SEKSIONI I PARË
ÇËSHTJA SHARXHI DHE TË TJERËT KUNDËR SHQIPËRISË
(Kërkesa nr. 10613/16)
VENDIM
STRASBURG
11 janar 2018
I FORMËS SË PRERË
28.5.2018
Ky vendim është bërë i formës së prerë, bazuar në nenin 44§2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen Sharxhi dhe të Tjerët kundër Shqipërisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i parë), e mbledhur si një dhomë e përbërë nga:
Linos-Alexandre Sicilianos, kryetar,
Kristina Pardalos;
Ledi Bianku;
Aleš Pejchal;
Armen Harutyunyan;
Pauliine Koskelo;
Tim Eicke, gjyqtarë,
dhe Abel Campos, regjistrar i seksionit,
pasi ka diskutuar me dyer të mbyllura më 23 maj dhe 5 dhjetor 2017,
shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit përmendur më sipër:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar me një kërkesë (nr. 10613/16) kundër Republikës së Shqipërisë, dorëzuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (Konventa), nga tetëmbëdhjetë shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian, më 19 shkurt 2016. Detajet e kërkuesve paraqiten në tabelën bashkëngjitur.
2. Kërkuesit u përfaqësuan nga z. A. Saccucci, avokat i cili ushtron profesionin në Romë. Qeveria shqiptare (qeveria) përfaqësohej nga agjentja e saj, znj. A. Hicka nga Zyra e Avokatit të Shtetit.
3. Kërkuesit pretendonin, se, si pasojë e neglizhencës së autoriteteve ndaj një vendimi të gjykatës administrative, ishte shkelur neni 6§1 i Konventës. Gjithashtu, sipas nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës, ata u ankuan për një ndërhyrje në gëzimin e qetë të pasurive të tyre dhe bazuar në nenin 8 të Konventës, u ankuan për një ndërhyrje në të drejtën e tyre për respektimin e banesave të tyre. Në vijim, ata u ankuan mbështetur në nenin 13 të Konventës, për mungesën e një mjeti efikas të brendshëm për kërkesat e mësipërme, sipas parashikimeve të nenit 13 të Konventës.
4. Më 19 prill 2016, kërkesa iu komunikua qeverisë. Qeveria italiane nuk përdori të drejtën e saj për të ndërhyrë në procedime (neni 36§1 i Konventës).
5. Në Strasburg, në Godinën e të Drejtave të Njeriut, u mbajt një seancë dëgjimore me dyer të hapura, më 23 maj 2017 (rregulla 59§3).
Përpara Gjykatës u paraqitën:
a) Për qeverinë shqiptare:
znj. A. Hicka, Ministria e Drejtësisë, agjente qeveritare;
z. A. Hysi, Ministria e Drejtësisë, këshilltar,
z. R. Hoxha, Ministria e Drejtësisë, këshilltar,
znj. E. Sadushaj, Ministria e Drejtësisë, këshilltare;
b) Për kërkuesit:
z. A. Saccucci, avokat,
znj. G. Borgna, avokate,
znj. E. Ballanca, këshilltare.
Gjykata dëgjoi adresimet nga znj. Hicka, z. Saccucci dhe znj. Borgna dhe përgjigjet e pyetjeve drejtuar nga Gjykata.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Konteksti i çështjes
6. Më 11 nëntor 2009, dy nga kërkuesit, Xhuvi Sharxhi (kërkuesi i parë) dhe Xhafer Isufi (kërkuesi i dytë), blenë një truall me sipërfaqe prej 1,663 metra katrorësh, nga disa individë, të cilëve iu ishte njohur dhe kthyer prona në vitin 1995, me anë të një vendimi të Komisionit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës. Trualli pozicionohet në vijën bregdetare të qytetit të Vlorës në të ashtuquajturën zonën e Ujit të Ftohtë, Tuneli.
7. Në një datë të paspecifikuar, kërkuesit e parë dhe të dytë hynë në një marrëveshje me një kompani për ndërtimin e një ndërtese banimi dhe shërbimesh pesëkatëshe, me një kat banimi në katin e fundit (penthouse) dhe një kat të nëndheshëm për dyqane (në vijim “Rezidenca Jon” ose “godina”), në truallin e sipërpërmendur.
8. Më 17 gusht 2010, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë Vlorë (KRRT) lëshoi një leje ndërtimi për kompaninë dhe për kërkuesit e parë dhe të dytë. Kërkuesit e tjerë hynë në marrëveshje blerjeje për pallatet që do të ndërtoheshin në truall. Kërkuesit e parë dhe të dytë, sipas pronësisë mbi truallin, do të ishin pronarët e disa prej apartamenteve dhe dyqaneve në Rezidencën Jon. Më 27 dhjetor 2012, ndërtesa u regjistrua në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRRPP).
9. Me përfundimin e punimeve të ndërtimit, në shtator 2012, rezultoi se shumica e apartamenteve dhe dyqaneve u mobiluan, pronarët u shpërngulën në apartamentet e tyre respektive, si edhe u hap një bar-piceri me pishinë. Pjesa takuese e plazhit u hap për t’u përdorur nga publiku.
10. Sipas një shkrese të Avokatit të Popullit, e datës 13 nëntor 2013 (shih paragrafin 24 më poshtë), rezulton se më 30 tetor 2013, Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar (INUK) kërkonte mbështetjen e policisë së rrethit Vlorë, që në po të njëjtën ditë të realizonte prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare të Vlorës. Puna e mëtejshme për prishjen e ndërtimeve pa leje do të vijonte ditën pasardhëse, në pjesë të tjera të vijës bregdetare të Vlorës.
11. Më 13 nëntor 2013, pa një njoftim paraprak, punonjësit e INUK-ut dhe Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik Vlorë (INU), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, rrethuan Rezidencën Jon dhe shtrinë shiritin e verdhë të policisë, me shkrimin “Skenë krimi - nuk lejohet kalimi”. Sipas të dhënave të parashtruara nga kërkuesit, të cilat u publikuan gjerësisht në media, banorëve të godinës iu ishte thënë se autoritetet po konfiskonin ndërtesën. Atyre iu ndalua të hynin në apartamentet e tyre dhe të merrnin objektet e tyre me vlerë. Kërkuesit u bënë me dije për këtë situatë vetëm nga media ose me anë të telefonit nga rojet e sigurimit të ndërtesës. Atyre iu tha se autoritetet po shqyrtonin ligjshmërinë e lejes së ndërtimit, si edhe dokumente të tjera në lidhje me këtë. Nga dokumentet e dorëzuara rezulton se godina ruhej nga policë të armatosur, të cilët ishin pozicionuar në mënyrë të tillë që të ndalonin banorët e godinës (duke përfshirë disa nga kërkuesit) që të hynin. Gjithashtu, në momentin kur një nga banorët i kërkoi njërit prej zyrtarëve të shtetit të tregonte dokumentin e identifikimit ose ndonjë dokument tjetër zyrtar, për të justifikuar ndërhyrjen e autoriteteve në të drejtat e tyre mbi pronën, punonjësi i shtetit u shpreh se nuk ishin të detyruar të jepnin asnjë informacion, sepse ishin organ zyrtar.
12. Në një datë të paspecifikuar, INUK-u përgatiti një raport me informacione në lidhje me inspektimin që kishin realizuar në Rezidencën Jon, më 3 nëntor 2013. Sipas raportit, as anëtarët e KPT-së, punonjësit e Departamentit të Urbanistikës Vlorë dhe as inspektorët e INU-së nuk kishin realizuar në ndonjë fazë inspektimet e nevojshme të ndërtimit dhe të planifikimit. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre të vazhdueshme, ata kishin lejuar parregullsi dhe shkelje të ligjit gjatë gjithë periudhës që nga momenti kur ishin miratuar lejet përkatëse, në shkelje të dukshme të ligjit, si edhe gjatë gjithë procesit të ndërtimit dhe të zbatimit të projektit.
13. Më 20 nëntor 2013, sipas të dhënave të paraqitura nga kërkuesit, zëvendësministri i Transporteve dhe Infrastrukturës i asaj periudhe, në një intervistë televizive për kanalin kombëtar Top Channel, dhënë për Rezidencën Jon, kishte deklaruar se: “... Shteti ka të drejtën ta kthejë tokën përsëri në gjendjen e saj të mëparshme. Shembja e godinës është një pasojë e padiskutueshme. Toka duhet të pastrohet. Nëse kjo nënkupton se duhet të prishet ndërtesa, atëherë shembja duhet të ndodhë. Shembja nuk është një qëllim per se. Është rezultat i një sërë aktesh të paligjshme, një sërë shkeljesh flagrante të ligjit shqiptar ... Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme futet në këtë valle të paligjshmërisë, atëherë është Këshilli i Bashkisë Vlorë, i cili, në kundërshtim me urbanistikën dhe për sa i përket tokës, e cila nuk ekziston, ka lëshuar një leje ndërtimi. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka regjistruar një ndërtim me vlerë zero, nul. Ky është një ndërtim 3000 m2 në një truall me sipërfaqe vetëm 600 m2 ... është si një skenë e përgatitur për një spektakël të vendosur në skenë nga autoritete të korruptuara. Ne e kemi arritur këtë pikë në shkelje flagrante të ligjit ... cilido mund të kishte qenë viktimë si rezultat i kësaj serie paligjshmërisht. Ata të cilët kanë blerë apartamente në këtë godinë janë viktima. Këta njerëz nuk mund të trajtohen në të njëjtën mënyrë si ata të cilët kanë shkelur ligjin në mënyrë flagrante. Qeveria duhet të miratojë një fond për kompensimin e plotë të personave, të cilët kanë blerë apartamente në këtë godinë ...”
14. Më 28 nëntor 2013, sipas të dhënave të paraqitura nga kërkuesit, Kryeministri deklaroi publikisht se qeveria synonte të realizonte një projekt për ndërtimin e Lungomares, një shëtitore pranë bregut të detit në Vlorë, me objektivin për t’u përfunduar në verën e vitit 2015. Gjithashtu, ai deklaroi se qeveria do të shpallte një tender për projektin.
15. Rezidenca Jon u shemb me eksploziv në periudhën nga data 4 dhjetor 2013 deri më 8 dhjetor 2013.
B. Procedimet gjyqësore në lidhje me masën e përkohshme dhe procedimet për zbatimin e saj
16. Më 4 nëntor 2013, njëmbëdhjetë banorë, duke përfshirë nëntë nga kërkuesit (E. Durolli, A. Deromemaj, V. Kacorri, P. Rakipaj, G. Calliku, V. Calliku, B. Rakipaj, Xh. Sharxhi dhe E. Ballanca) paraqitën një padi në Gjykatën Administrative të Rrethit Vlorë (Gjykata e Rrethit) kundër INUK-ut dhe INU-së, duke kërkuar “konstatimin e paligjshmërisë së veprimit administrativ të kryer nga pala e paditur, të datës 3 nëntor 2013, që ka rezultuar se cenimin e të drejtave të pronësisë së paditësve; detyrimin e organit administrativ INUK dhe INU Vlorë për të ndaluar kryerjen e një veprimi tjetër administrativ, të nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave të paditësve”.
17. Nga vendimi i Gjykatës së Rrethit, të datës 7 nëntor 2013 (shih paragrafin 19 më poshtë) rezulton se gjatë procedimeve, kërkuesit kishin argumentuar se veprimet e ndërmarra nga INUK-u dhe INU-së Vlorë kishin qenë arbitrare, sepse ndërtimi ishte i ligjshëm dhe në përputhje me rregullat e urbanizimit. Ata pretendonin se policët dhe përfaqësuesit e INUK-ut dhe të INU-së Vlorë nuk i kishin lejuar të hynin në godinë, duke e rrethuar ndërtesën me një shirit të skenave të krimit. Rrethimi i godinës ishte bërë me synimin për ta prishur atë, sepse autoritetet tashmë kishin proceduar në po të njëjtën mënyrë me ndërtesa të tjera, fakt i cili e bënte edhe më të dukshme situatën se ekzistonte rreziku për pasoja negative për kërkuesit. Veprimet e ndërmarra, që do të thotë rrethimi i godinës me synimin për ta prishur atë pa realizuar një analizë të detajuar për faktin nëse dokumentacioni ishte i paligjshëm dhe pa e shqyrtuar situatën nga një gjykatë, kishte rezultuar në një ndërhyrje ekstreme në të drejtën e pronësisë së kërkuesve.
18. Gjatë atyre procedimeve, më tej, kërkuesit i kërkuan Gjykatës së Rrethit të lëshonte një urdhër të përkohshëm për masat e nevojshme për të pezulluar zbatimin e veprimit administrativ të sipërpërmendur dhe për heqjen e pengesave të cilat kishin bërë të mundur marrjen e ndërtesës dhe e kishin bërë të pamundur për ta të përdornin pronat e tyre, si edhe një pezullim të të gjitha vendimeve administrative tashmë të shpallura ose të cilat ishin në proces për t’u shpallur, në lidhje me shembjen e ndërtimit të ligjshëm.
19. Më 7 nëntor 2013, Gjykata e Rrethit, sipas neneve 202 dhe në vijim të Kodit të Procedurës Civile (KPC) dhe neneve 28, 29 dhe 30 të aktit për mosmarrëveshjet administrative (shih më poshtë “ligjin dhe praktikën vendëse respektive”), në parashikimet e saj operative urdhëroi: “lëshimin e një vendimi të përkohshëm i cili pezullon veprimet administrative të çdo autoriteti publik, i cili mund të ndërhyjë në gëzimin e qetë nga kërkuesit të pronave të tyre respektive ... urdhri i përkohshëm do të jetë në fuqi deri në dhënien e një vendimi në themel, nëse vetë kërkuesit nisin procedime në themel brenda 10 ditëve nga urdhri i përkohshëm për të kundërshtuar masat administrative ose çdo vendim administrativ, i cili do të miratohet në lidhje me pronat e tyre”. Vendimi, për aq sa ka lidhje me çështjen, arsyetonte si më poshtë vijon: “... provohet se kërkuesit, pronarët e apartamenteve në Rezidencën Jon, nuk janë lejuar të hyjnë në pronat e tyre respektive, duke i penguar ata në këtë mënyrë të ushtronin të drejtat e tyre mbi pronën ndaj një prone, të cilën e kishin fituar ligjërisht, në përputhje me ligjin vendës ..., gjykata mendon se urdhri i përkohshëm duhet të pranohet, sepse kërkuesit kanë paraqitur fakte të cilat provojnë ..., se në rastin kur një padi civile lejohet në themel, ekzekutimi i atij vendimi do të ishte i vështirë ose i pamundur, duke krijuar kështu një situatë ku interesi ligjor ose e drejta subjektive, e njohur nga një vendim gjykate i formës së prerë, mbetet i paefektshëm ... në çështjen në fjalë urdhri i përkohshëm i kërkuar nga kërkuesit përfaqëson të drejtën e tyre për të shkuar në gjykatë me qëllimin për të parandaluar veprime të tjera nga autoriteti administrativ ..., duke mbrojtur në këtë mënyrë të drejtat e tyre themelore kushtetuese dhe ligjore deri në shqyrtimin në themel të padive të tyre ... gjykata mendon se INUK-u dhe INU-ja nuk e kanë dokumentuar vendimin e tyre administrativ në formën e kërkuar nga ligji ... sipas së drejtës administrative ky [veprim administrativ i padokumentuar] konsiderohet edhe si një vendim administrativ ... një gjë e tillë nuk ndikon në pasojat aktuale të ekzekutimit të vendimit, pasoja të cilat mund të shkaktojnë një dëm të pariparueshëm për interesin ligjor dhe të drejtat subjektive të kërkuesve ... Gjykata e Rrethit mendon se është detyra e një autoriteti administrativ të lëshojë një vendim administrativ në formë të shkruar sipas ligjit, duke respektuar në këtë mënyrë parimin e qeverisjes së mirë së autoriteteve të administratës publike, si edhe një respektim efikas i të drejtave të palës ndaj së cilës është lëshuar vendimi administrativ, kështu që pala të mund të ndërmarrë procedimet gjyqësore dhe gjithmonë, sipas parimit të proporcionalitetit gjatë procedurës administrative të ndjekur nga autoritetet në çështjen në fjalë, është i ngjashëm me parimet kushtetuese të proporcionalitetit të shqyrtuara më sipër, të cilat kryesisht synojnë të godasin balancën e qëllimit për t’u arritur me anë të aktit administrativ dhe mjeteve të cilat do të përdoren, pa shkelur liritë dhe të drejtat themelore, si edhe përmbushjen e interesave publikë ligjorë ...”
20. Në një datë të papërcaktuar, përfaqësuesi i kërkuesve paraqiti një kërkesë pranë INUK-ut, duke e vënë në dijeni në lidhje me urdhrin e përkohshëm të datës 7 nëntor 2013. Ai nënvizonte faktin se sipas nenit 210 të KPP-së, një urdhër i përkohshëm ishte një vendim i ekzekutueshëm, edhe në rastin e një ankimi kundër tij. Ai i kërkonte autoriteteve të merrnin masat e nevojshme për zbatimin e menjëhershëm të urdhrit të përkohshëm. Konstatohet se nuk është dhënë asnjë përgjigje.
21. Më 11 nëntor 2013, INUK-u paraqiti një ankesë kundër urdhrit të përkohshëm të datës 7 nëntor 2013.
22. Më 20 janar 2014, Gjykata Administrative e Apelit i ndërpreu procedimet në lidhje me masën e përkohshme, me arsyet se lënda bazë e procedimeve kishte pushuar së ekzistuari, duke qenë se Rezidenca Jon tashmë ishte shembur në dhjetor 2013 (shih paragrafin 15 më sipër). Vendimi, për sa ka të bëjë me situatën, shpjegon si më poshtë: “... tashmë ishte ... një fakt publik i njohur se Rezidenca Jon ishte shembur, gjë për të cilën Gjykata e Rrethit kishte vendosur t’i pushonte veprimet administrative të cilitdo autoriteti shtetëror, në mënyrë që kërkuesit të gëzonin qetësisht pronën, deri në zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes ... Rezultati, të cilin urdhri i përkohshëm po përpiqej të pezullonte, tashmë kishte ndodhur ...”
C. Ankesa tek Avokati i Popullit
23. Rezulton se në një datë të papërcaktuar, njëri prej kërkuesve u ankua tek Avokati i Popullit për ndërhyrjen e autoriteteve, duke e penguar atë të hynte në apartamentin e saj, si edhe duke penguar banorët e tjerë të hynin në apartamentet e tyre (shih, gjithashtu, edhe paragrafin 24 më poshtë). Ajo u ankua se autoritetet e kishin rrethuar në mënyrë arbitrare godinën duke përdorur shirit policie ngjyrë të verdhë me shkrimin “skenë krimi”.
24. Më 13 nëntor 2013, në përgjigje të apelimeve të kërkuesit dhe të apelimeve të kërkuesve të tjerë, në një dalje në media, Avokati i Popullit i dërgoi një shkresë zyrtare kreut të Komisariatit të Policisë Vlorë, shefit të qarkut të rrethit Vlorë dhe për informacion edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke i rekomanduar që të merrnin të gjitha masat e nevojshme për të ndaluar veprimet e paligjshme, të cilat kishin rezultuar pas shkeljes së të drejtave mbi pronën të banorëve të Rezidencës. Avokati i Popullit pohoi se INUK-u kishte konfiskuar godinën pa ndonjë akt formal. Përdorimi i rrethimit të ndërtesës, i cili ua ndalonte kërkuesve të shijonin pronat e tyre, ishte i paligjshëm dhe për pasojë kishte rezultuar në shkelje të interesave të tyre ligjorë. Për më tepër, përdorimi i shiritit të verdhë të policisë me shkrimin “skenë krimi”, nuk ishte i pavend, duke qenë se ngjarjet në çështjen në fjalë nuk përfshinin një skenë krimi. Në vijim, ai sugjeronte se shqyrtimi i çështjes dhe ndërmarrja e masave organizative ishin të nevojshme, me qëllimin për të siguruar se veprime të tilla nuk do të përsëriteshin në të ardhmen.
D. Procedimet në lidhje me themelin e çështjes për sa i përket konfiskimit të godinës
25. Në një datë të papërcaktuar, por brenda 10 ditëve nga urdhri i përkohshëm, njëmbëdhjetë banorë, duke përfshirë nëntë kërkues (E. Durolli, A. Deromemaj, V. Kacorri, P. Rakipaj, G. Calliku, V. Calliku, B. Rakipaj, Xh. Sharxhi dhe E. Ballanca) paraqitën një padi në themel në Gjykatën e Rrethit. Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 28 janar 2014 (shih paragrafin 26 më poshtë) rezultonte se objekti i padisë ishte i njëjtë me atë të paraqitura më 4 nëntor 2013 (shih paragrafin 16 më sipër).
26. Më 28 janar 2014, Gjykata e Rrethit deklaroi se veprimet e ndërmarra nga INUK-u dhe INU-ja, më 3 nëntor 2013, kishin qenë arbitrare dhe në një shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjit. Vendimi, për sa ka të bëjë me situatën, shpjegon si më poshtë vijon: “... INUK-u dhe INU-ja, në mënyrë abuzive dhe pa asnjë vendim administrative për të justifikuar veprimet e tyre të paligjshme, ndërmorën veprime arbitrare me qëllimin për të shembur një pronë, çka ishte kërkuar në përputhje me ligjin. INUK-u nuk kishte asnjë arsye ligjore për ta ndërmarrë këtë masë administrative dhe për këtë arsye veprimet e tij ishin totalisht të paligjshme ... masa administrative për shembjen e ndërtimit ishte autorizuar rregullisht nga autoritetet kompetente pa analizuar fillimisht në detaje paligjshmërinë e veprimeve dhe pa një vlerësim të situatës nga nja gjykatë e pavarur, ishte në kufijtë e paligjshmërisë ekstreme ... Autoritetet, në mënyrë të njëanshme dhe pa një hetim administrativ të plotë dhe të detajuar, rrethuan godinën ... Autoritetet me veprimet e tyre arbitrare shkelën rëndë parimin e sigurisë ligjore, sipas së cilit asnjë nuk duhet të vuajë ndërhyrje në të drejtat e tij të dhëna nga ligji dhe ka pritshmërinë se asnjë autoritet shtetëror nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim ose veprim administrativ, me anë të të cilit të drejtat e përftuara nga ligji të mund të shkelen më vonë si pasojë e veprimeve të autoriteteve shtetërore ...”
Sipas rrethanave, Gjykata e Rrethit e pranoi padinë. Kërkuesit, gjithsesi, e tërhoqën kërkesën e tyre që autoritetet të ndaloheshin në marrjen e ndonjë mase tjetër të mëtejshme, e cila tashmë nuk kishte asnjë vlerë, pasi Rezidenca Jon ishte shembur ndërkohë nga autoritetet. Në këtë mënyrë, Gjykata e Rrethit e ndërpreu shqyrtimin e kësaj pjese të padisë.
27. Më 6 maj 2016, pas një ankese të bërë nga autoritetet, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 28 janar 2014. Sipas vendimit rezulton se kërkuesit kishin argumentuar se INU-ja dhe INUK-ja kishin ndërmarrë veprime arbitrare, në mënyrë abuzive dhe pa asnjë vendim administrativ për të justifikuar veprimet e tyre të paligjshme, me qëllimin për të shembur një pronë të ligjshme. Gjykata Administrative e Apelit arsyetoi se rrethimi i ndërtesës dhe ndalimi i kërkuesve që të hynin në të kishin qenë arbitrare, jo në përputhje me ligjin dhe një shkelje e të drejtave të tyre mbi pronën. Më tej, ajo vërejti se NUCI ishte i detyruar t’i kompensonte kërkuesit për veprimet e tij të paligjshme, sipas aktit shtetëror për përgjegjësinë jokontraktuale (shih “ligjin dhe praktikën respektive vendëse” më poshtë) dhe nenit 608 të Kodit Civil. Vetëm pasi veprimet e ndërmarra nga autoritetet u deklaruan të paligjshme, kërkuesve iu dha e drejta të paraqisnin një kërkesë për dëmshpërblim sipas seksionit 14 të aktit për inspektimin e ndërtesave (shih “ligjin dhe praktikën respektive vendëse”). Megjithatë, ajo nuk mori një vendim për këtë çështje pasi nuk kishte qenë pjesë e padisë. Rezulton se procedimet janë pezull në Gjykatën e Lartë.
E. Procedimet administrative dhe gjyqësore në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës së kërkuesve
1. Procedimet administrative
28. Më 8 tetor 2013, Këshilli Kombëtar për Rregullimin e Territorit (KKRRT) miratoi vendimin për ndërmarrjen e masave emergjente për mbrojtjen dhe rehabilitimin e mjedisit në disa zona të rëndësisë kombëtare, së bashku me një procedurë për përgatitjen e një plani sektorial të integruar, në lidhje me shtrirjen e vijës bregdetare. Vendimi konstatonte se shtrirjet e vijës bregdetare ishin fusha të rëndësisë kombëtare, ku masat e një natyre emergjente duhej të ndërmerreshin me qëllimin për të mbrojtur dhe për të rehabilituar territorin dhe mjedisin. Për më tepër, u vendos se dhënia e lejeve të reja për zhvillimin e ndërtimeve për godina individuale përgjatë vijës bregdetare dhe në zona të tjera të rëndësisë kombëtare do të pezulloheshin në pritje të përgatitjes së planit të integruar sektorial.
29. Më 27 nëntor 2013, Këshilli i Ministrave shpalli një vendim, i cili hyri në fuqi menjëherë, duke urdhëruar shpronësimin në interesin publik të pronave private të paluajtshme të ndikuara nga rehabilitimi mjedisor i Ujit të Ftohtë, Tuneli; një vijë bregdetare e mbrojtur në Bashkinë Vlorë. Shpronësimi u bë në favor të Bashkisë Vlorë brenda tridhjetë ditëve të vendimit. Kompensimi total i akorduar ishte 462,919,230 Lekë (ALL) (rreth 3,456,600 euro (EUR)) për ndërtimin me sipërfaqe 8,121.39 metra katrorë në total, i cili do të ndahej midis pronarëve. Vendimi u mor sipas aktit të shpronësimit dhe në bazë të dy vendimeve të KKRRT-së vendimi i sipërpërmendur i datës 8 tetor 2013 (shih paragrafin 28 më sipër) dhe një vendimi të mëparshëm të datës 23 qershor 2004, për miratimin e planit për qendrën e qytetit të Vlorës. Sipas vendimit, pas shpronësimit, pronarët e ligjshëm të pronës do të kompensoheshin (nga autoritetet) pasi të paraqisnin dokumentet e titujve të tyre të pronësisë. Afati për përfundimin e procedurës së shpronësimit u caktua data 28 dhjetor 2013.
30. Vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare më 3 dhjetor 2013. Rezulton se kërkuesit u bënë me dije për vendimin vetëm atë ditë, kur zëdhënësi për shtyp i ministrit të Brendshëm njoftoi se Rezidenca Jon do të shembej, një proces i cili do të fillonte në ditën në vijim (4 dhjetor 2013).
31. Më 2 dhjetor 2013, kryetari i Bashkisë Vlorë, kërkoi ndihmën e INUK-ut për shembjen e Rezidencës Jon, sipas vendimit të datës 27 nëntor 2013. Në po të njëjtën ditë, INUK-u kërkoi ndihmën e policisë së Vlorës për shembjen, e cila ishte planifikuar të fillonte në orën 8 të paradites, në mëngjesin e ditës tjetër. E gjithë godina u shemb nga data 4 dhjetor 2013 dhe 8 dhjetor 2013 (shih edhe paragrafin 15 më sipër).
32. Më 29 janar 2014, ZRRPP-ja, në përgjigje të shkresës së dërguar nga njëri prej kërkuesve, i cili kërkonte kopjen e certifikatës së tij të pronësisë, u shpreh se duke qenë se godina ishte shembur, nuk ishte e mundur të lëshohej një certifikatë pronësie për një pronë e cila nuk ekzistonte më.
33. Më 9 prill 2014, Këshilli i Ministrave lëshoi një tjetër vendim, “Për disa ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013”, duke ndryshuar vendimin e tij të mëparshëm të datës 27 nëntor 2013, duke u dhënë kërkuesve një total prej 441,168,600 lekësh si kompensim për sipërfaqen e truallit prej 7,739.80 metra katrorësh. Afati për përfundimin e procedurës së shpronësimit u përcaktua data 30 prill 2014. Ndaj këtij vendimi nuk u paraqit asnjë apelim.
34. Më 12 prill 2017, Departamenti i Menaxhimit të Buxhetit në Ministrinë e Financave i dërgoi agjentit të qeverisë një letër, ku shprehej se Ministria e Financave kishte miratuar një fond prej 362,919 lekësh dhe 100,000 lekësh (rreth 3,460 euro në total) për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013. Kërkuesve nuk u është bërë asnjë pagesë.
2. Procedimet gjyqësore
a) Procedimet në Gjykatën e Rrethit
35. Më 26 dhjetor 2013, njëzet e një banorë, duke përfshirë të gjithë kërkuesit, paraqitën një padi në Gjykatën e Rrethit kundër vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013, duke kundërshtuar vlerën e kompensimit të dhënë dhe përllogaritjen e sipërfaqes së saktë të pronës, e cila ishte shpronësuar, sipas vendimit të lëshuar si rezultat i një procedure shpronësimi në shkelje flagrante të ligjit. Gjithashtu, ata kërkuan që Këshilli i Ministrave të ndryshonte shumën e kompensimit (në 57,000 lekë për metër katror) dhe të kompensonte çdo pronar bazuar në përmasën e saktë të pronës, duke korresponduar në një shumë për kompensim të drejtë, në përputhje me ligjin dhe të përllogaritur nga një ekspert i caktuar nga gjykata. Duke marrë në konsideratë edhe mundësinë e zhvillimit të pronës. Në padinë e tyre, kërkuesit shpreheshin se shpronësimi kishte qenë i paligjshëm dhe se kishte ndodhur një shpronësim de facto. Po ashtu, ata shpreheshin se veprimet e datës 3 nëntor 2013, të INUK-ut dhe të INU-së kishin qenë abuzive dhe ishin marrë pa ndonjë vendim administrativ për të justifikuar veprimet e tyre të paligjshme me qëllimin prishjen e një prone të ligjshme. Më tej, ata pohonin se edhe pse autoritetet kishin lëshuar një urdhër të përkohshëm dhe Avokati i Popullit kishte njohur edhe paligjshmërinë e veprimeve të autoriteteve dhe kishte rekomanduar që në të ardhmen të mos përsëriteshin veprime të ngjashme, pa pritur më parë vendimin e Gjykatës së Rrethit, gjithsesi, ata kishin miratuar vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013.
36. Më 6 mars 2014, Gjykata e Rrethit pranoi padinë e kërkuesve. Ajo arsyetoi se shpronësimi kishte qenë i paligjshëm për faktin se vendimi i Këshillit të Ministrave, i datës 27 nëntor 2013, ishte miratuar në shkelje të rënda procedurale të aktit të shpronësimit (shih “ligji dhe praktika përkatëse vendëse” më poshtë) dhe një sërë aktesh nënligjore.
37. Në lidhje me faktet e çështjes, Gjykata e Rrethit përmendi se veprimet e ndërmarra më 3 nëntor 2013, të cilat konsistonin në rrethimin e godinës për shembjen e saj, kishin qenë arbitrare dhe ishin ndërmarrë në shkelje të ligjit vendës, sipas qëndrimit të saj në vendimin e datës 28 janar 2014 (shih paragrafin 26 më sipër). Gjithashtu, ajo përsëriti faktin se Avokati i Popullit kishte rekomanduar të ndërmerreshin masat e nevojshme, në mënyrë që veprime të ngjashme arbitrare të mos përsëriteshin në të ardhmen. Gjithsesi, ajo vërejti se autoritetet kishin miratuar vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013, pa pritur vendimin për themelin e çështjes.
38. Në lidhje me argumentet ligjore nëse ndërhyrja kishte qenë e ligjshme, Gjykata e Rrethit arsyetonte se autoritetet nuk kishin respektuar procedurën e plotë të shpronësimit sipas parashikimit në seksionet 9 deri në 16 dhe 20 deri në 21 të aktit të shpronësimit. Ministria kompetente nuk kishte informuar pronarët e pronës ose kompaninë e ndërtimit për shpronësimin, për këtë arsye ata dhe çdo palë e tretë tjetër ishin privuar nga mundësia për ta kundërshtuar atë. Sipas pretendimeve të tyre të paraqitura përpara Gjykatës së Rrethit, kërkuesit kishin mësuar për vendimin e shpronësimit vetëm me anë të medias, teksa godina po shembej. Edhe më pas, kërkuesit nuk u informuan kurrë, edhe pse ishte një kërkesë ligjore. Një gjë e tillë do t’i kishte dhënë atyre kohë të arsyeshme të largoheshin nga godina dhe t’i çonin sendet e tyre në vende të tjera. Autoritetet kishin vijuar me shembjen e pronës pa pasur të gjithë informacioni se kush ishin banorët. Nga dokumentet në dosjen e çështjes, ishte e qartë se ministria përkatëse i kishte kërkuar Bashkisë së Vlorës për informacione rreth banorëve të Rezidencës Jon vetëm një muaj pasi ishte shembur godina dhe më shumë se dyzet e pesë ditë pasi ishte lëshuar vendimi për shpronësimin. Më tej, ajo argumentoi se shpronësimi ishte fshehur si një shpronësim formal i ndërmarrë në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, por në realitet, serioziteti i shkeljeve kishte qenë i tillë aq sa për ta bërë atë një “shpronësim de facto”. Vendimi i Këshillit të Ministrave për të shpronësuar pronën kishte qenë një akt formal, qëllimi i vetëm i të cilit ishte fshehja e natyrës aktuale të shpronësimit. Për më tepër, si rezultat i shembjes së menjëhershme të godinës, ku autoritetet nuk respektuan afatet e parashikuara në ligj, kërkuesve iu ishte ndaluar të ktheheshin në situatën e tyre të mëparshme, edhe pse vendimi i Këshillit të Ministrave ishte shfuqizuar. Gjykata e Rrethit argumentoi se mosrespektimi i ligjit vendës, në lidhje me procedurën e shpronësimit kishte përkeqësuar situatën e kërkuesve dhe për këtë arsye, shkelja e të drejtave mbi pronën kishte qenë kaq serioze saqë ishte e papranueshme në një shtet të qeverisur nga shteti i së drejtës. Ajo arsyetoi se sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës (referuar vendimit Guiso-Gallisay kundër Italisë (kompensim i drejtë) [DHM], nr. 58858/00, §§ 94–95, 22 dhjetor 2009), në çështjet e shpronësimit të paligjshëm, gjykatat vendëse kishin një detyrim strikt për të dhënë kompensim më të lartë se sa në çështjet e shpronësimit të ligjshëm. Për më tepër, për sa i përket ekzistencës së çdo qëllimi legjitim në interesin publik, Gjykata e Rrethit konstatonte se nuk kishte ekzistuar asnjë plan rregullator infrastrukture ose ekologjik (mjedisor) i miratuar me ligj, si edhe nuk kishte pasur asnjë plan për zhvillimin e zonës së mbrojtur. Gjykata e Rrethit theksoi se vendim i KKRRT-së, i datës 8 tetor 2013 dhe 23 qershor 2004, nuk parashikonte shembjen e godinës së ligjshme ose shpronësimin e saj ose pavlefshmërinë e autorizimeve të dhëna, si edhe të ndërtimeve tashmë të realizuara. Sipas arsyetimeve më sipër, Gjykata e Rrethit vendosi të ndryshonte vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013, në lidhje me sipërfaqen e saktë totale të pronës së shpronësuar, si edhe sasinë në total të kompensimit, si edhe shumat që do t’i paguheshin çdo kërkuesi. Më konkretisht, Gjykata e Rrethit rriti kompensimin në total, i cili do t’u jepej kërkuesve, në 1,580,712,321 lekë, bazuar në raportin e ekspertëve të porositur nga gjykata. Gjykata e Rrethit konstatoi se autoritetet kishin shkelur hapur procedurën e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligjin vendës, në lidhje me përcaktimin e kompensimit që duhej të paguhej në çështjet e shpronësimit. Për këtë arsye, përllogaritja nga Këshilli i Ministrave, në vendimin e tij të datës 27 nëntor 2013, nuk ishte marrë në respektim të ligjit. Ajo e pranoi raportin me arsyetimin se vlerësimi i pronës bazohej në vlerën e tregut të hapur, duke ndjekur metoda bashkëkohore vlerësimi për pronat e paluajtshme, të tilla si krahasimi i drejtpërdrejtë dhe gjendja e zhvillimit të pronës, si edhe duke marrë në konsideratë vendndodhjen e pronës, zhvillimin e pronës, zhvillimin e saj aktual bazuar në dokumentet ligjore, si edhe duke analizuar vlerat e shitjeve dhe të qirave për pronat e ngjashme. Gjithashtu, ekspertët u përpoqën të analizonin rëniet dhe rritjet në çmimet e tregut të shitjeve dhe të blerjeve për pronat e ngjashme. Sipas raportit të ekspertëve, çmimi për metër katror ishte EUR 1,155 (161,700 lekë) për apartamentet dhe EUR 2,000 (280,000 lekë) për mjediset e bizneseve. Çmimi përllogaritej duke përdorur vlerën mesatare të tregut gjatë periudhës nga viti 2013 deri në janar 2014, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për metodat e vlerësimit për pronat e paluajtshme në Shqipëri”, ku parashikohej se përllogaritje të tilla bëhen në përputhje me standardet ndërkombëtare të vlerësimit.
39. Gjykata e Rrethit rillogariti edhe sipërfaqen e pronës së shpronësuar, duke deklaruar se në fakt ajo ishte 8,396 metra katrorë. Më tej, ajo përfshiu të gjithë pronarët e Rezidencës Jon në listën e palëve që do të kompensoheshin, duke qenë se disa prej kërkuesve ishin përjashtuar nga lista sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013. Në fund, gjykata vendosi se kompensimi duhej të paguhej nga Këshilli i Ministrave dhe Bashkia Vlorë në tri këste brenda një periudhe prej tetëmbëdhjetë muajsh që prej momentit kur vendimi i gjykatës u bë i formës së prerë. Si Këshilli i Ministrave edhe Bashkia Vlorë ishin të detyruar të paguanin bashkërisht kostot dhe shpenzimet gjyqësore, duke përfshirë tarifën e ekspertëve, tarifën gjyqësore për regjistrimin e padisë (11,409,852 lekë) dhe tarifën e avokatëve për përfaqësimin e G. Calliku, V. Calliku, M. Mecaj, A. Deromemaj, E. Durolli, M. Hanxhari, P. Rakipaj, B. Rakipaj, K. Kapedani (kërkues në procedimet përpara Gjykatës), J. Ismailaj dhe S. Ismailaj (nuk janë kërkues përpara Gjykatës), të cilat arrinin në vlerën 12,000 euro (1,680,000 lekë) në total.
b) Procedime në Gjykatën e Apelit
40. Në një datë të paspecifikuar, pas kësaj, kërkuesit apeluan pjesën e vendimit të Gjykatës së rrethit, të datës 6 mars 2014, në lidhje me shumën e kompensimit dhe mënyrën në të cilën ajo do të paguhej. Ata argumentuan se raporti i ekspertit nuk reflektonte vlerën e tregut për pronën, vlerë e cila ishte shumë më e lartë se sa vlera e sugjeruar dhe se standardet e vlerësimit për pronat e shpronësuara nuk ishin respektuar. Më konkretisht, ekspertët nuk kishin respektuar kriteret dhe standardet e parashikuara nga Grupi Evropian i Shoqatave të Vlerësuesve (TEGOVA) dhe në standardet e vlerësimit bazuar në interesat financiarë dhe ligjorë të kërkuesve. Prona kishte pasur një vlerë më të lartë në kohën kur u shpronësua. Ekspertët nuk kishin përcaktuar vlerën e komponentëve specifikë të formulës përkatëse të përllogaritjes ose vlerën e tregut për çdo apartament, për të reflektuar vlerën e tregut të godinës. Ata nuk kishin marrë në konsideratë as të gjitha të dhënat zyrtare në marrëveshjet e blerjes për apartamentet. Ata u ankuan edhe për gabimet faktike dhe ato në përllogaritje në raportin e ekspertit dhe kërkuan të përgatitej një tjetër. Edhe Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi një ankesë.
41. Më 23 shtator 2014, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi pjesërisht vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 6 mars 2014. Ajo nënvizoi faktet e çështjes siç ishin konstatuar edhe nga Gjykata e Rrethit dhe la në fuqi shumën e kompensimit të dhënë, përmasën e truallit dhe listën e pronarëve në fjalë. Ajo vendosi se kërkuesit duhet të kompensoheshin individualisht, bazuar në përmasën e pronës së tyre. Shuma në total e kompensimit (1,580,712,321 lekë) do të ndahej si më poshtë vijon: 161,700 lekë (EUR 1,155) për metër katror për apartamentet me sipërfaqe 1,831.63 metra katrorë në total. Ajo vendosi se vlera e përllogaritur në raportin e ekspertit përfaqësonte vlerën reale dhe kompensimin e drejtë, në përputhje me Kushtetutën, Konventën Evropiane, aktin e shpronësimit dhe akte të tjera nënligjore. Ajo vendosi se kompensimi duhej të paguhej nga Këshilli i Ministrave në një pagesë të vetme. Këshilli i Ministrave kishte, gjithashtu, detyrimin të paguante kostot dhe shpenzimet ligjore.
c) Procedimet në Gjykatën e Lartë
42. Si kërkuesit edhe Prokuroria e Përgjithshme apeluan në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të gjykatave më të ulëta. Kërkuesit kërkuan një shumë më të lartë kompensimi për pronën e tyre të shpronësuar. Megjithatë, Këshilli i Ministrave kërkoi që të pezullohej ekzekutimi i vendimit.
43. Më 15 janar 2015, Gjykata e Lartë, bazuar në nenin 479 të KPC-së, pranoi që kërkesa e Këshillit të Ministrave dhe procedimet të pezulloheshin. Në dosjen e çështjes nuk ka asnjë informacion se për çfarë arsyesh Këshilli i Ministrave apeloi kundër vendimeve të gjykatave më të ulëta dhe kërkoi një pezullim të ekzekutimit.
F. Procedimet penale kundër zyrtarëve shtetërorë
44. Nga letra e Avokatit të Popullit, e datës 13 nëntor 2013 (shih paragrafin 24 më sipër), rezulton se më 18 shkurt 2011, INUK-u paraqiti një padi penale në Prokurorinë e Rrethit Vlorë kundër kreut të Departamentit të Urbanizimit Vlorë, duke pretenduar për parregullsi në procedime, të cilat kanë rezultuar në dhënien e lejes së ndërtimit më 17 gusht 2010. Çështja u dërgua për gjykim në Gjykatën e Rrethit Vlorë. Nuk ka asnjë informacion për rezultatin e atyre procedimeve.
45. Më 4 nëntor 2013, kërkuesi i parë dhe një banor tjetër dorëzuan dy padi penale të veçanta në Prokurorinë e Rrethit, duke pretenduar për abuzim me pushtetin nga ana e punonjësve të INUK-ut dhe policëve të Policisë së Shtetit të përfshirë në konfiskimin e Rezidencës Jon, më 3 dhe 4 nëntor 2013. Ata u ankuan se nuk ishin lejuar të hynin në shtëpitë e tyre, se Policia e Shtetit e kishte rrethuar ndërtesën me shirita të skenave të krimit dhe se në godinë kishin hyrë inspektorët e INUK-ut. Gjithashtu, ata u kërkuan autoriteteve të merrnin masa t’i jepnin fund ndërhyrjes arbitrare në të drejtat e tyre mbi pronën, ndërhyrje e cila vijonte ende në ditën kur ata dorëzuan padinë penale.
46. Në shkurt 2014, Prokurori i Rrethit vendosi të mos fillonte procedimet penale, me argumentimin se fakti i kallëzuar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Ajo arsyetonte se punonjësit e INUK-ut, bazuar në ligjin vendës, kishin të drejtën të realizonin inspektimin dhe të verifikonin rregullsinë e dokumenteve në lidhje me miratimin e lejes së ndërtimit dhe zbatimin e standardeve të saj teknike nga kompania e ndërtimit. Në përputhje me rrethanat, ata kishin të drejtën të hynin në mjediset e Rezidencës Jon. Gjithashtu, oficerët e Policisë së Shtetit kishin të drejtën të bashkëpunonin me dhe të mbështesnin NUCI-n. Pas realizimit të inspektimit nga autoritetet, kishin nisur procedimet penale, kështu dyshimi për mosrespektim të rregullave dhe të kushteve të urbanizimit kishin qenë reale. Prokuroria e Rrethit, në vijim, arsyetoi se një nga kërkuesit kishte thënë se kur ishte kthyer në godinë, ditën pasardhëse, kishte parë punonjës të Policisë së Shtetit brenda dhe ishte lejuar të hynte në apartamentin e tij lirisht, pasi iu kishte treguar certifikatën e pronësisë. Kjo deklaratë ishte konfirmuar edhe nga informacioni i dhënë nga NUCI dhe policia e Vlorës.
47. Më 18 dhjetor 2013, Prokurori i Rrethit, në vijim të një kërkese të dorëzuar nga Task-Forca për Mbrojtjen e Territorit (një organ në autoritetin e ministrit të Brendshëm) nisi një hetim penal kundër gjashtë nëpunësve zyrtarë (disa prej të cilëve punonjës të ZRRPP-së, të tjerë punonjës të Bashkisë Vlorë) për abuzim të mundshëm me pushtetin, për shkak të parregullsisë në procedime, në lidhje me rikthimin e pronës së kërkuesve dhe procedimet vijuese në lidhje me lëshimin e lejes së ndërtimit. Më 20 prill 2016, Gjykata e Apelit Vlorë përfundoi procedimet në lidhje me katër prej nëpunësve zyrtarë, ndërsa dy të tjerët u liruan. Procedimet tashmë janë pezull në Gjykatën e Lartë, pas apelimit të bërë nga Prokurori i Rrethit.
G. Informacione të tjera të parashtruara nga palët
48. Më 14 gusht 2013 u publikua një artikull në faqen zyrtare të Bashkisë Vlorë, i cili inter alia thekson si më poshtë: “Sot, Bashkia e Vlorës ndërmori një masë për shembjen e godinave të paligjshme në Plazhin e Vjetër të Vlorës. Kryetari i Bashkisë së Vlorës deklaroi se tri javë më parë, Bashkia kishte prishur 130 godina të tjera të paligjshme në Radhimë, një fshat në qytetin e Vlorës. Këto veprime synonin të pastronin dhe të lironin territorin i cili ishte zënë në mënyrë të paligjshme, si edhe menaxhimin e territorit urban. Gjithashtu, ai deklaroi se procesi për shembjen e godinave të paligjshme do të vijonte në të gjithë vijën bregdetare të Vlorës. Faza e dytë do të mbulonte rivlerësimin e ndërtimeve të ligjshme, të cilat nuk janë ndërtuar në përputhje me planifikimin rregullator dhe perspektivën turistike të Vlorës ... Bashkia e Vlorës, në bashkëpunim me qeverinë e re do të parashikojë forma ligjore kompensimi ose, nëse është e nevojshme, dëmshpërblim financiar. Në këtë kategori, ishin [dy ose tre] ndërtesa, midis të tjerave, [të cilat] pengonin zbatimin e projektit të ndërtimit të [shëtitores së] Lungomares.”
49. Më 2 nëntor 2013, u publikua një artikull në një portal online, Shqiptarja.com, ku pohohej se autoritetet në Vlorë po vijonin me shembjen e godinave në zonën, ku do të ndërtohej shëtitorja. Autoritetet kishin lëshuar leje paraprake për godinat, të cilat operonin si bare dhe restorante gjatë verës.
50. Më 4 nëntor 2013, në një portal online, Tema, u publikua një artikull, ku pohohej se banorët e Rezidencës Jon e kishin të pamundur të hynin në godinë. Artikulli përmendte se sipas INUK-ut, godina ishte konfiskuar, kështu që autoritetet mund të inspektonin lejen e ndërtimit, dokumentacionin përkatës për ndërtimin dhe nëse leja e ndërtimit ishte dhënë ose jo në përputhje me ligjin. Ministria e Brendshme, e kontaktuar nga Vizion Plus (një stacion televiziv kombëtar) kishte shpjeguar se policia kishte marrë pjesë në veprimet e ndërmarra më 3 nëntor 2013, në mbështetje të INUK-ut. Kryetari i INUK kishte deklaruar se ata po shqyrtonin ende çështjen dhe nëse do të rezultonte ndonjë e metë, atëherë Task-Forca do të vendoste nëse do ta shembte ose jo godinën.
51. Nga të dhënat e parashtruara nga kërkuesit, rezulton se më 4 dhjetor 2013, një kanal televiziv lokal transmetoi në buletinin e tij të lajmeve, se INUK-u, i mbështetur nga policët, kishte filluar procedurën për shembjen e godinës. Sipas transmetimit, atë ditë, shembja konsiderohej të ishte e pjesshme dhe banorëve të godinës iu ishin dhënë pesë ditë për të hequr pasuritë e tyre të luajtshme nga apartamentet e tyre. Pronarët e mjediseve rezidenciale nuk i kishin hequr pasuritë e tyre të luajtshme, me arsyetimin se autoritetet nuk i kishin vlerësuar siç duhet apartamentet e tyre, ndërsa pronarët e mjediseve të biznesit i kishin hequr rregullisht pasuritë e tyre të luajtshme. Autoritetet i kishin vlerësuar apartamentet e tyre me vlerën prej 350 eurosh për metër katror, ndërsa ata kishin paguar 1300 euro për metër katror, në momentin kur i kishin blerë ata. Megjithatë, sipas transmetimit televiziv, konstatohej se procedura për shembjen e pronës tashmë kishte filluar nga autoritetet, pasi Rezidenca Jon ishte bllokuar për një kohë të gjatë.
52. Më 20 qershor 2016, një portal online, Vizionplus.tv, publikoi një artikull ku pohohej se Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (“IKMT”, ish-INUK-u) kishte ndërmarrë procedimet për shembjen e ndërtimeve të paligjshme, për të mundësuar zbatimin e projektit të Lungomares. Një godinë dykatëshe tashmë ishte shembur të hënën dhe ndërsa në dy ditët në vijim do të shembeshin edhe dy godina (bare) të tjera.
53. Më 29 qershor 2016, një portal online, JavaNews, publikoi një artikull ku pohohej se IKMT-ja kishte nisur një operacion në qytetin e Vlorës për zbatimin e projektit të Lungomares. IKMT-ja tashmë kishte shembur një godinë njëkatëshe. Gjithashtu do të shembte edhe një godinë tjetër. Gjatë pjesës së parë të operacionit, IKMT-ja kishte shembur tri godina të tjera.
54. Më 31 mars 2017, IKMT-ja i kishte dërguar një shkresë agjentit të qeverisë. Për sa ka të bëjë me situatën, shkresa përmban si më poshtë: “... INUK-u kishte ushtruar funksionin e tij në përputhje me ligjin vendës. Më 3 nëntor 2013, INUK-u, në prani të një përfaqësuesi të Departamentit të Urbanizimit Vlorë, inspektoi kantierin e ndërtimit të Rezidencës Jon. Të gjitha procedurat e mbetura, të ndjekura nga INUK-u, bazoheshin në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013. Bazuar në procedurën e shpronësimit, Bashkia Vlorë, më 2 dhjetor 2013, kishte kërkuar bashkëpunimin e INUK-ut me zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për të shembur pronat e paluajtshme, të cilat do të shpronësoheshin. Bazuar në këtë kërkesë, INUK-u kishte realizuar shembjen e godinës në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Mjedisit dhe Bashkinë Vlorë ... Në çështjen në fjalë, INUK-u kishte respektuar urdhrin e përkohshëm të datës 7 nëntor 2013 dhe nuk kishte marrë ndonjë veprim në shkelje të këtij vendimi. Në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013 dhe sipas kërkesës së Bashkisë Vlorë, INUK-u kishte ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për shembjen e godinës ... në çështjen konkrete, nuk kishte pasur ndonjë hetim administrative ose penal për kërkesat e kërkuesve në lidhje me moszbatimin e urdhrit të përkohshëm ... shiriti i verdhë i skenave të krimit nuk ishte përdorur nga INUK-u. Ishte e vërtetë se INUK-u kishte kërkuar mbështetjen e Policisë së Shtetit, megjithatë, nuk ishte kompetencë e INUK-ut të diktonte ose të shqyrtonte mënyrën dhe pajisjet e përdorura nga Policia e Shtetit për sigurimin e perimetrit të vendit, nën kontrollin e autoriteteve ... INUK-u nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim i cili do të kishte penguar kërkuesit në ushtrimin e të drejtave të tyre ndaj pronës. Objekti i inspektimit kishte qenë godina dhe subjekti i inspektimit nuk kishin qenë banorët, por kompania e ndërtimit dhe aktivitetet e punonjësve të INU-së”.
55. Qeveria parashtroi si pjesë të vërejtjeve të saj, praktikën gjyqësore të përbërë nga dy vendime të gjykatave të rrethit ku pranoheshin pretendimet e kërkuesve për kompensim me arsyetimin se shembja e pronës kishte ndodhur pavarësisht vendimit të një gjykate tjetër për të pezulluar vendimin e INUK-ut për shembjen e pronës, sepse ajo ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Pretendimi ishte pranuar bazuar në nenet 608 dhe 640 të Kodit Civil. Nuk është e qartë nëse dy vendimet e Gjykatës së Rrethit u bënë të formës së prerë.
56. Qeveria parashtroi gjithashtu tri vendime të tjera gjyqësore vendëse në të cilat gjykatat vendëse pranonin kërkesën e kërkuesve për një shumë më të lartë kompensimi për pronën e tyre të shpronësuar në interesin publik.
57. Gjatë seancës, përfaqësuesi i kërkuesve deklaroi se më 9 dhjetor 2013, kërkuesit kishin parashtruar një kërkesë për kompensim në Bashkinë Vlorë. Më 20 janar 2014, Bashkia Vlorë u kishte kërkuar kërkuesve të sillnin një kopje të certifikatës së pronësisë së bashku me hartën e apartamenteve të lëshuar nga ZRRPP-ja, brenda 72 orëve të fundit. Kërkuesit nuk i paraqitën këto dy dokumente. Më tej, ata parashtruan se ZRRPP-ja kishte refuzuar të lëshonte certifikatat (shih edhe paragrafin 23 më sipër).
II. LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDËSE
A. Kushtetuta
58. Pjesa përkatëse e Kushtetutës parashikon si më poshtë:
“Neni 37
1. Paprekshmëria e banesës është e garantuar.
2. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
Neni 41
1. E drejta e pronës private është e garantuar.
...
3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë.
4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë.
Neni 42
1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”
B. Kodi Civil
59. Neni 608 i Kodit Civil parashikon, se, cilido që shkakton në mënyrë të paligjshme dëm ndaj një personi tjetër ose ndaj pronës së një personi, është i detyruar të paguajë kompensim për dëmin. Ai nuk ka përgjegjësi nëse provon se nuk është në faj. Neni 609 parashikon se dëmi duhet të jetë rezultat i një veprimi ose mosveprimi të drejtpërdrejtë ose të menjëhershëm të një personi. Neni 625 parashikon se një person i cili vuan dëm jomonetar ka të drejtën për kompensim nëse është shkaktuar dëm ndaj shëndetit ose integritetit të tij fizik ose mendor; nëse nderi, personaliteti ose reputacioni i tij janë shkelur ose nëse shkelet e drejta e tij për t’u respektuar jeta e tij private. Sipas nenit 640, dëmi monetar konsiston në vuajtjen e një humbjeje reale dhe në humbje të përfitimit.
C. Kodi i Procedurës Civile
60. Sipas nenit 202 të KPC-së, një urdhër i përkohshëm mund të lëshohet kur ka arsye për të dyshuar nëse ekzekutimi i vendimit të formës së prerë mund të jetë i pamundur ose i vështirë. Një urdhër i përkohshëm pranohet kur padia bazohet në të dhëna dhe pala paditëse bën një parashtrim për çdo dëm që mund të vuajë pala e paditur si pasojë e urdhrit të përkohshëm. Sipas nenit 204, një urdhër i përkohshëm mund të lëshohet edhe përpara se të ndërmerren procedimet kryesore. Në raste të tilla, padia, në themel, duhet të paraqitet brenda afatit të përcaktuar nga gjykata, por jo më shumë se pesëmbëdhjetë ditë. Apeli ndaj urdhrit të përkohshëm nuk pezullon ekzekutimin e tij (neni 210). Në rastin kur padia nuk paraqitet brenda kohës së përcaktuar nga gjykata, urdhri i përkohshëm ndalon së pasuri efekt (neni 211). Në rast se në vendimin e formës së prerë pranohet padia, gjykata vendëse njeh si të vlefshëm urdhrin e përkohshëm (neni 212). Neni 510 parashikon se një urdhër i përkohshëm përbën një “titull ekzekutiv”, i cili i nënshtrohet zbatimit të detyrueshëm. Sipas neneve 511 dhe 515, zbatimi i urdhrit të përkohshëm realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zyra e përmbarimit sipas kërkesës së kreditorit.
61. Neni 479 parashikon se Gjykata e Lartë mund të pezullojë ekzekutimin e një vendimi në rastin kur: a) ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të shkaktonte dëm serioz dhe të pariparueshëm; dhe/ose b) pala e cila bën ankimin, parashtron dëmet, çka garanton zbatimin e vendimit përfundimtar.
D. Mosmarrëveshjet administrative dhe praktika gjyqësore përkatëse vendëse
62. Seksioni 1 i ligjit nr. 49/2012, i datës 18 maj 2013, “Për gjykatat administrative dhe shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative” (akti i mosmarrëveshjeve administrative) parashikon se dispozitat e këtij akti plotësohen nga parashikimet e KPC-së, në rast se nuk parashikohet ndryshe. Seksioni 14 parashikon se gjatë procedimeve gjyqësore, të drejtat dhe detyrimet e palëve udhëhiqen nga parashikimet e KPC-së, në rast se nuk ka mospërputhshmëri. Seksioni 28 parashikon se deri në miratimin e një vendimi në themel të çështjes, një paditës mund të aplikojë në gjykatë për një urdhër të përkohshëm, në rast se mund të rezultojnë dëme serioze dhe të pariparueshme, si rezultat i ekzekutimit të një vendimi administrativ. Padia, në themel, duhet të paraqitet brenda dhjetë ditëve. Sipas seksionit 29, urdhri i përkohshëm lëshohet, në rast se ka dyshime të arsyeshme se mund të ketë dëm serioz dhe se nuk ekziston shkelje e interesit publik. Sipas seksionit 32, apelimi kundër urdhrit të përkohshëm nuk pezullon ekzekutimin e tij. Sipas seksionit 33, urdhri i përkohshëm ekzekutohet në përputhje me rregullat për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës administrative të parashikuara në akt. Sipas seksionit 40, gjykata vendëse, në vendimin e saj të formës së prerë në themel të çështjes, në rastin kur e ka pranuar padinë plotësisht ose pjesërisht, e shpall të vlefshëm urdhrin e përkohshëm. Sipas seksionit 65, zbatimi i urdhrit të përkohshëm realizohet nga zyra e përmbarimit, me kërkesën e kredituesit. Sipas një praktike gjyqësore vendëse, gjykatat administrative vendosin për çështjet e tyre, bazuar në ligjin administrativ, më konkretisht, akti i mosmarrëveshjeve administrative dhe në parashikimet e KPC-së.
E. Akti i shpronësimit
63. Ligji nr. 8561, i datës 22 dhjetor 1999, “Për shpronësimet dhe përdorimin e përkohshëm të pronës private në interesin publik” (akti i shpronësimit) parashikon procedurën e shpronësimit të pronave private në interesin publik. Seksionet 2 dhe 4 parashikojnë se shpronësimi është vetëm në interesin publik, ku interesi publik paraprin interesin privat dhe vetëm për arsyet dhe në përputhje me procedurat e parashikuara shprehimisht në akt, për aq sa është thelbësore për arritjen e qëllimit të shpronësimit dhe shërben për kompensim të drejtë. Parimet e transparencës, barazisë së qytetarëve dhe mbrojtja e interesave dhe të drejtave të tyre mbi pronën duhet të respektohen (seksioni 3). Shpronësimi mund të bëhet për një sërë arsyesh, duke përfshirë realizimin e projekteve kombëtare dhe lokale dhe investimet në interes të mjedisit, shëndetit etj., si edhe mbrojtjen e infrastrukturës në interesin publik (seksioni 8). Sipas seksionit 10, kërkuesi, në interes të të cilit realizohet shpronësimi, duke përfshirë autoritetin bashkiak, duhet t’i adresohet ministrisë që është kompetente, sipas ligjit. Ankimi duhet të shoqërohet me një sërë dokumentesh, duke përfshirë një listë pronarësh të pronave private që do të shpronësohen, së bashku me shpjegimet dhe informacionet në lidhje me secilin pronar, duke përfshirë adresat e tyre dhe banimin e tyre të fundit, me vlerësimet përkatëse për vlerën e pronave dhe shumën e kompensimit, e cila do të paguhet për secilin prej tyre. Seksioni 11 parashikon se ministria kompetente duhet të urdhërojë ngritjen e një komisioni të veçantë për të mbikëqyrur zbatimin e procedurës së shpronësimit. Seksioni 12 parashikon se ministria kompetente duhet të verifikojë aplikimin dhe dokumentet mbështetëse. Seksioni 13 parashikon se nëse aplikimi është në përputhje me aktin, ministria kompetente e pranon atë dhe njofton menjëherë kërkuesin në favor të të cilit kërkohet shpronësimi me shkrim. Duhet të hartohet një marrëveshje midis kërkuesit dhe ministrisë kompetente për të drejtat dhe detyrimet e përbashkëta në lidhje me procedurën e shpronësimit. Seksioni 14 parashikon se brenda 10 ditëve të marrëveshjes, ministria kompetente duhet të njoftojë drejtpërdrejt secilin pronar ose bashkëpronar të pronave private që do të shpronësohen, për kompensimin e tyre. Sipas seksionit 15, ministria kompetente duhet të publikojë aplikimin për shpronësim në Fletoren Zyrtare dhe në një gazetë kombëtare dhe lokale, për një periudhë njëjavore. Seksioni 16§2 parashikon se me përfundimin e procedimeve të shpronësimit, ministria kompetente është e detyruar të përcaktojë shumën e kompensimit. Kjo shumë i paguhet personit në fjalë sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, në rastin e një apelimi, pasi të jetë informuar ministria kompetente. Seksioni 16§3 parashikon se pronarët e pronave private duhet të informojnë ministrinë kompetente, nëse e pranojnë transferimin vullnetar të pronës. Brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga marrja e përgjigjes së pronarëve dhe, jo më pak se sa një muaj nga publikimi i aplikimit për shpronësim, ministria kompetente, në rast se palët i kanë pranuar kushtet e shpronësimit, duhet të fillojë procedurën për transferimin e pronësisë te shteti në shkëmbim të një kompensimi të drejtë (seksioni 16§4). Seksioni 17 parashikon se komisioni i veçantë duhet të përllogarisë shumën e kompensimit në lidhje me pronën që do të shpronësohet. Seksioni 20 parashikon se ministri kompetent duhet të paraqesë përpara Këshillit të Ministrave propozimin për shpronësim, të shoqëruar me një sërë dokumentesh. Sipas seksionit 21, Këshilli i Ministrave vendos për shpronësimin kur propozimi për shpronësim konsiderohet të bazohet në ligj dhe në fakte. Vendimi për shpronësim duhet të përfshijë pronat private që do të shpronësohen dhe pronarët e tyre respektivë, shumën e kompensimit që do të ofrohet, si edhe afatin kohor dhe mënyrën e pagesës. Vendimi për shpronësim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare. Seksioni 23 parashikon se shuma e kompensimit duhet t’i jepet personit në fjalë brenda afatit kohor të parashikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave ose nga data kur vendimi i gjykatës bëhet i formës së prerë sipas seksioneve 16§2 dhe 24 të këtij akti. Seksioni 24 parashikon se vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimin duhet të dërgohet nga ministria kompetente drejtpërdrejt te pronarët konkretë. Ata duhet të apelojnë në një gjykatë brenda tridhjetë ditëve kundër shumës së kompensimit të specifikuar në vendim. Apelimi kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin nuk pezullon zbatimin e vendimit. Në lidhje me shumën e kompensimit, nëse një apelim në gjykatë nuk paraqitet brenda tridhjetë ditëve në përputhje me aktin, vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimin bëhet i ekzekutueshëm. Sipas seksionit 26, procedura e shpronësimit konsiderohet e pavlefshme, kur subjekti në favor të të cilit është bërë shpronësimi, nuk fillon ose përfundon punimet brenda tre muajve prej datës së specifikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave. Shpronësimi është, gjithashtu, i pavlefshëm kur subjekti përdor pronat e shpronësuara ose realizon veprime në mosrespektim të qëllimit të shpronësimit ose, kur ai ndryshon qëllimin e synuar të pronave ose të projekteve tashmë të realizuara në to përpara përfundimit të periudhës së parashikuar në vendimin e shpronësimit. Një shpronësim konsiderohet i pavlefshëm edhe nëse nuk është bërë asnjë pagesë ose nëse nuk është dhënë asnjë shumë kompensimi në favor të palës së shpronësuar dhe të pronarëve të tjerë sipas aktit. Nëse shpronësimi është i pavlefshëm, me anë të një aplikimi nga pronarët respektivë, pronat private u kthehen atyre me të njëjtat të drejta që ata kishin në kohën e shpronësimit. Pronarët konkretë mund të kërkojnë kompensim për dëmin e vuajtur si rezultat i shpronësimit të pavlefshëm.
F. Akte të tjera
64. Sipas aktit shtetëror të përgjegjësisë jokontraktuale (ligji nr. 8510, i datës 15 korrik 1999, “Mbi përgjegjësinë jokontraktuale të autoriteteve administrative shtetërore”), një subjekt shtetëror ka detyrimin të kompensojë dëmin monetar dhe jomonetar të shkaktuar palëve të treta gjatë ushtrimit të funksioneve të tij publike.
65. Seksioni 14 i aktit për inspektimin e ndërtesave (ligji nr. 9780, i datës 16 korrik 2007, “Për inspektimin e ndërtesave”), në periudhën në fjalë, parashikonte se apelimi kundër një vendimi të INUK-ut dhe INU-së, për marrjen e masave urgjente ose për lëshimin e sanksioneve administrative duhet paraqitur në gjykatë. Në rastin kur Gjykata e pranon kërkesën dhe vendimi bëhet i formës së prerë, pala e dëmtuar lejohej t’i kërkonte INUK-ut ose INU-së (cilitdo prej tyre që lëshoi vendimin) të akordonte kompensim për dëmin e shkaktuar.
66. Akti i parandalimit dhe i shlyerjes së borxheve (vendim i Këshillit të Ministrave nr. 50, i datës 5 shkurt 2014, “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e borxheve dhe plani i veprimit”) parashikon procedurën që duhet të ndjekë qeveria shqiptare për shlyerjen e borxheve financiare të qeverisë qendrore, si edhe masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e akumulimit të borxhit financiar në të ardhmen. Një nga masat është ndryshimi i legjislacionit të caktuar të tillë, si ligjet për menaxhimin e buxhetit, menaxhimi dhe kontrolli financiar, prokurimi dhe një sërë aktesh nënligjore. Sipas aktit, detyrimet e papaguara financiare përfshijnë detyrimet të cilat rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë dhe kompensimi për interesin publik.
67. Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për metodat e vlerësimit për pasuritë e paluajtshme në Shqipëri”, nr. 658, i datës 26 shtator 2012, parashikon se për vlerësimin e pronave të paluajtshme, autoritetet duhet të kenë në konsideratë, midis të tjerash, mbrojtjen e së drejtës mbi pronën, të drejtën e shpronësimit në këmbim të kompensimit të drejtë, parimin e ligjshmërisë, standardet ndërkombëtare për vlerësimin e pronave të paluajtshme, bazuar në çmimin e tregut, llojin e pronës dhe qëllimin e përdorimit të saj. Përllogaritja e vlerës së pronës bëhet në përputhje me çmimin e kontratave të shitjes, të cilat kanë në konsideratë çmimin e tregut sipas llojit të pronës dhe qëllimit të përdorimit të saj. Çmimi i tregut përcaktohet nga të dhënat zyrtare të kontratave të shitjes të regjistruara në ZRRPP.
G. Praktika gjyqësore respektive e brendshme
68. Gjykata Kushtetuese ka rikonfirmuar praktikën e saj të gjatë në gjetjen e shkeljeve në të drejtat e paditësve për moszbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë të brendshme (vendimet nr. 63/17 i datës 31 korrik 2017, 50/17 i datës 3 korrik 2017, 35/17 i datës 18 prill 2017, 25/17 i datës 27 mars 2017, 89/16 i datës 30 dhjetor 2016, 79/16 i datës 27 dhjetor 2016, 66/16 i datës 7 nëntor 2016) dhe kur procedimet tejzgjaten (vendimet nr. 51/17 i datës 3 korrik 2017, 42/17 i datës 25 maj 2017, 32/17 i datës 30 mars 2017, 22/17 i datës 20 mars 2017, 36/16 i datës 27 qershor 2016, 14/16 i datës 10 mars 2016). Paditësve nuk iu akordua kompensim në vendimet e mësipërme, si edhe nuk u parashikua asnjë formë korrigjimi në lidhje me moszbatimin e vazhdueshëm ose kohëzgjatjen e procedimeve.
LIGJI
I. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 6§1 I KONSIDERUAR I MËVEÇANTË DHE SE BASHKU ME NENIN 13 TË KONVENTËS
69. Kërkuesit pretendonin se kishte pasur një shkelje të nenit 6§1 të Konventës, për shkak se autoritetet kishin neglizhuar urdhrin e përkohshëm, të datës 7 nëntor 2013, duke pezulluar ekzekutimin e urdhrit të shembjes. Më tej, ata parashtruan se mosrespektimi i urdhrit të përkohshëm nga ana e autoriteteve kishte shkaktuar një shkelje të të drejtave të tyre procedurale dhe i kishte penguar që meritat e ankesës së tyre të shqyrtoheshin në mënyrën e duhur në procedimet përpara Gjykatës së Rrethit. Gjithashtu, ata u ankuan për një mungesë të një mjeti efikas për këtë situatë.
Neni 6§1 i Konventës, për sa ka të bëjë me situatën, pohon se:
“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ..., çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, ... nga një gjykatë ...”
Neni 13 i Konventës parashikon:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
A. Pranueshmëria
1. Nëse kërkuesit kanë shfrytëzuar mjetet e brendshme
70. Qeveria parashtron se kërkuesit nuk kanë shfrytëzuar mjetet e brendshme të disponueshme. Veçanërisht, ata nuk kishin paraqitur një kërkesë për kompensim për veprimet e paligjshme të datës 3 nëntor 2013, sipas përgjegjësisë jokontraktuale të aktorit shtetëror, akti për inspektimin e ndërtesave, as gjatë procedimeve të veçanta dhe as gjatë procedimeve të brendshme në lidhje me këto ngjarje. Qeveria parashtroi praktikën gjyqësore të brendshme në mbështetje të këtij parashtrimi (shih paragrafin 55 më sipër).
71. Kërkuesit argumentuan se nuk kishin ekzistuar mjete efikase të cilat ata të mund t’i përdornin. Në parashtrimet e tyre verbale, ata argumentonin se duke mos zbatuar urdhrin e përkohshëm, autoritetet i kishin privuar ata, në mënyrë të pakthyeshme, jo vetëm nga të drejtat e tyre mbi pronën, por edhe nga mundësia që meritat e ankesës së tyre të shqyrtoheshin me efikasitet nga një gjykatë. Asnjë mjet i brendshëm nuk mund të kompensonte për një mohim të tillë të drejtësisë. Për më tepër, ata parashtruan se ishte e bazuar në fakte se neglizhimi i urdhrit të përkohshëm i kishte privuar kërkuesit nga çdo mbrojtje gjyqësore efikase.
72. Gjykata mendon se çështja e shfrytëzimit të mjeteve të brendshme është e lidhur ngushtë me meritat e ankesës së kërkuesve për mungesën e një mjeti efikas për ndërhyrjen e pretenduar në të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë.
73. Kështu, Gjykata bashkon aspektin nëse kërkuesit shfrytëzuan mjetet e brendshme për meritat e ankesës së tyre, sipas nenit 13, në lidhje me nenin 6§1 të Konventës.
2. Nëse kërkuesit nuk kanë “statusin e viktimës”
74. Qeveria parashtroi se gjykatat vendëse kishin lëshuar gjetje të arsyetuara në favor të tyre. Kështu, kërkuesit kishin abuzuar me të drejtën e tyre për një ankim individual.
75. Kërkuesit nuk parashtruan asnjë koment të veçantë.
76. Gjykata përsërit se miratimi i një mase në favor të kërkuesit nga autoritetet vendëse do të privojë kërkuesin nga statusi i viktimës, vetëm nëse shkelja njihet shprehimisht ose të paktën në thelb, dhe në vijim korrigjohet (shih Scordino kundër Italisë (nr. 1) [DHM], nr. 36813/97, §§ 178 në vijim dhe §193, GJEDNJ 2006‑V, dhe Dalban kundër Rumanisë [DHM], nr. 28114/95, §44, GJEDNJ 1999-VI).
77. Çështja nëse një person mund të pretendojë ende të jetë viktimë e një shkeljeje të pretenduar të Konventës, kryesisht kërkon nga Gjykata një shqyrtim ex post facto të situatës së tij ose të saj (shih Scordino, cituar më sipër, §181 dhe Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano kundër Italisë [DHM], nr. 38433/09, §82, GJEDNJ 2012). Nëse korrigjimi i dhënë është efikas varet nga, midis të tjerave, natyra e së drejtës së pretenduar që të ishte shkelur, nga arsyet e dhëna për vendimin dhe nga prania e pasojave të pafavorshme për personin konkret pas atij vendimi (shih Oliari dhe të Tjerët kundër Italisë, nr. 18766/11 dhe 36030/11, §78, 21 korrik 2015). Korrigjimi duhet të jetë i përshtatshëm dhe i mjaftueshëm. Nëse një individ ka statusin e viktimës mund të varet edhe nga shuma e kompensimit të dhënë nga gjykatat vendëse dhe efikasiteti (duke përfshirë eficiencën në kohë) i mjetit që mbulon vendimin (shih Paplauskienė kundër Lituanisë, nr. 31102/06, §51, 14 tetor 2014).
78. Gjykata vëren në vijim të parashtrimeve specifike të kërkuesve, gjatë procedimeve në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës së kërkuesve, gjykatat vendëse argumentuan se autoritetet kishin miratuar vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013, pa pritur për vendimin në themel dhe duke neglizhuar urdhrin e përkohshëm (shih paragrafët 37 dhe 41 më sipër). Megjithatë, ato nuk i akorduan kompensime kërkuesve. Për më tepër, Gjykata vëren se fakti se gjykatat vendëse në procedimet e përkohshme dhe kryesore bënë konstatime në favor të kërkuesve, nuk ka lidhje me situatën, duke qenë se ato vendime nuk u ekzekutuan dhe nuk arritën të parandalonin shembjen e ndërtesës.
79. Në këtë mënyrë, Gjykata mendon se autoritetet vendëse nuk arritën të kompensonin kërkuesit në lidhje me ankesën e tyre për moszbatim të urdhrit të përkohshëm në favor të tyre dhe se ata mund të vijojnë të pretendojnë të jenë viktima të një shkeljeje të pretenduar.
3. Përfundim
80. Gjykata argumenton se ankesat e kërkuesve, sipas nenit 6§1 dhe nenit 13 të Konventës, nuk janë të pabazuar në fakte sipas kuptimit të nenit 35§3 të Konventës. Më tej, ajo vëren se ato nuk janë të papranueshme sipas ndonjë arsyetimi tjetër. Kështu, ato duhet të deklarohen të pranueshme, pa paragjykim ndaj vendimit që duhet marrë domosdoshmërisht ndaj kundërshtimit të qeverisë për mosshfrytëzim të mjeteve të brendshme.
B. Meritat
1. Përputhje me nenin 13, në lidhje me nenin 6§1 të Konventës
81. Gjykata përsërit se neni 13 i Konventës kërkon që sistemet ligjore vendëse të ofrojnë një mjet efikas që i mundëson autoritetit kombëtar kompetent të adresojë substancën e një ankese të “argumentueshme” sipas Konventës (shih Z dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar [DHM], nr. 29392/95, §108, GJEDNJ 2001-V). Objekti i saj është garantimi i një mjeti me anë të të cilit individët të mund të përftojnë ndihmën e duhur në nivel kombëtar për shkeljet e të drejtave të tyre të ofruara nga Konventa, përpara se të aktivizojnë makinerinë ndërkombëtarë të ankesës përpara Gjykatës (shih Kudła kundër Polonisë [DHM], nr. 31210/96, §152, GJEDNJ 2000-XI).
82. Megjithatë, mbrojtja e ofruar nga neni 13 nuk shkon deri në pikën sa të kërkojë një formë të veçantë të mjetit, duke qenë se shteteve kontraktuese iu garantohet një margjinë lirie veprimi bazuar në detyrimet e tyre sipas kësaj dispozite (shih, për shembull, Kaya kundër Turqisë, 19 shkurt 1998, §106, Raportet 1998‑I).
83. Duke u kthyer në çështjen konkrete, Gjykata nuk është e bindur me argumentet e qeverisë, se një kërkesë për kompensim, sipas aktit shtetëror për përgjegjësinë jokontraktuale, aktit për inspektimin e godinave ose Kodit Civil, siç edhe ilustrohet nga praktika gjyqësore e brendshme, parashtruar nga qeveria (shih paragrafin 55 më sipër), do të kishte qenë efikase në rrethanat specifike të çështjes. Së pari, Gjykata vëren se shembujt e dhënë nga qeveria u referohen kërkesave për kompensim në çështjet ku INUK-u dhe INU-ja shembën ndërtimet e paligjshme ose nëse procedura e legjislacionit ishte ende në vijim. Megjithatë, Gjykata vëren se nuk ka asnjë informacion në dosjen e çështjes në lidhje me faktin nëse ato vendime u bënë të formës së prerë në nivel vendor dhe, nëse po, nëse autoritetet i zbatuan ato. Më tej, Gjykata vëren se në çështjet konkrete, autoritetet nuk proceduan me ndonjë shpronësim në interesin publik, duke qenë se rrethanat ishin ndryshe nga ato në çështjen konkrete. Së dyti, Gjykata vëren se kërkuesit nuk u ankuan në Gjykatë për një moskompensim të dëmit monetar për moszbatimin e urdhrit të përkohshëm të datës 7 nëntor 2013 dhe as se autoritetet nuk zbatuan masën e përkohshme, çka e bënte të pamundur faktin që meritat e çështjes së tyre të shqyrtoheshin në mënyrën e duhur.
84. Për më tepër, Gjykata përsërit se parimi i shtetit të së drejtës, të cilin e ndërmorën shtetet kontraktuese për të garantuar se autoritetet kompetente do të zbatonin mjetet gjyqësore, kur ato të garantoheshin (shih, Iatridis kundër Greqisë [DHM], nr. 31107/96, §66, GJEDNJ 1999‑II, dhe Pavić kundër Kroacisë, nr. 21846/08, §38, 28 janar 2010). Për më tepër, duke iu referuar çështjeve Gjyli kundër Shqipërisë (nr. 32907/07, §§ 55–61, 29 shtator 2009), Manushaqe Puto dhe të tjerët kundër Shqipërisë (nr. 604/07 dhe 3 të tjerë, §§ 33–35, 31 korrik 2012) dhe Luli dhe të tjerët kundër Shqipërisë (nr. 64480/09 dhe 5 të tjerë, §§ 77–84, dhe §§ 114–119, 1 prill 2014), Gjykata konstaton se në Shqipëri nuk kishte asnjë mjet efikas në lidhje me moszbatimin e vendimeve të formës së prerë dhe kohëzgjatjen e procedimeve në kohë fizike. Në vijim, ajo vëren se Gjykata Kushtetuese, përveç konstatimit shpjegues të një shkeljeje, ku vendimet e formës së prerë të gjykatave nuk zbatohen (shih paragrafin 68 më sipër), nuk mund të ofrojë ndonjë mjet korrigjimi për të kompensuar situatën. Nën këto rrethana, Gjykata konstaton se nuk kishte dhe ende nuk ekzistojnë mjete efikase të disponueshme për kërkuesit në lidhje me moszbatimin e urdhrit të përkohshëm.
85. Sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se ka pasur një shkelje të nenit 6§1 të Konventës. Më tej, ajo vijon se kundërshtimi paraprak i qeverisë për mosshfrytëzim në lidhje me këtë aspekt, duhet të pushohet.
2. Respektim i nenit 6§1 të Konventës
a) Parashtrimet e palëve
i. Kërkuesit
86. Kërkuesit parashtruan se ishte shkelur neni 6§1 i Konventës, si rezultat i moszbatimit të urdhrit të përkohshëm të datës 7 nëntor 2013. Urdhri i përkohshëm, i cili kishte ndaluar çdo veprim të mëtejshëm nga autoritetet shtetërore ndaj Rezidencës Jon , të cilët mund të pengonin të drejtën e tyre për të gëzuar qetësisht pronat e tyre, kishte deklaruar qartazi se godina nuk duhej të shembej. Megjithatë, autoritetet shqiptare e shembën Rezidencën Jon pavarësisht urdhrit të përkohshëm të lëshuar nga Gjykata e Rrethit dhe vetëm pak ditë përpara programimit të seancës dëgjimore në Gjykatën Administrative të Apelit. Nuk kishte asnjë të dhënë publike për ndonjë urdhër shembjeje as i miratuar nga Bashkia Vlorë dhe as i njoftuar te kërkuesit.
87. Për më tepër, sipas vendimit të gjykatave të brendshme, vendimi për shpronësim kishte qenë i paligjshëm dhe haptazi në shmangie të urdhrit të përkohshëm. Autoritetet nuk kishin respektuar urdhrin e përkohshëm duke qenë se kërkuesve nuk iu ishte lejuar aksesi i pakufizuar në pronat e tyre pas konfiskimit dhe njoftimit publik për shembjen.
88. Së fundmi, pamundësia e autoriteteve për të respektuar urdhrin e përkohshëm dhe shembjen e Rezidencës Jon në vetëm pak ditë, kishte passjellë një shkelje të të drejtave procedurale të kërkuesve duke i penguar kërkesat e tyre në procedimet kryesore.
ii. Qeveria
89. Fillimisht, qeveria parashtroi se autoritetet nuk kishin kundërshtuar urdhrin e përkohshëm të datës 7 nëntor 2013, duke qenë se ai nuk ishte lëshuar në përputhje me ligjin e brendshëm. Në parashtrimet e tyre verbale, qeveria argumentonte se Gjykata duhej të kishte në konsideratë situatën e përgjithshme me të cilën po përballej qeveria e re në qershor 2013: ishin ndërtuar 400,000 godina të paligjshme për një popullsi prej vetëm 2.8 milionë dhe ndërtimet e paligjshme ishin toleruar për njëzet e pesë vjet. Për këtë arsye, Rezidenca Jon e ndërtuar bazuar në një leje të lëshuar nga autoritetet lokale dhe jo nga autoritetet qendrore, fillimisht ishte konsideruar si një ndërtim pa leje të rregullt ndërtimi të regjistruar në ZRRPP. Gjithashtu, godina nuk respektonte urbanistikën. Nën këto rrethana, INUK dhe nuk kishin ndërmarrë masa në datën 3 nëntor 2013, për shkak të parregullsive të vërejtura gjatë procedurave në lidhje me lëshimin e lejes së ndërtimit, me synimin që nëpunësit shtetërorë përgjegjës të dënoheshin, ndërsa godina të shembej si sanksion administrative sipas aktit për inspektimin e ndërtesave.
90. Më tej, qeveria parashtroi se urdhri i përkohshëm, për aq kohë sa ishte në fuqi, ishte në akordancë me autoritetet e brendshme për faktin se INUK-u dhe INU-ja nuk kishte ndërmarrë ndonjë masë të paligjshme, me përjashtim të veprimeve të ndërmarra më 3 nëntor 2013. Urdhri i përkohshëm i datës 7 nëntor 2013, duhet të lexohet dhe të interpretohet së bashku me vendimin e Gjykatës së Rrethit të datës 28 janar 2014. Autoritet e konsideronin godinën si të paligjshme deri në miratimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit të datës 7 nëntor 2013. Pas miratimit të tij, autoritetet nuk mund të menaxhonin më godinën e kërkuesve si një ndërtim të paligjshëm prima facie. Megjithatë, në hapësirën e Rezidencës Jon, ishte planifikuar një projekt infrastrukturor në interesin publik. Të gjitha godinat e tjera ishin shembur vetëm për zbatimin e atij projekti. Efektet e urdhrit të përkohshëm ishin zgjatur deri më 27 nëntor 2013, kur prona u shpronësua dhe u shemb në përputhje me ligjin e brendshëm, pasi në atë kohë ishte prezumuar të ishte një ndërtim i ligjshëm.
91. Më tej, qeveria parashtroi se në fakt kërkuesit gabimisht e konsideronin vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013, si vendim i cili nuk zbatonte urdhrin e përkohshëm. Urdhri i përkohshëm i datës 7 nëntor 2013, nuk e kishte parandaluar procedurën e shpronësimit. Kjo i adresohej vetëm INUK-ut dhe INU-së dhe jo Këshillit të Ministrave. Për këtë arsye, çështja konkrete është ndryshe nga Okyay dhe të Tjerët kundër Turqisë (nr. 36220/97, GJEDNJ 2005‑VII), ku rrethanat ishin ndryshe. Procedimet e përkohshme në lidhje me ngjarjet e datës 3 nëntor 2013, nuk kishin lidhje me procedimet kryesore për shembjen e godinës, të ndërmarra nga data 4 deri më 8 dhjetor 2013, duke qenë se urdhri i përkohshëm nuk përfshinte shembjen e godinës, vetëm reagimin e autoriteteve përpara vendimit për shpronësim. Gjithashtu, u theksua fakti se gjatë procedimeve të përkohshme përpara Gjykatës Administrative të Apeli, vetë kërkuesit e kishin tërhequr kërkesën e tyre për miratimin e një mase të përkohshme.
b) Vlerësimi i Gjykatës
92. Gjykata përsërit se ekzekutimi i një vendimi të dhënë nga një gjykatë, duke përfshirë një vendim të dhënë në procedimet e përkohshme (shih midis shumë vendimeve të tjera, Okyay dhe të Tjerët, cituar më sipër, dhe Micallef kundër Maltës [DHM], nr. 17056/06, §§ 87–89, GJEDNJ 2009), duhet të konsiderohet si një pjesë integrale e “gjykimit” për qëllimet e nenit 6 të Konventës (shih Hornsby kundër Greqisë, 19 mars 1997, §40, Raportet‑II). E drejta për akses në një gjykatë e garantuar sipas këtij neni do të jepej në mënyrë të pavërtetë, nëse sistemi ligjor i një shteti kontraktues do të lejonte një vendim gjyqësor të formës së prerë detyrues ose një urdhër bisedor të marrë në pritje të një vendimi të formës së prerë për të mbetur jooperativ ose në ngarkesë të një pale. Ky parim është i një rëndësie më të madhe në kontekstin e procedimeve administrative, në lidhje me një mosmarrëveshje, rezultati i së cilës është vendimtar për të drejtat civile të një pale ndërgjyqëse (shih Okyay dhe të Tjerët, cituar më sipër, §72).
93. Gjithashtu, Gjykata përsërit se një person i cili ka marrë një vendim kundër shtetit në fund të procedimeve ligjore, nuk pritet të ndërmarrë procedime për zbatimin e mëveçantë (shih Burdov kundër Rusisë (nr. 2), nr. 33509/04, §68, GJEDNJ 2009).
94. Duke iu referuar çështjes konkrete, Gjykata vëren se nuk diskutohet nëse neni 6§1 është i zbatueshëm për procedimet e përkohshme konkrete. Duke konsideruar parashtrimet e qeverisë, fillimisht duhej shqyrtuar nëse procedimet e përkohshme lidheshin me shembjen e godinës, gjë e cila ndodhi një muaj pas lëshimit të urdhrit të përkohshëm. Duke ndjekur kërkesën e ankuesve për të pezulluar miratimin e të gjitha vendimeve administrative në lidhje me shembjen e ndërtesës (shih paragrafët 17–18 më sipër), Gjykata e Rrethit, në pjesën operative të vendimit të saj pezulloi të gjitha masat administrative të çdo autoriteti publik që mund të ndërhynte në gëzimin e qetë nga ana e kërkuesve të pronave të tyre respektive. Më tej, u dhanë edhe arsye të detajuara se përse ishte lëshuar urdhri i përkohshëm (shih paragrafin 19 më sipër). Më 20 janar 2014, Gjykata Administrative e Apelit vërejti se pasoja të cilën u përpoq ta ndalë urdhri i përkohshëm, më konkretisht shembja e godinës, ndodhi (shih paragrafin 22 më sipër). Gjithashtu, vendimet e mëpasshme të gjykatave vendëse vërejtën se INUK-u dhe INU-ja kishin ndërmarrë veprime arbitrare në mënyrë abuzive, me qëllim shembjen e godinës (shih paragrafët 26–27 dhe paragrafët 37 dhe 41 më sipër). Për të gjitha sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se urdhri i përkohshëm u lëshua për parandalimin e një shembjeje të mundshme të godinës së kërkuesve.
95. Gjykata do t’i kthehet çështjes nëse autoritetet kishin respektuar urdhrin e përkohshëm të datës 7 nëntor 2013. Vërehet se sipas nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile, një urdhër i përkohshëm është i zbatueshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe detyrues për të gjitha institucionet shtetërorë (shih paragrafët 19 dhe 62 më sipër). Duke iu kthyer çështjes aktuale, Gjykata vëren se urdhri i përkohshëm, i adresuar ndaj çdo organi zyrtar, do të mbetej në fuqi deri sa të jepej një vendim për meritat e çështjes (shih paragrafin 19 më sipër). Në të kundërt, në kohën kur gjykatat e brendshme duhej të vendosnin për meritat e çështjes, Këshilli i Ministrave kishte vendosur se Rezidenca Jon duhej të shpronësohej për interesin publik dhe godina duhej të shembej. Për këtë arsye, zbatimi i urdhrit të përkohshëm dhe rezultati i procedimeve kryesore u bë i tepërt (shih paragrafët 22 dhe 26–27 më sipër). Gjithashtu, Gjykata vëren se gjykatat vendëse në të gjitha nivelet, gjykonin se autoritetet shqiptare nuk kishin respektuar urdhrin e përkohshëm (shih edhe paragrafët 78 dhe 94 më sipër).
96. Për sa më sipër, Gjykata është e mendimit se autoritetet kombëtare nuk respektuan në praktikë vendimin e dhënë nga Gjykata Administrative e Rrethit Vlorë, më 7 nëntor 2013, duke e privuar nenin 6§1 të kishte ndonjë efekt të dobishëm (shih, mutatis mutandis, Okyay dhe të Tjerët, cituar më sipër, §§ 72–73, dhe Kübler kundër Gjermanisë, nr. 32715/06, §§ 60–66, 13 janar 2011).
97. Për këtë arsye është shkelur neni 6§1 i Konventës.
II. SHKELJE TË PRETENDUARA TË NENIT 8 KONSIDERUAR MËVEÇANTË DHE SË BASHKU ME NENIN 13 TË KONVENTËS
98. Kërkuesit u ankuan se largimi i tyre me forcë nga banesat e tyre, pa një njoftim paraprak dhe konfiskimi i godinës shkelte nenin 8 të Konventës, më tej, ata u ankuan se shpronësimi dhe në vijim shembja e godinës, shkelte të drejtën e tyre për respektimin e banesës së tyre sipas parashikimit përkatës. Ata u ankuan për mungesën e një mjeti efikas në atë këndvështrim.
Neni 8 i Konventës parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
A. Ankesa në lidhje me konfiskimin e godinës
1. Pranueshmëria
a) Në lidhje me kërkuesin e parë dhe të dytë
99. Gjykata vëren se kërkuesi i parë dhe i dytë u bënë pronarë të disa apartamenteve dhe dyqaneve në Rezidencën Jon, për shkak të pronësisë që kishin mbi truall (shih paragrafin 8 më sipër). Megjithatë, Gjykata vëren se kërkuesi i parë dhe i dytë nuk paraqitën të dhëna të dokumentuara për të provuar se ata po i përdornin në fakt shtëpitë ose mjediset e tyre të biznesit (shih, a contrario, Société Colas Est dhe të Tjerët kundër Francës, nr. 37971/97, §§41–42, GJEDNJ 2002‑III) për qëllim të nenit 8 të Konventës. Për këtë arsye, kjo ankesë, në lidhje me kërkuesin e parë dhe të dytë nuk përputhet ratione materiae me parashikimet e Konventës sipas kuptimit të nenit 35§3(a) dhe duhet të kundërshtohet në përputhje me nenin 35§4. Mbi po të njëjtat arsye, Gjykata kundërshton ankesën e tyre sipas nenit 13 të Konventës marrë së bashku me nenin 8.
b) Në lidhje me pjesën tjetër të kërkuesve
i. Nëse kërkuesit kanë shfrytëzuar mjetet e brendshme
100. Qeveria parashtroi se kërkuesit nuk ishin ankuar në gjykatat vendëse për një shkelje të të drejtave të tyre për respektimin e shtëpisë së tyre. Kërkuesit kishin kundërshtuar vetëm vlerën e shpronësimit. Ata nuk kishin kërkuar ndonjë kompensim në procedime, të cilat kishin përfunduar me vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të datës 21 janar 2014; ndryshe, ata mund të kishin paraqitur kërkesa mbështetur në Kodin Civil, aktin shtetëror të përgjegjësisë jokontraktuale dhe aktit për inspektimin e godinave.
101. Kërkuesit përsëritën se ishin ankuar në gjykatat vendëse për konfiskimin dhe rrethimin e godinës. Ata i kishin kundërshtuar veprimet e paligjshme të autoriteteve administrative (konfiskimi, shpronësimi dhe shembja), të cilat ndërhynin në të drejtën e tyre për respektimin e shtëpive të tyre, duke ngritur kështu, të paktën në thelb, një ankesë mbështetur në nenin 8 të Konventës.
102. Gjykata është e mendimit se çështja e shfrytëzimit të mjeteve të brendshme është e lidhur kaq ngushtë me meritat e ankesës së kërkuesve për mungesën e një mjeti efikas për ndërhyrje të pretenduar në të drejtën e tyre ndaj shtëpisë, në atë që ata nuk mund të ndahen prej saj.
103. Kështu, Gjykata deklaron se çështja nëse kërkuesit i kanë shfrytëzuar mjetet vendëse duhet të bashkohet me meritat e ankesës së tyre mbështetur në nenin 13, në lidhje me nenin 8 të Konventës.
ii. Nëse kërkuesit nuk kanë “statusin e viktimës”
104. Qeveria i parashtroi se Gjykata Administrative e Apelit, në vendimin e saj të datës 21 janar 2014, i kishte deklaruar të paligjshme veprimet e INUK-ut, të datës 3 nëntor 2013; për këtë arsye, çështja tashmë ishte adresuar në nivel të brendshëm.
105. Kërkuesit nuk parashtruan ndonjë koment të veçantë.
106. Për sa më sipër (shih paragrafët 76–79 më sipër), Gjykata është e mendimit se autoritetet kombëtare nuk u garantuan kompensim kërkuesve në lidhje me ankimin e tyre për një shkelje të së drejtës për respektimin e shtëpisë së tyre dhe se ata mund të pretendojnë ende të jenë viktima të shkeljes së pretenduar.
iii. Përfundim
107. Gjykata mendon se ankesat e kërkuesve, sipas neneve 8 dhe 13 të Konventës, nuk janë haptazi të pabazuara, sipas kuptimit të nenit 35§3 të Konventës. Më tej, ajo vëren se ato nuk janë të papranueshme sipas ndonjë arsyeje tjetër. Për këtë arsye, ato duhet të deklarohen të pranueshme, pa paragjykim ndaj vendimit që do të merret për kundërshtimin e qeverisë për mosshfrytëzimin e mjeteve të brendshme.
2. Meritat
a) Respektimi i nenit 8 të Konventës
i. Parashtrimet e palëve
108. Kërkuesit parashtruan se e drejta e tyre për respektimin e shtëpisë ishte shkelur për shkak të dëbimit të papritur, me forcë, të paligjshëm dhe të përhershëm nga shtëpitë e tyre, pa ndonjë njoftim paraprak zyrtar. Ata pretenduan, se më 3 nëntor 2013, zyrtarë të INUK-ut dhe INU-së, me ndihmën e Policisë së Shtetit, kishin rrethuar papritur godinën dhe e kishin rrethuar me një shirit të verdhë të policisë. Shumica prej tyre kishin mësuar për këtë situatë vetëm rastësisht, me anë të medias ose me anë të telefonit nga rojet e godinës. Ata të cilët kishin qenë brenda pronave të tyre në ato momente, ishin nxjerrë me forcë dhe, që prej atij momenti dhe në vijim, të gjithëve iu ishte ndaluar të hynin në shtëpitë e tyre, madje edhe për të marrë sendet e tyre personale dhe objektet me vlerë më të rëndësishme, përpara se të shembej godina. Gjithashtu, ata parashtruan se me nxjerrjen e vendimit të përkohshëm, më në fund iu ishte lejuar të ktheheshin në shtëpitë e tyre, në rast se tregonin një certifikatë pronësie dhe një kartë të vlefshme identiteti (ID).
109. Kërkuesit, më tej, parashtruan se konfiskimi i godinës dhe pamundësia në të ardhmen që ata të hynin në pronat e tyre nuk bazohej në një vendim gjykate. Për më tepër, konfiskimi i godinës kishte vijuar, pavarësisht urdhrit të përkohshëm. Paligjshmëria e sjelljes së autoriteteve administrative tashmë ishte pranuar nga gjykatat vendëse. Për këtë arsye, konfiskimi i shtëpive dhe i pasurive të kërkuesve nuk kishte qenë i ligjshëm, nuk kishte ndjekur një qëllim legjitim dhe nuk kishte qenë proporcional më ndonjë qëllim të ndjekur.
110. Qeveria pranoi se kishte pasur një ndërhyrje me të drejtat e kërkuesve, bazuar në nenin 8 të Konventës, por ajo ndërhyrje ishte e bazuar në ligj dhe kishte ndjekur gjithashtu një qëllim legjitim, më konkretisht përmirësimin dhe rindërtimin e bregdetit të qytetit. Për sa i përket proporcionalitetit, qeveria parashtroi se ishte ruajtur një balancë midis të drejtave të kërkuesve dhe interesit publik. Kërkuesve iu ishte dhënë kompensim i drejtë. Rrethanat në çështjen konkrete ishin të ndryshme nga ato në çështjet Demades kundër Turqisë (nr. 16219/90, 31 korrik 2003) dhe Loizidou kundër Turqisë (themeli) (18 dhjetor 1996, Raportet 1996‑VI).
111. Më tej, qeveria parashtroi se apartamentet e kërkuesve kishin qenë kryesisht shtëpi vere dhe se nuk iu duhej të mbanin një barrë të madhe. Qeveria vërejti se pas urdhrit të përkohshëm të datës 7 nëntor 2013, vetë kërkuesit kishin pranuar se ishin lejuar të hynin në apartamentet e tyre. Qeveria parashtroi se përdorimi i shiritit të policisë për skenat e krimit kishte qenë një procedurë standarde për INUK-un (shih paragrafin 177 më poshtë). Në parashtrimet e saj verbale, qeveria parashtroi se çështja ishte e lidhur ngushtë me shqyrtimin e çështjes mbështetur në nenin 1 të protokollit nr. 1, në lidhje me procedurën e shpronësimit.
ii. Vlerësimi i Gjykatës
a) Nëse Rezidenca Jon ishte “banesa” e kërkuesve, sipas kuptimit të nenit 8 të Konventës.
112. Gjykata vëren në fillim se kërkuesit nr. 3–19, sipas renditjes në shtojcë, u bënë pronarë të apartamenteve në bazë të marrëveshjeve të blerjeve (shih paragrafin 8 më sipër). Ajo konstaton se ata kishin dorëzuar mjaftueshëm të dhëna në dokumente të cilat tregonin se me përfundimin e punimeve të ndërtimit, apartamentet e tyre u mobiluan dhe përdoreshin si shtëpi pushimesh (shih paragrafin 9 më sipër). Gjithashtu, ajo vëren se kërkuesit tashmë kishin filluar të përdornin rregullisht apartamentet e tyre dhe të jetonin në to. Më tej, Gjykata vëren se apartamentet e kërkuesve trajtoheshin prej tyre si shtëpi. Për të gjitha parashtrimet e mësipërme, Gjykata, duke marrë në konsideratë edhe dokumentet në dosjen e çështjes, arrin në përfundimin se edhe pse disa nga apartamentet e kërkuesve përdoreshin si shtëpi pushimi, ato kualifikoheshin si “shtëpi”, sipas nenit 8 të Konventës, sepse kërkuesit duhej të kishin krijuar edhe lidhje emocionale me shtëpitë e tyre të dyta (shih demades, cituar më sipër, §34).
b) Nëse kishte një ndërhyrje nga një autoritet publik në të drejtën e kërkuesve për respektimin e shtëpive të tyre
113. Pasi ishte vendosur se apartamentet konkrete ishin shtëpitë e kërkuesve sipas nenit 8 të Konventës, Gjykata duhet të vendoste nëse kishte pasur një ndërhyrje në të drejtën e tyre për respektimin e shtëpive të tyre nga një autoritet publik.
114. Gjykata vëren se gjykatat e brendshme kishin vendosur se kërkuesit nuk kishin mundur të kishin akses në shtëpitë e tyre (shih paragrafët 19, 26–27, 37 më sipër). Më tej, Gjykata vëren se kërkuesit, gjithsesi, e kishin bërë të qartë në parashtrimet e tyre me shkrim se iu ishte lejuar të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Rezidencën Jon. Megjithatë, aksesi ishte i mundur vetëm nëse banorët paraqisnin një certifikatë pronësie dhe një kartë identiteti të vlefshme tek autoritetet. Gjithashtu, Gjykata vëren se njëri prej banorëve deklaroi gjatë procedimeve përpara Prokurorit të Rrethit, se i ishte lejuar të hynte në apartamentin e tij vetëm një ditë pasi i kishte treguar autoriteteve certifikatën e tij të pronësisë (shih paragrafin 46 më sipër). Fakti se Prokurori i Rrethit, pas ankesës penale të kërkuesit të parë vendosi të mos fillonte procedime penale, me arsyen se më 3 nëntor 2013, autoritetet kishin vepruar në përputhje me ligjin, nuk i ndryshon vendimet e gjykatave vendëse, të cilat pohonin se veprimet e datës 3 nëntor 2013 kishin qenë arbitrare (shih paragrafët 19, 26–27 dhe 37 më sipër).
115. Bazuar në parashtrimet më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se kërkuesit nuk kishin mundësi të fitonin akses për të hyrë në shtëpitë e tyre dhe për t’i përdorur ato, por edhe ai akses ishte i mundur vetëm nëse autoriteteve iu paraqitej një certifikatë pronësie dhe kartë identiteti e vlefshme. Për më tepër, Gjykata vëren se fakti se disa kërkues kishin akses të kufizuar në shtëpitë e tyre nën kushte të caktuara nuk e ndryshon faktin se aksesi i plotë dhe i lirë i dhënë në urdhrin e përkohshëm, nuk lejohej. Kështu, Gjykata konstaton se ndërhyrja e policisë, e cila çoi në rrethimin e ndërtesës dhe në ndalimin e kërkuesve të kishin akses në shtëpitë e tyre dhe t’i përdornin ato, përbënte një ndërhyrje nga një autoritet publik ndaj së drejtës së tyre për respektimin e shtëpive të tyre.
c) Nëse ndërhyrja justifikohej
116. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, shprehja “në përputhje me ligjin” nuk kërkon vetëm që masa e dyshimtë të kishte baza në ligjin vendës, por edhe t’i referohej cilësisë së ligjit konkret, me kërkesën që të ishte e aksesueshme për personin në fjalë dhe që efektet e saj të ishin të parashikueshme. Megjithatë, u takon autoriteteve kombëtare, veçanërisht gjykatave, të interpretonin dhe të zbatonin ligjin e brendshëm (shih, midis shumë vendimeve të tjera, Paradiso dhe Campanelli kundër Italisë [DHM], nr. 25358/12, §169, GJEDNJ 2017).
117. Gjykata vëren se parashtrimet e qeverisë në lidhje me rregullsinë e konfiskimit dhe rrethimin e godinës u kundërshtuan nga gjykatat vendëse. Më konkretisht, Gjykata e Rrethit, në vendimin e saj të datës 28 janar 2014, arriti në përfundimin se rrethimi i godinës kishte ndodhur pa informuar pronarët ose kompaninë e ndërtimit dhe se nuk ishte lëshuar asnjë urdhër nga autoritetet, i cili ndalonte kërkuesit të hynin në apartamentet e tyre (shih paragrafët 19 dhe 26 më sipër). Ai vendim u la në fuqi nga Gjykata Administrative e Apelit, më 6 maj 2016 (shih paragrafin 27 më sipër). Gjithashtu, Gjykata vëren se urdhri i përkohshëm për të hequr shiritin e verdhë të policisë nuk ishte respektuar, në shkelje të qartë të ligjit kombëtar, sipas deklarimit të gjykatave shqiptare (shih edhe paragrafin 37 më sipër). Është e qartë se në çështjen konkrete, nuk kishte asnjë bazë ligjore për ndërhyrjen e policisë në konfiskimin dhe rrethimin e godinës. Për më tepër, kërkesa që kërkuesit t’u tregonin autoriteteve një certifikatë pronësie ose kartë identiteti për të hyrë në pronat e tyre nuk bazohej në ndonjë ligj vendës ose në një vendim gjykate. Në këto rrethana, Gjykata mendon se është e nevojshme të theksojë faktin se praktika e forcave policore, të cilat penguan njerëzit të hynin në shtëpitë e tyre pa asnjë bazë ligjore, si edhe konfiskimi dhe rrethimi i ndërtesës në kundërshtim me ligjin vendës, nuk janë në përputhje me shtetin e së drejtës në një shoqëri demokratike, e cila respekton të drejtat dhe liritë themelore të garantuara sipas Konventës (shih, mutatis mutandis, Khalikova kundër Azerbajxhanit, nr. 42883/11, §128, 22 tetor 2015).
118. Më tej, Gjykata vijon se ndërhyrja në çështjen konkrete nuk mund të konsiderohet të ketë qenë “në përputhje me ligjin” sipas nenit 8§2 të Konventës. Pasi arriti në këtë përfundim, Gjykatës nuk i kërkohet të përcaktojë nëse ndërhyrja ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike” për një nga qëllimet e listuara në paragrafin 2 të nenit 8. Në këtë mënyrë, ka pasur një shkelje të së drejtës së këtyre kërkuesve për respektimin e shtëpisë së tyre, sipas kuptimit të nenit 8, për shkak të konfiskimit dhe të rrethimit të godinës (shih midis shumë vendimeve të tjera, Khalikova, cituar më sipër, §129, dhe Demades, cituar më sipër, §37).
b) Respektimi i nenit 13 së bashku me nenin 8 të Konventës
119. Sipas konstatimeve të saj, bazuar në nenin 8 të Konventës, Gjykata arsyeton se ankesat mbështetur në atë nen ishin “objekt kundërshtimi” sipas nenit 13 të Konventës (shih, mutatis mutandis, Boyle kundër Mbretërisë së Bashkuar, 27 prill 1988, §52, seritë A nr. 131, dhe Sabanchiyeva dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 38450/05, §153, GJEDNJ 2013 (ekstraktet)).
120. Gjykata vëren se kërkuesit u ankuan për konfiskimin dhe rrethimin e godinës si në procedimet e përkohshme dhe në ato kryesore, në lidhje me veprimet e datës 3 nëntor 2013, dhe se gjykatat vendëse, në përputhje me rrethanat, morën një vendim për kërkesat e tyre, duke nënvizuar se ata ishin ndaluar të hynin në shtëpitë e tyre (shih paragrafët 16–19, 22, 25–26 dhe 94–95 më sipër). U parashtruan edhe procedimet penale (shih paragrafin 45 më sipër). Gjykata vëren se të gjitha kërkesat ishin bërë përpara se kërkuesit të ishin në pozicionin të kishin dijeni se godina do të shembej më 4 dhjetor 2013, pavarësisht kërkesave për pronën dhe kompensimin. Bazuar në parashtrimet e mësipërme, Gjykata pranon se kërkuesit nuk u ankuan në thelb te gjykatat vendëse, sipas nenit 8 të Konventës: e drejta për respektimin e banesës së tyre.
121. Në lidhje me kërkesën për kompensim, sipas Kodit Civil, akti shtetëror për përgjegjësi jokontraktuale dhe akti për inspektimin e ndërtesave, Gjykata i rrëzon kundërshtimet e qeverisë, bazuar në të njëjtat shkaqe si më herët (shih paragrafin 83 më sipër).
122. Në vijim, Gjykata vëren se rrethimi i godinës konsiderohej qartazi një shkelje e të drejtave të kërkuesve nga gjykatat vendëse. Megjithatë, Gjykata Administrative nuk i akordoi kërkuesve ndonjë kompensim për këtë shkelje.
123. Për arsyet e mësipërme, Gjykata shprehet se është shkelur neni 13 së bashku me nenin 8 të Konventës. Më tej ajo vijon se kundërshtimi paraprak i qeverisë për mosshfrytëzim në këtë aspekt duhet pushuar.
B. Ankesë në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës
124. Qeveria parashtroi se kërkuesit nuk e kishin paraqitur këtë ankesë përpara gjykatave vendëse. Gjithashtu, qeveria parashtroi se Gjykata nuk duhet të shqyrtojë nenin 8 të Konventës në mënyrë të ndarë, por duhet të veprojë sipas nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës.
125. Kërkuesit parashtruan se ishte shkelur neni 8 i Konventës për shkak të shembjes së banesave të tyre. Përderisa shembja e godinës ishte kryer në shkelje të nenit 1 të protokollit nr. 1, kjo kishte shkaktuar një shkelje të nenit 8 të Konventës.
126. Gjykata mendon se nuk është i nevojshëm shqyrtimi i kësaj ankese mëveçantë, sipas nenit 8 veçantë dhe së bashku me nenin 13 të Konventës. Ajo gjykon se është më e përshtatshme që kjo ankesë të shqyrtohet sipas nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës vetëm dhe së bashku me nenin 13 të Konventës (shih paragrafët 137–175, më poshtë).
III. SHKELJE TË PRETENDUARA TË NENIT 1 TË PROTOKOLLIT NR. 1 TË KONVENTËS VEÇANTË DHE SË BASHKU ME NENIN 13 TË KONVENTËS
127. Të gjithë kërkuesit u ankuan se konfiskimi, shpronësimi dhe shembja e pronave të tyre pa kompensim, kishte shkelur të drejtën e tyre për të gëzuar paqësisht pasuritë e tyre, sipas nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës. Gjithashtu, ata u ankuan për mungesën e një mjeti efikas në këtë aspekt.
Neni 1 i protokollit nr. 1 i Konventës pohon si më poshtë:
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”
A. Ankesë në lidhje me konfiskimin e godinës
1. Pranueshmëria
128. Qeveria nuk parashtroi kundërshtime specifike në lidhje me ankesën, mbështetur në nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës. Argumentet e tyre kryesisht mbështeteshin në papranueshmërinë e ankesave të kërkuesve në lidhje me shembjen e pronës dhe procedurën e shpronësimit.
129. Gjykata, duke marrë në konsideratë konstatimet në lidhje me pranueshmërinë e ankesave, sipas neneve 8 dhe 13 të Konventës (shih paragrafët 100–107, më sipër) dhe se kërkuesi i parë dhe i dytë u ankuan për një shkelje të të drejtave të tyre mbi pronën, po ashtu në lidhje me apartamentet dhe mjediset e tyre të biznesit, vëren se këto ankesa nuk janë haptazi të pabazuara sipas kuptimit të nenit 35§3(a) të Konventës. Më tej, ajo vëren se ato nuk janë të papranueshme sipas ndonjë arsyeje tjetër. Kështu, ato duhet të deklarohen të pranueshme.
2. Meritat
a) Parashtrimet e palëve
130. Kërkuesit ngritën të njëjtat argumente se ato të parashtruara në lidhje me nenin 8 të Konventës dhe nenin 13 së bashku me nenin 8 të Konventës.
131. Qeveria parashtroi se kërkuesit nuk ishin privuar nga pronat e tyre dhe iu ishte penguar aksesi për të njëjtat arsye si në çështjen Demades (cituar më sipër), pasi ishin shpronësuar në interesin publik në shkëmbim të kompensimit të drejtë.
b) Vlerësimi i Gjykatës
i. Parime të përgjithshme
132. Gjykata përsërit se neni 1 i protokollit nr. 1, i cili garanton në thelb të drejtën mbi pronën, përfshin tri rregulla specifike. Rregulla e parë, i cili parashikohet në fjalinë e parë të paragrafit të parë, është i një natyre të përgjithshme dhe parashtron parimin për gëzimin paqësor të pronës. Rregulla e dytë, i përfshirë në fjalinë e dytë të të njëjtit paragraf, mbulon privimin nga pasuritë dhe e parashtron sipas disa kushteve. Rregulla e tretë, i parashtruar në paragrafin e dytë, njeh faktin se shtetet kontraktuale kanë të drejtën, midis të tjerash, të kontrollojnë përdorimin e pronës në përputhje me interesin e përgjithshëm, duke i zbatuar të tilla ligje, ashtu siç ato e vlerësojnë të nevojshme për qëllimin. Megjithatë, rregullat nuk janë “specifike” në kuptimin që nuk janë të lidhur me njëri-tjetrin. Rregulla e dytë dhe i tretë kanë të bëjnë me shkallë të caktuara ndërhyrje ndaj së drejtës për një gëzim paqësor të pronës dhe për këtë arsye duhet të interpretohet sipas parimit të përgjithshëm të parashtruar në rregullën e parë (shih, midis shumë vendimeve të tjera, James dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1986, §37, seritë A nr. 98; dhe Sargsyan kundër Azerbajxhanit [DHM], nr. 40167/06, §217, GJEDNJ 2015).
133. Kërkesa e parë dhe më e rëndësishme e nenit 1 të protokollit nr. 1 është që çdo ndërhyrje nga një autoritet publik në gëzimin paqësor të pasurive duhet të jetë i ligjshëm: fjalia e dytë e paragrafit të parë autorizon një provim nga pasuritë vetëm “sipas kushteve të parashikuara me ligj” dhe paragrafi i dytë njeh faktin që shtetet kanë të drejtën të kontrollojnë përdorimin e pronës duke zbatuar “ligjet”. Për më tepër, shteti i së drejtës, një nga parimet themelore të një shoqërie demokratike, është i pandarë në të gjitha nenet e Konventës. Ai parashikon se çështja nëse është arritur një balancë e drejtë midis kërkesës së interesit të përgjithshëm të komunitetit dhe kërkesave për mbrojtjen e të drejtave themelore të individit, lidhet me situatën sapo konstatohet se ndërhyrja konkrete ka plotësuar kërkesën e ligjshmërisë dhe nuk ka qenë arbitrare (shih, midis shumë vendimeve të tjera, Serkov kundër Ukrainës, nr. 39766/05, §33, 7 korrik 2011).
ii. Kërkesa në çështjen konkrete
134. Gjykata vëren se, ashtu siç përcaktohet nga gjykatat vendëse, si pasojë e faktit se kërkuesve iu ishte refuzuar aksesi në pronat e tyre për një periudhë njëmujore, nga data 3 nëntor deri më 4 dhjetor 2013, ata humbën efektivisht kontrollin e plotë mbi pronat e tyre, si edhe mundësinë për t’i përdorur dhe për t’i gëzuar ato. Mohimi i vazhdueshëm i aksesit për një periudhë njëmujore, kësisoj, duhet të konsiderohet si një ndërhyrje në të drejtat e tyre sipas nenit 1 të protokollit nr. 1. Një ndërhyrje e tillë, në pikëpamjen e faktit, se masat u ndërmorën me qëllimin për shembjen e Rezidencës Jon, nga data 4 deri më 8 dhjetor 2013, përkon qartazi me kuptimin e fjalisë së parë të fjalisë së parë të atij parashikimi, si një ndërhyrje ndaj gëzimit paqësor të pasurive. Bazuar në arsyet e dhëna nga gjykatat e brendshme, Gjykata vëren se qeveria nuk parashtroi ndonjë justifikim ligjor çfarëdo qoftë për këtë ndërhyrje. Gjykata konstaton, ashtu siç ndodhi me nenin 8 të Konventës më sipër, se konfiskimi dhe rrethimi i Rezidencës Jon me shirit të verdhë të policisë, dhe ndalimi i kërkuesve që të përdornin pronat e tyre për rreth një muaj, nuk ishin të ligjshme sipas ligjit të brendshëm, sepse autoritetet nuk e respektuan urdhrin e përkohshëm të lëshuar nga gjykatat e brendshme.
135. Për arsyet e mësipërme, Gjykata arriti në përfundimin se ishte shkelur neni 1 i protokollit nr. 1 të Konventës.
136. Për sa i përket ankesës sipas nenit 13 së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës, Gjykata vëren se kërkuesve nuk iu akordua ndonjë kompensim nga gjykatat e brendshme për kompensimin e godinës. Kërkuesit, kësisoj, nuk patën në dispozicion ndonjë mjet efikas për qëllimet e nenit 13 të Konventës. Në këto rrethana, Gjykata arrin në përfundimin se është shkelur neni 13 së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës.
B. Ankesa në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e pronës
1. Pranueshmëria
a) Nëse kërkuesit kanë shfrytëzuar mjetet e brendshme
i. Parashtrimet e qeverisë
137. Qeveria parashtroi se ankesa e kërkuesve e mbetur pezull në Gjykatën e Lartë ishte një mjet efikas. Sipas nenit 479 të KPC-së, procedimet ishin pezulluar për arsyen se shteti nuk kishte mundur të paguante të gjithë kompensimin menjëherë. Qeveria parashtroi se Këshilli i Ministrave kishte miratuar vendimin e datës 5 shkurt 2014, për të ndaluar akumulimin e borxheve financiare, të cilat rridhnin nga vendimet gjyqësore dhe planifikimi i duhur i pagesës së tyre. Sipas vendimit Gjyli (cituar më sipër) dhe nenit 479 të KPC-së, vendimi i formës së prerë për kompensimin do të ishte vendimi i Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, qeveria parashtroi praktikën gjyqësore të brendshme, sipas së cilës procedimet ligjore për të kundërshtuar shumën e kompensimit kishin qenë të suksesshme në nivel të brendshëm (shih paragrafin 56 më sipër). Procedimet përpara Gjykatës së lartë nuk ishin tejzgjatur, duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjes, nevojën për të thirrur ekspertë të ndryshëm për vlerësimin e pronës dhe vonesat (backlog-un) përpara saj. Më tej, u parashtrua se autoritetet shqiptare, nën një reformë në proces në sistemin e drejtësisë, po merrnin masa për të adresuar kohëzgjatjen e procedimeve gjyqësore në nivel të brendshëm.
138. Në parashtrimet e saj verbale, qeveria theksoi se kërkuesit nuk kishin kërkuar kompensim nga autoritetet e brendshme, mbështetur në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013, ndryshuar me vendimin e datës 9 prill 2014, i cili deri më tani ka qenë i vetmi vendim i zbatueshëm në nivel të brendshëm. Vlera e shpronësimit iu ishte bërë e disponueshme kërkuesve për tre vjet, por ata nuk kishin deklaruar se në cilën llogari bankare duhej të transferohej shuma. Kompensimi shtesë nuk ishte dhënë ende me anë të një vendimi të formës së prerë.
139. Gjithashtu, kërkuesit kishin pasur në dispozicion mjetet në vijim: kërkesat për të drejtat mbi pronën, kërkesat për pronësi dhe kërkesat mbështetur në aktin e inspektimit të ndërtesave, të cilat ishin të gjitha kompensuese.
140. Më tej, qeveria parashtroi se kërkuesit nuk kishin kundërshtuar përpara gjykatave vendëse vendimin për shembjen e Rezidencës Jon. Ata mund të kishin kërkuar një urdhër të përkohshëm për pezullimin e shembjes së godinës, duke qenë se kishin dijeni për shembjen që prej të paktën datës 27 nëntor 2013, data e vendimit të Këshillit të Ministrave, ose ndryshe, që prej datës 28 nëntor 2013, kur Kryeministri deklaroi se projekti i Lungomares do të ndërtohej, ose prej datës 3 dhjetor 2013, kur u publikua vendimi i Këshillit të Ministrave, deri më 8 dhjetor 2013, kur ishte shembur godina. Për më tepër, kërkuesit nuk kundërshtuan shpronësimin e pretenduar de facto, sipas seksionit 26 të aktit të shpronësimit. Paligjshmëria e procedurës së shpronësimit nuk kishte qenë pjesë e kërkesës paraqitur në gjykatat vendëse.
141. Po ashtu, qeveria parashtroi se kërkuesit nuk ishin ankuar në gjykatat e brendshme për pronën e tyre të luajtshme dhe kompensimin përkatës. Në çdo rast, nga data 7 nëntor 2013 deri më 8 dhjetor 2013, kërkuesit kishin pasur të gjithë kohën e nevojshme për të larguar pasurinë e tyre të luajtshme.
ii. Parashtrimet e kërkuesve
142. Kërkuesit argumentuan se ankesa e tyre e mbetur pezull në Gjykatën e Lartë nuk ishte një mjet efikas sipas nenit 13 të Konventës. Fillimisht, procedimet përfshinë vetëm shumën e kompensimit për shpronësimin e paligjshëm dhe jo çështjen nëse shembja kishte shkelur të drejtën e tyre për respektimin e banesës dhe të pronës. Së dyti, procedimet kishin nisur që prej vitit 2013 dhe pavarësisht kërkesave të tyre të përsëritura që çështja të zgjidhej sa më urgjentisht, nuk ishte programuar as seanca e parë. Së treti, procedimet nuk kishin asnjë perspektivë të arsyeshme për sukses, duke qenë se nuk dukej e mundur që Gjykata e Lartë do ta pranonte ankesën e tyre dhe do të vendoste kundër qeverisë, si dhe t’i jepte urdhër kësaj të fundit të paguante kompensimin në vlerën e plotë të tregut, duke marrë në konsideratë si profilin e lartë politik të çështjes konkrete edhe kontekstin më të gjerë e ndërhyrjeve qeveritare në rritje në administrimin e drejtësisë. Ata iu referuan Kozacıoğlu kundër Turqisë ([DHM], nr. 2334/03, 19 shkurt 2009). Së fundmi, edhe nëse ankesa në Gjykatën e Lartë do të rezultonte të kishte sukses, vendimi ishte i destinuar të mos zbatohej, duke qenë se qeveria qartazi nuk kishte treguar asnjë qëllim për të respektuar vendimet e brendshme ose qoftë edhe vendimet e saj. Shlyerja e kompensimit mbetej kështu në vendimmarrjen e Shtetit dhe varej nga gatishmëria e tij. Ata iu referuan Driza kundër Shqipërisë (nr. 33771/02, §§ 119–120, GJEDNJ 2007‑V (ekstrakte)).
143. Për sa i përket moskërkimit të kompensimit nga ana e kërkuesve, ata parashtruan se e kishin bërë një gjë të tillë (shih paragrafin 57 më sipër).
144. Më tej, kërkuesit parashtruan se mjetet e zakonshme gjyqësore të disponueshme në nivel të brendshëm nuk mund të konsideroheshin efikase, duke qenë se ato nuk i lejonin ata të vlerësonin të drejtën e tyre për kompensim të plotë në lidhje me pasojat e dëmshme të privimit të paligjshëm të procedurës së shpronësimit. Ata e kishin kundërshtuar vendimin e shpronësimit si në baza substantive edhe procedurale dhe gjykatat vendëse kishin pranuar shprehimisht se shpronësimi kishte qenë i pavlefshëm sipas ligjit të brendshëm.
145. Në vijim, kërkuesit parashtruan se procedura e shpronësimit kishte vijuar për tri ditë. Për këtë arsye, ata nuk mund të kishin parandaluar paligjshmërinë e veprimeve të autoriteteve përpara gjykatave vendëse, përpara se të ndodhte shembja e godinës. Ata kishin mësuar për vendimin e Këshillit të Ministrave vetëm në datën 3 dhjetor 2013. Gjithashtu, ata kishin parashtruar se vendimi i shpronësimit si në baza substantive dhe procedurale dhe gjykatat vendëse kishin pranuar se shpronësimi kishte qenë i pavlefshëm sipas ligjit vendës.
146. Kërkuesit parashtruan se ata nuk kishin pasur kohë të shpëtonin pasuritë dhe objektet e tyre me vlerë më të nevojshme, përpara se të shembej godina.
iii. Vlerësimi i Gjykatës
147. Gjykata mendon se çështja e shfrytëzimit të mjeteve të brendshme është e lidhur kaq ngushtë me meritat e ankesës së kërkuesve për mungesën e një mjeti efikas për ndërhyrjen e pretenduar ndaj së drejtës mbi pronën, saqë ata nuk mund të ndahen prej saj.
148. Kështu, Gjykata vendos se çështja nëse kërkuesit i shfrytëzuan mjetet e brendshme duhet të bashkohet me meritat e ankesës së tyre sipas nenit 13, së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës.
b) Nëse kërkuesit nuk kanë “statusin e viktimës”
149. Më tej qeveria parashtroi se gjykatat vendëse në të gjitha nivelet kishin vendosur në favor të kërkuesve. Ato i kishin lejuar palët të paraqisnin kërkesat e tyre mbi të gjitha çështjet në lidhje me meritat dhe kishin marrë vendimet përkatëse. Kështu, kërkuesit nuk e kishin statusin e viktimës.
150. Kërkuesit parashtruan se deri në ato momente ata nuk kishin marrë kompensim dhe as nuk kishte ndonjë perspektivë që ata të mund të paguheshin ndonjëherë.
151. Në lidhje me parimet e zbatueshme për statusin e viktimës (shih paragrafët 76–77 më sipër), Gjykata vëren se kriteri i parë, më konkretisht njohja e shkeljes, ishte përmbushur. Si Gjykata e Rrethit edhe Gjykata e Apelit konstatuan se akti i shpronësimit ishte shkelur dhe se autoritetet kishin shpronësuar de facto pronat e kërkuesve. Në Gjykatën e Lartë gjendet pezull një ankesë, që prej vitit 2014. Për sa i përket kriterit të dytë, Gjykata vëren se të dyja gjykatat kishin dhënë kompensim për kërkuesit dhe se Gjykata e Apelit e kishte rritur shumën e atij kompensimi. Megjithatë, Gjykata vëren se ministri i Financave miratoi një fond prej vetëm 3,460 eurosh për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013, që do të thotë një mijë herë më pak se sa shuma e akorduar në vendim. Por edhe kjo shumë nuk i është paguar kërkuesve (shih paragrafin 34 më sipër). Sipas ligjit të brendshëm, shpronësimi duhet bërë kundrejt kompensimit të drejtë. Për më tepër, në praktikën e saj gjyqësore, Gjykata ka pranuar se pranimi i thjeshtë i shkeljes pa kompensimin e duhur nuk i privon kërkuesit nga statusi i tyre i viktimës. Duke marrë në konsideratë faktin se kërkuesit nuk janë kompensuar për shembjen e pronave të tyre (shih edhe paragrafin 153 më poshtë), dhe se deri më sot atyre nuk iu është ofruar ndihmë e mjaftueshme në nivel të brendshëm, çka do të thotë se ata vijojnë të vuajnë pasojat e shkeljes së të drejtave të tyre, Gjykata është e mendimit se kërkuesit kësisoj mbajnë statusin e viktimës për qëllimet e kësaj ankese (shih Almeida Garrett, Mascarenhas Falcão dhe të tjerët kundër Portugalisë, nr. 29813/96 dhe 30229/96, §54, GJEDNJ 2000‑I; Öneryıldız kundër Turqisë [DHM], nr. 48939/99, §156, GJEDNJ 2004‑XII; dhe Montanaro Gauci dhe të tjerët kundër Maltës, nr. 31454/12, §§ 41–48, 30 gusht 2016).
c) Përfundim
152. Gjykata mendon se ankesat e kërkuesve sipas nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës dhe nenit 13 të Konventës nuk janë haptazi të pabazuar sipas kuptimit të nenit 35§3 të Konventës. Në vijim, ajo vëren se nuk janë të papranueshëm për ndonjë shkak tjetër. Për këtë arsye, duhet të deklarohen të pranueshëm, pa paragjykim ndaj vendimeve që duhet të merren në fund mbi kundërshtimet e qeverisë për mosshfrytëzim të mjeteve të brendshme.
2. Meritat
a) Respektimi i nenit 13 së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës
153. Gjykata vëren se çështja në lidhje me nivelin e kompensimit kishte mbetur pezull në Gjykatën e Lartë që prej vitit 2014. Më 15 janar 2015, Gjykata e Lartë i pezulloi procedimet, pa dhënë asnjë arsye (shih paragrafët 42–43, më sipër). Gjykata vëren se kërkuesit deri më sot nuk janë kompensuar, as në shumën e akorduar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013. Gjithashtu, Gjykata thekson se Këshilli i Ministrave, me anë të vendimit të datës 9 prill 2014, në mënyrë të njëanshme, reduktuan shumën e kompensimit të akorduar me anë të vendimit të Gjykatës së Rrethit, të datës 6 mars 2014 dhe deri më tani kërkuesve iu është akorduar vetëm 3,460 euro. Për këtë arsye, nën rrethanat e kësaj çështjeje, kohëzgjatja dhe, veçanërisht, pezullimi i tejzgjatur, i procedimeve të Gjykatës së Lartë e përkeqëson më tej situatën e kërkuesve. Një vonesë prej katër vitesh në shlyerjen e kompensimit për kërkuesit, të cilët kanë humbur shtëpitë dhe pasuritë e tyre nuk mund të konsiderohet efikase për qëllime të një kompensimi efikas. Një vonesë e tillë tashmë përbën një shkelje të nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës (shih Öneryıldız cituar më sipër, §137). Gjithashtu, Gjykata vëren se duke pasur parasysh mungesën e kompensimit, kërkuesve iu mohua një masë efikase për shkeljen e pretenduar të të drejtave të tyre sipas nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës (shih Öneryıldız, cituar më sipër, §156).
154. Më tej, Gjykata thekson se ajo tashmë e ka cituar në shumë raste faktin se nuk mbetet një mundësi e hapur që një autoritet shtetëror të përmend mungesën e fondeve si shfajësim për të mos paguar në afat një borxh që vjen nga një vendim (shih, midis shumë vendimeve të tjera, Burdov kundër Rusisë, nr. 59498/00, §35, GJEDNJ 2002‑III).
155. Gjithashtu, Gjykata vëren se edhe pse kërkuesit nuk parashtruan kërkesën e dorëzuar në Bashkinë e Vlorës ku kërkonin në Gjykatë shlyerjen e kompensimit, ata gjithsesi e dorëzuan përgjigjen e ZRRPP, të datës 29 janar 2014, ku pohohej se ajo e kishte të pamundur të lëshonte një certifikatë pronësie për një pronë e cila nuk ekzistonte më (shih paragrafët 32 dhe 57 më sipër). Rezulton se autoritetet kishin kërkuar certifikatat e pronësisë së kërkuesve si dokument mbështetës, në momentin kur ata kërkuan kompensim. Gjykata vëren se, sipas aktit të shpronësimit, u takon autoriteteve të nisin procedimet përkatëse të kompensimit (shih paragrafin 63 më sipër). Për këtë arsye, Gjykata mendon se, të të tillë çështje, nuk duhet të pritet që pronarët të pësojnë shpenzimet dhe barrën e procedimeve të fillimit për të garantuar përmbushjen nga ana e autoriteteve të detyrimit të tyre ligjor (shih, mutatis mutandis, Apostol kundër Gjeorgjisë, nr. 40765/02, §§ 64–65, GJEDNJ 2006‑XI, dhe Frendo Randon dhe të tjerët kundër Maltës, nr. 2226/10, §65, 22 nëntor 2011, në lidhje me procedimet e zbatimit).
156. Gjykata vëren se qeveria nuk mundi të specifikonte mjetet e përdoruara sipas ligjit vendës të cilave iu referohej, në lidhje me kërkesat për të drejtat mbi pronën dhe kërkesat për pronësi (shih edhe paragrafin 139 më sipër). Gjithsesi, qeveria paraqiti një argument të ngjashëm sipas aktit të inspektimit të ndërtesës, në kontekstin e ankesës sipas neneve 6§1 dhe 13, çka u kundërshtua nga Gjykata (shih paragrafin 83 më sipër).
157. Në lidhje me pamundësinë e supozuar për të kundërshtuar urdhrin e shembjes dhe urdhrin e mëpasshëm të përkohshëm, i cili ndalonte autoritetet të kryenin shembjen, Gjykata nuk është e bindur me argumentin e qeverisë, duke pasur parasysh rrethanat specifike të çështjes. Një kërkuesi, i cili ka shteruar një mjet i cili është dukshëm efikas dhe i mjaftueshëm, nuk mund t’i kërkohet të provojë mjete të tjera të cilat kanë qenë të disponueshme, por ndoshta jo shumë të mundshëm për të qenë të suksesshme (shih O’Keeffe kundër Irlandës [DHM], nr. 35810/09, §§ 109–111, GJEDNJ 2014 (ekstrakt), dhe çështjet e cituara në të). Kërkuesit iu kërkuan autoriteteve të shmangnin çdo veprim në të ardhmen ndaj godinës, për shembjen e saj. Autoritetet gjyqësore lëshuan urdhrin e përkohshëm për këtë aspekt, urdhër i cili nuk u respektua nga autoritetet ekzekutive dhe u kthye në një urdhër të pavlerë. Kështu, Gjykata është duke shqyrtuar mundësinë se si një mjet i ngjashëm mund të kishte qenë efikas. Autoritetet nuk i informuan në asnjë moment as kërkuesit dhe as kompaninë e ndërtimit për shembjen e pronës apo për nisjen e procedurës së shpronësimit (shih paragrafët 36–38 dhe 41 më sipër). Për sa më sipër, kërkuesit nuk patën asnjë mundësi të dukshme as të kundërshtonin shembjen, për aq kohë sa nuk ishte lëshuar asnjë urdhër shembjeje, përveç vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, dhe as të kërkonin një urdhër të përkohshëm të ri.
158. Gjithashtu, Gjykata vëren se teksa është e vërtetë se kërkuesit nuk paraqitën specifikisht një kërkesë në gjykatat vendëse, për njohjen e procedurës së shpronësimit si të pavlefshme, ata u ankuan shprehimisht te gjykatat vendëse për paligjshmërinë e atyre procedimeve. Gjykatat vendëse konstatuan se shpronësimi kishte qenë i paligjshëm dhe se ishte kryer një shpronësim de facto. Bazuar në rrethana, gjykatat vendëse konstatuan se vendimi i Këshillit të Ministrave, i datës 27 nëntor 2013, ishte miratuar në shkelje të mëdha procedurale dhe, në këtë mënyrë, ndryshuan shumën e kompensimit. Kështu, Gjykata e ka të vështirë të pranojë se një kërkesë, sipas seksionit 26 të aktit të shpronësimit, mund të ketë qenë e suksesshme dhe të ketë kompensuar situatën e kërkuesve në një moment kur, ashtu siç vëren edhe Gjykata e Rrethit në vendimin e saj të datës 6 mars 2014, kërkuesve iu ishte ndaluar të ktheheshin në situatën e tyre të mëparshme.
159. Për sa u përket ankesave të kërkuesve për pronën e tyre të luajtshme, duke supozuar se iu ishte thënë të hiqnin sendet personale më 4 dhjetor 2013 (shih paragrafin 51 më sipër), Gjykata po shqyrton, si dhe kur mund të kishin shpërngulur kërkuesit pronën e tyre të luajtshme në vende të tjera, teksa në ditën kur iu ishte kërkuar të vepronin kështu, autoritetet kishin vijuar me shembjen e godinës. Gjithashtu, Gjykata vëren se në vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013, autoritetet nuk kishin marrë një vendim në lidhje me pasurinë e luajtshme të kërkuesve, pasi për atë pasuri nuk ishte dhënë asnjë përgjegjësi.
160. Për të gjitha arsyet e mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin se është shkelur neni 13 së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës. Më tej, ajo vijon se kundërshtimi i qeverisë për mosshfrytëzimin e mjeteve të brendshme duhet pushuar.
b) Respektim i nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës
i. Parashtrimet e kërkuesve
161. Kërkuesit pretenduan një shkelje të të drejtave të tyre mbi pronën si rezultat i shpronësimit dhe shembjes së paligjshme të godinës, në shkelje të aktit të shpronësimit dhe në mosrespektim të urdhrit të përkohshëm dhe për shkak të mospagimit të kompensimit nga autoritetet. Ata parashtruan se kishin pasur të gjitha lejet e nevojshme, godina ishte ndërtuar në respektim të plotë me parashikimet e lejes së ndërtimit dhe ligjit vendës, dhe se ata i kishin blerë pronat e tyre në mirëbesim. Autoritetet e kishin injoruar masën e përkohshme dhe e kishin përshpejtuar procedurën e shpronësimit me anë të shembjes. Urdhri i shpronësimit u miratua ditën e mërkurë, më 27 nëntor 2013 dhe dy ditët e tjera në vijim ishin pushime zyrtare. Më 2 dhjetor, dita e parë zyrtare e punës pas kësaj, kryetari i bashkisë së Vlorës i kërkoi ndihmë INUK-ut për shembjen e Rezidencës Jon, përpara se vendimi i Këshillit të Ministrave të publikohej edhe në Fletoren Zyrtare. Kështu, ata nuk mund të kishin kundërshtuar në asnjë mënyrë ligjshmërinë e veprimeve të autoriteteve, për të marrë masa parandaluese ndaj tyre, përpara se të realizohej shembja e godinës.
162. Ndërhyrja me të drejtat e tyre mbi pronën kishte qenë e paligjshme dhe në kundërshtim me aktin e shpronësimit, sepse, midis arsyeve të tjera, nga ana e Bashkisë së Vlorës nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për shpronësim te ministri kompetent, si edhe nuk ishte bërë asnjë njoftim publik për shpronësimin e planifikuar, dhe jo më një njoftim i drejtpërdrejtë për ta. Nuk ishin respektuar afatet kohore të parashikuara me statut. Procedura e shpronësimit kishte zgjatur vetëm tri ditë. Mosrespektimi i sigurisë procedurale e parashikuar me ligj e kishte bërë të pamundur që ata të mund ta paraqisnin çështjen e tyre tek autoritetet kompetente për të kundërshtuar ndërhyrjen në të drejtat e tyre mbi pronën. Në vijim, kërkuesit parashtruan se shpronësimi dhe shembja e Rezidencës Jon nuk kishte ndjekur ndonjë objektiv legjitim në interesin publik në kohën e shpronësimit. Pretendohej se shpronësimi ishte urdhëruar për rehabilitimin mjedisor të vijës bregdetare. Megjithatë, Kryeministri kishte njoftuar publikisht se shpronësimi kishte qenë i nevojshëm për të ndërtuar të ashtëquajturën “Lungomarja e Vlorës” për qëllime argëtimi dhe turizmi.
163. Për më tepër, autoritetet shqiptare nuk kishin vendosur një balancë të drejtë midis interesave konkurrues. Ata duhet të kishin realizuar një inspektim parandalues të godinës për vlerësimin e interesave të ndryshëm të kundërt përpara lëshimit të lejeve legjitime të ndërtimit dhe të mos ndryshonin mendjen në mënyrë arbitrare menjëherë pasi të përfundonte godina. Kërkuesit parashtruan se ata nuk ishin kompensuar deri në ato momente dhe ishin të pasigurt nëse do të mund të merrnin ndonjë ndonjëherë. Për më tepër, ata nuk ishin kompensuar për humbjen e pasurive të tyre të luajtshme dhe sendet personale. Ata parashtruan se pezullimi i vendimit të Gjykatës së Apelit, i datës 15 janar 2015, nga Gjykata e Lartë nuk kishte lidhje me vendimin e vitit 2014 të Këshillit të Ministrave për kompensimin, i cili ishte ende në fuqi dhe për arsye të paspecifikuara të cilat nuk ishin ekzekutuar. Ata pretenduan edhe për një ndërhyrje legjislative arbitrare si rezultat i vendimit të Këshillit të Ministrave, i datës 9 prill 2014, i cili kishte ulur në mënyrë të njëanshme shumën e kompensimit të dhënë për privimin nga prona e tyre sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit, i datës 6 mars 2014.
ii) Parashtrimet e qeverisë
164. Fillimisht, qeveria parashtroi se duke qenë se procedimet ishin ende pezull përpara Gjykatës së Lartë, ishte e pamundur për të të ofronte opinionin e saj ligjor, në lidhje me nenin 1, protokollit nr. 1. Në parashtrimet e saj verbale, qeveria përsëriti se teksa e pranonte se kishte pasur një ndërhyrje në të drejtat e kërkuesve mbi pronën për sa i përket procedurës së shpronësimit, nuk kishte pasur ndërhyrje me të drejtat e kërkuesve mbi pronën si rezultat i shembjes. Sipas qeverisë, kishte një interes legjitim në interesin publik për shpronësimin e kërkuesve, më konkretisht, realizimi i projektit të infrastrukturës, i cili përfshinte një riklasifikim të zonës dhe një ndërhyrje mjedisore, kryesisht për shkak të problemeve me përmbytjet në zonë. Pavarësisht vështirësive që dolën, tashmë projekti ka përfunduar dhe shumica e Lungomares është në përdorim. Procedura e shpronësimit u ndërmor në përputhje me ligjin e brendshëm dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013. Mbi këto baza, Bashkia Vlorë kërkoi ndihmën e INUK-ut për shembjen e pronës. Sipas qeverisë, kërkuesit kishin dijeni se ekzistonte një arsye legjitime për shpronësimin, për këtë arsye, ata e kishin kundërshtuar vlerën e shpronësimit përpara gjykatave vendëse. Edhe po të supozohet se shpronësimi do të deklarohej i pavlefshëm, kjo gjë vetëm do t’i kishte shtyrë për më vonë problematikat, një ditë shpronësimi do të kishte ndodhur. Gjykatat vendëse e kishin ndryshuar vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013, në lidhje me shumën e kompensimit, por jo shpronësimin. Për herë të parë, kërkuesit kishin parashtruar në Gjykatë se shpronësimi nuk kishte qenë legjitim ose në interesin publik. Për më tepër, Këshilli i Ministrave kishte ndryshuar vendimin e tij, të datës 27 nëntor 2013, me vendimin e datës 9 prill 2014, sepse në atë kohë ishte menduar se vendimit të datës 27 nëntor 2013 i mungonin disa elementë (disa prej kërkuesve ishin përjashtuar). Vendimi i Këshillit të Ministrave, i datës 9 prill 2014, nuk kishte lidhje me vendimet e gjykatave vendëse të datës 6 mars dhe 23 shtator 2014.
c) Vlerësimi i Gjykatës
i. Parimet e përgjithshme
165. Në lidhje me faktin nëse ka pasur ose jo një ndërhyrje, Gjykata përsërit se në përcaktimin nëse ka pasur një privim nga pasuritë brenda “rregullës së dytë”, është e nevojshme të mos konsiderohet nëse ka pasur një marrje ose shpronësim formal të tokës, por të shihet përtej fasadës dhe të hetohen realitetet e situatës për të cilën janë bërë ankimet. Duke qenë se Konventa ka për synim të garantojë të drejtat, të cilat janë “praktike dhe efikase”, duhet të përcaktohet nëse situata ishte një shpronësim de facto (shih Brumărescu kundër Rumanisë [DHM], nr. 28342/95, §76, GJEDNJ 1999‑VII, dhe Sporrong dhe Lönnroth kundër Suedisë, 23 shtator 1982, §§ 63 dhe 69–74, seritë A nr. 52).
166. Marrja e pronës mund të justifikohet vetëm nëse provohet, inter alia, se kjo është për “interesin publik” dhe “u nënshtrohet kushteve të parashikuara në ligj” (shih Jahn dhe të tjerët kundër Gjermanisë [DHM], nr. 46720/99, 72203/01 dhe 72552/01, §91, GJEDNJ 2005-VI; Immobiliare Saffi kundër Italisë, [DHM], nr. 22774/93, §49, GJEDNJ 1999-V; dhe mutatis mutandis, Fleri Soler dhe Camilleri kundër Maltës, nr. 35349/05, §65, 26 shtator 2006). Çdo ndërhyrje në pronë duhet të përmbushë edhe kërkesën e proporcionalitetit. Ashtu si edhe e ka pohuar vazhdimisht Gjykata, midis kërkesës së interesit të gjerë të komunitetit dhe kërkesave për mbrojtjen e të drejtave themelore të individit duhet të vendoset një balancë dhe, në fakt, kërkesa për një balancë të tillë të drejtë është e pandarë në të gjithë Konventën. (shih Sporrong dhe Lönnroth, cituar më sipër, §§ 69–74, dhe Brumărescu,cituar më sipër, §78).
167. Kushtet e kompensimit sipas legjislacionit respektiv janë materiale për vlerësimin nëse masa e kundërshtuar respekton balancën e drejtë të kërkuar dhe, veçanërisht, nëse ushtron një barrë joproporcionale mbi individët (shih Jahn dhe të Tjerët, cituar më sipër, §94). Në këtë kontekst, marrja e pronës pa paguar një shumë, e cila lidhet arsyeshëm me vlerën e saj, normalisht do të përbëjë një ndërhyrje joproporcionale, ndërkohë që një mungesë totale kompensimi mund të konsiderohet e justifikueshme sipas nenit 1 të protokollit nr. 1, vetëm në rrethana përjashtuese (shih The Holy Monasteries kundër Greqisë, 9 dhjetor 1994, §71, seritë A nr. 301-A). Megjithatë, teksa është i vërtetë fakti se në shumë çështje të shpronësimit të ligjshëm vetëm kompensimi i plotë mund të konsiderohet si i lidhur arsyeshëm me vlerën e pronës, neni 1 i protokollit nr. 1 nuk garanton një të drejtë për kompensim të plotë në të gjitha rrethanat. Objektivat legjitimë në “interesin publik”, të tillë si ata të ndjekura në masat e reformës në ekonomi, ose masat e hartuara për të arritur një drejtësi më të madhe shoqërore, mund të kërkojnë për më pak se sa rimbursimi i vlerës së plotë të tregut (shih Urbárska Obec Trenčianske Biskupice kundër Sllovakisë, nr. 74258/01, §115, GJEDNJ 2007-XIII).
168. Megjithatë, Gjykata përsërit se arsyeshmëria e kompensimit zvogëlohet nëse paguhet pa iu referuar rrethanave të ndryshme përgjegjëse për uljen e vlerës së tij, si për shembull, një vonesë e paarsyeshme. Vonesat shumë të gjata në mënyrë të pazakontë në shlyerjen e kompensimit për shpronësimin çojnë në një humbje financiare në rritje për personin, prona e të cilit është shpronësuar, duke e vendosur atë në një pozicion pasigurie (shih Akkuş kundër Turqisë, 9 korrik 1997, §29, Raportet 1997-IV).
169. Gjykata vëren se është e padiskutueshme se kërkuesit kishin një “pasuri” sipas kuptimit të nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës. Ata i kishin blerë apartamentet në mirëbesim, ndërsa kërkuesit e parë dhe të dytë kishin dhënë truallin e tyre për ndërtim dhe si pasojë gëzonin pronësinë e disa apartamenteve dhe dyqaneve. Gjykata vëren se edhe pse urdhri i përkohshëm ishte lëshuar nga gjykatat vendëse duke i ndaluar autoritetet të ndërmerrnin ndonjë masë tjetër për Rezidencën Jon, kërkuesit nuk mund t’i gëzonin pronat e tyre.
170. Gjykata vëren se shembja e godinës privonte kërkuesit nga çdo mundësi e ardhshme për të gëzuar pronat e tyre. Nën këto rrethana, ka pasur një ndërhyrje me të drejtat e kërkuesve mbi pronën në formën e një “privimi”, sipas kuptimit të fjalisë së dytë të paragrafit të parë të nenit 1 të protokollit nr. 1.
171. Në këtë mënyrë, tashmë, Gjykata duhet të përcaktojë nëse ky privim ishte i justifikuar në përputhje me kërkesat e nenit 1 të protokollit nr. 1. Në çështjen konkrete, ligjshmëria e shembjes diskutohet nga palët.
172. Gjykata vëren se më 3 nëntor 2013, autoritetet rrethuan godinën, duke pretenduar se ajo ishte e paligjshme. Më 7 nëntor 2013, gjykata vendëse vendosi se veprimet e autoriteteve të datës 3 nëntor 2013 ishin të paligjshme dhe, për këtë arsye, lëshoi një urdhër të përkohshëm. Më 27 nëntor 2013, pavarësisht urdhrit të përkohshëm dhe njëzet ditë pas shpalljes së tij, Këshilli i Ministrave lëshoi vendimin për shpronësimin e pronave të kërkuesve, pa i bërë me dije ata ose kompaninë e ndërtimit. Deri më 8 dhjetor 2013, godina ishte shembur. Duke marrë në konsideratë rrjedhën e përshkruar të ngjarjeve, Gjykata konstaton se lindin shqetësime legjitime mbi arsyeshmërinë e procedurës, përmes së cilës autoritetet mund, në një kohë aq të shkurtër, të shpronësonte pronat e kërkuesve për interesin publik dhe të procedohej menjëherë me shpronësimin. Gjithashtu, Gjykata vëren se nën vendimin e tyre, gjykatat e brendshme arritën në përfundimin se si mosrespektimi i urdhrit të përkohshëm nga autoritetet vendëse edhe shembja e Rezidencës Jon kishin qenë të paligjshme. Për këtë arsye, Gjykata, ashtu siç e përcaktuan korrektësisht edhe gjykatat vendëse (shih paragrafët 36, 38 dhe 41, më sipër), arrin në përfundimin se në çështjen konkrete, e gjithë procedura mbi shpronësimin e kërkuesve u realizua me nxitim dhe në këtë mënyrë nuk ishte në përputhje me ligjin vendës.
173. Më tej, Gjykata arsyeton se marrja e Rezidencës Jon shkaktoi pasoja mjaftueshëm serioze për kërkuesit, duke qenë se pronat e tyre ishin shpronësuar në mënyrë të paligjshme, në një mënyrë e cila nuk respektonte të drejtën e tyre për të gëzuar qetësisht pasuritë e tyre (shih, midis shumë vendimeve të tjera, Iatridis, cituar më sipër, Papamichalopoulos dhe të Tjerët kundër Greqisë, 24 qershor 1993, seritë A nr. 260‑B, Kolona kundër Qipros, nr. 28025/03, §§ 70–78, 27 shtator 2007, Loizidou, cituar më sipër, §§ 63–64, dhe Demades, cituar më sipër, §46).
174. Duke marrë në konsideratë sa më sipër, Gjykata vendos se ndërhyrja konkrete ishte haptazi në shkelje të ligjit shqiptar dhe, për këtë arsye, ishte e paligjshme (shih paragrafin 133 më sipër në lidhje me parimet respektive). Për këtë arsye, nuk respektonte të drejtën e kërkuesve për të gëzuar qetësisht pasuritë e tyre. Ky konkluzion e bën të panevojshëm përcaktimin nëse ishte vendosur një balancë e drejtë midis kërkesave të interesit të përgjithshëm të komunitetit dhe kërkesave për mbrojtjen e të drejtave themelore të individit.
175. Për këtë arsye, është shkelur neni 1 i protokollit nr. 1 të Konventës, për sa i përket shpronësimit dhe shembjes së pasurive të kërkuesve.
IV. SHKELJE TË TJERA TË PRETENDUARA TË KONVENTËS
A. Ankesa në lidhje me nenin 6§2 të Konventës
176. Kërkuesit parashtruan se përdorimi i shiritit të verdhë nga policia për më shumë se gjashtë javë për t’i ndaluar ata të hynin në shtëpitë e tyre kishte shkaktuar një shkelje të prezumimit të pafajshmërisë, sipas nenit 6§2 të Konventës. Gjithashtu, ata u ankuan se Kryeministri, anëtarët e qeverisë dhe policë të tjerë të niveleve të larta kishin bërë një sërë deklaratash në shtyp me qëllimin për të krijuar dyshime në lidhje me pafajësinë e tyre. Gjithashtu, ata iu referuan faktit se procedimet penale kishin filluar kundër nëpunësve shtetërorë për abuzim me pushtetin në lidhje me rregullsinë e procesit të rikthimit të pronave të kërkuesve.
Neni 6§2 i Konventës, për sa ka të bëjë me situatën, parashikon si më poshtë:
“2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht ...
177. Qeveria parashtroi se kërkuesit nuk e kishin ngritur këtë ankesë përpara gjykatave vendëse. Për më tepër, ndaj kërkuesve nuk ishte ngritur asnjë padi penale. Gjithashtu, qeveria argumentoi se përdorimi i shiritit “të skenave të krimit” ishte një procedurë standarde për INUK-un për pezullimin e cilitdo aktiviteti të mundshëm në një godinë, kur ligjshmëria e lejes së ndërtimit vihej në pikëpyetje. Në vijim, qeveria parashtroi se autoritetet nuk i kishin përmendur kurrë emrat e kërkuesve në media. Në parashtrimet e saj verbale, qeveria parashtroi se neni 6§2 nuk ishte i zbatueshëm.
178. Gjykata përsërit se neni 6§2 i Konventës zbatohet vetëm kur një akuzë penale është pezull. Në rastin kur ekzistojnë ose kanë ekzistuar procedime të tilla, deklaratat që atribuojnë sjellje penale ose sjellje të tjera të dënueshme, gjithsesi, mund të vlerësojnë mbrojtjen ndaj shpifjes dhe aksesit të përshtatshëm në gjykatë për të përcaktuar të drejtat civile, si edhe mund të ngrenë problematika të mundshme sipas neneve 8 dhe 6 të Konventës (shih Zollmann kundër Mbretërisë së Bashkuar (vend.), nr. 62902/00, GJEDNJ 2003-XII). Në mungesë të një padie penale kundër kërkuesve, Gjykata arrin në përfundimin se neni 6§2 i Konventës nuk është i zbatueshëm. Kjo pjesë e kërkesës është në këtë mënyrë e papajtueshme ratione materiae me parashikimet e Konventës, sipas kuptimit të nenit 35§3. Për më tepër, Gjykata vëren se kërkuesit nuk mundën të provonin pretendimet e tyre në këtë këndvështrim. Për këtë arsye, në çdo rast, kjo pjesë e kërkesës është haptazi e pabazuar. Për të gjitha arsyet e mësipërme, ajo duhet të kundërshtohet sipas nenit 35§4 të Konventës.
B. Ankesat sipas nenit 8 të Konventës
179. Gjithashtu, kërkuesit u ankuan për të drejtën mbi reputacionin sipas garantimit nën kreun “Jeta private”, në nenin 8 të Konventës për të njëjtat arsye, të përmendura më sipër (shih paragrafin 176 më sipër).
180. Qeveria parashtroi të njëjtat argumente si ato të parashtruara në nenin 6§2 të Konventës.
181. Gjykata vëren se nuk ka asnjë të dhënë të dokumentuar në dosjen e çështjes, se deklaratat e bëra nga anëtarët e qeverisë ose deklaratat e zyrtarëve të tjerë të lartë, nisja e procedimeve penale kundër oficerëve të policisë për abuzim me pushtetin ose rrethimi i godinës me shirit të verdhë të policisë, adresoheshin kundër reputacionit të kërkuesve (shih paragrafët 13–14 dhe 44–47 më sipër). Për këtë arsye, sipas të gjitha materialeve të zotëruara, dhe për aq sa çështjet për të cilat janë drejtuar ankesat janë nën kompetencat e saj, Gjykata konstaton se se nuk gjendet ndonjë shfaqje e shkeljes së të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë ose në protokollet e saj. Ajo vijon se kjo pjesë e kërkesës është haptazi e pabazuar dhe duhet të kundërshtohet sipas nenit 35§§3(a) dhe 4 të Konventës.
C. Shkelje e pretenduar e nenit 14 e interpretuar së bashku me nenin 6§1 dhe nenin 8 të Konventës, si edhe nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës
182. Kërkuesit parashtruan se ata ishin diskriminuar, sepse Rezidenca Jon ishte e vetmja ndërtesë e ndërtuar me leje e shembur nga autoritetet, ndërsa të gjitha godinat e tjera të pozicionuara në shëtitoren Lungomare ishin ndërtime pa leje.
Neni 14 i Konventës parashikon si më poshtë:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
183. Qeveria parashtroi se ankuesit nuk e kishin ngritur këtë kërkesë përpara autoriteteve vendëse. Më tej, qeveria parashtroi se nuk ishte shkelur neni 14 i Konventës, sepse procedura e ndjekur nga INUK dhe INU në çështjen konkrete ishte e njëjtë me atë të ndjekur në çështjet e tjera, ku autoritetet kishin shembur godina të tjera.
184. Gjykata vëren se kërkuesit nuk e ngritën këtë ankesë përpara gjykatave vendëse, as në thelb. Për këtë arsye, kjo pjesë e kërkesës duhet të kundërshtohet në përputhje me nenin 35§§3(a) dhe 4 të Konventës.
V. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
185. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
1. Dëmi monetar
a) Parashtrimet e palëve
186. Fillimisht, kërkuesit kërkuan shumat e mëposhtme për dëmin monetar:
i. EUR 14,222,986.00, sipas raportit të ekspertit, për t’u ndarë midis kërkuesve në mënyrë proporcionale sipas sipërfaqes së pronave të tyre në Rezidencën Jon;
ii. EUR 20,000.00 në mënyrë të barabartë për çdo kërkues si një shumë shtesë për humbjen e mundësive, shkaktuar nga konfiskimi i paligjshëm, shpronësimi dhe shembja e godinës;
iii. EUR 15,000.00 në mënyrë të barabartë për kërkuesit nr. 3–19, në listën te shtojca, për humbjen e sendeve të tyre personale, sendeve me vlerë, mobileve dhe artikujve të shtëpive si rezultat i shembjes së godinës. Kërkuesi i parë kërkoi edhe EUR 15,000.00 mbi normën e barazisë për humbjen e pajisjeve dhe mobileve që ai zotëronte në bar-restorantin e tij. Ata parashtruan se duke qenë se godina u shemb, ishte e pamundur që ata të përcaktonin në mënyrë precize shumën e dëmeve ose të paraqisnin të dhëna të sakta për pasuritë e luajtshme që ishin shkatërruar;
iv. Një shumë shtesë për kërkuesit e parë dhe të dytë për interesin që rrjedh nga kësti i fundit i një huaje bankare (marrë për ndërtimin e godinës), me normë 7% nga 27 Nëntori 2013 deri në datën e shpalljes së vendimit nga Gjykata. Ata parashtruan se kërkuesit kishin marrë një kredi prej 397,920,600.00 lekësh (rreth 3 milionë euro) dhe tashmë kishin shlyer dy të tretat përpara shembjes së godinës. Kërkuesit i detyrohen ende Bankës Credins këstin e tyre të fundit prej EUR 903,350.000. Pas shembjes së Rezidencës Jon, kërkuesit nuk kanë mundur të shlyejnë këstin e mbetur dhe interesi i konsiderueshëm ka filluar të rritet me një normë interesi vjetore LIBOR prej 7%.
187. Qeveria argumentoi se për aq kohë sa kërkesat e ankuesve për kompensim për dëmin monetar u ishin nënshtruar procedimeve gjyqësore të filluara në nivel vendës dhe pjesërisht nuk ishin ngritur në gjykatat vendëse, ato duhet të kundërshtohen si abuzim me të drejtën për të aplikuar. Për këtë arsye, kërkesat e ankuesve, sipas nenit 41 të Konventës, ishin të nxituara. Kërkuesit nuk mund të kompensoheshin dy herë. Shumat ishin të ekzagjeruar, spekulative dhe të pabazuara. Kërkuesit nuk kishin paraqitur asnjë kërkesë në gjykatat vendëse për dëmin monetar për humbje përfitimesh, interesin e huas së marrë në bankë dhe dëmin e pretenduar për humbjen e pasurive të luajtshme dhe të ndërtesave. Po ashtu, kërkuesit nuk i kishin ndarë në zëra kërkesat e tyre. Për më tepër, kërkuesit nuk janë kompensuar deri më sot, me arsyen se procedimet ishin pezull në Gjykatën e Lartë, jo për mungesën e gatishmërisë së autoriteteve. Çështja e tyre ishte ndryshe nga çështja e Driza (cituar më sipër).
188. Më 3 maj 2017, në përgjigje të letrës së Gjykatës, gjatë përgatitjes për seancën dëgjimore, duke kërkuar inter alia për materiale të tjera të dokumentuara mbi të cilat kërkuesit do të donin të mbështeteshin në seancë përpara Gjykatës, ata parashtruan kërkesa shtesë për dëmin monetar. Ata parashtruan një raport, në të cilin përllogaritja e dëmit monetar bazohej në vlerat e tregut të përcaktuara në vërejtjet e tyre të para EUR 1,600 për metër katrorë, në lidhje me mjediset e banimit, dhe EUR 2,200 për mjediset e biznesit. Vlera neto e sipërfaqes së shpronësuar (8,218.15 metër katrorë), e cila rezultonte në EUR 14,222,986.00, ishte përshtatur më tej sipas normave të inflacionit në Shqipëri për periudhën 27 nëntor 2013 (data e shpronësimit të paligjshëm) deri më 31 mars 2017. Gjithashtu, interesi statutor mbi kapitalin e përshtatur në mënyrë progresive u shtua për periudhën 27 nëntor 2013 (data e shpronësimit të paligjshëm) deri më 23 maj 2017 (data e seancës dëgjimore me dyer të hapura në Gjykatë). Për sa më sipër, secili kërkues bëri kërkesat e mëposhtme për dëmin monetar që kishin vuajtur si rezultat i shembjes së Rezidencës Jon:
Nr.
Kërkuesi
Vlera në total e mjediseve të banimit, të biznesit dhe mjediseve të përbashkëta
Vlera në total e inflacionit nëntor 2013 mars 2017
Totali i interesit sht. nëntor 2013 – maj 2017
Dhënia e huas për dëmet monetare
Totali përfundimtar
1
2
3
4
5
6=(2+3+4+5)
1
Ballanca Erinda
€ 164,352.00
€ 9,194.84
€ 17,859.44
-
€ 191,406.28
2
Basha Arben
€ 164,352.00
€ 9,194.84
€ 17,859.44
-
€ 191,406.28
3
Calliku Gerti
€ 140,384.00
€ 7,853.93
€ 15,254.93
-
€ 163,492.86
4
Calliku Valbona
€ 82,176.00
€ 4,597.42
€ 8,929.72
-
€ 95,703.14
5
Deromemaj Abdul
€ 111,280.00
€ 6,225.67
€ 12,092.33
-
€ 129,598.00
6
Durolli Eduard
€157,056.00
€ 8,786.66
€ 17,066.61
-
€ 182,909.27
7
Hanxhari Ilonka dhe Mihallaq
€ 98,048.00
€ 5,485.40
€ 10,654.46
-
€ 114,187.86
8
Kacorri Vullnet
€ 111,280.00
€ 6,225.67
€ 12,092.33
-
€ 129,598.00
9
Kapidani Klima
€ 172,560.00
€ 9,654.05
€ 18,751.36
-
€ 200,965.41
10
Mecaj Mimoza
€ 126,640.00
€ 7,085.01
€ 13,761.43
-
€ 147,486.44
11
Pojani Teri
€ 76,720.00
€ 4,292.18
€ 8,336.84
-
€ 89,349.02
12
Rakipaj Pano
€ 76,720.00
€ 4,292.18
€ 8,336.84
-
€ 89,349.02
13
Rakipaj Baki
€ 79,488.00
€ 4,447.04
€ 8,637.62
-
€ 92,572.66
14
Schenetti Giuliano
€ 84,352.00
€ 4,719.16
€ 9,166.17
-
€ 98,237.33
15
Sopoti Etnik
€ 97,584.00
€ 5,459.44
€ 10,604.04
-
€ 113,647.48
16
Dorina Ylli
€ 171,792.00
€ 9,611.08
€ 18,667.91
-
€ 200,070.99
17
Xhafer Isufi (35 prona)
€ 5,341.090.00
€ 298,812.80
€ 580,393.62
-
€ 6,220,296.42
18
Xhuvi Sharxhi (3 prona)
€744,932.00
€ 41,675.99
€ 80,948.60
-
€ 867,556.60
19
Xhafer Isufi and Xhuvi Sharxhi (si bashkëpronarë) (25 prona)
€ 6,222,180.00
€ 348,106.29
€ 676,137.94
-
€ 7,246,424.23
20
Huaja e dhënë për dëmet monetare nën. 2013–maj 2017
€ -
€ -
€ -
€ 242,025.08
€ 242,025.08
VLERA NË TOTAL
€ 14,222,986.00
€ 795,719.65
€ 1,545,551.63
€ 242,025.08
€ 16,806,282.37
189. Kërkuesit parashtruan edhe fotografi të apartamenteve të tyre të mobiluar, përpara se të shembeshin.
190. Dokumentet e mësipërme të datës 3 maj 2017 ishin përfshirë në dosjen e çështjes sipas rregullave 54 dhe 64 të Rregullores së Gjykatës dhe qeveria u ftua të paraqiste komente mbi to në seancë.
191. Në parashtrimet e saj verbale, qeveria parashtroi se kërkesa e nenit 41 ishte e parakohshme.
192. Në parashtrimet e tyre verbale, kërkuesit parashtruan se duke qenë se godina ishte marrë në mënyrë të paligjshme dhe restitutio in integrum ishte i pamundur, ata kishin të drejtë për kompensim, i cili të paktën duhej të korrespondonte me vlerën e plotë të tregut për pronat në datën e shpronësimit. Përveç faktit se nuk ishte paguar ende kompensim, shuma e akorduar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2014, ishte e ulët në mënyrë joproporcionale dhe e papërshtatshme për të zbutur mjaftueshëm pasojat e dëmshme për humbjen e pasurive të tyre. Kjo shumë ishte vetëm një e treta e shumës me të cilën kishin blerë apartamentet e tyre dhe një pjesë më e vogël ende e vlerës së pronave të tyre në kohën e shpronësimit.
b) Vlerësimet e Gjykatës
193. Gjykata përsërit se një vendim në të cilin konstatohet një shkelje e ngarkon shtetin e paditur me detyrimin ligjor t’i japë fund shkeljes dhe të riparojë pasojat e dëmit në mënyrë të tillë që të mund ta kthejë situatën në gjendjen e saj përpara shkeljes sa më shumë të jetë e mundur (shih, midis shumë vendimeve të tjera, Scordino, cituar më sipër, §246). Nëse ligji vendës nuk e lejon ose e lejon vetëm pjesërisht, që të bëhet një korrigjim i pasojave të shkaktuara nga shkelja, neni 41 i jep autoritetin Gjykatës t’i ofrojë palës së dëmtuar kompensimin që ajo e gjykon të përshtatshëm. Gjykata gëzon një liri të caktuar veprimi në ushtrim të pushtetit, siç edhe e dëshmojnë mbiemri “i drejtë” dhe shprehja “nëse është e nevojshme”. Përveç çështjeve, të cilat Gjykata i ka në konsideratë kur vlerëson kompensimin, janë dëmi monetar, i cili në fakt është humbja e pësuar si rezultat i drejtpërdrejtë i një shkeljeje të pretenduar, e cila është humbja e shkaktuar si rezultat i drejtpërdrejtë i shkeljes së pretenduar, çka është korrigjimi për ankthin, shqetësimin dhe pasigurinë e shkaktuar nga shkelja (shih Comingersoll S.A. kundër Portugalisë [DHM], nr. 35382/97, §29, GJEDNJ 2000‑IV).
194. Më tej, Gjykata vëren se rregulla se mjetet vendëse duhet të shfrytëzohen, nuk zbatohet për kërkesat për kompensim të drejtë paraqitur në Gjykatë sipas nenit 41 (më herët neni 50) i Konventës (shih De Wilde, Ooms dhe Versyp kundër Belgjikës (neni 50), 10 mars 1972, §§ 15–16, seritë A nr. 14, dhe Salah kundër Holandës, nr. 8196/02, §§ 67, GJEDNJ 2006‑IX (ekstrakte)).
195. Ka lindur një situatë e pazakontë dhe për këtë arsye kërkuesit kanë paraqitur kërkesa për kompensim të drejtë përpara Gjykatës sipas nenit 41 të Konventës, edhe pse kërkesat me të njëjtin efekt janë pezull përpara gjykatave vendëse. Gjykata ka deklaruar në një rast të mëparshëm se ajo nuk mund të lejojë procedime përpara saj dhe procedime në një gjykatë vendëse, të cilat kanë si synim ekzaktësisht të njëjtin rezultat, që të ndiqen në mënyrë aktive paralelisht. Normalisht, do të kishte fare pak ndryshim nëse procedime të tilla paralele vendëse janë ende pezull në kohën kur kërkesa paraqitet në Gjykatë, rast në të cilin kërkesa do të jetë e papranueshme sipas nenit 35§1 të Konventës, ose nëse kërkesa është paraqitur në Gjykatë (shih Salah, cituar më sipër, §§65–66).
196. Çështja në fjalë nuk përkon me standardin e zakonshëm. Gjykata ka konstatuar se procedimet e disponueshme për ankuesit nuk përbëjnë mjete efikase të brendshme. Nën këto rrethana, Gjykata nuk mund ta konsiderojë veten të ndaluar nga procedimet e brendshme të mbetura pezull në mënyrë që ajo të shqyrtojë kërkesat e ankuesve: një interpretim i tillë i nenit 41 të Konventës do ta bënte këtë dispozitë joefikase në një çështje të tillë si kjo aktualja (shih, mutatis mutandis, Mikheyev kundër Rusisë, nr. 77617/01, §155, 26 janar 2006, dhe Frendo Randon dhe të Tjerët, cituar më sipër, §77).
197. Në vijim, Gjykata shprehet se duke akorduar shuma për dëmin në këtë fazë, nuk ka rrezik që ankuesit të marrin këto pagesa dy herë, përderisa juridiksionet vendëse do t’i vinin re shumat e akorduara kur të vendosnin për çështjen (shih, mutatis mutandis, Serghides dhe Christoforou kundër Qipros (kompensim i drejtë), nr. 44730/98, §29, 12 qershor 2003; Serrilli kundër Italisë (kompensim i drejtë), nr. 77822/01, §17, 17 korrik 2008, dhe Silva Barreira Júnior kundër Portugalisë, nr. 38317/06 dhe 38319/06, §40, 11 janar 2011).
198. Duke u kthyer te kërkesat e ankuesve për dëm monetar, duke marra në konsideratë faktin se procedimet e filluara në Gjykatën e Lartë nuk e kanë ndryshuar ende situatën e kërkuesve, dhe se Gjykata e Apelit në vendimin e saj të datës 23 shtator 2014, e bazoi përllogaritjen e saj të dëmit monetar mbi raportin e ekspertëve, i cili morri në konsideratë zhvillimin e pronës, vlerën e tregut të hapur, një analizë të vlerave të shitjeve dhe të qirave për prona të ngjashme dhe një krahasim të çmimeve të shitjeve me prona të ngjashme në të njëjtën fushë, Gjykata arrin në përfundimin se kërkuesve iu duhet akorduar shuma e kompensimit sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, më konkretisht EUR 1,155 për metër katrorë për apartamentet dhe EUR 2,000 për metër katror për mjediset e biznesit (shih Guiso Gallisay, cituar më sipër, §105, dhe paragrafët 38 dhe 41 më sipër). Më tej, Gjykata vëren se interesi duhet të paguhet mbi këtë shumë që të kompensohet, të paktën pjesërisht, periudha katërvjeçare gjatë së cilës kërkuesve iu privua toka. Sipas mendimit të Gjykatës, interesi duhet të marrë formën e interesit të thjeshtë statusor bazuar normat e interesit të Bankës Qendrore Evropiane. Për sa më sipër, Gjykata iu akordon kërkuesve së bashku, EUR 13,098,600. Kompensimi duhet të paguhet në të njëjtën mënyrë, sipas parashikimit në vendimin e datës 23 shtator 2014, që do të thotë në bazë të përmasës së secilës pronë të kërkuesit dhe në një shumë të vetme në total (shih paragrafin 41 më sipër).
199. Gjykata vendos se ankesa e kërkuesve për humbjen e mundësive duhet të kundërshtohet. Kërkuesit nuk e përpunuan këtë kërkesë dhe nuk specifikuan se çfarë lloj mundësishë pretendonin të kishin humbur.
200. Në lidhje me pagesën e kompensimit, për humbjen e pasurive të luajtshme, Gjykata vëren se kërkuesit paraqitën fotografi të apartamenteve të tyre të mobiluara, pa specifikuar se kujt i përkiste prona e luajtshme. Megjithatë, Gjykata vëren se është e padiskutueshme se disa prej apartamenteve ishin të mobiluara. Për më tepër, ditën kur kërkuesve iu tha të hiqnin pasuritë e tyre të luajtshme, autoritetet kishin vijuar me shembjen e godinës (shih paragrafin 51 më sipër). Gjithashtu, Gjykata vëren se kërkuesit mësuan për shpronësimin vetëm më 3 dhjetor 2013, ndërkohë që shembja filloi në ditën në vijim. Nën këto rrethana, duke pasur parasysh kohën e shkurtër në të cilën ishin realizuar procedimet, Gjykata arrin në përfundimin se kishte qenë e pamundur për kërkuesit të paraqisnin përpara Gjykatës të dhëna të detajuara të dokumentuara. Për të gjitha argumentet e mësipërme, Gjykata e konsideron më të përshtatshme të ketë parasysh këtë fakt teksa shqyrton kërkesën e ankuesve për dëm jomonetar.
201. Në lidhje me kërkesat e ankuesve të parë dhe të dytë për huan e marrë në bankën e tyre, Gjykata nuk dallon ndonjë lidhje rastësore midis shkeljes së konstatuar dhe dëmit monetar të pretenduar; për këtë arsye e rrëzon kërkesën.
2. Dëmi jomonetar
202. Gjithashtu, ankuesit kërkuan EUR 100,000 secili për dëmin jomonetar, duke pretenduar se veprimet e autoriteteve u kishin shkaktuar atyre vuajtje morale serioze. Ata parashtruan se një sërë faktorësh duhej të merreshin në konsideratë, të tillë si: irritomi dhe ankthi, që buronin nga fakti i të qenit dëshmitarë të pafuqishëm në abuzimet e kryera nga autoritetet shqiptare dhe nga pamundësia për të parandaluar shembjen e paligjshme të pronave të tyre, si edhe gjendja e tejzgjatur e ankthit të shkaktuar nga mosdijenia nëse do të mund të merrnin ndonjëherë ndonjë kompensim. Gjithashtu, ata e kthyen vëmendjen te kërkuesit e parë dhe të dytë, të cilët kishin qenë investitorët në Rezidencën Jon dhe kishin qenë të detyruara ta mbyllnin kompaninë e tyre në fund të vitit 2015.
203. Qeveria u parashtroi argumentet e tyre si të pabazuara në fakte dhe të dhëna. Kërkuesit nuk paraqitën ndonjë të dhënë, qoftë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë për të provuar se kishin vuajtur dëme ndaj biznesit ose shëndetit mendor. Kërkuesit po ashtu nuk kishin mundur të shfrytëzonin mjetet e brendshme dhe kishin abuzuar me të drejtën e tyre për t’u ankuar.
204. Gjykata rrëzon kundërshtimin e qeverisë për mosshfrytëzimin e mjeteve të brendshme (shih paragrafin 194 më sipër). Edhe pse Gjykata nuk i ka pranuar kërkesat në tërësi, ajo pranon se kërkuesit kanë vuajtur dëm jomonetar, i cili nuk mund të kompensohet vetëm me gjetjet e shkeljeve. Sipas kësaj arsyeje, duke bërë përllogaritjet e saj mbi bazën e barazisë, Gjykata i akordon secilit prej kërkuesve nr. 3–19, në shtojcë EUR 13,000 për dëmin jomonetar, për vuajtjen dhe ankthin e përjetuar si rezultat i shkeljeve sipas nenit 6§1, nenit 8 dhe nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës. Gjithashtu, duke bërë përllogaritjet në bazë barazie, Gjykata i akordon secilit prej ankuesve të parë dhe të dytë, EUR 7,800 për dëm jomonetar për vuajtjen dhe ankthin e kaluar si rezultat i shkeljeve sipas nenit 6§1 dhe nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës.
B. Kostot dhe shpenzimet
205. Kërkuesit parashtruan kërkesat e mëposhtme për kostot dhe shpenzimet:
i. 11,409,852.52 lekë për tarifat e gjykatës për fillimin e procedimeve gjyqësore të brendshme për kërkuesin e parë, i cili në emër të të gjithë kërkuesve pagoi tarifat e gjykatës;
ii. 9,600 euro për kërkuesit M. Hanxhari, T. Pojani, G. Calliku, M. Mecaj, E. Durolli, B. Rakipaj, P. Rakipaj, A. Deromemaj (1,200 euro secili), për kostot dhe shpenzimet e bëra në nivel vendës (pagesa bërë avokatit të tyre në procedime përpara gjykatave vendëse);
iii. Për kostot dhe shpenzimet e shkaktuara gjatë procedimeve përpara Gjykatës. Më 3 maj 2017, kërkuesit parashtruan kërkesa shtesë për kostot dhe shpenzimet e shkaktuara në Gjykatë, si më poshtë: 2,582.63 euro për shpenzimet e avokatit për pjesëmarrjen e tyre në seancën e datës 23 maj 2017 dhe 1,500 euro për përgatitjen e raportit shtesë të ekspertit, të paraqitur më 3 maj 2017.
206. Qeveria parashtroi që kostot ligjore të procedimeve të brendshme të paguheshin nga pala e humbur në këto procedime, shteti shqiptar. Duke qenë se procedimet e brendshme ishin ende pezull, pavarësisht kërkesave të pabazuara dhe abuzive, kërkesat ishin të nxituara përderisa procedimet në Gjykatën e Lartë ishin ende të papërfunduara. Në lidhje me kostot dhe shpenzimet e bëra në Gjykatë, këto ishin të ekzagjeruara, spekulative dhe jo domosdoshmërisht të bëra. Qeveria parashtroi se kërkuesit nuk kishin paraqitur fatura të detajuara, siç parashikohet nga autoritetet e taksave në përputhje me ligjin e brendshëm.
207. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkues ka të drejtën të rimbursohet për kostot dhe shpenzimet për aq sa është provuar se këto kanë ndodhur faktikisht dhe bazuar në nevojë dhe janë të arsyeshme sipas kuantit (shih, për shembull, Gjyli, cituar më sipër, §72). Në këtë pikë, rregulla 60 §§ 2 dhe 3 i Rregullores së Gjykatës pohon se kërkuesit duhet të bashkëngjisin me kërkesat e tyre për kompensim të drejtë “çdo dokument respektiv mbështetës”, në mungesë të së cilës Gjykata “mund të kundërshtojë pretendimet në tërësi ose pjesërisht”.
208. Gjykata vëren se gjykata vendëse u akorduan të gjithë kërkuesve kosto dhe shpenzime në lidhje me tarifat gjyqësore për nisjen e procedimeve gjyqësore të brendshme dhe përfaqësimin e tyre në gjykatat e brendshme (shih paragrafët 39 dhe 41 më sipër). Gjithsesi, në lidhje me tarifat gjyqësore për fillimin e procedimeve gjyqësore të brendshme, Gjykata akordon për kërkuesit EUR 84,500. Në lidhje me kostot, Gjykata e mendon të arsyeshme të akordojë EUR 9,600 për kërkuesit M. Hanxhari, T. Pojani, G. Calliku, M. Mecaj, E. Durolli, B. Rakipaj, P. Rakipaj, A. Deromemaj, së bashku. Më pas, u takon gjykatave shqiptare, në rast se ato e gjykojnë si të përshtatshme, për të marrë në konsideratë akordimet e Gjykatës (shih mutatis mutandis, Silva Barreira Júnior, cituar më sipër, §40).
209. Në lidhje me kostot dhe shpenzimet e realizuara përpara Gjykatës, Gjykata nuk mund të pranojë sugjerimin e qeverisë që të kërkohen faturat e miratuara zyrtarisht nga autoritetet e taksave: nuk ekziston një detyrim i tillë sipas Konventës, nuk i takon kësaj Gjykate që të rregullojë marrëdhënien midis një taksapaguesi dhe shtetit (shih Delijorgji kundër Shqipërisë, nr. 6858/11, §100, 28 prill 2015).
Gjykata nuk ka asnjë arsye të dyshojë se kërkuesit kanë pasur shpenzime përpara Gjykatës përderisa ajo ka një faturë e cila përmban në mënyrë të detajuar numrin e orëve të faturuara dhe normën korresponduese për orë. Megjithatë, Gjykata mendon se shpenzimet e bëra gjatë procedimeve të Konventës nuk ishin të arsyeshme sipas kuantit. Duke bërë përllogaritjet e saj bazuar në informacionet në dosjen e çështjes, Gjykata e konsideron si të arsyeshme të akordojë 18,000 euro për kostot dhe shpenzimet ligjore përpara Gjykatës sipas të gjithë zërave (shih Mullai dhe të Tjerët kundër Shqipërisë (kompensim i drejtë: po pushohet), nr. 9074/07, §18, 18 tetor 2011).
C. Interesi i vonuar
210. Gjykata e konsideron si të arsyeshme që norma e interesit të vonuar të bazohet në normën margjinale të huas të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës i duhen shtuar pikë tre për qind.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NË MËNYRË UNANIME:
Vendos të bashkojë meritat e ankesave sipas nenit 13, së bashku me nenet 6 dhe nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës për të gjithë kërkuesit dhe së bashku me nenin 8 të konventës për kërkuesit nr. 3–19 të listuar në shtojcë, kundërshtimet e qeverisë për mosshfrytëzim të mjeteve vendëse dhe pushimin e tyre; Deklaron të pranueshëm ankesat në lidhje me nenet 6§1 dhe nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës për të gjithë kërkuesit, dhe ankesat në lidhje me nenin 8 të Konventës në lidhje me ankuesit 3–19 në listën e shtojcës, si edhe mungesën e mjetit efikas të lidhur me to; Deklaron pjesën e mbetur të kërkesës të papranueshme; Gjykon se është shkelur neni 13 së bashku me nenin 6§1 të Konventës; Gjykon se është shkelur neni 6§1 i Konventës; Gjykon se është shkelur neni 8 i Konventës, për kërkuesit nr. 3–19 sipas listës në shtojcë, në lidhje me konfiskimin e godinës; Gjykon se është shkelur neni 13 së bashku me nenin 8 të Konventës në lidhje me kërkuesit 3–19 sipas listës në shtojcë, për sa i përket konfiskimit të godinës; Gjykon se nuk është e nevojshme të shqyrtohet ankesa sipas nenit 8 mëveçantë dhe së bashku me nenin 13 të Konventës në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës; Gjykon se është shkelur neni 1 i protokollit nr. 1 të Konventës në lidhje me konfiskimin e godinës; Gjykon se është shkelur neni 13 së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës, në lidhje me konfiskimin e godinës; Gjykon se është shkelur neni 13 së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës, në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës; Gjykon se është shkelur neni 1 i protokollit nr. 1 të Konventës, në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës; Gjykon:
a) Se shteti i paditur duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve nga data kur vendimi bëhet i formës së prerë në përputhje me nenin 44§2 të Konventës, shumat e mëposhtme, të cilat duhet të konvertohen në monedhën e shtetit të paditur në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes:
i. 13,098,600 euro (trembëdhjetë milionë e nëntëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind euro) për të gjithë kërkuesit, plus çdo taksë që mund të jetë e tarifueshme, në lidhje me dëmin monetar;
ii. 13,000 euro (trembëdhjetë mijë euro) për secilin prej kërkuesve me nr. 3–19 të listuar në shtojcë, plus çdo taksë që mund të jetë e tarifueshme në lidhje me dëmin jomonetar;
iii. 7,800 euro (shtatë mijë e tetëqind euro) për kërkuesin e parë dhe të dytë mëveçantë, plus çdo taksë që mund të jetë e tarifueshme, për dëmin jomonetar;
iv. 84,500 euro (tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind euro) për të gjithë kërkuesit, së bashku, plus çdo taksë që mund të jetë e taksueshme, për kostot dhe shpenzimet e shkaktuara në gjykatat vendëse (tarifa e taksës);
v. 9,600 euro (nëntë mijë e gjashtëqind euro) për kërkuesit M. Hanxhari, T. Pojani, G. Calliku, M. Mecaj, E. Durolli, B. Rakipaj, P. Rakipaj, A. Deromemaj, së bashku, plus çdo taksë që mund të jetë e tarifueshme, për kostot dhe shpenzimet e shkaktuara në gjykatat e brendshme (tarifat e avokatëve);
vi. 18,000 euro (tetëmbëdhjetë mijë euro) për të gjithë kërkuesit, së bashku, plus çdo taksë që mund të jetë e tarifueshme për kërkuesit, për kostot dhe shpenzimet e shkaktuara në Gjykatë;
b) Se, që nga përfundimi i periudhës së mësipërme tremujore deri në shlyerjen e interesit të thjeshtë do të jetë e pagueshme në shumat e mësipërme, në normën e barabartë me normën margjinale huadhënëse të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së vonesës plus pikë tre për qind;
14. Pushon pjesën e mbetur të kërkesës së ankuesve për kompensim të drejtë.
Hartuar në anglisht dhe njoftuar me shkrim, më 11 janar 2018, sipas rregullës 77§§2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Abel Campos Linos Regjistrues
Alexandre Sicilianos Kryetar
Shtojcë
Emri, mbiemri
Viti i lindjes
Kombësia
Vendbanimi
1
Xhuvi Sharxhi
1961
shqiptar
Tiranë
2
Xhafer Isufi
1948
shqiptar
Tiranë
3
Arben Basha
1969
shqiptar
Tiranë
4
Gerti Calliku
1976
shqiptar
Tiranë
5
Valbona Calliku
1976
shqiptare
Tiranë
6
Abdul Deromemaj
1939
shqiptar
Vlorë
7
Eduard Durolli
1947
shqiptar
Vlorë
8
Ilonka Hanxhari
1955
shqiptare
Tiranë
9
Mihallaq Hanxhari
1955
shqiptar
Tiranë
10
Erinda Ballanca
1973
shqiptare
Tiranë
11
Vullnet Kacorri
1971
shqiptar
Vlorë
12
Klima Kapidani
1956
shqiptare
Tiranë
13
Mimoza Mecaj
1962
shqiptare
Tiranë
14
Teri Pojani
1961
shqiptar
Tiranë
15
Baki Rakipaj
1963
shqiptar
Vlorë
16
Pano Rakipaj
1968
shqiptar
Vlorë
17
Giuliano Schenetti
1946
italian
Toano
18
Etnik Sopoti
1969
shqiptar
Tiranë
19
Dorina Ylli
1986
shqiptar
Tiranë
Full & Egal Universal Law Academy