GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA SINDICATUL “PĂSTORUL CEL BUN” KUNDËR RUMANISË
(Kërkesë nr. 2330/09)
VENDIM
STRASBURG
9 Korrik 2013
Ky vendim është i formës së prerë, por mund të rishikohet nga ana redaktoriale.
Në çështjen Sindicatul “Păstorul cel Bun” k. Rumanisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur si Dhomë e Madhe e përbëra nga:
Dean Spielmann, President,
Guido Raimondi,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Boštjan M. Zupančič,
Elisabeth Steiner,
Danutė Jočienė,
Dragoljub Popović,
George Nicolaou,
Luis López Guerra,
Ledi Bianku,
Vincent A. de Gaetano,
Angelika Nußberger,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Erik Møse,
Helena Jäderblom,
Krzysztof Wojtyczek, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvendës Regjistrues,
Pas shqyrtimit në seancë të mbyllur më 7 Nëntor 2012 dhe më 5 Qershor 2013,
Jep vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur më lart:
PROÇEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në një kërkesë (nr. 2330/09) kundër Rumanisë, depozituar në Gjykatë në bazë të Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një sindikatë, Păstorul cel Bun (“Bariu i Mirë” – “sindikata kërkuese”), më 30 Dhjetor 2008. Presidenti i Dhomës së Madhe ka aprovuar kërkesën e anëtarëve të sindikatës kërkuese për moszbulimin e identitetit të tyre (Rregulli 47 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
2. Sindikata kërkuese, të cilës i ishte akorduar ndihmë ligjore, përfaqësohej nga Z. R. Chiriţă, jurist që e ushtronte profesionin në Cluj Napoca. Qeveria rumune (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjenti i tyre, Z. C. Brumar, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
3. Sindikata kërkuese pretendonte se refuzimi i kërkesës së saj për t’u regjistruar si sindikatë kishte shkelur të drejtën e anëtarëve të saj për të formuar sindikatë, të garantuar nga Neni 11 i Konventës.
4. Kërkesa iu caktua Seksionit të Tretë të Gjykatës (Rregulli 52 § 1). Më 31 Janar 2012, një Dhomë e këtij Seksioni, e përbërë nga gjyqtarët e mëposhtëm: Josep Casadevall, Egbert Myjer, Ján Šikuta, Ineta Ziemele, Nona Tsotsoria, Mihai Poalelungi dhe Kristina Pardalos, si dhe nga Santiago Quesada, Regjistrues i Seksionit, dha vendimin i cili, në mënyrë unanime, e shpallte kërkesën të pranueshme dhe shprehej, me pesë vota kundrejt dy, se ishte shkelur Neni 11 i Konventës.
5. Më 9 Korrik 2012, pas një kërkese të paraqitur nga Qeveria më 27 Prill 2012, paneli i Dhomës së Madhe vendosi t’ia përcjellë çështjen Dhomës së Madhe sipas Nenit 43 të Konventës.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e Nenit 27 §§ 2 dhe 3 të Konventës dhe të Rregullit 24. Corneliu Bîrsan, gjyqtari i zgjedhur për llogari të Rumanisë, u tërhoq nga gjykimi i kësaj çështje (Rregulli 28). Presidenti i Dhomës së Madhe për rrjedhojë caktoi Angelika Nußberger të merrte pjesë si gjyqtare ad hoc në vend të tij (Neni 26 § 4 i Konventës dhe Rregulli 29 § 1).
7. Sindikata kërkuese dhe Qeveria depozituan përkatësisht komente të tjera me shkrim (Rregulli 59 § 1).
8. Leja për ndërhyrje në procedure me komente me shkrim (Neni 36 § 2 i Konventës dhe Rregulli 44 § 2) iu akordua organizatës jo-qeveritare Qendra Evropiane për Ligj dhe Drejtësi dhe Kryedioqezës së Craiova-s, të cilët kishin ndërhyrë edhe më parë në proceset përpara Dhomës, si palë të treta, po ashtu edhe Patriarkatit të Moskës, organizatës jo-qeveritare Becket Fund dhe Qendrës Ndërkombëtare për Ligj dhe Studime Fetare, si dhe Qeverive të Republikës së Moldavisë, Polonisë, Gjeorgjisë dhe Greqisë.
9. Më 7 Nëntor 2012, në Godinën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg u mbajt një seancë dëgjimore e hapur (Rregulli 59 § 3).
Përpara Gjykatës u paraqitën:
(a) për Qeverinë
ZnjC. Brumar,Agjente,
ZnjI. Cambrea,bashkë-Agjente,
ZD. Dumitrache,
ZnjA. Neagu, Këshilltarë;
(b) për sindikatën kërkuese
ZR. Chiriţă,
ZI. Gruia, Këshilltar,
ZnjO. Chiriţă, Këshilltare.
Gjykata dëgjoi parashtrimet e bëra nga Z. Chiriţă, Ms Brumar dhe Znj. Neagu.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
10. Më 4 Prill 2008, tridhjetë e dy priftërinj ortodoksë nga famullitë e Metropolisë së Oltenia-s, shumica e të cilëve brenda juridiksionit të Kryedioqezës së Craiova-s (një rajon në Rumaninë jug-perëndimorea), dhe tre punonjës laikë të së njëjtës kryedioqezë mbajtën një takim të përgjithshëm ku vendosën për krijimin e sindikatës Păstorul cel Bun. Pjesët relevante të dokumentit statutor të sindikatës, të miratuar në takim, shpreheshin sa më poshtë:
“Qëllimi i sindikatës së klerikëve dhe personave laikë që punojnë në famullitë apo organet e tjera kishëtare brenda juridiksionit administrativ dhe territorial të Metropolisë së Oltenia-s, është përcaktuar me vullnet të lirë. Ai do të konsistojë në përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave profesionale, ekonomike, sociale dhe kulturore të anëtarëve të saj, klerikë e laikë, në marrëdhniet e tyre me hierarkinë e Kishës dhe me Ministrinë e Kulturës dhe Çështjeve Fetare.
Me qëllim që të arrijë përmbushjen e këtij qëllimi, sindikata:
(a) do sigurojë respektimin e të drejtave themelore të anëtarëve të saj për punë, dinjitet, mbrojtje sociale, siguri në punë, pushim, sigurime shoqërore, përfitime të papunësisë, të drejtën e pensionit e të drejta të tjera të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
(b) do sigurojë që secili prej anëtarëve të saj të jetë i aftë të kryejë punën e tij në përputhje me kualifikimin dhe shprehitë e tij profesionale;
(c) do sigurojë pajtueshmërinë me dispozitat statutore për kohëzgjatjen e periudhës së lejes dhe ditët e pushimit;
(d) do promovojë iniciativën, konkurencën dhe lirinë e shprehjes mes anëtarëve të saj;
(e) do sigurojë zbatimin dhe respektimin me rreptësi të dispozitave statutore për mbrojtjen e punësimit dhe të drejtave që rrjedhin prej tyre;
(f) do sigurojë zbatimin e dispozitave të Ligjit nr. 489/2006 mbi lirinë fetare dhe statusin ligjor të bashkësive fetare, Statutit të Kishës Ortodokse Rumune dhe Ligjet e Shenjta të Kishës Ortodokse Rumune;
(g) do të negociojë marrëveshje dhe kontrata kolektive punësimi me Kryedioqezën dhe Metropolinë duke përcaktuar në mënyrë të shprehur të gjitha të drejtat dhe detyrat e klerikëve dhe personave laikë;
(h) do të sigurojë mbrojtje për presidentin dhe anëtarët e saj, si gjatë edhe pas përfundimit të mandatit të tyre;
(i) do të sigurojë përfaqësimin e saj në të gjitha nivelet dhe në të gjithë organet vendimmarrëse, në përputhje me dispozitat statutore në fuqi;
(j) do të përdorë peticionet, demonstratat dhe grevat si mjete për mbrojtjen e interesave të anëtarëve të saj dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e tyre themelore;
(k) do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj çdo individi apo entiteti tjetër që vepron në kundërshtim me legjislacionin e punësimit, ligjin e sindikatave, dispozitat e marreveshjes kolektive të nënshkruar brenda Metropolisë apo të kontratës së punësimit, nëse zgjidhja e mosmarrëveshjeve në fjalë përmes negociatave ka rezultuar e pamundur;
(l) do të sigurojë respektimin dhe zbatimin e dispozitave statutore për shpërblimin dhe garancitë e kushteve korrekte të jetesës;
(m) do të përpiqet të sigurojë përfitimin nga klerikët dhe personat laikë të të gjitha të drejtave të gëzuara nga sektorët e tjerë të shoqërisë;
(n) do të ngrejë fonde të ndihmës reciproke;
(o) do të prodhojë dhe nxjerrë në qarkullim botime që sigurojnë informacion për anëtarët e saj dhe mbrojtjen e interesave të tyre;
(p) do të themelojë dhe do të vejë në funksionim organizata kulturore, arsimore dhe kërkimore në fushën e sindikatave, si dhe institucione sociale dhe social-ekonomike, në përputhje me dispozitat statutore përkatëse dhe në interes të anëtarëve të saj;
(r) do të ngrejë fonde për të mbështetur anëtarët e saj;
(s) do të organizoje dhe financojë aktivitete fetare;
(sh) do të bëjë propozime për zgjedhjet në organet lokale të Kishës dhe do të caktojë një prift, nga rradhët e anëtarëve të saj, për të marrë pjesë në Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Rumune;
(t) do t’i kërkojë Kryedioqezës t’i paraqesë Asamblesë së Priftërinjve një raport mbi të ardhurat dhe shpenzimet; dhe
(th) do t’i kërkojë Këshillit të Kryedioqezës ta njoftojë atë çdo tremujor, apo një herë në vit, për çdo vendim në lidhje me emërimet, transferimet dhe caktimin e burimeve buxhetore.”
11. Në përpudhje me Ligjin për Sindikatat (Ligji nr. 54/2003), presidenti i zgjedhur i sindikatës depozitoi një kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Craiova-s për dhënien e statusit së personit juridik sindikatës dhe futjen e saj në regjistrin e sindikatave, duke parashtruar se kërkesa për regjistrim ishte në përputhje me Ligjin e Sindikatave (Ligji nr. 54/2003) dhe se Ligji i Lirisë Fetare (Ligji nr. 489/2006) nuk e ndalonte formimin e sindikatës.
12. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, që përfaqësonte Shtetin në proces, e mbështeti kërkesën për regjistrim duke parashtruar se formimi i një sindikate për pjestarët e klerit dhe personelin laik nuk përbënte shkelje të ndonjë dispozite ligjore. Ajo shtoi se, përderisa anëtarët e sindikatës ishin punonjës që punonin në bazë kontratash punësimi, ata kishin të drejtë, si çdo punonjës tjetër, të bashkoheshin në një sindikatë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
13. Kryedioqeza e Craiova-s, duke ndërhyrë në proces si palë e tretë, konfirmoi se anëtarët e sindikatës ishin të punësuar nga Kryedioqeza, por argumentoi se krijimi i sindikatës, pa pëlqimin dhe bekimin (“lejen”) e Kryepeshkopit, ndalohej nga Statuti i Kishës Ortodokse Rumune, miratuar me Urdhër Qeverie Nr. 53/2008. Ajo shtoi se Statuti i ndalonte priftërinjtë të merrnin pjesë në procese para gjykatave civile, madje edhe në lidhje me mosmarrëveshje personale, pa marrë paraprakisht lejen me shkrim të kryepeshkopit. Duke theksuar se priftërinjtë kryesonin asambletë e famullive dhe organet drejtuese, Kryedioqeza parashtroi se, si të tillë, ata ishin të paaftë të krijonin sindikata, pasi Ligji nr. 54/2003 ia ndalonte këtë gjë çdokujt që ushtronte funksione menaxhuese. Në fund, ajo paraqiti deklaratat me shkrim të tetë anëtarëve të sindikatës, ku thuhej se ata nuk dëshironin më të ishin pjesë e saj.
14. Duke vërejtur se kërkesa për regjistrim plotësonte kërkesat formale të Ligjit nr. 54/2003, gjykata vendosi që kërkesa duhej shqyrtuar sipas seksioneve 2 dhe 3 të atij Ligji, Nenit 39 të Kodit të Punës, Nenit 40 të Kushtetutës, Nenit 22 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Nenit 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
15. Në një vendim të 22 Majit 2008 gjykata e pranoi kërkesën e sindikatës dhe urdhëroi përfshirjen e saj në regjistrin e sindikatave, rrjedhimisht duke i dhënë asaj statusin e personit juridik.
16. Në pjesët relevante të vendimit thuhej si më poshtë:
“Pala e tretë parashtron se kërkesa për krijimin e sindikatës shkel legjislacionin special për lirinë fetare dhe statusin ligjor të bashkësive fetare e gjithashtu, në mungesë të bekimit nga Kryepeshkopi apo të lejes me shkrim për të marrë pjesë në procesin gjyqësor (një kërkesë kjo e zbatueshme edhe për mosmarrëveshjet personale), edhe Statutin e Kishës Ortodokse Rumune.
Duke patur parasysh dispozitat e Statutit të Kishës dhe Ligjin për Lirinë Fetare (Ligji nr. 489/2006), gjykata hodhi poshtë argumentet e palës së tretë si të pabazuara për arsyet e parashtruara më poshtë.
Gjykata vëren se, në përputhje me seksionin 5(4) të Ligjit nr. 489/2006, bashkësive fetare, shoqatave dhe grupeve fetare u kërkohet të respektojnë Kushtetutën dhe aktivitetet e tyre nuk duhet të kërcënojnë sigurinë kombëtare, rendin publik, shëndetin dhe moralin publik apo të drejtat dhe liritë themelore.
Gjykata vëren më tej se Statuti i Kishës, i miratuar me Urdhër Qeverie nr. 53/2008, nuk ndalon shprehimisht krijimin e një sindikate për klerikët apo personelin laik sipas legjislacionit të punës. Pala e tretë, e cila argumenton se e drejta për krijimin e një sindikate është në varësi të marrjes së bekimit të kryepeshkopit, nuk ka kundërshtuar që anëtarët themelues të sindikatës janë punonjës me kontratë.
Argumentet e palës së tretë janë analizuar në dritën e seksioneve 7 dhe 10 të Ligjit për Lirinë Fetare, i cili njeh rolin e rëndësishëm të Kishës Ortodokse Rumune dhe autonominë e saj organizative dhe operacionale, seksionit 1(2) të të njëjtit Ligj, i cili parashikon se ‘askush nuk ndalohet apo detyrohet të përqafojë një opinion fetar në kundërshtim me besimet e tij apo saj’ dhe se ‘askush nuk do të vuajë diskriminim a persekutim, apo do të vendoset në një pozitë inferiore për shkak të besimit të tij apo të saj, qenies apo jo anëtar i një bashkësie, grupi apo shoqate fetare, apo për shkak të ushtrimit të lirisë së fesë në përputhje me ligjin’.
Për sa kohë klerikët dhe personat laikë njihen si punonjës, ata kanë të drejtën statutore për formim sindikatash. Kjo e drejtë nuk mund t’i nënshtrohet asnjë kufizimi bazuar në përkatësinë fetare apo në marrjen paraprakisht të lejes nga hierarkia institucionale.
Në mendimin e gjykatës, parimi i varësisë hierarkike dhe i bindjes, që përcaktohej në Statut, nuk mund të përdorej si bazë për kufizimin e të drejtës për formimin e një sindikate; të vetmet kufizime të lejueshme në këtë fushë duhet të ishin të përcaktuara me ligj dhe të domosdoshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë kombëtare, sigurisë publike, parandalimit të trazirave dhe krimit, mbrojtjes së shëndetit apo moralit, apo mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
Argumenti i palës së tretë se kërkuesit nuk kishin marrë lejen e kryepeshkopit për të marrë pjesë në proceset në gjykatat civile po ashtu duhet hedhur poshtë përderisa Neni 21 i Kushtetutës parashikon: ‘Çdokush ka të drejtën të bëjë kërkesë para gjykatave për mbrojtjen e të drejtave, lirive apo interesave të tij legjitime. Ushtrimi i kësaj të drejte nuk kufizohet nga asnjë statut.’
Themelimi i një sindikate nuk tregon domosdoshmërisht ekzistencën e një rryme kundërshtuese brenda Kishës Ortodokse Rumune, shpërfillëse ndaj hierarkisë dhe rregullave të vendosura nga Kisha; përkundrazi, ajo ka të ngjarë të kontribuojë në dialogun punëdhënës-punëmarrës për çështje të tilla si negociimi i kontratave të punësimit, respektimi i orëve të punës dhe ato jashë orarit të punës dhe rregullat në lidhje me shpërblimin, mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë në punë, kualifikimin profesional, mbulimin mjeksor dhe mundësinë për të zgjedhur përfaqësues dhe për të kandiduar në zgjedhjet për organet vendim-marrëse, duke i kushtuar vëmendjen e duhur karakteristikave speciale të Kishës dhe qëllimit të saj fetar, shpirtëror, kulturor, edukativ, social e bamirës.
Duke pasur parasysh sa më lart, në përputhje me seksionin 15 të Ligit nr. 54/2003, gjykata miraton kërkesën, hedh poshtë kundërshtimin e palës së tretë, i jep statusin e personit juridik sindikatës dhe urdhëron futjen e saj në regjistrin e sindikatave.”
17. Kryedioqeza kundërshtoi vendimin, duke argumentuar se dispozitat e ligjit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, ku bazohej ai, nuk ishin të zbatueshme për çështjen në fjalë. Duke u mbështetur tek Neni 29 i Kushtetutës, i cili garanton lirinë fetare dhe autonominë e bashkësive fetare, ajo argumentoi se parimi i lirisë fetare nuk mund të shvleftësohej nga parime të tjera kushtetuese si liria e krijimit të shoqatave, përfshirë lirinë e organizimit.
18. Ajo parashtroi se lindja brenda strukturës së Kishës të një organizate të llojit të sindikatës për klerikët, do të rrezikonte seriozisht lirinë e bashkësive fetare për t’u organizuar sipas traditave të tyre. Vendimi i gjykatës së shkallës së parë u kishte shtuar një institucion të ri, sindikatën e priftërinjve, institucioneve ekzistuese të Kishës, duke rrezikuar në këtë mënyrë autonominë e bashkësive fetare, që garantohej nga Kushtetuta.
19. Kryedioqeza kritikoi po ashtu edhe qëllimet e shpallura të sindikatës kërkuese, duke argumentuar se ato ishin në kundërshtim me detyrat e përcaktuara në “përshkrimin e punës” dhe të pranuara nga priftërinjtë në bazë të “betimit për besim”. Ajo theksoi se mbas shugurimit të tyre, të gjithë priftërinjtë kishin marrë persipër të zbatonin të gjithë dispozitat e Statutit të Kishës, rregulloren e organeve disiplinore dhe gjyqësore të Kishës dhe vendimet e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Rumune, të asambeleve lokale kishtare dhe të këshillit të famullisë.
20. Në Qershor 2008 Sinodi i Shenjtë deklaroi se iniciativat e marra nga priftërinjtë e rajoneve të ndryshme të vendit për ngritjen e sindikatave ishin në shkelje të ligjit, kanoneve dhe Statutit të Kishës.
21. Në një vendim përfundimtar të 11 Korrikut 2008 Gjykata e Rrethit Dolj pranoi kërkesën për apel të Kryedioqezës dhe revokoi regjistrimin e sindikatës.
22. Pjesët relevante të vendimit shpreheshin si më poshtë:
“Kisha Ortodokse Rumune është e organizuar dhe funksionon në përputhje me Statutin e saj, miratuar me Urdhër Qeverie Nr. 53/2008. Statuti i ndalon priftërinjtë të ngrenë shoqata, fondacione apo organizata të çdo lloji, rrjedhimisht edhe sindikata. Ky ndalim ka për qëllim të garantojë të drejtat dhe liritë e Kishës Ortodokse Rumune duke e lejuar atë të ruajë traditat ortodokse dhe parimet e saj themeluese.
Sipas seksionit 6(2) të Ligjit nr. 54/2003, rregulloret e brendëshme nuk mund të përmbajnë asnjë dispozitë që është në kundërshtim me Kushtetutën apo ligjin.
Themelimi i një sindikate do të bënte që organet konsultative dhe vendimmarrëse të parashikuara nga Statuti, të zëvendësohen apo të detyrohen të punojnë sëbashku me një organ të ri (sindikata) që nuk është nën detyrimin e traditave të Kishës dhe rregullave të ligjit kanonik që rregullojnë konsultimet dhe vendim-marrjen.
Liria për organizimin e bashkësive fetare njihet nga Kushtetuta dhe Ligji nr. 489/2006 për lirinë fetare dhe statusin ligjor të organizatave fetare. Çdo organizatë e tillë harton statutin e saj, që rregullon organizimin e saj të brendshëm, të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të saj, proçedurat e saj vendim-marrëse dhe funksionimin e organeve të saj disiplinore.
Sipas Nenit 14 (w) të [Statutit të Kishës Ortodokse], Sinodi i Thjeshtë merr vendime në lidhje me themelimin, funksionimin apo shpërndarjen e shoqatave dhe fondacioneve fetare nacionale të ngritura dhe të menaxhuara nga Kisha Ortodokse Rumune; [ai] jep ose refuzon lejen për themelimin, funksionimin apo shpërndarjen e shoqatave apo fondacioneve fetare, që kanë organet e veta qeverisëse dhe operojnë brenda nënndarjeve territoriale të Patriarkatit Ortodoks Rumun.
Nga dispozitat e mësipërme, të cilat nuk i referohen sindikatave, del se shoqatat dhe fondacionet duhet të jenë të natyrës fetare dhe nacionale.
Po ashtu nga Neni 50 (e) i Statutit të Kishës Ortodokse del se priftërinjtë nuk mund të përfaqësojnë famullitë e tyre në procese gjyqësore pa marrë paraprakisht leje me shkrim nga peshkopi. Po kështu, në bazë të betimit për bindje ndaj peshkopit, që ata e bëjnë me t’u shuguruar, klerikët nuk mund të marrin pjesë në procese gjyqësore për çështje personale pa marrë fillimisht lejen me shkrim të peshkopit.
Ligji nr. 54/2003 parashikon që personat që kryejnë funksione menaxhuese apo funksione që përfshijnë ushtrimin e autoritetit publik, gjyqësori, forcat e armatosura, policia dhe pjestarët e forcave speciale nuk mund të formojnë sindikata.
Në çështjen aktuale Statuti e përkufizon famullinë, e cila është një nënndarje e Kishës Ortodokse, si një bashkësi të krishterësh ortodoksë, klerikë dhe laikë, e vendosur në një zonë gjeografike të specifikuar, në varësinë kishtare, ligjore, administrative e ekonomike të dioqezës, dhe e udhëhequr nga një prift.
Nga shqyrtimi i listës së priftërinjve të përfshirë në këtë çështje zbulohet se ata kryesojnë asambletë dhe këshillat e famullive të tyre. Përderisa ata kryejnë funksione menaxhuese dhe paguhen për këtë në përputhje me dispozitat e lart-përmendura, ata nuk mund të formojnë sindikata.
Nisur nga sa më sipër, gjykata e pranon kërkesën për apel, anullon vendimin dhe refuzon kërkesën për regjistrimin e sindikatës.”
23. Më 29 Shtator 2008, përpjekja për themelimin e sindikatës kërkuese është diskutuar në Sinodin e Metropolisë së Oltenia-s. Sinodi vendosi se, në rast se anëtarët e sindikatës do të depozitonin kërkesë në gjykatë, ata duheshin ndëshkuar dhe referuar tek organet disiplinore. Si rrezultat, anëtarët në fjalë u thirrën në selinë e Kryedioqezës, ku disa prej tyre nënshkruan deklarata sipas të cilave ata nuk dëshironin të vazhdonin më tej me bërjen e kërkesës.
24. Në një letër të datës 21 Qershor 2010 kancelaria e Patriarkatit Ortodoks Rumun i kujtoi Kryedioqezës se priftërinjve u ndalohej të bënin kërkesë në gjykatat e brendëshme apo ndërkombëtare pa lejen e autoriteteve të tyre dhe i kërkoi asaj t’u merrte deklarata me shkrim priftërinjve në fjalë, ku të thuhej se ata nuk dëshironin të vazhdonin më tej me kërkesën dhe, në rast refuzimi nga ana e tyre, t’i referonte ata tek organet e duhura disiplinore. Disa prej priftërinjve, pavarësisht se i kishin nënshkruar deklaratat, informuan Gjykatën se kishin ndërmend të vazhdonin më tej me kërkesën e depozituar në emër të sindikatës.
25. Më 19 Prill 2010 tre priftërinj që kishin qenë anëtarë të sindikatës kërkuese, bashkë me pesë persona të tjerë, krijuan një shoqatë me emrin Apostolia. Shoqata u miratua nga Kryepeshkopi i Craiova-s, i cili u vuri në dispozicion zyrat për selinë e tyre. Ajo u regjistrua në Gjykatën e Shkallës së Parë të Craiova-s më 8 Qershor 2010.
26. Qëllimet e shoqatës, sipas përcaktimit në nenet e shoqatës, janë: edukimi i njerëzve me frymën e moralit ortodoks; promovimi i një ndjenje solidariteti mes klerit dhe besimtarëve; ngritja e fondeve për botimin e dokumenteve për mbrojtjen e besimit dhe traditave; organizimi dhe mbështetja e aktiviteteve kulturore, fetare dhe sociale; mbajtja e një qëndrimi në lidhje me ngjarjet, iniciativat e demonstratat që denigrojnë moralin e krishterë, besimin ortodoks, identitetin dhe traditat kombëtare; dhe përdorimi i të gjitha mjeteve ligjore për publikimin e vendimeve të saj në lidhje me mbrojtjen e interesave pastorale, sociale e profesionale.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDËSHME E NDËRKOMBËTARE RELEVANTE
A. E drejta dhe praktika e brendëshme
1. Kushtetuta
27. Dispozitat përkatëse të Kushtetutës shprehen si më poshtë:
Neni 29
“Liria e mendimit dhe opinionit dhe liria e fesë nuk kufizohen në asnjë lloj forme. Askush nuk do të jetë i detyruar të përqafojë një opinion apo fe në kundërshtim me besimet e tij apo të saj.
Liria e ndërgjegjes është e garantuar; ajo duhet manifestuar në frymën e tolerancës dhe respektit reciprok.
Denominimet fetare janë të lira dhe bashkësitë fetare organizohen në përputhje me rregulloret e tyre, sipas kushteve të përcaktuara nga ligji.
Në marrëdhëniet midis denominimeve fetare ndalohen të gjithë format, aktet dhe veprimet e armiqësisë fetare.
Bashkësitë fetare gëzojnë autonomi në raport me Shtetin dhe përfitojnë mbështetjen e Shtetit, përfshirë sigurimin e strukturave që ofrojnë asistencë fetare në ushtri, spitale, burgje, azile dhe jetimore.”
Neni 40
“Qytetarët mund të organizohen lirisht për të formuar parti politike, sindikata, organizata të punëdhënësve dhe forma të tjera organizimi.”
Neni 41
“E drejta e punës nuk kufizohet. Çdokush është i lirë të zgjedhë profesionin, aktivitetin apo punën e vëndin e tij apo të saj të punës.
Punonjësit kanë të drejtën e masave për mbrojtje sociale. Këto kanë të bëjnë me shëndetin dhe sigurinë e punonjësve, kushtet e punës së grave e të rinjve, vendosjen e një page minimale bruto kombëtare, pushimin javor, lejen vjetore të paguar, punën e kryer në kushte të veçanta apo speciale, kualifikimin professional, dhe situata të tjera specifike siç parashikohen në ligj.
Dita e punës mesatare normale është maksimumi tetë orë.
Për punë të barabartë, gratë paguhen njëlloj me burrat.
E drejta për negociata kolektive pune dhe efekti detyrues i marrëveshjeve kolektive janë të garantuara.”
2. Ligji i Sindikatave
28. Ligji i Sindikatave (Ligji nr. 54/2003), në fuqi në kohën materiale në fjalë, është zëvendësuar nga Ligji i Dialogut Social (Ligji nr. 62/2011), i cili ka përfshirë dispozitat e mëparëshme në lidhje me lirinë sindikaliste. Këto dispozita shprehen si më poshtë:
Seksioni 2
“Çdokush që kryen detyra në bazë të një kontrate punësismi, përfshirë zyrtarët publikë, kanë të drejtën të formojnë dhe të hyjnë në sindikata.
Themelimi i një sindikate kërkon një minimum prej pesëmbëdhjetë anëtarësh të angazhuar brenda të njëjtit profesion apo sektori aktiviteti.
Askush nuk është i detyruar t’i bashkohet, të mos i bashkohet apo të largohet nga një sindikatë.”
Seksioni 3
“Personat që kryejnë funksione menaxhuese apo funksione që përfshijnë ushtrimin e autoritetit publik, gjyqësori, forcat e armatosura, policia dhe antarët e forcave speciale nuk mund të themelojnë sindikata.”
Seksioni 6(2)
“Rregulloret e brendëshme nuk mund të përmbajnë asnjë dispozitë që është në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.”
Seksioni 14
“Që sindikata të fitojë statusin e personit ligjor, përfaqësuesi i anëtarëve themelues të saj duhet të paraqesë një kërkesë për regjistrim në gjykatën e shkallës së parë brenda juridiksionit të së cilës ndodhet zyra e saj e regjistruar.
Kërkesës për regjistrim duhet t’i bashkangjiten dy kopje të dokumenteve më poshtë, të çertifikuara nga përfaqësuesi i sindikatës:
(a) procesverbali i mbledhjes themeluese të sindikatës, i nënshkruar nga të paktën pesëmbëdhjetë anëtarë themelues;
(b) statuti i sindikatës;
(c) lista e anëtarëve të organeve qeverisëse të sindikatës ...;
(d) formulari autorizues për përfaqësuesin ...”
Seksioni 15
“Gjykata kompetente e shkallës së parë shqyrton kërkesën për regjistrim brenda pesë ditëve, duke verifikuar nëse:
(a) janë bashkangjitur dokumentet e referuar në seksionin 14;
(b) procesverbali i mbledhjes themeluese së sindikatës dhe statuti i saj janë në përputhje me dispozitat statutore të zbatueshme.
Në rast se gjykata e shkallës së parë konstaton se kushtet statutore për regjistrim nuk janë plotësuar, kryetari thërret përfaqësuesin e sindikatës për një takim të mbyllur dhe i kërkon përfaqësuesit, me shkrim, të korrigjojë gjithshka brenda shtatë ditëve.
Në rast se gjykata konstaton se kërkesa për regjistrim i plotëson kërkesat e nënseksionit të parë të këtij seksioni, ajo proçedon me shqyrtimin e kërkesës për regjistrim, brenda dhjetë ditëve, në prani të përfaqësuesit të sindikatës.
Gjykata e shkallës së parë miraton ose refuzon kërkesën për regjistrim me vendim të aryetuar.
Vendimi i transmetohet përfaqësuesit të sindikatës brenda pesë ditëve nga dhënia e tij.”
Seksioni 16
“Vendimi i gjykatës së shkallës së parë apelohet mbështetur në pikat e ligjit.”
Seksioni 27
“Për të përmbushur qëllimet e tyre, sindikatat kanë të drejtë të përdorin mjete specifike veprimi, të tilla si negociatat, ndermjetësimi, arbitrazhi, pajtimi, peticionet, demonstratat dhe grevat, në përputhje me statutin e tyre dhe sipas kushteve të përcaktuara në ligj.”
Seksioni 28
“Sindikatat mbrojnë të drejtat e anëtarëve të tyre në bazë të ligjit të punës ..., marrëveshjeve kolektive dhe kontratave të punësimit përpara gjykatave të brendëshme dhe në marrëdhëniet me autoritetet publike ...
Në ushtrimin e kësaj të drejte, [ato] kanë të drejtën të ndërmarrin çdo lloj veprimi të parashikuar nga ligji, përfshirë paraqitjen e kërkesës në gjykatë në emër të anëtarëve të tyre, pa kërkuar autorizim me shkrim prej tyre. ...”
Seksioni 29
“Sindikatat mund të paraqesin propozime tek autoritetet kompetente në lidhje me rregullime ligjore në fushat që kanë të bëjnë me të drejtën për t’u organizuar.”
Seksioni 30
“Punëdhënësit ftojnë të dërguar të sindikatave përfaqësuese për të marrë pjesë në takimet e bordit kur diskutohen çështje të interesit professional, ekonomik, social, kulturor apo sportiv.
Me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave profesionale, ekonomike, sociale, kulturore dhe sportive, sindikatat marrin nga punëdhënësi informacionin e kërkuar për negociimin e marrëveshjeve kolektive ose, kur është e përshtatshme, përfundimin e marrëveshjeve të degës, si dhe informacionin në lidhje me themelimin dhe përdorimin e fondeve për përmirësimin e kushteve të punës, sigurinë e vendit të punës dhe mbrojtjen sociale.
Vendimet e bordit dhe organeve të tjera të ngjashme për çështje të interesit profesional, ekonomik, social, kulturor apo sportive, sindikatave u komunikohen me shkrim, brenda dyzet e tetë orëve nga miratimi i tyre.”
3. Ligji i Lirisë Fetare
29. Dispozitat përkatëse të Ligjit të Lirisë Fetare (Ligji nr. 489/2006) shprehen si më poshtë:
Seksioni 1
“Shteti respekton dhe garanton të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë së çdo personi brenda territorit të tij kombëtar, në përputhje me Kushtetutën dhe traktatet ndërkombëtare ku Rumania është palë.”
Seksioni 5
“Anëtarët e bashkësive fetare janë të lirë të zgjedhin formën e organizimit ku ata dëshirojnë të praktikojnë besimin e tyre – bashkësi, shoqatë apo grup fetar – në përputhje me kushtet e këtij Ligji.
Bashkësive, shoqatave e grupeve fetare u kërkohet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin dhe të mos kërcënojnë sigurinë publike, rendin publik, shëndetin, moralin dhe të drejtat e liritë themelore.”
Seksioni 8
“Bashkësitë fetare të njohura kanë statusin e korporatave bamirëse. Në bazë të dispozitave të Kushtetutës dhe të këtij ligji ato do të organizohen dhe do të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me statusin dhe ligjet e tyre.”
Seksioni 10
“Shteti kontribuon, në bazë kërkese, për shpërblimin e klerit dhe të personelit laik të bashkësive fetare të njohura, në bazë të numrit të besimtarëve dhe nevojave aktuale të secilës bashkësi.”
Seksioni 17
“Me propozim të Ministrisë së Kulturës dhe Çështjeve Fetare, Qeveria nxjerr një urdhër që i jep statusin e bashkësisë fetare të njohur nga Shteti shoqatave fetare që, nëpërmjet aktiviteteve të tyre dhe numrit të anëtarëve, janë me interes publik dhe me qëndrueshmëri e stabilitet të provuar.
Shteti njeh statutet dhe ligjet e kishës deri në masën që përmbajtja e tyre nuk përbën kërcënim për sigurinë publike, rendin publik, shëndetitn, moralin apo të drejtat e liritë themelore.”
Seksioni 23
“Bashkësitë fetare zgjedhin, emërojnë, punësojnë dhe shkarkojnë personelin në përputhje me statutet, kodet e të drejtës kishtare dhe rregulloret e tyre.
Bashkësitë fetare mund të vënë sanksione disiplinore për punonjësit e tyre, në përputhje me statutet e tyre, kodet e të drejtës kishtare dhe rregulloret, për shkelje të doktrinës apo të parimeve morale të tyre.”
Seksioni 24
“Punonjësit e bashkësive fetare, që janë pjesë e skemës shtetërore të sigurimeve i nënshtrohen legjislacionit të sitemit shtetëror të sigurimeve shoqërore.”
Seksioni 26
“Çështjet e disiplinës së brendëshme i nënshtrohen eksklusivisht dispozitave të rregulloreve të brendëshme dhe të drejtës kishtare.
Fakti që një bashkësi fetare ka organet e veta gjyqësore nuk përjashton zbatimin e legjislacionit penal në lidhje me anëtarët e saj.”
4. Ligji për shkallën e pagave njësi për punëtorët e paguar nga fondet publike
30. Ligji nr. 330/2009, i cili është zëvendësuar nga Ligji nr. 284/2010, përmbante dispozita për shpërblimin e personelit klerik dhe laik. Ai parashikonte që autoritetet shtetërore dhe vendore duhet të paguajnë të gjithë pagat e klerikëve të punësuar në institucione publike, dhe pjesërisht pagat e udhëheqësve të bashkësive të njohura fetare si dhe klerikët dhe laikët të punësuar në këto bashkësi.
31. Kështu, Shteti u paguan klerikëve të punësuar nga bashkësitë fetare të njohura një pagë mujore ekuivalente me 65% deri 80% të pagës së një mësuesi të shkollës publike. Klerikët në pozicione të larta përfitojnë pagë më të lartë.
32. Në këtë mënyrë financohet një total prej 16,602 postesh, të ndara mes bashkësive fetare sipas numrit të besimtarëve të tyre, në bazë të regjistrimit më të fundit të popullsisë. Në regjistrimin e fundit (2011), 86% e popullsisë rumune u vetëidentifikuan si të krishterë ortodoksë. Buxheti i shtetit mbulon gjithashtu të gjithë kontributet për sigurimet shoqërore të pagueshme nga punëdhënësi për klerikët e punësuar prej tyre.
33. Personeli laik merr një pagesë të përmuajshme ekuivalente me pagën kombëtare minimale të garantuar. Kjo pagesë dhe të gjitha kontributet për sigurimet shoqërore për këta punonjës mbulohen nga buxheti i autoriteteve vendore. Ligji parashikon 19, 291 poste për personelin laik, të ndara sipas të njëjtit kriter në bazë popullate si në rastin e personelit klerik (shiko paragrafin 32 lart).
34. Priftërinjtë dhe personeli laik i bashkësive fetare paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore të përllogaritura në bazë të pagave të tyre dhe gëzojnë gjithë të drejtat që rrjedhin prej tyre: sigurim shëndetësor, sigurim papunësie dhe të drejta pensioni. Në vitin 2010 pagat e tyre u zvogëluan me të njëjtën përqindje si ato të punonjësve të sektorit publik (një reduktim me me qëllim balancimin e buxhetit të Shtetit).
5. Organizimi dhe rregullorja e brendëshme e Kishës Ortodokse Rumune
35. Kisha Ortodokse Rumune u bë e pavarur në vitin 1885. Ajo ka lidhje të ngushta me kishat ortodokse në vende të tjera.
36. Nën regjimin komunist, Ligji nr. 177/1949 garantonte lirinë e fesë dhe Kisha Ortododse Rumune vazhdonte të funksiononte nën mbikqyrjen e Ministrisë së Çështjeve Fetare, e cila miratoi Statutin e saj në vitin 1949. Personeli i Kishës paguhej nga buxheti i shtetit në bazë të dispozitave statutore që mbulonin punonjësit publikë.
37. Organizimi aktual i Kishës Ortodokse Rumune bëhet në bazë të Statutit të saj, në përputhje me Ligjin e Lirisë Fetare (Ligji nr. 489/2006). Kisha kryesohet nga një Patriark dhe ka gjashtë metropoli në Rumani, ku përfshihen kryedioqezat, dioqezat dhe afërsisht 13,500 famulli, ku shërbejnë rreth 14,500 priftërinj dhe dhjakë.
38. Autoriteti më i lartë është Sinodi i Shenjtë. Ai përbëhet nga Patriarku dhe të gjithë peshkopët. Në organet qeverisëse qendrore bëjnë pjesë, po ashtu, Asambleja Kombëtare e Kishës, e cila përfshin tre përfaqësues të çdo dioqeze apo kryedioqeze dhe është organi vendim-marrës qendror, dhe Këshilli Kombëtar i Kishës, i cili është organi ekzekutiv qendror.
39. Në nivel vendor, famullitë, bashkë me klerikët dhe masën e besimtarëve, janë entitete ligjore të regjistruar tek autoritet administrative dhe tatimore për qëllim të aktiviteteve të tyre jo-fitimprurëse dhe komerciale. Prifti është përgjegjës për administrimin e famullisë. Ai kryeson asamblenë e famullisë (organi vendim-marrës ku bëjnë pjesë të gjithë famullitarët) dhe këshillin e famullisë (organi ekzekutiv).
40. Statuti aktual i Kishës Ortodokse Rumune u miratua nga Sinodi i Shenjtë më 18 Nëntor 2007 dhe u miratua me vendim qeverie më 16 Janar 2008.
41. Dispozitat përkatëse të Statutit shprehen si më poshtë:
Neni 14 w
“Sinodi i Shenjtë merr vendime për themelimin, organizimin dhe shpërndarjen e shoqatave dhe fondacioneve kishtare. Ai jep ose refuzon lejen (miratimin) për themelimin, organizimin dhe shpërndarjen e shoqatave dhe fondacioneve ortodokse që operojnë në dioqeza dhe kanë organet e veta qeverisëse.”
Neni 43
“Famullia është bashkësia e besimtarëve, klerikëve dhe laikëve, brenda një territori gjeografik të specifikuar dhe në varësinë kanonike, ligjore, administrative e ekonomike të dioqezës dhe kryedioqezës. Ajo drejtohet nga një prift i emëruar nga peshkopi.”
Neni 50
“Për përmbushjen e misionit të tyre ..., priftërinjtë kryejnë detyrat e mëposhtme:
(a) kremtimi i Meshës së të Dielave, në ditët e festave dhe në ditët e tjera të javës ...; mësimi i fesë në përputhje me udhëzimet e dioqezës; dhe sigurimi i aksesit të përditshëm në kishë ...;
(b) zbatimi i të gjithë dispozitave të Statutit dhe i rregullores së nxjerrë nga Kisha dhe organet qendrore në nivelin e famullisë;
(c) zbatimi i vendimeve të hierarkisë dhe organeve të dioqezës në lidhje me aktivitetet e famullisë;
(d) hartimi dhe zbatimi i programit vjetor të aktiviteteve fetare, sociale, bamirëse dhe administrative në nivelin e famullisë dhe informimi i dioqezës dhe famullitarëve për këto aktivitete;
(e) përfaqësimi i famullisë në proceset gjyqësore dhe në marrëdhëniet me autoritetet apo palët e treta, pasi të jetë marrë më parë leja me shkrim e peshkopit; në bazë të betimit për bindje të bërë në kohën e shugurimit të tyre, pjestarët e klerit dhe murgjërit nuk mund të marrin pjesë në procese gjyqësore për pështje personale pa lejen paraprake me shkrim të peshkopit;
(f) mbledhja dhe kryesimi i asamblesë së famullisë, këshillit të famullisë dhe komitetit të famullisë;
(g) zbatimi i vendimeve të asamblesë dhe këshillit të famullisë;
(h) mbajtja e regjistrit të famullitarëve;
(i) mbajtja e regjistrit të pagëzimeve, martesave dhe vdekjeve ...;
(j) menaxhimi i aseteve të famullisë në përputhje me vendimet e asamblesë dhe këshillit të famullisë dhe mbikqyrja e menaxhimit të aseteve të institucioneve kulturore dhe sociale dhe i fondacioneve fetare të ngritura brenda famullisë;
(k) hartimi dhe mbajtja e një inventari të të gjithë pasurisë së famullisë ...”
Neni 52
“Priftërinjtë dhe personeli tjetër i kishës kanë të drejta dhe detyrime të përcaktuara nga Ligjet e Shenjta të Kishës, ky Statut, rregulloret e kishës dhe vendimet e kryedioqezës.”
Neni 88
“Peshkopi ... urdhëron emërimin, transferimin ose shkarkimin e personelit klerik dhe laik në famullitë e ndryshme... Ai siguron respektimin e disiplinës nga pjestarët e klerit dhe të personelit laik në dioqezën e tij, drejpërsëdrejti ose përmes organeve kishtare.”
Neni 123 §§ 7, 8 dhe 9
“Klerikët i shërbejnë dioqezës në bazë të misionit që ata kanë marrë përsipër me vullnet të lirë dhe betimit e zotimit solemn publik që ata kanë lexuar me zë dhe kanë nënshkruar përpara shugurimit të tyre. Përpara se të marrin përsipër misionin e tyre pastoral, ata marrin vendimin e lëshuar nga peshkopi ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat e tyre.
Pa lejen e peshkopit, asnjë prift, dhjak apo murg nuk mund të formojë, të jetë anëtar apo të marrë pjesë në shoqata, fondacione apo oranizime të çfarëdo lloji.
Statusi i priftit, dhjakut apo murgut është në papajtueshmëri me ndjekjen e çdo aktiviteti tjetër personal me natyrë ekonomike, financiare apo komerciale, që është në kundërshtim me moralin e krishterë ortodoks apo interesat e Kishës.”
Neni 148
“Organet e mëposhtme kishtare do të kenë juridiksion për çështje të doktrinës, moralit, të drejtës kishtare dhe disiplinës në lidhje me klerikët në shërbim apo pension, priftërinjtë e dhjakët:
(A) [Çështje të përgjithëshme]:
(a) këshilli disiplinor i famullisë;
(b) këshilli i dioqezës ose kryedioqezës;
(B) Për apelin [nga një anëtar personeli në rast shkarkimi]: Këshilli i Metropolisë, me kusht që apeli të jetë shpallur i pranueshëm nga Sinodi i Metropolisë apo Sinodi i Shenjtë.”
Neni 150
“Këshilli disiplinor i famullisë do të veprojë si një tribunal disiplinor ... dhe si një organ ndërmjetësimi për mosmarrëveshje mes personelit të kishës, apo mes priftit dhe masës së besimtarëve.
Në qoftë se palët janë të pakënaqura me vendimin e tij, çështja i përcillet këshillit të dioqezës, vendimi i të cilit është përfundimtar.”
Neni 156
“Në bazë të autonomisë së bashkësive fetare sipas ligjit, çështjet e brendëshme disiplinore do të vendosen nga organet gjyqësore të Kishës. Vendimi i tyre nuk është i apelueshëm në gjykatat civile.”
42. Gjatë vitit 2004, priftërinjtë e Kryedioqezës së Craiova-s nënshkruan me Kryedioqezën kontrata punësimi me kohëzgjatje të papërcaktuar. Kontratat përcaktonin të drejtat e përgjithëshme dhe detyrat e palëve dhe specifikonin vendin e punës, pozicionin, orët e punës, të drejtën për leje vjetore dhe pagën mujore të priftit. Punëpërshkrimi bashkangjitur kontratës listonte detyrat e priftit si më poshtë:
“Dhënia e udhëheqjes shpirtërore për famullitarët në përputhje me rregulloren e kishës;
Kremtimi i Meshës çdo të Dielë dhe në ditë feste; kujdesi ndaj famullitarëve dhe kthimi i famullisë në shtëpi për ta;
Menaxhimi i aseteve të famullisë dhe i institucioneve dhe fondacioneve kulturore të Kishës;
hartimi dhe mbajtja e një inventari të aseteve të famullisë; menaxhimi i financave dhe kontabilitetit të famullisë; mbajtja e rekordeve për të ardhurat dhe shpenzimet e famullisë dhe vënia e tyre në dispozicion të inspektoriatit të kryedioqezës gjatë shqyrtimeve dhe kontrolleve financiare;
Marrja e furnizimeve të artikujve liturgjikë nga kryedioqeza për shitje;
Sigurimi i shlyerjes së menjëherëshme të të gjithë kontributeve që i detyrohen kryedioqezës;
Mospjesëmarrja në procese gjyqësore pa pëlqimin e kryedioqezës, për mosmarrëveshje në lidhje me famullinë apo për çështje personale;
Përfaqësimi i famullisë në marrëdhëniet me palët e treta në rast mosmarrëveshjesh;
Mosmarrja e veprimeve që do të ishin në papajtueshmëri me statusin e priftit;
Respektimi i të gjithë dispozitave të Statutit të Kishës, instrumenteve të tjera kishtare dhe betimit të bërë në kohën e shugurimit.
Çdo shkelje e detyrave të lart-përmendura çon në procese përpara organeve disiplinore të Kishës, të cilat mund të vendosin një sërë penalitetesh deri në dhe përfshirë shkarkimin.”
43. Më 17 Maj 2011, në përgjigje të një hetimi të Kishës, Ministria e Punës informoi Patriarkun se, pas shqyrtimit të legjislacionit përkatës, ekspertët e Ministrisë kishin arritur në konkluzionin se Kodi i Punës nuk ishte i zbatueshëm për marrëdhëniet e punësimit mes Kishës Ortodokse Rumune dhe klerikëve dhe se, për rrjedhojë, Kisha nuk ishte e detyruar të nënshkruante kontrata punësimi me ta.
44. Në përputhje me këtë, që nga Nëntori 2011 kontratat e punësimit në fjalë u zëvendësuan, me nxitjen e peshkopit, me vendimet e emërimit të lëshuara prej tij. Vendimet specifikonin vendin e punës dhe postin e zënë. Në to thuhej si më poshtë:
“Në kryerjen e detyrave të tij, prifti është nën varësinë e drejtpërdrejtë të peshkopit. Ai duhet të punojë sëbashku me priftërinjtë e tjerë të famullisë dhe përfaqësuesit e dioqezës.
Prifti kryen detyrat e tij ... në përputhje me kërkesat e Nenit 50 (a)-(k) të Statutit të Kishës.
Në përmbushjen e misionit të tij, ai duhet të jetë familjar dhe, në përputhje me betimin e bërë në kohën e shugurimit të tij, t’u bindet Ligjeve të Shenjta, Statutit të Kishës, rregullores kishtare dhe vendimeve të Sinodit të Shenjtë dhe dioqezës. Ai duhet t’i bindet autoritetit hierarkik dhe të mbrojë interesat legjitime të Kishës Ortodokse Rumune dhe kongregacionit të tij.
Nga data e emërimit të tij, prifti futet në regjistrin e pozicioneve dhe pagave. Paga e tij vendoset në përputhje me dispozitat statutore që rregullojnë shpërblimin e klerikëve. Ai ka të drejtën e lejes vjetore të përllogaritur në bazë të vjetërsisë.
Priftit i kërkohet të marrë furnizimet e artikujve për shitje (qirinj, kalendarë, artikuj liturgjikë, libra, e kështu me rradhë) vetëm nga dioqeza. Ai do të mbikqyrë në mënyrë të përherëshme aktivitetet e kioskës (pangarul) ku shiten artikujt.
Në rast sjelljeje të papranueshme apo shkelje të disiplinës apo të detyrave të përcaktuara në këtë vendim, prifti shkarkohet nga peshkopi ...Ai do të ndëshkohet në përputhje me rregullat e organeve disiplinore të Kishës.”
6. Praktika e brendëshme në lidhje me themelimin e sindikatave brenda klerit dhe ekzistenca e formave të tjera të organizimit brenda Kishës Ortodokse Rumune
45. Ligji dhe Statuti i vitit 1949 nuk parashikonte ndonjë kufizim mbi lirinë e organizimit për besimtarët ortodoksë dhe personelin e Kishës. Në regjimin komunist, sindikatat themeloheshin nga punonjësit e Kishës.
46. Në një vendim përfundimtar të 4 Tetorit 1990 Gjykata e Shkallës së Parë Medgidia autorizoi, në bazë të Ligjit për Partitë Politike dhe Format e Tjera të Organizimit (Ligji nr. 8 i 31 Dhjetorit 1989), funksionimin e Solidaritatea-s, një sindikatë e klerit katolik dhe personelit laik të Kryedioqezës së Tomis (Constanţa), dhe i njohu asaj statusin e personit juridik.
47. Në statutin e saj sindikata Solidaritatea deklaronte se qëllimet e saj ishin të përpiqej për “një rilindje te jetës shpritërore dhe një ristrukturim të aktiviteteve administrative ... në harmoni me kërkesat e reja të jetës demokratike dhe lirisë së plotë të mendimit dhe veprimit, dhe në përputhje me parimet e përcaktuara në doktrinat dhe rregulloret e Kishës Ortodokse Rumune”. Ishte parashikuar që sindikata do të ishte e aftë t’i drejtohej gjykatës për mbrojtjen e interesave të anëtarëve të saj, se do të asistonte në hartimin e rregulloreve civile dhe kishtare me qëllimin për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e anëtarëve të saj, dhe se anëtarët e saj do të përfaqësoheshin nga presidenti i saj në të gjitha organet vendim-marrëse të Kishës.
48. Në Maj 2012 Kryedioqeza e Tomis kërkoi një urdhër gjykate për shpërndarjen e sindikatës Solidaritatea për arësyen se ajo nuk kishte respektuar statutin e vet duke mos mbajtur asnjë takim të përgjithshëm, duke mos emëruar asnjë organ ekzekutiv e duke mos realizuar aktivitetet e synuara prej saj. Procesi është ende në vazhdim.
49.Në një vendim përfundimtar të 5 Qershorit 2007 Gjykata e Shkallës së Parë Hârlău, në bazë të Ligjit për Sindikatat (Ligji nr. 54/2003), njohu si person juridik sindikatën Sfântul Mare Mucenic Gheorghe të klerikëve, murgjërve dhe personelit laik të Kishës Ortodokse Rumune.
50. Në statutin e saj sindikata Sfântul Mare Mucenic Gheorghe përcaktonte qëllimet si më poshtë:
‑ të sigurojë respektimin e të drejtave themelore të anëtarëve të saj për punë, dinjitet, mbrojtje sociale, siguri në punë, pushim, sigurime shoqërore, përfitime papunësie, të drejta pensioni dhe të tjera të drejta të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
‑ t’u sigurojë punë secilit prej anëtarëve të saj në përputhje me kualifikimin dhe aftësitë e tyre profesionale;
‑ të sigurojë pajtueshmërinë me dispozitat statutore në lidhje me kohëzgjatjen e lejes dhe ditët e pushimit;
‑ të promovojë iniciativën, konkurencën dhe lirinë e shprehjes mes anëtarëve të saj;
‑ të sigurojë zbatimin dhe respektimin me rigorozitet të dispozitave statutore në lidhje me mbrojtjen e punësimit dhe të drejtat që rrjedhin prej tyre;
‑ të mbrojë presidentin dhe përfaqësuesit e saj, si gjatë edhe mbas përfundimit të detyrës;
‑ të jetë e pranishme dhe e përfaqësuar në organet disiplinore;
‑ të ngrejë komitete të përbashkëta kishtare;
‑ të përfshihet në hartimin apo amendimin e çdo rregulloreje të brendëshme të Kishës, veçanërisht të Statutit të ri;
‑ të konsultohet në mënyrë të detyrueshme në lidhje me vendimet që prekin anëtarët e saj;
‑ të negociojë kontratat e punësimit;
‑ të mbajë zgjedhje demokratike për emërimin e përfaqësuesëve të Kishës;
‑ të ndërmarrë veprime ligjore ndaj çdo individi apo entiteti tjetër, përgjegjës për masa administrative apo rregulluese me ndikim përkeqësues mbi të drejtat dhe interesat e anëtarëve të saj; dhe
‑ të përdorë peticionet, demonstratat dhe grevat si mjete për mbështetjen e interesave të anëtarëve të saj dhe mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të tyre themelore.
51. Në Janar 2011 presidenti i sindikatës kërkoi shkrirjen e saj, duke vërejtur se kishte patur një përmirësim të konsiderueshëm në marrëdhëniet midis anëtarëve të saj dhe autoriteteve të kishës. Procesi nuk ka përfunduar ende.
52. Deri më sot ekzistojnë rreth 200 shoqata dhe fondacione kishtare të njohura nga gjykatat e brendëshme pas sigurimit të lejes nga bishopët në përputhje me Statutin e Kishës.
7. Jurisprudenca e gjykatave të brendëshme
53. Në një vendim të 19 Shtatorit 2005 Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe Drejtësisë u shpreh se gjykatat e brendëshme kishin juridiksionin për të shvleftësuar shkarkimin e një prifti dhe për të supervizuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës që urdhëron rikthimin e tij dhe kryerjen e pagesës së rrogës.
54. Në një vendim të 4 Shkurtit 2010 në një vendim tjetër, Gjykata e Lartë ruajti një vendim në të cilin Gjykata e Apelit e Bukureshtit kishte hedhur poshtë një veprim të një prifti ortodoks kundër refuzimit të Inspetoriatit të Punës për të shqyrtuar zbatimin e ligjit të punës nga punëdhënësi i tij (dioqeza). Ajo u shpreh se vetëm dispozitat e rregulloreve të brendëshme relevante ishin të zbatueshme në atë rast, se në këtë kontekst ato sundonin mbi rregullat e përgjithëshme të Kodit të Punës, dhe se Inspektoriati i Punës nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar nëse dioqeza kishte vepruar në përputhje me këto rregulla.
55. Në tri vendime të dhëna më 10 Qershor 2008, 3 Korrik 2008 dhe 7 Prill 2011 Gjykata Kushtetuese pranoi se ekzistenca e organeve të brendëshme disiplinore brenda bashkësive fetare dhe fakti që vendimet e tyre nuk mund të kundërshtoheshin në gjykatat civile përbënte kufizim të së drejtës për akses në gjykatë, por u shpreh se kufizimi justifikohej nga natyra autonome e bashkësive fetare. Ajo vërejti në lidhje me këtë se, në bazë të Ligjit nr. 489/2006, të vetmet çështje që gjykatat e zakonshme kishin juridiksion për të shqyrtuar në lidhje me pjestarët e klerit ishin ato që kishin të bënin me vepra penale.
B. E drejta ndërkombëtare
1. Standardet universale
56. Dispozitat relevante të Konventës nr. 87 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për Lirinë e Organizimit dhe Mbrojtjen e të Drejtës për t’u Organizuar (miratuar në vitin 1948 dhe ratifikuar nga Rumania në 28 Maj 1957) thonë sa më poshtë:
Neni 2
“Punëtorët dhe punëdhënësit, pa asnjë dallim, kanë të drejtën të themelojnë dhe, në varësi vetëm të rregullave të organizatës në fjalë, të bëhen pjesë e organizatave sipas zgjedhje së tyre pa autorizim paraprak.”
Neni 3
“1. Organizatat e punëtorëve dhe punëmarrësve kanë të drejtën të hartojnë statutet dhe rregullat e tyre, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në liri të plotë, të organizojnë administratën dhe aktivitetet e tyre dhe të formulojnë programet e tyre.
2. Autoritetet publike nuk bëjnë asnjë ndërhyrje që do ta kufizonte këtë të drejtë apo do të pengonte ushtrimin e ligjshëm të saj.”
Neni 4
“Organizatat e punëtorëve dhe punëmarrësve nuk shpërndahen e as pezullohen me vendim administrativ.”
Neni 7
“Marrja e statusit të personit juridik nga organizatat, federatat dhe konfederatat e punëtorëve dhe punëdhënësve nuk bëhet në bazë të kushteve të tilla që do të kufizonin zbatimin e dispozitave të Nenit 2, 3 dhe 4 të kësaj konvente.”
57. Dispozitat relevante të Rekomandimit nr. 198 në lidhje me marrëdhënien e punësimit, miratuar nga ILO në vitin 2006, thonë sa më poshtë:
“9. Për qëllimet e politikës kombëtare për mbrojtjen e punëtorëve në një marrëdhënie punësimi, përcaktimi i ekzistencës së një marrëdhënie të tillë duhet të udhëhiqet në radhë të parë nga faktet që kanë të bëjnë me kryerjen e punës dhe shpërblimin e punëtorit, pavarësisht karakterizimit të marrëdhënies në çdo regullim tjetër të ndryshëm, kontraktual apo tjetër, për të cilën palët mund të kenë rënë dakord.
...
11. Me qëllim që të bëjë të mundur përcaktimin e ekzistencës së një marrëdhënie punësimi, Anëtarët duhet që, brenda kuadrit të politikës nacionale referuar në këtë Rekomandim, të konsiderojnë mundësinë për sa më poshtë:
(a) lejimin e një game të gjerë instrumentesh për përcaktimin e ekzistencës së një marrëdhënie punësimi;
(b) parashikimin e një prezumimi ligjor se një marrëdhënie punësimi ekziston kur janë të pranishëm një a më shumë indikatorë të rëndësishëm; dhe
(c) përcaktimin, pas konsultimeve paraprake me shumicën e organizatave përfaqësuese të punëdhënësve dhe punëtorëve, se punëtorët me karakteristika të caktuara, në përgjithësi apo në një sektor të veçantë, duhen konsideruar se janë o të punësuar, o të vetëpunësuar.
...
13. Anëtarët duhet të konsiderojnë mundësinë e përkufizimit në ligjet dhe rregulloret e tyre, ose me mjete të tjera, të indikatorëve specifikë të ekzistencës së një marrëdhënie punësimi. Këta indikatorë mund të përfshijnë:
(a) fakti që puna kryhet sipas udhëzimeve dhe nën kontrollin e një pale tjetër; përfshin integrimin e punëtorit në organizimin e ndërmarrjes; kryhet vetëm ose kryesisht në përfitim të një personi tjetër; duhet të kryhet personalisht nga punëtori; kryhet brenda orësh pune specifike ose në një vend pune të specifikuar apo të rënë dakord nga pala që e kërkon punën; ka një kohëzgjatje të caktuar dhe një vazhdimësi të caktuar; kërkon disponueshmërinë e punëtorit; ose përfshin sigurimin e mjeteve të punës, materialeve dhe makinerisë nga pala që e kërkon punën;
(b) shlyerjen periodike të pagesës së punëtorit; fakti që një shpërblim i tillë përbën burimin e vetëm apo kryesor të të ardhurave të punëtorit; dhënia e pagesës në natyrë, si në ushqime, strehim apo transport; njohja e të drejtave të tilla si pushimi javor dhe pushimet vjetore; pagesa prej palës që kërkon punën, e udhëtimeve të bëra nga punëtori për kryerjen e punës; ose mungesa e rrezikut financiar për punëtorin.”
2. Standardet evropiane
58. Rumania ka ratifikuar Kartën Sociale Evropiane më 7 Maj 1999. Neni 5 i Kartës, në lidhje me të drejtën për t’u organizuar, është i formuluar si më poshtë:
“Me synimin për të siguruar dhe nxitur lirinë e punëtorëve dhe punëdhënësve për të formuar organizata lokale, kombëtare ose ndërkombëtare për mbrojtjen e interesave të tyre ekonomike dhe sociale dhe për t’u anëtarësuar në ato organizata, Palët angazhohen që legjislacioni kombëtar nuk do të jetë i tillë që të pengojë dhe as do të zbatohet që të pengojë këtë liri. Masa në të cilën këto garanci të dhëna do të zbatohen për policinë, do të përcaktohet me ligje ose rregullore kombëtare. Parimi që rregullon zbatimin e këtyre garancive për anëtarët e forcave të armatosura dhe masa në të cilën ato do të zbatohen për personat e kësaj kategorie do të rregullohet gjithashtu me ligje ose rregullore kombëtare.”
59. Neni 12 § 1 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian thotë si më poshtë:
“Çdokush ka të drejtën e lirisë për t’u tubuar paqësisht dhe të drejtën e lirisë për t’u organizuar në të gjithë nivelet, veçanërisht për çështje politike, sindikaliste e civile, gjë që nënkupton të drejtën e kujtdo për të formuar dhe për t’iu bashkuar një sindikate për mbrojtjen e interesave të tij apo të saj.”
60. Pjesët relevante të Direktivës së Këshillit 2000/78/EC të 27 Nëntorit 2000, që vendosin kuadrin e përgjithshëm për trajtimin e barabartë në punësim dhe profesion, thonë si më poshtë:
“Këshilli i Bashkimit Evropian,
...
Ndërsa: ...
(4) E drejta e personave për barazi përpara ligjit dhe mbrojtje ndaj diskriminimit përbën një të drejtë universale të njohur nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Zhdukjen e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Marrëveshjet e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile e Politike dhe për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore dhe nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, në të cilat të gjitha Shtetet Anëtare janë palë nënshkruese. Konventa Nr. 111 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) ndalon diskriminimin në fushën e punësimit dhe profesionit.
(5) Është e rëndësishme të respektohen të tilla të drejta dhe liri. Kjo direktive nuk paragjykon lirinë e organizimit, përfshirë të drejtën për të formuar sindikata me të tjerë dhe për t’iu bashkuar sindikatave për mbrojtjen e interesave personale.
...
(24) Bashkimi Evropian në Deklaratën e tij Nr. 11 mbi statusin e kishave dhe organizatave jo-konfesionale, bashkangjitur si shtojcë Aktit Final të Traktatit të Amsterdamit, ka njohur shprehimisht se respekton dhe nuk paragjykon statusin sipas ligjit të brendshëm të kishave dhe shoqatave apo bashkësive fetare në Shtetet Anëtare dhe se respekton në mënyrë të barabartë statusin e organizatave filozofike e jo-konfesionale. Në këtë pikëpamje, Shtetet Anëtare mund të mbajnë apo përcaktojnë dispozita specifike për kërkesa profesionale të vërteta, legjitime dhe të justifikuara, që mund të kërkohen për kryerjen e një aktiviteti professional.
...
Ka miratuar këtë Direktivë:
...
Neni 4
Kërkesat profesionale
1. ... Shtetet Anëtare mund të parashikojnë se një trajtim i diferencuar, që bazohet tek [feja apo besimi], nuk përbën diskriminim atëherë kur, për shkak të natyrës së veprimtarive të veçanta profesionale në fjalë apo të kontekstit të kryerjes së tyre, një veçori e tillë përbën një kërkesë profesionale të vërtetë e vendimtare, me kusht që objektivi të jetë legjitim dhe kërkesa proporcionale.
2. Shtetet Anëtare mund të mbajnë në fuqi legjislacionin e brendshëm ... ose të parashikojnë legjislacion të ri që inkorporon praktikat e brendëshme ekzistuese në datën e miratimit të kësaj Direktive në bazë të së cilës, në rastin e veprimtarive profesionale brenda kishave apo organizatave të tjera publike apo private, natyra e të cilave është e bazuar tek feja apo besimi, një trajtim i diferencuar i bazuar tek feja apo besimi i personit nuk përbën diskrimin atëherë kur, për shkak të natyrës së këtyre veprimtarive apo kontekstit ku ato kryhen, feja apo besimi i personit përbën një kërkesë profesionale të vërtetë, legjtime dhe të justifikuar, duke patur parasysh natyrën e organizatës. ...
Me kusht që të ketë pajtueshmëri me dispozitat e saj, kjo Direktivë kësisoj nuk paragjykon të drejtën e kishave apo organizatave të tjera publike e private, fryma e të cilave bazohet tek feja dhe besimi, që veprojnë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit, për t’u kërkuar individëve që punojnë për ta, të veprojnë në mirëbesim dhe me besnikëri ndaj natyrës së organizatës.”
61. Në praktikën e Shteteve Evropiane, marrëdhëniet mes kishave dhe Shtetit rregullohen nga një shumëllojshmëri modelesh kushtetuese. Në shumicën e Shteteve anëtare,[1] të Këshillit të Evropës, ligji vetë nuk përcakton natyrën e marrëdhënieve ligjore mes bashkësisë fetare dhe klerikëve të saj. Bashkësia fetare mund të nënshkruajë një kontratë punësimi me priftërinjtë e saj, por nuk është e detyruar ta bëjë këtë gjë dhe në shumicën e rasteve nuk e bën një gjë të tillë. Megjithatë, edhe kur nuk kanë kontratë punësimi, pjestarët e klerit shpesh gëzojnë përfitime të mirëqenies sociale në të njëjtat kushte si përfituesit e tjerë të sistemit të sigurimeve shoqërore. Në një pakicë Shtetesh,[2] marrëdhënia rregullohet nga ligji i punës i zbatueshëm, megjithëse pjestarëve të klerit u kërkohet të respektojnë një ndjenjë të lartë besnikërie ndaj bashkësisë fetare që i punëson ata. Së fundi, në Shtete të tjera[3] gjykatat e brendëshme vendosin në bazë të rrethanave individuale nëse marrëdhëniet e punësimit mund të klasifikohen ose jo si kontraktuale.
Në lidhje me të drejtat sindikaliste të pjestarëve të klerit, asnjë Shtet nuk i ndalon ata formalisht të ngrenë sindikata, dhe në disa Shtete atyre madje u garantohet formalisht kjo e drejtë. Gjithashtu duhet vërejtur se, për shembull, në Austri, Bullgari, Finlandë, Turqi, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Hollandë ka sindikata priftërinjsh, ose shoqata që mbrojnë interesa shumë të ngjashme me ato të mbrojtura nga sindikatat e punëtorëve.
LIGJI
I. NATYRA ANONIME E ZBATIMIT DHE PRETENDIMI PËR PENGIM TË SË DREJTËS PËR KËRKESË INDIVIDUALE
A. Parashtrimet e palëve
62. Sindikata kërkuese parashtroi se sapo ishin ndërmarrë hapat për formimin e sindikatës, anëtarët e saj ishin vënë nën një presion intensiv nga ana e Kishës. Kjo gjë kishte vazhduar deri pasi kërkesa ishte depozituar në Gjykatë dhe, si rrezultat, disa anëtarë ishin detyruar të tërhiqeshin nga procesi, ndërsa të tjerë kishin kërkuar të mbeteshin anonimë me qëllim që të mund të vazhdonin me tej me kërkesën.
63. Ajo deklaroi se presioni ishte intensifikuar mbas dhënies së vendimit nga Dhoma dhe, për të mbështetur këtë pohim, paraqiti një numër deklaratash të udhëheqësve fetarë të raportuara në shtyp, sëbashku me një njoftim për shtyp të Shkurtit 2012 ku Patrarkati Ortodoks Rumun kritikonte vendimin.
64. Në bazë të konsideratave të mësipërme, ajo parashtroi se Shteti nuk kishte vepruar në pajtueshmëri me detyrimet e tij pozitive për mbrojtjen e kërkuesëve para gjykatës nga presioni i autoriteteve të Shtetit apo i të tjerëve.
65. Në përputhje me këtë, ajo i kërkoi Dhomës së Madhe të konstatonte shkelje të Nenit 34 të Konventës.
66. Qeveria shprehu dyshime për faktin nëse kërkesa reflektonte një qëllim të vërtetë nga ana e anëtarëve të sindikatës kërkuese për t’iu drejtuar Gjykatës. Ajo argumentoi se identitetet dhe emrat e individëve që kishin bërë kërkesë në Gjykatë në emër të sindikatës, kishin ndryshuar gjatë procesit përpara Dhomës dhe i kërkoi Dhomës së Madhe të përcaktonte identitetin e saktë të atyre që e kishin paraqitur dhe e kishin ndjekur kërkesën. Pa ngritur një kundërshtim paraprak, ajo parashtroi se kjo çështje ishte e rëndësishme si për themelin e çështjes edhe për çështjen e shpërblimit të drejtë.
67. Ajo u shpreh se vetëm masat e qëllimshme nga ana e Shtetit mund të konstatoheshin të tilla që përbëjnë pengim të së drejtës për kërkesë individuale. Përderisa, në parashtrimin e tyre, autoritetet nuk mund të akuzoheshin për ndonjë veprim apo mosveprim që kishte miratuar apo toleruar në mënyrë të qëllimshme sjelljen e parregullt të pretenduar të Kishës në çështjen aktuale, nuk mund të thuhej se Shteti kishte shkelur të drejtën për kërkesë individuale.
B. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
68. Dhoma e Madhe vëren se megjithëse pozicionet përkatëse të Qeverisë dhe të kërkuesit ndryshojnë, të dyja kanë të bëjnë me zbatimin e Nenit 34 të Konventës, marrë më vete apo në lidhje me Nenin 35 § 2 (a). Këtë dispozita janë të formuluara si më poshtë:
Neni 34
“Gjykata mund të pranojë kërkesa nga çdo person fizik, çdo organizatë joqeveritare ose nga çdo grup individësh që pretendon se është viktimë e një shkeljeje nga një Palë e Lartë kontraktuese e të drejtave të njohura nga Konventa ose protokollet e saj. Palët e Larta kontraktuese zotohen të mos pengojnë në asnjë mënyrë ushtrimin efektiv të kësaj të drejte.”
Neni 35 § 2
“Gjykata nuk pranon një kërkesë individuale të paraqitur sipas nenit 34
kur ajo
(a) është anonime ...”
1. Pretendimi për kërkesë anonime
69. Dhoma e Madhe vëren, që në fillim, se Qeveria është e ndaluar ta ngrejë këtë çështje, meqenëse ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë përpara Dhomës. Në lidhje me kundërshtimin prej saj të pranueshmërisë së kërkesës për faktin se anëtarë të caktuar të sindikatës kërkuese kanë dëshiruar të mbesin anonimë, ajo thekson se një Qeveri që ka dyshime në lidhje me autenticitetin e një kërkesë duhet të informojë Gjykatën menjëherë, dhe se vetëm Gjykata është kompetente për të vendosur nëse kërkesa i përgjigjet kushteve të Nenit 34 dhe 35 të Konvetës (shiko Shamayev dhe të Tjerë k. Gjeorgjisë dhe Rusisë, nr. 36378/02, § 293, ECHR 2005‑III).
70. Ajo do të theksonte po ashtu se qëllimi i pranimit të anonimitetit në bazë të Rregullit 47 § 3 për persona që sjellin një çështje në Gjykatë është mbrojtja e kërkuesëve të cilët gjykojnë se zbulimi i identitetit të tyre mund të jetë i dëmshëm për ta. Në mungesë të kësaj mbrojtjeje, këta kërkues mund të mos komunikojnë lirshëm me Gjykatën. Veç kësaj, një shoqatë që është shkrirë apo që i është refuzuar regjistrimi ka të drejtë të depozitojë një kërkesë, përmes përfaqësuesëve të saj, për t’u ankuar në lidhje me shkrirjen apo refuzimin (shiko Stankov dhe Organizata Maqedonase e Bashkuar Ilinden k. Bullgarisë, nr. 29221/95 dhe 29225/95, § 57, ECHR 2001‑IX).
71. Në këtë çështje, Gjykata vëren se sindikata kërkuese ia ka paraqitur asaj kërkesën përmes përfaqësuesëve të saj, të cilët kishin autorizuar Z. I. Gruia të vepronte në emër të tyre. Ata më pas i kanë tërhequr deklaratat e dërguara në Gjykatë nga Kryedioqeza e Craiovës, ku kishin shprehur qëllimin e tyre për tërheqjen e kërkesës së tyre. Ata shpjegonin se Kryedioqeza i kishte detyruar të nënshkruanin deklaratat. Përderisa ata kishin paraqitur informacion faktik e ligjor që ia bënte të mundur Gjykatës identifikimin e tyre dhe përcaktimin e lidhjes së tyre me faktet në fjalë dhe ankesën e ngritur, si Presidenti i Dhomës e, për rrjedhojë, edhe Presidenti i Dhomës së Madhe kanë aprovuar kërkesën e tyre për moszbulim të identitetit të tyre.
72. Duke qenë kështu, Gjykata gjykon se kërkesa nuk është anonime në kuptimin e Nenit 35 § 2 të Konventës dhe se qëllimi i anëtarëve të sindikatës kërkuese për të vepruar në emër të sindikatës përpara saj nuk vihet në dyshim. Në përputhje me këtë, edhe duke supozuar se Qeveria nuk ndalohet të ngrejë pretendimin e saj se kërkesa është anonime, Gjykata e hedh poshtë pretendimin.
2. Pretendimi për pengim të kërkesës individuale
73. Gjykata thekson se zotimi për të mos penguar ushtrimin me efektivitet të së drejtës për kërkesë individuale përjashton çdo ndërhyrje në të drejtën e individit për të paraqitur dhe ndjekur me efektivitet një ankesë përpara Gjykatës. Për funksionimin me efektivitet të sistemit të kërkesës individuale, të vendur në bazë të Nenit 34, është tejet e rëndësishme që kërkuesit apo kërkuesit potencialë të komunikojnë lirshëm me Gjykatën pa iu nënshtruar asnjë lloj forme presioni nga autoritetet për t’u tërhequr apo për të modifikuar ankesat e tyre. Siç ka vërejtur Gjykata në vendime të mëparëshme, “presioni” përfshin jo vetën shtrëngim të drejtpërdrejtë dhe akte flagrante kërcënimi ndaj kërkuesëve aktualë apo potencialë, pjestarëve të familjeve të tyre apo përfaqësuesëve të tyre ligjorë, por gjithashtu edhe akte të tjera të parregullta të tërthorta apo kontakte me qëllimin për të shbindur apo shkurajuar kërkuesit në lidhje me ndjekjen e një zgjidhje ligjore në bazë të Konventës (shiko, ndërmjet të tjerash, Mamatkulov dhe Askarov k. Turqisë [GC], nr. 46827/99 dhe 46951/99, § 102, ECHR 2005-I).
74. Në çështjen në fjalë, Gjykata vëren se sindikata kërkuese ka pretenduar për shkelje të Nenit 34 të Konventës për herë të parë përpara Dhomës së Madhe. Ajo vëren gjithashtu se ngjarjet e ankimuara, përfshirë kërkesën për tërheqjen e aplikimit të depozituar në Gjykatë, kanë ndodhur përpara dhënies së vendimit nga Dhoma (shiko paragrafet 23 dhe 24 me lart).
75. Duke pasur parasysh faktin që sindikata kërkuese është përfaqësuar nga një avokat që në depozitimin e kërkesës dhe nuk ka paraqitur ndonjë arësye të veçantë që mund të kishte qenë pengesë për ankimimin nga ana e saj përpara Dhomës për shkelje të Nenit 34 të Konventës, Dhoma e Madhe mendon se sindikata nuk mund ta ngrejë këtë pretendim përpara saj.
76. Në lidhje me atë se sindikata kërkuese ankohej për ngjarje të ndodhura pas referimit të çështjes në Dhomën e Madhe, në lidhje me të cilat për rrjedhojë ajo nuk do të ndalohej të ngrinte pretendimin për shkelje të Nenit 34, Gjykata thekson se pranimi i heshtur apo mbyllja e syve nga ana e autoriteteve të një Shteti Kontraktues në lidhje me aktet e individëve private që shkelin të drejtat sipas Konventës të individëve të tjerë në juridiksionin e tyre mund të angazhojë përgjegjësinë e Shtetit në bazë të Konventës (shiko, mutatis mutandis, Qipro k. Turqisë [GC], nr. 25781/94, § 81, ECHR 2001‑IV).
77. Megjithatë, në çështjen në fjalë, ajo vëren se sindikata kërkuese nuk e ka mbështetur pretendimin e saj se presioni i ushtruar ndaj anëtarëve të saj, pas dhënies së vendimit të Dhomës, është intensifikuar në një nivel të tillë që do ta bënte Shtetin përgjegjës për mosmarrje masash për ndalimin e këtij presioni.
78. Në lidhje me këtë, ajo vëren se për të mbështetur pretendimet e saj, sindikata i është referuar vetëm deklaratave të Patriarkatit Ortodoks dhe të disa anëtarëve të hierarkisë kishtare, sipas raportimeve në shtyp, që kritikonin vendimin e Dhomës. Megjithatë, këto opinione nuk duken të jenë pasuar nga masa me qëllim nxitjen e anëtarëve të sindikatës për të tërhequr apo ndryshuar kërkesën në Dhomën e Madhe apo për të penguar në çfarëdolloj mënyre tjetër ushtrimin e të drejtës së tyre për kërkesë individuale.
79. Sipas mendimit të Gjykatës, faktet e çështjes nuk mbështesin përfundimin se autoritetet e brendëshme kanë ushtruar presion apo kanë lejuar ushtrimin e presionit tek anëtarët e sindikatës kërkuese, apo se kanë dështuar në çdo mënyrë tjetër për të respektuar detyrimin e tyre për të siguruar ushtrimin me efektshmëri të së drejtës për kërkesë individuale. Ata nuk mund të bëhen përgjegjës për veprime të shtypit apo për deklarata të bëra nga individë në ushtrim të së drejtës për lirinë e shprehjes e që nuk janë në postin e autoritetit publik.
80. Në këto rrethana, Gjykata mendon, së pari, se sindikata kërkuese nuk mund të pretendojë shkelje të Nenit 34 të Konventës në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur përpara dhënies së vendimit nga Dhoma dhe, së dyti, se për sa i takon ngjarjeve të ndodhura pas kësaj date, Shteti përgjegjës nuk ka shkelur detyrimet e tij në bazë të Nenit 34 të Konventës.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 11 TË KONVENTËS
81. Sindikata kërkuese parashtroi se, duke refuzuar kërkesën e saj për regjistrim, Gjykata e Rrethit Dolj kishte shkelur të drejtën e saj për t’u organizuar, e garantuar nga Neni 11 i Konventës, i cili parashikon:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.
2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.”
A. Vendimi Dhomës
82. Në vendimin e saj të 31 Janarit 2012 Dhoma konstatoi shkelje të Nenit 11 të Konventës. Duke vërejtur se priftërinjtë dhe personeli laik kryenin detyrat e tyre brenda Kishës Ortodokse Rumune në bazë kontratash punësimi, se merrnin paga të financuara kryesisht nga buxheti i Shtetit dhe ishin të mbuluar nga skema e përgjithëshme e sigurimeve shoqërore, ajo mendonte se një marrëdhënie kontraktuale punësimi nuk mund të përjashtohej nga rregullat e ligjit civil. Ajo konkludoi se pjestarët e klerit dhe a fortiori nëpunësit laikë të Kishës, nuk mund të përjashtoheshin nga fusha e veprimit të Nenit 11.
83. Më tej, duke shqyrtuar refuzimin e regjistrimit të sindikatës kërkuese në lidhje me parimet e përgjithëshme të ligjit për sindikatat, ajo pranoi se masa kishte qenë e parashikuar nga e drejta e brendëshme (domethënë Ligji i Sindikatave (Ligji nr. 54/2003) dhe Ligji për të Drejtën Fetare (Ligji nr. 489/2006), siç qe interpretuar nga Gjykata e Rrethit në dritën e Statutit të Kishës Ortodokse) dhe kishte ndjekur një qëllim legjitim (domethënë ruajtjen e rendit publik, përfshirë lirinë dhe autonominë e bashkësive fetare) pasi kishte kërkuar të parandalonte një mospërputhje mes ligjit dhe praktikës në lidhje me themelimin e sindikatave për punonjësit e Kishës.
84. Ajo pastaj vërejti se vendimi i Gjykatës së Rrethit për refuzimin e regjistrimit të sindikatës kërkuese qe mbështetur kryesisht tek nevoja për të mbrojtur traditën e krishterë ortodokse, parimet dhe rregullat e saj themelore në lidhje me vendim-marrjen. Në lidhje me këtë, ajo u shpreh se në këtë rast nuk ishte plotësuar kriteri që përkufizonte një “nevojë sociale urgjente”, përderisa Gjykata e Rrethit nuk kishte vërtetuar se programi i sindikatës kërkuese, siç përcaktohej në statutin e saj, apo qëndrimet e mbajtura nga anëtarët e saj ishin në papajtueshmëri me një “shoqëri demokratike”, le më pastaj të përfaqësonin një kërcënim për shoqërinë.
85. Duke vërejtur se arësyet e dhëna nga Gjykata e Rrethit për të justifikuar refuzimin e regjistrimit të sindikatës kërkuese kishin qenë pastërtisht të një natyre fetare, Dhoma gjykonte gjithashtu se ajo gjykatë nuk kishte marrë parasysh sa duhet as interesat e punonjësve të Kishës Ortodokse Rumune – veçanërisht, ekzistencën e një kontrate punësimi mes tyre dhe Kishës – as dallimin mes pjestarëve të klerit dhe punonjësve laikë të Kishës, as çështjen nëse rregullat kishtare që ndalonin antarësimin në sindikatë ishin në pajtueshmëri me rregullat e brendëshme e ndërkombëtare që mishëronin të drejtat e punëtorëve për sindikata.
86. Në fund, duke vënë në dukje se e drejta e punonjësve të Kishës Ortodokse për t’iu bashkuar një sindikate ishte njohur tashmë nga gjykatat e brendshme në rastin e sindikatave të tjera, Dhoma përfundoi se një masë aq drastike sa refuzimi i regjistrimit të sindikatës kishte qenë joproporcionale me qëllimin e ndjekur dhe për pasojë e padomosdoshme në një shoqëri demokratike.
B. Parashtrimet e palëve
1. Sindikata kërkuese
87. Sindikata kërkuese parashtroi se priftërinjtë dhe personeli klerik i Kishës Ortodokse Rumune kishin një status të ngjashëm me atë të nëpunësit civil. Ashtu si nëpunësit civilë, rekrutimi i tyre bëhej me konkurs. Ata pastaj emëroheshin nga peshkopi me anë të një vendimi që përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e tyre. Pas shugurimit ata bënin një betim dhe pagat e tyre vendoseshin nga ligji që rregullon shpërblimin e nëpunësit civil dhe reduktoheshin në të njëjtën masë në rast krizash ekonomike. Ata paguanin kontribute sipas skemës së përgjithëshme të sigurimeve shoqërore dhe gëzonin të gjitha të drejtat në lidhje me përfitimet në kuadrin e mirëqënies sociale. Veç kësaj, në ngjashmëri me universitetet, Kishës Ortodokse Rumune i alokoheshin fonde nga buxheti i shtetit për mbulimin e pagave të punonjësve të saj. Në përputhje me këtë, sindikata kërkuese parashtroi se as praktika e Kishës Ortodokse Rumune, sipas të cilës ajo nuk lidhte kontrata punësimi me personelin e saj, as fakti që një pjesë të pagave të tyre ajo i paguante nga fondi i saj, nuk mund të ndikonin në natyrën e vërtetë të marrëdhënies mes Kishës dhe punënjësve të saj, përderisa marrëdhënia ngërthente të gjithë aspektet e një kontrate punësimi dhe ishte e ngjashme me atë midis nëpunësit civil dhe institucionit punëdhënës përkatës.
88. Sindikata kërkuese pretendonte se, ndryshe nga grupe profesionesh të tjera, të cilët po ashtu ishin nën detyrimin specifik të besnikërisë, por që kishin sindikata për mbrojtjen e interesave të tyre, punpnjësit e Kishës Ortodokse Rumune, që bëheshin rreth 15,000 persona, ishin të privuar prej çdo lloj forme mbrojtjeje ndaj abuzimeve në lidhje me çështje të tilla si pagat dhe transferimet.
89. Ajo shtoi se ndërhyrja në lirinë e anëtarëve për t’u organizuar në shoqata nuk ishte e parashikuar nga ligji i brendshëm. Në lidhje me këtë ajo citoi Nenet 40, 53 dhe 73 të Kushtetutës, me anë të të cilëve qytetarëve u garantohej e drejta për t’u bashkuar në mënyrë të lirë për krijimin e partive politike, sindikatave, shoqatave të punëdhënësve apo lloje të tjera shoqatash, një e drejtë që mund të kufizohej vetëm me një Akt institucional. Ajo parashtroi se nga këto dispozita mund të nxirrej se nuk kishte asnjë instrument ligjor që të ndalonte priftërinjtë në krijimin e një sindikate, refuzimi i regjistrimit të së cilës ishte bazuar vetëm në Nenin123 § 8 të Statutit të Kishës; thjesht fakti se Statuti ishte miratuar nga Qeveria nuk i jepte atij statusin e një instrumenti të brendshëm legjislativ, aq më pak të një Akti institucional të aftë për të kufizuar një liri kushtetuese. Duke parashtruar se Neni 123 § 8 i Statutit ishte në papajtueshmëri me Kushtetutën, sindikata kërkuese konkludoi se vendimi për ta ndaluar atë ishte në shkelje të së drejtës së brendëshme. Vendimi, kësisoj, nuk kishte bazë ligjore dhe shkelte Nenin 11 të Kushtetutës.
90. Sindikata kërkuese pranoi se masa në fjalë kishte ndjekur një qëllim legjitim, domethënë mbrojtjen e interesave të Kishës, por argumentoi se masa nuk kishte qenë e domosdoshme në një shoqëri demokratike për ruajtjen e autonomisë fetare të kishës.
91. Në parashtrimin e saj, kur bëhej fjalë për marrëdhëniet mes Shtetit dhe bashkësive fetare, lipsej bërë dallimi midis veprimtarive fetare të bashkësisë dhe veprimtarive të tij civile e komerciale. Kështu, ndërsa çdo ndërhyrje e Shtetit në veprimtaritë fetare ishte rreptësisht e ndaluar, veprimtaritë civile dhe komerciale të Kishës nuk ishin të lidhura me fenë apo me misionin shpirtëror të Kishës e, kësisoj, duheshin rregulluar në bazë të së drejtës civile. Në lidhje me këtë sindikata kërkuese theksoi se ajo nuk dëshironte të ndryshonte as dogmën e krishterë e as organizimin e adhurimit fetar, por se qëllimi i saj i vetëm ishte të luftonte për mbrojtjen e të drejtave statutore të anëtarëve të saj, përfshirë të drejtën për të marrë pagën ligjore të garantuar dhe të drejtën për të mos u shkarkuar në mënyrë të gabuar. Ajo konfirmoi, po ashtu, se anëtarët e saj kishin kërkuar – dhe kishin marrë – lejen me gojë për krijimin e një sindikate, por peshkopi më pas, pas kundërshtimit nga Sinodi i Shenjtë, e kishte tërhequr pëlqimin e dhënë fillimisht prej tij.
92. Sindikata kërkuese pranoi se disa prej qëllimeve të përcaktuara në statutin e saj mund të ngjanin se ishin në kundërshtim me detyrat e priftit, por argumentoi se ato ishin “kopjuar tërësisht nga Ligji për Sindikatat” dhe se ato kishin për qëllim të mbronin edhe interesat e punënjësve laikë të kishës, të cilët nuk i nënshtroheshin të njëjtave detyrime si priftërinjtë. Ajo parashtroi gjithashtu se, në çdo rast, çdo veprim që mund të ndërmerrej, si greva apo veprimtari të tjera të ngjashme, do të duhej t’i nënshtrohej shqyrtimit nga ana e autoriteteve gjykuese, të cilat mund të vendosnin ndëshkime deri në dhe përfshirë shpërndarjen. Ajo shtoi se, edhe sikur priftërinjtë të merrnin vendimin për të bërë grevë apo për të organizuar veprimtari të tjera jashtë autoritetit të institucionit të tyre, ata do t’i nënshtroheshin procedures disiplinore të Kishës dhe Statutit të saj, i cili po ashtu parashikonte sanksione.
93. Në fund, sindikata kërkuese theksoi se tashmë ishin krijuar dy sindikata të tjera brenda Kishës e se njohja e tyre nuk kishte patur ndikim në organizimin e brendshëm apo kishte çuar në rregulla paralele qeverisjeje. Ajo parashtroi gjithashtu se sindikatat e personelit të Kishës funksiononin lirisht në disa Shtete të tjera Anëtare të Këshillit të Evropës.
94. Në përfundim, sindikata kërkuese argumentoi se ndalimi i saj si një masë parandaluese e bazuar vetëm në supozime të bëra nisur nga statuti i saj, nuk kishte qenë proporcional me qëllimin e ndjekur dhe kishte çuar në shkelje të Nenit 11 të Konventës.
2. Qeveria
95. Qeveria nuk ngriti pretendime për papranueshmëri dhe pranoi se refuzimi i regjistrimit të sindikatës kërkuese përbënte ndërhyrje në të drejtën e saj për lirinë e organizimit në shoqata. Ajo gjithashtu vuri në dukje se nuk ekzistonte asnjë pengesë ligjore që ndalonte personelin laik të Kishës Ortodokse Rumune të krijonte një sindikatë.
96. Për sa i takon klerikëve, Qeveria argumentoi se për shkak të Statutit të Kishës Ortodokse Rumune dhe Ligjit për Lirinë Fetare, marrëdhënia e tyre me Kishën ishte një “marrëdhënie shërbimi e misioni e pranuar me vullnet të lirë” që dilte jashtë sferës së ligjit të punës e kësisoj jashtë fushës së veprimit Kodit të Punës. Ajo vërejti se priftërinjtë kryenin detyrat e tyre në bazë të një vendimi të peshkopit që përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e tyre, dhe të një betimi për besim dhe bindje që ata bëjnë pasi shugurohen. Ajo shtoi se kontratat e punësimit të nënshkruara në vitin 2004 nga Kryedioqeza e Craiova-s ishin rrezultat i një interpretimi të gabuar të ligjit e nuk ishin regjistruar asnjëherë nga Inspektoriati i Punës, i cili kishte konfirmuar, në fakt, se ligji i punës nuk ishte i zbatueshëm në marrëdhëniet midis Kishës Ortodokse dhe personelit të saj kishtar. Ky pozicion ishte mbajtur edhe nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat ishin shprehur se në përputhje me autonominë e bashkësive fetare, gjykatat e brendëshme të zakonshme nuk kishin juridiksion për shqyrtimin e vendimeve të gjykatave fetare në lidhje me dispozitat e Kodit të Punës.
97. Qeveria pohoi, po ashtu, se Shteti nuk paguante pagat e priftërinjve, ndërsa roli i tij në këtë drejtim kufizohej vetëm në dhënien e një ndihme financiare të përllogaritur në bazë të numrit të besimtarëve të kishës dhe nevojave faktike. Ishte tërësisht përgjegjësi e Kishës rishpërndarja e fondeve të marra nga Shteti mes personelit të saj. Kështu, Shteti i bënte Kishës Ortodokse një total prej 12,765 pagesash asistence, shumat e të cilave varionin midis EUR 163 dhe EUR 364, ndërsa Kisha paguante 1,005 priftërinj dhe 1,408 punojës laikë tërësisht nga fondet e saj. Për sa i përket përfshirjes së priftërinjve dhe punonjësve të tjerë laikë të Kishës në skemën shtetërore të sigurimeve shoqërore, Qeveria parashtroi se kjo ishte zgjedhje e Parlamentit të vendit, i cili gëzonte një hapësirë të gjerë vlerësimi për këtë gjë; megjithatë, përfshirja e tyre nuk afektonte statusin e tyre dhe nuk i bënte ata zyrtarë shtetëror.
98. Po ashtu, Qeveria theksoi se priftërinjtë ishin përgjegjës për administrimin e famullive të tyre dhe, si të tillë, kryenin funksione menaxhuese; në bazë të Ligjit nr. 54/2003, kjo i pengonte ata në lidhje me veprimtaritë sindikaliste.
99. Duke mbajtur parasysh konsideratat e mësipërme, Qeveria shprehu shqetësim për idenë e konsiderimit të Nenit 11 si të zbatueshëm për çështjen në fjalë, duke parë që dispozitat e ligjit të punës nuk zbatoheshin për anëtarët e sindikatës kërkuese.
100. Në çdo rast, ajo parashtroi se ndërhyrja ishte e përcaktuar në ligj, kishte ndjekur një qëllim legjitim dhe ishte e domosdoshme në një shoqëri demokratike.
101. Në parashtrimin e saj, baza ligjore për masën në fjalë ishte Neni 123 § 8 i Statutit të Kishës, në bazë të të cilit pjesëmarrja e pjestarëve të klerit në çdo formë organizimi ishte objekt i pëlqimit paraprak të dhënë nga kryepeshkopi. Pas miratimit të Statutit me vendimin qeverie, kjo dispozitë ishte pjesë e të drejtës së brendëshme dhe nuk ishte në kundërshtim me kushtetutën e cila, ndërsa garantonte lirinë e organizimit, përfshirë lirinë sindikaliste, ia nënshtronte atë kushteve të përcaktuara në ligj – ndërkohë që ligji i zbatueshëm në këtë rast është Statuti i Kishës. Veç kësaj, fakti që Ligji i Sindikatave nuk ndalonte në mënyrë ekplicite krijimin e sindikatave nga priftërinjtë nuk çonte në njohje të nënkuptuar të kësaj të drejte; në vend të kësaj, duke ushtruar autonominë e saj, Kisha kishte vendosur që veprimtaritë e personelit të saj duhet të rregulloheshin në bazë rregullash të ndryshme nga ato të ligjit të punës.
102. Sa i takon qëllimit legjitim të ndjekur nga ndërhyrja e bërë, Qeveria i kërkoi Dhomës së Madhe të largohej prej analizës së bërë nga Dhoma, e cila kishte konstatuar se masa në fjalë kishte patur për qëllim mbrojtjen e rendit publik duke mbrojtur lirinë dhe autonominë e Bashkësive fetare. Ajo pohoi se qëllimi i vetëm i ndërhyrjes kishte qenë mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve, domethënë të Kishës Ortodokse Rumune. Duke qenë kështu, referenca specifike për rendin publik ishte e parëndësishme për çështjen në fjalë.
103. Në lidhje me atë nëse masa kishte qenë e domosdoshme dhe proporcionale, Qeveria theksoi, së pari, se ndalimi i krijimit të sindikatave pa pëlqimin e kryepeshkopit kishte të bënte vetëm me pjestarët e klerit dhe se personeli laik i Kishës mbetej i lirë të organizohej në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Ligjin e Sindikatave.
104. Liria e organizimit e pjestarëve të klerit, ndërkohë, respektohej plotësisht nga Kisha Ortodokse Rumune, brenda të cilës kishte disa qindra shoqata e fondacione, mes të cilave shoqata Apostolia në Kryedioqezën e Craiova-s.
105. Në parashtrimin e Qeverisë, kërkesa për marrjen e lejes së kryepeshkopit për çdo formë organizimi ku përfshiheshin klerikët ishte legjitime dhe reflektonte parimin e autonomisë së Kishës. Qeveria ishte e habitur që në çështjen në fjalë sindikata kërkuese nuk e kishte kërkuar këtë leje dhe shtoi se gjykatat e zakonshme, në rrethana të përshtatshme, mund të ishin shprehur se një mohim i lejes ishte i gabuar.
106. Qeveria theksoi se, për shkak të statusit të tyre, priftëtinjë që i përkisnin sindikatës kërkuese ishin nën detyrimin e një shkalle më të lart besnikërie ndaj Kishës Ortodokse. Nuk ekzistonte një e drejtë për mospranim: priftërinjë jo-besnikë mund të largoheshin nga kisha në çdo kohë, por për sa kohë ata zgjedhin të qëndrojnë aty, ata supozohen se kanë pranuar me vullnet të lirë të respektojnë rregullat e saj e të heqin dorë nga disa prej të drejtave të tyre.
107. Për sa i takon efekteve të mundshme të themelimit të një sindikate mbi metodat operuese të Kishës, Qeveria argumentoi se statuti i sindikatës kërkuese sugjeronte se, në rast themelimi të saj, ajo do të përpiqej të fuste në veprim një tërësi rregullash paralele me ato të Kishës. Kjo dukej fare qartë nga leximi i pjesëve të caktuara që kishin të bënin me rekrutimin e personelit, promovimin e iniciativës, konkurencën dhe lirinë e shprehjes, nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive dhe kontratave të punësimit, respektimin e rregullave të ligjit civil për orët e punës, përfaqësimin në organet vendim-marrëse apo të drejtën e grevës. Qeveria kësisoj parashtroi se njohja e sindikatës kërkuese do të kishte çuar domosdoshmërisht në lindjen e një sistemi bashkë-menaxhimi brenda Kishës Ortodokse Rumune; kjo do të kishte qenë një burim konflikti mes sindikatës dhe hierarkisë së Kishës, duke kërkuar gjykimin nga ana e autoriteteve të brendëshme, në shkelje të detyrës së Shtetit për neutralitet dhe paanshmëri dhe të autonomisë së bashkësive fetare.
108. Qeveria shpjegoi se në çështjen në fjalë Shteti kishte qenë i merakosur për parandalimin e çdo përpjekje për sindikalizim përpara se sindikata kërkuese të fillonte të operonte si e tillë dhe kjo qasje kishte qenë e justifikuar nga fakti se sindikata do të kishte qenë në gjendje të vinte në veprim të drejtën e saj në bazë të Ligjit për Sindikatat menjëherë sapo të regjistrohej, pa asnjë formë supervizimi gjyqësor paraprak.
109. Në fund, Qeveria tërhoqi vëmendjen në lidhje me larminë e madhe të rregullave të aplikuara në lidhje me statusin e priftërinjve dhe të drejtën e tyre të organizimit në Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, dhe parashtroi se mungesa e konsensusit në këtë fushë tregonte se autoriteteve nacionale u duhej lënë një hapësirë e gjerë vlerësimi.
C. Palët e treta
110. Qeveritë e palëve të treta dhe organizatat jo-qeveritare ndërhyrëse në proces ndanin të gjithë të njëjtin qëndrim me Qeverinë përgjegjëse.
1. Qeveria Greke
111. Qeveria Greke parashtroi se, në rastin e një konflikti mes të drejtave të mbrojtura nga Nenet 9 dhe 11 të Konventës, Gjykata duhet të niste me përcaktimin nëse njohja e të drejtës së lirisë së organizimit brenda një bashkësie fetare shkelte të drejtën e autonomisë së bashkësisë në fjalë. Në pikëpamjen e tyre, autonomia e bashkësive fetare duhej të sundonte dhe këto bashkësi duhet të gëzonin të drejtën për të vendosur për marrëdhëniet e tyre me personelin e tyre në bazë të rregulloreve të tyre të brendëshme, edhe sikur këto të kufizonin apo limitonin ushtrimin e disa të drejtave të caktuara.
112. Qeveria Greke argumentoi se, përderisa priftërinjtë kryenin një funksion thelbësisht fetar, dallimi midis veprimtarive fetare e jo-fetare ishte i parëndësishëm. Veç kësaj, gjykatat e brendëshme ishin në një pozicion më të mirë për të vendosor në lidhje me çdo mosmarrëveshje të krijuar në këtë fushë.
2. Qeveria e Republikës së Moldavisë
113. Qeveria e Republikës së Moldavisë parashtroi se Dhoma nuk kishte mbajtur ekuilibrin e duhur midis lirisë së organizimit, të pretenduar nga sindikata kërkuese, dhe lirisë së fesë e të drejtës së autonomisë të Kishës Ortodokse. Ajo ka argumentuar se Neni 11 i Konventës nuk mund të interpretohej si i tillë që vendoste një detyrim pozitiv mbi Shtetin për të njohur një shoqatë sekulare brenda një bashkësie fetare, ku një njohje e tillë do ishte në kundërshtim me detyrën e Shtetit për neutralitet në lidhje me bashkësitë fetare.
114. Ajo parashtroi gjithashtu se, në bazë të Nenit 9 të Konventës, anëtarët e bashkësisë fetare duhen konsideruar të tillë që, duke iu bashkuar bashkësisë, kanë zgjedhur me vullnet të lirë të heqin dorë nga disa prej të drejtave të tyre civile që ata mund t’i pretendojnë në bazë të Nenit 11.
3. Qeveria Polake
115. Qeveria Polake parashtroi se Dhoma duhet të ishte fokusuar më shumë tek natyra e veçantë e marrëdhënies mes Kishës dhe klerikëve të saj. Fakti që të drejtat e pretenduara nga një grup klerikësh ishin të një natyre ekonomike, sociale apo kulturore nuk mbështeste përfundimin se njohja e sindikatës nuk kishte gjasa të minonte funksionimin autonom të bashkësisë fetare në fjalë.
116. Ajo argumentoi se në radhë të parë ishin bashkësitë fetare ato që duhej të vendosnin se cilat veprimtari duheshin trajtuar si pjesë e praktikës fetare apo si të tilla që kishin ndikim mbi misionin dhe organizimin e tyre të brendshëm, e që t’ia besoje këtë rol gjykatave të brendëshme do të ishte një burim konflikti e do t’i kërkonte gjykatave të vendosnin për çështje fetare, në shkelje të autonomisë së bashkësive fetare dhe detyrës së Shtetit për asnjanësi.
117. Në fund, ajo parashtroi se, për shkak të trajnimit të tyre dhe vendimit të tyre për të qenë pjesë e klerit, priftërinjtë kishin një detyrë të një niveli më të lartë për besnikëri ndaj Kishës dhe duhet të ishin të vetëdijshëm për kërkesat e misionit të tyre, i cili kufizonte ushtrimin e disa të drejtave të caktuara.
4. Qeveria gjeorgjiane
118. Qeveria gjeorgjiane vuri në dukje se marrëdhëniet Kishë-Shtet trajtoheshin në mënyra të ndryshme nga vendi në vend e se nuk kishte një konsensus evropian në këtë fushë.
119. Në përputhje me këtë, ajo parashtroi se Shtetet Kontraktuese dhe gjykatat e tyre gëzonin një hapësirë të gjerë vlerësimi për garantimin e autonomisë së bashkësive fetare ndaj çdo kërcënimi. Shteti duhet t’i shmanget inkurajimit të çdo lloj forme mospajtimi brenda këtyre bashkësive.
5. Kryedioqeza e Craiovës
120. Kryedioqeza e Craiova-s parashtroi se në Kishën Ortodokse Rumune, figura kanonike e priftit ishte drejtpërsëdrejti e lidhur me atë të peshkopit. Marrëdhënia midis peshkopit dhe klerikëve të tij bazohej tek besimi reciprok dhe uniteti i misionit të Kishës, dhe do të ishte e paperceptueshme për ligjin kanonik që të kishte aty ndonjë antagonizëm midis autoriteteve të Kishës, të përfaqësuar nga Sinodi i Shenjtë, dhe peshkopëve e klerikëve. Këta të fundit kishin rolin e tyre në ushtrimin demokratik të autoritetit kishtar dhe ishin në gjendje të mbështeteshin tek rregullat e brendëshme të Kishës për të mbrojtur veten ndaj çdo abuzimi pushteti. Veç kësaj, çdo refuzim nga peshkopi për dhënien e lejes për krijimin e një shoqate mund t’i përcillej Sinodit të Shenjtë.
121. Në përfundim, Kryedioqeza parashtroi se krijimi i një sindikate priftërinjsh dhe personeli laik do të trazonte marrëdhënien ekzistuese mes Kishës dhe klerikëve dhe do të përbënte rrezik ndaj rendit publik dhe harmonise sociale.
6. Patriarkati i Moskës
122. Patriarkati i Moskës theksoi natyrën speciale të marrëdhënieve të shërbesës hierarkike benda bashkësive fetare dhe shkallën e lartë të besnikërisë që nënkuptonin këtë marrëdhënie. Shteti duhet t’u garantonte bashkësive fetare, për shkak të autonomisë së tyre, kompetencën ekskluzive për të përcaktuar strukturën dhe rregullat e tyre të brendëshme operative.
123. Elementi themelor i marrëdhënies së shërbesës së priftërinjve ishte kryerja e shërbesave fetare, dhe kjo marrëdhënie nuk mund të reduktohej, në një mënyrë abstrakte, artificiale, në një marrëdhënie kontraktuale që i nënshtrohej rregullave të ligjit civil. Patriarkati i Moskës argumentoi se në praktikë ishte e pamundur të shtrije fushën e veprimit të legjislacionit të zakonshëm tek bashkësitë fetare, dhe një qasje e tillë do të shkaktonte probleme kokëforta për këto bashkësi, përfshirë Kishën Ortodokse Rumune.
7. Organizata jo-qeveritare Qendra Evropiane për Ligj dhe Drejtësi (ECLJ)
124. Organizata ECLJ parashtroi se priftërinjtë ishin të lidhur nga një shkallë e lartë besnikërie ndaj Kishës. Ky detyrim njihej si nga Direktiva e Këshillit 2000/78/EC of 27 Nëntor 2000 edhe nga jurisprudenca e Gjykatës.
125. ECLJ shtoi se priftërinjtë ishin jashtë fushës së veprimit të së drejtës për t’u organizuar pasi ata nuk ishin “punonjës”, por kishin një vokacion eksklusivisht fetar dhe marrëdhënia e tyre me Kishën nuk bazohej në një kontratë punësimi.
126. Në fund, ajo parashtroi se në rastet ku, si tek çështja në fjalë, faktet në konflikt ishin të një natyre fetare, ndërhyrja nuk mund të shqyrtohej në bazë të testit të proporcionalitetit, duke peshuar interesat e bashkësive fetare përballë interesave që individët mund të pretendonin në bazë të Neneve 8 dhe 12 të Konventës, përderisa këto Nene mbronin të drejta që individët në fjalë, me vullnet të lirë, kishin zgjdhur të mos i ushtronin.
8. Organizata jo-qeveritare Becket Fund dhe Qendra Ndërkombëtare për Ligj dhe Studime Fetare
127. Këto organizata iu referuan jurisprudencës së Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në lidhje me autonominë e institucioneve fetare. Në çështjen e Bordit Nacional për Marrëdhëniet e Punës k. Peshkopit Katolik të Çikagos (440 U.S. 490 (1979)) Gjykata Supreme ishte shprehur se autoritetet e brendëshme nuk mund të shpërfillnin vullnetin e peshkopit nëpërmjet njohjes së një sindikate të mësuesëve të Shkollave Katolike, duke vërejtur se një njohje e tillë do të ishte ndërhyrje në funksionimin autonom të institucioneve fetare. Në çështjen Kisha Evangjelike Luterane Hosanna‑Tabor dhe Shkolla k. Komisionit të Mundësive të Barabarta për Punësim (nr. 10-553 (2012)), Gjykata Supreme kishte zbatuar doktrinën e “përjashtimit pastorial”, duke u shprehur se dispozitat e ligjit të punës nuk ishin të zbatueshme për punonjësit e institucioneve fetare, qofshin këta klerikë apo pjestarë të personelit laik.
128. Të dy organizatat argumentuan se pozicioni i Gjykatës Supreme së Shteteve të Bashkuara ishte në përputhje me atë të Gjykatës Evropiane për sa i takon mbrojtjes së autonomisë së bashkësive fetare në marrëdhënien e tyre me klerikët. Dhoma kishte gabuar, kësisoj, kur i qe larguar këtij pozicioni dhe ky gabim do të kishte një ndikim negativ mbi autonominë fetare për faktin se Shtetit mund t’i kërkohej, në rast se ruhej vendimi i Dhomës, të gjykonte për mosmarrëveshje mes bashkësive fetare dhe anëtarëve të tyre.
D. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
129. Qeveria pyeste nëse Neni 11 i Konventës ishte i zbatueshëm për pjestarët e klerit. Dhoma e Madhe mendon se kjo pyetje është pjesë e shqyrtimit të themelit të çështjes dhe prandaj do e shqyrtojë atë më poshtë.
1. Parime të përgjithëshme
(a) E drejta për të krijuar sindikata
130. Gjykata, duke marrë parasysh zhvillimet në të drejtën ndërkombëtare të punës, vëren që në fillim se liria sindikaliste është një element thelbësor i dialogut social mes punëtorëve dhe punëdhënësve, dhe për pasojë një instrument i rëndësishëm për arritjen e drejtësisë dhe harmonisë sociale.
131. Ajo theksoi gjithashtu se Neni 11 i Konventës e paraqet lirinë sindikaliste si një aspekt të veçantë të lirisë së organizimit dhe se, megjithëse qëllimi thelbësor i atij Neni është mbrojtja e individit ndaj ndërhyrjes arbitrare të autoriteteve publike në ushtrimin e të drejtave që ai mbron, mund të ketë, krahas këtyre, edhe detyrime pozitive për Shtetin për të siguruar gëzimin efektiv të këtyre të drejtave (shiko Demir dhe Baykara v. Turqisë [GC], nr. 34503/97, §§ 109 dhe 110, ECHR 2008).
132. Kufijtë ndarës mes detyrimeve pozitive dhe negative të Shtetit në bazë të Nenit 11 të Konventës nuk japin mundësi për një përkufizim fare të saktë. Parimet e zbatueshme janë megjithatë të ngjashme. Nëse çështja analizohet në termat e detyrimit pozitiv të Shtetit apo në terma të ndërhyrjes nga ana e autoriteteve publike, që duhet justifikuar, kriteret për t’u zbatuar nuk ndryshojnë në thelb. Në të dy kontekstet duhet bërë kujdes të sihurohet ekuilibri i drejtë mes interesave konkuruese të individit dhe atyre të bashkësisë si një e tërë.
133. Duke patur parasysh karakterin e ndjeshëm të çështjeve sociale dhe politike që ngërthen realizimi i një ekuilibri të drejtë midis interesave respektive të punës dhe menxhimit, dhe në kushtet e një divergjence të madhe mes sistemeve të brendëshme në këtë fushë, Shtetet Kontraktuese gëzojnë një hapësrë të madhe vlerësimi për mënyrën si mund të sigurohen liria sindikaliste dhe mbrojtja e interesave profesionale të anëtarëve të sindikatave (shiko Sørensen dhe Rasmussen k. Danimarkës [GC], nr. 52562/99 dhe 52620/99, § 58, ECHR 2006‑I).
134. Neni 11 i Konventës u garanton anëtarëve të një sindikate të drejtën që sindikata e tyre të dëgjohet me qëllim mbrojtjen e interesave të tyre, por nuk u garanton atyre ndonjë trajtim të veçantë nga Shteti. Ajo çfarë kërkohet nga Konventa është që, në bazë të së drejtës së brendëshme, sindikatat të mund të luftojnë për interesat e anëtarëve të tyre në kushte që nuk janë në kundërshtim me Nenin 11 (shiko Unioni Kombëtar i Policëve Belgë k. Belgjikës, 27 Tetor 1975, §§ 38 dhe 39, Seria A nr. 19, dhe Union i Shoferëve Suedezë k. Suedisë, 6 Shkurt 1976, §§ 39-40, Seria A nr. 20).
135. Me anë të jurisprudencës së saj Gjykata ka ngritur një listë jo të plotë të elementëve përbërës të së drejtës për t’u organizuar, përfshirë të drejtën për të formuar apo për t’iu bashkuar një sindikate, ndalimin e marrëveshjeve të mbyllura dhe të drejtën e një sindikate për të kërkuar të bindë punëdhënësin të dëgjojë atë çfarë ajo ka për të thënë në emër të anëtarëve të saj. Së fundmi ajo është shprehur, duke marrë parasysh zhvillimet në marrëdhëniet e punës, se e drejta për të negociuar në mënyrë kolektive me punëdhënësin është bërë në parim, përveç se në raste shumë specifike, një prej elementeve thelbësore të së drejtës për të formuar dhe hyrë në një sindikatë për mbrojtjen e interesave personale (shiko Demir dhe Baykara, cituar më lart, §§ 145 dhe 154).
(b) Autonomia e organizatave fetare
136. Gjykata thekson se bashkësitë fetare tradicionalisht dhe universalisht ekzistojnë në formën e strukturave të organizuara. Kur është fjala për organizimin e bashkësisë fetare, Neni 9 i Konventës duhet interpretuar në dritën e Nenit 11, i cili mbron shoqatat ndaj ndërhyrjes së pajustifikuar të Shtetit. Parë nga kjo perspektivë, e drejta e besimtarëve për lirinë e fesë përfshin pritshmërinë që bashkësia do të lejohet të funksionojë paqësisht, pa ndërhyrjen ndërhyrjen arbitrare të Shtetit. Ekzistenca autonome e bashkësive fetare është e domosdoshme në një shoqëri demokratike dhe është një çështje që qëndron në thelbin e mbrojtjes së garantuar nga Neni 9. Ajo ka të bëjë jo vetëm me organizimin e këtyre bashkësive si të tilla, por gjithashtu edhe me gëzimin me efektivitet të së drejtës së lirisë së fesë nga të gjithë anëtarët e tyre aktivë. Po të mos mbrohej jeta organizative e bashkësisë nga Neni 9, të gjithë aspektet e tjera të lirisë së individit do të bëheshin të cënueshme (shiko Hasan dhe Chaush k. Bullgarisë [GC], nr. 30985/96, § 62, ECHR 2000-XI; Kisha Metropolitane e Bessarabisë dhe të Tjerë k. Moldavisë, nr. 45701/99, § 118, ECHR 2001-XII; dhe Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare (Metropolitan Inokentiy) dhe të Tjerë k. Bullgarisë, nr. 412/03 dhe 35677/04, § 103, 22 Janar 2009).
137. Në përputhje me parimin e autonomisë, Shtetit i ndalohet të detyrojë një bashkësi fetare të pranojë anëtarë të rinj apo të përjashtojë ata ekzistues. Po kështu, Neni 9 i Konventës nuk garanton asnjë të dretjë për mospërputhje mendimesh brenda një organi fetar; në rastin e një mosmarrëveshjeje për çështje të doktrinës apo organizimit midis një bashkësie fetare dhe një prej anëtarëve të saj, liria e fesë e individit ushtrohet përmes lirisë së tij për t’u larguar nga bashkësia (shiko Miroļubovs dhe të tjerë k. Letonisë, nr. 798/05, § 80, 15 Shtator 2009).
138. Në fund, në rastet ku vihen në lojë çështje që kanë të bëjnë me marrëdhënien midis Shtetit dhe feve, për të cilat opinioni në një shoqëri demokratike mund të jetë shumë i ndryshëm, i duhet dhënë një rëndësi e veçantë rolit të organeve vendim-marrëse nacionale (shiko Leyla Şahin k. Turqisë [GC], nr. 44774/98, § 109, ECHR 2005-XI). Ky do të jetë veçanërisht rasti kur praktika e Shteteve Evropiane karakterizohet nga një llojshmëri e gjerë modelesh kushtetuese që rregullojnë marrëdhëniet midis Shtetit dhe bashkësive fetare.
2. Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen aktuale
139. Gjykata do të vërtetojë nëse, duke mbajtur parasysh statusin e tyre si klerikë, anëtarët e sindikatës kërkuese kanë të drejtë të mbështeten tek Neni 11 i Konventës dhe, në rast se po, nëse refuzimi për regjistrimin e sindikatës cënonte vetë thelbin e lirisë së tyre të organizimit.
(a) Zbatueshmëria e Nenit 11 për faktet e çështjes
140. Pyetja nëse anëtarët e sindikatës kërkuese kishin të drejtën e formimit të një sindikate ngre çështjen nëse Neni 11 ishte i zbatueshëm për ta. Në këtë pikë, Dhoma e Madhe nuk ndan pikëpamjen e Qeverisë se pjestarët e klerit duhen përjashtuar nga mbrojtja që jep Neni 11 i Konventës për arësyen se ata kryejnë detyra në varësinë e peshkopit e rrjedhimisht janë jashtë fushës së veprimit të legjislacionit të brendshëm të punës.
141. Nuk është detyra e Gjykatës të vendosë për mosmarrëveshje midis anëtarëve të sindikatës dhe hierarkisë së Kishës në lidhje me natyrën e saktë të detyrave që kryejnë ata. E vetmja pyetje që ngrihet këtu është nëse këto detyra, pavarësisht çdo veçorie të veçantë që mund të përmbajnë, shkojnë në nivelin e një marrëdhënieje punësimi që e bën të zbatueshme të drejtën për të formuar sindikatë në kuptimin e Nenit 11.
142. Në trajtimin e kësaj pyetjeje, Dhoma e Madhe do të zbatojë kriterin e përcaktuar në instrumentet ndërkombëtare përkatëse (shiko, mutatis mutandis, Demir dhe Baykara, cituar më lart, § 85). Në lidhje me këtë, ajo vëren se në Rekomandimin nr. 198 në lidhje me marrëdhënien e punësimit (shiko paragrafin 57 lart), Organizata Ndërkombëtare e Punës gjykon se përcaktimi i ekzistencës së një marrëdhënie të tillë duhet të udhëhiqet së pari nga faktet që lidhen me performancën në punë dhe shpërplimin e punonjësit, pavarësisht se si karakterizohet kjo marrëdhënie në çdo rregullim tjetër ligjor, kontraktual apo tjetër, për të cilën mund të jetë rënë dakord mes palëve. Veç kësaj, Konventa e ILO-s nr. 87 (shiko paragrafin 56 lart), që është instrumenti kryesor ligjor ndërkombëtar që garanton të drejtën për t’u organizuar, në Nenin 2 parashikon se “punëtorët dhe punëdhënësit, pa kurrfarë dallimi” kanë të drejtë të krijojnë organizata sipas zgjedhjes së tyre. Së fundi, megjithëse Direktiva e Këshillit 78/2000/EC (shiko paragrafin 60) pranon ekzistenën e një shkalle të lartë besnikërie për shkak të natyrës së punëdhënësit, ajo specifikon se kjo nuk mund të paragjykojë lirinë e organizimit, veçanërisht të drejtën për të themeluar sindikatë.
143. Duke patur parasysh konsideratat e mësipërme, Gjykata vëren se detyrat e kryera nga anëtarët e sindikatës në fjalë përmbajnë shumë prej veçorive karakteristike të marrëdhënies së punësimit. Për shembull, ata aktivitetet e tyre i kryejnë në bazë të një vendimi të nxjerrë nga peshkopi që i emëron ata dhe përcakton të drejtat dhe detyrimet e tyre. Nën drejtimin dhe supervizimin e peshkopit ata kryejnë detyrat e caktuara për ta; veç kryerjes së riteve liturgjike dhe mbajtjes së kontaktit me anëtarët e famullisë, ato përfshijnë edhe mësimdhënien dhe menaxhimin e aseteve të famullisë; pjestarët e klerit janë gjithashtu përgjegjës për shitjen e artikujve liturgjikë (shiko paragrafin 44 lart). Veç kësaj, e drejta e brendëshme parashikon një numër të caktuar postesh për klerikët dhe personelin laik që financohen në masë të madhe nga buxheti i Shtetit dhe i autoriteteve lokale, rrogat e të cilëve vendosen duke iu referuar pagave të punonjësve të Ministrisë së Arsimit (shiko paragrafet 30 et seq. lart). Kisha Ortodoksse Rumune paguan kontributet e punëdhënësit mbi rrogat e klerikëve të saj, dhe priftërinjtë paguajnë tatimin mbi të ardhurat, paguajnë kontribute sipas skemës kombëtare së sigurimeve shoqërore dhe përfitojnë të gjithë benifitet e mirëqenies të parashikuara për punonjësit e zakonshëm, si sigurimin shëndetësor, pensionin pas arritjes së moshës së pensionit sipas ligjit, apo sigurimin e papunësisë.
144. Pa dyshim, siç vuri në dukje Qeveria, një cilësi e veçantë e punës së pjestarëve të klerit është se ajo bëhet edhe në përputhje me një qëllim shpirtëror dhe kryhet brenda një kishe që gëzon një shkallë të caktuar autonomie. Në përputhje me këtë, pjestarët e klerit marrin përsipër detyrime të një natyre të veçantë në kuptim që ata janë të lidhur prej një detyrimi të lartë besnikërie, i bazuar në vetvete tek një zotim personal e në parim i parevokueshëm, i bërë nga secili klerik. Ndaj dhe mund të jetë një detyrë delikate bërja e një dallimi fare të saktë midis aktiviteteve rreptësisht fetare të klerikëve dhe aktiviteteve të tjera të tyre të një natyre më financiare.
145. Megjithatë, çështja për t’u përcaktuar ka të bëjë më shumë me faktin nëse të tilla tipare të veçanta janë të mjaftueshme për ta hequr marrëdhënien mes pjestarëve të klerit dhe kishës së tyre nga fusha e veprimit e Nenit 11. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se paragrafi 1 i Nenit 11 e paraqet lirinë sindikaliste si një formë apo aspekt të veçantë të lirisë së organizimit dhe se paragrafi 2 nuk përjashton asnjë grup të punësuarish nga fusha e veprimit të këtij Neni. Më së shumti autoritetet e vendit kanë të drejtën të vendosin “kufizime të ligjshme” për punonjësit e tyre në përputhje me Nenin 11 § 2 (shiko Tüm Haber Sen dhe Çınar k. Turqisë, nr. 28602/95, §§ 28 dhe 29, ECHR 2006‑II). Për më tepër, grupe të tjera të punësuarish, të tillë si policia apo shërbimi civil, i nënshtrohen në të njëjtën mënyrë kufizimeve dhe detyrimit special për besnikëri pa vënë në pyetje të drejtën e pjesëtarëvë për t’u organizuar (shiko, për shembull, Unioni Nacional i Policisë Belge, cituar më lart, § 40, dhe Demir dhe Baykara, cituar më lart, § 107).
146. Veç kësaj, edhe duke supozuar se anëtarët e klerit ortodoks rumun mund të heqin dorë nga të drejtat e tyre sipas Nenit 11 të Konventës, Gjykata vëren se nuk ka asnjë të dhënë në çështjen në fjalë se anëtarët e sindikatës kërkuese, duke marrë përsipër kryerjen e detyrave të tyre, kanë rënë dakord ta bëjnë këtë gjë.
147. Gjykata vëren më tej se gjykatat e brendëshme kanë njohur tashmë në mënyrë eksplicite të drejtën e pjestarëve të klerit dhe të personelit laik të Kishës Ortodokse Rumune për krijimin e një sindikate (shiko paragrafet 46 dhe 49 lart).
148. Duke mbajtur parasysh të gjithë faktorët e mësipërm, Gjykata mendon se, pavarësisht rrethanave të tyre të veçanta, pjestarët e klerit misionin e tyre e përmbushin në kontekstin e një marrëdhënie punësimi që është brenda fushës së veprimit të Nenit 11 të Konventës. Neni 11 është rrjedhimisht i zbatueshëm për faktet e kësaj çështjeje.
149. Dhoma e Madhe bie dakord me palët se refuzimi i regjistrimit të sindikatës kërkuese përbën ndërhyrje nga ana e Shtetit përgjegjës në ushtrimin e të drejtave të mishëruara në Nenin 11 të Konventës.
150. Kjo lloj ndërhyrje nuk do të jetë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të Nenit 11 përveç se po të ketë qenë “e përcaktuar me ligj”, është bërë për një a më shumë qëllime legjitime dhe ishte “e domosdoshme në një shoqëri demokratike” për realizimin e atyre qëllimeve.
(b) Nëse ndërhyrja ishte “e përcaktuar me ligj” dhe bëhej për një a më shumë qëllime legjitime
151. Palët ranë dakord se ndërhyrja në fjalë ishte bazuar në dispozitat e Statutit të Kishës Ortodokse Rumune. Megjithatë, ata kishin qëndrime të ndryshme në lidhje me atë nëse ajo kishte qenë “e përcaktuar në ligj”.
152. Sindikata kërkuese parashtroi se ndërhyrja nuk kishte bazë ligjore në të drejtën e brendëshme, pasi dispozitat e Statutit të Kishës, duke mos u klasifikuar si një Akt institucional, nuk mund të kapërcenin dispozitat e Kushtetutës që garantonte lirinë sindikaliste. Qeveria e kundërshtoi këtë argument, duke parashtruar se, përderisa Statuti ishte miratuar me udhër qeverie, ai ishte pjesë e të drejtës së brendëshme.
153. Gjykata thekson jurisprudencën e saj të konsoliduar në lidhje me atë se shprehja “e përcaktuar në ligj” jo vetëm kërkon që masat e kundërshtuara duhet të kenë njëfarë baze në ligjin e brendshëm, por i referohet gjithashtu edhe cilësisë së ligjit në fjalë, i cili duhet të jetë mjaftueshmërisht i aksesueshëm për personin në fjalë dhe i parashikushëm për efektet e tij (shiko Rotaru k. Rumanisë [GC], nr. 28341/95, § 52, ECHR 2000‑V). Ajo thekson më tej se fraza “e përcaktuar në ligj” i referohet në radhë të parë legjislacionit të brendshëm dhe, në parim, nuk është Gjykata ajo që shqyrton vlefshmërinë e “legjislacionit sekondar”, gjë që është në radhë të parë çështje e gjykatave nacionale (shiko Campbell k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 Mars 1992, § 37, Seria A nr. 233).
154. Në çështjen aktuale, ajo vëren se, as Kushtetuta, as Aktet institucionale për sindikatat dhe lirinë fetare, në të vërtetë as Statuti i Kishës, nuk i ndalon shprehimisht anëtarët e klerit të krijojnë sindikata. Gjykatat e brendëshme një ndalim të tillë e kanë nxjerrë nga dispozitat e Statutit të Kishës, sipas të cilave themelimi i shoqatave dhe fondacioneve të Kishës ishte e drejtë e veçantë e Sinodit të Shenjtë dhe, për të marrë pjesë në një shoqatë të çfarëdo lloji, pjestarëve të klerit u duhej të kishin lejen e peshkopit.
155. Gjykata vëren se këtu nuk është në diskutim çështja e parashikueshmërisë dhe aksesibilitetit të dispozitave të mësipërme. Nuk është kundërshtuar se anëtarët e sindikatës kërkuese ishin të vetëdijshëm për dispozitat përkatëse të Statutit, apo se, në mungesë të lejes së peshkopit, ishte veçse e pritshme që Kisha do ta kundërshtonte kërkesën e tyre për regjistrimin e sindikatës. Në të vërtetë ata janë shprehur se e kishin kërkuar lejen e peshkopit, gjë që u ishte refuzuar pas ndërhyrjes së Sinodit të Shenjtë.
156. Sa i takon argumentit kryesor të sindikatës kërkuese, domethënë se, megjithëse Statuti i Kishës ishte miratuar nga Kisha, dispozitat e tij nuk mund të kapërcenin dispozitat e Kushtetutës, Dhoma e Madhe mendon se kjo përbën kundërshtim të vlefshmërisë së legjislacionit të brendshëm me arsyetimin se dispozitat në diskutim janë antikushtetuese dhe shpërfillin hierarkinë e normave. Megjithatë, nuk i takon Gjykatës të shqyrtojë këtë argument, i cili ka të bëjë me vlefshmërinë e një forme “legjislacioni sekondar”. Interpretimi i të drejtës së brendëshme të Palëve Kontraktuese është në radhë të parë çështje e gjykatave nacionale (shiko, ndër autoritete të tjera, Rekvényi k. Hungarisë [GC], nr. 25390/94, § 35, ECHR 1999‑III). Në lidhje me këtë, duhet vërejtur se Gjykata e Rrethit, e mbledhur si gjykatë e shkallës së fundit, e kufizoi veten tek një vërejtje e përgjithshme se, në bazë të Ligjit nr. 54/2003, rregullorja e brendëshme nuk mund të përmbante asnjë dispozitë që ishte në shkelje të Kushtetutës apo të ligjeve të tjera. Ndryshe nga Gjykata e Shkallës së Parë, ajo nuk shqyrtoi çështjen specifike nëse ndalimi i formimit të një sindikate pa lejen e peshkopit ishte në pajtueshmëri me dispozitat e Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata mendon se përderisa Gjykata e Rrethit u mbështet tek Statuti i Kishës për vendimin e saj, ajo padyshim ka qenë e mendimit që dispozitat e Statutit nuk ishin antikushtetuese.
157. Sipas kësaj, Gjykata është e përgatitur të pranojë, siç kanë bërë edhe gjykatat e brendëshme, se ndërhyrja e ankimuar e kishte bazën ligjore në dispozitat përkatëse të Statutit të Kishës Ortodokse Rumune dhe se këto dispozita i përgjigjeshin kërkesave të “ligjshmërisë” të vendosura në jurisprudencën e saj (shiko, mutatis mutandis, Miroļubovs dhe të Tjerë, cituar më lart, § 78).
158. Së fundi, Dhoma e Madh bie dakord me palët se ndërhyrja është bërë për një qëllim legjitim sipas paragrafit 2 të Nenit 11, domethënë për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, e veçanërisht ato të Kishës Ortodokse Rumune. Ndryshe nga Dhoma, ajo nuk gjen arësye të marrë në konsideratë qëllimin shtesë të parandalimit të trazirave.
(c) Nëse ndërhyrja ishte “e domosdoshme në një shoqëri demokratike”
159. Në opinionin e Gjykatës, është detyra e gjykatave të brendëshme të sigurojnë që, si liria e organizimit, edhe autonomia e bashkësive fetare të mund të respektohen brenda këtyre bashkësive në përputhje me ligjin e zbatueshëm, përfshirë Konventën. Në rastet kur bëhet fjalë për ndërhyrje në të drejtën e organizimit, nga Neni 9 i Konventës rrjedh se bashkësitë fetare kanë të drejtën e opinionit të tyre për çdo aktivitet kolektiv të anëtarëve tyre, që mund të minojë autonominë e tyre dhe se ky opinion, në parim, duhet të respektohet nga autoritetet nacionale. Megjithatë, thjesht pretendimi i një bashkësie fetare se ekziston një rrezik aktual apo potencial për autonominë, nuk është i mjaftueshëm për ta bërë çdo ndërhyrje në të drejtën sindikaliste të anëtarëve të saj të pajtueshme me kërkesat e Nenit 11 të Konventës. Ajo duhet të demonstrojë gjithashtu, mbështetur tek rrethanat e çështjes, se rreziku i pretenduar është real e domethënës dhe se ndërhyrja e kundërshtuar në lirinë e organizimit nuk shkon përtej asaj çka është e domosdoshme për eliminimin e atij rreziku dhe nuk i shërben ndonjë qëllimi tjetër që nuk ka lidhje me ushtrimin e autonomisë së bashkësisë fetare. Gjykatat nacionale duhet të sigurojnë plotësimin e këtyre kushteve duke bërë një shqyrtim në thellësi të rrethanave të çështjes dhe balancim të plotë mes interesave konkuruese të rrezikuara. (shiko, mutatis mutandis, Schüth k. Gjermanisë, nr. 1620/03, § 67, ECHR 2010, dhe Siebenhaar k. Gjermanisë, nr. 18136/02, § 45, 3 Shkurt 2011).
160. Ndërsa Shteti gëzon një hapësirë të madhe vlerësimi në çështje si kjo, ku duhet mbajtur një ekuilbër mes interesave private konkuruese apo të drejtave të ndryshme të Konventës (shiko, mutatis mutandis, Evans k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 6339/05, § 77, ECHR 2007‑I), rezultati i kërkesës, në parim, nuk duhet të ndryshojë në varësi të faktit nëse ajo është depozituar në Gjykatë në bazë të Nenit 11 të Konventës, nga personi të cilit i është kufizuar liria e organizimit, apo në bazë të Nenit 9 dhe 11, nga bashkësia fetare që pretendon se i është shkelur e drejta e autonomisë.
161. Çështja qendrore në çështjen në fjalë është mos-njohja e sindikatës kërkuese. Në proceset përpara gjykatave me juridiksionin për shqyrtimin e kërkesës së sindikatës për regjistrim, Kryedioqeza, e cila ishte kundër regjistrimit të saj, ishte shprehur se qëllimet e përcaktuara në statutin e sindikatës ishin të papajtueshme me detyrat e pranuara nga priftërinjtë për shkak të shërbimit të tyre dhe zotimit përpara kryepeshkopit. Ajo pohoi se ngritja brenda strukturës së Kishës e një organi të ri të këtij lloji rrezikonte seriozisht lirinë e bashkësive fetare për organizimin e tyre në përputhje me traditat e tyre, dhe se për këtë arësye themelimi i një sindikate kishte shumë të ngjarë të minonte strukturën hierarkike tradicionale të Kishës; për këto arësye, ajo argumetoi se ishte e domosdoshme të kufizohej liria sindikaliste e pretenduar nga sindikata kërkuese.
162. Duke pasur parasysh argumentet e ndryshme të paraqitura përpara gjykatave të brendëshme nga përfaqësuesit e Kryedioqezës së Craiova-s, Gjykata e mendon të arësyeshëm gjykimin e Gjykatës së Rrethit se një vendim për të lejuar regjistrimin e sindikatës kërkuese do të krijonte një rrezik real për autonominë e bashkësisë fetare në fjalë.
163. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se në Rumani të gjithëa bashkësitë fetare kanë të drejtë të miratojnë rregulloret e tyre të brendëshme e kështu janë të lira të marrin vendimet e tyre në lidhje me funksionimin e tyre, rekrutimin e personelit dhe lidhjet me klerikët e tyre (shiko paragrafin 29 lart). Parimi i autonomisë së bashkësive fetare është guri i themelit të marrëdhënieve midis Shtetit Rumun dhe bashkësive fetare të njohura brenda territorit të tij, përfshirë Kishën Ortodokse Rumune. Siç është treguar nga Qeveria, pjestarët e klerit ortodoks rumun e kësisoj edhe priftërinjtë që janë pjesë e sindikatës kërkuese, i kryejnë detyrat e tyre për shkak të funksionit, zotimit përpara peshkopit dhe vendimit të këtij të fundit; Kisha Ortodokse Rumune ka zgjedhur të mos inkorporojë në Statutin e saj të punës dispozitat e ligjit të punës, të cilat janë të rëndësishme në lidhje me këtë, një zgjedhje kjo që është miratuar me një urdhër qeverie në përputhje me parimin e autonomisë së bashkësive fetare.
164. Duke marrë parasysh qëllimet e përcaktuara nga sindikata kërkuese në statutin e saj, veçanërisht ato që promovojnë iniciativën, konkurencën dhe lirinë e shprehjes mes anëtarëve të saj, duke siguruar që një nga anëtarët e saj të merrte pjesë në Sinodin e Shenjtë, duke kërkuar një raport financiar vjetor nga kryepeshkopi e duke përdorur grevat si mjet për mbrojtjen e interesave të anëtarëve të saj, Gjykata nuk mendon se vendimi gjyqësor për refuzimin e regjistrimit të sindikatës, me qëllim respektimin e autonomisë së bashkësive fetare, ishte i paarsyeshëm, veçanërisht duke patur parasysh rolin e Shtetit për ruajtjen e kësaj autonomie.
165. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se ajo ka theksuar shpesh rolin e Shtetit si një organizues asnjanës e i paanshëm i praktikës së feve dhe besimeve dhe ka deklaruar se ky rol është në ndihmë të rendit publik, harmonisë dhe tolerancës fetare në një shoqëri demokratike, veçanërisht mes grupeve opozitare (shiko, ndër të tjera, Hasan dhe Chaush, cituar më lart, § 78, dhe Leyla Şahin, cituar më lart, § 107). Ajo vetëm se mund ta konfirmojë këtë qëndrim në çështjen në fjalë. Respektimi nga Shteti i autonomisë së bashkësive fetare do të thotë, në mënyrë të veçantë, se Shteti duhet të pranojë të drejtën e këtyre bashkësive për të reaguar, në përputhje me rregullat dhe interesat e tyre, ndaj çdo lëvizje disidente që lind brenda tyre e që mund të paraqesë rrezik për kohezionin, imazhin dhe unitetin e tyre. Ndaj nuk është detyrë e autoriteteve nacionale të veprojnë si arbitër mes bashkësive fetare dhe fraksioneve të ndryshme disidente që ekzistojnë apo mund të lindin brenda tyre.
166. Duke marrë parasysh të gjithë informacionet në dispozicion të saj, Gjykata ka të njëjtin mendim me Qeverinë përgjegjëse se, duke refuzuar regjistrimin e sindikatës kërkuese, Shteti thjesht po refuzonte të përfshihej në organizimin dhe funksionimin e Kishës Ortodokse Rumune, duke respektuar në këtë mënyrë detyrimin e tij për asnjanësi sipas Nenit 9 të Konventës. Mbetet për t’u vendosur nëse shqyrtimi i kryer nga Gjykata e Rrethit për refuzimin e kërkesës së sindikatës i plotësonte kushtet për të siguruar që refuzimi i regjistrimit ishte i domosdoshëm në një shoqëri demokratike (shiko paragrafin 159 lart).
167. Shumica e Dhomës iu përgjigj negativisht kësaj pyetjeje. Ajo u shpreh se Gjykata e Rrethit nuk kishte marrë mjaftueshëm parasysh të gjitha argumentet relevante, duke justifikuar refuzimin e saj me argumente pastërtisht fetare bazuar në dispozitat e Statutit të Kishës (shiko paragrafet 77 et seq. të vendimit të Dhomës).
168. Dhoma e Madhe nuk bie dakord me këtë konkluzion. Ajo vëren se Gjykata e Rrethit refuzoi regjistrimin e sindikatës kërkuese pasi vuri re se kërkesa e saj nuk i përgjigjej kërkesave të Statutit të Kishës, sepse anëtarët e saj nuk kishin vepruar sipas procedurës speciale të përcaktuar për themelimin e një shoqate. Ajo gjykon se, duke përdorur këtë qasje, Gjykata e Rrethit thjesht po zbatonte parimin e autonomisë së bashkësive fetare; refuzimi i regjistrimit prej saj të sindikatës kërkuese për arësyen se nuk kishte qenë në pajtueshmëri me kërkesën për marrjen e lejes së kryepeshkopit ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e të drejtës së bashkësisë fetare në fjalë për të bërë rregullimet e veta organizative dhe për të funksionuar në përputhje me dispozitat e Statutit të tij
169. Veç kësaj, sindikata kërkuese nuk paraqiti asnjë arësye për justifikimin e mosmarrjes së lejes së kryepeshkopit formalisht. Megjithatë, gjykatat nacionale e balancuan këtë mungesë duke siguruar opinionin e Kryedioqezës së Craiova-s dhe duke shqyrtuar arësyet e dhëna prej saj. Gjykata e rrethit konkludoi, duke pranuar arësyet e paraqitura nga Kryedioqeza e Craiova-s, se po të autorizonte themelimin e një sindikate, organet konsultative dhe vendim-marrëse të parashikuar nga Statuti i Kishës do të zëvendësoheshin apo do të ishin të detyruar të punonin sëbashku me një organ të ri – sindikatën – gjë që nuk përbënte detyrim sipas traditave të Kishës dhe rregullat e ligjit të kishës që rregullonte konsultimet dhe vendim-marrjen. Analiza e bërë nga gjykata konfirmonte, në këtë mënyrë, se rreziku i pretenduar nga autoritetet e Kishës ishte i pranueshëm dhe domethënës, se arësyet e paraqitura prej tyre nuk ishin në shërbim të ndonjë qëllimi tjetër të palidhur me ushtrimin e autonomisë së bashkësisë fetare në fjalë dhe se refuzimi i regjistrimit të sindikatës kërkuese nuk shkonte përtej asaj çfarë ishte e domosdoshme për eliminimin e atij rreziku.
170. Në mënyrë më të përgjithëshme, Gjykata vëren se Statuti i Kishës Ortodokse Rumune nuk parashikon ndalim absolut për pjestarët e klerit për krijimin e sindikatave për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime. Në përputhje me këtë, asgjë nuk i ndalon anëtarët e sindikatës kërkuese të gëzojnë të drejtën e tyre në bazë të Nenit 11 të Konventës duke formuar një shoqatë të këtij lloji për qëllime në pajtueshmëri me Statutin e Kishës dhe që nuk vë në diskutim strukturën hierarkike tradicionale dhe procedurat vendim-marrëse të Kishës. Gjykata vëren se anëtarët e sindikatës kërkuese janë gjithashtu të lirë t’i bashkohen çdo shoqate aktualisht ekzistuese brenda Kishës Ortodokse Rumune që janë autorizuar nga gjykatat nacionale dhe operojnë në përputhje me kërkesat e Statutit të Kishës (shiko paragrafin 52 lart).
171. Së fundi, Gjykata mban parasysh shumëllojshmërinë e madhe të modeleve kushtetuese që rregullojnë marrëdhëniet midis Shteteve dhe bashkësive fetare në Evropë. Duke marrë parasysh mungesën e një konsensusi evropian për këtë çështje (shiko paragrafin 61 lart), ajo gjykon se Shteti gëzon një hapësirë të madhe vlerësimi në këtë fushë, përfshirë të drejtën për të vendosur për njohjen ose jo të sindikatave që operojnë brenda bashkësive fetare dhe ndjekin qëllime që mund të pengojnë ushtrimin e autonomisë së këtyre bashkësive.
172. Si përfundim, duke mbajtur parasysh arësyet e përcaktuara në vendimin e saj, refuzimi i Gjykatës së Rrethit për të bërë regjistrimin e sindikatës kërkuese nuk ka kapërcyer hapësirën e vlerësimit që i lihet, në këtë fushë, autoriteteve nacionale dhe rrjedhimisht nuk ka qenë jo-proporcionale.
173. Rrjedhimisht, nuk ka patur shkelje të Nenit 11 të Konventës.
PËR KËTO ARËSYE, GJYKATA
1. Vendos, unanimisht se Qeveria nuk mund të ngrejë çështjen e anonimitetit të kërkesës;
2. Vendos, unanimisht se sindikata kërkuese nuk mund të pretendojë shkelje të Nenit 34 të Konventës për shkak të ngjarjeve të ndodhura përpara dhënies së vendimit nga Dhoma dhe se, në lidhje me ngjarjet e ndodhura pas asaj date, Shteti përgjegjës nuk ka shkelur detyrimet e tij në bazë të Nenit 34 të Konventës;
3. Vendos, me njëmbëdhjetë vota përkundër gjashtë, se nuk ka patur shkelje të Nenit 11 të Konventës.
Bërë në Anglisht dhe Frëngjisht, dhe dhënë në seancë publike më 9 Korrik, 2013, në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës RegjistruesPresident
Në përputhje me Nenin 45 § 2 të Konventës dhe Rregullin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, këtij vendimi i bashkangjiten si shtojcë edhe opinionet më vete si më poshtë:
(a) opinionin pajtues i Gjyqtarit Wojtyczek;
(b) opinion pjesërisht mos-pajtues i Gjyqtarëve Spielmann, Villiger, López Guerra, Bianku, Møse dhe Jäderblom.
D.S.
M.O’B.
Opinionet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose frëngjisht, variant(et) e gjuhës zyrtare të vendimit, që mund t’i gjeni në bazën e të dhënave HUDOC të jurisprudencës së Gjykatës.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1] Bosnia dhe Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Hungarria, Republika e Moldavisë, Mali i Zi, Irlanda, “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, Letonia, Lituania, Gjermania, Greqia, Spanja, Portugaloa, Italia, Polonia, Sllovenia, Franca dhe kantonte të caktuara të Zvicrës.
[2] Finlanda, Bullgaria, Sllovakia, Ukraina, Belgjika, Austria, Rusia, Turqia, Luksemburgu, Suedia dhe kantone të caktura zvicerane.
[3] Belgjika, Hollanda, Mbretëria e Bashkuar.
Full & Egal Universal Law Academy