© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
Nota Informative e praktikës gjyqësore të Gjykatës nr. 162
prill 2013
Savriddin Dzhurayev kundër Rusisë - 71386/10
Vendimi 25.4.2013 [Seksioni I]
Neni 34
Pengimi i ushtrimit të së drejtës për kërkesë
Transferimi me forcë i personit për në Taxhikistan kur ekziston rreziku real i keqtrajtimit dhe shmangies së masave të përkohshme të urdhëruara nga Gjykata: shkelje
Neni 46
Neni 46-2
Ekzekutimi i vendimit
Masat e natyrës së përgjithshme
Shteti përgjegjës kërkoi pa vonesë të sigurohet ligjshmëria e veprimeve të Shtetit në çështjet e ekstradimit dhe përzënies dhe mbrojtjen efektive të viktimave potenciale.
Ekzekutimi i vendimit
Masat individuale
Shtetit përgjegjës i është kërkuar të marrë masa përmirësuese konkrete për të mbrojtur kërkuesin nga rreziqet ekzistuese ndaj jetës dhe shëndetit të tij në një juridiksion të huaj.
Faktet – Kërkuesi ka ikur nga vendlindja e tij Taxhikistani për shkak të frikës nga persekutimi si pasojë e aktiviteteve të tij fetare. Ai ka udhëtuar për në Rusi, ku i është dhënë azil i përkohshëm. Në ndërkohë, autoritetet e Taxhikistanit kishin kërkuar ekstradimin e tij mbi bazën e akuzave për komplot kriminal. Autoritetet ruse e miratuan këtë kërkesë, por ekstradimi i kërkuesit u shty në përputhje me një masë të përkohshme të marrë nga Gjykata Evropiane sipas nenit 39 të Rregullores së Gjykatës. Megjithatë, mbrëmjen e 31 tetorit 2011 kërkuesi u rrëmbye nga persona të paidentifikuar në Moskë dhe u mbajt për një deri në dy ditë para se të dërgohej me forcë në aeroport dhe të vendosej në avion për Taxhikistan, ku ai u fut menjëherë në burg.
E drejta – Neni 3: Autoritetet kompetente ishin informuar nga përfaqësuesja e kërkuesit dhe nga Komisioneri rus për të Drejtat e Njeriut në lidhje me rrezikun real dhe të menjëhershëm të torturës dhe keqtrajtimit me të cilin përballej kërkuesi. Në fakt, rrethanat në të cilat kërkuesi u rrëmbye dhe prapavija e këtij rrëmbimi nuk duhet të linin dyshime për ekzistencën e atij rreziku dhe duhet t’i kishin nxitur autoritetet që të ndërmerrnin masa operative parandaluese për ta mbrojtur atë nga aktet e paligjshme të individëve të tjerë. Sidoqoftë, Qeveria nuk e kishte informuar Gjykatën për masa parandaluese të marra me kohë për t’iu shmangur këtij rreziku.
Pretendimet e kërkuesit në lidhje me atë që i kishte ndodhur atij ishin të mbështetura gjerësisht nga prezumimi i pakontestuar që ishte mbështetur në çështjet Iskandarov dhe Abdulkhakov kundër Rusisë, në të cilat Gjykata kishte gjetur që transferimi me forcë i kërkuesve të atyre çështjeve për në Taxhikistan nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë dhe përfshirjen, qoftë aktive apo pasive, të autoriteteve ruse. Qeveria ruse nuk kishte bërë asgjë për ta hedhur poshtë atë prezumim në rastin konkret. Në fakt, autoritetet kishin dështuar dukshëm në ndriçimin e rrethanave të incidentit përmes hetimeve efektive në nivel vendor. Rrjedhimisht, Shteti përgjegjës mbante përgjegjësi sipas Konventës për transferimin me forcë të kërkuesit për në Taxhikistan falë përfshirjes së agjentëve shtetërorë pjesëmarrës në atë operacion. Veprimet e agjentëve shtetërorë karakterizoheshin nga arbitrariteti i dukshëm dhe abuzimi i pushtetit me qëllim të anashkalimit si të një vendimi të ligjshëm për dhënien e azilit të përkohshëm në Rusi ashtu edhe të masave të marra zyrtarisht nga Qeveria për të parandaluar ekstradimin e kërkuesit në përputhje me një masë të përkohshme të vendosur nga Gjykata. Operacioni u zhvillua “jashtë sistemit normal ligjor” dhe, “përmes anashkalimit të tij të qëllimshëm të procesit të duhur, [ishte] anatema e sundimit të ligjit dhe vlerave të mbrojtura nga Konventa”.
Rrjedhimisht ka pasur shkelje të nenit 3 për arsye se autoritetet kishin dështuar ta mbronin kërkuesin kundër transferimit me forcë për në Taxhikistan, ku ai përballej me rrezikun real dhe të afërt të torturës dhe keqtrajtimit, mungesës së hetimeve efektive për incidentin dhe përfshirjes, qoftë pasive apo aktive, të agjentëve shtetërorë në operacion.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
Neni 34: Gjatë kohës që masa e përkohshme e kërkuar nga Gjykata ishte ende në fuqi, kërkuesi ishte transferuar me forcë për në Taxhikistan me avion në një operacion special në të cilin u gjet që ishin përfshirë agjentët shtetërorë. Ishte e pakonceptueshme që autoritetet kombëtare të mund të lejoheshin t’i shmangeshin një rregulle të përkohshme si ajo që u cek në rastin konkret duke përdorur një procedurë tjetër vendore për zhvendosjen e kërkuesit drejt vendit të destinacionit ose, edhe më alarmante, duke lejuar që ai të hiqej në mënyrë arbitrare prej atje në një formë dukshëm të paligjshme. Si rezultat i shpërfilljes nga Shteti përgjegjës i masës së përkohshme kërkuesi ishte përballur me rrezikun real të keqtrajtimit në Taxhikistan dhe Gjykata ishte ndaluar që t’i siguronte atij përfitimet praktike dhe efektive të të drejtave të tij nga neni 3.
Përfundim: shkelje (njëzëri).
Gjykata gjithashtu gjeti shkelje të nenit 5 § 4 për shkak të vonesave të gjata në shqyrtimin e ankesave të kërkuesit kundër dy urdhrave për paraburgimin e tij në vitin 2010.
Neni 41: 30.000 euro për dëme jo-materiale.
Neni 46: Shtetit përgjegjës iu kërkua të merrte masa përmirësuese konkrete për të mbrojtur kërkuesin, të cilit i kishte dhënë azil të përkohshëm, kundër rreziqeve ekzistuese ndaj jetës dhe shëndetit të tij në një juridiksion të huaj. Shtetit përgjegjës gjithashtu iu kërkua të zhvillonte hetime efektive në lidhje me incidentin në fjalë.
Përveç kësaj, nevojiteshin masa të përgjithshme për të parandaluar shkelje të tjera të ngjashme. Gjykata ishte përballur me incidente të përsëritura të kësaj natyre që nga vendimi i saj në çështjen Iskandarov. Incidente të tilla përbënin shpërfillje flagrante për sundimin e ligjit dhe sugjeronin që disa autoritete të caktuara shtetërore kishin krijuar praktika në shkelje të detyrimeve të tyre si nga ligjet ruse ashtu edhe nga Konventa. Ende duheshin marrë masa të përgjithshme vendimtare, përfshirë përmirësimin e mëtejshëm të zgjidhjeve në vend për çështjet e ekstradimit dhe dëbimit, dhe sigurimin e ligjshmërisë së çdo veprimi të Shtetit në këtë fushë, mbrojtjen efektive të viktimave potenciale në pajtim me masat e përkohshme të vendosura nga Gjykata dhe hetimin efektiv të çdo shkeljeje të këtyre masave apo akteve të tilla të paligjshme. Detyrimet e Shtetit sipas vendimit në këtë çështje kërkonin zgjidhjen pa vonesë të këtij problemi të vazhdueshëm.
(Shih Iskandarov kundër Rusisë, nr. 17185/05, 23 shtator 2010, Nota Informative nr. 133; dhe Abdulkhakov kundër Rusisë, nr. 14743/11, 2 tetor 2012, Nota Informative nr. 156)
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Notat Informative mbi praktikën gjyqësore
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy