© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA SİNAN IŞIK kundër TURQISË
(Kërkesa nr. 21924/05)
VENDIM
STRASBURG
2 Shkurt 2010
PËRFUNDIMTAR
02/05/2010
Ky vendim është bërë përfundimtar, sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Sinan Işık kundër Turqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), me trup gjykues të përbërë prej:
Françoise Tulkens, President,
Ireneu Cabral Barreto,
Vladimiro Zagrebelsky,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović,
András Sajó,
Işıl Karakaş, gjyqtarë,
dhe Sally Dollé, Kancelare e Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura në 15 dhjetor 2009,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën mbi bazën e kërkesës (nr. 21924/05) kundër Republikës së Turqisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas turk, Z. Sinan Işık (“kërkuesi”), më 3 qershor 2005.
2. Kërkuesi u përfaqësua nga Z. K. Genç, avokat që ushtronte aktivitetin në Ankara. Qeveria Turke (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj.
3. Kërkuesi pretendoi, në veçanti, se refuzimi i kërkesës së tij për zëvendësimin e fjalës “Islam” në kartën e tij të identitetit me termin e besimit të tij “Alevi”, përbente shkelje të nenit 9 të Konventës. Ai gjithashtu pretendoi shkelje të nenit 6 dhe 14 të Konventës.
4. Më 15 janar 2008 Presidenti i Seksionit të dytë vendosi t’ia komunikonte Qeverisë kërkesën e paraqitur. U vendos shqyrtimi në themel i ankimit në të njëjtën kohë me pranueshmërinë i tij (neni 29 § 3 i Konventës).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Z. Işık ka lindur më 1962 dhe jeton në İzmir. Ai ishte anëtar i komunitetit fetar Alevi, një komunitet ky i rrënjosur thellë në shoqërinë dhe historinë turke. Ky besim, i cili është ndikuar, në veçanti, nga Sufizmi dhe disa besime para-islamike, është konsideruar nga disa dijetarë të Alevit si një fe e veçantë dhe nga disa të tjerë si "thelbi" apo "forma origjinale" e Islamit. Praktikat e tij fetare ndryshojnë nga ato të shkollës fetare Sunite[1] në aspekte të caktuara, të tilla si lutja, agjërimi dhe pelegrinazhi (shih Hasanin dhe Eylem Zengin kundër Turqisë, nr. 1448-1404, § 8, 9 tetor 2007).
6. Kërkuesi deklaronte se karta e tij e identitetit, e lëshuar nga regjistruesi i datëlindjeve, martesave dhe vdekjeve, përmbante një kuti "të besimit fetar", në të cilën shkruhej "Islame", edhe pse ai nuk ishte ndjekës i kësaj feje.
7. Më 7 maj 2004 ai iu drejtua Gjykatës së Qarkut Izmir duke kërkuar të shënohej në kartën e tij të identitetit "Alevi" në kutinë ku përcaktohej besimi fetar dhe jo "Islame". Pjesët përkatëse të kërkesës së tij lexonin si vijon:
“...fjala ‘Islame’ e përdorur në kartën time të identitetit nuk pasqyron situatën e vërtetë. Si një qytetar i besimit Alevi të Republikës së Turqisë, mendoj, në bazë të njohurive dhe besimeve të mia, që një person nuk mund t’i përkasë në të njëjtën kohë besimit “Alevi” dhe “Islamit”(sic!). Si qytetar i Republikës laike të Turqisë, e cila, sipas Kushtetutës së saj, mbron lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes, unë refuzoj të vazhdoj të mbaj peshën e kësaj padrejtësie dhe kontradikte që rrjedh nga dëshira për të iniciuar frikë, e cila është tërësisht e pabazuar dhe thellësisht fyese.”
8. Më 9 korrik 2004, pas një kërkese nga ajo gjykatë, këshilltari ligjor në Drejtorinë e Çështjeve Fetare paraqiti opinionin e tij lidhur me ankimin e kërkuesit. Ai pohoi në veçanti se, shënimi i interpretimeve apo nën kulturave fetare në kutinë ku përcaktohej besimi fetar në kartat e identitetit ishte në kundërshtim me unitetin kombëtar, parimet republikane dhe parimin e laicitetit. Ai argumentoi në mënyrë të veçantë se fjala "Alevi", duke përcaktuar një nën-grup brenda Islamit, nuk mund të konsiderohet një fe e veçantë ose një degë ("mezhep") e Islamit. Ajo ishte një interpretim i Islamit i ndikuar nga Sufizmi dhe që mbart karakteristika të veçanta kulturore.
9. Më 7 shtator 2004 gjykata hodhi poshtë kërkesën e ankuesit në bazë të konsideratave të mëposhtme:
“1. ... kutia ku përcaktohet besimi fetar në kartat e identitetit përmban informata të përgjithshme rreth fesë së qytetarëve. Është e përshtatshme të shqyrtohet në rastin konkret nëse besimi Alevi (Alevilik) përbën një fe të veçantë apo një interpretim të Islamit. Është e qartë nga opinioni i lëshuar nga Presidenca e Drejtorisë së Çështjeve Fetare që besimi Alevi është një interpretim i Islamit, i ndikuar nga Sufizmi dhe që ka karakteristika të veçanta kulturore ... Prandaj, ky besim përbën një interpretim të Islamit dhe jo një fe më vete si e tillë, në përputhje me parimet e përgjithshme të përcaktuara në këtë drejtim. Për më tepër, vetëm fetë në përgjithësi tregohen në kartat e identitetit dhe jo interpretimet e tyre apo degë të caktuara. Për këtë arsye asnjë gabim nuk është bërë në shënimin “Islame” në kartën e identitetit të kërkuesit, i cili pretendonte t’i përkiste besimit “Alevi”.
2. Librat dhe artikujt e paraqitura nga kërkuesi tregojnë se Ali[1] është përshkruar si "luani i Allahut" apo në mënyrë të ngjashme. Fakti që disa poema përmbajnë shprehje të ndryshme nuk do të thotë se besimi Alevi nuk është pjesë e Islamit. Duke qenë se Ali është një prej katër kalifëve të Islamit dhe dhëndri i Muhamedit, ai duhet të konsiderohet të jetë një prej personaliteteve të shquara të Islamit ...
3. Për shembull, Krishterimi ka gjithashtu nën-grupe të tilla si Katolikët dhe Protestantët, të cilat megjithatë kanë bazën e tyre tek Krishterimi. Kështu kur dikush i përket një interpretimi të veçantë të Islamit, nuk do të thotë se interpretimi nuk është pjesë e Islamit...”
10. Në një datë të paspecifikuar kërkuesi iu drejtua Gjykatës së Kasacionit. Ai u ankua se kishte qenë i detyruar të tregojë besimin e tij pasi ishte e detyrueshme të tregohej besimi fetar në kartën e identitetit, pa pëlqimin e tij dhe në shkelje të së drejtës së lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes sipas kuptimit të nenit 9 § 1 të Konventës . Ai pohoi më tej përcaktimi i besimit fetar në kartat e identitetit, që rrjedh nga neni 43 i Ligjit të Regjistrimit Civil (Ligji nr. 1.587), nuk mund të konsiderohet në përputhje me nenin 24 § 3 të Kushtetutës, i cili parashikon se "askush nuk mund të detyrohet ... të tregojë besimin dhe bindjet e tij ose të saj fetare". Ai gjithashtu deklaroi se kishte paraqitur dy kërkesa, në të parën kërkonte që fjala "Islam" që tregonte fenë e tij në kartën e identitetit të fshihej, dhe në kërkesën e dytë kërkonte që fjala "Alevi" të vendosej në kutinë përkatëse. Ai pohoi se gjykata e shkallës së parë kishte qenë në gjendje për të shqyrtuar dy kërkesat veçmas, duke pranuar të parën dhe refuzuar të dytën, duke deklaruar se zbulimi i besimit fetar në fjalë nuk ishte në përputhje me nenin 24 § 3 të Kushtetutës. Se fundi, ai apeloi kundër procedimeve që refuzonin kërkesën e tij, në të cilën Drejtoria e Çështjeve Fetare kishte përshkruar besimin e tij si një interpretimin e Islamit.
11. Më 21 dhjetor 2004 Gjykata e Kasacionit mbështeti vendimin e gjykatës në shkallë më të ulet pa dhënë ndonjë arsyetim tjetër.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. E drejta e brendshme
1. Kushtetuta
12. Neni 10 i Kushtetutës turke parashikon si vijon:
“Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, pa u diskriminuar për shkak të gjuhës, racës, ngjyrës, gjinisë, bindjeve politike, filozofike e fetare, përkatësisë në sekte fetare apo për shkaqe të tjera të ngjashme.”
...
Organet shtetërore dhe autoritet administrative në çdo rrethanë duhet të veprojnë në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit.”
13. Pjesët pertinente të nenit 24, në kontekstin e çështjes konkrete, lexojnë si vijon:
“Çdokush ka të drejtën e lirisë së ndërgjegjes, besimit dhe bindjeve fetare.
...
Askush nuk mund të detyrohet të marrë pjesë në lutje e adhurime, apo shërbime fetare ose të tregojë besimin dhe bindjet e tij ose të saj fetare; askush nuk mund të censurohet ose ndiqet penalisht për besimin apo bindjet e tij ose të saj fetare....”
14. Neni 136 parashikon:
“Drejtoria e Çështjeve Fetare, e cila është pjesë e administratës së përgjithshme, do të kryejë detyrat e caktuara në bazë të ligjit të veçantë i cili e drejton atë, në përputhje me parimin e laicitetit, dhe e pavarur nga të gjitha pikëpamjet apo idetë politike, me qëllim solidaritetin dhe integritetin kombëtar.”
2. Ligji i Regjistrimit të Gjendjes Civile (Ligji nr. 1587)
15. Pjesët përkatëse të nenit 43 të ligjit të Regjistrimit të Gjendjes Civile (Nüfus Kanunu), siç ishte në fuqi në atë kohe, lexojnë si vijon:
“Regjistrat e gjendjes civile duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm në lidhje me individët dhe familjet...
(a) Informacion lidhur me statusin civil:
(1) Emër dhe mbiemër, gjinia, emri dhe mbiemri i prindërve, emri i vajzërisë;
(2) Vendi dhe data e lindjes dhe data e regjistrimit (viti, muaji dhe dita);
(3) Korrigjime ...
(b) Informacione të tjera
...
(2) Besimi fetar;
...”
3. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese
16. Me vendimin e 21 qershorit 1995, botuar në Fletoren Zyrtare më 14 tetor 1995, Gjykata Kushtetuese shpalli nenin 43 të ligjit të Regjistrimit Civil në përputhje me nenin 2 (laiciteti) dhe nenin 24 (liria e fesë) të Kushtetutës . Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosen, veçanërisht:
“Shteti duhet të jetë i vetëdijshëm për karakteristikat e qytetarëve të saj. Ky informacion është i nevojshëm për qëllime të politikave publike, interesit të përgjithshëm, dhe nevojave ekonomike, politike dhe sociale...
Shteti laik duhet të qëndrojë neutral në aspektin e fesë. Prandaj, shënimi i besimit fetar në kartat e identitetit nuk duhet të sjellë pabarazi mes qytetarëve ... Në një shtet laik, të gjitha fetë janë të barabarta. Askush nuk mund të ndërhyjë në besimin ose mungesën e besimit të tjetrit. Për më tepër, rregulli në fjalë vlen për të gjitha besimet dhe rrjedhimisht nuk mund të sjellë diskriminim...
Rregulli që “Askush nuk mund të detyrohet ... të tregojë besimin e tij ose të saj fetar dhe bindjet” nuk mund të interpretohet si një ndalim për të treguar fenë e atij personi në regjistrat zyrtare. Kushtetuta ndalon detyrimin.
Detyrimi lidhet me tregimin e besimeve dhe bindjeve fetare. Nocioni “besime dhe bindje fetare” nuk është i kufizuar në sigurimin e informacionit lidhur me fenë e çdo individi në regjistrat e gjendjes civile të Shtetit për qëllime demografike. Ai është nocion i gjerë dhe mbulon shumë faktorë që kanë të bëjnë me fenë dhe besimin.
Rregulli “Askush nuk mund të detyrohet... të tregojë besimin dhe bindjet e tij ose të saj fetare” duhet lexuar në lidhje me rregullin “askush nuk mund të censurohet ose ndiqet penalisht për besimin e tij ose të saj fetar apo bindjet” Në asnjë rrethanë kjo nuk mund të përbëjë detyrim, censurë apo ndjekje penale.
Për më tepër, sipas nenit 266 të Kodit Civil, “një person madhor është i lirë të zgjedhë besimin e tij apo të saj fetar”. Rrjedhimisht, çdokush që dëshiron të ndryshojë fenë e tij ose të saj, e cila tregohet në regjistrin civil mund të paraqesë një kërkesë për këtë qëllim pranë autoriteteve të regjistrimit. Ndryshimi do të bëhet me udhëzimin e autoritetit të decentralizuar. Gjithashtu, çdokush që dëshiron fshirjen e një informacioni të tillë ose regjistrimin e një tjetër besimi fetar, i cili nuk mund të pranohet si një fe mund t’i drejtohet gjykatave civile...
Për të përfunduar, neni 43 i Kodit Civil nuk mund të konsiderohet se vendos një detyrim. Ai ka të bëjë me informacione që lidhen me fenë e një personi i cili i vihet në dispozicion regjistrit të gjendjes civile për qëllime të politikave publike, interesit të përgjithshëm dhe nevojës shoqërore ...”
Pesë nga njëmbëdhjetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk ndajnë të njëjtin mendim me shumicën, duke pohuar se treguesi i fesë në regjistrat civilë të Shtetit dhe në kartat e identitetit është në kundërshtim me nenin 24 të Kushtetutës. Një nga gjyqtarët në pakicë deklaroi në mënyrë të veçantë që:
“Sipas ligjit të Regjistrimit Civil, prindërit apo përfaqësuesit ligjorë të fëmijëve janë të detyruar të deklarojnë fenë e fëmijëve të tyre, në të kundërt nuk bëhet regjistrimi i tyre. Përfshirja e fesë në regjistrimet familjare dhe në kartat e identitetit, para se fëmija të arrijë moshën madhore dhe pa pëlqimin e tij ose të saj, përbën de facto deklarimin e detyrueshëm të fesë në jetën e përditshme... Ky deklarimi i detyrueshëm, që rrjedh nga përcaktimi i fesë në një dokument që konfirmon gjendjen civile, si dhe paraqitja e atij dokumenti për regjistrimin në një shkollë ose gjatë kryerjes së formaliteteve të shërbimit ushtarak, përbën, sipas mendimit tim, ‘një shtrëngim.”
4. Ligji për Shërbimin e Gjendjes Civile (Ligji nr. 5490) dhe dispozitat zbatuese të tij
17. Pjesët përkatëse të neneve 7 dhe 35 të ligjit për Shërbimin e Gjendjes Civile (Nüfus Hizmetleri Kanunu), i cili hyri në fuqi më 29 prill 2006 (shfuqizoi ligjin e lartpërmendur për Regjistrimin e Gjendjes Civile), parashikojnë si vijon:
Neni 7
Informacione personale të kërkuara në regjistrimet e gjendjes civile
“1. Një regjistër i gjendjes civile mbahet për çdo rreth apo fshat. Regjistrat e gjendjes civile duhet të përmbajnë informacionin e mëposhtëm:
...
(e) Besimin fetar.
...”
Neni 35
Korrigjimi i të dhënave
“1. Regjistrat e gjendjes civile mund të korrigjohen vetëm me vendim gjyqësor të formës së prerë ...
2. Informacioni në lidhje me besimin fetar të një personi duhet regjistruar ose ndryshuar sipas deklaratave me shkrim nga personi në fjalë; kutia ku përcaktohet besimi fetar mund të lihet bosh ose informacioni të fshihet.”
18. Pjesët pertinente të nenit 82 të dispozitave zbatuese të ligjit për Shërbimin e Gjendjes Civile, miratuar më 29 shtator 2006, lexojnë si vijon:
Neni 82
Kërkesa lidhur me informacionin për besimin fetar
“Çdo informacion në lidhje me besimin fetar të individit duhet të regjistrohet, të ndryshohet, të fshihet ose të hiqet në përputhje me deklaratat me shkrim të individit. Kërkesat për ndryshimin ose fshirjen e të dhënave në lidhje me besimin fetar, nuk janë subjekt i kufizimeve.”
5. Drejtoria e Çështjeve Fetare
19. Drejtoria e Çështjeve Fetare u krijua nga ligji nr. 633 i 22 qershorit 1965 për Krijimin dhe Funksionimin e Kryesisë së Çështjeve Fetare, botuar në Fletoren Zyrtare të 2 korrikut 1965. Neni 1 i tij parashikon se Kryesia e Çështjeve Fetare, i raporton Kryeministrit dhe është përgjegjëse për t’u marrë me çështjet e besimit, adhurimit dhe parimeve morale të Islamit dhe administrimin e vendeve të adhurimit. Brenda Drejtorisë, Këshilli i Lartë i Çështjeve Fetare përbën autoritetin suprem vendimmarrës dhe këshillues. Ai është i përbërë nga gjashtëmbëdhjetë anëtarë të emëruar nga Drejtori i Drejtorisë. Ajo është kompetente për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me fenë (neni 5 i ligjit nr. 633).
B. Udhëzime për rishikimin e legjislacionit mbi fenë apo besimet, të miratuara nga Komisioni i Venecias
20. Pjesët përkatëse të dokumentit me titull "Udhëzime për rishikimin e legjislacionit mbi fenë apo besimet", miratuar nga Komisioni i Venecias në sesionin plenar të 59-të (Venecia, 18 dhe 19 qershor 2004), lexojnë si vijon:
“II. Çështjet themelore që zakonisht dalin në legjislacion
...
2. Përkufizimi i "fesë". Legjislacioni shpesh përfshin përpjekjen e kuptueshme për të përkufizuar fenë apo terma të tjerë të lidhur me të (‘sekte’, ‘kulte’ ‘fe tradicionale’ etj.) Nuk ka asnjë përkufizim përgjithësisht të pranuar për terma të tillë në të drejtën ndërkombëtare, dhe shumë Shtete kanë pasur vështirësi në përcaktimin e këtyre termave. Është argumentuar se terma të tillë nuk mund të përkufizohen në një kuptim juridik për shkak të paqartësisë serioze në konceptit e fesë. Një gabim i përbashkët në përkufizim është që të kërkohet që të ekzistojë besimi në Zot që të konsiderohet një fe. Kundër-shembuj më të saktë janë Budizmi klasik, i cili nuk është teist, dhe Hinduizmi, i cili është politeist...
3. Feja ose besimi. Standardet ndërkombëtare nuk flasin për fenë në një kuptim të izoluar, por në kuptimin e ‘fesë’ ose ‘besimit’. Aspekti i ‘besimit’ zakonisht ka të bëjë me besimet thellësisht të ndërgjegjshme që janë themelore në lidhje me gjendjen e njeriut dhe me botën. Kështu, ateizmi dhe agnosticizmi, për shembull, konsiderohen në përgjithësi se gëzojnë të drejtën për të njëjtën mbrojtje si të besimeve fetare. Është shumë e zakonshme për legjislacionin për të mos mbrojtur në mënyrë adekuate (ose të mos i referohet absolutisht) të drejtat e jo-besimtarëve. ...
B. Vlerat themelore të standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e fesë e besimit
Konsensus i gjerë është arritur në rajonin e OSBE-së për konturët e së drejtës së lirisë së fesë e besimit, siç është e formuluar në instrumentet e zbatueshme ndërkombëtare për të drejtave të njeriut. Pikat themelore që duhet të kihen parasysh në trajtimin e legjislacionit në këtë fushë përfshijnë çështjet e mëposhtme madhore:
1. Liria e brendshme (forum internum). Instrumentet kryesore ndërkombëtare konfirmojnë se "çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë". Në kontrast me manifestimet e fesë, e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë brenda forum internum është absolute dhe nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të asnjë lloji. Kështu, për shembull, kërkesat ligjore që detyrojnë deklarimin e pavullnetshëm të besimeve fetare janë të palejueshme...”
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 9 TË KONVENTËS
21. Kërkuesi pretendon shkelje të nenit 9 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.
2. Liria e shfaqjes së fesë ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.”
22. Kërkuesi u ankua se kishte qenë i detyruar, pa pëlqimin e tij dhe në shkelje të së drejtës së lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes, të deklaronte besimin e tij sepse ishte e detyrueshme të tregohej feja e tij në kartën e tij të identitetit. Ai parashtroi se deklarimi në fjalë nuk mund të konsiderohet se është në përputhje me nenin 24 § 3 të Kushtetutës, i cili parashikon se "askush nuk duhet të detyrohet të tregojë besimin dhe bindjet e tij ose të saj fetare". Ai vuri në dukje se ai dokument publik duhej të tregohej sa here kërkohej nga ndonjë autoritet publik, ndërmarrje private apo në kontekstin e ndonjë formalitet tjetër.
Ai gjithashtu deklaroi se ai kishte kërkuar që fjala "Islam" në kartën e tij të identitetit të zëvendësohej nga fjala "Alevi" që ishte besimi i tij, duke argumentuar se përcaktimi ekzistues ishte i gabuar. Ai kundërshtoi procedurat që refuzuan kërkesën e tij, në të cilën Drejtoria e Çështjeve Fetare e kishte përshkruar besimin e tij si një interpretimin e Islamit.
A. Pranueshmëria
1. Mos shterimi i mjeteve të brendshme
23. Qeveria deklaroi se kërkuesi, i cili thjesht u kishte kërkuar autoriteteve gjyqësore për të zëvendësuar fjalën "Islam" në kartën e tij të identitetit me besimin e tij "Alevi", nuk kishte shteruar mjetet e brendshme në mënyrë të rregullt në lidhje me kërkesën e tij për lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Sipas pikëpamjes së Qeverisë, kërkuesi nuk kishte diskutuar asnjëherë faktin se deklarimi i fesë së tij në kartën e tij të identitetit ishte i papajtueshëm me lirinë e tij të fesë dhe të ndërgjegjes.
24. Kërkuesi nuk paraqiti vërejtje në përgjigje lidhur me atë pikë brenda kohës së lejuar.
25. Gjykata rithekson se rregulli i shterimit të mjeteve të brendshme ligjore të përcaktuara në nenin 35 § 1 i Konventës i kërkon ankuesit - duke përdorur mjetet ligjore në dispozicion në të drejtën e brendshëm për aq sa ato janë efektive dhe të përshtatshme – t’i japë mundësinë Shtetit të paditur për të ndrequr shkeljet e pretenduara kundër tyre para se akuzat të paraqiten në Gjykatë (shih, midis vendimesh të tjera, Fressoz dhe Roire kundër Francës [GC], nr. 29183/95, § 37, ECHR 1999-I).
26. Në çështjen konkrete, Gjykata vëren se në kërkesën e tij në gjykatat e brendshme, duke theksuar mospajtimin e tij të thellë me detyrimin e vendosur ndaj tij që të ketë në kartën e identitetit fenë "Islame", kërkuesi kundërshtonte qartë deklarimin në fjalë, duke u mbështetur në mbrojtjen kushtetuese të lirisë së fesë dhe ndërgjegjes dhe në faktin e të qenit qytetar i një shteti laik (shih paragrafin 7 më sipër).
27. Gjykata vëren se në atë kohë ishte e detyrueshme në Turqi për të treguar fenë në kartat e identitetit dhe se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të 21 qershorit 1995 kishte vendosur se kjo ishte në përputhje me nenin 24 § 3 të Kushtetutës, pavarësisht parashikimit në po të njëjtën dispozitë kushtetuese se "askush nuk detyrohet ... për të treguar fenë dhe bindjet e tij ose të saj".
28. Prandaj, duke pasur parasysh kontekstin ligjor në atë kohë, siç përshkruhet më sipër, Gjykata nuk ka asnjë dyshim se, në kërkesën për zëvendësimin në kartën e tij të identitetit të fjalës "Islami" me fjalën "Alevi" i cili tregon edhe besimin të tij, kërkuesi kërkonte të përfitonte nga mbrojtja kushtetuese e lirisë së fesë dhe ndërgjegjes garantuar me nenin 24 § 3 të kushtetutës Turke, veçanërisht pasi para Gjykatës së Kasacionit, ai kishte kundërshtuar deklarimin e detyrueshëm të fesë, duke kërkuar, në alternativë, që ajo do të fshihej nga kartën e tij e identitetit (shih paragrafin 10 më lart).
29. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se, në parashtresat e tij në gjykatat turke, kërkuesi i ishte referuar qartësisht për kërkesat e tij nenit 9 të Konventës. Për këtë arsye, kundërshtimi paraprak i qeverisë për mos shterimin e mjeteve ligjore të brendshme refuzohet.
2. Statusi viktimë
30. Qeveria parashtroi se kërkuesi nuk mund të pretendojë të jetë viktimë e një shkelje të së drejtës së tij për lirinë për të manifestuar fenë e tij. Ata argumentuan se mohimi i kërkesës së kërkuesit nuk dëmtonte thelbin e të drejtës së tij për të manifestuar fenë e tij, për shkak se treguesi i fesë në kartën e identitetit nuk mund të interpretohet si një masë shtrënguese për të gjithë qytetarët turq që të zbulojnë besimet e tyre fetare dhe bindjet dhe si një kufizim mbi lirinë për të manifestuar fenë e tyre në adhurime, predikime, praktika dhe kryerje të riteve. Për më tepër, duke iu referuar precedentit të gjykatave turke (shih paragrafin 16 më sipër), Qeveria argumentoi se kushdo që dëshironte të fshinte tërësisht informacionin përkatës mund t’u drejtohej gjykatave civile.
31. Gjykata vlerëson se argumenti i Qeverisë bazuar në mungesën e statusit të viktimës së kërkuesit ngre çështje që lidhen ngushtë me themelin e kërkesës sipas nenit 9 të Konventës. Për sa më sipër, Gjykata e bashkon këtë pretendim me shqyrtimin në themel të kërkesës.(shih, mutatis mutandis, Airey kundër Irlandës, 9 tetor 1979, § 19, Seria A, nr. 32).
3. Arsye të tjera papranueshmërie
32. Si përfundim, Gjykata vendos se kërkesa nuk është haptazi e pabazuar, në kuptim të nenit 35 § 3 të Konventës. Për më tepër, Gjykata vëren se ajo nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër. Prandaj, ajo vendos pranueshmërinë.
B. Pajtueshmëria me nenin 9 të Konventës
1. Parashtrimet e palëve
33. Qeveria parashtroi se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në ushtrimin nga ana e kërkuesit të së drejtës së tij për lirinë e fesë, sepse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet deklarimit të fesë në kartat e identitetit dhe të lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes. Ajo nuk mund të interpretohet si një kërkesë për zbulimin e besimit fetare të dikujt apo si një kufizim mbi lirinë për të manifestuar fenë në adhurime, predikime, praktikime dhe kryerje të ritualeve.
34. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë të 21 qershorit 1995 (shih paragrafin 16 më sipër), Qeveria parashtroi më tej se deklarimi i fesë në kartat e identitetit nuk prekte thelbin e së drejtës së lirisë së fesë dhe besimit; një gjë e tillë i shërbente politikave publike, interesit të përgjithshëm dhe nevojave sociale. Kjo në asnjë mënyrë nuk përbën një masë që të shtrëngojë individin për bërë të ditur bindjet e tij ose të saj, ose për ta censuruar ose ndjekur penalisht për bindjet e tij ose të saj fetare. Republika e Turqisë ishte një shtet laik, në të cilën liria e fesë u përfshi në mënyrë specifike në Kushtetutë. Masa e kundërshtuar, rrjedhimisht nuk mund të konsiderohet se kufizon lirinë e fesë të kërkuesit.
35. Për më tepër, sipas mendimit të Qeverisë, përmbajtja e kartës së identitetit nuk mund të përcaktohet në bazë të dëshirave të secilit individ. Duke pasur parasysh morinë e besimeve brenda Islamit (për shembull, "Hanefi" ose "Shafi") ose urdhërat e shenjtë (të tilla si "Mevlevi", "Qadiri" ose "Naqshbandi"), ka qenë e nevojshme për të mos përmendur edhe interpretimet e ndryshme ose degët e së njëjtës fe në mënyrë që të ruhej rendi publik dhe neutraliteti i Shtetit. Sa i përket rolit të Drejtorisë së Çështjeve Fetare, Qeveria parashtroi se, në përputhje me legjislacionin përkatës, drejtoria ishte përgjegjës për dhënien e këshillave për çështjet që lidhen me fenë Myslimane. Ajo vepronte në përputhje me parimin e laicitetit dhe ishte përgjegjëse që të mbante parasysh bazat themelore të fesë Myslimane të cilat ishin të vlefshme për të gjithë myslimanët. Për më tepër, duke iu referuar nenit 10 të Kushtetutës (shih paragrafin 12 më sipër), ata vunë në dukje se Shteti ishte i detyruar të siguronte që sektet dhe interpretimet e ndryshme brenda së njëjtës fe të trajtoheshin në mënyrë të barabartë.
36. Kërkuesi, i cili nuk i paraqiti vërejtjet e tij brenda kohës së lejuar, pretendoi në kërkesën e tij se mohimi i kërkesës së tij që feja "Islame" e treguar në kartën e tij të identitetit të zëvendësohej nga ajo "Alevi", që ishte besimi i tij, përbënte ndërhyrje në të drejtën e tij për lirinë për të praktikuar fenë e tij. Ai gjithashtu pretendoi se kishte qene i detyruar të deklaronte besimin e tij, pasi ishte detyruese vendosja e fesë përkatëse në kartat e identitetit.
2. Vlerësimi i Gjykatës
37. Gjykata rithekson se siç edhe është sanksionuar në nenin 9, liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë është një nga themelet e një "shoqërie demokratike" në kuptimin e Konventës. Ajo është, në dimensionin e saj fetar, një nga elementët më jetikë që shërbejnë për të krijuar identitetin e besimtarëve dhe konceptimin e tyre të jetës, por ajo është gjithashtu një aset i çmuar për ateistët, agnostikët, skeptikët dhe personat e pa interesuar në këto çështje. Pluralizmi i pandashëm nga shoqëria demokratike, i cili ka triumfuar gjatë shumë shekujve, varet nga kjo. Kjo liri përfshin, inter alia, lirinë për të pasur apo për të mos pasur besime fetare dhe për të praktikuar apo jo një fe. (shih, midis vendimesh të tjera, Kokkinakis kundër Greqisë, 25 maj 1993, § 31, Seria A nr. 260-A, dhe Buscarini dhe të Tjerët kundër San Marino [GC], nr. 24.645, § 34, ECHR 1999-I ).
38. Ndërkohë që liria fetare është kryesisht çështje e ndërgjegjes personale, ajo përfshin gjithashtu lirinë për të manifestuar fenë i vetëm dhe privatisht, ose në komunitet me të tjerët në publik ose në rrethin e atyre që ndajnë të njëjtin besim. Për më tepër, Gjykata ka pasur rastin të theksojë se neni 9 mishëron të drejtat negative, për shembull liria për të mos mbajtur besime fetare dhe të mos praktikuar një fe (shih, për këtë qëllim, Kokkinakis, dhe Buscarini dhe të Tjerë, cituar më lart).
39. Gjykata vëren se kërkuesi, i cili ka deklaruar se ishte një anëtar i bashkësisë fetare Alevi, duhej të mbante një kartë identiteti në të cilën feja e tij përcaktohej Islame. Më 7 maj 2004 kërkuesi iu drejtua Gjykatës së Rrethit Izmir duke kërkuar që në kartën e tij të identitetit, në kutinë ku shënohej feja të vendosej feja së cilës ai i përkiste (shih paragrafin 7 më sipër). Për më tepër, ai kundërshtoi detyrimin për deklarimin e fesë para Gjykatës së Kasacionit, duke kërkuar si alternativë që ajo të fshihej nga kartën e tij të identitetit, mbështetur në të drejtën e tij për të mos u detyruar të bëjë të ditur bindjet e tij (shih paragrafin 10 më lart). Megjithatë, në bazë të një opinioni të dhënë nga Drejtoria e Çështjeve Fetare, Gjykata e Rrethit refuzoi kërkesat e tij me arsyetimin se "në kartat e identiteti shënohen fetë kryesore në përgjithësi dhe jo interpretimet apo degët e një feje të caktuar". Për aq sa i interesonte gjykatës kombëtare, "besimi Alevi ishte një interpretim i Islamit i cili ishte ndikuar nga Sufizmi dhe që kishte karakteristika të veçanta kulturore" (shih paragrafin 9 më lart).
40. Gjykata vëren se, në përputhje me legjislacionin e brendshëm në fuqi në atë kohë, kërkuesi, si të gjithë qytetarët turq, ishte i detyruar të mbante një kartë identiteti që tregonte fenë e tij. Ky dokument publik duhej të tregohej sa herë kërkohej nga një autoritet publik ose ndërmarrje private apo në çdo kontekst tjetër formalitetesh kur kërkohej identifikimi i mbajtësit.
41. Në lidhje me këtë, Gjykata e konsideron të nevojshme të përsërisë se në rastin e Sofianopoulos dhe të Tjerët kundër Greqisë ((dec.), nr. 1977/02, 1988/02 dhe 1997/02, ECHR 2002-X), ajo vërejti se një kartë identiteti nuk mund të konsiderohet si një mjet që ka për qëllim të sigurojë të drejtën e individëve që i përkasin një feje apo besimi për ta ushtruar ose manifestuar atë. Megjithatë, ajo konsideron se e drejta për të manifestuar fenë ose bindjet ka edhe një aspekt negativ, përkatësisht të drejtën e individit për të mos qenë i detyruar të zbulojë fenë e tij ose të saj apo bindjet dhe të mos jetë i detyruar të veprojë në mënyrë të tillë që është e mundur të identifikohet se ai ose ajo mban - ose nuk mban - besime të tilla. Si pasojë, autoritetet shtetërore nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në sferën e lirisë së ndërgjegjes së një individi dhe të kërkojnë të zbulojnë bindjet e tij ose të saj fetare ose ta detyrojnë që t’i deklarojë ato (shih Alexandridis kundër Greqisë, nr. 19516/06, § 38, 21 shkurt 2008).
Gjykata do të shqyrtojë këtë rast nga këndvështrimi i aspektit negativ të lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes, përkatësisht të drejtën e një individi për të mos u detyruar të manifestojë besimin e tij ose të saj.
42. Gjykata nuk e vlerëson bindës argumentin e Qeverisë se treguesi i besimeve në fjalë nuk mund të interpretohet si një masë shtrënguese që i detyron të gjithë qytetarët turq të deklarojnë bindjet fetare dhe besimet e tyre. Çfarë është në diskutim këtu është e drejta për të mos deklaruar fenë ose bindjet, e cila bie në internum forum të çdo individi. Kjo e drejtë është e rrënjosur në nocionin e lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes. Nëse neni 9 do të interpretohej se lejon çdo lloj detyrimi lidhur me deklarimin e fesë apo besimit, kjo do të godiste thelbin e lirisë që synon të garantojë (shih, mutatis mutandis, Young, James dhe Webster kundër Mbretërisë së Bashkuar , 13 gusht 1981, § 52, Seria A nr. 44;. shih gjithashtu mendimin e pakicës të njërit prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, paragrafi 16 më sipër).
43. Për më tepër, duke pasur parasysh përdorimin e shpeshtë të kartës së identitetit (regjistrimit në shkolla, kontrollet e identitetit, shërbimin ushtarak dhe kështu me radhë), shënimi i besimeve fetare në një dokument zyrtar të tilla si kartat e identitetit e ekspozon bartësin e saj ndaj rrezikut të situatave diskriminuese në marrëdhëniet e tyre me autoritetet administrative (shih Sofianopoulos dhe të Tjerët, të cituar më lart).
44. Gjithashtu, Gjykata nuk gjen arsye që justifikojnë nevojën e deklarimit të fesë në regjistrat civilë apo në kartat e identitetit për qëllime demografike, e cila domosdoshmërisht kërkon që legjislacioni të bëjë të detyrueshëm deklarimin e besimeve fetare të dikujt.
45. Gjykata vëren gjithashtu se kërkuesi kundërshtoi refuzimin e kërkesës së tij, gjatë procedurës për refuzimin e së cilës Drejtoria e Çështjeve Fetare e kishte përshkruar besimin e tij si një interpretim të Islamit (shih paragrafin 22 më lart). Në këtë aspekt, Gjykata vëren se ajo ka theksuar gjithmonë se, në një shoqëri demokratike, ku Shteti është garantuesi themelor i pluralizmit, përfshirë pluralizmin fetar, roli i autoriteteve nuk është që të miratojnë masa që favorizojnë një interpretim të fesë mbi një tjetër, me qëllim që të detyrojnë një komunitet të tërë, ose pjesë të tij, për t’u bashkuar nën një udhëheqje të vetme kundër dëshirës së tyre (shih Serif kundër Greqisë, nr. 38178/97, § 53, ECHR 1999-IX). Detyrimi i Shtetit për neutralitet dhe objektivitet, siç është përcaktuar në jurisprudencën e saj, është i papajtueshëm me çdo pushtet nga ana e Shtetit për të vlerësuar legjitimitetin e besimeve fetare, dhe kërkon që shteti të sigurojë që grupet e kundërta të tolerojnë njëri-tjetrin, madje edhe kur e kanë origjinën në të njëjtin grup (shih, mutatis mutandis, Manoussakis dhe të Tjerët kundër Greqisë, 26 shtator 1996, § 47, Raportet e gjykimeve dhe vendimeve 1996-IV, shih edhe Mitropoliti i Kishës së Besarabisë dhe të Tjerët kundër Moldavisë, nr. 45701/99 , § 123, ECHR 2001-XII).
46. Prandaj, Gjykata konsideron se vlerësimi i fesë së kërkuesit nga autoritetet vendore, në bazë të një opinioni të lëshuar nga një autoritet përgjegjës për çështjet fetare Islame, është në shkelje të detyrimit të Shtetit për neutralitet dhe objektivitet.
47. Qeveria solli në vëmendjen e Gjykatës faktin se që prej amendimit ligjor që rezultoi nga ligji për Shërbimin e Gjendjes Civile, kërkuesi kishte të drejtë të kërkonte që kutia ku përcaktohej feja të lihej bosh (shih paragrafët 17-18 më lart).
48. Gjykata vëren se sipas ligjit për Shërbimin e Gjendjes Civile të datës 29 prill 2006, regjistrat civilë vazhdojnë të mbajnë informacion mbi të fenë e individëve (neni 7 i këtij ligji). Megjithatë, sipas nenit 35 (2), "Informacioni në lidhje me besimin fetar të një personi duhet regjistruar ose ndryshuar sipas deklaratave me shkrim të personit në fjalë; kutia ku përcaktohet besimi fetar mund të lihet bosh ose informacioni të fshihet."
49. Sipas mendimit të Gjykatës, ky mendim nuk ndikon në konsideratat e shprehura më sipër, sepse kartat e identitetit ende përmbanin një kuti ku përcaktohej feja – e plotësuar apo e lënë bosh qoftë. Për më tepër, kushdo që dëshironte të ndryshonte informacionin në lidhje me fenë e tij apo të saj, siç tregohet në kartën e identitetit ose të refuzimit për të treguar fenë e tij apo të saj në kartë duhet të paraqiste një deklaratë me shkrim. Edhe pse legjislacioni përkatës dhe rregulloret nuk ishin shprehur lidhur me përmbajtjen e kësaj deklarate, Gjykata vëren se thjesht fakti i nevojës për të kërkuar që të fshihet informacioni për fenë në regjistrat e gjendjes civile, mund të përbëjë zbulim të informacionit në lidhje me një aspekt të qëndrimit të individit ndaj fesë (shih, midis vendimesh të tjera, Folgerø dhe të Tjerët kundër Norvegjisë [GC], nr. 15.472//02, § 98, ECHR 2007-III, si dhe Hasani dhe Eylem Zengin, cituar më lart, § 73).
50. Kjo vlen edhe për kërkuesin. Ai duhet të informojë autoritetet për besimin të tij në mënyrë që ky informacion të regjistrohej në kartën e tij të identitetit. Duke qenë se karta merret në këtë mënyrë dhe përdorohet shpesh në jetën e përditshme, ajo përbën de facto një dokument që i kërkon kërkuesit të bëjë të ditur bindjet e tij fetare kundër dëshirës së tij, çdo herë që atij i duhet ta përdorë atë.
51. Në çdo rast, kur kartat e identitetit kanë një kuti ku përcaktohet feja, duke lënë bosh atë kuti në mënyrë të pashmangshme lihet të kuptohet diçka e veçantë. Bartësit e kartave të identitetit që nuk përmbajnë informacion në lidhje me fenë do të dallohen, kundër vullnetit të tyre dhe si rezultat i ndërhyrjes nga ana e autoriteteve, nga ata që kanë një kartë identiteti që tregon bindjet e tyre fetare. Për më tepër, fakti i mos tregimit të këtij informacioni në kartat e identitetit është i lidhur ngushtë me besimet më të thella që mban një individ. Prandaj, Gjykata konsideron se këtu ngrihet përsëri çështja e zbulimit të një prej aspekteve më intime të një individi.
52. Kjo situatë është padyshim në kundërshtim me parimin e lirisë për të mos manifestuar fenë ose besimin. Duke pranuar sa më sipër, Gjykata vëren se shkelja në fjalë lind jo nga refuzimi për të shënuar besimin e kërkuesit (Alevi) në kartën e tij të identitetit, por nga deklarimi - i detyrueshëm apo me zgjedhje - i fesë në kartën e identitetit. Ajo, pra, arrin në përfundimin se kërkuesi ende mund të pretendojë të jetë viktimë e një shkeljeje, pavarësisht amendimit legjislativ të miratuar më 29 prill 2006, dhe hedh poshtë kundërshtimin e Qeverisë (shih paragrafin 31 më lart).
53. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të nenin 9 të Konventës.
III. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 6 DHE 14 TË KONVENTËS
54. Kërkuesi gjithashtu pretendoi shkelje të nenit 6 të Konventës për shkak se Gjykata e Rrethit kishte kërkuar vetëm mendimin e Drejtorisë së Çështjeve Fetare, një institucion publik. Sipas tij, ky institucion nuk ishte i kualifikuar për të dhënë një opinion mbi Alevin pasi ai nuk ishte i specializuar në këtë besim dhe nuk kishte asnjë interes në të. Ai shtoi se nëse gjykata do kishte kërkuar mendimin e Federatës së Shoqatës së Alevi- Bektashi (një federatë private e shoqatave Alevi), interpretimi i saj do të kishte qenë ndryshe nga ai i Drejtorisë së Çështjeve Fetare. Gjykata duhet të kishte kërkuar mendimin e kësaj federate apo të specialistëve të çështjeve fetare. Për sa më sipër, kërkuesi argumentoi se gjykatat vendase kishin kryer një hetim të papërshtatshëm, duke e bërë procesin të padrejtë.
55. Së fundi, kërkuesi deklaroi se kërkesa e tij ishte refuzuar nga gjykatat e brendshme, sepse ai ishte një anëtar i bashkësisë fetare Alevi. Gjykata e Rrethit kishte kërkuar thjesht mendimin e një institucioni publik, i cili mohoi ekzistencën e Alevit dhe nuk kishte kërkuar mendimin e federatës së lartpërmendur. Sipas pikëpamjes së kërkuesit, ky ishte një qëndrim diskriminues duke përbërë kështu shkelje të nenit 14 të Konventës.
56. Qeveria e kundërshtoi këtë pretendim.
57. Gjykata vëren se këto pretendime janë të lidhura me ato që ajo ka shqyrtuar më lart dhe për këtë arsye duhet të deklarohen të pranueshme. Megjithatë, duke pasur parasysh përfundimet e saj në bazë të nenit 9 të Konventës (shih paragrafin 53 më sipër), Gjykata vlerëson se nuk është e nevojshme të shqyrtohet veçmas nëse kishte në këtë rast shkelje të dispozitave të tjera të cilave kërkuesi iu referohej.
IV. ZBATIMI I NENIT 41 DHE 46 TË KONVENTËS
58. Nenet 41 dhe 46 të Konventës parashikojnë:
Neni 41
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar..”
Neni 46
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr ekzekutimin e tij”.
59. Kërkuesi nuk paraqiti një kërkesë për shpërblim të drejtë brenda limitit kohor të përcaktuar. Prandaj, Gjykata konsideron se nuk është e nevojshme t’i akordohet një shumë lidhur me këtë.
60. Gjykata vëren gjithashtu se në rastin konkret, ajo ka vendosur se zbulimi i fesë së qytetarëve në regjistrat e gjendjes civile ose në kartat e identitetit është i papajtueshëm me lirinë për të mos deklaruar fenë (shih paragrafin 53 më lart). Këto përfundime në vetvete nënkuptojnë se shkelja e të drejtës së kërkuesit, garantuar me nenin 9 të Konventës, ka ardhur si rrjedhojë e deklarimit – të detyrueshëm apo me zgjedhje – të fesë në kartat e identitetit. Lidhur me këtë, ajo vlerëson se heqja e kutisë ku përcaktohet feja mund të përbëjë një formë të përshtatshme për t’i dhënë fund shkeljes së gjetur.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATAE deklaron, me shumicë kërkesën të pranueshme;
Bashkon me themelin, me gjashtë vota pro dhe një kundër, kundërshtimet paraprake të Qeverise lidhur me statusin viktimë të kërkuesit dhe i rrëzon ato me gjashtë vota pro dhe një kundër;
Vendos, se ka pasur shkelje të nenit 9 të Konventës me gjashtë vota pro dhe një kundër;
Vendos, me gjashtë vota pro dhe një kundër, se nuk është i nevojshëm shqyrtimi më vete i pretendimit për shkelje të neneve 6 dhe 14 të Konventës në rastin konkret.
Përgatitur në gjuhën franceze dhe njoftuar me shkrim më 2 shkurt 2010, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Sally DolléFrançoise Tulkens Kancelare President
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jotregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund) Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Tout personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Pjesa më e madhe e popullsisë turke janë ndjekës të shkollës teologjike të Hanafitë që është një interpretim i moderuar i Islamit.
[1]. Ali ishte Kalifi i katërt i Islamit. Ai konsiderohet nga ndjekësit e Alevit si Imami i parë dhe që ka luajtur një rol kryesor në atë besim.
Full & Egal Universal Law Academy