© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA SERGEY ZOLOTUKHIN K. RUSISË
(Kërkesë nr. 14939/03)
VENDIM
STRASBURG
10 Shkurt 2009
Ky vendim është i formës së prerë, por mund të rishikohet nga ana redaktoriale.
Në çështjen Sergey Zolotukhin k. Rusisë,
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në seancë gjyqësore si Dhomë e Madhe e përbërë nga:
Jean-Paul Costa, President,
Nicolas Bratza,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Corneliu Bîrsan,
Karel Jungwiert,
Elisabeth Steiner,
Anatoly Kovler,
Stanislav Pavlovschi,
Egbert Myjer,
Dragoljub Popović,
Isabelle Berro-Lefevre,
Päivi Hirvelä,
Giorgio Malinverni,
Luis López Guerra,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Regjistrues,
Pas shqyrtimit të çështjes në seancë të mbyllur më 26 Mars 2008 dhe 21 Janar 2009,
Merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të lart-përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në një kërkesë (nr. 14939/03) kundër Federatës Ruse depozituar në Gjykatë në bazë të Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga një shtetas rus, Z. Mr Sergey Aleksandrovich Zolotukhin (“kërkuesi”), më 22 Prill 2003.
2. Kërkuesi u përfaqësua nga Z. P. Leach dhe Z. K. Koroteyev, jurist të European Human Rights Advocacy Centre (Qendrës Europiane të Avokatisë për të Drejtat e Njeriut). Qeveria ruse (“Qeveria”) u përfaqësua nga Znj. V. Milinchuk, ish Përfaqësuese e Federatës Ruse në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
3. Kërkuesi u ankua në bazë të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 se ishte ndjekur dy herë për të njëjtën vepër.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Parë të Gjykatës (Rregulli 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Brenda atij seksioni, u ngrit Dhoma që do të shqyrtonte çështjen (Neni 27 § 1 i Konventës) në përputhje me çfarë parashikon Rregulli 26 § 1.
5. Më 8 Shtator 2005 kërkesa u shpall pjesërisht e pranueshme nga një Dhomë e atij Seksioni e përbërë nga gjyqtarët: Christos Rozakis, Peer Lorenzen, Snejana Botoucharova, Anatoli Kovler, Khanlar Hajiyev dhe Sverre Erik Jebens, si dhe nga Søren Nielsen, Regjistrues i Seksionit.
6. Më 7 Qershor 2007 një Dhomë e atij Seksioni e përbërë nga gjyqtarët e mëposhtëm: Christos Rozakis, Loukis Loucaides, Nina Vajić, Anatoli Kovler, Khanlar Hajiyev, Dean Spielmann dhe Sverre Erik Jebens, si dhe nga Søren Nielsen, Regjistrues i Seksionit, konkluduan njëzëri se ishte shkelur Neni 4 i Protokollit Nr. 7 dhe morën vendim në lidhje me dëmin moral dhe kostot ligjore.
7. Më 5 Shtator 2007 Qeveria kërkoi, në përputhje me Nenin 43 të Konventës dhe Rregullin 73, që çështja t’i përcillej Dhomës së Madhe. Kërkesa u pranua nga një Panel i Dhomës së Madhe më 12 Nëntor 2007.
8. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në bazë dispozitave të Nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe Rregullit 24.
9. Kërkuesi dhe Qeveria depozituan secili parashtrime me shkrim në lidhje me themelin. Veç kësaj u morën komente të palës së tretë nga Human Rights Training Institute (Instituti i Trajnimit për të Drejtat e Njeriut) i Shoqatës së Avokatëve të Parisit, të cilët ishin autorizuar nga Presidenti për ndërhyrje në procedurën me shkrim (Neni 36 § 2 i Konventës dhe Rregulli 44 § 2).
10. Më 26 Mars 2008 u mbajt një seancë gjyqësore në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg (Rule 59 § 3).
Përpara Gjykatës u paraqitën:
(a) për Qeverinë
Znj.V. Milinchuk, Ish-Përfaqësuese e Federatës Ruse në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Agjente,
Znj.I. Mayke,
ZnjY. Tsimbalova,Këshilltare;
(b) për kërkuesin
Z.P. Leach,Avokat,
Z.K. Koroteyev, Këshilltar.
Gjykata dëgjoi fjalimet/prezantimet nga Z. Leach, Z. Koroteyev dhe Znj. Milinchuk.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
11. Kërkuesi ka lindur në vitin 1966 dhe jeton në Voronezh.
A. Ngjarjet e datës 4 Janar 2002
12. Ngjarjet, sipas përshkrimit të palëve dhe raportimit në dokumentet përkatëse, atë ditë ndodhën siç shpjegohet më poshtë.
13. Mëngjesin e 4 janarit 2002, kërkuesi është marrë nga policia për në stacionin e policisë nr. 9 të Departamentit të Ministrisë së Brendëshme në distriktin Leninskiy të Voronezh-it (“stacioni i policisë”) për të shpjeguar si kishte arritur të fuste të dashurën e tij, Znj. P. në një kompleks ushtarak ku hyrja ishte e kufizuar.
14. Tek stacioni i policisë, kërkuesi fillimisht është mbajtur tek zyra e shërbimit të pasaportave. Ai ishte i pirë dhe iu drejtua me fjalë fyese punonjëses së zyrës, Znj. Y. dhe shefit të departamentit të policisë rrugore, Kapitenit S. Kërkuesi ka shpërfillur qortimet dhe paralajmërimet e bëra ndaj tij. Pasi ka shtyrë Kapitenin S. dhe është përpjekur për t’u larguar, atë e kanë prangosur. Oficerët e policisë e kanë quajtur sjelljen e kërkuesit vepër administrative për veprime të lehta të parregullta.
15. Kërkuesi është dërguar në zyrën e Majorit K, shefit të stacionit të policisë. Majori K ka përpiluar një raport në lidhje me sjelljen e parregullt të kërkuesit, i cili shprehej si më poshtë:
“Ky raport u përpilua nga Majori K., shef i stacionit të policisë nr 9, Voronezh – 45, për të regjistruar faktin se më 4 Janar 2002, në orën 9.45 para dite, Z. Zolotukhin, i cili ishte sjellë në stacionin e policisë nr. 9 bashkë me Znj. P., të cilën ai e kish futur brenda kompleksit ushtarak në mënyrë të paligjshme, i është drejtuar me fjalë fyese oficerëve të policisë dhe shefit të [e palexueshme], nuk ka reaguar ndaj qortimeve, ka shpërfillur kërkesat e oficerëve të policisë për të ndaluar prishjen e rendit publik, është përpjekur të largohet nga zyrat e policisë dhe është vënë në pranga, domethënë ka kryer veprën administrative përcaktuar në Nenet 158 dhe 165 të Kodit të Veprave Adminstrative të RSFSR-s.”
16. Ndërsa Majori K po përpilonte raportin, në zyrë kanë qenë edhe Kapiteni S dhe Nën-Koloneli N. Kërkuesi ka përdorur fjalor fyes ndaj Majorit K dhe e ka kërcënuar atë me dhunë fizike. Ai është përpjekur sërish të largohet dhe ka përmbysur një karrige.
17. Pas përfundimit të raportit, kërkuesi është futur në një makinë për t’u dërguar në Gribanovskiy ROVD (stacioni rajonal i policisë). Në makinë kanë qenë shoferi Z. L., Majori K, Nën-Koloneli N. dhe Znj. P. Rrugës kërkuesi ka vazhduar të shajë Majorin K. dhe ka kërcënuar ta vrasë për shkak të hapjes së procesit administrativ kundër tij.
B. Dënimi administrativ i kërkuesit
18. Më 4 Janar 2002, Gjykata e Rrethit të Gribanovskiy-t e shpalli kërkuesin fajtor për një vepër sipas Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative në bazë të fakteve të mëposhtme:
“Zolotukhin ka sharë në një vend publik dhe nuk ka reaguar ndaj qortimeve.”
19. Kërkuesi u dënua me tri ditë burg për vepër administrative. Në vendim thuhej se dënimi nuk ishte i apelueshëm dhe hynte në fuqi menjëherë.
C. Ndjekja penale e kërkuesit
20. Më 23 Janar 2002, ndaj kërkuesit u hap çështje penale si i dyshuar për “veprime të parregullta, përfshirë rezistencën ndaj një zyrtari publik që po merrej me shqyrtimin e një thyerje të rendit publik” – një vepër kjo në bazë të Nenit 213 § 2 (b) të Kodit Penal – më 4 Janar 2002 tek stacioni i policisë. Më 1 Shkurt 2002 ndaj kërkuesit u filluan edhe dy procese të tjera për të tjera akuza.
21. Më 5 Prill 2002, kërkuesi u akuzua zyrtarisht. Pjesët përkatëse të padisë shpreheshin si më poshtë:
“Mëngjesin e 4 Janarit 2002, Z. Zolotukhin është marrë për në stacionin e policisë nr. 9, në distriktin Leninskiy të Voronezh-it, për sqarim të rrethanave në të cilën e njohura e tij Znj. P. kishte hyrë në territorin e kompleksit ushtarak të mbyllur Voronezh-45. Në zyrën e pasaportave të stacionit të policisë nr 9, Z. Zolotukhin, i cili ishte i pirë, ka prishur në mënyrë flagrante rendin publik, duke shprehur në mënyrë të qartë mungesë respekti për komunitetin, dhe ka filluar të shajë me zë të lartë personat e pranishëm në zyrën e pasaportave, pikërisht Znj. Y., një punpnjëse e shërbimit të pasaportave në departamentin e strehimit të njësisë ushtarake 25852, dhe Kapitenin S, shef i departamentit të policisë rrugore në stacionin e policisë nr. 9; ai ka kërcënuar me dhunë fizike, veçanërisht, këtë të fundit në cilësinë e oficerit të policisë në zbatim të deyrave të tij zyrtare. Z. Zolotukhin nuk i është përgjigjur kërkesave të ligjshme të Kapitenit S. për të ndaluar prishjen e rendit publik; ai është përpjekur të largohet nga zyrat e shërbimit të pasaportave, duke i rezistuar në mënyrë aktive përpjekjeve për të ndaluar sjelljen e tij rrebele, i ka bërë rezistencë Kapitenit S., duke e shtyrë atë e duke ikur prej tij, dhe ka penguar funksionimin normalisht të zyrës së pasaportave.
Kësisoj, përmes veprimeve të tij të qëllimshme, Z. Zolotukhin ka marrë pjesë në veprime rrebele, një shkelje flagrante e rendit publik, duke shprehur mungesë të qartë respekti ndaj komunitetit, shoqëruar me një kërcënim për përdorim dhune, kombinuar me rezistencë ndaj punonjësve publikë që po merreshin me shkeljen e rendit publik; gjithë sa më sipër përbën shkelje në bazë të Nenit 213 § 2 (b) të Kodit Penal.
Si rrezulata i sjelljes së tij rrebele, Z. Zolotukhin është dërguar në zyrën e Kapitenit S., shef i stacionit të policisë nr. 9 në distriktin Leninskiy në Voronezh, i cili ka qenë i pranishëm në cilësinë e tij zyrtare, me qëllim përpilimin e një raporti në lidhje me veprën administrative. K., në zbatim të detyrave të tij zyrtare, ka filluar të përpilojë një raport në lidhje me Z. Zolotukhin për veprën administrative në bazë të Neneve 158 dhe 165 të Kodit të Veprave Administrative të RSFSR-s. Z. Zolotukhin, duke parë se po përpilohej një raport për shkelje administrative, ka filluar të fyejë publikisht K-n, duke përdorur fjalë sharëse ndaj tij si officer policie, në prani të Nën-Kolonelit N., nën-komandant i njësisë ushtarake 14254, dhe Kapitenit S., shef i departamentit të policisë rrugore në stacionin e policisë nr. 9, duke sulmuar kështu, me vetëdije, nderin dhe dinjitetin e një oficeri policie. Z. Zolotukhin ka shpërfillur në mënyrë të ndërgjegjshme kërkesat e përsëritura të Majorit K. për t’i dhënë fund prishjes së rendit publik dhe sjelljes fyese. Pastaj Z. Zolotukhin është përpjekur të largohet nga zyra e shefit të stacionit të policisë pa leje dhe ka shkelmuar një karrige, ndërkohë që vazhdonte të shante me fjalë të ndyra Majorin K. dhe ta kërcënonte atë me dhunë fizike.
Pra, Z. Zolotukhin ka fyer qëllimisht dhe në mënyrë publike një zyrtar publik në detyrë, që dë të thotë se ka kryer një vepër të parashikuar nga Nenin 319 i Kodit Penal.
Pas përpilimit të raportit të veprës administrative në lidhje me Z. Zolotukhin, ai dhe Znj. P. u futën në një automjet për t’u dërguar në Gribanovskiy ROVD, rajoni i Voronezh-it. Në makinë, në prani të Znj. P., Nën-Kolonelit N., zëvëndës komandantit të njësisë ushtarake 14254, dhe shoferit L., Z. Zolotukhin ka vazhduar të sulmojë qëllimisht nderin dhe dinjitetin e Majorit K., i cili po zbatonte detyrën e tij zyrtare, duke përdorur sharje në adresë të tij si officer policie e, kështu, duke e ofenduar atë publikisht; ai pastaj ka kërcënuar publikisht se do t’i shkaktonte vdekje të dhunshme Majorit K., shefit të stacionit të policies nr. 9, për shkak të hapjes së procesit administrativ ndaj tij.
Kështu, me anë të veprimeve të tij të qëllimshme, Z. Zolotukhin ka kërcënuar se do përdorë dhunë ndaj një zyrtari publik për shkak të kryerjes nga ky i fundit të detyrës së tij zyrtare, që do të thotë se ka kryer krim sipas Nenit 318 § 1 të Kodit Penal.
22. Më 2 Dhjetor 2002 Gjykata e Distriktit të Gribanovskiy-t shpalli vendimin. Për shkeljen në bazë të nenit 213 § 2, Gjykata e Rrethit e shfajësoi kërkuesin për arsyet e mëposhtëme:
“Mëngjesin e 4 Janarit 2002 në ... stacionin e policisë nr. 9 [kërkuesi], në gjendje të pirë, ka sharë ... Znj. Y. dhe Z. S., duke e kërcënuar këtë të fundit se do ta vriste. Ai ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesës së ligjshme të Kapitenit S. ..., është sjellë në mënyrë agresive, ka shtyrë S.-n dhe është përpjekur të largohet. Pasi ka shqyrtuar dëshmitë e paraqitura në gjyq, gjykata mendon se faji i [kërkuesit] nuk është provuar. Më 4 Janar 2002 [kërkuesi] është dënuar me tre ditë burg për shkelje administrative për të njëjtat veprime [cilësuar] në bazë të neneve 158 dhe 165 të Kodit të Veprave Administrative. Vendimi gjyqësor as është apeluar, as është anulluar. Gjykata mendon se në veprimet e të pandehurit nuk ka të dhëna për vepër penale në bazë të Nenit 213 § 2 (b) dhe e liron nga kjo akuzë.”
23. Gjykata e Rrethit gjithashtu e ka gjetur fajtor kërkuesin për fyerje të një Zyrtari të Shtetit në bazë të Nenit 319 të Kodit Penal. Ajo provoi se kërkuesi kishte sharë Majorin K. dhe e kishte kërcënuar ndërsa ai po përpilonte raportin për vepër administrative në bazë të Nenit 158 dhe 165 në zyrën e tij tek stacioni i policisë. Deklaratat e Majorit K. për këtë gjë u vërtetuan nga Kapiteni S., Nën-Koloneli N. dhe Znj. Y., të cilët kishin qenë të pranishëm në zyrën e K.-s.
24. Në fund, kërkuesi u shpall fajtor për kanosje me dhunë ndaj një zyrtari publik në bazë të Nenit 318 § 1 të Kodit Penal. Në bazë të deklaratave të Majorit K., Nën-Kolonelit N. dhe të dashurës së kërkuesit, ajo konstatoi se, pas përfundimit të raportit për shkelje administrative, kërkuesi dhe e dashura e tij u dërguan me makinë në stacionin e policisë së distriktit Gribanovskiy. Në makinë, kërkuesi kishte vazhduar të shante Majorin K., e kishte pështyrë dhe kishte thënë se, sapo të lirohej, do e vriste e do arratisej. Majori K. e kishte perceptuar kërcënimin si tëvërtetë, pasi kërkuesi kishte një histori sjelljesh abuzive dhe të dhunshme.
25. Më 15 Prill 2003, Gjykata Rajonale e Voronezh-it, në mënyrë të përmbledhur, mbështeti vendimin e apelit.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDËSHME PËRKATËSE
26. Kushtetuta Ruse siguron se “askush nuk mund të dënohet përsëri për të njëjtin krim” (Neni 50 § 1).
27. Kodi i Proçedurës Penale përcakton se procesi penal duhet të ndërpritet, në qoftë se për të dyshuarin apo të akuzuarin ekziston një vendim i formës së prerë në lidhje me të njëjtat akuza, ose një vendim gjykate, i një hetuesi apo kontrolluesi për të mos vazhduar çështjen penale në lidhje me të njëjtat akuza apo për të mos hapur proces penal (Article 27 (4) and (5)).
28. Kodi i Veprave Administrative të RSFSR-s (në fuqi në periudhën në fjalë) shprehet si më poshtë:
Neni 158. Veprime të lehta të parregullta
“Veprimet e lehta të parregullta, që do të thotë thënie sharjesh në vende publike, sjellje fyese ndaj të tjerëve dhe veprime të tjera të ngjashme që prishin rendin dhe qetësinë publike, janë të dënueshme me një gjobë nga dhjetë deri pesëmbëdhjetë paga minimale ose me një deri dy muaj punë korrektuese të kombinuar me mbajtjen e njëzet përqind të pagës së shkelësit, ose – në qoftë se, në rrethanat e çështjes dhe duke patur parasysh karakterin e shkelësit, këto masa nuk mendohen si të përshtatëshme – me deri pesëmbëdhjetë ditë burg administrativ.”
29. Kodi Penal i Federatës Ruse (varianti në fuqi në periudhën në fjalë) thotë:
Neni 213 Veprime të parregullta
“1. Veprime të parregullta, që do të thotë shkelje serioze të rendit publik apo shfaqje flagrante të mungesës së respektit ndaj komunitetit, të kombinuara me përdorim dhune ndaj individëve ose kanosje për përdorim dhune apo për të shkatërruar apo dëmtuar pasurinë e të tjerëve, janë të dënueshme ... me dy vjet heqje lirie.
2. Të njëjtat veprime, nëse kryhen:
...
(b) duke i bërë rezistencë një zyrtari publik apo një personi tjetër që është duke përmbushur detyrën e saj apo të tij për ruajtjen e rendit publik apo për shqyrtimin e një shkelje të rendit publik...
– ndëshkohen me 180 deri 240 orë pune të detyrueshme ose me një deri dy vite punë korektuese ose me deri pesë vjet heqje lirie.”
Neni 318. Përdorimi i dhunës ndaj një zyrtari publik
“1. Përdorimi i dhunës pa rrezikuar jetën apo shëndetin ose kanosja për përdorimin e një dhune të tillë ndaj një zyrtari publik apo të afërmi të tij për shkak të kryerjes së detyrës së tij apo të saj, ndëshkohet me gjobë me vleftën nga 200 deri 500 paga mujore minimale ... ose me tre deri gjashtë muaj burg ose me deri pesë vite heqje lirie...”
Neni 319. Fyerja e një zyrtari publik
“Fyerja në publik e një zyrtari publik që kryen detyrën e tij apo të saj ose në lidhje me kryerjen e kësaj detyre, ndëshkohet me gjobë me vleftën nga 50 deri 100 paga minimale, ... 120 deri 180 orë pune të detyrueshme ose gjashtë muaj deri një vit punë korrektuese.”
30. Në Rezolutën nr. 4 të 27 Qershorit 1978 (me amendamentet e mëpasme), Gjykata Supreme Plenare u shpreh se në çështjet ku ndaj një të pandehuri ngrihet një akuzë administrative për veprime të lehta të parregullta, por veprimet e tij apo të saj janë mjaftueshmërisht të rrezikshme nga pikëpamja sociale për t’u konsideruar krim, ndaj tij apo asaj duhet hapur proces penal në bazë të Nenit 206 të Kodit Penal të RSFSR-s (zëvendësuar nga Neni 213 i Kodit Penal Rus mbas 1 Janarit 1997) (§ 5). Në Rezolutën nr. 5 të 24 Dhjetorit 1991 (me amendamentet e mëpasme), Gjykata Supreme Plenare u shpreh se gjykatat më të ulëta nuk duhet ta interpretojnë në mënyrë të zgjeruar ndalimin penal të veprimeve të parregullta, me qëllim përjashtimin e dënimit penal të të pandehurve të akuzuar për veprën administrative të veprimeve të lehta të parregullta (§ 20).
III. E DREJTA NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE DHE E KRAHASUESUAR
A. Pakti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile dhe Politike
31. Neni 14 § 7 i Paktit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile dhe Politike siguron si më poshtë:
“Askush nuk mund tё ndiqet apo tё ndёshkohet pёr njё vepёr për të cilën ai ёshtё dёnuar apo liruar njёherё nё pёrputhje me ligjin dhe procedurёn penale tё çdo vendi”.
B. Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare
32. Neni 20 i Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare siguron si më poshtë:
“1. Përveç se siç parashikohet në këtë Statut, asnjë person nuk do të gjykohet nga Gjykata në lidhje me sjellje që përbënin bazën e krimeve për të cilat personi është dënuar apo liruar nga Gjykata.
2. Asnjë person nuk do të gjykohet nga një gjykatë tjetër për një krim referuar në nenin 5, për të cilin personi është dënuar apo liruar nga Gjykata.
3. Asnjë person i gjykuar nga një gjykatë tjetër për sjellje po ashtu të dënueshme në bazë të nenit 6, 7 apo 8, nuk do të gjykohet nga Gjykata për të njëjtën sjellje, përveç se kur procesi në gjykatën tjetër:
(a) Ka patur për qëllim ta mbrojë personin në fjalë nga përgjegjësia penale për krime brenda juridiksionit të Gjykatës; ose
(b) Përndryshe nuk është kryer në mënyrë të pavarur apo të paanëshme në përputhje me normat e procesit të rregullt, të njohura nga e drejta ndërkombëtare, dhe është kryer në një mënyrë të tillë që, në rrethanat konkrete, nuk ka patur për qëllim sjelljen përpara drejtësisë të personit në fjalë.”
C. Bashkimi Europian dhe Marrëveshja e Shengenit
33. Neni 50 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian, e cila u shpall solemnisht nga Parlamenti Europian, Këshilli dhe Komisioni ne Strasburg, më 12 Dhjetor 2007 (OJ 14.12.2007, C 303/1), shprehet si më poshtë:
“Askush nuk gjykohet apo ndëshkohet penalisht përsëri për një vepër për të cilën ai apo ajo është liruar apo dënuar me vendim të formës së prerë brënda Unionit në përputhje me ligjin.”
34. Neni 54 i Konventës për Zbatimin e Marrëveshjes së Shengenit së 14 Qershorit 1985 (“CISA”) siguron si më poshtë:
“Një person, gjykimi i të cilit është mbyllur përfundimisht në një Palë Kontraktuese, nuk mund të ndiqet për të njëjtat vepra në një tjetër Palë Kontraktuese me kusht që, në rast se është shpallur dënimi, ai është zbatuar, është aktualisht në proces zbatimi ose, nuk mund të zbatohet më në bazë të ligjeve të Palës Kontraktuese.”
35. Gjykata e Drejtësisë së Komuniteteve Europiane (“ECJ”) ka njohur parimin non bis in idem si një parim themelor të të drejtës Komunitare (Limburgse Vinyl Maatschappij NV (LVM) dhe të Tjerë k. Komisionit, C-238/99 P, C-244/99 P, C-245/99 P, C-247/99 P,
C - 250/99 P deri C-252/99 P & C-254/99, § 59, 15 Tetor 2002):
“...parimi non bis in idem, që është një parim themelor i të drejtës Komunitare i sanksionuar edhe në Nenin 4 (1) të Protokollit Nr 7 të KEDNJ, në çështjet e konkurencës, përjashton gjykimin fajtor të një sipërmarrje, apo hapjen e procesit gjyqësor ndaj saj për herë të dytë për sjellje jo-konkuruese, për të cilën është dënuar apo shpallur e pafajshme nga një vendim i mëparshëm i paapelueshëm”.
36. Në fushën e të drejtës së konkurencës ECJ (Gjykata Europiane e Drejtësisë) ka përdorur qasjen e mëposhtme për testimin e pajtueshmërisë me parimin non bis in idem (Aalborg Portland dhe të Tjerë k. Komisionit, C-204/00P, 205/00P, 211/00P, 213/00P, 217/00P, 219/00P, § 338, 7 Janar 2004):
“Përsa i përket respektimit të parimit ne bis in idem, zbatimi i këtij parimi është në varësi të kushtit të trefishtë të identitetit të fakteve, unitetit të shkelësit dhe unitetit të interesave ligjore të mbrojtura. Kështu, në bazë të këtij parimi, i njëjti person nuk mund të ndëshkohet më shumë se një herë për një mënyrë të vepruari të paligjshme të menduar për mbrojtjen e të njëjtin aset ligjor.”
37. Jurisprudenca e ECJ-s për bashkëpunimin midis policisë dhe gjyqësorit për çështjet penale bazohet në një interpretim ndryshe të idem (Leopold Henri Van Esbroeck, C-436/04, 9 Mars 2006):
“27. Megjithatë, në radhë të parë, formulimi i Nenit 54 të CISA-s, ‘veprime të njëjta’, tregon se kjo despozitë i referohet vetëm natyrës së veprimeve në konflikt e jo klasifikimit të tyre ligjor.
28. Gjithashtu duhet vërejtur se termat e përdorura në atë nen ndryshojnë nga ata të përdorur në traktate të tjera ndërkombëtare që sanksionojnë parimin ne bis in idem. Ndryshe nga Neni 54 i CISA-s, Neni 14(7) i Paktit Ndërkombëtaretë të të Drejtave Civile dhe Politike dhe Neni 4 i Protokollit nr. 7 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe Lirive Themelore përdorin termin ‘vepër’, që do të thotë se kriteri i klasifikimit ligjor të veprimeve është i rëndësishëm si parakusht për zbatueshmërinë e parimit të ne bis in idem, i cili sanksionohet nga këto traktate.
...
30. Parimi ne bis in idem, që sanksionohet në këtë nen, nënkupton domosdoshmërisht se Shtetet Kontraktuese kanë besim në mënyrë reciproke tek sistemet e drejtësisë penale të njëri-tjetrit dhe se secili prej tyre e njeh të drejtën penale në fuqi në Shtetet e tjera Kontraktuese edhe kur rezultati përfundimtar do të ishte i ndryshëm, në rast se do të zbatohej e drejta e tij e brendëshme ([C-385/01] Gözütok dhe Brügge [[2003] ECR I-1345], paragrafi 33).
31. Rrjedhimisht, mundësia e klasifikimeve ligjore divergjente për të njëjtat veprime në dy Shtete Kontraktuese të ndryshme nuk përbën pengesë për zbatimin e Nenit 54 të CISA-s.
32. Po për këto arsye, kriteri i identitetit të interesave ligjore të mbrojtura nuk mund të jetë i zbatueshëm përderisa ky kriter mund të jetë i ndryshëm nga një Shtet Kontraktues tek tjetri.
33. Gjetjet e mësipërme përforcohen më tej nga qëllimi i Nenit 54 të CISA-s, i cili siguron se askush nuk ndiqet për të njëjtat veprime në disa Shtete Kontraktuese për shkak të ushtrimit nga personi i të drejtës së lirisë së lëvizjes (Gözütok dhe Brügge, paragrafi 38, dhe Çështja C-469/03 Miraglia [2005] ECR I-2009, paragrafi 32).
34. Siç theksohet nga Advocate General në pikën 45 të opinionit të tij, e drejta e lirisë së lëvizjes garantohet në mënyrë të efektshme vetëm nëse autori i një veprimi e di se, pasi të jetë gjykuar fajtor dhe të ketë kryer dënimin e tij ose, sipas rastit, pasi të jetë liruar me vendim përfundimtar të një Shteti Anëtar, ai mund të udhëtojë brenda teritorit të Shengenit pa patur frikën e ndjekjes në një Shtet tjetër Anëtar në bazë të asaj se sistemi ligjor i atij Shteti Anëtar e konsideron veprimin në fjalë vepër më vete.
35. Për shkak se nuk ka harmonizim të të drejtave penale të brendëshme, një kriter që bazohet tek klasifikimi ligjor i akteve apo tek interesi ligjor i mbrojtur, mund të krijojë për lirinë e lëvizjes brenda zonës Shengen po aq pengesa sa ka sisteme penale në Shtetet Kontraktuese.
36. Në këtë rrethana, kriteri i vetëm i rëndësishëm për zbatimin e Nenit 54 të CISA është identiteti i veprimeve material, marrë në kuptimin e ekzistencës së një grupi rrethanash konkrete të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën.
...
38. ...vlerësimi përfundimtar në këtë drejtim i takon ... gjykatave të brendëshme kompetente, të cilat kanë për detyrë të përcaktojnë nëse veprimet materiale në diskutim përbëjnë një grup faktesh të lidhura pazgjidhshmërisht mes tyre në kohë, në hapësirë dhe për nga tematika e tyre.”
38. ECJ e ka konfirmuar dhe zhvilluar këtë qasje në çështjet më të fundit në lidhje me zbatimin e parimit non bis in idem (Norma Kraaijenbrink, C-367/05, 18 Korrik 2007):
“26. ...duhet theksuar se Gjykata është shprehur tashmë se kriteri i vetëm relevant për zbatimin e Nenit 54 të CISA-s është identiteti i akteve materiale, në kuptimin e ekzistencës së një grupi rrethanash konkrete që janë pazgjidhshërisht të lidhura mes tyre (shiko Van Esbroeck, paragrafi 36; Çështja C-467/04 Gasparini dhe të Tjerë [2006] ECR I-9199, paragrafi 54, dhe Çështja C-150/05 Van Straaten [2006] ECR I-9327, paragrafi 48).
27. Për të vlerësuar nëse ekziston një grup i tillë rrethanash konkrete, gjykatat e brendëshme kompetente duhet të përcaktojnë nëse aktet materiale në të dy proceset përbëjnë një grup faktesh që lidhen pazgjidhshmërisht mes tyre në kohë, hapësirë dhe për nga tematika e tyre (shiko, për këtë gjë, Van Esbroeck, paragrafin 38; Gasparini dhe të Tjerë, paragrafi 56, dhe Van Straaten, paragrafi 52).
28. Rrjedhimisht, pika fillestare për vlerësimin e nocionit ‘veprime të njëjta’ në kuptimin e Nenit 54 të CISA-s është shqyrtimi i sjelljes së paligjshme që ka çuar në hapjen e proceseve penale përpara gjykatave të dy Shteteve Kontraktuese, si një e tërë. Kështu, Neni 54 i CISA-s mund të bëhet i zbatueshëm vetëm atje ku gjykata që shqyrton ndjekjen e dytë penale, gjen se veprimet materiale, duke qenë të lidhura në kohë, hapësirë dhe tematikë, përbëjnë një të tërë të pandashme.
29. Nga ana tjetër, në rast se veprimet materiale nuk përbëjnë këtë të tërë të pandashme, thjeshtë fakti se gjykata, para të cilës bëhet ndjekja e dytë penale, konstaton se autori i supozuar i këtyre veprimeve ka vepruar me të njëjtat qëllime penale nuk mjafton për të treguar se ekziston një grup rrethanash konkrete të lidhura pazgjidhshmërisht mes tyre sipas nocionit të ‘veprimeve të njëjta në kuptimin e Nenit 54 të CISA-s.
30. Siç ka theksuar sidomos Komisioni i Komuniteteve Europiane, një lidhje subjektive midis veprimeve që kanë çuar në hapjen e proceseve penale në dy Shtete Kontraktuese të ndryshme, nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston një lidhje objektive mes veprimeve materiale në diskutim, të cilat, rrjedhimisht, mund të dallonin në kohë, hapësirë dhe nga natyra e tyre.
...
32. ...u takon gjykatave të brendëshme kompetente të vlerësojnë nëse shkalla e identitetit dhe lidhjes mes gjithë rrethanave faktike që kanë çuar në hapjen e këtyre proceseve penale kundër të njëjtit person në të dy Shtetet Kontraktuese është e tillë që e bën të mundur konstatimin e tyre si ‘veprime të njëjta’ në kuptimin e Nenit 54 të CISA-s.
...
36. Nga sa thuhet më sipër, përgjigjia për pyetjen e parë duhet të jetë se Neni 54 i CISA-s duhet të interpretohet sipas kuptimit se:
– kriteri i rëndësishëm për qëllimin e zbatimit të këtij neni është identiteti i veprimeve materiale, të kuptuara si ekzistenca e një grupi faktesh të lidhura pazgjidhshmërisht mes tyre, pavarësisht klasifikimit ligjor që u bëhet atyre apo interesit ligjor të mbrojtur;
– veprime të ndryshme që kanë të bëjnë, veçanërisht, së pari, me mbajtjen në një Shtet Kontraktues të përfitimeve nga trafikimi i drogave dhe, së dyti, me shkëmbimin në zyrat e këmbimit të një Shteti tjetër Kontraktues të shumave të parave që gjithashtu e kanë origjinën në të tilla trafikime, nuk duhet të trajtohen si ‘veprime të njëjta’ në kuptimin e Nenit 54 të CISA-s vetëm sepse gjykata e brendëshme kompetente konstaton se këto akte lidhen mes tyre nga i njëjti qëllim kriminal;
– i takon asaj gjykate të brendëshme të vlerësojë nëse shkalla e identitetit dhe e lidhjes mes të gjithë fakteve për t’u krahasuar është e tillë që, në dritën e këtij kriteri të rëndësishëm, i lejon asaj konstatimin e tyre si ‘veprime të njëjta’ në kuptimin e nenit 54 të CISA-s.”
D. Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut
39. Neni 8 § 4 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut thotë si më poshtë:
“Një person i akuzuar i liruar me vendim të paapelueshëm nuk do t’i nënshtrohet një gjyqi të ri për të njëjtën arsye.”
40. Gjykata Ndër-Amerikane e të Drejtave të Njeriut ka bërë këtë intepretim të kësaj dispozite (Loayza-Tamayo k. Perusë, 17 Shtator 1997, Seria C No. 33, § 66):
“Ky parim ka për qëllim të mbrojë të drejtat e një personi që është gjykuar për fakte të caktuara, për të mos iu nënshtruar një gjyqi të ri për të njëjtën arsye. Ndryshe nga formula e përdorur nga instrumente të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (për shembull, Pakti Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile dhe Politike, Neni 14 (7), që i referohet ‘krimit’ të njëjtë), Konventa Amerikane përdor shprehjen ‘arsye të njëjtë,’ që është një term shumë më i gjerë në favor të viktimës.”
E. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara
41. Në Shtetet e Bashkuara, rregulli i rrezikut të dyfishtë lind nga Amendamenti i Pestë i Kushtetutës, klauzola përkatëse e të cilit thotë:
“...asnjë personi nuk do t’i rrezikohet jeta apo gjymtyra dy herë për të njëjtën vepër, ... ”
42. Në çështjen Blockburger k. Shteteve të Bashkuara, 284 U.S. 299 (1932), në të cilën i akuzuari kishte shitur drogë jo në paketimin original dhe pa një porosi me shkrim nga blerësi, e ku shitja ishte cilësuar si dy shkelje statutore, Gjykata e Lartë aprovoi interpretimin e mëposhtëm:
“Seksioni 1 i Ligjit për Narkotikët e quan shkelje shitjen e çdo droge të ndaluar, përveç se në ose nga paketimi original i vulosur; dhe seksioni 2 quan shkelje shitjen e çdo droge jo në bazë të një porosie me shkrim nga personi të cilit i shitet droga. Kështu, sipas këtij statuti, kemi dy shkelje të ndryshme. Kemi vetëm një shitje dhe pyetja është nëse, me shkeljen e dy seksioneve nga i njëjti veprim, i akuzuari ka kryer dy apo vetëm një shkelje.
...
Secila nga shkeljet kërkën prova të një lloji tjetër. Rregulli i zbatueshëm është që, kur i njëjti veprim apo transaksion përbën shkelje të dy dispozitave statutore të ndryshme, testi që përdoret për të përcaktuar nëse kemi dy shkelje apo vetëm një është nëse secila dispozitë kërkon provimin e një fakti shtesë që tjetra nuk e kërkon ... [Kjo] gjykatë ka cituar dhe adoptuar gjuhën e Gjykatës së Lartë të Massachusetts në çështjen Morey k. Komonuelthit, 108 Mass. 433: ‘Një veprim i vetëm mund të përbëjë shkelje të dy dispozitave statutore; dhe secila dispozitë kërkon provimin e një fakti shtesë që tjetra nuk e kërkon, lirimi apo dënimi në bazë të njërës dispozitë nuk e përjashton të akuzuarin nga ndjekja në bazë të dispozitës tjetër.’”
43. Në çështjen Grady k. Corbin, 495 U.S. 508 (1990), që kishte të bënte me një “vrasje me makinë” nga i akuzuari Corbin, Gjykata e Lartë zhvilloi një qasje të ndryshme:
“...[Një] krahasim teknik i elementeve të të dy shkeljeve, siç kërkohet nga Blockburger, nuk e mbron mjaftueshëm të akuzuarin nga barra e gjyqeve të shumëfishta. Kjo çështje demonstron po ashtu kufizimet e analizës Blockburger. Në qoftë se i gjithë shqyrtimi për double jeopardy në kontekstin e proceseve të mëpasme kishte të bënte me Blockburger atëherë Shteti mund ta gjykonte Corbin-in në katër gjyqe rradhazi: për mosmbajtje të krahut të djathtë, për ngarje makine në gjendje të pirë, për sulm dhe për vrasje. Shteti mund ta përmirësonte paraqitjen e provave nga ana e tij në secilin gjyq, duke vlerësuar cili nga dëshmitarët kishte dhënë dëshminë më bindëse, cilat dokumente kishin ndikimin më të madh, cila fjalë hapëse apo mbyllëse ishte më bindëse për jurinë. Korbin do ishte detyruar ose të kundërshtonte secilin nga këto gjyqe, ose do të pranonte se ishte fajtor për t’i shpëtuar shpenzimeve.
Kështu, një proces penal pauses duhet të bëjë më shumë se sa thjesht të kalojë testin Blockburger. Siç kemi sugjeruar tek Vitale, Klauzola e Double Jeopardy (Rrezikut të dyfishtë) ndalon çdo ndjekje penale pasuese ku qeveria, për të provuar një element thelbësor të një shkelje për të cilën ngrihet akuzë, do t’i duhet të provojë një sjellje që përbën shkelje, për të cilën i akuzuari është gjykuar tashmë. ... Pyetja kritike është për sjelljen që do të provojë Shteti, jo për provat që do të përdorë Shteti për ta provuar atë sjellje... [Një] Shtet nuk mund të shmnagë diktatin e Klauzolës së Double Jeopardy thjesht duke alternuar në proceset pasuese faktet e ofruar për të provuar të njëjtën sjellje...”
44. Megjithatë, në çështjen Shtetet e Bashkuara k. Dixon, 509 U.S. 688 (1993), Gjykata e Lartë iu kthye testit Blockburger:
“Mbrojtja që garanton klauzola e Double Jeopardy ka lidhje si me rastet e ndjekjes penale për shpërfillje të gjykatës, edhe me ndjekjet e tjera penale. Në kontekstin edhe të ndëshkimeve shumëfishe, edhe të ndjekjeve penale të njëpasnjëshme, ndalimi i double jeopardy është i zbatueshëm në rast se të dy veprat, për të cilat i akuzuari është ndëshkuar apo gjykuar, nuk mund t’i mbijetojnë testit të ‘elementeve të njëjta’ apo të ‘Blockburger’ ... Ky test shqyrton nëse secila nga veprat përmban një element që nuk e përmban tjetra; nëse jo, ato janë ‘vepra të njëjta’ në kuptimin e Klauzolës, dhe double jeopardy ndalon ndëshkimin apo ndjekjen pasuese...
Megjithëse ndjekja [në këtë çështje] do të ndalohej pa dyshim nga testi Grady i ‘sjelljes së njëjtë’, Grady duhet anulluar sepse ishte në kundërshtim me një linjë të pandërprerë vendimesh ... dhe ka krijuar konfuzion... Veç kësaj, rregulli Grady ka rezultuar tashmë i paqendrueshëm në zbatim, shiko Shtetet e BAshkuara k. Felix, 503 U. S. ___. Megjithëse Gjykata nuk e bën me lehtësi rimarrjen në konsideratë të precedentit, ajo nuk është ndjerë kurrë e detyruar të ndjekë vendime të mëparëshme që janë jo funksionale dhe të keqargumentuara.”
E DREJTA
I. KUNDËRSHTIMET PARAPRAKE TË QEVERISË
45. Përpara Dhomës së Madhe, Qeveria ngriti për herë të parë kundërshtimin për mos-shterrim të mjeteve të brendëshme. Ajo pohoi se kërkuesi nuk kishte apeluar kundër dënimit administrativ apo vendimit për hapjen e procesit penal.
46. Gjykata rithekson se, në përputhje me Rregullin 55 të Rregullores së Gjykatës, çdo lutje për mospranueshmëri, për aq sa e lejon karakteri dhe rrethanat e saj, duhet të ngrihet nga Pala Kontraktuese e paditur në komentet e tyre me shkrim dhe me gojë në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës (shiko Prokopovich k. Rusisë, nr. 58255/00, § 29, ECHR 2004-XI (extrakte), me referenca të mëtejshme). Në fazën e pranueshmërisë, Qeveria nuk ka ngritur asnjë kundërshtim në lidhje me shterrimin e mjeteve të brendëshme. Për pasojë, Qeveria ndalohet të ngrejë një kundërshtim paraprak për mos-shterrim të mjeteve të brendëshme në fazën aktuale të procesit. Rrjedhimisht, kundërshtimi i Qeverisë hidhet poshtë.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 4 TË PROTOKOLLIT NR. 7
47. Kërkuesi është ankuar në bazë të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 se, pas shlyerjes së dënimit me tre ditë burg për veprime të parregullta të kryera më 4 Janar 2002, atë e kanë gjykuar përsëri për të njëjtën shkelje. Neni 4 i Protokollit Nr. 7 siguron si më poshtë:
“1. Askush nuk mund të ndiqet ose të dënohet penalisht nga juridiksioni i të njëjtit Shtet për një vepër për të cilën ai më parë ka qenë shpallur i pafajshëm ose dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë, në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të atij Shteti.
2. Dispozitat e paragrafit të mësipërm nuk pengojnë rihapjen e procesit, në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të Shtetit të interesuar, në rast se fakte të reja ose të zbuluara rishtazi, ose një mangësi themelore në procedimet e mëparshme janë të një natyre të tillë që mund të cenojnë vendimin e dhënë.
3. Asnjë derogim nuk lejohet për këtë nen në përputhje me nenin 15 të Konventës .”
A. Nëse sanksioni i parë ishte i natyrës penale
48. Gjykata vëren se, më 4 Janar 2002, kërkuesi u shpall fajtor në procesin gjyqësor të kryer në bazë të Kodit të Shkeljeve Administrative, që, sipas klasifikimit ligjor rus, konsiderohet me shumë si “administrativ” se sa “penal”. Kështu, në mënyrë që të përcaktojmë nëse kërkuesi është “liruar apo dënuar me vendim të formës së prerë në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të Shtetit”, gjëja e parë për t’u vendosur është nëse këto procedura kishin të bënin me një çështje “penale” në kuptimin e Nenit 4 të protokollit Nr. 7.
1. Konkluzioni i Dhomës
49. Dhoma, duke patur parasysh dënimin maksimal prej pesëmbëdhjetë ditësh për këtë shkelje sipas Nenit 158 të Kodit të Shkeljeve Administrative dhe dënimin me tre ditë burg të kryer nga kërkuesi, u shpreh se shpallja fajtor në procesin e kryer më 4 Janar 2002 përbënte dënim “penal” në kuptimin e Nenit 4 të Protokollit Nr. 7.
2. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
50. Kërkuesi parashtroi se dënimi i tij për një shkelje sipas Nenit 158 të Kodit të Shkeljeve Administrative e plotësonte kriterin e vendosur në jurisprudencën e Gjykatës mbi interpretimin e nocionit të “akuzës penale”. Ai theksoi se elementi vendimtar për klasifikimin e një shkelje si “penale” ishte dënimi potencial - në rastin e tij me pesëmbëdhjetë burg – e jo dënimi aktual i dhënë për të, (ai iu referua çështjeve Engel dhe të Tjerë k. Hillandës, 8 Qershor 1976, § 85, Seria A nr. 22, dhe Lauko k. Sllovakisë, 2 Shtator 1998, Reporte të Gjykimeve dhe Vendimeve 1998‑VI). Ai kujtoi se atë e kishin vënë në pranga për ta nxjerrë përpara gjykatësit, ishte shpallur fajtor po atë ditë dhe ishte dënuar me tre ditë burg, vendim ky që hynte në fuqi menjëherë.
(b) Qeveria
51. Qeveria pranoi se dënimi i kërkuesit më 4 Janar 2002 kishte qenë i natyrës “penale”.
3. Vlerësimi i Gjykatës
52. Gjykata rithekson se cilësimi ligjor i procedurës sipas ligjit të brendshëm nuk mund të jetë kriteri i vetëm përcaktues për zbatueshmërinë e parimit non bis in idem sipas Nenit 4 § 1 të Protokollit Nr. 7. Përndryshe, zbatimi i kësaj dispozite do t’i ishte lënë diskrecionit të Shteteve Kontraktuese në një masë që mund të çonte në rrezultate të papajtueshme me objektin dhe qëllimin e Konventës (shiko, më së fundmi, Storbråten k. Norvegjisë (dec.), nr. 12277/04, ECHR 2007‑... (extrakte), me referenca të mëtejshme). Nocioni i “procedures penale” në tekstin e Nenit 4 të Protokollit nr. 7, duhet interpretuar në dritën e parimeve të përgjithëshme në lidhje me fjalët koresponduese “akuzë penale” dhe “dënim” përkatësisht në Nenet 6 dhe 7 të Konventës (shiko Haarvig k. Norvegjisë (dec.), nr. 11187/05, 11 Dhjetor 2007; Rosenquist k. Suedisë (dec.), no. 60619/00, 14 Shtator 2004; Manasson k. Suedisë (dec.), nr. 41265/98, 8 Prill 2003; Göktan k. Francës, nr. 33402/96, § 48, ECHR 2002-V; Malige k. Francës, 23 Shtator 1998, § 35, Reporte 1998‑VII; dhe Nilsson k. Suedisë (dec.), nr. 73661/01, ECHR 2005‑...).
53. Jurisprudenca e konsoliduar e Gjykatës përcakton tri kritere, të njohura gjerësisht si “kriteret Engel” (shiko Engel dhe të Tjerë, cituar më lart), që duhen konsideruar kur përcaktojmë nëse kemi të bëjmë ose jo me “akuzë penale”. Kriteri i parë është klasifikimi ligjor i veprës sipas ligjit të brendshëm, i dyti është vetë natyra e veprës dhe i treti është ashpërsia e dënimit që rrezikon të marrë personi në fjalë. Kriteri i dytë dhe i tretë janë alternative dhe jo domosdoshmërisht kumulativë. Kjo, megjithatë, nuk e përjashton qasjen kumulative atje ku analiza veçmas e çdo kriteri nuk mundëson mbërritjen e një konkluzioni të qartë për ekzistencën e një akuze penale (shiko, si autoritete të fundit, Jussila k. Finlandës [GC], nr. 73053/01, §§ 30-31, GJEDNJ 2006‑..., dhe Ezeh dhe Connors k. Mbretërisë së bashkuar [GC], nr. 39665/98 dhe 40086/98, §§ 82-86, GJEDNJ 2003‑X).
54. Sipas klasifikimit ligjor të brendshëm, vepra e “e veprimeve të lehta të parregullta” sipas Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative karakterizohej si “administrative”. Megjithatë, Gjykata rithekson se edhe më parë është konstatuar se sfera e përkufizuar si “administrative” në sistemin ligjor rus dhe sisteme të tjera të ngjashme, përfshin vepra të caktuara që kanë një konotacion penal, por janë shumë të parëndësishme për t’u mbuluar nga ligji dhe procedura penale (shiko Menesheva k. Rusisë, nr. 59261/00, § 96, GJEDNJ 2006‑...; Galstyan k. Armenisë, nr. 26986/03, § 57, 15 Nëntor 2007; dhe Ziliberberg k. Moldavisë, nr. 61821/00, §§ 32-35, 1 Shkurt 2005).
55. Nga natyra e tij, përfshirja e një vepre për “veprime të lehta të parregullta” në Kodin e Veprave Administrative ka shërbyer për të garantuar dinjitetin njerëzor dhe rendin publik, vlera dhe interesa që normalisht hyjnë në sferën e mbrojtjes së të drejtës penale. Dispozita koresponduese e Kodit i drejtohej të gjithë qytetarëve e jo një grupi me një status të veçantë. Referenca ndaj natyrës “së lehtë” të veprimeve, në vetvete, nuk e përjashton klasifikimin e tyre si “penale” në kuptimin autonom të Konventës, pasi nuk ka asgjë në Konventë që të sugjerojë se natyra penale e një vepre, në kuptimin e kritereve Engel, kërkon domosdoshërisht një shkallë të caktuar serioziteti (shiko Ezeh, cituar lart, § 104). Së fundi, Gjykata mendon se qëllimet primare për përcaktimin e veprës në diskutim ishin ndëshkimi dhe parandalimi që njihen si tiparet karakterishtike të dënimeve penale (ibid., §§ 102 dhe 105).
56. Sa për shkallën e ashpërsisë së masës, ajo përcaktohet duke iu referuar dënimit potencial maksimal që parashikohet nga ligji përkatës. Dënimi i dhënë në këtë rast është i rëndësishëm për përcaktimin, por nuk mund të zvogëlojë rëndësinë e asaj çka rrezikohej fillimisht (ibid., § 120). Gjykata vëren se Neni 158 i Kodit të Veprave Administrative parashikon pesëmbëdhjetë ditë burg si dënim maksimal dhe se kërkuesi në fund është dënuar me tre ditë heqje lirie. Siç e ka konfirmuar Gjykata në shume raste, në një shoqëri që respekton sundimin e ligjit ku dënimi i parashikuar me ligj dhe ai i dhënë për kërkuesin përbën heqje lirie, supozohet se akuzat ndaj kërkuesit janë “penale”, supozim ky që mund të kundërshtohet vetëm në kushte të rrethanve të jashtëzakonshme dhe vetëm nëse heqja e lirisë nuk mund të konsiderohet si “dukshëm dëmtuese” nisur nga natyra, kohëzgjatja dhe mënyra e ekzekutimit (shiko Engel, § 82, dhe Ezeh, § 126, të cituar të dy më sipër). Në këtë çështje Gjykata nuk sheh se ka ndonjë rrethanë të tillë të jashtëzakonshme.
57. Në dritën e konsideratave të mësipërme Gjykata del në përfundimin, ashtu si edhe Dhoma, se natyra e shkeljes për shkak të “veprimeve të lehta të parregullta”, sëbashku me ashpërsinë e dënimint, ishin të tilla që e bëjnë dënimin e kërkuesit më 4 Janar 2002, të hyjë në kuadrin e “procedures penale” sipas Nenit 4 të Protokollit Nr. 7.
B. Nëse veprat për të cilat kërkuesi u ndoq penalisht ishin të njëjta (idem)
58. Neni 4 i Protokollit Nr. 7 garanton se askush nuk do gjykohet apo dënohet për një vepër për të cilën ai është dënuar apo liruar me vendim të formës së prerë. Nisur nga shumica e akuzave të ngritura ndaj kërkuesit penalisht, Gjykata e konsideron të nevojshme të përcaktojë, që në fillim, nëse çdo vepër penale për të cilën akuzohet kërkuesi ishte thelbësisht e ngjashme me veprën administrative për të cilën është dënuar.
1. Konkluzioni i Dhomës
59. Dhoma konstatoi se, për sa i takon dënimit të kërkuesit në bazë të Neneve 318 dhe 319 të Kodit Penal për fyerje dhe kanosje me dhunë të zyrtarëve publikë, kjo pjesë e dënimit ishte bazuar mbi veprime të shkëputura dhe pasuese në kohë nadj atyre mbi të cilët ishte mbështetur dënimi i tij për “veprime të parregullta” . Nga ana tjetër, akuza për “veprime të parregullta” sipas Nenit 213 të Kodit Penal, e ngritur ndaj kërkuesit, i referohej të njëjtave fakte si ato që formonin bazën për dënimin e tij në bazë të Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative. Nisur nga fakti që vepra e “veprimeve të lehta të parregullta” siç përcaktohej në Nenin 158 dhe ajo e “veprimeve të parregullta” në bazë të Nenit 213 kishin të njëjtjat elemente, domethënë prishjen e rendit publik, Dhoma konkludoi se kërkuesi ishte ndjekur për të njëjtën vepër për të cilën ishte dënuar më parë.
2. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
60. Kërkuesi prashtroi se në rastet kur kemi ndjekje rradhazi të vepra të ndryshme si rrezultat i një veprimi të vetëm, pyetja kryesore është nëse veprat kanë ose jo “të njëjtjat elemente thelbësore”. Në jurisprudencën e Gjykatës veprat dallohen si të ndara duke përdorur testin e “elementeve thelbësore të njëjta”, në pesë rrethana. Së pari, nëse sjellja që i ngarkohet kërkuesit nuk është e njëjtë në lidhje me të dy veprat (si tek Manasson, cituar më lart). Së dyti, nëse veprat vetë kanë aspekte thelbësore të ndryshme (si tek Schutte k. Austrisë, nr. 18015/03, 26 Korrik 2007, ku Kodi Penal i referohej përdorimit të kanosjes apo dhunës së rrezikshme ndaj zyrtarit publik, ndërsa Ligji për Trafikun Rrugor thjesht parashikonte ndëshkim për ata që nuk ndalonin për qëllim kontrolli rrugor). Së treti, nëse një kusht esencial në lidhje lidhje me natyrën e fajit të të akuzuarit kërkohej për njërën vepër, por jo për veprën tjetër (e tillë si prova e qëllimit apo neglizhencës tek Rosenquist, cituar më sipër, apo prova e dështimit të qëllimshëm, si tek Ponsetti dhe Chesnel k. Francës (dec.), nr. 36855/97 dhe 41731/98, GJEDNJ 1999‑VI). Së katërti, nëse qëllimi i masave ishte i ndryshëm (për shembull, frenimi dhe parandalimi përkundër ndëshkimit, si tek Mjelde k. Norvegjisë (dec.), nr. 11143/04, 1 Shkurt 2007). Së pesti, nëse sanksionet kishin të bënin me dy entitete ligjore të ndryshme (si tek Isaksen k. Norvegjisë (dec.), nr. 13596/02, 2 Tetor 2003).
61. Në lidhje me këtë çështje, kërkuesi vuri në dukje se ishte akuzuar penalisht në bazë të Nenit 213 të Kodit Penal për veprimet e kryera prej tij mëngjesin e 4 Janarit 2002, për të cilat ai kishte marrë tashmë ndëshkim administrativ. Në parashtrimet e tij, veprat për të cilat ai qe ndjekur në bazë të Nenit 213 të Kodit Penal dhe Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative përmbanin repsektivisht të njëjtat elemente thelbësore, si faktike edhe ligjore.
62. Në vështrimin e kërkuesit, të dy proceset ndaj tij kishin të bënin me të njëjtat fakte, që do të thotë, sharje ndaj policëve, prishja e rendit publik, refuzim për t’iu bindur urdhërave të policies dhe përpjekja për t’u larguar nga stacioni i policisë mëngjesin e 4 Janarit 2002. Identiteti i tyre faktik ishte nxjerrë nga përshkrimi i veprimeve të Kërkuesit në raportin e veprës administrative të 4 janarit 2002 dhe akt-padia e 19 Prillit 2002.
63. Sa për karakterizimin që mund t’i bëhej këtyre fakteve në ligj, ndjekja e kërkuesit ishte e mundur ose në Bazë të Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative, ose në bazë të Nenit 213 të Kodit Penal. Megjithëse actus reus i të dy veprave nuk ishte ekzaktësisht e njëjta gjë, të dy veprat kishin të njëjtat elemente thelbësore. Nocioni i “demonstrimit flagrant të mungesës së respektit për komunitetin” në bazë të Nenit 213 në thelb përfshinte “artikulimin e sharjeve [dhe] sjelljen fyese ndaj të tjerëve” sipas Nenit 158. Kërkuesi i është referuar jurisprudences së Gjykatës së Lartë Ruse, e cila ishte shprehur që në vitin 1978 se një veprim mund të përbënte ose vepër administrative të “veprimeve të lehta të parregullta” ose krim të “veprimeve të parregullta”, por asnjëherë të dyja (shiko paragrafin 30 sipër). Për pasojë, mundësia që një veprim i vetëm të përbënte dy vepra të ndryshme (concours ideal d’infractions) në këtë çështje përjashtohej.
(b) Qeveria
64. Qeveria u shpreh se kërkuesi kishte kryer dy vepra që ishin të dallueshme si në vështrimin faktik, edhe atë ligjor.
65. Në lidhje me faktet, Qeveria pretendoi se ndjekja e kërkuesit për krimin e “veprimeve të parregullta” në bazë të Nenit 213 § 2 të Kodit Penal, i referohej sulmit të tij verbal ndaj Kapitenit S. dhe Majorit K., kur ky i fundit po përgatiste raportin e veprës administrative, domethënë, pas kryerjes së veprës administrative. Sipas Qeverisë, duke patur parasysh kërkesat për kryerje të procesit administrativ “me shpejtësi” dhe brenda një “kohe të arsyeshme”, autoritetet e brendëshme e kishin patur të pamundur të të kryenin ndjekjen menjëherë të këtyre veprimeve të kërkuesit për shkak të angazhimit të tyre për nxjerrjen e kërkuesit përpara gjykatësit. Hapja e procesit penal kishte marrë kohë shtesë dhe kërkonte domosdoshmërisht përfundimin e akteve specifike procedurale. Në vështrimin e Qeverisë, çështja aktuale ishte e ngjashme, për sa i takon rrethanave të saj faktike, me çështjet Schutte (cituar më lart) dhe Asci k. Austrisë (dec., nr. 4483/02, GJEDNJ 2006‑...).
66. Në lidhje me karakteristikat ligjore, Qeveria ka pranuar se si në rastin e veprës administrative të “veprimeve të lehta të parregullta” dhe në rastin e krimit të “veprimeve të parregullta” mbrohej i njëjti interes ligjor, ai i rendit publik. Megjithatë, të dy veprat ndryshonin në lidhje me actus reus-in e tyre, seriozitetin e shkeljes së rendit publik dhe ashpërsinë e dënimit. Vepra administrative ishte më pak serioze se sa krimi, pasi përbënte thjesht një shmangie nga normat e vendosura sociale dhe morale, ndërsa krimi nënkuptonte përdorimin e dhunës dhe rezistencën ndaj zyrtarit publik. Qeveria vuri në dukje se “veprimet e lehta të parregullta” jo vetëm që ishin të dënueshme me një kohë më të shkurtër në burg, por kushtet e burgut për arsye administrative ishin gjithashtu më të mira se sa në një burg ku vuanin dënimin kriminelë të dënuar. Për këtë arsye nuk kishte identitet/unitet? të veprave.
(c) Pala e tretë
67. Pala e tretë argumetoi se fjala “infraction” në frëngjisht dhe “offence” në anglisht kishte një origjinë dyfishe: së pari, në veprimin aktual, konkret e keqdashës që ka shkaktuar trazim publik, dhe së dyti, në klasifikimin ligjor të veprës, domethënë, përshkrimi në ligj i sjelljes së dënueshme. Kuptimi i përgjithshëm i fjalës “infraction” apo “offence” kishte të bënte me sjelljen e autorit të veprës. Ky konfuzion ekzistonte edhe në instrumentet e të drejtës ndërkombëtare, të cilat i përdornin, në fakt, të dy fjalët (“offences”/vepra dhe “facts”/fakte). Kjo shpjegon përse “offence” ishte përkthyer si “les mêmes faits” në variantin frëngjisht të Konventës për Zbatimin e Marrëveshjes së Shengenit të vitit 1990.
68. Sipas opinionit të palës së tretë, paqartësia që rrethonte termat “infraction” dhe “offence” kishte krijuar konfuzion në institucionet e Konventës. Ndërsa Komisioni, në çështjen Raninen k. Finlandës (nr. 20972/92, vendim i Komisionit i datës 7 Mars 1996), dhe Gjykata në çështjen Gradinger k. Austrisë (23 Tetor 1995, Seria A nr. 328‑C) ka përdorur fjalën “offence” për të përshkruar sjelljen e kërkuesit, vendimi për çështjen Oliveira k. Zvicrës (30 Korrik 1998, Raporte 1998‑V) sinjalizoi një qasje të re ku Gjykata ka pranuar se gjykata të ndryshme mund të gjykojnë për “vepra të ndara edhe nëse ato janë të gjitha pjesë të një akti të vetëm penal”. Kështu, koncepti i “offence” i perceptuar si sjellje ka filluar t’i hapë rrugën një qasjeje që autorët e Protokollit nr. 7 nuk e kishin parashikuar.
69. Pala e tretë kritikoi jurisprudencën e Gjykatës për paparashikushmërinë e saj dhe pasigurinë ligjore dhe i kërkoi Gjykatës të adoptonte një qasje më konsistente. Për mendimin e saj, qasja që konsistonte në përcaktimin e idem në bazë të “fakteve të njëjta” ishte më e sigurtë për individin se sa qasja e bazuar tek identiteti ligjor. Miratimi i qasjes në bazë të “fakteve të njëjta” do të rriste besueshmërinë e jurisprudencës së Gjykatës në lidhje me një të drejtë të patjetërsushme që nuk duhej lënë kurrë në varësi të kompetencave të brendëshme diskrecionare.
3. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Përmbledhje e qasjeve ekzistuese
70. Jurisprudenca e akumuluar gjatë gjithë histories së zbatimit nga Gjykata të Nenit 4 të Protokollit nr. 7 flet për ekzistencën e disa qasjeve në lidhje me çështjen nëse veprat për të cilat ndiqet një kërkues janë të njëjta.
71. Qasja e parë, e cila fokusohet tek “e njëjta sjellje” e kërkuesit, pavarësisht klasifikimit të kësaj sjellje në ligj (idem factum), ilustrohet në vendimin Gradinger. Në këtë çështje, Z. Gradinger ishte dënuar penalisht për shkaktim vdekje nga neglizhenca dhe, gjithashtu, administrativisht me gjobë për ngarje automjeti nën influencën e alkoolit. Gjykata konstatoi se megjithëse përshkrimi, natyra dhe qëllimi i të dy veprave ishin të ndryshme, ishte shkelur neni 4 i Protokollit nr. 7 për faktin se të dy vendimet ishin bazuar në të njëjtën sjellje të kërkuesit (see Gradinger, cited above, § 55).
72. Qasja e dytë niset gjithashtu nga premisa se sjellja e të akuzuarit që ka çuar në ndjekje është e njëjtë, por sugjeron se e njëjta sjellje mund të përbëjë disa vepra (concours idéal d’infractions) që mund të gjykohen në procedura gjyqësore të ndryshme. Kjo qasje është përdorur nga Gjykata në çështjen Oliveira (cituar më lart), në të cilën kërkuesja ishte dënuar fillimisht për moskontrollim të automjetit të saj dhe më pas për shkaktim dëmi fizik nga neglizhenca. Makina e saj kishte dalë në anën tjetër të rrugës, duke i rënë një makine e më pas duke u përplasur me një makinë të dytë, shoferi i të cilës kishte pësuar dëmtime serioze. Gjykata konstatoi se faktet e çështjes ishin një shembull tipik i një akti të vetëm që përbën shkelje të ndryshme, ndërsa Neni 4 i Protokollit Nr. 7 vetëm se ndalonte gjykimin e personit dy herë për të njëjtën vepër. Në vështrimin e Gjykatës, edhe pse do kish qenë më në përputhje me parimin e administrimit të rregullt të Drejtësisë në rast se dënimi për të dy veprat do ishte dhënë nga e njëjta gjykatë në një proces të vetëm gjyqësor, fakti që për çështjen në fjalë ajo çka diskutohej ishte ekzistenca e dy procedurave gjyqësore, nuk ishte vendimtar. Fakti që vepra të ndryshme, edhe pse pjesë të një akti të vetëm penal, gjykoheshin nga gjykata të ndryshme nuk çonte në shkelje të Nenit 4 të Protokollit nr. 7, veçanërisht kur dënimet nuk ishin kumulative (shiko Oliveira, cituar sipër, §§ 25-29). Më pas, në çështjen Göktan, Gjykata është shprehur, gjithashtu, se nuk kishte shkelje të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7, sepse e njëjta sjellje penale, për të cilën kërkuesi ishte dënuar, përbënte dy vepra të veçanta: një krim për përfshirje në importim të paligjshëm drogash dhe shkelje doganore për mospagim të gjobës doganore (shiko Göktan, cituar sipër, § 50). Kjo qasje është ndjekur edhe në çështjet Gauthier k. Francës (dec., nr. 61178/00, 24 Qershor 2003) dhe Ongun k. Turqisë (dec., nr. 15737/02, 10 Tetor 2006).
73. Qasja e tretë e vë theksin tek “elementet thelbësore” të të dy veprave. Në çështjen Franz Fischer k. Austrisë (nr. 37950/97, 29 Maj 2001), Gjykata konfirmoi se Neni 4 i Protokollit nr. 7 e lejonte ndjekjen për disa vepra që buronin nga një akt penal i vetëm (concours idéal d’infractions). Megjithatë, meqenëse do të ishte në mospërputhje me këtë dispozitë, në rast se një kërkues mund të ndiqej apo dënohej përsëri për vepra që ishin vetëm “nominalisht të ndryshme”, Gjykata u shpreh se duhej të shqyrtonte, gjithashtu, edhe nëse këto vepra përmbanin ose jo të njëjtat “elemente esenciale”. Meqenëse në çështjen e Z. Fischer, shkelja administrative për ngarje makine në gjendje të pirë dhe krimi për shkaktim vdekje nga neglizhenca duke “lejuar intoksikimin e vetes” kishin të njëjtat “elemente esenciale”, Gjykata konstatoi shkelje të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7. Ajo theksoi gjithashtu se në rast se të dy veprat për të cilat personi në fjalë ishte ndjekur, do të kishin patur vetëm një mbivendosje të lehtë, nuk do të kishte patur arsye për mosndjekje të të akuzuarit për secilën prej tyre veçmas. E njëjta qasje u ndoq edhe në çështjen W.F. k. Austrisë (no. 38275/97, 30 Maj 2002) dhe Sailer k. Austrisë (nr. 38237/97, 6 Qershor 2002), të cilat mbështeteshin të dyja në një grup rrethanash të ngjashme.
74. Që nga futja e konceptit të “elementeve thelbësore” Gjykata i është referuar shpesh atij në çështjet e mëvonëshme. Në çështjen Manasson “elementi thelbësor” që dallonte kundravajtjen sipas ligjit për taksat nga vepra sipas të drejtës penale u konkludua se ishte “mbështetja e kërkuesit tek informacioni jo i saktë i regjistrave gjatë paraqitjes së dokumenteve për raportimine taksave,” (shiko Manasson, cituar sipër). Po kështu, në çështjen Bachmaier, Gjykata vërejti se elementi përkeqësues i veçantë i ngarjes së makinës në gjendje të pirë, ishte vendosur në një proces të vetëm (shiko Bachmaier k. Austrisë (dec.), nr. 77413/01, 2 Shtator 2004).
75. Në një numër çështjesh me vepra në lidhje me taksat, dy vepra tatimore janë konstatuar të ndryshme për sa i takon qëllimit të tyre penal (shiko Rosenquist, cituar sipër). Po këto dy dallime u gjetën relevante në çështjet Storbråten dhe Haarvig, të cituara më lart.
76. Në dy çështje austriake, analiza e Gjykatës nxori në pah një grup të ndryshëm “elementësh thelbësorë”. Në çështjen Hauser-Sporn ajo u shpreh se vepra e braktisjes së një viktime dhe vepra e mosinformimit të policisë në lidhje me një aksident ndryshonte për sa i takonte qëllimit të tyre penal dhe kishte të bënte, gjithashtu, me veprime dhe mosveprime të ndryshme (shiko Hauser-Sporn k. Austrisë, nr. 37301/03, §§ 43-46, 7 Dhjetor 2006). Në çështjen Schutte “elementi thelbësor” i një vepre ishte përdorimi i kanosjes së rrezikshme apo i forcës si mjet për t’i rezistuar ushtrimit të autoritetit zyrtar, ndërsa vepra tjetër kishte të bënte me një mosveprim të thjeshtë në kontekstin e sigurisë rrugore, pikërisht me mosrespektimin e kërkesës së policisë për të ndaluar (shiko Schutte, cituar sipër, § 42).
77. Së fundi, në vendimin e saj më të fundit për këtë temë, Gjykata ka vendosur se të dy veprat në fjalë kishin “elemente thelbësore” të ndryshme në atë që ishin të dallueshme për sa i takon seriozitetit dhe pasojave, vlerës sociale që mbrohej dhe qëllimit penal (shiko Garretta k. Francës (dec.), nr. 2529/04, 4 Mars 2008).
(b) Harmonizimi i qasjes që duhet ndjekur
78. Gjykata mendon se ekzistenca e një shumëllojshmërie qasjesh për vërtetimin nëse një vepër për të cilën një kërkues është ndjekur, është vërtetë e njëjtë me një tjetër për të cilën ai apo ajo është dënuar apo liruar me vendim përfundimtar gjykate, krijon pasiguri ligjore, gjë që është në kundërshtim me një të drejtë themelore, pikërisht të drejtën për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër. Pikërisht ky është sfondi në të cilin Gjykatës i kërkohet të japë një interpretim të harmonizuar të nocionit të “veprës së njëjtë” – elementi idem i parimit non bis in idem– për qëllimet e Nenit 4 të Protokollit Nr. 7. Ndërkohë që është në interes të sigurisë ligjore, parashikueshmërisë dhe barazisë përpara ligjit që Gjykata të mos i largohet, pa një arsye të mirë, precedentëve të vendosur në çështjet e mëparshme, mos-mbajtja nga ana e Gjykatës e një qasje dinamike dhe evolutive do të rrezikonte ta kthente atë në një pengesë për reformimin apo përmirësimin e mëtejshëm (shiko Vilho Eskelinen dhe të Tjerë k. Finlandës [GC], nr. 63235/00, § 56, ECHR 2007‑...).
79. Analiza e instrumenteve ndërkombëtare që përmbajnë, në një formë a një tjetër, parimin e non bis in idem, zbulon një shumëllojshmëri termash të përdorur për artikulimin e tij. Kështu, Neni 4 i Protokollit Nr. 7 të Konventës, Neni 14 § 7 i Paktit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Neni 50 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian i referohet “[same] offence” (“[même] infraction”)/ (“veprës [së njëjtë]”, Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut flet për “same cause” (“mêmes faits”)/ shkakun e njëjtë, Konventa për Zbatimin e Marrëveshjes së Shengenit ndalon ndjekjen për “same acts” (“mêmes faits”)/(akte të njëjta), dhe Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare përdor termin “[same] conduct” (“[mêmes] actes constitutifs”) /“veprim/sjellje [e njëjtë]”. Ndryshimi midis termave të “same acts”/akte të njëjta apo “same cause”/shkak i njëjtë (“mêmes faits”) nga njëra anë dhe termit “[same] offence” (“[même] infraction”) /”vepër e njëjtë” nga ana tjetër, sipas Gjykatës së Drejtësisë së Komuniteteve Europiane dhe Gjykatës Ndër-Amerikane të të Drejtave të Njeriut, është një element i rëndësishëm në favor të aprovimit të qasjes që mbështetet rreptësisht tek identiteti i veprimeve materiale duke hedhur poshtë si të parëndësishëm klasifikimin ligjor të këtyre veprimeve. Duke u shprehur në këtë mënyrë, të dy gjykatat theksuan se një qasje e tillë do të favorizonte autorin e veprës, i cili do ta kishte të qartë se, pasi të ishte shpallur fajtor dhe të kishte vuajtur apo të ishte liruar, nuk kishte pse të kishte frikën e ndjekjes së mëtejshme për të njëjtin veprim (shiko paragrafet 37 dhe 40 lart).
80. Gjykata mendon se përdorimi i fjalës “offence” – vepër - në tekstin e Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 nuk mund të justifikojë përdorimin e një qasje më kufizuese. Ajo përsërit se Konventa duhet interpretuar dhe zbatuar në mënyrë të tillë që të drejtat e parashikuara prej saj, të jenë praktike dhe të efektshme, jo teorike dhe të pazbatueshme. Ajo është një instrument i gjallë që duhet interpretuar në dritën e rrethanave të sotme (shiko, mes autoriteteve të tjera, Tyrer k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 Prill 1978, § 31, Seria A nr. 26, dhe Christine Goodwin k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 28957/95, § 75, ECHR 2002‑VI). Dispozitat e një traktati ndërkombëtar si Konventa, duhen interpretuar në dritën e objektit dhe qëllimit të tyre e, po ashtu, në përputhje me parimin e efektivitetit (shiko Mamatkulov dhe Askarov k. Turqisë [GC], nr. 46827/99 dhe 46951/99, § 123, ECHR 2005‑I).
81. Gjykata vëren, gjithashtu, se qasja që e vë theksin tek karakterizimet ligjore të të dy veprave është shumë kufizuese për të drejtat e individit, pasi, në rast se Gjykata kufizohet vetëm me konstatimin e faktit se personi është ndjekur për vepra që kanë klasifikime ligjore të ndryshme, ajo rrezikon më shumë të minojë garancinë e sanksionuar në Nenin 4 të Protikollit Nr. 7, se sa ta bëjë atë praktike dhe të efektshme siç kërkohet nga Konventa (krahaso Franz Fischer, cituar më lart, § 25).
82. Rrjedhimisht, qëndrimi i Gjykatës është se Neni 4 i Protokollit Nr 7 duhet të kuptohet i tillë që ndalon ndjekjen apo gjykimin e një “vepre” të dytë për aq kohë sa ajo buron nga fakte identike, ose fakte që janë substancialisht të njëjta.
83. Garancia e sanksionuar në Nenin 4 të Protokollit Nr. 7 bëhet e rëndësishme për nisjen e një ndjekje të re, në rastin kur një lirim apo dënim i mëparshëm ka marrë vlerën e res judicata. Në këtë pikë, materiali në dispozicion duhet të përmbajë domosdoshmërisht vendimin me të cilin është përfunduar “procedura penale” e parë dhe listën e akuzave të ngritura ndaj kërkuesit në procesin e ri. Normalisht, këto dokumente do të përmbanin deklaratat e fakteve në lidhje me veprën për të cilën kërkuesi është gjykuar tashmë dhe veprën për të cilën ai apo ajo është nën akuzë. Në vështrimin e Gjykatës, këto deklarata faktesh janë fillesa e duhur për përcaktimin prej saj nëse faktet në të dy proceset janë identike dhe substancialisht të njëjta. Gjykata thekson se nuk ka rëndësi se cilat pjesë prej akuzave të reja ruhen apo hidhen poshtë përfundimisht në procesin pauses, pasi Neni 4 i Protokolli Nr. 7 ofron mbrojtje ndaj gjykimit apo mundësisë së gjykimit në një proces të ri gjyqësor, më shumë se sa ndalon një dënim apo lirim të dytë (krahaso paragrafin 110 më poshtë).
84. Kështu, shqyrtimi i Gjykatës duhet të përqendrohet tek ato fakte që përbëjnë një grup rrethanash faktike konkrete në lidhje me të njëtjtin të akuzuar dhe që janë të lidhura pazgjidhshmërisht mes tyre në kohë dhe hapësirë, ekzistenca e të cilave duhet demonstruar me qëllim sigurimin e një dënimi apo hapjen e procesit penal.
(c) Zbatimi i kësaj qasje për këtë çështje
85. Gjykata do të fillojë analizën e rrethanave për çështjen në fjalë duke bërë një rishikim të rendit të ngjarjeve të ndodhura më 4 janar 2002 dhe akuzat e ngritura ndaj kërkuesit.
86. Herët në mëngjes, e dashura e kërkuesit është zbuluar brenda kompleksit ushtarak dhe të dy janë dërguar në stacionin e policisë nr. 9 për të dhënë sqarime. Nuk është hapur asnjë proces në lidhje me hyrjen e paligjshme në kompleks të së dashurës së kërkuesit.
87. Me të mbërritur në stacionin e policisë, kërkuesi ka filluar t’u bërtasë Znj. M. dhe Kapitenit S. dhe këtë të fundit e ka shtyrë. Ai pastaj është përpjekur të largohet, por është ndaluar dhe është vënë në pranga. Oficerët e policisë kanë vendosur se sjellja e parregullt e kërkuesit përbënte vepër administrative.
88. Kërkuesi është dërguar në zyrën e Majorit K., i cili ka nisur hartimin e një raporti për vepër administrative. Kanë qenë të pranishëm edhe Kapiteni S. dhe një oficer tjetër. Kërkuesi ka vazhduar të sillet në mënyrë të papranueshme dhe të shajë Majorin K.
89. Pas përfundimit të raportit, polici e ka futur kërkuesin në një makinë dhe e ka dërguar në Gribanovskiy ROVD. Rrugës për atje, kërkuesi ka vazhduar të shajë Majorin K.– i cili po ngiste makinën – dhe ka kërcënuar se do ta vriste.
90. Për sa i takon procesit të hapur ndaj kërkuesit, Gjykata vëren, së pari, se më 4 Janar 2002, Gjykata e Rrethit e ka dënuar kërkuesin për veprën e “veprimeve të lehta të parregullta” në bazë të Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative. Megjithëse vendimi i Gjykatës së Rrethit përmbante vetëm një fjali në lidhje me përcaktimin e fakteve dhe nuk përmend asnjë dëshmi, mund të pretendohet në mënyrë të arsyeshme se ai bazohej në raportin e veprës administrative që ishte përgatitur nga policia dhe i ishte paraqitur Gjykatës së Rrethit (shiko paragrafin 15 lart). Rezulton se kërkuesi është shpallur fajtor përmes një procesi administrativ për sharje të punonjësve të policisë dhe prishje të rendit publik menjëherë pas mbërritjes së tij në stacionin e policisë Nr. 9.
91. Në procesin e mëpasëm penal, kërkuesi është paditur për tre akuza në lidhje me ngjarjet e 4 Janarit, 2002 (shiko dokumentin e akuzës cituar në paragrafin 21 lart). Së pari, ai është akuzuar për “veprime të parregullta” në bazë të nenit 213 të Kodit Penal për sharje të Znj. M. dhe Kapitenit S. dhe për prishje të rendit publik menjëherë pas mbërritjes së tij në stacionin e policisë nr. 9. Së dyti, ai është akuzuar për fyerje të një zyrtari publik në bazë të Nenit 319 të Kodit Penal, sepse kishte sharë Majorin K. në zyrën e tij, ndërkohë që ai hartonte raportin e veprës administrative. Së treti, ai është akuzuar për kërcënimin me dhunë të një zyrtari publik në bazë të nenit 318 të Kodit Penal për shkak të kërcënimit, rrugës për në Gribanovskiy ROVD, se do të vriste Majorin K.
92. Kjo rirenditje e ngjarjeve dhe akuzave tregon se, në episodin e parë, kërkuesi ka sharë Znj. M. dhe Kapitenin S. tek zyra e pasaportave, ndërsa në episodin e dytë dhe të tretë ai ka fyer Majorin K., fillimisht në zyrën e tij e pastaj në makinë, dhe e ka kërcënuar me dhunë. Pra, nuk ka unitet në kohë dhe hapësirë mes tri episodeve. Nga kjo del se, edhe pse në thelb sjellja e kërkuesit ka qenë substancialisht e ngjashme gjatë gjithë ditës së 4 janarit 2002 – në kuptimin që ai ka vazhduar të keqtrajtojë verbalisht zyrtarë të ndryshëm – nuk bëhet fjalë për një akt në vazhdimësi, por për manifestime të ndryshme të së njëjtës sjellje demonstruar në një numër rastesh të dallueshme mes tyre (krahaso Raninen, cituar më lart).
93. Sa për episodin e dytë dhe të tretë ku përfshihet Majori K., akuzat ndaj kërkuesit janë ngritur për të parën dhe të vetmen herë në procesin penal. Kësisoj, nuk mund të thuhet se ai është gjykuar edhe një herë për një vepër për të cilën ai ishte liruar apo dënuar tashmë me vendim përfundimtar. Rrjedhimisht, nuk lind asnjë çështje sipas Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 në lidhje me ndjekjen e tij në bazë të Neneve 319 dhe 318 të Kodit penal.
94. Situata është, gjithësesi, e ndryshme sa i takon sjelljes së parregullt për të cilën kërkuesi është dënuar fillimisht në proces administrativ në bazë të Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative dhe më pas është ndjekur në bazë të Nenit 213 të Kodit Penal. Përderisa bëhet fjalë për të njëjtën sjellje nga ana e kërkuesit dhe brenda të njëjtës periudhë kohore, Gjykatës i duhet të verifikojë nëse faktet e veprës për të cilën kërkuesi u dënua dhe faktet e veprës për të cilën ai u akuzua ishin identike dhe substancialisht të njëjta.
95. Përkufizimi i veprës së “veprimeve të lehta të parregullta” në bazë të Nenit 158 i referohej tri tipeve të sjelljes së ndaluar: “thënie sharjesh në publik”, “sjellje fyese ndaj të tjerëve” dhe “veprime të tjera që prishin rendin publik”. Secili prej këtyre elementeve ishte në vetvete i mjaftueshëm për shpalljen fajtor. Nga këto, Gjykata e Rrethit ka marrë parasysh dy elemente: thënien e fjalëve të turpshme në publik dhe mos-përgjigjia ndaj qortimeve, që mund të interpretohej si një formë e “veprimeve që prishin rendin publik”.
96. Në procesin penal që ka pasuar, kërkuesi është akuzuar në bazë të Nenit 213 § 2 (b) të Kodit Penal. Kjo akuzë kërkonte që akuza të provonte që i akuzuari kishte (a) prishur seriozisht rendin publik ose kishte demonstruar në mënytë flagrante mungesë respekti ndaj komunitetit; (b) kishte përdorur dhunë apo kishte kërcënuar se do të përdorte dhunë; dhe (c) kishte bërë rezistencë ndaj zyrtarëve publikë. Sipas çështjes së akuzës, kërkuesi kishte përdorur sharje ndaj Znj. Y. dhe Kapitenit S. e gjithashtu e kishte shtyrë tutje këtë të fundit dhe e kishte kërcënuar me dhunë fizike. Nuk është detyra e Gjykatës të vendosë nëse secili prej këtyre elementeve ishte i mbështetur sa duhej në prova, sepse, siç u theksua më lart, dënimi në procesin e dytë nuk përbën një element të domosdoshëm me qëllim zbatimin e garancisë së Nenit 4 të Protokollit Nr. 7, mjafton që kërkuesi të ishte subjekt gjykimi dhe/ ose të ishte gjykuar për këto akuza.
97. Faktet që çuan në akuzën administrative ndaj kërkuesit kishin të bënin me prishjen e rendit publik në formën e sharjeve drejtuar punonjësve të policisë Znj. Z dhe Kapitenit S. dhe shtyrjen e këtij të fundit. Po këto fakte formonin pjesën qendrore të akuzës në bazë të Nenit 213 të Kodit Penal, sipas të cilës kërkuesi kishte prishur rendin publik duke thënë sharje, duke kërcënuar Kapitenin S. me dhunë dhe duke shfaqur rezistencë daj tij. Kështu, faktet në të dy proceset ndryshonin vetëm në një element, atë të kërcënimit me dhunë, i cili nuk ishte përmendur në procesin e parë. Rrjedhimisht, Gjykata gjen se akuza penale në bazë të Nenit 213 § 2 (b) përmban faktet e veprës sipas Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative në tërësinë e tyre dhe se, nga ana tjetër, vepra e “veprimeve të lehta të parregullta” nuk përmbante asnjë element që nuk ishte pjesë e veprës së “veprimeve të parregullta”. Ndaj dhe faktet e të dy veprave duhen konsideruar substancialisht të njëjta për qëllimet e Nenit 4 të Protokollit Nr. 7. Siç ka theksuar më lart Gjykata, faktet e të dy veprave shërbejnë si pika e vetme e krahasimit, dhe argumentet e Qeverisë se ato ishin të dallueshme për shkak të seriozitetit të dënimit të mundshëm për to, nuk janë të rëndësishme për shqyrtimin e saj.
C. Nëse ka dublikim procesesh gjyqësore (bis)
1. Konkluzioni i Dhomës
98. Dhoma përsëriti se Neni 4 i Protokollit Nr. 7 nuk kufizohej vetëm tek e drejta për të mos u ndëshkuar dy herë, por mbulonte edhe të drejtën për të mos u ndjekur dy herë. Ajo u shpreh se argumenti i Qeverisë se kërkuesi në fund ishte liruar në procesin penal për akuzën e veprimeve të parregullta nuk kishte vlerë në lidhje me pretendimin e tij se ishte ndjekur dhe gjykuar për të dytën herë për këtë akuzë.
99. Dhoma theksoi se procesi penal ndaj kërkuesit ishte hapur dhe kryer nga i njëjti department i policisë dhe ishte gjykuar nga i njëjti gjyqtar. Ajo u shpreh se autoritetet ruse kishin lejuar kryerjen e procesit penal duke patur dijeni të plotë për dënimin e mërparshëm administrativ të kërkuesit për të njëjtën shkelje.
100. Së fundi, Dhoma konstatoi se shkelja e parimit të non bis in idem nuk kishte qenë arsyja për lirimin e kërkuesit. Lirimi ishte bazuar në një arsye substantive, pikërisht për faktin se akuza nuk kishte provuar fajin e kërkuesit sipas standardit të provës që kërkohet për procesin penal në dallim me atë civil.
2. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
101. Kërkuesi parashtroi se Neni 4 i Protokollit Nr. 7 zbatohej jo vetëm për çështjet ku një i akuzuar ishte dënuar dy here, por edhe për çështjet ku një i akuzuar ishte ndjekur dy herë, pavarësisht nëse ishte dënuar apo jo. Ai kujtoi se në çështjen Gradinger kjo dispozitë ishte zbatuar edhe pse kërkuesi ishte dënuar për një vepër dhe ishte liruar për tjetrën. Në mënyrë të ngjashme, ai ishte ndjekur, gjykuar dhe në fund liruar për veprën e “veprimeve të parregullta”, megjithëse më parë ishte dënuar për veprën e “veprimeve të lehta të parregullta” që kishte të njëjtat elemente. Në vështrimin e tij, kjo situatë përbënte shkelje të parimit non bis in idem.
102. Kërkuesi u shpreh gjithashtu se çështja e tij ishte e ndryshme nga çështja Ščiukina k. Lituanisë (dec., no. 19251/02, 5 Dhjetor 2006), ku gjykatat e brendëshme kishin njohur në mënyrë eksplicite se ishte shkelur parimi non bis in idem dhe i ishin referuar mundësisë së anullimit të dënimit të mëparshëm administrativ. Përkundrazi, në këtë çështje, fakti se vendimi i 2 Dhjetorit 2002 thjesht i referohej procesit administrativ ndaj kërkuesit, nuk mund të interpretohej si njohje e shkeljes së të drejtës së kërkuesit për të mos u gjykuar dy herë. Në vendim nuk përmendej fare parimi non bis in idem, si normë e Kushtetutës, e të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut apo e Kodit të Procedurës Penale. Për të drejtën ruse, kërkuesi nuk mund të përfitonte nga ky parim, gjithësesi, pasi garancia ndaj dublikimit të proceseve ishte e zbatueshme vetëm për “krimet”, ndërsa kërkuesi ishte dënuar për një vepër të klasifikuar si administrative. Kërkuesi ishte liruar jo për shkak të natyrës përsëritëse të ndjekjes, por për mungesë të dëshmish që provonin fajin e tij.
103. Kërkuesi shprehu shqetësimin e tij në lidhje me qasjen e vendosur në çështjen Zigarella k. Italisë (dec., no. 48154/99, 3 Tetor 2002) ku, në mungesë të ndonjë dëmi të provuar nga kërkuesi, Neni 4 i Protokollit Nr. 7 do të shkelej vetëm në rast se procesi i ri ishte hapur në prani të dijenisë se i akuzuari ishte gjykuar tashmë në një proces gjyqësor të mëparshëm. Ai u shpreh se ishte e pamundur që procesi të mund të hapej pa dijeninë e Shtetit, sepse proceset penale filloheshin gjithmonë nga krahu i Shtetit. Në çdo rast, situata faktike e kërkuesit ndryshonte nga ajo e përftuar në çështjen Zigarella, pasi autoritetet ruse procesin kundër tij e kishin zhvilluar për më shumë se katërmbëdhjetë muaj, duke qenë në dijeni të plotë për dënimin e tij të mëparshëm.
(b) Qeveria
104. Qeveria ka pretenduar se për herë të parë përpara Dhomës së Madhe se kërkuesi mund ta kishte apeluar dënimin e tij administrativ në një gjykatë më të lartë. Afati kohor për apel ishte vendosur për dhjetë ditë dhe mund të shtyhej me kërkesë të njërës palë. Kërkuesi nuk e kishte apeluar dënimin administrativ dhe ai nuk ishte bërë “përfundimtar” në kuptimin e Nenit 4 të Protokollit Nr. 7.
105. Në procesin përpara Dhomës, Qeveria është shprehur se Gjykata e Rrethit e kishte liruar kërkuesin në lidhje me akuzën për veprime të parregullta në bazë të Nenit 213 § 2 të Kodit Penal e me këtë kishte ndrequr një shkelje të mëparëshme të të drejtave të kërkuesit nga akuza. Meqë procesi i dytë ishte mbyllur me lirimin e kërkuesit në lidhje me akuzën për veprime të parregullta, nuk kishte patur përsëritje të procesit gjyqësor. Qeveria nuk e ka përsëritur këtë argument përpara Dhomës së Madhe.
(c) Pala e tretë
106. Pala e tretë ka kritikuar vendimin e Gjykatës për çështjen Zigarella, që, në vështrimin e saj, vendoste një kriter të ri zbatueshmërie që nuk kishte ekzistuar në tekstin original të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7, e pikërisht atë të qëllimit të supozuar të dispozitës, me efektin që vetëm ndjekjet e reja që ishin filluar në mënyrë të qëllimshme përbënin shkelje të rregullit non bis in idem. Pala e tretë i kërkoi Gjykatës të hiqte dorë nga ky kriter shtesë, pasi mund të rezultonte i rrezikshëm në të ardhmen.
3. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Nëse ekzistonte një vendim “përfundimtar”
107. Gjykata rithekson se qëllimi i Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 është të ndalojë përsëritjen e proceseve penale që janë konkluduar me vendim “të formës së prerë” (shiko Franz Fischer, cituar më lart, § 22, dhe Gradinger, cituar më lart, § 53). Sipas Raportit Shpjegues të Protokollit Nr. 7, i cili vetë i referohet Konventës Europiane për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Vendimeve Gjyqësore Penale, një “vendim është i formës së prerë në qoftë se, sipas shprehjes tradicionale, ka fituar fuqinë e res judicata. Ky është rasti kur është i parevokueshëm, që do të thotë kur nuk ka mjete ligjore të tjera ose kur palët i kanë shterruar këto mjete apo kanë lejuar skadimin e afatit kohor pa i përdorur ato”. Kjo qasje është e rrënjosur mirë në jurisprudencën e Gjykatës (shiko, për shembull, Nikitin k. Rusisë, no. 50178/99, § 37, ECHR 2004‑VIII, dhe Horciag k. Rumanisë (dec.), no. 70982/01, 15 Mars 2005).
108. Vendimet që janë të apelueshme përjashtohen nga sfera e veprimit të garancisë që përmban Neni 4 i Protokollit Nr. 7 për aq kohë sa nuk ka përfunduar afati kohor për depozitimin e kërkesës për apel. Nga ana tjetër, mjetet ligjore të jashtëzakonshme si kërkesa për rihapjen e procesit apo për shtyrje të afatit të përfunduar nuk merren parasysh për të përcaktuar nëse procesi është konkluduar në mënyrë përfundimtare (shiko Nikitin, cituar më lart, § 39). Megjithëse këto mjete ligjore përbëjnë një vazhdim të procesit të parë, natyra “përfundimtare” e vendimit nuk varet nga përdorimi i tyre. Është e rëndësishme të theksohet se Neni 4 i Protokollit Nr. 7 nuk ndalon rihapjen e procesit, siç shprehet qartë nga paragrafi i dytë i Nenit 4.
109. Në këtë çështje, vendimi administrative i 4 Janarit 2002 ishte shtypur në një format standard që tregonte se ishte i paapelueshëm dhe se hynte në fuqi menjëherë (shiko paragrafin 19 lart). Megjithatë, edhe po të supozonim se qe i hapur ndaj apelimit brenda dhjetë ditëve nga shpallja e tij, siç ka pretenduar Qeveria, mbas përfundimit të këtij afati, ai ka marrë fuqinë e res judicata. Për palët nuk ekzistonte më asnjë mjet tjetër ligjor i zakonshëm. Kështu, në datën 15 Janar 2002, vendimi administrativ ishte “përfundimtar” brenda kuptimit autonom të termit të Konventës, ndërsa procesi penal ka filluar më 23 Janar 2002.
(b) Nëse lirimi i kërkuesit pengon zbatimin e garancive të Nenit 4 të Protokollit nr. 7
110. Ashtu si Dhoma, Gjykata rithekson se Neni 4 i Protokollit nr. 7 nuk kufizohet në të drejtën për të mos u dënuar dy herë, por shtrihet edhe tek e drejta për të mos u ndjekur apo gjykuar dy herë (shiko Franz Fischer, cituar lart, § 29). Po të mos ishte kështu, nuk do të kish qenë e nevojshme që fjalës “gjykuar” t’i shtohej fjala “dënuar”, pasi kjo do të ishte vetëm një dublikim. Neni 4 i Protokollit Nr. 7 zbatohet edhe kur individi është ndjekur në një proces gjyqësor që nuk ka përfunuar me dënim. Gjykata rithekson se Neni 4 i Protokollit Nr. 7 përmban tre garanci të dallueshme dhe siguron që askush nuk do të jetë (i) i gjykueshëm, (ii) do të gjykohet ose (iii) dënohet për të njëjtën vepër (shiko Nikitin, cituar lart, § 36).
111. Kërkuesi në këtë çështje u dënua me vendim të formës së prerë për veprime të lehta të parregullta dhe e ka shlyer dënimin e dhënë për të. Më pas ai është akuzuar për veprime të parregullta dhe është mbajtur i arrestuar nga policia. Procesi ka vazhduar për më shumë se dhjetë muaj, kohë gjatë të cilës kërkuesit i është dashur të marrë pjesë në procesin e hetimit dhe në gjyq. Rrjedhimisht, fakti që ai përfundimisht është liruar nuk ka efekt në lidhje me pretendimin e tij se është ndjekur dhe gjykuar për herë të dytë për këtë akuzë. Për këtë arsye Dhoma e Madhe, ashtu si edhe Doma, e gjen të pabazuar pretendimin e Qeverisë se nuk ka patur përsëritje të procesit, pasi kërkuesi në fund është liruar nga akuza në bazë të Nenit 213 § 2 të Kodit Penal.
(c) Nëse lirimi e ka zhveshur kërkuesin nga statusi i viktimës
112. Së fundi, Gjykata do të shqyrtojë argumentin alternativ të Qeverisë se lirimi i kërkuesit nga akuza në bazë të Nenit 213 § 2 të Kodit Penal ia kishte hequr atij statusin e “viktimës” së shkeljes së pretenduar të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7.
113. Gjykata vëren se ajo është shprehur edhe më parë se mënyra se si autoritetet e brendëshme i kanë trajtuar të dy proceset mund të jetë e rëndësishme për përcaktimin e statusit të kërkuesit si një “viktimë” e shkeljes së pretenduar të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 në përputhje me kriterin e qëndrueshëm të vendosur në jurisprudencën e saj. Kështu, në çështjen Zigarella (të cituar më lart) autoritetet e brendëshme kryen ndaj kërkuesit paralelisht dy procese. Mbas shpalljes së vendimit përfundimtar në procesin e parë, procesi i dytë u pushua për arsyen se mbajtja e tij ishte në shkelje të parimit the non bis in idem. Gjykata pranoi se autoritetet e kishin njohur në mënyrë eksplicite shkeljen dhe, duke ndërprerë procesin e dytë, kishin ofruar zgjidhjen adekuate. Si rrezultat i kësaj, kërkuesi e humbi statusin e “viktimës” së shkeljes së pretenduar të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7.
114. Gjykata e ka përpunuar më tej këtë qasje në çështjen Falkner, në të cilën është shprehur se duhet të ishte e mundur për autoritetet e brendëshme që të korrigjonin situata të tilla si ajo e krijuar në atë çështje, ku procesi i parë ishte kryer nga një autoritet administrativ që nuk kishte juridiksion për atë gjë. Përderisa autoriteti e kishte pranuar më pas gabimin e tij, e ka ndërprerë procesin dhe riimbursuar gjobën, kërkuesi nuk mund të pretendonte më se ishte cënuar nga rezultati i atij procedimi (shiko Falkner k. Austrisë (dec.), nr. 6072/02, 30 Shtator 2004).
115. Gjykata pranon, kështu, se në çështjet ku autoritetet e brendëshme hapin dy procese, por më vonë pranojnë shkeljen e parimit non bis in idem dhe ofrojnë zgjidhje e duhur ligjore, për shembull, duke pushuar apo anulluar procesin e dytë dhe duke shuajtur efektet e tij, për Gjykatën kërkuesi mund të konsiderohet se e ka humbur statusin e tij të “viktimës”. Përndryshe, do të ishte e pamundur që autoritetet nacionale të mund të ofronin zgjidhje ligjore për shkelje të pretenduara të Nenit 4 të Protokollit nr. 7 në nivel të brendshëm dhe koncepti i subsidiaritetit do të humbte shumë nga dobia e tij.
116. Duke iu kthyer fakteve të kësaj çështjeje, Gjykata nuk gjen ndonjë të dhënë që autoritetet ruse, në një moment të caktuar gjatë procesit, të kenë pranuar shkelje të parimit non bis in idem. Lirimi i kërkuesit sipas Nenit 213 § 2 të Kodit Penal nuk bazohej në faktin se ai ishte gjykuar për të njëjtat veprime në bazë të Kodit të Veprave Administrative. Referenca që i bëhej procesit administrativ të 4 Janarit, 2002 në tekstin e vendimit të 2 Dhjetorit 2002 ishte vetëm një deklaratë për zhvillimin e këtij procesi. Nga ana tjetër, nga teksti i vendimit del qartë se Gjykata e Rrethit i kishte shqyrtuar dëshmitë kundër kërkuesit dhe ishte shprehur se ato nuk arrinin të plotësonin standardin penal të provës. Rrjedhimisht, lirimi është bazuar në arsye substantive e jo proceduriale.
117. Dështimi i gjykatës së brendëshme për të njohur shkeljen e parimit non bis in idem e dallon këtë çështje nga çështja Ščiukina (cituar më lart), ku Gjykata e Lartë e Lituanisë kishte njohur shprehimisht shkeljen e këtij parimi duke iu referuar dispozitave të Kushtetutës Lituaneze dhe Kodit të Procedurës Penale.
118. Në sistemin ligjor rus, megjithatë, ndalimi i përsëritjes së procesit gjyqësor kufizohet vetëm në sferën e drejtësisë penale. Sipas Kodit të Procedurës Penale, një dënim i mëparshëm për një vepër administrative, të ngjashme në thelb, nuk përbën arsye për ndërprerjen e procesit penal (shiko paragrafin 27 lart). Po kështu, Kushtetuta ruse e mbron një person vetëm ndaj dënimit për të njëjtin “krim” (shiko paragrafin 26 lart). Ndaj, ndryshe nga çështja Ščiukina, gjykatat ruse nuk kanë në dispozicionin e tyre dispozita ligjore që do t’u lejonin atyre të shmangnin një përsëritje procedurash në situatën kur i pandehuri është në gjykim për një vepër për të cilën ai apo ajo është dënuar apo liruar tashmë me vendim të forms së prerë në bazë të Kodit të Veprave Admnistrative.
119. Në dritën e konsideratave të mësipërme, Gjykata shprehet se lirimi i kërkuesit nga akuza sipas Nenit 213 § 2 të Kodit Penal nuk e ka zhveshur atë nga statusi i tij i “viktimës” së shkeljes së pretenduar të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7.
D. Përmbledhje e gjetjeve dhe konkluzioneve
120. Gjykata ka konstatuar se kërkuesi është dënuar për “veprime të lehta të parregullta” me proces administrativ që duhet asimiluar brenda “procesit penal” brenda kuptimit autonom të Konventës për këtë term. Pasi dënimi i tij u bë “i formës së prerë”, ndaj tij janë ngritur disa akuza penale. Një pjesë e madhe e tyre i referoheshin sjelljes së kërkuesit në kohë të ndryshme apo në vende të ndryshme. Megjithatë, akuza për “akte të parregullta” i referohej ekzaktësisht të njëjtës sjellje si edhe dënimi i mëparshëm për “veprime të lehta të parregullta” e, po ashtu, përfshinte substancialisht të njëjtat fakte.
121. Në dritën e sa më sipër, Gjykata mendon se procesi i hapur kundër kërkuesit në bazë të Nenit 213 § 2 (b) të Kodit Penal, në thelb, kishte të bënte me të njëjtën vepër si ajo për të cilin ai ishte dënuar tashmë me vendim të formës së prerë në bazë të Nenit 158 të Kodit të Veprave Administrative.
122. Rrjedhimisht, është shkelur Neni 4 i Protokollit Nr. 7.
III. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
123. Neni 41 i Konventës parashikon/siguron:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
124. Në procesin përpara Dhomës, kërkuesi e la në diskrecionin e Gjykatës përcaktimin e masës së kompensimit për dëmin moral. Dhoma i dha atij 1,500 euro (EUR).
125. Kërkuesit nuk iu kërkua të paraqiste një pretendim të ri për shpërblim të drejtë në procesin përpara Dhomës së Madhe.
126. Gjykata nuk sheh ndonjë arsye për t’iu larguar vlerësimit të Dhomës, e cila qe bërë në mënyrë të drejtë. Rrjedhimisht, ajo i jep kërkuesit 1,500 EUR për dëmin moral, plus çdo taksë që mund të zbatohet mbi këtë shumë.
B. Kostot dhe shpenzimet
127. Në procesin përpara Dhomës, kërkuesi ka pretenduar 12,700 Rubla ruse për punën e dy avokatëve në proceset gjyqësore të brendëshme, 500 EUR për dhjetë orë punë të përfaqësuesit të tij Z. Koroteyev dhe 300 sterlina angleze (GBP) për tre orë punë të Z. Leach në procesin gjyqësor në Strasburg, dhe 138.10 GBP si kosto përkthimi.
Dhoma i ka dhënë atij 1,000 EUR për kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të zbatohet mbi këtë shumë.
128. Kërkuesi ka pretenduar një shtesë prej 1,724.70 EUR dhe 4,946 GBP për procesin në bazë të Nenit 43 të Konventës. Këto shuma u detajuan në 1,380 EUR për 23 orë punë të Z. Koroteyev, 4,017 GBP për 40 orë dhe 10 minuta punë të Z. Leach, 344.70 Eur dhe 159 GBP për shpenzimet e tyre të udhëtimit dhe fjetjes në Strasburg, pjesa e mbetur prej 770 GBP për shpenzime përkthimi dhe administrative.
129. Qeveria parashtroi se pretendimet “ishin në kontradiktë me parimin e kostove dhe shpenzimeve të domosdoshme dhe të arsyeshme”. Ajo pretendoi gjithashtu se shpenzimet administrative dhe të përkthimit nuk ishin detajuar në mënyrë të mjaftueshme.
130. Sipas jurisprudencës së konsoliduar të Gjykatës, riimbursimi i kostove dhe shpenzimeve të bëra nga kërkuesi mund të jepet vetëm për sa kohë ato janë kryer faktikisht, kanë qenë të domosdoshme dhe të arsyeshme në vlerë (shiko Belziuk k. Polonisë, 25 Mars 1998, § 49, Raporte 1998-II).
131. Tek kjo çështje, Gjykata vëren se kërkuesi është përfaqësuar nga Z. Koroteyev dhe Z. Leach që në fillim të procesit përpara saj. Ajo është e kënaqur që tarifat dhe orët e pretenduara janë të arsyeshme dhe se shpenzimet janë bërë nga përfaqësuesit e kërkuesit. Mbështetur në materialet e sjella përpara saj, Gjykata i jep kërkuesit 9,000 EUR për kostot dhe shpenzimet, të cilat duhet të paguhen në llogarinë bankare të përfaqësuesve në Mbretërinë e Bashkuar sipas identifikimit të kërkuesit.
C. Interesi i munguar
132. Gjykata e mendon të arsyeshme që masa e interesit të munguar të bazohet në nivelin e huadhënies marxhinale të Bankës Qendrore Evropiane, mbi të cilin do të shtohen tre pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI
1. Hedh poshtë kundërshtimin paraprak të qeverisë;
2. Vendos se është shkelur Neni 4 i Protokollit Nr. 7;
3. Vendos
(a) se Shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve, shumat e mëposhtëme, të konvertuara në rubla ruse sipas kursit të këmbimit ditën e shlyerjes:
(i) 1,500 EUR (njëmijë e pesëqind euro), plus çdo taksë të tatueshme, për dëmin moral;
(ii) 9,000 EUR (nëntëmijë euro), plus çdo taksë të tatueshme ndaj kërkuesit, për kostot dhe shpenzimet, për t’u paguar në llogarinë bankare të përfaqësuesve në Mbretërinë e Bashkuar;
(b) se me përfundimin e afatit tremujor të përmendur më lart deri në zgjidhjen përfundimtare do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e specifikuara më lart, i barabartë me nivelin e interesit marxhinal të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së vonesës, plus tre pikë përqindjeje.
Bërë në anglisht dhe frengjisht dhe shpallur në seancë të hapur, në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 10 Shkurt 2009
Michael O’BoyleJean-Paul Costa
Zëvendës-RegjistruesPresident
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën, e cila nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën Gjykata e ndan atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo-komerciale, me kusht që të citohet titulli i plotë i çështjes, së bashku me të dhënat e mësipërme për të drejtën e autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Për përdorimin e çdo pjese të këtij përkthimi për qëllime komerciale, ju lutemi të kontaktoni në adresën publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights (/humanrightstrustfund ) or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (/humanrightstrustfund ), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sour réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à de fins commerciales est invitee à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy