nxjerrë, nga koha kur ai ka mësuar për paligjshmërinë e posedimit ose kur ka marrë fletëthirrjen nga pronari ku kërkohet kthimi i pronës."
Neni 147. Mbrojtja e të drejtave të pronarit nga shkeljet që nuk përfshijnë privimin nga posedimi
“Pronari ka të drejtë të kërkojë zgjidhje në lidhje me të drejtat e shkelura, edhe kur shkelje të tilla nuk kanë përfshirë privimin nga posedimi."
Neni 148. Mbrojtja e të drejtave të personave që nuk janë pronarë
“Të drejtat e parashikuara nga Nenet 142-147 të Kodit në djalë gjithashtu i vishen një personi i cili, edhe pse nuk është pronari, ka në posedim pronën në përputhje me ligjin ose me një kontratë."
Neni 571-3. Ligji i zbatueshëm për të drejtën e pronësisë
“E drejta e pronësisë së pronës në fjalë përcaktohet në përputhje me ligjin e vendit ku ajo ndodhet.
Përveç se kur parashikohet ndryshe nga ndonjë dispozitë tjetër e legjislacionit të BRSS dhe të RSS të Azerbajxhanit, e drejta e pronësisë së pronës në fjalë krijohet ose vendoset në përputhje me ligjin e vendit në të cilin ndodhej prona kur ka ndodhur një veprim ose rrethanë që ka shërbyer si bazë për krijimin ose përfundimin e të drejtës së pronësisë."
Neni 571-4. Ligji i zbatueshëm për detyrimet e krijuara pas shkaktimit të dëmit
“Të drejtat dhe detyrimet e palëve në lidhje me detyrimet që rrjedhin nga shkaktimi i dëmit përcaktohen në përputhje me ligjin e vendit ku ka ndodhur veprimi ose çdo rrethanë tjetër e cila ka shërbyer si bazë për kërkesat për kompensim të humbjes."
90. Dispozitat e Kodit Civil në fuqi nga 1 shtatori 2000:
Neni 21. Kompensimi i humbjeve
“21.1 Një person që ka të drejtë të rimarrë tërësisht humbjet mund të kërkojë rimarrjen e plotë të humbjeve që i janë shkaktuar, përveç rastit kur ligji ose kontrata parashikon një shumë më të vogël.
21.2 Me humbje kuptohen shpenzimet që personi të drejtat e të cilit janë shkelur ka pësuar ose do t’i duhet të pësojë për të shlyer të drejtën e shkelur, humbjen ose dëmin shkaktuar pronës së tij (dëmi kompensues), dhe përfitimet e pamarra të cilat ai ose ajo do të kishte pasur në kushte normale të transaksioneve civile në qoftë se të drejtat nuk do t’i ishin shkelur (përfitimi i humbur)."
Neni 1100. Përgjegjësia për humbjet e shkaktuara nga organet e Shtetit, organet e vetqeverisjes lokale ose zyrtarët e tyre
“Humbjet e shkaktuara mbi një individ ose entitet ligjor si rezultat i veprimeve të paligjshme ose mosveprimeve nga ana e organeve të Shtetit, organeve të vetqeverisjes lokale ose zyrtarëve të tyre, përfshirë miratimin nga organi shtetëror ose organi i vetqeverisjes lokale i një mase të paligjshme, i nënshtrohen kompensimit nga Republika e Azerbajxhanit ose nga bashkia përkatëse."
6. Kodi i Procedurës Civile
91. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në fuqi para 1 qershorit 2000:
Neni 118. Paraqitja e kërkesave në vendbanimin e kërkuesit
“Kërkesat paraqiten në gjykatë në vendbanimin e të pandehurit.
Kërkesat kundër një entiteti ligjor bëhen në adresë të këtij të fundit ose në adresë të pronës që i përket atij.
Neni 119. Juridiksioni i zgjedhur nga paditësi
“... Kërkesat për kompensim për dëmin e shkaktuar në pronën e një qytetari ose entiteti ligjor gjithashtu mund të paraqiten në vendin ku është shkaktuar dëmi."
92. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në fuqi nga 1 qershori 2000:
Neni 8. Barazia e të gjithëve para ligjit dhe gjykatave
“8.1 Drejtësia në lidhje me çështjet civile dhe mosmarrëveshjet ekonomike administrohet në përputhje me parimin e barazisë para ligjit dhe gjykatave.
8.2 Gjykatat kanë qasje identike ndaj të gjithë personave pjesëmarrës në çështje pavarësisht nga raca, feja, gjinia, prejardhja, gjendja pronësore, pozicioni i biznesit, besimet, anëtarësia në parti politike, sindikatat dhe organizata të tjera shoqërore, vendndodhja, vartësia, lloji i pronësisë, apo çdo arsye tjetër që nuk është e saktësuar në legjislacion."
Neni 307. Çështjet e lidhura me konstatimin e fakteve të rëndësisë ligjore
“307.1 Gjykata konstaton faktet mbi të cilat varet origjina, ndryshimi ose përfundimi i të drejtave personale dhe pronësore të personave fizikë dhe ligjorë.
307.2 Gjykata dëgjon çështjet në lidhje me konstatimin e fakteve të mëposhtme:
...
307.2.6 në lidhje me të drejtën e pronësisë fakti i posedimit, shfrytëzimit ose trajtimit të pronës së patundshme ..."
Neni 309. Paraqitja e kërkesës
“309.1 Kërkesat në lidhje me konstatimin e fakteve të rëndësisë ligjore paraqiten në gjykatë në vendin e banimit të kërkuesit.
309.2 Në lidhje me të drejtën e pronësisë, kërkesat mbi konstatimin e faktit të posedimit, shfrytëzimit apo trajtimit të pronës së patundshme paraqiten në gjykatë në vendin ku ndodhet prona e patundshme."
Neni 443. Juridiksioni i gjykatave të Republikës së Azerbajxhanit në lidhje me çështje me pjesëmarrjen e të huajve
“443.0 Gjykatat e Republikës së Azerbajxhanit kanë të drejtë të dëgjojnë çështjet në vijim me pjesëmarrjen e të huajve: ...
443.0.6 aty ku, në çështjet lidhur me kompensim për humbje nga dëmet e shkaktuara ndaj pronës, veprimi ose rrethanat e tjera që shërbejnë si bazë për paraqitjen e kërkesës për kompensimin e humbjeve kanë ndodhur në territorin e Republikës së Azerbajxhanit."
IV. DEKLARATA E BËRË NGA QEVERIA PËRGJEGJËSE PAS RATIFIKIMIT TË KONVENTËS
93. Instrumenti i ratifikimit i depozituar nga Republika e Azerbajxhanit më 15 prill 2002 përmban deklaratën e mëposhtme:
“Republika e Azerbajxhanit deklaron që ajo nuk mundet të garantojë zbatimin e dispozitave të Konventës në territoret e pushtuara nga Republika e Armenisë deri sa këto territore të çlirohen nga ai pushtim."
V. E DREJTA NDËRKOMBËTARE RELEVANTE
94. Neni 42 i Rregulloreve lidhur me Ligjet dhe Zakonet e Luftës në Tokë, Hagë, 18 tetor 1907 (prej këtu "Rregulloret e Hagës të vitit 1907") përkufizon pushtimin luftarak si vijon:
“Një territor quhet i pushtuar kur vendoset nën autoritetin e një ushtrie armike. Pushtimi shtrihet vetëm mbi atë pjesë të territorit ku një autoritet i tillë është vendosur dhe mund të ushtrohet efektivisht."
Rrjedhimisht, pushtimi brenda kuptimit të Rregulloreve të Hagës të vitit 1907 ekziston kur një shtet ushtron autoritet faktik mbi territorin, ose një pjesë të territorit, të një shteti armik[1]. Kriteri i autoritetit faktik konsiderohet gjerësisht si i njëjtë me atë të kontrollit efektiv.
Pushtimi ushtarak konsiderohet se ekziston në një territor, ose në pjesë të një territori, në qoftë se mund të demonstrohen elementet në vijim: prania e trupave të huaja, të cilat janë në gjendje të ushtrojnë kontroll efektiv pa pëlqimin e sovranit. Sipas opinioneve të gjera eksperte prania fizike e trupave të huaja është kriter sine qua non për pushtim[2], pra pushtimi nuk është i konceptueshëm pa "çizmet në tokë" prandaj forcat që ushtrojnë kontroll detar ose ajror përmes bllokadës detare ose ajrore nuk mjaftojnë[3].
95. Rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare nuk i adresohen me saktësi çështjes së parandalimit të qasjes ndaj shtëpive ose pronave. Megjithatë, Neni 49 i Konventës [Nr. IV] në lidhje me Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte i 12 gushtit 1949 ("Konventat e Katërta të Gjenevës") rregullon çështjet e zhvendosjes së detyruar në ose nga territoret e pushtuara. Ai parashikon si vijon:
“Transferimet e detyruara individuale ose në masë, si dhe dëbimet e personave të mbrojtur nga territori pushtuar drejt territorit të Fuqisë Pushtuese ose drejt territorit të çdo vendi tjetër, qoftë i pushtuar ose jo, janë të ndaluara, pavarësisht nga arsyet.
Megjithatë, Fuqia Pushtuese mund të ndërmarrë evakuimin e plotë ose të pjesshëm të një zone të caktuar në qoftë se kërkohet për shkaqe të sigurisë së popullatës ose për arsye ushtarake urgjente. Evakuime të tilla nuk mund të përfshijnë zhvendosjen e personave të mbrojtur jashtë vijave të territorit të pushtuar përveç rastit kur për arsye materiale është e pamundur të shmanget një zhvendosje e tillë. Personat e evakuuar në këtë mënyrë transferohen përsëri drejt shtëpive të tyre sapo të përfundojnë luftimet në zonën në fjalë.
Fuqia Pushtuese që ndërmerr transferime ose evakuime të tilla siguron, sa më shumë që të jetë praktikisht e mundur, që personave të mbrojtur t’u ofrohet strehim i përshtatshëm, që zhvendosjet të zhvillohen në kushte të kënaqshme higjienike, shëndetësore, sigurie dhe ushqimi, dhe që anëtarët e të njëjtës familje të mos ndahen. Fuqia Mbrojtëse informohet për çdo transferim dhe evakuim sapo këto të ndodhin.
Fuqia Pushtuese nuk ndalon personat e mbrojtur në një zonë posaçërisht të ekspozuar ndaj rreziqeve të luftës, përveç se kur kërkohet për shkaqe të sigurisë së popullatës ose për arsye ushtarake urgjente.
Fuqia Pushtuese nuk dëbon ose transferon pjesë të popullatës së vet civile drejt territorit që ka pushtuar.”
Neni 49 i Konventës së Katërt të Gjenevës zbatohet në territorin e pushtuar për sa kohë që nuk ka rregulla të veçanta në lidhje me zhvendosjen e detyruar në territorin e një pale të konfliktit. Pavarësisht nga kjo, e drejta e personave të zhvendosur "për t’u kthyer vullnetarisht në sigurinë e shtëpive të tyre ose vendeve të banimit të zakonshëm sapo arsyet për zhvendosjen e tyre të pushojnë së ekzistuari" shihet si rregullë e të drejtës ndërkombëtare zakonore (shih Rregullën 132 të Studimit të ICRC mbi Të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare[4]) që i zbatohet secilit lloj të territorit.
VI. MATERIALET RELEVANTE TË KOMBEVE TË BASHKUARA DHE KËSHILLIT TË EVROPËS
A. Materialet e Kombeve të Bashkuara
96. "Parimet e Banimit dhe Rikthimit të Pronës për Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur" (Komisioni i të Drejtave të Njeriut, Nën-Komisioni për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, 28 qershor 2005, E/CN.4/Sub.2/2005/17, Shtojca) janë standardet më të plota në lidhje me këtë çështje. Ato gjithashtu njihen si parimet Pinheiro. Qëllimi i këtyre parimeve, të cilat bazohen në të drejtën ekzistuese ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe atë humanitare, është të ofrojnë standarde ndërkombëtare dhe udhëzime praktike për Shtetet, agjencitë e OKB-së dhe bashkësinë ndërkombëtare më gjerë në lidhje me mënyrat më të mira për të adresuar çështjet komplekse ligjore dhe teknike që rrethojnë strehimin dhe rikthimin e pronave.
Ata parashikojnë inter alia si vijon:
2. Të drejtën e strehimit dhe rikthimit të pronës
“2.1 Të gjithë refugjatët dhe personat e zhvendosur kanë të drejtë t’u rikthehet çdo banesë, tokë dhe/ose pronë nga e cila janë privuar në mënyrë arbitrare ose të paligjshme, ose të kompensohen për çdo banesë, tokë dhe/ose pronë e cila është faktikisht e pamundur të rikthehet sipas konstatimit nga një tribunal i pavarur dhe i paanshëm.
2.2 Shtetet duhet t’i japin dukshëm përparësi të drejtës së rikthimit si zgjidhja e preferuar për zhvendosjen dhe si element kyç i drejtësisë riparuese. E drejta e rikthimit ekziston si e drejtë e dalluar, dhe nuk paragjykohet as nga kthimi as nga mos-kthimi faktik i refugjatëve dhe personave të zhvendosur të cilëve u takon kthimi i banesës, tokës dhe pronës."
3. E drejta për mos-diskriminim
“3.1 Secili ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga diskriminimi për shkak të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimit politik ose tjetër, prejardhjes kombëtare apo shoqërore, pronës, paaftësisë, lindjes ose statusit.
3.2 Shtetet garantojnë që diskriminimi de facto dhe de jure mbi bazat e lartpërmendura është i ndaluar dhe që të gjithë personat, përfshirë refugjatët dhe personat e zhvendosur, konsiderohen të barabartë para ligjit."
12. Procedurat, institucionet dhe mekanizmat kombëtare
“12.1 Shtetet duhet të ngrenë dhe të mbështesin procedura, institucione dhe mekanizma të barazueshme, të kohshme, të pavarura, transparente dhe jo diskriminuese për të vlerësuar dhe adresuar kërkesat për rikthimin e banesave, tokave dhe pronave. ...
...
12.5 Aty ku ka pasur prishje të përgjithshme të shtetit ligjor, ose ku Shtetet nuk e kanë të mundur të vënë në funksion procedurat, institucionet dhe mekanizmat e nevojshme për realizimin e procesit të rikthimit të banesave, tokave dhe pronave në mënyrë të drejtë dhe të kohshme, Shtetet duhet të kërkojnë ndihmë teknike dhe bashkëpunim nga agjencitë ndërkombëtare për të vendosur regjime provizore të t’u ofruar refugjatëve dhe personave të zhvendosur procedurat, institucionet dhe mekanizmat e nevojshme për të siguruar zgjidhje efektive për rikthimin.
12.6 Shtetet duhet të përfshijnë procedurat, institucionet dhe mekanizmat e rikthimit të banesës, tokës dhe pronës në marrëveshjet e paqes dhe në marrëveshjet për riatdhesim vullnetar. ..."
13. Mundësia e ndjekjes së procedurave të kërkesave për rikthim
“13.1 Çdo person që është privuar në mënyrë arbitrare ose të paligjshme nga banesa, toka dhe/ose prona duhet të ketë mundësinë që të paraqesë kërkesë për rikthim dhe/ose kompensim para një organi të pavarur dhe të paanshëm, të merret një vendim për kërkesën e tij dhe ai të informohet rreth një vendimi të tillë. Shtetet nuk duhet të caktojnë parakushte për depozitimin e një kërkese për rikthim.
...
13.5 Shtetet duhet të përpiqen të formojnë qendra dhe zyra për përpunimin e kërkesave të rikthimit në vendet ku aktualisht banojnë kërkuesit potencialë. Për të lehtësuar qasjen më të mirë për personat e ndikuar, duhet të jetë e mundur që të paraqiten kërkesa për rikthim me anë të postës ose me ndërmjetës, si dhe personalisht....
...
13.7 Shtetet duhet të krijojnë formularë për kërkesa rikthimi të cilët janë të thjeshtë dhe të lehtë për t’u kuptuar ...
...
13.11 Shtetet duhet të sigurohen që të ofrohet ndihma e duhur ligjore, në qoftë se është e mundur falas ...
...”
15. Të dhënat dhe dokumentacioni i banesës, tokës dhe pronës
“...
15.7 Shtetet munden, në situata të zhvendosjeve masive kur ekzistojnë shumë pak prova dokumentuese rreth pronësisë ose të drejtave të posedimit, që t’i përmbahen presupozimit konkluziv që personat që ikin nga shtëpitë e tyre gjatë një periudhe të dhënë të shënuar nga dhuna ose fatkeqësia e kanë bërë një gjë të tillë për arsye të lidhura me dhunën dhe fatkeqësinë e prandaj kanë të drejtë t’u rikthehet banesa, toka dhe prona. Në raste të tilla, autoritetet administrative dhe gjyqësore mund t’i konstatojnë në mënyrë të pavarur faktet lidhur me kërkesat e padokumentuara të rikthimit."
...”
21. Kompensimi
“21.1 Të gjithë refugjatët dhe personat e zhvendosur kanë të drejtën për kompensim të plotë dhe efektiv si pjesë integrale e procesit të rikthimit. Kompensimi mund të jetë me para ose në natyrë. Shtetet, me qëllim që të respektojnë parimin e drejtësisë riparuese, sigurohen që zgjidhja e kompensimit përdoret vetëm kur zgjidhja e kthimit nuk është faktikisht e mundur, ose kur pala e dëmtuar me dijeninë dhe vullnetin e vet pranon kompensim në vend të kthimit, ose kur kushtet e marrëveshjes së negociuar të paqes ofrojnë një kombinim kthimi dhe kompensimi.
...”
B. Materialet e Këshillit të Evropës
97. Organet e Këshillit të Evropës i janë drejtuar në mënyrë të përsëritur çështjeve të kthimit të pronave personave të zhvendosur brenda vendit (angl. IDP) dhe refugjatëve. Rezolutat dhe Rekomandimet e mëposhtme kanë rëndësi të veçantë në kontekst të çështjes në fjalë:
1. “Zgjidhja e çështjeve të pronave të refugjatëve dhe personave të zhvendosur", Rezoluta e Asamblesë Parlamentare (AP) 1708 (2010)
98. Asambleja Parlamentare shënoi që 2.5 milionë refugjatë dhe IDP janë përballur me situata të zhvendosjes në Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës posaçërisht në Kaukazin verior dhe jugor, në Ballkan dhe në Mesdheun lindor, dhe që zhvendosja shpesh është zgjatur për shkak të njerëzve që nuk mundeshin të ktheheshin ose të kishin qasje në shtëpitë dhe tokat e tyre që nga vitet ‘90 e më përpara (paragrafi 2). Kjo e theksoi rëndësinë e kthimit:
“3. Shkatërrimi, pushtimi ose konfiskimi i pronës së braktisur shkelin të drejtat e individëve të përfshirë, çojnë më tej zhvendosjen dhe komplikojnë pajtimin dhe ndërtimin e paqes. Prandaj, rikthimi i pronës – pra rikthimi i të drejtave dhe posedimit fizik në favor të ish-banorëve të zhvendosur – ose kompensimi, janë forma të zgjidhjes të nevojshme për rikthimin e të drejtave të individëve dhe sundimit të ligjit.
4. Asambleja Parlamentare konsideron që kthimi është përgjigjja më e mirë për humbjen e qasjes dhe të drejtave të banesës, tokës dhe pronës sepse, i vetëm mes formave të zgjidhjes, ai lehtëson zgjedhjen mes tri ‘zgjidhjeve të qëndrueshme’ për zhvendosjen: kthimin në shtëpinë e vet fillestare të sigurt dhe me dinjitet; integrimin lokal në vendin e zhvendosjes; ose rivendosjen qoftë në një vend tjetër brenda vendit qoftë jashtë kufijve të tij."
Asambleja Parlamentare më pas iu referua instrumenteve të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës, posaçërisht Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kartës Sociale Evropiane dhe Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, si dhe Parimeve Pinheiro të OKB-së dhe u bëri thirrje Shteteve anëtare të merrnin masat e mëposhtme:
“9. Nën dritën e atyre që u thanë më lart, Asambleja u bën thirrje Shteteve anëtare të zgjidhin çështjet post-konfliktuale të banimit, tokës dhe pronës që kanë të bëjnë me refugjatët dhe IDP, duke marrë parasysh Parimet Pinheiro, instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe Rekomandimin Rec (2006)6 të Komitetit të Ministrave.
10. Duke pasur parasysh këto standarde relevante ndërkombëtare dhe përvojën e programeve të zgjidhjes dhe kompensimit të zhvilluara në Evropë deri më sot, Shtetet anëtare ftohen që:
10.1. të garantojnë zgjidhje të kohshme dhe efektive për humbjen e qasjes dhe të drejtës së banesave, tokave dhe pronave të braktisura nga refugjatët dhe IDP pa marrë parasysh negociatat në vazhdim në lidhje me zgjidhjen e konfliktit të armatosur ose statusin e një territori të caktuar;
10.2. të sigurojnë që një zgjidhje e tillë të marrë formën e rikthimit në formën e konfirmimit të të drejtave ligjore të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në pronën e tyre dhe rikthimin e qasjes së sigurt fizike të tyre në, dhe posedimin e, pronave të tilla. Aty ku rikthimi nuk është i mundur, duhet të ofrohet kompensimi i duhur, përmes konfirmimit të të drejtave të mëhershme ligjore të pronësisë dhe ofrimit të parave dhe mallrave në marrëdhënie të arsyeshme me vlerën e tyre të tregut ose forma të tjera të ndreqjes.
10.3 të sigurohen që refugjatët dhe personat e zhvendosur të cilët nuk kanë pasur të drejta formalisht të njohura para zhvendosjes së tyre, por gëzimi nga të cilët i pronës së tyre është trajtuar si de facto i vlefshëm nga autoritetet, të kenë qasje të barabartë dhe efektive ndaj zgjidhjeve ligjore dhe ndreqje për shpronësimin e tyre. Kjo është posaçërisht e rëndësishme kur personat e ndikuar janë në pozicion shoqëror të dobët ose u përkasin grupeve pakicë.
...
10.5 të sigurohen që mungesa nga vendbanimi i tyre e mbajtësve të të drejtave të banimit dhe qiramarrjes të cilët janë detyruar me forcë të braktisin shtëpitë e tyre të vlerësohet e justifikuar deri sa të krijohen sërish kushtet që lejojnë kthimin e tyre vullnetar drejt sigurisë dhe dinjitetit;
10.6 të ofrojnë procedura të shpejta, të lehta dhe efektive për kërkesat për zgjidhje. Aty ku zhvendosja dhe shpronësimi kanë ndodhur në mënyrë sistematike, duhet të ngrihen organe të veçanta gjykuese për vlerësimin e kërkesave. Këto organe duhet të zbatojnë procedura të përshpejtuara që përfshijnë standarde provuese të lakueshme dhe procese të lehtësuara. Të gjitha llojet e pronave që kanë të bëjnë me nevojat e banimit dhe të jetesës së personave të zhvendosur duhet të jenë brenda juridiksionit të tyre, përfshirë shtëpitë, tokat bujqësore dhe pronat tregtare;
10.7 të sigurojnë pavarësinë, paanshmërinë dhe ekspertizën e organeve gjykuese përfshirë rregullat e duhura rreth përbërjes së tyre që mund të parashikojnë përfshirjen e anëtarëve ndërkombëtarë. ..."
2. "Refugjatët dhe personat e zhvendosur në Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji", Rezoluta PA 1497 (2006)
99. Në këtë rezolutë, Asambleja Parlamentare qartazi u bëri thirrje Armenisë, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë:
“12.1. të përqendrojnë të gjitha përpjekjet e tyre drejt gjetjes së një zgjidhjeje paqësore të konflikteve në rajon me qëllim që të krijohen kushtet për kthimin vullnetar të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në vendet e tyre të origjinës, në mënyrë të sigurt dhe dinjitoze;
...
12.4. ta bëjnë prioritet kthimin e personave të zhvendosur dhe të bëjnë gjithçka që është e mundur gjatë negociatave të tyre për t’u mundësuar këtyre njerëzve kthimin drejt sigurisë edhe para arritjes së një zgjidhjeje të përgjithshme;
...
12.15. të zhvillojnë bashkëpunim praktik në lidhje me hetimin rreth fatit të personave të humbur dhe të lehtësojnë kthimin e dokumenteve të identifikimit dhe rikthimin e pronave në mënyrë të veçantë, duke shfrytëzuar përvojën e trajtimit të problemeve të ngjashme në Ballkan."
3. Rekomandimi i Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare në lidhje me personat e zhvendosur brenda vendit, Rec (2006)6
100. Komiteti i Ministrave rekomandoi në mënyrë të veçantë si vijon:
“8. Personat e zhvendosur brenda vendit kanë të drejtë të gëzojnë pronat dhe posedimet e tyre në përputhje me të drejtën e të drejtave të njeriut. Në mënyrë të veçantë, personat e zhvendosur brenda vendit kanë të drejtë të riposedojnë pronat e tyre të lëna prapa pas zhvendosjes së tyre. Në qoftë se personat e zhvendosur brenda vendit privohen nga pronat e tyre, një privim i tillë duhet të ndiqet nga kompensimi i duhur."
E DREJTA
I. HYRJE
101. Kërkuesi vdiq në vitin 2009. Në vendimin e saj në lidhje me pranueshmërinë e çështjes në fjalë, Gjykata shënoi që e veja e tij Znj. Lena Sargsyan dhe fëmijët e tyre Vladimir, Tsovinar dhe Nina Sargsyan kishin shprehur dëshirën e tyre për t’i vazhduar procedurat para Gjykatës dhe kishin të drejtë ta bënin një gjë të tillë (Sargsyan kundër Azerbajxhanit [GC] (dec.), nr. 40167/06, §§ 1 dhe 51, 14 dhjetor 2011).
102. Më pas, përfaqësuesi i kërkuesit deklaroi që Znj. Nina Sargsyan nuk dëshironte ta vazhdonte kërkesën. E veja e kërkuesit, Znj. Lena Sargsyan, vdiq në janar të vitit 2014. Z. Vladimir dhe Znj. Tsovinar Sargsyan, djali dhe vajza e kërkuesit, dëshironin t’i vazhdonin procedurat para Gjykatës. Gjykata tashmë ishte shprehur që ata kishin të drejtë ta bënin këtë, dhe nuk sheh arsye për të lëvizur nga ky qëndrim.
103. Më tej, Gjykata përsërit që, në vendimin e saj për pranueshmërinë më 14 dhjetor 2011 në çështjen në fjalë, ajo kishte rrëzuar kundërshtimet e mëposhtme të ngritura nga Qeveria: kundërshtimi i bazuar mbi deklaratën e Qeverisë të depozituar me instrumentin e ratifikimit dhe kundërshtimet në lidhje me mungesën e juridiksionit ratione temporis dhe dështimi për të respektuar rregullën e gjashtë muajve (Sargsyan(dec.),cituar lart, §§ 71, 92 dhe 147). Ajo ua kishte bashkuar themeleve kundërshtimet e mëposhtme të ngritura nga Qeveria: së pari, kundërshtimin në lidhje me mungesën e juridiksionit dhe përgjegjësisë, së dyti kundërshtimin që kërkuesit i mungonte statusi i viktimës për pjesën ku ankesa e tij i referohej varreve të familjarëve të tij, dhe së treti kundërshtimin në lidhje me shterimin e mjeteve vendase (Sargysan (dec.), cituar lart, §§ 76, 99 dhe 111).
104. Gjykata e konsideron të përshtatshme të trajtojë çështjet e shterimit të mjeteve vendase dhe mungesës së juridiksionit dhe përgjegjësisë si pika të ndara, ndërkohë që do të merret me kundërshtimin e Qeverisë lidhur me statusin e viktimës së kërkuesit për sa u përket varreve të familjarëve të tij gjatë shqyrtimit të shkeljes së pretenduar të Nenit 8 të Konventës.
II. SHTERIMI I MJETEVE VENDASE
105. Neni 35 § 1 i Konventës parashikon si vijon:
“Gjykata mund ta trajtojë çështjen vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet e brendshme ligjore sipas rregullave përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe brenda një periudhe prej gjashtë muajsh nga data në të cilën është marrë vendimi i formës së prerë."
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
106. Kërkuesi u mbështet në tre argumente kryesore për të treguar që atij nuk i kërkohej të shteronte mjetet vendase.
107. Së pari, ai pohoi që nuk kishte zgjidhje efektive në ligjet e Azerbajxhanit të cilat të ishin të përdorshme dhe të mjaftueshme në praktikë. Ai parashtroi në mënyrë të veçantë se Qeveria nuk kishte nxjerrë prova të ekzistencës së këtyre mjeteve. Ajo nuk kishte ofruar ndonjë hollësi në lidhje me çështjet civile që pretendohej të ishin ngritur para gjykatave të Azerbajxhanit nga armenët etnikë. Çështjet e referuara në mënyrë individuale kishin të bënin me trashëgimi dhe nuk kishin relevancë të drejtpërdrejtë me një person në situatën aktuale. Shkurt, Qeveria kishte dështuar të paraqiste ndonjë shembull të një kërkuesi armen që kishte marrë zgjidhje në rrethana të krahasueshme me ato të kërkuesit. Më tej, kërkuesi argumentoi se qëndrimi i Qeverisë gjatë procedurave para Gjykatës ishte tregues i rezultatit të çdo veprimi që kërkuesi mund të kishte ngritur para gjykatave të Azerbajxhanit. Sipas Qeverisë, autoritetet përkatëse vendase nuk kishin prova dokumentuese që tregonin se kërkuesi kishte pasur prona në Gulistan ose që ai kishte jetuar atje. Prandaj rekursi në procedura vendase në Azerbajxhan nuk ofronte perspektivë suksesi.
108. Përndryshe, kërkuesi iu referua vendimit të Gjykatës në Demopoulos dhe të Tjerë kundër Turqisë [GC] (dec.) (nr. 46113/99, nr. 3843/02, nr. 13751/02, nr. 13466/03, nr. 10200/04, nr. 14163/04, nr. 19993/04 dhe nr. 21819/04, ECHR 2010) në të cilin Gjykata kishte zhvilluar kritere për vlerësimin e efektivitetit të një zgjidhjeje të hartuar për të ofruar ndreqje për humbjen e pronave dhe shtëpive në kontekst të një konflikti ndërkombëtar. Asnjëri prej këtyre kritereve nuk u përmbushën në zgjidhjet e përmendura nga Qeveria.
109. Së dyti, kërkuesi parashtroi që rregulla e shterimit ishte e pazbatueshme në rastin konkret për shkak të ekzistencës së një praktike administrative – çka përbënte përsëritje të akteve të papajtueshme me Konventën dhe tolerance zyrtare nga autoritetet e Shtetit – që do ta bënte të kotë çdo përpjekje për të shfrytëzuar zgjidhjet ekzistuese. Duke iu referuar dokumenteve të organeve të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të veçantë Komitetit të të Drejtave të Njeriut dhe Komitetit për të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore, kërkuesi konstatoi që nuk kishte vullnet politik nga ana e Qeverisë përgjegjëse për të mbrojtur pronat e braktisura të armenëve etnikë, të cilat shpesh ishin të zëna nga refugjatët ose personat e zhvendosur brenda vendit, ose për të ofruar kompensim për të. Për më tepër, ekzistonte praktika e mos-dhënies armenëve etnikë të dokumenteve lidhur me pronat e tyre. Nuk kishte shenja ndryshimi të këtyre praktikave. Përveç kësaj, kërkuesi tërhoqi vëmendjen drejt praktikave të vështira në procedurën e ndjekjes së çështjeve gjyqësore në Azerbajxhan. Kufijtë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ishin të mbyllur. Meqenëse nuk kishte marrëdhënie diplomatike mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, refugjatët etnikë armenë ose qytetarët e Armenisë nuk kishin mundësi të merrnin viza përveç se me anë të shërbimeve konsullore në vendet fqinje. Vizat jepeshin vetëm në kontekst të vizitave zyrtare nga organizatat ndërkombëtare ose misionet diplomatike. As shërbimet postare mes dy vendeve nuk ishin në funksion.
110. Së fundi, kërkuesi argumentoi që ai sidoqoftë ishte i çliruar nga ndjekja e zgjidhjeve për shkak të rrethanave të tij personale. Meqë i ishte dashur të ikte nga Gulistani në vitin 1992, ai i kishte humbur të gjitha pronat, shtëpinë dhe burimin e të ardhurave të tij dhe kështu ishte vënë në një situatë pasigurie dhe brishtësie. Për më tepër, ai kishte qenë i sëmurë rëndë që nga viti 2004.
2. Qeveria përgjegjëse
111. Qeveria përgjegjëse pohoi që, për aq sa ajo kishte kontroll efektiv mbi territorin e Republikës së Azerbajxhanit, çka nuk ishte rasti i Gulistanit, zgjidhjet efektive ekzistonin. Si fillim, Neni 29 i Kushtetutës së vitit 1995 garantonte të drejtën e pronës. Përveç kësaj, Neni 68 i Kushtetutës parashikonte përgjegjësinë shtetërore për të kompensuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga veprimet e paligjshme ose mosveprimet e organeve të Shtetit ose zyrtarët e tyre. Kodi Civil dhe Kodi i Procedurës Civile përmbanin më shumë dispozita të hollësishme që mbronin edhe pronësinë edhe posedimin e pronës. Ishin të ngritura procedura të përshtatshme për t’u mundësuar si qytetarëve ashtu edhe të huajve ngritjen e çështjeve në gjykatat e Azerbajxhanit në lidhje me dëmtimin ose humbjen e pësuar në territorin e Azerbajxhanit (përshkrimi i hollësishëm gjendet në të drejtën përkatëse vendase, paragrafët 88-92 lart). Qeveria e kontestoi pretendimin që ekzistonte një praktikë administrative e cila e bënte të kotë shfrytëzimin e zgjidhjeve ekzistuese.
112. Në mbështetje të qëndrimit të saj, Qeveria paraqiti statistika nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me çështjet e ngritura nga armenët etnikë: për shembull, mes viteve 1991 dhe 2006 gjykatat e shkallës së parë në Baku kishin shqyrtuar dhe marrë vendime në 243 çështje civile të ngritura nga armenët etnikë, 98 prej të cilave kishin pasur të bënin me mosmarrëveshje lidhur me shtëpitë. Më tej, Qeveria paraqiti kopje të vendimeve të marra nga gjykatat e apelit në dy çështje të lidhura me trashëgimi, ku vendimet ishin në favor të armenëve etnikë që jetonin jashtë vendit. Çështja e Mammadova Ziba Sultan gizi kundër Mammadova Zoya Sergeyevna dhe Mammadov Farhad Tarif oglu (vendimi i Dhomës së Çështjeve Civile pranë Gjykatës së Apelit të Republikës së Azerbajxhanit i datës 24 maj 2007) kishte të bënte me një mosmarrëveshje trashëgimie në lidhje me pronën, ku të pandehurit ishin bashkëshortja dhe djali i të vdekurit, të cilët jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjykata e apelit e ktheu mbrapsht vendimin e shkallës së parë duke rrëzuar vlerësimin e kësaj të fundit që të pandehurit duhet të konsideroheshin si trashëgimtarë në keqbesim. Në çështjen e Sinyukova, Korovkova dhe Zaimkina (‘Chagaryan’, vendimi i Dhomës së Çështjeve Civile të Gjykatës së Shaki i datës 7 nëntor 2007) gjykata e apelit vendosi që Zyra Shtetërore e Noterëve të qytetit Mingachevir duhet t’u lëshonte një certifikatë trashëgimie në lidhje me apartamentin tri kërkueseve, bija të një armeni etnik me banim jashtë vendit, meqenëse ato duhet të konsideroheshin që e kishin dhënë deklaratën e tyre në kohë. Ndërkohë që e pranoi se këto çështje nuk kishin të bënin me situata që ishin të krahasueshme me rastin e kërkuesit, ajo tregoi, sipas mendimit të Qeverisë, që pretendimet e armenëve në lidhje me pronat dhe të drejta të tjera të mbrojtura mund të zbatoheshin efektivisht në sistemin ligjor të Azerbajxhanit.
113. Prandaj Qeveria doli në përfundimin që ajo kishte treguar se ekzistonin mjete efektive. Kështu i takonte kërkuesit të demonstronte se mjete të tilla ishin jo efektive në rrethanat e tij. Megjithatë, kërkuesi kishte pranuar se ai nuk kishte bërë përpjekje për të shfrytëzuar mjetet ekzistuese dhe prandaj nuk mund të pretendonte që sistemi ligjor i Azerbajxhanit kishte dështuar t’i ofronte atij mbrojtjen e kërkuar nga shkelja e pretenduar e të drejtave të tij.
3. Qeveria armene, ndërhyrës i palës së tretë
114. Qeveria armene nënvizoi pozicionin e kërkuesit në lidhje me ekzistencën e një praktike administrative në Azerbajxhan e cila i ndalonte armenët që kishin ikur gjatë konfliktit ose çdo person tjetër me origjinë armene që të ktheheshin në Azerbajxhan ose të vizitonin atë.
B. Vlerësimi i Gjykatës
115. Gjykata përsërit që është elementare që makineria e mbrojtjes e ngritur nga Konventa është ndihmëse e sistemeve kombëtare që ruajnë të drejtat e njeriut. Gjykata është e shqetësuar me mbikqyrjen e zbatimit nga Shtetet Kontraktuese të detyrimeve të tyre sipas Konventës. Ajo nuk mundet, dhe nuk duhet, të uzurpojë rolin e Shteteve Kontraktuese përgjegjësia e të cilëve është të sigurohen që të drejtat themelore dhe liritë e ngërthyera në të të respektohen dhe të mbrohen në nivel vendas. Rregulla e shterimit pra është pjesë e pandashme e funksionimit të këtij sistemi të mbrojtjes. Shtetet janë të përjashtuara nga llogaridhënia para një organi ndërkombëtar për veprimet e tyre para se të kenë pasur mundësi t’i vënë gjërat në vend përmes sistemit të tyre ligjor, dhe ato që dëshirojnë të mbështeten në juridiksionin mbikqyrës të Gjykatës për sa i përket ankesave kundër një Shteti janë të detyruar të shfrytëzojnë së pari mjetet e parashikuara nga sistemi ligjor kombëtar (shih, mes autoriteteve të tjera, Akdivar dhe të Tjerë kundër Turqisë, 16 shtator 1996, § 65, Raporte të Vendimeve 1996‑IV). Gjykata vazhdon të theksojë që ajo nuk është gjykatë e shkallës së parë; ajo nuk ka kapacitetin, as nuk është e përshtatshme për të funksionuar si gjykatë ndërkombëtare, për të gjykuar çështje të shumta të cilat kërkojnë gjetjen e fakteve themelore ose llogaritjen e kompensimeve monetare – ku të dyja këto duhet të jenë, parimisht dhe praktikisht, zona veprimi të juridiksionit vendas (shih, Demopoulos dhe të Tjerë, cituar lart, § 69; Niazi Kazali dhe Hakan Kazali kundër Qipros (dec.), nr. 49247/08, § 132, 6 mars 2012).
116. Gjykata ka përcaktuar parimet e përgjithshme që kanë të bëjnë me shterimin e mjeteve vendase në disa vendime. Në Akdivar dhe të Tjerë (cituar lart) ajo vendosi si vijon (referencat e tjera të çështjes - në thonjëza - janë fshirë):
“65. Gjykata kujton që rregulla e shterimit të mjeteve vendase të përmendur në Nenin [35] të Konventës i detyron ata që kërkojnë të ngrenë padi kundër Shtetit para një organi gjyqësor ose arbitrazhi ndërkombëtar të shfrytëzojnë së pari mjetet e parashikuara nga sistemi ligjor kombëtar. Rrjedhimisht, Shtetet janë të kursyera nga llogaridhënia para një organi ndërkombëtar për veprimet e tyre para se të kenë pasur mundësinë t’i ndreqin punët me anë të sistemit të vet ligjor. Rregulla bazohet mbi supozimin e pasqyruar në Nenin 13 të Konventës – me të cilin është mjaft afër – që ekzistojnë zgjidhje efektive në dispozicion për shkeljen e pretenduar në sistemin vendas pavarësisht nga inkorporimi ose jo i dispozitave të Konventës në të drejtën kombëtare. Kështu, është aspekt i rëndësishëm i parimit që makineria e mbrojtjes e ngritur nga Konventa është dytësore ndaj sistemeve kombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut (...)
66. Sipas Nenit [35] kërkuesi duhet të ketë rekurs normal në mjetet e disponueshme dhe të mjaftueshme për të ofruar zgjidhje në lidhje me shkeljet e pretenduara. Ekzistenca e mjeteve në fjalë duhet të jetë mjaftueshëm e qartë jo vetëm në teori por edhe në praktikë, e nëse këtu dështohet atyre u mungon qasshmëria dhe efektiviteti i kërkuar (...).
Neni [35] gjithashtu kërkon që ankesat që synohen të drejtohen më pas në Strasburg të jenë ngritur para organit të duhur vendas, të paktën në thelb dhe në përputhje me kërkesat formale të afateve kohore të parashikuara në të drejtën vendase dhe, më tej, që të jenë shfrytëzuar të gjitha mjetet procedurale që mund të pengonin shkeljen e Konventës (...).
67. Megjithatë, siç tregohet më lart, nuk është e detyrueshme të bëhet rekurs ndaj mjeteve të cilat janë të pamjaftueshme ose jo efektive. Përveç kësaj, sipas “rregullave përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare”, mund të ketë rrethana të veçanta të cilat e shlyejnë kërkuesin nga detyrimi për të shteruar mjetet vendase në dispozicion (...). Rregulla është gjithashtu e pazbatueshme kur tregohet se ka ekzistuar një praktikë administrative që përbëhet nga përsëritja e veprimeve të papajtueshme me Konventën dhe tolerancë zyrtare nga autoritetet shtetërore, dhe është e një natyre të tillë saqë i bën procedurat të pakuptimta dhe jo efektive (...).
68. Në fushën e shterimit të mjeteve vendase ekziston shpërndarja e barrës së provës. I takon Qeverisë që pretendon mos-shterimin që të bindë Gjykatën se mjeti ka qenë efektiv dhe në dispozicion në teori dhe në praktikë në kohën në fjalë, që do të thotë se ka qenë i përdorshëm, ka qenë i tillë që ka qenë në gjendje të ofronte zgjidhje në lidhje me ankesat e kërkuesit dhe ofronte perspektivë të arsyeshme suksesi. Megjithatë, pasi të jetë vërtetuar barra e provës i takon kërkuesit që të konstatojë që mjeti i ofruar nga Qeveria faktikisht është shteruar ose për një arsye ose një tjetër ka qenë i pamjaftueshëm dhe jo efektiv në rrethanat e veçanta të çështjes ose që ka pasur rrethana të caktuara që e kanë liruar atë nga detyrimi (...). Një arsye e tillë mund të jetë kur autoritetet kombëtare qëndrojnë krejtësisht pasive para akuzave të rënda të sjelljes së pahijshme ose shkaktimit të dëmit nga agjentët e Shtetit, për shembull kur ata nuk ndërmarrin hetime ose nuk ofrojnë ndihmesë. Në kushte të tilla mund të thuhet se barra e provës zhvendoset përsëri, kështu që tani i takon Qeverisë përgjegjëse të tregojë se çfarë ka bërë për t’iu përgjigjur shkallës dhe peshës së çështjes së ankimuar.
69. Gjykata do të theksonte që zbatimi i rregullës duhet të lërë vend për faktin që ajo po zbatohet në kontekstin e makinerisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilën Palët Kontraktuese janë pajtuar ta ndërtojnë. Rrjedhimisht, ajo ka njohur faktin se Neni [35] duhet të zbatohet me një farë lakueshmërie dhe pa formalizëm të tepruar (...). Më tej, ajo ka njohur faktin se rregulla e shterimit nuk është as absolute as e mundur të zbatohet në mënyrë automatike; gjatë shqyrtimit nëse ajo është respektuar është thelbësore të merren parasysh rrethanat e veçanta të secilit rast individual (...). Kjo do të thotë, mes të tjerash, që ajo duhet të marrë parasysh realisht jo vetëm ekzistencën e mjeteve formale në sistemin ligjor të Palës Kontraktuese në fjalë por edhe kontekstin e përgjithshëm ligjor dhe politik në të cilin veprojnë ato si dhe rrethanat personale të kërkuesve."
117. Duke iu kthyer çështjes në fjalë, Gjykata vëren se zbatimi i Nenit 35 § 1 të Konventës duhet të vlerësohet në kuadrin e përgjithshëm të konfliktit të Nagorno-Karabakh. Ndërkohë që faza ushtarake e konfliktit përfundoi me armëpushim në maj 1994, deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje për paqe. Nuk diskutohet që nuk ka marrëdhënie diplomatike mes Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe që kufijtë janë të mbyllur. Për më tepër, duket se shërbimet postare mes dy vendeve nuk punojnë. Në një situatë të tillë, duhet të njihet fakti se mund të ketë pengesa në funksionimin e duhur të sistemit të administrimit të drejtësisë. Në mënyrë të veçantë, mund të ketë vështirësi praktike të konsiderueshme në nisjen dhe ndjekjen e procedurave penale në vendin tjetër (shih, mutatis mutandis, Akdivar dhe të Tjerë, cituar lart, § 70).
118. Gjykata vëren se Qeveria e ka përshkruar skemën e përgjithshme të mbrojtjes së pronës dhe kompensimit për veprimet e paligjshme ose mosveprimet siç janë të parashikuara në Kushtetutë dhe në Kodin Civil. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të shpjegojë se si do të zbatoheshin këto dispozita në kontekstin në fjalë, ku një person në situatën e kërkuesit, pra një refugjat armen që ka lënë pas shtëpinë dhe pronën në kushtet e konfliktit të Nagorno-Karabakh, dëshiron të kërkojë kthimin e pronës ose kompensim për humbjen e gëzimit të pronës. Qeveria ka prezantuar statistika mbi çështjet civile të cilat janë ngritur nga armenët etnikë dhe janë vendosur nga gjykatat e Azerbajxhanit. Përveç deklarimit që çështjet lidhur me mosmarrëveshjet e banimit, Qeveria nuk ofroi ndonjë hollësi në lidhje me natyrën e pretendimeve të shqyrtuara apo rezultatin e procedurave. Duke iu rikthyer dy vendimeve nga viti 2007 të cilat Qeveria i paraqiti si shembuj, Gjykata vëren se të dy ato vendime kishin të bënin me procedura të trashëgimisë dhe nuk kishin lidhje me pretendime për humbjen e qasjes dhe gëzimin e pronës dhe/ose shtëpisë së një personi të zhvendosur në kontekstin e konfliktit të Nagorno-Karabakh. Në fakt, Qeveria nuk ka dhënë asnjë shembull të një rasti në të cilin një person në situatën e kërkuesit ka qenë i suksesshëm para gjykatave të Azerbajxhanit.
119. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron që Qeveria ka dështuar në heqjen e barrës së vërtetimit të ekzistencës së një mjeti në dispozicion të kërkuesit me anë të të cilit të mundësohej ofrimi i zgjidhjes për ankesat e tij sipas Konventës dhe perspektivë e arsyeshme suksesi. Prandaj nuk është e nevojshme të përcaktohet, siç pretendohet nga kërkuesi, nëse ekziston një praktikë administrative nga ana e autoriteteve të Azerbajxhanit e cila do ta pengonte kërkuesin nga shfrytëzimi i mjeteve efektive. Në mënyrë të ngjashme, meqenëse nuk është treguar se ekzistojnë mjete efektive, nuk është e nevojshme të shqyrtohet efekti që mungesa e pretenduar e kontrollit në zonën në fjalë mund të ketë mbi veprimin e mjeteve vendase.
120. Prandaj Gjykata e rrëzon kundërshtimin e Qeverisë në lidhje me shterimin e mjeteve vendase.
III. JURIDIKSIONI DHE PËRGJEGJËSIA E AZERBAJXHANIT SIPAS NENIT 1 TË KONVENTËS
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
121. Kërkuesi vuri në pah se Gulistani ndodhej brenda territorit ndërkombëtarisht të njohur të Republikës së Azerbajxhanit. Rrjedh që Qeverisë përgjegjëse i bie barra e kundërshtimit të prezumimit të juridiksionit në zonën e Gulistanit për periudhën që nga 15 prilli 2002 deri më sot. Sipas mendimit të kërkuesit, Qeveria kishte dështuar të paraqiste prova të tilla sepse ajo nuk kishte treguar që ajo nuk ushtronte kontroll mbi Gulistanin. Ai theksoi që qëndrimi i Qeverisë në lidhje me situatën faktike kishte qenë disi i luhatur, por që ajo e kishte pranuar që Gulistani nuk ndodhej nën kontrollin e Armenisë. Rrjedhimisht, Qeveria mbante përgjegjësi të plotë për sigurimin e të drejtave të kërkuesit sipas Konventës.
122. Përndryshe, kërkuesi pohoi që edhe sikur të ishte konstatuar që Azerbajxhani nuk kishte kontroll mbi zonën në fjalë, përgjegjësia e tij sidoqoftë do të angazhohej si rezultat i detyrimeve të tij pozitive nga Neni 1 i Konventës për të marrë masa diplomatike, ekonomike, juridike dhe të tjera për të siguruar të drejtat e kërkuesit sipas Konventës (shih Ilaşcu dhe të tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 48787/99, §§ 331 dhe 333, ECHR 2004-VII). Sipas kërkuesit, Qeveria kishte dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj pozitive për shkak se, për vite të tëra, ajo kishte treguar mungesë vullneti politik për të zgjidhur konfliktin dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë hap për të siguruar të drejtën individuale të kërkuesit për t’u kthyer ose për t’u kompensuar (shih paragrafin 208 poshtë).
2. Qeveria përgjegjëse
123. Qeveria përgjegjëse pranoi që Gulistani ishte pjesë e territorit ndërkombëtarisht të njohur të Azerbajxhanit. Në kërkesat e tyre në seancën e 5 shkurtit 2014 ata pohuan që prezumimi që një Shtet ka ushtruar juridiksion në tërë territorin e vet mund të kufizohej jo vetëm për sa i përket zonave nën pushtim nga palë të tjera por edhe për sa i përket zonave të vogla "që janë bërë të paprekshme nga rrethanat". Gulistani ishte një zonë e tillë. Ai ndodhej në vijën e kontaktit, që do të thotë se ishte i rrethuar nga forcat e armatosura të Azerbajxhanit nga njëra anë (në veri dhe në lindje) dhe nga ato të Armenisë në anën tjetër (në jug dhe në perëndim) dhe nuk ishte nën kontrollin efektiv të asnjërës anë. Ajo theksoi që fshati ishte brenda hapësirës së të shtënave nga pozicionet e Armenisë të vendosura mbi një pjerrinë të ngritur mbi lumë. Kështu Qeveria e Azerbajxhanit nuk kishte mundësi të ushtronte autoritetin e saj legjitim në atë zonë.
124. Prandaj linja kryesore e argumenteve të Qeverisë ishte që ajo nuk ishte përgjegjëse nga Neni 1 i Konventës në kuptimin parësor të asaj dispozite. Si sovran i shpronësuar ajo mbante vetëm përgjegjësi të kufizuar, pra të përmbushte detyrimet pozitive për të marrë të gjitha masat që ajo kishte fuqinë të merrte dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare (Ilaşcu dhe të Tjerë, cituar lart, § 331). Ajo diskutoi që detyrime të tilla pozitive vareshin nga rrethanat faktike të çështjes dhe nuk duhet të ndërtoheshin në mënyrë të atillë që të vendosnin një barrë shproporcionale mbi Shtetin (ibid., § 332). Qeveria pohoi që ajo kishte marrë të gjitha masat e përgjithshme dhe individuale që mund të priteshin prej saj (shih paragrafin 210 poshtë).
3. Qeveria armene, ndërhyrës i palës së tretë
125. Qeveria e Armenisë shprehu qëndrimin e saj që Azerbajxhani kishte kontroll të plotë dhe efektiv mbi Gulistanin. Duke iu referuar parashtrimeve të saj në lidhje me situatën e zhvilluar në Gulistan (shih paragrafët 50 deri në 53 lart) dhe provave që kishte paraqitur (shih paragrafët 69 deri në 71 lart), ajo pohoi në mënyrë të veçantë që forcat e armatosura të Azerbajxhanit kishin pozicione ushtarake mu në fshat dhe në periferitë e tij, ndërkohe që forcat e "NKR" ishin të vendosura në anën e kundërt të grykës.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet relevante të praktikës gjyqësore në lidhje me prezumimin e juridiksionit territorial
126. Parimet relevante janë përcaktuar nga Gjykata në Assanidze kundër Gjeorgjisë [GC], nr. 71503/01, §§ 137-143, ECHR 2004‑II dhe më pas në Ilasçu dhe të Tjerë (cituar lart, §§ 311-313, dhe§§ 333‑335).
127. Në Assanidze, Gjykata zbatoi një "prezumim të kompetencës" ose, me fjalë të tjera, një prezumim të juridiksionit në lidhje me territorin e një Shteti. Në paragrafët relevantë të atij vendimi thuhet si vijon:
“137. Neni 1 i Konventës kërkon që Shtetet Palë t’i ‘sigurojnë secilit brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përkufizuara në Seksionin I të [Konventës]’. Nga kjo dispozitë rrjedh që Shtetet Palë japin llogari për çdo shkelje të të drejtave dhe lirive të mbrojtura të secilit brenda ‘juridiksionit’ - ose kompetencës - të tyre në kohën e shkeljes.
...
139. Republika Autonome e Ajarian është pa diskutim pjesë integrale e territorit të Gjeorgjisë dhe i nënshtrohet kompetencës dhe kontrollit të saj. Me fjalë të tjera, ekziston prezumimi i kompetencës. Tani Gjykata duhet të përcaktojë nëse ka prova të vlefshme për kundërshtimin e atij prezumimi.
140. Në lidhje me këtë, Gjykata shënon, së pari, që Gjeorgjia e ka ratifikuar Konventën për tërë territorin e saj. Më tej, është fakt i njohur që Republika Autonome e Ajarian nuk ka aspirata separatiste dhe që asnjë Shtet tjetër nuk ushtron kontroll efektiv të tërësishëm atje (shih, me nënkuptim të anasjelltë), Ilaşcu dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë (dec.) [GC], nr. 48787/99, 4 korrik 2001, dhe Loizidou, cituar lart). Në lidhje me ratifikimin e Konventës, Gjeorgjia nuk bëri ndonjë rezervim të veçantë sipas Nenit 57 të Konventës në lidhje me Republikën Autonome të Ajarian ose në lidhje me vështirësitë në ushtrimin e juridiksionit mbi atë territor. Një rezervim i tillë sidoqoftë do të kishte qenë jo efektiv, meqenëse praktika gjyqësore lë jashtë përjashtimet territoriale (shih Matthews kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24833/94, § 29, ECHR 1999-I) përveç se në rastin e referuar në Nenin 56 § 1 të Konventës (territoret e varura).
...
142. Kështu, prezumimi i përmendur në paragrafin 139 lart shihet si i saktë. Në të vërtetë, për shkaqe të politikave ligjore - nevoja për të ruajtur barazinë mes Shteteve Palë dhe për të siguruar efektivitetin e Konventës - nuk mund të ishte ndryshe. Por për prezumimin, zbatueshmëria e Konventës mund të kufizohej në mënyrë selektive vetëm tek pjesët e territorit të disa Shteteve Palë të caktuara, duke e bërë kështu të pakuptimtë nocionin e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut që përbën thelbin e tërë Konventës dhe duke lejuar, në të njëjtën kohë, diskriminim mes Shteteve Palë, që do të thotë mes atyre që e kanë pranuar zbatimin e Konventës mbi tërë territorin e tyre dhe atyre që nuk e kanë pranuar një gjë të tillë.
143. Prandaj Gjykata gjen që faktet në fjalë nga të cilat kanë dalë akuzat për shkelje ishin brenda "juridiksionit" të Shtetit gjeorgjian (shih Bertrand Russell Peace Foundation Ltd kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 7597/76, vendimi i Komisionit i datës 2 maj 1978, Vendime dhe Raporte (DR) 14, fq. 117 dhe 124) brenda kuptimit të Nenit 1 të Konventës."
128. Në vendimin e Ilasçu dhe të Tjerë (cituar lart), Gjykata e shtjelloi më tej prezumimin e juridiksionit. Në paragrafët përkatës të atij vendimi thuhet si vijon:
“311. Rrjedh nga Neni 1 që Shtetet anëtare duhet të japin llogari për çdo shkelje të të drejtave dhe lirive të mbrojtura nga Konventa të kryera kundër individëve të vendosur nën "juridiksionin" e tyre.
Ushtrimi i juridiksionit është kusht i nevojshëm që një Shtet Kontraktues të ketë mundësi të mbahet përgjegjës për veprimet ose mosveprimet që i vishen atij të cilat i japin shkas një akuze për shkelje të të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë.
312. Gjykata i referohet praktikës së saj gjyqësore për shkak se koncepti i "juridiksionit" për qëllimet e Nenit 1 të Konventës duhet të konsiderohet se pasqyron kuptimin e termit në të drejtën publike ndërkombëtare (shih Gentilhomme dhe të Tjerë kundër Francës, nr. 48205/99, nr. 48207/99 dhe nr. 48209/99, § 20, vendim i 14 majit 2002; Banković dhe të Tjerë kundër Belgjikës dhe të Tjerëve (dec.) [GC], nr. 52207/99, §§ 59-61, ECHR 2001‑XII; dhe Assanidze kundër Gjeorgjisë [GC], nr. 71503/01, § 137, ECHR 2004-II).
Nga këndvështrimi i të drejtës publike ndërkombëtare, fjalët "brenda juridiksionit të tyre" në Nenin 1 të Konventës duhet të kuptohen si të tilla që nënkuptojnë se kompetenca juridiksionale e një Shteti është kryesisht territoriale (shih Banković dhe të Tjerë, cituar lart, § 59), por gjithashtu që juridiksioni presupozohet të ushtrohet normalisht në tërë territorin e Shtetit.
Ky prezumim mund të jetë i kufizuar në rrethana të jashtëzakonshme, posaçërisht kur një Shtet pengohet nga ushtrimi i autoritetit në një pjesë të territorit të tij. Kjo mund të jetë si rezultat i pushtimit ushtarak nga forcat e armatosura të një Shteti tjetër i cili kontrollon efektivisht territorin në fjalë (shih Loizidou kundër Turqisë (kundërshtime paraprake), vendim i 23 marsit 1995, Seria A nr. 310, dhe Qipro kundër Turqisë, §§ 76-80, cituar lart, dhe gjithashtu cituar në vendimin e lartpërmendur Banković dhe të Tjerë, §§ 70‑71), akteve të luftës ose rebelimit, ose veprimeve të një Shteti të huaj që mbështet instalimin e një Shteti separatist brenda territorit të Shtetit në fjalë.
313. Në mënyrë që të arrijë në përfundimin që ekzistonte një situatë e tillë e jashtëzakonshme, Gjykata duhet të shqyrtojë nga njëra anë të gjitha faktet objektive që janë në gjendje të kufizojnë ushtrimin efektiv të autoritetit të një Shteti mbi territorin e tij dhe nga ana tjetër sjelljen e vetë Shtetit. Zotimet e dhëna nga një Shtet Kontraktues në bazë të Nenit 1 të Konventës përfshijnë, përveç detyrës për mos ndërhyrjen në gëzimin e të drejtave dhe lirive të garantuara, detyrime pozitive për të marrë hapat e duhur për të siguruar respekt për ato të drejta dhe liri brenda territorit të tij (shih, mes autoriteteve të tjera, Z. dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 29392/95, § 73, ECHR 2001-V).
Ato detyrime mbeten edhe kur ushtrimi i autoritetit të Shtetit kufizohet në një pjesë të territorit të tij, kështu që ai ka për detyrë të marrë të gjitha masat e përshtatshme që ka ende fuqinë të marrë.
...
333. Gjykata konsideron që aty ku një Shtet Kontraktues pengohet nga ushtrimi i autoritetit të tij në tërë territorin e vet për shkak të një situate de facto ngushtuese, siç është kur ndërtohet një regjim separatist, pavarësisht nëse kjo shoqërohet apo jo nga pushtimi ushtarak nga një Shtet tjetër, ai nuk pushon aty për aty së pasuri juridiksion brenda kuptimit të Nenit 1 të Konventës mbi atë pjesë të territorit të vet e cila është përkohësisht nën një autoritet lokal të mbajtur nga forcat rebele ose nga një Shtet tjetër.
Pavarësisht nga kjo, një situatë e tillë faktike e redukton fushëveprimin e atij juridiksioni dhe zotimet e marra përsipër nga Shteti sipas Nenit 1 duhet të konsiderohen nga Gjykata vetëm nën dritën e detyrimeve pozitive të Shtetit Kontraktues kundrejt personave brenda territorit të vet. Shteti në fjalë duhet të përpiqet, me të gjitha mjetet ligjore dhe diplomatike që ka në dispozicion karshi Shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, që të vazhdojë të garantojë gëzimin e të drejtave dhe lirive të cekura në Konventë.
334. Megjithëse nuk i takon Gjykatës të tregojë se cilat masa duhet të marrin autoritetet në mënyrë që të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre në mënyrën më efektive, ajo duhet të verifikojë se masat që faktikisht janë marrë kanë qenë të përshtatshme dhe të mjaftueshme në rastin konkret. Kur përballet me një dështim të plotë ose të pjesshëm për të vepruar, detyra e Gjykatës është të përcaktojë se në cilën shkallë ka qenë e mundur të bëhen përpjekje sado minimale dhe nëse kjo duhet të ishte bërë. Përcaktimi i kësaj çështjeje është posaçërisht i nevojshëm në rastet që kanë të bëjnë me shkelje të pretenduar të të drejtave absolute siç janë ato që garantohen nga Nenet 2 dhe 3 të Konventës.
335. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundimin që kërkuesit janë brenda juridiksionit të Republikës së Moldavisë për qëllimet e Nenit 1 të Konventës, por që përgjegjësia e saj për veprimet e ankimuara, të kryera në territorin e "MRT", mbi të cilin ajo nuk ushtron autoritet efektiv, duhet të vlerësohen nën dritën e detyrimeve të saj pozitive sipas Konventës."
129. Nga praktika gjyqësore e lartpërmendur rrjedh që juridiksioni brenda kuptimit të Nenit 1 të Konventës prezumohet të ushtrohet në tërë territorin e një Shteti Kontraktues. Zotimi i marrë përsipër nga një Shtet Kontraktues sipas Nenit 1 normalisht përfshin dy aspekte, pra nga njëra anë një detyrim negativ për t’u përmbajtur nga ndërhyrja në gëzimin e të drejtave dhe lirive të garantuara dhe nga ana tjetër detyrimet pozitive për të marrë hapat e duhur për të garantuar respektimin e atyre të drejtave dhe lirive brenda territorit të tij (Ilasçu dhe të Tjerë, cituar lart, § 313).
130. Edhe në rrethana të jashtëzakonshme, kur një Shtet pengohet nga ushtrimi i autoritetit mbi një pjesë të territorit të vet, për shkak të pushtimit ushtarak nga forcat e armatosura të një Shteti tjetër, të akteve të luftës apo rebelimit ose instalimit të një regjimi separatist brenda territorit të vet, ai nuk pushon së pasuri juridiksion brenda kuptimit të Nenit 1 të Konventës (Ilasçu dhe të Tjerë, cituar lart, § 333; shih gjithashtu Catan dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 43370/04, nr. 8252/05 dhe nr. 18454/06, § 109, ECHR 2012 (pjesë të shkëputura)).
131. Megjithatë, në rastet kur një Shtet pengohet nga ushtrimi i autoritetit të tij në një pjesë të territorit të vet përgjegjësia e tij sipas Konventës kufizohet me zbatimin e detyrimeve pozitive (ibid., § 335). Këto kanë të bëjnë si me masat e nevojshme për të rivendosur kontrollin mbi territorin në fjalë, si shprehje e juridiksionit të tij, ashtu edhe masat për garantimin e respektimit të të drejtave individuale të kërkuesit (ibid., § 339). Në bazë të titullit të parë, Shteti ka për detyrë të rishpallë sovranitetin e tij mbi territorin dhe të përmbahet nga çdo veprim që mbështet regjimin separatist (ibid., §§ 340-345). Në bazë të titullit të dytë, Shteti duhet të marrë masa juridike, politike ose administrative për të garantuar të drejtat individuale të kërkuesit (ibid., § 346).
2. Zbatimi i këtyre parimeve në çështjen në fjalë
(a) Konstatimi i fakteve nga Gjykata
132. Në çështjen në fjalë situata në lidhje me Gulistanin është ajo që vihet në diskutim mes palëve. Periudha relevante që duhet të shqyrtohet fillon nga 15 prilli 2002, kur Konventa hyri në fuqi në lidhje me Azerbajxhanin, e deri në ditët tona.
133. Gjatë konstatimit të fakteve të cekura më poshtë, Gjykata ka marrë parasysh vërejtjet me shkrim dhe kumtesat verbale të palëve, hartat e Gulistanit dhe rrethinave të tij, DVD-të që përmbanin incizime të zonës dhe prova të tjera relevante të paraqitura nga palët. Gjithashtu, ajo ka marrë parasysh raportin e AAAS mbi Gulistanin bazuar mbi interpretimin e pamjeve satelitore me rezolucion të lartë.
134. Gjykata shënon që palët pajtohen në lidhje me disa pika: nuk vihet në diskutim që Gulistani ndodhet në territorin ndërkombëtarisht të njohur të Azerbajxhanit. Fshati shtrihet në një luginë në formë V-je në bregun verior të lumit Indzachay. Pozicionet ushtarake të Azerbajxhanit ndodhen në bregun verior të lumit, ndërsa pozicionet ushtarake të "NKR" ndodhen në bregun jugor të lumit. Në fshat nuk ka civilë. Më së pakti, rrethinat e fshatit janë të minuara dhe shkeljet e armëpushimit janë të shpeshta.
135. Megjithatë, parashtrimet e palëve dallojnë në lidhje me një sërë pikash të tjera. Mospërputhja më e rëndësishme ka të bëjë me çështjen nëse ka apo jo pozicione ushtarake të Azerbajxhanit në fshat. Largësia e pozicioneve ushtarake të të dy palëve nga fshati dhe çështja nëse vetë fshati është i minuar gjithashtu janë pjesë e mospajtimeve.
136. Nga materialet në dispozicion, e posaçërisht nga hartat e paraqitura nga secila palë dhe nga Qeveria ndërhyrëse, del që i tërë fshati si dhe pozicionet ushtarake të Azerbajxhanit ndodhen në bregun verior të lumit Indzachay, çka përbën një vijë ndarëse natyrale. Pozicionet e "NKR" janë në bregun jugor të lumit, ku pika më e afërt është mbi një pjerrinë karshi fshatit.
137. Për sa i përket çështjes së diskutueshme nëse ka prani ushtarake të Azerbajxhanit brenda vetë fshatit, Gjykata shënon që ka disa elemente që tregojnë praninë e pozicioneve të Azerbajxhanit e që rrjedhimisht të ushtarëve të Azerbajxhanit në fshat. Raporti i AAAS i bazuar mbi interpretimin e pamjeve satelitore nga vitet 2005, 2009 dhe 2012 tregon që ka llogore në, ose të paktën, në skajet e fshatit. Këto llogore janë mjaft të dukshme në pamjet e viteve 2005 dhe 2009, por janë më pak të dallueshme në pamjen e vitit 2012. Meqenëse fshati ndodhet në bregun verior të lumit dhe atje ka vetëm pozicione të Azerbajxhanit, Gjykata e konsideron të konstatuar mjaftueshëm, mbi bazën e provave në dispozicion, që llogoret përbëjnë një pjesë të pozicioneve të Azerbajxhanit. Kjo gjithashtu është tregues i pranisë ushtarake të personelit të Azerbajxhanit duke pasur parasysh që llogoret duhet të mirëmbahen (siç del nga raporti i AAAS sipas të cilit llogoret kanë mbetur pa përdorur në periudhën mes viteve 2009 dhe 2012 dhe prandaj janë më pak të dukshme). Në lidhje me këtë, Gjykata përsërit që nuk është vënë në diskutim fakti që në fshat nuk kishte civilë. Përveç kësaj, duket përsëri nga raporti i AAAS dhe nga DVD-ja e paraqitur nga Qeveria e palës së tretë në vitin 2012 që territori në veri të fshatit e rrjedhimisht rrugët lidhëse me të janë nën kontrollin e forcave të armatosura të Azerbajxhanit. Tregues të mëtejshëm ofrohen nga DVD-ja e sjellë nga kërkuesi në vitin 2008, në të cilën shihet tymi duke u ngritur nga oxhakët e disa shtëpive dhe një njeri duke ecur mes rrënojave.
138. Ndërkohë që ka disa tregues të pranisë ushtarake të Azerbajxhanit në vetë fshatin, Gjykata nuk ka elemente të mjaftueshme për të konstatuar nëse ka pasur forca të Azerbajxhanit në Gulistan gjatë tërë periudhës që hyn në kompetencën e tij ratione temporis, pra nga 15 prill 2002 deri në ditët tona. Megjithatë, është me rëndësi të shënohet që nuk është pretenduar se nuk ka tregues në materialet para Gjykatës që "NKR" ka ose ka pasur pozicione ose trupa në bregun verior të lumit e jo më në vetë fshatin e Gulistanit gjatë periudhës nën shqyrtim.
(b) Vlerësimi i domethënies ligjore të fakteve
139. Duke pasur parasysh që Gulistani ndodhet në territorin ndërkombëtarisht të njohur të Azerbajxhanit, zbatohet prezumimi i juridiksionit (shih Ilasçu dhe të Tjerë, cituar lart, § 312). Sipas pikëpamjes së Gjykatës pra i takon Qeverisë të vërtetojë që ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme të cilat do ta kufizonin përgjegjësinë e saj sipas Nenit 1 të Konventës.
140. Gjykata vëren se kufizimi i përgjegjësisë së një Shteti mbi territorin e vet për zhvillimin e detyrimeve pozitive është pranuar vetëm në lidhje me zona të caktuara ku kontroll efektiv ushtron një Shtet tjetër ose një regjim separatist. Në çështjen Ilasçu dhe të Tjerë Gjykata gjeti që Qeveria moldave nuk ushtronte autoritet mbi një pjesë të territorit të saj, pra në pjesën e cila ndodhet nën kontrollin efektiv të Republikës Moldave të Transdniestrias ("MRT") (cituar lart, § 330). Gjykata u mbështet në të njëjtat gjetje në Ivanţoc dhe të Tjerë kundër Moldavisë dhe Rusisë (nr. 23687/05, § 105, 15 nëntor 2011). Në Catan dhe të Tjerë (cituar lart, § 109), Gjykata gjithashtu u shpreh që Moldavia nuk kishte autoritet mbi pjesën e territorit të saj në lindje të Lumit Dniester, e cila kontrollohet nga "MRT". Ndryshe nga ky rast, në Assanidze (cituar lart, §§ 139-140) Gjykata e konsideroi të rëndësishëm faktin që Republika Autonome Ajariane nuk kishte aspirata separatiste dhe që asnjë Shtet tjetër nuk ushtronte kontroll të përgjithshëm efektiv aty.
141. Në çështjet moldave të mësipërme, nuk vihej në diskutim që territori në fjalë, konkretisht Transdniestria, ishte nën kontrollin efektiv të "MRT". Nën prizmin e Konventës, Rusia konsiderohej të kishte kontroll efektiv mbi zonën e kontrolluar nga "MRT" për shkak të ushtrimit të autoritetit efektiv ose të paktën ndikimit vendimtar mbi "MRT" dhe sigurimit të mbijetesës së kësaj të fundit me anë të mbështetjes ushtarake, ekonomike, financiare dhe politike, dhe prandaj u konsiderua se ishte përgjegjëse për shkeljet e gjetura (shih Ilasçu dhe të Tjerë, cituar lart, §§ 392-394; Ivanţoc dhe të Tjerë, cituar lart, §§ 118-120; Catan dhe të Tjerë, cituar lart, § 122).
142. Çështja e tanishme dallon nga çështjet e lartpërmendura: Gulistani ndodhet në vijën e frontit mes forcave të Azerbajxhanit dhe atyre të "NKR" dhe vihet në diskutim nëse Azerbajxhani ka kontroll efektiv mbi fshatin. Gjykata shënon që mbi bazën e praktikës së saj gjyqësore Qeveria përgjegjëse do të duhej të vërtetonte që një Shtet tjetër ose një regjim separatist ka kontroll efektiv mbi Gulistanin ku ndodhin shkeljet e pretenduara të Konventës.
143. Në këtë pikë Gjykata e konsideron të dobishme të përsërisë që Azerbajxhani ka depozituar një deklaratë me instrumentin e tij të ratifikimit duke shprehur që ai nuk ka "mundur të garantojë zbatimin e dispozitave të Konventës në territoret e pushtuara nga Republika e Armenisë" (shih paragrafin 93 lart). Në vendimin e saj mbi pranueshmërinë e çështjes në fjalë, Gjykata është shprehur se deklarata nuk ka mundur të kufizonte zbatimin territorial të Konventës në pjesë të caktuara të territorit ndërkombëtarisht të njohur të Azerbajxhanit (Sargsyan (dec.), cituar lart, §§ 63-65),as nuk i ka përmbushur kriteret e një rezerve të vlefshme (ibid., §§ 66-70).
144. Gjykata shënon që sipas të drejtës ndërkombëtare (posaçërisht Neni 42 i Rregulloreve të Hagës të 1907) një territor konsiderohet i pushtuar kur ai aktualisht vendoset nën autoritetin e një ushtrie armike, ku "autoriteti aktual" konsiderohet gjerësisht si i atillë që përkthehet në kontroll efektiv dhe kërkon elemente të tilla siç janë prania e trupave të huaja, të cilat janë në gjendje të ushtrojnë kontroll efektiv pa pëlqimin e sovranit (shih paragrafin 94 lart). Mbi bazën e të gjitha materialeve para saj, dhe duke marrë parasysh konstatimin e mësipërm të fakteve, Gjykata gjen që Gulistani nuk është i pushtuar nga ose nën kontrollin efektiv të forcave të huaja sepse kjo do të kërkonte praninë e trupave të huaja në Gulistan.
145. Në fakt, duket se Qeveria përgjegjëse nuk i është përmbajtur qëndrimit të saj fillestar që ajo nuk ka pasur kontroll efektiv mbi Gulistanin. Përkundrazi, ajo deklaroi që ai ndodhej në një zonë të diskutueshme, duke theksuar se ai ishte i rrethuar nga minat, kishte pozicione ushtarake kundërshtarë në të dy anët e lumit, dhe ishte brenda distancës së qitjes së forcave armene.
146. Në thelb Qeveria përgjegjëse diskutoi që praktika gjyqësore e Gjykatës e parashtruar në Ilasçu dhe të Tjerë dhe në çështjet e mëpasme, e cila e pranon që një Shtet që ka humbur kontrollin efektiv mbi një pjesë të territorit të vet kundrejt një Shteti tjetër ose një regjimi separatist ka përgjegjësi të kufizuar sipas Konventës, duhet të zbatohet në mënyrë të njëjtë në zonat e diskutueshme ose, siç u shpreh ajo në seancën e 5 shkurtit 2014, "zonat që bëhen të paprekshme nga rrethanat".
147. Duke iu adresuar kësaj pike Gjykata duhet të mbajë parasysh natyrën e veçantë të Konventës si instrument kushtetues i rendit publik evropian (ordre public) për mbrojtjen e qenieve individuale njerëzore dhe rolin e saj, siç theksohet në Nenin 19 të Konventës për "të garantuar respektimin e angazhimeve të marra përsipër nga Palët e Larta Kontraktuese" (shih, Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), 23 mars 1995, §§ 75 dhe 93, Seria A nr. 310; Al-Skeini dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 55721/07, § 141, ECHR 2011). Kur Azerbajxhani ratifikoi Konventën më 15 prill 2002, i tërë territori i tij hyri në "hapësirën ligjore të Konventës".
148. Në çështjet e lartpërmendura që kanë të bëjnë me Moldavinë pranimi që Shteti territorial kishte vetëm përgjegjësi të kufizuar sipas Konventës u kompensua me gjetjen që një Shtet tjetër i Konventës në mënyrë përjashtuese ka ushtruar juridiksion jashtë territorit të tij dhe kështu mbante përgjegjësi të plotë sipas Konventës. Ndryshe prej kësaj, në rastin konkret nuk është konstatuar që Gulistani është i pushtuar nga forcat e armatosura të një Shteti tjetër ose që ai është nën kontrollin e një regjimi separatist. Në rrethana të tilla Gjykata, duke marrë parasysh nevojën për të shmangur një vakum në mbrojtjen nga Konventa, nuk konsideron që Qeveria përgjegjëse ka demonstruar ekzistencën e rrethanave të jashtëzakonshme të një natyre të atillë që të kualifikojë përgjegjësinë e saj sipas Konventës.
149. Prandaj Gjykata nuk është e bindur nga argumenti i Qeverisë. Përjashtimi i parashtruar në Ilasçu dhe të Tjerë (cituar lart, §§ 312-313), pra kufizimi i përgjegjësisë së Shtetit territorial në lidhje me disa pjesë të caktuara të territorit të tij ndërkombëtarisht të njohur të cilat janë të pushtuara ose nën kontrollin efektiv të një entiteti tjetër atëherë nuk mund të shtrihet në zonat e diskutueshme siç sugjerohet nga Qeveria.
150. Në fakt, situata në fjalë në rastin konkret është më e ngjashme me situatën në Assanidze (cituar lart, § 146) për faktin se, nga pikëpamja ligjore Qeveria e Azerbajxhanit ka juridiksion si shtet territorial dhe përgjegjësi të plotë sipas Konventës, përderisa ajo mund të hasë në vështirësi në nivel praktik në ushtrimin e autoritetit të saj në zonën e Gulistanit. Sipas mendimit të Gjykatës vështirësi të tilla do të duhet të merren parasysh kur të vijë puna tek vlerësimi i proporcionalitetit të veprimeve ose mosveprimeve të ankimuara nga kërkuesi.
151. Si përfundim, Gjykata gjen që faktet nga të cilat dalin shkeljet e pretenduara janë brenda "juridiksionit" të Azerbajxhanit në kuptim të Nenit 1 të Konventës dhe janë në gjendje të angazhojnë përgjegjësinë e Qeverisë përgjegjëse. Rrjedhimisht, ajo e rrëzon kundërshtimin e Qeverisë në lidhje me mungesën e juridiksionit dhe përgjegjësisë që i ishin bashkuar themeleve në vendimin për pranueshmërinë (Sargsyan (dec.), cituar lart, § 76).
IV. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 1 TË PROTOKOLLIT Nr. 1 TË KONVENTËS
152. Kërkuesi u ankua që mohimi i të drejtës së tij për t’u kthyer në fshatin e Gulistanit dhe për të pasur qasje, për të kontrolluar, shfrytëzuar dhe për të gëzuar pronën e tij ose për t’u kompensuar për humbjen e saj përbënte shkelje të vazhdueshme të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 i cili thotë si vijon:
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”
153. Qeveria e kontestoi qëndrimin e kërkuesit, duke paraqitur tri linja kryesore argumentesh: ajo pohoi, së pari, që megjithëse Gulistani ndodhej në territorin ndërkombëtarisht të njohur të Azerbajxhanit e rrjedhimisht brenda juridiksionit të Azerbajxhanit në kuptim të Nenit 1 të Konventës, ajo nuk kishte kontroll të mjaftueshëm në atë zonë për t’u mbajtur përgjegjëse për shkeljen e pretenduar. Së dyti, ajo diskutoi që kërkuesi kishte dështuar të vërtetonte që ai faktikisht kishte shtëpi dhe tokë në Gulistan. Së treti, Qeveria parashtroi që edhe sikur Gjykata t’i rrëzonte argumentet e saj në lidhje me dy pikat e para, nuk kishte pasur shkelje të të drejtave të kërkuesit sepse ajo kishte vepruar në përputhje me detyrimet e saj sipas Konventës.
A. Nëse kërkuesi kishte "posedime" në GulistanParashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
154. Kërkuesi deklaroi se ai kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të treguar që ai kishte jetuar në Gulistan me familjen e tij deri në qershor 1992 dhe kishte pasur në pronësi një shtëpi dhe tokë me sipërfaqe rreth 2100 metër katrorë dhe posedime të tjera atje. Ai iu referua në mënyrë të veçantë pasaportës teknike të shtëpisë, të lëshuar në maj 1991, dhe planit të shtëpisë, duke theksuar se ai tashmë i kishte paraqitur të dy dokumentet kur kishte depozituar ankesën.
155. Ai pohoi që ai e kishte marrë tokën me anë të një vendimi të Këshillit të Fshatit në fillim të viteve ‘60 ku i jepej leje të ndante parcelën e tokës së babait të tij mes tij dhe vëllait të tij. Ai e kundërshtoi pohimin e Qeverisë që Këshilli i Fshatit nuk kishte pushtet të ndante toka. Ai shënoi së pari që Qeveria iu referua Kodit të Tokës të vitit 1970, sipas të cilit pushtetin për të ndarë toka e kishin Komitetet Ekzekutive të Sovjetit të Deputetëve të Popullit në qarqe dhe qytete. Në fillim të viteve ‘60 Këshillat e Fshatrave kishin pushtet të ndanin toka. Ata gjithashtu duhet të mbanin një regjistër, të shënonin mes të dhënave të tjera edhe ndarjen e pronave të shtëpive në fshat. Këto pushtete ishin të rregulluara nga Karta mbi Këshillat e Fshatrave (shih paragrafin 82 lart) e cila kishte hyrë në fuqi më 23 prill 1958 dhe kishte qenë në fuqi në kohën materiale, pra në fillim të viteve ‘60. Seksioni 2 paragrafi 9(j) i Kartës mbi Këshillat e Fshatrave e fuqizonte Këshillin e Fshatit t’u ndante shtetasve tokën që ishte në pronësi të shtetit për ndërtime individuale brenda kufijve të fshatit. Në përputhje me seksionin 2 paragrafin 19(e) të Kartës, Këshilli i Fshatit kishte pushtetin të regjistronte ndarjen e tokave të vendbanimeve në fshat.
156. Më tej, kërkuesi përsëriti që "pasaporta teknike" që ai tashmë e kishte paraqitur bashkë me kërkesën ishte një dokument i vlefshëm dhe i vërtetuar siç duhej dhe ishte provë e mjaftueshme e të drejtës së tij ndaj shtëpisë dhe tokës. Ai e kontestoi pohimin e Qeverisë që pasaporta teknike ishte e mangët, duke iu adresuar secilës nga pikat e ngritura nga Qeveria.
157. Për sa i përket pohimit të Qeverisë që pasaporta teknike ishte e mangët për faktin se i mungonte një referencë ndaj titullit fillestar të pronësisë, kërkuesi diskutoi që një referencë e tillë nuk kërkohej në rastin e tij. Përderisa ai qe dakord me Qeverinë që Udhëzimi i vitit 1985 (shih paragrafin 81 lart) ishte i zbatueshëm në procesin e regjistrimit, ai u shpreh që regjistrimi i pronave në zonat rurale qeverisej nga Neni 2.3 i udhëzimit të cekur, sipas të cilit bazën për regjistrim e përbënin "lista e komplekseve të banimit, vërtetime të tyre (abstrakte), [ose] deklarata nga Komiteti Ekzekutiv i Fshatit ose ai Rajonal i Deputetëve të Popullit". Ai u shpreh se lista e komplekseve të banimit (ose listat e shtëpive të banimit siç përkthehej nganjëherë termi) nënkuptonte regjistrin e Këshillit të Fshatit. Në fund, ai shënoi që pasaporta teknike e paraqitur prej tij ishte konstatuar mbi bazën e formularit standard të lëshuar nga Departamenti Qendror i Statistikave të BRSS. Ai formular nuk kërkonte referencë të ndonjë titulli fillestar të pronësisë.
158. Për sa i përket argumentit të Qeverisë që pasaporta teknike ishte e mangët sepse hapësira "përshkrimi i sipërfaqes së tokës sipas dokumenteve zyrtare" ishte e zbrazët, kërkuesi deklaroi që pasaporta teknike ishte hartuar nga zyrtarët e Byrosë së Inventarit Teknik të rajonit Shahumyan, të cilët nuk do ta kishin firmosur sikur ajo të kishte qenë e paplotë. Më tej, ai paraqiti pasaporta teknike që u ishin lëshuar ish-fshatarëve të tjerë të Gulistanit në vitin 1991 dhe në të cilat e njëjta hapësirë ishte gjithashtu e zbrazët, dhe diskutoi që pasaporta e tij teknike përputhej me praktikën përkatëse të regjistrimit në atë kohë.
159. Së fundi, Qeveria kishte diskutuar që pasaporta teknike, e cila mbante datën maj 1991, mund të ishte e falsifikuar sepse vula e përdorur ishte vulë e "RSS të Azerbajxhanit" dhe i referohej "rajonit Shahumyan" megjithëse Shteti ishte riemërtuar "Republika e Azerbajxhanit" dhe ish "rajoni i Shahumyan" ishte përfshirë në rajonin e Goranboy në shkurt të vitit 1991. Në përgjigje ndaj kësaj, kërkuesi iu referua deklaratës së tij të 10 korrikut 2006 dhe deklaratave të disa fqinjëve dhe miqve të dikurshëm nga Gulistani të paraqitura në vitin 2010, ku të gjitha konfirmonin që i tërë rajoni i Shahumyan, i cili banohej nga një shumicë armene dhe pjesë e të cilit ishte Gulistani, i ishte nënshtruar një bllokade nga Azerbajxhani që nga vitet 1989-1992. Për shkak të bllokadës, i tërë rajoni ishte shkëputur: stacionet televizive ishin bombarduar dhe nuk kishte rrymë elektrike dhe fshatarët e madje edhe zyrtarët në Gulistan nuk ishin në dijeni dhe nuk kishin marrë asnjë informacion nga autoritetet që RSS e Azerbajxhanit dhe rajoni Shahumyan ishin riemërtuar. Për më tepër, kërkuesi vërejti që Qeveria pretendonte vetëm që duhet të ishte përdorur vula e re që tregonte Republikën e Azerbajxhanit, por ajo nuk kishte paraqitur ndonjë provë që vulat faktikisht ishin ndryshuar në atë kohë.
160. Më tej, në përgjigje të pyetjes së Gjykatës në lidhje me një kontradiktë të mundshme në formularin e kërkesës për sa i përket çështjes nëse shtëpia e kërkuesit ishte shkatërruar apo jo në vitin 1992, kërkuesi shpjegoi që kontradikta rridhte nga konfuzioni mes shtëpisë së vetë atij dhe shtëpisë së prindërve të tij. Kërkuesi theksoi se formulari i kërkesës, i përgatitur nga përfaqësuesja e tij, ishte bazuar mbi deklaratën e tij të hartuar më 10 korrik 2006. Në atë deklaratë ai nuk kishte folur për shkatërrimin e shtëpisë së tij vetë, por kishte përdorur frazën "Nëna ime qëndroi në fshatin e Gulistanit dhe shtëpia jonë u shkatërrua". Ishte e zakonshme në fshat që shtëpisë së prindërve t’u referohej si shtëpia e vet.
161. Për sa i përket gjendjes aktuale të shtëpisë, kërkuesi parashtroi që ishte e vështirë të merreshin informacione, sepse nuk ishte i mundur kthimi në Gulistan. Maksimumi që mund të bëhej ishte të shihej fshati nga kufiri i "NKR" me dylbi. Në lidhje me këtë, ai iu referua deklaratave të marsit 2012 nga tre ish-fshatarë (shih paragrafin 59 lart). Kërkuesi paraqiti një deklaratë të mëtejshme të datës 12 gusht 2013 nga një ish-fshatar i Gulistanit, i cili raportonte që ai kishte punuar në ndërtim në një vend në "NKR" afër Gulistanit në vitin 2010 dhe një herë kishte shkuar në një vend vëzhgimi dhe e kishte parë fshatin me dylbi dhe kishte arritur të dallonte shtëpinë e kërkuesit. Sipas tij, muret ishin ende në këmbë por çatia ishte gjysmë e shkatërruar.
162. Në përmbledhje, kërkuesi deklaroi që pasaporta teknike e paraqitur prej tij ishte provë e mjaftueshme e të drejtës së tij për të "shfrytëzuar, poseduar dhe gëzuar" shtëpinë në fjalë, por pranon që sipas ligjit në fuqi në kohën e zhvendosjes së tij ai nuk kishte pasur të drejtë ta shiste shtëpinë. Megjithatë, ai mund të kishte pritur që t’i transformonte të drejtat e tij në pronësi private siç parashikohej nga Ligji i Pronës i vitit 1991. Me sa dinte ai, të drejtat e tij nuk ishin anuluar dhe prandaj atij ende i takonte ligjërisht prona në fjalë.
(b) Qeveria përgjegjëse
163. Qeveria konstatoi që i takonte kërkuesit barra e të vërtetuarit, përtej dyshimit të arsyeshëm, që ai ishte pronar ose titullar i pronës e cila ishte objekt i kërkesës së tij.
164. Qeveria parashtroi që nuk mund të verifikohej nëse kërkuesi kishte jetuar në fakt në Gulistan apo nëse ai kishte pasur ndonjë pronë aty. Në arkivat rajonale të Goranboy nuk kishte dokumente lidhur me kërkuesin ose me parcelën e tokës, shtëpinë apo ndërtesat e tjera që pretendohej se posedoheshin prej tij. Për më tepër, disa arkiva nga ish-rajoni i Shahumyan, përfshirë Zyrën e Regjistrit Civil dhe Zyrën e Pasaportave, ishin shkatërruar gjatë luftimeve. Dokumenti kryesor i paraqitur nga kërkuesi, pra pasaporta teknike e shtëpisë, ishte e mangët dhe prandaj nuk vërtetonte që ai ishte pronari i shtëpisë dhe i tokës. Deklaratat e vetë atij dhe deklaratat e dëshmitarëve të paraqitur prej tij përmbanin mospërputhje të shumta, për shembull në lidhje me numrin e dhomave të shtëpisë së kërkuesit dhe sipërfaqes së parcelës së tij të tokës, dhe ishin jo të besueshme në tërësi.
165. Për sa i përket pronës së kërkuesit në Gulistan, Qeveria diskutoi pikësëpari që ai ishte ankuar vetëm për shtëpinë e cila dukej se ishte shkatërruar para hyrjes në fuqi të Konventës në lidhje me Azerbajxhanin. Prandaj ankesa e tij ishte jashtë kompetencës ratione temporis të Gjykatës.
166. Për aq sa mund të kuptohet që kërkuesi ankohet për tokën, Qeveria diskutoi që pohimi i tij që ai kishte marrë leje nga Këshilli i Fshatit për të ndarë tokën e babait të tij nuk ishte i besueshëm për disa arsye. Deklaratat e ish anëtarëve të Këshillit të Fshatit të paraqitura nga kërkuesi nuk ishin koherente. Sipas dy deklaratave Këshilli i Fshatit e kishte ndarë parcelën e tokës së babait të kërkuesit mes kërkuesit dhe vëllait të tij, kurse sipas një deklarate tjetër Këshilli i Fshatit kishte marrë vendim t’ia jepte parcelën e tokës kërkuesit. Sidoqoftë, procedura e përshkruar nga kërkuesi nuk ishte në përputhje me strukturat administrative dhe ligjet në fuqi në vitet ‘60: Këshilli i Fshatit nuk kishte të drejtë të shpërndante toka. Në vitet ‘60 nuk ekzistonte asnjë ligj i veçantë, përveç Kushtetutës, që kishte të bënte me të drejtën e shfrytëzimit të tokës. Kodi i Tokës i vitit 1970 i RSS të Azerbajxhanit kodifikonte praktikën që tashmë ekzistonte që përpara: ai parashtronte vetëm që Komiteti Ekzekutiv i Sovjetit të Deputetëve të Popullit kishte pushtetin të shpërndante tokën për qëllime të ndërtimit të shtëpive private. Si rregull, personi në fjalë merrte një vërtetim (abstrakt) të vendimit.
167. Në kohën e luftimeve nuk kishte pasur regjistër qendror të tokës në Azerbajxhan. Inventari i regjistrimit dhe ai teknik i objekteve banesore ishte mbajtur nga autoritetet administrative lokale në përputhje me Udhëzimin e vitit 1985, nenet 2.1 dhe 2.2 të të cilit kishin specifikuar se cilat dokumente përbënin prova parësore ose dytësore të titullit. Qeveria u shpreh se kërkuesi nuk kishte paraqitur ndonjë dokument i cili të kualifikohej si titull parësor i pronësisë. Për ta ilustruar këtë Qeveria përmendi që vendimi i Sovjetit të Deputetëve të Popullit të Qarkut Lachin i 29 janarit 1974 i paraqitur nga njëri prej kërkuesve në çështjen Chiragov dhe të Tjerë kundër Armenisë [GC](dec.), (nr. 13216/05, 14 dhjetor 2011) përbënte provë të tillë parësore.
168. Qeveria shpjegoi që pasaporta teknike ishte pikësëpari një dokument "teknik inventari". Ajo pohoi që një pasaportë teknike e një shtëpie mund të përbënte provë dytësore, meqenëse ajo normalisht i lëshohej vetëm një personi që mbante titull ligjor mbi pronën. Megjithatë, pasaporta teknike e paraqitur nga kërkuesi nuk përbënte provë të ndonjë të drejte pronësore, sepse ishte e mangët ose ndoshta edhe e falsifikuar për arsyet e mëposhtme:
169. Pasaportës teknike i mungonte referenca ndaj një titullari parësor mbi shtëpinë dhe tokën: Qeveria iu përmbajt parashtrimit të saj që si rregull pasaporta teknike do t’i referohej një titulli parësor të pronësisë dhe e kontestoi qëndrimin e kërkuesit që neni 2.3 i Udhëzimit në fjalë ishte i zbatueshëm. Sidoqoftë, "listat e shtëpive" të përmendura në atë dispozitë nuk ishin identike me regjistrin e Këshillit të Fshatit.
170. Në parashtrimin e saj të korrikut 2012, Qeveria nxori një argument të ri, pra që pasaporta teknike ishte e paplotë sepse përmbante vetëm një tregues të sipërfaqes faktike të parcelës së tokës ndërkohë që hapësira ku duhej shënuar sipërfaqja e parcelës së tokës sipas dokumenteve zyrtare ishte e zbrazët.
171. Si argument tjetër të ri Qeveria paraqiti në parashtrimin e saj të korrikut 2012 që pasaporta teknike, e cila datonte 20 maj 1991, mbante një vulë të RSS të Azerbajxhanit/Rajoni i Shahumyan e cila nuk përdorej më në atë kohë, meqenëse Shteti ishte riemërtuar Republika e Azerbajxhanit në shkurt 1991 dhe rajoni i Shahumyan ishte përfshirë në rajonin e Goranboy në të njëjtën kohë. Qeveria pretendoi që pas riemërtimit të RSS të Azerbajxhanit në Republika e Azerbajxhanit përdorimi i vulave të vjetra për prodhimin e dokumenteve fallso ndodhte shpesh. Përveç kësaj, ajo e kontestoi pohimin e kërkuesit që popullata e ish-rajonit të Shahumyan nuk kishte qenë në dijeni të ndryshimeve të lartpërmendura. Ajo theksoi se në formularin e aplikimit vetë kërkuesi i ishte referuar shkrirjes së rajonit të Shahumyan dhe qarkut ngjitur në rajonin e ri të Goranboy. Së fundi, Qeveria u shpreh se nuk kishte gjasa që në maj 1991, gjatë një periudhe tensionesh të ngritura dhe kryengritjesh civile, autoritetet përkatëse do të lëshonin ende pasaporta teknike.
172. Si përfundim, Qeveria konstatoi që Neni 1 i Protokollit 1 nuk zbatohej, sepse kërkuesi kishte dështuar të paraqiste prova në lidhje me të drejtat e tij të pretenduara.
173. Megjithatë, në rast se Gjykata do të gjente që kërkuesi kishte të drejta mbi shtëpinë dhe/ose tokën, Qeveria parashtroi që ligjet përkatëse të RSS të Azerbajxhanit të cilat ishin ende të zbatueshme në kohën e luftimeve nuk parashikonin pronësi private por i lejonin shtetasit të kishin në pronësi shtëpi si prona personale. Parcelat e tokës mund t’u shpërndaheshin individëve të caktuar për shfrytëzim për një periudhë të pacaktuar kohore për qëllime siç ishin banimi dhe bujqësia. Një person të cilit i ishte ndarë tokë kishte të drejtë ta shfrytëzonte dhe kjo e drejtë mbrohej me ligj. Ligji i vitit 1991 mbi Pronën dhe Kodi i Tokës i vitit 1992 i Republikës së Azerbajxhanit parashikonin mundësinë e transferimit të tokës tashmë të shpërndarë shtetasve në pronësi të tyre private. Rregulla të hollësishme mbi privatizimin e parcelave të tokës përfshirë shtëpitë individuale të shpërndara shtetasve u futën më vonë me anë të Ligjit të vitit 1996 mbi Reformën e Tokës.
174. Qeveria kishte parashtruar më parë që nuk ishte miratuar asnjë ligj në lidhje me pronat e braktisura nga armenët që u larguan nga Azerbajxhani për shkak të konfliktit. Në parashtrimet e saj të shtatorit 2013, ajo e modifikoi këtë deklaratë duke thënë se Urdhri i vitit 1991 (shih paragrafin 83 lart) ishte futur për të adresuar praktikën e këmbimit të pronave (armenët që largoheshin nga Azerbajxhani këmbenin pronat e tyre me azerbajxhanasit që largoheshin nga Armenia, Nagorno-Karabakh ose rajonet rrethuese të mbajtura nga Armenia). Megjithatë, prona e pretenduar e kërkuesit nuk kishte të bënte fare.
(c) Qeveria e Armenisë, ndërhyrëse e palës së tretë
175. Qeveria e Armenisë qe dakord me argumentet e paraqitura nga kërkuesi.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e zbatueshme mbi vlerësimin e pretendimeve në lidhje me pronat dhe shtëpitë e personave të zhvendosur
176. Gjykata ka trajtuar edhe më parë çështje në lidhje me pronat dhe banesat e personave të cilët janë zhvendosur si pasojë e konflikteve të armatosura ndërkombëtare ose të brendshme. Këto çështje kanë dalë në kontekstin e pushtimit të Qipros veriore, në veprimet e forcave të sigurisë në Turqi dhe Rusi, dhe në situata të tjera konflikti.
177. Gjykata shqyrtoi për herë të parë të drejtat e personave të zhvendosur në lidhje me shtëpitë dhe pronat e tyre në çështjen e Loizidou kundër Turqisë ((themelet), 18 dhjetor 1996, Raporte 1996-VI). Kërkuesja pretendoi që ishte pronare e disa parcelave të tokës në Qipron veriore. Qeveria e Turqisë nuk e vuri në dyshim vlefshmërinë e titullit të kërkueses, por argumentoi që ajo e kishte humbur pronësinë e tokës për shkak të nenit 159 të Kushtetutës së "Republikës Turke të Qipros Veriore" (angl. "TRNC") e cila i deklaronte të gjitha pasuritë e patundshme të braktisura prona të "TRNC". Gjykata, duke marrë parasysh mungesën e njohjes së "TRNC" si Shtet nga bashkësia ndërkombëtare, nuk i atriboi vlefshmëri ligjore dispozitës dhe konsideroi që kërkuesja nuk mund të vlerësohej se e kishte humbur titullin ndaj pronës si rezultat i asaj dispozite (§§ 42-47).
178. Në disa çështje të lidhura me konfliktin e lartpërmendur, Gjykata e ka përcaktuar "posedimin" nga kërkuesit brenda kuptimit të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës mbi bazën e provave prima facie të cilat Qeveria bindshëm kishte dështuar t’i kontestonte, përfshirë kopjet e dokumenteve pronësore me titujt origjinalë, certifikatat e regjistrimit, kontratat e blerjes dhe vërtetimet e pronësisë të lëshuara nga Republika e Qipros. Siç u shpjegua nga kërkuesi në çështjen e Solomonides kundër Turqisë (nr. 16161/90, § 31, 20 janar 2009), titujt e tij të pronësisë ishin regjistruar në Zyrën e Tokave të Qarkut. Megjithatë, në kohën e ndërhyrjes ushtarake turke ai ishte detyruar të largohej dhe nuk kishte mundur të merrte me vete dokumentet pronësore të titullit. Autoritetet e Republikës së Qipros i kishin ribërë Librat e Tokës dhe kishin lëshuar certifikata të vërtetimit të titullit. Këto certifikata ishin prova më e mirë në dispozicion në mungesë të të dhënave ose dokumenteve origjinale. Vlen të përmendet që në Saveriades kundër Turqisë (nr. 16160/90, 22 shtator 2009) arsyet përse kërkuesi nuk mund të paraqiste dokumentet origjinale të pronësisë u morën parasysh në mënyrë të veçantë. Kërkuesi argumentoi që ai ishte detyruar të largohej nga vendbanimi i tij ku mbante dokumentet me nxitim të madh e më pas e kishte pasur të pamundur të kthehej aty ose t’i merrte dokumentet e pronësisë. Gjykata pranoi që dokumentet e paraqitura nga kërkuesi (siç ishin kontrata e shitjes, certifikatat e pronësisë dhe një leje ndërtimi) përbënin prova prima facie që ai mbante titullin e pronësisë mbi pronat në fjalë, dhe vazhdoi (§ 18):
“...Meqenëse Qeveria përgjegjëse dështoi të ofronte prova bindëse në kontestim, dhe duke marrë parasysh rrethanat në të cilat kërkuesi ishte detyruar të largohej nga Qiproja veriore, Gjykata konsideron që ai kishte një "posedim" brenda kuptimit të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1."
179. Në çështjen e Doğan dhe të Tjerë kundër Turqisë (nr. 8803-8811/02, nr. 8813/02 dhe nr. 8815-8819/02, ECHR 2004-VI) e cila kishte të bënte me dëbimin me forcë të fshatarëve në rajonin në kushte emergjence të Turqisë juglindore dhe refuzimin për vite me radhë për t’i lënë të kthehen, Qeveria përgjegjëse ngriti kundërshtimin që disa prej kërkuesve nuk kishin paraqitur dokumente pronësie që vërtetonin se ata kishin pasur në pronësi prona në fshatin në fjalë. Gjykata konsideroi që nuk ishte e nevojshme të vendosej nëse në mungesë të dokumenteve mbi titullin e pronësisë kërkuesit kishin të drejtën e pronës sipas të drejtës vendase. Në fakt çështja ishte nëse aktivitetet e tërësishme të zhvilluara nga kërkuesit përbënin "posedime" që hynin brenda fushëveprimit të Nenit 1 të Protokollit 1. Duke iu përgjigjur kësaj pike pozitivisht, ajo deklaroi si vijon (§ 139):
“...[G]jykata shënon se është e padiskutueshme që të gjithë kërkuesit kanë banuar në fshatin Boydaş deri në vitin 1994. Megjithëse ata nuk kishin prona të regjistruara, ata kishin ose shtëpitë e veta të ndërtuara në tokat e të parëve të tyre ose jetonin në shtëpitë që ishin pronë e baballarëve të tyre dhe punonin tokën që u përkiste këtyre të fundit. Gjykata më tej shënon që kërkuesit kishin të drejta të pakontestuara mbi tokat e përbashkëta në fshat, siç ishin tokat e lëndinave e kullotave dhe ato pyjore, dhe që ata jetonin në saje të blegtorisë dhe prerjes së drunjve. Rrjedhimisht, sipas mendimit të Gjykatës, të gjitha këto burime ekonomike dhe të ardhurat që nxirrnin kërkuesit prej tyre mund të cilësoheshin si "posedime" për qëllimet e Nenit 1."
180. Kuptimi autonom i konceptit të "posedimeve" është shpallur në shumë vendime përfundimtare dhe vendime të tjera të Gjykatës. Në Öneryıldız kundër Turqisë (nr. 48939/99, § 124, ECHR 2004-XII), ai u përmblodh në këtë mënyrë:
“Gjykata përsërit që koncepti i "posedimeve" në pjesën e parë të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 ka kuptim autonom i cili nuk kufizohet me pronësinë e të mirave fizike dhe është i pavarur nga klasifikimi formal në të drejtën vendase: çështja që duhet shqyrtuar është nëse rrethanat e çështjes, marrë në tërësi, mund të shihen si të atilla që i kanë dhënë kërkuesit titull mbi një interes substancial të mbrojtur nga ajo dispozitë .... Rrjedhimisht, gjithashtu edhe për të mirat fizike, disa të drejta dhe interesa të caktuara që përbëjnë pasuri (asete) po ashtu mund të shihen si “të drejta mbi pronën”, pra si “posedime” për qëllime të kësaj dispozite .... Koncepti i posedimeve nuk është i kufizuar me “posedimet ekzistuese” por mund të mbulojë gjithashtu edhe pasuri (asete), përfshirë pretendimet, në lidhje me të cilat kërkuesi mund të diskutojë që ai ka të paktën “pritshmëri legjitime” për të fituar gëzimin efektiv të një të drejte pronësore ...”.
Në atë çështje, Gjykata konsideroi që një objekt i ngritur në mënyrë të paligjshme në tokë publike afër një këndi mbeturinash, ku kërkuesi dhe familja e tij kishin jetuar të papenguar, sado që të paautorizuar, duke paguar taksa bashkiake dhe tatime për shërbime publike, përfaqësonte një interes pasuror-pronësor i cili, de facto, ishte njohur nga autoritetet dhe i cili ishte i një natyre të mjaftueshme që të përbënte posedim brenda kuptimit të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
181. Çështja nëse kërkuesit e kishin vërtetuar pretendimin e tyre sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 është ngritur gjithashtu në disa çështje kundër Rusisë ku shtëpitë ose prona të tjera të kërkuesve janë shkatërruar ose dëmtuar si rezultat i sulmeve ajrore mbi qytetet ku ata jetonin. Për shembull, në Kerimova dhe të Tjerë kundër Rusisë (nr. 17170/04, nr. 20792/04, nr. 22448/04, nr. 23360/04, nr. 5681/05 dhe nr. 5684/05, § 293, 3 maj 2011), Gjykata e pranoi pretendimin e pronësisë të disa prej kërkuesve mbi bazën e vërtetimeve nga një inventar banesash të lëshuara nga administrata e qytetit pas sulmit ku tregohej që kërkuesit ishin pronarët e shtëpive të tyre. Për sa u përket kërkuesve të cilët kishin paraqitur prova të titujve, Gjykata përcaktoi të drejtën e tyre pronësore mbi bazën e provave të tjera, siç ishin certifikata e banimit e lëshuar nga administrata e qytetit. Gjykata gjithashtu konsideroi se kishte gjasë që çdo dokument që konfirmonte titullin e kërkuesve mbi shtëpitë ishte shkatërruar gjatë sulmit.
182. Në situata ku ishte përcaktuar që kërkuesi ishte pronar i një shtëpie, Gjykata nuk ka kërkuar prova të mëtejshme dokumentuese të banimit të tij apo të saj aty për të treguar se ajo shtëpi ishte "banesë" brenda kuptimit të Nenit 8 të Konventës. Për shembull, në Orphanides kundër Turqisë (nr. 36705/97, § 39, 20 janar 2009) ajo deklaroi si vijon:
“Gjykata shënon që Qeveria ka dështuar të paraqesë prova që janë në gjendje të hedhin dyshime mbi deklaratën e kërkuesit që, në kohën e pushtimit turk, ai ka banuar rregullisht në Lapithos dhe që shtëpia e tij është trajtuar nga ai dhe familja e tij si banesë."
183. Megjithatë, në qoftë se një kërkues nuk paraqet prova të titullit mbi pronën ose banesën, ankesat e tij janë të destinuara të dështojnë (shih, për shembull, Lordos dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 15973/90, § 50, 2 nëntor 2010, ku Gjykata e deklaroi një ankesë të papërputhshme me ratione materiae në mungesë të provave të pronësisë; shih gjithashtu përfundimin për sa u përket disa prej kërkuesve në çështjen e lartpërmendur të Kerimova dhe të Tjerë). Në disa raste Gjykata ka përsëritur që kërkuesit duhet të paraqesin prova të mjaftueshme prima facie për të mbështetur pretendimet e tyre. Në Damayev kundër Rusisë (nr. 36150/04, § 108-111, 29 maj 2012) ajo konsideroi që një kërkues që ankohet për shkatërrimin e shtëpisë së tij duhet të paraqesë të paktën një përshkrim të shkurtër të pronës në fjalë. Meqenëse nuk u paraqit asnjë dokument ose pretendim i hollësishëm, ankesa e tij u gjet të ishte e pambështetur. Si shembuj të tjerë të provave prima facie të pronësisë ose të banimit në pronë, Gjykata ka përmendur dokumente si titujt mbi tokën ose pronën, vërtetime (ekstrakte) nga regjistrat e tokës ose ato tatimore, dokumente nga administrata lokale, plane, fotografi dhe fatura të mirëmbajtjes si dhe prova të dërgesave postare, deklarata dëshmitarësh pse çdo provë tjetër relevante (shih, për shembull, Prokopovich kundër Rusisë, nr. 58255/00, § 37, ECHR 2004-XI, dhe Elsanova kundër Rusisë (dec.), nr. 57952/00, 15 nëntor 2005).
184. Përfundimisht, praktika gjyqësore e Gjykatës ka zhvilluar një qasje të lakueshme ndaj provave që duhen paraqitur nga kërkuesit të cilët pretendojnë se kanë humbur pronën dhe shtëpinë e tyre në situata të konflikteve të armatosura ndërkombëtare ose brenda vendit. Gjykata shënon që një qasje e ngjashme pasqyrohet në Nenin 15 § 7 të "Parimeve të Kthimit të Shtëpive dhe Pronave për Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur" të OKB-së (shih paragrafin 96 lart).
(b) Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen në fjalë
(i) Prova të posedimeve
185. Gjykata së pari do t’i adresohet argumentit të Qeverisë që ankesa e kërkuesit kishte të bënte vetëm me shtëpinë e cila dukej se ishte shkatërruar para hyrjes në fuqi të Konventës. Gjykata tashmë ka shënuar në vendimin për pranueshmërinë të çështjes në fjalë që kërkuesi i është referuar që nga fillimi edhe parcelës së tokës në të cilën ishte vendosur shtëpia (Sargsyan (dec.), cituar lart, § 88). Prandaj, ajo e kupton ankesën e kërkuesit si të atillë që përfshin si shtëpinë ashtu edhe tokën.
186. Parashtrimet e palëve u përqendruan në dy pika: së pari, vlera provuese e "pasaportës teknike" paraqitur nga kërkuesi dhe, së dyti, çështja nëse Këshilli i Fshatit, nga i cili kërkuesi pretendoi se kishte marrë tokën dhe lejen për të ndërtuar shtëpi në fillim të viteve ‘60, kishte qenë në atë kohë organi kompetent për të shpërndarë toka.
187. Për sa i përket pikës së dytë, Gjykata shënon që Qeveria u mbështet mbi strukturën e përgjithshme administrative të RSS të Azerbajxhanit kur diskutoi që Këshilli i Fshatit nuk kishte pushtetin që të shpërndante toka. Kërkuesi, nga ana e tij, iu referua dispozitave specifike të Kartës së vitit 1958 për Këshillat e Fshatrave (shih paragrafin 82 lart), të cilat duket se mbështesin qëndrimin e tij që Këshilli i Fshatit mund të shpërndante toka për qëllime të ndërtimeve private. Megjithatë, nuk do të jetë e nevojshme që Gjykata të vendosë mbi këtë çështje për arsyet e mëposhtme.
188. Nuk kontestohet që pasaporta teknike, si rregull, i lëshohej vetëm personit të cilit i takonte shtëpia. Në rastin konkret, kërkuesi ka paraqitur një pasaportë teknike të lëshuar në emrin e tij dhe e cila ka të bëjë me një shtëpi dhe një tokë prej rreth 2100 metra katrorë në Gulistan, përfshirë një plan të hollësishëm të shtëpisë. Sipas mendimit të Gjykatës, pasaporta teknike përbën provë prima facie. Meqenëse pasaporta teknike mund të shihet si dokument i vlefshëm, Gjykata konsideron që nuk kërkohet shqyrtimi i hollësive të parashtrimeve të palëve mbi të drejtën përkatëse vendase të RSS të Azerbajxhanit në lidhje me shpërndarjen e tokës në fillim të viteve ‘60. Prandaj, Gjykata do të shqyrtojë së pari vlefshmërinë e pasaportës teknike të paraqitur nga kërkuesi. Gjykata vëren që të dy palët ishin dakord që regjistrimi i shtëpive ishte rregulluar me anë të Udhëzimit të vitit 1985 (shih paragrafin 81 lart). Gjykata do t’i adresohet me radhë secilës prej arsyeve të nxjerra nga Qeveria për të gjetur që pasaporta teknike ishte e mangët ose fallso.
189. Për sa i përket pretendimit të Qeverisë që pasaporta teknike nuk përmbante referencë ndaj titullit parësor të pronësisë, Gjykata shënon që palët nuk janë dakord rreth dispozitave të Udhëzimit të vitit 1985 që zbatohen në rastin e kërkuesit. Gjykata nuk është në pozicion që të konstatojë interpretimin e saktë të së drejtës në fuqi që Azerbajxhan në majin e vitit 1991 kur ishte lëshuar pasaporta teknike. Ajo shënon që kërkuesi të paktën ka dhënë një shpjegim besueshëm se përse një referencë e tillë nuk duhej në rastin e tij. Po ashtu është e saktë, siç theksoi kërkuesi, që formulari që ishte përdorur nuk e parashikon një referencë të tillë. Së fundi, kërkuesi ka paraqitur kopje të pasaportave teknike të shtëpive në pronësi të ish-fshatarëve të tjerë në Gulistan, ku asnjëra prej tyre nuk e përfshinte një referencë të tillë.
190. Më tej, Qeveria kishte diskutuar që hapësira "sipërfaqja e parcelës së tokës sipas dokumenteve zyrtare" në pasaportën teknike të paraqitur nga kërkuesi ishte e zbrazët. Sërish, kërkuesi dha informacione të hollësishme mbi mënyrën se si u lëshua pasaporta teknike nga zyrtarët e Byrosë rajonale të Inventarit Teknik dhe ka paraqitur kopje të pasaportave teknike të shtëpive në pronësi të ish-fshatarëve të tjerë në Gulistan, në të cilat kjo hapësirë ishte po ashtu e zbrazët.
191. Së fundi, Gjykata i kthehet pohimit të Qeverisë që pasaporta teknike mbante vulën e gabuar. Megjithatë, ajo konsideron që, duke marrë parasysh kontekstin e ngjarjeve në vitin 1991, pra një situatë kryengritjesh të përgjithshme civile dhe bllokade të rajonit Shahumyan, të cilës kërkuesi, anëtarët e familjes së tij dhe ish-fshatarët i ishin referuar në deklaratat e tyre të dhëna në vitin 2010, shumë kohë përpara se Qeveria të ngrinte çështjen e vulave të gabuara, shpjegimi i kërkuesit që si popullata ashtu edhe zyrtarët e rajonit nuk ishin informuar nga autoritetet në lidhje me ndryshimin e emrit ka njëfarë besueshmërie. Sido që të jetë, Gjykata i jep peshë argumentit që Qeveria nuk ka pretenduar, e jo më treguar, që vulat e reja ishin vënë aktualisht në dispozicion të autoriteteve lokale përkatëse të (ish) rajonit Shahumyan para majit të vitit 1991, kur ishte nxjerrë pasaporta teknike e shtëpisë së kërkuesit.
192. Përfundimisht, Gjykata pranon që pasaporta teknike e paraqitur nga kërkuesi përbën provë prima facie të titullit mbi shtëpinë dhe tokën, çka është provë e ngjashme me ato që ajo ka pranuar në shumë çështje të mëparshme (shih paragrafët 178-183 lart) dhe e cila nuk është kundërshtuar në mënyrë bindëse nga Qeveria.
193. Më tej, Gjykata merr parasysh faktin se që në fillim kërkuesi kishte bërë parashtrime koherente, duke pretenduar se ai kishte jetuar në Gulistan deri në largimin e tij në qershor 1992 dhe që ai kishte shtëpi dhe tokë atje. Ai paraqiti një kopje të pasaportës së tij të vjetër sovjetike dhe të certifikatës së tij të martesës, ku tregohet se ai ka lindur në Gulistan në vitin 1929 dhe është martuar aty në vitin 1955. Parashtrimet e kërkuesit lidhur me mënyrën se si ai e ka marrë tokën dhe lejen për të ndërtuar shtëpi dhe më pas e ka bërë këtë në fillim të viteve ‘60 me ndihmën e fqinjëve dhe miqve mbështeten nga deklaratat e disa anëtarëve të familjes dhe ish-fshatarëve. Ndërkohë që Gjykata e ka parasysh që këto janë deklarata me shkrim, të cilat nuk i janë nënshtruar marrjes në pyetje nga pala e kundërt, ajo shënon që ato janë të pasura me detaje dhe mëtojnë të tregojnë që personat në fjalë faktikisht i kanë përjetuar ngjarjet e përshkruara prej tyre. Duke marrë parasysh kohën e gjatë që ka kaluar që nga zhvendosja e fshatarëve, Gjykata nuk i jep rëndësi vendimtare faktit që këto deklarata nuk e vërtetojnë njëra-tjetrën në të gjitha detajet siç përmendet nga Qeveria.
194. Së fundi, por jo më pak së rëndësishmi, Gjykata ka parasysh rrethanat në të cilat kërkuesi është detyruar të largohet kur fshati është sulmuar ushtarakisht. Nuk është e habitshme që ai nuk ka pasur mundësi të merrte dokumentacionin e plotë me vete. Rrjedhimisht, duke marrë parasysh tërësinë e provave të paraqitura, Gjykata gjen që kërkuesi e ka vërtetuar mjaftueshëm pretendimin e tij që ai ka pasur shtëpi dhe tokë në Gulistan në kohën e ikjes së tij në qershor të vitit 1992.
195. Së fundi, Gjykata i kthehet argumentit të Qeverisë që shtëpia duket se ishte shkatërruar para hyrjes në fuqi të Konventës më 15 prill 2002 dhe që rrjedhimisht ankesa e tij, për sa i përket shtëpisë, ishte jashtë kompetencës ratione temporis të Gjykatës. Në vendimin e pranueshmërisë në çështjen në fjalë, Gjykata kishte shënuar që nuk ishte e qartë nëse shtëpia e kërkuesit ishte shkatërruar. Ajo vazhdoi më tej duke thënë që në atë pikë ajo ishte e interesuar vetëm të shqyrtonte nëse faktet e çështjes mund të hynin brenda juridiksionit të saj ratione temporis, ndërkohë që një shqyrtim i hollësishëm i fakteve dhe aspekteve ligjore të çështjes duhet të rezervohej për fazën e themeleve (Sargsyan, (dec.), cituar lart, § 88). Duke pasur parasysh praktikën e saj gjyqësore, Gjykata konsideroi që mungesa e qasjes së kërkuesit në pronën e tij të pretenduar, shtëpinë dhe varret e të afërmve të tij në Gulistan duhet të konsiderohej si situatë e vazhdueshme të cilën Gjykata kishte kompetencë ta shqyrtonte që nga 15 prilli 2002. Prandaj ajo e kishte refuzuar kundërshtimin ratione temporis të Qeverisë (ibid., §§ 91-92). Megjithatë, meqenëse Gjykata rezervoi një shqyrtim të hollësishëm të fakteve për fazën e themeleve, ajo ende duhet të përcaktojë nëse shtëpia është shkatërruar para hyrjes në fuqi të Konventës dhe, rrjedhimisht, nëse ka bazë faktike për kundërshtimin ratione temporis të Qeverisë në lidhje me shtëpinë. Në qoftë se shtëpia është shkatërruar para hyrjes në fuqi të Konventës, kjo vërtet do të përbënte një akt të momentit që bie jashtë kompetencës ratione temporis të Gjykatës (shih, Moldovan dhe të Tjerë dhe Rostaş dhe të Tjerë kundër Rumanisë (dec.), nr. 41138/98 dhe nr. 64320/01, 13 mars 2001).
196. Gjykata shënon që parashtrimet e kërkuesit në kërkesën e tij në lidhje me faktin nëse shtëpia ishte shkatërruar ose jo ishin kundërthënëse (Sargsyan (dec), cituar lart, § 24). Në përgjigje ndaj kërkesës së Gjykatës për të shpjeguar këtë kontradiktë të dukshme, kërkuesi pohoi që kishte pasur konfuzion mes shtëpisë së tij dhe shtëpisë së prindërve të tij e cila kishte dalë në pah kur përfaqësuesja e tij kishte hartuar kërkesën mbi bazën e deklaratës së tij me shkrim të 10 korrikut 2006 në të cilën ai kishte përdorur shprehjen "Nëna ime qëndroi në fshatin e Gulistanit dhe shtëpia jonë u shkatërrua". Gjykata shënon së pari që deklarata në fjalë ishte paraqitur bashkë me kërkesën. Ajo pranon që konteksti i veçantë në të cilin ishte përdorur shprehja "shtëpia jonë" lë vend për interpretime të ndryshme dhe që paragrafi përkatës në formularin e kërkesës që i referohet shkatërrimit të shtëpisë së kërkuesit mund të ishte rezultat i një keqkuptimi.
197. Duke pasur parasysh provat para Gjykatës, në mënyrë të veçantë DVD-të e paraqitura nga dy palët dhe nga Qeveria e palës së tretë, prova të tjera relevante të paraqitura nga palët dhe raportin e AAAS, Gjykata vëren se Gulistani ishte braktisur që nga mesi i vitit 1992 dhe shumica e ndërtesave në fshat janë të rrënuara, që do të thotë se muret e jashtme dhe të brendshme janë ende në këmbë por çatitë janë rrëzuar. Në mungesë të provave konkluzive që shtëpia e kërkuesit ishte shkatërruar tërësisht para hyrjes në fuqi të Konventës, Gjykata nxjerr supozimin që ajo ende ekziston sado që në gjendje të dëmtuar rëndë. Si përfundim, nuk ka bazë faktike për kundërshtimin ratione temporis të Qeverisë.
198. Si përfundim, Gjykata gjen që kërkuesi kishte dhe ende ka shtëpi dhe parcelë toke në Gulistan dhe rrëzon kundërshtimin e Qeverisë që asaj i mungon kompetenca ratione temporis për të shqyrtuar ankesën në lidhje me shtëpinë.
(ii) Nëse të drejtat e kërkuesit hyjnë brenda Nenit 1 të Protokollit Nr. 1
199. Gjykata do të shqyrtojë më tej nëse kërkuesi kishte – dhe ende ka – të drejta mbi pronën e njohur nga ligji vendas dhe nëse këto të drejta mund të shihen si "posedime" brenda kuptimit të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
200. Qeveria shpjegoi që sipas ligjeve relevante të RSS të Azerbajxhanit, të cilat ishin në fuqi në kohën e zhvendosjes së kërkuesit, shtetasit nuk mund të kishin pronësi private të shtëpive ose tokave. Megjithatë, ata mund të kishin pronësi personale mbi një shtëpi. Për më tepër, shtetasve mund t’u caktohej tokë për një periudhë të caktuar kohore për qëllime të tilla siç janë bujqësia ose banimi. Ndërkohë që Ligji i vitit 1991 mbi Pronën dhe Kodi i Tokës i vitit 1002 parashikonin – për herë të parë – mundësinë e transferimit të tokës tashmë të caktuar shtetasve në pronësinë e tyre private, rregullat e hollësishme mbi privatizimin e tokës përfshirë shtëpitë individuale dhënë shtetasve u futën vetëm nga Ligji i Reformës së Tokës i vitit 1996.
201. Prandaj Gjykata shënon, së pari, që kur kërkuesi është larguar nga Gulistani në qershor 1992, rregullat përkatëse që lejonin individët të transferonin të drejtat që kishin mbajtur më përpara në lidhje me tokën përfshirë shtëpitë individuale nuk ishin miratuar ende. Nuk është pretenduar që kërkuesi e ka shfrytëzuar këtë mundësi më pas. Meqenëse të drejtat e fituara prej tij sipas legjislacionit të vjetër nuk u shfuqizuan nga miratimi i Ligjit mbi Pronën i vitit 1991 dhe Kodi i Tokës i vitit 1992, e drejta mbi shtëpinë dhe tokën që ai posedonte në kohën e ikjes së tij duhet të vlerësohet duke iu referuar ligjeve të RSS të Azerbajxhanit.
202. Gjykata vëren që sipas këtyre ligjeve, posaçërisht sipas nenit 13 të Kushtetutës së vitit 1978 dhe nenit 10.3 të Kodit të Banimit të vitit 1983, shtetasit mund të kishin pronësi private të shtëpive të banimit. Prona personale dhe e drejta për ta trashëguar atë mbroheshin nga Shteti. Parcelat e tokës u shpërndaheshin shtetasve për qëllime të caktuara si bujqësia ose ndërtimi i shtëpive individuale. Në atë rast shtetasi kishte "të drejtën e shfrytëzimit" në lidhje me tokën. Kjo rrjedh sërish nga neni 13 i Kushtetutës së vitit 1978 dhe nga neni 4 i Kodit të Tokës. "E drejta e shfrytëzimit", edhe pse e detyronte përfituesin ta përdorte tokën për qëllimet për të cilat ajo ishte dhënë, mbrohej me ligj. Kjo nuk kontestohet nga Qeveria. Për më tepër, e drejta ishte e trashëgueshme.
203. Prandaj nuk ka dyshim që të drejtat dhënë kërkuesit në lidhje me shtëpinë dhe tokën ishin të drejta të mbrojtura të cilat përfaqësonin interes ekonomik substancial. Duke pasur parasysh kuptimin autonom të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1, e drejta e kërkuesit për pronë personale mbi shtëpinë dhe "e drejta e shfrytëzimit" e tij në lidhje me tokën përbënin "posedime" sipas asaj dispozite.
204. Qeveria parashtroi që nuk ishte miratuar asnjë ligj në lidhje me pronat e braktisura nga armenët që ikën nga Azerbajxhani për shkak të konfliktit. Ajo iu referua një përjashtimi, konkretisht Urdhrit të vitit 1991 (shih paragrafin 83 lart) duke shpjeguar që urdhri në fjalë i adresohej praktikës së këmbimit të pronave mes armenëve që iknin nga Azerbajxhani dhe azerbajxhanasve që iknin nga Armenia ose nga Nagorno-Karabakh dhe provincat përreth. Megjithatë, ajo shënoi që kjo nuk kishte të bënte me pronën e kërkuesit.
205. Si përfundim, në kohën e zhvendosjes së tij nga Gulistani, në qershor 1992, kërkuesi kishte të drejtën e shtëpisë dhe tokës të cilat përbënin posedime brenda kuptimit të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1. Nuk ka tregues që ato të drejta ishin shuar më pas, qoftë para ose pas ratifikimit të Konventës nga Azerbajxhani. Kështu, të drejtat pronësore të kërkuesit janë ende të vlefshme. Meqenëse kërkuesi rrjedhimisht ka posedime ekzistuese, nuk është e nevojshme të shqyrtohet nëse ai kishte gjithashtu "pritshmëri legjitime" për të transformuar të drejtat e tij në pronë private siç parashikohej nga Ligji mbi Pronën i vitit 1991.
B. Nëse ka pasur shkelje të vazhdueshme të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
206. Kërkuesi u shpreh se mohimi i të drejtës së tij për t’u kthyer në fshatin e Gulistanit dhe për të pasur qasje, kontroll, shfrytëzim dhe gëzim të pronës së tij ose për t’u kompensuar për humbjen e saj përbënte shkelje të vazhdueshme të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 (shih Sargsyan (dec.), cituar lart, § 149). Duke u mbështetur në praktikën gjyqësore të Gjykatës në lidhje me Qipron veriore, ai diskutoi që ai ende ishte pronari i ligjshëm i pronave të tij në Gulistan, por e kishte të pamundur kthimin atje pse marrjen e çdo kompensimi për ndërhyrjen në të drejtat e tij.
207. Kërkuesi pohoi që qysh prej hyrjes në fuqi të Konventës në vitin 2002 Qeveria përgjegjëse nuk kishte marrë asnjë hap të veçantë me qëllim të rikthimit të të drejtave të refugjatëve si puna e tij, posaçërisht për të siguruar të drejtën e tij për t’u kthyer në shtëpinë dhe tokën e tij ose për t’u kompensuar. Ai vërejti që e drejta e refugjatëve dhe personave të zhvendosur për t’u kthyer vullnetarisht ose për t’u kompensuar është mbështetur vazhdimisht në dokumentet e brendshme, përfshirë Parimet Themelore të Madridit të vitit 2007 të shtjelluara në kuadër të procesit të OSBE-së në Minsk (shih paragrafin 26 lart), në Rregulloret e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, rekomandimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian.
208. Për sa i përket natyrës dhe shkallës së detyrimeve të Qeverisë, kërkuesi sugjeroi që Gjykata të merrte parasysh standardet ndërkombëtare përkatëse, sidomos Parimet e Kombeve të Bashkuara mbi Banimin dhe Rikthimin e Pronave për Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur, të njohura edhe si Parimet Pinheiro (shih paragrafin 96 lart). Sipas mendimit të kërkuesit, Qeveria do të kishte në dispozicion një sërë masash. Këto masa mund të përfshinin krijimin e regjistrave pronësorë dhe një proces që lejonte që refugjatët dhe personat e zhvendosur të rivendosnin titujt ligjorë mbi pronat e para-luftës dhe të paraqisnin kërkesë për riposedimin e tyre. Një hap tjetër mund të ishte krijimi i një zone ndarjeje me marrëveshje për tërheqjen e ushtrive armike nga linja e armëpushimit e ndjekur nga vendosja e një zone të demilitarizuar nën autoritetin e një force paqeruajtëse ndërkombëtare. Kjo zonë më pas mund të bëhej vendi i parë ku mund të ndodhnin kthimet. Kërkuesi deklaroi që Qeveria as nuk kishte pretenduar që ishte përpjekur të merrte ndonjë masë të tillë.
(b) Qeveria përgjegjëse
209. Argumenti kryesor i Qeverisë përgjegjëse para vendimit mbi pranueshmërinë kishte qenë që ajo nuk kishte kontroll efektiv mbi Gulistanin dhe kështu nuk ishte në pozicion që t’i jepte kërkuesit qasje ndaj posedimeve të tij dhe, rrjedhimisht, nuk mund të mbahej përgjegjëse për shkeljen e vazhdueshme të pretenduar (shih Sargsyan (dec.), cituar lart, § 155).
210. Në procedurat e mëtejshme, Qeveria – duke iu përmbajtur qëndrimit të saj që ajo kishte vetëm përgjegjësi të kufizuar sipas Konventës në lidhje me Gulistanin sepse ajo nuk kishte kontroll të mjaftueshëm mbi atë zonë – parashtroi pikësëpari që ajo i kishte përmbushur detyrimet e mbetura pozitive sipas Nenit 1 të Konventës, si për sa u përket masave të përgjithshme ashtu edhe për sa u përket masave individuale. Qeveria theksoi se ajo e kundërshtonte me vendosmëri pushtimin e paligjshëm të Nagorno-Karabakh dhe provincave përreth nga forcat armene. Paralelisht, ajo ishte përpjekur të rivendoste kontrollin mbi atë territor me anë të të gjitha mjeteve diplomatike në dispozicion, në mënyrë të veçantë duke marrë pjesë në bisedimet e paqes në kuadër të Grupit të OSBE-së në Minsk. Bashkëkryetarët e atij grupi mbanin takime të rregullta me Ministrat e Jashtëm dhe Presidentët e Armenisë dhe Azerbajxhanit. Për sa u përket masave individuale që kërkohej të merreshin për të adresuar situatën e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, Qeveria iu referua Urdhrit të vitit 1991 (shih paragrafin 83 lart) i cili legalizonte këmbimin e pronave private mes azerëve të ikur nga Armenia, Nagorno-Karabakh dhe provincat përreth dhe armenëve të ikur nga Azerbajxhani. Ky ishte një hap i marrë për të adresuar situatën e tërë të emergjencës së jashtëzakonshme të krijuar nga prurjet masive të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit. Megjithatë, sipas njohurive të Qeverisë, kërkuesi nuk kishte qenë i përfshirë në një këmbim të tillë.
211. Përndryshe, në qoftë se Gjykata do të vendoste që Qeveria ka pasur përgjegjësi të plotë sipas Konventës, ajo e pranonte që refuzimi i qasjes së kërkuesit në Gulistan mund të shihej si ndërhyrje tek të drejtat e tij sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës.
212. Ajo pohoi që refuzimi për t’i dhënë cilitdo shtetas të çfarëdo kombësie qasje në Gulistan justifikohej nga situata e sigurisë në atë zonë. Çdo ndërhyrje tek të drejtat e kërkuesit ishte e ligjshme dhe i shërbente interesit të përgjithshëm. Në lidhje me këtë, Qeveria shënoi që forcat e armatosura të Azerbajxhanit, statusi i të cilave u rregullua me Ligjin e vitit 1993 mbi Forcat e Armatosura të Republikës së Azerbajxhanit, ishin përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të Azerbajxhanit dhe për garantimin e sigurisë së banorëve të tij. Qasja në Gulistan, i cili ndodhej brenda zonës së operacioneve ushtarake, ishte e ndaluar me anë të një Urdhri të Ministrit të Mbrojtjes, të cilin ajo nuk mund ta zbulonte sepse ishte rreptësisht konfidencial. Baza ligjore që i jepte pushtet Ministrit të Mbrojtjes për të lëshuar urdhra të tilla gjendej në nenin 7 paragrafi 2(11) të Ligjit të Mbrojtjes së Republikës së Azerbajxhanit. Gjatë përmbushjes së misionit të tyre të përmendur më lart, forcat e armatosura të Azerbajxhanit duhet të vepronin në përputhje me Konventën dhe me të drejtën humanitare ndërkombëtare. Kështu ato ishin përgjegjëse për minimizimin e lëndimeve të mundshme ndaj civilëve duke i parandaluara këto të fundit që të hynin në zonat e rrezikshme. Në fakt, lejimi i civilëve që të hynin në fshat mund të shihej si shkelje e detyrimit të Azerbajxhanit për të mbrojtur jetën e tyre sipas Nenit 2 të Konventës. Ishte e qartë se Gulistani ndodhej në një zonë të rrezikshme, duke marrë parasysh praninë e minave të tokës dhe rrezikun e veprimeve luftarake.
213. Më tej, Qeveria iu referua çështjes së Doğan dhe të Tjerë (cituar lart) duke shënuar që, në raste të tilla, Gjykata ishte përqendruar mbi çështje të proporcionalitetit të ndërhyrjes. Ajo diskutoi që çështja në fjalë dallonte nga Doğan dhe të Tjerë, në të cilën Gjykata kishte gjetur shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe Nenit 8 të Konventës. Ajo theksoi në thelb që kërkuesi në rastin konkret nuk ishte person i zhvendosur brenda vendit. Ai ishte duke jetuar në Armeni dhe kështu hynte brenda juridiksionit të saj. Prandaj Qeveria përgjegjëse kishte bërë përpjekje të konsiderueshme për t’u kujdesur për nevojat e qindra mijëra personave të zhvendosur brenda vendit duke u ofruar atyre në mënyrë të veçantë banim dhe një sërë shërbimesh sociale. Megjithatë, meqenëse kërkuesi jetonte në Armeni ajo nuk kishte qenë në pozicion që t’i ofronte atij ndihmë praktike.
(c) Qeveria armene, ndërhyrëse e palës së tretë
214. Qeveria ndërhyrëse qe dakord me argumentet e paraqitura nga kërkuesi.
2. Vlerësimi i Gjykatës
215. Gjykata e konsideron të dobishme të bëjë disa vërejtje hyrëse. Siç thuhet në vendimin e pranueshmërisë në çështjen në fjalë (Sargsyan (dec.), cituar lart, §§ 89-91) dhe një konsideratat e mësipërme, pranimi i kompetencës ratione temporis të Gjykatës bazohet mbi gjetjen që kërkuesi ende mban të drejta të vlefshme pronësore mbi shtëpinë dhe tokën në Gulistan (shih paragrafin 205 lart). Ndryshe prej kësaj, zhvendosja e kërkuesit nga Gulistani në qershor 1992 është jashtë kompetencës ratione temporis të Gjykatës (Sargsyan (dec.), cituar lart, § 91). Rrjedhimisht, ajo që duhet të shqyrtohet në rastin konkret është nëse Qeveria përgjegjëse i ka shkelur të drejtat e kërkuesit në situatën vijuese, e cila është rezultat i drejtpërdrejtë i konfliktit të pazgjidhur mbi Nagorno-Karabakh mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
216. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren që kërkuesi është një prej qindra mijëra armenëve që kanë ikur nga Azerbajxhani gjatë konfliktit duke lënë pas prona dhe shtëpi. Momentalisht, më shumë se një mijë kërkesa individuale të bëra nga persona që janë zhvendosur gjatë konfliktit janë në pritje para Gjykatës, ku pak më shumë se gjysma drejtohen kundër Armenisë dhe pjesa tjetër kundër Azerbajxhanit. Ndërkohë që çështjet e ngritura hyjnë brenda juridiksionit të Gjykatës siç përkufizohen në Nenin 32 të Konventës, është përgjegjësi e dy Shteteve të përfshira në konflikt që të gjejnë zgjidhje politike të konfliktit (shih, mutatis mutandi, Kovačić dhe të Tjerë kundër Sllovenisë, nr. 44574/98, nr. 45133/98 dhe nr. 48316/00, §§ 255-256, 3 tetor 2008; Demopoulos dhe të Tjerë (cituar lart, § 85). Zgjidhjet gjithëpërfshirëse për çështje të tilla si kthimi i refugjatëve në vendbanimet e tyre të mëparshme, riposedimi i pronës së tyre dhe/ose pagesa e kompensimit mund të arrihen vetëm me anë të një marrëveshjeje për paqe. Në fakt, para anëtarësimit të tyre në Këshillin e Evropës, Armenia dhe Azerbajxhani morën përsipër të zgjidhnin konfliktin e Nagorno-Karabakh me mjete paqësore (shih paragrafin 76 lart). Megjithëse janë zhvilluar negociata në kuadër të Grupit të OSBE-së në Minsk, kanë kaluar më shumë se njëzet vjet që nga marrëveshja e armëpushimit në maj 1994 dhe më shumë se dymbëdhjetë vjet që nga hyrja e Azerbajxhanit dhe Armenisë në Konventë më 15 dhe 26 prill 2002, respektivisht, pa asnjë zgjidhje politike në horizont. Jo më larg se në qershor të vitit 2013 Presidentët e vendeve Bashkëkryetare të Grupit të Minsk – Franca, Federata Ruse dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kanë shprehur "shqetësim të thellë që, në vend që të përpiqen të gjejnë një zgjidhje mbi bazën e interesave të përbashkëta, palët kanë vazhduar të kërkojnë avantazh të njëanshëm në procesin e negocimit" (shih paragrafin 28 lart). Gjykata nuk mund të mos shënojë që respektimi i zotimit të lartpërmendur të anëtarësimit është ende i papërmbushur.
(a) Rregulla e zbatueshme e Nenit 1 të Protokollit Nr. 1
217. Gjykata përsërit që Neni 1 i Protokollit Nr. 1 përmban tri rregulla të qarta. Rregulla e parë, e cila ndodhet në fjalinë e parë të paragrafit të parë, është e natyrës së përgjithshme dhe shqipton parimin e gëzimit paqësor të pasurisë. Rregulla e dytë, që ndodhet në fjalinë e dytë të paragrafit të parë, ka të bëjë me privimin nga prona dhe parashtron disa kushte të veçanta. Rregulla e tretë, e shtruar në paragrafin e dytë, njeh faktin që Shtetet Kontraktuese kanë të drejtë, mes të tjerash, të kontrollojnë përdorimin e pasurisë në përputhje me interesin e përgjithshëm, duke zbatuar ligje të atilla që ato i vlerësojnë të nevojshme për qëllimin. Megjithatë, rregullat nuk janë "të ndryshme" në kuptimin e të qenit të palidhura. Rregulla e dytë dhe e tretë kanë të bëjnë me rastet e veçanta të ndërhyrjes tek e drejta për gëzimin paqësor të pasurisë dhe prandaj do të duhej të kuptoheshin nën dritën e parimit të përgjithshëm të shqiptuar në rregullën e parë (shih, mes shumë autoriteteve të tjera, Broniowski kundër Polonisë [GC], nr. 31443/96, § 134, ECHR 2004‑V).
218. Gjykata shënon që palët nuk kanë komentuar mbi rregullën e zbatueshme në këtë çështje. Ajo përsërit gjetjen e saj që kërkuesi nuk është privuar nga të drejtat e tij në lidhje me shtëpinë dhe tokën në Gulistan. Rrjedh që çështja nuk ka të bëjë me privimin nga pasuria në kuptim të fjalisë së dytë të paragrafit të parë të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1. As nuk është pretenduar që situata për të cilën është ngritur ankesa ka qenë rezultat i ndonjë mase që synonte kontrollimin e përdorimit të pronës. Prandaj Gjykata konsideron që situata për të cilën ankohet kërkuesi i bie të shqyrtohet sipas fjalisë së parë të paragrafit të parë, sepse ajo ka të bëjë me një kufizim të së drejtës së kërkuesit për gëzimin paqësor të pasurisë së tij (shih, Loizidou (themelet), cituar lart, § 63; Qipro kundër Turqisë [GC], nr. 25781/94, § 187, ECHR 2001‑IV; Doğan dhe të Tjerë, cituar lart, § 146).
(b) Natyra e shkeljes së pretenduar
219. Objekti thelbësor i Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 është të mbrojë personin kundër ndërhyrjes së pajustifikuar të Shtetet tek gëzimi paqësor i pasurisë së tij ose të saj. Megjithatë, për shkak të Nenit 1 të Konventës, secila Palë Kontraktuese "i garanton secilit brenda juridiksionit të [vet] të drejtat dhe liritë e përkufizuara në [Konventë]." Ekzekutimi i kësaj detyre të përgjithshme mund të ngërthejë detyrime pozitive që në vetvete përmbajnë të siguruarit e ushtrimit efektiv të të drejtave të garantuara nga Konventa. Në kontekstin e Nenit 1 të Protokollit Nr. 1, këto detyrime pozitive mund të kërkojnë që Shteti të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtën e pronës (shih Broniowski, cituar lart, § 143; Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, nr. 48553/99, § 96, ECHR 2002‑VII).
220. Megjithatë, kufijtë e detyrimeve pozitive dhe negative të Shtetit sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 nuk i nënshtrohen një përkufizimi të saktë. Parimet e zbatueshme sidoqoftë janë të ngjashme. Pavarësisht nëse një çështje analizohet në aspektin e detyrës pozitive të Shtetit apo në aspektin e ndërhyrjes nga një autoritet publik e cila duhet të justifikohet, kriteret që duhen zbatuar nuk dallojnë në thelb. Në të dy kontekstet duhet pasur parasysh ekuilibri i drejtë që duhet të gjindet mes interesave konkurruese të individit dhe të komunitetit në tërësi. Njëkohësisht është e vërtetë se qëllimet e përmendura në atë dispozitë mund të kenë njëfarë rëndësie gjatë vlerësimit nëse është gjendur ekuilibri mes kërkesave të interesit publik të përfshirë dhe të drejtës themelore pronësore të kërkuesit. Në të dy kontekstet Shteti gëzon një hapësirë të caktuar vlerësimi në përcaktimin e hapave që duhen ndërmarrë për të siguruar respektimin e Konventës (Broniowski, cituar lart, § 144).
221. Gjykata shënon që kërkuesi ankohet që ai është ndaluar nga qasja në pronat e tij në Gulistan dhe që Qeveria përgjegjëse ka dështuar në ofrimin e kompensimit për ndërhyrjen tek të drejtat e tij. Kështu e ka formuluar kërkuesi ankesën e tij për sa i përket ndërhyrjes. Po kështu, Qeveria, në rast se Gjykata e rrëzon argumentin e saj që ajo ka vetëm përgjegjësi të kufizuar sipas Nenit 1 të Konventës, iu adresua ankesave të kërkuesit si të atilla që drejtohen kundër një ndërhyrjeje tek të drejtat e tij pronësore.
222. Në disa çështje të krahasueshme Gjykata ka shqyrtuar ankesa të refugjatëve ose personave të zhvendosur në lidhje me mungesën e qasjes në dhe gëzimin e pasurisë si ndërhyrje tek të drejtat e tyre sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 (shih, për shembull, Loizidou (themelet), cituar lart, § 63; Qipro kundër Turqisë, cituar lart, § 187; Doğan dhe të Tjerë, cituar lart, § 143). Në rastin konkret, Gjykata nuk e konsideron të përshtatshme të ndjekë këtë qasje për arsyet në vijim.
223. Çështja në fjalë dallon nga çështjet në lidhje me Qipron veriore në të cilat Qeveria turke u mbajt përgjegjëse për refuzimin e qasjes së pronarëve greko-qipriotë në pronat e tyre të ndodhura në “TRNC” e cila ndodhej nën kontroll efektiv të Qeverisë turke si rezultat i pushtimit dhe ngritjes së një administrate vartëse lokale. Në ato çështje ndërhyrja tek të drejtat pronësore të pronarëve greko-qipriotë lidhej ngusht me faktin e pushtimit dhe vendosjes së “TRNC” (Loizidou, cituar lart, §§ 52-56 dhe 63; Qipro kundër Turqisë, cituar lart, §§ 75-80 dhe § 187). Ndryshe nga ky rast, pika e nxehtë në çështjen në fjalë ka të bëjë me veprimet ose mosveprimet e Qeverisë përgjegjëse brenda territorit të vet ndërkombëtarisht të njohur.
224. Çështja në fjalë është çështja e parë në të cilën Gjykatës i është dashur të vendosë mbi themelet e një ankese kundër një Shteti, i cili ka humbur kontrollin mbi një pjesë të territorit të vet si rezultat i luftës dhe pushtimit, por për sa i përket zonës që mbetet nën kontrollin e tij pretendohet të jetë përgjegjës për refuzimin e qasjes në pasurinë e një personi të zhvendosur. Të vetmet çështje të cilat do të ishin të krahasueshme me çështjen në fjalë janë disa kërkesa kundër Republikës së Qipros të depozituara nga turko-qipriotë që po ashtu ngrenë ankesa lidhur me mungesën e qasjes në pronat dhe shtëpitë që ndodhen në zonat që mbeten nën kontrollin e Qeverisë qipriote. Megjithatë, këto kërkesa nuk e kanë arritur fazën e shqyrtimit të themeleve sepse ose janë zgjidhur (Sofi kundër Qipros (dec.), nr. 18163/04, 14 janar 2010) ose janë rrëzuar për mos-shterimin e mjeteve vendase në dispozicion në Republikën e Qipros në lidhje me pronat e braktisura (shih, në mënyrë të veçantë, Niazi Kazali dhe Hakan Kazali (dec.), cituar lart, §§ 152-153).
225. Në çështjen e Doğan dhe të Tjerë (cituar lart), fshatarët të cilët ishin përzënë nga fshati i tyre në rajonin në gjendje emergjence të Turqisë juglindore në kontekstin e përballjeve të dhunshme mes forcave të sigurisë dhe anëtarëve të PKK (Partia e Punëtorëve e Kurdistanit), u ndaluan nga autoritetet që të ktheheshin për rreth nëntë vjet mbi bazën e incidenteve terroriste në fshat dhe rreth tij (ibid., §§ 142-143). Vlen të shënohet që, megjithëse analizoi ankesat e fshatarëve në lidhje me refuzimin e qasjes në pronat e tyre në fshat në aspekt të ndërhyrjes, Gjykata eventualisht i la të hapura çështjet nëse ndërhyrja tek e drejta e tyre për gëzimin paqësor të pasurive ishte e ligjshme dhe kishte një qëllim legjitim dhe e përqendroi shqyrtimin e saj mbi çështjen e proporcionalitetit (ibid., §§ 147-149).
226. Duke pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë, Gjykata e konsideron të përshtatshme të shqyrtojë ankesën e kërkuesit me qëllim që të konstatojë nëse Qeveria përgjegjëse ka vepruar në përputhje me detyrimet e saj pozitive sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1. Prandaj ajo do të përqendrojë shqyrtimin e saj mbi çështjen nëse është arritur një ekuilibër i drejtë mes kërkesave të interesit publik dhe të drejtës themelore pasurore të kërkuesit.
(c) Nëse është arritur një ekuilibër i drejtë mes kërkesave të interesit publik dhe të drejtës së kërkuesit për gëzimin paqësor të pasurive të tij
227. Gjatë transpozimit të parimeve të zhvilluara në praktikën e saj gjyqësore në rrethanat e veçanta të çështjes në fjalë, Gjykata konsideron që si ndërhyrja tek gëzimi paqësor i pasurive të kërkuesit ashtu edhe abstenimi nga të vepruarit duhet të gjejnë një ekuilibër të drejtë mes konsideratave të sigurisë që ka parasysh Gjykata dhe kritereve për mbrojtjen e të drejtave themelore të kërkuesit. Gjykata përsërit që interesimi për ta arritur këtë ekuilibër pasqyrohet në strukturën e Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 në tërësi. Në mënyrë të veçantë, duhet të ekzistojë një marrëdhënie e arsyeshme proporcionaliteti mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të realizohet përmes mjeteve të zbatuara nga Shteti, përfshirë edhe masat që e privojnë personin nga pasuria e tij. Prandaj në secilën çështje që ka të bëjë me shkeljet e pretenduara të atij Neni Gjykata duhet të konstatojë nëse për shkak të veprimit ose mosveprimit të Shtetit personit në fjalë i është dashur të bartë një barrë të tepërt dhe jo proporcionale (Broniowski, cituar lart, § 150 me referenca të mëtejshme). Gjatë vlerësimit të respektimit të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 Gjykata duhet të bëjë një shqyrtim të tërësishëm mbi interesat e ndryshme të përfshira, duke pasur parasysh që Konventa synon të mbrojë të drejtat që janë "praktike dhe efektive". Ajo duhet të shohë përtej dukjeve dhe të hetojë realitetet e situatës për të cilën është ngritur ankesa (ibid., § 151).
228. Gjykata konsideron që ankesa e kërkuesit ngre dy çështje, së pari nëse Qeveria përgjegjëse ka detyrimin që t’i lejojë atij qasje në shtëpinë dhe tokën e tij në Gulistan, dhe së dyti nëse ajo ka për detyrë të marrë çdo masë tjetër për të mbrojtur pasurinë e kërkuesit dhe/ose për ta kompensuar atë për humbjen e shfrytëzimit të saj.
229. Në lidhje me çështjen e qasjes në pronat e kërkuesit në Gulistan, Gjykata vëren se situata e përgjithshme e konfliktit të pazgjidhur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit mund ta bëjë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, udhëtimin për në Azerbajxhan, e jo më qasjen në pronë, për një person në pozicionin e kërkuesit. Megjithatë, argumentet e palëve u përqendruan tek situata e përgjithshme në Gulistan. Gjykata do ta fokusojë shqyrtimin e saj edhe mbi këtë pikë.
230. Qeveria diskutoi në mënyrë të veçantë që refuzimi për t’u lejuar civilëve qasje në Gulistan justifikohej me situatën e sigurisë në fshat dhe rreth tij. Duke iu referuar shkurtimisht detyrimeve të saj sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, Qeveria u mbështet kryesisht tek interesat e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare dhe në detyrimin e saj sipas Nenit 2 të Konventës për të mbrojtur jetën kundër rreziqeve të minave të tokës ose aktivitetit ushtarak.
231. Qeveria nuk ka paraqitur argumente të hollësishme në lidhje me pretendimin e saj që refuzimi i saj për t’u lejuar civilëve qasje në Gulistan është bazuar në të drejtën ndërkombëtare humanitare. Gjykata vëren që e drejta ndërkombëtare humanitare përmban rregulla mbi zhvendosjen e detyruar në territore të pushtuara por nuk adreson shprehimisht çështjen e qasjes së personave të zhvendosur në shtëpitë ose pasuri të tjera. Neni 49 i Konventës së Katërt të Gjenevës (shih paragrafin 95 lart) ndalon transferimet ose dëbimet e detyruara individuale ose masive drejt ose nga territori i pushtuar, duke lejuar evakuimin e një zone të dhënë vetëm në qoftë se kërkohet për shkak të sigurisë së popullatës ose për arsye emergjente ushtarake; në atë rast, personat e zhvendosur kanë të drejtë të kthehen sapo të kenë përfunduar luftimet në atë zonë. Megjithatë, këto rregulla nuk janë të zbatueshme në kontekstin në fjalë sepse ato zbatohen vetëm në territor të pushtuar, ndërsa Gulistani ndodhet në territorin ndërkombëtarisht të njohur të vetë Qeverisë përgjegjëse.
232. Ajo që është shumë me rëndësi në çështjen në fjalë është e drejta e personave të zhvendosur për t’u kthyer vullnetarisht dhe në sigurinë e shtëpive të tyre ose vendbanimeve të zakonshme sapo të kenë përfunduar së ekzistuari arsyet për zhvendosjen e tyre, gjë që shihet si rregullë e së drejtës ndërkombëtare humanitare që zbatohet në të gjitha territoret pavarësisht nëse janë "të pushtuara" apo "të vetat" (Rregulla 132 e Studimit të ICRC mbi të Drejtën Ndërkombëtare Zakonore – shih paragrafin 95 lart). Megjithatë, mund të jetë e debatueshme nëse arsyet për zhvendosjen e kërkuesit kanë pushuar së ekzistuari. Për ta përmbledhur, Gjykata vëren që e drejta ndërkombëtare humanitare nuk duket se ofron një përgjigje konkluzive për pyetjen nëse Qeveria është e justifikuar për refuzimin e qasjes së kërkuesit në Gulistan.
233. Mbi bazën e provave para saj Gjykata ka konstatuar që Gulistani ndodhet në një zonë aktivitetesh ushtarake. Të paktën zona rreth tij është e minuar dhe armëpushimi shkelet shpesh. Nuk është pretenduar dhe nuk ka tregues që kjo situatë ka ndryshuar në mënyrë domethënëse në periudhën nga hyrja në fuqi e Konventës deri në ditët e sotme. Sido që të jetë, nuk ka shenja që situata është përmirësuar. Përkundrazi, provat para Gjykatës tregojnë rritje të aktiviteteve ushtarake dhe të shkeljeve të armëpushimit në atë zonë. Gjykata e pranon që refuzimi i qasjes në Gulistan për civilët, përfshirë kërkuesin, justifikohet nga konsideratat e sigurisë, posaçërisht kufizimi i qasjes në zona të minuara dhe mbrojtja e civilëve nga rreziqet ekzistuese në një zonë të tillë (shih, mutatis mutandis, Oruk kundër Turqisë, nr. 33647/04, §§ 58-67, 4 shkurt 2014, lidhur me detyrimin e Shtetit sipas Nenit 2 të Konventës për të marrë masat e duhura për të mbrojtur civilët që banojnë afër zonave të qitjeve ushtarake nga rreziqet si pasojë e municioneve të pashpërthyera). Do të ishte jo realiste në këtë kohë të pritej që Qeveria e Azerbajxhanit t’i siguronte kërkuesit qasje në ose ri-posedim të pasurisë së tij në Gulistan pavarësisht nga fakti që ai ndodhet në një zonë ushtarakisht të ndijshme (shih, mutatis mutandis, Demopoulos dhe të Tjerë (dec.), cituar lart, § 112).
234. Megjithatë, Gjykata konsideron se, për sa kohë që qasja në pasurinë e tij nuk është e mundur, Shteti ka për detyrë të marrë masa alternative për të siguruar të drejtat e tij pronësore. Gjykata i referohet në atë aspekt çështjes së Doğan dhe të Tjerë në lidhje me zhvendosjen brenda vendit të fshatarëve, në të cilën ajo shqyrtoi me hollësi masat e marra nga Qeveria turke me qëllim të lehtësimit të kthimit në fshatra ose të dhënies personave të zhvendosur brenda vendit (ang. IDP) banesa alternative ose forma të tjera të ndihmës (cituar lart, §§ 153-156). Gjykata do të theksonte që detyrimi për të marrë masa alternative nuk varet nga fakti nëse një Shtet mund të mbahet përgjegjës për vetë zhvendosjen. Në Doğan dhe të Tjerë Gjykata shënoi që ajo nuk mund të përcaktonte shkakun e saktë të zhvendosjes së kërkuesve dhe prandaj duhet t’i kufizonte konsideratat e saj mbi shqyrtimin e ankesave të tyre lidhur me mohimin e qasjes në pasuritë e tyre (ibid. § 143). Se cilat masa duhet të merren varet nga rrethanat e çështjes.
235. Gjykata do të shqyrtojë nëse Qeveria ka marrë masa për mbrojtjen e të drejtave pronësore të kërkuesit. Qeveria pohoi në mënyrë të veçantë që ajo ishte duke marrë pjesë në bisedime për paqe. Më tej, ajo theksoi se ajo duhet të kujdesej për nevojat e një numri tepër të madh të IDP. Meqenëse kërkuesi nuk ishte më i pranishëm në Azerbajxhan ajo nuk mund t’i ofronte atij ndihmë. Nga ana e tij, kërkuesi pretendoi që Qeveria nuk kishte marrë asnjë prej masave që duhet të merrte për të mbrojtur ose për të rikthyer të drejtat e tij pronësore, sikur të kishte vepruar në përputhje me standardet ndërkombëtare mbi kthimin e banesave dhe pronave personave të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatëve.
236. Për sa i përket faktit që Qeveria pohoi se është duke marrë pjesë në bisedimet për paqe, Gjykata vëren se e drejta e të gjithë personave të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatëve për t’u kthyer në vendbanimet e mëparshme është një nga elementet e përmbajtura në Parimet Themelore të Madridit të vitit 2007 të cilat janë shtjelluar në kuadër të Grupit të OSBE-së në Minsk (shih paragrafin 26 lart) dhe formojnë bazën e negociatave të paqes. Prandaj ngrihet çështja nëse është e mjaftueshme që Qeveria të marrë pjesë në këto negociata për të përmbushur detyrën e saj për të gjetur një ekuilibër të drejtë mes interesave konkurruese publike dhe atyre individuale. Ndërkohë që Gjykata vetëm mund ta theksojë rëndësinë e këtyre negociatave, ajo tashmë ka vërejtur që ato kanë mbi njëzet vjet që vazhdojnë që nga armëpushimi në maj 1994 dhe më shumë se dymbëdhjetë vjet prej hyrjes në fuqi të Konventës në lidhje me Azerbajxhanin dhe ende nuk kanë dhënë rezultate konkrete.
237. Gjykata konsideron që thjesht fakti që negociatat e paqes vazhdojnë nuk e shlyen Qeverinë nga marrja e masave të tjera, posaçërisht kur negociatat janë pezull për një kohë kaq të gjatë (shih, mutatis mutandis, Loizidou, cituar lart, § 64; Qipro kundër Turqisë, cituar lart, § 188). Në këtë pikë Gjykata i referohet Rezolutës 1708 (2010) mbi "Zgjidhjen e çështjeve pronësore të refugjatëve dhe personave të zhvendosur" të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e cila, duke u mbështetur mbi standardet ndërkombëtare përkatëse, u bën thirrje shteteve anëtare të "garantojnë zgjidhje të kohshme dhe efektive për humbjen e qasjes dhe të drejtës mbi shtëpitë, tokat dhe pasuritë e braktisura nga refugjatët dhe IDP pavarësisht nga negociatat e vazhdueshme për zgjidhjen e konflikteve të armatosura mbi statusin e një territori të caktuar" (shih paragrafin 98 lart).
238. Orientimi rreth masave që Qeveria përgjegjëse mund dhe duhet të marrë për të mbrojtur të drejtat pronësore të kërkuesit mund të nxirret nga standardet ndërkombëtare përkatëse, veçanërisht nga parimet Pinheiro të OKB-së (shih paragrafin 96 lart) dhe Rezoluta e lartpërmendur e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në fazën e tanishme, dhe në pritje të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe, do të dukej posaçërisht me rëndësi ngritja e një mekanizmi të kërkesave pronësore, i cili të jetë lehtë i përdorshëm dhe të ofrojë procedura që veprojnë në bazë të standardeve të lakueshme të provave, duke lejuar që kërkuesit dhe të tjerëve në situatën e tij t’u rikthehen të drejtat e tyre pasurore dhe të marrin kompensim për humbjen e gëzimit të atyre pasurive.
239. Gjykata është plotësisht e vetëdijshme që Qeverisë përgjegjëse i është dashur t’u ofrojë ndihmesë mijëra personave të zhvendosur brenda vendit, kryesisht atyre azerëve që janë detyruar të iknin nga Armenia, nga Nagorno-Karabakh dhe shtatë qarqet e pushtuara përreth. Në fakt, Qeveria kishte theksuar se ajo kishte bërë përpjekje të konsiderueshme për t’u ofruar personave të zhvendosur brenda vendit strehim dhe mjete të tjera ndihmëse. E vetmja masë e treguar nga Qeveria nga e cila refugjatët armenë potencialisht mund të përfitonin është Urdhri i vitit 1991 që legalizonte këmbimin e pronave mes individëve. Edhe sikur të supozohej që këto këmbime të pronave mund të ishin të pranueshme sipas Konventës, Gjykata shënon që kërkuesi nuk ka qenë i përfshirë në një këmbim të tillë.
240. Gjykata konsideron që, ndërkohë që nevoja për t’u kujdesur për një grup shumë të madh personash të zhvendosur brenda vendit është faktor i rëndësishëm për t’u peshuar, mbrojtja e këtij grupi nuk e përjashton Qeverinë krejtësisht nga detyrimet e saj ndaj një grupi tjetër, pra grupi i armenëve siç është kërkuesi që janë detyruar të iknin gjatë konfliktit. Në këtë pikë Gjykata i referohet parimeve të mos-diskriminimit të renditura në nenin 3 të parimeve të lartpërmendura Pinheiro. Së fundi, Gjykata vëren që situata ka vazhduar të ekzistojë për një periudhë tepër të gjatë.
241. Si përfundim, Gjykata konsideron që pamundësia e kërkuesit për të pasur qasje në pronat e tij në Gulistan me Qeverinë që nuk mori asnjë masë alternative për të rikthyer të drejtat e tij pasurore ose për t’i ofruar atij kompensim për humbjen e gëzimit të pasurisë së vet, vendosi dhe vazhdon të vendosë një barrë të tepërt mbi të.
242. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të vazhdueshme të të drejtave të kërkuesit sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
V. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 8 TË KONVENTËS
243. Kërkuesi u ankua që mohimi i të drejtës së tij për t’u kthyer në fshatin e Gulistanit dhe për të pasur qasje në shtëpinë e tij dhe varret e të afërmve të tij përbën shkelje të vazhdueshme të Nenit 8 të Konventës i cili thotë si vijon:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve."
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
244. Kërkuesi u shpreh se ai ishte lindur dhe rritur në Gulistan dhe kishte jetuar atje në shtëpinë e tij me familjen e tij që nga fillimi i viteve ‘60 e deri në qershor të vitit 1992. Ai iu referua provave të paraqitura në mbështetje të ankesës së tij sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1. Më tej, ai iu referua kopjes së pasaportës së tij të vjetër, e cila konfirmonte që ai kishte lindur në Gulistan në vitin 1929 dhe të certifikatës së tij të martesës e cila tregonte që ai ishte martuar në Gulistan në vitin 1955, duke theksuar se ai tashmë i kishte paraqitur të dy dokumentet në kohën kur ka depozituar ankesën. Për më tepër, ai deklaroi që ai nuk kishte më mundësi të paraqiste një kopje të plotë të pasaportës së tij të dikurshme sovjetike (përfshirë faqen me vulën e regjistrimit që tregonte se ai jetonte në Gulistan) sepse ajo pasaportë ishte shkatërruar në vitin 2002 kur ai kishte marrë pasaportën armene.
245. Kërkuesi argumentoi që zbatueshmëria e Nenit 8 varej nga ekzistenca e "lidhjeve të mjaftueshme dhe të vazhdueshme me një vend të caktuar" ose "lidhje konkrete dhe të thella me pasurinë në fjalë", kritere të cilat ai i plotësonte në lidhje me shtëpinë e tij në Gulistan. Siç rridhte nga praktika gjyqësore e Gjykatës në lidhje me Qipron veriore, këto lidhje nuk ishin ndërprerë si pasojë e mungesës së tij të zgjatur e të pavullnetshme. Ai shtoi se ky vlerësim e bashkë me të zbatueshmëria e Nenit 8 ishin të pavarur nga çështja e pronësisë së "shtëpisë" në fjalë. Në lidhje me varret e të afërmve të tij, ai argumentoi që mohimi i qasjes në to shkelte të drejtën e tij për respekt për "jetë private dhe familjare" që garantohet nga Neni 8. Ai pohoi që përveç faktit që ai nuk kishte mundësi të vizitonte varret e të afërmve të tij, ai vuante në mënyrë të veçantë për shkak të pasigurisë lidhur me fatin e tyre.
246. Përfundimisht, kërkuesi argumentoi që refuzimi i qasjes në shtëpinë e tij ose i dhënies së kompensimit, dhe mohimi i qasjes në varret e të afërmve të tij dhe pasiguria rezultuese lidhur me fatin e tyre përbënte shkelje të vazhdueshme të Nenit 8 të Konventës.
2. Qeveria përgjegjëse
247. Qeveria përgjegjëse deklaroi që kërkuesi nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të treguar se ai faktikisht kishte jetuar në Gulistan ose që kishte shtëpi atje. Ajo shpjegoi që sipas sistemit sovjetik të regjistrimit të banimeve (sistemi propiska) i cili kërkonte që secili të regjistrohej në vendbanimin e vet, regjistrimi shënohej në pasaportën e brendshme të secilit person me anë të një vule regjistrimi dhe në arkivat e autoriteteve lokale. Në rastin konkret, arkivat përkatëse ishin shkatërruar gjatë luftimeve dhe kopja e atyre faqeve të pasaportës së mëparshme sovjetike të kërkuesit të cilën ai e kishte paraqitur nuk mbante vulë regjistrimi.
248. Për sa i përket zbatueshmërisë së Nenit 8 Qeveria pranoi që qasja në shtëpi dhe në varret e të afërmve hynte brenda nocioneve të "banesës" dhe "jetës private" e rrjedhimisht brenda fushëveprimit të Nenit 8. Megjithatë, duke iu referuar Demopulos dhe të Tjerë ((dec.), cituar lart, § 136), ajo pohoi që Neni 8 nuk zbatohej aty ku nuk kishte më "lidhje të vazhdueshme" me pasurinë në fjalë. Qeveria shprehu pikëpamjen se, edhe sikur të supozohej se kërkuesi kishte jetuar në Gulistan dhe kishte pasur shtëpi atje, ajo shtëpi ishte shkatërruar gjatë luftimeve në vitin 1992. Rrjedhimisht, kërkuesi nuk mund të pretendonte më se kishte lidhje të tilla të vazhdueshme me "shtëpinë" në Gulistan.
249. Për sa i përket ankesës së kërkuesit në lidhje me varret e të afërmve të tij Qeveria vërejti, së pari, që ai ishte ankuar në lidhje me shkatërrimin e pretenduar të varreve armene në Azerbajxhan por nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të treguar që kishte varre të familjarëve të tij në Gulistan dhe që këto varre ishin shkatërruar. Rrjedhimisht, ai nuk mund të pretendonte të ishte viktimë e shkeljes së pretenduar të Nenit 8 të Konventës. Në qoftë se këto varre vërtet do të kishin ekzistuar, ato me gjasë do të ishin shkatërruar gjatë luftimeve, pra para hyrjes në fuqi të Konventës, dhe prandaj kjo pjesë e ankesës ishte ratione temporis e papajtueshme.
250. Megjithatë, në qoftë se Gjykata do të arrinte në përfundimin që Neni 8 zbatohej, sepse kërkuesi kishte shtëpinë dhe varret e familjarëve në Gulistan, Qeveria diskutoi që ajo nuk mund të mbahej përgjegjëse për asnjë ndërhyrje të pretenduar tek të drejtat e tij. Duke pasur parasysh situatën e sigurisë në atë zonë ajo thjesht nuk ishte në pozicion të atillë që t’i ofronte kërkuesit, ose cilitdo civil, qasje në Gulistan.
3. Qeveria armene, ndërhyrëse e palës së tretë
251. Qeveria ndërhyrëse qe dakord me argumentet e paraqitura nga kërkuesi. Ajo nënvizoi që ishte e padiskutueshme që kërkuesi nuk kishte qasje në shtëpinë e tij në Gulistan dhe në varret e familjarëve të tij. Duke parë shkatërrimet masive të varrezave armene (për shembull shkatërrimi i varrezës së lashtë armene të Jugha në rajonin Nakhichevan të Azerbajxhanit) të të cilat ishin dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, kërkuesi jetonte në gjendje pasigurie dhe ankthi për sa u përkiste varreve të të afërmve të tij.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Nëse zbatohet Neni 8 i Konventës
252. Gjykata shënon që ankesa e kërkuesit përmbledh dy aspekte: mungesën e qasjes në shtëpinë e tij në Gulistan dhe mungesën e qasjes tek varret e familjarëve të tij. Qeveria e kontestoi statusin e viktimës për kërkuesin për sa i përket ankesës së tij në lidhje me varret e familjarëve të tij. Në vendimin e saj për pranueshmërinë Gjykata ia kishte bashkuar themeleve kundërshtimin e Qeverisë lidhur me statusin e viktimës së kërkuesit (Sargsyan (dec.), cituar lart, § 99).
253. Gjykata përsërit praktikën e saj gjyqësore të vendosur sipas së cilës "banesa" është koncept autonom i cili nuk varet nga klasifikimi i të drejtës vendase. Vlerësimi nëse një banesë e caktuar përbën "banesë" që hyn nën mbrojtjen e Nenit 8 § 1 varet nga rrethanat faktike, pra nga ekzistenca e lidhjeve të mjaftueshme dhe të vazhdueshme me një vend të caktuar (shih, për shembull, Prokopovich, cituar lart, § 36; Gillow kundër Mbretërisë së Bashkuar, 24 nëntor 1986, § 46, Seria A nr. 109).
254. Në çështje të krahasueshme Gjykata ka konsideruar që mungesa e tejzgjatur e pavullnetshme nuk ishte në gjendje të prishte lidhjen e banesën e një personi të zhvendosur (shih, Qipro kundër Turqisë, cituar lart, §§ 173-175; Doğan dhe të Tjerë, cituar lart, §§ 159-160). Megjithatë, praktika gjyqësore e Gjykatës kërkon që të ketë ekzistuar fillimisht një lidhje mjaft e fortë: për shembull, në Loizidou (cituar lart, § 66) Gjykata nuk pranoi që një pronë mbi të cilën kërkuesi kishte planifikuar të ndërtonte shtëpi për qëllime banimi përbënte "banesë" brenda kuptimit të Nenit 8 të Konventës. Në Demopoulos dhe të Tjerë ((dec.), cituar lart, §§ 136-137) Gjykata nuk pranoi që shtëpia familjare në atë kohë e një familjeje greko-qipriote mund të shihej gjithashtu si "banesë" në lidhje me një kërkuese, vajza, e cila ishte ende shumë e vogël kur familjes iu desh të ikte.
255. Më tej, Gjykata përsërit që koncepti i "jetës private" është term i gjerë që nuk i nënshtrohet përkufizimit definitiv. Mes të tjerash, ai përfshin të drejtën për të krijuar dhe zhvilluar marrëdhënie me qenie të tjera njerëzore dhe botën e jashtme (shih, për shembull, Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, § 61, ECHR 2002‑III). Ndërkohë që është thënë që ushtrimi i të drejtave nga Neni 8, përfshirë jetën private dhe familjare, ka të bëjë kryesisht me marrëdhëniet mes qenieve njerëzore të gjalla, nuk përjashtohet që këto nocione mund të përfshijnë edhe situata të caktuara pas vdekjes (shih, në mënyrë të veçantë, Jones kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 42639/04, 13 shtator 2005, në lidhje me refuzimin e autoriteteve për të lejuar kërkuesin të vendoste një gur përkujtimor me fotografi mbi varrin e vajzës së tij dhe Elli Poluhas Dödsbo kundër Suedisë, nr. 61564/00, § 24, ECHR 2006‑I, në lidhje me refuzimin e autoriteteve për ta lejuar kërkuesen të transferonte qypin që mbante hirin e bashkëshortit të saj të ndjerë nga një varrezë në tjetrën dhe Hadri‑Vionnet kundër Zvicrës, nr. 55525/00, § 52, 14 shkurt 2008, në lidhje me varrimin e fëmijës së lindur i vdekur të kërkueses nga autoritetet pa i dhënë asaj mundësinë të ishte e pranishme). Në një rast të kohëve të fundit, Gjykata ka gjetur që refuzimi i autoriteteve për të kthyer trupat e të afërmve të kërkuesit dhe urdhri për varrimin e tyre në një vend të panjohur, duke privuar kështu kërkuesit nga mundësia për të ditur vendndodhjen e varreve dhe për ta vizituar më pas, përbënte ndërhyrje në jetën e tyre private dhe familjare (shih, Sabanchiyeva dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 38450/05, §§ 122‑123, ECHR 2013 (pjesë të shkëputura)).
256. Në rastin konkret kërkuesi ka paraqitur prova, konkretisht një kopje të pasaportës së tij të dikurshme sovjetike dhe të certifikatës së tij të martesës, të cilat tregojnë se ai është lindur në Gulistan në vitin 1929 dhe është martuar atje në vitin 1955. Më tej, Gjykata e ka gjetur të konstatuar që kërkuesi ka qenë pronar i një shtëpie në Gulistan e cila, sado që e dëmtuar rëndë, ende ekziston edhe sot (shih paragrafin 197 lart). Pretendimi i tij që, pasi e ka ndërtuar shtëpinë në fillim të viteve ‘60, ai ka jetuar aty me familjen e tij deri kur ka ikur në qershor të vitit 1992 mbështetet nga disa deklarata dëshmitarësh. Së fundi, hartat e Gulistanit, paraqitur nga palët dhe nga Qeveria e palës së tretë, tregojnë që në fshat ka varreza. Meqenëse kërkuesi ishte nga Gulistani dhe shumë nga të afërmit e tij jetonin aty, është po ashtu e besueshme që në varrezat e fshatit ka pasur varre të të afërmve të tij të ndjerë.
257. Prandaj Gjykata pranon që kërkuesi ka pasur "banesë" në Gulistan, nga e cila është larguar në mënyrë të pavullnetshme në qershor të vitit 1992. Thelbi i ankesës së tij është pikërisht që ai nuk ka pasur mundësi të kthehet që nga ajo kohë. Në këto rrethana mungesa e tij e zgjatur nuk mund të konsiderohet që e ka ndërprerë lidhjen e tij të vazhdueshme me banesën e tij. Më tej, Gjykata e gjen të konstatuar që kërkuesi ka jetuar në Gulistan pjesën më të madhe të jetës së tij dhe prandaj duhet të jetë krijuar shumicën lidhjeve të tij shoqërore atje. Rrjedhimisht, pamundësia e tij për t’u kthyer në fshat gjithashtu ndikon në "jetën e tij private". Së fundi, Gjykata konsideron që, në rrethanat e çështjes, lidhja kulturore dhe fetare e kërkuesit me varret e të afërmve të tij të ndjerë në Gulistan mund të hyjë po ashtu brenda nocionit të "jetës private dhe familjare". Në përmbledhje, pamundësia e kërkuesit për t’u kthyer në vendbanimin e tij të mëparshëm ndikon në "jetën private dhe familjare" dhe "banesën" e tij.
258. Si përfundim, Gjykata e rrëzon kundërshtimin e Qeverisë për sa i përket statusit të viktimës së kërkuesit në lidhje me varret e të afërmve të tij dhe konsideron që faktet e çështjes hyjnë brenda nocioneve të "jetës private dhe familjare" dhe "banesës". Prandaj Neni 8 gjen zbatim.
2. Nëse ka pasur shkelje të vazhdueshme të Nenit 8 të Konventës
259. Gjykata i referohet konsideratave të cekura më lart të cilat çuan në gjetjen e një shkeljeje të vazhdueshme të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1. Ajo ka gjetur që për shkak të situatës që mbizotëronte në Gulistan refuzimi i kërkuesit, ose çdo civili, i qasjes në fshat i shërbente interesit të mbrojtjes së civilëve kundër rreziqeve ekzistuese në atë zonë. Megjithatë, pamundësia e kërkuesit për të pasur qasje në pasurinë e tij në Gulistan ndërkohë që Qeveria nuk mori asnjë masë alternative për t’ia kthyer të drejtat e tij pronësore ose për t’i dhënë atij kompensim për humbjen e gëzimit të tyre, kishte vendosur dhe vazhdonte të vendoste një barrë të tepërt mbi të.
260. Të njëjtat konsiderata qëndrojnë edhe në lidhje me ankesën e kërkuesit sipas Nenit 8 të Konventës. Pamundësia e kërkuesit për të pasur qasje në banesën e tij dhe në varret e të afërmve të tij në Gulistan pa u marrë asnjë masë nga Qeveria për të adresuar të drejtat e tij ose për t’i ofruar atij të paktën kompensim për humbjen e gëzimit të tyre, ka vendosur dhe vazhdon të vendosë një barrë shproporcionale mbi të.
261. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundimin që ka pasur shkelje të vazhdueshme të të drejtave të kërkuesit sipas Nenit 8 të Konventës.
VI. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 13 TË KONVENTËS
262. Kërkuesi u ankua që ai nuk pati në dispozicion asnjë zgjidhje në lidhje me të gjitha ankesat e tij të lartpërmendura. Ai u mbështet në Nenin 13 i cili thotë si vijon:
“Çdokush të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në [Konventë] ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare."
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
263. Kërkuesi iu referua, së pari, argumenteve të paraqitura në lidhje me shterimin e mjeteve vendase. Së dyti, ai argumentoi më me hollësi që përfundimet e dobishme lidhur me kriteret e zgjidhjeve efektive në një kontekst të krahasueshëm mund të nxirreshin nga praktika gjyqësore e Gjykatës në lidhje me pronat greko-qipriote në Qipron veriore.
264. Në çështjen e Xenides-Arestis kundër Turqisë (dec.), (nr. 46347/99, 14 mars 2005), Gjykata kishte gjetur që zgjidhjet në dispozicion në "TRNC" në lidhje me humbjen e qasjes në dhe gëzimit të pronës dhe banesës ishin jo efektive mbi disa baza. Në çështjen e mëpasme të Demopulos dhe të Tjerë ((dec.), cituar lart, §§ 104-129) Gjykata shqyrtoi efektivitetin e zgjidhjeve që ishin ndryshuar në ndërkohë. Pas një shqyrtimi të hollësishëm, Gjykata u bind që procedurat para Komisionit të Pasurive të Patundshme ofronin zgjidhje efektive. Ajo shënoi në mënyrë të veçantë që komisioni në fjalë i cili përfshinte dy anëtarë të pavarur ndërkombëtarë kishte katër vjet që funksiononte; që ai kishte përmbyllur tetëdhjetepesë aplikime dhe rreth treqind kërkesa të tjera ishin në proces; nuk kishte prova që konstatonin se procedurat do të zgjasnin për një kohë të paarsyeshme; komisioni kishte paguar shuma të konsiderueshme parash për kompensime; kërkesat mund të bëheshin gjithashtu për dëme jo materiale, përfshirë aspekte të çdo humbjeje të gëzimit të banesës; këmbimi i pronave ishte kryer në disa raste; dhe ekzistonte e drejta për të apeluar në gjykatë. Vendimi i Demopulos tregoi që Gjykata kishte kërkuar prova substanciale të efektivitetit në praktikë të zgjidhjeve të synuara.
265. Shembuj të tjerë të zgjidhjeve që Gjykata i kishte gjetur efektive në situata deri diku të krahasueshme, në lidhje me dëbimin e fshatarëve në Turqinë juglindore (shih, Içyer kundër Turqisë (dec.), nr. 18888/02, ECHR 2006-I).
266. Ndryshe nga sa u tha më lart, në çështjen në fjalë zgjidhjet të cilat Qeveria pretendonte se ishin efektive nuk përmbushnin asnjë prej këtyre kritereve.
2. Qeveria përgjegjëse
267. Qeveria iu referua në thelb parashtrimeve të saj në lidhje me shterimin e mjeteve vendase. Ajo u shpreh në mënyrë të veçantë që ligjet e Azerbajxhanit mbronin si pronësinë ashtu edhe posedimin e pronës dhe ofronin procedurat e duhura që ishin në dispozicion për shtetasit dhe të huajt të cilat i lejonin ata të ndërmerrnin veprime në gjykatë në lidhje me çdo humbje ose dëmtim të pësuar në territorin e Azerbajxhanit.
3. Qeveria armene, ndërhyrëse e palës së tretë
268. Qeveria armene i mbështeti argumentet e parashtruara nga kërkuesi. Ajo mbajti qëndrimin që ekzistonte një praktikë administrative në Azerbajxhan që ndalonte armenët e dëbuar me forcë, dhe përgjithësisht çdo person me origjinë armene, që të ktheheshin ose qoftë edhe të vizitonin Azerbajxhanin.
B. Vlerësimi i Gjykatës
269. Gjykata tashmë ka gjetur shkelje të vazhdueshme të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe Nenit 8 të Konventës. Prandaj ankesat e kërkuesit janë "të argumentueshme" për qëllimet e Nenit 13 (shih, për shembull, Doğan dhe të Tjerë, cituar lart, § 163).
270. Ankesa e kërkuesit sipas këtij titulli pasqyron në masë të madhe elementet e njëjta ose të ngjashme me ato që tashmë janë trajtuar në kontekstin e kundërshtimit në lidhje me shterimin e mjeteve vendase. Përveç kësaj kërkuesi argumentoi që praktika gjyqësore e Gjykatës përmbante tregues në lidhje me kriteret e veçanta që duhet të përmbushnin mjetet e synuara për të adresuar shkeljet e të drejtave të refugjatëve ose personave të zhvendosur në mënyrë që të ishin efektive.
271. Gjykata përsërit gjetjen e saj të mësipërme që Qeveria përgjegjëse ka dështuar në administrimin e barrës së vërtetimit të të qenit në dispozicion të një mjeti që mund t’i siguronte zgjidhje kërkuesit në lidhje me ankesat e tij sipas Konventës dhe të ofronte perspektivë të arsyeshme suksesi (shih paragrafin 119 lart).
272. Më tej, Gjykata vëren që gjetjet e saj sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe të Nenit 8 lart kanë lidhje me dështimin e Shtetit përgjegjës në ndërtimin e një mekanizmi që do ta lejonte kërkuesin, dhe të tjerë në situata të krahasueshme, që t’i ktheheshin të drejtat e tyre në lidhje me pronën dhe banesën dhe të merrte kompensim për humbjet e pësuara. Prandaj Gjykata percepton një lidhje të afërt në çështjen në fjalë mes shkeljeve të gjetura sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe Nenit 8 të Konventës nga njëra anë dhe kritereve të Nenit 13 nga ana tjetër.
273. Si përfundim, Gjykata gjen që nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë zgjidhje efektive në lidhje me shkeljen e të drejtave të kërkuesit sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe sipas Nenit 8 të Konventës.
274. Rrjedhimisht ka pasur shkelje të vazhdueshme të Nenit 13 të Konventës.
VII. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 14 TË KONVENTËS
275. Së fundi, kërkuesi u ankua në lidhje me ankesat e tij të cekura më lart që ai kishte qenë objekt diskriminimi për shkak të prejardhjes së tij etnike dhe besimit fetar. Ai u mbështet në Nenin 14 të Konventës, i cili thotë si vijon:
“Gëzimi i të drejtave dhe lirive të përcaktuara në [Konventë] duhet të sigurohet pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një pakicë kombëtare, pasuria, lindja ose çdo status tjetër."
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
276. Sipas mendimit të kërkuesit trajtimi diskriminues i armenëve përbënte një aspekt themelor të çështjes. Ai pohoi që vetëm armenët etnikë ishin detyruar me forcë nga ushtria e Azerbajxhanit që të largoheshin nga pronat dhe banesat e tyre në kuadër të konfliktit të Nagorno-Karabakh. Ata ende nuk kishin mundësi të ktheheshin ose të shfrytëzonin ndonjë prej mjeteve efektive. Ndërkohë që azerbajxhanasit e zhvendosur brenda vendit përfitonin nga asistenca e Qeverisë, asgjë e këtij lloji nuk ishte bërë për armenët në pozicionin e kërkuesit.
2. Qeveria përgjegjëse
277. Qeveria e refuzoi pretendimin e kërkuesit që ai u ishte nënshtruar masave diskriminuese për shkak të prejardhjes së tij etnike ose përkatësisë fetare. Për sa i përket kthimit të tij në Gulistan, ajo pohoi që situata e sigurisë në atë zonë nuk lejonte praninë e civilëve në zonë. Së fundi, Qeveria pretendoi që ajo kishte treguar vullnet të mjaftueshëm politik për të zgjidhur konfliktin në një mënyrë e cila do t’u lejonte të gjithë refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit të ktheheshin në vendbanimet e tyre të mëparshme.
3. Qeveria armene, ndërhyrëse e palës së tretë
278. Qeveria armene qe dakord me kërkuesin, duke nënvizuar që ankesa e tij duhet të shihej në sfondin e gjerë të konfliktit të Nagorno-Karabakh: vetëm armenët etnikë i ishin nënshtruar dëbimit me forcë nga Azerbajxhani dhe refuzimi i të drejtës së kërkuesit për t’u kthyer ishte gjithashtu i lidhur me origjinën e tij etnike.
B. Vlerësimi i Gjykatës
279. Gjykata konsideron që ankesat e kërkuesit sipas Nenit 14 të Konventës në thelb janë të njëjta me ankesat të cilat Gjykata tashmë ka shqyrtuar sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe sipas Neneve 8 dhe 13 të Konventës. Duke pasur parasysh gjetjet e saj të shkeljeve në lidhje me këto Nene Gjykata konsideron që nuk ngrihet pikë e veçantë sipas Nenit 14 (shih, për shembull, Qipro kundër Turqisë, cituar lart, § 199; Xenides-Arestis kundër Turqisë, nr. 46347/99, § 36, 22 dhjetor 2005; Catan dhe të Tjerë, cituar lart, § 160).
VIII. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
280. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese të përfshirë lejon vetëm ndreqje të pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar."
281. Kërkuesi kërkoi pikësëpari rikthimin e pronës së tij, përfshirë të drejtën për t’u kthyer në pronën dhe banesën e tij në Gulistan. Më tej, ai sugjeroi që do të ishte e përshtatshme që Gjykata t’i tregonte Qeverisë masa të përgjithshme sipas Nenit 46 të Konventës. Kërkuesi pretendoi kompensim për dëme materiale në shumën totale prej 374.814 euro (EUR). Më tej, ai pretendoi dëmshpërblim jo material në shumën totale prej 190.000 EUR. Së fundi, ai pretendoi rimbursimin e kostove dhe shpenzimeve të shkaktuara gjatë procedurave para Gjykatës.
282. Qeveria i kontestoi këto pretendime.
283. Gjykata, duke pasur parasysh natyrën e jashtëzakonshme të çështjes, konsideron që çështja e zbatimit të Nenit 41 nuk është e gatshme për vendim. Rrjedhimisht ajo çështje duhet të rezervohet dhe duhet të caktohet procedura e mëtejshme, duke pasur parasysh çdo marrëveshje që mund të arrihet mes Qeverisë dhe kërkuesit.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Rrëzon, pesëmbëdhjetë vota me dy, kundërshtimin paraprak të Qeverisë përgjegjëse mbi mos-shterimin e mjeteve vendase;
2. Vendos, pesëmbëdhjetë vota me dy, që çështjet për të cilat është bërë ankesë hyjnë brenda juridiksionit të Republikës së Azerbajxhanit dhe që përgjegjësia e Qeverisë përgjegjëse angazhohet sipas Konventës dhe rrëzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë përgjegjëse në lidhje me mungesën e juridiksionit dhe përgjegjësisë;
3. Rrëzon, pesëmbëdhjetë vota me dy, kundërshtimin paraprak të Qeverisë përgjegjëse që Gjykatës i mungon kompetenca ratione temporis për sa u përket ankesave të kërkuesit në lidhje me shtëpinë e tij;
4. Rrëzon, pesëmbëdhjetë vota me dy, kundërshtimin paraprak të Qeverisë përgjegjëse që kërkuesit i mungonte statusi i viktimës për sa u përket ankesave të tij në lidhje me varret e të afërmve të tij;
5. Vendos, pesëmbëdhjetë vota me dy, që ka pasur shkelje të vazhdueshme të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës;
6. Vendos, pesëmbëdhjetë vota me dy, që ka pasur shkelje të vazhdueshme të Nenit 8 të Konventës;
7. Vendos, pesëmbëdhjetë vota me dy, që ka pasur shkelje të vazhdueshme të Nenit 13 të Konventës;
8. Vendos, gjashtëmbëdhjetë vota me një, që nuk ngrihet çështje e ndarë sipas Nenit 14 të Konventës;
9. Vendos, pesëmbëdhjetë vota me dy, që pika lidhur me çështjen e zbatimit të Nenit 41 nuk është e gatshme për vendim;
e rrjedhimisht,
(a) e rezervon pikën në fjalë në tërësi;
(b) fton Qeverinë përgjegjëse dhe kërkuesin të paraqesin, brenda dymbëdhjetë muajve duke filluar nga data e njoftimit të këtij vendimi, vërejtjet e tyre me shkrim në lidhje me këtë çështje dhe, në mënyrë të veçantë, të informojnë Gjykatën për çdo marrëveshje që mund të arrijnë;
(c) rezervon procedurën e mëtejshme dhe i delegon Kryetarit të Gjykatës fuqinë për ta rregulluar të njëjtën nëse është e nevojshme.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 16 qershor 2015.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës KancelarKryetar
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, këtij vendimi i bashkëngjiten mendimet e ndara të mëposhtme:
(a) mendimin paralel të Gjyqtarit Ziemele;
(b) mendimin paralel të Gjyqtarit Yudkivska;
(c) mendimin pjesërisht pakicë të Gjyqtarit Gyulumyan;
(d) mendimin pakicë të Gjyqtarit Hajiyev;
(e) mendimin pakicë të Gjyqtarit Pinto de Albuquerque.
D.S.
M.O’B.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Europës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1]. Shih, për shembull, E. Benvenisti, E Drejta Ndërkombëtare e Pushtimit (Oxford: Oxford University Press, 2012) në f. 43; Y. Arai-Takahashi, E drejta e pushtimit: vazhdimësia dhe ndryshimi në të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe ndërveprimi i saj me të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (Leiden: Martinus Nijhoff Publishers, 2009), në f. 5-8; Y. Dinstein, E Drejta Ndërkombëtare e Pushtimit Luftarak (Cambridge: Cambridge University Press, 2009) në 42-45, §§ 96-102; dhe A. Roberts, 'Pushtimi Ushtarak Transformativ; Zbatimi i Ligjeve të Luftës dhe të Drejtave të Njeriut', 100 American Journal of International Law 580 (2006) 585-586.
[2]. Shumica e ekspertëve të konsultuar nga ICRC në kontekstin e projektit mbi pushtimin dhe forma të tjera të administrimit të territorit të huaj ranë dakord që 'çizmet në tokë' janë të nevojshme për vendosjen e pushtimit - shih T. Ferraro, Pushtimi dhe Forma të tjera të Administrimit të Territorit të Huaj (Geneva, ICRC, 2012), në 10, 17 dhe 33; shih gjithashtu, E. Benvenisti, cituar lart, në f. 43ff; V. Koutroulis, Le debut et la fin de l’application du droit de l’occupation(Paris: Editions Pedone, 2010) në fq. 35-41.
[3]. T. Ferraro, cituar lart, në fq. 17 dhe 137; Y. Dinstein, cituar lart, në f. 44, § 100.
[4]. J.-M. Henckaerts, dhe L. Doswald-Beck, E Drejta Ndërkombëtare Humanitare (Geneva/Cambridge: ICRC/Cambridge University Press, 2005).
Full & Egal Universal Law Academy