© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I PESTË
ÇËSHTJA SEGAME SA k. FRANCËS
(Kërkesëpadi nr. 4837/06)
VENDIM
STRASBURG
7 qershor 2012
I FORMËS SË PRERË
07/09/2012
Ky vendim është i formës së prerë.
Në çështjen Segame SA k. Francës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Pestë), e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Elisabet Fura,
Karel Jungwiert,
Mark Villiger,
Ann Power-Forde,
Ganna Yudkivska,
André Potocki, gjyqtarë,
dhe nga Stephen Phillips, zëvendëssekretar seksioni,
Pasi e shqyrtoi çështjen në seancë të mbyllur më 10 maj 2012,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 4837/06) e drejtuar kundër Republikës Franceze dhe me anë të së cilës një shoqëri e regjistruar sipas të drejtës franceze, shoqëria Segame SA (“paditësja”), i është drejtuar Gjykatës më 16 janar 2006 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Shoqëria paditëse është përfaqësuar nga Z. P. Schiele, avokat në Paris, të cilit ia ka zënë vendin Z. E. Morain, avokat në Paris. Qeveria franceze (“Qeveria”) është përfaqësuar prej agjentes së saj, Znjës E. Belliard, drejtore e Çështjeve Juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
3. Paditësja ankohet veçanërisht për shkeljen e nenit 6 § 1 të Konventës, për arsyen se nuk i qenka dhënë mundësi që t’i drejtohet një gjykate me juridiksion të plotë lidhur me një gjobë tatimore që i është vënë asaj.
4. Më 9 tetor 2008, kërkesëpadia i është njoftuar Qeverisë. Ashtu siç e lejon neni 29 § 1 i Konventës, përveç kësaj është vendosur që dhoma do të shprehej në të njëjtën kohë edhe rreth pranueshmërisë, edhe në themel.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Paditësja është një shoqëri anonime e regjistruar sipas të drejtës franceze dhe me seli në Paris.
6. Paditësja administronte një galeri arti në Paris. Me vendimet e datave 13 shtator dhe 8 nëntor 1993, Gjykata Tregtare e Parisit e shpalli atë në riorganizim e pastaj në likuidim gjyqësor. Më 21 dhjetor 2004, kjo gjykatë shpalli mbylljen e veprimeve të likuidimit për arsye shuarjeje të pasivit.
A. Procedura e rivlerësimit tatimor
7. Paditësja u bë, nga 27 tetori 1993 deri më 12 prill 1994, objekt i një verifikimi kontabiliteti për periudhën prej 1 janarit 1991 deri më 8 nëntor 1993. Administrata tatimore i drejtoi asaj më 6 maj e më 5 tetor 1994 dy njoftime për rivlerësime, përkatësisht për vitin 1991 dhe vitet 1992 e 1993, lidhur sidomos me rivlerësime takse mbi metalet e çmuara, stolitë, objektet e artit, të koleksionit e të antikuariatit (më tej “taksa mbi objektet e artit”), në zbatim të dispozitave të neneve 302 bis A deri 302 bis E të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve (të bërë më 1993 nenet 150 V bis deri 150 V sexies të të njëjtit kod).
8. Këto rivlerësime shoqëroheshin me interesa për shkak vonese, si edhe me gjobën e parashikuar nga neni 1788 ter i Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve (i bërë 1770 octies më 1993), të barabartë me 100% të detyrimeve të shmangura. Ato u bënë objekt të një urdhërpagese të 25 janarit 1995 për një shumë të përgjithshme prej 15 927 514 frangash franceze (FRF, ose 2 428 133 euro (EUR)), nga të cilat 7 963 757 FRF (1 214 066,93 EUR) për gjobën.
9. Më 24 dhjetor 1997, paditësja, e përfaqësuar prej të autorizuarit të saj gjyqësor, paraqiti një ankim pranë drejtorit të shërbimeve tatimore, duke kërkuar zbritjen e plotë të detyrimeve dhe gjobave që i ishin caktuar për t’u vjelë. Ajo pretendonte, nga njëra anë, se taksa mbi objektet e artit barazohej ose me një tatim mbi vlerën e shtuar që binte në kundërshtim me Direktivat 77/388/CEE dhe 94/5/CE të Këshillit, të cilat vendosnin një regjim të veçantë konkretisht në fushën e objekteve të artit e të koleksionit, ose me një taksim të mbivlerave që përbënte një masë me efekt të barasvlershëm me një kufizim të eksportit apo me një tatim të brendshëm, të ndaluar nga nenet 34 e 95 të Traktatit të Romës. Paditësja, nga ana tjetër, mbronte mendimin se këto gjoba, të cilat mund të barazoheshin me dënime penale në kuptimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ishte dashur të shpalleshin nga gjyqtari.
10. Më 8 qershor 1998, drejtori i shërbimeve tatimore e hodhi poshtë ankimin. Ai vuri në dukje se taksa objekt i kësaj mosmarrëveshjeje nuk mund të quhej njëlloj si një tatim mbi vlerën e shtuar dhe se ajo nuk e cenonte qarkullimin e lirë të mallrave, meqenëse ajo zbatohej pa dallim mbi shitjet e kryera në Francë dhe në çdo shtet tjetër anëtar të Komunitetit Evropian. Ai vuri në dukje, nga ana tjetër, se Gjykata e kishte pranuar në vendimin Bendenoun k. Francës (24 shkurt 1994, seria A nr. 284) vlefshmërinë e regjimit të sanksioneve administrative në vështrim të nenit 6 § 1 të Konventës, mjaftonte që zbatimi i tyre të kontrollohej nga një gjyqtar.
B. Procedura për shkarkimin nga rivlerësimet e taksës mbi objektet e artit dhe nga penalitetet lidhur me to
11. Më 31 korrik 1998, paditësja iu drejtua Gjykatës Administrative të Parisit me një padi për mosmarrëveshje të plotë, e cila synonte shkarkimin nga rivlerësimet e taksës mbi objektet e artit që i ishin kërkuar për vitet 1991 deri 1993 dhe nga penalitetet e lidhura me to, duke përsëritur argumentimin e shtjelluar në ankimin e saj.
12. Me vendimin e datës 4 nëntor 2004, Gjykata e rrëzoi padinë. Lidhur me përputhshmërinë e gjobës tatimore me nenin 6 § 1 te Konventës, Gjykata rikujtoi se gjyqtari i tatimeve ushtronte kontrollin e vet të plotë mbi faktet e përmendura e mbi cilësimin e bërë nga administrata dhe vendoste, në çdo rast, sipas rezultateve të këtij kontrolli, ose për ta lënë në fuqi a për ta zbatuar gjobën tatimore përkatëse për shumën e parashikuar nga ligji, pa mundur ta ndryshojë këtë shumë në funksion të rrethanave të çështjes, ose, në qoftë se vlerësonte që administrata nuk e provonte se ishin kryer shkeljet e Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve, për të mos ia vënë këtë gjobë tatimore taksapaguesit në ngarkim. Gjykata çmoi për rrjedhojë se neni 6 § 1 nuk nënkuptonte medoemos që gjyqtari i tatimeve të ketë fuqi për ta ndryshuar shumën e gjobës tatimore duke marrë parasysh rrethanat e çështjes në fjalë.
13. Më 10 janar 2005, paditësja bëri ankim në Gjykatën Administrative të Apelit të Parisit.
14. Gjatë kësaj instance, Urdhëresa nr. 1512 e 7 dhjetorit 2005 e zvogëloi gjobën e parashikuar nga neni 1788 (i bërë më 1993 neni 1770 octies) i Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve nga 100% në 25% të detyrimeve të shmangura.
15. Më 13 shkurt 2006, administrata shpalli një zbritje të pjesshme të gjobës deri në shumën 910 549,93 EUR dhe, më 6 korrik 2006, një zbritje të detyrimit të prapambetur të taksës mbi objektet e artit për shumën 28 735,12 EUR për arsye të një gabimi në llogaritje.
16. Përpara Gjykatës Administrative të Apelit, paditësja ngriti të njëjtat argumente si ato të përmendura përpara Gjykatës Administrative të shkallës së parë.
17. Me vendimin e 24 nëntorit 2006, Gjykata Administrative e Apelit, pasi mbajti shënim zbritjet dhe tha se nuk kishte më vend që të shprehej për shumat e zbritura, e la në fuqi vendimin e shkallës së parë për sa i përkiste themelit, duke ndryshuar sidoqoftë në zbritje çmimin që kishte caktuar administrata për një vepër të blerë nga paditësja. Ajo hodhi poshtë, pas një shqyrtimi të hollësishëm, argumentet e ngritura nga kjo e fundit në formë e në themel, që kishin të bënin sidomos me kundërshtinë e taksës me të drejtën komunitare ose që kundërshtonin ngarkimin e saj me përgjegjësi për blerjen e disa veprave. Gjykata Administrative e Apelit e rrëzoi nga ana tjetër atë argument lidhur me gjobën i cili bazohej te neni 6 § 1 i Konventës, me një arsyetim të ngjashëm me atë të Gjykatës Administrative, duke theksuar se gjyqtari administrativ kishte një kompetencë juridiksioni të plotë në përputhje me nenin 6 § 1, e cila nuk nënkuptonte, kur vetë ligjvënësi kishte caktuar një masë unike për gjobën në fjalë, që gjyqtari të mund ta ndryshonte vënien e saj në zbatim duke caktuar një masë më të ulët.
18. Paditësja iu drejtua me një rekurs Këshillit të Shtetit, duke ngritur veçanërisht çështjen e papajtueshmërisë së taksës me të drejtën komunitare, në njërën anë, dhe atë të gjobës me nenin 6 § 1 të Konventës, në anën tjetër, përderisa ajo nuk mund të ndryshohej nga gjyqtari në varësi të seriozitetit të sjelljes së taksapaguesit sipas një tabele që i takonte ligjvënësit për ta caktuar.
19. Me një vendim të 27 qershorit 2008, Këshilli i Shtetit e rrëzoi rekursin. Ai u shpreh kështu rreth gjobës së vënë:
“Duke pasur parasysh (...) se, nga njëra anë, për ta përpjesëtuar masën e gjobës me shkeljen, Urdhëresa e 7 dhjetorit 2005 e ka caktuar këtë masë në 25%; se, nga ana tjetër, gjyqtari i tatimeve, pasi ka ushtruar kontrollin e tij të plotë mbi faktet e përmendura dhe mbi cilësimin e bërë nga administrata, vendos, në çdo rast, sipas rezultateve të këtij kontrolli, ose të lërë në fuqi shtesën e dhënë si dënim nga administrata, ose të shpallë përjashtimin prej saj nëse çmon që taksapaguesi nuk ka kryer kundërvajtje ndaj rregullave të zbatueshme në fushën e objekteve të artit dhe se ai ka kështu një fuqi juridiksioni të plotë në përputhje me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 6 të Konventës (...), të cilat nuk nënkuptojnë, kur vetë ligjvënësi ka caktuar një masë unike për gjobën në fjalë, që gjyqtari të mund ta ndryshojë vënien e saj në zbatim duke caktuar një masë më të ulët sesa ajo e parashikuar nga ligji; se kështu, duke mos e hedhur poshtë në rastin e çështjes në fjalë zbatimin e gjobës së parashikuar në nenin 1761 të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve, Gjykata [Administrative e Apelit] nuk ka bërë gabim juridik.”
C. Procedurat lidhur me përcaktimin e bazës së tatueshme dhe me modalitetet e vjeljes së taksës mbi objektet e artit
1. Procedura lidhur me bazën e tatueshme
20. Më 5 prill 2005, paditësja iu drejtua Këshillit të Shtetit me dy rekurse që synonin shfuqizimin e interpretimit, nga ana e ministrit të Ekonomisë, të Financave dhe të Industrisë (“ministri”), të Ligjit fiskal që figuronte në dokumentacionin administrativ bazë (në versionet e tij të njëpasnjëshme të përditësuara më 15 tetor 1989 dhe më 15 qershor 1993), sipas të cilit ministri jepte si përkufizim të bazës së taksës mbi objektet e artit çmimin e tyre të shitjes, duke përfshirë aty edhe shpenzimet e ndërmjetësimit.
21. Paditësja vinte në dukje se ligjvënësi kishte kompetencë ekskluzive për t’u shprehur rreth krijimit të një tatimi dhe për të caktuar elementet vendimtare lidhur me vënien e me vjeljen e tij dhe se, për këtë arsye, ministri, në emër të të cilit ishte hartuar ky dokumentacion administrativ, e kishte tejkaluar kompetencën e tij.
22. Gjatë instancës, taksa u bë objekt i një rishkrimi të plotë dhe i një ndryshimi numërtimi, përmes nenit 33 të Ligjit korrigjues të financave për vitin 2005, të miratuar më 30 dhjetor 2005 e te hyrë në fuqi më 1 janar 2006. Duke u bërë kjo, dispozitat lidhur me bazën e taksës, të cilat ndodheshin më parë në dokumentacionin administrativ, dhe ato lidhur me modalitetet e vjeljes, që ndodheshin në pjesën e rregulloreve të Kodit të përgjithshëm të Tatimeve, u përfshinë në pjesën legjislative të Kodit.
23. Me vendimin e 10 shkurtit 2006, Këshilli i Shtetit i bashkoi rekurset dhe i rrëzoi. Ai qe i mendimit se nga dispozitat në fjalë të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve dilte se ligjvënësi kishte pasur ndër mend “në mënyrë të heshtur, por medoemos” ta bazonte taksën mbi objektet e artit te shuma e shitjeve dhe se, në mungesë të saktësisë rreth kësaj pike, çmimi i shitjes i përllogaritur si bazë e taksës duhej të kuptohej se i përfshinte të gjitha shpenzimet e përballuara nga blerësi. Në këto kushte, Këshilli i Shtetit çmoi që, duke parashikuar se taksa mbi objektet e artit ishte e bazuar te çmimi i tyre i shitjes, duke përfshirë shpenzimet e ndërmjetësimit, ministri ishte kufizuar të jepte vetëm interpretimin që kërkonin dispozitat e diskutueshme dhe që ai as kishte caktuar rregulla të reja, as e kishte njollosur vendimin e tij me mungesë kompetence.
2. Procedura lidhur me modalitetet e vjeljes së taksës
24. Më 21 qershor 2005, paditësja iu drejtua Këshillit të Shtetit me dy rekurse për shfuqizim të vendimeve me anë të të cilave kryeministri kishte hedhur poshtë në mënyrë të heshtur kërkesat e saj për shfuqizimin e dispozitave të rregullave të nxjerra në zbatim të Ligjit të 19 korrikut 1976 (i cili krijonte taksën mbi objektet e artit) dhe për modalitetet e vjeljes së taksës. Ajo mbronte mendimin se dispozitat e vëna në shënjestër ndërhynin në fushën e ligjit dhe, për pasojë, ishin vendosur nga një autoritet jo kompetent. Ajo pretendonte përveç kësaj se dispozitat legjislative në fuqi, për sa i takonte faktit se kush e kishte detyrimin ligjor për ta paguar këtë taksë të diskutueshme, ishin të turbullta e të paqarta, në shkelje të parimit të ligjshmërisë së veprave penale dhe të dënimeve, të sanksionuar nga neni 7 i Konventës.
25. Me vendimin e 5 majit 2006, Këshilli i Shtetit i bashkoi rekurset dhe i rrëzoi. Ai çmoi, nga njëra anë, se pushteti rregullvënës ishte kufizuar duke saktësuar modalitetet e vjeljes së taksës në fjalë në përputhje me dispozitat e Ligjit të 19 korrikut 1976 dhe nuk e kishte tejkaluar kompetencën e tij, e as termat e delegimit që i ishte dhënë atij. Ai qe i mendimit, nga ana tjetër, se argumenti i mbështetur te parimi i ligjshmërisë së veprave penale dhe të dënimeve, i sanksionuar nga neni 7 i Konventës, ishte gjithsesi i pavlerë në mbështetjen e konkluzioneve që synonin shfuqizimin e mospranimit për t’i zhvleftësuar ato dispozita rregulloresh që viheshin në shënjestër.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Tekstet e brendshme përkatëse
26. Taksa me tarifë fikse mbi objektet e artit përbën një modalitet të veçantë tatimi të mbivlerave. Ajo është vendosur me nenin 10 të Ligjit të 19 korrikut 1976 “për tatimin e mbivlerave dhe krijimin e një takse me tarifë fikse mbi metalet e çmuara, stolitë, objektet e artit, të koleksionit e të antikuariatit”. Në kohën e ngjarjeve, ajo figuronte deri më 1993 te nenet 302 bis A deri 302 bis E të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve, pastaj deri më 31 dhjetor 2005 në nenet 150 V bis e 150 V sexies të të njëjtit kod. Në pjesën e tyre që lidhet me çështjen në fjalë, këto nene shprehen kështu:
Neni 150 V bis
“Përveç dispozitave të veçanta që u përkasin posaçërisht fitimeve profesionale, (...) shitjet e stolive, të objekteve të artit, të koleksionit e të antikuariatit i nënshtrohen një takse prej 7%[1] kur shuma e tyre i kapërcen 20 000 F; në ato raste kur kjo shumë përfshihet ndërmjet 20 000 F dhe 30 000 F, baza e tatueshme zvogëlohet me një shumë të barabartë me diferencën midis 30 000 F dhe shumës së lartpërmendur.
(...)
Këto dispozita janë gjithashtu të zbatueshme edhe për shitjet e realizuara në një shtet tjetër anëtar të Komunitetit Ekonomik Evropian.
(...)”
Neni 150 V ter
“Taksa e parashikuar në nenin 150 V bis përballohet nga shitësi. Ajo derdhet nga ndërmjetësi që merr pjesë në transaksion ose, në mungesë të tij, nga blerësi, brenda tridhjetë ditësh dhe me të njëjtat garanci si në fushën e taksave mbi xhiron. Sidoqoftë, kjo taksë derdhet, në të njëjtat kushte, nga shitësi, kur shitja realizohet në një shtet tjetër anëtar të Komunitetit Evropian.
Taksa nuk merret kur shitësi ushtron tregti të mallrave në fjalë si veprimtari profesionale.”
Neni 150 V sexies
“Shitësi i stolive dhe i objekteve të përmendura në pikën e dytë të paragrafit I të nenit 150 V bis mund të zgjedhë, përmes një deklarate të bërë në momentin e shitjes, regjimin e përcaktuar në nenet 150 A deri 150 T me kusht që të mundë të përligjë datën dhe çmimin e blerjes. Kushtet e zgjedhjes përcaktohen me dekret nga Këshilli i Shtetit.”
27. Ligji korrigjues i financave për vitin 2005 (nr. 2005-1720 i 30 dhjetorit 2005), i hyrë në fuqi më 1 janar 2006, i ka ndryshuar këto dispozita. Ligji kishte të bënte, sidomos, me faktin se kush e kishte detyrimin ligjor për ta paguar taksën mbi objektet e artit, me bazën e tatueshme dhe me modalitetet e vjeljes. Tanimë, neni 150 VK pika 1 e të njëjtit kod thotë:
“Taksa përballohet nga shitësi ose nga eksportuesi. Ajo është detyrim për atë ndërmjetës me seli si taksapagues në Francë që ka marrë pjesë në transaksion dhe nën përgjegjësinë e tij ose, në mungesë të tij, për shitësin ose eksportuesin. (...)”
28. Mosderdhja e taksës mbi objektet e artit përbën shkak për një gjobë tatimore. Në kohën e ngjarjeve, neni 1788 (i bërë më 1993 neni 1770 octies) i Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve përcaktonte:
“Shkeljet e neneve 150 V bis deri 150 V sexies përbëjnë shkak për një gjobë tatimore të barabartë me detyrimet e shmangura, e cila vilet si në rastin e taksës mbi xhiron.”
Urdhëresa nr. 2005-1512 e 7 dhjetorit 2005 lidhur me disa masa thjeshtëzuese në fushën tatimore dhe me harmonizimin e rregullimin e regjimit të penaliteteve e ka zvogëluar gjobën e parashikuar në nenin 1770 octies nga 100% në 25% të detyrimeve të shmangura. Neni 1770 octies i cituar më lart është bërë neni 1761 § 2 i Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve.
B. Ankimi për mosmarrëveshje të plotë përpara juridiksioneve administrative
29. Si traditë, bëhet dallim midis ankimit për mosmarrëveshje të plotë (fr. recours de plein contentieux), të quajtur gjithashtu ankim për juridiksion të plotë (fr. recours de pleine juridiction) përpara juridiksioneve administrative dhe ankimit për tejkalim kompetencash, i cili synon shfuqizimin e një akti administrativ. Në kuadrin e këtij të fundit, kompetencat e gjyqtarit administrativ janë të kufizuara: ai vetëm mund ta shfuqizojë me efekt prapaveprues vendimin e paligjshëm, por pa mundur të vlerësojë përshtatshmërinë e tij. Ndërsa në kuadrin e ankimit për mosmarrëveshje të plotë, kompetencat e gjyqtarit administrativ janë shumë më të gjera: ai mundet jo vetëm ta shfuqizojë ose ta lërë në fuqi një akt administrativ, por edhe ta ndryshojë atë, ta zëvendësojë vendimin e administratës me të vetin dhe të shprehet lidhur me të drejtat e të interesuarit. Gjithashtu, ai mundet që ta dënojë administratën për të paguar zhdëmtime dhe interesa. Nga ana tjetër, në kuadrin e ankimit për mosmarrëveshje të plotë, gjyqtari administrativ e vlerëson ligjshmërinë e vendimit që i jepet për gjykim në këndvështrimin e rrethanave juridike dhe faktike të asaj dite kur ai jep vendimin e tij ( dhe jo të ditës kur administrata ka marrë vendimin e saj, si në rastin e ankimit për tejkalim kompetencash).
Tek ankimet për mosmarrëveshje të plotë bëjnë pjesë sidomos ankimet për përgjegjësi (sipas kontratës ose jashtë kontrate) të drejtuara kundër administratës, ankimet në fushën tatimore ose zgjedhore (zgjedhjet bashkiake e kantonale), ato të drejtuara kundër sanksioneve administrative, si edhe ankime të tjera të ndryshme.
30. Në fushën e mosmarrëveshjeve tatimore, juridiksionet administrative janë kompetente lidhur me tatimet e drejtpërdrejta dhe me taksat mbi xhiron, ndërsa konfliktet rreth tatimeve të tërthorta janë kompetencë e gjykatave të rendit gjyqësor. Në këtë cilësi, gjyqtari administrativ ka fuqi për të vendosur në favor të taksapaguesit shkarkimin nga tatimet e penalitetet që i kërkon atij administrata tatimore dhe mundet gjithashtu që ta caktojë vetë shumë e tyre, brenda kufijve të dispozitave të zbatueshme. Në fushën e penaliteteve, ai ka sidomos mundësi që ta zëvendësojë një masë më të lartë me një masë më të ulët, në ato raste kur ka disa masa të zbatueshme në varësi të sjelljes së taksapaguesit.
C. Jurisprudenca e brendshme përkatëse
31. Lidhur me çështjen e kompetencës së gjyqtarit për ta ndryshuar masën e penaliteteve tatimore, gjykatat e larta franceze kanë zgjedhur zgjidhje të ndryshme.
1. Gjykata e Kasacionit
32. Në fushën e gjobës tatimore të vënë në rast vonese pagese të taksës së diferencuar mbi mjetet motorike (të parashikuar nga neni 1840 N quater I Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve – i shfuqizuar më 1 mars 2005), Gjykata e Kasacionit, në një vendim të 29 prillit 1997, e ka hedhur poshtë zbatimin e nenit në fjalë si në kundërshtim me nenin 6 § 1 të Konventës për aq sa “kjo dispozitë [nuk kishte] parashikuar një ankim për juridiksion të plotë ndaj vendimit të administratës që t’i lejonte gjykatës të shprehej rreth parimit dhe masës së gjobës” (Gjykata e Kasacionit, Dhoma Tregtare (Cass. Com.), 29 prill 1997, Ferreira, Buletin 1997 IV nr. 110).
33. Kjo jurisprudencë është ripohuar më pas (Cass. com., 17 nëntor 1998, Dupuis, nr. 96-21749; Cass. Com., 15 qershor 1999, Lise, Buletin 1999 IV nr. 130). Në vendimin e cituar më lart të 15 qershorit 1999, Gjykata e Kasacionit është shprehur kështu:
“nen[i] 1840 N quater (...) është i papajtueshëm me nenin 6 § 1 të Konventës (...) vetëm për aq sa gjyqtari, të cilit i është drejtuar një ankim kundër sanksionit të vendosur nga administrata ndaj një taksapaguesi, nuk mund të shprehet rreth parimit dhe masës së gjobës dhe se i takonte për këtë arsye gjykatës, para së cilës [i interesuari] përmendte faktin se e kishte shlyer taksën menjëherë sapo i ishte bërë procesverbal, që ta vlerësonte se sa ishte sanksioni në përpjesëtim me sjelljen e taksapaguesit (...)”
Gjykata e Kasacionit ka saktësuar, në një vendim të 1 korrikut 2003 (Cass. com, 1 korrik 2003, Gallotte, nr. 00-13966), i cili kishte të bënte me një shtesë prej 40% për mosdeklarim të një donacioni dorazi:
“nen[i] 6 § 1 (...) i çel rrugën një ankimi për juridiksion të plotë në mënyrë që sanksioni tatimor i zbatuar nga administrata të mund të jetë në përpjesëtim me sjelljen e taksapaguesit në rrethanat e çështjes në fjalë, dhe (...) gjyqtari i themelit nuk mund ta ushtrojë kompetencën që i është dhënë kështu, përveçse duke iu krijuar mundësia nga pala që e kundërshton zbatimin e sanksionit për ta vlerësuar parimin dhe masën e këtij të fundit (...)”
2. Këshilli i Shtetit
34. Këshilli i Shtetit, nga ana e tij, është shprehur fillimisht rreth neneve 1728 dhe 1729 të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve, të cilët parashikonin penalitete të ndryshme sipas veprimeve të taksapaguesit dhe cilësimit që u bëhet atyre (neni 1729, në trajtën që ishte në fuqi në momentin e ngjarjeve, parashikonte kështu një shtesë prej 40% të detyrimeve në rast veprimi në keqbesim të taksapaguesit dhe prej 80% në rast manovrash mashtruese).
Në një dhënie mendimi të 5 prillit 1996 rreth nenit 1729 (Këshilli i Shtetit (CE), avis Houdmond, Revue de jurisprudence fiscale (RJF) 5/96, nr. 607), Këshilli i Shtetit është shprehur kështu:
“ligji (...) që i përcakton penalitetet në mënyrë të përpjesëtuar sipas veprimeve të kryera nga taksapaguesi, ka parashikuar zbatimin e përqindjeve të ndryshme të shtesave sipas cilësimit që mund t’i bëhet sjelljes së këtij të fundit. Gjyqtari i taksave, pasi të ketë ushtruar kontrollin e tij të plotë mbi cilësimin e përzgjedhur nga administrata, duhet të zbatojë përqindjen e shtesës që parashikohet në këtë rast nga ligji, pa mundur ta ndryshojë atë për të marrë parasysh seriozitetin e gabimit të kryer nga taksapaguesi.
35. I ftuar sërish për t’u shprehur rreth çështjes së ndryshimit të penaliteteve të parashikuara nga neni 1729, Këshilli i Shtetit, në një dhënie tjetër mendimi të datës 8 korrik 1998 (CE, avis Fattell, RJF 1998, nr. 970; shih gjithashtu CE, 24 shtator 2003, Société Paolo Nancéienne, RJF 12/03, nr. 1393), ka saktësuar kështu:
“Gjyqtari i taksave, pasi të ketë ushtruar kontrollin e tij të plotë mbi faktet e përmendura dhe mbi cilësimin e përzgjedhur nga administrata, vendos, në çdo rast, sipas rezultateve të këtij kontrolli, ose të lërë në fuqi a të zbatojë shtesën që parashikohet vërtet për rastin me përqindjen e caktuar nga ligji, pa mundur ta ndryshojë ketë të fundit për të marrë parasysh seriozitetin e gabimit të kryer nga taksapaguesi, ose, në qoftë se administrata nuk e vërteton as që ky qenka fajtor për manovra mashtruese, as që paska vepruar në keqbesim, t’i lërë atij në ngarkim vetëm interesat për vonesën. Përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 6 të Konventës (...) nuk e detyrojnë të procedojë ndryshe (...) »
36. Këshilli i Shtetit i është përmbajtur të njëjtit arsyetim lidhur me nenin 1728 të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve, i cili parashikon penalitete me përqindje të ndryshme sipas seriozitetit të mosplotësimeve të detyrimeve deklarative nga ana e taksapaguesit (CE, 8 mars 2002, SARL Clinique de Mazargues, RJF 2002, nr. 671 dhe CE, 6 qershor 2007, Lemarinier, RJF 2007, nr. 1042).
37 Në një moment të dytë, Këshilli i Shtetit ia ka përshtatur këtë qasje edhe disa penaliteteve që, ndonëse figurojnë në një nen të veçantë të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve, bëjnë pjesë në një ansambël masash ndëshkuese ku përfshihen edhe penalitete të parashikuara nga nene të tjera të Kodit (shih sidomos, për penalitetin me 5% të parashikuar nga neni 1788 septies (i bërë neni 1788 A 4) i Kodit në rast mosdeklarimi të një tatimi mbi vlerën e shtuar menjëherë të zbritshëm, CE, 30 nëntor 2007, Société Sideme, RJF 2008, nr. 172; për penalitetin me 50% që paraqitet në nenin1740 ter (të bërë 1737) të Kodit në rast fshehjeje ose maskimi të identitetit apo adresës së furnitorëve a klientëve, CE, 26 maj 2008, Société Anonyme Norelec, RJF 2008, nr. 981 dhe për penalitetin me 150% (të kthyer prapë në 100% më 2005) të përcaktuar nga neni 1730 i Kodit për kundërshtim të kontrollit tatimor, CE, 5 mars 2009, Gonzales-Castrillo, Revue de droit fiscal 2009, nr. 10).
3. Këshilli Kushtetues
38. I ftuar për t’u shprehur për dy çështje me përparësi rreth kushtetutshmërisë lidhur me shtesat tatimore prej 40% të parashikuara nga nenet 1728 dhe 1729 të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve (përkatësisht, në rast mosdeklarimi pas paralajmërimit dhe veprimi në keqbesim të taksapaguesit), Këshilli Kushtetues, me dy vendime të 17 marsit 2011, i ka deklaruar nenet në diskutim si në përputhje me Kushtetutën, me fjalët e mëposhtme, të ngjashme në të dyja vendimet:
“Duke konsideruar (...) se parimi i individualizimit të dënimeve i cili rrjedh prej nen[it] [8 të Deklaratës së vitit1789] nënkupton që rritja e detyrimeve, kur përbën sanksion që ka karakterin e një dënimi, të mund të zbatohet vetëm nëse administrata, nën kontrollin e një gjyqtari, e ka vendosur shprehimisht atë duke marrë parasysh rrethanat e veçanta për çdo çështje; se gjithsesi ai nuk do t’ia ndalonte ligjvënësit që të caktojë rregulla të cilat sigurojnë një ndëshkim të efektshëm të shkeljeve;
(...)
Duke konsideruar se dispozita e kundërshtuar vendos një sanksion financiar natyra e të cilit lidhet drejtpërdrejt me atë të shkeljes; se ligji e ka siguruar vetë ndryshimin e dënimeve në funksion të seriozitetit të sjelljeve të ndëshkuara; se gjyqtari vendos, në çdo rast, pasi e ka ushtruar kontrollin e tij të plotë mbi faktet e përmendura dhe mbi cilësimin e përzgjedhur nga administrata, ose të lërë në fuqi (...) shtesën që parashikohet vërtet për rastin me përqindjen e caktuar nga ligji, ose ta zëvendësojë atë me një përqindje tjetër ndërmjet atyre që parashikohen nga dispozita të tjera të nenit (...) nëse e çmon ligjërisht të përligjur [(neni 1728)], ose t’i lërë në ngarkim taksapaguesit vetëm interesat për vonesën në qoftë se çmon që administrata nuk e vërteton që ky qenka fajtor për manovra mashtruese dhe as që paska vepruar me keqbesim [(neni 1729)]; se ai mund t’i përcaktojë kështu penalitetet në mënyrë të përpjesëtuar sipas veprimeve të kryera nga taksapaguesi; se masa me 40% nuk është haptazi e shpërpjesëtuar (...)”
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS LIDHUR ME PAMUNDËSINË PËR T’IU DREJTUAR NJË GJYKATE ME JURIDIKSION TË PLOTË
39. Paditësja pretendon se është shkelur neni 6 § 1 i Konventës, dispozitat përkatëse të të cilit shprehen kështu:
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht (...) nga një gjykatë (...) e cila do të vendosë (...) për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.”
Ajo ankohet për gjobën që i është vënë sipas nenit 1770 octies (të bërë neni 1761 § 2) të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve. Ajo është e mendimit se kjo dispozitë nuk i jep gjyqtarit të tatimeve një kompetencë juridiksioni të plotë që t’i lejojë atij ta ndryshojë gjobën në përpjesëtim me seriozitetin e fakteve që i ngarkohen taksapaguesin.
40. Qeveria e kundërshton këtë tezë.
A. Rreth pranueshmërisë
41. Gjykata vëren se Qeveria, në vërejtjet e saj, del në përfundimin e zbatueshmërisë së nenit 6 § 1 të Konventës në pjesën e tij penale dhe pajtohet me qasjen e saj.
42. Gjykata vë re se ky pretendim nuk është haptazi i paarsyetuar në kuptimin e nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Gjykata sheh nga ana tjetër se ai nuk ndeshet me asnjë arsye tjetër papranueshmërie. Është e udhës pra që ai të shpallet i pranueshëm.
B. Rreth themelit
1. Argumentet e palëve
a) Paditësja
43. Paditësja thekson se penaliteti i parashikuar nga ish-neni 1770 octies i Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve zbatohet automatikisht nga administrata kur ka një rivlerësim të taksës mbi metalet e çmuara, stolitë, objektet e artit, të koleksionit e të antikuariatit (“taksa mbi objektet e artit”). Ajo thekson gjithashtu se, kur rivlerësimi lihet në fuqi nga gjyqtari i tatimeve, ky i fundit është i detyruar të lërë gjithashtu në fuqi edhe penalitetet përkatëse. Kjo vjen si rezultat i vetë tekstit të ish-nenit 1770 octies të cituar më lart, i cili e bën rivlerësimin e principalit faktin e vetëm që shkakton zbatimin e penalitetit. Ajo mbron mendimin se, në kundërshtim me çfarë pohon Qeveria lidhur me kompetencat e administratës, inspektorët e tatimeve nuk kishin zgjedhje tjetër përveç se të zbatonin penalitetin në fjalë. I vetmi mjet për të dalë nga ky mekanizëm automatik mbështetet te faljet me mirëkuptim të penaliteteve si edhe te marrëveshjet pajtuese (neni L. 247 i Librit të Procedurave Fiskale), që administrata i pranon vetëm kur do vetë dhe kundrejt zotimit të taksapaguesit për të hequr dorë nga çdo ankim i mëtejshëm. Kështu, një taksapagues që ka dëshirë ta kundërshtojë rivlerësimin përkatës edhe si principal, edhe si penalitete, nuk mund të presë kurrë që administrata t’i bëjë ndonjë falje me mirëkuptim apo marrëveshje pajtuese lidhur me penalitetet.
44. Për sa u përket kompetencave të gjyqtarit të tatimeve, paditësja thotë që, ndonëse në një mënyrë të përgjithshme penalitetet mund të kundërshtohen lidhur me procedurën e zbatimit dhe me bazueshmërinë e tyre, ankesat e saj në çështjen në fjalë kanë të bëjnë vetëm me bazueshmërinë e tyre. Lidhur me këtë, ajo thekson se gjyqtari e ka të pamundur të vendosë shkarkimin prej tyre pa vendosur edhe atë prej principalit të tatimeve që përkojnë me to, dhe se ai kushtëzohet kështu prej karakterit automatik të këtij sanksioni.
45. Paditësja saktëson se, në kundërshtim me çfarë thotë Qeveria, ligji nuk parashikon asnjë ndryshim të gjobës, përderisa në Kodin e Përgjithshëm të Tatimeve ekziston vetëm një sanksion unik për taksën mbi objektet e artit (100% në atë kohë, 25% tani). Në përgjigje të argumentit të Qeverisë se do të ishte e padobishme që gjykatësit të tatimeve t’i jepej një kompetencë për të bërë ndryshime, paditësja nënvizon se ajo ka rënë viktimë e disa shitësve të saj të cilët ishin zotuar (disa syresh me shkrim) të zbatonin regjimin e zakonshëm të mbivlerave, por që nuk u janë përmbajtur zotimeve të tyre, çka e ka shtyrë administratën për t’i bërë asaj rivlerësim në cilësinë e saj si blerëse, ndërkohë që ajo ka vepruar në mirëbesim. Ajo çmon se, në këto rrethana, gjykatësi i tatimeve duhej të kishte mundur të vendoste për ta shkarkuar nga penalitetet.
b) Qeveria
46. Qeveria thekson në radhë të parë se, në kundërshtim me çfarë thotë paditësja, administrata tatimore nuk është kurrë e shtrënguar të vendosë një sanksion, sepse asnjë dispozitë ligjore apo rregullore nuk ia vë asaj këtë kusht. Sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Këshillit të Shtetit, edhe pse është në situatë kompetence të kushtëzuar për të vendosur e vjelë tatimin sipas rregullave ligjore, ajo nuk është ashtu në fushën e penaliteteve tatimore (shih për sanksionet administrative CE 8 janar 1971, Sieur Gallon, Recueil Lebon, f. 21, dhe për penalitetet tatimore CE 1 tetor 1979, Association pour l’unification du christianisme mondial, RJF 11/99, f. 837). Përveç kësaj, administrata tatimore ka një kompetencë për t’i zbutur e për t’i falur gjobat tatimore, e cila ia lejon asaj të marrë parasysh situata të pazakonta, siç e parashikon neni L. 247 i Librit të Procedurave Tatimore. Nga ana tjetër, taksapaguesi ka mundësinë për të bërë ankim për tejkalim kompetencash kundër refuzimit eventual të administratës për t’i bërë atij një falje me mirëkuptim.
47. Qeveria vë pastaj në dukje se, përpara gjyqtarit të tatimeve, fati i penaliteteve nuk është i lidhur mekanikisht me atë të detyrimeve. Sigurisht, në rast se juridiksioni shkarkon nga një tatim, penalitetet e ndjekin automatikisht fatin e këtij të fundit, por ato mund të shkarkohen edhe atëherë kur detyrimet lihen në fuqi. Qeveria thekson se taksapaguesi mund të paraqesë argumente veçanërisht për t’i kundërshtuar penalitetet lidhur qoftë me procedurën e ndjekur për t’i vendosur ato, qoftë me bazueshmërinë e tyre. Gjyqtari vendos më vete për penalitetet dhe verifikon nëse plotësohen kushtet ligjore për to. Qeveria tregon se gjyqtari kontrollon sidomos lidhur me nocionet “veprim në keqbesim” (sot “mosveprim me dashje”) ose “manovra mashtruese”, të cilat sjellin si pasojë përqindje të ndryshme penaliteti, dhe saktëson se ka shembuj të shumtë çështjesh ku penaliteti për mungesë mirëbesimi hiqet, pavarësisht nga fati i principalit. Për sa u përket shkeljeve të dispozitave të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve që rregullojnë taksën mbi objektet e artit, numri i papërfillshëm i çështjeve nuk lejon të kuptohet nëse jurisprudenca zgjedh më shumë një konceptim thjesht objektiv të inkriminimit apo nëse ajo priret të marrë parasysh kontekstin e mosveprimit.
48. Në çështjen në fjalë, Qeveria është e mendimit se mospasja fuqi nga gjykatësi për ta ndryshuar shumën e gjobës që parashikohet në ish-nenin 1770 octies të Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve nuk përbën shkelje të së drejtës për një proces të drejtë, as të së drejtës për t’iu drejtuar një gjykate në kuptimin e nenit 6 § 1 të Konventës. Ajo vë në dukje pikësëpari se vetë ligji e parashikon një përpjesëtueshmëri të sanksionit me veprimet e fajësuara, përderisa gjoba caktohet në përqindje të taksës së shmangur dhe niveli i saj është relativisht i moderuar, meqenëse është zbritur nga 100% në 25% të detyrimeve të shmangura përmes Urdhëresës së 7 dhjetorit 2005, çka paditësja e ka përfituar gjatë instancës. Qeveria thekson se Gjykata e ka pasur tashmë rastin të vërë re përputhshmërinë e mekanizmave të tillë me kërkesat e nenit 6 dhe citon vendimin Malige k. Francës (23 shtator 1998, § 49, Recueil des arrêts et décisions 1998-VII), si edhe vendimin e Komisionit në çështjen Taddei k. Francës (nr. 36118/97, vendim i Komisionit i 29 qershorit 1998, Décisions et Rapports (DR) 94, f. 108). Ajo saktëson se, në çështjen në fjalë, Këshilli i Shtetit është mbështetur te vendimi Malige i cituar më lart për të nxjerrë përfundimin se është respektuar neni 6, pasi ka kryer një kontroll të përpjesëtueshmërisë së gjobës, e cila është penaliteti i vetëm i parashikuar lidhur me taksën mbi objektet e artit. Qeveria i referohet për këtë sistemit të lejes së drejtimit me pikë, në kuadrin e të cilit çdo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor shpie te një numër i caktuar pikësh të hequra.
49. Qeveria vë në dukje se, sidoqoftë, pamundësia për zbutje suplementare të gjobës përligjet me vetë natyrën e këtij sanksioni, ngaqë në parim asnjë konsideratë e veçantë nuk mund ta përligjë faktin që dikush t’i shmanget detyrimit tatimor. Kjo bëhet edhe aq më e vërtetë në rastin e çështjes në fjalë, ku ai që e ka detyrimin për ta paguar taksën nuk është juridikisht ai mbi të cilin ajo rëndon në të vërtetë (shitësi, dhe jo blerësi) dhe ku mosderdhja në thesarin publik e taksës së mbledhur shpie në një pasurim pa shkak në përfitim të tij.
50. Qeveria saktëson se, në mënyrë të përgjithshme, regjimi i zbatueshëm për sanksionet administrative të vendosura në fushën e tatimeve lidhet me karakterin masiv të rasteve individuale të trajtuara dhe karakterizohet me tabela tarifore relativisht të thjeshta, për arsye të numrit të rasteve, të shpejtësisë së dëshiruar dhe të synimit për një zbatim homogjen. Sistemi i lejeve të drejtimit me pikë, i miratuar edhe nga Gjykata në vendimin Malige, në kuadrin e të cilit për çdo shkelje hiqet një numër i caktuar pikësh, i përket kësaj kategorie. Në fushën e sanksioneve tatimore, tekstet parashikojnë përgjithësisht për çdo shkelje ose një shkallë me disa përqindje gjobe, ose një përqindje të vetme gjobe. Situata është e ndryshme nga sistemet e sanksioneve në fushën ekonomike që vendosen nga autoritete administrative të pavarura në një logjikë “depenalizimi”, të cilat karakterizohen nga një represion pak i shpeshtë, por që kërkon të jetë shembullor, si edhe nga tekste që parashikojnë tavane gjobe të larta por të ndryshueshme drejt zbritjes.
51. Qeveria është e mendimit se të nxjerrësh nga neni 6 § 1 i Konventës një kërkesë të përgjithësuar për individualizim të sanksioneve administrative, ku sanksionet tatimore përbëjnë vetëm një kategori, do të thotë të shkosh përtej objektit të këtij neni që lidhet me njëmendësinë e kontrollit nga gjyqtari dhe kjo do të ishte me pasoja të konsiderueshme mbi ekonominë e sanksioneve administrative masive.
52. Qeveria vë madje në dukje se juridiksionet administrative që ftohen për t’i shqyrtuar mosmarrëveshjet lidhur me zbatimin nga administrata të gjobës së parashikuar nga ish-neni 1770 octies i Kodit të Përgjithshëm të Tatimeve, nuk mund të shihen veçse si gjykata me “juridiksion të plotë” në kuptimin e jurisprudencës së Gjykatës, nga e cila Këshilli i Shtetit frymëzohet gjerësisht. Në të drejtën franceze, gjyqtari tatimor është një gjyqtar me juridiksion të plotë, çka nënkupton, nga njëra anë, se ai kontrollon jo vetëm faktet por edhe ligjin dhe, nga ana tjetër, se ai ka kompetencën për ta shfuqizuar një vendim administrativ, por edhe për ta caktuar vetë shumën e gjobës apo të penalitetit që rrjedh nga zbatimi me korrektësi i ligjit, aq sa e lejon ky i fundit. Në fushën e penaliteteve, ai kontrollon vërtetësinë e shkeljes dhe pastaj e lë në fuqi penalitetin nëse shkelja është kryer, ose jep shkarkimin e plotë në rast të kundërt; ai mund ta zëvendësojë një përqindje më të lartë me një përqindje më të ulët nëse e para nuk ka qenë e merituar (sidomos në fushën e penaliteteve për veprim në keqbesim) ose të pranojë ta zëvendësojë një penalitet me një tjetër me kërkesë të administratës nëse plotësohen disa kushte.
53. Në rastin e një penaliteti të thjeshtë si ky i rastit në fjalë, gjyqtari mund të zgjedhë praktikisht ose ta lërë në fuqi penalitetin ose të japë përjashtimin, pas një kontrolli të plotë të fakteve dhe të elementeve përbërëse të shkeljes. Duke cituar a contrario çështjen Schmautzer k. Austrisë (23 tetor 1995, seria A nr. 328-A), ku Gjykata ka nxjerrë si përfundim se ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 për arsye të kontrollit të përciptë të ushtruar nga juridiksionet austriake, Qeveria thekson se në çështjen e tanishme ankimi i lejonte gjyqtarit që ta zëvendësonte vlerësimin e administratës me atë të vetin për të verifikuar nëse faktet ishin të tilla që ta përligjnin sanksionin, ashtu siç e parashikonte atë ligji. Qeveria thotë si përfundim që, edhe në mungesë të një kompetence për ta ndryshuar sanksionin, gjyqtari ka vërtet një kompetencë “juridiksioni të plotë” në kuptimin e jurisprudencës së Gjykatës dhe që e drejta e paditëses për një proces të drejtë është respektuar në çështjen në fjalë.
2. Vlerësimi i Gjykatës
54. Gjykata rikujton që një sistem gjobash administrative, ashtu si penalitetet tatimore në rastin e çështjes në fjalë, nuk është në kundërshtim me nenin 6 § 1 të Konventës, në qoftë se taksapaguesi mund t’i drejtohet, për çdo vendim të marrë kështu ndaj tij, një gjykate që i ofron garancitë e këtij neni (Bendenoun k. Francës, 24 shkurt 1994, § 46, seria A nr. 284, dhe Silvester’s Horeca Service k. Belgjikës, nr. 47650/99, § 25, 4 mars 2004).
55. Respektimi i nenit 6 § 1 të Konventës nënkupton në fakt që vendimi i një autoriteti administrativ i cili nuk i plotëson nga ana e vet kushtet e këtij neni t’i nënshtrohet kontrollit të mëtejshëm të një organi gjyqësor me juridiksion të plotë (Schmautzer, i cituar më lart, § 34, Umlauft k. Austrisë, 23 tetor 1995, § 37, seria A nr. 328-B, Gradinger k. Austrisë, 23 tetor 1995, § 42, seria A nr. 328-C, Pramstaller k. Austrisë, 23 tetor 1995, § 39, seria A nr. 329-A, Palaoro k. Austrisë, 23 tetor 1995, § 41, seria A nr. 329-B, et Pfarrmeier k. Austrisë, 23 tetor 1995, § 38, seria A nr. 329‑C). Karakteristikat e një organi të tillë gjyqësor përfshijnë kompetencën për të ndryshuar në çdo pikë vendimin e ankimuar që ka dhënë organi i mëposhtëm. Ai duhet të ketë sidomos kompetencë për t’i shqyrtuar të gjitha çështjet faktike dhe juridike përkatëse lidhur me mosmarrëveshjen për të cilën i janë drejtuar (Chevrol k. France, nr. 49636/99, § 77, CEDH 2003-III, Silvester’s Horeca Service, i cituar më lart, § 27, dhe A. Menarini Diagnostics S.r.l. k. Italisë, nr. 43509/08, § 59, 27 shtator 2011).
56. Gjykata vë re se, në çështjen në fjalë, paditësja ka mundur të paraqesë përpara Gjykatës Administrative një ankim që synonte shkarkimin nga rivlerësimi i taksës dhe nga penalitetet, si edhe t’i drejtohet pastaj Gjykatës Administrative të Apelit dhe Këshillit të Shtetit me një apelim e me një rekurs. Në këtë çështje, fjala është për një ankim për mosmarrëveshje të plotë, në kuadër të të cilit gjyqtari administrativ ka kompetenca të gjera: ai bën vlerësimin e të gjitha elementeve faktike dhe juridike dhe mundet jo vetëm ta shfuqizojë apo ta lërë në fuqi një akt administrativ, por edhe ta ndryshojë atë, madje ta zëvendësojë vendimin e administratës me atë të vetin dhe të shprehet lidhur me të drejtat e të interesuarit; në fushën tatimore, ai mund ta shkarkojë taksapaguesin nga tatimet dhe penalitetet që i janë ngarkuar ose ta ndryshojë shumën e tyre në kufirin e zbatimit të ligjit, kurse për punë penalitetesh, të zëvendësojë një përqindje më të lartë me një përqindje më të ulët për aq sa e parashikon ligji (paragrafët 29-30 të mësipërm; shih, a contrario, Silvester’s Horeca Service, i cituar më lart, § 28).
57. Rezulton që, përpara Gjykatës Administrative dhe Gjykatës Administrative të Apelit, juridiksione të cilat i plotësojnë kërkesat e nenit 6 § 1, paditësja ka mundur t’i paraqesë të gjitha argumentet faktike dhe juridike që ajo i çmonte si të dobishme në mbështetje të kërkesës së saj për shkarkim nga taksa e nga penalitetet (shih, mutatis mutandis, Malige, i cituar më lart, § 48), e veçanërisht të ngrejë kundërshtinë e taksës me të drejtën komunitare dhe ta diskutojë në mënyrë të hollësishme bazën e tatueshme, për çka ka fituar madje zbritjen nga ana e Gjykatës Administrative të Apelit (paragrafi 17 i mësipërm).
58. Ankesa e paditëses ka të bëjë me faktin se, në çështjen në fjalë, juridiksionet administrative nuk e kishin kompetencën për ta ndryshuar gjobën tatimore, për mungesë të dispozitave ligjore që e lejojnë një gjë të tillë.
59. Gjykata vëren në radhë të parë se vetë ligji e përpjesëton në një farë mase gjobën me seriozitetin e sjelljes së taksapaguesit, përderisa ajo caktohet sipas një përqindjeje të detyrimeve të shmangura, bazën e të cilave paditësja ka mundur ta diskutojë gjerësisht në rastin e çështjes në fjalë (shih, mutatis mutandis, Valico S.r.l. k. Italisë (vend. pran.), nr. 70074/01, GjEDNj 2006‑III). Gjykata e pranon nga ana tjetër, siç e thekson Qeveria, karakterin e veçantë të mosmarrëveshjes tatimore, i cili nënkupton një kërkesë efikasiteti të domosdoshëm për të mbrojtur interesat e shtetit dhe vëren, për më tepër, se kjo mosmarrëveshje nuk bën pjesë te bërthama e të drejtës penale në kuptimin e Konventës (shih, mutatis mutandis, Jussila k. Finlandës [DhM], nr. 73053/01, § 43, GjEDNj 2006-XIII). Ajo është e mendimit, së fundi, se përqindja e gjobës, e caktuar në 25% nga Urdhëresa e 7 dhjetorit 2005, nuk duket e shpërpjesëtuar (Malige, i cituar më lart, § 49; shih, a contrario e mutatis mutandis, Mamidakis k. Greqisë, nr. 35533/04, § 48, 11 janar 2007 dhe Grifhorst k. Francës, nr. 28336/02, § 105, 26 shkurt 2009).
60. Për këtë arsye, në mungesë të arbitraritetit, Gjykata del në përfundimin se, në çështjen në fjalë, nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1.
(...)
ME KËTO MOTIVE, GJYKATA, NJËZERI,
(...)
2. Thotë se nuk ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës.
I hartuar në frëngjisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 7 qershor 2012, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores.
Stephen PhillipsDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Më parë 6%, taksa është bërë 7% më 1993.
Full & Egal Universal Law Academy