SHANNON kundër LETONISË
(kërkesa nr. 32214/03)
24 nëntor 2009
mbajtja në paraburgim e një kundravajtësi seksual
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi, Lindsej Hjuxhs Shenon, është një shtetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i lindur në vitin 1955 dhe që aktualisht mendohet se jeton në Shtetet e Bashkuara.
2. Teksa ndodhej përkohësisht në Letoni, zoti Shenon u arrestua dhe u dërgua në paraburgim më 1 tetor 2002 me dyshimin se kishte ngacmuar seksualisht të mitur gjatë një udhëtimi të mëparshëm në Letoni. Dyshimet ndaj tij u mbështetën mbi deklaratat e katër viktimave dhe dëshminë e një dëshmitari, që nuk i dihet emri. Ai u akuzua zyrtarisht për ngacmim seksual më 31 tetor 2002.
3. Mbajtja e tij në paraburgim u zgjat për shkak të dy niveleve të juridiksionit në pesë raste (4 tetor 2002, 29 nëntor 2002, 30 janar, 31 mars dhe 30 maj 2003). Të gjitha apelimet e tij kundër urdhrave për ta mbajtur në paraburgim u refuzuan mbi bazën e besueshmërisë së dyshimeve kundër tij, seriozitetit të krimit për të cilin ishte akuzuar, faktit që ai nuk kishte leje qëndrimi dhe/ose rezidencë fikse në Letoni, rrezikut që ai mund të humbiste gjurmët dhe se ai mund të pengonte hetimet.
4. Në qershor 2003, prokurori e akuzoi gjithashtu kërkuesin se kishte ngacmuar seksualisht djem të rinj gjatë udhëtimeve të mëparshme në Letoni në korrik, gusht dhe shtator 2001. Akuzat rënduan nga ngacmim seksual në ngacmim të rëndë dhe me forcë, nënshtrim me forcë (sodomi) dhe shtyrje të të rinjve për të marrë pjesë në prostitucion dhe/ose prodhim pornografie.
5. Z. Shenon u dënua për të gjitha akuzat në janar 2003 me pesë vite burg; më vonë atij iu rrëzuan akuzat për pornografi fëmijësh dhe dënimi u reduktua në katër vite burg.
6. I liruar me kusht më 10 korrik 2006, pasi kishte vuajtur tre të katërtat e dënimit, z. Shenon u dëbua nga Letonia tri ditë më vonë.
II. Vendimi i Gjykatës
7. Z. Shenon u ankua se mbajtja e tij në paraburgim gjatë procedimeve kundër tij kishte qenë e paligjshme dhe e pajustifikuar, në shkelje të nenit 5 §§ 1 (c). Ai u ankua gjithashtu sipas nenit 5 § 4 mbi procedurën, me të cilën ishte detyruar të kundërshtonte ligjshmërinë e mbajtjes së tij në paraburgim, ndërsa depozitoi ankime të tjera sipas nenit 8.
A. Në lidhje me nenin 5 § 1 (c)
8. Gjykata konsideroi se, edhe pse kërkuesi kishte qenë në gjendje të provonte se nuk kishte ndërmend të largohej nga Letonia nëse lirohej nga paraburgimi, dyshimi i arsyeshëm ndaj tij për kryerjen e një krimi, që me kalimin e kohës ishte mbështetur nga prova të reja, kishte qenë një arsye e mjaftueshme për ta mbajtur atë në paraburgim deri sa të dilte për gjykim dhe të merrte dënimin e tij. Për pasojë, Gjykata Europiane vendosi se nuk kishte pasur asnjë shkelje të nenit 5 § 1 (c).
B. Në lidhje me nenin 5 § 4
Arsyetimi pas shtyrjeve të mbajtjes së kërkuesit në paraburgim
9. Edhe pse arsyetimi i përdorur për të aplikuar dhe shtyrë mbajtjen e kërkuesit në paraburgim kishte qenë i përmbledhur dhe disi abstrakt për rrethanat specifike të çështjes së kërkuesit, pikërisht fakti se ai nuk kishte asnjë lidhje tjetër me territorin e Letonisë, ilegaliteti i statusit të rezidencës së tij mund të ishte marrë me të drejtë në konsideratë nga gjykatat kombëtare për të vendosur për mbajtjen e tij në paraburgim. Gjykata vendosi për rrjedhojë se nuk kishte pasur asnjë shkelje të nenit 5 § 4 në këtë drejtim.
Shpejtësia e rishikimit të vendimit për mbajtjen në paraburgim të kërkuesit
10. Në lidhje me vendimin e 29 nëntorit 2002, Gjykata vuri re se vonesa prej 89 ditësh për të marrë vendimin për apelimin e kërkuesit kundër mbajtjes së tij në paraburgim ishte shkaktuar kryesisht nga vendimi i gabuar i Gjykatës së Qendrës së Rrethit për t’ia kthyer apelimin vetë kërkuesit për përkthim, prandaj vendosi që kishte pasur një shkelje të nenit 5 § 4.
11. Në lidhje me vendimin e 31 marsit 2003, Gjykata vendosi se vonesa prej një muaji e tetë ditësh nuk ishte shpjeguar nga autoritetet, prandaj kishte pasur një shkelje të nenit 5 § 4.
12. Vendimet e tjera mbi apelimet e kërkuesit kundër mbajtjes së tij në paraburgim ishin në përputhje me kërkesën për shpejtësinë e rishikimit sipas nenit 5 § 4.
C. Në lidhje me nenin 8
13. Gjykata i konsideroi këto ankime si të papranueshme ose se e kishte marrë në shqyrtim çështjen, ose sepse kërkuesi nuk kishte shteruar të gjitha mjetet ankimore të vëna në dispozicion nga ligji leton.
D. Në lidhje me nenin 41
14. Gjykata vendosi, se gjetja e një shkeljeje përbënte në vetvete dëmshpërblim të drejtë për çdo dëm jopasuror të pësuar nga kërkuesi.
Full & Egal Universal Law Academy