S ILIADIN kundër RANCËS F (kërkesa nr . 73316/01) 26 korrik 2005 shtetet janë të detyruara të marrin masa efektive për ndalimin e skllavërisë dhe robërisë moderne e cila haset ende edhe në shtete me traditë demokratike në Europë I. Faktet kryesore 1. Kërkuesja, Siwa-Akofa Siliadin, është një vajzë 26 vjeç me shtetësi togoleze që jeton në Paris. Në janar 1994, kërkuesja, që në atë kohë ishte 15 vjeç e gjysmë, arrin në Francë e shoqëruar nga Znj. D, shtetase franceze me origjinë togoleze. Kjo e fundit kishte marrë përsipër që të rregullonte situatën administrative të kërkueses dhe të merrej me shkollimin e saj, ndërkohë që kërkuesja duhet të punonte në shtëpinë e Znj. D për aq kohë sa të arrinte të nxirrte paratë e biletës së saj të avionit. Në fakt, Znj. Siliadin ishte veçse një shërbyese pa pagesë në shtëpinë e bashkëshortëve D. Për më tepër asaj i ishte konfiskuar edhe pasaporta. 2. Në tetor 1994, Znj. D ia “huazoi” kërkuesen bashkëshortëve B, miq të familjes, me qëllim që t'i ndihmonte në menaxhimin e shtëpisë dhe të merrej me fëmijët e tyre. Ky transferim duhet të zgjaste veçse disa ditë, derisa Znj. B të lindte fëmijën që priste. Megjithatë, edhe pas lindjes, Znj. B vendosi që ta mbante kërkuesen. Kërkuesja u bë në fakt shërbëtorja e plotë e bashkëshortëve B. të cilët e bënin të punonte çdo ditë të javës nga ora 7.30 deri më 22.30, pa asnjë ditë pushim dhe duke i dhënë vetëm një leje të jashtëzakonshme për të shkuar ndonjëherë në meshë të dielave. Kërkuesja flinte në dhomën e fëmijëve, në një dyshek të shtruar përtokë dhe vishte rroba të përdorura. Ajo nuk u pagua asnjëherë, me përjashtim të një ose dy rasteve kur e ëma e Znj. B i dha 500 franga franceze, me një vlerë prej 76,22 euro. 3. Në korrik 1998, Znj. Siliadin i tregoi një fqinje e cila vuri në dijeni Komitetin kundër Skllavërisë Moderne, i cili nga ana e tij iu drejtua prokurorisë. Bashkëshortët B. nga njëra anë u ndoqën penalisht për mbajtje abuzive të një personi të dobët ose në nevojë, për mospagim qoftë tërësor qoftë të pjesshëm të punës – vepra penale të parashikuara nga neni 225-13 i Kodit Penal – dhe nga ana tjetër, për nënshtrim të kërkueses ndaj kushteve të punës dhe të jetesës të papajtueshme me dinjitetin njerëzor – vepra penale të parashikuara nga neni 225-14 i Kodit Penal. 4. Bashkëshortët B u dënuan nga gjykata e shkallës së parë me 12 muaj burg nga të cilët 7 me kusht. Megjithatë ata u liruan në apel më 19 tetor 2000. Ndërsa Gjykata e Apelit të Versajës, pas kthimit të çështjes nga Gjykata e Kasacionit, me një vendim të 15 majit 2003 çmoi se bashkëshortët B. ishin fajtorë sepse e kishin bërë të punonte pa pagesë Znj. Siliadin, e cila ishte një person i dobët dhe në nevojë, por vlerësoi se kushtet e punës dhe të jetesës së saj nuk ishin të papajtueshme me dinjitetin njerëzor. Për pasojë, Gjykata e Apelit e Versajës i dënoi bashkëshortët B. që t'i paguanin kërkueses shumën prej 15 245 euro për shpërblim dëmi përfshirë dhe interesat përkatës. Në tetor 2003 Këshilli i Punës1 i akordoi kërkueses 31238 euro si shumë e rrogave që duhet të kishte marrë. II. Vendimi i Gjykatës 1 Bëhet fjalë për ‘Conseil Prud’Homale’ - organ që ekziston në Francë dhe që mbron interesat e punëtorëve. Në të marrin pjesë përfaqësues të qeverisë dhe të sindikatave. 5. Duke u bazuar në nenin 4 të Konventës, kërkuesja pretendonte se e drejta penale franceze nuk i kishte ofruar një mbrojtje të mjaftueshme dhe efektive kundër “robërisë” ndaj të cilit ishte nënshtruar pa pëlqimin e saj, kundër punës “me dhunë dhe të detyruar” të kërkuar prej saj, që në realitet nuk e kishte bërë atë asgjë tjetër veçse një skllave shtëpiake. A. Në lidhje me nenin 4 a. në lidhje me zbatueshmërinë e nenit 4 6. Gjykata çmoi se neni 4 i Konventës sanksionon një prej vlerave themelore të shoqërive demokratike që formojnë Këshillin e Europës. Ajo kujtoi se, përveç Konventës, ka një sërë traktatesh ndërkombëtare që kanë si objekt mbrojtjen e qenieve njerëzore kundër skllavërisë dhe punës së detyruar ose me dhunë. Ajo kujtoi që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka theksuar se megjithëse skllavëria është shfuqizuar që prej më se 150 vjetësh, situata të “skllavërisë shtëpiake” hasen ende në Europë, dhe kanë të bëjnë me mijëra persona, pjesa më e madhe femra. b. në lidhje me detyrimet pozitive që rrjedhin prej saj 7. Sipas Gjykatës, fakti që një shtet abstenon nga shkelja prej tij e këtyre të drejtave nuk mjafton për të arritur në përfundimin se ai respekton detyrimet e tij në bazë të këtij neni. Në bazë të këtij neni shteteve iu lindin detyrime pozitive që konsistojnë në marrjen dhe zbatimin efektiv të dispozitave penale që ndëshkojnë praktikat e parashikuara nga neni 4. B. Në lidhje me shkeljen e nenit 4 a. nëse ka pasur punë të detyruar 8. Për të vlerësuar gjendjen në të cilën mbahej kërkuesja, Gjykata vuri në dukje se gjatë viteve, Znj. Siliadin kishte punuar tek bashkëshortët B. pa pushin dhe në kundërshtim me dëshirën e saj dhe për më tepër nuk ka marrë asnjë shpërblim. Në kohën e fakteve të çështjes ajo ishte e mitur dhe në situatë të parregullt në një shtet të huaj dhe kishte frikë se mund të arrestohej nga policia. Për më tepër bashkëshortët B. e ushqenin këtë frikë dhe e bënin atë të shpresonte një rregullim të situatës së saj juridike. Në këto rrethana, Gjykata çmoi se Znj. Siliadin i është nënshtruar të paktën një pune të detyruar në kuptimin e nenit 4 të Konventës. b . nëse ka pasur skllavëri 9. Përsa i përket skllavërisë, megjithëse kërkuesja ishte privuar nga vullneti i saj i lirë, nga dosja përpara Gjykatës nuk del që ajo të ishte mbajtur në skllavëri në kuptimin e plotë të fjalës. Pra nuk mund të thuhet që bashkëshortët B. kishin ushtruar ndaj saj një të drejtë të mirëfilltë pronësie, duke e shndërruar në gjendjen juridike të një objekti . Gjykata pra çmoi se Znj . Siliadin nuk ishte mbajtur në skllavëri në kuptimin “klasik” të këtij nocioni. c. nëse kishte robëri 10. Nocioni i robërisë, i përfshirë gjithashtu në nenin 4 të Konventës, konsiston në detyrimin për të ofruar shërbime në kushtet e detyrimit. Gjykata kujtoi në këtë kuadër që kërkuesja e ofronte këtë shërbim shtatë ditë në javë për 15 orë në ditë. Për më tepër ajo nuk kishte zgjedhur që të punonte tek bashkëshortët B. Duke qenë e mitur dhe pa burime financiare, e dobët dhe e izoluar, ajo nuk kishte asnjë mjet jetese përveçse tek bashkëshortët B ku ajo ndante të njëjtën dhomë me fëmijët. 11. Znj. Siliadin ishte tërësisht në varësi të bashkëshortëve B. pasi asaj i ishin konfiskuar dokumentet. Bashkëshortët B. i kishin premtuar që t'i rregullonin situatën e saj ligjore, gjë që nuk e bënë kurrë. Duke mos pasur asnjë kohë të lirë, me frikën se mos arrestohej nga policia, duke mos pasur mundësi të shkonte në shkollë – ndryshe nga çfarë i ishte premtuar të atit të saj dhe duke mos pasur as leje për të dalë në mjedise publike ajo ishte plotësisht nën varësinë e bashkëshortëve B. 12. Në këto kushte Gjykata çmoi se Znj. Siliadin, e mitur në kohën e ngjarjeve në shqyrtim, ishte mbajtur në gjendje robërie sipas kuptimit të nenit 4 të Konventës. d. nëse legjislacioni francez i ka garantuar mbrojtje të mjaftueshme kërkueses 13. Pasi arriti në përfundimin se Franca, ashtu si edhe çdo shtet tjetër anëtar kishte detyrime me karakter pozitiv në bazë të nenit 4 të Konventës, ajo kujtoi që në Rekomandimin 1523 (2001), Asambleja Parlamentare kishte shprehur “keqardhjen që asnjë prej shteteve anëtare të Këshillit të Europës nuk e parashikonte shprehimisht skllavërinë shtëpiake në kodin penal”2. 14. Ndërsa në të drejtën penale franceze, as skllavëria as robëria nuk dënohen shprehimisht. Duke qenë se ishin ndjekur penalisht në bazë të neneve 255-13 dhe 225-14 të Kodit Penal, bashkëshortët B nuk u dënuan penalisht. Në këtë drejtim Gjykata vuri re se prokurori e kishte kundërshtuar në Kasacion vendimin e gjykatës së apelit të 19 tetorit 2000, veçse në aspektin civil. Në këtë mënyrë vendimi për pafajësisë e bashkëshortëve B. u konsiderua përfundimtar. Për më tepër, sipas një raporti të paraqitur më 2001 nga misioni informativ në lidhje me format e ndryshme të skllavërisë moderne në Asamblenë Kombëtare franceze, këto dispozita të Kodit Penal francez mund të interpretoheshin në mënyrë tepër të gjerë dhe interpretimet ndryshonin së tepërmi nga një gjykatë franceze të tjetra. Në këto kushte Gjykata çmoi se legjislacioni penal në fuqi nuk i ka siguruar kërkueses mbrojtjen konkrete efektive kundër akteve viktimë e të cilave ajo kishte qenë. Për pasojë ajo vendosi se ka pasur shkelje të nenit 4 të Konventës pasi Franca nuk ka respektuar detyrimet pozitive që ka në bazë të këtij neni. III. Koment 15. Ky vendim është sa i rëndësishëm për të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Europës aq edhe tronditës për realitetin social dhe juridik francez, por jo vetëm. Një prej vendeve të para të shfuqizimit të skllavërisë në botë3 dhe të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, Franca, në shekullin XXI rezulton se nuk ka një legjislacion aq efektiv sa të ofrojë mbrojtjen e duhur ndaj akteve të skllavërisë, robërisë, punës së detyruar apo me dhunë. Vendimi ka edhe një impakt tjetër – mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore kërkon një punë të konsiderueshme të përditshme, që fillon që nga marrja e masave legjislative e mbaron në interpretimin dhe vënien e tyre në jetë në mënyrë efektive. 2 Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë skllavëria parashikohet si vepër penalë në kuadrin e krimeve kundër njerëzimit, (Neni 74) por unë nuk mendoj se ky parashikim e zgjidh problemin pasur parasysh kriteret e veçanta juridike që duhen që të hyjnë në veprim dispozita për krime të tilla si ato kundër njerëzimit, gjenocidi, etj. Në këtë drejtim vendimi në fjalë ka rëndësi edhe për situatën normative shqiptare. 3 Megjithëse ishte dënuar për herë të parë nga Papa Pali III më 1537, skllavëria u shfuqizua për herë të parë në Europë nga Konventa e dalë nga Revolucioni Francez, më 4 shkurt 1793. Napoleon Bonaparti e rivendosi me një dekret të 20 majit 1802 por skllavëria u shfuqizua edhe një herë dhe kësaj radhe përfundimisht në Francën e Republikës së II, më 27 prill 1848, ndërkohë që Danimarka e kishte bërë më 1804 ndërsa Britania e Madhe më 1807. 16. Me qëllimin për të dhënë një tablo më të qartë të situatës Europiane e cila në disa raste nuk është fort e lumtur4, Gjykata i referohet si akteve të tjera ndërkombëtare ashtu edhe rekomandimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Këtë reference duket se Gjykata e përdor për t’iu kujtuar shteteve kujdesin që duhet treguar në marrjen e masave ndaj fenomeneve që duket se Europa i konsideron të tejkaluara por që faktikisht, siç e provon edhe ky rast hasen ende në zemrën e saj. Vendimi shërben si një mesazh i fortë ndaj shteteve në lidhje me të gjitha format e skllavërisë moderne, duke filluar nga shfrytëzimi i prostitucionit, pedofilia, pornografia me të miturit, etj. 17. Është interesante teknika e kujdesshme që adopton Gjykata në trajtimin e kësaj çështje. Ajo analizon së pari nëse neni 4 gjen zbatim në situatën e kërkueses dhe pastaj kërkon të përcaktojë figurat juridike të nenit 4 që i përshtaten më shumë situatës. Për këtë qëllim ajo i referohet përsëri si akteve të tjera ndërkombëtare5 ashtu edhe jurisprudencës së saj të mëparshme6. Pas një analize të gjithë këtyre referencave ajo arrin në përfundimin se në rastin e Znj. Siliadin nuk kishte skllavëri por robëri. Në qoftë se i rrimë strikt formulimit tradicional konvencional të skllavërisë si ”gjendja ose kushtet kur mbi një person ushtrohen atributet e së drejtës së pronës ose disa prej tyre” mund të jemi dakord me këtë klasifikim të Gjykatës. Një pjesë e konsiderueshme e doktrinës është e mendimit se këtij formulimi i duhen shtuar edhe dy elementë: - - pamundësia e individit për të ndryshuar sadopak statusin e vet karakteri i pavullnetshëm i punës që ai person kryen. Mund të shtrohet pyetja nëse fakti i transferimit të Znj. Siliadin nga Znj. D. tek bashkëshortët B. dhe qëndrimi i pavullnetshëm tek ata mund të klasifikohet si një atribut i së drejtës së pronësisë. Ekzistenca e qartë edhe e dy elementëve të tjerë të lartpërmendur të nocionit të skllavërisë duket se do të mund ta klasifikonin situatën e Znj. Siliadin si skllavëri. 4 Parasysh kam në mënyrë të veçantë situatën shqiptare sidomos deri para rreth dy vjetëve ku trafikimi dhe shfrytëzimi i prostitucionit dhe i fëmijëve ishte një problem madhor. 5 Gjykata i referohet Konventës për ndalimin e skllavërisë të 9 marsit 1927, Konventës shtesë në lidhje me shfuqizimin e skllavërisë, të trajtimit të skllevërve dhe të instituteve dhe praktikave të ngjashme me skllavërinë të 30 prillit 1956, Konventën e ONP “Mbi punën e detyruar” të 28 qershorit 1930, Rekomandimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nr. 1523 (2001) të miratuar më 26 qershor 2001, dhe nr. 1663 (2004) të miratuar më 22 qershor 2004, Konventa e Këshillit të Europës mbi luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të sapo hapur për nënshkrim, më 16 maj 2005. 6 Vendimi i Gjykatës i 9 korrikut 1980 në lidhje me çështjen Van Droogenbroeck kundër Belgjikës, si dhe vendimi i 7 marsit 2000 në lidhje me çështjen Seguin kundër Francës.
Full & Egal Universal Law Academy