© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 176
Korrik 2014
S.A.S. k. Francës [DhM] - 43835/11
Vendim 1.7.2014 [DhM]
Neni 8
Neni 8-1
Respektim i jetës private
Ndalimi i mbajtjes së një veshjeje fetare që e fsheh fytyrën në hapësirën publike: jo shkelje
Neni 9
Neni 9-1
Shfaqje e fesë ose e bindjes
Ndalimi i mbajtjes së një veshjeje fetare që e fsheh fytyrën në hapësirën publike: jo shkelje
Neni 14
Diskriminim
Ndalimi i mbajtjes së një veshjeje fetare që e fsheh fytyrën në hapësirën publike: jo shkelje
Faktet – Paditësja, myslimane praktikuese, mban burkën dhe nikabin që ia mbulojnë tërësisht trupin me përjashtim të syve, me qëllim që të jetë në pajtim me besimin, me kulturën dhe me bindjet e saj personale. Ajo thotë se e mban këtë veshje me dëshirën e vet, si në publik ashtu edhe në mjedise private, por jo në mënyrë sistematike. Në fakt, ajo pranon të mos e mbajë atë në disa rrethana, por dëshiron të ketë mundësi për ta bërë këtë gjë atëherë kur e zgjedh vetë. Ajo deklaron së fundi se qëllimi i saj nuk është për t’u krijuar ndonjë pakënaqësi të tjerëve, por për të qenë në pajtim me vetveten. Që prej 11 prillit 2011, datës së hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 2010-1192 të 11 tetorit 2010, në të gjithë territorin e Republikës Franceze, çdokujt i ndalohet që ta fshehë fytyrën e vet në hapësirën publike.
Ligji – Neni 8 dhe neni 9: Ndalimi i mbajtjes në hapësirën publike të një veshjeje që shërben për të fshehur fytyrën shtron disa pikëpyetje në vështrim të së drejtës për respektimin e jetës private (neni 8 i Konventës) të grave që dëshirojnë ta mbajnë ferexhenë me perçe për arsye që kanë të bëjnë me bindjet e tyre, dhe përderisa ky ndalim vihet në pikëpyetje nga disa persona që, ashtu sikurse paditësja, ankohen të jenë penguar për rrjedhojë që të mbajnë në hapësirën publike një veshje të cilën ua kërkon praktikimi i një feje nga ana e tyre, ai shtron para së gjithash një problem në vështrim të lirisë së secilit për ta shprehur fenë e tij ose bindjet e tij (neni 9 i Konventës).
Ligji i 11 tetorit 2010 e vë paditësen përpara një dileme: ose t’i nënshtrohet ndalimit dhe të heqë kështu dorë nga veshja në përputhje me zgjedhjen që i dikton qasja që ka për fenë e saj, ose të mos i nënshtrohet atij dhe t’u ekspozohet sanksioneve penale.* Në çështjen në fjalë ka pra një “ndërhyrje” ose një “kufizim” të parashikuar nga ligji në ushtrimin e të drejtave të mbrojtura nga nenet 8 dhe 9 të Konventës.
Qeveria mbron mendimin se ndërhyrja synon dy qëllime të drejta: sigurinë publike dhe “respektimin e pragut minimal të vlerave të një shoqërie demokratike dhe të hapur”. Mirëpo paragrafi i dytë i neneve 8 dhe 9 nuk përmend shprehimisht as të dytin nga këto qëllime, as tri vlerat të cilave u referohet Qeveria në këtë drejtim.
Gjykata e pranon që, duke e miratuar ndalimin objekt konflikti, ligjvënësi synonte t’u jepte përgjigje disa pikëpyetjeve lidhur me “sigurinë publike” ose me “sigurimin publik”, në kuptimin e paragrafit të dytë të neneve 8 dhe 9 të Konventës.
Lidhur me të dytin nga qëllimet e përmendura, pra me “respektimin e pragut minimal të vlerave të një shoqërie demokratike dhe të hapur”**, Gjykata nuk bindet nga parashtrimi i Qeverisë për aq sa ky ka të bëjë me respektimin e barazisë ndërmjet burrave dhe grave. Në fakt, një shtet palë nuk ka sesi t’i referohet barazisë gjinore për të ndaluar një praktikë që disa gra – të tilla si paditësja – e kërkojnë vetë në kuadrin e ushtrimit të të drejtave që sanksionohen prej neneve 8 dhe 9 të Konventës, veç në u pranoftë se mund të pretendohet mbi këtë bazë që të mbrohen individët kundër ushtrimit të të drejtave dhe lirive të tyre themelore. Nga ana tjetër, edhe sikur Qeveria të ketë kërkuar kështu që të sjellë si argument se mbajtja e ferexhesë me perçe nga disa gra e lëndon shumicën e popullsisë franceze ngaqë bie ndesh me parimin e barazisë gjinore ashtu siç pranohet ai përgjithësisht në Francë, Gjykata u referohet arsyetimeve lidhur me dy vlerat e tjera që përmenden prej saj këtu më poshtë.
Në radhë të dytë, respektimi i dinjitetit të personave nuk mund ta arsyetojë me të drejtë ndalimin e përgjithshëm të mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike. Veshja në fjalë, e perceptuar si e çuditshme nga shumë prej atyre që e vërejnë atë, është megjithatë në ndryshmërinë e saj shprehja e një identiteti kulturor që jep ndihmesë për atë pluralizëm me të cilin ushqehet demokracia.
Në radhë të tretë, në disa kushte, ajo që Qeveria e cilëson si “respektim të kërkesave minimale të jetesës në shoqëri” – “bashkëjetesa”, në parashtrimin e arsyeve të projektligjit – mund të lidhet me atë qëllim të drejtë që përbën “mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”. Shteti i paditur është i mendimit se fytyra luan një rol të rëndësishëm në ndërveprimin shoqëror. Gjykata mund ta pranojë pra që mbyllja që u kundërvë të tjerëve ferexheja e cila e fsheh fytyrën të perceptohet nga shteti i paditur sikur e cenon të drejtën e të tjerëve për të jetuar në një hapësirë shoqërizimi që e lehtëson bashkëjetesën. Gjithsesi, elasticiteti i nocionit të “bashkëjetesës” dhe rreziku i teprimeve që rrjedh prej tij kërkojnë që Gjykata të kryejë një shqyrtim të vëmendshëm të domosdoshmërisë së kufizimit të kundërshtuar.
Pikësëpari, nga parashtrimi i arsyeve që shoqëronte projektligjin del qartë se ky ndalim nuk ka për qëllim kryesor që t’i mbrojë gratë nga një praktikë që iu diktuaka atyre apo që qenka e dëmshme për to.
Lidhur me domosdoshmërinë në vështrim të sigurisë apo sigurimit publik, në kuptimin e neneve 8 dhe 9 të Konventës, Gjykata e kupton që një shtet ta gjykojë si thelbësore që të mundë t’i identifikojë individët për të parandaluar cenimet ndaj sigurisë së personave dhe të pasurive e për të luftuar kundër mashtrimit me identitetin. Megjithatë, duke pasur parasysh ndikimin e tij mbi të drejtat e grave që dëshirojnë ta mbajnë ferexhenë me perçe për arsye fetare, një ndalim absolut për të mbajtur në hapësirën publike një veshje që shërben për të fshehur fytyrën nuk mund të paraqitet si i përpjesëtuar përveçse në prani të një konteksti që zbulon një kërcënim të përgjithshëm kundër sigurisë publike Mirëpo Qeveria nuk e vërteton që ndalimi i vendosur nga Ligji i 11 tetorit 2010 përfshihet në një kontekst të tillë. Për sa u përket grave në fjalë, ato gjenden të detyruara të heqin dorë krejtësisht nga një element i identitetit të tyre të cilin ato e gjykojnë të rëndësishëm si edhe nga mënyra për ta shfaqur fenë e tyre ose bindjet e tyre të cilat i kanë zgjedhur, ndërkohë që qëllimi i përmendur nga Qeveria u mbërritka me anë të një detyrimi të thjeshtë për ta treguar fytyrën e tyre dhe për t’u identifikuar sa herë që një rrezik për sigurinë e personave dhe të pasurive është i qartë apo që disa rrethana të veçanta shpien në dyshime për një mashtrim me identitetin. Kështu, nuk ka sesi të pranohet se ndalimi i përgjithshëm që vendos Ligji i 11 tetorit 2010 është i domosdoshëm, në një shoqëri demokratike, për sigurinë publike ose sigurimin publik, në kuptimin e neneve 8 dhe 9 të Konventës.
Më tej, duhet të shqyrtohet se si qëndrojnë punët në vështrim të shqetësimit për t’iu përgjigjur kërkesave minimale të jetesës në shoqëri si element i “mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve”. Gjykata çmon se ndalimi objekt konflikti mund të konsiderohet si i përligjur në parimin e tij vetëm për aq sa ai synon të garantojë kushtet e “bashkëjetesës”.
Në vështrim të numrit të grave për të cilat bëhet fjalë, konkretisht rreth 1 900 gra në krahasim me rreth gjashtëdhjetë e pesë milionë banorë që numëron Franca dhe me numrin e myslimanëve që jetojnë atje, mund të duket e tepruar që një situate të tillë t’i përgjigjesh me një ligj ndalimi të përgjithshëm. Për më tepër, nuk ka dyshim se ky ndalim ka një ndikim të fuqishëm negativ në situatën e grave që, ashtu si paditësja, kanë bërë zgjedhjen për ta mbajtur ferexhenë me perçe për arsye që lidhen me bindjet e tyre. Shumë aktorë si ndërkombëtarë ashtu edhe kombëtarë të mbrojtjes së të drejtave themelore janë të mendimit që një ndalim i përgjithshëm është i shpërpjesëtuar. Ligji i 11 tetorit 2010 dhe disa polemika që e kanë shoqëruar hartimin e tij kanë mundur të përjetohen me dhimbje nga një pjesë e bashkësisë myslimane, duke përfshirë edhe ata pjesëtarë të saj të cilët nuk janë në favor të mbajtjes së ferexhesë me perçe. Lidhur me këtë, Gjykata është shumë e shqetësuar nga ligjërimet islamofobe që kanë karakterizuar debatin që i ka paraprirë miratimit të Ligjit të 11 tetorit. Sigurisht që nuk i takon asaj për t’u shprehur rreth volisë së ligjvënies në këtë fushë. Ajo nënvizon megjithatë se një shtet i cili i përvishet një procesi ligjvënës të këtij lloji merr përsipër rrezikun që t’i japë dorë përforcimit të shablloneve që i dëmtojnë disa kategori personash dhe të inkurajojë shprehjen e intolerancës ndërkohë që i duhet përkundrazi të nxisë tolerancën. Ligjërimet që përbëjnë një sulm të përgjithshëm e të furishëm kundër një grupi të identifikuar me anë të një feje ose të prejardhjeve etnike janë të papajtueshme me vlerat e tolerancës, të paqes shoqërore dhe të mosdiskriminimit nga të cilat frymëzohet Konventa dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën për lirinë e shprehjes që sanksionohet prej saj.
Sidoqoftë, Ligji i 11 tetorit 2010 nuk e prek lirinë për të mbajtur në hapësirën publike çdolloj veshjeje apo elementi veshjeje – me ngjyrim fetar ose jo – që nuk ka si efekt që të fshehë fytyrën. Ndalimi i kundërshtuar rëndon në thelb mbi gratë myslimane që dëshirojnë ta mbajnë ferexhenë me perçe. Megjithatë, ky ndalim nuk është i bazuar shprehimisht mbi ngjyrimin fetar të veshjeve të vëna në shënjestër, por mbi faktin e vetëm që ato fshehin fytyrën.***
Për sa i përket faktit se ky ndalim shoqërohet me sanksione penale, sanksionet e zgjedhura prej ligjvënësit janë nga më të lehtat që ai mund të parashikonte, përderisa bëhet fjalë për gjobën e parashikuar për kundërvajtjet e klasës së dytë (ose aktualisht 150 euro në maksimum), me mundësinë që gjyqtari të shpallë njëkohësisht ose në vend të saj detyrimin për të kryer një kurs qytetarie.
Përveç kësaj, duke i ndaluar cilitdo që të mbajë në hapësirën publike një veshje që shërben për të fshehur fytyrën, shteti i paditur e kufizon në njëfarë mënyre fushën e pluralizmit, përderisa ky ndalim bëhet pengesë që disa gra ta shprehin personalitetin e tyre dhe bindjet e tyre duke e mbajtur ferexhenë me perçe në publik. Ai vë në dukje megjithatë se për të fjala është që t’i kundërpërgjigjet një praktike të cilën ai e gjykon si të papajtueshme, në shoqërinë franceze, me mënyrat e komunikimit shoqëror dhe, më në gjerësi, të “bashkëjetesës”. Në këtë perspektivë, shteti i paditur synon të mbrojë një mënyrë ndërveprimi midis individëve, thelbësore në sytë e tij për shprehjen jo vetëm të pluralizmit, por edhe të tolerancës dhe të frymës së hapjes, pa të cilat nuk ka shoqëri demokratike. Duket kështu se pika e pranimit ose jo të mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike përbën një zgjedhje shoqërie.
Mirëpo, në një rast të tillë, Gjykatës i duhet të tregohet e përmbajtur në ushtrimin e kontrollit të saj rreth përputhjes me Konventën, përderisa ky i kërkon të vlerësojë një arbitrazh të kryer sipas disa modalitetesh demokratike në gjirin e shoqërisë në fjalë. Kur bëhet fjalë për pika të politikës së përgjithshme, rreth të cilave në një shtet demokratik mund të ketë me plot arsye divergjenca të thella, është e udhës që t’i jepet një rëndësi e veçantë rolit të vendimmarrësit kombëtar. Në çështjen në fjalë Franca kishte pra një hapësirë të gjerë për vlerësim.
Ndodh kështu për më tepër ngaqë nuk ka konsensus evropian rreth pikës së ndalimit të mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike. Dhe, ndonëse nga një pikëpamje rreptësisht normative, Franca është në një situatë pakice fare të vogël në Evropë, duhet të vërehet megjithatë se pika lidhur me mbajtjen e ferexhesë me perçe në hapësirën publike është ose ka qenë në diskutim në disa vende evropiane. Kësaj duhet t’i shtohet se, me sa duket, çështja e mbajtjes së ferexhesë me perçe në hapësirën publike thjesht nuk shtrohet fare në një numër të caktuar shtetesh anëtare, ku kjo praktikë nuk përdoret.
Për rrjedhojë, sidomos në vështrim të gjerësisë së hapësirës për vlerësim që kishte shteti i paditur në çështjen në fjalë, ndalimi që vendos Ligji i 11 tetorit 2010 mund të paraqitet si i përpjesëtuar me qëllimin e ndjekur, konkretisht ruajtjen e kushteve të “bashkëjetesës” si një element i “mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve”. Kufizimi objekt konflikti mund të paraqitet pra si “i domosdoshëm”, “në një shoqëri demokratike”. Ky përfundim vlen si në vështrim të nenit 8 të Konventës ashtu edhe në atë të nenit 9.
Përfundimi: jo shkelje (pesëmbëdhjetë vota në favor dhe dy kundër).
Neni 14 i Konventës i bashkuar me nenin 8 ose me nenin 9: Paditësja denoncon një diskriminim të tërthortë. Si grua myslimane e cila dëshiron ta mbajë ferexhenë me perçe në hapësirën publike për arsye fetare, ajo i përket një kategorie personash të ekspozuar në mënyrë krejt të veçantë ndaj ndalimit për të cilin është fjala dhe sanksioneve me të cilat shoqërohet ai.
Një politikë ose një masë e përgjithshme të cilat kanë efekte të dëmshme të shpërpjesëtuara ndaj një grupi personash mund të konsiderohen si diskriminuese edhe sikur ato të mos e synojnë në mënyrë specifike këtë grup e të mos kenë fare qëllim diskriminues. Megjithatë ndodh kështu vetëm në qoftë se kjo politikë ose kjo masë nuk kanë përligjje “objektive dhe të arsyeshme”, domethënë kur ato nuk ndjekin një “qëllim të drejtë” ose kur nuk ka “raport të arsyeshëm përpjesëtueshmërie” midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar. Mirëpo, në çështjen në fjalë, ndonëse mund të mendohet se ndalimi që vendos Ligji i 11 tetorit 2010 ka efekte negative specifike mbi situatën e grave myslimane që, për arsye fetare, dëshirojnë ta mbajnë ferexhenë me perçe në hapësirën publike, kjo masë ka një përligjje objektive dhe të arsyeshme.
Përfundimi: jo shkelje (njëzëri).
* Shih Dudgeon k. Mbretërisë së Bashkuar, 7525/76, 22 tetor 1981.
** Shih Leyla Şahin k. Turqisë [DhM], 44774/98, 10 nëntor 2005, Shënim informativ 80, dhe Ahmet Arslan me të tjerë k. Turqisë, 41135/98, 23 shkurt 2010, Shënim informativ 127.
*** A contrario, shih Ahmet Arslan me të tjerë k. Turqisë, op. cit.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy