SEJDIC DHE FINCI kundër BOSNJE-HERCEGOVINËS
(kërkesa nr. 27996/06 dhe 34836/06)
22 dhjetor 2009
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit janë të dy shtetas nga Bosnje-Hercegovina dhe jetojnë në Sarajevë. Z. Sejdic është me origjinë rome, ndërsa Z. Finci i përket komunitetit hebre. Të dy janë figura të spikatura publike në Bosnje-Hercegovinë.
2. Kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës bën një ndarje të popullsisë në dy kategori në preambulën e saj: kategoria e shtetasve kushtetues (boshnjakët, kroatët dhe serbët) dhe kategoria e shtetasve të tjerë, ku bëjnë pjesë minoriteti rom, hebre dhe disa shtetas të tjerë që nuk janë pjesë e asnjë minoriteti etnik.
3. Kjo ndarje shërben për të bërë një dallim mes qytetarëve që mund të kandidojnë për Dhomën e Dytë të Parlamentit dhe në postin e Presidentit. Sipas Kushtetutës, vetëm ata shtetas që i përkasin kategorisë së popullsisë kushtetuese mund të kandidojnë për këto poste.
4. Z. Finci i kishte shprehur KQZ-së qëllimet e tij për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. KQZ-ja i kishte refuzuar kërkesën me argumentin se ai, duke qenë me origjnë hebreje, nuk mund të kandidonte në këto poste për shkak se nuk e lejonte Kushtetuta.
5. Kërkuesit iu drejtuan Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke pretenduar se ishin shkelur një sërë nenesh të Konventës, duke i penguar ata për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale apo parlamentare, vetëm për faktin se i përkisnin një grupi të caktuar etnik. Sipas tyre, ishin shkelur nenet 3, 13, 14 të Konventës, neni 3 i Protokollit 1 dhe neni 1 i Protokolli. 12 të Konventës.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 14 marrë sëbashku me nenin 3 të Protokolli 1
6. Gjykata u shpreh se, duke pasur parasysh impaktin që kishin dy kërkuesit në jetën publike të Bosnje-Hercegovinës, ishte thjesht logjike dhe çështje kohe që ata të kërkonin të kandidonin në zgjedhjet presidenciale apo parlamentare. Pra, ishte e qartë që në këtë rast kemi të bëjmë me një shkelje të të drejtave të tyre.
7. Duke u ndalur në Dhomën e Dytë të Parlamentit, pjesëtarët e saj edhe pse zgjidheshin në mënyrë indirekte, gëzonin fuqi të konsiderueshme legjislative. Rasti i kërkuesve nuk ishte i vetmi dhe vendime përjashtimore për shkak të origjinës etnike kishte pasur edhe më parë. Gjykata vërejti se ishte shprehur edhe më parë për diskriminimin që i bëhej një individi për origjinën e tij etnike. Ajo u shpreh se Konventa nuk lejon asnjë lloj forme diskriminimi të kësaj natyre, qoftë direkte apo indirekte, si një arsye justifikuese për të shkelur të drejtat e individit.
8. Në rastin konkret, që të ishe i legjitimuar për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale apo parlamentare, duhej të deklaroje se i përkisje grupit të personave kushtetues, diçka që kërkuesit nuk kishin pranuar ta bënin për shkak të origjinës tyre etnike. Ky mekanizëm kishte të bënte me ndarjen e pushteteve në vend, dhe sipas kësaj pengese ishte e pamundur që të kundërshtohej vullneti i kategorisë së popullsisë kushtetuese, duke pasur parasysh se ata ishin të vetmit që mund të mbanin postet e rëndësishme në vend.
9. Gjykata pranoi faktin që ky sistem pushtetesh përdorej për të qetësuar tensionet politike në vend dhe kjo si pasojë e pushimit të luftrave etnike në rajon. Palët kishin rënë dakord dhe ishte arritur një marrëveshje paqeje dhe vendi ndodhej në një situatë të brishtë, por në vitin 2009 kur kushtetuta ishte amenduar, situata ishte përmirësuar dukshëm falë administrimit dhe vëmendjes së lartë ndërkombëtare.
10. Pavarësisht këtij fakti, ndoshta qeveria e Bosnje-Hercegovinës akoma nuk ishte gati që të dilte nga ky sistem i ndarjes së pushteteve. Me ratifikimin e Konventës dhe Protokolleve të saj në 2002, Bosnja kishte rënë dakord që ta rishikonte të gjithë sitemin dhe ligjin elektoral të vendit duke e përshatur atë me frymën e Konventës.
11. Gjithashtu edhe në vitin 2008, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit për t’u bërë pjesë e B.E.-së, shteti i paditur kishte rënë dakord që do ta rishikonte të gjithë mekanizmin e zgjedhjeve në vend, qofshin parlamentare apo presidenciale, brenda një ose dy viteve. Duke u ndodhur para këtyre fakteve, Gjykata vlerësoi se Bosnje-Hecegovina nuk ka pasur arsye për të vazhduar të zbatonte të njëjtin sistem zgjedhor dhe për pasojë ka shkelur nenin 14 të Konventës marrë sëbashku me nenin 3 të Protokollit1 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 1 të Protokollit 12
12. Sipas Gjykatës, neni 1 i Protokollit 12 të Konventës shërben për të përforcuar dhe zgjeruar më shumë konceptin e diskriminimit, një dukuri e konsideruar shkelje edhe në kuptim të nenit 14 i Konventës.
13. Pavarësisht se kishin qëllime të ndryshme, si neni 14 ashtu edhe neni 1 i Protokollit 12 të Konventës, shërbejnë për ndalimin e çdo lloj forme diskriminimi. Duke patur parasysh argumentet që Gjykata kishte parashtruar për zgjedhjet parlamentare më sipër, ajo vlerësoi se këto argumenta vlejnë edhe për rastin e zgjedhjes së presidentit dhe për këtë arsye ishte cenuar e drejta e garantuar nga neni 1 i Protokollit 12 të Konventës.
14. Sipas Gjykatës, nuk ishte e nevojshme të shqyrtohet vetë pretendimi për nenin 1 të Protokollit 3 të Konventës, marrë së bashku apo pa nenin 1 të Protokollit 12 të Konevntës.
C. Në lidhje me nenin 41
15. Gjykata vlerësoi se thjesht fakti që ajo evidentoi shkelje të të drejtave të kërkuesve përbënte në vetvete një shpërblim të drejtë dhe të mjaftueshëm në kuadër të dëmit jomaterial. Gjykata, në kuadër të shpenzimeve gjyqësore, i akordoi kërkuesit të parë 1 000 euro dhe të dytit shumën prej 20 000 euro.
Full & Egal Universal Law Academy