Sousa Goucha kundër Portugalisë - 70434/12, Vendimi 22.3.2016 (Seksioni IV) Faktet - Gjatë një shfaqjeje të drejtpërdrejtë të një komedie në televizion u bë një shaka në lidhje me kërkuesin, një prezantues i njohur homoseksual në TV, i cili u quajt ‘femra’. Denoncimi i tij penal për shpifje ndaj shoqërive televizive dhe producente, prezantuesit dhe drejtorëve të programacionit dhe përmbajtjes u rrëzua nga gjykatat e brendshme. Ligji - Neni 8: Meqenëse orientimi seksual ishte një pjesë thelbësore e identitetit të personit, gjinia dhe orientimi seksual ishin dy karakteristika dalluese dhe intime, çdo ngatërresë ndërmjet këtyre të dyjave do të përbënte një cenim të reputacionit të personit duke përftuar në këtë mënyrë një nivel të mjaftueshëm serioziteti për zbatimin e Nenit 8. Meqenëse shkelja e pretenduar rridhte nga refuzimi i autoriteteve për të ushtruar ndjekje penale, çështja kryesore është nëse shteti, në kontekstin e detyrimeve të tij pozitive, kishte arritur një balancë të drejtë ndërmjet së drejtës së kërkuesit për mbrojtjen e reputacionit të tij dhe të drejtës së palëve të tjera për lirinë e shprehjes të garantuar nga Neni 10. Çështja në fjalë dallohej nga çështjet e mëparshme në lidhje me formën satirike të shprehjes artistike, pasi shakaja nuk ishte bërë në kontekstin e një debati me interes publik, dhe si e tillë, nuk bëhej fjalë për ndonjë çështje me interes publik Një detyrim i shtetit sipas Nenit 8 për të mbrojtur reputacionin e kërkuesit mund të lindë nëse deklarimet shkojnë tej kufijve që konsideroheshin të pranueshëm sipas Nenit 10. Në rrëzimin e ankimit të kërkuesit, gjykatat e brendshme kishin arsyetuar në mënyrë bindëse nevojën për vendosjen e mbrojtjes së lirisë së shprehjes së të pandehurve mbi të drejtën e mbrojtjes së reputacionit të kërkuesit. Veçanërisht, ato kishin marrë parasysh stilin ngacmues dhe pa respekt të shfaqjes dhe humorin e saj të zakonshëm, faktin që kërkuesi ishte një figurë publike, si dhe mungesën e qëllimit nga ana e të pandehurit për të cenuar reputacionin e kërkuesit ose për të kritikuar orientimin e tij seksual. Për më tepër, ato kishin vlerësuar mënyrën në të cilën do ta kishte perceptuar shakanë e kundërshtuar një spektator i arsyeshëm i shfaqjes në fjalë - dhe jo thjesht atë që mendonte ose ndjente kërkuesi. Sipas gjykatave të brendshme, një person i arsyeshëm nuk do ta kishte perceptuar shakanë si shpifje, pasi ajo i referohej karakteristikave të kërkuesit, sjelljes dhe mënyrës së shprehjes së tij. Një kufizim i lirisë së shprehjes së shfaqjes televizive për hir të reputacionit të kërkuesit do të ishte jo-proporcionale në pajtim me Nenin 10. Në lidhje me marzhin e vlerësimit që i jepej shtetit në këtë fushë, gjykatat e brendshme kishin gjetur balancën e duhur ndërmjet dy të drejtave kundërshtuese në pajtim me standardet e Konventës. Përfundimi: nuk ka shkelje (unanimisht). Neni 14 në lidhje me Nenin 8: Vetë kërkuesi e kishte përmendur orientimin e tij seksual në publik dhe para gjykatave të brendshme. Në këtë kontekst, do të kishte qenë e vështirë për gjykatat të mos e merrnin si referencë. Në vlerësimin nëse shakaja e kundërshtuar e kishte arritur pragun e shpifjes, ato e kishin vendosur atë në dritën e sjelljes së jashtme të kërkuesit dhe stilit të shfaqjes, megjithëse nëpërmjet komenteve të debatueshme. Veçanërisht, ato kishin vënë re që kërkuesi ishte veshur ‘me ngjyra të ndezura’ dhe moderonte shfaqje televizive që ndiqeshin kryesisht nga gratë. Asgjë nuk tregonte që autoritetet portugeze do të kishin marrë vendime të ndryshme nëse kërkuesi nuk do të kishte qenë homoseksual. Shkaku i refuzimit të ushtrimit të ndjekjes penale dukej se ishte më shumë pesha që i jepej lirisë së shprehjes në rrethanat e çështjes dhe mospasjes së synimit nga të pandehurit të cenonin nderin e kërkuesit ose orientimin e tij seksual. Për pasojë, nuk ishte e mundur të spekulohej nëse orientimi i tij seksual ka patur rëndësi në vendimet e gjykatave të brendshme. Megjithëse pasazhet përkatëse ishin të debatueshme dhe mund të ishin evituar, ato nuk kishin qëllim diskriminues. Përfundimi: nuk ka shkelje (unanimisht). (Shih gjithashtu Nikowitz dhe Verlagsgruppe News GmbH kundër Austrisë, 5266/03, 22 shkurt 2007; Alves da Silva kundër Portugalisë, 41665/07, 20 tetor 2009; dhe Welsh dhe Silva Canha kundër Portugalisë, 16812/11, 17 shtator 2013)
Full & Egal Universal Law Academy