SILIH kundër SLLOVENISË
(kërkesa nr. 71463/01)
9 prill 2009
përgjegjësia e shteteve sipas KEDNJ për të hetuar vdekjet që kanë ndodhur përpara ratifikimit prej tyre të Konventës
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit, Franja dhe Ivan Šilih janë shtetas sllovenë të lindur respektivisht në 1949 dhe 1940 dhe që jetojnë në Slovenj Gradec, Slloveni. Më 19 maj të vitit 1993, kur ishte vetëm 20 vjeç, djali i kërkuesve, Gregor Šilih, vdiq në një spital pasi vuajti nga një shok anapilaptik, ndoshta si rrjedhojë e reaksioneve alergjike nga një prej ilaçeve që iu dha atij nga doktori i urgjencës në përpjekje për të trajtuar urtikarian e tij.
2. Më 13 maj të vitit 1993, kërkuesit bënë një kallëzim penal kundër doktorit të urgjencës për neglizhencë mjekësore, por çështja u pushua më pas për mungesë provash të mjaftueshme.
3. Më 28 qershor 1994, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, hyri në fuqi në Slloveni. Më 1 gusht të vitit 1994, kërkuesit shfrytëzuan të drejtën e tyre sipas Ligjit slloven të Procedurës Penale[1], për të dalë si prokurorë "zëvendësues" si palë e dëmtuar që ishin, dhe kërkuan rihapjen e hetimit penal. Hetimi u rihap më 26 prill të vitit 1996, dhe një akuzë penale u bë më 28 shkurt 1997. Çështja u rikthye dy herë për hetime të mëtejshme përpara se procedimi penal të pushohej më 18 tetor 2000, sërish me arësyetimin e provave të pa mjaftueshme. Kërkuesit apeloi por pa sukses.
4. Ndërkohë, në datën 6 qershor 1995, kërkuesit bënë padi civile kundër spitalit dhe doktorit në fjalë. Procedurat në gjykatën e shkallës së parë, që u zhvilluan nga tetori 1997 deri në maj 2001, u pezulluan, në pritje të proçesit penal, dhe padia u pushua në 25 gusht 2006. Përpjekjet e kërkuesve për ta apeluar vendimin nuk patën sukses. Kur Dhoma e Madhe në Strasburg dha vendimin, çështja ishte në shqyrtim e sipër nga Gjykata Kushtetuese Sllovene.
5. Me një vendim të 28 qershorit 2007, një Dhomë e Gjykatës vendosi unanimisht se nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar ankimin e kërkuesve për shkelje të aspektit substancial të nenit 2, sepse vdekja kishte ndodhur përpara hyrjes në fuqi të Konventës në Slloveni, por gjeti shkelje të aspektit procedural të këtij neni. Më 27 shtator 2007, qeveria kërkoi që çështja t’i dërgohej për shqyrtim Dhomës së Madhe sipas nenit 43 dhe paneli i Dhomës së Madhe e pranoi këtë kërkesë.
6.Përpara Dhomës së Madhe, kërkuesit u ankuan për mungesën e efektivitetit të sistemit gjyqësor slloven në konstatimin e përgjegjësisë për vdekjen e djalit të tyre, në shkelje të nenit 2. Ata u ankuan gjithashtu se procedurat gjyqësore kishin zgjatur tej mase dhe se procedimet penale kishin qenë të padrejta, në shkelje të neneve 6 dhe 13 të Konventës.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 2
i) në lidhje me juridiksionin kohor
7. Dhoma e Madhe në këtë rast analizoi jurisprudencën e Gjykatës lidhur me juridiksionin e saj të përkohshëm për të shqyrtuar ankesat mbi aspektin procedural të nenit 2 në rastet kur vdekja ka ndodhur para datës së hyrjes në fuqi të Konventës në shtetin përkatës ose që quhet ndryshe "data kritike". Gjykata vlerësoi se detyrimi procedural për të kryer një hetim efektiv sipas nenit 2 kishte evoluar në një detyrim të veçantë dhe autonom, i cili megjithëse shkaktohej nga akte që kishin të bënin me aspektin substancial të nenit 2, mund të çonin në konstatimin e një "ndërhyrjeje" të veçantë dhe të pavarur. Detyrimi procedural mund të konsiderohej si një detyrim më vete i detyrueshëm për shtetin edhe kur vdekja kishte ndodhur përpara datës kritike. Prandaj, Dhoma e Madhe vlerësoi se Gjykata kishte juridiksion kohor në raste të tilla.
8. Megjithatë, ajo theksoi se parimi i sigurisë juridike nënkuptonte se juridiksioni i saj në këto raste nuk ishte i pakufishëm: së pari, kur vdekja kishte ndodhur përpara datës kritike, vetëm veprimet dhe/ose mosveprimet procedurale që ndodhin pas kësaj date mund të përfshihen në juridiksionin kohor të Gjykatës; së dyti, duhet të ketë një lidhje të mirëfilltë mes vdekjes dhe hyrjes në fuqi të Konventës në shtetin e paditur në mënyrë që detyrimet procedurale të vendosura nga neni 2 të kishin fuqi. Kjo do të thoshte se një pjesë e rëndësishme e hapave proceduralë të kërkuar nga kjo dispozitë duhej të ishin marrë pas datës kritike.
9. Duke zbatuar këto parime në rrethanat e rastit të kërkuesve, Gjykata vuri në dukje se vdekja e djalit të tyre kishte ndodhur pak më shumë se një vit përpara hyrjes në fuqi të Konventës në lidhje me Slloveninë dhe se, përveç hetimit paraprak, të gjitha procedurat penale dhe civile ishin iniciuar dhe kryer pas kësaj date. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se kishte juridiksion kohor në lidhje me ankesën për aspektet procedurale të nenit 2, për aq sa ajo lidhej me procedurat pas datës kritike. Si përfundim, ajo e hodhi poshtë pretendimin paraprak.
ii) në lidhje me themelin e aspektit procedural të nenit 2
10. Gjykata konstatoi se palët nuk e kundështonin faktin se kushtet shëndetësore të Gregor Šilih filluan të përkeqësoheshin ndjeshëm në spital dhe se vdekja e tij mund të lidhej me trajtimin e tij mjekësor atje. Duke patur parasysh se kërkuesit deklaruan se djali i tyre kishte vdekur si rezultat i neglizhencës mjekësore, shteti në fjalë, në mënyrë që të përmbushte detyrimet e tij sipas nenit 2, duhet të kishte në veprim një sistem gjyqësor efektiv dhe të pavarur i cili të përcaktonte shkakun e vdekjes dhe të vendoste për përgjegjësinë e shkaktarëve. Në përpjekje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë për vdekjen e djalit të tyre, kërkuesit përdorën dy mjete ligjore, penale dhe civile. Gjykata vlerësoi se kohëzgjatja e tepërt e procedurës penale, dhe në veçanti e hetimit, nuk mund të justifikohej as nga sjellja e kërkuesve, as nga kompleksiteti i çështjes.
11. Procedurat civile nga ana e tyre ishin ende në pritje prej më shumë se 13 vjetësh pasi kishin filluar dhe çështja ishte ende para Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, edhe pse procedura civile ishte pezulluar për tre vjet e shtatë muaj në pritje të përfundimit të procedurës penale, ajo kishte ngecur në fakt që dy vjet më parë. Prandaj, edhe pas pezullimit të procedurave kriminale në tetor 2000, gjykatave të brendshme iu deshën edhe pesë vjet e tetë muaj të tjerë për të vendosur mbi padinë civile të kërkuesve. Ndërsa kërkesat e kërkuesve për një ndryshim të vendbanimit dhe për zëvendësimin e disa gjyqtarëve kishin vonuar procedurat deri në njëfarë mase, shumë nga vonesat pas rifillimit të shqyrtimit gjyqësor ishin të pajustifikueshme. Gjithashtu, për Gjykatën ishte e papranueshme që rasti i kërkuesve ishte trajtuar nga të paktën gjashtë gjyqtarë të ndryshëm në një seri procedurash në shkallë të parë, pasi ndryshimet e shpeshta të gjyqtarëve domosdoshmërisht cenonin efektivitetin e gjykimit. Disa seanca dëgjimore, për shembull, janë vonuar deri në nëntë ose dhjetë muaj thjesht për një ndryshim vendi si rrezultat i faktit që çështja është marrë për gjykim nga një tjetër gjyqtar. Prandaj, autoritetet vendase kishin dështuar të trajtonin kërkesën e kërkuesve me zellin dhe efektivitetin e duhur. Për këto arsye, Gjykata vendosi se ka pasur shkelje të aspektit procedural të nenit 2 të Konventës.
B. Në lidhje me nenet 6 dhe 13
12. Duke patur parasysh konstatimin e shkeljes së nenit 2, Gjykata vendosi vendosi se nuk ishte e nevojshme të shqyrtonte në mënyrë të veçantë çështjen edhe nën nenet 6 dhe 13.
C. Në lidhje me nenin 14
13. Gjykata i akordoi kërkuesve 7,540 euro për dëm jo-pasurore dhe 4,039 euro për kostot dhe shpenzimet.
[1]Neni 186 i Ligjit slloven për Procedurën Penale.
Full & Egal Universal Law Academy