© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
ISH SEKSIONI I PESTË
ÇËSHTJA SAŠO GORGIEV KUNDËR « ISH REPUBLIKËS JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË »
(Kërkesa nr. 49382/06)
VENDIM
[Pjesë nga vendimi]
STRASBURG
19 prill 2012
PËRFUNDIMTAR
19/07/2012
Në çështjen Sašo Gorgiev kundër ish Republikës jugosllave të Maqedonisë
Gjykata Evropiane e të drejtave të Njeriut (ish seksioni i pestë), e përfaqsuar nga një dhomë e përbërë nga :
Peer Lorenzen, kryetar,
Karel Jungëiert,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ganna Yudkivska,
Julia Laffranque, gjyqtarë,
dhe nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni ,
Pas shqyrtimit të çështjes në dhomën e këshillit më 27 mars 2012, ky është vendimi i marrë në këtë datë :
PROCEDURA
1. Ngjarja e ka fillesën tek kërkesa (Nr. 49382/06) e drejtuar kundër « ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë » nga një nënshtetas maqedonas, Z. Sašo Gorgiev (« kërkuesi »), i cili i është drejtuar Gjykatës më 27 nëntor 2006 në bazë të nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore (« Konventa »).
2. Kërkuesi është përfaqsuar në Gjykatë nga Av. P. Silegov, avokat në Shkup. Qeveria e Maqedonisë (« Qeveria ») u përfaqsua nga agjentja e saj, Zj. R. Lazareska Gerovska.
3. Në kërkesën e tij, kërkuesi ankohej për faktin se qeveria e paditur duhet të konsiderohet përgjegjëse, në bazë të nenit 2 të Konventës, për një akt vdekjeprurës të kryer kundrejt tij nga një funksionar i shtetit me iniciale R.D.
4. Më 5 tetor 2009, kryetari i seksionit të pestë vendosi t’ia komunikojë kërkesën Qeverisë dhe ta trajtonte atë me prioritet në zbatim të nenit 41 të rregullores së Gjykatës. Duke u bazuar në nenin 29 § 1 të Konventës, u vendos gjithashtu që Gjykata të shprehet në të njëjtën kohë për pranueshmërinë dhe themelin e kërkesës.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur në vitin 1972 dhe banon në Shkup.
A. Origjina e çështjes
6. I interesuari punonte si kamarier në një bar të Shkupit. Më datë 6 janar 2002, ora 3 e 50, një rezervist i policisë me inicialet R.D. hapi zjarr në drejtim të kërkuesit duke e plagosur në kraharor. Nga raporti mjekësor i hartuar më 12 shtator 2002 nga qendra klinike e Shkupit mësohet se i interesuari u shtrua në këtë klinikë në « gjendje të rëndë » (тешка општа состојба). Raporti saktësonte se kërkuesi kishte klavikulën e djathtë dhe katër brinjë të frakturuara, një plagosje në arterien e nën klavikulës, hemorragji e brendshme, dëmtim i nervave të pleksusit brakial dhe një paralizë e krahut të djathtë. Në fund raporti tregonte që i interesuari kishte pësuar dëmtime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, pasojat e të cilave do të jenë afatgjata (витална загрозеност и трајни последици). Kërkuesi ka kryer dy operacione. I fundit është kryer në prill 2002 në qendrën klinike të Beogradit (Serbi).
B. Procedura penale e drejtuar kundër R.D.
7. Më 27 mars 2003, gjykata e shkallës së parë e Shkupit (« gjykata ») e dënoi R.D. në mungesë me dy vjet burgim, duke vlerësuar se ky i fundit ishte fajtor për një « cënim të rëndë të sigurisë publike » (тешки дела против општата сигурност). Pasi gjykata dëgjoi R.D., kërkuesin, si edhe gjashtë dëshmitarët, dhe pasi shqyrtoi provat e tjera materiale, gjykata vendosi që R.D., i cili ishte i dehur në momentin e fakteve, kishte shkrepur pa dashje këmbëzën e armës së tij të shërbimit dhe kishte qëlluar të interesuarin që ndodhej vetëm një metër larg tij. Gjykata e ftoi kërkuesin të kërkonte riparim të dëmit me anë të një procedure të veçantë për dëmshpërblim në seksionin civil. Më 8 maj 2003, ky vendim i gjykatës ishte i formës së prerë.
8. R.D. filloi të vuante dënimin e tij më 6 qershor 2008. Me kërkesën e tij, gjykata e rihapi procesin më 23 qershor 2008. Më 12 mars 2009, ajo e gjykoi përsëri si fajtor për akuzat kundër tij dhe e dënoi me dy vjet burgim të shoqëruar më një pezullim dënimi prej katër vitesh. Nuk dihet nëse ky vendim ishte i formës së prerë apo nëse ka qenë objekt apeli.
C. Procedura për dëmshpërblim në seksionin civil
9. Më 11 nëntor 2002, kërkuesi, i përfaqsuar nga Av. P. Šilegov, thirri Ministrinë e Brendshme (« ministria ») para juridiksioneve civile dhe i kërkoi asaj riparimin e dëmit material dhe të dëmit moral që kishte pësuar si pasojë e plagosjeve të shkaktuara nga R.D.. Në konkluzionet e paraqitura, ai ankohej që shteti duhet të ishte përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga R.D., i cili kishte hapur zjarr kundrejt tij në një bar, në një kohë që duhej të siguronte shërbimin e rojes në një komisariat. Ai argumentoi se R.D. kishte përdorur armën e tij të shërbimit dhe ishte me uniformë. Kërkuesi kërkonte 28 milionë denarë maqedonas (MKD) për dëm moral dhe 208 480 MKD për dëm material (shumë që përkon me shpenzimet e paraqitura për trajtimin mjeksor)[1].
10. Më 12 dhjetor 2003, pasi çështja ishte shtyrë pesë herë rradhazi, Gjykata e shkallës së parë e Shkupit e rrëzoi kërkesën e kërkuesit. Për të arritur në një përfundim të tillë, ajo mendonte se ministria nuk kishte cilësinë për të mbrojtur procedurën e riparimit të dëmeve të shkaktuara nga R.D., të cilin e përkufizoi si funksionar të shtetit për shkak të pozicionit të tij si rezervist në polici. Gjykata u shpreh se nga 5 janari 2002 në orën 19.30 deri më 6 janar 2002 në orën 7.30, R.D. ishte në shërbim në një komisariat të Shkupit ku duhet të siguronte shërbimin e rojes (службена задача – стража) nga 5 janari në mesnatë deri më 6 janar në oren një, dhe më pas në 6 janar nga ora gjashtë në orën shtatë. Në datën 6 janar, pasi kishte kaluar ora një, në vend që të kthehej në komisariat, ai shkoi në bar me dëshirën e tij, pa lajmëruar eprorin apo zëvendësin e këtij të fundit. Përveç kësaj, gjykata përcaktoi se R.D. ishte me uniformë, mbante armën e tij të shërbimit dhe, nën influencën e alkoolit, nxorri armën dhe hapi zjarr mbi kërkuesin që ndodhej para tij, në një distancë rreth 1,5 metra. Sipas gjykimit të saj, akti i kryer nga R.D. i kishte shkaktuar dëm të interesuarit. Megjithatë, në lidhje me përgjegjësinë e ministrisë sipas nenit 157 të ligjit mbi detyrimet (paragrafi 17 më poshtë), ajo shprehet në këtë mënyrë :
« [akuza në lidhje me përgjegjësinë e shtetit] varet nga disa kushte : dëmi duhet t’i shkaktohet një personi fizik apo juridik nga një funksionar i shtetit (овластено службено лице) që vepron gjatë ushtrimit të funksioneve të tij. Dëmi duhet të rrjedhë gjithashtu nga akti i paligjshëm i funksionarit. Pala e paditur (shteti) mund të konsiderohet si përgjegjëse për dëmin e shkaktuar vetëm në rastet kur ai ndodh gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare. Që një akt i dëmshëm të konsiderohet si i kryer gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare, duhet që ai të ketë lidhje me funksionet (функција) e funksionarit të akuzuar. Akti duhet të jetë kryer gjatë orëve të punës, nga një funksionar i shtetit që vepron zyrtarisht dhe në kuadrin e detyrave që i janë caktuar zyrtarisht. Dëmi mund të jetë shkaktuar jashtë funksioneve zyrtare të funksionarit, por duhet të ketë një lidhje shkakore me ushtrimin e funksioneve në fjalë ose me vetë funksionet (...) Në këtë rast, prania e R.D. në një bar nuk bënte pjesë në kuadrin e funksioneve të tij zyrtare (...) dhe në këtë mënyrë, dëmi nuk mund të konsiderohet sikur ka lidhje me funskionet që i ka dhënë ministria, edhe pse ai është kryer në momentin ku R.D. duhet të kishte qenë në shërbim. Ndonëse akti dëmtues është kryer gjatë orëve të punës së R.D., dhe ky i fundit ka qenë me uniformë dhe ka përdorur armën e tij të shërbimit, ai nuk ushtronte funksione zyrtare në atë moment dhe në vendin e kryerjes së krimit, ai ka vepruar individualisht. R.D. është përgjegjës për aktin që ka kryer dhe për dëmin që rrjedh nga ky akt. Nuk ekziston asnjë lidhje shkakore mes këtij akti dhe funksioneve të R.D. (...)
Fakti që [R.D.] ishte me uniformë dhe që ka përdorur armën e shërbimit nuk do të thotë se ka vepruar gjatë ushtrimit të funksioneve të tij zyrtare. Ai nuk e ka përdorur këtë armë në rastin e ushtrimit të funksioneve të tij, por në cilësinë e klientit të barit (...).
Rezervist në rradhët e policisë, R.D. ishte mësuar me përdorimin e armëve në momentin e kryerjes së dëmit. Përgjegjësia e palës së paditur, pronarit të armës, nuk mund të dënohet në bazë të nenit 163 § 2 të ligjit mbi detyrimet sepse dëmi vjen si pasojë vetëm nga një akt i paparashikueshëm që kryhet nga një prej funksionarëve të saj. Pasojat e këtij akti nuk mund të shmangeshin dhe as të fshiheshin. »
11. Gjykata doli në përfundimin se kërkuesit i lejohej t’i kërkonte riparimin e dëmit R.D. mbi bazën e nenit 141 të ligjit mbi detyrimet (paragrafi 16 më sipër).
12. Në datën 3 mars 2004, i interesuari e apeloi këtë vendim. Ai ankohej se ministria duhet të ishte përgjegjëse për aktin e kryer nga R.D. për arsyen se ky i fundit kishte vepruar gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, ishte me uniformë në atë moment dhe kishte përdorur armën e tij të shërbimit. Sipas konkluzioneve të tij, ai mbështet idenë se përgjegjësia e ministrisë bazohej në nenin 103 të ligjit mbi punësimin (paragrafi 20 më poshtë), dispozitë që autorizon ministrinë të ushtrojë një procedurë rimbursimi kundrejt R.D. Duke theksuar faktin se vuante nga një paralizë e përhershme e krahut të djathtë, kërkuesi shtoi së fundi se dëmi i shkaktuar nga R.D. ishte i pariparueshëm.
13. Më 27 prill 2004, Gjykata e Apelit të Shkupit e rrëzoi kërkesën e tij duke u shprehur se nuk shihte asnjë arsye të kundërshtonte vendimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas të cilës, akti i kryer nga R.D. në bar nuk kishte asnjë lidhje me funksionet zyrtare të policit. Ajo shtoi gjithashtu se duke hapur zjarr mbi të interesuarin, R.D. nuk ka vepruar në cilësinë e policit që ushtron funksionet e tij zyrtare. Ajo arrin në përfundimin se nuk duhet gjykuar përgjegjësia e ministrisë. Ajo pohoi që kërkuesit i jepej e drejta t’i kërkonte R.D. riparimin e dëmit.
14. Më 21 korrik 2004, kërkuesi iu drejtua Gjykatës së Lartë (ревизија) me ankesën se Gjykata e Apelit nuk i ishte përgjigjur mjeteve të tij që synonin të pranohej përgjegjësia e ministrisë në lidhje me ligjin mbi punësimin.
15. Më 31 maj 2006, Gjykata e Lartë e rrëzon kërkesën e tij duke përdorur të njëjtat arsye me ato të juridiksioneve të tjera.
II. LIGJET DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Ligji mbi detyrimet
16. Parimet e përgjithshme që përcaktojnë procedurën civile të riparimit të dëmit gjenden të shprehura në nenin 141 të ligjit mbi detyrimet.
17. Neni 157 i të njëjtit ligj thotë se punëdhënësi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga punonjësit e tij gjatë ose në rast ushtrimi të funksioneve të tyre. Viktima e një dëmi të kryer qëllimisht nga një punonjës mund t’i kërkojë punëdhënësit riparimin e dëmit. Ky i fundit mund të ushtrojë një procedurë rimbursimi kundrejt punonjësit me qëllim rimbursimin e dëmshpërmbim-interesave që do t’i akordohen viktimës në rast se dëmi i shkaktuar nga punonjësi ka qenë i qëllimshëm apo për shkak të pakujdesisë.
18. Sipas nenit 160, pronari i një objekti të rrezikshëm (опасен предмет) është përgjegjës për të gjitha dëmet e shkaktuara nga ky objekt.
19. Neni 163 § 2 shpreh se pronari i një objekti të rrezikshëm mund të shkarkohet nga përgjegjësia nëse vërteton se dëmi rrjedh vetëm nga një akt i paparashikueshëm i viktimës apo një të treti dhe pasojat e këtij akti nuk mund të shmangeshin dhe as të fshiheshin.
B. Ligji mbi punësimin i vitit 1993
20. Sipas nenit 103 të ligjit të 1993 mbi punësimin, ashtu siç ishte në fuqi në periudhën e caktuar, punëdhënësit ishin përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga punonjësit e tij gjatë ose në rast ushtrimi të funksioneve të tyre. Punëdhënësi mund të ushtronte një procedurë rimbursimi kundrejt punonjësit me qëllim rimbursimin e dëmshpërmbim-interesave nëse dëmi i shkaktuar nga punonjësi ka qenë i qëllimshëm apo nga pakujdesia.
C. Ligji mbi punët e brendshme (Fletorja zyrtare nr. 19/1995)
21. Neni 24 i ligjit mbi punët e brendshme, ashtu siç ishte në fuqi në periudhën e caktuar, përcaktonte kategoritë e policëve që kishin cilësinë e funksionarit të shtetit.
22. Në zbatim të nenit 26 të këtij ligji, funksionarët e shtetit duhej të ushtronin funksionet e tyre në çdo kohë, pavarësisht nëse ishin apo jo në shërbim.
23. Në rast lufte apo gjendjeje të jashtëzakonshme, ministria mund t’i thërriste rezervistët për të siguruar qetësinë publike ose për të parandaluar kryengritjet (neni 45 § 2 i ligjit mbi punët e brendshme). Ajo mund të rekrutonte gjithashtu rezervistë për të ndjekur një trajnim apo stërvitje. Gjatë kohëzgjatjes së shërbimit të tyre, rezervistët kishin cilësinë e funskionarit të shtetit në bazë të nenit 24 të këtij ligji (neni 46 i këtij ligji).
(...)
III. E DREJTA NDËRKOMBËTARE
A. Parimet bazë në lidhje me përdorimin e forcës dhe përdorimin e armëve të zjarrit nga përgjegjësit për zbatimin e ligjeve (« parimet bazë ») të miratuara nga Kongresi i Kombeve të Bashkuara për parandalimin e krimit dhe trajtimin e kriminelëve (Havana, Kubë, 27 gusht - 7 shtator 1990)
25. Fragmentet e duhura të nenit 11 të Parimeve bazë shprehen si më poshtë :
« 11. Një rregullore që përckaton përdorimin e armëve të zjarrit nga përgjegjësit për zbatimin e ligjeve duhet të përmbajë direktiva me qëllimet e mëposhtme :
a) Të specifikojë rrethanat në të cilat përgjegjësit për zbatimin e ligjeve autorizohen të mbajnë armë zjarri (...);
b) Të sigurojë që armët e zjarrit të përdoren vetëm në rrethanat e duhura dhe në mënyrë të tillë që të ulë në minimum rrezikun e dëmeve të panevojshme ;
(...)
d) Të rregullojë kontrollin, depozitimin dhe shpërndarjen e armëve të zjarrit dhe të parashikojë procedurat në përputhje me të cilat përgjegjësit për zbatimin e ligjeve duhet të japin llogari për të gjitha armët dhe municionet që u janë dorëzuar. »
B. Rekomandimi Rec(2001)10 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare në lidhje me Kodin europian të etikës së policisë[2]
26. Neni 37 i kodit shprehet se « policia mund të përdorë forcën vetëm në rastet e nevojës së domosdoshme dhe vetëm për të arritur një qëllim të ligjshëm. »
27. Komentari i kësaj dispozite saktëson se
« (...) Në lidhje me këtë çështje duhet të vlerësohet jashtë mase rëndësia e rekrutimit dhe e trajnimit (...) »
E DREJTA
I. MBI SHKELJEN E ANKIMUAR TË NENIT 2 TË KONVENTËS
28. Duke pëmendur nenin 2 të Konventës, kërkuesi shprehet në ankimin e tij se ka qenë viktimë e një akti vdekjeprurës për faj të R.D., një funksionar i shtetit. Duke u bazuar në nenin 6, ai qorton juridiksionet e brendshme për gjykimin e tyre, sipas të cilit, shteti nuk ishte përgjegjës. Si mjeshtre për cilësimin juridik të fakteve (Akdeniz kundër Turqisë, nr. 25165/94, § 88, 31 maj 2005), Gjykata mendon se ankesa e kërkuesit në lidhje me përgjegjësinë e shtetit, ngre një çështje që lidhet vetëm me nenin 2 të Konventës. Kjo dispozitë shprehet në këtë mënyrë :
« 1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Vdekja nuk mund t’i shkaktohet me qëllim kujtdoqoftë, me përjashtim të rastit të zbatimit të një vendimi kapital të dhënë nga një gjykatë, në rastin kur krimi ndëshkohet me këtë dënim nga ligji.
2. Vdekja nuk quhet e shkaktuar në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ajo është pasojë e përdorimit të forcës i bërë absolutisht i domosdoshëm;
a) për të siguruar mbrojtjen e çdo personi kundër dhunës së paligjshme;
b) për të kryer një arrestim të rregullt ose për të penguar arratisjen e një personi ligjërisht të burgosur;
c) për të kundërshtur, në përputhje me ligjin, një trazirë ose një kryengritje. »
A. Në lidhje me pranueshmërinë
1. Zbatueshmëria e nenit 2 të Konventës
29. Gjykata është e mendimit se forca e përdorur kundrejt kërkuesit nuk ka shkaktuar vdekjen e këtij të fundit. Megjithatë, kjo nuk përjashton shqyrtimin e ankesave të hartuara nga i interesuari nën këndvështrimin e nenit 2 : në disa çështje të mëparshme, Gjykata ka marrë në shqyrtim ankesat e hartuara në kontekstin e kësaj dispozite, ndërkohë që viktimat e ankimuara nuk kanë humbur jetën si pasojë e veprimeve të inkriminuara (Makaratzis kundër Greqisë [GC], nr. 50385/99, §§ 49-55, CEDH 2004-XI ; Osman kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 tetor 1998, §§ 115-22, Përmbledhje e vendimeve dhe aktgjykimeve 1998-VIII, dhe Yaşa kundër Turqisë, 2 shtator 1998, §§ 92-108, Përmbledhje 1998-VI).
(...)
B. Themeli
1. Argumentet e palëve
34. Kërkuesi mbështet idenë se shteti duhet të deklarohet përgjegjës për aktet e paligjshme të R.D. dhe akuza për përgjegjësinë penale të këtij të fundit nuk i shkarkon autoritetet nga përgjegjësia e tyre për dëmet që ka shkaktuar R.D. gjatë ushtrimit të funksioneve të tij. Ai shikon në vendimin e gjykatës së shkallës së parë të komunikuar nga Qeveria (...) një provë shtesë për zbatimin e gabuar të së drejtës në fuqi nga juridiksionet e brendshme.
35. Qeveria i përmbahet idesë se R.D. nuk ka pasur kurrë si qëllim të vrasë kërkuesin dhe ky fakt është konstatuar në kuadrin e procedurës penale të ngritur kundër R.D. (paragrafi 7 më sipër). Në lidhje me plagosjet e rënda të të interesuarit, ajo pranon që ky i fundit ka pësuar një keqtrajtim që mund të lidhet me nenin 3 të Konventës, por argumenton se shteti nuk është përgjegjës për shkeljen e pjesës materiale të kësaj dispozite. Ajo mbron idenë se përfundimi i procedurës penale ngritur kundër R.D. e shpalli fajtor këtë të fundit dhe liroi shtetin nga çdo përgjegjësi penale. Në lidhje me këtë fakt, ajo kujton se juridiksionet e tre shkallëve të cilat kanë shqyrtuar çështjen, e kanë rrëzuar kërkesën e të interesuarit duke gjykuar se shteti nuk mund të jetë përgjegjës në këtë rast për shkak se mungon lidhja shkakore mes akteve të kryera nga R.D. dhe funksionet zyrtare të tij. Ajo thekson se R.D. ishte larguar nga vendi i tij i punës gjatë orëve të shërbimit pa miratimin e eprorëve të tij, para se të ndodhte akti dëmtues. Ky akt i kryer nga R.D. nuk ka asnjë lidhje me funksionet e tij zyrtare që konsistonin në kryerjen e shërbimit të rojes. Ajo shton që R.D. nuk ka kryer në bar asnjë akt që mund të lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij dhe se ka vepruar individualisht, ashtu siç e kanë konstatuar dhe gjykatat.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Mbi zbatueshmërinë e nenit 2 të Konventës
36. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, vetëm në rrethana të jashtëzakonshme keqtrajtimet trupore të kryera nga funksionarët e shtetit mund të analizohen si shkelje e nenit 2 të Konventës, kur nuk ka pasur vdekje të viktimave. Përsa i përket përgjegjësisë penale të personave që kanë përdorur forcën kundërshtuese, ajo sigurisht nuk ka lidhje me procedurën e nisur në bazë të Konventës, por shkalla dhe lloji i forcës së përdorur, si dhe qëllimi apo objektivi që del nga përdorimi i forcës mund, së bashku me elementet e tjera, të jenë të nevojshëm për të kuptuar nëse në një rast të dhënë, aktet e funksionarëve të shtetit, përgjegjës për shkaktimin e plagosjeve që nuk kanë shkaktuar vdekjen, janë të një natyre që mund të bëjnë pjesë në kuadrin e garancisë së ofruar nga neni 2 i Konventës, në lidhje me objektin dhe qëllimin e kësaj dispozite. Në të gjitha rastet, kur një person sulmohet apo keqtrajtohet nga policë apo ushtarakë, ankesat e tij duhet të shqyrtohen kryesisht në lidhje me nenin 3 të Konventës (Makaratzis, lartpërmendur, § 51, dhe İlhan kundër Turqisë [GC], nr. 22277/93, § 76, CEDH 2000‑VII).
37. Në këtë rast, del fare qartë nga faktet e përcaktuara nga juridiksionet e brendshme që R.D. ka hapur zjarr mbi kërkuesin duke e plagosur në anën e djathtë të kraharorit. Nëse është e vërtetë, ashtu siç pohon Qeveria, se R.D. nuk ka pasur qëllim të vrasë kërkuesin, jeta e tij ka shpëtuar vetëm rastësisht. Në lidhje me këtë pikë, Gjykata i jep rëndësi faktit që R.D. i ka qëlluar kërkuesit krejt papritur (ai gjendej vetëm 1 ose 1,5 metra larg nga i interesuari – paragrafet 7 dhe 10 më sipër). I interesuari ka marrë plagë shumë të rrezikshme për jetën, të cilat e kanë bërë invalid. I shtruar në spital urgjentisht, ai ka kryer dy operacione. Fakti i plagëve të rënda nuk vihet në diskutim nga palët.
38. Nga sa pamë më sipër dhe pavarësisht nga çështja nëse R.D. kishte apo ajo qëllim të vriste kërkuesin, ky i fundit ishte viktimë e një akti me natyrë vdekjeprurëse, nga i cili mbijetoi. Në këto kushte, neni 2 gjen zbatim në këtë rast.
b) Përgjegjsia e drejtpërdrejtë e shtetit sipas nenit 2 të Konventës
i) Parimet e përgjithshme
39. Gjykata rikujton se neni 2 i Konventës, i cili garanton të drejtën për jetën dhe përcakton rrethanat ku dënimi me vdekje është i ligjshëm, është një nga nenet më kryesore të Konventës dhe nuk ka asnjë derogim (Velikova kundër Bullgarisë, nr. 41488/98, § 68, CEDH 2000-VI).
40. Duke pranuar rëndësinë e këtij neni në një shoqëri demokratike, Gjykata duhet të shqyrtojë me shumë kujdes ankimet për shkelje të kësaj dispozite, duke marrë në konsideratë jo vetëm aktet e funksionarëve të shtetit të cilët kanë përdorur me të vërtetë forcën, por gjithashtu tërësinë e rrethanave të ngjarjes (McCann dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator 1995, § 150, seria A nr. 324).
41. Neni 2 nuk lidhet vetëm me rastet e vdekjes së njeriut si shkak i përdorimit të forcës nga funksionarët e shtetit, por, në fjalinë e parë të paragrafit të parë, ai shpreh detyrimin pozitiv për shtetet që të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e personave që janë në juridiksionin e tyre (Makaratzis, lartpërmendur, § 57).
42. Ky detyrim pozitiv u cakton shteteve si detyrë kryesore të hartojnë para së gjithash një kuadër ligjor dhe administrativ për masa parandaluese efikase. Ky kuadër duhet të përmbajë një rregullore të përshtatshme për veçoritë e këtij aktiviteti, sidomos për shkallën e rrezikut që mund t’i shkaktohet jetës njerëzore. Shteti duhet të tregojë vullnet të plotë dhe të përcaktojë kushtet e kufizuara sipas të cilave përgjegjësit për zbatimin e ligjeve mund të përdorin armët e zjarrit (Abdullah Yilmaz kundër Turqisë, nr. 21899/02, §§ 56 dhe 57, 17 qershor 2008, dhe Makaratzis, lartpërmendur, § 59).
43. Në lidhje me jurisprudencën e nevojshme për këtë rast, Gjykata mendon se detyra e shtetit për mbrojtjen e së drejtës për jetën kërkon gjithashtu detyrimin e tij për të miratuar masa të arsyeshme që garantojnë sigurinë e individëve në vendet publike dhe, në rast plagosjesh të rënda ose vdekjeje, detyrimin për të pasur një sistem gjyqësor efikas dhe të pavarur që ofron rrugët e së drejtës që mundësojnë përcaktimin e fakteve, detyron përgjegjësit që të japin llogari dhe u siguron viktimave një dëmshpërblim të përshtatshëm (Ciechońska kundër Polonisë, nr. 19776/04, § 67, 14 qershor 2011).
44. Megjithatë, ky detyrim pozitiv duhet interpretuar në mënyrë të tillë që të mos u ngarkohet autoriteteve një barrë e tepërt dhe, ndër të tjera, duhen marrë në konsideratë sjelljet njerëzore të paparashikueshme dhe zgjedhjet operacionale që duhen bërë në lidhje me prioritetet dhe burimet (Keenan kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 27229/95, § 90, CEDH 2001-III, dhe A. dhe të tjerë kundër Turqisë, nr. 30015/96, §§ 44-45, 27 korrik 2004). Për këtë çështje, zgjedhja e masave që shteti duhet të miratojë për të qenë në përputhje me detyrimet pozitive që rrjedhin nga neni 2, në parim është brenda kufijve të vlerësimit të tij. Meqënëse ekziston diversiteti i mjeteve të duhura për të garantuar të drejtat e parashikuara në Konventë, fakti që një shtet i caktuar nuk vë në zbatim një masë të parashikuar nga e drejta e brendshme, nuk e pengon atë të përmbushë detyrimin e tij pozitiv në një mënyrë tjetër (Ciechońska, lartpërmendur, § 65, dhe Fadeïeva kundër Rusisë, nr. 55723/00, § 96, CEDH 2005‑IV).
ii) Zbatueshmëria e parimeve të lartpërmendura në këtë çështje
45. Gjykata shprehet se R.D. ka hapur zjarr kundër kërkuesit në rrethana të veçanta. Në periudhën e fakteve, R.D. ishte rezervist i policisë dhe kishte cilësinë e funksionarit të shtetit, cilësi që konfirmohet nga juridiksionet civile (paragrafi 10 më sipër) mbi bazën e nenit 46 të ligjit mbi çështjet e brendshme që ishte në fuqi në atë kohë (paragrafi 23 më sipër). Në momentin kritik, pra në natën e 5 janarit duke u gdhirë 6 janar 2002, R.D. ishte në shërbim në një komisariat, ku duhej të kryente shërbimin e rojes për një orë më 5 janar 2002 në mesnatë, më pas më 6 janar 2002 në orën gjashtë. Më 6 janar 2002, R.D. u largua nga komisariati në orën një, pas përfundimit të shërbimit të parë të rojes, dhe shkoi në një bar pa lajmëruar eprorët e tij. Ai ishte veshur me uniformë dhe mbante armën e shërbimit. Në të njëjtën ditë, në orën tre e pesëdhjetë, ai hapi zjarr me këtë armë kundër kërkuesit, duke e goditur në kraharor. I gjykuar në fillim në mungesë, R.D. u shpall fajtor për pakujdesi e cila cënoi rëndë sigurinë publike dhe u dënua me dy vjet burgim. Pas rihapjes së procesit, ai u shpall përsëri fajtor dhe u dënua me burgim dhe pezullim të dënimit (paragrafet 7 dhe 8 më sipër). Nga ana e tij, kërkuesi u ftua të kërkojë riparimin e dëmit të tij me një procedurë të veçantë drejtuar seksionit civil.
46. Në seksionin civil, i interesuari ankohej se shteti duhej të konsiderohej përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga ai. Juridiksionet e brendshme rrëzuan kërkesën e tij duke vlerësuar se shteti nuk mund të paditej sepse R.D. nuk kishte vepruar gjatë ushtrimit të funksioneve të tij zyrtare, por vetëm individualisht, dhe se dëmi nuk ishte shkaktuar gjatë apo në kohën e ushtrimit të funksioneve në fjalë.
47. Gjykata rikujton jurisprudencën e saj sipas të cilës shteti është drejtpërdrejt përgjegjës për aktet e dhunës të kryera nga policët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre (Krastanov kundër Bullgarisë, nr. 50222/99, § 53, 30 shtator 2004). Rasti në fjalë është i ndryshëm nga çështja Krastanov sepse ai lidhet me një akt dëmtues që kryhet nga një funksionar i shtetit jashtë ushtrimit të funksioneve të tij.
48. Për të përcaktuar nëse një shtet mund të konsiderohet përgjegjës për një akt të paligjshëm të kryer nga një funksionar i shtetit jashtë ushtrimit të funksioneve të tij zyrtare, Gjykata duhet të japë një vlerësim mbi tërësinë e rrethanave të rastit dhe të shqyrtojë natyrën, si dhe veçoritë e aktit të inkriminuar.
49. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se akti dëmtues është kryer nga R.D. gjatë orëve të tij të punës sepse nuk ka dyshim që ai duhet të ishte në shërbim në komisariat në momentin e fakteve. Ai u largua nga komisariati pa autorizimin e eprorëve të tij, më pas u deh dhe pati një qëndrim të rrezikshëm duke vënë në rrezik jetën e kërkuesit. Qëndrimi i R.D. nuk shkakton polemika mes palëve dhe analizohet si një shkelje flagrante e rregullores që ka qenë zanafilla e faktit dëmtues. R.D. ishte veshur me uniformë kur hapi zjarr mbi kërkuesin. Në këto kushte, ai mund të konsiderohej me të drejtë nga publiku si një polic i forcave të rendit. Përveç kësaj, ai i qëlloi kërkuesit me armën e shërbimit që i ishte besuar nga autoritetet.
50. Gjykata pranon që autoritetet nuk mund ta parashikonin objektivisht mosbindjen e R.D. dhe qëndrimin e tij në bar. Gjithësesi, ajo thekson që shteti duhet të kujdeset dhe të sigurojë zbatimin e rreptë të rregullores që përmban garanci efektive dhe të përshtatshme për të parandaluar çdo përdorim abuziv të armëve të shërbimit nga ana e funksionarëve, armë që u janë besuar në kuadrin e funskioneve të tyre zyrtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për rezervistë të thirrur përkohësisht. Qeveria nuk ka përmendur para Gjykatës ekzistencën e një rregulloreje të tillë. Gjykata i referohet nenit 26 të ligjit mbi çështjet e brendshme, sipas të cilit, funksionarët publikë si R.D., janë të detyruar të ushtrojnë funksionet e tyre në « çdo kohë, duke qenë apo jo në shërbim. » S’ka asnjë dyshim që kjo dispozitë paraqet avantazhe të pamohueshme për shoqërinë, por ajo sjell gjithashtu edhe disa rreziqe potenciale. Shërbimi i përhershëm që kërkohet nga funksionarët e shtetit, policët në këtë rast, i detyron ata të mbajnë vazhdimisht armën e shërbimit për të ushtruar funksionet e tyre.
51. Përveç kësaj, shtetet duhet të sigurohen që profesionistët e forcave të rendit të kenë aftësi të larta profesionale dhe të kujdesen që ata t’i përmbushin kriteret e detyrueshme (shih, mutatis mutandis, Abdullah Yilmaz, lartpërmendur, §§ 56-57). Kur shteti u beson armë zjarri anëtarëve të forcave të rendit, ai duhet t’u sigurojë këtyre të fundit një trajnim teknik të nevojshëm, por gjithashtu duhet të përzgjedhë me kujdesin më të madh funksionarët që autorizohen të mbajnë armë të tilla.
52. Në këtë rast, Qeveria nuk është shprehur para Gjykatës nëse autoritetet kompetente kishin verifikuar që R.D. ishte i aftë për shërbimin e caktuar dhe mbajtjen e armëve. Në këto kushte, Gjykata mendon se shteti i paditur duhet të konsiderohet përgjegjës për aktin dëmtues të kryer nga R.D. në bar.
53. Procedura e ngritur nga kërkuesi kundër shtetit ishte një ankim i përshtatshëm për njohjen e përgjegjësisë së qeverisë për aktet e R.D. të cilat cënojnë të drejtat që i garanton të interesuarit neni 2 i Konventës. Veprimi i kërkuesit dhe kërkesa e tij në Gjykatë synojnë të vendosin parimin e përgjegjësisë së shtetit. Fakti që i interesuari nuk i ka kërkuar riparim të dëmit R.D., nuk është përcaktues.
54. Nga sa u parashtrua më sipër, Gjykata (...) arrin në përfundimin se ka shkelje të pjesës materiale të nenit 2.
55. Meqënënse kërkuesi nuk i referohet shprehimisht pjesës procedurale të nenit 2 të Konventës, Gjykata e gjykon si të panevojshme shqyrtimin e çështjes në lidhje me respektimin nga shteti i paditur të detyrimeve të tij procedurale në lidhje me këtë dispozitë.
(...)
III. MBI ZBATIMIN E NENIT 41 TË KONVENTËS
62. Sipas nenit 41 të Konventës,
« Kur Gjykata deklaron shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe në qoftë se e drejta e brendëshme e Palës së Lartë kontraktuese mundëson vetëm një mënjanim të pjesshëm të pasojave që kanë rrjedhur nga kjo shkelje, Gjykata, kur ka vend, i cakton palës së dëmtuar një shpërblim të drejtë. »
A. Dëmi
63. Si dëm material, viktimë e të cilit ka qenë ai vetë, kërkuesi kërkon rimbursimin e shpenzimeve të kryera për trajtimin e tij mjeksor, me shumën prej 3 390 euro (EURO), të shoqëruara me faturat përkatëse. Nga ana tjetër, ai kërkon 455 300 EURO për dëmshpërblim të dëmit moral të shkaktuar nga vuajtja, frika, humbja e aftësisë dhe deformimi që ka pësuar. Këto dy shuma përkojnë me ato që i interesuari ka kërkuar në kuadrin e procedurës civile (paragrafi 9 më sipër). Përveç kësaj, kërkuesi kërkon 10 000 EURO për shkeljen e ankimuar të nenit 2 dhe 10 000 EURO për faktin se ka qenë i privuar nga e drejta e tij për një proces të drejtë.
64. Qeveria i kundërshton këto pretendime dhe mbështet idenë se nuk ekziston lidhje shkakore mes dëmit të ankimuar dhe shkeljeve të denoncuara. Në lidhje me kërkesën e hartuar për dëmin material, ajo argumenton se kërkuesi nuk u përpoq t’i merrte riparimin e dëmit R.D., autori i shkeljes dhe përgjegjës i drejtpërdrejtë i dëmit të shkaktuar. Në lidhje me kërkesën e hartuar për dëmin moral, ajo mbështet idenë se kjo kërkesë nuk është aspak e argumentuar, dhe kjo vlen edhe për pretendimet për shkelje të ankimuar të neneve 2 dhe 6. Së dyti, ajo arrin në përfundimin se duhet marrë në konsideratë niveli i jetesës në « Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë » dhe se konstatimi i një shkeljeje përbën një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm.
65. Gjykata argumenton se shpërblimi për dëmin material të shkaktuar përkon me shpenzimet mjekësore të kryera nga kërkuesi dhe janë një pasojë e drejtpërdrejtë e plagosjeve të shkaktuara nga R.D. Në lidhje me dokumentet që justifikojnë shpenzimet në fjalë dhe faktit që Qeveria nuk e ka kundërshtuar shumën, Gjykata vendosi t’i akordojë kërkuesit totalin e shumës së kërkuar për këtë gjë.
66. Gjykata pranon që kërkuesi ka pësuar një dëm moral, i cili nuk mund të riparohet vetëm me konstatimin e shkeljes së nenit 2 të Konventës. Duke vendosur në mënyrë të drejtë, ajo i akordon kërkuesit 12 000 EURO për këto arsye, plus çdo shumë që mund t’i duhet si tatim mbi shumën e dhënë.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
(...)
2. Vendos njëzëri që neni 2 i Konventës është i zbatueshëm për këtë rast ;
(...)
5. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës ;
6. Vendos
a) që shteti i paditur duhet t’i derdhë kërkuesit brenda tri muajve duke filluar nga dita kur vendimi është i formës së prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme që duhet të konvertohen në monedhën e shtetit të paditur sipas kursit që zbatohet ditën e pagesës :
i) 3 390 EURO (tre mijë e tre qind e nëntëdhjetë euro), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për dëm material ;
ii) 12 000 EURO (dymbëdhjetë mijë euro), plus çdo shumë që mund t’i duhet kërkuesit si tatim mbi shumën e dhënë, për dëm moral ;
b) se duke filluar nga data e skadimit të afatit dhe deri në ditën e kryerjes së pagesës, këto shuma do të rriten me një interes të ulët, përqindja e të cilit është e njëjtë me kursin marxhinal të huave afatshkurtra të Bankës Qëndrore Evropiane që zbatohet gjatë kësaj periudhe, përqindja e të cilit rritet me tri pikë;
(...)
Hartuar në anglisht, më pas transmetuar me shkrim më 19 pril 2012, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Claudia WesterdiekPeer Lorenzen
SekretareKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Afërisht 455 300 euro (EURO) dhe 3 390 EURO.
[2]. Miratuar më 19 shtator 2001 gjatë mbledhjes së 765 të të Deleguarve të Ministrave.
Full & Egal Universal Law Academy