© Legal summary prepared for HUDOC by Venera Kabashi, human rights lawyer focusing on the ECtHR case-law for Western Balkan countries.
Përmbledhje juridike e përgatitur për HUDOC nga Venera Kabashi, juriste e të drejtave të njeriut e fokusuar në jurisprudencën e GjEDNj mbi vendet e Ballkanit Perëndimor.
July/korrik 2025
____________________________________________________________________________________
Ismailaj dhe të tjerë k. Shqipërisë - 28873/22
Vendim 8.7.2025 [Seksioni III]
Neni 6 § 1
Paanshmëria
Mungesa e paanshmërisë së një gjyqtari që kishte marrë pjesë në dy procedura gjyqësore për konfiskimin e pasurive të ndryshme të ankuesve: shkelje.
Faktet – Në prill 2016 Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, duke gjykuar me një trupë gjykuese që përfshinte gjyqtarin K.K., vendosi të konfiskojë disa llogari bankare të dy prej ankuesve në bazë ligjit të ashtu-quajtur “Anti-Mafia” (Ligji nr. 10192 datë 3 dhjetor 2009, i ndryshuar).
Në të njëjtin vit, përmes një procesi paralel me të mësipërmin, Gjykata e Shkallës se Parë dhe ajo e Apelit për Krimet e Rënda vendosën konfiskimin e disa llogarive të tjera bankare si dhe një automjeti që u përkisnin ankuesve. Ankuesit ushtruan rekurs në Gjykatë e Lartë dhe ndërkohë që vendimi mbi rekursin ishte në pritje të shqyrtimit, gjyqtari K.K. u emërua në Gjykatën e Lartë.
Në maj 2021, Gjykata e Lartë, duke gjykuar me një trupë gjykuese që përfshinte gjyqtarin K.K., vendosi të mos e pranojë rekursin me arsyetimin se ai ishte papranueshëm dhe se vendimet e kontestuara ishin të arsyetuara dhe bindëse.
Ankuesit u ankuan në Gjykatën Kushtetuese se Gjykatës së Lartë i mungonte paanshmëria pasi në gjykimin e majit 2021 kishte marrë pjesë gjyqtari K.K. i cili në prill 2016 kishte gjykuar një çështje tejet të ngjashme. Në dhjetor 2021 Gjykata Kushtetuese e refuzoi ankesën me arsyetimin se llogaritë bankare të konfiskuara në dy procedurat ku kishte marrë pjesë gjyqtari K.K. ishin të ndryshme, rrjedhimisht dy çështjet e gjykuara nga ai nuk ishin identike.
Pranë GjEDNj, ankuesit u ankuan për mungesën e paanshmërisë së Gjykatës së Lartë për shkak të pjesëmarrjes në gjykim të gjyqtarit K.K.
Arsyetimi juridik – neni 6 § 1
Ne maj 2021 Gjykata e Lartë ishte shprehur jo vetëm për pranueshmërinë e rekursit por edhe për themelin e çështjes.
Pyetja thelbësore ishte nëse dy proceset gjyqësore te prillit 2016 dhe majit 2021 ku kishte marrë pjesë gjyqtari K.K. ishin mjaftueshëm të ngjashme për të krijuar një dyshim objektiv mbi paanshmërinë e tij.
Fakti që pasuritë (llogaritë bankare) të konfiskuara në dy proceset gjyqësore ishin të ndryshme nuk është i mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se natyra e çështjeve të gjykuara në prill 2016 dhe maj 2021 ishte e ndryshme.
Natyra e problemeve përpara gjykatave, baza ligjore, burimi i provave dhe pretendimet e prokurorisë në secilën çështje ishin ngushtësisht të ndërlidhura dhe mjaftueshëm të ngjashme për të krijuar tek ankuesit një dyshim objektiv mbi paanshmërinë e gjyqtarit K.K.
Përfundimi: shkelje.
Shpërblim për dëmin jo-pasuror: 3,500 Euro. Shpenzime avokati: 5,000 euro.
Mënyra me e përshtatshme për të ndrequr shkeljen: rihapja e procesit (nëse kërkohet) (Neni 46 i Konventës).