© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA E SÖDERMAN kundër SUEDISË
(Kërkesa nr. 5786/08)
VENDIM
STRASBURG
12 nëntor 2013
Ky vendim është i formës së prerë, por mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.
Në çështjen e Söderman kundër Suedisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Dhomën e Madhe të përbërë nga:
Josep Casadevall, Kryetar,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Corneliu Bîrsan,
Boštjan M. Zupančič,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Kristina Pardalos,
Julia Laffranque,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Erik Møse,
Helen Keller,
Helena Jäderblom,
Johannes Silvis, gjyqtarë,
dhe Erik Fribergh, Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 3 prill 2013 dhe 25 shtator 2013,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të përmendur:
PROCEDURA
1. Çështja zuri fill me anë të një kërkese (nr. 5786/08) kundër Mbretërisë së Suedisë të depozituar në Gjykatë në pajtim me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një shtetase suedeze, Znj. Eliza Söderman (“kërkuesja”), më 21 janar 2008.
2. Kërkuesja përfaqësohej nga Z. J. Södergren, Z. K. Lewis dhe Z. C. Crafoord, avokatë në Stokholm. Qeveria suedeze (“Qeveria”) përfaqësohej nga Agjentët e saj, Z. A. Rönquist, Znj. G. Isaksson dhe Z. O. Widgren, nga Ministria e Punëve të Jashtme.
3. Kërkuesja pretendoi që Shteti suedez kishte dështuar në respektimin e detyrimit të tij sipas nenit 8 të Konventës për t’i ofruar asaj zgjidhje kundër shkeljes nga njerku i saj të integritetit të saj personal kur ai kishte tentuar ta filmonte fshehurazi ndërsa ajo ishte lakuriq në banjë kur ajo ishte 14 vjeçe. Ajo gjithashtu iu referua nenit 13 të Konventës.
4. Kërkesa u depozitua pranë Seksionit të Tretë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Kryetari i tij e pranoi kërkesën e kërkueses për të mos zbuluar emrin e saj (neni 47 § 3 i Rregullores së Gjykatës), dhe çështja u quajt E.S. kundër Suedisë. Më 1 shkurt 2011 Gjykata ndryshoi përbërjen e Seksioneve të saj (neni 25 § 1 i Rregullores së Gjykatës) dhe kërkesa iu caktua Seksionit të Pestë të sapoformuar. Më 12 qershor 2012 një Dhomë e përbërë nga D. Spielmann, Kryetar, E. Fura, K. Jungwiert, M. Villiger, A. Power-Forde, G. Yudkivska, A. Potocki, gjyqtarë, dhe gjithashtu nga C. Westerdiek, Kancelar i Seksionit, shpalli vendimin e saj përfundimtar. Ai vendosi të shqyrtonte ankesën vetëm sipas nenit 8 dhe njëzëri e deklaroi atë të pranueshme dhe vendosi, me katër vota pro dhe tri kundër, që kishte pasur shkelje të asaj dispozite. Mendimet e përbashkëta pakicë të D. Spielmann, M. Villiger dhe A. Power-Forde iu bashkëngjitën vendimit.
5. Më 19 shtator 2012 kërkuesja kërkoi që çështja t’i referohej Dhomës së Madhe në përputhje me nenin 43 të Konventës, dhe trupi i Dhomës së Madhe e pranoi kërkesën më 19 nëntor 2012.
6. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në pajtim me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenin 24 të Rregullores së Gjykatës.
7. Kërkuesja dhe Qeveria paraqitën vërejtje të mëtejshme me shkrim (neni 59 § 1) në lidhje me themelet.
8. Përveç kësaj, u morën komentet e palëve të treta nga Qendra e të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit Ghent, të cilës i ishte dhënë leje nga Kryetari i Dhomës së Madhe për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 2).
9. Më 22 mars 2013, Kryetari i Dhomës së Madhe pranoi kërkesën e kërkueses të 12 marsit 2013 për të hequr anonimitetin e saj.
10. Seanca u mbajt në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg më 3 prill 2013 (neni 59 § 3).
Para Gjykatës dolën:
(a) për Qeverinë
Z.A. Rönquist, Agjent, Ambasador dhe Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Ligjore, Ministria e Punëve të Jashtme, Avokat,
Znj.G. Isaksson, Bashkë-Agjent, Zv/Drejtor, Ministria e Punëve të Jashtme,
Z.O. Widgren, Bashkë-Agjent, Këshilltar i Posaçëm, Ministria e Punëve të Jashtme,
Z.M. Säfsten, Këshilltar i Lartë Ligjor, Ministria e Drejtësisë,
Znj.V. Lång, Zv/Drejtor, Ministria e Drejtësisë,
Z.C. Rosenmüller, Këshilltar Ligjor, Ministria e Drejtësisë, Këshilltarë;
(b) për kërkuesen
Z.J. Södergren, Avokat,
Z.K. Lewis, Avokat,
Z.C. Crafoord, Avokat, Avokatë.
Kërkuesja ishte gjithashtu e pranishme.
Gjykata dëgjoi deklaratat e Z. Crafoord, Z. Lewis, Z. Södergren dhe Z. Rönquist, si dhe përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të bëra nga Gjyqtarët Ziemele, Sicilianos, Pinto de Albuquerque dhe Zupančič.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
11. Kërkuesja është e lindur në vitin 1987 dhe jeton në Ludvika.
12. Në shtator 2002, kur ajo ishte 14 vjeçe, ajo zbuloi që njerku i saj kishte fshehur një video kamera në koshin e rrobave në banjë, i cili ishte duke incizuar i fokusuar drejt qoshes ku ajo ishte zhveshur para se të bënte dush. Menjëherë pas incidentit, filmi u dogj pa e parë askush.
13. Në shtator 2004, pas dy vitesh, nëna e raportoi incidentin në polici. Kërkueses iu caktua një avokat i emëruar zyrtarisht (målsägandebiträde) më 5 tetor 2004.
14. Më 21 tetor 2005 prokurori publik ngriti akuzë kundër njerkut për ngacmim seksual (sexuellt ofredande) sipas Kreut 6, neni 7 § 3, të Kodit Penal. Kundër njerkut gjithashtu u ngritën dy pika të akuzës për ngacmimin seksual të kushërirës së kërkueses, të kryera gjatë pranverës dhe verës së vitit 2003 kur kushërira ishte 16 vjeçe, për faktin se ai kishte përkëdhelur kofshën e saj dhe kishte shprehur dëshirën për të pasur seks me të. Ai u akuzua edhe për një padi të katërt për ngacmim seksual për faktin që kishte shikuar përmes dritares së dhomës së kërkueses kur ajo kishte qenë duke u zhveshur nga fundi i verës së vitit 2003.
15. Më 20 janar 2006 kërkuesja, e përfaqësuar nga avokati, paraqiti kërkesë për dëmshpërblim në shumën 25.000 korona suedeze (SEK): 15.000 SEK si kompensim për shkeljen e integritetit të saj dhe 10.000 SEK për dhimbje dhe vuajtje, për t’ia bashkëngjitur procedurave penale. Kërkuesja e bazoi kërkesën e saj private mbi “veprën penale për të cilën njerku i saj po ndiqej penalisht”, pa iu referuar ndonjë seksioni të veçantë të Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore.
16. Kërkuesja, njerku i saj, nëna e saj dhe kushërira e saj dhanë dëshmi para Gjykatës së Qarkut të Falun (Falu Tingsrätt). Kërkuesja shpjegoi që në ditën përkatëse në shtator 2002, ndërsa ajo po bëhej gati të bënte dush, njerku i saj kishte qenë duke bërë diçka në banjë. Kur ajo e zbuloi kamerën kjo e fundit ishte duke incizuar, duke lëshuar tinguj gumëzhitës dhe duke bërë dritë. Ajo nuk preku asnjë buton. Ajo shkoi tek nëna e saj duke qarë, dhe e mori video kamerën me vete të mbështjellë me një peshqir. Njerku ia mori kamerën nënës. Më pas, kërkuesja shikoi nënën dhe njerkun e saj duke djegur një film, por nuk ishte e sigurt nëse ishte incizimi i saj.
17. Nëna e kërkueses e konfirmoi deklaratën e kërkueses dhe shtoi që ajo nuk e dinte nëse ishte incizuar ndonjë gjë meqenëse filmi ishte djegur pa e parë ajo. Ajo nuk e raportoi incidentin në polici deri në vitin 2004, kur dëgjoi që kushërira e kërkueses kishte pasur po ashtu incidente me të akuzuarin.
18. Njerku shpjegoi që ai kishte jetuar me nënën e kërkueses nga viti 1997 deri në vjeshtën e vitit 2003. Ata ishin ndarë për shkak të incidentit në fjalë, mes të tjerash. Ai kishte dashur të përpiqej të filmonte me kamera të fshehtë, por kishte qenë veprim impulsiv. Ai nuk ishte i sigurt nëse kamera kishte qenë duke incizuar apo nëse ishte incizuar ndonjë gjë në film. Nëna e kërkueses e kishte djegur filmin pa e parë asnjëri prej tyre.
19. Me anë të një vendimi të 14 shkurtit 2006 Gjykata e Qarkut e dënoi njerkun për të katër pikat e akuzës për ngacmim seksual sipas Kreut 6, neni 7 § 3, të Kodit Penal. Për sa i përket pikës së parë për ngacmim seksual, ajo gjeti që ishte konstatuar se njerku kishte pasur qëllime seksuale në fshehjen e kamerës në koshin e rrobave dhe në orientimin e saj drejt pjesës së banjës ku zakonisht zhvisheshin. Ajo shtoi se tingujt gumëzhitës nga kamera që kishte dëgjuar kërkuesja sugjeronin fuqimisht se kamera kishte qenë e ndezur dhe faktikisht duke incizuar. Përndryshe, nuk do të kishte pasur kuptim fshehja e kamerës mes rrobave në koshin e rrobave. Vrima në koshin e rrobave tregonte se strategjia ishte mjaft e rafinuar. Pavarësisht nga fakti që, më pas, askush nuk e kishte verifikuar përmbajtjen e filmit, duke pasur parasysh rrethanat mund të konsiderohej e konstatuar që njerku faktikisht e kishte filmuar kërkuesen gjatë kohës që ajo ishte lakuriq.
20. Njerkut iu caktua një dënim me kusht i kombinuar me shtatëdhjetë e pesë orë shërbim të detyruar në komunitet. Për më tepër, ai u urdhërua t’i paguante kërkueses dëmshpërblim në shumën 20.000 SEK.
21. Pas apelit, me vendimin e 16 tetorit 2007, Gjykata e Apelit në Svea (Svea hovrätt) e dënoi njerkun në lidhje me dy akuza për ngacmim seksual të kryera kundër kushërirës, për të cilat atij iu caktua një dënim me kusht dhe u urdhërua të paguante gjashtëdhjetë gjoba ditore prej 50 SEK, që përbënin shumën 3000 SEK.
22. Gjykata e Apelit e liroi nga akuza njerkun në lidhje me akuzat për ngacmim seksual që pretendohej të ishin kryer kundër kërkueses.
23. Për sa i përket incidentit të shtatorit 2002, Gjykata e Apelit gjeti se ishte konstatuar që njerku kishte vendosur një kamera në banjë dhe që ai e kishte aktivizuar sistemin e incizimit para se kërkuesja të bënte dush. Megjithatë, ishte e paqartë nëse incizimi në fakt kishte ndodhur. Gjykata vazhdoi se ishte e dukshme që motivi i njerkut kishte qenë ta filmonte kërkuesen fshehurazi për qëllime seksuale. Duke pasur parasysh atë motiv, gjithashtu u konsiderua e sigurt që njerku nuk kishte pasur qëllim që kërkuesja ta zbulonte që po filmohej. Sipas gjykatës, ai nuk kishte qenë as indiferent ndaj rrezikut që ajo mund ta zbulonte. Gjatë vlerësimit nëse akti përbënte ligjërisht ngacmim seksual brenda kuptimit të Kreut 6, neni 7 § 3, i Kodit Penal, Gjykata e Apelit iu referua një vendimi të Gjykatës Supreme (NJA 1996 fq. 418) në lidhje me një burrë i cili kishte filmuar fshehurazi të dashurën që po flinte ndërkohë që ai masturbonte. Burri u lirua nga akuza për ngacmim seksual sepse ai nuk kishte pasur për qëllim që e dashura e tij ta zbulonte filmimin. Për më tepër, në vendimin e përmendur Gjykata Supreme vendosi që akti i izoluar i filmimit në vetvete nuk ishte krim meqenëse në ligjet suedeze nuk ekzistonte një ndalim i përgjithshëm i filmimit të një individi pa pëlqimin e tij apo të saj. Në vijim të këtij arsyetimi, dhe pavarësisht nga gjetja që situata që njerku synonte të filmonte ishte pa dyshim e natyrës së ndjeshme për sa i përket integritetit personal të kërkueses dhe që shkelja ishte posaçërisht serioze për shkak të moshës së kërkueses dhe marrëdhënies së saj me njerkun e saj, Gjykata e Apelit gjeti që njerku nuk mund të konsiderohej penalisht përgjegjës për aktin e izoluar të filmimit të kërkueses pa dijeninë e saj. Gjykata vërejti që kërkuesja e kishte kuptuar përpjekjen e njerkut të saj për ta filmuar atë, por që një gjë e tillë nuk kishte qenë pjesë e qëllimit të tij.
24. Më tej, Gjykata e Apelit theksoi që akti, të paktën teorikisht, mund të kishte përbërë krimin e pornografisë së fëmijëve në tentativë (försök till barnpornografibrott) duke pasur parasysh moshën e kërkueses. Megjithatë, meqenëse kundër njerkut nuk ishte ngritur asnjë akuzë e këtij lloji, Gjykata e Apelit nuk mund të shqyrtonte nëse ai mund të mbahej përgjegjës për një krim të tillë. Si përfundim, pavarësisht nga fakti që sjellja e njerkut u gjet të ishte jashtëzakonisht e qortueshme, ai u lirua nga akuza dhe pretendimi i kërkueses për dëmshpërblim u rrëzua.
25. Për sa i përket incidentit në fundin e verës së vitit 2003, Gjykata e Apelit gjeti se ishte konstatuar që njerku kishte dashur ta shikonte kërkuesen fshehurazi. Kështu, megjithëse gjykata e gjeti një sjellje të tillë të qortueshme, njerku nuk kishte pasur për qëllim që kërkuesja ta shihte.
26. Më 12 dhjetor 2007 Gjykata Supreme (Högsta domstolen) refuzoi lejen për të apeluar.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
A. Ngacmimi seksual
27. Vepra e ngacmimit seksual (dhe pornografia e fëmijëve, shih poshtë) hyn në fushën e prokurorisë publike, ku zbatohet parimi i objektivitetit sipas të cilit nëse prokurori vlerëson që mungojnë kushtet për dënim atëherë nuk duhet të zhvillohet ndjekje penale. Dispozita mbi ngacmimin seksual mund të gjendet në Kodin Penal (Brottsbalken, 1962:700) i cili, para 1 prillit 2005, parashikonte:
Kreu 6 mbi krimet seksuale, neni 7
“(1). Nëse një person prek seksualisht një fëmijë nën moshën pesëmbëdhjetë vjeç në mënyrë të ndryshme nga mënyra e përshkruar më lart në Kreun këtu, ose nxit fëmijën të ndërmarrë ose të marrë pjesë në një akt me nënkuptime seksuale, caktohet gjobë ose burgim në periudhën maksimale deri në dy vjet për ngacmim seksual.
(2). Dënimi për ngacmim seksual gjithashtu caktohet ndaj një personi i cili, përmes shtrëngimit, joshjes apo ndikimi tjetër të papërshtatshëm, nxit një person që ka mbushur moshën pesëmbëdhjetë vjeç por ende jo tetëmbëdhjetë vjeç të ndërmarrë ose të marrë pjesë në një akt me nënkuptime seksuale nëse akti është element i prodhimit të pamjeve pornografike ose përbën pozim pornografik në rrethana të ndryshme nga ato që kanë të bëjnë me prodhimin e një fotografie.
(3). Kjo zbatohet gjithashtu nëse një person ekspozon veten në mënyrë të atillë që natyra e këtij ekspozimi është ofenduese, ose nëse sillet dukshëm në mënyrë të pahijshme me anë të fjalëve ose veprimeve ndaj një personi në një formë që shkel haptas ndjenjën e të sjellurit të duhur.”
28. Më 1 prill 2005 ajo dispozitë u përfshi në nenin 10 të Kreut 6 dhe lexon si më poshtë:
“(1). Një person i cili, ndryshe prej parashikimeve të mësipërme të këtij Kreu, prek seksualisht një fëmijë nën pesëmbëdhjetë vjeç apo e nxit fëmijën të ndërmarrë ose të marrë pjesë në një akt me nënkuptime seksuale dënohet për ngacmim seksual me gjobë ose me burg në periudhë prej maksimumi dy vjet.
(2). Kjo gjithashtu zbatohet ndaj një personi që ekspozon veten e tij apo të saj ndaj një personi tjetër në mënyrë që ka gjasë të shkaktojë shqetësim ose që përmes fjalëve ose veprimeve ngacmon një person në mënyrë të atillë që ka gjasë të shkelë integritetin seksual të këtij personi.”
29. Duhet të shënohet që një person nuk mund të mbahet përgjegjës për një veprim të papërfunduar të ngacmimit seksual, siç është tentativa apo përgatitja për një krim të tillë (shih, përmes nënkuptimit të kundërt, Kreu 23, neni 1, i Kodit Penal).
30. Rrjedhimisht, mbi bazën e deklaratave gjatë punëve përgatitore të dispozitës, Komisioni për Veprat Seksuale i vitit 2008 deklaroi si vijon:
“Sipas mendimit tonë, është ... mjaft e qartë që paragrafi i dytë i dispozitës mbi ngacmimin seksual duhet të përfshijë gjithashtu veprimet e drejtuara ndaj personave të cilët janë pa vetëdije ose në gjumë. Kështu dispozita i përket kategorisë së veprave seksuale, jo veprave kundër integritetit. Nëse kjo përdoret si pikë fillestare për mënyrën se si duhet të trajtohet vepra e ngacmimit seksual, mund të jetë gjithashtu e mundur që të vlerësohen situata në të cilat një person ka filmuar apo fotografuar fshehurazi një person tjetër në mënyrë seksualisht të bezdisshme si ngacmim seksual.”
B. Pornografia e fëmijëve në tentativë
31. Dispozitat përkatëse të Kodit Penal lexojnë:
Neni 10a i Kreut 16 mbi krimet kundër rendit publik
“Një person i cili
1) paraqet një fëmijë në një pamje pornografike;
2) shpërndan, përcjell, lejon përdorimin, ekspozon, ose në çfarëdo mënyrë e vë një pamje të tillë të një fëmije në dispozicion për persona të tjerë;
3) përfton ose ofron një pamje të tillë të një fëmije;
4) krijon kontakte mes një blerësi dhe një shitësi të pamjeve të tilla të fëmijëve ose merr hapa të tjerë të ngjashëm për të lehtësuar tregtimin e pamjeve të tilla; ose
5) posedon një pamje të tillë të një fëmije
dënohet për krimin e pornografisë së fëmijëve me burgim deri në një periudhë maksimale prej dy vjetësh, ose, nëse është vepër e vogël, me gjobë ose me burgim në një periudhë maksimale prej gjashtë muajsh.
Me fëmijë nënkuptohet një person zhvillimi pubertal i të cilit nuk ka përfunduar ose i cili është nën moshën 18 vjeç. Nëse puberteti i personit ka përfunduar, mbahet përgjegjësi për veprimet e kryera sipas pikave 2-5 lart vetëm nëse është e dukshme nga pamja ose rrethanat e saj që personi i paraqitur është nën moshën tetëmbëdhjetëvjeçare.
....”
32. Para 1 janarit 2011, paragrafi i dytë i nenit të mësipërm lexonte:
“Me fëmijë nënkuptohet një person zhvillimi pubertal i të cilit nuk ka përfunduar ose i cili, aty ku është e dukshme nga pamja dhe rrethanat e saj, është më pak se tetëmbëdhjetë vjeç ...”
33. Termi “pamje pornografike” nuk është i përkufizuar në tekstin e ligjit. Gjatë punëve përgatitore u pohua që dispozita për krimet pornografike i zbatohej jo vetëm pamjeve, por pamjeve të të gjitha llojeve, siç janë, inter alia, pamje në publikime, pamje fotografike, përfshirë filma dhe pamje të shpërndara me teknika televizive apo video-incizime (Ligji Qeveritar 1978/79:179 fq. 9). Më tej u deklarua që:
“Duhet të tregohej njëfarë maturie, në mënyrë që diapazoni i përcaktimit si vepër penale të mos bëhej tepër i gjerë ose i vështirë për t’u vlerësuar. Qëllimi nuk ishte të përcaktohej si vepër penale çdo ekspozim i fëmijëve lakuriq ose të gjitha pamjet në të cilat mund të perceptoheshin gjenitalet e një fëmije, edhe nëse pamje të tilla mund të stimulojnë instinktet seksuale të disa njerëzve. Në mënyrë që trajtimi i një pamjeje të tillë të jetë i paligjshëm, është kusht që ajo të jetë pornografike sipas mënyrës së zakonshme të të shprehurit dhe vlerave të përgjithshme.”
34. Pas një rishikimi të legjislacionit (ligji 2010:1357), i cili çoi në ndryshimin e paragrafit të dytë të Kreut 16, neni 10a, prej 1 janarit 2011, siç u tha më lart, u deklarua si vijon, mes të tjerash, në lidhje me përkufizimin (Raportet Zyrtare të Qeverisë Suedeze SOU 2007:54 fq. 77):
“Një pamje mund të konsiderohet si pornografike kur, pa asnjë meritë të vërtetë shkencore ose artistike, dhe në mënyrë të qëllimshme dhe joshëse, ajo paraqet motive seksuale (Ligji Qeveritar 1970:125 p 79 et seq.). Pamjet në të cilat fëmijët janë të përfshirë në veprime të cilat qartazi kanë konotacione seksuale nuk janë të vetmet pamje që hyjnë brenda dispozitës për krimet e pornografisë së fëmijëve, por gjithashtu edhe pamjet në të cilat fëmijët paraqiten së bashku me një ose disa të rritur të cilët janë duke i kryer këto veprime. Pamjet në të cilat një fëmijë paraqitet në një mënyrë e cila ka për synim të tërheqë instinktet seksuale ku fëmija nuk konsiderohet të ketë marrë pjesë në sjellje seksuale gjatë kësaj paraqitjeje mund të hyjnë në fushën e përcaktuar si vepër penale ... Një pamje mund të prezantohet në mënyra të ndryshme, inter alia përmes paraqitjes, filmimit apo vizatimit të një fëmije të vërtetë. Me anë të përdorimit të teknikave të ndryshe, gjithashtu mund të krijohen edhe pamje pak a shumë artificiale. Në mënyrë që të ekzistojë përgjegjësia penale nuk është e nevojshme që pamja të paraqesë një fëmijë të vërtetë; edhe pamjet e fëmijëve fiktivë janë të përfshira.”
35. Për sa i përket tentativës, Kodi Penal lexon:
Kreu 16, neni 17
“Një person që përgatit ose komploton që të kryejë një rebelim ... dënohet në përputhje me dispozitat e Kreut 23. E njëjta gjë zbatohet gjithashtu ... për krimin e tentativës për të kryer krimin e pornografisë së fëmijëve të përshkruar në nenin 10a, paragrafi i parë ...”
Kreu 23, neni 1
“Një person i cili ka filluar të kryejë një krim pa e përfunduar atë, në rastet kur ekzistojnë dispozita të posaçme për këtë qëllim, dënohet për tentim të kryerjes së një krimi nëse ka pasur rrezik që ai veprim do të çonte në përfundimin e krimit ose nëse një rrezik i tillë është përjashtuar vetëm për shkak të rrethanave të rastësishme.
Dënimi për tentativë nuk e kapërcen dënimin e zbatuar ndaj një krimi të kryer dhe nuk është më pak se burgim nëse dënimi më së pakti i rreptë për krimin e kryer plotësisht është burgim me dy ose më shumë vjet.”
C. Dispozita të tjera ligjore relevante
36. Kodi i Procedurës Gjyqësore (Rättegångsbalken 1942:740) për aq sa është relevant parashikon:
Kreu 17, neni 3
“Vendimi nuk jepet për asgjë tjetër ose aspak më shumë sesa kërkon një palë. Në rastet që janë subjekt i marrëveshjes jashtëgjyqësore, vendimi nuk bazohet mbi rrethana të tjera përveç atyre të deklaruara nga një palë si baza e veprimit të tij apo të saj.”
Kreu 22, neni 7
“Nëse ngrihet padi për pretendime private si pasojë e një vepre në bashkëlidhje me ndjekjen penale dhe gjendet që vepra e ngarkuar nuk është e dënueshme, padia në atë çështje gjykohet gjithsesi.”
Kreu 29, neni 6
“...Aty ku ndjekjes penale i bashkëngjitet një pretendim privat, gjetja nga gjykata e përgjegjësisë penale është detyruese për vendimin e pretendimit privat.”
Kreu 30, neni 3
“Vendimi mund të ketë lidhje me një veprim për të cilin ndjekja penale ka filluar si duhet ose me një çështje të referuar nga statuti i juridiksionit penal të gjykatës. Gjykata nuk është e detyruar nga karakterizimi ligjor i veprave ose dispozitat e zbatueshme të ligjit të deklaruara në pretendim.”
37. Ligji për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore (Skadeståndslag 1972:207) për aq sa është relevant parashikon:
Kreu 2, seksioni 1
“Kushdo që me ose pa dashje shkakton lëndim personal ose dëm ndaj pronës e kompenson lëndimin ose dëmin e shkaktuar.”
Kreu 2, seksioni 3
“Kushdo që shkel rëndë një person tjetër me anë të një krimi që përfshin një sulm kundër personit apo lirisë, qetësisë ose nderit të atij personi e kompenson dëmin e shkaktuar nga shkelje.”
D. Praktika vendase në lidhje me filmimin e fshehtë
38. Në një vendim të Gjykatës Supreme të 16 tetorit 1992 (NJA 1992 fq. 594) në lidhje me një person i cili kishte filmuar fshehurazi marrëdhënien seksuale mes tij dhe të dashurës së tij dhe më pas ia kishte treguar filmin disa personave, Gjykata Supreme vërejti që ligji suedez nuk e ndalonte filmimin e një personi tjetër pa pëlqimin e tij apo të saj. E njëjta gjë vlente, vazhdoi gjykata, edhe në situata kur veprimi në fjalë shkelte rëndë integritetin personal të personit të përfshirë. Përveç disa situatave të caktuara të jashtëzakonshme, e vetmja mbrojtje në dispozicion ishte nga dispozitat penale mbi shpifjen në bashkëlidhje me Kreun 1, seksioni 3, të Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore (tani Kreu 2, seksioni 3, i atij Ligji). Gjykata Supreme gjeti që i akuzuari kishte kryer shpifje duke ua treguar filmin të tjerëve.
39. Një vendim i mëtejshëm i Gjykatës Supreme i datës 27 qershor 1996 (NJA 1996, fq. 418) kishte të bënte me një burrë i cili e kishte filmuar fshehurazi të dashurën e tij në gjumë ndërsa ai masturbonte. Gjykata e Qarkut gjeti që veprimet e tij përbënin, inter alia, ngacmim seksual, por Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e shpallën atë të pafajshëm për këtë vepër. Gjykata Supreme u shpreh që veprimi i izoluar i filmimit në vetvete nuk ishte krim meqenëse ligji suedez nuk kishte dispozita të përgjithshme kundër filmimit të një individi pa pëlqimin e tij apo të saj.
40. Edhe një vendim tjetër i Gjykatës Supreme, datë 23 tetor 2008 (NJA 2008 fq. 946), kishte të bënte, inter alia, me një person i cili kishte filmuar fshehurazi ish-të dashurën e tij me një burrë tjetër në një situatë intime dhe më pas ua kishte dërguar të tjerëve filmin me postë elektronike (email), bashkë me disa mesazhe të caktuara përshkruese. Gjykata e Apelit gjeti që filmimi përbënte ngacmim dhe dërgimi i disa prej emailave përbënte shpifje, dhe i akordoi ish-të dashurës dëmshpërblim për shkelje të integritetit personal. Gjykata Supreme dha leje për apel në lidhje me ngacmimin e pretenduar. Gjykata Supreme e liroi personin nga akuza për ngacmim dhe përsëriti njëkohësisht që ligji suedez nuk përmbante ndalim të përgjithshëm ndaj filmimit të fshehtë. Gjykata po ashtu vërejti që në rastet kur filmimi i fshehtë nuk përbënte krim, nuk mund të akordohej dëmshpërblim. Megjithëse ishte njohur tashmë nevoja për një kornizë ligjore të fuqizuar në këtë drejtim në fushën legjislative suedeze në vitet 1960, gjykata vërejti më tej që deri tani nuk kishte pasur rezultate konkrete. Gjykata gjeti që ishte tepër e diskutueshme nëse fakti që veprimet e filmimit të një individi në situata ku një filmim i tillë shkelte rëndë integritetin personal të personit në fjalë liheshin tërësisht të padënuara sipas ligjit suedez ishte në pajtim me kërkesat e nenit 8 të Konventës. Duke pasur parasysh këtë gjetje, gjykata vazhdoi, ishte legjitime të shqyrtohej nëse mund të caktohej dënim përmes interpretimit konform Konventës të dispozitave jo të zbatueshme. Në atë drejtim, gjykata iu referua praktikës gjyqësore vendase lidhur me kompensimet për shkeljet e Konventës. Megjithatë, vërejti gjykata, një kërkesë tjetër e Konventës ishte që askush nuk duhet të dënohej për një veprim i cili, në kohën kur është kryer, nuk përbënte qartazi vepër penale sipas ligjit. Pas gjetjes që filmimi në fjalë nuk hynte në asnjërën prej dispozitave penale të zbatueshme, ai u la i padënuar dhe nuk u akordua dëmshpërblim.
E. Puna legjislative e kohëve të fundit në lidhje me filmimin e fshehtë
41. Në vitin 2004 Qeveria udhëzoi Komisionin për Mbrojtjen e Integritetit (Integritetsskyddskommittén) që të identifikonte nevojat për dispozita ligjore të përgjithshme për mbrojtjen e integritetit personal (përveç legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave, krimet kundër individëve, sekreteve, e kështu me radhë). Ndërkohë, u rishikua Kodi Penal dhe në prill 2005 u fut një amendament për parashikimin e ngacmimit seksual i cili do të përfshinte filmimin e fshehtë për qëllime seksuale (shih paragrafët 28-30 lart).
42. Në vitin 2008 Komisioni për Mbrojtjen e Integritetit propozoi një dispozitë të përgjithshme në Kodin Penal mbi fotografitë e palejuara dhe në janar 2011 Ministria e Drejtësisë paraqiti një raport mbi fotografimin e palejuar (DS 2011:1) ku propozohej përcaktimi si vepër penale i fotografimit dhe filmimit në situata të caktuara. Më 1 mars 2012 Qeveria miratoi referimin për një propozim të titulluar “Fotografia e Bezdisshme” drejtuar Këshillit të Ligjeve (Lagrådet) për konsiderim. Ky i fundit e kritikoi propozimin inter alia për shkak të efekteve të mundshme që mund të kishte mbi parimet e parashikuara për mbrojtjen e atyre që mbledhin informacion për publikim në pajtim me Ligjin për Lirinë e Shtypit dhe Ligjin Themelor për Lirinë e Shprehjes, të cilat janë pjesë e Kushtetutës së Suedisë.
43. Rrjedhimisht, më 20 dhjetor 2012 Qeveria miratoi një propozim të ri që modifikonte fushëveprimin e kualifikimit si vepër penale të fotografimit të bezdisshëm. Këshilli i Ligjeve nuk pati komente mbi substancën e propozimit dhe më 7 shkurt 2013 Qeveria e paraqiti ligjin në Parlamentin suedez duke propozuar përcaktimin si vepër penale të fotografive të bezdisshme në përputhje me propozimin e referuar në Këshillin e Ligjeve më 20 dhjetor 2012. Ligji (SFS 2013:366) u miratua nga Parlamenti më 29 maj 2013 dhe hyri në fuqi më 1 korrik 2013. Kështu, neni 6a i Kreut 4 të Kodit Penal, në lidhje me krimet kundër lirisë dhe paqes, lexonte si vijon:
“Një person i cili në mënyrë të palejuar, me ndihmën e mjeteve teknike, fshehurazi regjistron një pamje të dikujt që ndodhet brenda në shtëpi ose në banjë, në dhomë zhveshjeje ose në ambiente të ngjashme, dënohet për fotografim të bezdisshëm me gjobë ose me burgim deri në maksimumi dy vjet.
Nuk mbahet përgjegjësi penale nëse veprimi arsyetohet duke marrë parasysh qëllimin e tij dhe rrethana të tjera.
Paragrafi i parë nuk zbatohet ndaj një personi i cili paraqet dikë me ndihmën e mjeteve teknike gjatë kryerjes së detyrës në emër të një autoriteti publik.”
Konkretisht, filmimi i fshehtë i një personi pa lejen e tij apo të saj në dush ose në banjë do të ishte i dënueshëm si fotografim i bezdisshëm. Vendosja, apo “montimi” i një kamere me qëllim të kryerjes së një vepre të fotografimit të bezdisshëm po ashtu do të ishte e dënueshme si përgatitje për të kryer një vepër të tillë.
F. Praktika vendase lidhur me krimin e pornografisë së fëmijëve
44. Në një vendim të 25 shkurtit 2005 (NJA 2005 fq. 80), i cili kishte të bënte me fotografimin dhe filmimin e disa individëve të rinj mes moshës mbi pesëmbëdhjetë vjeç por nën tetëmbëdhjetë vjeç, Gjykata Supreme u shpreh që zhvillimi pubertal i individëve qartazi ishte i përfunduar dhe që ishte e pamundur, vetëm nga pamjet apo paraqitja e tyre, të përcaktohej nëse ata e kishin mbushur apo jo moshën tetëmbëdhjetë vjeç. Mosha e tyre nuk mund të përcaktohej nga teksti që shoqëronte pamjet e as nga rrethana të tjera. Në një situatë të tillë, dhe pavarësisht nëse personi përgjegjës për pamjet ishte ose jo në dijeni të moshës së individëve, veprimi nuk mund të quhej se përbënte veprën penale të pornografisë së fëmijëve.
G. Praktika vendase dhe puna legjislative në vazhdim lidhur me kompensimin për shkelje të Konventës
45. Në një vendim të 9 qershorit 2005 (NJA 2005 p. 462) në lidhje me një pretendim për dëmshpërblim të paraqitur nga një individ kundër Shtetit të Suedisë, inter alia, mbi bazën e një shkeljeje të pretenduar të nenit 6 të Konventës për shkak të kohëzgjatjes së tepruar të procedurave penale, Gjykata Supreme u shpreh që e drejta e kërkuesit sipas këtij neni ishte shkelur. Mbi bazën e kësaj gjetjeje, dhe duke iu referuar, inter alia, neneve 6 dhe 13 si dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës sipas këtyre dispozitave, në mënyrë të veçantë çështjes së Kudła kundër Polonisë ([GC], nr. 30210/96, ECHR 2000‑XI), Gjykata Supreme arriti në përfundimin që kërkuesit i takonte kompensim nga Shteti drejtpërdrejt në pajtim me legjislacionin suedez mbi përgjegjësinë jashtëkontraktore për dëme materiale dhe në përputhje me nenin 13 të Konventës për dëme jo materiale përderisa nuk kishte zgjidhje tjetër në dispozicion.
46. Vendime të ngjashme pasuan më 4 maj 2007 (NJA 2007 fq. 295), në lidhje me kohëzgjatjen e burgimit dhe nenin 5 të Konventës, dhe më 21 shtator 2007 (NJA 2007 fq. 584) në lidhje me nenin 8 të Konventës.
47. Një vendim i Gjykatës Supreme të 29 tetorit 2007 (NJA 2007 fq. 747) kishte të bënte me një kërkesë për dëmshpërblim të paraqitur nga një individ kundër një kompanie private të sigurimeve. Kërkesa kishte të bënte me një shkelje të pretenduar të nenit 8 të Konventës në lidhje me vëzhgimin sekret të ndërmarrë ndaj kërkuesit. Gjykata Supreme vërejti që Konventa nuk caktonte detyra ndaj individëve. Edhe nëse Shteti mund të kishte detyrime pozitive sipas Konventës, vazhdoi gjykata, duke pasur parasysh vlerën e sundimit të ligjit të mishëruar në parimin e parashikueshmërisë, një individ nuk mund të detyrohej të kompensonte një individ tjetër drejtpërdrejt mbi bazën e Konventës.
48. E drejta për të fituar kompensim mbi bazën e një shkeljeje të pretenduar të Konventës më pas u njoh nga Gjykata Supreme në vendimet e saj të dhjetorit 2009 (NJA 2009 N 70), qershorit 2010 (NJA 2010 fq. 363) dhe prillit 2012 (NJA 2012 fq. 211).
49. Më tej, Kancelari i Drejtësisë ka shpallur vendime të ndryshme në lidhje me kompensim dhënë individëve për shkelje të Konventës.
50. Së fundi, në maj 2009 Qeveria vendosi të ngrinte një komision (en särskild utredare) mbi përgjegjësinë jashtëkontraktore dhe Konventën për të shqyrtuar situatën ligjore aktuale. Në dhjetor 2010 komisioni ia paraqiti raportin e tij (Skadestånd och Europakonventionen, SOU 2010:87) Qeverisë. Aty propozohej përfshirja e një dispozite të hollësishme në Ligjin për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore e cila të lejonte personat fizikë dhe juridikë të fitonin dëmshpërblim për dëme materiale dhe jo materiale nga Shteti apo nga bashkia/komuna për shkelje të Konventës. Një veprim i tillë kundër autoriteteve publike do të shqyrtohej nga një gjykatë e zakonshme e cila së pari do të duhej të konstatonte që një e drejtë e Konventës është shkelur. Qëllimi i propozimit është të përmbushë, së bashku me zgjidhjet ligjore ekzistuese, detyrimet e Suedisë ndaj nenit 13 të Konventës.
III. KONVENTAT NDËRKOMBËTARE
A. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës 1989
51. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989, ka fuqi detyruese sipas të drejtës ndërkombëtare mbi Shtetet Kontraktuese, përfshirë të gjitha Shtetet anëtare të Këshillit të Europës. Konventa u ratifikua nga Suedia më 20 qershor 1990. Nenet relevante lexojnë:
Neni 19
“1. Shtetet palë marrin të gjitha masat e përshtatshme legjislative, administrative,
shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose
mendore, fyerjes ose keqtrajtimit, braktisjes apo mospërfilljes, nëpërkëmbjes ose
shfrytëzimit, duke përfshirë abuzimin seksual, për sa kohё që ai është nёn ruajtjen e
prindërve të tij ose të njërit prej tyre, të përfaqësuesit ose përfaqësuesve të tij ligjorë
ose të çdo personi tjetër të cilit i është besuar.
2. Këto masa mbrojtjeje përfshijnë, kur është e përshtatshme, procedura efektive
për hartimin e programeve shoqërore për përkrahjen e nevojshme të fëmijës dhe atyre që përkujdesen për të, si dhe për forma të tjera parandalimi dhe identifikimi, raportimi, referimi, hetimi, trajtimi dhe ndjekjeje të rasteve të keqtrajtimit të fëmijës, të përshkruara mё sipër, duke përfshirë, nëse duhet, procedurat e ndërhyrjes gjyqësore.”
Neni 34
“Shtetet Palë marrin përsipër të mbrojnë fëmijën nga të gjitha format e shfrytëzimit dhe keqtrajtimit seksual. Për këto qëllime, Shtetet Palë marrin në mënyrë të veçantë të gjitha masat e duhura në planin kombëtar, dypalësh dhe shumëpalësh për të parandaluar që:
(a) Fëmijët të nxiten ose të detyrohen të përfshihen në veprimtari të paligjshme seksuale;
(b) Fëmijët të shfrytëzohen për qëllime prostitucioni ose për praktika të tjera seksuale të paligjshme;
(c) Fëmijët të shfrytëzohen për shfaqje ose materiale pornografike.
B. Konventa e Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Seksual dhe Abuzimi Seksual
52. Kjo konventë i detyron palët e saj të ndërmarrin masat e nevojshme legjislative apo të llojeve të tjera për të parandaluar të gjitha format e shfrytëzimit seksual dhe të abuzimit seksual të fëmijëve dhe për të përcaktuar si vepra penale sjellje të caktuara të qëllimshme, përfshirë veprat e pornografisë së fëmijëve. Konventa u nënshkrua nga Suedia më 25 tetor 2007 dhe hyri në fuqi më 1 korrik 2010. Suedia e ratifikoi Konventën më 28 qershor 2013. Pjesët relevante të Kreut VI, “E drejta penale substanciale”, lexojnë:
Neni 18 – Abuzimi seksual
“1. Çdo palë merr masat e nevojshme legjislative ose masa të tjera për t’u siguruar se sjelljet e mëposhtme, kur kryhen me qëllim, përcaktohen si masa penale:përfshirja në aktivitete seksuale me një fëmijë, i cili, sipas dispozitave të legjislacionit të brendshëm, nuk e ka arritur ende moshën ligjore për aktivitete seksuale;përfshirja në aktivitete seksuale me një fëmijë, në këto situata: – kur përdorimi bëhet me mjete shtrënguese, forcë ose kërcënime, ose – kur abuzohet me një pozicion të njohur që gëzon besim, autoritet ose ndikim mbi fëmijët, përfshirë edhe marrëdhëniet brenda familjes; ose – kur abuzohet në veçanti me situatën karakteristike të brishtë të fëmijës, kryesisht për shkak të një paaftësie mendore ose fizike ose të një situate varësie.
2. Për qëllime të paragrafit 1 më lart, secila palë përcakton moshën nën të cilën ndalohet përfshirja në aktivitete seksuale të një fëmije.
3. Dispozitat e paragrafit 1.a nuk kanë si qëllim të rregullojnë aktivitetet seksuale konsensuale ndërmjet të miturve.”
Neni 20 – Veprat e lidhura me pornografinë e fëmijëve
“1. Secila Palë merr masat e nevojshme legjislative ose masa të tjera për t’u siguruar se sjelljet e qëllimshme të dhëna më poshtë, kur kryhen pa të drejtë, përcaktohen si vepra penale:
a. prodhimi i pornografisë së fëmijëve;
b. ofrimi ose vënia në dispozicion e pornografisë së fëmijëve;
c. shpërndarja ose transmetimi i pornografisë së fëmijëve;
d. prokurimi i pornografisë së fëmijëve për vete ose për një person tjetër;
e. posedimi i pornografisë së fëmijëve;
f. qasja duke qenë në dijeni, nëpërmjet teknologjive të informacionit dhe të komunikimeve, tek pornografia e fëmijëve.
2. Për qëllim të këtij neni termi ‘pornografi e fëmijëve’ nënkupton çdo lloj materiali që përshkruan në mënyrë vizuale një fëmijë të përfshirë në një sjellje reale ose seksualisht të stimuluar ose çdo pamje të organeve seksuale të fëmijës për qëllime seksuale.
3. Çdo palë mund të rezervojë të drejtën për të mos zbatuar, plotësisht ose pjesërisht, paragrafin 1.a dhe 1.e për prodhimin e dhe posedimin e materialit pornografik:
– që përbëhet ekskluzivisht nga përfaqësime stimuluese ose imazhe realiste të një fëmije jo ekzistues;
– që përfshin fëmijë që kanë arritur moshën e përmendur në nenin 18, paragrafi 2, kur këto imazhe prodhohen ose posedohen prej tyre me pëlqimin e tyre dhe vetëm për përdorimin e tyre privat.
4. Çdo palë mund të rezervojë të drejtën për të mos zbatuar plotësisht ose pjesërisht paragrafin 1.f.
Neni 21
Veprat që lidhen me pjesëmarrjen e një fëmije në performanca pornografike
“1. Çdo palë merr masat e nevojshme legjislative ose masa të tjera për të siguruar që sjelljet e qëllimshme, të dhëna më poshtë, përcaktohen si vepra penale:
a. rekrutimi i një fëmije për të marrë pjesë në performanca pornografike ose shkaktimi i pjesëmarrjes së fëmijëve në performanca të tilla;
b. shtrëngimi i një fëmije për pjesëmarrje në performanca pornografike ose përfituese, ose shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime të tilla;
c. pjesëmarrja me dijeni në performanca pornografike që përfshijnë pjesëmarrjen e fëmijëve.
2. Çdo palë mund të rezervojë të drejtën për të kufizuar zbatimin e paragrafit 1.c në rastet kur fëmijët janë rekrutuar ose janë detyruar në përputhje me paragrafin 1.a ose b.
...”
IV. E DREJTA KRAHASIMORE
53. Nga informacionet në dispozicion të Gjykatës, përfshirë një sondazh me tridhjetenëntë Shtete anëtare të Këshillit të Europës, duket se pornografia e fëmijëve është e përcaktuar si vepër penale në të gjitha ato Shtete.
54. Veprimi i izoluar i filmimit, fotografimit ose portretizimit të fshehtë / jo konsensual i një fëmije për qëllime seksuale është i përcaktuar si vepër penale qoftë si pornografi e fëmijëve apo si vepër e veçantë në tridhjetetre nga Shtetet anëtare të studiuara (Shqipëri, Austri, Belgjikë, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Republikë Çeke, Estoni, Finlandë, Gjeorgji, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Irlandë, Itali, Latvia, Lihtenshtajn, Luksemburg, Moldavi, Mal të Zi, Holandë, Norvegji, Poloni, Rumani, Rusi, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Zvicër, Turqi, Mbretëri e Bashkuar dhe Ukrainë), ndërkohë që në gjashtë Shtetet e tjera të mbetura (Azerbajxhan, Danimarkë, Francë, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Monako dhe Lituani) dënimi mund të jepet vetëm kur vërtetohet qëllimi për shpërndarjen e materialit pornografik. Në shumicën e këtyre vendeve të fundit sjellja në fjalë mund të jetë e paligjshme edhe sipas dispozitave të Kodit Penal në lidhje me veprat penale seksuale.
55. Veprimi i izoluar i filmimit/fotografimit të fshehtë ose jo konsensual të një individi (një fëmije apo një të rrituri) për qëllime jo seksuale konsiderohet vepër penale në njëzet e pesë prej Shteteve anëtare të studiuara (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Danimarka, Finlanda, Franca, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Islanda, Italia, Lituania, Luksemburgu, Monako, Mali i Zi, Holanda, Polonia, Rusia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Zvicra, Turqia dhe Ukraina), kryesisht si shkelje e të drejtës për privatësi. Njëmbëdhjetë nga katërmbëdhjetë Shtetet e tjera anëtare që mbeten të cilat nuk i përfshijnë veprat penale ndaj privatësisë në kodet e tyre penale parashikojnë zgjidhje civile për shkeljet e privatësisë së një personi. Tre nga Shtetet anëtare gjithashtu nuk kanë procedurë në të drejtën civile për pretendimet kundër prokurimit të fshehtë/jo konsensuale të pamjeve të një personi.
E DREJTA
I. SHKELJET E PRETENDUARA TË NENEVE 8 DHE 13 TË KONVENTËS
56. Kërkuesja u ankua që Shteti suedez kishte dështuar në respektimin e detyrimit të tij sipas nenit 8 për t’i ofruar asaj zgjidhje kundër shkeljes nga njerku i saj i integritetit të saj personal kur ai kishte tentuar ta filmonte atë fshehurazi lakuriq në banjë kur ajo ishte 14 vjeçe. Ajo gjithashtu iu referua nenit 13 të Konventës.
57. Gjykata përsëriti që ajo është zot i karakterizimit juridik të fakteve të çështjes (shih, për shembull, Aksu kundër Turqisë [GC], nr. 4149/04 dhe nr. /04, § 43, ECHR 2012). Në rastin konkret, ajo konsideron që ankesa e kërkueses ka të bëjë ekskluzivisht me zgjidhjet që ajo ka pasur në dispozicion kundër njerkut të saj, jo ato në dispozicion kundër Shtetit për të zbatuar thelbin e një të drejte apo lirie të Konventës në nivel kombëtar. Prandaj ankesa duhet të shqyrtohet vetëm nën prizmin e nenit 8 të Konventës, e cila parashikon si vijon:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës e tij private dhe familjare, të banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveç se në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
A. Vendimi i Dhomës
58. Në vendimin e saj të 21 qershorit 2012, Dhoma gjithashtu konsideroi që ankesa duhet të shqyrtohej vetëm nën dritën e nenit 8 të Konventës. Ajo u bind që, megjithëse ligji suedez nuk përmbante dispozita në lidhje me filmimin e fshehtë, ligjet në dispozicion ishin në gjendje, të paktën në teori, që të mbulonin veprime të tilla si ai në rastin konkret. Ajo theksoi që kur prokurori publik ngriti aktakuzë kundër njerkut dhe kur Gjykata e Qarkut e dënoi atë më 14 shkurt 2006 ato konsideruan që veprimi i kontestuar do të mbulohej nga dispozita mbi ngacmimin seksual. Rrjedhimisht, megjithëse në kohën relevante në praktikën gjyqësore suedeze ishte parë një rezultat i tillë (shih NJA 1996 fq. 418), vetëm me shpalljen e vendimit të Gjykatës së Apelit u bë e qartë që veprimi nuk mund të përbënte ligjërisht ngacmim seksual duke marrë parasysh mungesën e qëllimit nga njerku që kërkuesja ta zbulonte filmimin. Dhoma gjithashtu përsëriti që Gjykata e Apelit, në vendimin e saj ku e lironte njerkun nga akuza për ngacmim seksual, kishte theksuar që veprimet e tij, të paktën teorikisht, kanë përbërë krimin e pornografisë së fëmijëve në tentativë sipas Kodit Penal. Megjithatë, meqenëse prokuroria nuk ngriti akuzë kundër njerkut për atë vepër, Gjykata e Apelit nuk mund të shqyrtonte nëse ai mund të mbahej përgjegjës për atë krim. Së fundi, Dhoma vërejti që kërkuesja kishte në dispozicion zgjidhje nga e drejta civile dhe që ajo kishte zgjedhur, përmes avokatit, ta bashkonte kërkesën e saj për dëmshpërblim me procedurat penale. Në ato rrethana, Dhoma arriti në përfundimin që nuk kishte defekte të tilla domethënëse në legjislacionin dhe praktikën suedeze që mund të shkonin deri në shkelje të detyrimeve pozitive të Suedisë sipas nenit 8.
B. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesja
59. Kërkuesja u shpreh që sistemi ligjor suedez nuk ofronte zgjidhje për ta mbrojtur atë kundër veprimeve konkrete të njerkut të saj.
60. Së pari, për sa i përket dispozitave mbi ngacmimin seksual, për t’u dënuar duhej që njerku ta kishte pasur për qëllim që kërkuesja ta zbulonte filmimin, meqenëse një person nuk mund të ngacmohet nëse ai person nuk vihet në dijeni të këtij veprimi. Rrjedhimisht, sipas mendimit të kërkueses, njerku ishte liruar nga akuza për ngacmim seksual për shkak të ndërtimit të asaj dispozite. Ajo mund të ishte konceptuar dhe duhet të ishte konceptuar në mënyrë të atillë që e përcakton si vepër penale filmimin, pavarësisht nëse kërkuesja do ta zbulonte ose jo, në kohën që kryhej. Rrjedhimisht, kërkuesja gjeti që ndërtimi i dispozitës për ngacmimin seksual ishte i hapur për kritika, kryesisht për faktin se veprimi në fjalë nuk mbulohej nga asnjë dispozitë tjetër penale.
61. Së dyti, duke iu referuar, inter alia, punës përgatitore për dispozitën e pornografisë së fëmijëve dhe një opinioni ligjor nga Profesoresha Madeleine Leijonhufvud, kërkuesja diskutoi që njerku i saj nuk mund të ishte dënuar as për pornografi të fëmijëve, sepse kriteri themelor për atë dispozitë mungonte, pra që pamja në fjalë të ishte pornografike. Në rastin konkret pamja e një vajze katërmbëdhjetëvjeçare duke u zhveshur para se të bënte dush, në një situatë të zakonshme të përditshmërisë, nuk mund të shihej si pornografike brenda kuptimit të Kreut 16, neni 10a, të Kodit Penal në lidhje me pornografinë e fëmijëve. Në mënyrë që filmi të ishte pornografik, njerku do të duhet ta kishte manipuluar filmin, inter alia, duke e bërë të dukej sikur kërkuesja po pozonte për të, apo duke e vendosur filmin në një kontekst pornografik. Gjatë kohës që çështja ishte në procedurë para gjykatave vendase nuk qe e mundur të spekulohej se çfarë do të kishte bërë njerku me filmin sepse ai ishte shkatërruar. Sipas mendimit të kërkueses, atëherë, ishte krejtësisht e kuptueshme që pala e akuzës nuk e kishte formuluar apo ndryshuar aktakuzën për të përfshirë një vepër penale të pornografisë së fëmijëve, meqenëse një akuzë e tillë nuk do të kishte pasur perspektivë për sukses.
62. Për arsyet e cekura më lart, kërkuesja nuk e kritikoi palën e akuzës mbi baza procedurale për mos respektimin e detyrimit të saj për të ndjekur penalisht krime ose detyrën e saj për ta ndihmuar kërkuesen të realizonte pretendimin për dëmshpërblim sipas Kreut 22 të Kodit të Procedurës Gjyqësore. Përkundrazi, ajo gjeti që ligjvënësi dhe gjykatat vendase kishin dështuar në detyrimet e tyre pozitive respektive në rastin konkret, ligjvënësi për shkak të defektit në ligj dhe gjykatat për shkak të dështimit për t’i caktuar kërkueses dëmshpërblim.
63. Për sa i përket ligjvënësit, kërkuesja diskutoi që thjesht filmimi apo pasqyrimi i një të miture në një situatë e cila shqetësonte aspektet thelbësore të integritetit personal të personit nuk ishte vepër penale nëse pamja nuk mund të shihej objektivisht si pornografike sipas mënyrës së zakonshme të të shprehurit dhe vlerave të përgjithshme. Për të rriturit nuk ekziston fare një mbrojtje e tillë. Kërkuesja gjeti që dështimi për vite me radhë për ta cilësuar si vepër penale veprën e filmimit të fshehtë ose të palejuar përbënte shkelje të nenit 8. Ajo theksoi se mbrojtja e dobët në këtë fushë ishte njohur dhe diskutuar që nga viti 1966. Sipas mendimit të saj ishte e papërshtatshme që të “sasiohej” kjo mangësi si defekt “domethënës” apo “me domethënie të pamjaftueshme” në ligj, me qëllim të shqyrtimit nën prizmin e nenit 8. Mjaftonte të arrihej në përfundimin që mbrojtja e të drejtës për jetë private ishte – dhe ende është – e pamjaftueshme në sistemin ligjor suedez dhe që kërkuesja ishte viktimë e asaj mangësie. Kërkuesja theksoi që propozimi legjislativ në lidhje me filmimin e fshehtë kishte dalë pasi ishte marrë vesh çështja e kërkueses dhe që masat legjislative në vazhdim dukej se kishin përparuar mjaft, posaçërisht pasi Dhoma e Madhe e kishte pranuar kërkesën e saj për referim të çështjes së saj, çka tregonte nevojën urgjente për një mbrojtje të tillë legjislative.
64. Së fundi, duke iu referuar rezultatit të procedurave penale para gjykatave vendase, kërkuesja pretendoi që sistemi suedez nuk i ofronte asaj zgjidhje civile për ta mbrojtur atë kundër veprimeve të njerkut të saj. Ajo u shpreh që, pavarësisht nga lirimi i njerkut të saj nga akuza, gjykatat mund t’i kishin caktuar asaj dëmshpërblim vetëm mbi bazën e Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore ose të Konventës. Ajo vërejti që gjykatat vendase ishin zot i karakterizimit juridik dhe prandaj nuk kishte qenë fare e nevojshme që palët t’u referoheshin dispozitave penale. Më tej, meqenëse ishte çështje e një kërkese private si pasojë e një vepre dhe zbatohej Kreu 22, neni 7, i Kodit të Procedurës Gjyqësore, gjykatat ishin të detyruara të vendosnin në lidhje me pretendimin, edhe nëse gjendej që veprimi nuk ishte i dënueshëm. Rrjedhimisht, sipas mendimit të kërkueses, pretendimi i saj duhet të ishte vendosur nga gjykatat vendase me mocion të tyre, edhe pse ajo nuk i ishte referuar asnjë dispozite ligjore të veçantë.
2. Qeveria
65. Qeveria deklaroi që Suedia i kishte plotësuar detyrimet e saj pozitive sipas nenit 8 në rastin konkret. Veprimi në fjalë hynte brenda fushëveprimit të legjislacionit penal suedez, kryesisht në dispozitat në lidhje me ngacmimin seksual dhe në veprën e pornografisë së fëmijëve, dhe nuk kishte elemente që sugjeronin se hetimet fillestare dhe ndjekja penale nuk ishin zhvilluar në mënyrë efektive apo në papajtueshmëri me ligjet suedeze apo me nenin 8. Njerku ishte ndjekur penalisht për veprimin e tij por nuk kishte qenë e mundur të dënohej për shkak të mungesës së provave të kërkuara. Megjithatë, në këtë rast ekzistonin sanksione penguese dhe ato u mbështetën nga një makineri efektive ligjzbatuese.
66. Qeveria fillimisht përmendi faktin që Gjykata në mënyrë të përsëritur kishte deklaruar që Shtetet gëzonin një hapësirë të gjerë vlerësimi për të siguruar mbrojtje të përshtatshme sipas nenit 8, edhe në rastet e veprave shumë të rënda si përdhunimi i një të mituri (shih, për shembull, M.C. kundër Bullgarisë, nr. 39272/98, § 154, ECHR 2003‑XII), dhe që vetëm defektet domethënëse në legjislacion dhe në praktikë, dhe zbatimi i tyre, do të përbënin shkelje të detyrimeve pozitive të një Shteti sipas dispozitës së përmendur.
67. Në rastin konkret, njerku u ndoq penalisht për ngacmim seksual sipas Kreut 6, neni 7 § 3, i Kodit Penal dhe si Gjykata e Qarkut ashtu edhe Gjykata e Apelit gjetën që veprimi i tij përputhej me kriteret objektive që e përbënin këtë vepër, por kjo e fundit gjeti që nuk ishte e mundur të vërtetohej elementi subjektiv i kërkuar për përgjegjësinë penale sipas asaj dispozite, pra qëllimi i tij që kërkuesja ta zbulonte filmimin. Arsyeja e këtij lirimi nga akuza pra nuk ishte mungesa e një dispozite ligjore të së drejtës penale që mbulonte veprimin në fjalë, por paaftësia e prokurorit publik për të vërtetuar që njerku e kishte pasur qëllimin e nevojshëm dhe prandaj krimi ishte kryer. Qeveria theksoi se në këtë kontekst Konventës nuk i duheshin garanci që ndjekja penale duket të rezultonte në dënim (shih, për shembull, Öneryıldız kundër Turqisë [GC], nr. 48939/99, § 96 dhe 147, ECHR 2004‑XII).
68. Qeveria vërejti që dispozita mbi ngacmimin seksual ishte ndryshuar më 1 prill 2005 dhe ishte lëvizur në Kreun 6, neni 10, të Kodit Penal. Faktori thelbësor në përgjegjësinë penale sipas tekstit të ri ishte që veprimi duhet të ishte kryer “në një mënyrë që ka gjasa të shkelë integritetin seksual të atij personi”. Duke iu referuar deklaratave të vitit 2008 nga Komisioni për Veprat Seksuale në lidhje me dispozitën e ndryshuar, Qeveria theksoi se pas 1 prillit 2005 dispozita për ngacmimin seksual gjithashtu mbulonte situata si ajo në fjalë, në të cilën një person që filmonte apo fotografonte një person tjetër fshehurazi në mënyrë seksualisht të bezdisshme.
69. Gjykata e Apelit vendosi në vendimin e saj të 16 tetorit 2007 që veprimi, të paktën në teori, mund të përbënte një vepër të pornografisë së fëmijëve në tentativë. Si ngacmimi ashtu edhe pornografia e fëmijëve hynin brenda fushës së ndjekjes penale, ku zbatohej parimi i objektivitetit, ku nuk fillohet ndjekja penale nëse prokurori vlerëson që mungojnë kushtet për dënim. Në rastin konkret, nuk kishte dokumentacion në lidhje me arsyen përse njerku nuk u akuzua gjithashtu për pornografi të fëmijëve në tentativë. Prandaj nuk ishte e mundur që Qeveria të nxirrte përfundime lidhur me bazat specifike mbi të cilat prokurori kishte vendosur të përfshinte vetëm veprën e ngacmimit seksual në aktakuzë. Megjithatë, kishte disa arsye të mundshme përse nuk ishte ngritur akuzë për pornografi të fëmijëve në tentativë.
70. Një arsye për këtë mund të ketë qenë fakti që, sipas mendimit të prokurorit, nuk ishin përmbushur disa prej kushteve të nevojshme për një vepër të tillë. Një shembull i kësaj mund të ketë qenë kriteri që pamja mund të konsiderohej “pornografike” sipas mënyrës së zakonshme të të shprehurit. Kjo do të thoshte që jo të gjitha paraqitjet e fëmijëve të zhveshur ose pamjeve në të cilat shiheshin gjenitalet e një fëmije ishin të dënueshme, edhe nëse pamje të tilla mund të stimulonin epshet seksuale të disa individëve. E rëndësishme për këtë vlerësim ishte ajo që ndodhej në pamje dhe mënyra se si paraqitej fëmija në pamje, inter alia përmes prerjes së pamjes.
71. Së dyti, teksti i dispozitës në kohën relevante mund të ketë kontribuar drejt mungesës së pritshmërisë së prokurorit për sigurimin e një dënimi për këtë vepër, pra kriteri që zhvillimi pubertal i fëmijës nuk ishte i përfunduar ose, nëse ishte i përfunduar, që ishte e dukshme nga pamjet dhe rrethanat e tyre që fëmija ishte nën moshën 18 vjeç.
72. Së treti, fakti që nëna e kërkueses e kishte shkatërruar filmin menjëherë pas incidentit në shtator 2002, dhe që kërkuesja dhe nëna e saj nuk e raportuan incidentin në polici deri në shtator 2004, pra një kohë të gjatë pasi kishte ndodhur incidenti, mund t’i kenë zvogëluar mundësitë që pala e akuzës të vërtetonte që kishte pasur një pamje “pornografike” dhe që zhvillimi pubertal i kërkueses në kohën e ngjarjes, shtator 2002, nuk kishte qenë i përfunduar, ose që ishte e dukshme nga rrethanat që ajo kishte qenë nën moshën 18 vjeç.
73. Për sa i përket pretendimit të kërkueses për dëmshpërblim, Qeveria theksoi që sipas Kreut 29, seksioni 6, të Kodit të Procedurës Gjyqësore, kur akuzës i bashkëngjitej një kërkesë e tillë, gjetja e gjykatës në lidhje me përgjegjësinë penale ishte detyruese për vendimin e kërkesës private. Rrjedhimisht, nuk kishte qenë e mundur që Gjykata e Apelit të caktonte dëmshpërblim mbi bazën e Kreut 2, seksioni 3, të Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore meqenëse asnjë krim brenda kuptimit të Kodit Penal nuk ishte konstatuar të ishte kryer. Megjithatë, sipas mendimit të Qeverisë, në procedurat penale kërkuesja, e përfaqësuar nga avokati, mund të ishte mbështetur në baza të tjera për pretendimin e saj për dëmshpërblim kundër njerkut të saj përveç veprimit të cituar në aktakuzë, kryesisht në faktin që ai i kishte shkaktuar asaj lëndime personale duke vepruar në mënyrë të pakujdesshme, sipas Kreut 2, seksioni 1, i Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore, çka do të kishte mbuluar të gjitha lëndimet fizike dhe psikologjike. Sipas asaj dispozite, dëmshpërblimi mund të ishte caktuar po ashtu edhe mbi bazën e faktit që lëndimi ishte shkaktuar nga veprimet jo penale të kryera me paramendim ose për shkak të pakujdesisë.
74. Qeveria theksoi që gjykatat nuk mund të caktonin dëmshpërblime duke pasur si bazë të vetme ligjore nenin 8 të Konventës. Arsyeja për këtë ishte se, megjithëse Konventa ishte e inkorporuar në ligjet suedeze, dhe Gjykata Supreme suedeze kishte përcaktuar parimin që një individi mund t’i caktohej dëmshpërblim nga Shteti për shkelje të Konventës pa mbështetjen e dispozitave të veçanta të ligjit suedez, sipas çështjes së Gjykatës Supreme NJA 2007 (fq. 747) ky parim nuk mund të zbatohej në rastet e pretendimeve mes individëve, meqenëse do të ishte e vështirë për një individ të parashikonte nga praktika gjyqësore e Gjykatës se në çfarë rastesh ai ose ajo mund të ishte përgjegjës për pagimin e dëmshpërblimit.
75. Së fundi, puna legjislative në vazhdim në lidhje me filmimin e fshehtë dhe të palejuar deri tani kishte rezultuar me miratimin e Qeverisë më 1 mars 2012 të një propozimi të titulluar “Fotografimi i bezdisshëm”, i cili ishte modifikuar nga një propozim i 20 dhjetorit 2012, dhe në thelb ishte miratuar nga Këshilli i Ligjeve më 7 shkurt 2013. U propozua që legjislacioni të hynte në fuqi më 1 korrik 2013. Më konkretisht, sipas propozimit, filmimi i fshehtë i një personi pa lejen e tij apo të saj në dush ose në banjë do të ishte i dënueshëm si fotografim i bezdisshëm. Vendosja apo “montimi” i një kamere me qëllim të kryerjes së veprës së fotografimit të bezdisshëm gjithashtu do të ishte e dënueshme si përgatitje për të kryer një vepër të tillë.
76. Për sa u tha më lart, Qeveria diskutoi që mungesa në kohën relevante e një dispozite të veçantë në legjislacionin suedez lidhur me veprimet e filmimit të fshehtë apo të palejuar nuk mund të konsiderohej që shkelte të drejtën e kërkueses për jetën private sipas nenit 8 të Konventës.
3. Vërejtjet e palëve të treta
77. Qendra e të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit Ghent konsideroi që testi i “defektit domethënës” zbatuar nga Dhoma përbënte ulje të nivelit të standardeve në jurisprudencën e Gjykatës lidhur me detyrimet pozitive. Sipas mendimit të saj, Dhoma e Madhe duhet që, përkundrazi, të miratonte parimet e “përparësisë së të drejtave” dhe “efektivitetit”. I pari kërkonte që të drejtave të Konventës t’u jepej peshë më e madhe sesa interesat publike në analizën e proporcionalitetit dhe që Shteti të mbante barrën e vërtetimit të proporcionalitetit të veprimeve të tij. I dyti kërkonte ekzistencën në praktikë të një instrumenti që mund të mbronte një të drejtë të Konventës. Në kontekstin e detyrimit pozitiv për të zhvilluar hetime, çdo mangësi në hetime që dëmtonte mundësinë për ndriçimin e rrethanave të çështjes ose përgjegjësinë e kryesve dështonte në përmbushjen e standardit të efektivitetit.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
78. Gjykata përsërit që objekti i nenit 8 është në thelb ai i mbrojtjes së individit nga ndërhyrjet arbitrare nga autoritetet publike. Megjithatë, kjo dispozitë jo vetëm që e detyron Shtetin të abstenojë nga ndërhyrje të tilla: përveç kësaj sipërmarrjeje kryesisht negative, ka detyrime pozitive të ngërthyera në respektin efektiv për jetën private ose jetën familjare. Këto detyrime mund të përfshijnë marrjen e masave për të siguruar respektin për jetën private edhe në sferën e marrëdhënieve të individëve me njëri-tjetrin (shih, inter alia, Airey kundër Irlandës, 9 tetor 1979, § 32, Seria A nr. 32).
79. Zgjedhja e mjeteve të menduara për të siguruar që të veprohet në përputhje me nenin 8 të Konventës në sferën e marrëdhënieve të individëve me njëri-tjetrin është, në parim, një çështje që hyn brenda hapësirës së vlerësimit të Shteteve Kontraktuese, pavarësisht nëse detyrimet ndaj Shtetit janë pozitive apo negative. Ka mënyra të ndryshme për të siguruar respektimin e jetës private, dhe natyra e detyrimit të Shtetit varet nga aspekti i veçantë i jetës private në diskutim (shih, për shembull, Von Hannover kundër Gjermanisë (nr. 2) [GC], nr. 40660/08 dhe nr. 60641/08, § 104, ECHR 2012; Odièvre kundër Francës [GC], nr. 42326/98, § 46, ECHR 2003‑III; Evans kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 6339/05, § 77, ECHR 2007‑I; dhe Mosley kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 48009/08, § 109, 10 maj 2011). Aty ku rrezikohet një aspekt posaçërisht i rëndësishëm i ekzistencës së një individi ose identitetit të tij, apo ku aktivitetet në fjalë përfshijnë një pjesë shumë intime të jetës private, hapësira që i lejohet Shtetit ngushtohet në përputhje me të (ibid.).
80. Për sa i përket mbrojtjes së integritetit fizik dhe psikologjik të një individi nga persona të tjerë, Gjykata është shprehur më parë se detyrimet pozitive të autoriteteve – në disa raste sipas neneve 2 ose 3 dhe në rrethana të tjera sipas nenit 8 i marrë vetëm ose në kombinim me nenin 3 të Konventës – mund të përfshijnë detyrën për të ruajtur dhe zbatuar në praktikë një kornizë të përshtatshme ligjore që ofron mbrojtje kundër akteve të dhunës nga individë privatë (shih, inter alia, Osman kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 tetor 1998, §§ 128-30, Përmbledhje e Vendimeve 1998‑VIII, §§ 128-30; Bevacqua dhe S. kundër Bullgarisë, nr. 71127/01, § 65, 12 qershor 2008; Sandra Janković kundër Kroacisë, nr. 38478/05, § 45, 5 mars 2009; A kundër Kroacisë, nr. 55164/08, § 60, 14 tetor 2010; dhe Đorđević kundër Kroacisë, nr. 41526/10, §§141-43, ECHR 2012).
81. Për sa u përket fëmijëve, të cilët janë posaçërisht të dobët, masat e zbatuara nga Shteti për t’i mbrojtur ato kundër akteve të dhunës që hyjnë brenda fushëveprimit të neneve 3 dhe 8 duhet të jenë efektive dhe të përfshijnë hapa të arsyeshëm për të parandaluar keqtrajtimin për të cilin autoritetet kanë pasur ose duhet të kenë pasur njohuri dhe pengesa efektive kundër shkeljeve kaq të rënda të integritetit personal (shih Z dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 29392/95, § 73, ECHR 2001‑V, dhe M.P. dhe të Tjerë kundër Bullgarisë, nr. 22457/08, § 108, 15 nëntor 2011). Masa të tilla duhet të synojnë të sigurojnë respekt për dinjitetin njerëzor dhe për mbrojtjen e interesave të fëmijëve (shih C.A.S. dhe C.S. kundër Rumanisë, nr. 26692/05, § 82, 20 mars 2012 dhe Pretty kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, § 65, ECHR 2002‑III).
82. Për sa u përket, më konkretisht, veprave të rënda siç janë përdhunimi dhe abuzimi seksual i fëmijëve, ku vihen në rrezik vlerat themelore dhe aspekte themelore të jetës private, u takon Shteteve anëtare të garantojnë hartimin e dispozitave ligjore penale efikase (shih, për shembull, X dhe Y kundër Holandës, 26 mars 1985, § 27, Seria A nr. 91, dhe M.C. kundër Bullgarisë, cituar lart, § 150). Ky detyrim gjithashtu rrjedh nga instrumente të tjera ndërkombëtare, siç janë, inter alia, nenet 19 dhe 34 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës dhe Kreu VI, “E drejta penale substanciale”, e Konventës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Fëmijëve kundër Shfrytëzimit dhe Abuzimit Seksual (shih paragrafët 51 dhe 52 lart).
83. Në lidhje me vepra të tilla të rënda, detyrimi pozitiv i Shtetit sipas neneve 3 dhe 8 për të mbrojtur integritetin fizik të individit mund të shtrihet edhe drejt çështjeve që kanë të bëjnë me efektivitetin e hetimeve penale (shih, mes autoriteteve të tjera, C.A.S. dhe C.S. kundër Rumanisë, cituar lart, § 72; M.P. dhe të Tjerë kundër Bullgarisë, cituar lart, §§ 109‑10; dhe M.C. kundër Bullgarisë, cituar lart, § 152) dhe mundësisë për marrjen e dëmshpërblimit dhe zgjidhjes (shih, mutatis mutandis, C.A.S. dhe C.S. kundër Rumanisë, cituar lart § 72), megjithëse nuk ekziston e drejta absolute për të ndjekur penalisht ose për të dënuar një person të caktuar aty ku nuk ka dështime të fajësueshme në përpjekjet për t’i bërë kryesit e veprave penale të japin llogari (shih, për shembull, Brecknell kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 32457/04, § 64, 27 nëntor 2007, dhe Szula kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 18727/06, 4 janar 2007).
84. Për sa u përket veprave të cilat nuk e arrijnë peshën e rëndë të atyre në fjalë në çështjen X dhe Y kundër Holandës (cituar lart) dhe M.C. kundër Bullgarisë (cituar lart), Gjykata ka shqyrtuar sipas nenit 8 detyrimin e Shtetit për të mbrojtur, për shembull, një të mitur kundër keq-përfaqësimit të lig (shih K.U. kundër Finlandës, nr. 2872/02, §§ 45-49, ECHR 2008-V). Veprimi në atë çështje nuk përfshinte dhunë fizike, por nuk mund të konsiderohej i parëndësishëm sepse ai përfshinte një kërcënim potencial ndaj mirëqenies fizike dhe mendore të të miturit, shkaktuar nga situata në gjykim e sipër, pra fakti që ai u vu në shënjestër të pedofilëve. Ai akt përbënte vepër penale sipas ligjit vendas dhe Gjykata e konsideroi që ajo mbrojtje praktike dhe efektive e kërkuesit kërkonte ekzistimin e një zgjidhjeje që mundësonte identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të kryesit faktik.
85. Sidoqoftë, më përgjithësisht, për sa u përket akteve më pak të rënda mes individëve, të cilat mund të shkelin integritetin psikologjik, detyrimi i Shtetit nga neni 8 për të ruajtur dhe zbatuar në praktikë një kornizë ligjore të përshtatshme që ofron mbrojtje jo gjithmonë kërkon ekzistencën e një dispozite të ligjit penal që e mbulon atë akt konkret. Korniza ligjore gjithashtu mund të përfshijë zgjidhje nga e drejta civile të cilat kanë kapacitet të ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme (shih, mutatis mutandis, X dhe Y kundër Holandës cituar lart, §§ 24 dhe 27, dhe K.U. kundër Finlandës, cituar lart, § 47). Gjykata vëren, për shembull, që në disa çështje të mëhershme lidhur me mbrojtjen e pamjeve të një personi kundër abuzimit të të tjerëve, zgjidhjet në dispozicion në Shtetet anëtare kanë qenë të natyrës së të drejtës civile, mundësisht të kombinuara me zgjidhje procedurale siç është shpallja e një urdhri gjyqësor (shih, inter alia, Von Hannover kundër Gjermanisë (nr. 2), cituar lart; Reklos dhe Davourlis kundër Greqisë, nr. 1234/05, 15 janar 2009; dhe Schüssel kundër Austrisë (dec.), nr. 42409/98, 21 shkurt 2002).
2. Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në çështjen në fjalë
86. Gjykata vëren se Gjykata e Apelit gjeti që veprimi i njerkut përbënte shkelje të integritetit personal të kërkueses (shih paragrafin 23 lart). Gjykata e mbështet këtë gjetje dhe konsideron, nga njëra anë, që rrethanat u rënduan nga fakti që kërkuesja ishte e mitur, që incidenti ndodhi në shtëpinë e saj, ku ajo do të duhej të ndihej e sigurt, dhe që kryesi ishte njerku i saj, një njeri tek i cili ajo kishte të drejtë të kishte besim. Kjo ngjarje ndikoi tek kërkuesja në aspekte tepër intime të jetës së saj private. Nga ana tjetër, ajo vërejti që vepra në fjalë nuk përfshinte dhunë, abuzim apo kontakt fizik. Duke shënuar gjetjen e gjykatave vendase që veprimi i njerkut ishte pa dyshim i qortueshëm, sipas mendimit të Gjykatës veprimi në fjalë nuk e arriti peshën e akteve të rënda në praktikën gjyqësore të cituar më lart në lidhje me përdhunimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve (shih paragrafin 81 lart), parë jo vetëm nën prizmin e nenit 8 por edhe të nenit 3 të Konventës.
87. Në lidhje me këtë pikën e fundit, vlen të shënohet që kërkuesja, përveç se u ankua për mungesën e një zgjidhjeje penale që i referohej konceptimit të veprës së ngacmimit dhe në mungesë, në ligjin suedez, të një vepre të ndarë për filmimin e fshehtë ose të palejuar, gjithashtu u ankua edhe për faktin që sistemi suedez nuk i ofronte asaj zgjidhje civile për ta mbrojtur kundër veprimit të njerkut. Më konkretisht, kërkuesja u shpreh se gjykatat vendase nuk i kishin përmbushur detyrimet e tyre pozitive për shkak të dështimit të tyre për t’i dhënë asaj kompensim qoftë mbi bazën e Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore, qoftë mbi bazën e Konventës. Rrjedhimisht, kërkuesja nuk pretendoi që rekursi në të drejtën penale ishte e vetmja mënyrë në të cilën Suedia mund t’i përmbushte detyrimet e saj nga neni 8 për ta mbrojtur atë nga veprimi i njerkut të saj.
88. Kërkuesja nuk u ankua për efektivitetin e hetimeve penale të zhvilluara nga autoritetet suedeze. Gjykata nuk ka gjetur prova që mënyra në të cilën autoritetet hetimore dhe prokuroria publike zhvilluan detyrat e tyre ishte jo efektive në mbrojtjen e integritetit fizik të kërkueses, apo që ato dështuan në përmbushjen e detyrimit të tyre pozitiv për të zhvilluar ndjekje penale efektive për të siguruar mbrojtjen e duhur të të drejtave të kërkueses sipas nenit 8 të Konventës.
89. Duke pasur parasysh këto vërejtje paraprake, Gjykata do të vazhdojë me shqyrtimin e faktit nëse, duke ditur rrethanat e çështjes që ka përpara, Suedia ka pasur një kornizë ligjore ekzistuese që i ofronte kërkueses mbrojtje kundër veprimeve konkrete të njerkut të saj dhe, për këtë qëllim, do të bëjë një vlerësim të të gjitha zgjidhjeve që ajo pretendohet t’i ketë pasur në dispozicion.
90. Duhet të theksohet se kjo qasje dallon prej qasjes së ndërmarrë nga Dhoma, e cila pohoi që “vetëm defektet domethënëse në legjislacion dhe në praktikë, dhe zbatimi i tyre, mund të përbëjnë shkelje të detyrimeve pozitive të Shtetit nga neni 8”. Kjo i referohej terminologjisë së përdorur në M.C. kundër Bullgarisë (cituar lart, § 167) në lidhje me fushëveprimin e detyrimeve pozitive të Shtetit sipas neneve 3 dhe 8 të Konventës në ofrimin e mbrojtjes kundër përdhunimit dhe abuzimit seksual. Megjithatë, në atë vendim Gjykata kishte zbatuar testin e “defektit domethënës” ndaj “mangësive të pretenduara në hetime”, duke theksuar se asaj “nuk i interesonin pretendimet për gabime ose heqje të izoluara” (ibid., § 168) dhe duke pohuar që mangësitë ishin “domethënëse” (shih, për shembull, §§ 179 dhe 184 të vendimit të cituar lart; shih gjithashtu M. dhe C. kundër Rumanisë, nr. 29032/04, §§ 112 et seq., 27 shtator 2011; krahaso dhe bëj kontrastin me Siliadin kundër Francës, nr. 73316/01, § 130, ECHR 2005‑VII, ku u përdor një tekst i tillë në lidhje me rishikimin e legjislacionit dhe praktikës sipas nenit 4 të Konventës).
91. Dhoma e Madhe konsideron që një test i tillë i defekteve domethënëse, ndërkohë që është i kuptueshëm në kontekstin e hetimeve, nuk ka rol kuptimplotë në vlerësimin e faktit nëse Shteti përgjegjës ka pasur të ngritur një kornizë ligjore të përshtatshme në përputhje me detyrimet e tij pozitive nga neni 8 i Konventës meqenëse çështja para Gjykatës ka të bëjë me pyetjen nëse ligji ka ofruar një nivel të pranueshëm mbrojtjeje kërkueses në rrethanat e caktuara.
(a) Pornografia e Fëmijëve
92. Që në fillim, Gjykata shënon që një pjesë e konsiderueshme e lutjeve të palëve para saj i kushtoheshin ekzistencës në ligjin suedez të veprës së pornografisë së fëmijëve në tentativë dhe relevancës së saj në çështjen në shqyrtim. Kjo vinte nga fakti që, kur e liroi njerkun e kërkueses nga akuza për ngacmim seksual (sipas Kreut 6, neni 7 § 3, i Kodit Penal) në vendimin e saj të 16 tetorit 2007, Gjykata e Apelit afirmoi në një obiter dictum që duke pasur parasysh moshën e kërkueses veprimi në fjalë, të paktën në teori, mund të kishte përbërë pornografi të fëmijëve në tentativë sipas Kreut 16, neni 10a, të Kodit Penal (shih dispozitat e cituara në paragrafët 31 dhe 32 lart). Megjithatë, meqenëse kundër njerkut të kërkueses nuk ishte ngritur një akuzë e tillë, ajo nuk mund të shqyrtonte nëse ai mund të ishte përgjegjës për një krim të tillë (shih paragrafin 24 lart).
93. Qeveria ishte e mendimit që lloji i veprimit në fjalë në rastin e kërkueses, në rrethana të caktuara, mund të hynte jo vetëm brenda dispozitave të ngacmimit seksual por edhe brenda atyre në lidhje me pornografinë e fëmijëve në tentativë.
94. Megjithatë, ndërkohë që njohu faktin që nuk kishte informacione që tregonin nëse në kohën relevante prokurori publik e kishte marrë në konsideratë akuzimit të njerkut të kërkueses për pornografi të fëmijëve në tentativë, Qeveria renditi një sërë arsyesh të mundshme për të cilat prokurori mund të ketë vendosur të mos e bënte një gjë të tillë, kryesisht disa vështirësi në nxjerrjen e provave të mjaftueshme për të treguar që kishte pasur një pamje “pornografike” (shih paragrafët 69 deri në 72 lart). Për shembull, ajo theksoi që nëna e kërkueses e kishte shkatërruar filmin menjëherë pas incidentit në shtator 2002 dhe që kërkuesja dhe nëna e saj nuk e kishin raportuar incidentin në polici deri në shtator 2004, pra një kohë të gjatë pasi kishte ndodhur ngjarja.
95. Më tej Gjykata shënoi faktin që, sipas mendimit të kërkueses, të shprehur duke iu referuar inter alia punimeve përgatitore drejt dispozitës mbi pornografinë e fëmijëve dhe drejt një opinioni ligjor (shih paragrafin 61 lart), edhe sikur filmi të kishte ekzistuar njerku i saj nuk do të kishte mundur të dënohej për pornografi të fëmijëve në tentativë. Kjo sepse mungonte kushti themelor për veprën, pra që pamja në fjalë të ishte “pornografike”. Pamjet e një vajze katërmbëdhjetëvjeçare duke u zhveshur para se të bëjë dush në një situatë të zakonshme të përditshmërisë nuk mund të shiheshin si pornografike brenda kuptimit të Kreut 16, neni 10a, të Kodit Penal në lidhje me pornografinë e fëmijëve. Në mënyrë që filmi të ishte pornografik, njerku do të duhej të kishte manipuluar me filmin, për shembull duke e bërë të dukej sikur kërkuesja kishte qenë duke pozuar për të, ose duke e vendosur filmin në kontekst pornografik. Sikur të ishte ngritur akuzë për pornografi të fëmijëve në tentativë në rastin konkret, ajo nuk do të kishte pasur perspektivë për sukses. Kërkuesja kërkoi që Gjykata të mos e merrte parasysh ekzistencën e kësaj vepre sipas të drejtës kombëtare përkatëse gjatë shqyrtimit të ankesës së saj.
96. Gjykata vëren që termi “pamje pornografike” nuk ishte i përkufizuar në Kodin Penal dhe që në punimet përgatitore të përmendura nga kërkuesja thuhej që “duhet të tregohej njëfarë maturie, në mënyrë që diapazoni i përcaktimit si vepër penale të mos bëhej tepër i gjerë ose i vështirë për t’u vlerësuar. Qëllimi nuk ishte të përcaktohej si vepër penale çdo ekspozim i fëmijëve lakuriq ose të gjitha pamjet në të cilat mund të perceptoheshin gjenitalet e një fëmije, edhe nëse pamje të tilla mund të stimulojnë instinktet seksuale të disa njerëzve. Në mënyrë që trajtimi i një pamjeje të tillë të jetë i paligjshëm, është kusht që ajo të jetë pornografike sipas mënyrës së zakonshme të të shprehurit dhe vlerave të përgjithshme” (shih paragrafin 33 lart).
97. Në këto kushte, mundësia që vepra e pornografisë së fëmijëve në tentativë mund t’i kishte ofruar kërkueses mbrojtje në lidhje me veprimin e caktuar në fjalë duket disi teorike. Gjykata nuk është e bindur që veprimi i njerkut ka qenë i mbuluar nga vepra e përmendur dhe nuk e sheh të nevojshme në rrethanat e caktuara që të spekulojë se çfarë implikimesh mund të kishte pasur për mbrojtjen e të drejtës së kërkueses për jetën e saj private sipas nenit 8 të Konventës nëse do të ishte ngritur akuzë për një sjellje të tillë.
(b) Ngacmimi seksual
98. Një çështje tjetër është pyetja nëse vepra e ngacmimit seksual i ka ofruar kërkueses mbrojtjen e kërkuar nga neni 8 i Konventës. Para 1 prillit 2005, pjesa përkatëse e dispozitës mbi ngacmimin seksual sipas Kreut 6, neni 7 § 3, të Kodit Penal lexonte si më poshtë:
“[Dënimi për ngacmim seksual caktohet] nëse një person ekspozon veten në mënyrë të atillë që natyra e këtij ekspozimi është ofenduese, ose nëse sillet dukshëm në mënyrë të pahijshme me anë të fjalëve ose veprimeve ndaj një personi në një formë që shkel haptas ndjenjën e të sjellurit të duhur.”
99. Pas kësaj njerku u dënua nga Gjykata e Qarkut më 14 shkurt 2006. Gjykata e Apelit e liroi atë me vendimin e 16 tetorit 2007 meqenëse ajo konsideroi që, ligjërisht, veprimi nuk mund të përbënte ngacmim seksual. Gjykata e Apelit e gjeti të konstatuar faktin që motivi i njerkut kishte qenë ta filmonte kërkuesen fshehurazi për qëllime seksuale. Kështu, u pa si fakt i sigurt që njerku nuk kishte për qëllim që kërkuesja ta zbulonte që po filmohej. Po kështu, sipas gjykatës, ai nuk ishte as indiferent ndaj rrezikut që ajo do ta zbulonte. Gjykata e Apelit më tej iu referua një vendimi (NJA 1996 fq. 418) në të cilin Gjykata Supreme ishte shprehur, mes të tjerash, që filmimi i fshehtë në vetvete nuk ishte krim meqenëse ligji suedez nuk përmbante dispozita të përgjithshme kundër filmimit të një individi pa pëlqimin e tij apo të saj. Sipas këtij arsyetimi, e pavarësisht nga gjetja që veprimi në fjalë përbënte shkelje të integritetit personal, kryesisht duke pasur parasysh moshën e kërkueses dhe marrëdhënien me njerkun e saj, Gjykata e Apelit gjeti që njerku nuk mund të mbahej penalisht përgjegjës për veprimin e izoluar të filmimit të kërkueses pa dijeninë e saj. Edhe sikur ajo të ishte vënë në dijeni të filmimit më vonë, përsëriti gjykata, kjo dijeni nuk mbulohej nga synimi i njerkut. Gjykata Supreme refuzoi lejen për apel më 12 dhjetor 2007.
100. Në mënyrë që të konstatohej vepra e ngacmimit seksual nga Kreu 6, neni 7 § 3 i Kodit Penal, pra, ishte kriter që në kryerjen e veprimit kryesi të synonte që viktima ta zbulonte ngacmimin seksual. Me fjalë të tjera, viktima nuk mund të konsiderohej seksualisht e ngacmuar nëse ai ose ajo nuk ishte në dijeni të ngacmimit. Mbahet parasysh fakti që njerku në fakt u dënua për ngacmim seksual sipas dispozitës së përmendur në lidhje me dy akuza për sjellje të turpshme ndaj kushërirës 16-vjeçare të kërkueses, më saktë për faktin që i kishte përkëdhelur kofshën dhe kishte shprehur dëshirën të bënte seks me të (shih paragrafin 14 lart).
101. Ky interpretim i dispozitës mbi ngacmimin seksual nga Gjykata e Apelit u konfirmua në një çështje tjetër nga Gjykata Supreme në një vendim të 23 tetorit 2008 (NJA 2008 fq. 946) (shih paragrafin 40 lart). Gjykata Supreme liroi një person nga akuza për ngacmim dhe përsëriti në të njëjtën kohë që ligji suedez nuk përmbante ndalim të përgjithshëm kundër filmimit të fshehtë. Më tej, ajo vërejti që megjithëse nevoja për një kornizë ligjore të fuqizuar në këtë drejtim ishte njohur në punën legjislative në Suedi që nga vitet 1960, deri tani nuk kishte sjellë asnjë rezultat konkret. Ajo e gjeti tepër të diskutueshme nëse fakti që veprat e filmimit të një individi në situata ku një filmim i tillë shkelte rëndë integritetin personal të personit të përfshirë liheshin krejtësisht të padënuara sipas ligjit suedez ishte në përputhje me kriteret e nenit 8 të Konventës.
102. Kërkuesja u shpreh se ndërtimi i dispozitës mbi ngacmimin seksual sipas tekstit të tij para 1 prillit 2005 ishte i hapur për kritika. Përderisa kjo kritikë nuk shkonte vetëm për ligjvënësit por edhe për interpretimin nga Gjykata e Apelit në vendimin e saj të 16 tetorit 2007, e më pas të vërtetuar nga Gjykata Supreme në një çështje tjetër, Gjykata përsërit që nuk është detyrë e saj të zërë vendin e gjykatave vendase. U takon kryesisht autoriteteve nacionale, më saktë gjykatave, që të zgjidhin problemet e interpretimit të legjislacionit vendas (shih Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë [GC], nr. 13279/05, § 49, 20 tetor 2011). Gjykata është dakord me kërkuesen, sidoqoftë, që njerku u lirua nga akuza për ngacmim seksual jo, siç pohoi Qeveria, për shkak të mungesës së provave të kërkuara por, siç theksoi Gjykata e Apelit, për shkak se, ligjërisht në kohën relevante, veprimi nuk mund të përbënte ngacmim seksual.
103. Dispozita mbi ngacmimin seksual u ndryshua më 1 prill 2005, pra pas kryerjes së veprimit në shtator 2002 në çështjen në fjalë, dhe para lirimit nga akuza të njerkut në procedura penale. Pas kësaj, dispozita mbi ngacmimin seksual përfshiu gjithashtu veprime të kryera “në mënyrë të atillë që [kishin] gjasa të shkelnin integritetin seksual të atij personi”. Më pas, Komisioni për Veprat Seksuale i vitit 2008 deklaroi që, sipas mendimit të tij, dispozita e ndryshuar përfshinte veprime të ndryshme të drejtuara ndaj personave të cilët ishin pa vetëdije ose në gjumë, dhe që ajo mund të përdorej gjithashtu në situata ku një person kishte filmuar ose fotografuar fshehurazi një person tjetër në mënyrë seksualisht të bezdisshme.
104. Gjykata vëren që Qeveria nuk ka treguar ndonjë praktikë gjyqësore vendase në të cilën është zbatuar dispozita e ndryshuar mbi ngacmimin seksual për filmimin e fshehtë pas 1 prillit 2005. Sido që të jetë, mjafton të arrihet në përfundimin që dispozita mbi ngacmimin seksual sipas tekstit që kishte para 1 prillit 2005, dhe sipas interpretimit në rastin konkret nga Gjykata e Apelit në vendimin e saj të 16 tetorit 2007, i cili mori formë të prerë kur Gjykata Supreme refuzoi lejen për apel, nuk mund të mbulonte ligjërisht veprimin në fjalë dhe kështu nuk e ka mbrojtur kërkuesen kundër mungesës së respektit për jetën e saj private sipas nenit 8 të Konventës.
(c) Legjislacioni i kohëve të fundit mbi filmimin e fshehtë
105. Nuk duket që zbrazëtirat e lartpërmendura në mbrojtjen substanciale të të drejtave të kërkueses nga neni 8 janë zgjidhur në ndonjë farë mënyre nga ndonjë dispozitë tjetër nacionale në atë kohë. Në këtë pikë, Gjykata nuk mund të mos shënojë që mungesa e një dispozite të tillë ka qenë çështje shqetësuese në Suedi për një kohë të gjatë dhe që shumë Shtete të tjera anëtare kanë legjislacion që e mbulon veprimin e filmimit/fotografimit të fshehtë ose jo konsensual të një individi (qoftë fëmijë apo i rritur) për qëllime jo seksuale, qoftë në kuadër të ligjit penal ose atij civil (shih paragrafin 55 lart). Sipas vendimit të Gjykatës Supreme të 23 tetorit 2008 (NJA 2008 fq. 946) (shih paragrafin 40 lart) nevoja për një kornizë ligjore të fuqizuar kundër filmimit të fshehtë kishte qenë e njohur në punën legjislativë në Suedi në vitet 1960, por nuk kishte çuar ende drejt rezultateve konkrete. Gjykata Supreme e gjeti tepër të diskutueshme nëse fakti që veprimet e filmimit të një individi në situata ku një filmim i tillë shkelte thellësisht integritetin personal të personit në fjalë liheshin tërësisht të padënuara sipas ligjit suedez ishte në përputhje me kriteret e nenit 8 të Konventës (shih gjithashtu paragrafin 101 lart).
106. Gjykata vëren që propozimi i kohëve të fundit nga Qeveria, i datës 20 dhjetor 2012, i titulluar “Fotografimi i Bezdisshëm”, është miratuar nga Parlamenti. Më konkretisht, sipas dispozitave të reja, të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 korrik 2013, filmimi i fshehtë i një personi pa lejen e tij apo të saj në dush ose në banjë do të ishte i dënueshëm si fotografi e bezdisshme. Vendosja apo montimi i një kamere me qëllim të kryerjes së një vepre të fotografimit të bezdisshëm po ashtu do të ishte e dënueshme si përgatitje për të kryer një vepër të tillë (shih paragrafin 43 lart).
107. Më tej Gjykata vëren që legjislacioni është hartuar për të mbuluar një veprim si ai që ka ndodhur në rastin konkret. Gjithashtu, ajo shënon që parimet e shtruara në Ligjin për Lirinë e Shtypit dhe Ligjin Themelor për Lirinë e Shprehjes, të cilat janë pjesë e Kushtetutës së Suedisë, kryesisht për sa i përket mbrojtjes së prokuruesve të informacionit për media, janë shqyrtuar me kujdes para se ligji në fjalë të paraqitej në Parlament. Megjithatë, nuk u kontestua që kërkuesja nuk mund të mbështetej mbi legjislacionin e ri në lidhje me një incident të ndodhur në vitin 2002 dhe që nuk mund ta shfrytëzonte këtë mbrojtje për të drejtën e saj për respekt ndaj jetës së saj private.
(d) Zgjidhjet nga e drejta civile
108. Në këtë rast rekursi në të drejtën penale, sipas mendimit të Gjykatës, nuk ishte domosdoshmërisht e vetmja mënyrë në të cilën Shteti përgjegjës mund t’i përmbushte detyrimet e tij sipas nenit 8 të Konventës. Rrjedhimisht, ngrihet pyetja nëse kërkuesja ka pasur në dispozicion zgjidhje civile.
109. Në lidhje me këtë, duhet shënuar që kërkuesja ia bashkëngjiti pretendimin civil për dëmshpërblim kundër njerkut të saj procedurave penale kundër tij. Kështu, më 20 janar 2006, e përfaqësuar nga avokati, kërkuesja paraqiti kërkesë për dëmshpërblim në shumën 25,000 korona suedeze (SEK), prej të cilës 15,000 SEK ishte kompensim për shkeljen e integritetit të saj personal dhe 10,000 SEK për dhimbje dhe vuajtje. Si bazë për kërkesën e saj kërkuesja iu referua “veprës penale për të cilën njerku i saj po ndiqej penalisht”.
110. Sipas Qeverisë, kërkesa u gjet pjesërisht e bazuar në seksionin 1 dhe pjesërisht në seksionin 3 të Kreut 2 të Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore (shih paragrafin 37 lart).
111. Në vendimin e saj të 14 shkurtit 2006 ku dënohej njerku, Gjykata e Qarkut e urdhëroi atë t’i paguante kërkueses dëmshpërblim në shumën 20,000 SEK. Megjithatë, pas lirimit nga akuza të njerkut në vendimin e saj të 16 tetorit 2007, për shkak se akti ligjërisht nuk mund të përbënte ngacmim seksual, Gjykata e Apelit gjithashtu rrëzoi pretendimin e kërkueses për dëmshpërblim. Qeveria e theksoi në këtë pikë që në përputhje me Kreun 29, seksioni 6, të Kodit të Procedurës Gjyqësore, kur ndjekjes penale i bashkëngjitet një kërkesë civile gjetja nga gjykata në çështjen e përgjegjësisë penale është detyruese për gjykimin e kërkesës private. Rrjedhimisht, nuk ishte e mundur për Gjykatën e Apelit që të caktonte dëmshpërblim mbi bazën e Kreut 2, seksioni 3, i Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore meqenëse nuk ishte konstatuar se ishte kryer krim brenda kuptimit të Kodit Penal. Ky përfundim përputhet me deklaratën e Gjykatës Supreme në vendimin vijues, NJA 2008 fq. 946 (shih paragrafin 40 lart) të 23 tetorit 2008, që ligji suedez nuk përmbante ndalim të përgjithshëm kundër filmimit të fshehtë dhe që në rastet kur një filmim i tillë nuk përbënte krim, nuk mund të caktohej dëmshpërblim.
112. Megjithatë, Qeveria argumentoi që në procedurë penale kërkuesja mund të ishte mbështetur mbi baza të tjera për pretendimin e saj për dëmshpërblim kundër njerkut të saj, pra mbi faktin që ai i kishte shkaktuar asaj lëndime personale duke vepruar në mënyrë të pakujdesshme sipas Kreut 2, seksioni 1, i Ligjit për Përgjegjësinë Jashtëkontraktore, çka do të kishte mbuluar çdo lëndim fizik dhe psikologjik (shih paragrafin 73 lart).
113. Në këtë aspekt, sidoqoftë, duhet pasur parasysh që njerku në asnjë moment gjatë hetimeve apo procedurës penale nuk pretendoi që e kishte lënë kamerën duke incizuar në koshin e rrobave në banjë rastësisht. Përkundrazi, ai e pranoi që kishte qenë veprim me dashje por impulsiv. Prandaj, sipas mendimit të Gjykatës, nuk mund të pritej që kërkuesja dhe avokati i saj të citonin pakujdesinë vetëm me qëllim që të siguroheshin që kërkesa e saj të trajtohej në rast se veprimi nuk vlerësohej se mbulohej nga vepra e ngacmimit seksual.
114. Rrjedhimisht, Gjykata nuk është e bindur që në situatën konkrete, ku veprimi në fjalë nuk mbulohej ligjërisht nga dispozita mbi ngacmimin seksual dhe ku filmimi i fshehtë në përgjithësi nuk përbënte krim, kërkuesja kishte në dispozicion zgjidhje civile.
(e) Kompensimi mbi bazën e Konventës
115. Së fundi, Gjykata ka shqyrtuar argumentin e kërkueses që gjykatat vendase në procedurë penale mund t’i kishin caktuar asaj kompensim vetëm mbi bazën e Konventës por kishin dështuar ta bënin këtë me mocion të tyre.
116. Siç u theksua nga Qeveria, megjithëse Gjykata Supreme kishte vendosur një parim sipas të cilit një individi mund t’i jepej dëmshpërblim nga Shteti për shkelje të Konventës pa mbështetjen e dispozitave të veçanta në ligjet suedeze, kjo nuk mund të zbatohej në rastet e pretendimeve mes individëve meqenëse do të ishte e vështirë që një individ të parashikonte nga praktika gjyqësore e Gjykatës se kur mund të ishte përgjegjës për pagimin e dëmshpërblimit (NJA 2007 fq. 747, shih paragrafin 47 lart). Duke pasur parasysh praktikën vendase suedeze mbi kompensimin për shkelje të Konventës (shih paragrafët 45 deri në 50 lart), përfshirë vendimin e lartpërmendur të Gjykatës Supreme, Gjykata nuk është e bindur që kjo mënyrë e pretenduar e zgjidhjes ekzistonte vërtet dhe mund të kishte zëvendësuar mungesën e zgjidhjes civile në situatën konkrete në fjalë siç është gjetur lart.
(f) Përfundim
117. Duke pasur parasysh të gjitha konsideratat e lartpërmendura, Gjykata nuk është e bindur që ligji përkatës suedez, ashtu siç qëndronte në shtator 2002, kur ka ndodhur veprimi konkret i njerkut i cili ka tentuar ta filmonte fshehurazi kërkuesen lakuriq në banjë për qëllime seksuale, garantonte mbrojtjen e të drejtës së saj për respektim të jetës private në mënyrë të atillë që, pavarësisht nga hapësira e vlerësimit të Shtetit përgjegjës, ishte në përputhje me detyrimet e tij pozitive sipas nenit 8 të Konventës. Veprimi në fjalë ka shkelur integritetin e kërkueses; dhe është rënduar nga fakti që ajo ishte e mitur, që incidenti ndodhi në shtëpinë e saj, ku ajo duhet të ndihej e sigurt, dhe që kryesi ishte njerku i saj, një person tek i cili ajo do të duhej të kishte besim. Megjithatë, siç gjeti Gjykata lart, ligjet suedeze nuk përmbanin as zgjidhje penale, as zgjidhje civile që do t’i mundësonin kërkueses mbrojtje efektive kundër shkeljes së përmendur të integritetit të saj personal në rrethanat konkrete të rastit të saj.
Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
II. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
118. Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të Protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmshpërblimi
119. Kërkuesja pretendoi 20,000 euros (EUR) si kompensim për dëme jo materiale.
120. Qeveria e konsideroi këtë shumë të tepërt. Sipas mendimit të saj, një shumë që nuk i kalonte 3000 EUR do të ishte e mjaftueshme për të kompensuar kërkuesen.
121. Gjykata konsideron që kërkuesja duhet të ketë vuajtur dëme jo materiale të cilat nuk kompensohen mjaftueshëm vetëm nga gjetja e një shkeljeje të nenit 8. Duke vendosur mbi baza të barabarta, ajo i akordon kërkueses 10,000 EUR për dëme jo materiale.
B. Kostot dhe shpenzimet
122. Kërkuesja pretendoi 516,410 SEK (që korrespondojnë me afro 60,500 EUR) përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për kosto dhe shpenzime, të cilat përfshinin:
i) 146,250 SEK për tarifat e avokatit në procedurat para Dhomës, e barabartë me 65 orë pune nga 1,800 SEK ora (pa TVSH);
ii) 353,750 SEK për tarifat e avokatit në procedurat para Dhomës së Madhe, e barabartë me 141,50 orë pune nga 2,000 SEK ora (pa TVSH);
iii) 11,021 SEK për një opinion ligjor;
iv) 5,389 SEK për shpenzimet e udhëtimit dhe një mëditje për shpenzimet e tre avokatëve të saj për pjesëmarrje në seancën para Dhomës së Madhe.
Në lidhje me pikën e fundit, kërkuesja gjithashtu pretendoi kompensim për shpenzime në shumën 3,260.60 EUR për biletat e avionit dhe shpenzimet e qëndrimit të saj dhe tre avokatëve të saj gjatë pjesëmarrjes në seancën para Dhomës së Madhe.
123. Qeveria gjeti që tarifat e avokatëve ishin të tepërta si në aspektin e orëve, ashtu edhe në aspektin e honorarëve. Ajo konsideroi të arsyeshme një shumë prej 80 orë dhe një tarifë për orë në përputhje me honorarët e zakonshme për ndihmë ligjore në Suedi, që në vitin 2013 ishte 1.242 SEK ora (pa TVSH). Në lidhje me kostot dhe shpenzimet e tjera, Qeveria gjeti qe kostoja e opinionit ligjor ishte shkaktuar pa nevojë. Ajo nuk e kundërshtoi pjesën tjetër të pretendimit si i tillë.
124. Sipas praktikës gjyqësore të vendosur të Gjykatës, një kërkuesi i takon rimbursimi i kostove dhe shpenzimeve vetëm për aq sa është treguar se ato janë shkaktuar konkretisht dhe domosdoshmërisht dhe që janë të arsyeshme për sa i përket shumës totale.
125. Në lidhje me tarifat e avokatit, qoftë para Dhomës apo para Dhomës së Madhe, Gjykata mund ta pranojë honorarin e pretenduar nga kërkuesja. Në rastin konkret, duke pasur parasysh dokumentet që ka në posedim dhe kriteret e mësipërme, Gjykata e konsideron të arsyeshme të caktojë shumën 25.000 EUR me TVSH (shih, për shembull, X dhe të Tjerë kundër Austrisë [GC], nr. 19010/07, § 163, ECHR 2013; Nada kundër Zvicrës [GC], nr. 10593/08, § 245, ECHR 2012; dhe Al-Jedda kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 27021/08, § 117, ECHR 2011).
126. Për sa u përket kostove dhe shpenzimeve të tjera para Dhomës së Madhe, duket se shuma përfshinte biletat e avionit për pesë persona. Gjykata mund të akordojë shpenzimet e udhëtimit vetëm për kërkuesen dhe tre avokatët e saj. Prandaj, ajo i akordon kërkueses 4,700 EUR sipas këtij titulli.
C. Interesi i munguar
127. Gjykata e konsideron të arsyeshme që interesi i munguar të bazohet mbi përqindjen e shkallës margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane, së cilës duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër, që ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës;
2. Vendos, me gjashtëmbëdhjetë vota pro dhe një kundër,
(a) që Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë kërkueses, brenda tre muajve, shumat e mëposhtme, të konvertuara në valutën e Shtetit përgjegjës me kursin e zbatueshëm në datën e vendimit:
(i) 10,000 euro (dhjetë mijë euro), plus taksat e ngarkueshme, për dëme jo materiale;
(ii) 29,700 euro (njëzet e nëntë mijë e shtatëqind euro) nën titullin e kostove dhe shpenzimeve, plus taksat e ngarkueshme për kërkuesen në këtë aspekt;
(b) që nga përfundimi i tre muajve të lartpërmendur e deri në arritjen e marrëveshjes do të paguhet interes i thjeshtë në shumat e lartpërmendura në përqindje të barabartë me shkallën margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës në fjalë, plus tri pikë përqindjeje
3. Rrëzon, njëzëri, pjesën tjetër të pretendimit të kërkueses për shpërblim të drejtë.
E bërë në anglisht dhe frëngjisht, dhe e shpallur në seancë publike në Ndërtesën e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 12 nëntor 2013.
Erik FriberghJosep Casadevall
KancelarKryetar
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e ndara të mëposhtme i bashkëngjiten këtij vendimi:
(a) mendimi paralel i Gjyqtarit Pinto de Albuquerque;
(b) mendimi pakicë i Gjyqtarit Kalaydjieva.
J.C.
E.F.
Opinionet e veçanta nuk janë përkthyer, por ato janë pjesë e versionit(eve) zyrtar(e) në gjuhën angleze dhe/ose franceze të vendimit që gjendet në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim është realizuar me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues ndaj Gjykatës, dhe Gjykata nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të praktikës gjyqësore HUDOC të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash në të cilën e shpërndan Gjykata. Ai mund të rishtypet për qëllime jo komerciale me kusht që të citohet titulli i plotë i çdo çështjeje, së bashku me përshkrimin e mësipërm të të drejtave të autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse synohet që ndonjë pjesë e këtij përkthimi të përdoret për qëllime komerciale, lutemi kontaktoni publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de I’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, ta base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme () ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy