© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
GJYKATA EUROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA STAMOSE k. BULLGARISË
(Kërkesa nr. 29713/05)
STRASBURG
27 nëntor 2012
PËRFUNDIMTAR
27/02/2013
Ky vendim bëhet përfundimtar në bazë të Nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet rishikimit editorial.
Në çështjen Stamose k. Bullgarisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), me trup gjykues të përbërë nga:
Ineta Ziemele, Kryetar,
David Thór Björgvinsson,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Zdravka Kalaydjieva,
Vincent A. De Gaetano, gjyqtar,
dhe Lawrence Early, Sekretar i Seksionit,
pas shqyrtimit të çështjes me dyer të mbyllura më 6 nëntor 2012,
merr vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në të njëjtën datë:
PROCEDURA
1. Çështja ka filluar me një kërkesë (nr. 29713/05) kundër Republikës së Bullgarisë, të depozituar në Gjykatë në përputhje me nenin 34 të Konventës për Mbrojtjen e Të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”) nga një nënshtetas bullgar, Z. Teodor Vasilious Stamose (“kërkuesi”), më 22 korrik 2005.
2. Kërkuesi përfaqësohej nga Z. B. Tsanov, avokat që e ushtron aktivitetin e tij në Sofje. Qeveria bullgare (“Qeveria”) përfaqësohej nga agjentja e saj, Znj. M. Dimova, nga Ministria e Drejtësisë.
3. Kërkuesi pretendonte në veçanti se ndalimi i largimit të tij nga territori i Bullgarisë për një periudhë dy vjeçare për shkak të shkeljeve të ligjeve të migracionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte qenë i pajustifikueshëm; që ky ndalim, i cili e kishte penguar atë të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku jetonte nëna dhe vëllai i tij, kishte çuar në ndërhyrje të pajustifikuar në jetën e tij familjare; dhe se në shqyrtimin e kundërshtimit të tij ligjor për ndalim, gjykatat nuk e kishin rishikuar proporcionalitetin e tij (ndalimit).
4. Më 28 shtator 2009, Gjykata (Seksioni i Pestë) vendosi të njoftonte Qeverinë për këtë kërkesë. Po ashtu u vendos të merrej vendim njëkohësisht për pranueshmërinë dhe për themelin e çështjes (neni 29 § 1 i Konventës).
5. Pas rikompozimit të seksioneve të Gjykatës më 1 shkurt 2011, kërkesa iu transferuar Seksionit të Katërt.
6. Duke vërejtur se kërkuesi nuk kishte parashtruar asnjë koment për pranueshmërinë ose themelin e çështjes, apo pretendim për justifikim të drejtë të afatit kohor të fiksuar nga Kryetari i Seksionit të pestë, më 2 gusht 2011 Sekretaria e Gjykatës i dërgoi kërkuesit një letër të protokolluar, duke e këshilluar atë për kushtet e nenit 37 § 1 (a) të Konventës. Në një faks, datë 4 nëntor 2011, të pasuar nga një letër, datë 4 nëntor 2011, kërkuesi deklaroi se ai dëshironte të ndiqte kërkesën e tij dhe se mosparashtrimi i mëparshëm i komenteve ose i një pretendimi për një dëmshpërblim të drejtë ishte shkaktuar nga një problem komunikimi ndërmjet tij dhe përfaqësuesit të tij ligjor.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
7. Kërkuesi ishte lindur në vitin 1974 dhe jeton në Sheffield, në Mbretërinë e Bashkuar, ku ishte vendosur në shkurt të vitit 2010.
8. Në vitin 1998, kërkuesi, i cili ishte regjistruar në një universitet në Shtetin e Misourit, hyri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një vizë studentore. Gjithsesi, ai më vonë i la studimet dhe filloi punë me pagesë. Në janar të vitit 2000, autoritetet, duke qenë se ai kishte shkelur afatet kohore dhe kushtet e vizës, filluan ndaj tij procesin e deportimit. Ai u deportua në Bullgari më 29 tetor 2003.
9. Ndërkohë, në prill të vitit 2000, nëna e kërkuesit u martua me një nënshtetas amerikan. Në maj të vitit 2000 ajo u bë banore rezidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më pas nënshtetase amerikane. Vëllai i kërkuesit, po ashtu, ishte person me banim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
10. Me anë të një urdhri, datë 29 tetor 2003, shefi i shërbimit të policisë kufitare të Ministrisë bullgare të Punëve të Brendshme, duke vepruar sipas seksionit 76(6) të Ligjit për Dokumentet e Identitetit 1998 (shih paragrafin 17 më poshtë), dhe duke pasur parasysh një letër të dërguar nga divizioni i ministrisë për bashkëpunimin ndërkombëtar, me të cilën ishte dërguar një letër nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendosën ndalimin e udhëtimit për dy vjet për kërkuesin, duke filluar nga data 20 tetor 2003 dhe u tha organeve përgjegjëse të sekuestronin pasaportën e tij. Më pas, më 4 nëntor 2003, policia e Burgasit, e urdhëroi kërkuesin të dorëzonte pasaportën.
11. Kërkuesi kërkoi rishikim gjyqësor të urdhrit, duke pretenduar, inter alia, se organet administrative ishin gabuar që nuk kishin marrë parasysh situatën e tij personale dhe që kishin përzgjedhur të ushtronin diskrecionin e tyre kundër tij.
12. Më 11 maj 2004, Gjykata e Sofjes e rrëzoi kërkesën. Ajo vendosi, inter alia, që në lëshimin e urdhrit, organet kishin marrë parasysh të gjitha faktet përkatëse, përkatësisht faktin që kërkuesi ishte deportuar dhe që organet bullgare ishin informuar për këtë gjë. Arsyet për deportimin dhe rrethanat personale të kërkuesit ishin jo materiale, siç ishte dhe mundësia e marrjes së një vize tjetër amerikane që do t’i lejonte atij të hynte sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri kishte qenë në përputhje me qëllimin e ligjit, i cili synonte të pengonte qytetarët bullgarë që kishin shkelur rregullat e migracionit të shteteve të huaja të udhëtonin lirshëm.
13. Kërkuesi apeloi bazuar në ligj, duke theksuar argumentin e tij që organet duhet të kishin marrë parasysh rrethanat e tij individuale.
14. Në një vendim përfundimtar, datë 30 mars 2005 (реш. № 2952 от 30 март 2005 г. по адм. д. № 6206/2004 г., ВАС, V о.) Gjykata e Lartë Administrative la në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët. Ajo vendosi, inter alia, që seksioni 76(6) i Ligjit për Dokumentet e Identitetit i vitit 1998 u jepte organeve të drejtë të zbatonin ose jo masën në fjalë, dhe se ajo çfarë vendosnin organet mbi këtë çështje nuk ishte objekt rishikimi nga gjykatat. Në rastin e kërkuesit, organet kishin pasur parasysh të gjitha rrethanat përkatëse dhe kishin vendosur për zbatimin e kësaj mase.
II. LEGJISLACIONI I BRENDSHËM
15. Neni 35 § 1 i Kushtetutës së vitit 1991 parashikon, inter alia, që çdokush ka të drejtë të largohet nga vendi dhe se kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me ligj për qëllimin e mbrojtjes së sigurisë kombëtare, shëndetit publik, ose të drejtave dhe të detyrimeve të të tjerëve.
16. Seksioni 33(1) i Ligjit për Dokumentet e Identifikimit të vitit 1998 (Закон за българските документи за самоличност) (në tetor 2009 u ndryshua titulli i Ligjit në Ligjin për Dokumentet e Identifikimit Personal – Закон за българските лични документи) (“Ligji i 1998-ës”) parashikon se çdo nënshtetas bullgar ka të drejtën të largohet nga vendi dhe të kthehet sërish në të me një pasaportë ose me një dokument tjetër ekuivalent. Sipas seksionit 33(3), këto të drejta nuk mund të jenë objekt kufizimesh, në përjashtim të rasteve kur këto kufizime parashikohen me ligj dhe janë të nevojshme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, rendit publik, shëndetit ose të të drejtave dhe lirive themelore të të tjerëve.
17. Seksioni 76(6) i Ligjit, siç është miratuar fillimisht, parashikon se një nënshtetas bullgar i cili është deportuar nga një shtet tjetër për shkak të shkeljeve në ligjit të imigracionit të këtij shteti mund të ndalohet nga largimi nga Bullgaria dhe mund t’i refuzohet dhënia e pasaportës për një periudhë një vjeçare. Ky paragraf u ndryshua duke specifikuar se ndalimi do të zgjaste për dy vjet. Ndryshimi hyri në fuqi më 31 mars 2003.
18. Në jurisprudencën e saj lidhur me këtë dispozitë, Gjykata e Lartë Administrative ka vendosur në mënyrë konsistente se gjykatat nuk ishin organe kompetente për të rishikuar nëse organet i kanë ushtruar siç duhet kompetencat e tyre diskrecionare për vlerësimin e nevojës për këtë masë; e vetmja gjë që i duhej të verifikonte gjykatës ishte nëse kishte ndodhur deportimi në fjalë, pavarësisht nga shkaqet për të (shih реш. № 10917 от 3 декември 2002 г. по адм. д. № 7044/2002 г., ВАС, V о.; реш. № 2365 от 14 март 2003 г. по адм. д. № 10736/2002 г., ВАС, V о.; реш. № 9652 от 22 ноември 2004 г. по адм. д. № 4636/2004 г., ВАС, V о.; реш. № 9653 от 22 ноември 2004 г. по адм. д. № 4637/2004 г., ВАС, V о.; реш. № 9654 от 22 ноември 2004 г. по адм. д. № 4635/2004 г., ВАС, V о.; реш. № 3497 от 18 април 2005 г. по адм. д. № 542/2005 г., ВАС, V о.; реш. № 94 от 5 януари 2006 г. по адм. д. № 5672/2005 г., ВАС, V о.; реш. № 5034 от 11 май 2006 г. по адм. д. № 9710/2005 г., ВАС, V о.; реш. № 5229 от 17 май 2006 г. по адм. д. № 535/2006 г., ВАС, V о.; реш. № 5966 от 2 юни 2006 г. по адм. д. № 829/2006 г., ВАС, V о.; реш. № 7176 от 28 юни 2006 г. по адм. д. № 3700/2006 г., ВАС, V о.; реш. № 10919 от 6 ноември 2006 г. по адм. д. № 4522/2006 г., ВАС, V о.; реш. № 12533 от 13 декември 2006 г. по адм. д. № 6522/2006 г., ВАС, V о.; реш. № 12551 от 13 декември 2006 г. по адм. д. № 7065/2006 г., ВАС, V о.; and реш. № 1869 от 22 февруари 2007 г. по адм. д. № 9680/2006 г., ВАС, V о.).
19. Më 21 gusht 2009 Qeveria parashtroi para parlamentit një projektligj për ndryshimin e Ligjit të 1998-ës, i cili propozonte, inter alia, shfuqizimin e seksionit 76(6). Parlamenti e miratoi projektligjin më 1 tetor 2009 dhe ligji i ndryshuar hyri në fuqi më 20 tetor 2009. Në jurisprudencën e saj pasuese, Gjykata e Lartë Administrative vendosi që shfuqizimi nuk i zhvlerëson në mënyrë automatike ndalimet e udhëtimit të parashikuara në seksionin 76 të zbatuara para hyrjes në fuqi të ligjit të ndryshuar (shih реш. № 13819 от 17 ноември 2009 г. по адм. д. № 6999/2007 г., ВАС, ІІІ о.; реш. № 15106 от 10 декември 2009 г. по адм. д. № 7052/2009 г., ВАС, V о.; dhe реш. № 10449 от 13 август 2010 г. по адм. д. № 1609/2010 г., ВАС, VІІ о.). Çështja u zgjidh me hyrjen në fuqi të paragrafit 5 të dispozitave tranzitore dhe përmbyllëse të një ligji tjetër për ndryshimin e Ligjit të vitit 1998. Ligji hyri në fuqi më 10 prill 2010 dhe specifikonte se brenda tre muajsh nga hyrja e tij në fuqi të gjitha masat e parashikuara në përputhje me seksionin 76(6) pushonin së pasuri fuqi.
III. TË DHËNA PËKATËSE STATISTIKORE
20. Sipas një raporti të botuar nga Zyra Ndërkombëtare e Punës në seritë e saj të Dokumenteve Ndërkombëtare të Migracionit (August Gächter, The Ambiguities of Emigration: Bulgaria since 1988, e cila mund të gjendet në adresën (e parë më 6 nëntor 2012)), emigracioni neto nga Bullgaria në periudhën ndërmjet vitit 1989 dhe 1998 ka shkuar në 747,000 persona, 2,253 nga të cilët kanë emigruar në Zvicër, 124,383 në Gjermani, 32,978 në Greqi, 344,849 në Turqi, dhe 6,307 në Shtetet e Bashkuara në Amerikës.
IV. MATERIALE TË TJERA PËRKATËSE
21. Bazuar në nenin 1(1) dhe në Shtojcës e Rregullores së Këshillit (EC) Nr. 2317/95, datë 25 shtator 1995, nënshtetasve bullgarë i kërkohej të kishin viza për të kaluar kufijtë e jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian. Ky kusht u ndryshua nga neni 1(2) dhe Shtojca II e Rregullores së Këshillit (EC) Nr. 539/2001, datë 15 mars 2001, sipas të cilëve nënshtetasit bullgarë u përjashtuan nga kërkesa për vizë për qëndrim prej jo më shumë se tre muaj gjithsej.
22. Një dokument i botuar nga Qendra për Studime Evropiane të Politikave (Çfarë Ndodh me Fqinjët? Ndikimi i Schengen-it përgjatë Kufijve të Jashtëm të BE-së, Dokumenti Pune i EPS-it nr. 210/tetor 2004, i disponueshëm në adresën (parë më 6 nëntor 2012), vëren si më poshtë:
“Në kuadrin e gjashtë viteve, Bashkimi Evropian e ka vendosur veten në pozicionin e kërkimit të koncesioneve substanciale për një gamë të gjerë çështjesh lidhur me kufijtë dhe lëvizjen e personave si çmim për heqjen e kërkesave për vizë. Në këtë periudhë, qeveria dhe shoqëria bullgare në tërësi ka filluar të punojë për një [a] strategji gjithëpërfshirëse duke synuar përjashtimin përfundimtar të qytetarëve bullgarë nga kërkesat për vizë.”
23. Dokumenti vijonte më tej duke iu referuar një raporti të Komisionit Evropian të vitit 2001, i cili kishte çuar në heqjen e kërkesave për vizë për nënshtetasit bullgarë (Raporti i Komisionit për Këshillin lidhur me Bullgarinë në kuadrin e miratimit të rregullores që përcakton listën e shteteve të treta, nënshtetasit e të cilit duhet të marrin viza kur kalojnë kufijtë e jashtëm përjashtohen nga kjo kërkesë, COM(2001) 61 përfundimtare, 2 shkurt 2001, Bruksel). Nën titullin “Sanksionet lidhur me emigracionin e paligjshëm në Shtetet Anëtare”, ky raport thekson se “sipas [seksionit] 76 [të Ligjit të 1998-ës] si [atëherë] në fuqi, ndalohet largimi nga vendi për një periudhë një vjeçare për nënshtetasit bullgarë, të cilët [kanë] shkelur ligjin e migracionit të një shteti tjetër, ose [janë] përjashtuar nga një shtet tjetër.” Në rishikimin e hapave të tjerë legjislativë që ishin marrë nga organet bullgare, raporti thekson se “mund të imponohet një projekt ndryshim në [seksionin] 76, për të parashikuar ose zgjatur deri në dy vjet ndalimin e largimit nga vendi për nënshtetasit bullgarë”. Pas rishikimit të të gjitha dispozitave përkatëse legjislative, raporti arriti në përfundimin se “[n]ga informacioni që iu dërgua organeve bullgare në shërbimet e Komisionit dhe nga misioni i Komisionit, ishte e qartë që Bullgaria [kishte] në dispozicion të gjitha instrumentet e nevojshme ligjore për ta lejuar të luftonte imigracionin e paligjshëm ... nga territori i saj”.
LIGJI
I. PRETENDIM PËR SHKELJE TË NENIT 2 TË PROTOKOLLIT NR. 4
24. Kërkuesi u ankua bazuar në nenin 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës se ndalimi i largimit nga territori bullgar kishte qenë i pajustifikuar dhe jo proporcional.
25. Neni 2 i Protokollit nr. 4 në pjesët që lidhen me këtë çështje, parashikon si më poshtë:
“...
2. Çdo person është i lirë të largohet nga çdo vend, duke përfshirë të tijin.
3. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund të bëhet objekt i kufizimeve të tjera nga ato të parashikuara në ligj dhe të domosdoshme në një shoqëri demokratike për sigurimin kombëtar ose sigurinë publike, ruajtjen e rendit publik, parandalimin e veprave penale, mbrojtjen e shëndetit apo të moralit, ose mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.
...”
26. Qeveria parashtroi se vendimet e marra nga organet administrative dhe nga gjykata lidhur me kërkuesin kishin qenë të ligjshme dhe korrekte. Arsyet e dhëna kishin korresponduar me kërkesat e seksionit 76(6) të Ligjit të 1998-ës. Ndalimi kishte ardhur pas një letre të dërguar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këto rrethana, autoritetet, në ushtrim të së drejtës së tyre, kishin vendosur me të drejtë që masa kishte qenë e nevojshme për të arritur qëllimet e ligjit. Gjykatat kishin pasur të drejtë të shqyrtonin ligjshmërinë e masës, por jo nevojën për të dhe kishin zbatuar ligjin me përpikëri. Së fundmi, Qeveria kishte theksuar se seksioni 76(6) ishte shfuqizuar në tetor të vitit 2009.
27. Kërkuesi nuk bëri komente.
28. Gjykata është e mendimit se kjo ankesë nuk është shprehimisht e pabazuar brenda kuptimti të nenit 35 § 3 (a) të Konventës, dhe as e papranueshme për ndonjë shkak tjetër. Si rezultat, ajo duhet të deklarohet e pranueshme.
29. Lidhur me themelin e çështjes, Gjykata e nis komentin e saj duke konstatuar se kjo kërkesë ngre një çështje disi të re, pasi deri tani Gjykata nuk ka pasur mundësi të trajtojë ndalimet e udhëtimeve për efekt të parandalimit të shkeljeve të ligjeve të brendshme ose të huaja të migracionit. Në çështjet e mëparshme, sipas nenit 2 të Protokollit Nr. 4, Gjykata ose ish Komisioni Evropian për të Drejtat e Njeriut kanë qenë të shqetësuara lidhur me ndalime të tilla të vendosura për proceset penale pezull (shih Schmidt k. Austrisë, nr. 10670/83, Vendimi i Komisionit, datë 9 korrik 1985, Vendimi dhe Raporte (DR) 44, f. 195; Baumann k. Francës, nr. 33592/96, ECHR 2001‑V; Földes dhe Földesné Hajlik k. Hungarirsë, nr. 41463/02, ECHR 2006‑XII; Sissanis k. Rumanisë, nr. 23468/02, 25 janar 2007; Bessenyei k. Hungarisë, nr. 37509/06, 21 tetor 2008; A.E. k. Polonisë, nr. 14480/04, 31 mars 2009; Iordan Iordanov dhe Të tjerët k. Bullgarisë, nr. 23530/02, 2 korrik 2009; Makedonski k. Bullgarisë, nr. 36036/04, 20 janar 2011; Pfeifer k. Bullgarisë, nr. 24733/04, 17 shkurt 2011; Prescher k. Bullgarisë, nr. 6767/04, 7 qershor 2011; dhe Miażdżyk k. Polonisë, nr. 23592/07, 24 janar 2012), zbatimin e vendimeve penale (shih M. k. Gjermanisë, nr. 10307/83, Vendimi i Komisionit, datë 6 mars 1984, DR 37, f. 113), mungesën e rehabilitimin lidhur me proceset penale (shih Nalbantski k. Bullgarisë, nr. 30943/04, 10 shkurt 2011), proceset pezull të falimentit (shih Luordo k. Italisë, nr. 32190/96, ECHR 2003‑IX), refuzimin për pagim të gjobave doganore (shih Napijalo k. Kroacisë, nr. 66485/01, 13 nëntor 2003), mospagimin e taksave (shih Riener k. Bullgarisë, nr. 46343/99, 23 maj 2006), paaftësinë e pagimit të borxheve për personat privatë (shih Ignatov k. Bullgarisë, nr. 50/02, 2 korrik 2009, dhe Gochev k. Bullgarisë, nr. 34383/03, 26 nëntor 2009), njohjen e “sekreteve shtetërore” (shih Bartik k. Rusisë, nr. 55565/00, GjEDNj 2006‑XV), mosrespektimin e detyrimeve të shërbimit ushtarak (shih Peltonen k. Finlandës, nr. 19583/92, Vendimi i Komisionit, datë 20 shkurt 1995, DR 80‑a, p. 38, dhe Marangos k. Qipros, nr. 31106/96, Vendimi i Komisionit, datë 20 maj 1997, i pa raportuar), sëmundjet mendore të shoqëruara me mungesë organizimesh për kujdesin e duhur në vendet e destinacionit (shih Nordblad k. Suedisë, nr. 19076/91, Vendimi i Komisionit, datë 13 tetor 1993, i pa raportuar), dhe urdhrat e gjykatës që i ndalojnë minorenët nga çuarja në një shtet të huaj (shih Roldan Texeira dhe Të Tjerët k. Italisë (Ven.), nr. 40655/98, datë 26 tetor 2000, dhe Diamante dhe Pelliccioni k. San Marino, nr. 32250/08, datë 27 shtator 2011). Gjykata është e mendimit se pavarësisht nga dallimet me këto çështje, parimet e zbatueshme për çështjen në fjalë janë të njëjtat si në rastin e tyre.
30. Neni 2 § 2 i Protokollit Nr. 4 i garanton çdo personi të drejtën për t’u larguar nga çdo shtet drejt çdo shteti tjetër të përzgjedhur prej tij/saj, ku ai/ajo mund të pranohet. Ndalimi për t’i larguar nga Bullgaria për kërkuesin pa dyshim që është ndërhyrje në këtë të drejtë. Edhe sekuestrimi i pasaportës së tij çon në këtë ndërhyrje (shih Peltonen, në f. 43; Baumann, §§ 62‑63; Napijalo, §§ 69‑73; dhe Nalbantski, § 61, të gjitha të cituara më sipër). Si rezultat, duhet të përcaktohet nëse kjo ndërhyrje ishte “në përputhje me ligjin”, në plotësim të një ose më shumë qëllimeve legjitime të parashikuara në nenin 2 § 3 të Protokollit nr. 4, dhe në rast se ajo ishte “e nevojshëm në një shoqëri demokratike” për arritjen e këtij objektivi.
31. Ndërhyrja bazohej në seksionin 76(6) të Ligjit për Dokumentet e Identitetit të vitit 1998 (shih paragrafët 10 dhe 17 më sipër) dhe, duke qenë kështu, kishte një bazë ligjore të qartë në të drejtën e brendshme. Kërkuesi nuk ka kërkuar të argumentohet se vendimi nuk ishte “në përputhje me ligjin” për një shkak tjetër, dhe Gjykata nuk konstaton asnjë arsye të shprehet se vendimi nuk përputhej me këtë kërkesë.
32. Për më tepër, është e dukshme nga konteksti në të cilin u miratuan, dhe më pas u shtrënguan (shih paragrafin 21-23 më sipër) dispozitat ligjore, të cilat shërbyen si bazë kundër kërkuesit, se ndërhyrja ishte projektuar për të dekurajuar dhe për të parandaluar shkelje të ligjeve të migracionit të shteteve të tjera, dhe, në këtë mënyrë, për të ulur mundësinë e këtyre shteteve të refuzonin nënshtetasit e tjerë bullgarë të hynin në territorin e tyre, të shtrëngonin ose të refuzonin tolerimin e regjimit të tyre të vizave lidhur me shtetasit bullgarë. Edhe në rast se gjykata do të ishte e përgatitur të pranonte se ndërhyrja ishte kryer për qëllimet legjitime të mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve, në rastin në fjalë nuk është e nevojshme të ndiqet më tej kjo pistë, sepse në çdo rast, siç u shpjegua më sipër, kufizimet e udhëtimit nuk e kalojnë testin e të qenit “të nevojshme në një shoqëri demokratike” dhe kërkesat e saj të shprehura të proporcionalitetit.
33. Gjykata vëren se ndalimi i udhëtimit për kërkuesin nuk zgjati për shumë kohë – sipas ligjit kohëzgjatja e tij ishte ekzaktësisht dy vjet (shih paragrafin 17 më sipër). Gjithsesi, kjo nuk është çështja kryesore (bëni krahasimin me çështjen Nalbantski, cituar më sipër, § 56): çështja thelbësore është nëse ishte përpjesëtimore apo jo të ndalohej në mënyrë automatike kërkuesi nga udhëtimi në ndonjë dhe çndonjë shtet të huaj për shkak se ai kishte shkelur ligjet e imigracionit të një shteti të caktuar.
34. Gjykata nuk mund ta konsiderojë një masë të tillë të përgjithshme të jetë përpjestimore. Pasojat normale të shkeljeve të rënda të ligjeve të migracionit të një vendi do të ishin që personi i përfshirë në to të largohej nga ai shtet dhe të ndalohej (bazuar në ligjet e atij shteti) që të hynte sërish në territorin e tij për një periudhë të caktuar kohore. Në fakt, kërkuesi i vuajti këto pasoja si rezultat i shkeljes së kushteve të vizës së tij studentore pasi ai u deportua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (shih paragrafin 8 më sipër). Duket shumë e rëndë për shtetin bullgar, i cili nuk mund të konsiderohet si drejtpërdrejt i prekur nga shkelja e kërkuesit, që ta ndalonte kërkuesin të udhëtonte në shtete të tjera të huaja për një periudhë prej dy vjetësh.
35. Për më tepër, organet nuk kishin asnjë arsye për dhënien e urdhrit të tyre dhe, me sa duket, nuk e konsideronin të nevojshme të shqyrtonin situatën individuale të kërkuesit. Më vonë gjykatat u shprehën se ato nuk mund të rishikonin ushtrimin e diskrecionit të autoriteteve në këtë çështje (krahasojeni mutatis mutandis, me çështjen Riener, § 126; Gochev, § 54; dhe Nalbantski, § 66, të gjitha të përmendura më lart). Në këtë mënyrë, megjithëse dispozitat përkatëse u jepnin atyre të drejtë lidhur me vendosjen ose jo të masës në fjalë, nuk ka asnjë tregues që dëshmon që në ushtrimin e këtij diskrecioni autoritetet morën parasysh ndonjë faktor specifik për kërkuesi, si për shembull sa e rëndë ishte shkelja që kishte çuar në deportimin e tij nga Shtetet e Bashkuara, rrezikun që ai mund të kryejë shkelje të tjera të rregullave të migracionit të një shteti tjetër, situatën e tij familjare, situatën e tij financiare dhe personale, ose nëse kishte qenë i përfshirë më parë në vepra penale. Më parë, megjithëse në kontekste të ndryshme, Gjykata ka vendosur që kufizime të tilla kaq të përgjithshme dhe reale nuk mund të konsiderohen si të justifikuara sipas nenit 2 të protokollit nr. 4 (shih Riener, §§ 127‑28; Bartik, § 48; Gochev, §§ 53 dhe 57; dhe Nalbantski, §§ 66‑67, të gjitha të përmendura më sipër).
36. Është e vërtetë që gjatë periudhës përpara miratimit të dispozitës statusore mbi bazën e së cilës u dha urdhri, Bullgaria ishte bërë burim imigrantësh (shih paragrafin 20 më sipër), dhe se në ato rrethana është të paktën e mundur që shteti bullgar të mund ta ketë menduar të nevojshme, për shkaqe të harmonisë ndërkombëtare dhe për arsye praktike, të ndihmonte shtete të tjera në zbatimin e rregullave dhe politikave të tyre të migracionit (shih paragrafin 32 më sipër). Rezulton po ashtu se dispozita statusore në fjalë u miratua, dhe më vonë, u bë më strikte (shih paragrafin 17 më sipër) si pjesë e paketës së masave të projektuara për të zbutur frikërat e, ndërmjet të tjerësh, shteteve anëtare të atëhershme të Bashkimit Evropian lidhur me emigrimin e paligjshëm nga Bullgaria, dhe më pas luajti rol në vendimin e Bashkimit në mars të vitit 2001 për të përjashtuar nënshtetasit bullgar nga kërkesa për vizë për qëndrime të shkurtra (shih paragrafët 21‑23 më sipër). Tetë vjet më pas, pra në vitin 2009, kur nevoja për të ishte ulur, dispozita u shfuqizua (shih paragrafin 19 më sipër). Sidoqoftë, fakti që ligji e bëri të mundur përdorimin e masës së atakuar përkundrejt kësaj situate nuk e bën atë imun nga shqyrtimi nga kuadri i Konventës (shih, mutatis mutandis, Capital Bank AD k. Bullgarisë, nr. 49429/99, §§ 110‑11, datë 24 nëntor 2005). As vetë masa, siç zbatohet për kërkuesin nuk mund të justifikohet nga fakti i thjeshtë që ajo mund të ketë rezultuar nga ky presion (shih paragrafin 10 më sipër), dhe shteti i paditur nuk mund ta kufizojë veten tek të bazuarit mbi këto arsye për të justifikuar masën (shih, mutatis mutandis, Nada k. Zvicrës [GC], nr. 10593/08, § 196, GjEDNj 2012). Megjithëse Gjykata mund të jetë e përgatitur të pranojë që ndalimi i largimit nga vendi i vendosur në lidhje me shkeljet e ligjeve të imigracionit të një shteti tjetër anëtar në situata të caktuara detyruese mund të konsiderohet si i justifikueshëm, Gjykata nuk është e mendimit se vendosja automatike e kësaj mase pa shqyrtuar rrethanat individuale të personit të prekur prej saj mund të kategorizohet si e nevojshme në një shoqëri demokratike.
37. Si rezultat, ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 4.
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 8 TË KONVENTËS
38. Kërkuesi u ankua bazuar nenin 8 të Konventës, duke u shprehur që ndalimi i udhëtimit, i cili e kishte ndaluar atë të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara, ku jetonin nëna dhe vëllai i tij, kishte çuar në ndërhyrje të pajustifikuar në jetën e tij familjare.
39. Neni 8 i Konventës, në pjesët përkatëse parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
40. Qeveria parashtroi se ndalimi i udhëtimit ishte vendosur në përputhje me ligjin dhe ishte dhënë për një të rritur, i cili kishte qenë tridhjetë vjeç. Për më tepër, mundësia e kërkuesit të bashkohej me të ëmën dhe më të vëllanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk varej nga autoritetet bullgare, por nga politika migratore e këtij shteti. Së fundmi, nuk kishte pasur pengesa për të afërmit e kërkuesit që të vinin e ta vizitonin atë në Bullgari.
41. Kërkuesi nuk parashtroi komente.
42. Gjykata është e mendimit që kjo ankesë nuk është shprehimisht e pabazuar në kuptimin e nenit 35 § 3 (a) të Konventës ose e papranueshme për ndonjë shkak tjetër. Si rezultat, ajo duhet të konsiderohet e pranueshme.
43. Gjithsesi, në këndvështrimin e konstatimit të një shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 4, Gjykata nuk e mendon të nevojshme të shqyrtojë ndalimin e udhëtimit të vendosur për kërkuesin duke iu referuar dhe nenit 8 të Konventës (shih Riener, § 134; A.E. k. Polonisë, §§ 53‑54; dhe Pfeifer, § 62, të gjitha cituara më sipër; dhe krahasoni me İletmiş k. Turqisë, nr. 29871/96, §§ 42‑50, ECHR 2005‑XII, dhe Paşaoğlu k. Turqisë, nr. 8932/03, §§ 41‑48, datë 8 korrik 2008, ku Gjykata shqyrtoi ndalimet e udhëtimeve jashtë shtetit sipas nenit 8 të Konventës dhe jo sipas nenit 2 të Protokollit nr. 4, pasi ky i fundit ishte nënshkruar, por jo ratifikuar nga Turqia).
III. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 13 TË KONVENTËS
44. Kërkuesi u ankua që në shqyrtimin e kundërshtimit ligjor për ndalimin e udhëtimit, gjykatat nuk e kishin shqyrtuar përpjestueshmërinë e masës.
45. Gjykata është e mendimit se kjo ankesë bie në objektin e nenit 13 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
46. Qeveria nuk komentoi për këtë ankesë në komentet e saj.
47. Kërkuesi nuk bëri komente.
48. Gjykata është e mendimit se kjo ankesë nuk është shprehimisht e pabazuar brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës, apo e papranueshme për shkaqe të tjera. Si rezultat, ajo deklarohet e pranueshme.
49. Kur ekziston një pretendim i debatueshëm që përqendrohet tek fakti që një akt i autoriteteve mund të cenojë të drejtën e një individi sipas nenit 2 § 2 të Protokollit nr. 4, neni 13 i Konventës kërkon që sistemi ligjor kombëtar ta pajisë personin me një mundësi efektive të kundërshtimit të masës në fjalë dhe të mundësisë së shqyrtimit të masave përkatëse me garanci të plota procedurale, duke e bërë kështu të mundur për individin të parashtrojë të gjitha argumentet që kanë ndikim mbi përpjesëtueshmërinë – pra mbi masën në kuptimin e Konventës (shih Riener, §§ 138 dhe 142, dhe Pfeifer, § 67, të dyja cituar më sipër).
50. Duke pasur parasysh konstatimet e saj lidhur me ndalimin e udhëtimit të vendosur për kërkuesin, Gjykata është e mendimit se ankesa e tij sipas nenit 2 § 2 të Protokollit nr. 4 është e diskutueshme. Si rezultat, duhet të përcaktohet nëse kërkuesi kishte në dispozicion një mjet efektiv ligjor në përputhje me kërkesat e sipërpërmendura.
51. Çështja kryesore këtu ishte nëse gjykatat i shqyrtuan kërkesat e kërkuesit dhe apelimet pasuese me kujdes të mjaftueshëm dhe duke iu referuar faktorëve të rëndësishëm për justifikimin e ndalimit sipas Konventës (shih Pfeifer, cituar më sipër, § 71). Siç mund të shihet prej vendimeve të tyre (shih paragrafët 12 dhe 14 më sipër), gjykatat i trajtuan argumentet e kërkuesit përkundrejt justifikimit të masës si jo të rëndësishme dhe ishin të shqetësuar vetëm për vlefshmërinë formale të ndalimit. Gjykatat vendosën specifikisht se ato nuk mund të kontrollonin vlerësimin diskrecionar të autoriteteve për nevojën e vendosjes së ndalimit, që në fakt përbënte shqetësimin kryesor të ngritur nga kërkuesi (shih paragrafët 11 dhe 13 më poshtë) dhe që ishte element kryesor për ushtrimin e balancimit të kërkuar sipas nenit 2 § 3 të Protokollit nr. 4. Një procedurë, e cila për shkak të objektit të kufizuar të shqyrtimit, nuk përballet me mundësinë e trajtimit të thelbit të një ankese të debatueshme në kuadrin e Konventës, nuk mund të plotësojë kërkesat e nenit 13 (shih Riener, përmendur më sipër, §§ 142‑43, dhe, mutatis mutandis, Glas Nadezhda EOOD dhe Anatoliy Elenkov k. Bullgarisë, nr. 14134/02, §§ 69‑70, datë 11 tetor 2007, dhe C.G. dhe të Tjerët k. Bullgarisë, nr. 1365/07, § 62, datë 24 prill 2008, me referenca të mëtejshme).
52. Si rezultat, Gjykata shprehet se ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës.
IV. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
53. Neni 41 i Konventës parashikon si më poshtë:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
54. Kërkuesi nuk parashtroi kërkesë për shpërblim të drejtë.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA ME UNANIMITET
1. e deklaron kërkesën të pranueshme;
2. vendos që ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 4 të Konventës;
3. vendos që nuk është e nevojshme të shqyrtohet kërkesa sipas nenit 8 të Konventës;
4. vendos që ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës.
Bërë në anglisht dhe njoftuar me shkrim më 27 nëntor 2012, në përputhje me nenin 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Lawrence EarlyNicolas Bratza
SekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy