© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
SEKSIONI I PARË
ÇËSHTJA E SAVRIDDIN DZHURAYEV kundër RUSISË
(Kërkesa nr. 71386/10)
VENDIM
STRASBURG
25 prill 2013
Ky vendim do të bëhet i formës së prerë në rrethanat e përcaktuara në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
...
Në çështjen e Savriddin Dzhurayev kundër Rusisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Parë), në Dhomën e përbërë nga:
Isabelle Berro-Lefèvre, Kryetare,
Khanlar Hajiyev,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Julia Laffranque,
Erik Møse,
Ksenija Turković,
Dmitry Dedov, gjyqtarë,
dhe Søren Nielsen, Kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 9 prill 2013,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në të njëjtën datë:
PROCEDURA
1. Çështja nisi me një kërkesë (nr. 71386/10) kundër Federatës Ruse të depozituar në Gjykatë në pajtim me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetas i Taxhikistanit, Z. Savriddin Dzhanobiddinovich Dzhurayev (“kërkuesi”) më 6 dhjetor 2010.
2. Kërkuesi përfaqësohej nga Znj. E. Ryabinina dhe Znj. D. Trenina, avokate që ushtrojnë aktivitetin ligjor në Moskë. Qeveria ruse (“Qeveria”) përfaqësohej nga Z. G. Matyushkin, Përfaqësues i Federatës Ruse në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
3. Kërkuesi pretendoi, në mënyrë të veçantë, që në rast se ekstradohej për në Taxhikistan ai rrezikonte t’i nënshtrohej keqtrajtimit dhe që shqyrtimi gjyqësor i burgosjes së tij në pritje të ekstradimit nuk ishte zhvilluar me shpejtësi.
4. Në dhjetor 2010 Kryetari i Seksionit të Parë informoi Qeverinë përgjegjëse, në pajtim me nenin 39 të Rregullores së Gjykatës, që kërkuesi nuk duhet të ekstradohej për në Taxhikistan deri në njoftim të mëtejshëm. Gjithashtu, u vendos që kësaj çështjeje t’i jepej përparësi sipas nenit 41 të Rregullores së Gjykatës.
5. Më 16 dhjetor 2010 Qeveria informoi Gjykatën që autoritetet kishin marrë hapat e duhur për të garantuar që kërkuesi nuk do të ekstradohej në Taxhikistan deri në njoftim të mëtejshëm.
6. Më 31 janar 2011 kërkesa iu komunikua Qeverisë. Gjithashtu u vendos që të merrej një vendim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelet e kërkesës në të njëjtën kohë (neni 29 § 1).
7. Më 2 nëntor 2011 Kryetari i Seksionit të Parë i kërkoi Qeverisë, në pajtim me nenin 54 § 2 të Rregullores së Gjykatës, që të paraqiste informacione faktike shtesë për të ndriçuar rrethanat e rrëmbimit të pretenduar të kërkuesit në Moskë.
8. Më 17 janar 2012 Dhoma ftoi palët të paraqisnin vërejtje të tjera me shkrim në lidhje me rrëmbimin e pretenduar të kërkuesit dhe transferimin e tij për në Taxhikistan. Për rrjedhojë, palët paraqitën në Gjykatë parashtresa të mëtejshme me informacione lidhur me zhvillime të reja të çështjes dhe vërejtje të mëtejshme lidhur me themelet.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Kërkuesi është i lindur në vitin 1985. Për momentin ai është duke vuajtur dënimin me burg në Taxhikistan.
A. Historiku i kërkuesit para ndjekjes së tij penale
10. Deri në vitin 2006 kërkuesi ka jetuar në fshatin e tij të lindjes, Navgilem, në Rajonin Sogdiskaya të Taxhikistanit. Ai ka qenë tregtar në pazarin vendor të ushqimeve.
11. Ngjarjet para largimit të kërkuesit nga Taxhikistani janë përshkruar nga kërkuesi si vijon.
12. Nga viti 2002 deri në vitin 2005 kërkuesi ka shkuar në një xhami, ku ai studionte Kuranin nën kujdestarinë e Z. S. Marufov. Ky i fundit u burgos nga policia dhe vdiq në burg në maj të vitit 2006. Para vdekjes së tij, Z. Marufov u raportua të ishte keqtrajtuar (shih paragrafin 102 poshtë).
13. Pas vdekjes së Z. Marufov, autoritetet e Taxhikistanit filluan të vinin në shënjestër nxënësit e tij. Kërkuesi u arratis nga vendi, duke iu frikësuar përndjekjes për shkak të aktiviteteve të tij fetare.
14. Kërkuesi arriti në Rusi në qershor të vitit 2006 dhe filloi të jetonte duke kryer punë të rëndomta në periferi të Moskës.
B. Procedurat penale kundër kërkuesit në Taxhikistan dhe në vijim procedurat e ekstradimit në Rusi
15. Më 7 nëntor 2006 Prokuroria në Taxhikistan hapi procedurë penale kundër kërkuesit dhe autorizoi paraburgimin e tij në pritje të gjyqit. Kërkuesi akuzohej sipas neneve 186 § 2 dhe 187 § 2 të Kodit Penal të Taxhikistanit për hartimin, diku gjatë vitit 1992, së bashku me disa individë të tjerë, të një “komploti kriminal” të quajtur “Bayat” (Байъат), i cili më vonë u bashkua me një “grup kriminal të armatosur” të quajtur “Lëvizja Islamike e Uzbekistanit” (angl. “IMU”). Akuza e dytë kundër kërkuesit kishte të bënte me përfshirjen e tij të supozuar në sulmin e armatosur të datës 27 shtator 2006 kundër tre anëtarëve të parlamentit rajonal.
16. Në të njëjtën datë Prokuroria e Taxhikistanit lëshoi një urdhër arresti për kërkuesin mbi bazën e akuzave të lartpërmendura dhe e vendosi emrin e tij në listën e “personave të kërkuar”.
17. Policia ruse e kapi kërkuesin më 21 nëntor 2009 në Moskë në vijim të një urdhër-kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Taxhikistanit. Ai qëndroi në burg në pritje të ekstradimit deri më 21 maj 2011 (shih paragrafët Error! Reference source not found.‑Error! Reference source not found. poshtë).
18. Më 21 dhjetor 2009 dhe 29 mars 2010 Zv/Prokurori i Përgjithshëm i Taxhikistanit i kërkoi homologut të tij rus që të urdhëronte ekstradimin e kërkuesit për në Taxhikistan.
19. Më 17 qershor 2010 Zv/Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë urdhëroi ekstradimin e kërkuesit. Ai gjeti, inter alia, që kërkuesi ishte akuzuar në Taxhikistan për përfshirje që nga viti 1992 në një organizatë kriminale, IMU. Zv/Prokurori i Përgjithshëm gjithashtu vërejti që në fund të vitit 2005 kërkuesi kishte shkuar në Rusi, ku kishte themeluar një celulë të armatosur të IMU dhe që në vitin 2006 ai u kishte transferuar deri në 5.000 dollarë amerikanë në muaj udhëheqësve të IMU në Taxhikistan, duke mbështetur kështu aktivitetet e tyre terroriste, si vrasja e zyrtarëve shtetërorë. Zv/Prokurori i Përgjithshëm konsideronte që aktet e kërkuesit ishin po ashtu të dënueshme sipas Kodit Penal të Rusisë dhe që ekstradimi i tij nuk mund të pengohej nga një krim që ai mund të kishte kryer në Moskë, meqenëse në lidhje me të nuk ishin filluar hetime apo ndjekje penale. Po kështu, ai nuk gjeti pengesa për ekstradimin e kërkuesit në asnjë traktat ndërkombëtar apo në legjislacionin e Federatës Ruse.
20. Kërkuesi u ankua në lidhje me urdhrin për ekstradim në Gjykatën e Qytetit të Moskës (“Gjykata e Qytetit”), duke deklaruar që autoritetet e Taxhikistanit do ta torturonin për ta bërë të rrëfente një krim që nuk e kishte kryer. Ai citoi praktikën e gjerë gjyqësore të Gjykatës që konstatonte rrezikun e torturës me të cilin disa kërkues në rrethana të ngjashme do të ishin përballur në rast ekstradimi në atë vend ( (Khodzhayev kundër Rusisë, nr. 52466/08, 12 maj 2010, dhe Khaydarov kundër Rusisë, nr. 21055/09, 20 maj 2010). Kërkuesi gjithashtu theksoi kundërthëniet, e madje edhe absurditetin e disa akuzave kundër tij në Taxhikistan, sipas të cilave ai kishte qenë aktivisht i përfshirë në terrorizëm që nga viti 1992 kur ai ishte ende fëmijë i vogël.
21. Zv/Prokurori i Përgjithshëm i dërgoi Gjykatës së Qytetit një letër të nënshkruar nga homologu i tij në Taxhikistan, e cila përmbante, inter alia, garancitë e mëposhtme:
“Ne garantojmë që, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare, [kërkuesit] do t’i ofrohen të gjitha mundësitë për t’u mbrojtur në Republikën e Taxhikistanit, përfshirë ndihmën e avokatit. Ai nuk do t’i nënshtrohet torturës apo trajtimit ose ndëshkimit mizor, çnjerëzor apo poshtërues (Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, si dhe konventat relevante të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës dhe protokollet përkatëse).
Kodi Penal i Taxhikistanit nuk parashikon dënimin me vdekje për krimet që i ngarkohen [kërkuesit].
Prokuroria e Përgjithshme në Taxhikistan garanton që qëllimi i kërkesës për ekstradimin e [kërkuesit] nuk është përndjekja e tij për arsye politike, apo për arsye të racës, besimeve fetare, nacionalitetit apo bindjeve politike.
... Taxhikistani zotohet për ndjekjen penale të [kërkuesit] vetëm për krimet të cilat përbëjnë bazën për ekstradimin e tij dhe që [kërkuesi] nuk do t’i dorëzohet një Shteti të tretë pa lejen e Federatës Ruse dhe do të jetë i lirë për t’u larguar nga territori i Republikës së Taxhikistanit pasi të ketë vuajtur dënimin e tij.”
22. Më 29 tetor 2010 Gjykata e Qytetit zhvilloi një seancë publike. Ajo e pranoi kërkesën e mbrojtjes për të marrë në pyetje Znj. E. Ryabinina, në cilësinë e ekspertes nga Instituti i Rusisë për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me situatën në Taxhikistan. Ekspertja iu përgjigj pyetjeve në seancën publike, duke shpjeguar hollësitë e katër vendimeve të fundit të shpallura nga Gjykata në lidhje me ekstradimin e ardhshëm në Taxhikistan të kërkuesve në fjalë dhe pasojat ligjore për Federatën Ruse (Khodzhayev, cituar lart; Khaydarov, cituar lart; Iskandarov kundër Rusisë, nr. 17185/05, 23 shtator 2010; dhe Gaforov kundër Rusisë, nr. 25404/09, 21 tetor 2010).
23. Me një vendim të marrë në të njëjtën datë, Gjykata e Qytetit e mbështeti urdhrin e ekstradimit, duke mos gjetur asnjë pengesë për ekstradimin e kërkuesit për në Taxhikistan. Argumentet e kërkuesit, mbi bazën e detyrimeve të Rusisë ndaj Konventës dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës, u hodhën poshtë nga Gjykata e Qytetit si më poshtë:
“... argumentet që kërkuesi mund të persekutohet për arsye fetare dhe ato lidhur me rrezikun serioz të torturës gjatë ndjekjes penale në Taxhikistan ... konsiderohen nga gjykata të pabazuara meqenëse ato argumente përbëjnë supozime të cilat nuk janë fare të vërtetuara; përkundrazi, ato hidhen poshtë krejtësisht nga materialet e çështjes, të cilat janë shqyrtuar nga gjykata, dhe në mënyrë të veçantë nga garancitë e paraqitura me shkrim nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Taxhikistanit ...
Argumentet ... që tortura dhe persekutimi për arsye fetare dhe politike ndodhin në Republikën e Taxhikistanit siç konfirmohet nga dokumentet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe organizata të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ... konsiderohen nga gjykata të jenë të pabazuara, sepse ato dokumente kanë të bëjnë me persona të tjerë, por jo me [kërkuesin]; për më tepër, ato argumente hidhen poshtë nga garancitë me shkrim të Prokurorisë së Taxhikistanit.”
24. Më 9 dhjetor 2010 Gjykata Supreme e mbështeti vendimin e Gjykatës së Qytetit. Argumenti i kërkuesit që ekstradimi i tij do të shkelje nenin 3 të Konventës u rrëzua nga Gjykata Supreme vetëm duke iu referuar tekstit të garancive me shkrim nga Prokuroria e Taxhikistanit.
C. Kërkesa për statusin e refugjatit dhe azili i përkohshëm
25. Më 22 dhjetor 2009 kërkuesi bëri kërkesë pranë Shërbimit të Migracionit të Federatës Ruse (angl. “FMS”), dega e Qytetit të Moskës, për statusin e refugjatit. Ai argumentoi që ai ishte persekutuar në Taxhikistan për arsye të besimeve të tij fetare dhe që ai do t’i nënshtrohej torturës në rast ekstradimi.
26. Më 26 prill 2010 dega e FMS e Qytetit të Moskës e hodhi poshtë kërkesën. Kërkuesi u njoftua për këtë vendim më 12 maj 2010.
27. Më 26 gusht 2010 Zv/Drejtori i FMS refuzoi një apel të bërë nga kërkuesi kundër atij vendimi. Ai ia rikujtoi kërkuesit që IMU konsiderohej nga gjykatat supreme të Taxhikistanit dhe Rusisë si organizatë që kryente aktivitete terroriste. Duke shënuar kritikat e shumta ndërkombëtare për përdorimin e torturës dhe pandëshkueshmërinë e zyrtarëve shtetërorë përgjegjës në Taxhikistan, Zv/Drejtori i FMS nuk gjeti asnjë arsye të bazuar për frikën që kërkuesi do të persekutohej për arsye fetare. Duke theksuar se shumica dërrmuese e popullsisë në Taxhikistan ishte myslimane, ai gjeti që nuk kishte gjasa që kërkuesi të persekutohej vetëm për arsye të bindjeve të tij fetare islame. Për sa u përket përpjekjeve të autoriteteve për të fuqizuar kontrollin mbi besimin fetar, kjo konsiderohej si vijimi i qëllimit të kuptueshëm të kufizimit të ndikimit të islamizmit radikal, përfshirë IMU. Ai përfundoi duke thënë që kërkuesit nuk i takonte statusi i refugjatit dhe që kërkesa e tij ishte motivuar nga synimi i tij për t’iu shmangur përgjegjësisë penale në Taxhikistan. Ai vërejti njëkohësisht që ekzistenca e një frike të bazuar të rënies viktimë e torturës apo keqtrajtimit mund ishte bazë për dhënien e statusit të refugjatit për kërkuesin në Rusi sipas seksionit 12 të Ligjit për Refugjatët.
28. Më 1 tetor 2010 kërkuesi apeloi vendimin e FMS pranë Gjykatës së Qarkut Basmanniy të Moskës. Ai argumentoi që FMS nuk kishte bërë një analizë të plotë dhe të duhur të situatës në Taxhikistan dhe nuk kishte marrë parasysh si duhej informacionet e paraqitura nga burimet e ndryshme ndërkombëtare në lidhje me atë çështje. Më tej, ai parashtroi që FMS e kishte supozuar atë fajtor për veprat që i ishin ngarkuar nga autoritetet e Taxhikistanit dhe efektivisht kishte mbështetur versionin e fakteve të Prokurorisë së Taxhikistanit.
29. Më 10 nëntor 2010 Gjykata e Qarkut Basmanniy mbështeti vendimin e FMS të datës 26 gusht 2010. Ajo iu referua argumenteve të përmbajtura në atë vendim, duke i gjetur ato bindëse dhe duke konsideruar që kërkuesi kishte dështuar të ofronte prova në të kundërt. Më 6 dhjetor 2010 vendimi i gjykatës u mbështet pas apelit në Gjykatën e Qarkut të Moskës.
30. Më 24 maj 2011 kërkuesi bëri kërkesë në FMS për azil të përkohshëm në Rusi. Më 2 qershor 2011 Zyra e UNHCR në Rusi informoi përfaqësuesin e kërkuesit që ai i përmbushte kriteret e përcaktuara nga statuti i saj dhe atij i takonte të kishte mbrojtje ndërkombëtare nën mandatin e saj.
31. Më 6 shtator 2011 Dega e FMS në Moskë i dha kërkuesit azil të përkohshëm në Rusi dhe lëshoi një certifikatë për këtë qëllim. Certifikata u regjistrua me numrin e referencës ВУ № 0004219 dhe iu dorëzua kërkuesit më 8 shtator 2011 në praninë e avokatit të tij.
...
E. Rrëmbimi i pretenduar i kërkuesit dhe transferimi i tij për në Taxhikistan
1. Tregimi i ngjarjeve nga kërkuesi
37. Sipas deklaratës me shkrim të kërkuesit dhe informacioneve plotësuese të mbledhura nga përfaqësuesit e tij prej dëshmitarëve dhe burimeve të tjera, rrëmbimi i tij dhe transferimi për në Taxhikistan ka ndodhur si më poshtë.
38. Rreth orës 9 apo 10 të natës më 31 tetor 2011, kërkuesi dhe një mik ishin duke lëvizur me makinë në lagjen jugperëndimore të Moskës kur makina e tyre u bllokua nga një furgon në rrugën Michurinskiy. Sipas hollësive të dhëna nga avokati i kërkuesit në polici dhe tek autoritetet hetimore, incidenti ka ndodhur mes orës 11:30 dhe 11:45 të natës në rrugën Vernadskiy 15, në Moskë. Kërkuesi dhe miku i tij dolën nga makina dhe u përpoqën të iknin. Ata u ndoqën nga tre apo katër burra të paidentifikuar të cilët qëlluan dy të shtëna. Shoku i kërkuesit arriti të ikte, ndërsa kërkuesi u zu, u rrah me shkop gome dhe u fut me forcë në furgon nga të njëjtët burra, të cilët nuk u identifikuan.
39. Kërkuesi u mbajt në furgon një natë dhe një ditë. Individët që e kapën e torturuan dhe e keqtrajtuan. Ata e rrahën, i vunë një armë në kokë dhe kërcënuan që do ta vrisnin nëse ai nuk pranonte të kthehej në vendlindjen e tij. Kërkuesi u tregoi atyre certifikatën e azilit të përkohshëm të lëshuar nga FMS, por në përgjigje ndaj kësaj ata vetëm qeshën. Personi që i bëri pyetje kërkuesit ishte me origjinë nga Taxhikistani.
40. Mbrëmjen e nesërme kërkuesi u dërgua nga rrëmbyesit e tij direkt në fushën e aviacionit të aeroportit Domodedovo të Moskës, pa kaluar nëpër formalitetet e zakonshme të doganës dhe kontrolleve të sigurisë. Kërkuesi iu dorëzua një patrulle të Taxhikistanit, pjesëtarët e së cilës e detyruan me forcë të futej në një avion aty afër pa paraqitur biletë apo dokumente udhëtimi.
41. Rreth orës 4 të mëngjesit të së nesërmes, avioni arriti në aeroportin Khujand në Taxhikistan, ku kërkuesi iu dorëzua autoriteteve të Taxhikistanit. Kërkesa e tij për avokat u refuzua. Sipas deklaratës me shkrim të babait të kërkuesit, ky i fundit u burgos dhe u mor në pyetje për një periudhë kohore të paspecifikuar, në stacionin e policisë në Khujand. Babai i kërkuesit dëshmoi me shkrim që policët, njëri prej të cilëve u identifikua si S.M., e kishin keqtrajtuar rëndë kërkuesin për ta bërë të rrëfente për krime që ai nuk i kishte kryer kurrë dhe të deklaronte që ai ishte kthyer në Taxhikistan vullnetarisht. Më tej ai dëshmoi që më 20 dhjetor 2012 hetuesi R.R. kishte refuzuar ta lejonte atë që të takonte djalin e tij në burg, duke përmendur faktin që babai nuk i kishte ndihmuar autoritetet për të kapur kërkuesin dhe për ta kthyer atë në vend.
2. Informacionet e paraqitura nga Qeveria
42. Parashtrimet e Qeverisë në lidhje me versionin e ngjarjes sipas kërkuesit u kufizuan me atë që vijon.
43. Pas hetimeve të Gjykatës, letrat e pranuara nga Qeveria të datuara 18 nëntor 2011 dhe 29 shkurt 2012 nuk përmbanin asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen e kërkuesit apo kalimin prej tij të kufirit shtetëror. Qeveria më tej parashtronte që të drejtat dhe liritë e kërkuesit nuk ishin kufizuar në asnjë mënyrë pas lirimit të tij më 20 maj 2011, që ligji nuk i detyronte autoritetet ta mbanin kërkuesin nën mbikëqyrje, që ekstradimi apo dëbimi i tij ishte pezulluar në pritje të masave të përkohshme të urdhëruara nga Gjykata, e prandaj ai nuk i ishte dorëzuar Taxhikistanit përmes procedurës së ekstradimit.
44. Më 5 prill 2012 Qeveria ri-transmetoi informacionet zyrtare të dhëna më 26 mars 2012 nga Prokurori i Përgjithshëm i Taxhikistanit homologut të tij rus, sipas të cilave kërkuesi ishte “dorëzuar vullnetarisht” më 3 nëntor 2011 Departamentit Rajonal të Sogdiyskiy për Luftën kundër Krimit të Organizuar (РОБОП) dhe ishte mbajtur në objektin e ndalimit të përkohshëm nr. 2 (СИЗО №2) në Khujand.
45. Sipas informacioneve të fundit marrë nga Qeveria më 25 shkurt 2013, hetimet në lidhje me rrëmbimin dhe transferimin e kërkuesit ishin ende pezull.
F. Kërkesat për mbrojtjen e kërkuesit nga rreziku i afërt i transferimit të tij me forcë për në Taxhikistan
46. Pas informimit për rrëmbimin e kërkuesit në mbrëmjen e 31 tetorit 2011, përfaqësuesit e tij menjëherë kontaktuan autoritetet kompetente ruse duke u kërkuar të merrnin masa urgjente për të parandaluar dëbimin me forcë të kërkuesit nga territori rus.
47. Mes orës 3 dhe 5 të mëngjesit më 1 nëntor, Znj. E. Ryabinina dërgoi me faks katër kërkesa zyrtare për atë qëllim, respektivisht, shefit të Departamentit të Policisë së Qytetit të Moskës, Drejtorit të FMS, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Përfaqësuesit të Federatës Ruse në Gjykatë. Gjithashtu, ajo kërkoi edhe ndihmën e Komisionerit të Federatës Ruse për të Drejtat e Njeriut.
48. Në letrën e saj drejtuar shefit të Departamentit të Policisë së Qytetit të Moskës, përfaqësuesja e kërkuesit paraqiti rrethanat e rrëmbimit të kërkuesit. Ajo njëkohësisht ia kujtoi atij statusin ligjor të kërkuesit si person të cilit i është dhënë azil i përkohshëm nga FMS dhe për të cilin janë zbatuar masa të përkohshme nga Gjykata për të parandaluar ekstradimin e tij. Letra përfundonte si vijon:
“Duke pasur parasysh [ato rrethana] ka arsye të shumta për frikën që ka pasur tentativë për rrëmbimin e [kërkuesit] me qëllim të transferimit të tij të paligjshëm më pas nga Rusi për në Taxhikistan, autoritetet e të cilit e kanë kërkuar këtë ekstradim për ndjekje penale.
Situata rëndohet nga fakti që vëllai i kërkuesit [Sh.T.] është zhdukur më 8 shtator në Moskë dhe, sipas informacioneve të dhëna nga bashkëshortja e tij, është burgosur më 13 shtator në Khujand, Republika e Taxhikistanit, ku ende mbahet në burg. Pak kohë më parë, më 23 gusht të këtij viti, dy azilkërkues të tjerë të cilët kishin qenë të mbrojtur prej transferimit me forcë nga [masat e përkohshme të vendosura nga] Gjykata evropiane, janë zhdukur në Moskë: një shtetas i Taxhikistanit, S.K., dhe një shtetas i Uzbekistanit, M.A. Të dy janë transferuar në Taxhikistan dhe janë burgosur. Çdo pretendim që ata kanë ikur vullnetarisht duhet të përjashtohet, sepse ata nuk kanë pasur dokumente që i lejonin të kalonin kufirin shtetëror të Federatës Ruse: pasaporta kombëtare e M.A. mbahej nga dega e FMS në Moskë, ndërsa S.K. e kishte humbur pasaportën e tij vite më parë. ...”
49. Në të njëjtën ditë, Komisioneri i Federatës Ruse për të Drejtat e Njeriut gjithashtu i dërgoi një letër shefit të Departamentit të Policisë së Moskës, ku shkruante si vijon:
“... Ka arsye të bazuara për të menduar se mund të jenë bërë përpjekje të paligjshme për të transferuar [kërkuesin] për në Taxhikistan, ku atij i kërcënohet jeta.
Sot, më 1 nëntor 2011, [përfaqësuesja e kërkuesit] ju ka kërkuar të merrni masa urgjente për të parandaluar transferimin me forcë të [kërkuesit] nga territori i Federatës Ruse, dhe mbi të gjitha, përmes aeroporteve të Moskës.
Ju kërkoj që ta merrni në konsideratë kërkesën [e mësipërme] dhe ta parandaloni këtë transferim me forcë nga territori i Federatës Ruse.
Kërkoj që të më informoni në lidhje me rezultatin e marrjes në shqyrtim të kërkesës.”
50. Nuk ka informacione në lidhje me ndonjë masë mbrojtëse të marrë nga autoritetet në fjalë në lidhje me përgjigjen ndaj atyre kërkesave.
51. Më 7 nëntor 2011 Zyra e Përfaqësuesit të Federatës Ruse në Gjykatë iu përgjigj përfaqësueses së kërkuesit që, në pajtim me masat e përkohshme të marra nga Gjykata, autoritetet ruse po abstenonin nga ekstradimi i tij dhe që udhëzimet përkatëse i ishin dërguar Shërbimit Federal për Ekzekutimin e Dënimeve (ФСИН), Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Brendshme.
G. Letra nga Kancelari i Gjykatës pas rrëmbimit të kërkuesit dhe transferimit të tij në Taxhikistan
52. Pas ankesës së kërkuesit në lidhje me rrëmbimin e tij në rastin konkret dhe ngjarje të ngjashme në disa raste të tjera, më 25 janar 2012 Kancelari i Gjykatës i dërgoi një letër Përfaqësuesit të Federatës Ruse pranë Gjykatës. Letra thoshte si vijon:
“Kryetari i Gjykatës, Sër Nicolas Bratza, më ka udhëzuar të shpreh në emër të tij shqetësimin e thellë për zhdukjen e kërkuesit në Rusi dhe transferimin e tij më pas për në Taxhikistan pavarësisht nga masat e përkohshme të cekura në përputhje me nenin 29 të Rregullores së Gjykatës.
Kryetari ka vërejtur se, që nga vendimi i Gjykatës në çështjen Iskandarov (nr. 17185/05, 23 shtator 2010) i cili e gjeti Federatën Ruse përgjegjëse për shkelje të nenit 3 për arsye të rrëmbimit dhe transferimit të pashpjeguar të kërkuesit për në Taxhikistan nga persona të paidentifikuar, Gjykata është përballur me incidente të përsëritura të këtij lloji në katër raste të tjera, përfshirë rastin e lartpërmendur (tre rastet e tjera janë: Abdulkhakov kundër Rusisë, nr. 14743/11; S.K. kundër Rusisë, nr. 58221/10; dhe Zokhidov kundër Rusisë, nr. 67286/10). Shpjegimet e ofruara nga Qeveria deri tani nuk sqarojnë se si ka qenë e mundur që kërkuesit të zhvendosen kundër vullnetit të tyre përmes kufijve shtetërorë të Rusisë pavarësisht nga garancitë zyrtare të Qeverisë që nuk do të ndodhte asnjë ekstradim në pritje të shqyrtimit të çështjeve të tyre nga Gjykata.
Kryetari është thellësisht i tronditur nga këto zhvillime. Në mënyrë të veçantë është i shqetësuar në lidhje me pasojat e këtyre ngjarjeve për autoritetin e Gjykatës dhe vazhdimin e mundshëm të incidenteve të tilla të papranueshme me kërkues të tjerë të cilët janë ende nën masat e përkohshme për shkak të rrezikut të shkeljes së të drejtave të tyre nga nenet 2 dhe 3 të Konventës në vendet e destinacionit. Për të treguar se sa seriozisht i ka marrë këto zhvillime, Kryetari ka kërkuar që të informohen menjëherë Kryetari i Komitetit të Ministrave, Kryetari i Asamblesë Parlamentare dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.
Kryetari gjithashtu thekson se Dhoma e Gjykatës ka kërkuar vërejtje shtesë nga Qeveria për të adresuar këtë situatë shumë shqetësuese dhe pa precedent, dhe pret që autoritetet kompetente ruse të sjellin para Gjykatës informacione shteruese në lidhje me ndjekjen e incidenteve në Federatën Ruse. Në ndërkohë, autoriteteve tuaja u tërhiqet vëmendja drejt faktit që masat e përkohshme vazhdojnë të jenë të zbatueshme në përputhje me nenin 39 në njëzet e pesë çështje të tjera ruse në lidhje me ekstradim apo dëbim. Ato çështje janë të renditura në shtojcën bashkëngjitur kësaj letre.”
53. Më 5 mars 2012 Përfaqësuesi i Federatës Ruse pranë Gjykatës e informoi Kancelarin, në përgjigje të letrës, që informatat e duhura do të paraqiteshin “pas shqyrtimit të të dhënave të nevojshme nga autoritetet relevante”.
H. Hetimet zyrtare dhe refuzimet e përsëritura për të filluar procedurat penale në lidhje me ngjarjet për të cilat janë ngritur akuza
54. Më 30 nëntor dhe 2 dhjetor 2011 Ministria e Brendshme informoi përfaqësuesen e kërkuesit që ankesa e saj lidhur me rrëmbimin e kërkuesit ishte dërguar në Departamentin Jug-Perëndimor të Policisë së Moskës (УВД по Юго-Западному АО ГУ МВД России по г. Москве) dhe më pas në Divizionin Hetimor Ndër-Distriktual Gagarinskiy të Qarkut Administrativ Jug-Perëndimor të Moskës (Гагаринский МСО СУ по ЮЗАО ГСУ СК РФ). Më 30 dhjetor 2011 ky i fundit vendosi t’ia kalonte dosjen Divizionit Hetimor Ndër-Distriktual Nikulinskiy të Qarkut Administrativ Jug-Perëndimor të Moskës (Никулинский МСО СУ по ЮЗАО ГСУ СК РФ по г. Москве – prej këtu “Divizioni Hetimor i Nikulinskiy”).
1. Refuzimi i parë nga hetuesi për të filluar hetime penale dhe prishja e tij nga eprori i tij
55. Sipas nenit 144 të Kodit të Procedurës Penale, hetuesi i lartë i Divizionit Hetimor të Nikulinskiy, P.K., zhvilloi hulumtime para-hetimore (проверка сообщения о преступлении – “hulumtimet”).
56. Më 21 mars 2012 P.K. refuzoi të fillonte hetime penale të lidhje me rrëmbimin e pretenduar të kërkuesit mbi bazat e mungesës së corpus delicti. ...
57. Në të njëjtën ditë shefi i Divizionit Hetimor të Nikulinskiy, S.K., e rrëzoi vendimin e lartpërmendur dhe ia ktheu çështjen të njëjtit hetues të lartë për hulumtime të mëtejshme. ...
58. Më 27 mars 2012 shefi i Divizionit të Parë të Mbikqyrjes Procedurale të Drejtorisë së Përgjithshme Hetimore të Moskës (ГСУ СК России по г. Москве) po ashtu kërkoi hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë çështje. Më tej, më 30 mars 2012, zëvendësi i Prokurorit të Ndër-Distriktit të Nikulinskiy (заместитель Никулинского межрайонного прокурора) i kërkoi hetuesit të sigurohej nëse autoritetet ruse kishin qenë të përfshira në rrëmbimin e pretenduar të kërkuesit.
2. Refuzimi i dytë nga hetuesi për të filluar hetime penale dhe prishja e tij nga eprori i tij
59. Më 20 prill 2012 hetuesi i lartë P.K. sërish refuzoi të fillonte hetimet penale ...
60. Më 23 prill 2012 zëvendës shefi i Divizionit Hetimor të Nikulinskiy, A.N., e prishi atë vendim...
3. Refuzimi i tretë nga hetuesi për të filluar hetimet penale dhe prishja e tij nga eprori i tij
61. Më 23 maj 2012 hetuesi i lartë P.K. edhe një herë refuzoi të niste hetimet penale në lidhje me rrëmbimin e kërkuesit. ...
62. Më 9 qershor 2012 zëvendës shefi i Divizionit Hetimor të Nikulinskiy, A.N., përsëri e prishi atë vendim ...
4. Refuzimi i katërt nga hetuesi për të filluar hetimet penale
63. Më 9 korrik 2012 një hetues i Divizionit Hetimor të Nikulinskiy, A.Z., refuzoi të niste procedurat penale në lidhje me rrëmbimin e kërkuesit. Pas një deklarimi të shkurtër të fakteve, vendimi thoshte si vijon:
“...
Kështu, hulumtimet paraprake nuk kanë konstatuar të dhëna objektive që tregojnë rrëmbimin e [kërkuesit].”
Hetuesi ia dërgoi vendimin e mësipërm përfaqësuesve të kërkuesit më 16 gusht 2012.
5. Hulumtimet vijuese
64. Më 25 shkurt 2013 Qeveria informoi Gjykatën që hulumtime të tilla kishin vazhduar dhe ishin ende pezull. Gjykatës nuk iu paraqitën vendime të mëtejshme apo dokumente të tjera nga autoritetet hetimore. Sipas informacioneve të Qeverisë, hulumtimet gjetën që kërkuesi kishte kaluar në mënyrë ilegale kufirin shtetëror rus, ishte dorëzuar tek autoritetet e Taxhikistanit dhe ishte futur në burg. Vendimi i hetuesit i datës 9 korrik 2012 ku refuzohej fillimi i hetimeve penale përsëri u prish nga eprori i tij në një datë të paspecifikuar. Sipas Qeverisë, vendimi më i fundit për refuzimin e nisjes së hetimeve penale ishte lëshuar më 29 nëntor 2012 nga shefi i Divizionit Hetimor të Nikulinskiy por sërish ishte prishur. Për pasojë, dosja ishte kthyer tek hetuesit për hulumtime të mëtejshme.
65. Qeveria gjithashtu shpjegoi që FSB i ishte kërkuar të kontrollonte informacionet lidhur me kalimin ilegal të kufirit shtetëror nga kërkuesi. Një kërkesë tjetër i ishte dërguar autoriteteve të Taxhikistanit për të identifikuar vendndodhjen e kërkuesit në Taxhikistan. Megjithatë, që prej 23 janarit, nuk ishte marrë asnjë përgjigje për asnjërën prej dy kërkesave.
I. Gjyqi penal i kërkuesit në Taxhikistan
66. Përfaqësuesit e kërkuesit informuan Gjykatën që më 20 nëntor 2011 Gjykata Rajonale e Sogdiyskiy në Taxhikistan kishte filluar shqyrtimin e çështjes penale kundër tridhjetekatër individëve, përfshirë kërkuesin. Kërkuesi akuzohej për krime të ndryshme sipas neneve 185 § 1, 186 § 1, 187 §§ 1 dhe 2, 189 § 3 (a), 244 § 4 (c), 306 dhe 307 § 3 të Kodit Penal të Taxhikistanit.
67. Gjykata zhvilloi seanca publike duke filluar nga 29 janari 2012. Avokati R.T., i cili mori pjesë në gjyq, u paraqiti përfaqësuesve të kërkuesit një dëshmi me shkrim ku tregohej se kërkuesi nuk ishte deklaruar fajtor në gjyq. Sipas R.T., kërkuesi parashtroi që ai ishte rrëmbyer në Moskë, ishte transferuar me forcë në Taxhikistan dhe ishte torturuar për t’u detyruar të rrëfente për krimet.
68. Në mars dhe prill 2012 njëmbëdhjetë të afërm të të bashkakuzuarve në mënyrë të përsëritur i kërkuan Prokurorit Rajonal të Sogdiyskiy, Sh.K., dhe Kryetarit të Gjykatës Rajonale të Sogdiyskiy, N.M, që të urdhëronin ekzaminimin mjeko-ligjor të tridhjetekatër të bashkakuzuarve me qëllim që të verifikoheshin pretendimet e tyre që ata ishin keqtrajtuar nga autoritetet gjatë procedurave penale. Kërkesa e tyre me shkrim i referohej dispozitave përkatëse të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale të Taxhikistanit, ku ndalohej përdorimi i torturës dhe përjashtohej çdo provë që merrej nën shtrëngim. Nëna e kërkuesit bëri një kërkesë të ngjashme në lidhje me kërkuesin. Nuk ka informacione lidhur me përgjigjen e autoriteteve ndaj atyre kërkesave.
69. Më 19 prill 2012 Gjykata Rajonale e Sogdiyskiy e gjeti kërkuesin fajtor dhe dënoi me njëzet e gjashtë vjet burg. Tridhjetetre të bashkakuzuarit e tij po ashtu u gjetën fajtorë dhe u dënuan me periudha të ndryshme prej tetë deri në njëzet e tetë vjet burg.
...
V. VENDIMET E KOMITETIT TË MINISTRAVE SIPAS NENIT 46 MBI ÇËSHTJET E NDËRLIDHURA QË KANË TË BËJNË ME RUSINË
121. Pas informacioneve të marra nga Gjykata në lidhje me ankesat e përsëritura rreth shpërfilljes së Rusisë për masat e përkohshme në rastin konkret dhe në shumë raste të tjera (shih paragrafin 52 lart), Komiteti i Ministrave e shqyrtoi çështjen në lidhje me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës në çështjen Iskandarov (cituar lart).
122. Vendimi i Komitetit të Ministrave (CM/Del/Dec(2012)1136/19), i miratuar më 8 mars 2012 në takimin e 1136-të të Zëvendësve të Ministrave, në pjesën relevante shënon:
“Zëvendësit
...
4. për sa i përket çështjes Iskandarov, kujtuan që shkeljet e Konventës në këtë rast ishin shkaktuar nga rrëmbimi i kërkuesit nga persona të paidentifikuar, të cilët Gjykata gjeti që ishin agjentë të Shtetit rus, dhe nga transferimi i tij me forcë për në Taxhikistan pas refuzimit të ekstradimit të tij nga autoritetet ruse;
5. shënuan me shqetësim të madh pohimin e Gjykatës që incidente të përsëritura të këtij lloji kanë ndodhur kohët e fundit në rastet e katër kërkuesve të tjerë çështjet e të cilëve janë në vazhdim në Gjykatë, e cila ka zbatuar masa të përkohshme për parandalimin e ekstradimit të tyre për shkak të rrezikut të afërt të shkeljeve të rënda të Konventës me të cilat përballen ata;
6. nënvizuan qëndrimin e autoriteteve ruse që kjo situatë përbën burim shqetësimi të madh për to;
7. shënuan më tej që autoritetet ruse janë duke u marrë me këto incidente dhe janë zotuar të tregojnë para Gjykatës rezultate të mëtejshme të ndjekjes së këtyre problemeve, dhënë në Rusi, në kuadër të shqyrtimit që po i bëjnë çështjeve në fjalë, dhe para Komitetit në lidhje me çështjen Iskandarov;
8. nxitën autoritetet ruse që të vazhdonin të merrnin të gjitha hapat e nevojshme për të ndriçuar rrethanat e rrëmbimit të Z. Iskandarov dhe për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen, dhe të informonin Komitetin e Ministrave në lidhje me to.”
123. Gjatë shqyrtimit të mëtejshëm të çështjes, Komiteti i Ministrave, përballë edhe një rasti tjetër të zhdukjes së pretenduar të një kërkuesi pavarësisht nga masat e përkohshme të Gjykatës, ritheksoi shqetësimet e tij të mëhershme lidhur me përsëritjen e këtyre incidenteve dhe vazhdoi si vijon (shih vendimin e miratuar më 6 qershor 2012 në takimin e 1144-të - CM/Del/Dec(2012)1144/18):
“Zëvendësit
...
3. shprehën keqardhje për faktin që, pavarësisht nga shqetësimet serioze të shprehura në lidhje me këto incidente nga Kryetari i Gjykatës, Komiteti i Ministrave dhe nga vetë autoritetet ruse, ata mësuan se edhe një kërkues tjetër ishte zhdukur më 29 mars 2012 në Moskë dhe pak kohë më pas e kishte parë veten në burg në Taxhikistan;
4. vërejtën qëndrimin e autoriteteve ruse sipas të cilave hetimet në çështjen Iskandarov janë ende në vazhdim dhe deri në atë moment nuk kishin konstatuar përfshirjen e Shtetit rus në rrëmbimin e kërkuesit;
5. shprehën keqardhje, sidoqoftë, për faktin se, deri tani, as në çështjen Iskandarov e as në ndonjë çështje tjetër të atij lloji autoritetet nuk kanë qenë në gjendje të bënin përparime konkrete me hetimet në vend mbi rrëmbimet e kërkuesve dhe transferimin e tyre, e as nuk kanë përcaktuar përgjegjësinë e ndonjë agjenti shtetëror;
6. vunë në duke që, sipas informacioneve të dhëna nga autoritetet ruse, pas shpërndarjes në prill 2012 të vendimit të Komitetit të Ministrave të miratuar në takimin e 1136-të të Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar Komisionit Hetimor, Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Federal të Migracionit dhe Shërbimit Federal Përmbarues, nuk ka ndodhur asnjë incident tjetër i këtij lloji, dhe ftuan autoritetet ruse që të sqaronin nëse konsideronin se kjo masë është e mjaftueshme për t’i dhënë fund në mënyrë efektive një praktike të tillë të papranueshme.”
124. Me anë të një vendimi të marrë në takimin e 1150-të të Zëvendësve të Ministrave më 26 shtator 2012 (CM/Del/Dec(2012)1150), Komiteti i Ministrave bëri gjetjet dhe vlerësimin e mëposhtëm:
“Zëvendësit,
...
4. pohuan me keqardhje se deri më sot nuk është identifikuar asnjë përgjegjës për transferimin ilegal të kërkuesit për në Taxhikistan në çështjen Iskandarov;
...
6. vërejtën që nuk ka ndodhur asnjë incident i ngjashëm me ato që përshkruhen në çështjen Iskandarov që prej shqyrtimit të fundit të kësaj çështjeje nga Komiteti, dhe ftuan autoritetet ruse të vazhdonin të merrnin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhnin në të ardhmen;
7. mirëpritën miratimin më 14 qershor 2012 nga Gjykata Supreme e Federatës Ruse të një Vendimi ku parashtroheshin udhëzues të rëndësishëm në lidhje me mënyrën e zbatimit të legjislacionit vendas nën dritën e kërkesave të Konventës, posaçërisht në lidhje me nenet 3 dhe 5 të Konventës;
8. shënuan më tej me kënaqësi që masat e marra nga autoritetet ruse në përgjigje të vendimeve të këtij grupi (vendimi i Gjykatës Kushtetuese, udhëzimet e lëshuara nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Vendimet e Plenumit të Gjykatës Supreme) tashmë kanë rezultuar në disa vendime të Gjykatës ku nuk janë gjetur shkelje të Konventës;
9. inkurajuan autoritetet ruse të siguronin përparimin e shpejtë në aspektin e hartimit dhe miratimit të reformës legjislative të kërkuar nga ato vendime.”
125. Komiteti i Ministrave rifilloi shqyrtimin e çështjes në takimin e 1157-të të Zëvendësve të Ministrave të mbajtur më 6 dhjetor 2012 dhe miratoi vendimin e mëposhtëm (CM/Del/Dec(2012)1157):
“Zëvendësit
1. kujtuan që duke iu përmbajtur vendimit të Gjykatës, pala e Shtetit ka për detyrim të marrë të gjitha masat për të parandaluar shkelje të ngjashme me ato që janë gjetur nga Gjykata;
2. rrjedhimisht shprehën keqardhje për faktin që, pavarësisht nga shqetësimet serioze të shprehura nga Gjykata dhe nga Komiteti i Ministrave në lidhje me incidentet kinse të ngjashme me ato në vendimin Iskandarov, ata mësuan se edhe një kërkues tjetër, për të cilin Gjykata kishte lëshuar një masë të përkohshme sipas nenit 39 në lidhje me ekstradimin e tij të planifikuar për në Taxhikistan, do të zhdukej nga Volgogradi më 20 tetor 2012 (Latipov kundër Federatës Ruse, nr. 77658/11);
3. shënuan që incidente të tilla, nëse vërtetohen, dhe mungesa e përgjigjes së përshtatshme ndaj tyre nga autoritetet do të ngrinte një çështje më të përgjithshme për sa i përket pajtueshmërisë së kësaj situate me detyrimet e Federatës ruse sipas Konventës;
4. përsëritën keqardhjen e tyre të shprehur në vendimin e tyre të mëparshëm që deri në atë moment, as në çështjen Iskandarov e as në ndonjë çështje tjetër të atij lloji, autoritetet nuk kanë arritur të bënin përparime konkrete me hetimet në vend lidhur me rrëmbimet dhe transferimin e kërkuesve, e as nuk kanë përcaktuar përgjegjësinë e ndonjë agjenti shtetëror;
5. rrjedhimisht u bënë thirrje autoriteteve ruse që t’i adresoheshin pa vonesë kësaj situate shqetësuese dhe pa precedent, kryesisht duke marrë masa mbrojtëse në lidhje me persona të tjerë për të cilët mund të jetë lëshuar masa të përkohshme nga Gjykata në përputhje me nenin 39 për zhvendosjen e tyre nga territori rus dhe duke siguruar që të gjitha incidentet e kësaj natyre të hetoheshin në mënyrë efektive në pajtueshmëri të rreptë me detyrimet e tyre sipas Konventës;
6. ftuan autoritetet ruse të paraqisnin informacione mbi situatën aktuale të kërkuesit në çështjen Iskandarov, posaçërisht për sa u përket garancive kundër keqtrajtimit.”
126. Vendimi më i fundit i Komitetit të Ministrave në lidhje me këtë çështje (CM/Del/Dec(2013)1164), i cili u miratua më 7 mars 2013 në takimin e 1164-t të Zëvendësve të Ministrave, thoshte si vijon:
“Zëvendësit
1. morën parasysh qëndrimin e autoriteteve ruse sipas të cilit masat e marra deri tani mund t’i parandalojnë rrëmbimet dhe transferimin me forcë të personave për të cilët Gjykata ka lëshuar masa të përkohshme sipas nenit 39 të Rregullave të saj të Procedurës;
2. shënuan, sidoqoftë, me shqetësim të madh që momentalisht ka ankesa të shumta në pritje para Gjykatës nga shtetas të huaj ku flitet për shkelje të pretenduara të të drejtave të tyre dhe për mos-respektimin e masave të përkohshme të lëshuara nga Gjykata në lidhje me transferimin e tyre me forcë nga territori i Federatës Ruse;
3. ftuan autoritetet ruse të qartësonin relevancën e masës tashmë të marrë në rrethana të ngjashme me ato të përshkruara në vendimet Iskandarov dhe Abdulkhakov;
4. përsëritën thirrjen e tyre drejtuar autoriteteve ruse për të miratuar pa vonesë masat e nevojshme për t’i dhënë fund incidenteve të tilla duke marrë masa të tjera mbrojtëse në lidhje me kërkuesit dhe një paketë masash për të siguruar hetimet e shpejta dhe efektive mbi zhdukjet dhe transferimet me forcë, dhe për të informuar Komitetin e Ministrave përkatësisht;
5. duke pasur parasysh vazhdimësinë e kësaj situate alarmante dhe duke marrë parasysh detyrimet e Federatës Ruse sipas Konventës, ftuan Kryetarin e Komitetit të Ministrave t’i drejtonte një letër homologut të tij rus në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen e tij ndaj shqetësimit serioz të Komitetit të Ministrave si dhe ndaj thirrjeve të përsëritura të tij për marrjen e masave të lartpërmendura;
6. vendosën të merrnin sërish në konsideratë këto çështje më së largu në takimin e tyre të 1179-të (shtator 2013) (DH) duke rënë dakord, megjithatë, që, në rast se Komiteti do të informohej për ndonjë incident të ri të ngjashëm, t’i riktheheshin kësaj çështjeje në takimin e tyre të parë pas lajmërimit të një incidenti të tillë.”
E DREJTA
I. KONSTATIMI I FAKTEVE
127. Duke pasur parasysh mungesën e një marrëveshjeje mes palëve në lidhje me ngjarjet që ndodhën nga 31 tetori deri më 3 nëntor 2001 (shih paragrafët 37-43 lart), Gjykata duhet të fillojë shqyrtimin e saj duke konstatuar faktet relevante.
128. Në çështjet në të cilat ka versione kundërthënëse të ngjarjeve, Gjykata në mënyrë të pashmangshme përballet, gjatë konstatimit të fakteve, me të njëjtat vështirësi si ato me të cilat përballet çdo gjykatë e shkallës së parë (shih El Masri kundër “ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë” [GC] nr. 39630/09, § 151, 13 dhjetor 2012). Gjykata është e vetëdijshme për natyrën ndihmëse të rolit të saj dhe duhet të tregohet e kujdesshme në marrjen e rolit të një tribunali të faktit të shkallës së parë aty ku një gjë e tillë bëhet e pashmangshme nga rrethanat e një çështjeje të caktuar. Pavarësisht nga kjo, aty ku bëhet fjalë për akuza nga neni 3 i Konventës, Gjykata duhet të zbatojë një këqyrje posaçërisht të hollësishme edhe nëse tashmë janë zhvilluar procedura dhe hetime të caktuara në vend (shih, me referenca të tjera, El Masri, cituar lart, § 155).
129. Në vlerësimin e provave, Gjykata praktikon standardin e provave “përtej dyshimit të arsyeshëm” (shih Orhan kundër Turqisë, nr. 25656/94, § 264, 18 qershor 2002). Megjithatë, asnjëherë nuk ka pasur për qëllim të huazojë qasjen e sistemeve ligjore nacionale që përdorin atë standard. Roli i saj nuk është të vendosë në lidhje me fajin penal apo përgjegjësinë civile por në lidhje me përgjegjësinë e Shteteve Kontraktuese sipas Konventës. Specifikimi i detyrës së saj sipas nenit 19 të Konventës – garantimi i respektimit nga Shtetet Kontraktuese të angazhimit të tyre për sigurimin e të drejtave themelore të mishëruara në Konventë – kushtëzon qasjen e saj ndaj çështjeve të dëshmive dhe provave. Në procedurat para Gjykatës, nuk ka pengesa procedurale për pranueshmërinë e dëshmive apo formula të paracaktuara për vlerësimin e tyre. Ajo nxjerr përfundime të cilat janë, sipas mendimit të saj, të mbështetura mbi vlerësimin e lirë të të gjitha provave, përfshirë edhe konkluzione të tjera që mund të dalin nga faktet dhe parashtresat e palëve. Sipas praktikës së saj gjyqësore tashmë të vendosur, provat mund të dalin nga bashkekzistenca e përfundimeve që janë mjaftueshëm të forta, të qarta dhe të përputhshme ose nga supozime të ngjashme të pakontestuara të fakteve. Për më tepër, niveli i bindshmërisë së nevojshme për të arritur një përfundim të caktuar dhe, në këtë pikë, shpërndarja e barrës së provave, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me specifikat e fakteve, me natyrën e akuzave të bëra dhe me të drejtën e rrezikuar të Konventës (shih, me referenca të mëtejshme, Nachova dhe të Tjerë kundër Bullgarisë [GC], nr. 43577/98 dhe nr. 43579/98, § 147, ECHR 2005‑VII; Iskandarov kundër Rusisë, cituar lart, § 107; dhe El Masri, cituar lart, § 151).
130. Gjykata gjithashtu ka njohur që procedurat e Konventës nuk i nënshtrohen në të gjitha çështjet zbatimit të rreptë të parimit affirmanti incumbit probatio (ai që akuzon për diçka duhet ta vërtetojë atë akuzë). Në rrethana të caktuara, ku ngjarjet në fjalë ndodhen krejtësisht, ose në masë të madhe, brenda njohurive ekskluzive të autoriteteve, barra e provës mund shihet në mënyrë të atillë që u takon autoriteteve të paraqesin shpjegime bindëse dhe të kënaqshme (shih Salman kundër Turqisë [GC], nr. 21986/93, § 100, ECHR 2000‑VII; D.H. dhe të Tjerë kundër Republikës Çeke [GC], nr. 57325/00, § 179, ECHR 2007‑XII; dhe Iskandarov kundër Rusisë, cituar lart, § 108). Aty ku një palë nuk arrin të nxjerrë provat apo të ofrojë informacionet e kërkuara nga Gjykata ose të zbulojë të dhëna relevante me vullnetin e vet ose dështon të marrë pjesë efektive në procedura, Gjykata mund të nxjerrë përfundimet ashtu si i gjykon ajo të përshtatshme (neni 44C § 1 e Rregullores së Gjykatës).
131. Duke iu kthyer rrethanave të çështjes në fjalë, Gjykata vëren që kërkuesi ka paraqitur një version të hollësishëm, specifik dhe të qëndrueshëm të ngjarjeve që kanë ndodhur nga mbrëmja e 31 tetorit e më tej. Ai përshkrim i fakteve është bërë përmes dëshmive koherente të kërkuesit dhënë autoriteteve ruse, deklaratës së tij në seancë publike në Taxhikistan, dhe parashtrimeve me shkrim drejtuar Gjykatës të nënshkruara nga kërkuesi dhe nga dëshmitarë të ndryshëm. Gjykata është e bindur që kërkuesi ka paraqitur prova prima facie në favor të versionit të tij të ngjarjeve.
132. Për sa i përket Qeverisë, Gjykata vëren, përkundrazi, që përgjigjet e saj ndaj parashtrimeve të kërkuesit dhe pyetjeve të hollësishme të Gjykatës kanë qenë përgjithësuese dhe evazive, duke u kufizuar në thelb tek mohimi i njohurive të autoriteteve – dhe përgjegjësisë së tyre – për fatin e kërkuesit. Në të njëjtën kohë, Qeveria nuk ka mbështetur e as nuk e kontestuar versionin e fakteve sipas kërkuesit. Informacionet e pakta të ofruara nga Qeveria përbëheshin nga deklarata të përgjithshme dhe referenca asnjanëse ndaj të dhënave të transmetuara nga autoritetet e Taxhikistanit, pa asnjë vlerësim të cilësuar të atyre të dhënave apo gjetjeve të faktit nga vetë Qeveria. Për shembull, për sa i përket aspektit kryesor të incidentit, Qeveria thjesht ka ritransmetuar informatat zyrtare të dhëna më 26 mars 2012 nga Prokurori i Përgjithshëm i Taxhikistanit homologut të tij rus që kërkuesi ishte “dorëzuar vullnetarisht” tek autoritetet e Taxhikistanit më 3 nëntor 2011 (shih paragrafin 44 lart). Dështimi i Qeverisë për të bërë gjetjet e veta të fakteve në çështjen në fjalë e shtrëngon Gjykatën të bëjë konstatimin e fakteve duke nxjerrë nga kjo sjellje përfundimet që ajo i gjykon të përshtatshme (shih nenin 44C § 1, cituar në paragrafin 130 lart).
133. Gjykata gjen që nuk kontestohet nga palët që kërkuesi ishte person për të cilin Federata Ruse kishte dhënë azil të përkohshëm më 6 shtator 2011 pas përpjekjeve të tij këmbëngulëse për t’iu shmangur kthimit në Taxhikistan (shih paragrafin 31 lart). Gjithashtu, nuk kontestohet që liria e kërkuesit nuk është kufizuar në Rusi pas lirimit të tij nga burgu më 20 maj 2011. As nuk kontestohet që më 3 nëntor 2011 më së voni kërkuesi është futur në burg nga autoritetet ligjzbatuese të Taxhikistanit në Khujand.
134. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, dhe pas shqyrtimit të parashtrimeve të palëve së bashku me informacionet e siguruara në forma të ndryshme, Gjykata duhet të vlerësojë me sy kritik versionin zyrtar të Taxhikistanit për “dorëzimin vullnetar” të kërkuesit tek autoritetet e atij vendi (shih paragrafin 44). Megjithëse, teorikisht, secili mund të vendosë të dorëzohet vullnetarisht, versioni zyrtar duket i pambështetur në prova dhe krejtësisht i papajtueshëm me të gjitha materialet e tjera që i janë paraqitur Gjykatës. Pikësëpari, “deklarata e rrëfimit” që kërkuesi kinse e ka dhënë para autoriteteve të Taxhikistanit, nuk i është dorëzuar Gjykatës. Më tej, versioni zyrtar i “rrëfimit” dhe “dorëzimit vullnetar” të kërkuesit dhe është në kundërthënie të qartë me dëshminë e shkruar nga ai vetë para Gjykatës, deklarata e tij në seancën publike në Taxhikistan dhe versioni i hollësishëm dhe koherent i ngjarjeve raportuar nga përfaqësuesit e tij mbi bazën e informacioneve të mbledhura nga burime të mëparshme. Më tej, ideja e “dorëzimit vullnetar” ende nuk puqet me dëshminë me shkrim të babait të kërkuesit, të cilit iu refuzua takimi me kërkuesin për arsye se ai nuk kishte bashkëpunuar me autoritetet e Taxhikistanit në përpjekjet e tyre për ta kthyer kërkuesin në vend (shih paragrafin 41). Më tej, për sa i përket versionit zyrtar të Taxhikistanit, Qeveria përgjegjëse ka dështuar ta mbështeste me elemente konkrete, e jo më të shpjegonte se si e kur kërkuesi kishte arritur të ndërmerrte një udhëtim kaq të gjatë përmes disa kufijve Shtetërorë brenda një kohe aq të shkurtër pa pasur as pasaportën e tij e pa u regjistruar zyrtarisht kalimi i tij nëpër kufirin rus. Së fundi, Gjykata e gjen të vështirë të përputhë versionin zyrtar të Taxhikistanit për “dorëzimin vullnetar” me pretendimet këmbëngulëse të kërkuesit drejtuar autoriteteve ruse gjatë dy viteve pararendëse me motivin e vetëm të pengimit të kthimit të tij në Taxhikistan.
135. Prandaj, Gjykata nuk e pranon versionin zyrtar të Taxhikistanit, të ritransmetuar nga Qeveria e Rusisë, që kërkuesi është “dorëzuar vullnetarisht” tek autoritetet e Taxhikistanit. Duke pasur parasysh koherencën e versionit të ngjarjeve nga kërkuesi, qëndrimin e mjegullt dhe jo-bindës të Qeverisë përgjegjëse, dhe mungesën e provave nga kjo e fundit, Gjykata arrin në përfundimin që kërkuesi është kthyer me forcë në Taxhikistan më 3 nëntor 2011 më së voni, ku autoritetet e kanë burgosur menjëherë në pritje të gjyqit penal.
136. Më tej, Gjykata konsideron, në lidhje me gjetjen e saj më lart, që versioni i ngjarjeve nga kërkuesi në lidhje me rrëmbimin e tij më 31 tetor 2011 nga persona të paidentifikuar në Moskë është koherent dhe mbështetet nga disa elemente. Në fakt, transferimi me forcë sidoqoftë do të fillonte me kufizimin e lirisë së personit në fjalë. Fakti që kërkuesi është kapur në Moskë dhe është mbajtur i izoluar pak para transferimit të tij me forcë për në Taxhikistan nuk duket i pamundshëm. Gjykata nxjerr konkluzione të forta në mbështetje të versionit të kërkuesit nga dështimi i Qeverisë për të paraqitur një version alternativ të asaj që i ka ndodhur kërkuesit mes 31 tetorit dhe 2 nëntorit 2011 dhe, më së rëndësishmi, nga refuzimi i qëllimshëm dhe i përsëritur i autoriteteve për të zhvilluar hetime konkrete mbi ato ngjarje (shih paragrafët 193-196 poshtë). Gjykatës i bën përshtypje të veçantë shpjegimi i dhënë për refuzimin e hetuesit për të filluar hetimet penale rreth incidentit: që kërkuesi me sa duke është përpjekur të sajonte rrëmbimin e tij me qëllim që t’i shmangej përgjegjësisë penale në Taxhikistan (shih paragrafët 56 dhe 63 lart). Gjykata e gjen këtë supozim krejtësisht të pakuptimtë, meqenëse hetuesit e dinin, ose duhet ta kishin ditur deri në atë kohë (mars-korrik 2012), që zhdukja e kërkuesit nga Moska kishte rezultuar në arrestimin, burgosjen, gjyqin penal dhe dënimin e tij në Taxhikistan.
137. Së fundi, meqenëse Qeveria nuk e ka hedhur poshtë versionin e ngjarjeve të dhënë nga kërkuesi, Gjykata vetëm mund ta mbështesë versionin që kërkuesi është transferuar me forcë nga Moska për në Taxhikistan përmes rrugëve ajrore, siç ka pohuar ai në parashtrimet e tij. Në fakt, duke ditur periudhën e shkurtër kohore të kaluar mes rrëmbimit të kërkuesit në Moskë dhe paraqitjes së tij në duart e policisë në Khujand, dhe duke pasur parasysh distancën e madhe mes dy qyteteve (afro 3.500 km rrugë), nuk mund të kundërshtohet pohimi i kërkuesit që ai është transportuar atje përmes rrugëve ajrore. Përsëri, Gjykata nxjerr konkluzione mjaft të fuqishme në mbështetje të këtij versioni nga refuzimi i vazhdueshëm i autoriteteve ruse për të zhvilluar hetime domethënëse dhe dështimi i tyre më pas për të hedhur poshtë versionin e kërkuesit apo për të ofruar një shpjegim alternativ të mundshëm.
138. Si përfundim, Gjykata e gjen të konstatuar përtej dyshimit të arsyeshëm që kërkuesi është rrëmbyer nga persona të paidentifikuar në Moskë mbrëmjen e 31 tetorit 2011, është mbajtur nga rrëmbyesit e tij në Moskë për një ose dy ditë, më pas është dërguar me forcë prej tyre në aeroport dhe është vendosur në një aeroplan i cili fluturonte për Khujand në Taxhikistan, ku ai është burgosur menjëherë nga autoritetet e Taxhikistanit.
139. Për sa i përket pretendimit të kërkuesit që autoritetet ruse kanë qenë të përfshira në transferimin e tij me forcë në Taxhikistan, Gjykata konsideron që kjo ndërlidhet nga afër me të gjitha aspektet e ankesës së tij sipas nenit 3 dhe duhet vlerësuar në lidhje me të gjitha çështjet që dalin sipas asaj dispozite, përfshirë edhe çështjen e përshtatshmërisë së hetimeve në vend rreth incidentit.
II. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 3 TË KONVENTËS
140. Kërkuesi fillimisht u ankua në bazë të nenit 3 të Konventës që ekstradimi i tij për në Taxhikistan do të shpinte drejt keqtrajtimit të tij. Më vonë ai e plotësoi ankesën e tij, duke parashtruar që kishte pasur shkelje të nenit 3, meqenëse rrëmbimi i tij në Moskë dhe transferimi ilegal për në Taxhikistan mund të ishin mundësuar vetëm falë përfshirjes aktive ose pasive të autoriteteve ruse.
141. Pas këtyre zhvillimeve Gjykata i kërkoi Qeverisë të paraqiste vërejtje plotësuese në lidhje me themelet në lidhje me dy çështje të tjera që dolën sipas nenit 3 të Konventës. E para kishte të bënte me dështimin e mundshëm të autoriteteve për të vepruar në pajtim me detyrimin e tyre pozitiv për të bërë gjithçka të arsyeshme që mund të pritej prej tyre për të mbrojtur kërkuesin nga një rrezik real dhe i afërt i transferimit për në Taxhikistan. E dyta kishte të bënte me detyrimin e tyre procedural për të zhvilluar hetime të tërësishme dhe efektive mbi rrëmbimin dhe transferimin e kërkuesit në Taxhikistan. Neni 3 thotë:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Parashtrimet nga palët
1. Qeveria
142. Qeveria fillimisht parashtroi që kërkuesi nuk e kishte statusin e viktimës, meqenëse ekstradimi i tij ishte pezulluar pas masave të përkohshme të urdhëruara nga Gjykata. Më tej ata argumentuan që ekstradimi i kërkuesit për në Taxhikistan, sido që të ishte, nuk do ta kishte nënshtruar atë ndaj rrezikut të keqtrajtimit. Sipas mendimit të Qeverisë, kërkesa në fjalë dallonte nga shumë çështje të mëparshme të vendosura nga Gjykata në lidhje me Taxhikistanin, meqenëse kërkuesi kishte qenë i akuzuar për vepra penale ordinere dhe nuk ishte ndjekur penalisht për arsye politike. Përveç kësaj, ajo gjeti që garancitë e ofruara nga Prokuroria e Përgjithshme e Taxhikistanit përbënin mbrojtjen e duhur kundër keqtrajtimit të kërkuesit apo persekutimit politik të tij. Qeveria iu referua mungesës së incidenteve në lidhje me shkelje nga Taxhikistani të garancive të dhëna për çështje të ekstradimit. Gjithashtu, ajo parashtroi që, pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha rreziqeve të pretenduara dhe provave të paraqitura nga kërkuesi në seancë publike, gjykatat ruse nuk kishin gjetur pengesa për ekstradimin e kërkuesit.
143. Pas transferimit me forcë të kërkuesit për në Taxhikistan dhe pyetjeve shtesë të ngritura nga Gjykata, Qeveria mohoi çdo përgjegjësi për atë që i kishte ndodhur kërkuesit. Ajo parashtroi që liria e lëvizjes së kërkuesit nuk ishte kufizuar në asnjë mënyrë pas lirimit të tij më 20 maj 2011 dhe që autoritetet nuk kishin pasur asnjë detyrim për mbikëqyrje në këtë aspekt. Qeveria informoi Gjykatën në lidhje me hulumtimet para-hetimore të zhvilluara nga autoritetet hetimore dhe refuzimet e tyre të përsëritura për të hapur hetime penale mbi bazën e mungesës së corpus delicti.
2. Kërkuesi
144. Kërkuesi fillimisht parashtroi që ai mbetej viktimë meqenëse ai i kishte shteruar të gjitha zgjidhjet brenda vendit me të cilat mund të kontestonte urdhrin e ekstradimit. Ky i fundit mbetej në fuqi dhe i zbatueshëm në kohën relevante dhe kundër tij nuk kishte asnjë apel. Ai iu referua praktikës gjyqësore të vendosur të Gjykatës duke pohuar statusin e viktimës së kërkuesve në situata të ngjashme. Më tej ai argumentoi që autoritetet kishin dështuar të vlerësonin rrezikun e keqtrajtimit me të cilin përballej ai në Taxhikistan dhe që parashtrimet e tij të përsëritura të hollësishme në atë aspekt nuk kishin marrë përgjigje substanciale. Përkundrazi, autoritetet kishin vlerësuar pengesat e mundshme të ekstradimit nga perspektiva e interesave të Shtetit dhe e kishin hedhur poshtë një rrezik të tillë mbi bazën e garancive diplomatike të dhëna nga autoritetet e Taxhikistanit, të cilat ishin të pambështetura në prova e rrjedhimisht të pabesueshme. Kërkuesi arriti në përfundimin që qasja e marrë nga autoritetet vendase dhe e mbështetur nga Qeveria para Gjykatës ishte tepër sipërfaqësore. Së fundi, kërkuesi parashtroi që ata që dyshoheshin për përfshirje në IMU, siç ishte vetë ai, ishin në shënjestër të autoriteteve të Taxhikistanit dhe prandaj ishin në rrezik keqtrajtimi në Taxhikistan. Ai konkludoi që kishte prova të mjaftueshme që ekstradimi i tij do ta vinte atë përballë rrezikut real të këtij lloj trajtimi në papajtueshmëri me nenin 3 të Konventës.
145. Kërkuesi parashtroi që pas rrëmbimit të tij autoritetet ishin informuar menjëherë dhe ishte kërkuar që ai të mbrohej nga transferimi me forcë në Taxhikistan. Megjithatë, ato kishin dështuar të merrnin veprime të menjëhershme dhe efektive, ndërkohë që ankesat e kërkuesit ishin përcjellë nga njëri organ tek tjetri. Autoritetet as nuk kishin zhvilluar hetime në lidhje me ato ngjarje. Kërkuesi e konsideroi dështimin e zgjatur të Qeverisë për të identifikuar vendndodhjen e tij si tregues të përfshirjes direkte të autoriteteve në rrëmbimin e tij dhe transferimin e tij me forcë në Taxhikistan. Kërkuesi nguli këmbë që ai nuk do të kishte mundur të kalonte legalisht kufirin shtetëror pa pasaportën e tij, vetëm me një certifikatë azili të përkohshëm. Për më tepër, çdo transferim i paautorizuar përmes kufirit shtetëror kundër vullnetit të tij ishte i pamundur, meqenëse në atë kohë aeroporti Domodedovo i nënshtrohej masave të rrepta të sigurisë pas sulmeve terroriste të janarit 2011 në atë aeroport. Në mbështetje të pohimit të tij që Rusia kishte luajtur rol në rrëmbimin dhe transferimin e tij, kërkuesi iu referua gjetjeve të Gjykatës në një çështje të ngjashme (Iskandarov, cituar lart, § 113). Gjithashtu, kërkuesi parashtroi që zhvendosja e tij nga territori rus kishte rezultuar ose nga një operacion i përbashkët i shërbimeve të sigurimit të të dy vendeve, ose nga një operacion i shërbimit të sigurimit të Taxhikistanit të zhvilluar me ndihmën e autoriteteve ruse.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pranueshmëria
146. Gjykata vërën që ekstradimi i kërkuesit u mbështet nga një vendim gjyqësor vendas i cili mbetej në fuqi dhe nuk mund të kundërshtohej nga masat e përkohshme të urdhëruara nga Gjykata, të cilat thjesht shpinin drejt një pezullimi të ekstradimit. Si rezultat, pajtueshmëria e deklaruar e autoriteteve me masat e përkohshme në vetvete nuk e privon kërkuesin nga statusi i tij i viktimës sipas Konventës. Kundërshtimi i Qeverisë, të cilit ajo nuk u duk se vazhdoi t’i përmbahej më vonë gjatë procedurës, është sidoqoftë krejtësisht i padobishëm duke pasur parasysh transferimin me forcë të kërkuesit në Taxhikistan në fillim të nëntorit 2011. Më tej Gjykata vëren që ankesa e kërkuesit nuk është dukshëm e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës dhe prandaj nuk është e papranueshme mbi ndonjë bazë tjetër. Prandaj duhet të deklarohet e pranueshme.
2. Themelet
147. Gjykata vëren që në fillim se rasti konkret ngre tri çështje të veçanta nga neni 3 i Konventës, konkretisht dështimi i mundshëm i autoriteteve për t’iu përmbajtur detyrimeve të tyre pozitive për të mbrojtur kërkuesin nga rreziku real dhe i menjëhershëm i transferimit në Taxhikistan; dështimi i tyre për t’iu përmbajtur detyrimit procedural për të zhvilluar hetime të plota dhe efektive rreth rrëmbimit dhe transferimit të tij; dhe, së fundi, përgjegjësia e tyre e pretenduar për përfshirjen e agjentëve të Shtetit në ngjarjet e akuzuara. Gjykata njëkohësisht shënon që konstatimi i saj për këto çështje do të ketë efekt kryesisht mbi ekzistencën në kohën materiale të rrezikut të bazuar që kërkuesi mund t’i nënshtrohej keqtrajtimit në Taxhikistan. Palët nuk ishin dakord në lidhje me këtë të fundit. Prandaj Gjykata do të fillojë shqyrtimin e saj duke vlerësuar nëse kthimi me forcë i kërkuesit në Taxhikistan e ka ekspozuar atë ndaj një rreziku të tillë. Më pas ajo do të shqyrtojë, një nga një, tri çështje të ndryshme që dalin në kuadër të nenit 3, siç përmendet më lart.
(a) Nëse kthimi i kërkuesit në Taxhikistan e ka ekspozuar atë ndaj rrezikut real të trajtimit në kundërshtim me nenin 3
(i) Parimet e përgjithshme
148. Praktika gjyqësore e Gjykatës është e vendosur tashmë që dëbimi apo ekstradimi nga një Shtet Kontraktues mund të përbëjë problem në kuadër të nenit 3, dhe kështu mund të angazhojë përgjegjësinë e atij Shteti sipas Konventës, ku janë treguar baza substanciale për të besuar se, nëse dëbohet, individi në fjalë përballet me rrezik real të nënshtrimit ndaj trajtimit në kundërshtim me nenin 3 (shih Saadi kundër Italisë [GC], nr. 37201/06, § 125, ECHR 2008, dhe Soering kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 91, Seria A nr. 161).
149. Vlerësimi nëse ka baza substanciale për të besuar që kërkuesi përballet me rrezikun real të nënshtrimit ndaj trajtimit në shkelje të nenit 3 në mënyrë të pashmangshme kërkon që Gjykata të vlerësojë kushtet në vendin e destinacionit kundrejt standardeve të asaj dispozite të Konventës (shih Mamatkulov dhe Askarov kundër Turqisë [GC], nr. 46827/99 dhe nr. 46951/99, § 67, ECHR 2005‑I). Këto standarde nënkuptojnë që keqtrajtimi të cilin kërkuesi pretendon se i kanoset nëse kthehet duhet të arrijë një nivel minimal rreptësie për të hyrë brenda fushëveprimit të nenit 3. Vlerësimi i kësaj është relativ dhe varet nga të gjitha rrethanat e çështjes (shih Hilal kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 45276/99, § 60, ECHR 2001‑II).
150. Gjatë konstatimit nëse është treguar që kërkuesi përballet me rrezikun real të vuajtjes së trajtimit të parashkruar në nenin 3 nëse ekstradohet, Gjykata do ta shqyrtojë çështjen nën dritën e të gjitha materialeve të vëna në dispozicion të saj ose, nëse është e nevojshme, të materialeve të përftuara proprio motu (shih Saadi, cituar lart, § 128). Meqenëse natyra e përgjegjësisë së Shteteve Kontraktuese sipas nenit 3 në çështje të kësaj natyre qëndron në aktin e ekspozimit të individit ndaj rrezikut të keqtrajtimit, ekzistenca e rrezikut duhet vlerësuar kryesisht duke iu referuar atyre fakteve të cilat kanë qenë të njohura ose duhet të kenë qenë të njohura për Shtetin Kontraktues në kohën e ekstradimit; megjithatë, kjo nuk e pengon Gjykatën që të marrë parasysh informacionet që dalin në dritë pas ekstradimit. Kjo mund të jetë e dobishme në konfirmimin apo refuzimin e vlerësimit që është bërë nga Pala Kontraktuese apo nga bazueshmëria ose jo e frikës së kërkuesit (shih Cruz Varas dhe të Tjerë kundër Suedisë, 20 mars 1991, §§ 75-76, Seria A nr. 201; Vilvarajah dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 30 tetor 1991, § 107, Seria A nr. 215; dhe Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, § 69).
151. Parimisht, i takon kërkuesit të nxjerrë prova që vërtetojnë që ka baza substanciale për të besuar që, nëse masa për të cilën është bërë ankesë zbatohet, ai do të ekspozohej ndaj rrezikut real të nënshtrimit ndaj trajtimit në kundërshtim me nenin 3 (shih N. kundër Finlandës, nr. 38885/02, § 167, 26 korrik 2005). Aty ku nxirren prova të tilla, i takon Qeverisë të shpërndajë çdo dyshim në lidhje me të (shih Ryabikin kundër Rusisë, nr. 8320/04, § 112, 19 qershor 2008).
152. Për sa i përket situatës së përgjithshme në një vend të caktuar, Gjykata mund t’i japë njëfarë rëndësie informacionit të përmbajtur në raportet e kohëve të fundit nga shoqatat e pavarura ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut apo nga burime qeveritare (shih Saadi, cituar lart, § 131, me referenca të mëtejshme). Më tej, gjatë vlerësimit nëse ekziston rreziku i keqtrajtimit në vendin kërkues, Gjykata vlerëson situatën e përgjithshme në vend, duke marrë parasysh çdo tregues përmirësimi apo përkeqësimi të situatës së të drejtave të njeriut në përgjithësi apo në lidhje me një grup apo zonë të veçantë që mund të jetë relevante për rrethanat personale të kërkuesit (shih, mutatis mutandis, Shamayev dhe të Tjerë kundër Gjeorgjisë dhe Rusisë, nr. 36378/02, § 337, ECHR 2005‑III).
153. Në të njëjtën kohë, vetëm referenca ndaj një problemi të përgjithshëm në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut në një vend të dhënë nuk mund të shërbejë si bazë për refuzimin e ekstradimit (shih Dzhaksybergenov kundër Ukrainës, nr. 12343/10, § 37, 10 shkurt 2011). Aty ku burimet në dispozicion të Gjykatës përshkruajnë një situatë të përgjithshme, pretendimet specifike të një kërkuesi në një rast në veçantë kërkojnë vërtetim me prova të tjera, duke iu referuar rrethanave individuale që mbështesin frikën e tij për keqtrajtim (shih Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, § 73, dhe Dzhaksybergenov, cituar lart, ibid.). Gjykata nuk do të kërkonte prova të rrethanave të tilla individuale vetëm në rastet më ekstreme ku situata e përgjithshme e dhunës në vendin e destinacionit është e një intensiteti të tillë saqë të krijojë një rrezik real që çdo zhvendosje drejt atij vendi do të shkelte domosdoshmërisht nenin 3 (shih N.A. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 25904/07, §§ 115-16, 17 korrik 2008, dhe Sufi dhe Elmi kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8319/07 dhe nr. 11449/07, § 217, 28 qershor 2011). Në një çështje ku Shteti pranues ka ofruar garanci, ato garanci përbëjnë një faktor të mëtejshëm relevant të cilin Gjykata do ta marrë parasysh. Megjithatë, garancitë në vetvete nuk janë të mjaftueshme për të siguruar mbrojtjen e duhur kundër rrezikut të keqtrajtimit. Ekziston një detyrim për të analizuar nëse garancitë ofrojë, në zbatimin e tyre praktik, siguri të mjaftueshme që kërkuesi do të jetë i mbrojtur nga rreziku i keqtrajtimit. Pesha që i jepet garancive nga Shteti pranues varet, në secilën çështje, nga rrethanat që mbizotërojnë në kohën materiale (shih Saadi, cituar lart, § 148, dhe Othman (Abu Qatada) kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8139/09, § 187, ECHR 2012 (pjesë të shkëputura)).
(ii) Kërkesa në çështjen në fjalë
154. Gjykata vëren që kërkuesi ka argumentuar para gjykatave vendase që ekstradimi i tij do ta ekspozonte atë përballë rrezikut real të nënshtrimit ndaj trajtimit në kundërshtim me nenin 3. Në kërkesat e tij për statusin e refugjatit dhe për azil ai ka parashtruar, në mënyrë të qartë dhe të pagabueshme, frikën e tij për keqtrajtim. Qeveria parashtroi që argumentet e kërkuesit ishin marrë në konsideratë si duhej nga gjykatat vendase dhe ishin refuzuar.
155. Gjykata përsërit që, aty ku janë zhvilluar procedurat vendase, siç është rasti konkret, nuk është detyra e Gjykatës ta zëvendësojë vlerësimin e saj të fakteve me vlerësimin e gjykatave vendase dhe, si rregull i përgjithshëm, u takon atyre gjykata që t’i vlerësojnë provat para tyre (shih, mes të tjerash, Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë [GC], nr. 23458/02, §§ 179-80, 24 mars 2011). Megjithatë, kjo nuk do të duhej të çonte drejt heqjes dorë nga përgjegjësia të Gjykatës dhe refuzimit të tërë mbikëqyrjes së rezultateve të përftuara nga përdorimi i mjeteve vendase, përndryshe të drejtat e garantuara me Konventë do të ishin krejtësisht të zbrazëta (shih Open Door dhe Dublin Well Woman kundër Irlandës, 29 tetor 1992, § 69, Seria A nr. 246‑A, dhe Scordino kundër Italisë (nr. 1) [GC], nr. 36813/97, § 192, ECHR 2006‑V). Në pajtim me nenin 19 të Konventës, detyra e Gjykatës është të sigurojë respektimin e angazhimeve të marra përsipër nga Palët Kontraktuese në lidhje me Konventën.
156. Për sa i përket ekstradimit apo dëbimit, kjo nënkupton që në rastet kur një kërkues paraqet baza të arsyetuara të cilat hedhin dyshime mbi saktësinë e informacioneve mbi të cilat është bazuar Qeveria përgjegjëse, Gjykata duhet të bindet që vlerësimi i bërë nga autoritetet e Shtetit Kontraktues është i mjaftueshëm dhe i mbështetur sa duhet nga materialet vendase si dhe nga materialet që dalin nga burime të tjera të besueshme dhe objektive, siç janë, për shembull, Shtetet e tjera Kontraktuese ose jo-Kontraktuese, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizata jo-qeveritare të njohura (shih Salah Sheekh kundër Holandës, nr. 1948/04, § 136, 11 janar 2007, dhe Ismoilov dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 2947/06, § 120, 24 prill 2008). Rrjedhimisht, Gjykata do të vlerësojë së pari nëse ankesa e kërkuesit ka marrë përgjigje të përshtatshme në nivel vendor.
(α) Procedurat vendase
157. Kërkuesi nuk ishte dakord me vlerësimin e Qeverisë mbi procedurat vendase, duke diskutuar që parashtresat e tij të përsëritura lidhur me rrezikun e keqtrajtimit me të cilin përballej ai në Taxhikistan ishin shqyrtuar nga gjykatat në mënyrë formale pa u dhënë përgjigje substanciale.
158. Duke pasur parasysh parashtrimet e kërkuesit drejtuar gjykatave vendase si në procedurat e ekstradimit ashtu edhe në procedurat e azilit, Gjykata është e bindur që ai e ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme para autoriteteve çështjen e rrezikut të përballjes së tij me keqtrajtim në shkelje të nenit 3 të Konventës, duke paraqitur një numër argumentesh konkrete dhe të hollësishme.
159. Për sa u përket procedurave të azilit, vendimi i marrë më 26 gusht 2010 nga Zv/Drejtori i FMS nuk ka shqyrtuar nëse kërkuesi do të rrezikonte të torturohej apo të keqtrajtohej në Taxhikistan. Vendimi i tij kryesisht merrej me një çështje tjetër: nëse kërkuesi do të persekutohej në Taxhikistan për arsye politike apo fetare. FMS arriti në përfundim negativ, duke shënuar njëkohësisht që ekzistenca e një frike të bazuar për nënshtrimin ndaj torturës apo keqtrajtimit mund të ishte bazë për dhënien e azilit të përkohshëm në Rusi. Gjykatat, duke e konsideruar bindës vendimin e FMS, thjesht e mbështetën atë në të gjitha pikat, pa shqyrtuar më tej ekzistencën e ndonjë rreziku për kërkuesin (shih paragrafin 29 lart).
160. Për sa u përket procedurave të ekstradimit, Gjykata shënon që Gjykata e Qytetit të Moskës mori parasysh pretendimin e kërkuesit që ai rrezikonte të keqtrajtohej dhe u mor me këtë çështje, sado që në mënyrë të përmbledhur, në vendimin e saj të 29 tetorit 2010. Gjithashtu, ajo pranoi në dosje parashtresat e kërkuesit ku përmbaheshin vendimet e Gjykatës në çështje të ngjashme, parashtresat e ekspertëve dhe raporte të ndryshme mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Taxhikistan (shih paragrafin 22 lart).
161. Megjithatë, Gjykata e Qytetit nuk i përdori ato materiale dhe hodhi poshtë në mënyrë të përciptë dhe mekanike të gjitha argumentet që kërkuesi kishte nxjerrë prej tyre. Kështu, gjykata i gjeti argumentet e kërkuesit të pabazuara, duke i cilësuar ato si “presupozime” të cilat “nuk ishin fare të vërtetuara” dhe si “tërësisht të hedhura poshtë”, inter alia, nga garancitë me shkrim të dhëna nga Zë/Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Taxhikistanit (shih paragrafin 23 lart). Termat përmbledhëse të përdorura nga Gjykata e Qytetit për të refuzuar ankesën e kërkuesit nuk linin hapësirë për asnjë vlerësim të kualifikuar të rrethanave të tij personale dhe rrezikut pasues ndaj sigurisë së tij duke marrë parasysh kriteret e Konventës. Përkundrazi, Gjykata e Qytetit u kufizua me një konstatim formal të akuzave të ngritura kundër kërkuesit në Taxhikistan, duke dështuar të analizonte një prej aspekteve më kritike të çështjes (shih, mutatis mutandis, C.G. dhe të Tjerë kundër Bullgarisë, nr. 1365/07, § 47, 24 prill 2008). Gjykata e gjen posaçërisht të habitshme në atë kontekst që Gjykata e Qytetit po ashtu e injoroi kundërshtimin e kërkuesit për disa akuza në lidhje me aktivitete të vitit 1992 të cilat nuk mund t’i visheshin atij për shkak të moshës së tij shumë të re në atë kohë (shih paragrafët 20 dhe 23 lart).
162. Për sa u përket referencave të gjera drejt praktikës gjyqësore të Gjykatës në lidhje me shembuj të kohëve të fundit të ekstradimeve nga Rusia për në Taxhikistan, ato u hodhën poshtë nga Gjykata e Qytetit si jo relevante me arsyetimin që katër vendimet e përmendura si nga kërkuesi ashtu edhe nga eksperti kishin të bënin me “persona të tjerë por jo me kërkuesin” (shih paragrafët 22-23 lart). Sidoqoftë, me arritjen e këtij përfundimi, Gjykata e Qytetit nuk u përpoq të analizonte paralelizmat e mundshme mes katër çështjeve të cituara nga mbrojtja dhe situatës së kërkuesit, e jo më të zbatonte parimet e përgjithshme të konstatuara në ato vendime në mënyrë që të zbatonte kriteret e Konventës për çështjen në fjalë.
163. Mangësitë e lartpërmendura në shqyrtimin nga Gjykata e Qytetit të pretendimit të kërkuesit u rënduan nga mbështetja e pashpjeguar dhe e pakushtëzuar e kësaj Gjykate tek garancitë e dhëna nga Prokuroria e Taxhikistanit. Gjykata e Qytetit i pranoi menjëherë ato garanci si zotim i sigurt kundër çdo rreziku të keqtrajtimit të kërkuesit pas ekstradimit të tij. Pavarësisht nga theksi i kërkuesit dhe ekspertit tek vlera e dyshimtë e atyre garancive dhe, në mënyrë të veçantë, pamundësia e garantimit të zbatimit të tyre, Gjykata e Qytetit nuk iu adresua asnjërës prej këtyre çështjeve në vendimin e saj, duke përdorur garancitë si argument vendimtar për mbështetjen e vendimit për ekstradimin e kërkuesit. Mbështetja e përmbledhur e Gjykatës së Qytetit tek garancitë e autoriteteve të Taxhikistanit nuk përputhej me detyrimin për të shqyrtuar nëse këto garanci ofronin, në zbatimin praktik të tyre, siguri të mjaftueshme që kërkuesi do të ishte i mbrojtur ndaj rrezikut të trajtimit të ndaluar nga Konventa (shih Saadi, cituar lart, § 148).
164. Së fundi, Gjykata nuk gjen asgjë në vendimin e Gjykatës Supreme të Rusisë të 9 dhjetorit 2010 ku dështimet e lartpërmendura të jenë zgjidhur përmes apelit (shih paragrafin 24 lart).
165. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata gjen që autoritetet vendase nuk kanë zhvilluar një analizë të thellë, të pavarur dhe të rreptë të pretendimit të kërkuesit që ekzistonin baza substanciale për t’iu frikësuar rrezikut real të trajtimit në kundërshtim me nenin 3 në vendlindjen e tij (shih De Souza Ribeiro kundër Francës [GC], nr. 22689/07, § 82, 13 dhjetor 2012). Megjithëse vendimi i mëpasëm nga FMS për t’i dhënë kërkuesit azil të përkohshëm (shih paragrafët 31 dhe Error! Reference source not found.-Error! Reference source not found. lart) mund t’i ketë lehtësuar deri diku pasojat e vendimeve të kontestuara që mbështesnin ekstradimin e kërkuesit, Gjykata nuk e gjen me vend të spekulojë mbi atë çështje, duke pasur parasysh që zhvillimet e mëvonshme shuan çdo përfitim të masës së përkohshme mbrojtëse të marrë nga FMS në favor të kërkuesit. Qeveria nuk ka shprehur pikëpamje të tjera në lidhje me këtë të fundit (shih paragrafët 142-143 dhe 146 lart).
(ß) Vlerësimi i vetë Gjykatës mbi rrezikun ndaj kërkuesit
166. Kështu, Gjykata duhet të zhvillojë analizën e vet për të përcaktuar nëse, bazuar mbi faktet që i janë paraqitur asaj, kthimi i kërkuesit në Taxhikistan e ka vënë atë përballë trajtimit në shkelje të nenit 3 të Konventës.
167. Gjykata thekson fillimisht ekzistencën e shumë raporteve vendase dhe ndërkombëtare të cilat, në vitet e fundit, kanë raportuar vazhdimisht në lidhje me përdorimin e gjerë dhe sistematik të torturës nga autoritetet ligjzbatuese në Taxhikistan dhe pandëshkueshmërinë e zyrtarëve shtetërorë. Ajo tashmë ka shqyrtuar situatën në disa çështje ku kërkuesit janë ekstraduar apo janë kthyer me forcë në atë vend dhe ka theksuar që kjo ka shkaktuar shqetësime serioze (shih Khodzhayev, § 97; Gaforov, §§ 130-31; Khaydarov, § 104; dhe Iskandarov, § 129, të gjitha të cituara lart). Në të gjitha ato çështje të vendosura nga Gjykata në vitin 2010, ajo arriti në përfundimin që në kohën materiale kërkuesit përballeshin me rrezik serioz të torturës apo keqtrajtimit për shkak të akuzave penale në lidhje me pikëpamjet e tyre politike apo fetare apo në lidhje me aktivitetet e tyre në Taxhikistan.
168. Pas shqyrtimit të materialeve të parashtruara në rastin konkret dhe materialeve të vëna në dispozicion me mënyra të tjera, Gjykata nuk gjen asnjë element konkret që do të mund t’i lehtësonte ato shqetësime serioze në fazën aktuale. Në fakt, nuk ka asnjë tregues që situata në Taxhikistan është përmirësuar rrënjësisht gjatë dy viteve të fundit. Përkundrazi, raportet e fundit që datojnë 2011 dhe 2012 ende konstatojnë një praktikë të vazhduar të torturës dhe keqtrajtimit nga zyrtarët ligjzbatues (shih paragrafët Error! Reference source not found.-Error! Reference source not found. lart). Rreziku i torturës duket se shtohet edhe më tej nga praktika e zakonshme e policisë për burgimin incommunicado para hapjes zyrtare të çështjes penale, dhe rrëfimet e marra nën shtrëngim ende raportohet të përdoren si prova në gjykatë (ibid.). Gjykata nuk gjen asgjë në parashtrimet e Qeverisë përgjegjëse ku të mohohen ato raporte të kohëve të fundit apo ku të konstatohet ndonjë përmirësim i perceptueshëm i gjendjes në Taxhikistan. Ajo thekson njëkohësisht që vendimi i marrë nga vetë Zv/Drejtori i FMS më 26 gusht 2010 e vinte në dukje ekzistencën e kritikave të gjera ndërkombëtare për përdorimin e torturës dhe pandëshkueshmërinë e zyrtarëve vendas në Taxhikistan, pa raportuar asnjë përmirësim madhor të atë aspekt (shih paragrafin 27 lart).
169. Megjithatë, siç ka deklaruar Gjykata më parë, vetëm pohimi i një problemi të përgjithshëm lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në një vend të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për refuzimin e ekstradimit, përveç rrethanave të jashtëzakonshme. Pretendimet specifike të kërkuesit në një çështje të veçantë kërkojnë vërtetim nga dëshmi të tjera që i referohen rrethanave individuale të cilat mbështesin frikën e kërkuesit për keqtrajtim. Kjo duhet vlerësuar nga Gjykata duke pasur parasysh, aty ku duhet, informacionet që kanë dalë në dritë pas kthimit me forcë të kërkuesit në Taxhikistan.
170. Për t’u kthyer tek situata personale e kërkuesit, Qeveria argumentoi që ai nuk rrezikohej nga keqtrajtimi, meqenëse ai ishte akuzuar për vepra penale të rëndomta dhe nuk po persekutohej për ndonjë arsye politike. Gjykata thekson, sidoqoftë, që një nga akuzat kryesore kundër kërkuesit lidhej drejtpërdrejt me përfshirjen e tij në “komplot kriminal”, dhe më vonë në IMU, të cilin Prokuroria e Taxhikistanit e kategorizonte si “grup i armatosur kriminal”. Autoritetet ruse pohuan në mënyrë eksplicite që IMU propagandonte “Islamin radikal” dhe që autoritetet e Taxhikistanit po përpiqeshin të kufizonin influencën e tij (shih paragrafin 27 lart). Prandaj, Gjykata nuk mund ta pranojë pikëpamjen e Qeverisë që përfshirja e pretenduar e kërkuesit në IMU ishte akuzë penale pa lidhje me aktivitetet e tij fetare apo politike.
171. Gjithashtu Gjykata shënon në këtë aspekt që kërkuesi ka ikur nga Taxhikistani pak pas keqtrajtimit të pretenduar dhe vdekjes në burg të tutorit të tij fetar, Z. Marufov (shih paragrafin 12 lart). Këto ngjarje u raportuan gjithashtu edhe nga një OJQ e njohur ndërkombëtare (shih paragrafin Error! Reference source not found. lart) dhe nuk janë mohuar asnjëherë para Gjykatës. Ato rrethana janë të prirura ta mbështesin frikën e kërkuesit që procedurat penale kundër tij kishin lidhje me pikëpamjet dhe aktivitetet e tij fetare. Fakti që kërkuesi e meritonte mbrojtjen ndërkombëtare sipas mandatit të UNHCR-së dhe eventualisht iu dha azili i përkohshëm në Rusi e vërteton realitetin e rrezikut ndaj të cilit ekspozohej ai në vendlindjen e tij (shih paragrafët 30-31 lart).
172. Më tej, të gjitha palët pajtohen që aktivitetet e IMU ishin të ndaluara me ligj në Taxhikistan dhe që autoritetet e Taxhikistanit e shihnin atë si organizatë terroriste. Rrjedhimisht, përfshirja e pretenduar e kërkuesit në IMU dhe akuzat penale korresponduese kundër tij ngrinin, sipas mendimit të Gjykatës, një çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Nga ai këndvështrim, situata e kërkuesit ishte e ngjashme me atë të shqyrtuar nga Gjykata në çështjen Gaforov (cituar lart, §§ 132-33). Gjykata nuk ndan të njëjtin qëndrim me Gjykatën e Qytetit, e cila e konsideroi vendimin e sapopërmendur si jo-relevant për vlerësimin e situatës personale të kërkuesit në rastin konkret. Sipas mendimit të Gjykatës, ndjekja penale e kërkuesit për përfshirjen e tij në IMU, e parë në kontekstin e ngacmimit të grupeve fetare jo-tradicionale nga autoritetet e Taxhikistanit, e rriste rrezikun e keqtrajtimit të tij në burg me qëllim të nxjerrjes së rrëfimeve lidhur me aktivitetet e tij fetare.
173. Duke pasur parasysh faktorët e mësipërm, Gjykata është e mendimit që rrethanat personale të kërkuesit, të gërshetuara me gjendjen e përgjithshme të të drejtave të njeriut në vendin kërkues, përbënin bazë të mjaftueshme për të kuptuar që ai përballej me rrezik real të keqtrajtimit në Taxhikistan.
174. Ndryshe nga Qeveria, Gjykata nuk e sheh se si mund të lehtësohet rreziku me të cilin përballej kërkuesi në Taxhikistan me garancitë diplomatike të ofruara nga autoritetet e Taxhikistanit për Federatën Ruse. Garancitë ishin të paqarta dhe nuk jepnin siguri që do të zbatoheshin në praktikë (shih Saadi, cituar lart, § 148). Prandaj ato nuk mund ta ndryshonin në asnjë formë rrezikun që kërkuesi të keqtrajtohej në Shtetin pranues (shih, në kontrast, Othman, cituar lart, § 207, dhe Gasayev kundër Spanjës (dec.), nr. 48514/06, 17 shkurt 2009). Në fakt, ato garanci u vërtetuan të ishin krejtësisht të pabesueshme, duke pasur parasysh mënyrën në të cilën kërkuesi u trajtua më pas nga autoritetet e Taxhikistanit gjatë transferimit të tij me forcë në atë vend, çka anashkaloi të gjitha procedurat ligjore, përfshirë edhe masat e përkohshme të urdhëruara nga Gjykata.
175. Si kthimi me forcë i kërkuesit në Taxhikistan ashtu edhe ngjarjet vijuese pa dyshim vërtetuan bazueshmërinë e frikës së tij dhe demonstruan që rreziku i keqtrajtimit nuk ishte teorik dhe i panatyrshëm. Sipas dëshmisë me shkrim të avokatit që mori pjesë në gjyqin e kërkuesit, ky i fundit ishte ankuar në seancë publike për rrëmbimin, transferimin me forcë dhe torturimin e tij me qëllim të nxjerrjes së një rrëfimi. Megjithatë, nuk ka informacione që të jetë zhvilluar ndonjë ekzaminim mjekësor i kërkuesit dhe të bashkakuzuarve të tij, pavarësisht nga kërkesa zyrtare e të afërmve të tyre për këtë qëllim (shih paragrafët 67-68 lart). Gjykata vëren se situata, ashtu siç përshkruhet, përputhet me shqetësimet e ngritura nga Komiteti i OKB-së kundër Torturës në lidhje me qasjen e penguar të viktimave në ekspertizë mjekësore (shih raportin e Komitetit të cituar në Khodzhayev, § 32, dhe Gaforov, § 93, të dyja të cituara lart).
176. Duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, Gjykata arrin në përfundimin që kthimi me forcë i kërkuesit në Taxhikistan e ka ekspozuar atë ndaj rrezikut real për trajtim në kundërshtim me nenin 3 të Konventës.
(b) Nëse autoritetet kanë vepruar në pajtim me detyrimin e tyre pozitiv për ta mbrojtur kërkuesin nga rreziku real dhe i afërt i transferimit me forcë për në Taxhikistan
177. Kërkuesi diskutoi që autoritetet ruse nuk kishin arritur ta mbronin atë kundër rrezikut real dhe të afërt të transferimit me forcë në Taxhikistan, për çka ato ishin në dijeni.
178. Gjykata ka gjetur se është e konstatuar që mbrëmjen e 31 tetorit 2011 kërkuesi u rrëmbye në Moskë nga persona të paidentifikuar të cilët e ndaluan për dy apo tre ditë në një vendndodhje të panjohur para se ta transferonin me avion për në Taxhikistan, ku ai përballej me rrezikun real të trajtimit në kundërshtim me nenin 3 (shih paragrafët 138 dhe 176 lart).
179. Gjykata përsërit që detyrimi i Palëve Kontraktuese, sipas nenit 1 të Konventës, për t’i siguruar secilit brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë, i marrë së bashku me nenin 3, u kërkon Shteteve të marrin masa me qëllim që të sigurohen që individët brenda juridiksionit të tyre të mos i nënshtrohen torturës ose trajtimit çnjerëzor apo poshtërues, përfshirë një keqtrajtim të tillë të kryer nga individë privatë (shih El Masri, cituar lart, § 198, dhe Mahmut Kaya kundër Turqisë, nr. 22535/93, § 115, ECHR 2000‑III). Ato masa do të duhej të ofronin mbrojtje efektive, posaçërisht për persona të dobët, dhe do të duhej të përfshinin hapa të arsyeshëm për parandalimin e keqtrajtimit për të cilin autoritetet kanë pasur ose duhet të kenë pasur dijeni (shih Z dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 29392/95, § 73, ECHR 2001‑V, dhe, mutatis mutandis, Osman kundër Mbretërisë së Bashkuar, vendim i datës 28 tetor 1998, Përmbledhje e Vendimeve 1998-VIII, pp. 3159-60, § 115).
180. Sipas mendimit të Gjykatës, parimet e mësipërme logjikisht zbatohen në situata të ekspozimit të një individi ndaj një rreziku real dhe të afërt të torturës dhe keqtrajtimit përmes transferimit të tij nga cilido person drejt një Shteti tjetër. Aty ku autoritetet e një pale Shtetërore vihen në dijeni të një rreziku të tillë real dhe të afërt, ato janë të detyruara sipas Konventës që të marrin, brenda fushëveprimit të pushtetit të tyre, masa të atilla operacionale parandaluese të cilat, gjykuar me arsye, do të pritej ta shmangnin atë rrezik (shih, mutatis mutandis, Osman, cituar lart, § 116).
181. Duke iu rikthyer rrethanave të rastit konkret, Gjykata vëren fillimisht që përfaqësuesja e kërkuesit i ka informuar menjëherë krerët e Departamentit të Policisë së Qytetit të Moskës, Drejtorin e FMS, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Përfaqësuesin e Federatës Ruse në Gjykatë lidhur me rrëmbimin e kërkuesit më 31 tetor 2011 dhe ka kërkuar prej tyre që ta mbronin atë nga rreziku i menjëhershëm pasues të transferimit të tij për në Taxhikistan (shih paragrafët 46-48 lart). Gjykata është e bindur që përfaqësuesja e kërkuesit u është drejtuar autoriteteve përkatëse Shtetërore në kohën e duhur, ka ofruar prova të mjaftueshme në lidhje me situatën delikate të kërkuesit dhe ka paraqitur arsye të rëndësishme që kërkonin masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen kundër rrezikut real dhe të menjëhershëm me të cilin përballej ai.
182. Është me rëndësi të thuhet se pretendimi i përfaqësueses së kërkuesit u mbështet menjëherë nga Komisioneri rus për të Drejtat e Njeriut, i cili gjithashtu i dërgoi një kërkesë zyrtarë kryetarit të Departamentit të Policisë së Moskës për të marrë urgjentisht të gjitha masat e mundshme për të parandaluar transferimin e kërkuesit nga Moska në Taxhikistan, veçanërisht përmes një aeroporti të Moskës (shih paragrafin 49 lart).
183. Prandaj Gjykata është e bindur që autoritetet kompetente dhe, në mënyrë të veçantë, Departamenti i Policisë së Qytetit të Moskës, ishin të gjithë në dijeni – ose duhet të kenë qenë në dijeni – të rrezikut real dhe të menjëhershëm që kërkuesi të transferohej për në Taxhikistan nga rrëmbyesit e tij nëpërmjet njërit prej aeroporteve të Moskës. Në fakt, rrethanat në të cilat kërkuesi u rrëmbye dhe prapavija e rrëmbimit të tij nuk duhet të kishin lënë dyshime rreth ekzistencës së atij rreziku dhe duhet t’i kishin nxitur autoritetet kompetente të merrnin masa operacionale parandaluese për ta mbrojtur atë nga aktet e paligjshme nga individë të tjerë, kushdo që të kishin qenë ata (shih, mutatis mutandis, Koku kundër Turqisë, nr. 27305/95, § 132, 31 maj 2005, dhe Osmanoğlu kundër Turqisë, nr. 48804/99, § 76, 24 janar 2008). Gjykata është po aq e bindur që mes autoriteteve të kontaktuara nga përfaqësuesit e kërkuesit, policia, më shumë se kushdo tjetër, kishte detyrën statusore për të ofruar siguri dhe zbatimin e ligjit në qytetin e Moskës dhe aeroportet e tij, dhe kishin pushtetin e nevojshëm për të siguruar vënien në zbatim të masave urgjente dhe efektive për të mbrojtur kërkuesin.
184. Sidoqoftë, Qeveria dështoi të informonte Gjykatën në kohë lidhur me ndonjë masë parandaluese të marrë në kohë nga policia apo ndonjë autoritet tjetër për ta shmangur atë rrezik. Përgjigjja e saj u kufizua me një deklaratë të përgjithshme që liria e lëvizjes së kërkuesit nuk ishte kufizuar në kohën relevante dhe që autoritetet nuk kishin asnjë detyrim që të zhvillonin vëzhgime në lidhje me të.
185. Dështimi i Qeverisë për të nxjerrë informacione në atë pikë bën që Gjykata ta pranojë pikëpamjen e kërkuesit që nga autoritetet nuk u mor asnjë masë e tillë. Gjykata i ka parasysh vështirësitë e pashmangshme që mund të ketë hasur policia gjatë një çështjeje të tillë si në rastin konkret, ku pengesat janë të mishëruara në detyrë dhe koha në dispozicion është e kufizuar. Megjithatë, ato vështirësi nuk mund ta heqin detyrimin e autoriteteve, sipas nenit 3 të Konventës, për të marrë, brenda fushëveprimit të pushtetit të tyre, masa operacionale parandaluese të atilla siç priteshin logjikisht prej tyre për mbrojtjen e kërkuesit nga transferimi i tij me forcë për në Taxhikistan, posaçërisht përmes një aeroporti të Moskë. Dështimi i autoriteteve për të marrë çdo veprim të tillë në rastin konkret shkakton shkelje të detyrimeve pozitive të Shtetit nga neni 3 i Konventës.
(c) Nëse autoritetet kanë zhvilluar hetime efektive
186. Kërkuesi diskutoi që ankesa e tij për rrëmbim dhe transferim me forcë në Taxhikistan, me ekspozimin e mëpasëm ndaj keqtrajtimit, nuk ishte pasuar nga hetime të plota dhe efektive në Shtetin përgjegjës, siç kërkohet nga neni 3 i Konventës.
187. Gjykata përsërit që neni 3, i marrë së bashku me detyrën e përgjithshme të Shtetit sipas nenit 1 të Konventës për t’i “siguruar secilit brenda juridiksionit të vet të drejtat dhe liritë e përcaktuara në ... [Konventë]”, nënkuptohet që kërkon se duhet të zhvillohen hetime zyrtare efektive rreth çdo pretendimi të diskutueshëm për torturë apo keqtrajtim nga agjentët e Shtetit. Hetime të tilla duhet të jenë në gjendje të çojnë drejt identifikimit dhe ndëshkimit të përgjegjësve. Përndryshe, ndalimi i përgjithshëm ligjor i torturës dhe trajtimit e dënimit çnjerëzor dhe poshtërues, pavarësisht nga rëndësia e tij themelore, do të ishte jo-efektiv në praktikë dhe do të ishte e mundur për agjentët shtetërorë në disa raste që të abuzonin, pa u ndëshkuar fare, me të drejtat e atyre që kanë nën kontroll (shih Assenov dhe të Tjerë kundër Bullgarisë, 28 tetor 1998, § 102, Raporte 1998‑VIII, dhe El Masri, cituar lart, § 182).
188. Hetimet rreth pretendimeve serioze për keqtrajtim duhet të jenë të menjëhershme dhe të plota. Kjo do të thotë që autoritetet gjithmonë duhet të bëjnë përpjekje serioze për të gjetur se çfarë ka ndodhur dhe nuk duhet të mbështeten në konkluzione të nxituara apo të pabazuara (shih Assenov dhe të Tjerë, cituar lart, § 103; Batı dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 33097/96 dhe nr. 57834/00, § 136, ECHR 2004‑IV (pjesë të shkëputura); dhe El Masri, cituar lart, § 183). Ato duhet të marrin të gjithë hapat e arsyeshëm që kanë në dispozicion për të siguruar prova në lidhje me incidentin, përfshirë, inter alia, deklarata nga dëshmitarë okularë dhe prova mjeko-ligjore (shih Tanrıkulu kundër Turqisë [GC], nr. 23763/94, § 104, ECHR 1999‑IV; Gül kundër Turqisë, nr. 22676/93, § 89, 14 dhjetor 2000; dhe El Masri, cituar lart, § 183).
189. Hetimet duhet të jenë të pavarura nga ekzekutivi si në aspektin institucional ashtu edhe në atë praktik (shih Ergi kundër Turqisë, 28 korrik 1998, §§ 83-84, Raporte 1998‑IV; Oğur kundër Turqisë [GC], nr. 21594/93, §§ 91-92, ECHR 1999-III; dhe Mehmet Emin Yüksel kundër Turqisë, nr. 40154/98, § 37, 20 korrik 2004) dhe t’i lejojë viktimës të marrë pjesë efektive në hetime në një formë apo një tjetër (shih, mutatis mutandis, Oğur, cituar lart, § 92, dhe El Masri, cituar lart, §§ 184-85).
190. Gjykata konsideron që këto kërkesa të bazuara të Konventës zbatohet tërësisht në hetimet që autoritetet duhet të kishin zhvilluar në lidhje me rrëmbimin e kërkuesit dhe ekspozimin e tij të mëpasëm ndaj keqtrajtimit dhe torturës në Taxhikistan. Në fakt, siç është cekur edhe më lart, informacionet dhe ankesat relevante u drejtuan në vëmendje të autoriteteve menjëherë pas rrëmbimit të kërkuesit më 31 tetor 2011 dhe rezultuan në hulumtime para-hetimore, të cilat kanë më shumë se një vit që zgjasin.
191. Dikur u bë e qartë që kërkuesi kishte argumente prima facie mbi bazën e nenit 3 të Konventës që kërkonin hetime efektive në nivel vendi. Ndërkohë që mund të ketë pasur ndonjë dyshim menjëherë pas rrëmbimit të kërkuesit në Moskë nga persona të paidentifikuar në lidhje me rolin e agjentëve shtetërorë rusë në incident, ankesa lidhur me transferimin e tij pasues për në Taxhikistan përmes një aeroporti të Moskës në shkelje të të gjitha procedurave ligjore duhet t’u kishte rënë në sy autoriteteve, përderisa përfaqësuesit e kërkuesit pretendonin që agjentët e Shtetit kishin qenë të përfshirë në mënyrë aktive ose pasive në atë operacion. Më 30 mars 2012, zëvendësi i Prokurorit Ndër-Qarkor të Nikulinskiy i kërkoi shprehimisht hetuesit që të sigurohej nëse autoritetet ruse kishin qenë të përfshira në rrëmbimin e pretenduar të kërkuesit (shih paragrafin 58 lart).
192. Për më tepër, e njëjta çështje u ngrit qartë më 17 janar 2012 nga Gjykata (shih paragrafin 8 lart), e cila shprehimisht i kërkoi Qeverisë të ndriçonte një aspekt thelbësor të incidentit, konkretisht bashkëpunimin e pretenduar mes atyre që rrëmbyen kërkuesin dhe e transferuan në Taxhikistan dhe autoriteteve ruse, përfshirë policinë, shërbimet e kontrollit të sigurimit dhe atij kufitar (duke iu referuar, mutatis mutandis, çështjes Tsechoyev kundër Rusisë, nr. 39358/05, § 151, 15 mars 2011). Kërkesa për hetime të tërësishme rreth incidentit u përsërit fuqishëm në letrën e 25 janarit 2012 të cilën Sekretari ia dërgoi Qeverisë ruse në emër të Kryetarit të Gjykatës (shih paragrafin 52 lart).
193. Në këto rrethana, rezultatet e dala pas hetimeve në vend, siç theksohet në paragrafët 55-65 lart, janë të pakuptueshme. Së pari, hetuesit i kufizuan rreptësisht veprimet e tyre në “hulumtime para-hetimore” mbi bazën e nenit 144 të Kodit të Procedurës Penale, ndërkohë që refuzonin vazhdimisht të hapnin procedura penale, të cilat do të kishin qenë mjeti më i mirë, për të mos thënë mjeti i vetëm, i përmbushjes së kërkesave të Konventës për hetime efektive siç përcaktohet në paragrafët 187-190 lart. Duke pasur parasysh, në mënyrë të veçantë, kornizën e kufizuar procedurale që parashikohet nga neni 144 dhe dështimin për të siguruar pjesëmarrjen efektive të viktimës ose të përfaqësuesve të viktimës në hetime, Gjykata seriozisht dyshon që hulumtimet para-hetimore kanë mundur të respektonin kërkesat e lartpërmendura në një situatë ku një individ kishte bërë një ankesë të argumentuar për torturë dhe keqtrajtim, siç ishte rasti konkret (shih, mutatis mutandis, Kleyn dhe Aleksandrovich kundër Rusisë, nr. 40657/04, §§ 56‑58, 3 maj 2012).
194. Së dyti, strategjia procedurale e përdorur nga autoritetet hetimore në çështjen e kërkuesit ngriti shqetësime të tjera. Në fakt, vendimet me anë të të cilave hetuesit i përmbyllën hulumtimet e tyre dhe refuzuan të hapnin hetime penale u prishën menjëherë nga eprorët e tyre në të paktën katër raste, për t’u përsëritur pak javë më vonë ose në mënyrë identike, ose në mënyrë shumë të ngjashme (shih paragrafët 55-63 lart). Për shembull, në vendimin e dytë nga hetuesi i lartë P.K. i datës 20 prill 2012 ku refuzohej fillimi i hetimeve penale përsëritej fjalë për fjalë vendimi i tij i parë i datës 21 mars 2012. Të dy vendimet u prishën nga dy vendime po ashtu identike të marra nga kryetari i Divizionit Hetimor të Nikulinskiy apo zëvendësi i tij më 23 prill dhe 21 mars 2012 përkatësisht. Ata u ndoqën nga dy vendime të mëtejshme të hetuesve, ku gjithashtu refuzohej fillimi i hetimeve penale pa shtuar asnjë element substancial relevant. Gjykata nuk ka zgjidhje veçse të konkludojë që procesi i prishjes dhe renovimit të përsëritur të vendimeve identike nga divizioni hetimor ka rezultuar në pengimin e procedurave në një mënyrë që është në papajtueshmëri me kërkesën e Konventës për hetime efektive. Jo vetëm që është humbur kohë e vyer, por gjithashtu rrethi vicioz brenda divizionit hetimor e ka privuar kërkuesin nga çdo mundësi e arsyeshme për të kontestuar vendimet e hetuesve në përputhje me nenin 125 të Kodit të Procedurës Penale. Në këto kushte, Gjykata nuk sheh asnjë vlerë në një shqyrtim të tillë gjyqësor për kërkuesin, meqenëse një gjë e tillë thjesht do t’i kishte nxitur hetuesit të përsërisnin edhe një cikël tjetër të hetimeve të tyre të kota.
195. Së treti, Gjykata vëren që substanca e vendimeve të hetuesve pasqyron së afërmi procesin hetimor difektoz të theksuar më lart. Vendimet e tyre pasqyrojnë vetëm një përmbledhje të deklaratave të përgjithshme të fakteve, të kërkesave të pakuptimta procedurale, dhe të referencave ndaj supozimeve të pabesueshme. Për shembull, më 9 qershor 2012, zëvendës kryetari i Divizionit Hetimor të Nikulinskiy kërkoi një verifikim të dytë të faktit nëse kërkuesi e kishte kaluar kufirin e Taxhikistanit dhe ishte paraburgosur në atë vend (shih paragrafin 62 lart). Megjithëkëtë, autoritetet duhet të kenë qenë në dijeni të letrës zyrtare të 28 marsit 2012 nga Prokurori i Përgjithshëm i Taxhikistanit në kohën relevante (shih paragrafin 44 lart). Pavarësisht nga ky fakt i qartë, vendimi i marrë nga hetuesi më 9 korrik 2012 në mënyrë të pakuptueshme konkludonte që kishte qenë e pamundur të konfirmohej apo të hidhej poshtë informacioni lidhur me kalimin e kufirit shtetëror nga kërkuesi (shih paragrafin 63 lart). Po kështu, nga marsi deri në korrik 2012, hetuesit me këmbëngulje përdorën hipotezën që kërkuesi mund ta ketë sajuar rrëmbimin e tij në mënyrë që t’i shpëtonte përgjegjësisë penale në Taxhikistan. Gjykata tashmë ka gjetur që kjo hipotezë ishte tërësisht e palogjikshme, duke pasur parasysh lidhjen e qartë kauzale mes rrëmbimit të kërkuesit në Moskë dhe arrestimit të tij në vendlindjen e tij (shih paragrafin 136 lart). Në të njëjtën kohë, hetuesit dështuan të merrnin disa hapa hetimore elementare dhe të drejtpërdrejta, siç ishte të gjenin se cilat linja ajrore zhvillonin fluturime nga Moska për në Khujand mes datave 1 dhe 3 nëntor 2011 dhe të merrnin në pyetje stafin administrativ dhe stafin e sigurimit në aeroportin e Domodedovo, ku kërkuesi thuhet të ketë hipur në avion. Përkundrazi, hetuesi iu referua vetëm “verifikimit” nga FSB të kalimit të mundshëm ilegal të kufirit shtetëror rus nga kërkuesi dhe paraqiti menjëherë një deklaratë të përgjithshme që e drejta ruse nuk parashikonte “regjistrimin e emrave të personave që kalonin kufirin”.
196. Sipas mendimit të Gjykatës, defektet e shumta në hetime të identifikuara më lart, si në natyrë ashtu edhe në shkallën e tyre, janë në papajtueshmëri të dukshme me detyrimet e Shtetit përgjegjës sipas nenit 3 të Konventës.
(d) Nëse Shteti përkatës mban përgjegjësi për shkak të përfshirjes pasive ose aktive të agjentëve të tij në transferimin me forcë të kërkuesit për në Taxhikistan
197. Mbi bazën e fakteve tashmë të konstatuara sipas standardeve të kërkuara të provave, Gjykata tani duhet të shqyrtojë nëse Shteti përgjegjës po ashtu mban përgjegjësi sipas Konventës për shkak të përfshirjes së pretenduar të agjentëve shtetërore në transferimin e kërkuesit në Taxhikistan.
198. Megjithëse kërkuesi nuk arriti të paraqiste ndonjë deklaratë dëshmitari për atë qëllim, ai diskutoi që transferimi i tij në Taxhikistan përmes aeroportit të Domodedovo në Moskë nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë dhe përfshirjen pasive apo aktive të autoriteteve ruse.
199. Gjykata i kërkoi Qeverisë të përgjigjej duke shpjeguar se si dhe me anë të kujt ishte transferuar kërkuesi nga Moska në Taxhikistan kundër vullnetit të tij, pa iu nënshtruar formaliteteve doganore dhe të tjera në Federatën Ruse. Megjithatë, ata nuk ofruan asnjë shpjegim (shih paragrafët 42-45 dhe 124 lart). Për pasojë, Gjykata nuk mori asnjë provë konkrete qoftë në favor të pretendimit të kërkuesit, qoftë kundër këtij pretendimi.
200. Gjykata e sheh të udhës të theksojë edhe një herë kufizimet e saj të natyrshme si gjykatë ndërkombëtare kur vjen puna tek zhvillimi i faktmbledhjes efektive, e cila, parimisht dhe praktikisht, do të duhej të ishte fushëveprimi i autoriteteve vendase (shih, përveç autoriteteve të shumta të cituara lart, Demopoulos dhe të Tjerë kundër Turqisë (dec.), nr. 46113/99 et al., § 69, ECHR 2010). Procedurat e Gjykatës në lidhje me çështje të tilla kontradiktore siç janë ato të ngritura nga rasti konkret janë edhe më të varura nga bashkëpunimi me Shtetet përgjegjëse, në pajtim me zotimin e tyre sipas nenit 38 të Konventës për të ofruar të gjitha lehtësitë e mundshme për konstatimin e fakteve. Organet e Konventës kanë theksuar vazhdimisht që ai detyrim ka rëndësi themelore për funksionimin e duhur dhe efektiv të sistemit të Konventës (shih, mes të tjerash, Tanrıkulu kundër Turqisë [GC], cituar lart, § 70, dhe Rezolutat e Komitetit të Ministrave ResDH(2001)66 dhe ResDH(2006)45). Sipas mendimit të Gjykatës, e vetmja mënyrë që Rusia të përmbushë zotimin e saj në çështjen në fjalë ishte të siguronte zhvillimin e hetimeve të plota të incidentit dhe të informonte Gjykatën për rezultatet e tyre. Megjithatë, autoritetet ruse dukshëm dështuan që të vepronin kështu (shih paragrafët 193-196 lart), duke bërë kështu që Gjykata t’i shqyrtonte çështjet tepër kontradiktore në diskutim në vend të autoriteteve vendase. Një dështim i tillë nga Pala Shtetërore për të nxjerrë informacione dhe prova thelbësore e detyron Gjykatën të nxjerrë konkluzione të fuqishme në favor të qëndrimit të kërkuesit (neni 44C § 1 e Rregullores së Gjykatës). Në lidhje me këtë, Gjykata gjithashtu i jep peshë të madhe mënyrës se si janë zhvilluar hulumtimet zyrtare, meqenëse autoritetet nuk dukej se dëshironin të zbulonin të vërtetën mbi rrethanat e çështjes (shih El Masri, cituar lart, §§ 191-93).
201. Gjykata gjithashtu i ka parasysh vështirësitë objektive që ka kërkuesi për të paraqitur prova në mbështetje të akuzave të tij, meqenëse ngjarjet në fjalë janë njohuri ekskluzive të autoriteteve. Akuza e tij u mbështet në masë të madhe nga prezumimi i pakontestuar, i cili u mbështet nga Gjykata në vendimin Iskandarov (cituar lart, §§ 113-15), që transferimi i tij me forcë për në Taxhikistan nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë dhe përfshirjen qoftë pasive apo aktive të autoriteteve ruse. Më së fundi, Gjykata arriti në të njëjtin përfundim edhe në një çështje tjetër të ngjashme (shih (Abdulkhakov kundër Rusisë, nr. 14743/11, §§ 125‑27, 2 tetor 2012). Të dy çështjet karakterizoheshin nga rrethana shumë të ngjashme ku kërkuesit ishin transferuar me forcë për në Taxhikistan me aeroplan nga Moska ose rrethinat.
202. Gjykata nuk veçon asnjë arsye për të arritur në ndonjë përfundim tjetër në çështjen në fjalë. Në fakt, nuk mund të diskutohet që çdo aeroport ku ka fluturime ndërkombëtare i nënshtrohet masave të larta të sigurisë, duke qenë nën kontrollin e vazhdueshëm të autoriteteve të Shtetit përgjegjës dhe kryesisht të shërbimit kufitar të Shtetit. Vetëm ky fakt ka gjasa të përjashtojë, në rrethana të zakonshme, mundësinë që një person fizik mund të merrej me forcë direkt në një fushë aviacioni dhe të vendosej në një aeroplan drejtuar për një vend të huaj pa u dhënë llogari agjentëve të Shtetit. Rrjedhimisht, çdo veprim i tillë kërkon autorizimin, ose të paktën pëlqimin, e agjentëve shtetërorë përgjegjës për aeroportin në fjalë dhe, në mënyrë të veçantë, të atyre që efektivisht kontrollojnë pikat e kalimit për në fushën e aviacionit.
203. Ashtu si në dy çështjet e ngjashme të përmendura më lart, Qeveria nuk ka nxjerrë asnjë provë për ta refuzuar atë prezumim në rastin konkret. As nuk ka paraqitur ndonjë shpjegim të mundshëm në lidhje me mënyrën se si kërkuesi mund të ishte marrë dhe dërguar me aeroplan nga Moska në Khujand pa i dhënë llogari asnjë zyrtari shtetëror rus. Për më tepër, autoritetet dukshëm dështuan në ndriçimin e rrethanave të incidentit me anë të hetimeve efektive në vend. Këto elemente janë të mjaftueshme që Gjykata të arrijë në përfundimin që Shteti përgjegjës duhet të mbahet përgjegjës sipas Konventës për transferimin me forcë të kërkuesit në Taxhikistan për arsye të përfshirjes së agjentëve shtetërorë në atë operacion.
204. Gjetja e Gjykatës është edhe më shqetësuese duke ditur që veprimet dyshuara të agjentëve shtetërorë janë karakterizuar nga arbitrariteti i dukshëm dhe abuzimi me pushtet me qëllim të anashkalimit të vendimit të ligjshëm nga FMS që i dha kërkuesit azil të përkohshëm në Rusi (shih seksionin 12(4) të Ligjit për Refugjatët) dhe hapave të marrë zyrtarisht nga Qeveria për të parandaluar ekstradimin e kërkuesit në përputhje me masat e përkohshme të vendosura nga Gjykata (shih paragrafin 5 lart dhe paragrafin 209 poshtë). Ndërkohë që procedurat operacionale të përfshira këtu ndryshonin në shumë aspekte nga të ashtuquajturat “dërgime të jashtëzakonshme”) të shqyrtuara në disa çështje të kohëve të fundit, gjetjet e Gjykatës tregojnë bindshëm që operacioni që përfshiu agjentët e Shtetit në çështjen në fjalë po ashtu u zhvillua jashtë “sistemit normal ligjor” dhe, “përmes anashkalimit të tij të qëllimshëm të procesit të duhur, është anatema e sundimit të ligjit dhe vlerave të mbrojtura nga Konventa” (shih, mutatis mutandis, Babar Ahmad dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.) nr. 24027/07, nr. 11949/08 dhe nr. 36742/08, §§ 113-14, 6 korrik 2010, dhe El Masri, cituar lart, § 239).
(e) Përfundime
205. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundimin që ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës sipas secilit prej tre titujve të ndryshëm të shqyrtuar lart, pa dështimi i autoriteteve për ta mbrojtur kërkuesin nga transferimi me forcë për në Taxhikistan, ku ai përballej me rrezikun real dhe të menjëhershëm të torturës dhe keqtrajtimit; mungesa e hetimeve efektive rreth incidentit; dhe përfshirja, qoftë pasive apo aktive, e agjentëve të Shtetit në atë operacion.
...
IV. SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 34 TË KONVENTËS
208. Kërkuesi u ankua që transferimi i tij me forcë për në Taxhikistan ka qenë në shkelje të masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata sipas nenit 39 dhe kishte shkelur kështu të drejtën e tij për kërkesë individuale. Ai u mbështet në nenin 34 të Konventës, i cili shprehet si vijon:
“Gjykata mund të marrë kërkesat nga çdo person, organizatë joqeveritare ose grup individësh që pretendojnë të jenë viktima të një shkeljeje nga një prej Palëve të Larta Kontraktuese të të drejtave të parashtruara në Konventë ose në protokollet e saj. Palët e Larta Kontraktuese zotohen të mos pengojnë në ndonjë mënyrë ushtrimin efektiv të kësaj të drejte.”
Neni 39 i Rregullores së Gjykatës parashikon:
“1. Dhoma ose, aty ku është me vend, Kryetari i saj, munden që, me kërkesë të një pale ose të ndonjë personi tjetër përkatës, apo me propozim të vetin, të informojnë palët lidhur me çdo masë të përkohshme që konsideron se duhet marrë në interes të palëve apo të zhvillimit të duhur të procedurave para saj.
2. Aty ku gjykohet me vend, Komitetit të Ministrave mund t’i dërgohet njoftim i menjëhershëm në lidhje me masën e miratuar në një çështje të caktuar.
3. Dhoma mund të kërkojë informacione nga palët mbi çdo çështje të ndërlidhur me zbatimin e ndonjë mase të përkohshme të informuar prej saj.”
209. Qeveria konstatoi që kërkuesi kishte mundësi të ushtronte të drejtat e tij pa asnjë pengesë, përfshirë të drejtën për të bërë kërkesë sipas nenit 34 të Konventës. Ajo gjithashtu iu referua letrës së 16 dhjetorit 2010 që informonte Gjykatën rreth hapave të marrë në përputhje me masat e përkohshme të përcaktuara nga Gjykata sipas nenit 39 për të parandaluar ekstradimin e kërkuesit për në Taxhikistan (shih paragrafin 5 lart). Letrat relevante iu dërguan Prokurorisë së Moskës dhe Shërbimit Federal për Ekzekutimin e Dënimeve duke u kërkuar që të pezullonin çdo veprim për të dëbuar apo ekstraduar apo sidoqoftë për të zhvendosur me forcë kërkuesin për në Taxhikistan. Si rezultat, kërkuesi nuk iu dorëzua Taxhikistanit përmes procedurës së ekstradimit.
210. Kërkuesi parashtroi që përgjegjësia e Shtetit përgjegjës në lidhje me përfshirjen e agjentëve shtetërorë në zhvendosjen e tij nga territori rus – pavarësisht nga masat e përkohshme të caktuara nga Gjykata – domosdoshmërisht ngërthenin shkelje të së drejtës së tij për kërkesë individuale.
211. Gjykata përsërit që, sipas nenit 34 të Konventës, Shtetet Kontraktuese marrin përsipër të përmbahen nga çdo veprim apo mos-veprim që mund të pengojë ushtrimin efektiv të së drejtës për kërkesë individuale, e cila vazhdimisht është ritheksuar si gurthemel i sistemit të Konventës. Sipas praktikës gjyqësore tashmë të vendosur të Gjykatës, dështimi i një Shteti përgjegjës për të vepruar në përputhje me një masë të përkohshme nënkupton shkelje të asaj të drejte (shih Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, §§ 102 dhe 125, dhe Abdulkhakov, cituar lart, § 222).
212. Gjykata thekson së tepërmi rëndësinë e veçantë të masave të përkohshme në sistemin e Konventës. Qëllimi tyre nuk është vetëm që të zhvillohet një shqyrtim efektiv i kërkesës, por edhe që të sigurohet që mbrojtja që i ofrohet kërkuesit nga Konventa është efektive; përcaktime të tilla më pas lejojnë që Komiteti i Ministrave të mbikëqyrë ekzekutimin e vendimit të formës së prerë. Kështu, masa të tilla i mundësojnë Shtetit në fjalë që të zbatojë detyrimin e tij për të vepruar në pajtim me vendimin e formës së prerë të Gjykatës, i cili është ligjërisht detyrues sipas nenit 46 të Konventës (shih Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, § 125; Shamayev dhe të Tjerë kundër Gjeorgjisë dhe Rusisë, cituar lart, § 473; Aoulmi kudnër Francës, nr. 50278/99, § 108, ECHR 2006‑I (pjesë të shkëputura); dhe Ben Khemais kundër Italisë, nr. 246/07, § 82, 24 shkurt 2009).
213. Rëndësia thelbësore e masave të përkohshme theksohet edhe më tej nga fakti që Gjykata i merr ato masa, parimisht, në raste vërtet të jashtëzakonshme mbi bazën e një shqyrtimi të rreptë të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me çështjen. Në shumicën e tyre, kërkuesit përballen me kërcënim të vërtetë të jetës dhe trupit, pasuar nga rreziku real i lëndimit serioz e të pakthyeshëm në shkelje të dispozitave themelore të Konventës. Ky rol jetik i masave të përkohshme në sistemin e Konventës jo vetëm që mbështjell efektin e tyre ligjor detyrues për Shtetet e përfshira, siç konstatohet nga praktika gjyqësore, por gjithashtu komandon që t’i jepet më së shumti rëndësi çështjes së respektimit nga Shtetet Palë të përcaktimeve të Gjykatës në atë aspekt (shih, inter alia, qëndrimin e vendosur lidhur me atë pikë të shprehur nga Shtetet Palë në Deklaratën e Izmirit cituar në paragrafin Error! Reference source not found. lart dhe nga Komiteti i Ministrave në Rezolutën e tij të Përkohshme CM/ResDH(2010)83 në çështjen e Ben Khemais[1] ... Çdo lëshim në lidhje me këtë pikë do ta dobësonte në mënyrë të papranueshme mbrojtjen e të drejtave thelbësore të Konventës dhe nuk do të ishte në pajtueshmëri me vlerat dhe frymën e saj (shih Soering, cituar lart, pp. 34‑35, § 88); gjithashtu do të ishte në papajtueshmëri me rëndësinë themelore të së drejtës për kërkesë individuale dhe, përgjithësisht, do të minonte autoritetin dhe efektivitetin e Konventës si instrument kushtetues i rendit publik evropian (shih Mamatkulov dhe Askarov, cituar lart, §§ 100 dhe 125, dhe, mutatis mutandis, Loizidou kundër Turqisë (kundërshtimet paraprake), 23 mars 1995, § 75, Seria A nr. 310).
214. Duke e marrë parasysh çështjen në fjalë nën dritën e parimeve të lartpërmendura, Gjykata shënon që ajo ia ka bërë të ditura Qeverisë përgjegjëse këto rrethana të jashtëzakonshme që kërkonin përcaktimin e masave të përkohshme. Më 7 dhjetor 2010 kësaj të fundit iu kërkua, në interes të palëve dhe të zhvillimit të duhur të procedurave para Gjykatës, që të mos e ekstradonte kërkuesin në Taxhikistan deri në lajmërim të mëvonshëm. Më 16 dhjetor 2010 Qeveria e informoi Gjykatën që autoritetet kishin marrë hapat përkatës për të garantuar që kërkuesi të mos ekstradohej në Taxhikistan deri në lajmërim të mëtejshëm (shih paragrafët 5 dhe 209 lart). Pavarësisht nga hapat e marrë, në nëntor 2011 kërkuesi u transferua me forcë me aeroplan nga Moska në Khujand me anë të një operacioni në të cilin u gjet se kishin marrë pjesë agjentë të Shtetit (shih paragrafët 202-203 lart).
215. Qeveria nuk e pranoi që ato rrethana tregonin shkelje të masës së përkohshme, duke parashtruar që transferimi i kërkuesit në Taxhikistan nuk kishte ndodhur përmes procedurës së ekstradimit, e cila ishte pezulluar menjëherë pas vendimit të Gjykatës të datës 7 dhjetor 2010. Gjykatën nuk e bind argumenti i Qeverisë. Ndërkohë që masat e marra për pezullimin e ekstradimit mund të tregojnë vullnetin fillestar të Qeverisë për të vepruar në pajtim me masat e përkohshme, sipas mendimit të Gjykatës ato nuk mund ta heqin nga supet e Shtetit përgjegjësinë e tij për ngjarjet vijuese në rastin e kërkuesit. Po kështu, Qeveria nuk mund të pretendojë në mënyrë legjitime, siç mund të sugjerohet nga argumentet e saj, që kthimi me forcë i kërkuesit në Taxhikistan nuk është ndaluar nga masat e përkohshme të cilat janë formuluar nga Gjykata në rastin konkret.
216. Gjykata është dakord që masa e përkohshme në rastin konkret, siç është kërkuar nga kërkuesi dhe siç është formuluar në vendimin e Gjykatës të datës 7 dhjetor 2010, synonte parandalimin e ekstradimit të tij, që ishte mënyra më e shpejtë ligjore se si kërkuesi po përgatitej të zhvendosej nga Rusia për në Taxhikistan në kohën relevante. Ndërkohë që formulimi i masës së përkohshme është një nga elementet që duhet marrë në konsideratë në analizën e Gjykatës lidhur me faktin nëse një Shtet ka vepruar në pajtim me detyrimet e tij nga neni 34, Gjykata duhet të marrë parasysh jo vetëm tekstin por gjithashtu edhe frymën e masës së përkohshme të përcaktuar (shih Paladi kundër Moldavisë [GC], nr. 39806/05, § 91, 10 mars 2009) dhe, në fakt, vetë qëllimin e tij. Qëllimi i vetëm i masës së përkohshme, siç thuhet nga Gjykata në rastin konkret – dhe Qeveria nuk pretendoi se nuk ishte në dijeni të tij – ishte të parandalohej ekspozimi i kërkuesit ndaj rrezikut real të keqtrajtimit të duart e autoriteteve të Taxhikistanit. Nuk mund të mbeteshin dyshime rreth qëllimit apo arsyetimit të asaj mase të përkohshme pasi çështja i ishte komunikuar Qeverisë dhe asaj i ishte dhënë përparësi nga Gjykata, më 30 janar 2011. Mënyra se si Qeveria e kupton frymën dhe qëllimin e masës së përkohshme po ashtu demonstrohet edhe nga udhëzimet që ajo u dërgoi disa autoriteteve vendase për të pezulluar “çdo veprim për të përjashtuar, ekstraduar apo zhvendosur me forcë kërkuesin për në Taxhikistan” (shih paragrafin 209 lart). Fakti që autoritetet vepruan rreptësisht në pajtim me masën e përkohshme për gati njëmbëdhjetë muaj deri në ngjarjet e papritura të 31 tetorit 2011 gjithashtu tregon se qëllimi i saj dhe pasojat ligjore nuk ngrinin fare dyshime.
217. Duke pasur parasysh rolin jetik të masave të përkohshme në sistemin e Konventës, ato duhet të respektohen rreptësisht nga Shteti në fjalë. Prandaj, Gjykata nuk mund ta konceptojë lejimin e autoriteteve që të anashkalojnë një masë të përkohshme si ajo e rastit konkret duke përdorur një procedurë tjetër vendase për zhvendosjen e kërkuesit drejt vendit të destinacionit ose, çka është edhe më alarmante, lejimin e zhvendosjes së tij arbitrare drejt atij vendi në një mënyrë edhe më dukshëm të paligjshme. Sidoqoftë, kjo e fundit është pikërisht ajo për të cilën Gjykata ka gjetur se Shteti përgjegjës mban përgjegjësi në rastin konkret (shih paragrafët 202-203 lart). Duke vepruar në këtë mënyrë, Shteti ka penguar qëllimin e masës së përkohshme, e cila përpiqej të ruante një status quo në pritje të shqyrtimit të kërkesës nga Gjykata. Për pasojë, kërkuesi është ekspozuar ndaj rrezikut real të keqtrajtimit në Taxhikistan dhe Gjykata është penguar që t’i siguronte atij praktikisht dhe efektivisht përfitimin e të drejtës së tij sipas nenit 3 të Konventës.
218. Qeveria nuk demonstroi që ka pasur ndonjë pengesë objektive që ndalonte respektimin e masës së përkohshme (shih Paladi, cituar lart, § 92). Çka është edhe më e rëndë, ajo nuk ofroi asnjë shpjegim për sjelljen arbitrare të agjentëve të Shtetit të cilët lejuan që kërkuesi të vendosej me forcë në fluturimin nga Moska për në Khujand, e aq më pak të kërkonte llogari nga përgjegjësit (shih, në kontrast, Muminov kundër Rusisë, nr. 42502/06, § 44, 11 dhjetor 2008). Autoritetet në mënyrë të papranueshme refuzuan me këmbëngulje që ta hetonin çështjen edhe pasi Gjykata i kishte adresuar çështjet përkatëse, posaçërisht duke tërhequr vëmendjen e Qeverisë drejt situatës shqetësuese dhe pa precedent të krijuar nga përsëritja e këtyre incidenteve të papranueshme (shih paragrafin 52 lart).
219. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundimin që Rusia ka shpërfillur masën e përkohshme të përcaktuar nga Gjykata në çështjen në fjalë sipas nenit 39 të Rregullores së Gjykatës, duke shkelur detyrimin e saj nga neni 34 i Konventës.
...
VII. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
233. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
234. Kërkuesi kërkoi 30,000 euro (EUR) për dëme jo-materiale. Ai e arsyetoi shumën e lartë të kërkesës së tij me keqtrajtimin që iu bë në Taxhikistan pas transferimit të tij me forcë për në atë vend dhe, përmes referencës, me shpërblimin e caktuar nga Gjykata në rrethana të ngjashme në çështjen Iskandarov (cituar lart, § 156).
235. Qeveria parashtroi që çdo dëmshpërblim për dëme jo-materiale do të kompensohej pas gjetjes së shkeljeve nga Gjykata.
236. Gjykata përsërit që neni 41 i jep asaj pushtet për t’i caktuar palës së dëmtuar shpërblim të drejtë siç gjykohet e përshtatshme. Ajo vëren që ajo ka gjetur disa shkelje të Konventës në çështjen në fjalë, shumica e të cilave duhet të shihen si tepër të rënda. Si rezultat, kërkuesi pa dyshim që ka pësuar dëme jo-materiale të cilat nuk mund të përmirësohen thjesht me gjetjen e një shkeljeje. Pas vlerësimit të saj mbi baza të barabarta, Gjykata e pranon kërkesën e plotë të kërkuesit dhe i akordon atij 30,000 euro për dëme jo-materiale, plus taksat e ngarkueshme në atë shumë.
...
VIII. ZBATIMI I NENIT 46 TË KONVENTËS
242. Neni 46 i Konventës parashikon:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikqyr ekzekutimin e tij.”
...”
243. Gjykata shënon që çështja në fjalë ka zbuluar shkelje të shumta të një prej të drejtave thelbësore të mbrojtura nga Konventa – ndalimi i torturës dhe keqtrajtimit – të cilat nuk u parandaluan as me anë të procedurave ligjore vendase e as me anë të masave të përcaktuara nga Gjykata. Më tej, ajo vëren që kohët e fundit janë gjetur shkelje të ngjashme nga Shteti përgjegjës dhe në Gjykatë vazhdojnë të arrijnë rregullisht ankesa alarmante lidhur me zhdukjen dhe transferimin me forcë të kërkuesve për në Taxhikistan dhe Uzbekistan, pavarësisht nga masat e përkohshme dhe garancitë e Qeverisë që ato masa do të respektohen.
244. Gjykata është plotësisht e vetdijshme për vështirësitë që mund të dalin në procesin e ekzekutimit të vendimeve në fjalë, njëkohësisht duke pasur parasysh faktin që kërkuesit janë nën juridiksionin e një Shteti që nuk i përmbahet Konventës. Kështu, probleme dalin në lidhje me aspekte të ndryshme të ekzekutimit, siç është pagesa e shpërblimit të drejtë dhe miratimi i masave të tjera zgjidhëse në lidhje me kërkuesit. Po kështu, Gjykata nuk e nënvlerëson rëndësinë e parandalimit të shkeljeve të mëtejshme nga masat e përgjithshme dhe të çështjeve të tjera lidhur me identifikimin dhe miratimin e masave të tilla.
245. Gjithashtu, Gjykata vë në dukje, në këtë kontekst, që gjatë dhjetë viteve të fundit ajo i ka nxitur vazhdimisht Shtetet Kontraktuese që të shfrytëzojnë mundësinë për të ofruar të dhëna që ndihmojnë Shtetin e interesuar të identifikojë problemet ekzistuese dhe masat e nevojshme për të zbatuar vendimet (shih në mënyrë të veçantë Rezolutën e Komitetit të Ministrave Res(2004)3 të datës 12 maj 2004 dhe Deklaratat e miratuara nga Palët e Larta Kontraktuese në konferencat e Interlaken, Izmir dhe Brighton). Kështu, Gjykata ka vazhduar ta zhvillojë praktikën e saj gjyqësore në atë drejtim me anë të procedurës së vendimit-pilot dhe formave të tjera, duke ndihmuar në këtë mënyrë Shtetet Kontraktuese dhe Komitetin e Ministrave për hir të zbatimit të duhur dhe efektiv të nenit 46 të Konventës. Sipas mendimit të Gjykatës, nevoja për këtë kontribut në këtë fushë mbetet e thellë në disa çështje të llojeve të caktuara.
246. Duke pasur parasysh rrethanat e lartpërmendura dhe duke kujtuar, veçanërisht, natyrën e shkeljeve të gjetura nga vendimi në fjalë, përsëritja e shkeljeve të ngjashme në çështje të tjera dhe pyetjet që mund të dalin gjatë zbatimit të vendimit, Gjykata e gjen të arsyeshme që ta shqyrtojë çështjen në fjalë sipas nenit 46 të Konventës.
A. Parimet e përgjithshme
247. Gjykata përsërit që neni 46 i Konventës, i interpretuar nën dritën e nenit 1, i imponon Shtetit përgjegjës një detyrim ligjor për të zbatuar, nën mbikqyrjen e Komitetit të Ministrave, masa të përshtatshme të përgjithshme dhe/ose individuale për të siguruar të drejtën e kërkuesit të cilën Gjykata ka gjetur të jetë shkelur. Masa të tilla duhen marrë gjithashtu në lidhje me persona të tjerë në pozitën e kërkuesit, kryesisht duke zgjidhur problemet që e kanë sjellë Gjykatën deri tek gjetjet e saj. Ky detyrim është theksuar vazhdimisht nga Komiteti i Ministrave gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të vendimeve të Gjykatës (shih Burdov kundër Rusisë (nr. 2), nr. 33509/04, § 125, ECHR 2009, me referenca të mëtejshme).
248. Për sa u përket masave individuale që duhen marrë pas vendimit, qëllimi i tyre kryesor është të arrihet restitutio in integrum, pra t’i jepet fund shkeljes së Konventës dhe të korrigjohen pasojat e saj në mënyrë të atillë që situata të rikthehet sa më shumë që është e mundur ashtu siç ka qenë para shkeljes (shih Piersack kundër Belgjikës (neni 50), 26 tetor 1984, § 11, Seria A nr. 85, dhe Papamichalopoulos dhe të Tjerë kundër Greqisë (neni 50), 31 tetor 1995, § 34, Seria A nr. 330‑B). Ky detyrim pasqyron parimet e së drejtës ndërkombëtare ku një Shtet përgjegjës për një akt të gabuar është i detyruar të bëjë rikthim, çka nënkupton kthimin e gjendjes që ka ekzistuar para se të kryhej akti i gabuar, nëse rikthimi nuk është “materialisht i pamundur” dhe “nuk përfshin një peshë jashtëzakonisht të tepruar të përfitimit që rrjedh nga rikthimi në vend të kompensimit” (neni 35 i Neneve të Komisionit Ndërkombëtar të së Drejtës mbi Përgjegjësinë e Shteteve për Akte Ndërkombëtarisht të Gabuara). Me fjalë të tjera, ndërkohë që rikthimi është rregulla, mund të ketë rrethana në të cilat Shteti përgjegjës është i përjashtuar – tërësisht apo pjesërisht – nga ky detyrim, nëse arrin të tregojë që mbizotërojnë rrethana të tilla (shih Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) kundër Zvicrës (nr. 2) [GC], nr. 32772/02, § 86, ECHR 2009). Shtetet duhet të organizojnë sistemet e tyre ligjore dhe procedurat e tyre gjyqësore në mënyrë të atillë që ky rezultat të mund të arrihet (shih ibid., § 97, dhe Rekomandimin (2000)2 të Komitetit të Ministrave).
249. I bie Komitetit të Ministrave, duke vepruar sipas nenit 46 të Konventës, që të vlerësojë, nën dritën e parimeve të mësipërme të së drejtës ndërkombëtare dhe informacioneve të ofruara nga Shteti përgjegjës, nëse ky i fundit ka vepruar në mirëbesim ndaj detyrimit të tij për të rikthyer sa më shumë që është e mundur situatën ekzistuese para shkeljes. Ndërkohë që Shteti përgjegjës në parim mbetet i lirë të zgjedhë mënyrat se si do të veprojë në pajtim me këtë detyrim, i takon po ashtu edhe Komitetit të Ministrave të vlerësojë nëse mënyrat e zgjedhura janë në përputhje me përfundimet e nxjerra në vendimin e Gjykatës (shih Scozzari dhe Giunta, cituar lart, § 249, dhe Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT), cituar lart, §§ 241-42). E njëjta gjë vlen edhe për vlerësimin e respektimit nga Shteti përgjegjës të detyrimit të tij për të marrë masa të përgjithshme për të zgjidhur problemin që ka çuar deri tek gjetja e shkeljes nga vendimi i Gjykatës.
B. Masat për të vepruar në pajtim me vendimin aktual
1. Pagesa e shpërblimit të drejtë
250. Në lidhje me burgimin e vazhdueshëm të kërkuesit në Taxhikistan, Gjykata është e shqetësuar që nga fillimi për mënyrën se si Shteti përgjegjës do ta zbatojë detyrimin e tij për pagesën e shpërblimit të drejtë. Gjykata tashmë është përballur edhe më parë me situata të ngjashme ku kërkuesit nuk dihej ku ishin pas heqjes së tyre nga Shteti përgjegjës. Në disa preja tyre rasteve, Gjykata u shpreh se Shteti përgjegjës duhet të siguronte pagesën e shpërblimit të drejtë duke lehtësuar kontaktet mes kërkuesve, përfaqësuesve të tyre dhe Komitetit të Ministrave (shih Muminov kundër Rusisë (shpërblimi i drejtë), nr. 42502/06, § 19 dhe pika (c) e pjesës operative, 4 nëntor 2010, dhe Kamaliyevy kundër Rusisë (shpërblimi i drejtë), nr. 52812/07, § 14 dhe pika 1(c) e pjesës operative, 28 qershor 2011). Në çështje të tjera Gjykata ka urdhëruar që shpërblimet të mbahen nga përfaqësuesit e kërkuesve në mirëbesim për kërkuesit (shih Hirsi Jamaa dhe të Tjerë kundër Italisë [GC], nr. 27765/09, § 215, dhe pika 12 e pjesës operative, ECHR 2012, dhe Labsi kundër Sllovakisë, nr. 33809/08, § 155 dhe pika 6 e pjesës operative, 15 maj 2012).
251. Duke iu kthyer çështjes në fjalë, Gjykata vëren që pas transferimit të kërkuesit në Taxhikistan, ka pasur disa kontakte, sado indirekte, mes kërkuesit dhe përfaqësuesve të tij para Gjykatës. Duke pasur parasysh këtë fakt si dhe situatën jashtëzakonisht delikate të kërkuesit në Taxhikistan, Gjykata e konsideron të udhës që shuma e caktuar për të si shpërblim i drejtë të mbahet në mirëbesim nga përfaqësuesit e tij.
2. Masa të tjera zgjidhjeje lidhur me kërkuesin
252. Megjithatë, Gjykata është e mendimit që detyrimi për të vepruar në pajtim me vendimin në fjalë nuk mund të kufizohet me pagesën e kompensimit monetar sipas nenit 41, i cili ka për qëllim vetëm korrigjimin e këtyre pasojave të një shkeljeje e cila nuk mund të kompensohet ndryshe (shih Scozzari dhe Giunta, cituar lart, § 250). Detyrimi për të marrë masa të mëtejshme individuale përveç pagesës së shpërblimit të drejtë është mbështetur nga organet e Gjykatës në raste të ngjashme ku të drejtat e kërkuesve janë shkelur me zhvendosjen e tyre nga zona e mbrojtur nga Konventa (shih, për shembull, Hirsi Jamaa dhe të Tjerë, cituar lart, § 211; Al-Saadoon dhe Mufdhi kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 61498/08, § 171, ECHR 2010 (pjesë të shkëputura); dhe Rezoluta e Komitetit të Ministrave CM/ResDH(2012)68 në rastin e çështjes së fundit dhe vendimet e saj të cituara në paragrafët 121-124 lart).
253. Fakti që kërkuesi mbetet jashtë juridiksionit të Shtetit përgjegjës e bën më të vështirë që ky i fundit të arrijë tek kërkuesi dhe të marrë masa përmirësuese në favor të tij. Megjithatë, këto nuk janë rrethana të cilat në vetvete e përjashtojnë Shtetin përgjegjës nga detyrimi i tij ligjor për të marrë të gjitha masat që ka në pushtetin e saj për t’i dhënë fund shkeljes së gjetur dhe për të bërë korrigjimin e pasojave të saj. Ndërkohë që masat e nevojshme të caktuara mund të dallojnë varësisht nga specifikat e secilës çështje, detyrimi për t’iu përmbajtur vendimit komandon që Shteti përgjegjës, nën mbikqyrjen e Komitetit të Ministrave, të gjejë dhe të përdorë në mirëbesim mënyra të atilla ligjore, diplomatike dhe/ose praktike siç mund të jenë të nevojshme për të siguruar në shkallën më të lartë të mundshme të drejtën e kërkuesit të cilën Gjykata ka gjetur të jetë shkelur.
254. Sipas mendimit të Gjykatës, gjetjet e vendimit në fjalë kërkojnë që të ndërmerren veprime të tilla. Situata e tanishme e zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e bën të pamundur që Shteti përgjegjës të marrë masa korrigjuese konkrete me qëllim të mbrojtjes së kërkuesit nga rreziqet ekzistuese ndaj jetës dhe shëndetit të tij në një juridiksion të huaj (shih, për shembull, Al-Saadoon dhe Mufdhi, cituar lart, § 171, dhe Rezolutën e Komitetit të Ministrave CM/ResDH(2012)68 të datës 8 mars 2012; Othman (Abu Qatada), cituar lart, §§ 23-24 dhe 194-205; shih gjithashtu masat e marra nga Rusia për të siguruar kthimin e kërkuesit nga Turkmenistani në çështjen Garabayev kundër Rusisë, nr. 38411/02, §§ 34-35, 7 qershor 2007). Nevoja për masa të tilla është edhe më e madhe në çështjen konkrete, duke pasur parasysh faktin që kërkuesit i ishte dhënë azil i përkohshëm nga vetë autoritetet ruse. I mbetet a fortiori Shtetit përgjegjës që të marrë ato masa individuale të cilat janë krejtësisht brenda juridiksionit të vet, siç është zhvillimi i hetimeve efektive rreth incidentit në fjalë në mënyrë që të korrigjohen shkeljet procedurale të gjetura nga Gjykata (shih, për shembull, procedurat e zhvilluara kundër një zyrtari shtetëror për mos-zbatim të masave të përkohshme të përcaktuara nga Gjykata në çështjen Muminov kundër Rusisë, cituar lart, § 44).
255. Prandaj, Gjykata është e bindur që i takon Federatës Ruse që të shfrytëzojë mjetet dhe procedurat e nevojshme për të marrë këto masa në lidhje me kërkuesin. Duke marrë parasysh shumëllojshmërinë e mënyrave/mjeteve në dispozicion për të arritur këtë qëllim dhe natyrën e çështjeve të përfshira, Komiteti i Ministrave është në pozitë më të mirë sesa Gjykata për të bërë vlerësimin e masave specifike që duhen marrë. Kështu, duhet t’i lihet Komitetit të Ministrave mbikqyrja, mbi bazën e informacioneve të ofruara nga Shteti përgjegjës dhe duke mbajtur parasysh si duhet situatën e ndryshueshme të kërkuesit, miratimi i masave të tilla që janë të realizueshme, të kohshme, të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të siguruar maksimumin e korrigjimit të mundshëm të shkeljeve të gjetura nga Gjykata.
3. Masa të përgjithshme për të parandaluar shkelje të ngjashme
256. Duke e parë çështjen nën dritën e nenit 46 të Konventës, Gjykata gjen se ka rëndësi të veçantë të theksohet nevoja që masat e përgjithshme të parandalojnë shkelje të reja të ngjashme me ato që janë gjetur. Në atë kontekst, Gjykata shënon me shqetësim të madh që ngjarjet nën shqyrtim në rastin konkret nuk mund të konsiderohen si incidente të izoluara. Gjykata përsërit se që nga vendimi i saj në çështjen Iskandarov (cituar lart), ku ajo gjeti që Federata Ruse ishte përgjegjëse për shkelje të nenit 3 për shkak të rrëmbimit dhe transferimit të pashpjeguar të kërkuesit në Taxhikistan nga persona të paidentifikuar, ajo ishte përballur me incidente të përsëritura të atij lloji. Gjykata tashmë ka gjetur shkelje të nenit 3 dhe të nenit 34 në çështjen Abdulkhakov, ku kërkuesi u rrëmbye nga Moska dhe u vendos me forcë në një aeroplan për Taxhikistan në rrethana identike (shih Abdulkhakov, cituar lart, §§ 124-27). Para pak kohësh, sado që në rrethana të tjera, Gjykata gjeti shkelje të njëjta për shkak të depërtimit të një kërkuesi tjetër nga Shën Peterburgu për në Uzbekistan (shih Zokhidov kundër Rusisë, nr. 67286/10, §§ 128-42 dhe 201-11, 5 shkurt 2013, ende jo i formës së prerë). Gjykata ka më shumë ankesa të kësaj natyre në listë dhe, çka është edhe më shqetësuese, ka marrë disa prej tyre për shkak të incidenteve të ngjashme që kanë ndodhur pas një mesazhi për të treguar kujdes dërguar Qeverisë ruse nga Kryetari i Gjykatës (paragrafi 52 lart), madje edhe pas vendimeve të kohëve të fundit të marra nga Komiteti i Ministrave në lidhje me atë çështje (shih paragrafët 121-124 lart).
257. Gjetjet e vendimit aktual mbështesin pikëpamjen që rrëmbimet e përsëritura të individëve dhe transferimi i tyre vijues drejt vendeve të destinacionit duke u anashkaluar qëllimisht procesi i duhur – qartësisht në shkelje të masave të përkohshme të përcaktuara nga Gjykata – përbëjnë një shpërfillje flagrante të sundimit të ligjit dhe sugjerojnë që disa autoritete të caktuara shtetërore kanë zhvilluar praktika në shkelje të detyrimeve të tyre sipas së drejtës ruse dhe Konventës. Një situatë e tillë ka implikimet më të rënda për rendin ligjor vendas në Rusi, efektivitetin e sistemit të Konventës dhe autoritetin e Gjykatës.
258. Nga vendimet e Komitetit të Ministrave shihet që situata ka qenë gjithashtu “burim shqetësimi të madh” për Qeverinë dhe që ajo po i adresonte këto incidente. Vendimet relevante të Komitetit të Ministrave, për shembull, janë qarkulluar tek Prokuroria e Përgjithshme, Komisioni Hetimor, Ministria e Brendshme, Shërbimi Federal i Migrimit, dhe Shërbimi Federal i Përmbarimit. Qeveria gjithashtu deklaroi që ajo ishte e “përkushtuar t’i paraqiste rezultatet e punës së mëtejshme” për incidentet në Rusi para Komitetit të Ministrave dhe Gjykatës në kontekstin e çështjeve përkatëse (shih paragrafët 122-123 lart). Megjithatë, gjetjet e Gjykatës lart tregojnë gjerësisht që nuk është bërë asnjë punë e mëtejshme rreth çështjes së fjalë dhe, më përgjithësisht, që nuk janë marrë ende masat e përgjithshme vendimtare nga autoritetet përkatëse të Shtetit. Këto duhet të përfshijnë përmirësimin e mëtejshëm të zgjidhjeve në vend për rastet e ekstradimit dhe dëbimit, sigurimi i ligjshmërisë së çdo veprimi të Shtetit në këtë fushë, mbrojtjen efektive të viktimave potenciale në pajtim me masat e përkohshme të përcaktuara nga Gjykata dhe hetimet efektive për çdo shkelje të këtyre masave apo të akteve po aq të paligjshme.
259. Gjykata e njeh zhvillimin e fundit domethënës në jurisprudencën vendase të ndërmarrë nga Gjykata Supreme e Federatës Ruse në Vendimin e saj nr. 11 të datës 14 qershor 2012 (shih paragrafin Error! Reference source not found. lart). Ky zhvillim është në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe e përkrah tërësisht idenë e përmirësimit të zgjidhjeve në vend në rastet e ekstradimit dhe dëbimit, gjë e cila është promovuar gjatë nga organet e Konventës në lidhje me të gjitha Shtetet Kontraktuese (shih, mes autoriteteve të kohëve të fundit, qëndrimin e Dhomës së Madhe në çështjen De Souza Ribeiro kundër Francës, cituar lart, § 82; shih gjithashtu Rekomandimin e Komitetit të Ministrave Rec(2004)6 lidhur me përmirësimin e zgjidhjeve vendase dhe Rekomandimin R(98)13 mbi të drejtën e azilkërkuesve të refuzuar për zgjidhje efektive). Gjykata ka besimin se zbatimi i kujdesshëm vendimit të Gjykatës Supreme nga të gjitha gjykatat ruse do t’i lejonte gjyqësorit të shmangte dështime të tilla si ato të kritikuara në vendimin aktual (shih paragrafët 161-165) dhe të zhvillonte më tej një praktikë gjyqësore vendase të re e cila zbaton kriteret e Konventës përmes praktikimit të ligjit (shih, mes shembujve të kohëve të fundit, vendimet e gjykatës vendase të shqyrtuara në çështjen Kulevskiy kundër Rusisë (dec), nr. 20696/12, §§ 18 dhe 36, 20 nëntor 2012). Gjykata vëren që hapat që po merren nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm i bëjnë jehonë praktikës së rëndësishme gjyqësore të zhvilluar nga Gjykata Kushtetuese e Rusisë rreth çështjeve të ekstradimit dhe masave pozitive të marra në nivele të tjera, siç pasqyrohet në vendimet e Komitetit të Ministrave (shih paragrafët 123-124 lart). Në këto kushte, është edhe më shqetësuese për Gjykatën që të përballet me situata në të cilat mekanizmat ligjore vendase anashkalohen me të madhe si rezultat i transferimit të paligjshëm të kërkuesve drejt Shteteve që kërkojnë t’i ndjekin penalisht. Përsëritja e një paligjshmërie të tillë është në gjendje të fshijë tërë efektivitetin e zgjidhjeve në vend mbi të cilat mbështetet krejtësisht sistemi i Konventës (krahaso Al-Saadoon dhe Mufdhi, cituar lart, § 166). Sipas mendimit të Gjykatës, detyrimet e Shtetit sipas vendimit aktual kërkojnë zgjidhjen pa vonesë të këtij problemi të vazhdueshëm.
260. Mungesa e hetimeve efektive në vend rreth këtyre incidenteve të papranueshme ngre shqetësime tepër serioze, siç tregohet nga vendimi në fjalë. Kërkesa e Konventës për hetime efektive dhe të menjëhershme rreth çdo incidenti të atij lloji rrjedh direkt nga praktika gjyqësore e dendur e Gjykatës dhe gjen mbështetje tek qëndrimi Komitetit të Ministrave dhe Asambleja Parlamentare, të cilat kanë ngulur këmbë që kryesit e këtyre incidenteve të japin llogari në mënyrë që të jepet mesazhi i qartë që veprime të tilla nuk do të tolerohen (shih Rezolutën e Asamblesë 1571 (2007), dhe Rezolutën e Komitetit të Ministrave CM/Res(2010)25, cituar lart). Gjykata vëren që asnjë mesazh i tillë nuk është dërguar as një çështjen në fjalë as në rastet e ngjashme që kanë ndodhur gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit.
261. Konsideratat e lartpërmendura kanë bërë që Gjykata të konkludojë që detyrimi që del nga neni 46 kërkon marrjen e veprimeve urgjente dhe të fuqishme nga Shteti përgjegjës, përfshirë të gjitha masat e nevojshme për të zgjidhur problemet e konstatuara nga vendimi aktual. Përveç nevojës së lartpërmendur për përmirësimin e zgjidhjeve në vend dhe parandalimin e anashkalimit të paligjshëm të çështjeve të ekstradimit, miratimi i masave të përgjithshme për vendimin në fjalë duhet të adresojë dy shqetësime të tjera të rëndësishme dhe të ndjekë dy qëllime korresponduese.
262. Së pari, duke pasur parasysh situatën e tyre posaçërisht delikate, kërkuesit për të cilët Gjykata ka përcaktuar masa të përkohshme duhet të kenë mbrojtje efektive nga Shteti jo vetëm me ligj, por edhe në praktikë. Meqenëse mbrojtja e përgjithshme që parashikon korniza e zakonshme ligjore dështon rregullisht në raste të tilla siç është çështja në fjalë, duhet të ngrihet një mekanizëm i përshtatshëm me detyrën e funksioneve parandaluese dhe mbrojtëse, për të siguruar që kërkues të tillë të përfitojnë mbrojtje të menjëhershme dhe efektive nga rrëmbimi i paligjshëm dhe zhvendosja e parregullt nga territori kombëtar dhe juridiksioni i gjykatave ruse. Nevoja për një mekanizëm të tillë është posaçërisht urgjente për sa u përket kërkuesve të kërkuar nga ato Shtete në të cilat tashmë kanë ndodhur transferime apo depërtime të paligjshme me forcë. Duke pasur parasysh qëllimin e jashtëzakonshëm që synohet nga masat e përkohshme dhe gjasat e shkaktimit të dëmit të rëndë të pariparueshëm nga çdo shkelje e tyre, secili mekanizëm i ngritur për këtë qëllim duhet të t’i nënshtrohet kontrollit të thellë nga një zyrtar kompetent i zbatimit të ligjit në nivelin e duhur me mundësinë e ndërhyrjes brenda një kohe të shkurtër për të parandaluar çdo shkelje të papritur të masave të përkohshme që mund të ndodhë me qëllim apo pa dashje. Kërkuesve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë duhet t’u lejohet qasje e lehtë tek zyrtarët shtetërorë përkatës në mënyrë që t’i informojnë ata për çdo urgjencë dhe të kërkojnë mbrojtje urgjente.
263. Së dyti, duke pasur parasysh rolin jetik të masave të përkohshme në sistemin e Konventës dhe, rrjedhimisht, rëndësinë e lartë që i jepet respektimit të tyre nga Shtetet Palë (shih paragrafët 211-213 lart), Shteti duhet të shfrytëzojë procedurat e përshtatshme dhe organizimet institucionale për të siguruar hetime efektive mbi çdo rast shkeljeje të këtyre masave, për sa kohë që procedurat ekzistuese dështojnë në dhënien e rezultateve të kërkuara. Gjithashtu kërkohet edhe një analizë e thellë e këtyre hetimeve në nivelin e përshtatshëm zyrtar për të siguruar që ato të zhvillohen me zellin e duhur dhe sipas standardeve të kërkuara të cilësisë.
264. Ndërkohë që thekson fushat e mësipërme të shqetësimit të veçantë, Gjykata nuk përjashton mënyra të tjera për miratimin e masave të përgjithshme, disa prej të cilave tashmë janë përvijuar në tekstet e Këshillit të Evropës (shih paragrafët Error! Reference source not found.-Error! Reference source not found. lart). Megjithatë, një vlerësim i tërësishëm i të gjitha këtyre çështjeve shkon përtej funksionit gjyqësor të Gjykatës për sa u përket çështjeve të shumta ligjore, administrative, praktike dhe të sigurisë që janë pjesë e tyre. Prandaj, Gjykata do të abstenojë në këtë fazë nga formulimi i urdhrave specifikë, duke pasur parasysh që treguesit e mësipërm do të ndihmojnë të sigurojnë ekzekutimin e vendimit aktual nën mbikqyrjen e Komitetit të Ministrave (shih, mutatis mutandis, Burdov (nr. 2), cituar lart, § 137, dhe Ananyev dhe të Tjerë kundër Rusisë, nr. 42525/07 dhe nr. 60800/08, § 194, 10 janar 2012). U takon autoriteteve ruse t’i propozojnë Komitetit të Ministrave hapa konkretë për të siguruar të drejtat e Konventës në fjalë, dhe i takon kësaj të fundit që të vlerësojë efektivitetin e masave të propozuara dhe të ndjekë zbatimin e tyre në vazhdim në pajtim me kërkesat e Konventës, siç theksohet nga vendimi në fjalë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. I deklaron ankesat lidhur me rrezikun e keqtrajtimit të kërkuesit në Taxhikistan, mungesën e zgjidhjeve efektive në atë aspekt dhe vonesat në shqyrtimin gjyqësor të burgosjes së tij të pranueshme dhe pjesën tjetër të kërkesës të papranueshme;
2. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës për shkak të dështimit të autoriteteve për ta mbrojtur kërkuesin nga rreziku real dhe i afërt i torturës dhe keqtrajtimit përmes parandalimit të transferimit të tij me forcë nga Moska në Taxhikistan, mungesës së hetimeve efektive rreth incidentit, dhe përfshirjes së agjentëve shtetërorë në atë operacion;
3. Vendos që ka pasur shkelje të nenit 34 të Konventës për shkak të dështimit të Shtetit përgjegjës për të vepruar në pajtim me masat e përkohshme të përcaktuara nga Gjykata;
...
6. Vendos
(a) që Shteti përgjegjës t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme:
(i) 30,000 EUR (tridhjetë mijë euro), plus taksat e ngarkueshme, për dëme jo materiale, shumë e cila do të mbahet nga përfaqësuesit e kërkuesit para Gjykatës në mirëbesim për kërkuesin;
...
E bërë në anglisht, dhe e shpallur me shkrim më 25 prill 2013, në pajtim me nenet 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Søren NielsenIsabelle Berro Lefèvre
KancelarKryetare
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] Shënim i redaktorit: Ben Khemais kundër Italisë (nr. 246/07, 24 shkurt 2009)
Full & Egal Universal Law Academy