© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shume informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation ë as commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (www ./humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
SEKSIONI I PARË
ÇËSHTJA SCHALK DHE KOPF KUNDËR AUSTRISË
(Ankimi nr. 30141/04)
VENDIM
STRASBURG
24 Qershor 2010
PËRFUNDIMTAR
22/11/2010
Ky vendim është bërë përfundimtar, sipas Nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Schalk dhe Kopf kundër Austrisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Parë), me trup gjykues të përbërë prej:
Christos Rozakis, President,
Anatoly Kovler,
Elisabeth Steiner,
Dean Spielmann,
Sverre Erik Jebens,
Giorgio Malinverni,
George Nicolaou, gjyqtarë,
dhe André Wampach, Zv/Kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura në datën 25 Shkurt 2010,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar në bazë të ankimit (nr. 30141/04), kundër Republikës së Austrisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga dy shtetasit austriakë, Z. Horst Michael Schalk dhe Z. Franz Johan KOPF ("ankuesit"), më 5 gusht 2004.
2. Ankuesit u përfaqësuan nga Z. K. Mayer, avokat që ushtron aktivitetin në Vjenë. Qeveria Austriake ("Qeveria") u përfaqësua nga agjenti i saj, Ambasadori H. Tichy, Shef i Departamentit të së Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë Federale për çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare.
3. Ankuesit pretenduan në veçanti, se duke qenë çifti i njëjtit seks, diskriminoheshin për faktin se u mohohej mundësia për t’u martuar apo për të pasur një marrëdhënie, ndryshe nga çfarë parashikohej në ligj.
4. Më 8 janar 2007, Presidenti i Seksionit të Parë vendosi t’ia komunikonte kërkesën e paraqitur Qeverisë Austriake. Sipas dispozitave të nenit 29 § 3 të Konventës, ajo vendosi pranueshmërinë dhe shqyrtimin në themel të ankimit.
5. Kërkuesit dhe Qeveria paraqitën pretendimet me shkrim në lidhje me pranueshmërinë dhe themelin e kërkesës. Qeveria paraqiti më tej pretendime të tjera me shkrim. Me miratim nga Presidenti për të ndërhyrë në procedurën me shkrim si palë e tretë (Neni 36 § 2 të Konventës dhe të Rregullës 44 § 2), u paraqitën komente edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Gjithashtu po me miratimin e dhënë nga Presidenti për të ndërhyrë si palë e tretë, u paraqit një koment i përbashkët nga katër organizata jo-qeveritare, përkatësisht FIDH (Federata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut), ICJ (Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve) Qendra AIRE (Këshilla për të Drejtat individuale në Evropë) dhe ILGA-Evropë (Seksioni Evropian i Shoqatës Ndërkombëtare të Lesbikëve dhe Gej). Presidenti u lejoi katër organizatave jo-qeveritare të merrnin pjesë edhe në seancën gjyqësore.
6. Seanca publike gjyqësore u zhvillua në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg më 25 Shkurt 2010 (Rregulli 59 § 3).
U paraqiten përpara Gjykatës:
(a) për Qeverinë,
Znj. B. Ohms, Kancelari Federal, Zëvendës Agjent,
Znj.G. PASCHINGER, Ministria Federale për çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare
Z.M. Stormann, Ministria Federale e Drejtësisë, Këshilltar ;
(b) për ankuesit
Z. K. Mayer, përfaqësues Ligjor ;
Z. H.SCHALK, Ankues ;
(c) për organizatat joqeveritare, palë e tretë
Z. R. WINTEMUTE, Kings College, Londër, Përfaqësues ligjor ;
Znj. A. JERNOW, Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve, Këshilltar.
Gjykata dëgjoi parashtresat nga Znj. OHMS, Z. Mayer dhe Z. Wintemute.
FAKTET RRETHANAT E ÇËSHTJES
7. Ankuesit, çift i të njëjtit seks, kanë lindur respektivisht në 1962 dhe 1960 dhe jetojnë në Vjenë.
8. Më 10 shtator 2002, ankuesit, kërkuan nga Zyra për Çështjet e Statusit Personal (Standesamt) fillimin e procedurave formale për lidhjen e tyre në martesë.
9. Me një vendim më 20 dhjetorit të vitit 2002, Bashkia e Vjenës (Magistrat) refuzoi kërkesën e paraqitur prej ankuesve. Duke iu referuar Nenit 44 të Kodit Civil (Allgemeines Bürgerliches Gesetzbuch), ajo u shpreh se martesa mund të lidhet vetëm ndërmjet dy personave të gjinisë së kundërt. Sipas jurisprudencë së pandryshueshme, martesa ndërmjet persona të se njëjtës gjini është absolutisht e pavlefshme. Meqenëse ankuesit ishin të dy të gjinisë mashkullore, ata nuk kishin të drejtë të lidhnin martesë ndërmjet tyre.
10. Kërkuesit paraqitën një kërkesë pranë Guvernatorit Rajonal të Vjenës (Landeshauptmann), por pa dobi. Në vendimin e tij të datës 11 Prill 2003, Guvernatori konfirmoi qëndrimin ligjor të Bashkisë. Përveç kësaj, ai iu referua jurisprudencës së Gjykatës Administrative, sipas së cilës pasja e të njëjtit seks përbënte pengesë për të lidhur martesë ndërmjet dy personave. Për më tepër, Neni 12 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore i rezervonte të drejtën për martesë personave më seks të ndryshëm.
11. Në një ankim kushtetues, ankuesit pretenduan se pamundësia ligjore për martesë ndërmjet dy personave të seksit të njëjtë, përbënte shkelje të së drejtës së tyre për respektimin e jetës private dhe familjare dhe të parimit të mos diskriminimit. Ata pretendonin se nocioni i martesës kishte evoluar që prej hyrjes në fuqi të Kodit Civil në 1812. Në veçanti, lindja dhe edukimi i fëmijëve nuk ishin më pjesë integrale e martesës. Në perceptimin e sotëm, martesa ishte më tepër një bashkim i përhershëm që përfshinte të gjitha aspektet e jetës. Nuk kishte asnjë justifikim objektiv për përjashtim e çifteve të seksit të njëjtë nga lidhja e martesës, aq më tepër që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka pohuar se dallimet bazuar në orientimin seksual të një personi mund të bëhen vetëm për arsyet veçanërisht të mëdha. Vende të tjera evropiane ose i kishin lejuar martesat homoseksuale ose kishin bërë ndryshime në legjislacionet aktuale për t’u dhënë status të barabartë lidhjeve ndërmjet personave me seks të njëjtë.
12. Së fundmi, ankuesit pretenduan shkelje të së drejtës së tyre për gëzimin paqësor të pasurisë. Ata pretendonin se në rast se një partner në një çift homoseksual humb jetën, partneri i ve diskriminohej, duke qenë se ai ishte në një pozitë shumë më pak të favorshme, bazuar në ligjin e taksave, sesa partneri i ve i një çifti të martuar.
13. Më 12 dhjetor 2003 Gjykata Kushtetuese (Verfassungs gerichtshof) rrëzoi kërkesën. Pjesët përkatëse të gjykimit të saj ishin si vijon:
"Procedurat administrative që çuan në vendimin e vënë në diskutim, kishin të bënin ekskluzivisht me çështjen e legjitimitetit të martesës. Kështu, pretendimi i vetëm që del nga kjo kërkese, ka të bëj me Nenin 44 të Kodit Civil i cili njeh dhe mundëson martesën ndërmjet "personave të seksit të kundërt". Pretendimi i shkeljes të së drejtës së pronës është thjesht një mjet tjetër për të treguar se kjo situate është e pajustifikuar.
Lidhur me të drejtën për martesë, Neni 12 i K.E.D.NJ.-së, e cila renditet në nivelin e ligjit kushtetues, parashikon:
"Burri dhe gruaja, që nga mbushja e moshës se martesës, kanë të drejtë të martohen dhe të krijojnë familje, sipas ligjeve kombëtare që rregullojnë ushtrimin e kësaj të drejte."
As parimi i barazisë i sanksionuar në Kushtetutën Federale Austriake, dhe as Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (siç tregohet në Nenin 12 nga "burri dhe gruaja",) nuk kërkojnë që koncepti i martesës, si i lidhur me mundësinë themelore për të qenë prind, të shtrihet në marrëdhëniet të një lloji tjetër. Thelbi i martesës, për më tepër, nuk preket në asnjë mënyrë nga fakti se divorci (ose ndarja) është i mundur dhe është çështje që u përket bashkëshorteve nëse janë të aftë apo dëshirojnë të kenë fëmijë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Cossey, në vendimin e saj të datës 27 shtator 1990 (nr. 10843/84, në lidhje me pozitën e veçantë të transseksualëve) pohoi se kufizimi i martesës me konceptin "tradicional" arsyetohet nga pikëpamja objektive, duke argumentuar :
“... se lidhja me konceptin tradicional të martesës jep arsye të mjaftueshme për ruajtjen e kritereve biologjike për përcaktimin e gjinisë së një personi për qëllime të martesës ".
[Ndryshimi i mëvonshëm në praktikën gjyqësore në lidhje me çështjen e veçantë të transseksualëve (ECHR, Goodwin, nr. 28957/95, 11 korrik 2002) nuk e lejon përfundimin, se duhet të ketë ndonjë ndryshim në vlerësimin e çështjes së përgjithshme në fjalë.]
Fakti se marrëdhëniet ndërmjet të njëjtit seks bien brenda konceptit të jetës private dhe si të tilla gëzojnë mbrojtjen e nenit 8 të KEDNJ-t, i cili gjithashtu ndalon diskriminimin mbi baza jo-objektive (neni 14 i KEDNJ-t), nuk përbën bazë për të detyruar ndryshimin e ligjit të martesës.
Është e panevojshëm në rastin konkret shqyrtimi nëse dhe në cilat fusha, ligji diskriminon në mënyrë të pajustifikuar marrëdhëniet ndërmjet të njëjtit seks, duke siguruar rregulla të veçanta për çiftet e martuara. As nuk është detyrë e kësaj gjykate për të këshilluar legjislaturën për çështje kushtetuese apo edhe çështje të politikës ligjore.
Për sa më lart, kërkesa duhet të rrezohet si e pambështetur. "
14. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese iu vu në dispozicion avokatit të kërkuesit më 25 Shkurt 2004.
LEGJISLACIONI PËRKATËS I BRENDSHËM DHE I KRAHASUAR
A. Ligji Austriak Kodi Civil
15. Neni 44 i Kodit Civil (Allgemeines Bürgerliches Gesetzbuch) parashikon:
"Kontrata martesore duhet të përbëj bazën e marrëdhënieve familjare. Sipas kontratës martesore dy persona të gjinisë së kundërt deklarojnë qëllimin e tyre të ligjshme për të jetuar gjithmonë së bashku në martesë, për lindjen dhe rritjen e fëmijëve dhe për të mbështetur njëri-tjetrin. "
Ky nen nuk ka ndryshuar që prej hyrjes së tij në fuqi më 1 janar 1812. Ligji për Regjistrimin e Marrëdhënieve
16. Qëllimi i Ligjit për Regjistrimin e Marrëdhënieve (Eingetragene Partnerschaft-Gesetz) ishte t’u siguronte çifteve të së njëjtit seks, një mekanizmi ligjor për njohjen dhe dhënien fuqi ligjore marrëdhënies ndërmjet tyre. Në miratimin e Ligjit, ligjvënësi ka pasur parasysh në mënyrë të veçantë zhvillimet në shtetet e tjera evropiane (shih raportin shpjegues mbi projekt-ligjin - Erläuterungen zur Regierungsvorlage, 485 der Beilagen XXIV GP).
17. Ligji për Regjistrimin e Marrëdhënieve, botuar në fletoren zyrtare (Bundesgesetzblat) vol. I, nr. 135/2009, hyri në fuqi më 1 janar 2010. Neni 2 parashikon si më poshtë:
"Një marrëdhënie e regjistruar mund të formohet vetëm nga dy persona të seksit të njëjtit (partner të regjistruar). Ata në këtë mënyrë angazhohen për një marrëdhënie të qëndrueshme me të drejta dhe detyrime të ndërsjella ".
18. Rregullat për krijimin e një marrëdhënie të regjistruar, efektet ligjore të saj dhe prishja e saj janë të ngjashme me rregullat që rregullojnë institucionin e martesës.
19. Marrëdhënia e regjistruar është bashkëjetesa në baza të përhershme ndërmjet dy personave me zotësi të plotë juridike që kanë mbushur moshën e lejuar me ligj dhe që i përkasin të njëjtit seks (Neni 3). Marrëdhënia e regjistruar nuk mund të lidhet ndërmjet personave të afërm ose të martuar apo që janë në një marrëdhënie tjetër të regjistruar, ende të vlefshme. (Neni 5).
20. Ashtu si çiftet e martuara, partnerët e regjistruar pritet të jetojnë së bashku si bashkëshortë në çdo aspekt, të ndajnë të njëjtën shtëpi të përbashkët, me ndjenjën e respektit dhe ndihmës reciproke (Neni 8 (2) dhe (3)). Ashtu si në rastin e bashkëshortëve, partneri, i cili është në krye të shtëpisë së përbashkët dhe nuk ka të ardhura, ka autoritet ligjor për të përfaqësuar partnerin tjetër në veprimet juridike të përditshme (Neni 10). Partnerët e regjistruar kanë të njëjtat obligime në lidhje me mirëmbajtjen, si bashkëshortët në një martesë(Neni 12).
21. Shkaqet për mbarimin marrëdhënies së regjistruar janë të njëjta me ato të mbarimin të martesës apo divorcit. Marrëdhënia e regjistruar mbaron me vdekjen e njërit nga partnerët (Neni 13). Ajo mund të mbarojë edhe me një vendim gjyqësor për arsye si: mungesa e qëllimit për të krijuar një partneritet të regjistruar (Neni 14), kur është me faj një ose të dy partnerët, ose prishje të marrëdhënies për shkak të dallimeve të pakapërcyeshme ndërmjet partnerëve (Neni 15).
22. Ligji për Regjistrimin e Marrëdhënieve gjithashtu përmban një sërë ndryshimesh të legjislacionit ekzistues në mënyrë që t’u sigurojë partnerëve të regjistruar të njëjtin status me atë të bashkëshortëve në fusha të ndryshme ligjore, të tilla si ligji mbi trashëgiminë, e drejta e punës, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ligji fiskal, e drejta administrative, ligji për mbrojtjen e të dhënave dhe shërbimit civil, çështjet e regjistrimit dhe pasaportat, si dhe ligji për të huajt.
23. Përveç faktit se një marrëdhënie e regjistruar mund të lidhet vetëm ndërmjet personave të seksit të njëjtë, ekzistojnë edhe dallime të tjera me institucionin e martesës. Dallimet që do përmenden më poshtë kanë qenë pjesë e një debati publik, përpara miratimit të Ligjit për Regjistrimin e Marrëdhënieve: ndërsa martesa lidhet para Zyrës për Çështjet e Statusit Personal, marrëdhëniet e regjistruara lidhen përpara Autoritetit të Distriktit Administrativ. Rregullat për zgjedhjen e mbiemrit të përbashkët ndryshojnë nga ato për çiftet e martuara: për shembull, ligji flet për "mbiemër" në rastin e një çifti në një marrëdhënie të regjistruar, dhe për "mbiemrin e familjes" në rastin e një çifti të martuar. Dallimet më të rëndësishme kanë të bëjnë me të drejtat prindërore: ndryshe nga çiftet e martuara, partnerëve të regjistruar nuk u lejohet të adoptojnë fëmijë, as adoptimi i thjeshtrës apo thjeshtrit nuk lejohet, që do të thotë, adoptimi i fëmijës së njërit nga partnerët (Neni 8 (4)). Fekondimi artificial ndalohet gjithashtu (Neni 2 (1) i Ligjit të Lindjeve Artificiale - Fortpflanzungsmedizingesetz).
B. Legjislacioni krahasues
1. E drejta Evropiane
24. Neni 9 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, i cili u nënshkrua më 7 dhjetor 2000 dhe hyri në fuqi më 1 dhjetor 2009, parashikon si më poshtë:
"E drejta për martese dhe për krijimin e familjes garantohen në përputhje me ligjet kombëtare që rregullojnë ushtrimin e këtyre të drejtave."
25. Komentari përkatës i Kartës shprehet si vijon :
"Pavarësisht tendencave moderne dhe zhvillimeve në legjislacionet kombëtare të vendeve të ndryshme drejt hapjes dhe pranimit më të gjere të çifteve të seksit të njëjtë, disa vende ruajnë politika dhe rregulla të cilat ndalojnë martesën ndërmjet këtyre individëve. Aktualisht në shumë pak vende pranohen marrëdhëniet midis të njëjtit seks, në kuptimin e të drejtës për martesë. Legjislacionet e brendshme të shumicës së shteteve nisen nga ideja që partnerët që do lidhin martese i përkasin seksit të kundërt. Megjithatë, në disa vende, si p.sh. në Holandë dhe në Belgjikë, martesa ndërmjet individëve të seks të njëjtë lejohet ligjërisht. Vende të tjera, si ato nordike, kanë adoptuar legjislacionin e marrëdhënieve të regjistruara, në bazë të së cilit, përveç të tjerash, shumë dispozita ligjore që zbatohen në rastin e martesës, të tilla si : pasojat ligjore si ndarja e pasurisë, e drejta e trashëgimisë etj, aplikohen gjithashtu edhe në këto lloj marrëdhëniesh. Në të njëjtën kohë është me rëndësi të theksohet se termi “marrëdhënie e regjistruar” është zgjedhur qëllimisht për të mos ta ngatërruar me martesën dhe për të qenë një mënyrë alternative e njohjes së marrëdhënieve personale. Ky institucion i ri është, për pasojë, si rregull i mundshëm vetëm për çiftet që nuk mund të martohen dhe marrëdhëniet e të njëjtit seks nuk kanë të njëjtin status dhe të njëjtat përfitime si martesa. (...)
Duke marrë parasysh ndryshimet që ekzistojnë në legjislacionet e vendeve të ndryshme për sa i përket institucionit të martesës, Neni 9 i Kartës i referohet legjislacionit vendas. Siç duket nga formulimi i tij, Neni 9 është më i gjerë në fushëveprimin e vet se nenet përkatëse në instrumente të tjera ndërkombëtare. Duke qenë se nuk ka asnjë referencë të shprehur të “burrave dhe grave”, si në rastin e instrumenteve të tjerë të drejtave të njeriut, mund të thuhet se nuk ka asnjë pengesë për të njohur marrëdhëniet të njëjtit seks në kontekstin e martesës. Megjithatë, ky nen as nuk kërkon në mënyrë të shprehur që legjislacionet vendase të mundësojnë martesa të tilla. Gjykatat dhe Komitetet ndërkombëtare deri tani kanë refuzuar të shtrijnë zbatimin e të drejtës për martese në çiftet e të njëjtit seks. (...) "
26. Një numër Direktivash janë gjithashtu me interes për rastin në fjalë:
Direktiva e Këshillit Evropian 2003/86/KE e 22 shtatorit 2003, mbi të drejtën e bashkimit familjar, ka të bëjë me kushtet për ushtrimin e së drejtës për bashkim familjar nga ana e shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë ligjërisht në territorin e Shteteve Anëtare.
Neni 4 "anëtarë të familjes", parashikon:
"(3) Shtetet Anëtare, me ligj ose rregullore, mund të autorizojnë hyrjen dhe qëndrimin, në përputhje me këtë Direktivë dhe kushtet e parashtruara në Kapitullin IV, të partnerit të pamartuar, shtetas i një vendi të tretë, me të cilin personi që kërkon bashkimin është në një marrëdhënie të gjatë dhe të qëndrueshme të vërtetuar, apo të një shtetasi të një vendi të tretë i cili është i lidhur me personin që kërkon bashkimin në një marrëdhënie të regjistruar në përputhje me Nenin 5(2),... "
Direktiva 2004/38/EC e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të datës 29 prill 2004, lidhur me të drejtën e qytetarëve të Unionit dhe familjarëve të tyre për të lëvizur dhe banuar lirisht brenda territorit të Shteteve Anëtare.
Neni 2 i kësaj direktive përmban përkufizimin e mëposhtëm:
"(2) “anëtar i familjes” nënkupton:
(a) bashkëshortin
(b) partnerin me të cilin qytetari i Unionit ka krijuar një marrëdhënie të regjistruar, në bazë të legjislacionit të një Shteti Anëtar, nëse legjislacioni i Shtetit Anëtar pritës trajton marrëdhënien e regjistruar si ekuivalente me martesën në përputhje me kushtet e përcaktuara në legjislacioni përkatës i Shtetit Anëtar pritës.
(c) pasardhësin direkt, nën moshën 21 vjeç ose ata që janë ende nën varësi dhe ata të bashkëshortit ose partnerit të përcaktuara në pikën (b)
(d) të afërmin në varësi direkte në linjë ngjitje dhe ato të bashkëshortit ose partnerit siç përcaktohet në pikën (b). "
2. Situata Ligjore përkatëse e Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës
27. Aktualisht gjashtë nga dyzet e shtatë shtetet anëtare lejojnë martesën e çifteve me seks të njëjtë, dhe konkretisht Belgjika, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Spanja dhe Suedia.
28. Përveç kësaj ka trembëdhjetë Shtetet anëtare, të cilat edhe pse nuk e lejojnë martesën tek çiftet e seksit të njëjtë, kanë miratuar ligje që lejojnë çiftet me seks të njëjtë të regjistrojnë marrëdhëniet e tyre: Andorra, Austria, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Islanda, Luksemburgu, Sllovenia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar. Për ta përmbledhur, nëntëmbëdhjetë Shtetet anëtare ose lejojnë martesën tek çiftet me seks të njëjtë ose lejojnë regjistrimin e marrëdhënies së tyre (shih edhe përmbledhjen në Burden kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13378/05, § 26, ECHR 2008).
29. Në dy shtete, përkatësisht në Irlandë dhe Lihtenshtein, reformat që synojnë t’u japin të drejtën çifteve të seks të njëjtë për të regjistruar marrëdhënien e tyre, janë planifikuar ose janë në pritje. Përveç kësaj, Kroacia ka një Ligj mbi Bashkimet Civile me seks të njëjtë, sipas të cilit, çifteve të seksit të njëjtë, iu njihet e drejta për të bashkëjetuar për qëllime të kufizuara, por nuk u ofron atyre mundësinë e regjistrimit.
30. Sipas të dhënave që disponon Gjykata, shumica dërrmuese e shteteve i kanë miratuar legjislacionet përkatëse në dekadën e fundit.
31. Pasojat ligjore që rrjedhin nga marrëdhëniet e regjistruara variojnë nga pothuajse ekuivalente me martesën, në dhënien e të drejtave relativisht të kufizuara. Pasojat ligjore të marrëdhënieve të regjistruara mund t’i grupojmë në tre kategori kryesore: pasojat materiale, pasojat prindërore dhe pasojat e tjera.
32. Pasojat materiale përfshijnë ato në lidhje me taksat e ndryshme, sigurimet shëndetësor, pagesat e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Në shumicën e shteteve në fjalë partnerët e regjistruar kanë një status të ngjashëm me bashkëshortët. Kjo vlen edhe për pasojat të tjera materiale, të tilla si rregullimet mbi pronën e përbashkët dhe borxhin, zbatimi i rregullave për detyrimin për ushqim pas ndarjes, e drejta për kompensim për vdekjen nga pakujdesia të partnerit tjetër dhe e drejta e trashëgimisë.
33. Në lidhje me pasojat që kanë të bëjnë me të drejtat prindërore, mundësia që u jepet çifteve me partnerë me seks të njëjtë për kujdes mjekësor për qëllimet e fekondimit artificial, për tu kujdesur ose birësuar fëmijë, ndryshon shumë nga një vend në një tjetër.
34. Pasojat e tjera lidhen me përdorimin e mbiemrit të partnerit, me rezidencën apo shtetësinë në rastet e një partneri me shtetësi të huaj, refuzimi për të dëshmuar, statusi i personit të afërt familjar për qëllime mjekësore, ruajta e statusit të qiramarrësit pas vdekjes së partnerit, dhe dhurimi i ligjshëm i organeve.
E DREJTA
I. PRETENDIMI I QEVERISË PËR ÇREGJISTRIMIN E ANKIMIT NGA LISTA E ÇËSHTJEVE
35. Në parashtrimet e tyre me gojë Qeveria argumentonte se Ligji për Marrëdhëniet e Regjistruara u akordonte çifteve me seks të njëjtë një status ligjor të ngjashëm, për aq sa ishte e mundur, me statusin ligjor që gëzonin bashkëshortët në martesë. Ata pretenduan se çështja mund të konsiderohej e zgjidhur, dhe se justifikohej heqja e ankimit nga lista e çështjeve të Gjykatës. Ata iu referuan Nenit 37 § 1 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“1. Në çdo fazë të procedimit, Gjykata mund të vendosë të çregjistrojë një kërkesë, kur rrethanat çojnë në përfundimin se:
...
(b) mosmarrëveshja është zgjidhur;
...
Megjithatë Gjykata vazhdon shqyrtimin e kërkesës kur këtë e kërkon respektimi i të drejtave të njeriut të garantuara nga Konventa dhe Protokollet e saj”
36. Për të vlerësuar nëse Neni 37 § 1 (b) i Konventës zbatohet në rastin konkret, Gjykata duhet t’u përgjigjet më parë dy pyetjeve: së pari, nëse rrethanat për të cilat kërkuesit ankohen ekzistojnë ende dhe së dyti, nëse pasojat e shkeljes së mundshme të Konventës janë korrigjuar apo jo (shih Shevanova kundër Letonisë (çregjistruar) [GC], nr. 58822/00, § 45, 7 dhjetor 2007).
37. Gjykata vëren se thelbi i kërkesës së ankuesit është se, duke qenë një çifti i seksit të njëjtë, atyre nuk u lejohet të martohen. Kjo situatë ende vazhdon të ekzistojë edhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Marrëdhëniet e Regjistruar. Ashtu siç edhe Qeveria vuri në dukje vetë, Ligji u jep partnerëve të regjistruar një status të ngjashëm ose të krahasueshëm me atë që kanë bashkëshortet në një martese, por nuk u jep atyre të drejtën për martese, e cila ngelet e drejtë ekskluzive e çifteve me partnerë të seksit të kundërt.
38. Gjykata konstaton se kushtet për çregjistrimin e çështjes nuk plotësohen, prandaj rrëzon kërkesën e qeverisë.
II. SHKELJE E PRENTEDUAR E NENIT 12 TË KONVENTËS
39. Ankuesit pretendojnë se refuzimi nga ana e autoriteteve për t’u lejuar të lidhin martesë, përbën shkelje të Nenit 12 të Konventës i cili parashikon:
"Burri dhe gruaja, që nga mbushja e moshës se martesës, kanë të drejtë të martohen dhe të krijojnë familje, sipas ligjeve kombëtare që rregullojnë ushtrimin e kësaj të drejtë."
Qeveria e kundërshtoi këtë argument. Pranueshmëria
40. Gjykata vëren se Qeveria ngriti pyetjen nëse kërkesa e ankuesve përfshihet brenda fushës së veprimit të Nenit 12, duke pasur parasysh se ata ishin dy burra të cilët pretendonin të drejtën për t’u martuar. Qeveria, megjithatë, nuk kërkonte shpalljen e papranueshmërisë se kërkesës si të papajtueshme ratione materiae. Gjykata pranon se çështja është mjaft komplekse për t’u zgjidhur në fazën e pranueshmërisë.
41. Gjykata vëren nga parashtrimet e palëve, se ankimi ngre çështje serioze të faktit dhe ligjit, sipas Konventës, dhe si i tillë duhet të shqyrtohet në themel. Si përfundim, Gjykata vendos se kërkesa nuk është haptazi e pabazuar, në kuptim të Nenit 35 § 3 të Konventës. Për më tepër, Gjykata vëren se ajo nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Themeli Parashtrimet e palëve
42. Qeveria iu referua vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin në fjalë, duke theksuar se kjo e fundit kishte pasur parasysh jurisprudencën e Gjykatës dhe nuk kishte gjetur shkelje të të drejtave të Konventës ndaj ankuesve.
43. Në parashtrimet e saj me gojë përpara Gjykatës, Qeveria pohoi se formulimi i qartë i Nenit 12 dhe jurisprudenca e Gjykata shprehin shumë qartë se e drejta për t’u martuar ishte për nga vetë natyra e saj e kufizuar për çiftet me seks të ndryshëm. Ajo pranoi se ka pasur ndryshime të mëdha sociale në institucionin e martesës që prej miratimit të Konventës, por nuk kishte ende asnjë konsensus evropian për dhënien e të drejtës për t’u martuar çifteve me seks të njëjtë, as nuk mund të kuptohet se jepet kjo drejtë nga neni 9 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian. Pavarësisht ndryshimit në formulim, kjo e fundit ia përcjell trajtimin e çështjes të martesës së individëve me seksit të njëjtë legjislacioneve kombëtare.
44. Ankuesit kundërshtuan, duke argumentuar se në shoqërinë e sotme, martesa civile ishte bashkim i dy personave që përfshinte të gjitha aspektet e jetës, ndërkohë që lindja dhe edukimi i fëmijëve nuk ishte më një element i një rëndësie vendimtare për institucionin e martesës. Edhe formulimi i Nenit 12 jo domosdoshmërish duhet lexuar në kuptimin që burrat dhe gratë kishin të drejtë të martohen vetëm me një person të seksit të kundërt. Më tej, ankuesit konsideronin se referenca që bënte Neni 12 në legjislacionin vendas, nuk nënkupton se Shtetet kanë liri të pakufizuar në rregullimin e të drejtës për t’u martuar. Parashtrimet e palëve të treta
45. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pohoi se Gjykata në jurisprudencën e saj, konsideronte se Neni 12 i referohej “martesës tradicionale ndërmjet personave të cilët biologjikisht i përkisnin seksit të kundërt” (shih Sheffield dhe Horsham kundër Mbretërisë së Bashkuar, 30 korrik 1998, § 66, Raporte të vendimeve 1998 - V). Në opinionin e tyre nuk kishte arsye t’i largoheshin këtij qëndrimi.
46. Gjykata shpesh ka ritheksuar se Konventa është një instrument i gjallë, i cili duhej interpretuar nën dritën e kushteve të sotme, përqasje kjo e nevojshme për zhvillimin e jurisprudencës se saj, duke qenë se vërente përputhje në standardet e shteteve anëtare. Në çështjen Christine Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC] (nr. 28957/95, ECHR 2002 VI), për shembull, Gjykata ka rishqyrtuar pozitën e saj në lidhje me mundësinë e transseksualëve të operuar për t’u martuar me një person të seksit të kundërt me atë që ata kanë fituar pas operacionit, duke pasur parasysh faktin se shumica e Shteteve Kontraktuese i lejonin martesat e tilla. Ndërsa për sa i përket martesës midis personave të seksit të njëjtë, nuk kishte konvergjenca në standardet e shteteve anëtare. Në kohën kur Qeveria, palë e tretë, paraqiti parashtrimet e saj, vetëm tri Shtete anëtare e lejonin martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks, dhe në dy të tjera ishin nën shqyrtim propozime në lidhje me këtë. Çështja e martesës ndërmjet personave të të njëjtit seks përbën një diskutim të madh social, politik e fetar. Në mungesë të konsensusit, shteti gëzon një hapësirë të gjerë vlerësimi.
47. Katër organizatat joqeveritare i kërkuan Gjykatës shtrirjen e së drejtës për t’u martuar edhe tek çiftet e seksit të njëjtë. Fakti se çiftet e seksit të kundërt ishin në gjendje të martoheshin, ndërsa atë të seksit të njëjtë nuk ishin, përbënte ndryshim në trajtim, bazuar në orientimin seksual. Duke iu referuar Karner kundër Austrisë, (nr. 40016/98, § 37, ECHR 2003 - IX), ata argumentuan se ky dallim mund të justifikohet vetëm për "arsye veçanërisht të rënda". Në opinionin e tyre, arsye të tilla nuk ekzistojnë: përjashtimi i çifteve të seksit të njëjtë nga institucioni i martesës nuk mbron këtë të fundit dhe as familjen në kuptimin tradicional. Nga ana tjetër dhënia e mundësisë çifteve me seks të njëjtë për t’u martuar, as nuk sjellë humbjen e vlerave të martesës në konceptimin tradicional të saj. Përveç kësaj, institucioni i martesës ka pësuar ndryshime të konsiderueshme, dhe ashtu siç edhe vet Gjykata është shprehur në Christine Goodwin (cituar më sipër, § 98), pamundësia për të lindur fëmijë nuk mund të konsiderohet arsye per se për të ndaluar dhënien e të drejtës për t’u martuar. Katër organizatat joqeveritare pranuan se rasti e Christine Goodwin ndryshon nga rasti në fjalë, në faktin se mungon konsensusi evropian, gjithsesi, duke parë mungesën e arsyeve objektive dhe racionale që justifikojnë dallimet në trajtim, nuk duhet t’i jepet shumë peshë në rastin konkret këtij konsensusi.
48. Së fundi, katër organizatat jo-qeveritare iu referuan vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Afrikës së Jugut, Gjykatave të Apelit të Ontarios dhe Kolumbisë Britanike në Kanada, dhe Gjykatës së Lartë të Kalifornisë, Konektikatit, Iovas dhe Masaçusets në Shtetet e Bashkuara, e cilat kishin vlerësuar se mos dhënia e të drejtës për t’u martuar çifteve me partnerë të seksit të njëjtë është diskriminuese.
3. Vlerësimi i Gjykatës
a. Parimet e Përgjithshme
49. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, Neni 12 parashikon të drejtën themelore të një burri dhe një gruaje për t’u lidhur në martesë dhe për të krijuar familje. Ushtrimi i kësaj të drejte, sjellë pasoja personale, shoqërore dhe ligjore. Kjo e drejtë është “subjekt i ligjeve kombëtare të Shteteve Kontraktuese”, por kufizimet që mund të vendosen mbi këtë të drejtë nuk mund të jenë në një mase apo mënyrë të tillë që të cenojnë thelbin e saj (shih B. dhe L. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 36536/02, § 34, 13 shtator 2005, dhe F. kundër Zvicrës, 18 dhjetor 1987, § 32, Seria A nr. 128).
50. Gjykata vëren që në fillim se ajo ende nuk ka pasur mundësi për të shqyrtuar nëse dy persona të cilët janë të të njëjtit seks mund të pretendojnë të kenë të drejtë të martohen. Megjithatë, disa parime mund të rrjedhin nga jurisprudenca e Gjykatës në lidhje me transseksualët.
51. Në një numër çështjesh u ngrit pyetja nëse, refuzimi për të lejuar një transseksual të operuar të martohet me një person të seksit të kundërt të tij apo saj, duke konsideruar seksin e tij atë të fituar pas operacionit, përbënte ose jo shkelje të Nenit 12. Në jurisprudencën e saj më të hershme, Gjykata është shprehur se lidhja me konceptin tradicional të martesës që mbështet Neni 12, përbën arsye të mjaftueshme për ruajtjen e kritereve biologjike në përcaktimin e seksit të një personi për qëllime të martesës. Rrjedhimisht, kjo u konsiderua si një çështje, që ishte në kompetencën ligjore të Shteteve Kontraktuese për të rregulluar me ligje kombëtare ushtrimin e së drejtës për t’u martuar (shih Sheffield dhe Horsham, cituar më sipër, § 67; Cossey kundër Mbretërisë së Bashkuar, 27 shtator 1990, § 46, Seria A nr. 184;.. shih gjithashtu Rees kundër Mbretërisë së Bashkuar, 17 tetor 1986, §§ 49-50, Seria A nr. 106).
52. Në çështjen Christine Goodwin (cituar më lart §§ 100-104) Gjykata ndryshoi jurisprudencën e saj më të hershme: Ajo u shpreh se termat “ Burri dhe Gruaja” të përdorur në Nenin 12, nuk duheshin kuptuar më sikur përcaktimi i sekseve bëhej nga kritere të pastra biologjike. Vetëm në këtë kontekst, Gjykata pranoi se ishin bërë ndryshime të mëdha shoqërore në konceptimin e institucionit të martesës, që nga miratimi i Konventës. Në mbështetje të kësaj ajo, iu referuar edhe Nenit 9 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, i cili iu largua terminologjisë se përdorur nga Neni 12. Së fundmi Gjykata vërejti se ka një pranim të përgjithshëm të martesës së transseksualëve pasi ndërrojnë seksin. Në përfundim Gjykata pohoi se, moslejimi i transseksualëve për t’u martuar pasi ndërrojnë seksin, përbën shkelje të Nenit 12 të Konventës.
53. Dy çështje të tjera janë me interes në kontekstin aktual: (Parry kundër Mbretërisë së Bashkuar (dhjetor), nr 42971/05, ECHR 2006 - XV, dhe R dhe F. kundër Mbretërisë së Bashkuar (dhjetor), nr. 35748/05, 28 nëntor 2006). Në të dyja këto çështje, ankuesit ishin çifte të martuar, ku njëri prej partnerëve ishte femër, ndërsa partneri tjetër ishte transseksual mashkull i kthyer në femër pas operacionit. Ata ankoheshin se inter alia, sipas Nenit 12 të Konventës, u ishte kërkuar që t’i jepnin fund martesës së tyre, nëse partneri që kishte ndërruar seksin do kërkonte njohje ligjore të këtij ndryshimi. Gjykata e rrëzoi kërkesën si haptazi të pabazuar. Ajo vërejti se legjislacioni vendas lejonte martesën vetëm ndërmjet persona që i përkisnin sekseve të kundërta, qoftë gjini e përcaktuar që në lindje, apo me një procedurë e njohjes gjinore, ndërkohë që nuk lejoheshin martesat ndërmjet personave të të njëjtit seks. Në mënyrë të ngjashme, Neni 12 mishëronte konceptin tradicional të martesës si lidhje ndërmjet një burri dhe një gruaje. Gjykata pranoi se një numër i shteteve kontraktuese kishte shtrirë të drejtën për t’u martuar edhe tek personat e të njëjtit seks, por ritheksoi se kjo reflektonte vizionin për rolin e martesës në shoqëritë e tyre dhe nuk erdhi nga një interpretim i të drejtës themelore të përcaktuar nga Shtetet Kontraktuese në Konventën e 1950. Gjykata konkludoi se ishte e drejtë e Shtetit të rregullonte efektet e ndryshimit të gjinisë në martesave ekzistuese. Përveç kësaj, ajo vlerësoi, se në rastin kur partnerët vendosin të divorcohen, në mënyrë që partneri transseksual që ka ndryshuar gjininë të marrë njohjen ligjore për gjininë re, fakti që ankuesit mund të futen në një marrëdhënie civile, kontribuon në proporcionalitetin e regjimit të njohjes gjinore për të cilën kërkuesit ankohen. Zbatimi në rastin konkret
54. Gjykata vëren se Neni 12 i jep të drejtën për t’u martuar “burrit dhe gruas”. Versioni francez përcakton « l’homme et la femme ont le droit de se marier ». Për më tepër Neni 12 jep të drejtën për të krijuar familje.
55. Ankuesit argumentuan se formulimi nuk nënkupton domosdoshmërisht se një burrë mund të martohet vetëm me një grua dhe anasjelltas. Gjykata vëren se, analizuar veçmas, formulimi i nenit 12 mund të interpretohet në mënyrë që të mos përjashtojë martesën mes dy burrave apo dy grave. Megjithatë, në të kundërt, të gjitha Nenet e tjera thelbësore që japin të drejta dhe liri “çdokujt” ose shprehen se “askush” nuk mund t’i nënshtrohet llojeve të caktuara të trajtimit të ndaluar. Kështu, zgjedhja e fjalëve në nenin 12 duhet të konsiderohen si e qëllimshme, mbajtur këtu parasysh edhe kontekstin historik në të cilin Konventa u miratua. Në 1950 martesa konsiderohej në kuptimin tradicional një bashkim ndërmjet partnerëve të seksit të kundërt.
56. Për sa i përket lidhjes midis të drejtës për t’u martuar dhe të drejtës për të krijuar një familje, Gjykata tashmë e ka shprehur qëndrimin e saj se paaftësia e çdo çifti për të ngjizur apo për t’u kujdesur për një fëmijë, nuk mund të përbëjë per se arsye për refuzimin e të drejtës për martesë (Christine Goodwin, cituar më sipër, § 98). Megjithatë, ky qëndrim që ka mbajtur gjykata, nuk lejon daljen në asnjë konkluzion në lidhje me martesën ndërmjet të njëjtit seks.
57. Gjithsesi ankuesit nuk u mbështetën vetëm në interpretimin e tekstit të Nenit 12. Në thelb ata u mbështetën tek jurisprudenca e Gjykatës, në bazë të së cilës, Konventa është një instrument i gjallë, që duhet interpretuar në kushtet e sotme (shih EB k. France [GC], nr. 43546/02, § 92, ECHR 2008..., dhe Christine Goodwin, cituar më sipër, §§ 74-75). Sipas meditimit të ankuesve, Neni 12, në ditët e sotme duhet interpretuar se lejon martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks, e thënë me fjalë të tjera, detyron Shtetet që nëpërmjet legjislacionin vendas t’u japin të drejtë çifteve të seksit të njëjtë për t’u martuar.
58. Gjykata nuk është bindur nga argumentimi i ankuesve. Edhe pse, siç theksohet në Christine Goodwin, institucioni i martesës ka pësuar ndryshime të mëdha sociale që prej miratimit të Konventës, Gjykata vëren se nuk ka konsensus evropian në lidhje me martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks. Aktualisht jo më shumë se gjashtë nga dyzet e shtatë shteteve të Konventës lejojnë martesën ndërmjet partnerëve me seks të njëjtë (shih paragrafin 27 më sipër).
59. Si Qeveria e paditur, ashtu edhe Qeveria palë e tretë, e kanë theksuar me të drejtë se, çështja konkrete duhet dalluar nga çështja e Christine Goodwin. Në atë çështje (cituar më sipër, § 103) Gjykata vërejti një konvergjencë të standardeve në lidhje me martesën e transseksualëve pas ndërrimit të gjinisë. Për më tepër, çështja e Christine Goodwin kishte të bënte me martesën ndërmjet partnerëve të sekseve të ndryshme, në qoftë se gjinia nuk është përcaktuar me kritere thjesht biologjike, por janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë duke përfshirë ndryshimin e seksit të njërit prej partnerëve.
60. Duke iu rikthyer krahasimit të Nenit 12 të Konventës dhe Nenin 9 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (Karta), Gjykata tashme ka pohuar se ky i fundit qëllimisht i është shmangur terminologjisë “burri dhe gruaja” (shih Christine Goodwin, cituar më sipër, § 100). Komentari i Kartës, e cila u bë ligjërisht e detyrueshme në Dhjetor 2009, konfirmon se Neni 9 është menduar të jetë më i shtrirë në qëllimin e tij sesa nenet përkatëse në instrumente të tjerë të të drejtave të njeriut (shih paragrafin 25 më sipër). Në të njëjtën kohë, referenca që bëhet ndaj legjislacionit vendas tregon për ndryshimet në mënyrën sesi Shtete të ndryshme rregullojnë martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks, duke variuar nga legjislacione që i lejojnë, në ato që i ndalojnë në mënyrë të shprehur. Duke iu referuar legjislacionit kombëtar, Neni 9 i Kartës, e lë në gjykimin e vet Shtetit për të lejuar ose jo martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks. Siç shprehet në komentar"... kjo mund të kuptohet se nuk ka asnjë pengesë për të njohur marrëdhëniet ndërmjet personave të të njëjtit seks në kontekstin e martesës, por nuk ka kërkesë të shprehur se ligjet vendase duhet të lehtësojnë martesa të tilla. "
61. Duke mbajtur parasysh Nenin 9 të Kartës, Gjykata tashmë nuk vlerëson se e drejta për t’u martuar e sanksionuar në Nenit 12 të Konventës, detyrimisht e kufizon zbatimin e saj të personat që i përkasin seksit të kundërt. Si rrjedhojë, nuk mund të thuhet se Neni 12 nuk mund të përdoret nga ankuesit në kërkesën e tyre. Pavarësisht kësaj, lejimi ose jo i martesës ndërmjet personave të të njëjtit seks, rregullohet nga legjislacionet vendase të Shteteve.
62. Lidhur me sa më sipër, Gjykata vërejti se martesa përfshin elementë shoqërorë dhe kulturorë, dhe rrjedhimisht, perceptimi i saj ndryshon shumë nga një shoqëri në një tjetër. Gjykata përsërit se nuk nxitohet të zëvendësojë gjykimin e autoriteteve kombëtare me gjykimin e saj, duke qenë se janë vetë autoritet vendore ato që vlerësojnë dhe u përgjigjen më mirë nevojave të shoqërisë.
63. Si përfundim, gjykata çmon se Neni 12 i Konventës, nuk i detyron Qeveritë e paditura për të lejuar martesën për çiftet e seksit të njëjtë, siç janë edhe ankuesit.
64. Në këto kushte, Gjykata vendos se nuk ka shkelje të Nenit 12 të Konventës.
III. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 14 NË LIDHJE ME NENIN 8 TË KONVENTËS
65. Kërkuesit ankoheshin për diskriminim mbi baza orientimi seksual, duke qenë se u ishte mohuar e drejta për t’u martuar dhe për mos pasur mundësi që lidhja e tyre të njihej ligjërisht para hyrjes në fuqi të Ligjit për Marrëdhëniet e Regjistruara; si rrjedhojë pretendonin shkelje të Nenit 14, në lidhje me Nenin 8 të Konventës.
Neni 8 parashikon si më poshtë:
1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
Neni 14 parashikon si më poshtë:
Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.
Pranueshmëria Shterimi i mjeteve të brendshme
66. Qeveria parashtroi, në pretendimet e saj me shkrim se, ankuesit ishin ankuar përpara autoriteteve vendase vetëm për pamundësinë për t’u martuar. Kështu çdo pretendim tjetër i sjelle nga ana e tyre përpara Gjykatës, qoftë në mënyrë të shprehur, qoftë e nënkuptuar, duhet të shpallet e papranueshme për mosshterimin e mjeteve të brendshme. Gjithsesi Qeveria nuk e solli këtë argument në seancën me gojë. Përkundrazi, ajo pohoi se çështja e marrëdhënies së regjistruar duhej të konsiderate e pandarë me çështjen konkrete.
67. Ankuesit e kundërshtuan pretendimin e Qeverise për mosshterim të mjeteve të brendshme, duke argumentuar se çështja e diskriminimit të tyre si çift me partnerë me seks të njëjtë ishte pjesë e ankimit të tyre dhe se ata iu referuan jurisprudencës se Gjykatës për zbatimin e Nenit 14, në lidhje me Nenin 8 në ankimin e tyre kushtetues.
68. Gjykata ripohoi se Neni 35 i Konventës, kërkonte, që kërkesa përpara se të dërgohej në Strasburg, të shteronte mjetet e brendshme, duke iu drejtuar një autoriteti vendas kompetent, në përputhje me procedurat formale të kërkuara dhe afatet kohore të përcaktuara në legjislacionin e brendshëm (shih Akdivar dhe të Tjerë kundër Turqisë, 16 shtator 1996, § 66, Raportet e aktgjykimeve dhe vendimeve 1996 IV)
69. Procedurat e brendshme në rastin konkret lidhen me refuzimin e autoriteteve për të lejuar martesën e ankuesve. Duke qenë se mundësia për të hyrë në një marrëdhënie të regjistruar në kohën përkatëse nuk eksitonte, është e vështirë të shihet se si ankuesit mund të kenë ngritur çështjen e njohjes ligjore të marrëdhënies së tyre, përveçse duke u përpjekur të lidhnin martesë. Rrjedhimisht, ankesa e tyre kushtetuese fokusohej në mungesën e të drejtës për të lidhur martesë. Megjithatë, ata gjithashtu u ankuan, të paktën në thelb, për mungesën e çfarëdo lloj mjeti tjetër për të njohur me ligj marrëdhënien e tyre. Kështu, Gjykata Kushtetuese mund ta trajtonte këtë çështje, dhe në të vërtetë, e trajtoi atë shkurt, edhe pse vetëm për të deklaruar se ishte detyrë e legjislatorit për të shqyrtuar se në cilat fusha ligji diskriminonte çiftet e sekseve të njëjta, duke iu mohuar disa të drejta që gëzonin çiftet e martuara. Në këto kushte, Gjykata është e mendimit se kërkuesit i kanë shteruar mjetet e brendshme.
70. Në çdo rast, Gjykata bashkohet me argumentimin nga ana e Qeverisë se mënyrat alternative të njohjes ligjore të marrëdhënies ndërmjet personave të të njëjtit seks janë të lidhura ngushtësisht me çështjen e mungesës të së drejtës për martese, dhe si e tillë duhet të konsiderohet si e pandarë me çështjen konkrete.
71. Në këto kushte, Gjykata vendosi mospranimin e pretendimit të Qeverisë, se ankuesit nuk i kishin shteruar mjetet e brendshme, në lidhje me shkeljen e pretenduar të Nenit 14, në lidhje me Nenin 8. Statusi “viktimë” i ankuesve
72. Në parashtrimet me gojë, Qeveria ngriti përpara Gjykatës pyetjen nëse ankuesit pretendonin ende se ishin “viktima” të shkeljes së pretenduar, edhe pas hyrjes në fuqi të Aktit mbi Regjistrimin e Marrëdhënieve.
73. Gjykata thekson se statusi i një ankuesit si “viktimë” e shkeljes së pretenduar varet nga fakti nëse dëmshpërblimi i është dhënë ankuesve nga autoritet kombëtare për shkeljen që ata pretendojnë përpara Gjykatës, dhe kur autoritete kombëtare kanë njohur qoftë shprehimisht qoftë në thelb se ka pasur shkelje të Konventës. Vetëm kur këto dy kushte plotësohen, natyra subsidiare e Konventës përjashton shqyrtimin e kërkesës (shih, për shembull, Scordino kundër Italisë (dhjetor), nr. 36813/97, ECHR 2003 - IV).
74. Në çështjen konkrete, Gjykata vlerëson se nuk është e nevojshme të shqyrtohet nëse është përmbushur kushti i parë, duke qenë se i dyti nuk është plotësuar gjithashtu. Gjykata qartësoi se Akti mbi Regjistrimin e Marrëdhënieve, është një çështje që ka të bëjë me politikat e një Shteti, dhe jo një mënyrë për të përmbushur obligimet që rrjedhin nga Konventa (shih paragrafin 80 më poshtë). Për sa më sipër, Akti nuk duhet konsideruar si një njohje që autoritet kombëtare i bëjnë shkeljes së Konventës, të pretenduar nga ankuesit. Rrjedhimisht Gjykata hedh poshtë kundërshtimet e Qeverise se ankuesit nuk mund të pretendojnë se janë “viktima” të shkeljes së Nenit 14 në lidhje me Nenin 8. Vlerësimi i Gjykatës
75. Gjykata vëren nga parashtrimet e palëve, se ankesa ngre çështje serioze të faktit dhe ligjit, sipas Konventës, dhe si të tilla duhet të shqyrtohen në themel. Si përfundim, Gjykata vendos se kërkesa nuk është haptazi e pabazuar, në kuptim të Nenit 35 § 3 të Konventës. Për më tepër Gjykata vëren se ajo nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër.
B. Themeli Parashtrimet e palëve
76. Kërkuesit parashtruan se thelbi i kërkesës se tyre ishte diskriminimi ndaj tyre si çift me partnerë me seks të njëjtë. Duke rënë dakord me argumentet e Qeverise për zbatimin e Nenit 14, në lidhje me Nenin 8, ata pohuan se dallimet për shkak të orientimit seksual, ashtu si dallimet për shkak të seksit, mund të bëhen vetëm për arsye të rëndësishme që i justifikojnë këto dallime. Sipas mendimit të ankuesve, Qeveria kishte dështuar në dhënien e arsye serioze që justifikonin përjashtimin e tyre nga e drejta për t’u martuar.
77. Më tej, ata shtuan, se në vendimin Karner (cituar më sipër, § 40) të Gjykatës, mbrojta e familjes tradicionale ishte një arsye e fortë dhe legjitime, por duhej të tregohej se një dallim duhej bërë për të realizuar këtë qëllim. Ankuesit argumentuan se përjashtimi nga martesa i personave me seks të njëjtë, nuk dukej se mbronte martesën tradicionale.
78. Në parashtrimet e tyre me gojë, duke reaguar në lidhje me miratimin e Aktit të Marrëdhënieve të Regjistruara, ankuesit pohuan se dallimet ndërmjet institucionit të martesës në njërën anë dhe marrëdhënies se regjistruar nga ana tjetër ishin ende diskriminuese. Kështu ata nënvizuan: Akti mbi Marrëdhëniet e Regjistruara nuk ofronte mundësi për t’u fejuar; ndërsa martesa lidhet para Zyrës për çështjet e Statusin personal, marrëdhëniet e regjistruara lidhen përpara Autoritetit të Distriktit Administrativ; partneri nuk kishte të drejta për kompensim në rast vdekje nga pakujdesia të partnerit tjetër; si dhe nuk ishte e qartë nëse përfitime të cilat i atribuoheshin “familjes” do i njiheshin gjithashtu marrëdhënieve të regjistruara dhe fëmijëve të njërit prej tyre që jetonin në banesën e përbashkët. Edhe pse kërkoheshin arsye veçanërisht të rënda për bërjen e dallimeve bazuar në orientimin seksual, Qeveria nuk kishte paraqitur arsye të tilla.
79. Qeveria pranoi se zbatohej Neni 14, në lidhje me Nenin 8 të Konventës. Ajo vijoi duke thënë se jurisprudenca e deriatëhershme marrëdhëniet homoseksuale i kishte përfshirë në nocionin e “jetës private”, por duheshin arsye të forta që edhe jetesa e përbashkët e çifteve me seks të njëjtë të përfshihej në fushën e veprimit të nocionit të “jetës familjare”.
80. Në lidhje me pajtueshmërinë me kërkesat e Nenit 14 të marrë në lidhje me Nenin 8, Qeveria pretendoi, se ishte brenda hapësirës se vlerësimit të ligjvënësit për t’u dhënë ose jo mundësi çifteve me seks të njëjtë për njohjen e marrëdhënies se tyre me ligj, në çdo lloj forme tjetër përveç martese. Ligjvënësi austriak kishte zgjedhur politikën e dhënies të një mundësie të tillë çifteve me seks të njëjtë. Sipas Aktit mbi Marrëdhëniet e Regjistruara, që kishte hyrë në fuqi më 1 janar 2010, partnerët e të njëjtit seks kishin mundësi të hynin në një marrëdhënie të regjistruar, e cila kishte një status mjaft të ngjashëm me martesën. Ligji i ri mbulonte fusha të tilla të ndryshme si ligjin civil dhe penal, ligjin e punës, të të drejtave sociale dhe të sigurimeve shoqërore, ligjin fiskal, ligjin mbi procedurën administrative, ligjin mbi mbrojtjen e të dhënave dhe të shërbimit publik, dhe çështjet e regjistrimit të pasaportës, si dhe ligjin mbi të huajt.
2. Parashtrimet e palëve të treta
81. Në lidhje me zbatimin e Nenit 8, Qeveria britanike parashtroi se pavarësisht se jurisprudenca e deriatëhershme e Gjykatës, nuk i përfshinte marrëdhëniet ndërmjet personave me seks të njëjtë në konceptin e “jetës familjare”, ato duheshin përfshirë brenda këtij koncepti në të ardhmen. Megjithatë, Neni 8 i lexuar në lidhje me Nenin 14, nuk duhet interpretuar se kërkon për marrëdhëniet ndërmjet të njëjtit seks, akses në institucionin e martesës, ose krijimin e formave të tjera alternative për njohjen ligjore.
82. Lidhur me justifikimin për dallimet në trajtim, Qeveria britanike kundërshtoi argumentet që ankuesit kishin marrë nga çështja Karner. Në atë çështje, Gjykata vërejti se përjashtimi i çifteve me seks të njëjtë, nga mbrojta që Ligji mbi Huan, i ofronte çifteve me seks të kundërt, nuk i shërbente mbrojtjes se konceptit tradicional të martesës. Problemi në çështjen konkrete është i ndryshëm: dhënia e së drejtës për martesë apo njohje alternative ligjore. Justifikimi për dallimin në trajtimin e çifteve me seks të njëjtë dhe atyre me seks të kundërt, gjendej në vetë Nenin 12 të Konventës.
83. Së fundi, Qeveria britanike parashtroi se në Mbretërinë e Bashkuar, Akti mbi Marrëdhëniet Civile i 2004, i cili kishte hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2005, kishte futur një sistem të regjistrimit të marrëdhënieve për çiftet e të njëjtit seks. Megjithatë, Akti u prezantua si një politikë për të promovuar drejtësi e barazi sociale dhe jo si një detyrim pozitiv i vendosur nga Konventa për të siguruar një mundësi të tillë. Në gjykimin e Qeverisë ky qëndrim është mbështetur nga vendimi i Gjykatës në Courten kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 4479/06, 4 nëntor 2008).
84. Katër organizata joqeveritare parashtruan në komentet e tyre të përbashkëta se Gjykata duhet të vendosë mbi çështjen nëse marrëdhëniet e çifteve me seks të njëjtë që jetojnë së bashku përfshihen brenda nocionit të "jetës familjare" sipas kuptimit të nenit 8 të Konventës. Ata vunë në dukje se kjo çështje kishte mbetur e hapur në Karner (cituar më sipër, § 33). Ata argumentuan se tashme është pranuar përgjithësisht se çiftet e të njëjtit seks ishin të aftë për të krijuar një marrëdhënie afatgjatë emocionale dhe seksuale ashtu si çiftet e sekseve të ndryshme si dhe, kishin nevojë, ashtu si dhe çiftet e sekseve të kundërta, që marrëdhënia e tyre të njihej me ligj.
85. Nëse Gjykata vërente se Neni 12 nuk kërkonte që Shtetet Kontraktuese t’u jepnin të drejtën për martese çifteve me seks të njëjtë, ajo duhet të trajtonte çështjen nëse Neni 14, i zbatuar në lidhje me Nenin 8 vendoste detyrim për të siguruar forma alternative për njohjen ligjore të marrëdhënies ndërmjet partnerëve me seks të njëjtë.
86. Katër organizatat joqeveritare iu përgjigjën pozitivisht asaj pyetje: së pari, përjashtimi i çifteve me seks të njëjtë nga disa të drejta të veçanta e përfitime që lidhen me martesën (të tilla si për shembull të drejtën e pensionit për partnerit që jeton), pa iu mundësuar forma të tjera alternative për ta korrigjuar këtë dallim, çon në diskriminim indirekt (shih Thlimmenos kundër Greqisë [GC], nr. 34369/97, § 44, ECHR 2000-IV). Së dyti, ata binin dakord me argumentet që ankuesin kishin marrë nga çështja Karner (cituar më lart). Së treti, ata pohuan kishte një konsensus evropian në rritje që mbështeste idenë se shtetet anëtare ishin nën një detyrim për të siguruar, nëse jo të drejtën për martesë, një formë alternativë të njohjes ligjore. Deri tani pothuajse 40% kishin legjislacion që lejonte çiftet e të njëjtit seks të regjistronin marrëdhëniet e tyre si martesë, apo nën një emër alternativ (shih paragrafët 27-28 më sipër)
3. Vlerësimi i Gjykatës
a. Zbatimi i Nenit 14, në lidhje me Nenin 8
87. Gjykata ka trajtuar një numër çështjesh që lidhen me diskriminim bazuar në orientimin seksual. Disa janë shqyrtuar sipas Nenit 8 i marrë më vete, konkretisht çështje lidhur me ndalimin sipas ligjit penal të marrëdhënieve homoseksuale ndërmjet persona madhorë (shih Dudgeon kundër Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1981, Seria A nr 45;. Norris kundër Irlandës, 26 tetor 1988, Seria A nr 142;. dhe Modinos kundër Qipros, 22 prill 1993, Seria A nr 259) dhe moslejimin e homoseksualëve në forcat e armatosura (shih Smith dhe Grady kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr 33985/96 dhe 33986/96, ECHR 1999 -VI). Çështje të tjera janë shqyrtuar në kuadrin e Nenit 14, i marrë së bashku me Nenin 8. Këto çështje trajtonin, inter alia, moshën e ndryshme sipas legjislacionit penal për t’u përfshirë në marrëdhënie homoseksuale, nga mosha e personave heteroseksual (L. dhe V. kundër Austrisë, nr. 39392/98 dhe 39829/98, ECHR 2003- I), dhënien e të drejtave prindërore (Salgueiro da Silva Mouta kundër Portugalisë, no.33290/96, ECHR 1999 - IX), lejimin e adoptimit të fëmijëve (Freté kundër Francës, nr. 36515/97, ECHR 2002-I, dhe EB kundër Francës, të cituar më lart) dhe të drejtën e ruajtjes së statusit të qiramarrësit pas vdekjes së partnerit (Karner, cituar më lart).
88. Në çështjen në fjalë, kërkuesit kanë formuluar ankesën e tyre në bazë të nenit 14 të marrë së bashku me nenin 8. Gjykata e vlerëson të përshtatshme të ndjekë të njëjtën qasje.
89. Siç Gjykata e ka pohuar vazhdimisht, Neni 14 plotëson dispozitat e tjera thelbësore të Konventës dhe të Protokolleve të saj. Ai nuk ka ekzistencë të pavarur përderisa ka efekt vetëm në lidhje me "gëzimin e të drejtave dhe lirive" të mbrojtura. Edhe pse zbatimi i nenit 14 nuk presupozon shkelje të këtyre dispozitave - dhe në këtë masë është autonom - nuk ka vend për zbatimin e tij përveçse në rastin kur faktet e çështjes përfshihen në fushën e veprimit të një ose më shumë prej tyre (shih, për shembull, E.B. kundër Francës, cituar më lart, § 47; Karner, cituar më lart, § 32, dhe Petrovic kundër Austrisë, 27 mars 1998, § 22, Raportet 1998 - II).
90. Është i pakundërshtueshëm fakti se marrëdhëniet e çifteve me seks të njëjtë, si në rastin e ankuesve, përfshihen brenda konceptit të “jetës private” Përveç kësaj, nisur nga komentet e palëve, Gjykata e gjen me vend të trajtojë çështjen nëse këto marrëdhënie përfshihen edhe në konceptin e “jetës familjare” apo jo.
91. Gjykata i referohet jurisprudencës së saj përsa i përket çifteve të sekseve të ndryshme, kur vëren se nocioni i familjes, sipas kësaj dispozite, nuk lidhet vetëm me marrëdhëniet martesore, por shtrihet edhe tek “familjet de facto”, ku partnerët jetojnë së bashku pavarësisht se jo të lidhur me martesë. Një fëmijë i lindur nga një marrëdhënie e tillë është ipso jure pjesë e asaj familjeje që nga momenti i lindjes (shih Elsholz kundër Gjermanisë [GC], nr 25735/94, § 43, ECHR 2000 VIII;. Keegan kundër Irlandës, 26 maj 1994, § 44, Seria A nr 290,. dhe gjithashtu Johnston dhe të Tjerë kundër Irlandës, 18 dhjetor 1986, § 56, Seria A nr. 112).
92. Në kundërshtim me sa më lart, jurisprudenca e Gjykatës ka pranuar se marrëdhëniet emocionale dhe seksuale të çifteve që u përkasin sekseve të njëjta përfshihet brenda konceptit të “jetës personale”, por ajo nuk ka vlerësuar se marrëdhënie të tilla mund të përfshiheshin në konceptin e “jetës familjare”, edhe kur kemi një bashkëjetesë të gjatë të partnerëve. Për të ardhur në atë konkluzion, Gjykata vlerësoi se, pavarësisht, tendencës në rritje në vendet Evropiane për njohjen ligjore dhe juridike, kjo është një fushë në të cilën Shtete Kontraktuese kanë hapësirë të gjerë vlerësimi (shih Mata Estevez kundër Spanjës (dhjetor), nr. 56501/00, ECHR 2001 -VI, me referenca të mëtejshme). Në çështjen Karner (cituar më lart), për sa i përket transferimit nga partneri që nuk jeton tek partneri që jeton i të drejtave të qiramarrjes, i cili përfshihet brenda nocionit të “banesës”, Gjykata e la të hapur pyetjen, nëse çështja, gjithashtu lidhej me konceptin e “jetës private dhe familjare” të ankuesve.
93. Gjykata vëren se që nga dhënia e vendimit Mata Estevez, një evolucion i shpejtë i përqasjes që shoqëria kishte kundrejt çifteve me seks të njëjtë ndodhi në një numër të madh Shtetesh (shih më lart, paragrafët 27-30). Disa dispozita të legjislacionit evropian, gjithashtu reflektojnë një tendence në rritje për t’i përfshirë marrëdhëniet e çifteve me partnerë të të njëjtit seks, brenda konceptit të “familjes” (shih paragrafin 26 më lart).
94. Sipas mendimit të Gjykatës është jo e natyrshme të mbështesësh pikëpamjen se në ndryshim nga çiftet me partnerë të sekseve të ndryshme, çiftet me partnerë me seks të njëjtë, nuk mund të gëzojnë “jetë familjare” në kuptimin e Nenit 8. Si rrjedhim, bashkëjetesa ankuesve, partnerë të seksit të njëjtë, të cilët janë de facto në një marrëdhënie të qëndrueshme, përfshihet brenda konceptit të “jetës familjare”, ashtu si çiftet me partnerë të seksit të ndryshëm në të njëjta kushte.
95. Gjykata vëren se çështja në fjalë përfshihet brenda koncepteve të “jetës private” dhe “jetës familjare”, sipas përcaktimit të Nenit 8. Rrjedhimisht ajo arrin në përfundimin se Neni 14, i marrë në lidhje me Nenin 8 zbatohet në këtë rast.
b. Pajtueshmëria e Nenit 14, i marrë së bashku me Nenin 8
96. Gjykata në jurisprudencën e saj është shprehur se që Neni 14 të zbatohet, duhet të ketë një dallim në trajtimin e personave në situata të ngjashme. Ky dallim konsiderohet diskriminues nëse nuk është objektiv dhe nuk ka arsye që e justifikojnë atë; me fjalë të tjera, nëse nuk bëhet për një qëllim të ligjshëm ose qëllimi që duhet të arrihet nuk është në përpjesëtim me mjetet që përdoren. Është në vlerësimin e Shteteve Kontraktuese se kur dhe në ç’masë dallimet në situata të ngjashme, justifikojnë dallimet në trajtim (shih Burden, cituar më lart, § 60).
97. Nga njëra anë, Gjykata në mënyrë të përsëritur ka theksuar se dallimet në bazë seksi dhe ato bazuar në orientimet seksuale, bëhen vetëm për arsye veçanërisht serioze që i justifikojnë ato (shih Karner, cituar më lart, § 37; L. dhe V. kundër Austrisë, cituar më lart, § 45, dhe Smith dhe Grady, cituar më lart, § 90). Nga ana tjetër, në bazë të Konventës, një hapësirë e madhe vlerësimi u lihet Shteteve për sa i përket masave lidhur me strategjitë sociale dhe ekonomike (shih, për shembull, Stec dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 65731/01, § 52, ECHR 2006 - VI).
98. Shtrirja e hapësirës së vlerësimit ndryshon sipas rrethanave, fushës dhe kontekstit të saj; prania ose mungesa e një emëruesi të përbashkët ndërmjet sistemeve juridike të shteteve kontraktuese mund të përbëjë një faktor të rëndësishëm në këtë këndvështrim (shiko Petroviç, cituar më lart, § 38).
99. Edhe pse asnjëra nga palët nuk e ka trajtuar specifikisht çështjen nëse ankuesit ishin në kushte të njëjta me çiftet me partnerë të seksit të kundërt, Gjykata e trajton këtë të fundit duke marrë për të mirëqenë se çiftet ku partnerët i përkasin të njëjtit seks, janë po aq të aftë sa çiftet me partnerë të seksit të kundërt, për të krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se ata janë në situatë të njëjtë me çiftet e seksit të kundërt, në atë që ata kanë nevojë për njohjen dhe mbrojtjen ligjore të marrëdhënies së tyre, ashtu si çiftet me partnerë të seksit të kundërt.
100. Ankuesit kundërshtuan duke pretenduar se ishin diskriminuar për shkak se ishin çift me partnerë të seksit të njëjtë, së pari duke mos pasur të drejtën për t’u martuar dhe së dyti, duke mos pasur forma të tjera alternative të njohjes ligjore të marrëdhënies së tyre, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit mbi Regjistrimin e Marrëdhënieve.
101. Më tej, Gjykata kundërshton pretendimin e ankuesve se e drejta për martesë nëse nuk përfshihet në Nenin 12, mund të derivojë nga Neni 4, i marrë në lidhje me Nenin 8. Ajo rikujton se Konventa duhet lexuar si një e tërë dhe se nenet e saj duhen interpretuar në harmoni me njëri-tjetrin (shih Johnston dhe të Tjerë, cituar më lart, § 57). Duke iu referuar përfundimit të arritur më lart se Neni 12 nuk detyron Shtet Kontraktuese për t’u dhënë të drejtën për martesë çifteve të të njëjtit seks, Neni 14 i marrë në lidhje me Nenin 8, një dispozitë e cila ka fushëveprimi dhe qëllim shumë më të gjerë, nuk mund të interpretohet se vendos një detyrim të tillë.
102. Lidhur me pretendim e dytë të ankuesve, pikërisht mungesa e formave të tjera alternative të njohjes ligjore, Gjykata vërejti se në kohën kur ankuesit depozituan ankimin e tyre, ata nuk kishin asnjë mundësi ligjore, bazuar në Ligjin austriak, për të njohur ligjërisht marrëdhënien e tyre. Kjo situatë vazhdoi deri me hyrjen në fuqi të Ligjit mbi Regjistrimin e Marrëdhënieve në datën 1 Janar 2010.
103. Gjykata përsërit se në shqyrtimin e një çështje që ka si fillesë një kërkesë individuale, ajo duhet ta kufizojë veten, për aq sa është e mundur, në shqyrtimin e rastit konkret përpara saj (shih F. kundër Zvicrës, cituar më lart, § 31). Duke qenë se momentalisht, ankuesit kanë të drejtë të regjistrojnë marrëdhënien e tyre, Gjykata nuk është ftuar të shqyrtojë nëse mungesa e mjeteve për njohjen ligjore të marrëdhënies do të vazhdonte të ekzistonte ende sot, do të kishim apo jo shkelje të Nenit 14 të marrë në lidhje me Nenin 8.
104. Ajo që mbetet për t’u shqyrtuar në rrethanat e çështjes në fjalë është nëse shteti i paditur duhet t’u kishte dhënë ankuesve një mjet alternativ të njohjes ligjore të marrëdhënies së tyre më herët në kohë.
105. Gjykata nuk mund të mos vërejë se ekziston një konsensus evropian në rritje në lidhje me njohjen ligjore të çifteve të seksit të njëjte. Për më tepër, kjo tendencë është zhvilluar me shpejtësi gjatë dekadës së kaluar. Megjithatë, ende shumica e Shteteve nuk ofrojnë njohje ligjore të marrëdhënies së çifteve të seksit të njëjtë. Pra, çështja në fjalë konsiderohet ende si një nga ato të drejta që janë në zhvillim, por që ende nuk ka një konsensus të përgjithshëm për rregullimin e tyre, dhe Shtetet gëzojnë një hapësirë të gjerë vlerësimi edhe në lidhje me kohën për të bërë ndryshimet në legjislacionet përkatëse kombëtare (shih Courten, cituar më lart, shih gjithashtu M.W. kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 11313/02, 23 qershor 2009, të dyja në lidhje me miratimin e Ligjit për Marrëdhëniet Civile në Mbretërinë e Bashkuar).
106. Ligji Austriak mbi Regjistrimin e Marrëdhënieve, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2010, pasqyron ecurinë e përshkruar më lart dhe është kështu, pjesë e konsensusit Evropian në zhvillim. Edhe pse jo në pararojë, ligjvënësi austriak nuk mund të fajësohet për faktin se nuk e ka miratuar më herët këtë ligj (shih, mutatis mutandis, Petroviç, cituar më lart, § 41).
107. Së fundi, Gjykata do të shqyrtojë pretendimet e ankuesve se ende diskriminohen si çift me partner të seksit të njëjtë, për faktin se ekzistojnë dallime ndërmjet statusit të martesës në njërën anë dhe marrëdhënies së regjistruar nga ana tjetër.
108. Gjykata niset nga gjetjet e saj më lart, se Shtetet janë ende të lirë, sipas Nenit 12 të Konventës, si dhe në bazë të Nenit 14 i marrë në lidhje me Nenin 8, të kufizojnë të drejtën për t’u martuar vetëm për çiftet me partnerë të seksit të kundërt. Megjithatë ankuesit argumentojnë se nëse një shtet u ofron çifteve me partnerë të seksit të njëjtë një mjet alternativ të njohjes ligjore, ai është i detyruar t’u akordoj një status që - edhe pse mban një emërtim tjetër - i korrespondon institucionit të martesës në çdo aspekt. Gjykata nuk është dakord me këtë argumentim. Ajo kundërshton, duke pohuar se Shtetet gëzojnë një hapësirë vlerësimi për sa i përket statusit që jepet nga mjetet alternative të njohjes ligjore.
109. Gjykata vëren se Ligji mbi Regjistrimin e Marrëdhënieve i jep ankuesve një mundësi për të marrë një status ligjor të barabartë ose të ngjashëm me martesën në shumë aspekte (shih paragrafët 18-23 më lart). Ndërsa ka dallime të vogla vetëm në lidhje me pasojat materiale, disa dallime thelbësore mbeten në lidhje me të drejtat prindërore. Megjithatë, kjo përputhet në tërësi me tendencën në shtetet e tjera anëtare (shih paragrafët 32-33 më lart). Për më tepër, Gjykata nuk është thirrur në këtë rast për të shqyrtuar çdonjërin prej këtyre dallimeve në detaje. Për shembull, gjykata nëse do shqyrtonte faktin se kufizimet e mbetura lidhur me fekondimin artificial dhe adoptimin ishin të justifikuara apo jo, që në fakt ankuesit nuk e pretenduan në ankimin e tyre, atëherë ajo do dilte jashtë objektit të ankimit. Gjykata vlerëson në tërësi, se shteti i paditur nuk ka tejkaluar hapësirën e tij të vlerësimit në përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve të fituara nga marrëdhënia e regjistruar.
110. Në përfundim, Gjykata konstaton se nuk ka shkelje të Nenit 14 të marrë në lidhje me Nenin 8.
III. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 1 TË PROTOKOLLIT NR. 1
111. Ankuesit pretenduan se ishin të disavantazhuar, krahasuar me çiftet e martuara, në sferën financiare, në veçanti sipas ligjit për taksat. Ata i referoheshin Nenit 1 të Protokollit Nr.1, i cili parashikon si më poshtë:
“ Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.
Pranueshmëria
112. Në parashtrimet e tyre me shkrim Qeveria kërkonte të deklarohej i papranueshëm për mosshterim, ankimi i ankuesve për diskriminim të mundshëm në sferën financiare. Megjithatë, ajo nuk ndoqi në mënyrë të shprehur këtë argument në parashtrimet me gojë para Gjykatës.
113. Gjykata vëren se ankuesit prekën çështjen e diskriminimit në sferën financiare, veçanërisht lidhur me ligjin e taksave, në ankimin e tyre para Gjykatës Kushtetuese për të ilustruar pretendimin e tyre kryesor, domethënë se diskriminoheshin si një çift me partnerë të seksit të njëjtë duke qenë se ata nuk kishin të drejtë për t’u martuar.
114. Në rrethanat e çështjes në fjalë, Gjykata nuk është thirrur për të gjykuar nëse janë shteruar mjetet e brendshme ligjore. Ajo vëren se në kërkesën e tyre në Gjykatë, ankuesit nuk kanë dhënë asnjë detaj në lidhje me shkeljen e Nenit 1 të Protokollit Nr.1. Për sa më sipër, Gjykata konsideron se kjo ankesë nuk është e mbështetur.
115. Si rrjedhim, ky ankim deklarohet haptazi i pambështetur dhe rrëzohet sipas Nenit 35 §§ 3 dhe 4 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA :
Rrëzon njëzëri kërkesën e Qeverise për çregjistrimin e çështjes;
Deklaron ankimin sipas Nenit 12 të Konventës të pranueshëm me gjashtë vota pro dhe një kundër;Deklaron njëzëri ankimin, sipas Nenit 14 të Konventës i marrë në lidhje me Nenin 8 nga ana e ankuesve, të pranueshëm;Deklaron njëzëri pjesën tjetër të ankimit të papranueshëm;Vlerëson se nuk ka pasur shkelje të Nenit 14, i marrë në lidhje me Nenin 8 të Konventës me katër vota pro dhe tre kundër.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 5 Maj 2011, sipas Nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores se Gjykatës.
André Wampach Christos Rozakis
Zv/ Kancelar President
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo komerciale me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime komerciale, ju lutem kontaktoni: publishing@echr..
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@echr..
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@echr..
Full & Egal Universal Law Academy