© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA S.A.S. k. FRANCËS
(Kërkesëpadia nr. 43835/11)
VENDIM
(Pjesë të zgjedhura)
STRASBURG
1 korrik 2014
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen S.A.S. k. Francës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Boštjan M. Zupančič,
Elisabeth Steiner,
Khanlar Hajiyev,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Ganna Yudkivska,
Angelika Nußberger,
Erik Møse,
André Potocki,
Paul Lemmens,
Helena Jäderblom,
Aleš Pejchal, gjyqtarë,
e nga Erik Fribergh, sekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 27 nëntor 2013 dhe më 5 qershor 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 43835/11) e ngritur kundër Republikës Franceze dhe me anë të së cilës një qytetare e këtij shteti (“paditësja”), i është drejtuar Gjykatës më 11 prill 2011 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”). Kryetari i Seksionit të Pestë e pastaj kryetari i Dhomës së Madhe e kanë pranuar kërkesën e paditëses për të mos u bërë i ditur identiteti i saj (neni 47 § 3 i Rregullores).
2. Paditësja është përfaqësuar para Gjykatës nga Z. Sanjeev Sharma, solicitor në Birmingem, Z. Ramby de Mello e Z. Tony Muman, barristers në Birmingem, dhe Satvinder Singh Juss, barrister në Londër. Qeveria franceze (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj; fjala ishte fillimisht për Znjën Edwige Belliard, drejtore e Çështjeve Juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila është pasuar nga Z. François Alabrune në maj 2014.
3. Paditësja ankohet për faktin se ndalimi i mbajtjes së një veshjeje për fshehjen e fytyrës në hapësirën publike, që përcaktohet nga Ligji nr. 2010-1192 i datës 11 tetor 2010 i heq asaj mundësinë për t’u mbuluar me ferexhe me perçe në hapësirën publike. Ajo denoncon një shkelje të neneve 3, 8, 9, 10 dhe 11 të Konventës, të marra veç e veç dhe të bashkuara me nenin 14 të Konventës.
4. Kërkesëpadia i është caktuar Seksionit të Pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores). Më 1 shkurt 2012, ajo i është njoftuar Qeverisë.
5. Më 28 maj 2013, një dhomë e Seksionit të Pestë e përbërë nga Mark Villiger, kryetar, Angelika Nußberger, Boštjan M. Zupančič, Ganna Yudkivska, André Potocki, Paul Lemmens dhe Aleš Pejchal, gjyqtarë, si edhe nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni, hoqi dorë nga juridiksioni i saj në favor të Dhomës së Madhe, meqenëse asnjëra nga palët nuk kishte pasur kundërshtim për këtë (nenet 30 i Konventës dhe 72 i Rregullores).
6. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur ne përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 i Konventës dhe 24 i Rregullores.
7. Si paditësja ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje me shkrim rreth pranueshmërisë dhe rreth themelit të çështjes.
8. Leja për të ndërhyrë në procedurën me shkrim u është dhënë edhe organizatave joqeveritare Amnesty International, Liberty, Open Society Justice Initiative dhe ARTICLE 19, si edhe Qendrës për të Drejtat e Njeriut të Universitetit të Gentit dhe qeverisë belge (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 3 i Rregullores). Qeveria belge është lejuar gjithashtu për të ndërhyrë edhe në procedurën me gojë.
9. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 27 nëntor 2013 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë e paditur
Znja Edwige Belliard, drejtore e Çështjeve Juridike e Ministrisë së Punëve të Jashtme, agjente,
Znja Nathalie Ancel, nëndrejtore për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Punëve të Jashtme, bashkagjente,
Z. Sylvain Fournel, referent në Nëndrejtorinë për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Punëve të Jashtme,
Z. Rodolphe Feral, referent në Nëndrejtorinë për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Punëve të Jashtme,
Znja Patricia Rouault-Chalier, nëndrejtore e Çështjeve Juridike të Përgjithshme dhe e Mosmarrëveshjeve në Ministrinë e Drejtësisë,
Z. Eric Dumand, shef i Zyrës për të Drejtën dhe Mosmarrëveshjet Evropiane, Ndërkombëtare dhe Institucionale në Ministrinë e Brendshme, këshilltarë.
– për paditësen
Z. Ramby De Mello,
Z. Tony Muman,
Z. Satvinder Singh Juss ,avokatë,
Z. Eirik Bjorge,
Znja Anastasia Vakulenko,
Znja Stéphanie Berry,këshilltarë.
– për Qeverinë belge
Znja Isabelle Niedlispacher,bashkagjente.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Znjës Belliard, Z. de Mello e Z. Muman dhe të Znjës Niedlispacher, si edhe përgjigjet e Znjës Belliard e të Z. de Mello për pyetjet e bëra nga gjyqtarët.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
10. Paditësja është një shtetase franceze e lindur më 1990 dhe me vendbanim në Francë.
11. Paditësja, e cila vetëdeklarohet myslimane praktikuese, vë në dukje se e mban burkën dhe nikabin me qëllim që të jetë në pajtim me fenë, kulturën dhe bindjet e saj personale. Ajo saktëson se burka është një veshje që e mbulon tërësisht trupin dhe përfshin edhe një pëlhurë me gojëza në lartësinë e fytyrës, dhe se nikabi është një ferexhe që e mbulon krejt fytyrën me përjashtim të syve. Ajo nënvizon se mbi të nuk ushtrojnë trysni për t’u veshur ashtu as i shoqi e asnjë tjetër pjesëtar i familjes së saj.
12. Ajo shton se e mban nikabin në publik ashtu si edhe në mjedise private, por jo sistematikisht; kështu, për shembull, ajo mund të mos e mbajë atë kur është për t’u vizituar te një mjek ose kur takohet me miq në një vend publik apo kërkon të njihet me njerëz të tjerë. Ajo pranon kështu që të mos e mbajë nikabin gjatë gjithë kohës në hapësirën publike, por dëshiron të ketë mundësi për të vepruar ashtu atëherë kur e zgjedh vetë, veçanërisht kur këtë gjë ia dikton gjendja e saj shpirtërore. Kështu ka momente (për shembull, gjatë ngjarjeve fetare si ramazani) kur ajo ka ndjesinë se duhet ta mbajë atë në publik për të shprehur fenë e saj dhe besimin e saj personal e kulturor; qëllimi i saj nuk është për t’u krijuar ndonjë pakënaqësi të tjerëve, por që të qenë në pajtim me vetveten.
13. Paditësja saktëson se ajo nuk kërkon që të mundë ta mbajë nikabin kur të ndodhet në ndonjë situatë ku duhet t’i nënshtrohet një kontrolli sigurie, kur të shkojë në bankë apo kur të marrë avionin, dhe se ajo është dakord që ta tregojë fytyrën e saj kur këtë e kërkon një kontroll i nevojshëm identiteti.
14. Që prej 11 prillit 2011, datë e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 2010-1192 të 11 tetorit 2010, në të gjithë territorin e Republikës Franceze, është e ndaluar për këdo që ta fshehë fytyrën brenda hapësirës publike.
(...)
LIGJI
(...)
IV. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENEVE 8, 9 DHE 10 TË KONVENTËS, TË MARRA VEÇ E VEÇ DHE TË BASHKUARA ME NENIN 14 TË KONVENTËS
74. Paditësja denoncon për të njëjtat arsye një shkelje të së drejtës së saj për respektimin e jetës së vet personale, të së drejtës së saj për lirinë e shfaqjes së fesë së vet ose të bindjeve të veta dhe të së drejtës së saj për lirinë e shprehjes, si edhe një diskriminim në ushtrimin e këtyre të drejtave. Ajo u referohet neneve 8, 9 dhe 10 të Konventës, të marra veç e veç dhe të bashkuara me nenin 14 të cituar më lart, meqenëse tri të parat nga këto dispozita janë të formuluara kështu:
Neni 8
“1. Çdokush ka të drejtë që t’i respektohet jeta private e familjare, vendbanimi dhe korrespondenca e tij..
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur, në një shoqëri demokratike, kjo masë është e domosdoshme për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mirëqenien ekonomike të vendit, për mbrojtjen e rendit ose për parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
Neni 9
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, si dhe lirinë për të shfaqur fenë e tij ose bindjet e tij individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, arsimit, praktikave dhe kryerjes së riteve.
2. Liria e shfaqjes së fesë së tij ose e bindjeve të tij nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit, të shëndetit ose të moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.”
Neni 10
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione ose ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që të vendosin regjim autorizimesh për sipërmarrjet e radiodifuzionit, të kinemasë, ose të televizionit.
2. Ushtrimi i këtyre lirive, që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe që, në një shoqëri demokratike, përbëjnë masa të nevojshme për sigurimin kombëtar, integritetin territorial ose sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”
(...)
B. Rreth themelit
1. Argumentet e palëve
a) Paditësja
76. Paditësja vë në dukje se ajo ka lindur në Pakistan dhe se familja e saj është e përfshirë në një traditë kulturore sunite për gratë është çështje zakoni e respekti që të mbajnë ferexhe me perçe në publik. Ajo është e mendimit se po i bëhet një ndërhyrje e rëndë në ushtrimin e të drejtave të garantuara nga neni 9 qëkurse Ligji i 11 tetorit 2010, i cili synon që t’ua ndalojë grave myslimane mbajtjen e ferexhesë me perçe në vende publike, po e pengon të shfaqë besimin e saj, ta jetojë atë dhe ta respektojë në publik. Ajo shton se, sado që kjo ndërhyrje është “e parashikuar nga ligji”, ajo nuk ndjek asnjë nga qëllimet e drejta që numërohen një për një në paragrafin e dytë të kësaj dispozite dhe nuk është “e domosdoshme” “në një shoqëri demokratike”.
77. Paditësja çmon pikësëpari se nuk mund të thuhet se kjo ndërhyrje ka për qëllim të drejtë “sigurinë publike” ndërkohë që nuk bëhet fjalë për një masë që shërben për t’iu përgjigjur disa shqetësimeve konkrete për sigurinë nëpër vende me rrezikshmëri të lartë si aeroportet, por për një ndalim të përgjithshëm që mbulon pothuajse të gjithë hapësirën publike. Për sa i përket tezës së Qeverisë sipas së cilës ajo synuaka respektimin e kërkesave minimale të jetesës në shoqëri meqenëse ekspozimi i ndërsjellë i fytyrave qenka themelor në shoqërinë franceze, paditësja vëren se ajo shpërfill të marrë parasysh praktikat kulturore të pakicave që nuk është e thënë të bashkohen me këtë filozofi si edhe faktin se ka edhe mënyra të tjera komunikimi përveç atyre pamore, dhe se kjo gjithsesi nuk ka të bëjë fare me zbatimin e sanksioneve penale me qëllim për ta penguar mbulimin e fytyrës në publik. Ajo është e mendimit nga ana tjetër se pohimi i Qeverisë, sipas të cilit mbulimi i fytyrës nga gratë është i papajtueshëm me parimin e barazisë midis burrave dhe grave, është thjeshtëzues. Ajo nxjerr si argument se, sipas një teze feministe të gjithëpranuar, mbajtja e ferexhesë tregon shpeshherë një emancipim të grave, afirmimin e vetvetes nga ana e tyre dhe pjesëmarrjen e tyre në shoqëri, e për sa i përket asaj vetë, nuk është fjala për t’iu bërë qejfin burrave, por asaj vetë si edhe për t’iu bindur ndërgjegjes së saj. Pastaj, nuk paska sesi të mbrohet mendimi që mbajtja e ferexhesë është njëlloj sikur grave në fjalë t’u mohohet e drejta për të ekzistuar si persona në hapësirën publike ndërkohë që në shumicën e rasteve bëhet fjalë për një zgjedhje të lirë e për më tepër të zhveshur nga çdolloj ngjyrimi prozelitik. Ajo shton se shtete të tjera anëtare me një popullsi të madhe myslimane nuk e ndalojnë mbajtjen e ferexhesë me perçe në vendet publike. Ajo gjykon nga ana tjetër se është diçka ironike që një ide abstrakte barazie gjinore të bjerë ndesh me zgjedhjen thellësisht personale të atyre grave që vendosin të mbulohen me perçe dhe nënvizon se sanksionimi i tyre e thellon pabarazinë që pretendohet të luftohet. Së fundi, ajo është e mendimit se të pretendohet që ndalimi ka si qëllim të drejtë “respektimin e dinjitetit të personave” është njëlloj sikur ta mbështesësh atë në hamendësimin abstrakt, shabllon e tregues të një logjike mashkulliste, se gruaja e mbuluar me perçe është “e fshirë”.
78. Lidhur me “domosdoshmërinë”, paditësja sjell si argument se një shoqëri vërtet e lirë është ajo shoqëri që mund të pranojë një larmi të madhe bindjesh, shijesh, veprimtarish, zakonesh e sjelljesh, dhe se nuk u takon shteteve të vendosin për vlefshmërinë e bindjeve fetare. Sipas saj, ndalimi dhe kriminalizimi i mbajtjes së ferexhesë me perçe në publik përçojnë një mesazh sektar e përbëjnë një pengesë për pjesëmarrjen e këtyre grave në shoqëri. Ajo vë në dukje që Komiteti i të Drejtave të Njeriut ka pranuar në Vërejtjen e Përgjithshme nr. 28 të tij se të përcaktosh rregulla për veshjet që mund të mbahen nga gratë në publik mund të jetë e dëmshme për parimin e barazisë së të drejtave midis burrave dhe grave, ndërsa në vendimin Raihon Hudoyberganova k. Uzbekistanit, të cituar më lart, se liria e dikujt për ta shfaqur fenë e tij e përfshin të drejtën për të mbajtur në publik veshje ose kostum që përputhet me besimin apo me fenë e tij. Ajo nënvizon përveç kësaj se, ndonëse Ligji i 11 tetorit 2010 është miratuar pothuajse njëzëri, çështjet Dudgeon, Norris dhe Modinos, të cituara më lart, tregojnë se një masë mund të gëzojë mbështetje të madhe politike edhe pa qenë “e domosdoshme” “në një shoqëri demokratike”.
Madje, edhe sikur qëllimet e ndjekura të ishin të drejta, ndalimi i kundërshtuar nuk e plotëson dot këtë kusht ndërkohë që ato mund t’u arritkan me mjete më pak shtrënguese. Kështu, për t’iu përgjigjur pikave të sigurisë publike, mjaftuaka të bëhen kontrolle identiteti në vendet me rrezikshmëri të lartë, si në rastet e shqyrtuara nga Gjykata në çështjet Phull k. Francës (vend. pran.) (nr. 35753/03, GjEDNj 2005‑I) dhe El Morsli k. Francës (vend. pran.) (nr. 15585/06, 4 mars 2008). Për sa i përket vullnetit për të garantuar respektimin e dinjitetit të personave, ai nuk mundka të mos i peshojë interesat e pranishëm: ato të pjesëtarëve të publikut që nuk e miratojnë mbajtjen e perçes; ato të grave të mbuluara me perçe, të cilat, si ajo, gjenden të detyruara të zgjedhin midis veprimit në kundërshtim me bindjet e tyre, qëndrimit në shtëpi ose shkeljes së ligjit. Mirëpo të drejtat e këtyre të dytave u prekkan shumë më rëndë sesa ato të të parëve. Sipas paditëses, të kesh mendimin siç bën Qeveria se është e nevojshme të kriminalizohet jo vetëm detyrimi i dikujt për t’u mbuluar me perçe, por edhe mbulimi me dëshirë, me arsyetimin se gratë mund të ngurrojnë t’i denoncojnë ata që i shtrëngojnë të veprojnë ashtu dhe se ky shtrëngim mund të jetë dukuri e përhapur, do të thotë të mos e marrësh parasysh situatën dhe motivimin e grave që zgjedhin të mbulohen me perçe dhe të heqësh kështu dorë nga çdolloj kërkimi përpjesëtueshmërie. Edhe më shumë sesa një qëndrim paternalist, këtu paska një synim për t’i dënuar gratë që pretendohet megjithatë se po mbrohen nga trysni patriarkale. Së fundi, paditësja i gjykon si pa lidhje vërejtjet e Qeverisë se liria për t’u veshur në përputhje me zgjedhjen personale mbetet mjaft e gjerë në Francë dhe se ky ndalim nuk vlen në vendet e kultit që janë të hapura për publikun, përderisa janë bindjet e saj ato që e detyrojnë atë pikërisht për ta mbuluar fytyrën dhe e drejta për ta shfaqur fenë e saj nuk kufizohet te vendet e kultit e duhet të mundë të ushtrohet në publik.
79. Sipas paditëses, pamundësia për ta mbajtur në publik ferexhenë me perçe, e cila i diktohet asaj nga Ligji i 11 tetorit 2010, përbën gjithashtu një shkelje të së drejtës së saj për respektimin e jetës private, e cila garantohet nga neni 8 i Konventës. Jeta e saj private qenka cenuar për tri arsye. Së pari, sepse mbajtja e ferexhesë me perçe është një element i rëndësishëm i identitetit të saj social-kulturor. Së dyti, sepse, siç e ka nënvizuar Gjykata në vendimin e saj Von Hannover k. Gjermanisë (nr. 59320/00, §§ 50 e 69, GjEDNj 2004‑VI), midis individit dhe personave të tretë ka një zonë ndërveprimi që, edhe në një kontekst publik, mund të ketë të bëjë me jetën private dhe sepse mbrojtja e jetës private në bazë të nenit 8 shkon përtej rrethit të ngushtë familjar e përmban gjithashtu edhe një dimension shoqëror. Së treti, sepse në qoftë se del nga shtëpia e saj duke mbajtur ferexhenë me perçe, ajo ka gjasa të ndeshet me armiqësi dhe rrezikon sanksione penale. Kështu, e detyruar për ta hequr atë kur del jashtë e duke mos mundur ta mbajë përveçse në shtëpinë e saj, “si të ishte në burg”, ajo qenka e detyruar të zgjedhë një “personalitet të llojit Jekyll and Hyde”.
Pastaj, duke iu referuar në thelb vërejtjeve të saj lidhur me nenin 9 të Konventës, paditësja mbron mendimin se kjo ndërhyrje nuk ndjek asnjë nga qëllimet e drejta të numëruara një për një në paragrafin e dytë të nenit 8 të Konventës. Ajo shton se, edhe sikur të mundë të zgjidhet ndonjë prej tyre, ndërhyrja e denoncuar nuk paska sesi të paraqitet si e domosdoshme në një shoqëri demokratike, aq më pak që kërkesat e paragrafit të dytë të nenit 8 qenkan në këtë drejtim më të ngushta sesa ato të paragrafit të dytë të nenit 9.
80. Paditësja mbron përveç kësaj mendimin se ndalimi i mbajtjes së një kostumi që shërben për fshehjen e fytyrës në një hapësirë publike, i cili, pa asnjë dyshim, ka në shënjestër burkën, krijon një diskriminim që bie në kundërshtim me nenin 14 të Konventës, të bazuar te gjinia, feja dhe prejardhja etnike në dëm të grave myslimane që, si ajo, mbajnë ferexhenë islamike me perçe. Fjala është sipas saj për një diskriminim të tërthortë ndërmjet grave myslimane bindjet e të cilave e kërkojnë që ato ta mbajnë ferexhenë me perçe dhe grave të tjera myslimane, si edhe ndërmjet tyre dhe burrave myslimanë. Përjashtimi që parashikon ligji, sipas të cilit ndalimi nuk zbatohet nëse veshja përfshihet në kuadër të “festave ose shfaqjeve artistike apo tradicionale”, qenka gjithashtu diskriminues sepse çuaka në favorizimin e shumicës së krishterë: ai u lejuaka të krishterëve që të mbajnë në publik një veshje që ua fsheh fytyrën në kuadrin e festave ose kremtimeve të krishtera (procesione fetare katolike, karnavale ose rituale si babagjyshi i Krishtlindjeve), ndërkohë që gratë myslimane që dëshirojnë ta mbajnë në publik ferexhenë me perçe mbetkan të nënshtruara ndaj ndalimit edhe gjatë muajit të Ramazanit.
b) Qeveria
81. Qeveria e pranon se, ndonëse i formuluar në mënyrë të përgjithshme, ndalimi i parashikuar nga Ligji i 11 tetorit 2010 mund të shihet si një “kufizim”, në kuptimin e nenit 9 § 2 të Konventës, i lirisë për të shfaqur fenë e vet dhe bindjet e veta. Ajo çmon megjithatë se ky kufizim ndjek qëllime të drejta dhe është i domosdoshëm, në një shoqëri demokratike, për t’i arritur ato.
82. Sipas saj, i pari nga këto qëllime është që të garantohet “siguria publike”: ndalimi iu përgjigjka domosdoshmërisë për të identifikuar çdo individ me qëllim që të parandalohen cenimet e sigurisë së personave dhe pasurive si edhe të luftohet kundër mashtrimit në lidhje me identitetin. I dyti nga këto qëllime paska të bëjë me “mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”. Fjala qenka për të siguruar “respektimin e pragut minimal të vlerave të një shoqërie demokratike dhe të hapur”. Qeveria u referohet lidhur me këtë tri vlerave. Fjala është pikësëpari për respektimin e kërkesave minimale të jetesës në shoqëri. Sipas Qeverisë, fytyra luan një rol të rëndësishëm në ndërveprimin midis qenieve njerëzore: pikërisht përmes saj më shumë sesa përmes çdolloj pjese tjetër të trupit shprehet ekzistenca e një individi si person unik dhe njihet njerëzia e tij e përbashkët me bashkëbiseduesin e vet njëkohësisht si edhe të qenët e tij tjetërkush. Fshehja e fytyrës në hapësirën publike paska kështu si efekt që e këput lidhjen shoqërore dhe shfaq një mospranim të “bashkëjetesës”. Fjala është pastaj për respektimin e barazisë ndërmjet burrave dhe grave, përderisa të jesh i mendimit që gratë duhet ta fshehin fytyrën e tyre në hapësirën publike për të vetmen arsye se janë gra është njëlloj sikur t’ua mohosh atyre të drejtën për të ekzistuar si individë dhe ta ruash shprehjen e individualitetit të tyre vetëm për hapësirën private familjare apo për një hapësirë ekskluzivisht femërore. Së fundi, fjala është për respektimin e dinjitetit të personave, përderisa gratë e veshura ashtu gjenden si të thuash “të fshira” nga hapësira publike. Mirëpo, sipas Qeverisë, qoftë kur dëshirohet, qoftë kur pësohet, një fshirje e tillë është çnjerëzuese dhe kështu që vështirë se mund të shihet si në përputhje me dinjitetin e personit.
Rreth pikës së barazisë ndërmjet burrave dhe grave, Qeveria i gjykon shumë të habitshme deklaratat e paditëses se ferexheja me perçe shprehka shpeshherë emancipimin e grave që e mbajnë atë, afirmimin e vetvetes nga ana e tyre dhe pjesëmarrjen e tyre në shoqëri, dhe deklaron se ajo nuk pajtohet me paraqitjen tejet pozitive që i bëjnë kësaj praktike ajo dhe organizatat joqeveritare që kanë ndërhyrë. Ajo deklaron se i mban shënim raportet studimore të paraqitura nga dy prej palëve të treta, nga të cilat del se gratë që e mbajnë ose e mbanin ferexhenë me perçe e bëkan ose e paskan bërë këtë pa qenë të shtrënguara dhe e paskan braktisur eventualisht këtë praktikë vetëm për arsye të armiqësisë së popullatës. Ajo vëren sidoqoftë se këto studime janë kryer vetëm pranë një numri shumë të vogël grash (njëzet e shtatë në njërin rast, tridhjetë e dy në tjetrin) të rekrutuara sipas metodës “topth bore”. Mirëpo kjo metodë qenka pak e besueshme, ngaqë aty vihen në shënjestër disa persona që i përgjigjen temës së studimit dhe pastaj identifikohen persona të tjerë nëpërmjet tyre, çka bën që të seleksionohen individë me pikëpamje të përbashkëta. Ajo nxjerr nga kjo përfundimin se këto raporte japin vetëm një vështrim shumë të njëanshëm të realitetit dhe se vërtetësia e tyre shkencore duhet të merret me shumë rezerva.
83. Në lidhje me domosdoshmërinë dhe me përpjesëtueshmërinë e kufizimit, Qeveria sjell argumentin se Ligji i 11 tetorit 2010 është miratuar njëzëri me votat e shprehura (një votë më pak) si nga Senati ashtu edhe nga Asambleja Kombëtare, në përfundim të një debati të gjerë demokratik ku u përfshi veçanërisht shoqëria civile. Ajo thekson se ndalimi për të cilin bëhet fjalë është tejet i kufizuar për sa i përket objektit të tij, përderisa ndalohet vetëm fshehja e fytyrës, për çfarëdo arsyeje, ndërkohë që kushdo mbetet i lirë, brenda këtij kufiri të vetëm, për të mbajtur në hapësirën publike një veshje që shërben për të shprehur një bindje fetare. Ajo shton se ai është i domosdoshëm për mbrojtjen e parimeve që e kanë arsyetuar miratimin e tij. Ajo vë në dukje lidhur me këtë se të mjaftuarit vetëm me ndëshkimin e detyrimit të tjetërkujt për ta fshehur fytyrën nuk do të kishte qenë i efektshëm, sepse gratë në fjalë mund të ngurrojnë ta denoncojnë atë dhe se fjala mund të jetë për një detyrim të përhapur. Ajo rikujton pastaj se Gjykata u njeh shteteve një hapësirë të gjerë vlerësimi kur bëhet fjalë për të kërkuar një baraspeshë midis interesit privat dhe interesave publikë apo kur një interes privat hyn në konflikt me të drejta të tjera të mbrojtura nga Konventa (ajo i referohet lidhur me këtë vendimit Evans k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM]; nr. 6339/05, § 77, GjEDNj 2007‑I). Ajo është për më tepër e mendimit se sanksionet me të cilat shoqërohet ndalimi janë të lehta, meqenëse bëhet fjalë për një gjobë prej 150 EUR ose për një kurs qytetarie. Ajo shton se edhe Këshilli Kushtetues, edhe Gjykata e Kasacionit, e kanë pranuar “domosdoshmërinë” e Ligjit.
84. Për sa i përket nenit 8 të Konventës, Qeveria vë në dukje se ajo nuk është e bindur që kjo dispozitë gjen vend për t’u zbatuar, përderisa ndalimi i mbajtjes së një veshjeje që shërben për të mbuluar fytyrën vlen vetëm në hapësirën publike dhe se nuk mund të konsiderohet që vihen në pikëpyetje tërësia fizike ose jeta intime e personit. Duke nënvizuar se argumentimi i paditëses ka të bëjë gjithsesi më shumë me lirinë për të shfaqur bindjet e veta ose fenë e vet, pra me nenin 9, ajo i referohet argumentimit që ka shtjelluar në këtë fushë për sa i përket përligjjes së ndërhyrjes dhe përpjesëtueshmërisë së saj.
85. Së fundi, Qeveria e gjykon paditësen si “person veçanërisht i papërshtatshëm për ta quajtur veten viktimë diskriminimi për arsye të gjinisë së saj” ndërkohë që një prej objektivave thelbësore të ligjit të kundërshtuar është që ta luftojë diskriminimin e tillë i cili përfaqësohet nga fshirja e gruas nga hapësira publike nëpërmjet mbajtjes së ferexhesë me perçe. Ajo çmon që pohimi se ky ligj mbështetet te një shabllon sipas të cilit gratë myslimane janë të nënshtruara është i pathemeltë e qesharak. Nga njëra anë, sepse ky ligj nuk synon gratë myslimane. Nga ana tjetër, sepse fshirja shoqërore e shfaqur përmes mbajtjes së burkës apo të nikabit është “vështirë se mund të pajtohet me afirmimin e një jete shoqërore”. Mirëpo, sipas saj, nga neni 14 i Konventës nuk mund të nxirret ndonjë e drejtë për ta vënë veten në situatë diskriminimi. Për sa i përket argumentit sipas të cilit një nga efektet e këtij ligji qenka që t’i bindë të interesuarat për të mos shkuar te hapësira publike dhe që t’i mbyllë ato brenda shtëpive të tyre, ai qenka veçanërisht i pafrytshëm në çështjen në fjalë, meqenëse paditësja vë në dukje se ajo mbulohet me ferexhe me perçe vetëm me dëshirën e saj dhe me raste.
Qeveria shton se ky ligj nuk krijon as ndonjë diskriminim në dëm të grave myslimane. Ajo rikujton në këtë drejtim se praktika e ferexhesë me perçe ka dalë kohët e fundit e është fare pak e zakonshme në Francë dhe se ajo është kritikuar shumë herë nga personalitete të rëndësishme myslimane. Ajo vë në dukje përveç kësaj se ndalimi zbatohet qoftë kur arsyetimi i fshehjes së fytyrës është fetar, qoftë kur ai nuk është i tillë, dhe cilado qoftë gjinia e personit. Së fundi, ajo nënvizon se fakti që disa persona të cilët kanë ndër mend të përqafojnë disa sjellje që ata i përligjin me bindjet e tyre, qofshin këto fetare ose jo, të mos mund ta bëjnë një gjë të tillë për arsye të një ndalimi të vendosur me ligj, nuk ka sesi të konsiderohet në vetvete si diskriminues, në qoftë se ai ndalim mbështetet në një bazë të arsyeshme dhe mbetet në përpjesëtim me qëllimin e ndjekur. Ajo u referohet rreth kësaj pike shtjellimeve të saj të mëparshme.
2. Argumentet e palëve të treta
a) Qeveria belge
86. Qeveria ndërhyrëse sjell në vëmendje se mbajtja e ferexhesë me perçe nuk përkon me ndonjë porosi të Kuranit, por me një zakon pakice të Gadishullit Arabik.
87. Ajo vë në dukje për më tepër se në Belgjikë është miratuar më 1 qershor 2011 dhe ka hyrë në fuqi më 23 korrik 2011 një ligj që e ndalon mbajtjen e çdolloj “veshjeje që e fsheh tërësisht ose kryesisht fytyrën”. Ajo saktëson se Gjykata Kushtetuese belge i ka rrëzuar të dyja ankimet kushtetuese të ushtruara kundër këtij ligji me një vendim të datës 6 dhjetor 2012 – duke shprehur njëkohësisht një rezervë lidhur me vendet e kultit – duke përcaktuar se mbajtja e veshjeve të tilla përbënte një problem sigurie, përbënte një pengesë për të drejtën e grave për barazinë e dinjitetin dhe, më në themel, vinte në rrezik vetë kushtet e bashkëjetesës. Ajo çmon se nuk u takon individëve që t’i japin vetes, në kuadrin e lirisë të tyre individuale ose fetare, fuqinë për të vendosur se kur mund të pranojnë të zbulohen në hapësirën publike, meqenëse vlerësimi i kërkesave të sigurisë publike duhet t’u delegohet medoemos autoriteteve publike. Ajo shënon pastaj se e drejta e grave për barazinë e dinjitetin përmendet nga të dyja palët dhe e pranon që mbajtja e ferexhesë me perçe nuk është domosdoshmërisht shprehja e një nënshtrimi ndaj burrave. Ajo është megjithatë e mendimit se e drejta për t’u izoluar ka caqet e saj, se kodet e veshjeve që mbretërojnë në shoqëritë tona janë produkt i një konsensusi shoqëror dhe fryt i një kompromisi ndërmjet lirive individuale dhe kodeve të ndërveprimit në shoqëri, dhe se personat të cilët mbajnë një veshje që ua fsheh fytyrën u japin të tjerëve sinjalin se ata nuk duan të marrin pjesë në mënyrë aktive në shoqëri dhe janë kështu të çnjerëzuar. Sipas saj, një prej vlerave që përbëjnë themelet e funksionimit të shoqërisë demokratike është që të jetë i mundur një shkëmbim aktiv ndërmjet individëve.
88. Qeveria ndërhyrëse thekson se ligjvënësi belg ka pasur ndërmend të mbrojë një model shoqërie ku individit i jepet epërsi mbi lidhjet e tij filozofike, kulturore ose fetare, me qëllim që të favorizohet integrimi i të gjithëve e të veprohet në mënyrë të tillë që qytetarët të kenë një trashëgimi të përbashkët vlerash themelore si demokracia, barazia midis burrave dhe grave apo edhe ndarja e Kishës nga shteti. Ajo i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese belge lidhur me përcaktimin që ai bën se, përderisa fshehja e fytyrës sjell si pasojë heqjen e çdo mundësie individualizimi nëpërmjet fytyrës ndërkohë që ky individualizim përbën një kusht themelor të lidhur me vetë thelbin e saj, ndalimi për të mbajtur në vendet ku ka qasje publiku një veshje që e fsheh fytyrën, qoftë ajo edhe shprehja e një bindjeje fetare, i përgjigjet një nevoje shoqërore të domosdoshme në një shoqëri demokratike. Ajo shton se ligjvënësi belg ka zgjedhur sanksionin penal më të lehtë (gjobën) dhe – duke iu referuar gjithashtu vendimit të Gjykatës Kushtetuese – se rrethana që, për të mos qarkulluar me fytyrë të pambuluar, disa gra qëndruakan brenda shtëpisë së vet, është më shumë rezultat i zgjedhjes së tyre sesa i ndonjë detyrimi të padrejtë që iu diktuaka atyre nga ligji. Së fundi, ajo çmon se ligji francez dhe ai belg nuk janë diskriminues përderisa nuk e synojnë në mënyrë specifike ferexhenë me perçe dhe zbatohen ndaj cilitdo që mban një shenjë dalluese e cila e fsheh fytyrën e tij në publik, qoftë fjala për burrë apo për grua, qoftë për arsye fetare apo për arsye tjetër.
b) Organizata joqeveritare Amnesty International
89. Pala ndërhyrëse sjell në vëmendje se e drejta për të mbajtur veshje me ngjyrim fetar mbrohet nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike për sa ka të bëjë me të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë, si edhe me të drejtën e lirisë së shprehjes. Ajo shton se Pakti parashikon disa përjashtime të ngjashme me ato të pranuara nga nenet 9 e 10 të Konventës dhe mbron mendimin se e drejta ndërkombëtare publike kërkon që ato të interpretohen në mënyrë të ngjashme nga njëri instrument në tjetrin. Ajo e fton për rrjedhojë Gjykatën që t’i marrë parasysh Vërejtjet e Përgjithshme nr. 22, 27 dhe 34 të Komitetit të të Drejtave të Njeriut si edhe jurisprudencën e tij (...).
90. Pala ndërhyrëse shton se e drejta për mosdiskriminim garantohet nga të gjitha instrumentet ndërkombëtare dhe rajonale për mbrojtjen e të drejtave themelore, se edhe aty duhet një interpretim homogjen dhe se veçanërisht nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe nga Konventa për Eliminimin e të Gjitha Trajtave të Diskriminimit ndaj Grave del se shtetet kanë detyrimin që të marrin masa të efektshme të cilat e mundësojnë ndreqjen e sjelljeve diskriminuese. Ajo u referohet për më tepër Vërejtjeve të përgjithshme nr. 22 e 28 të Komitetit të të Drejtave të Njeriut. Ajo vë përveç kësaj në dukje rrezikun e diskriminimit të kryqëzuar: gratë mund të vuajnë nga një trajtë specifike diskriminimi për arsye të kombinimit të faktorit gjini me faktorë të tjerë si feja, e cila e gjen shprehjen e saj sidomos në krijimin e shablloneve për disa kategori grash. Ajo thekson gjithashtu se disa kufizime në mbajtjen e shamisë ose të ferexhesë mund të prekin të drejtën për punë, të drejtën për arsim dhe të drejtën për barazi përpara ligjit, si edhe mund të nxisin ngacmimet dhe dhunën.
91. Sipas palës ndërhyrëse, hamendësimi se gratë që mbajnë disa lloje veshjesh e bëjnë këtë sepse janë të detyruara ka të bëjë me një shabllon seksist ose fetar; që t’i jepet fund diskriminimit u lypka një qasje shumë më e nuancuar.
c) Organizata joqeveritare ARTICLE 19
92. Pala ndërhyrëse nënvizon se mbajtja e veshjeve ose e shenjave fetare ka të bëjë me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe me të drejtën e fesë e të mendimit, dhe ajo i referohet Vërejtjes së Përgjithshme nr. 28 të Komitetit të të Drejtave të Njeriut. Ajo i referohet gjithashtu vendimit Hudoyberganova k. Uzbekistanit (të cituar më lart) të të njëjtit Komitet, ku ky ka përcaktuar se liria e secilit për ta shprehur fenë e tij e përfshin të drejtën për t’i mbajtur në publik veshjet ose kostumet që gjykohen si në përputhje me fenë ose me besimin e tij dhe se pengimi i një personi për të mbajtur një veshje fetare mund të përbëjë një shkelje të nenit 18 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Ajo i referohet gjithashtu Vërejtjes së Përgjithshme nr. 34 të Komitetit, lidhur me lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Ajo shton se, në raportin e tij të vitit 2006, Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për lirinë e fesë ose të besimit propozon disa vija udhëheqëse për të vlerësuar se sa të domosdoshme dhe të përpjesëtuara janë kufizimet e mbajtjes së shenjave ose të veshjeve fetare dhe u rekomandon administratave dhe juridiksioneve të cilave u kërkohet të bëjnë një vlerësim të tillë që të shtrojnë pyetjet e mëposhtme: a është i përshtatshëm kufizimi për të cilin bëhet fjalë në vështrim të interesit të drejtë që ai synon të mbrojë, a është ai më pak kufizuesi, a e bën ai një vënie në balancë të interesave të pranishëm, a është ai me natyrë të tillë që e stimulon intolerancën fetare dhe a e shmang ai stigmatizimin e ndonjë bashkësie fetare të veçantë?
93. Pala ndërhyrëse vëren pastaj se, siç e ka vënë në dukje Raportuesi i Posaçëm për lirinë e fesë ose të besimit në raportin e tij kalimtar të vitit 2011, ndalimi i diskriminimit mbi bazë gjinore përmendet shpesh si argument në favor të ndalimit të ferexhesë me perçe, ndërkohë që një ndalim i tillë mund të shpjerë në diskriminime të kryqëzuara në dëm të grave myslimane. Sipas saj, kjo mund të ketë efekt të kundërt, ngaqë mund të sjellë si pasojë mbylljen e grave për të cilat bëhet fjalë brenda mureve të shtëpisë, përjashtimin e tyre nga jeta publike dhe margjinalizimin e tyre, si edhe t’i ekspozojë gratë myslimane ndaj akteve të dhunës fizike dhe verbale. Ajo vë re përveç kësaj se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në veçanti, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të mos e parapëlqejnë si zgjidhje një ndalim të përgjithshëm të mbajtjes së ferexhesë me perçe në publik.
94. Sipas palës ndërhyrëse, standardet ndërkombëtare lidhur me të drejtën e lirisë së shprehjes, me të drejtën e lirisë së mendimit e të fesë dhe me të drejtën për një trajtim të barabartë e për mosdiskriminimin nuk e lejojnë që të ndalohet në mënyrë të përgjithshme mbulimin e fytyrës në publik.
d) Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Gentit
95. Pala ndërhyrëse thekson se ligji francez dhe ai belg që e ndalojnë fshehjen e fytyrës në publik janë miratuar mbi bazën e hamendësimit se gratë që mbajnë ferexhe me perçe e bëjnë këtë në shumicën e rasteve duke qenë të detyruara, se ato shprehin kështu vullnetin e tyre për të mos ndërvepruar me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë dhe përfaqësojnë një kërcënim për sigurinë publike. Mirëpo një hulumtim empirik i realizuar nën drejtimin e saj në Belgjikë pranë njëzet e shtatë grave që e mbajnë ose e kanë mbajtur ferexhenë me perçe (E. Brems, Y. Janssens, K. Lecoyer, S. Ouald Chaib dhe V. Vandersteen, Wearing the Face Veil in Belgium: Views and Experiences of 27 Women Living in Belgium Concerning the Islamic Full Face Veil and the Belgian Ban on Face Covering), të cilit i shtohen punimet e kryera në Francë nga fondacionet Open Society (shih paragrafin 104 të mësipërm) dhe në Vendet e Ulëta nga Profesor A. Moors, treguakan që ky hamendësim është i gabuar.
96. Sipas palës ndërhyrëse, këto punime tregojnë se ndalimi nuk e mundëson arritjen e qëllimeve të tij: ai sjell si pasojë mbylljen e grave për të cilat bëhet fjalë brenda mureve të shtëpisë, çka i izolon ato e dëmton jetën e tyre shoqërore dhe autonominë e tyre, si edhe nxitjen e agresioneve kundër tyre. Ajo çmon përveç kësaj se ai është i shpërpjesëtuar, sepse hapësira publike përkufizohet në mënyrë shumë të gjerë, se problemet që lidhen me sigurinë publike mund të ndreqen me detyrimin në raste të caktuara për t’u identifikuar duke e treguar fytyrën dhe se në shoqërinë moderne ka mënyra të shumta komunikimi ku nuk është e nevojshme që secili të shohë fytyrën e tjetrit.
97. Sipas palës ndërhyrëse, përveç faktit që e cenon në mënyrë të shpërpjesëtuar lirinë e fesë, ndalimi shkakton një diskriminim të tërthortë e të kryqëzuar, të bazuar te feja dhe gjinia, përforcon shabllonet dhe shpërfill faktin se gratë e mbuluara me ferexhe përbëjnë një grup pakice të brishtë i cili ka nevojë për një kujdes të veçantë.
98. Së fundi, pala ndërhyrëse e fton Gjykatën që ta shqyrtojë këtë çështje në dritën e rritjes së islamofobisë në disa vende evropiane. Ajo është e mendimit se miratimi dhe vënia në zbatim e një ndalimi të plotë të mbulimit të fytyrës në publik bëhen edhe më të dëmshëm për faktin se shoqërohen me një ligjërim politik të përqendruar te gratë që mbajnë ferexhenë islamike me perçe, i cili i ka përforcuar shabllonet negative dhe islamofobinë.
e) Organizata joqeveritare Liberty
99. Pala ndërhyrëse vëren se Ligji i 11 tetorit 2010, ndonëse i formuluar me terma asnjanës, vë në shënjestër mbajtjen e burkës dhe zbatohet në të gjithë hapësirën publike, dhe se gratë për të cilat bëhet fjalë ndodhen përballë një zgjedhjeje të vështirë që ose të qëndrojnë në shtëpi, ose të heqin ferexhenë. Ajo rikujton se Konventa është fryti i tmerreve që karakterizuan Luftën e Dytë Botërore, se qenë mizoritë e kryera ndaj çifutëve ato që e arsyetuan përfshirjen e së drejtës për lirinë e fesë në listën e të drejtave themelore dhe se që prej asaj kohe ka pasur edhe krime të tjera kundër njerëzimit të kryera për arsye – të paktën në një pjesë të tyre – fetare. Ajo shton se ka një lidhje të ngushtë midis fesë dhe racës.
100. Pala ndërhyrëse nënvizon pastaj se përcaktimi në përgjithësi i rregullave të veshjes së grave në publik jo vetëm që mund të bjerë ndesh me shumë të drejta themelore, por edhe të shkelë instrumentet ndërkombëtare dhe rajonale si Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Për sa i përket Konventës, ajo çmon se nenet 8, 9, 10 dhe 14 hyjnë në veprim. Ajo gjykon se tre elementet e vëna në dukje në parashtrimin e arsyetimeve të projektligjit për ta përligjur këtë ndalim nuk janë bindëse. Ajo parashtron për më tepër se ligji për ndalimin dhe debati rreth kësaj pike e stimulojnë stigmatizimin e myslimanëve dhe i nxisin qëndrimet raciste ndaj tyre.
101. Në përfundim, pala ndërhyrëse vëren se, ndonëse në veçanti shumë aktiviste feministe janë të mendimit që ferexheja me perçe i përul gratë, u prek atyre dinjitetin dhe është shprehje patriarkalizmi, ka disa të tjera që e shohin atë si një simbol të besimit të tyre. Sipas saj, kjo mosmarrëveshje nuk mund të zgjidhet duke i shtrënguar gratë që e ndiejnë si detyrë mbajtjen e saj që të qëndrojnë në shtëpi ngaqë përndryshe u nënshtrohen sanksioneve; kjo nuk i çliron gratë dhe, me shumë gjasa, nxit islamofobinë.
f) Organizata joqeveritare Open Society Justice Initiative
102. Pala ndërhyrëse nënvizon se ndalimi i ferexhesë me perçe kritikohet në gjirin e Këshillit të Evropës dhe se vetëm Franca me Belgjikën e kanë parapëlqyer një masë të përgjithshme të këtij lloji. Ajo thekson se, ndonëse ligji francez dhe ai belg janë asnjanës në mënyrën se si janë hartuar, procesi nga i cili kanë dalë tregon se ata vënë në shënjestër posaçërisht nikabin dhe burkën.
103. Pala ndërhyrëse vë pastaj në dukje se ligji francez ka për qëllim ruajtjen e sigurisë publike, të barazisë ndërmjet burrave dhe grave dhe të shtetit laik. Ajo sjell si argument për këtë se një arsyetim i bazuar mbi rendin publik mund ta fshehë me lehtësi intolerancën kur vihet në pikëpyetje liria fetare. Duke iu referuar në veçanti vendimit Palau-Martinez k. Francës (nr. 64927/01, § 43, GjEDNj 2003‑XII), ajo shton se shtetet nuk mund ta përmendin si argument këtë nocion për të përligjur një ndërhyrje në ushtrimin e një të drejte të garantuar nga Konventa përveçse për aq sa e vërtetojnë se ka një cenim konkret të rendit publik. Lidhur me mbrojtjen e barazisë ndërmjet burrave dhe grave, ajo shënon se një qëllim i tillë mbështetet te hamendësimi se mbajtja e ferexhesë bëhet me detyrim dhe i vë në pozitë të pavolitshme gratë për të cilat bëhet fjalë, ndërkohë që këtë nuk e tregon asnjë nga elementet e shqyrtuara në kuadrin e procesit ligjvënës.
104. Pala ndërhyrëse i referohet përveç kësaj raportit të një studimi të realizuar në Francë nën kujdesin e fondacioneve Open Society pranë tridhjetë e dy grave që mbajnë ferexhe me perçe, me titullin Unveiling the Truth; Why 32 Muslim Women Wear the Full-Face Veil in France dhe të botuar në prill 2011. Ajo vë në dukje që prej tij del konkretisht se gratë e pyetura nuk e mbanin ferexhenë duke qenë të shtrënguara, se shumë prej tyre kishin vendosur ta bënin atë gjë në kundërshtim me mendimin e familjes së vet, se një e treta e tyre nuk e mbanin atë çdo ditë e në mënyrë të përhershme dhe se shumica e tyre ruante një jetë shoqërore aktive. Prej tij dilte gjithashtu se ndalimi ka shkaktuar pakënaqësinë e këtyre grave dhe është shkaku për një humbje autonomie, dhe se ligjërimi publik me të cilin është shoqëruar ai i ka nxitur sulmet verbale dhe fizike të pjesëtarëve të publikut kundër tyre. Pala ndërhyrëse paraqet përveç kësaj një raport ecurie të hartuar në shtator 2013. Ajo vë në dukje se prej tij del që shumica e grave në fjalë vazhdojnë ta mbajnë ferexhenë me perçe, kjo sepse për to puna është që të shprehin bindjet e tyre fetare. Ajo shton se raporti vë në dukje një ndikim të madh të këtij ndalimi në jetët e tyre personale dhe familjare. Ajo sinjalizon për më tepër se raporti tregon që të gjitha gratë e pyetura deklarojnë se siguria e tyre personale është përkeqësuar që prej ndalimit dhe flasin për ngacmime e nganjëherë për sulme fizike të cilat vijnë si rezultat i një klime që e nxit publikun për të vepruar kundër grave që e mbajnë ferexhenë me perçe.
105. Në përfundim, pala ndërhyrëse mbron mendimin se kundër ndalimit të mbajtjes së ferexhesë me perçe në publik ka një konsensus evropian. Ajo ngul këmbë për më tepër te fakti se disa ndalime të plota janë të shpërpjesëtuara kur ka mundësi për masa më pak ndërhyrëse, se disa përligjje për arsye rendi publik duhet të jenë të bazuara konkretisht, se masat e marra për nxitje të barazisë duhet të përligjen në mënyrë objektive dhe të arsyeshme dhe të kufizohen në kohë dhe se ato që synojnë të garantojnë shtetin laik duhet të jenë rreptësisht të domosdoshme.
3. Vlerësimi i Gjykatës
a) Rreth shkeljes së pretenduar të neneve 8 dhe 9 të Konventës
106. Ndalimi i mbajtjes në hapësirë publike të një veshjeje që shërben për të fshehur fytyrën shtron disa pyetje në vështrim të së drejtës për respektimin e jetës private (neni 8 i Konventës) të grave që dëshirojnë të mbajnë ferexhe me perçe për arsye që lidhen me bindjet e tyre, si edhe në vështrim të lirisë së tyre për t’i shfaqur këto të fundit (neni 9 i Konventës).
107. Gjykata çmon në fakt se zgjedhjet që bën dikush për sa i përket pamjes që dëshiron të ketë, si në hapësirën publike ashtu edhe në mjedis privat, kanë të bëjnë me shprehjen e personalitetit të secilit, pra me jetën private. Kështu e ka gjykuar ajo tashmë kur ka qenë fjala për zgjedhjen e modelit të flokëve (Popa k. Rumanisë (vend. pran.), nr. 4233/09, 18 qershor 2013, §§ 32-33; shih gjithashtu vendimin e Komisionit Evropian të të Drejtave të Njeriut në çështjen Sutter k. Zvicrës, nr. 8209/78 të 1 marsit 1979). Ajo çmon, sipas shembullit të Komisionit (shih, në veçanti, vendimet për pranueshmërinë McFeeley me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8317/78, 15 maj 1980, § 83, Décisions et rapports (DR) 20 dhe Kara k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 36528/97, 22 tetor 1998), se e njëjta gjë vlen edhe për zgjedhjen e veshjeve. Një masë e nxjerrë nga një autoritet publik e cila e kufizon një zgjedhje të këtij lloji përbën pra në parim një ndërhyrje në të drejtën për respektimin e jetës private, në kuptimin e nenit 8 të Konventës (shih vendimin Kara të cituar më lart). Nga kjo rezulton se ndalimi i shpallur nga Ligji i 11 tetorit 2010 për të mbajtur në hapësirën publike një veshje që shërben për të mbuluar fytyrën ka të bëjë me nenin 8 të Konventës.
108. Duke qenë kështu, për aq sa ky ndalim vihet në pikëpyetje nga disa persona që, ashtu sikurse paditësja, ankohen të jenë penguar për rrjedhojë që të mbajnë në hapësirën publike një veshje të cilën ua kërkon praktikimi i një feje nga ana e tyre, ai shtron para së gjithash një problem në vështrim të lirisë së secilit për ta shprehur fenë e tij ose bindjet e tij (shih, në veçanti, Ahmet Arslan me të tjerë k. Turqisë, nr. 41135/98, § 35, 23 shkurt 2010). Rrethana që kjo praktikë përbën pakicë dhe duket se kundërshtohet (...) është pa lidhje në këtë drejtim.
109. Gjykata do ta shqyrtojë pra këtë pjesë të kërkesëpadisë në këndvështrimin e nenit 8 dhe të nenit 9, por duke e vënë theksin tek e dyta nga këto dispozita.
i. Rreth ekzistencës së një “kufizimi” ose të një “ndërhyrjeje”
110. Siç e ka nënvizuar më parë Gjykata (...), Ligji i 11 tetorit 2010 e vë paditësen përpara një dileme të krahasueshme me atë që ajo kishte identifikuar te vendimet Dudgeon dhe Norris: ose t’i nënshtrohet ndalimit dhe të heqë kështu dorë nga veshja në përputhje me zgjedhjen që i dikton qasja që ka për fenë e saj, ose të mos i nënshtrohet atij dhe t’u ekspozohet sanksioneve penale. Ajo gjendet kështu, në vështrimin e nenit 9 të Konventës ashtu si edhe të nenit 8, në një situatë të ngjashme me atë të paditësve Dudgeon dhe Norris, në rastin e të cilëve Gjykata ka vënë re një “ndërhyrje të përhershme” në ushtrimin e të drejtave të garantuara nga e dyta e këtyre dispozitave (vendime të cituara më lart, përkatësisht §§ 41 e 38; shih gjithashtu, në veçanti, Michaud, i cituar më lart, § 92). Në çështjen në fjalë ka pra një “ndërhyrje” ose një “kufizim” në ushtrimin e të drejtave të mbrojtura nga nenet 8 dhe 9 të Konventës.
111. Për të qenë në pajtim me paragrafët e dytë të këtyre dispozitave, një kufizim apo një ndërhyrje e tillë duhet të jenë “të parashikuar nga ligji”, të frymëzuar nga njëri ose disa prej qëllimeve të drejta që numërohen në to një për një, si edhe “të domosdoshëm”, “në një shoqëri demokratike”, në ndjekje të këtij ose këtyre qëllimeve.
ii. “I parashikuar nga ligji”
112. Gjykata vë re se ndalimi për të cilin bëhet fjalë është i parashikuar nga nenet 1, 2 dhe 3 të Ligjit të 11 tetorit 2010 (paragrafi 28 i mësipërm). Ajo vë në dukje përveç kësaj se paditësja nuk e kundërshton që këto dispozita i plotësojnë kriteret e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës lidhur me nenet 8 § 2 dhe 9 § 2 të Konventës.
iii. Qëllimi i drejtë
113. Gjykata rikujton se numërimi një për një i përjashtimeve nga liria e secilit për ta shfaqur fenë e tij ose bindjet e tij, e cila figuron në paragrafin e dytë të nenit 9, është shterues dhe se përcaktimi i këtyre përjashtimeve është kufizues (shih, në veçanti, Svyato-Mykhaylivska Parafiya k. Ukrainës, nr. 77703/01, § 132, 14 qershor 2007, dhe Nolan e K. k. Rusisë, nr. 2512/04, § 73, 12 shkurt 2009). Për të qenë në përputhje me Konventën, një kufizim i kësaj lirie duhet veçanërisht të frymëzohet nga një qëllim i cili mund të lidhet me njërin prej atyre që numëron një për një kjo dispozitë. E njëjta qasje diktohet edhe në fushën e nenit 8 të Konventës.
114. Praktika e Gjykatës është që të tregohet më fort e përmbledhur kur verifikon ekzistencën e një qëllimi të drejtë në kuptimin e paragrafëve të dytë të neneve 8 deri 11 të Konventës (shih, për shembull, të cituar më lart, Leyla Şahin, § 99, dhe Ahmet Arslan me të tjerë, § 43). Megjithatë, në çështjen në fjalë, përmbajtja e qëllimeve të përmendura në këtë drejtim nga Qeveria dhe të kundërshtuara me forcë nga paditësja, kërkon një shqyrtim të thelluar. Paditësja çmon në fakt se ndërhyrja në ushtrimin e lirisë për të shfaqur fenë e saj dhe të së drejtës për respektimin e jetës private, së cilës ajo i nënshtrohet për arsye të ndalimit që vendos Ligji i 11 tetorit 2010, nuk i përgjigjet asnjërit nga qëllimet që numërohen një për një në paragrafin e dytë të neneve 8 dhe 9. Qeveria mbron nga ana e saj mendimin se ajo synon dy qëllime të drejta: sigurinë publike dhe “respektimin e pragut minimal të vlerave të një shoqërie demokratike dhe të hapur”. Mirëpo Gjykata vë re se paragrafi i dytë i neneve 8 dhe 9 nuk përmend shprehimisht as të dytin nga këto qëllime, as tri vlerat të cilave u referohet Qeveria në këtë drejtim.
115. Në lidhje me të parin nga qëllimet e përmendura nga Qeveria, Gjykata vëren pikësëpari se “siguria publike” bën pjesë te qëllimet që numërohen një për një nga paragrafi i dytë i nenit 9 të Konventës (public safety në tekstin e kësaj dispozite në anglisht) dhe se paragrafi i dytë i nenit 8 i referohet nocionit të ngjashëm të “sigurimit publik” (gjithashtu public safety në tekstin e kësaj dispozite në anglisht). Ajo shënon pastaj se Qeveria sjell si argument për këtë se ndalimi i kundërshtuar i mbajtjes në hapësirën publike të një veshjeje që shërben për të mbuluar fytyrën i përgjigjet domosdoshmërisë së identifikimit të individëve me qëllim që të parandalohen cenimet ndaj sigurisë së personave dhe të pasurive dhe që të luftohet kundër mashtrimit në lidhje me identitetin. Me sa shihet në dosje, natyrisht që mund t’i shtrohet vetes pyetja nëse ligjvënësi i ka dhënë një peshë domethënëse shqetësimeve të tilla. Gjithsesi, duhet vënë re që parashtrimi i arsyeve me të cilin shoqërohej projektligji vinte në dukje – sigurisht, në mënyrë më se të bollshme – se praktika e fshehjes së fytyrës “[mund] të jetë në disa rrethana një rrezik për sigurinë publike” (...) dhe se Këshilli Kushtetues e kishte pranuar që ligjvënësi kishte çmuar se kjo praktikë mund të përbënte një rrezik për sigurinë publike (...). Në mënyrë të ngjashme, në raportin e tij studimor të 25 marsit 2010, Këshilli i Shtetit ka vënë në dukje se siguria publike mund të përbënte një bazë për ndalimin e fshehjes së fytyrës, duke saktësuar megjithatë se mund të ndodhte kështu vetëm në disa rrethana të veçanta (...). Për rrjedhojë, Gjykata e pranon që, duke e miratuar ndalimin objekt konflikti, ligjvënësi synonte t’u jepte përgjigje disa pikëpyetjeve lidhur me “sigurinë publike” ose me “sigurimin publik”, në kuptimin e paragrafit të dytë të neneve 8 dhe 9 të Konventës.
116. Lidhur me të dytin nga qëllimet e përmendura – “respektimin e pragut minimal të vlerave të një shoqërie demokratike dhe të hapur” – Qeveria e ka fjalën për tri vlera: respektimin e barazisë ndërmjet burrave dhe grave, respektimin e dinjitetit të personave dhe respektimin e kërkesave minimale të jetesës në shoqëri. Ajo çmon se këto qëllime lidhen me “mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”, në kuptimin e paragrafit të dytë të neneve 8 dhe 9 të Konventës.
117. Siç e ka vënë në dukje më parë Gjykata, asnjëra nga këto tri vlera nuk përkon shprehimisht me qëllimet e drejta që numërohen një për një në paragrafin e dytë të neneve 8 dhe 9 të Konventës. Nga këto qëllime, të vetmet që mund të kenë lidhje me çështjen në fjalë, në vështrim të këtyre vlerave, janë “rendi publik” dhe “mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”. Mirëpo i pari nuk përmendet nga neni 8 § 2. Madje Qeveria nuk i është referuar atij as në vërejtjet me shkrim, as në përgjigjen e saj ndaj pyetjes që i është bërë lidhur me këtë gjatë seancës, duke përmendur vetëm “mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”. Gjykata do ta përqendrojë pra shqyrtimin e saj te ky “qëllim i drejtë” i fundit, ashtu siç ka vepruar madje në çështjet Leyla Şahin dhe Ahmet Arslan me të tjerë (të cituara më lart, përkatësisht §§ 111 dhe 43).
118. Në radhë të parë, ajo nuk bindet nga parashtrimi i Qeverisë për aq sa ky ka të bëjë me respektimin e barazisë ndërmjet burrave dhe grave.
119. Ajo nuk ka dyshim se barazia ndërmjet burrave dhe grave mund ta arsyetojë me të drejtë një ndërhyrje në ushtrimin e disa të drejtave dhe lirive që sanksionon Konventa (shih, mutatis mutandis, Staatkundig Gereformeerde Partij k. Vendeve të Ulëta (vend. pran.), 10 korrik 2012). Ajo rikujton lidhur me këtë se përparimi drejt barazisë gjinore është sot një qëllim i rëndësishëm i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (po aty; shih gjithashtu, në veçanti, Schuler-Zgraggen k. Zvicrës, 24 qershor 1993, § 67, seria A nr. 263, dhe Konstantin Markin k. Rusisë [DhM], nr. 30078/06, § 127, GjEDNj 2012 (pjesë të zgjedhura)). Kështu, një shtet palë i cili, në emër të barazisë gjinore, ia ndalon cilitdo që t’i detyrojë gratë për ta fshehur fytyrën e tyre, ndjek një qëllim që përkon me “mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”, në kuptimin e paragrafit 2 të neneve 8 dhe 9 të Konventës (shih Leyla Şahin, të cituar më lart, § 111). Mirëpo Gjykata çmon në anën tjetër se një shtet palë nuk ka sesi t’i referohet barazisë gjinore për të ndaluar një praktikë që disa gra – të tilla si paditësja – e kërkojnë vetë në kuadrin e ushtrimit të të drejtave që sanksionohen prej këtyre dispozitave, veç në u pranoftë se mund të pretendohet mbi këtë bazë që të mbrohen individët kundër ushtrimit të të drejtave dhe lirive të tyre themelore. Ajo vëren madje se, në raportin e tij studimor të 25 marsit 2010, Këshilli i Shtetit ka dalë në një përfundim të njëjtë (...).
Nga ana tjetër, edhe sikur Qeveria të ketë kërkuar kështu që të sjellë si argument se mbajtja e ferexhesë me perçe nga disa gra e lëndon shumicën e popullsisë franceze ngaqë bie ndesh me parimin e barazisë gjinore ashtu siç pranohet ai përgjithësisht në Francë, Gjykata u referohet arsyetimeve lidhur me dy vlerat e tjera që përmenden prej saj (paragrafët 120-122 të mësipërm).
120. Në radhë të dytë, Gjykata është e mendimit se, sado thelbësor që të jetë, respektimi i dinjitetit të personave nuk mund ta arsyetojë me të drejtë ndalimin e përgjithshëm të mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike. Gjykata është e vetëdijshme për faktin se veshja në fjalë perceptohet si e çuditshme nga shumë prej atyre që e vërejnë atë. Ajo nënvizon megjithatë se, në ndryshmërinë e saj, ajo është shprehja e një identiteti kulturor që jep ndihmesë për atë pluralizëm me të cilin ushqehet demokracia. Ajo vëren, lidhur me këtë, larminë e mënyrave të konceptimit të virtytit e të mirësjelljes në lidhje me zbulimin e trupit. Nga ana tjetër, ajo nuk zotëron asnjë element të tillë që të mundë ta bëjë atë të jetë e mendimit se gratë që e mbajnë ferexhenë me perçe duan të shprehin ndonjë trajtë përbuzjeje ndaj atyre me të cilët u ndeshet udha apo ta cenojnë në ndonjë mënyrë tjetër dinjitetin e të tjerëve.
121. Në radhë të tretë, Gjykata çmon megjithatë se, në disa kushte, ajo që Qeveria e cilëson si “respektim të kërkesave minimale të jetesës në shoqëri” – “bashkëjetesa”, në parashtrimin e arsyeve të projektligjit (...) – mund të lidhet me atë qëllim të drejtë që përbën “mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.
122. Gjykata e merr parasysh faktin që shteti i paditur është i mendimit se fytyra luan një rol të rëndësishëm në ndërveprimin shoqëror. Ajo mund ta kuptojë pikëpamjen se ata persona që ndodhen në vende të hapura për të gjithë dëshirojnë që aty të mos zhvillohen praktika ose qëndrime të cilat e vënë thelbësisht në pikëpyetje atë mundësi marrëdhëniesh të hapura ndërpersonale që, mbi bazën e një konsensusi të pranuar tashmë, është një element i domosdoshëm për jetën kolektive në gjirin e shoqërisë së marrë në shqyrtim. Gjykata mund ta pranojë pra që mbyllja që u kundërvë të tjerëve ferexheja e cila e fsheh fytyrën të perceptohet nga shteti i paditur sikur e cenon të drejtën e të tjerëve për të jetuar në një hapësirë shoqërizimi që e lehtëson bashkëjetesën. Gjithsesi, elasticiteti i nocionit të “bashkëjetesës” dhe rreziku i teprimeve që rrjedh prej tij kërkojnë që Gjykata të kryejë një shqyrtim të vëmendshëm të domosdoshmërisë së kufizimit të kundërshtuar.
iv. Domosdoshmëria në një shoqëri demokratike
α. Parimet e përgjithshme lidhur me nenin 9 të Konventës
123. Meqenëse Gjykata ka vendosur që ta vërë theksin te neni 9 i Konventës në shqyrtimin nga ana e saj të kësaj pjese të kërkesëpadisë, ajo e gjykon me dobi që të rikujtojë parimet e përgjithshme lidhur me këtë dispozitë.
124. Ashtu siç mbrohet nga neni 9, liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë përfaqëson një nga bazat e një “shoqërie demokratike” në kuptimin e Konventës. Në dimensionin e saj fetar, kjo liri figuron midis elementeve më thelbësore të identitetit të besimtarëve dhe të konceptit të tyre për jetën, por ajo është gjithashtu një pasuri e vyer edhe për ateistët, agnostikët, skeptikët apo indiferentët. Këtu bëhet fjalë për pluralizmin – të fituar me çmim të shtrenjtë përgjatë shekujve – i cili nuk mund të ndahet nga një shoqëri e tillë. Kjo liri nënkupton, në veçanti, atë për ta pranuar ose jo një fe si edhe atë për ta praktikuar ose për të mos e praktikuar atë (shih, ndër të tjera, Kokkinakis k. Greqisë, 25 maj 1993, § 31, seria A nr. 260-A, Buscarini me të tjerë k. San-Marinos [DhM], nr 24645/94, § 34, GjEDNj 1999-I, dhe Leyla Şahin, të cituar më lart, § 104).
125. Ndonëse liria fetare është në radhë të parë një çështje ndërgjegjeje, ajo nënkupton gjithashtu lirinë për ta shfaqur fenë e vet në mënyrë individuale dhe privatisht ose në mënyrë kolektive, në publik e në rrethin e atyre që janë me fe të përbashkët. Neni 9 i numëron një për një trajtat e ndryshme që mund të marrë shfaqja e një feje apo e një bindjeje, konkretisht kultin, arsimin, praktikat dhe kryerjen e riteve (shih, mutatis mutandis, Cha’are Shalom Ve Tsedek k. Francës [DhM], nr. 27417/95, § 73, GjEDNj 2000-VII, dhe Leyla Şahin, i cituar më lart, § 105).
Megjithatë, neni 9 nuk mbron çfarëdolloj akti të arsyetuar ose të frymëzuar nga një fe apo besim dhe nuk e garanton gjithmonë të drejtën e secilit për t’u sjellë në fushën publike në një mënyrë të diktuar ose të frymëzuar nga feja apo besimet e tij (shih, për shembull, Arrowsmith k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 7050/75, raport i Komisionit i datës 12 tetor 1978, DR 19, Kalaç k. Turqiqë, 1 korrik 1997, § 27, Recueil des arrêts et décisions 1997‑IV, dhe Leyla Şahin, i cituar më lart, §§ 105 e 121).
126. Në një shoqëri demokratike, ku në gjirin e së njëjtës shoqëri bashkekzistojnë disa fe, mund të dalë si e domosdoshme që liria për të shfaqur fenë e vet ose bindjet e veta të shoqërohet me kufizime të tilla që i pajtojnë interesat e grupeve të ndryshme dhe që e sigurojnë respektimin e bindjeve të secilit (Kokkinakis, i cituar më lart, § 33). Kjo rrjedh njëherazi nga paragrafi 2 i nenit 9 dhe nga detyrimet pozitive që i bien shtetit në bazë të nenit 1 të Konventës për t’ia njohur çdokujt që ndodhet nën juridiksionin e tij të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë (Leyla Şahin, i cituar më lart, § 106).
127. Gjykata e ka vënë shpesh theksin te roli i shtetit si organizator asnjanës dhe i paanshëm i ushtrimit të feve, kulteve dhe besimeve të ndryshme, dhe ka vënë në dukje se ky rol jep ndihmesë për të siguruar rendin publik, paqen fetare dhe tolerancën në një shoqëri demokratike. Siç është vënë në dukje më parë, ajo çmon gjithashtu se detyra e shtetit për asnjanësi e paanshmëri është e papajtueshme me çfarëdo fuqie për vlerësim nga ana e tij për sa i përket ligjshmërisë së besimeve fetare ose mënyrave të shprehjes së këtyre të fundit (shih, në veçanti, Manoussakis me të tjerë k. Greqisë, 26 shtator 1996, § 47, Recueil 1996-IV, Hassan e Tchaouch k. Bullgarisë [DhM], nr. 30985/96, § 78, GjEDNj 2000-XI, dhe Refah Partisi (Partia e Prosperitetit) me të tjerë k. Turqisë [DhM], nr. 41340/98, 41342/98, 41343/98 e 41344/98, § 91, GjEDNj 2003-II), dhe është e mendimit se kjo detyrë e detyron shtetin për t’u siguruar që grupet e kundërta ta tolerojnë njëri-tjetrin (shih, në veçanti, Leyla Şahin, i cituar më lart, § 107). Ajo ka nxjerrë nga kjo se roli i autoriteteve në këtë rast nuk është që ta zhdukë shkakun e tensioneve duke e eliminuar pluralizmin, por që të sigurohet se grupet e kundërshtare midis tyre e tolerojnë njëri-tjetrin (Serif k. Greqisë, nr. 38178/97, § 53, GjEDNj 1999-IX; shih gjithashtu Leyla Şahin, i cituar më lart, § 107).
128. Pluralizmi, toleranca dhe fryma e hapjes e karakterizojnë një “shoqëri demokratike”. Ndonëse nganjëherë duhet që interesat e individëve t’u nënshtrohen atyre të një grupi, demokracia nuk katandiset tek epërsia e përhershme e mendimit të një shumice, por kërkon një baraspeshë që u siguron individëve të pakicës një trajtim të drejtë e i cili shmang çdolloj shpërdorimi me një pozitë mbisunduese (shih, mutatis mutandis, Young, James e Webster k. Mbretërisë së Bashkuar, 13 gusht 1981, § 63, seria A nr. 44, dhe Chassagnou me të tjerë k. Francës [DhM], nr. 25088/94, 28331/95 e 28443/95, § 112, GjEDNj 1999-III). Pluralizmi dhe demokracia duhet gjithashtu të bazohen te dialogu e te një frymë kompromisi, që nënkuptojnë medoemos nga ana e individëve disa lëshime të ndryshme të cilat përligjen për qëllim të ruajtjes e të nxitjes së idealeve dhe të vlerave të një shoqërie demokratike (shih, mutatis mutandis, Partia Komuniste e Njësuar e Turqisë me të tjerë, i cituar më lart, § 45, dhe Refah Partisi (Partia e Prosperitetit) me të tjerë, i cituar më lart, § 99). Megjithëse “të drejtat dhe liritë e të tjerëve” figurojnë edhe ato vetë midis atyre që garantohen nga Konventa ose Protokollet e saj, duhet të pranohet që domosdoshmëria për t’i mbrojtur ato të mund t’i bëjë shtetet që t’i kufizojnë disa të drejta dhe liri të tjera po ashtu të sanksionuara nga Konventa: pikërisht ky kërkim i përhershëm i një baraspeshe ndërmjet të drejtave themelore të secilit përbën themelin e një “shoqërie demokratike” (Chassagnou me të tjerë, i cituar më lart, § 113; shih gjithashtu Leyla Şahin, i cituar më lart, § 108).
129. Duhet gjithashtu të rikujtohet roli në thelb ndihmës i mekanizmit të Konventës. Autoritetet kombëtare gëzojnë një legjitimitet demokratik të drejtpërdrejtë dhe, ashtu siç e ka pohuar shumë herë Gjykata, ndodhen në parim në një pozitë më të mirë sesa gjyqtari ndërkombëtar për t’u shprehur rreth nevojave dhe konteksteve vendore. Kur bëhet fjalë për pika të politikës së përgjithshme, rreth të cilave në një shtet demokratik mund të ketë me plot arsye divergjenca të thella, është e udhës që t’i jepet një rëndësi e veçantë rolit të vendimmarrësit kombëtar (shih, për shembull, Maurice k. Francës [DhM], nr. 11810/03, § 117, GjEDNj 2005‑IX). Ndodh veçanërisht kështu kur këto pika kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis shtetit dhe feve (shih, mutatis mutandis, Cha’are Shalom Ve Tsedek, i cituar më lart, § 84, dhe Wingrove k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 nëntor 1996, § 58, Recueil 1996-V; shih gjithashtu Leyla Şahin, i cituar më lart, § 109). Kur është fjala për nenin 9 të Konventës, atëherë është më mirë, në parim, që shtetit t’i njihet një hapësirë e gjerë vlerësimi për të vendosur nëse është “i domosdoshëm” dhe në çfarë mase është i tillë një kufizim i së drejtës për të shfaqur fenë e vet ose bindjet e veta. Duke qenë kështu, për të përcaktuar gjerësinë e hapësirës për vlerësim në një çështje të caktuar, Gjykata duhet të marrë parasysh gjithashtu se çfarë vihet në pikëpyetje konkretisht në atë çështje (shih, në veçanti, Manoussakis me të tjerë, i cituar më lart, § 44, dhe Leyla Şahin, i cituar më lart, § 110). Ajo mundet gjithashtu, nëse është rasti, të marrë parasysh konsensusin dhe vlerat e përbashkëta që dalin nga praktika e shteteve palë në Konventë (shih, për shembull, Bayatyan k. Armenisë [DhM], nr. 23459/03, § 122, GjEDNj 2011).
130. Në çështjen Leyla Şahin, Gjykata ka theksuar se i tillë ishte veçanërisht rasti kur bëhet fjalë për përcaktimin e rregullave të mbajtjes së simboleve fetare në institucionet arsimore, për më tepër duke pasur parasysh larminë e qasjeve kombëtare për sa i përket kësaj pike. Duke iu referuar vendimit për themelin dhe për pranueshmërinë Otto-Preminger-Institut k. Austrisë (20 shtator 1994, § 50, seria A nr. 295-A) dhe vendimit për pranueshmërinë Dahlab k. Zvicrës (nr. 42393/98, GjEDNj 2001-V), ajo ka saktësuar se në fakt nuk ishte e mundur që të dallohej nëpër Evropë ndonjë konceptim i njëtrajtshëm i domethënies së fesë në shoqëri dhe se kuptimi ose ndikimi i veprimeve që përkojnë me shprehjen publike të një bindjeje fetare nuk ishin të njëjtët sipas periudhave dhe konteksteve të ndryshme. Ajo ka vërejtur se, për rrjedhojë, përcaktimi i rregullave në këtë fushë mund të ndryshonte nga njëri vend në tjetrin në funksion të traditave kombëtare dhe të kërkesave të diktuara nga mbrojtja e të drejtave dhe e lirive të të tjerëve si edhe nga ruajtja e rendit publik. Ajo ka nxjerrë nga kjo se zgjedhja për sa u përket shtrirjes dhe modaliteteve të një përcaktimi të tillë rregullash duhej detyrimisht që t’i lihej në dorë në njëfarë mase shtetit në fjalë, sepse ajo varej nga konteksti kombëtar i marrë në shqyrtim (Leyla Şahin, i cituar më lart, § 109).
131. Kjo hapësirë vlerësimi shkon megjithatë paralelisht me një kontroll evropian i cili kryhet njëherazi mbi ligjin dhe mbi vendimet që e vënë atë në zbatim. Detyra e Gjykatës është që të kërkojë nëse masat e marra në rrafshin kombëtar përligjen në parimin e tyre dhe janë të përpjesëtuara (shih, në veçanti, Manoussakis me të tjerë, i cituar më lart, § 44, dhe Leyla Şahin, i cituar më lart, § 110).
β. Zbatimi i këtyre parimeve në çështje të mëparshme
132. Gjykata ka pasur rastin që të marrë në shqyrtim disa situata me kutin e këtyre parimeve.
133. Ajo është shprehur kështu rreth ndalimit për të mbajtur shenja fetare në institucionet arsimore publike, i cili u është urdhëruar mësuesve (shih, në veçanti, Dahlab, vendim për pranueshmërinë i cituar më lart, dhe Kurtulmuş k. Turqisë (vend. pran.), nr. 65500/01, GjEDNj 2006-II) ose nxënësve dhe studentëve (shih, sidomos, Leyla Şahin, vendim për themelin dhe për pranueshmërinë i cituar më lart, Köse me të tjerë k. Turqisë (vend. pran.), nr. 26625/02, GjEDNj 2006-II, Kervanci k. Francës, nr. 31645/04, 4 dhjetor 2008, Aktas k. Francës (vend. pran.), nr. 43563/08, 30 qershor 2009, dhe Ranjit Singh k. Francës (vend. pran.), nr. 27561/08, 30 qershor 2009), rreth detyrimit për të hequr një element veshjeje me ngjyrim fetar në kuadrin e një kontrolli sigurie (Phull k. Francës (vend. pran.), nr. 35753/03, GjEDNj 2005‑I, dhe El Morsli k. Francës (vend. pran.), nr. 15585/06, 4 mars 2008), dhe rreth detyrimit për t’u shfaqur me kokë të pambuluar në fotografitë e identitetit që shërbejnë për dokumente zyrtare (Mann Singh k. Francës (vend. pran.), nr. 24479/07, 11 qershor 2007). Ajo nuk ka dalë në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 9 në asnjë nga këto raste.
134. Gjykata ka shqyrtuar gjithashtu dy kërkesëpadi në të cilat disa persona ankoheshin në veçanti për kufizime nga ana e punëdhënësve të tyre lidhur me mundësinë për të mbajtur një kryq në qafë në mënyrë të dukshme dhe mbronin mendimin se e drejta kombëtare nuk e kishte mbrojtur në mënyrë të përshtatshme të drejtën e tyre për ta shfaqur fenë e vet. Njëra prej tyre ishte punonjëse e një kompanie ajrore, tjetra ishte infermiere (Eweida me të tjerë, i cituar më lart). Rasti i parë, në të cilin Gjykata ka dalë në përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 9, është më me rëndësi për çështjen në fjalë. Gjykata ka çmuar konkretisht se juridiksionet e brendshme i kishin dhënë tepër rëndësi dëshirës – së arsyeshme – të punëdhënësit për të paraqitur njëfarë figure tregtare në krahasim me të drejtën themelore të paditëses për t’i shfaqur bindjet e veta fetare. Rreth kësaj pike të fundit, ajo ka nënvizuar se një shoqëri e shëndetshme demokratike duhej ta toleronte dhe ta përkrahte pluralizmin dhe larminë, dhe se ka rëndësi që një person i cili e ka bërë fenë një bosht madhor të jetës së tij të mundë të jetë në gjendje për t’ua përcjellë bindjet e tij të tjerëve. Ajo ka vënë pastaj në dukje se kryqi për të cilin bëhej fjalë nuk binte në sy e nuk mund ta kishte dëmtuar paraqitjen profesionale të paditëses dhe se nuk vërtetohej që mbajtja dikur e lejuar e shenjave fetare të kishte pasur ndonjë ndikim negativ mbi figurën e kompanisë ajrore që e punësonte këtë të fundit. Duke nënvizuar njëkohësisht se autoritetet kombëtare – veçanërisht juridiksionet – kanë njëfarë hapësire për vlerësim kur u duhet të vlerësojnë përpjesëtueshmërinë e masave të marra nga një shoqëri private ndaj të punonjësve të saj, ajo ka dalë kështu në përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 9.
135. Gjykata është marrë gjithashtu, në çështjen Ahmet Arslan me të tjerë, të cituar më lart, me pikën rreth ndalimit të mbajtjes, jashtë ceremonive fetare, të disa veshjeve fetare në vendet publike të hapura për të gjithë, si rrugët ose sheshet publike. Veshja në fjalë, karakteristike për grupin Aczimendi tarikati, përbëhej nga një çallmë, një palë brekushe dhe një tunikë, të gjitha në ngjyrë të zezë, dhe shoqërohej me një shkop. Gjykata, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes dhe fjalët e vendimeve të juridiksioneve të brendshme, si edhe duke marrë parasysh veçanërisht rëndësinë e parimit të karakterit laik për sistemin demokratik në Turqi, ka pranuar se, përderisa synonte respektimin e parimeve laike dhe demokratike, kjo ndërhyrje ndiqte disa prej qëllimeve të drejta të numëruara në nenin 9 § 2: ruajtjen e sigurimit publik, mbrojtjen e rendit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Ajo ka gjykuar megjithatë se nuk vërtetohej domosdoshmëria e saj në vështrim të këtyre qëllimeve.
Gjykata ka vënë në dukje ç’është e vërteta se ndalimi nuk godiste nëpunës të cilët detyrohen të jenë disi të përkorë në ushtrimin e funksioneve të tyre, por qytetarë të thjeshtë, kështu që jurisprudenca e saj lidhur me nëpunësit – veçanërisht me mësuesit – nuk gjente vend për t’u zbatuar. Ajo ka vënë re pastaj se ai synonte veshjen e mbajtur jo nëpër institucione publike specifike, por në të gjithë hapësirën publike, kështu që as jurisprudenca e saj e cila e vinte theksin te rëndësia e veçantë e rolit të vendimmarrësit kombëtar për sa i përket mbajtjes së simboleve fetare në institucionet arsimore publike nuk gjente vend për t’u zbatuar. Gjykata ka vërejtur për më tepër se nga dosja nuk dilte që mënyra në të cilën paditësit – të cilët ishin mbledhur përpara një xhamie me veshjen në fjalë, me të vetmin qëllim për të marrë pjesë në një ceremoni me karakter fetar – i kishin shfaqur besimet e tyre përmes një veshjeje specifike përbënte ose rrezikonte të përbënte ndonjë kërcënim për rendin publik apo ndonjë trysni mbi të tjerët. Së fundi, duke iu përgjigjur tezës së Qeverisë turke të ngritur mbi bazën e ndonjë prozelitizmi eventual nga ana e paditësve, ajo ka vënë re se asnjë element i dosjes nuk tregonte që ata ishin orvatur të ushtronin trysni abuzive ndaj kalimtarëve në rrugët e sheshet publike me një dëshirë për të përhapur bindjet e tyre fetare. Gjykata ka dalë për rrjedhojë në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 9 të Konventës.
136. Ndër të gjitha këto çështje lidhur me nenin 9, ajo me të cilën afrohet më shumë çështja e tanishme është çështja Ahmet Arslan me të tjerë. Megjithatë, ndonëse të dyja çështjet kanë të bëjnë me ndalimin për të mbajtur një veshje me ngjyrim fetar në hapësirën publike, çështja e tanishme dallohet në mënyrë domethënëse nga çështja Ahmet Arslan me të tjerë nga fakti se ferexheja islamike me perçe është një veshje e veçantë ngaqë e fsheh krejtësisht fytyrën, eventualisht me përjashtim të fytyrës.
γ. Zbatimi i këtyre parimeve në rastin e çështjes në fjalë
137. Gjykata thekson në radhë të parë se teza e paditëses dhe e disave nga palët ndërhyrëse, sipas së cilës ndalimi që vendosin nenet 1 deri 3 të Ligjit të 11 tetorit 2010 u bazuaka te postulati i gabuar se gratë në fjalë e mbajtkan ferexhenë me perçe ngaqë i detyrojnë, nuk është me vend. Në fakt, nga parashtrimi i arsyeve që shoqëronte projektligjin (...) del qartë se ky ndalim nuk ka për qëllim kryesor që t’i mbrojë gratë nga një praktikë që iu diktuaka atyre apo që qenka e dëmshme për to.
138. Mbasi është saktësuar kjo, Gjykata duhet të verifikojë nëse ndërhyrja objekt konflikti është “e domosdoshme” “në një shoqëri demokratike” për sigurinë publike ose sigurimin publik (në kuptimin e neneve 8 dhe 9 të Konventës; shih paragrafin 115 të mësipërm) ose për “mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve” (shih paragrafin 116 të mësipërm).
139. Lidhur me domosdoshmërinë në vështrim të sigurisë apo sigurimit publik, në kuptimin e neneve 8 dhe 9 (shih paragrafin 115 të mësipërm), Gjykata e kupton që një shtet ta gjykojë si thelbësore që të mundë t’i identifikojë individët për të parandaluar cenimet ndaj sigurisë së personave dhe të pasurive e për të luftuar kundër mashtrimit me identitetin. Ajo ka dalë madje në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 9 të Konventës në disa çështje lidhur me detyrimin për të hequr një element veshjeje me ngjyrim fetar në kuadrin e një kontrolli identiteti si edhe me detyrimin për t’u shfaqur me kokë të zbuluar në fotografitë e identitetit që shërbejnë për dokumente zyrtare (paragrafi 133 i mësipërm). Megjithatë, duke pasur parasysh ndikimin e tij mbi të drejtat e grave që dëshirojnë ta mbajnë ferexhenë me perçe për arsye fetare, një ndalim absolut për të mbajtur në hapësirën publike një veshje që shërben për të fshehur fytyrën nuk mund të paraqitet si i përpjesëtuar përveçse në prani të një konteksti që zbulon një kërcënim të përgjithshëm kundër sigurisë publike. Mirëpo Qeveria nuk e vërteton që ndalimi i vendosur nga Ligji i 11 tetorit 2010 përfshihet në një kontekst të tillë. Për sa u përket grave në fjalë, ato gjenden të detyruara të heqin dorë krejtësisht nga një element i identitetit të tyre të cilin ato e gjykojnë të rëndësishëm si edhe nga mënyra për ta shfaqur fenë e tyre ose bindjet e tyre të cilat i kanë zgjedhur, ndërkohë që qëllimi i përmendur nga Qeveria u mbërritka me anë të një detyrimi të thjeshtë për ta treguar fytyrën e tyre dhe për t’u identifikuar sa herë që një rrezik për sigurinë e personave dhe të pasurive është i qartë apo që disa rrethana të veçanta shpien në dyshime për një mashtrim me identitetin. Kështu, nuk ka sesi të pranohet se ndalimi i përgjithshëm që vendos Ligji i 11 tetorit 2010 është i domosdoshëm, në një shoqëri demokratike, për sigurinë publike ose sigurimin publik, në kuptimin e neneve 8 dhe 9 të Konventës.
140. Më tej, duhet të shqyrtohet se si qëndrojnë punët në vështrim të qëllimit tjetër të cilin Gjykata e ka gjykuar si të drejtë: shqetësimit për t’iu përgjigjur kërkesave minimale të jetesës në shoqëri si element i “mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve” (shih paragrafët 121-122 të mësipërm).
141. Gjykata vëren se aty bëhet fjalë për një qëllim të cilit autoritetet i kanë dhënë shumë peshë. Kjo del sidomos nga parashtrimi i arsyeve që shoqëron projektligjin, i cili vë në dukje se, “nëse fshehja e vullnetshme dhe sistematike e fytyrës përbën problem, kjo ndodh sepse ajo është thjesht në kundërshtim me kërkesat themelore të “bashkëjetesës” në shoqërinë franceze” dhe se “fshehja sistematike e fytyrës në hapësirën publike, e kundërt me idealin e vëllazërimit, nuk plotëson (...) kërkesën minimale të qytetarisë së domosdoshme për marrëdhënien shoqërore” (...). Mirëpo në funksionet e shtetit përfshihet sigurisht edhe që të garantojë kushte të cilat ua mundësojnë individëve bashkëjetesën brenda larmisë së tyre. Madje Gjykata mund të pranojë që një shtet ta gjykojë si thelbësore që t’i japë në këtë kuadër një rëndësi të veçantë ndërveprimit midis individëve e që ai të jetë i mendimit se ky dëmtohet prej faktit që disa e fshehin fytyrën e tyre në hapësirën publike (paragrafi 122 i mësipërm).
142. Si rrjedhim, Gjykata çmon se ndalimi objekt konflikti mund të konsiderohet si i përligjur në parimin e tij vetëm për aq sa ai synon të garantojë kushtet e “bashkëjetesës”.
143. Mbetet për t’u verifikuar nëse ky ndalim është i përpjesëtuar në krahasim me këtë qëllim.
144. Disa nga argumentet e shtjelluara prej paditëses dhe organizatave joqeveritare ndërhyrëse meritojnë një vëmendje të veçantë.
145. Kështu, është e vërtetë që numri i grave në fjalë është i ulët. Në fakt, nga raporti “rreth praktikës së mbajtjes së ferexhesë me perçe në territorin kombëtar”, i përgatitur prej misionit për informim të Asamblesë Kombëtare dhe i paraqitur më 26 janar 2010, del se në fund të vitit 2009 në Francë ferexhenë me perçe e mbanin rreth 1 900 gra, nga të cilat rreth 270 ndodheshin në bashkësitë e përtejdetit (...). Ky numër është i ulët në krahasim me rreth gjashtëdhjetë e pesë milionë banorë që numëron Franca dhe me numrin e myslimanëve që jetojnë atje. Kështu që mund të duket e tepruar që një situate të tillë t’i përgjigjesh me një ligj ndalimi të përgjithshëm.
146. Për më tepër, nuk ka dyshim se ky ndalim ka një ndikim të fuqishëm negativ në situatën e grave që, ashtu si paditësja, kanë bërë zgjedhjen për ta mbajtur ferexhenë me perçe për arsye që lidhen me bindjet e tyre. Siç është vënë në dukje më parë, ai i vë ato para një dileme të koklavitur dhe mund të ketë si efekt që t’i izolojë ato e ta dëmtojë autonominë e tyre si edhe ushtrimin e lirisë së tyre për t’i shfaqur bindjet e veta dhe të së drejtës së tyre për respektimin e jetës së vet private. Përveç kësaj, kuptohet që të interesuarat e perceptojnë këtë ndalim si një cenim ndaj identitetit të tyre.
147. Duhet të vihet re madje se shumë aktorë si ndërkombëtarë ashtu edhe kombëtarë të mbrojtjes së të drejtave themelore janë të mendimit që një ndalim i përgjithshëm është i shpërpjesëtuar. Kështu ndodh veçanërisht me Komisionin Kombëtar Konsultativ të të Drejtave të Njeriut (...), me organizata joqeveritare si palët e treta, me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (...) dhe me Komisarin për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (...).
148. Gjykata është gjithashtu e vetëdijshme për faktin se Ligji i 11 tetorit 2010 dhe disa polemika që e kanë shoqëruar hartimin e tij kanë mundur të përjetohen me dhimbje nga një pjesë e bashkësisë myslimane, duke përfshirë edhe ata pjesëtarë të saj të cilët nuk janë në favor të mbajtjes së ferexhesë me perçe.
149. Lidhur me këtë, Gjykata është shumë e shqetësuar nga sinjalizimet e dhëna prej disave nga palët ndërhyrëse sipas të cilave debati që i ka paraprirë miratimit të Ligjit të 11 tetorit 2010 është karakterizuar me ligjërime islamofobe (shih vërejtjet e Qendrës për të Drejtat e Njeriut të Universitetit të Gentit dhe të organizatave joqeveritare Liberty dhe Open Society Justice Initiative; paragrafët 98, 100 e 104 të mësipërm). Sigurisht që nuk i takon asaj për t’u shprehur rreth volisë së ligjvënies në këtë fushë. Ajo nënvizon megjithatë se një shtet i cili i përvishet një procesi ligjvënës të këtij lloji merr përsipër rrezikun që t’i japë dorë përforcimit të shablloneve që i dëmtojnë disa kategori personash dhe të inkurajojë shprehjen e intolerancës ndërkohë që i duhet përkundrazi të nxisë tolerancën (paragrafi 128 i mësipërm; shih gjithashtu pikëpamjen e Komisarit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, ...). Gjykata rikujton se ligjërimet që përbëjnë një sulm të përgjithshëm e të furishëm kundër një grupi të identifikuar me anë të një feje ose të prejardhjeve etnike janë të papajtueshme me vlerat e tolerancës, të paqes shoqërore dhe të mosdiskriminimit nga të cilat frymëzohet Konventa dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën për lirinë e shprehjes që sanksionohet prej saj (shih, në veçanti, Norwood k. Mbretërisë së Bashkuar, (vend. pran.) nr. 23131/03, GjEDNj 2004‑XI, dhe Ivanov k. Rusisë (vend. pran.), nr. 35222/04, 20 shkurt 2007).
150. Kurse argumentet e tjera të paraqitura në mbështetje të kërkesëpadisë duhet të merren me takt.
151. Kështu, ndonëse është e vërtetë që fusha e ndalimit është e gjerë përderisa bëhet fjalë për të gjitha vendet ku mund të ketë qasje publiku (me përjashtim të vendeve të kultit), Ligji i 11 tetorit 2010 nuk e prek lirinë për të mbajtur në hapësirën publike çdolloj veshjeje apo elementi veshjeje – me ngjyrim fetar ose jo – që nuk ka si efekt që të fshehë fytyrën. Gjykata është e vetëdijshme për faktin se ndalimi i kundërshtuar rëndon në thelb mbi gratë myslimane që dëshirojnë ta mbajnë ferexhenë me perçe. Ajo i kushton megjithatë një rëndësi të madhe rrethanës që ky ndalim nuk është i bazuar shprehimisht mbi ngjyrimin fetar të veshjeve të vëna në shënjestër, por mbi faktin e vetëm që ato fshehin fytyrën. Kjo e dallon çështjen në fjalë nga çështja Ahmet Arslan me të tjerë e cituar më lart.
152. Për sa i përket faktit se ky ndalim shoqërohet me sanksione penale, ai e rrit pa dyshim ndikimin e këtij të fundit mbi të interesuarat. Është në fakt e kuptueshme që, të ndiqen për arsye se kanë fshehur fytyrën në hapësirën publike, është diçka që përbën një traumë për ato gra të cilat kanë zgjedhur ta mbajnë ferexhenë me perçe për arsye që lidhen me bindjet e tyre. Megjithatë, duhet të merret parasysh rrethana se sanksionet e zgjedhura prej ligjvënësit janë nga më të lehtat që ai mund të parashikonte, përderisa bëhet fjalë për gjobën e parashikuar për kundërvajtjet e klasës së dytë (ose aktualisht 150 euro në maksimum), me mundësinë që gjyqtari të shpallë njëkohësisht ose në vend të saj detyrimin për të kryer një kurs qytetarie.
153. Përveç kësaj, sigurisht, siç e thekson paditësja, duke ia ndaluar cilitdo që të mbajë në hapësirën publike një veshje që shërben për të fshehur fytyrën, shteti i paditur e kufizon në njëfarë mënyre fushën e pluralizmit, përderisa ky ndalim bëhet pengesë që disa gra ta shprehin personalitetin e tyre dhe bindjet e tyre duke e mbajtur ferexhenë me perçe në publik. Ai vë në dukje megjithatë se për të fjala është që t’i kundërpërgjigjet një praktike të cilën ai e gjykon si të papajtueshme, në shoqërinë franceze, me mënyrat e komunikimit shoqëror dhe, më në gjerësi, të “bashkëjetesës”. Në këtë perspektivë, shteti i paditur synon të mbrojë një mënyrë ndërveprimi midis individëve, thelbësore në sytë e tij për shprehjen jo vetëm të pluralizmit, por edhe të tolerancës dhe të frymës së hapjes, pa të cilat nuk ka shoqëri demokratike (shih paragrafin 128 të mësipërm). Duket kështu se pika e pranimit ose jo të mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike përbën një zgjedhje shoqërie.
154. Mirëpo, në një rast të tillë, Gjykatës i duhet të tregohet e përmbajtur në ushtrimin e kontrollit të saj rreth përputhjes me Konventën, përderisa ky i kërkon të vlerësojë një arbitrazh të kryer sipas disa modalitetesh demokratike në gjirin e shoqërisë në fjalë. Madje ajo ka rikujtuar tashmë se, kur bëhet fjalë për pika të politikës së përgjithshme, rreth të cilave në një shtet demokratik mund të ketë me plot arsye divergjenca të thella, është e udhës që t’i jepet një rëndësi e veçantë rolit të vendimmarrësit kombëtar (paragrafi 129 i mësipërm).
155. Me fjalë të tjera, në çështjen në fjalë Franca kishte një hapësirë të gjerë për vlerësim.
156. Ka ndodhur kështu për më shumë ngaqë midis shteteve anëtare të Këshillit të Evropës nuk ka pikëpamje të përbashkëta (shih, mutatis mutandis, X, Y e Z k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 prill 1997, § 44, Recueil 1997‑II) rreth pikës së mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike. Gjykata vëren në fakt se, ndryshe nga çfarë mendon një prej palëve të treta (paragrafi 105 i mësipërm), kundër këtij ndalimi nuk ka konsensus evropian. Sigurisht, nga një pikëpamje rreptësisht normative, Franca është në një situatë pakice fare të vogël në Evropë: me përjashtim të Belgjikës, asnjë shtet tjetër anëtar i këshillit të Evropës nuk e ka parapëlqyer deri më sot marrjen e një mase të tillë. Megjithatë, duhet të vërehet se pika lidhur me mbajtjen e ferexhesë me perçe në hapësirën publike është ose ka qenë në diskutim në disa vende evropiane. Në disa prej tyre, është vendosur që të mos zgjidhet një ndalim i përgjithshëm. Në disa të tjerë, një ndalim i tillë mbetet si mundësi (paragrafi 40 i mësipërm). Kësaj duhet t’i shtohet se, me sa duket, çështja e mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike thjesht nuk shtrohet fare në një numër të caktuar shtetesh anëtare, ku kjo praktikë nuk përdoret. Duket kështu që në Evropë nuk ka kurrfarë konsensusi në këtë fushë, qoftë ky në favor ose kundër një ndalimi të përgjithshëm të mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike.
157. Për rrjedhojë, sidomos në vështrim të gjerësisë së hapësirës për vlerësim që kishte shteti i paditur në çështjen në fjalë, Gjykata del në përfundimin se ndalimi që vendos Ligji i 11 tetorit 2010 mund të paraqitet si i përpjesëtuar me qëllimin e ndjekur, konkretisht ruajtjen e kushteve të “bashkëjetesës” si një element i “mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.
158. Kufizimi objekt konflikti mund të paraqitet pra si “i domosdoshëm”, “në një shoqëri demokratike”. Ky përfundim vlen si në vështrim të nenit 8 të Konventës ashtu edhe në atë të nenit 9.
159. Për këtë arsye, nuk ka pasur shkelje as të nenit 8, as të nenit 9 të Konventës.
b) Rreth shkeljes së pretenduar të nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 8 ose me nenin 9 të Konventës
160. Gjykata shënon se paditësja denoncon një diskriminim të tërthortë. Ajo vë në dukje në këtë drejtime , si grua myslimane e cila dëshiron ta mbajë ferexhenë me perçe në hapësirën publike për arsye fetare, ajo i përket një kategorie personash të ekspozuar në mënyrë krejt të veçantë ndaj ndalimit për të cilin është fjala dhe sanksioneve me të cilat shoqërohet ai.
161. Gjykata rikujton se një politikë ose një masë e përgjithshme të cilat kanë efekte të dëmshme të shpërpjesëtuara ndaj një grupi personash mund të konsiderohen si diskriminuese edhe sikur ato të mos e synojnë në mënyrë specifike këtë grup e të mos kenë fare qëllim diskriminues (shih në veçanti D.H. me të tjerë k. Republikës Çeke [DhM], nr. 57325/00, §§ 175 dhe 184-185, GjEDNj 2007-IV). Megjithatë ndodh kështu vetëm në qoftë se kjo politikë ose kjo masë nuk kanë përligjje “objektive dhe të arsyeshme”, domethënë kur ato nuk ndjekin një “qëllim të drejtë” ose kur nuk ka “raport të arsyeshëm përpjesëtueshmërie” midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar (i njëjti vendim, § 196). Mirëpo, në çështjen në fjalë, ndonëse mund të mendohet se ndalimi që vendos Ligji i 11 tetorit 2010 ka efekte negative specifike mbi situatën e grave myslimane që, për arsye fetare, dëshirojnë ta mbajnë ferexhenë me perçe në hapësirën publike, kjo masë ka një përligjje objektive dhe të arsyeshme për arsyet e vëna në dukje më parë (paragrafët 144-159 të mësipërm).
162. Për këtë arsye, nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 8 ose me nenin 9 të Konventës.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
(...)
3. Thotë, me pesëmbëdhjetë vota në favor dhe dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës;
4. Thotë, me pesëmbëdhjetë vota në favor dhe dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 9 të Konventës;
5. Thotë, njëzëri, se nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të Konventës të bashkuar me nenin 8 ose me nenin 9 të Konventës;
(...)
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 1 korrik 2014.
Erik FriberghDean Spielmann
SekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimit pjesërisht kundërshtues i përbashkët i gjyqtarëve Nußberger dhe Jäderblom.
D.S.
E.F.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy