© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Notë Informative mbi praktikën gjyqësore të Gjykatës 186
Qershor 2015
Sargsyan kundër Azerbajxhanit [GC] - 40167/06
Vendimi 16.6.2015 [GC]
Neni 1
Juridiksioni i shteteve
Juridiksioni i Azerbajxhanit për sa i përket një zone të diskutueshme afër Nagorno-Karabakh në territorin e Azerbajxhanit
Neni 8
Neni 8-1
Respekti për jetën familjare
Respekti për banesën
Respekti për jetën private
Pamundësia e një qytetari armen të zhvendosur në kontekst të konfliktit të Nagorno-Karabakh për të pasur qasje në banesën e tij dhe varret e të afërmve të tij: shkelje
Neni 13
Zgjidhja efektive
Mungesa e zgjidhjes efektive në lidhje me humbjen e banesave ose pasurive nga personat e zhvendosur në kontekst të konfliktit Nagorno-Karabakh: shkelje
Neni 1 i Protokollit Nr. 1
Detyrimet pozitive
Neni 1 paragrafi 1 i Protokollit Nr. 1
Gëzimi paqësor i pasurisë
Pasuria
Dështimi i Azerbajxhanit në marrjen e masave për të siguruar të drejtat pronësore të një qytetari armen të zhvendosur në kontekst të konfliktit Nagorno-Karabakh: shkelje
Faktet – Kërkuesi vdiq pas paraqitjes së ankesës së tij në Gjykatë. Dy prej fëmijëve të tij e vijuan kërkesën në emër të tij.
Kërkuesi dhe familja e tij, të përkatësisë etnike armene, kanë jetuar në fshatin Gulistan, në rajonin Shahumyan të Republikës Socialiste Sovjetike të Azerbajxhanit ("RSS e Azerbajxhanit"), ku ai kishte shtëpi dhe një parcelë toke. Sipas parashtrimeve të tij, familja e tij u detyrua me forcë të ikte nga shtëpia e tyre në vitin 1992 gjatë konfliktit armeno-azerbajxhanas në lidhje me Nagorno-Karabakh.
Në kohën e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në dhjetor të vitit 1991, Oblasti Autonom i Nagorno-Karabakh (ang. "NKAO") ishte një provincë autonome e rrethuar me tokë nga RSS e Azerbajxhanit. Në vitin 1989 NKAO kishte një popullsi prej rreth 77% armenë etnikë dhe 22% azerë etnikë. Rajoni i Shahumyan ndante kufirin me NKAO dhe ndodhej në veri të tij. Sipas kërkuesit, para konfliktit, 82% e popullsisë së Shahumyan ishin armenë etnikë. Përleshjet e armatosura në Nagorno-Karabakh filluan në vitin 1988. Në shtator të vitit 1991 - pak kohë pasi Azerbajxhani kishte deklaruar pavarësinë e tij nga Bashkimi Sovjetik - Këshilli Rajonal i NKAO shpalli themelimin e "Republikës së Nagorno-Karabakh" (ang. "NKR"), e përbërë nga territori i NKAO dhe qarku Shahumyan i Azerbajxhanit. Pas një referendumi në dhjetor 1991 – i bojkotuar nga popullata azere – në të cilin 99.9% e pjesëmarrësve votuan në favor të ndarjes së NKR nga Azerbajxhani, "NKR" riafirmoi pavarësinë e vet nga Azerbajxhani në janar 1992. Pas kësaj, konflikti gradualisht u përshkallëzua deri në luftë të plotë. Nga fundi i vitit 1993, forcat etnike armene kishin marrë nën kontroll pothuaj tërë territorin e ish-NKAO si dhe shtatë rajone të afërta azerbajxhanase. Konflikti rezultoi në qindra e mijëra persona të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatë në të dyja anët. Në maj 1994 palët e konfliktit nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, e cila është ende në fuqi deri më sot. Negociatat për një zgjidhje paqësore janë zhvilluar nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Megjithatë, deri tani nuk është arritur asnjë zgjidhje politike përfundimtare. Pavarësia e vetëshpallur e "NKR" nuk është njohur nga ndonjë shtet apo organizatë ndërkombëtare. Para anëtarësimit të tyre në Këshillin e Evropës në vitin 2001, Armenia dhe Azerbajxhani të dyja morën zotim para Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare që do të angazhoheshin drejt zgjidhjes paqësore të konfliktit të Nagorno-Karabakh.
Shahumyan, ku ka jetuar familja e Z. Sargsyan, nuk ishte pjesë e NKAO, por më vonë u mor nga "NKR" si pjesë e territorit të tij. Në vitin 1991 njësitë ushtarake për qëllime speciale të RSS të Azerbajxhanit filluan një operacion në rajon me qëllimin e deklaruar të "kontrollimit të pasaportave" dhe çarmatimit të militantëve armenë vendas në rajon. Megjithatë, sipas burimeve të ndryshme, njësitë ushtarake të RSS të Azerbajxhanit e përdorën qëllimin zyrtar si pretekst për të nxjerrë popullsinë armene jashtë prej disa fshatrave në rajon. Në vitin 1992, kur konflikti u përshkallëzua në luftë, rajoni i Shahumyan u sulmua nga forcat e Azerbajxhanit. Kërkuesi dhe familja e tij ikën nga Gulistani pas bombardimit të rëndë të fshatit. Më pas, ai dhe gruaja e tij jetuan si refugjatë në Yerevan, Armeni.
Në mbështetje të pretendimit të tij që ai kishte jetuar në Gulistan shumicën e jetës së tij deri kur u detyrua me forcë të zhvendosej, kërkuesi paraqiti një kopje të pasaportës së tij të dikurshme sovjetike dhe certifikatën e tij të martesës. Ai gjithashtu paraqiti, në mënyrë të veçantë, një kopje të një certifikate zyrtare ("pasaportë teknike"), sipas së cilës një shtëpi dykatëshe në Gulistan dhe më shumë se 2000 metra katrorë tokë ishin të regjistruara në emrin e tij, fotografi të shtëpisë, dhe deklarata me shkrim nga ish-zyrtarë të këshillit të fshatit dhe ish-fqinjë që konfirmonin se ai kishte shtëpi dhe parcelë toke në Gulistan.
E drejta
(a) Kundërshtimet paraprake
(i) Shterimi i mjeteve ligjore në nivel vendi – Në kuadër të konfliktit të Nagorno-Karabakh – duke pasur parasysh faktin që mes Armenisë dhe Azerbajxhanit nuk kishte marrëdhënie diplomatike dhe kufijtë ishin të mbyllur – mund të kishte vështirësi të konsiderueshme praktike për një person nga njëri vend që të niste procedura ligjore në vendin tjetër. Qeveria e Azerbajxhanit kishte dështuar të shpjegonte se si zbatohej legjislacioni për mbrojtjen e pasurisë në situatën e një refugjati armen i cili dëshironte të kërkonte rikthimin ose kompensimin për humbjen e pasurisë së lënë pas në kushtet e konfliktit. Ajo nuk kishte dhënë shembull të ndonjë rasti kur një person në situatën e kërkuesit ia kishte dalë me sukses para gjykatave azerbajxhanase. Kështu Qeveria kishte dështuar të vërtetonte që zgjidhjet për përmbushjen e ankesave të kërkuesit ishin në dispozicion.
Përfundim: kundërshtimi paraprak i rrëzuar (pesëmbëdhjetë vota me dy).
(ii) Juridiksioni dhe përgjegjësia e Azerbajxhanit – Duke pasur parasysh që fshati i Gulistanit ndodhej në territorin e njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit – një fakt i cili nuk diskutohej mes palëve – sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, presupozohej që Azerbajxhani kishte juridiksion mbi atë fshat. Prandaj i takonte Qeverisë të tregonte që ekzistonin rrethana të jashtëzakonshme, të cilat kufizonin përgjegjësinë e saj nga Neni 1 i Konventës. Forcat e armatosura të Gulistanit dhe Azerbajxhanit ishin të vendosura në bregun verior të një lumi, ndërsa pozicionet e "NKR" ishin në bregun jugor. Mbi bazën e materialeve para Gjykatës nuk ishte e mundur të konstatohej nëse kishte pasur prani ushtarake azerbajxhanase në Gulistan – megjithëse kishte disa tregues – gjatë tërë periudhës që hynte brenda juridiksionit të tij kohor, pra nga prilli i vitit 2002, kur Azerbajxhani ratifikoi Konventën, deri në kohën e tashme. Sidoqoftë, ishte me rëndësi të shënohej që asnjëra nga palët nuk kishte pretenduar që "NKR" kishte pasur trupa në fshat.
Gjykata nuk u bind nga argumenti i Qeverisë përgjegjëse që, meqenëse fshati ishte i vendosur në një zonë të diskutueshme, i rrethuar nga minat dhe i rrumbullakuar nga formacione ushtarake kundërshtare, Azerbajxhani kishte vetëm përgjegjësi të kufizuar sipas Konventës. Ndryshe nga çështjet e tjera në të cilat Gjykata kishte gjetur që një Shtet kishte vetëm përgjegjësi të kufizuar mbi një pjesë të territorit për shkak të pushtimit nga një Shtet tjetër apo kontrolli nga një regjim separatist, nuk ishte konstatuar që Gulistani ishte pushtuar nga forcat e armatosura të një Shteti tjetër.
Duke pasur parasysh nevojën për të shmangur një vakum në mbrojtjen e Konventës, Gjykata nuk konsideroi që Qeveria përgjegjëse kishte treguar ekzistencën e rrethanave të jashtëzakonshme të një natyre të tillë që të kualifikonin përgjegjësinë e saj sipas Konventës. Në fakt, situata në rastin konkret ishte më e ngjashme me situatën në çështjen Assanidze kundër Gjeorgjisë (71503/01, 8 prill 2004, Nota Informative 63) për faktin se, nga pikëpamja ligjore Qeveria e Azerbajxhanit kishte juridiksion si shteti territorial dhe përgjegjësi të plotë sipas Konventës, ndërkohë që mund të haste në vështirësi praktike në ushtrimin e autoritetit të saj në zonën e Gulistanit. Vështirësi të tilla do të duhej të merreshin parasysh kur vinte puna tek vlerësimi i proporcionalitetit të veprimeve ose mosveprimeve për të cilat ka bërë ankesë kërkuesi.
Përfundim: kundërshtimi paraprak i rrëzuar (pesëmbëdhjetë vota me dy).
(b) Themelet
Neni 1 i Protokollit Nr. 1: Praktika gjyqësore e Gjykatës kishte zhvilluar një qasje të lakueshme në lidhje me provat që duheshin paraqitur nga kërkuesit të cilët pretendonin se kishin humbur pasurinë dhe banesën e tyre në situata të konflikteve ndërkombëtare ose konflikteve të armatosura brenda vendit. Një qasje e ngjashme u pasqyrua në "Parimet e Rikthimit të Banesave dhe Pronave për Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur" të OKB-së (Parimet Pinheiro).
Në çështjen në fjalë, kërkuesi kishte paraqitur një pasaportë teknike të lëshuar në emrin e tij dhe në lidhje me një shtëpi dhe tokë në Gulistan, përfshirë një plan të hollësishëm të shtëpisë. Nuk u kontestua që pasaporta teknike, si rregull, i lëshohej vetëm personit të cilit i takonte shtëpia dhe kështu përbënte, sipas mendimit të Gjykatës, provë prima facie që ai ishte titullari i shtëpisë dhe tokës, çka nuk ishte kundërshtuar në mënyrë bindëse nga Qeveria. Më tej, parashtrimet e kërkuesit lidhur me mënyrën se si ai kishte fituar tokën dhe lejen për të ndërtuar shtëpi mbështeteshin nga deklaratat e disa të afërmve dhe bashkëfshatarëve. Edhe pse ato deklarata nuk u testuan në marrje në pyetje nga pala e kundërt, ato ishin të pasura me detaje dhe tregonin që personat e përfshirë kishin jetuar përgjatë ngjarjeve të përshkruara. Së fundi, por jo më pak së rëndësishmi, Gjykata mori parasysh rrethanat në të cilat kërkuesi ishte detyruar të largohej kur fshati ishte sulmuar ushtarakisht. Nuk është fare e habitshme që ai nuk kishte pasur mundësi ta merrte dokumentacionin me vete. Rrjedhimisht, duke pasur parasysh tërësinë e provave të paraqitura, Gjykata gjeti që kërkuesi e kishte vërtetuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij që ai kishte shtëpi dhe tokë në Gulistan në kohën e ikjes së tij në vitin 1992.
Në mungesë të provave përfundimtare që shtëpia e kërkuesit ishte shkatërruar krejtësisht para hyrjes në fuqi të Konventës në lidhje me Azerbajxhanin, Gjykata veproi duke u mbështetur në supozimin që ajo ende ekzistonte sado që e dëmtuar rëndë. Si përfundim, nuk kishte baza faktike për kundërshtimin ratione temporis të Qeverisë.
Sipas sistemit ligjor sovjetik, nuk kishte pronësi private të tokës, por qytetarët mund të posedonin shtëpi banimi. Parcelat e tokës mund t’u caktoheshin qytetarëve për qëllime të caktuara si bujqësia ose ndërtimi i shtëpive individuale. Në raste të tilla, qytetari kishte "të drejtën e shfrytëzimit", të kufizuar brenda qëllimit të veçantë, e cila mbrohej me ligj dhe mund të trashëgohej. Prandaj nuk kishte dyshim që të drejtat e kërkuesit në lidhje me shtëpitë dhe tokën përfaqësonin një interes ekonomik të konsiderueshëm. Duke pasur parasysh kuptimin autonom të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1, të drejtat e kërkuesit për pronësi personale të shtëpisë dhe "e drejta e tij e shfrytëzimit" në lidhje me tokën përbënin "pasuri" sipas asaj dispozite.
Ndërkohë që zhvendosja e detyruar e kërkuesit nga Gulistani binte jashtë juridiksionit kohor, Gjykata u desh të shqyrtonte nëse Qeveria përgjegjëse kishte shkelur të drejtat e tij në situatën vijuese, e cila vazhdoi pas hyrjes në fuqi të Konventës në lidhje me Azerbajxhanin.
Momentalisht, para Gjykatës janë në pritje më shumë se një mijë kërkesa individuale të depozituara nga persona të cilët janë zhvendosur gjatë konfliktit, ku pak më shumë se gjysma e tyre janë të drejtuara kundër Armenisë dhe pjesa tjetër kundër Azerbajxhanit. Ndërkohë që çështjet e ngritura hynin brenda juridiksionit të Gjykatës siç përkufizohet në Nenin 32 të Konventës, ishte përgjegjësia e dy Shteteve të përfshira që të gjenin një zgjidhje politike të konfliktit. Zgjidhjet gjithëpërfshirëse për çështje të tilla siç janë kthimi i refugjatëve në vendbanimet e tyre të mëparshme, rimarrja në posedim e pasurive të tyre dhe/ose pagimi i kompensimit mund të arriheshin vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje për paqe. Në fakt, para anëtarësimit të tyre në Këshillin e Evropës, Armenia dhe Azerbajxhani kishin marrë përsipër të zgjidhnin konfliktin Nagorno-Karabakh me anë të mjeteve paqësore. Gjykata nuk mund të mos shënonte vetëm që respektimi i zotimit të mësipërm për anëtarësim ishte ende i papërmbushur.
Çështja në fjalë ishte e para në të cilën Gjykata u desh të vendoste në lidhje me themelet e një ankese kundër një Shteti i cili kishte humbur kontrollin mbi një pjesë të territorit të vet si rezultat i luftës dhe pushtimit, por i cili në të njëjtën kohë pretendohej të ishte përgjegjës për refuzimin e një personi të zhvendosur për të pasur qasje në pasurinë e tij në një zonë që ende mbetej nën kontrollin e Shtetit në fjalë.
Gjykata e shqyrtoi ankesën e kërkuesit me qëllim që të konstatonte nëse Qeveria përgjegjëse kishte vepruar në pajtim me detyrimet e saj pozitive sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe nëse ishte arritur një ekuilibër i drejtë mes kërkesave të interesit publik dhe të drejtave themelore të kërkuesit ndaj pasurisë së tij. Ankesa e kërkuesit ngrinte dy çështje, së pari nëse Qeveria përgjegjëse kishte për detyrim t’i lejonte atij qasje në shtëpinë dhe tokën e tij në Gulistan, dhe së dyti nëse ajo kishte për detyrë të merrte masa të tjera për të mbrojtur të drejtën pasurore të kërkuesit dhe/ose ta kompensonte atë për humbjen e shfrytëzimit të asaj pasurie.
E drejta ndërkombëtare humanitare nuk dukej se ofronte një përgjigje përfundimtare për pyetjen nëse Qeveria ishte e justifikuar në refuzimin e qasjes së kërkuesit në Gulistan. Duke pasur parasysh faktin që Gulistani ndodhej në një zonë aktivitetesh ushtarake dhe të paktën zona përreth ishte e minuar, Gjykata e pranoi argumentin që refuzimi i qasjes në fshat për civilët, përfshirë kërkuesin, ishte i justifikuar nga konsideratat e sigurisë. Megjithatë, për sa kohë që qasja në pronë nuk ishte e mundur, Shteti kishte për detyrë të merrte masa alternative në mënyrë që të siguronte të drejtat e pasurisë – dhe kështu të vendoste një ekuilibër të drejtë mes interesave konkurruese publike dhe individuale të përfshira – siç njihej nga standardet përkatëse ndërkombëtare të vendosura nga Kombet e Bashkuara (Parimet Pinheiro) dhe Këshilli i Evropës. Gjykata do të nënvizonte se detyrimi për të marrë masa alternative nuk varej nga fakti nëse Shteti mund të mbahej ose jo përgjegjës për vetë zhvendosjen.
Fakti që negociatat e paqes nën kujdesin e OSBE-së ishin në vazhdim e sipër – ku përfshiheshin edhe çështjet e lidhura me personat e zhvendosur – nuk e lironte Qeverinë përgjegjëse nga detyra e saj për të ndërmarrë masa të tjera, posaçërisht duke pasur parasysh faktin që negociatat kishin mbi njëzet vjet që vazhdonin. Prandaj kishte rëndësi të ngrihej një mekanizëm i të drejtave pasurore i cili të ishte i lehtë për t’u përdorur dhe të ofronte procedura që vepronin sipas standardeve të lakueshme të provave për t’i lejuar kërkuesit dhe të tjerëve në situatën e tij që t’u riktheheshin të drejtat e tyre pasurore dhe të merrnin kompensim për humbjen e gëzimit të të drejtave të tyre. Ndërkohë që Qeveria e Azerbajxhanit duhet t’u ofronte ndihmë qindra mijëra personave të zhvendosur brenda vendit – pra atyre azerbajxhanasve të cilët kishin ikur nga Armenia dhe nga Nagorno-Karabakh dhe vendet përreth – mbrojtja e atij grupi nuk e përjashtonte Qeverinë tërësisht nga detyrimet e saj ndaj armenëve siç ishte kërkuesi të cilit i ishte dashur të ikte si rezultat i konfliktit. Në lidhje me këtë, Gjykata iu referua parimit të mos-diskriminimit të parashtruar në nenin 3 të Parimeve Pinheiro të përmendura më lart.
Si përfundim, pamundësia e kërkuesit për të pasur qasje në pronën e tij në Gulistan pa u marrë asnjë masë alternative nga Qeveria për të rikthyer të drejtat e tij pronësore ose për t’i dhënë atij kompensim kishte vënë mbi të një barrë të tepërt. Rrjedhimisht kishte pasur shkelje të të drejtave të tij sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
Përfundim: shkelje (pesëmbëdhjetë vota me dy).
Neni 8 i Konventës: Ankesa e kërkuesit përmblidhte dy aspekte: mungesën e qasjes në shtëpinë e tij në Gulistan dhe mungesën e qasjes në varret e të afërmve të tij. Duke pasur parasysh provat e paraqitura nga Z. Sargsyan (pra një kopje e ish-pasaportës së tij sovjetike dhe certifikatës së martesës, dhe disa deklarata dëshmitarësh), Gjykata e gjeti të konstatuar që ai kishte jetuar në Gulistan pjesën më të madhe të jetës së tij deri në kohën kur ishte detyruar me forcë të largohej; pra ai kishte pasur "banesën" aty. Mungesa e tij e zgjatur nuk mund të konsiderohej se e kishte shkëputur lidhjen e vazhdueshme me banesën e tij. Më tej, meqenëse kërkuesi duhet t’i ketë vendosur shumicën e lidhjeve të tij shoqërore në Gulistan, pamundësia e tij për t’u kthyer në fshat gjithashtu kishte ndikuar në "jetën e tij private". Së fundi, lidhja kulturore dhe fetare e kërkuesit me varret e familjarëve të tij të vdekur në Gulistan po ashtu mund të hynte brenda nocionit të "jetës private dhe familjare".
Gjykata iu referua gjetjeve të saj sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe u shpreh se të njëjtat konsiderata zbatoheshin në lidhje me ankesën e kërkuesit nga Neni 8. Pamundësia e tij për të pasur qasje në shtëpinë e tij dhe varret e familjarëve të tij në Gulistan pa u marrë asnjë masë nga Qeveria për të adresuar të drejtat e tij ose për t’i ofruar atij të paktën kompensim, kishte vendosur një barrë jo proporcionale mbi të. Rrjedhimisht kishte pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Përfundim: shkelje (pesëmbëdhjetë vota me dy).
Neni 13 i Konventës: Qeveria përgjegjëse kishte dështuar të vërtetonte se ekzistonte një zgjidhje që mund të ofronte zgjidhje për kërkuesin në lidhje me ankesat e tij sipas Konventës dhe që mund të ofronte perspektivë të arsyeshme të suksesit. Më tej, gjetjet e Gjykatës sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe Nenit 8 të Konventës kishin lidhje me dështimin e Shtetit për të krijuar një mekanizëm që do t’i lejonte atij rikthimin e të drejtave të tij të pasurisë dhe banesës dhe të merrte kompensim për humbjet e pësuara. Prandaj ekzistonte një lidhje e afërt mes shkeljeve të gjetura të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 dhe Nenit 8 nga njëra anë dhe kërkesave të Nenit 13 nga ana tjetër. Rrjedhimisht kishte pasur shkelje të vazhdueshme të Nenit 13 të Konventës.
Përfundim: shkelje (pesëmbëdhjetë vota me dy).
Neni 41: i rezervuar.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje e Kancelarisë nuk është detyruese për Gjykatën.
Kliko këtu për Notat Informative të Praktikës Gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy