© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për informacione të mëtejshme shiko të dhënat e plota për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyrights/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
RASTI STANEV KUNDËR BULLGARISË
(Kërkesa nr. 36760/06)
VENDIMI
STRASBURG
17 janar 2012
Ky vendim është përfundimtar, por mund t’i nënshtrohet rishikimit gjuhësor.
Në rastin Stanev kundër Bullgarisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ulur në Dhomën e Madhe, e përbërë nga:
Nicolas Bratza, Presidenti,
Jean-Paul Costa,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Nina Vajić,
Dean Spielmann,
Lech Garlicki,
Khanlar Hajiyev,
Egbert Myjer,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Luis López Guerra,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Zdravka Kalaydjieva,
Ganna Yudkivska,
Vincent A.de Gaetano,
Angelika Nußberger,
Julia Laffranque, gjyqtarë,
dhe Vincent Berger, Juriskonsult
Pas diskutimit në seancë te mbyllur më datat 9 shkurt dhe 7 dhjetor 2011,
jep vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të sipërpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në një kërkesë (nr. 36760/06) kundër Republikës së Bullgarisë drejtuar Gjykatës në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas bullgar, Z. Rusi Kosev Stanev (kërkuesi), më 8 shtator 2006.
2. Kërkuesi, i cili kishte marrë ndihmë ligjore, përfaqësohej nga Znj A. Genova, avokate në Sofje, dhe Znj. V. Lee dhe L. Nelson, avokatë të Mental Disability Advocacy Center (Qendra për mbrojtjen e paaftësisë mendore), një organizatë jofitimprurëse me seli në Budapest. Qeveria bullgare ("Qeveria") përfaqësohej nga agjentët e saj, Znj. N. Nikollova dhe Znj. R. Nikollova, nga Ministria e Drejtësisë.
3. Kërkuesi ankohej për vendosjen e tij në një shtëpi të përkujdesjes sociale për persona me çrregullime mendore dhe paaftësinë e tij për të marrë leje me qëllimin për t’u larguar nga kjo shtëpi (nenet 5 §§ 1, 4 dhe 5 të Konventës). Duke u bazuar në nenin 3, i konsideruar më vete dhe së bashku me nenin 13, ai më tej ankohej në lidhje me kushtet e jetesës në këtë shtëpi. Ai gjithashtu parashtronte se nuk kishte akses në një gjykatë ku mund të kërkonte lirimin nga kujdestaria e pjesshme (neni 6 i Konventës). Së fundi, ai pretendonte se kufizimet që rridhnin nga ky regjim, përfshirë vendosjen e tij në shtëpi, kishin shkelur të drejtën e tij për respektimin e jetës private sipas kuptimit të nenit 8, të marrë vetëm dhe në lidhje me nenin 13 të Konventës.
4. Kërkesa u shqyrtua nga Seksioni i Pestë i Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 29 qershor 2010, pas një seance mbi pranueshmërinë dhe themelin, mbajtur më 10 nëntor 2009 (Neni 54 § 3), kërkesa u shpall e pranueshme nga Dhoma e përbërë nga Peer Lorenzen, Presidenti, Renate Jaeger, Karel Jungwiert, Rait Maruste, Isabelle Berro- Lefèvre, Mirjana Lazarova Trajkovska dhe Zdravka Kalaydjieva, gjyqtarë, dhe gjithashtu Claudia Westerdiek, Kancelare e Seksionit. Më 14 shtator 2010 Dhoma, e përbërë nga Peer Lorenzen, Presidenti, Renate Jaeger, Rait Maruste, Mark Villiger, Isabelle Berro-Lefèvre, Mirjana Lazarova Trajkovska dhe Zdravka Kalaydjieva, gjykatësit, dhe gjithashtu nga Claudia Westerdiek, Kancelare e Seksionit, hoqën dorë nga kompetenca e tyre në favor të Dhomës së Madhe, dhe asnjëra nga palët nuk e kundërshtoi këtë dorëheqje (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i Rregullores).
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e neneve 26 § § 4 dhe 5 të Konventës dhe të nenit 24 të Rregullores.
6. Kërkuesi dhe Qeveria paraqitën vërejtje me shkrim mbi themelin.
7. Përveç kësaj, një palë e tretë Interights, një organizatë jofitimprurëse, me leje të posaçme nga ana e Presidentit për të ndërhyrë në procedurën me shkrim (neni 36 § 2 të Konventës dhe të Rregullës 44 § 3), paraqiti komentet e saj.
8. Një seancë u zhvillua në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 9 shkurt 2011 (Neni 59 § 3).
U paraqitën para Gjykatës:
(a) për Qeverinë
Znj. N. Nikollova, Ministria e Drejtësisë,
Znj. R. Nikollova, Ministria e Drejtësisë, Agjentë të Qeverisë;
(b) për kërkuesin
Znj. A. Genova, Avokate,
Znj. V. LEE,
Znj. L. Nelson, Këshilltare.
Gjykata dëgjoi parashtresat e tyre. Kërkuesi ishte gjithashtu i pranishëm.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Kërkuesi ka lindur në vitin 1956 në Ruse, ku ai jetoi deri në dhjetor të vitit 2002 dhe ku jetojnë gjysmë-motra e tij dhe gruaja e dytë e babait të tij, të cilët janë të afërmit e tij të vetëm të ngushtë. Më 20 dhjetor 1990 një komision mjekësh të punës e shpalli atë të paaftë për të punuar. Komisioni konstatoi se si pasojë e një skizofrenie të diagnostikuar në vitin 1975, kërkuesi kishte një shkallë paaftësie prej 90% por nuk kishte nevojë për ndihmë. Ai merr një pension invaliditeti për këtë arsye.
A. Vendosja e kërkuesit nën kujdestari të pjesshme dhe vendosja e tij në një shtëpi të përkujdesjes sociale për njerëzit me çrregullime mendore
10. Në një datë të paspecifikuar në vitin 2000, në bazë të kërkesës së dy të afërmve të kërkuesit, prokurori rajonal i Ruses i kërkoi Gjykatës rajonale (Окръжен съд) shpalljen e një deklarate për pazotësi të plotë për të vepruar të kërkuesit. Në një vendim të 20 nëntorit të vitit 2000, Gjykata deklaroi se kërkuesi ishte pjesërisht i paaftë për arsye se ai vuante nga skizofrenia e thjeshtë që nga viti 1975 dhe aftësia e tij për të menaxhuar punët dhe interesat e tij dhe për të kuptuar pasojat e veprave të tij ishte dëmtuar. Gjykata konstatoi se gjendja e kërkuesit nuk ishte aq serioze sa për të bërë një deklaratë për pazotësi të plotë për të vepruar. Ajo vërejti, në veçanti, se gjatë periudhës nga viti 1975 deri në vitin 2000 ai ishte pranuar në një spital psikiatrik në disa raste. Gjykata mori në konsideratë një raport mjekësor të prodhuar gjatë procedurës dhe intervistoi kërkuesin. Për më tepër, sipas disa njerëzve të tjerë të intervistuar, kërkuesi kishte shitur të gjithë pasurinë e tij, lypte për të jetuar, kishte shpenzuar të gjitha paratë e tij me alkool dhe bëhej agresiv sa herë që pinte.
11. Ky vendim ishte mbështetur nga një vendim i datës 12 prill 2001 marrë nga Gjykata e Veliko Tarnovo (Апелативен съд) në vijim të ankimimit nga ana e kërkuesit, dhe ishte transmetuar më pas në Këshillin Bashkiak të Ruses më 7 qershor 2001 për emërimin e një kujdestari.
12. Përderisa anëtarët e familjes së kërkuesit kishin refuzuar të merrnin përsipër çdo përgjegjësi për përkujdesje, më 23 maj të vitit 2002 Këshilli Bashkiak emëroi Znj. R.P., një punonjëse e këshillit, si kujdestare të kërkuesit deri më 31 dhjetor 2002.
13. Më 29 maj 2002 R.P. u kërkoi shërbimeve sociale të Ruses të vendosnin kërkuesin në shtëpinë e përkujdesit social për njerëzit me çrregullime mendore. Ajo i bashkëngjiti kërkesës një seri dokumentesh, përfshirë diagnozën psikiatrike. Shërbimet sociale hartuan një raport mbi gjendjen e kërkuesit, duke vërejtur në 23 korrik 2002 se ai vuante nga skizofrenia, se jetonte i vetëm në një aneks të vogël në shtëpinë e gjysmë-motrës së tij dhe se gjysmë-motra e tij dhe gruaja e dytë e babait kishin deklaruar se ato nuk dëshironin që të vepronin si kujdestare të tij. Kërkesat për vendosje në një shtëpi të përkujdesjes sociale u konsideruan për këtë arsye të plotësuara.
14. Më 10 dhjetor 2002 një marrëveshje për vendosjen e tij u nënshkrua mes R.P. dhe shtëpisë të përkujdesjes sociale për të rriturit me çrregullime mendore pranë fshatit të Pastras në bashkinë e Rilas ("shtëpia e përkujdesjes sociale të Pastras"), një institucion nën përgjegjësinë e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Kërkuesi nuk u informua për marrëveshjen.
15. Më vonë atë ditë, kërkuesi u dërgua me ambulancë në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras, rreth 400 km larg nga Ruse. Përpara Gjykatës, ai deklaroi se ai nuk ishte informuar për arsyen se përse ishte vendosur në shtëpi apo për sa kohë; Qeveria nuk e kundërshtoi këtë.
16. Më 14 dhjetor 2002, me kërkesë të drejtorit të shtëpisë së përkujdesjes sociale të Pastras, kërkuesi u regjistrua si banor në bashkinë e Rilas. Çertifikata e rezidencës dëshmonte se adresa e tij ishte ndryshuar për shkak të "mbikëqyrjes" së përhershme të tij. Sipas dëshmive më të fundit të dorëzuara në shkurt të vitit 2011, kërkuesi jetonte ende në shtëpi në atë kohë.
17. Më 9 shtator 2005 avokatja e kërkuesit i kërkoi Këshillit bashkiak të Rilas emërimin e një kujdestari për klientin e saj. Në një letër të datës 16 shtator 2005 ajo u informua se Këshilli Bashkiak kishte vendosur më 2 shkurt 2005 të emëronte drejtorin e shtëpisë së përkujdesjes sociale të Pastras si kujdestar të kërkuesit.
B. Qëndrimi i kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras
1. Dispozitat e marrëveshjes së vendosjes
18. Marrëveshja e nënshkruar mes R.P., kujdestarit, dhe shtëpisë së Pastras më 10 dhjetor 2002 (shih paragrafin 14 më sipër) nuk e përmendte emrin e kërkuesit. Në të deklarohej se shtëpia do të siguronte ushqim, veshje, shërbime mjekësore, ngrohje dhe, natyrisht, strehim, në këmbim të pagesës së një shume të caktuar me ligj. Duket se i tërë pensioni i invaliditetit të kërkuesit transferohej në shtëpi për të mbuluar shumën. Marrëveshja parashikonte që 80% e shumës ishte për t’u përdorur si pagesë për shërbimet e ofruara dhe 20% që mbetej vihej mënjanë për shpenzime personale. Sipas të dhënave në dosjen e tij, pensioni i invaliditetit të kërkuesit, i përditësuar në vitin 2008, arrinte në 130 leva bullgare (BGN - rreth 65 euro (EUR)). Marrëveshja nuk përcaktonte kohëzgjatjen e ofrimit të shërbimeve në fjalë.
2. Përshkrimi i vendit
19. Shtëpia e përkujdesjes sociale të Pastras është vendosur në një zonë të izoluar në malet e Rilas në jug-perëndim të Bullgarisë. Është e arritshme nga një rrugë me baltë nga fshati i Pastras, i cili është dhe vendi më i afërt, 8 km larg.
20. Shtëpia, e ndërtuar në vitet 1920, përfshin tre ndërtesa, ku banorët e saj, të gjithë meshkuj, janë të vendosur në përputhje me gjendjen e shëndetit të tyre mendor. Sipas një raporti të prodhuar nga Agjencia e Ndihmës Sociale në prill të vitit 2009, shtatëdhjetë e tre persona jetonin në shtëpi, njëri ishte në spital dhe dy ishin larguar. Nga banorët, njëzet e tre personave u mungonte tërësisht zotësia për të vepruar, dy prej tyre u mungonte pjesërisht zotësia dhe të tjerët gëzonin zotësi të plotë për të vepruar. Çdo ndërtesë ka një oborr të rrethuar nga një gardh metalik të lartë. Kërkuesi u vendos në bllokun 3 të shtëpisë, të rezervuar për banorët me më pak probleme shëndetësore, të cilët ishin në gjendje të lëviznin përreth objekteve dhe të shkonin vetë në fshatin më të afërt pas marrjes së një leje paraprake.
21. Sipas kërkuesit, shtëpia ishte kalbur, ishte e pisët dhe rrallëherë e ngrohtë në dimër, dhe si rrjedhojë, ai dhe banorët e tjerë ishin të detyruar të flinin me veshjet e tyre gjatë dimrit. Kërkuesi ndante një dhomë 16 metra katrorë me 4 banorë të tjerë dhe shtretërit ishin praktikisht ngjitur. Ai kishte vetëm një komodinë për të vendosur rrobat e tij, por preferonte t’i mbante ato në shtratin e tij natën nga frika se mund t’ia vidhnin dhe t’ia zëvendësonin me rroba të vjetra. Banorët e shtëpisë nuk kishin veshjet e tyre, sepse rrobat pasi laheshin nuk u ktheheshin përsëri të njëjtëve persona.
3. Ushqimi dhe kushtet e higjienës sanitare
22. Kërkuesi pohoi se ushqimi i dhënë në shtëpi ishte i pamjaftueshëm dhe me cilësi të dobët. Ai nuk kishte mundësi të zgjidhte ushqimin dhe nuk i lejohej të ndihmonte në përgatitjen e tij.
23. Aksesi në banjë, që ishte e pisët dhe e vjetër, lejohej një herë në javë. Tualetet ishin në oborr, të papastra dhe në një gjendje shumë të keqe, e përbëheshin nga vrima në terren mbuluar nga çati të shkatërruara. Kishte një tualet për të paktën tetë vetë. Produkte pastruese u jepeshin vetëm në mënyrë sporadike.
4. Zhvillimet e fundit
24. Në parashtresat para Dhomës së Madhe Qeveria deklaroi se rinovimi i pjesës së shtëpisë ku jetonte kërkuesi ishte kryer në fund të vitit 2009, duke përfshirë objektet sanitare. Shtëpia tani kishte ngrohje qendrore. Ushqimi ndryshonte dhe rregullisht përfshinte fruta dhe perime, si dhe mish. Banorët kishin mundësi të shikonin televizor, të lexonin libra dhe luanin lojëra. Shteti u kishte dhënë atyre rroba. Kërkuesi nuk i kundërshtoi këto pohime.
5. Udhëtimet e ndërmarra nga kërkuesi
25. Administruesi i shtëpisë mbante dokumentet e identitetit të kërkuesit, dhe e lejonte atë të largohej nga shtëpia vetëm me leje të posaçme nga drejtori. Ai rregullisht shkonte në fshatin e Pastras. Duket se gjatë vizitave ai kryesisht ndihmonte fshatarët në punë shtëpiake ose punonte në restorantin e fshatit.
26. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2006, kërkuesi u kthye në Ruse tri herë me leje. Çdo udhëtim ishte i autorizuar për një periudhë prej rreth dhjetë ditësh. Udhëtimi kushtonte 60 BGN (përafërsisht 30 euro), i cili i paguhej kërkuesit nga administratori i shtëpisë.
27. Pas dy vizitave të para në Ruse, kërkuesi u kthye në Pastra përpara përfundimit të periudhës së autorizuar të lejes. Sipas një deklarate të bërë nga drejtori i shtëpisë në zyrën e prokurorit në një datë të paspecifikuar, kërkuesi ishte kthyer më herët, sepse ai nuk kishte para dhe strehim.
28. Periudha e tretë e lejes ishte dhënë për periudhën nga 15 deri më 25 shtator 2006. Pasi kërkuesi nuk arriti të kthehej në datën e caktuar, drejtori i shtëpisë i dërgoi një letër policisë bashkiake më 13 tetor 2006, duke i kërkuar të gjenin kërkuesin dhe ta transferonin atë në Sofje, ku punonjësit e shtëpisë do ta prisnin dhe do ta shoqëronin përsëri për në Pastra. Më 19 tetor 2006 policia e Ruses e informoi drejtorin se vendndodhja e kërkuesit ishte zbuluar, por policia nuk mund ta transferonte atë sepse ai nuk ishte shpallur person në kërkim. Ai u rikthye përsëri në shtëpinë e përkujdesit social më 31 tetor 2006, me sa duket nga stafi i shtëpisë.
6. Mundësitë për aktivitete kulturore dhe zbavitëse
29. Kërkuesi kishte pasur mundësi të shihte televizor, të lexonte disa libra dhe të kishte një fushë shahu në një dhomë të përbashkët, deri në orën 3 pasdite, kohë pas së cilës dhoma mbyllej. Dhoma nuk ngrohej në dimër dhe banorët mbanin veshur rrobat e tyre, kapele dhe doreza kur ishin brenda. Nuk kishte aktivitete të tjera sociale, kulturore ose sportive në dispozicion të kërkuesit.
7. Korrespondenca
30. Kërkuesi parashtroi se stafi i shtëpisë së përkujdesjes sociale kishte refuzuar t’i jepte atij zarfe për korrespondencën e tij dhe duke qënë se ai nuk kishte akses në paratë e tij, nuk mund t’i blinte vetë. Stafi i shtëpisë i kërkonte atij t’i jepte çdo letër që ai dëshironte të postonte në mënyrë që ata të mund t’i fusnin ato në zarfe dhe t’i dërgonin për të.
8. Trajtimi mjekësor
31. Nga një certifikatë mjekësore e datës 15 qershor 2005 (shih paragrafin 37 më poshtë) duket se pas vendosjes së tij në shtëpi në vitin 2002, kërkuesit i ishte dhënë një mjekim anti-psikotik (carbamazepine (600mg)), nën mbikëqyrjen mujore të një psikiatri.
32. Përveç kësaj, në seancën dëgjimore përpara Dhomës së Madhe përfaqësuesit e kërkuesit deklaruan se klienti i tyre kishte qenë në gjendje të qëndrueshme që nga viti 2006 dhe nuk kishte marrë ndonjë trajtim psikiatrik në vitet e fundit.
C.Vlerësimi i aftësive sociale të kërkuesit gjatë qëndrimit të tij në Pastra dhe konkluzionet e raportit psikiatrik hartuar me kërkesën e avokatit të tij.
33. Një herë në vit, drejtori i shtëpisë së përkujdesjes sociale dhe punonjësit e shtëpisë hartonin raporte vlerësimi për sjelljen dhe aftësitë sociale të kërkuesit. Raportet tregonin se kërkuesi nuk ishte komunikues, preferonte të qëndronte vetëm në vend që të bashkohej me aktivitetet e grupit, refuzonte të merrte ilaçet e tij dhe nuk kishte të afërm që të vizitonte kur merrte leje. Ai nuk ishte në marrëdhënie të mira me gjysmë-motrën e tij dhe askush nuk ishte i sigurt nëse ai kishte një vend për të jetuar diku jashtë shtëpisë së përkujdesjes sociale. Raportet arrinin në përfundimin se ishte e pamundur që kërkuesi të integrohej përsëri në shoqëri, dhe vendosnin si objektiv sigurimin e fitimit të aftësive të nevojshme dhe njohurive për sistemimin social dhe, në afat të gjatë, integrimin përsëri në familjen e tij. Duket se atij asnjëherë nuk i ishte ofruar ndonjë terapi për këtë qëllim.
34. Dosja tregon se në vitin 2005 kujdestari i kërkuesit i kërkoi Këshillit Bashkiak të jepte një ndihmë sociale për të lehtësuar integrimin e tij në komunitet. Në vijim të kësaj kërkese, në 30 Dhjetor 2005 Departamenti bashkiak i ndihmës sociale kreu një "vlerësim social" (социална оценка) të kërkuesit, i cili arriti në përfundimin se ai ishte i paaftë për punë, edhe në një mjedis të mbrojtur, dhe nuk kishte nevojë për trajnim, dhe se në këto rrethana, ai kishte të drejtë për të marrë një ndihmë sociale për të mbuluar shpenzimet e jetesës së tij, transportin dhe mjekimin. Në 7 shkurt 2007 Departamenti i ndihmës sociale i dha kërkuesit një pagesë mujore prej 16.50 BGN (rreth 8 EUR ). Më 3 shkurt 2009, kompensimi u rrit në 19.50 BGN (rreth 10 euro).
35. Përveç kësaj, me kërkesë të avokatit të tij, kërkuesi u ekzaminua më 31 gusht 2006 nga Dr. V.S., një psikiatër i ndryshëm nga ai i cili e kishte vizituar rregullisht në shtëpinë e përkujdesjes sociale, dhe nga një psikolog, Znj. I.A. Raporti i hartuar me këtë rast arriti në përfundimin se diagnoza e skizofrenisë dhënë më 15 qershor 2005 (shih paragrafin 37 këtu poshtë) ishte e pasaktë, pasi pacienti nuk kishte shfaqur të gjitha simptomat e kësaj sëmundje. Në të deklarohej se, edhe pse kërkuesi kishte vuajtur në të kaluarën, ai nuk kishte treguar ndonjë shenjë agresioni në kohën e marrjes në pyetje, por një qëndrim të dyshimtë dhe një tendencë të lehtë drejt "agresionit verbal", se ai nuk kishte marrë ndonjë trajtim për gjendjen e tij për periudhën 2002-2006 dhe se shëndeti i tij ishte stabilizuar dukshëm. Raporti vinte në dukje se nuk kishte rrezik të përkeqësimit të shëndetit të tij mendor dhe vinte re e deklaronte se, sipas mendimit të drejtorit të shtëpisë, kërkuesi ishte në gjendje të integrohej në shoqëri.
36. Sipas raportit, qëndrimi i kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras ishte shumë i dëmshëm për shëndetin e tij dhe se ishte e nevojshme që ai të largohej nga shtëpia, në të kundërtën, ai rrezikonte të zhvillonte "sindromën e institucionit" po të qëndronte më gjatë atje. Raporti shtonte se dhënia e mundësisë për integrim në jetën e komunitetit me sa më pak kufizime do të ishte më e dobishme për shëndetin e tij mendor dhe zhvillimin social, dhe se aspekti i vetëm që duhej mbajtur nën kontroll ishte tendenca e tij ndaj alkoolit, e cila kishte qenë e dukshme para vitit 2002. Sipas mendimit të ekspertëve, të cilët e kishin ekzaminuar kërkuesin, sjellja e një personi të varur ndaj alkoolit mund të kishte karakteristika të ngjashme me atë të një personi me skizofreni; si rrjedhojë, vigjilenca ishte e nevojshme në rastin e kërkuesit dhe duhej pasur kujdes të mos ngatërroheshin dy gjendjet.
D.Përpjekjet e kërkuesit për të hequr kujdestarinë e pjesshme
37. Më 25 nëntor 2004, kërkuesi, nëpërmjet avokates së tij, i kërkoi zyrës së prokurorit paraqitjen në Gjykatën rajonale të një kërkese për rivendosjen e zotësisë së plotë për të vepruar. Më 2 mars 2005, prokurori i kërkoi shtëpisë së përkujdesjes sociale të Pastras mendimin e një mjeku dhe certifikata të tjera mjekësore në lidhje me çrregullimet e kërkuesit me qëllim përgatitjen e një kërkesë të mundshme pranë gjykatave për rivendosjen e zotësisë për të vepruar. Në vijim të kësaj kërkese, kërkuesi u shtrua në një spital psikiatrik nga data 31 maj deri më 15 qershor 2005 për një vlerësim mjekësor. Në një certifikatë të lëshuar në datën e fundit, mjekët vërtetuan se kërkuesi kishte treguar simptoma të skizofrenisë. Duke qenë se shëndeti i tij nuk ishte përkeqësuar qëkur ai ishte vendosur në shtëpi prej vitit 2002, regjimi që ai ndiqte kishte mbetur i pandryshuar. Ai ishte trajtuar me mjekime që nga viti 2002 nën mbikëqyrjen mujore të një psikiatri. Një ekzaminim psikologjik kishte zbuluar se ai ishte i shqetësuar, i tendosur dhe i dyshimtë. Aftësitë e tij të komunikimit ishin të dobëta dhe ai nuk ishte në dijeni të sëmundjes së tij. Ai kishte thënë se donte të largohej nga shtëpia me çdo kusht. Mjekët nuk dhanë ndonjë opinion për rivendosjen e zotësisë për të vepruar ose nevojën për ta mbajtur atë në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras.
38. Në 10 gusht 2005 prokurori rajonal refuzoi të paraqiste kërkesën për rivendosjen e zotësisë për të vepruar të kërkuesit me arsyetimin se, sipas mendimit të mjekëve, drejtorit të shtëpisë së përkujdesjes sociale të Pastras dhe punonjësve të shtëpisë, kërkuesi nuk ishte në gjendje të përballonte jetën e tij, dhe se shtëpia ku ai merrte trajtimin mjekësor, ishte vendi më i përshtatshëm për të jetuar. Avokatja e kërkuesit e kundërshtoi refuzimin për të paraqitur kërkesën, duke argumentuar se klienti i saj duhet të kishte mundësinë që të vlerësonte vetë nëse ishte në interesat e tij të qëndronte atje, duke pasur parasysh kushtet e jetesës në shtëpi. Ajo theksoi se vazhdimi i detyruar i qëndrimit të tij në shtëpi, me pretekstin për t’i siguruar një trajtim në përputhje me interesat e tij, ishte në praktikë heqje e lirisë së tij, një situatë e papranueshme. Një person nuk mund të vendoset në një institucion pa pëlqimin e tij. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, një person nën kujdestari të pjesshme ishte i lirë për të zgjedhur vendin e tij apo të saj të banimit, me miratimin e kujdestarit. Zgjedhja e banimit nuk ishte pra një çështje brenda kompetencave të prokurorisë. Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, refuzimi i prokurorëve rajonalë u la në fuqi më 11 tetor 2005 nga prokurori i apelit, dhe më pas më 29 nëntor 2005 nga zyra e prokurorit të përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë.
39. Më 9 shtator 2005, kërkuesi, nëpërmjet avokates të tij, i kërkoi kryetarit të bashkisë së Rilas të paraqiste një kërkesë pranë gjykatës për lirimin e tij nga kujdestaria e pjesshme. Në një letër të datës 16 shtator 2005 kryetari i bashkisë së Rilas e refuzoi kërkesën e tij, duke deklaruar se nuk kishte baza për një gjë të tillë, duke marrë parasysh certifikatën mjekësore të 15 qershorit 2005, opinionet e drejtorit dhe punonjësve socialë dhe konkluzionet e arritura nga zyra e prokurorit. Në 28 shtator 2005 avokatja e kërkuesit paraqiti një kërkesë në Gjykatën e Qarkut të Dupnitsas për shqyrtimin gjyqësor të vendimit të kryetarit të bashkisë sipas nenit 115 të Kodit të Familjes (shih paragrafin 49 poshtë). Në një letër të 7 tetorit 2005 Gjykata e Qarkut kishte deklaruar se përderisa kërkuesit i mungonte pjesërisht zotësia juridike, ai duhej të dorëzonte një formular të vlefshëm që vërtetonte se avokatja e tij kishte të drejtë ta përfaqësonte atë, dhe të specifikonte nëse kujdestari i tij kishte ndërhyrë në procedurë. Në një datë të paspecifikuar avokatja e kërkuesit dorëzoi një kopje të prokurës së nënshkruar nga kërkuesi. Ajo gjithashtu kërkoi që kujdestari të bashkohej me procedurën si një palë e interesuar ose që një përfaqësues ad hoc të emërohej. Më 18 janar 2006 gjykata mbajti një seancë në të cilën përfaqësuesi i kryetarit të bashkisë së Rilas kundërshtoi dokumentin e prokurës si të pavlefshëm pasi ai nuk kishte qenë firmosur njëkohësisht dhe nga kujdestari. Kujdestari, i cili ishte i pranishëm në seancë, tha se ai nuk kundërshtonte kërkesën e kërkuesit, por se pensioni mujor i tij ishte i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat, dhe se në përputhje me rrethanat, shtëpia e përkujdesjes sociale të Pastras ishte vendi më i mirë për të jetuar për atë.
40. Gjykata e Qarkut të Dupnitsas dha vendimin e saj më 10 mars 2006. Sa për pranueshmërinë e kërkesës për shqyrtim gjyqësor, ajo u shpreh se megjithëse kërkuesi kishte udhëzuar avokaten e tij për ta përfaqësuar atë, ajo nuk kishte të drejtë të vepronte në emër të tij përderisa kujdestari nuk e kishte nënshkruar prokurën. Megjithatë, ajo u shpreh se miratimi i kujdestarit në seancën publike i kishte bërë të vlefshme hapat procedurale të ndërmarra nga ana e avokates dhe se kërkesa ishte pra e pranueshme. Sa për themelin e çështjes, gjykata e hodhi poshtë kërkesën, duke vërejtur se kujdestari nuk kishte pasur një interes legjitim në kundërshtimin e refuzimit të kryetarit të bashkisë, duke qenë se ai mund të aplikonte në mënyrë të pavarur dhe të drejtpërdrejtë për heqjen e kujdestarisë së kërkuesit. Meqë vendimi nuk u ankimua, ai u bë përfundimtar.
41. Së fundi, kërkuesi tha se kishte bërë disa kërkesa gojarisht tek kujdestari i tij për të kërkuar heqjen e kujdestarisë së pjesshme dhe për ta lejuar atë që të largohej nga shtëpia. Megjithatë, kërkesat e tij gjithmonë ishin refuzuar.
II. LEGJISLACIONI DHE PRAKTIKAT VENDORE PËRKATËSE
Statusi ligjor i personave të vënë nën kujdestari të pjesshme dhe përfaqësimi i tyre para gjykatave
42. Neni 5 i Ligjit mbi Familjen dhe Personat i 9 gushtit 1949 parashikon që personat që nuk janë në gjendje të kujdesen për interesat e tyre për shkak të sëmundjes mendore ose mangësive mendore duhen privuar nga zotësia juridike dhe të deklarohen si të paaftë ligjërisht. Të rriturit me forma më të vogla të çrregullimeve të tilla duhet të shpallen pjesërisht të paaftë. Personat të cilët janë të privuar krejtësisht nga zotësia juridike vendosen nën kujdestari të plotë (настойничество), ndërsa ata që janë të paaftë pjesërisht vendosen nën kujdestari të pjesshme (попечителство - fjalë për fjalë "kujdestari"). Në përputhje me nenet 4 dhe 5 të ligjit, personat nën kujdestari të pjesshme nuk mund të kryejnë veprime ligjore pa pëlqimin e kujdestarit të tyre. Megjithatë ata mund të kryejnë veprime të zakonshme të cilat janë pjesë e jetës së përditshme dhe të kenë akses në të ardhurat e fituara me punën e tyre. Kështu, kujdestari i personit pjesërisht të paaftë nuk mund të kryejë në mënyrë të pavarur veprime ligjore që janë të detyrueshme për atë person. Kjo do të thotë se kontratat e nënshkruara vetëm nga kujdestari, pa pëlqimin e personit të cilit i mungon zotësia juridike pjesërisht, janë të pavlefshme.
43. Sipas nenit 16, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Civile ("KPP"), personat nën kujdestari të plotë janë të përfaqësuar para gjykatave nga kujdestari i tyre. Megjithatë, personat nën kujdestari të pjesshme, kanë të drejtë të marrin pjesë në procedurat gjyqësore, por kërkojnë miratimin e kujdestarit të tyre. Kështu, kujdestari i personit pjesërisht të paaftë nuk e kryen rolin e një përfaqësuesi ligjor. Kujdestari nuk mund të veprojë në emër të personit nën kujdestari të pjesshme, por mund të shprehë miratimin ose jo të veprimeve individuale të personit (Сталев, Ж., Българско гражданско процесуално право, София, 2006 г., Стр. 171). Në veçanti, një person nën kujdestari të pjesshme mund të udhëzojë një avokat me kusht që prokura të jetë nënshkruar nga kujdestari (Ibid, стр. 173).
B.Procedura e vendosjes nën kujdestari të pjesshme
44. Ka dy faza në procedurën për vendosjen e një personi nën kujdestari të pjesshme: Deklarata e pazotësisë së pjesshme dhe emërimi i një kujdestari.
1. Deklarata e pazotësisë së pjesshme nga gjykatat
45. Faza e parë përfshin një procedurë gjyqësore e cila në atë kohë rregullohej nga nenet 275-277 të KPP-së së vitit 1952, të cilat janë riprodhuar të pandryshuara në nenet 336-340 të Kodit të ri të vitit 2007. Një deklaratë për pazotësi të pjesshme mund të kërkohet nga bashkëshorti i personit ose të afërmit e ngushtë të tij, nga prokurori ose nga ndonjë palë tjetër e interesuar. Gjykata merr vendimin e saj pas ekzaminimit të personit në fjalë në një seancë publike - ose në mungesë, pas formimit të një përshtypjeje të parë të gjendjes së personit - dhe intervistimit të të afërmve të personit. Nëse deklaratat e marra në këtë mënyrë janë të pamjaftueshme, gjykata mund të ketë burime provash të tjera, të tilla si një vlerësim mjekësor nga ekspertë. Sipas jurisprudencës vendase, një vlerësim duhet të urdhërohet kur gjykata nuk është në gjendje të arrijë në konkluzione bazuar në informacionet që ndodhen në dosje (Решение на ВС № 1538 от 21.VIII.1961 г погр д № 5408/61 г;.... Решение на ВС № 593 от 4.III.1967 г погр.. д. № 3218/1966 г.).
2. Caktimi i një kujdestari nga autoritetet administrative
46. Faza e dytë përfshin një procedurë administrative për emërimin e një kujdestari, i cili në atë kohë rregullohej nga Kapitulli X (nenet 109-128) të Kodit të Familjes të vitit 1985 ("KF"); këto dispozita janë riprodhuar, me vetëm disa ndryshime të vogla, në nenet 153-174 të KF të ri të vitit 2009. Faza administrative kryhet nga një autoritet i referuar si "autoriteti i kujdestarisë", domethënë kryetari apo ndonjë tjetër zyrtar i këshillit bashkiak.
47. Kujdestari duhet të emërohet nga radhët e të afërmve të personit të interesuar të cilët janë në gjendjen më të mirë për të mbrojtur interesat e tij ose të saj.
C.Rishikimi i masave të marra nga kujdestari dhe mundësia e zëvendësimit të tyre
48. Masat e marra nga kujdestari janë objekt shqyrtimi nga autoriteti i kujdestarisë. Me kërkesë të autoritetit, kujdestari duhet të raportojë në lidhje me aktivitetet e tij ose të saj. Nëse vihet re ndonjë parregullsi, autoriteti mund të kërkojë që ato të korrigjohen ose mund të urdhërojë pezullimin e masave në fjalë (shih nenin 126, paragrafi 2 dhe neni 125 i KF të vitit 1985, nenin 170 dhe nenin 171, paragrafët 2 dhe 3, të KF të vitit 2009). Është e paqartë nga ligji i brendshëm nëse personat nën kujdestari të pjesshme mund ti kërkojnë kryetarit të bashkisë individualisht ose nëpërmjet një pale tjetër pezullimin e masave të marra nga ana e kujdestarit.
49. Vendimet e kryetarit të bashkisë, si autoriteti i kujdestarisë, dhe çdo refuzim nga ana e kryetarit për të emëruar një kujdestar ose për të marrë hapa të tjera të parashikuara në KF janë të ankimueshëm para gjykatave. Ato mund të kundërshtohen nga palët e interesuara ose prokurori para gjykatës së rrethit, e cila jep një vendim përfundimtar mbi themelin e çështjes (neni 115 i KF i vitit 1985). Kjo procedurë u lejon të afërmve të kërkojnë një ndryshim të kujdestarit në rast konflikti interesash (Решение на ВС № 1249 от 23.XII.1993 г. По гр.д. № 897/93г.). Sipas jurisprudencës vendase, personat të cilët janë plotësisht të paaftë nuk janë "palë e interesuar" më të drejtën për të filluar procedura të tilla (Определение № 5771 от 2003/11/06 г. На ВАС по адм. Д. № 9248/2002). Nuk ka në jurisprudencën vendase raste që tregojnë se një person i paaftë pjesërisht është i autorizuar ta bëjë këtë.
50. Gjithashtu, organi i kujdestarisë në çdo kohë mund të zëvendësojë një kujdestar i cili nuk arrin të kryejë detyrat e tij ose të saj (neni 113 i KF të vitit 1985). Me nenin 116 të KF të vitit 1985, një person nuk mund të emërohet si kujdestar kur ka një konflikt interesash mes tij dhe personit nën kujdestari të pjesshme. Neni 123 i KF të vitit 1985 parashikon që një zëvendëskujdestar duhet të emërohet kur kujdestari është i paaftë të kryejë detyrat e tij ose të saj ose kur ekziston një konflikt interesash. Në të dyja rastet, organi i kujdestarisë mund të emërojë një përfaqësues ad hoc.
D.Procedura për rivendosjen e zotësisë për të vepruar
51. Duke u mbështetur në nenin 277 të KPP-së të vitit 1952, kjo procedurë është e ngjashme me procedurën e kujdestarisë së pjesshme. Ajo është e hapur për këdo që ka të drejtë të kërkojë që një person të vendoset nën kujdestari të pjesshme, pra dhe për autoritetin e kujdestarisë dhe kujdestarin. Dispozita e lartpërmendur është riprodhuar në nenin 340 të KPP-së të vitit 2007. Më 13 shkurt 1980, Gjykata a Lartë, në seancë plenare, mori një vendim (nr. 5/79) me qëllim sqarimin e disa çështjeve në lidhje me procedurën e heqjes së zotësisë për të vepruar. Paragrafi 10 i vendimit ka të bëjë me procedurën për rivendosjen e zotësisë për të vepruar dhe vijon si më poshtë:
"Rregullat e zbatueshme në procedurën për rivendosjen e zotësisë për të vepruar janë të njëjta si ato që rregullojnë procedurën e heqjes së zotësisë (neni 277 dhe neni 275 paragrafi 1 dhe 2, i Kodit të Procedurës Penale). Personat të cilët kanë kërkuar marrjen e masës apo të afërmit e ngushtë janë trajtuar si palë në procedurë. Nuk ka asgjë që ta parandalojë palën që kërkoi më parë heqjen e zotësisë për të vepruar, të kërkojë ndërprerjen e masës nëse rrethanat kanë ndryshuar.
Personat nën kujdestari të pjesshme mund të kërkojnë, ose individualisht ose me pëlqimin e kujdestarit të tyre, që masa të hiqet. Ata gjithashtu mund t’i kërkojnë autoritetit të kujdestarisë ose këshillit për të paraqitur një ankesë bazuar në nenin 277 të KPP-së në gjykatën rajonale e cila i privoi nga zotësia për të vepruar. Në raste të tilla, ata duhet të tregojnë se kërkesa është në interesin e tyre duke prodhuar një certifikatë mjekësore. Në kontekstin e një veprimi të tillë, ata do të trajtohen si paditës. Kur kujdestari i personit pjesërisht të paaftë, autoriteti i kujdestarisë ose këshilli i kujdestarisë (në rastin e një personi plotësisht të paaftë) refuzon të paraqesë një kërkesë për rivendosjen e zotësisë për të vepruar, personi i paaftë mund ta kërkojë këtë nga prokurori (Постановление № 5/79 от 13.II.1980 г., Пленум на ВС). "
52. Përveç kësaj, Qeveria përmendi një rast në të cilin procedura për shqyrtimin e statusit ligjor të një personi të privuar krejtësisht nga zotësia juridike u fillua me kërkesë të kujdestarit dhe personit iu hoq kujdestaria (Решение № 1301 от 2008/12/11 г . на ВКС по гр. Д. № 5560/2007 г., V г.о.).
E.Vlefshmëria e kontratave të nënshkruara nga përfaqësuesit e personave të paaftë
53. Neni 26 (2) i Ligjit të Detyrimeve dhe Kontratave i vitit 1950 parashikon që kontratat e lidhura në kundërshtim me ligjin ose në mungesë të pëlqimit të konsiderohen absolutisht të pavlefshme.
54. Në përputhje me nenin 27 të këtij ligji, kontratat e lidhura nga përfaqësuesit e personave të privuar nga zotësia për të vepruar në shkelje të rregullave të zbatueshme konsiderohen me relativisht të pavlefshme. Një pretendim për pavlefshmëri absolute mund të ngrihet në çdo rast, ndërsa një pretendim për një pavlefshmëri relative mund të ngrihet vetëm me anë të një kërkese para një gjykate. E drejta për të ngritur një pretendim për pavlefshmëri relative skadon pas një periudhe prej tre vjetësh nga data e heqjes së kujdestarisë së pjesshme nëse kujdestari nuk është caktuar. Në raste të tjera, periudha në fjalë fillon nga data në të cilën kujdestari është emëruar (Neni 32 (2), në lidhje me nenin 115 (1) (e), të Ligjit të sipër-përmendur; shih gjithashtu РешениенаВС № .... 668 от 14.III.1963 г погр д № 250/63 г, unë г о, Решениена Окръжен съд -...... Стара Загора от 2010/02/02 г пот д № 381/2009 г на I състав, Решениена Районен съд Стара Загора № 459 от 2009/05/19 г. по гр. д. № 1087/2008).
F.Vendi i banimit i personave pa zotësi për të vepruar
55. Duke u mbështetur në nenin 120 dhe nenin 122, paragrafi 3, të KF të vitit 1985, personat e privuar nga zotësia për të vepruar konsiderohen se banojnë në adresën e shtëpisë së kujdestarit të tyre, përveç rasteve kur "arsye të veçanta" kërkojnë që ata të jetojnë diku tjetër. Kur vendi i banimit është ndryshuar pa pëlqimin e kujdestarit, kujdestari mund t’i kërkojë gjykatës së qarkut të urdhërojë kthimin e personit në adresën zyrtare. Nga neni 163, paragrafët 2 dhe 3, të KF të vitit 2009, para marrjes së vendimit në raste të tilla, gjykata është e detyruar të intervistojë personin nën kujdestari. Në qoftë se gjykata vëren se ka "arsye të jashtëzakonshme", ajo duhet ta refuzojë urdhërimin e kthimit të personit dhe duhet të informojë menjëherë departamentin bashkiak të ndihmës sociale në mënyrë që masat mbrojtëse të mund të merren.
56. Urdhri i gjykatës së rrethit mund të ankimohet tek kryetari i gjykatës rajonale, megjithëse ekzekutimi i tij nuk mund të pezullohet.
G.Vendosja e personave pa zotësi për të vepruar në shtëpitë e përkujdesjes sociale për të rriturit me çrregullime mendore
57. Sipas Ligjit të Ndihmës Sociale të vitit 1998, asistenca sociale jepet për njerëzit që, për arsye mjekësore dhe sociale, janë të paaftë për të plotësuar nevojat e tyre themelore nëpërmjet punës së tyre, nëpërmjet mjeteve të tyre ose me ndihmën e personave të caktuar nga ligji për t’u kujdesur për to (neni 2 i ligjit). Asistenca sociale konsiston në sigurimin e përfitimeve të ndryshme financiare, përfitime në natyrë dhe shërbime sociale, duke përfshirë vendosjen në institucione të specializuara. Përfitime të tilla jepen në bazë të një vlerësimi individual të nevojave të personave në fjalë dhe në përputhje me vullnetin e tyre dhe zgjedhjen personale (neni 16 (2)).
58. Duke u mbështetur në rregullat zbatuese të Ligjit për Ndihmën Sociale të vitit 1998 (Правилник за прилагане на Закона за социално подпомагане), tre kategori institucionesh janë përkufizuar si "institucione të specializuara" për ofrimin e shërbimeve sociale: (1) shtëpitë për fëmijët (shtëpitë për fëmijët e privuar nga kujdesi prindëror, shtëpitë për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike, shtëpitë për fëmijët me mangësi mendore), (2) shtëpi për të rriturit me aftësi të kufizuara ( shtëpi për të rriturit me mangësi mendore, shtëpi për të rriturit me çrregullime mendore, shtëpi për të rriturit me aftësi të kufizuara fizike, shtëpi për të rriturit me çrregullime ndjeshmërie, shtëpi për të rriturit e çmendur), dhe (3) shtëpitë për pleqtë (neni 36 (3) i rregullores). Shërbimet sociale ofrohen nga institucionet e specializuara kur nuk është më e mundur për të përfituar prej tyre në komunitet (neni 36 (4) i rregullores). Sipas ligjit të brendshëm, vendosja e një personi të paaftë ligjërisht në një shtëpi të përkujdesjes sociale nuk konsiderohet si një formë e privimit të lirisë.
59. Në mënyrë të ngjashme, në përputhje me dekretin nr. 4 të datës 16 mars 1999 mbi kushtet për marrjen e shërbimeve sociale, miratuar më 16 mars 1999 (Наредба № 4 за условията и реда за извършване на социални услуги), të rriturit me mangësi mendore vendosen në shtëpi të specializuara të përkujdesjes sociale kur është e pamundur për t’u ofruar atyre kujdesin e nevojshëm mjekësor në një mjedis familjar (neni 12, pika (4), dhe neni 27 i dekretit). Neni 33 (1), pika (3), parashikon se kur një person është vendosur në një shtëpi të përkujdesjes sociale, duhet që të lëshohet një çertifikatë mjekësore për gjendjen shëndetësore të personit. Neni 37 (1) i Dekretit parashikon se marrëveshja për vendosje, për marrjen e shërbimeve sociale nënshkruhet mes institucionit të specializuar dhe personit në fjalë ose përfaqësuesit të tij ligjor në bazë të një modeli të miratuar nga Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale. Personi mund të transferohet në një tjetër shtëpi ose mund të largohet nga institucioni në të cilën ai ose ajo ka qenë i vendosur: (1) me kërkesën e tij ose të saj ose me kërkesë të përfaqësuesit të tij ligjor, të paraqitur me shkrim tek drejtori i institucionit; (2) në qoftë se ka një ndryshim mbi gjendjen e tij ose të saj të shëndetit mendor dhe/ose fizik e tillë, që nuk korrespondon me profilin e shtëpisë, (3) në rast të pamundësisë për të paguar kontributin mujor social për më shumë se një muaj; (4) në rast të shkeljeve sistematike të rregullave të brendshme të institucionit, apo (5) në rast të një varësie të konfirmuar nga substancat narkotike.
60. Për më tepër, sistemi që rregullon pranimin në një spital psikiatrik për trajtim të detyrueshëm mjekësor përcaktohet në Ligjin e Shëndetit të vitit 2005, i cili zëvendësoi Ligjin për Shëndetin Publik të vitit 1973.
H.Emërimi i një përfaqësuesi ad hoc, në rast konflikti interesash
61. Neni 16, paragrafi 6, i Kodit të Procedurës Penale parashikon se, në rast konflikti interesash ndërmjet një personi që përfaqësohet dhe përfaqësuesit, gjykata duhet që të emërojë një përfaqësues ad hoc. Gjykatat bullgare e kanë aplikuar këtë dispozitë në situata të caktuara që përfshijnë një konflikt interesash midis të miturve dhe përfaqësuesit të tyre ligjor. Kështu, dështimi për të emëruar një përfaqësues ad hoc është vlerësuar si një shkelje thelbësore e rregullave që rregullojnë procedurat e atësisë (Решение на ВС № 297 от 1987/04/15 г. По гр. Д. № 168/87 г., II г. о.), mosmarrëveshjet ndërmjet prindërve birësues dhe biologjikë (Решение на ВС № 1381 от 1982/05/10 г. по гр. д. № 954/82 г., II г. о.) ose konfliktet e pronës (Решение № 643 от ...... 2000/07/27 г на ВКС по гр д № 27/2000 г, II г о;..... Определение на ОС - Велико Търново от 2008/11/05 г по в ч гр д № 963/2008 ).
I. Përgjegjësia shtetërore
62. Ligji mbi Përgjegjësinë e Shtetit dhe Bashkive për Dëmet e vitit 1988 (Закон за отговорността на държавата и общините за вреди - titull i ndryshuar në 2006) parashikon në nenin 2 (1) se shteti është përgjegjës për dëmin shkaktuar individëve si pasojë e një vendimi gjyqësor që urdhëron lloje të caktuara të paraburgimit kur vendimi është anulluar si vendim pa bazë ligjore.
63. Neni 1 (1) i këtij ligji parashikon që shteti dhe bashkitë janë përgjegjës për dëmin shkaktuar individëve private dhe personave të tjerë juridikë si rezultat i vendimeve të paligjshme, veprimeve ose mosveprimeve nga autoritetet e tyre ose zyrtarët, në kryerjen e detyrave të tyre administrative.
64. Në një numër vendimesh, gjykatat e ndryshme vendase e kanë vlerësuar këtë dispozitë si të zbatueshme për dëmet e pësuara nga të burgosurit, si pasojë e kushteve të këqija apo trajtimeve mjekësore të pamjaftueshme në burg dhe kanë pranuar kërkesa për kompensim, pjesërisht ose plotësisht, të sjella nga personat e interesuar (реш. от 2004/01/26 г. по гр. д. № 959/2003, ВКС, IV г. о. dhe реш. № 330 от 7.08.2007г. по гр. д. № 92/2006, ВКС, IV г. о.).
65. Nuk ka vendime gjyqësore në të cilat ky qëndrim ka gjetur zbatim në rastet e kushteve të këqija të jetesës në shtëpitë e përkujdesjes sociale.
66. Për më tepër, kjo duket nga "vendimet e brendshme gjyqësore” që sipas nenit 1 (1) të ligjit në fjalë, nëse dikujt i është përkeqësuar gjendja shëndetësore për shkak se institucionet nën autoritetin e Ministrisë së Shëndetësisë kanë dështuar në detyrën e tyre për të siguruar një furnizim të rregullt të ilaçeve mund të konsiderojë si përgjegjës autoritetet administrative dhe të kërkojë kompensim (реш. № 211 от 27.05.2008г. по гр. д. № 6087/2007, ВКС, V г. о.).
67. Së fundi, shteti dhe autoritetet e tij janë subjekt i rregullave të zakonshme të përgjegjësisë për forma të tjera të dëmit që rezultojnë, për shembull, nga vdekja e një personi nën kujdestari kur arratiset nga një shtëpi e përkujdesjes sociale për të rriturit me mangësi mendore, bazuar në faktin se stafi i shtëpisë kishte dështuar në kryerjen e detyrës së mbikëqyrjes së përhershme (реш. № 693 от 26.06.2009г. по гр. д. № 8/2009, ВКС, III г. о.).
J.Arrestimi nga policia në kuadër të Ligjit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vitit 2006
68. Sipas këtij ligji, policia, inter alia, është e autorizuar për të arrestuar çdo person që, për shkak të çrregullimit të rëndë mendor dhe nga sjellja e tij ose e saj, përbën një kërcënim për rendin publik ose vë jetën e tij ose të saj në rrezik të hapur (neni 63 (1 ) - (3)). Personi i interesuar mund të kundërshtojë ligjshmërinë e arrestimit të tij para gjykatës, e cila duhet të japë një vendim të menjëhershëm (Neni 63 (4)).
69. Për më tepër, përgjegjësitë e policisë përfshijnë kërkimin e personave të zhdukur (neni 139 (3)).
K.Informacione dorëzuar nga kërkuesi për kërkimet e personave të cilët janë arratisur nga shtëpitë e përkujdesjes sociale për të rriturit me çrregullime mendore
70. Komiteti bullgar i Helsinkit zhvilloi një anketim në stacionet policore në lidhje me kërkimet për njerëzit që largohen nga shtëpitë e përkujdesjes sociale të këtij lloji. Duket nga anketimi se nuk ka një praktikë të njësuar. Disa oficerë policie thanë se kur ata u njoftuan nga punonjësit e një shtëpie për të kërkuar një person të zhdukur, ata kryen kërkimin dhe e shoqëruan personin në stacionin e policisë, para se të informonin shtëpinë. Oficerët e tjerë shpjeguan se ata e kërkuan personin, por duke qenë se nuk kishin kompetencë ta arrestonin atë, njoftuan thjesht stafin e shtëpisë, i cili e ktheu vetë personin në shtëpi.
L.Statistikat e paraqitura nga kërkuesi në procedurat gjyqësore lidhur me heqjen e zotësisë për të vepruar
71. Komiteti bullgar i Helsinkit mori statistika nga tetë gjykata rajonale mbi rezultatin e procedurës për rivendosjen e zotësisë për të vepruar nga janari 2002 deri në shtator 2009. Gjatë kësaj periudhe 677 persona ishin të privuar nga zotësia për të vepruar. Procedurat për rivendosjen e zotësisë për të vepruar janë ndjekur në tridhjetë e gjashtë raste: dhjetë prej tyre përfunduan me heqjen e masës; në tetë raste pazotësia e plotë u ndryshua në pazotësi të pjesshme; kërkesat u refuzuan në katër raste; në shtatë raste gjykatat pushuan çështjet dhe rastet e tjera janë ende në pritje.
III. INSTRUMENTET PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE
A.Konventa mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 13 dhjetor 2006 (Rezoluta A/RES/61/106)
72. Kjo Konventë ka hyrë në fuqi më 3 maj 2008. Ajo u nënshkrua nga Bullgaria më 27 shtator 2007, por akoma nuk është ratifikuar. Pjesët përkatëse të Konventës parashikojnë:
Neni 12
Njohja e barabartë para ligjit
"1. Shtetet Palë ripohojnë se personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë që të njihen kudo si persona para ligjit.
2. Shtetet Palë njohin se personat me aftësi të kufizuar gëzojnë zotësi juridike mbi baza të barabarta me të tjerët në të gjitha aspektet e jetës.
3. Shtetet Palë duhet të marrin masat e duhura për tu siguruar akses personave me aftësi të kufizuar në mbështetjen që ata mund të kërkojnë në ushtrimin e aftësisë së tyre ligjore.
4. Shtetet Palë duhet të sigurojnë se të gjitha masat që lidhen me ushtrimin e aftësisë ligjore ofrojnë garancitë e duhura dhe efektive për të parandaluar abuzimin në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Masat mbrojtëse të tilla do të sigurojnë që masat që lidhen me ushtrimin e aftësisë ligjore respektojnë të drejtat, vullnetin dhe preferencat e personit, janë pa konflikt interesi dhe ndikim të tepruar, janë proporcionale dhe të përshtatura me rrethanat e personit, zbatohen për kohën më të shkurtër të mundshme dhe janë subjekt i rishikimeve të rregullta nga një autoritet ose instancë gjyqësore kompetente, e pavarur dhe e paanshme. Masat mbrojtëse duhet të jenë në proporcion me shkallën në të cilën këto masa prekin të drejtat e personit dhe interesat e tij.
5. Në bazë të dispozitave të këtij neni, Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura dhe efektive për të siguruar të drejtën e barabartë të personave me aftësi të kufizuara të posedojnë apo të trashëgojnë pronën, të kontrollojnë çështjet e tyre financiare dhe të kenë akses të barabartë në kreditë bankare, hipotekat dhe format e tjera të kredive financiare, dhe të sigurojnë që personat me aftësi të kufizuara nuk privohen arbitrarisht nga pasuria e tyre. "
Neni 14
Liria dhe siguria e personit
"1. Shtetet Palë duhet të sigurojnë se personat me aftësi të kufizuar, në mënyrë të barabartë me të tjerët:
(a) gëzojnë të drejtën e lirisë dhe sigurisë së personit;
(b) nuk janë të privuar nga liria e tyre në mënyrë të paligjshme ose arbitrare, dhe se çdo heqje lirie bëhet në përputhje me ligjin, dhe se ekzistenca e aftësisë së kufizuar nuk duhet në asnjë rast të justifikojë heqjen e lirisë.
2. Shtetet Palë duhet të sigurojnë se nëse personat me aftësi të kufizuara janë të privuar nga liria e tyre me anë të ndonjë procesi, ata kanë, në baza të barabarta me të tjerët, të drejtë për garanci në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe do të trajtohen në përputhje me objektivat dhe parimet e Konventës, duke përfshirë ofrimin e akomodimit të arsyeshëm. "
B.Rekomandimi Nr. R (99) 4 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi parimet në lidhje me mbrojtjen ligjore të të rriturve të paaftë (miratuar më 23 shkurt 1999)
73. Pjesët përkatëse të këtij Rekomandimi vijojnë si më poshtë:
Parimi 2 - Fleksibilitet në përgjigjen ligjore
"1. Masat e mbrojtjes dhe masat e tjera ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave personale dhe ekonomike të rriturve të paaftë duhet të jenë të mjaftueshme, në qëllim ose fleksibilitet, për të mundësuar përgjigje të përshtatshme ligjore të niveleve të ndryshme të paaftësisë dhe situatave të ndryshme.
...
4. Gama e masave të mbrojtjes duhet të përfshijë, në rastet e duhura, ato të cilat nuk e kufizojnë zotësinë juridike të personit në fjalë. "
Parimi 3 - Mbrojtja maksimale e aftësisë
"1. Kuadri ligjor duhet, për aq sa është e mundur, të njohë shkallë të ndryshme të paaftësisë që mund të ekzistojnë dhe se paaftësia mund të ndryshojnë nga koha në kohë. Prandaj, një masë mbrojtëse nuk duhet të rezultojë automatikisht në heqjen e plotë të aftësisë ligjore. Megjithatë, një kufizim i aftësisë ligjore duhet të jetë e mundur, aty ku është i nevojshëm për mbrojtjen e personit në fjalë.
2. Në veçanti, një masë mbrojtëse nuk duhet automatikisht ta privojë personin në fjalë nga e drejta për të votuar, ose për të bërë një testament, ose të japë ose të refuzojë pëlqimin për çdo ndërhyrje në fushën e shëndetësisë, apo për të marrë vendime të tjera të karakterit personal në çdo kohë, kur aftësia e tij ose e saj e lejon për ta bërë këtë. ... "
Parimi 6 – Proporcionaliteti
"1. Kur një masë mbrojtëse është e nevojshme ajo duhet të jetë në proporcion me shkallën e aftësisë së personit në fjalë dhe e përshtatur me rrethanat individuale dhe nevojat e personit në fjalë.
2. Masa mbrojtëse duhet të ndërhyjë me zotësinë juridike, të drejtat dhe liritë e personit në fjalë në masën më minimale e cila është në përputhje me arritjen e qëllimit të ndërhyrjes. ... "
Parimi 13 - E drejta për t’u dëgjuar personalisht
"Personi i interesuar duhet të ketë të drejtë të dëgjohet në çdo procedurë që mund të ndikojë në aftësinë e tij ose të saj ligjore".
Parimi 14 – Kohëzgjatja, shqyrtimi dhe ankesa
"1. Masat mbrojtëse duhet, kur është e mundur dhe e përshtatshme, të jenë me kohëzgjatje të kufizuar. Konsideratë duhet t’i jepet institucionit të rishikimeve periodike.
...
3. Duhet të ketë të drejta ankimimi të përshtatshme. "
C.Raportet mbi vizitat në Bullgari nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimin ose Dënimin Çnjerëzor ose Poshtërues (KPT)
1. Raporti i KPT-së mbi vizitën e 16-22 dhjetorit 2003, botuar më 24 qershor 2004
74. Ky raport përshkruan situatën e personave të vendosur nga autoritetet publike në shtëpitë e përkujdesjes sociale për personat me çrregullime mendore ose mangësi mendore të cilat janë nën autoritetin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Pjesa II.4 e raportit i është përkushtuar shtëpisë së përkujdesjes sociale të Pastras.
75. KPT-ja vuri në dukje se kapaciteti zyrtar i shtëpisë ishte 105 banorë, por kishte 92 banorë të regjistruar, meshkuj, prej të cilëve tetëdhjetë e gjashtë ishin të pranishëm në kohën e vizitës. Dy banorë ishin arratisur dhe të tjerët ishin me leje. Rreth 90% e banorëve vuanin nga skizofrenia dhe pjesa tjetër kishte mangësi mendore. Shumica kishte kaluar shumë vite në institucion, lirimet qenë mjaft të pazakonta.
76. Sipas gjetjeve të KPT-së, lokalet e shtëpisë së përkujdesjes sociale të Pastras ishin në një gjendje dhe higjiene të mjerueshme dhe në shtëpi nuk kishte ngrohje të përshtatshme.
77. Në veçanti, ndërtesat nuk kishin ujë të rrjedhshëm. Banorët laheshin me ujë të ftohtë në oborr dhe ishin shpesh të parruar dhe të pistë. Banja, në të cilën ata kishin akses një herë në javë, ishte e shkatërruar.
78. Tualetet ndodheshin gjithashtu në oborr, përbërë prej strehimoreve të rrënuara me gropa të hapura në tokë. Ato ishin në një gjendje të neveritshme dhe aksesi në to ishte i rrezikshëm. Për më tepër, pastrimi i përditshëm ishte i rrallë.
79. Raporti vë në dukje se sigurimi i ushqimit ishte i papërshtatshëm. Banorët merrnin tre vakte në ditë, duke përfshirë edhe 750 gr bukë. Qumështi dhe vezët nuk ishin të përfshira, si dhe frutat e freskëta dhe perimet ishin të rralla. Asnjë furnizim nuk bëhej për dieta të veçanta.
80. Forma e vetme e trajtimit në shtëpi përbëhej nga dhënia e barnave. Banorët, të cilët trajtoheshin si pacientë kronikë psikiatrikë në nevojë për terapi, ishin të regjistruar si pacientë me një psikiatër në Dupnitsa. Psikiatri vizitonte shtëpinë një herë në çdo 2-3 muaj, dhe gjithashtu në rast kërkese. Përveç kësaj, banorët mund të dërgoheshin tek psikiatri - i cili kishte operacione javore në qytetin e afërt të Rilas - nëse vëreheshin ndryshime në gjendjen e tyre mendore. Të gjithë banorët i nënshtroheshin një ekzaminimi psikiatrik dy herë në vit, i cili ishte një rast për rishikimin e ilaçeve dhe, nëse ishte e nevojshme, përshtatjen e tyre. Pothuajse të gjithë banorët kishin marrë ilaçe psikiatrike, të cilat ishin regjistruar në një kartelë të veçantë që administrohej nga infermierët.
81. Përveç administrimit të ilaçeve, asnjë aktivitet terapie nuk u ofrohej banorëve, të cilët bënin një jetë pasive dhe monotone.
82. KPT-ja arriti në përfundimin se në këto kushte ishte krijuar një situatë që mund të thuhet se arrinte në trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Ajo u kërkoi autoriteteve bullgare të zëvendësonin shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras në mënyrë urgjente. Në përgjigjen e tyre të 13 shkurtit 2004 autoritetet bullgare pranuan se shtëpia nuk ishte në përputhje me standardet evropiane të përkujdesjes. Ata deklaruan se ajo do të mbyllej së shpejti dhe se banorët do të transferoheshin në institucione të tjera.
83. KPT vërejti më tej, në pjesën II.7 të raportit të tij, që në shumicën e rasteve, vendosja e njerëzve me aftësi të kufizuara mendore në një institucion të specializuar çonte në një privim de facto të lirisë. Prandaj proçedura e vendosjes duhej të shoqërohej me masa mbrojtëse të përshtatshme, përfshirë vlerësimin mjekësor dhe objektiv, dhe në veçanti atë psikiatrik. Ishte thelbësore që këta persona të kishin të drejtën për të ndjekur procedura me anë të të cilave ligjshmëria e vendosjes së tyre do të mund të përcaktohej shpejt nga një gjykatë. KPT-ja rekomandoi gjithashtu që kjo e drejtë të jetë e garantuar në Bullgari (shih paragrafin 52 të raportit).
2.Raporti i KPT-së mbi vizitën e 10-21 shtatorit 2006, botuar më 28 shkurt 2008
84. Në këtë raport, KPT-ja rekomandoi që përsëri të sigurohet mundësia e shqyrtimit gjyqësor të ligjshmërisë së vendosjes në një shtëpi të përkujdesjes sociale (shih paragrafët 176-177 të raportit).
85. Gjithashtu u rekomandua që të bëhen përpjekje për të siguruar që vendosja e banorëve në shtëpitë për njerëzit me çrregullime mendore të përqasej plotësisht me frymën e ligjit. Kontratat për ofrimin e shërbimeve sociale duhet të specifikojnë të drejtat ligjore të banorëve, duke përfshirë mundësitë për ankesat pranë një autoriteti tjetër. Për më tepër, banorët që ishin të paaftë të kuptonin kontratat duhet të merrnin ndihmën e duhur (shih paragrafin 178 të raportit).
86. Së fundi, KPT-ja u kërkoi autoriteteve bullgare të merrnin hapat e nevojshme për të shmangur konfliktin e interesave që rridhte nga emërimi i një punonjësi të një shtëpie të përkujdesjes sociale si kujdestar i një banori në të njëjtin institucion (shih paragrafin 179 të raportit).
87. KPT-ja bëri një vizitë të mëtejshme në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras gjatë vizitës periodike në Bullgari, në tetor 2010.
IV. LEGJISLACIONI KRAHASUESAksesi në një gjykatë për rivendosjen e zotësisë për të vepruar
88. Një studim krahasues i legjislacionit të brendshëm të njëzet shteteve anëtare të Këshillit të Evropës tregon se në shumicën e rasteve (si Kroacia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Luksemburgu, Monako, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Suedia, Zvicra dhe Turqia) ligji u jep të drejtë të gjithë atyre që janë të privuar nga zotësia për të vepruar të kërkojnë drejtpërdrejt në gjykatë ndërprerjen e kësaj mase.
89. Në Ukrainë, personat të cilët janë privuar pjesërisht nga zotësia për të vepruar mund të kërkojnë vetë heqjen e masës; por kjo nuk vlen për ata që janë deklaruar të pazotë plotësisht, të cilët megjithatë mund të kundërshtojnë para një gjykate të gjitha masat e marra nga kujdestari i tyre.
90. Procedurat gjyqësore për ndërprerjen e urdhrit që privon një person nga zotësia për të vepruar nuk mund të ndiqen drejtpërdrejtë nga personi në fjalë në Letoni (ku një kërkesë mund të bëhet nga prokurori apo këshilli i kujdestarisë) ose në Irlandë.
B.Vendosja e personave të pazotë ligjërisht në një institucion të specializuar
91. Një studim ligjor krahasues i legjislacionit të njëzet Shteteve Palë të Konventës tregon se nuk ka një qasje uniforme në Evropë për çështjen e vendosjes së personave të pazotë ligjërisht në institucione të specializuara, veçanërisht për sa i përket autoritetit kompetent që urdhëron vendosjen dhe garancitë që i ofrohen personit në fjalë. Megjithatë, mund të vërehet se në disa vende (si Austria, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Polonia, Portugalia dhe Turqia) vendimi për të vendosur një person në një shtëpi për një kohë afatgjatë, kundër dëshirës së tij, merret drejtpëdrejt ose miratohet nga gjyqtari.
92. Sisteme të tjera ligjore (Belgjika, Danimarka, Hungaria, Irlanda, Letonia, Luksemburgu, Monako dhe Mbretëria e Bashkuar) autorizojnë kujdestarin, të afërmit apo autoritetet administrative për të vendosur mbi vendosjen e një personi në një institucion të specializuar pa qenë i nevojshëm miratimi i gjyqtarit. Gjithashtu duket se në të gjitha vendet e mësipërme, vendosja i nënshtrohet një numri kërkesash substanciale, në veçanti në lidhje me shëndetin e personit, ekzistencën e një rreziku dhe/ose prodhimin e çertifikatave mjekësore. Përveç kësaj, detyrimi për intervistimin apo konsultimin me personin në fjalë për çështjen e vendosjes, përcaktimi i një afati kohor nga ligji ose nga gjykata për ndërprerjen apo rishikimin e vendosjes, dhe mundësinë e ndihmës juridike janë ndër masat mbrojtëse që ofrohen nga disa sisteme ligjore kombëtare.
93. Në vende të caktuara (Danimarka, Estonia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Letonia, Polonia, Sllovakia, Zvicra dhe Turqia) mundësia për të kundërshtuar vendosjen fillestare para një trupi gjyqësor është në dispozicion të personit në fjalë pa kërkuar pëlqimin e kujdestarit.
94. Së fundi, disa shtete (Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Greqia, Irlanda, Letonia, Polonia, Zvicra dhe Turqia) i japin mundësinë drejtpërsëdrejti personit në fjalë për të rishikuar ligjshmërinë e vendosjes në mënyrë periodike me anë të shqyrtimit gjyqësor.
95. Duhet vënë re gjithashtu se legjislacionet e shumë vendeve mbi zotësinë juridike ose vendosjen në institucione të specializuara janë ndryshuar kohët e fundit (Austri: 2007; Danimarkë: 2007; Estoni: 2005; Finlandë: 1999; Francë: 2007; Gjermani: 1992; Greqi: 1992 ; Hungari: 2004; Letoni: 2006; Poloni: 2007; Ukrainë: 2000; Mbretëri e Bashkuar: 2005) ose janë në proces të ndryshimit (Irlandë). Këto reforma legjislative janë konceptuar për të rritur mbrojtjen ligjore të personave që nuk kanë zotësi juridike duke u ofruar atyre ose të drejtën e aksesit të drejtpërdrejtë në gjykatë për një rishikim të statusit të tyre ose masa mbrojtëse shtesë kur ata janë të vendosur në institucione të specializuara kundër vullnetit të tyre.
LIGJI
I. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 5 § 1 TË KONVENTËS
96. Kërkuesi parashtroi se vendosja e tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras ishte një shkelje e Nenit 5 § 1 të Konventës.
Neni 5 § 1 parashikon:
"1. 1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
(a). kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
(b). kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të parashikuar nga ligji;
(c). kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
(d). kur një i mitur ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi të mbikqyrur ose për ndalimin e tij të ligjshëm me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor;
(e). kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
(f). kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi”.
A.Kundërshtime fillestare
97. Dhoma e Madhe vëren se Qeveria e ngriti para saj kundërshtimin e ngritur para Dhomës për mosshterrimin e mjeteve juridike të brendshme në lidhje me ankesën sipas nenit 5 § 1.
98. Kundërshtimi bazohej në argumentet e mëposhtme. Së pari, kërkuesi kishte mundësi të kërkonte në çdo kohë, personalisht, në një gjykatë rivendosjen e zotësisë për të vepruar, në bazë të nenit 277 të KPP, dhe heqjen e kujdestarisë do ta kishte lejuar atë të largohej nga shtëpia. Së dyti, të afërmit e tij të ngushtë nuk kishin tentuar të hapnin ndonjë procedurë, në bazë të neneve 113 dhe 115 të KF, për t’i kërkuar autoritetit të kujdestarisë të zëvendësonte kujdestarin e tij. Sipas Qeverisë, në rasti refuzimi, të afërmit e kërkuesit duhet të kishin kërkuar në një gjykatë, e cila do ta kishte konsideruar themelin e kërkesës dhe, nëse do të qe e përshtatshme, mund të kishte emëruar një kujdestar të ri, i cili më pas do të kishte qenë në gjendje të përfundonte një marrëveshje lidhur me vendosjen. Qeveria parashtroi në substancë edhe faktin që të afërmit e kërkuesit mund të kishin kundërshtuar kontratën e nënshkruar mes kujdestarit R.P. dhe shtëpisë së përkujdesjes sociale të Pastras. Së fundi, ata treguan se vetë kërkuesi mund t’i kishte kërkuar autoritetit të kujdestarisë të emëronte një përfaqësues ad hoc për shkak të konfliktit të interesave të supozuar me kujdestarin e tij, me qëllim për të kërkuar largimin nga institucioni dhe vendosjen e banesës së tij diku tjetër (neni 123, paragrafi 1, i KF).
99. Dhoma e Madhe vëren se në vendimin e saj mbi pranueshmërinë të 29 qershorit 2010, Dhoma vlerësoi se ky kundërshtim ngrinte pyetje që ishin të lidhura ngushtë me ato që lindnin në lidhje me ankesën e kërkuesit bazuar në nenin 5 § 4 dhe për këtë arsye vendosi të shqyrtonte kundërshtimin e Qeverisë së bashku me themelin e ankesës në kuadrin e kësaj dispozite.
100. Përveç kësaj, duke parë se pyetja nëse kishte pasur një "privim lirie" brenda kuptimit të nenit 5 § 1, në rastin në fjalë, ishte e lidhur ngushtë me themelin e kërkesës bazuar në këtë dispozitë, Dhoma gjithashtu vendosi të shqyrtonte këtë çështje së bashku themelin e kërkesës. Dhoma e Madhe nuk sheh arsye për të vënë në dyshim përfundimet e Dhomës për këto çështje.
B. Nëse kërkuesi u privua nga liria, sipas kuptimit të nenit 5 § 1
1. Parashtrimet e palëve
(a) Kërkuesi
101. Kërkuesi pretendonte se edhe pse sipas ligjit të brendshëm, vendosja e personave me çrregullime mendore në një institucion të përkujdesjes sociale konsiderohej si "vullnetare", transferimi i tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras përbënte një privim të lirisë. Ai pohoi se, si në rastin e Storck kundër Gjermanisë (nr. 61603/00, GJEDNJ 2005 V), elementet objektive dhe subjektive të paraburgimit ishin të pranishëm në rastin e tij.
102. Në lidhje me natyrën e masës, kërkuesi parashtroi se jetesa në një shtëpi të përkujdesjes sociale në një vend të largët malor arriti në izolimin e tij fizik nga shoqëria. Ai nuk mund të kishte zgjedhur të largohej me iniciativën e tij pasi nuk kishte dokumente identiteti ose të holla, dhe se ai së shpejti do të përballej me rrezikun e ndalimit nga policia për një kontroll rutinë, një praktikë e përhapur në Bullgari.
103. Mungesat nga shtëpia e përkujdesjes sociale u nënshtroheshin marrjes së lejes paraprake. Distanca prej rreth 420 km mes institucionit dhe qytetit të tij dhe fakti se ai nuk e përdorte dot pensionin e tij të invaliditetit e kishte bërë të pamundur vajtjen në Ruse për më shumë se tri herë. Kërkuesi parashtroi më tej se atij i ishte mohuar leja për të udhëtuar në shumë raste të tjera nga drejtuesit e shtëpisë. Ai shtoi se, në përputhje me një praktikë pa bazë ligjore, banorët të cilët largoheshin nga shtëpia për një kohë më të gjatë se periudha e autorizuar trajtoheshin si të arratisur dhe kontrolloheshin nga policia. Ai deklaroi në lidhje me këtë se në një rast policia e kishte arrestuar atë në Ruse dhe se, edhe pse ata nuk e kishin çuar atë përsëri në shtëpi, fakti që drejtori kishte kërkuar të lokalizohej dhe të transferohej në shtëpi kishte arritur në një kufizim vendimtar në të drejtën e tij për liri personale. Ai deklaroi se kishte qenë i arrestuar dhe i paraburgosur nga policia në pritje të ardhjes së personelit të shtëpisë për ta marrë atë, pa u informuar për arsyet e heqjes së lirisë së tij. Duke qenë se ai ishte transferuar me forcë, ishte e parëndësishme nëse personat e përfshirë ishin ose jo punonjës të shtëpisë.
104. Kërkuesi më tej theksoi se vendosja e tij në shtëpi kishte zgjatur tashmë më shumë se tetë vjet dhe se shpresat e tij për t’u larguar një ditë ishin të kota, pasi vendimi duhej të miratohej nga kujdestari i tij.
105. Sa për pasojat e vendosjes së tij, kërkuesi theksoi ashpërsinë e regjimit të cilit i nënshtrohej. Aktivitetet e tij profesionale, trajtimi dhe lëvizjet ishin nën mbikëqyrjen e punonjësve të shtëpisë. Ai kishte qenë i detyruar të ndiqte një rutinë të rreptë të përditshme, duke u zgjuar, fjetur dhe ngrënë në kohë të caktuar. Ai nuk kishte pasur asnjë mundësi për të zgjedhur rrobat e tij, përgatitjen e ushqimit të tij, pjesëmarrjen në ngjarje kulturore ose zhvillimin e marrëdhënieve me njerëz të tjerë, duke përfshirë edhe marrëdhëniet intime pasi banorët e shtëpisë ishin të gjithë meshkuj. Ai kishte leje për të shikuar televizor vetëm në mëngjes. Prandaj, qëndrimi i tij në shtëpi kishte shkaktuar një përkeqësim të dukshëm të gjendjes së tij dhe fillimin e sindromës së institucionalizimit, me fjalë të tjera, të pamundësisë për tu integruar përsëri në komunitet dhe për të bërë një jetë normale.
106. Në lidhje me elementin subjektiv, kërkuesi parashtroi se gjendja e tij ndryshonte nga ajo e H.M. kundër Zvicrës (nr. 39187/98, GJEDNJ 2002-II), në të cilën kërkuesja e kishte pranuar vendosjen e saj në një shtëpi pleqsh. Ai vetë nuk kishte dhënë një pëlqim të tillë. Kujdestarja e tij në atë kohë, zonja R.P. (shih paragrafin 12 më sipër), nuk ishte konsultuar me të për vendosjen e tij dhe, për më tepër, ai nuk e njihte atë; as kishte qenë i informuar për ekzistencën e marrëveshjes së vendosjes së 10 dhjetorit 2002 ( shih paragrafin 14 më lart), të cilën ai kurrë nuk e kishte nënshkruar. Këto rrethana reflektonin një praktikë të përhapur në Bullgari ku njerëzit që dikur ishin privuar nga zotësia për të vepruar, edhe pse pjesërisht, konsideroheshin të paaftë për të shprehur vullnetin e tyre. Përveç kësaj, ishte e qartë nga dokumentet mjekësore që dëshira e kërkuesit për t’u larguar nga shtëpia ishte interpretuar jo si një dëshirë e shprehur lirshëm, por më tepër si një simptomë e sëmundjes së tij mendore.
107. Së fundi, në rastin e H.M. kundër Zvicrës (cituar më lart) autoritetet e kishin bazuar vendimin e tyre për të vendosur kërkuesen në një shtëpi pleqsh nëpërmjet një ekzaminimi të hollësishëm që tregonte se kushtet e jetesës në shtëpinë e saj ishin përkeqësuar rëndë si pasojë e mungesës së bashkëpunimit të saj me autoritetet e mirëqenies sociale. Në të kundërt, kërkuesit në rastin në fjalë asnjëherë nuk i ishte ofruar dhe nuk kishte refuzuar kurrë një përkujdesje sociale alternative në shtëpi.
(b) Qeveria
108. Në vëzhgimet e saj me shkrim para Dhomës, Qeveria pranoi se rrethanat e rastit çuan në një "privim të lirisë" sipas kuptimit të nenit 5 § 1 të Konventës. Megjithatë, në seancën dhe në procedurën para Dhomës së Madhe, Qeveria pretendonte se neni 5 nuk ishte i zbatueshëm. Ajo vinte re se në lidhje me këtë kërkuesi nuk ishte pranuar detyrimisht në një institucion psikiatrik nga autoritetet publike sipas Ligjit të Shëndetit Publik, por kishte qenë i vendosur në një shtëpi të përkujdesjes sociale me kërkesën e kujdestarit të tij, në bazë të një marrëveshjeje civile dhe në përputhje me rregullat e ndihmës sociale. Kështu, personat në nevojë për ndihmë, duke përfshirë edhe ata me çrregullime mendore, mund të kërkonin shërbime të ndryshme sociale dhe mjekësore, qoftë drejtpërdrejtë ose nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, në bazë të ligjit të ndihmës sociale të vitit 1998 (shih paragrafët 57-60 më lart). Shtëpitë për të rriturit me çrregullime mendore ofronin një gamë të gjerë shërbimesh të këtij lloji dhe vendosja në institucione të tilla nuk mund të shihej si një privim i lirisë.
109. Sa i përket rrethanave të veçanta të rastit, Qeveria theksoi se kërkuesi nuk kishte kundërshtuar shprehimisht dhe me vetëdije vendosjen e tij në atë shtëpi dhe për këtë arsye nuk mund të arrihej në përfundimin se masa kishte qenë e pavullnetshme. Për më tepër, ai kishte qenë i lirë të largohej nga shtëpia në çdo kohë.
110. Përveç kësaj, kërkuesi ishte inkurajuar të punonte në restorantin e fshatit në të mirë të aftësive të tij dhe kishte marrë leje në tre raste. Arsyeja pse ai ishte kthyer dy herë nga Ruse para përfundimit të periudhës së lejes së autorizuar kishte qenë (shih paragrafin 27 më lart) pamundësia për të gjetur një strehë. Qeveria parashtroi më tej se kërkuesi nuk ishte sjellë përsëri në shtëpi nga policia. Qeveria pranoi se në shtator 2006 drejtori ishte detyruar të njoftonte policinë për ta kërkuar kërkuesin, sepse ai nuk ishte rikthyer (shih paragrafin 28 më lart). Megjithatë, ishte e qartë nga rasti Dodov kundër Bullgarisë (nr. 59548/00, 17 janar 2008) se shteti kishte një detyrim pozitiv për t’u kujdesur për njerëzit e strehuar në shtëpitë e përkujdesjes sociale. Në argumentet e Qeverisë, hapat e ndërmarra nga drejtori ishin pjesë të detyrës për t’i mbrojtur këta persona.
111. Qeveria vërejti më tej se kërkuesi nuk kishte zotësi për të vepruar dhe nuk kishte pasur një mjedis familjar mbështetës, strehim apo burime të mjaftueshme për të bërë një jetë të pavarur. Duke iu referuar vendimit H.M. kundër Zvicrës (cituar më lart) dhe Nielsen kundër Danimarkës (28 nëntor 1988, Seria A nr. 144), autoritetet parashtruan se vendosja e kërkuesit në shtëpi ishte thjesht një masë mbrojtëse në përputhje me interesat e tij dhe përbënte një përgjigje të përshtatshme ndaj një urgjence sociale dhe mjekësore; një përgjigje e tillë nuk mund të shihej si e pavullnetshme.
(c) Pala e tretë
112. Shoqata Interights bëri vërejtjet e përgjithshme të mëposhtme. Ajo deklaroi se kishte kryer një studim të praktikave në lidhje me vendosjen e personave me çrregullime mendore në institucione të specializuara në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Sipas përfundimeve të sondazhit, në shumicën e rasteve vendosja në institucione të tilla mund të konsiderohej si një privim de facto i lirisë.
113. Shtëpitë e përkujdesjes sociale ishin vendosur shpesh në zonat rurale apo malore që nuk ishin lehtësisht të arritshme. Kur shtëpitë ishin vendosur pranë zonave urbane, ato ishin të rrethuara me mure të larta, ose gardhe dhe portat mbaheshin të mbyllura. Si rregull, banorët ishin në gjendje të largoheshin nga shtëpia vetëm me lejen e drejtorit të saj dhe për një periudhë të kufizuar. Në rastet e pushimit të paautorizuar, policia kishte kompetencë të kërkonte dhe rikthente personat në fjalë. Regjimi kufizues zbatohej njësoj për të gjithë banorët, pa asnjë dallim, sipas statusit ligjor - nëse ata kishin aftësi të plotë, të pjesshme ose ishin të paaftë plotësisht - dhe sipas Interights, ky ishte një faktor vendimtar. Asnjë rëndësi nuk i jepej faktit nëse vendosja ishte e vullnetshme ose jo.
114. Lidhur me analizën e aspektit subjektiv të vendosjes, Interights parashtroi se pëlqimi i personave në fjalë ishte një çështje që kërkonte vëmendje. Përpjekje të plota duhet të bëheshin për të kuptuar dëshirat e tyre të vërteta, pavarësisht nga çdo deklaratë paaftësie ligjore që mund të ishte bërë në rastin e tyre. Interights pretendonte se në realitet, përballë një zgjedhje mes një ekzistence të pasigurt, të pastrehë dhe sigurisë relative të ofruar nga një shtëpi e përkujdesjes sociale, personat e paaftë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore mund të zgjidhnin mundësinë e fundit, thjesht sepse nuk kishte shërbime alternative të ofruara nga sigurimet shoqërore të shtetit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se personat në fjalë kishin rënë dakord për vendosjen e tyre.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
115. Gjykata rithekson se dallimi mes privimit të lirisë dhe kufizimit të lirisë së lëvizjes, e cila rregullohet nga neni 2 i Protokollit Nr. 4, varet nga shkalla apo intensiteti, dhe jo nga natyra ose substanca. Edhe pse procesi i klasifikimit në njërën apo tjetrën prej këtyre kategorive nganjëherë nuk duket të jetë detyrë e lehtë pasi disa raste, të cilat ndodhen në “zonën gri” janë një çështje vlerësimi e pastër, Gjykata nuk mund të shmanget duke bërë një zgjedhje nga e cila varet zbatueshmëria apo pazbatueshmëria e nenit 5 (shih Guzzardi kundër Italisë, 6 nëntor 1980, § § 92-93, Seria A nr. 39). Në mënyrë që të përcaktojë nëse dikush ka qenë i privuar nga liria, pikënisja duhet të jetë gjendja e tij konkrete dhe duhet të merret parasysh një gamë e tërë kriteresh të tilla si, lloji, kohëzgjatja, efektet dhe mënyra e zbatimit të masës në fjalë ( shikoni Storck, cituar më lart, § 71, dhe Guzzardi, cituar më lart, § 92).
116. Në kuadër të heqjes së lirisë bazuar në probleme mendore-shëndetësore, Gjykata është shprehur se një person mund të konsiderohet si "i privuar nga liria" edhe gjatë periudhës kur ai është në një shërbim spitalor të hapur, i pashoqëruar në vendet e pasiguruara të spitalit dhe me leje, e i pashoqëruar jashtë spitalit (shih Ashingdane kundër Mbretërisë së Bashkuar, 28 maj 1985, § 42, Seria A No.93).
117. Për më tepër, në lidhje me vendosjen e personave me çrregullim mendor në një institucion, Gjykata është shprehur se nocioni i privimit të lirisë nuk përmban vetëm elementin objektiv të izolimit të një personi në një hapësirë të caktuar të kufizuar për një periudhë kohore jo të papërfillshme. Një person mund të konsiderohet të ketë qenë i privuar nga liria, në qoftë se si një element shtesë subjektiv, ai nuk ka dhënë pëlqimin në mënyrë të vlefshme për izolimin në fjalë (shih Storck, cituar më lart, § 74).
118. Gjykata ka vërejtur se ka pasur një privim të lirisë në rrethana të tilla si në vijim: (a) kur kërkuesi, i cili ishte deklaruar ligjërisht i paaftë dhe i pranuar në një spital psikiatrik me kërkesën e përfaqësuesit të tij ligjor, kishte tentuar pa sukses të largohej nga spitali (shih Shtukaturov kundër Rusisë, nr. 44009/05, § 108, 27 mars 2008.), (b), kur kërkuesja kishte dhënë fillimisht pëlqimin për pranimin e saj në një klinikë, por më pas kishte tentuar të ikte (shih Storck, cituar më lart, § 76); dhe (c), kur kërkuesi ka qenë një i rritur i paaftë për të dhënë pëlqimin e tij për pranimin në një institucion psikiatrik nga i cili, megjithatë, nuk kishte tentuar të largohej (shih H.L. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr.45508/99, § § 89-94, GJEDNJ 2004-IX).
119. Gjykata gjithashtu është shprehur se e drejta për liri është tepër e rëndësishme në një shoqëri demokratike saqë një person nuk mund të humbasë mbrojtjen e Konventës për arsyen e vetme se ai mund të ketë dhënë pëlqimin për privimin e tij nga liria (shih De Wilde, Ooms dhe Versyp kundër Belgjikës, 18 qershor 1971, § § 64-65, Seria A nr. 12), sidomos kur nuk kundërshtohet se ai person është ligjërisht i paaftë për të dhënë pëlqimin e tij, ose mospajtimin me veprimin e propozuar (shih H.L. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, § 90).
120. Përveç kësaj, Gjykata ka pasur rastin të vërejë se fjalia e parë e nenit 5 § 1 duhet të interpretohet si një detyrim pozitiv për Shtetin për të mbrojtur lirinë e personave brenda juridiksionit të tij. Përndryshe, do të kishte një hendek të konsiderueshëm në mbrojtjen nga paraburgimi arbitrar, i cili do të ishte në kundërshtim me rëndësinë e lirisë personale në një shoqëri demokratike. Shteti është pra i detyruar të marrë masa për të siguruar një mbrojtje efektive të personave të dobët, duke përfshirë edhe hapa të arsyeshëm për të parandaluar një privim të lirisë për të cilin autoritetet kanë ose duhet të kenë njohuri (shih Storck, cituar më lart, § 102). Kështu, duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të rasteve para saj, Gjykata është shprehur se përgjegjësia e autoriteteve kombëtare angazhohej si rezultat i ndalimit të kërkuesit në një spital psikiatrik me kërkesën e kujdestarit të tij (shih Shtukaturov, cituar më lart) dhe ndalimit në një klinikë private (shih Storck, cituar më lart).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin në fjalë
121. Gjykata vëren që në fillim se është e panevojshme që në rastin konkret të përcaktojë nëse, në terma të përgjithshëm, çdo vendosje e një personi të paaftë ligjërisht në një institucion të përkujdesjes sociale përbën një "privim të lirisë" brenda kuptimit të nenit 5 § 1. Në disa raste, vendosja fillohet nga familjet që janë të përfshira edhe në kujdestari dhe bazohet në marrëveshje civile të nënshkruara me një institucion të përshtatshëm të përkujdesjes sociale. Prandaj, çdo kufizim i lirisë në raste të tilla është rezultat i veprimeve nga individët dhe roli i autoriteteve është i kufizuar në mbikëqyrje. Gjykatës nuk i është kërkuar në këtë rast të vendosë mbi detyrimet që mund të lindin në bazë të Konventës për autoritetet në situata të tilla.
122. Ajo vëren se në rastin në fjalë ka rrethana të veçanta. Asnjë prej anëtarëve të familjes së kërkuesit nuk ishte përfshirë në marrëveshjet e kujdestarisë dhe detyrat e kujdestarit ishin caktuar nga një zyrtar shteti (Znj. R.P.), që negocioi dhe nënshkroi marrëveshjen e vendosjes me shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras pa asnjë kontakt me kërkuesin, të cilin ajo nuk e kishte takuar kurrë. Marrëveshja e vendosjes u zbatua në një institucion të shtetit të drejtuar nga shërbimet sociale, të cilat po ashtu nuk e kishin intervistuar kërkuesin (shih paragrafët 12-15 më lart). Kërkuesi nuk ishte konsultuar në lidhje me zgjedhjen e kujdestarit të tij, edhe pse ai mund të kishte shprehur një mendim të vlefshëm dhe pëlqimi i tij ishte i nevojshëm në përputhje me Ligjin për personat dhe familjen e vitit 1949 (shih paragrafin 42 më sipër). Duke qenë kështu, ai nuk u transferua në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras me kërkesën e tij ose në bazë të një marrëveshje vullnetare private për pranim në një institucion për të marrë ndihmë sociale dhe mbrojtje. Gjykata konsideron se kufizimet për të cilat ankohet kërkuesi janë rezultati i hapave të ndryshme të marra nga autoritetet publike dhe institucionet përmes zyrtarëve të tyre, që nga kërkesa fillestare për vendosjen e tij në një institucion si dhe gjatë zbatimit të masës përkatëse, dhe jo i akteve ose iniciativave të individëve. Edhe pse nuk ka asnjë tregues që kujdestari i kërkuesit të ketë vepruar në keqbesim, konsideratat e mësipërme e dallojnë çështjen në fjalë nga Nielsen (cituar më lart), në të cilën nëna e kërkuesit e kishte çuar djalin e saj, të mitur, në një institucion psikiatrik në mirëbesim, gjë që çoi Gjykatën të vërente se masa në fjalë kërkonte ushtrimin e të drejtave ekskluzive të kujdestarisë mbi një fëmijë që nuk ishte në gjendje të shprehte një opinion të vlefshëm.
123. Vendosja e kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale për këtë arsye mund të thuhet se ka qenë përgjegjësi e autoriteteve kombëtare. Mbetet për t’u përcaktuar nëse kufizimet që rrjedhin nga ajo masë arritën në një "privim të lirisë" sipas kuptimit të nenit 5.
124. Në lidhje me aspektin objektiv, Gjykata vëren se kërkuesi ishte vendosur në një shtëpi nga e cila ai nuk ishte në gjendje të largohej, por thekson se çështja nëse ndërtesa ishte e mbyllur me çelës nuk ishte vendimtare (shih Ashingdane, cituar më lart, § 42). Ndërsa është e vërtetë se kërkuesi ishte në gjendje të shkonte në fshatin më të afërt, ai kishte nevojë për leje për ta bërë këtë (shih paragrafin 25 më lart). Për më tepër, koha e kaluar larg nga shtëpia dhe vendet ku ai mund të shkonte ishin gjithmonë subjekt kontrollesh dhe kufizimesh.
125. Gjykata vëren më tej se mes 2002-it dhe 2009-ës, kërkuesit i ishte dhënë leje për tre vizita të shkurtra (rreth dhjetë ditë) në Ruse (shih paragrafët 26-28 më lart). Gjykata nuk mund të spekulojë nëse ai mund të kishte bërë vizita të tjera më të shpeshta po të kishte kërkuar për ta bërë këtë. Megjithatë, ajo vëren se leja ishte tërësisht në diskrecionin e administruesve të shtëpisë, të cilët mbanin letrat e identitetit të kërkuesit dhe administronin financat e tij, duke përfshirë shpenzimet e transportit (shih paragrafët 25-26 më lart). Për më tepër, për Gjykatën duket se vendodhja e shtëpisë në një rajon malor larg Ruses (rreth 400 km) e bënte çdo udhëtim të vështirë dhe të shtrenjtë për kërkuesin, duke pasur parasysh të ardhurat e tij dhe aftësinë e tij për të organizuar udhëtimin.
126. Gjykata konsideron se ky sistem i lejes dhe fakti se administrata mbante dokumentet e identitetit të kërkuesit përbënin kufizime të rëndësishme për lirinë e tij personale.
127. Për më tepër, nuk kundërshtohet fakti se kur kërkuesi nuk u kthye nga leja në vitin 2006, administruesit e shtëpisë i kërkuan policisë së Ruses për ta kërkuar dhe kthyer atë (shih paragrafin 28 më lart). Gjykata mund të pranojë se hapa të tillë janë pjesë e përgjegjësive të marra nga administrata e një shtëpie për njerëzit me çrregullime mendore ndaj banorëve të saj. Ajo më tej thekson se policia nuk e kishte shoqëruar kërkuesin në shtëpi dhe se ai nuk kishte dëshmuar se ishte arrestuar në pritje të mbërritjes së personelit të shtëpisë. Megjithatë, pasi periudha e lejes së tij kishte skaduar, stafi e ktheu atë në shtëpi pa marrë në konsideratë dëshirat e tij.
128. Prandaj, edhe pse kërkuesi ishte në gjendje të ndërmerrte udhëtime të caktuara, faktorët e përmendur më sipër çojnë Gjykatën të vërejë se, në kundërshtim me pozicionin e Qeverisë, ai ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe nuk ishte i lirë të largohej nga shtëpia pa leje sa herë që të dëshironte. Duke iu referuar rastit Dodov (cituar më lart), Qeveria pretendonte se kufizimet në fjalë kishin qënë të nevojshme në kuadër të detyrimeve pozitive të autoriteteve për të mbrojtur jetën e kërkuesit dhe shëndetin e tij. Gjykata vëren se në rastin e lartpërmendur, nëna e kërkuesit vuante nga sëmundja Alzhaimer dhe se, si pasojë, kujtesa e saj dhe aftësitë e tjera mendore ishin përkeqësuar në mënyrë progresive, në atë masë që punonjësit e shtëpisë së pleqve ishin udhëzuar të mos e linin atë të pambikëqyrur. Në rastin në fjalë, Qeveria nuk kishte treguar se gjendja shëndetësore e kërkuesit përbënte një rrezik të menjëhershëm, ose kërkonte vendosjen e kufizimeve të veçanta për të mbrojtur jetën e tij.
129. Për sa i përket kohëzgjatjes së masës, Gjykata vëren se ajo nuk ishte specifikuar dhe ishte kështu e pacaktuar, pasi adresa e përhershme e kërkuesit në regjistrat e bashkisë ishte ajo e shtëpisë, ku ai ende ndodhet (duke jetuar atje për më shumë se tetë vjet). Kjo periudhë është mjaft e gjatë për të ndjerë efektet negative të plota të kufizimeve që i ishin vënë.
130. Sa i përket aspektit subjektiv të masës, duhet të theksohet se, në kundërshtim me kërkesat e ligjit të brendshëm (shih paragrafin 42 më lart), kërkuesi nuk u pyet për të dhënë mendimin për vendosjen e tij në shtëpi dhe kurrë nuk e pranoi në mënyrë të qartë. Në vend të kësaj, ai u dërgua në Pastra me ambulance dhe u vendos në shtëpi pa u informuar për arsyet ose zgjatjen e kësaj mase, e cila ishte marrë zyrtarisht nga kujdestari i tij. Gjykata vëren se ka situata ku vullneti i një personi me paaftësi mendore mund të zëvendësohet me atë të një personi tjetër që vepron në kuadër të një mase mbrojtëse dhe se ndonjëherë është e vështirë të konstatosh dëshirat e vërteta apo preferencat e personit në fjalë. Megjithatë, Gjykata ka vërejtur se nëse një personi i mungon zotësia për të vepruar, kjo nuk do të thotë se ai nuk është më i zoti të kuptojë gjendjen e tij (shih Shtukaturov, cituar më lart, § 108). Në rastin konkret, ligji vendas i jepte një peshë të caktuar vullnetit të kërkuesit dhe duket se ai ishte edhe i vetëdijshëm për situatën e tij. Gjykata vëren se, të paktën që nga viti 2004, kërkuesi në mënyrë të qartë u kishte shprehur dëshirën e tij për të lënë shtëpinë e kujdesit social të Pastras, dhe psikiatërve dhe autoriteteve me anë të kërkesave për rivendosjen e zotësisë për të vepruar dhe lirimin nga kujdestaria (shih paragrafët 37 -41 lart).
131. Këta faktorë e dallojnë çështjen në fjalë nga çështja H.M. kundër Zvicrës (cituar lart), në të cilën Gjykata tha se nuk kishte pasur heqje lirie, pasi ankuesja ishte vendosur në një shtëpi pleqsh thjesht në interes të saj dhe, pas arritjes së saj atje, kishte rënë dakord të qëndronte. Në lidhje me këtë Qeveria nuk tregoi se në rastin në fjalë, pas mbërritjes në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras ose në një datë të mëvonshme, kërkuesi kishte rënë dakord për të qendruar atje. Duke qenë kështu, Gjykata nuk bindet se kërkuesi kishte dhënë pëlqimin për vendosjen ose e kishte pranuar heshturazi atë në një fazë të mëvonshme gjatë qëndrimit të tij.
132. Duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të çështjes në fjalë, sidomos përfshirjen e autoriteteve në vendimin për vendosjen e kërkuesit në atë shtëpi dhe zbatimin e tij, rregullat e pushimit, kohëzgjatjen e vendosjes dhe mungesën e pëlqimit, Gjykata vëren se situata nën shqyrtim shkon deri në privim nga liria sipas kuptimit të Nenit 5 § 1 të Konventës. Prandaj, kjo dispozitë është e zbatueshme.
C.Nëse vendosja e kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras ishte në përputhje me Nenin 5 § 1
1. Parashtresat e palëve
(a) Kërkuesi
133. Kërkuesi parashtroi se, për shkak se ai nuk kishte rënë dakord për vendosjen e tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras dhe nuk kishte nënshkruar marrëveshjen e hartuar mes tij dhe kujdestarit të shtëpisë, marrëveshja ishte në shkelje të Ligjit mbi Personat dhe Familjen. Ai shtoi se nuk kishte qenë i informuar për ekzistencën e marrëveshjes në kohën e vendosjes së tij dhe se ai kishte mbetur i painformuar për një kohë të gjatë në vijim. Kërkuesi nuk kishte pasur mundësi që të kundërshtonte këtë hap marrë nga kujdestarja e tij. Edhe pse kujdestarja kishte qenë e detyruar në bazë të nenit 126 të Kodit të Familjes për të raportuar mbi aktivitetet e saj tek autoriteti i kujdestarisë (kryetari i bashkisë), ky i fundit nuk ishte i autorizuar të ndërmerrte ndonjë veprim kundër saj. Për më tepër, asnjë raport nuk ishte hartuar ndonjëherë në lidhje me kërkuesin, dhe kujdestarët e tij nuk kishin mbajtur përgjegjësi për këtë mangësi.
134. Kërkuesi argumentoi më tej se vendosja e tij në një shtëpi për njerëzit me çrregullime mendore nuk ishte një ndër shkaqet që justifikonte privimin nga liria sipas Nenit 5. Masa në fjalë nuk ishte e justifikuar me nevojën për të garantuar sigurinë publike ose për të përballuar jetën jashtë institucionit. Në mbështetje të këtij pretendimi kërkuesi shtoi se drejtori i shtëpisë e kishte konsideruar atë të aftë për t’u integruar në komunitet dhe se ishin bërë përpjekje për ta sjellë atë më afër familjes së tij, megjithëse për të nuk kishte qenë e dobishme. Prandaj, autoritetet e kishin bazuar vendimin e tyre për të vendosur kërkuesin në shtëpi në faktin e thjeshtë se familja e tij nuk dëshironte të kujdesej për të dhe se ai kishte nevojë për ndihmë sociale. Ato nuk kishin shqyrtuar nëse asistenca e nevojshme mund të jepej nëpërmjet masave alternative që e kufizonin më pak lirinë e tij personale. Masa të tilla ishin, për më tepër, mjaft të mundshme pasi legjislacioni bullgar parashikonte një gamë të gjerë shërbimesh sociale, të tilla si asistenca personale, qendrat sociale të rehabilitimit, pagesa të veçanta dhe pensionet. Autoritetet nuk kishin arritur një ekuilibër të drejtë mes nevojave sociale të kërkuesit dhe të drejtës së tij për liri. Ndalimi i bazuar në konsiderata thjesht sociale do të ishte arbitrar dhe në kundërshtim me qëllimet e Nenit 5.
135. Nëse Gjykata do të vlerësonte se vendosja binte brenda fushëveprimit të nenit 5 § 1 (e), sipas të cilit persona të sëmurë mendërisht mund të privohen nga liria e tyre, sipas kërkuesit autoritetet nuk i kishin plotësuar kërkesat e kësaj dispozite. Në mungesë të një vlerësimi psikiatrik të përditësuar, ishte e qartë se vendosja e tij në shtëpi nuk kishte ndjekur qëllimin e trajtimit mjekësor dhe bazohej ekskluzivisht në dokumente mjekësore të prodhuara në kontekstin e procedurave për heqjen e zotësisë së tij për të vepruar. Dokumentet ishin lëshuar rreth një vit e gjysmë më parë dhe nuk kishin të bënin me vendosjen e tij në një institucion për njerëzit me çrregullime mendore. Duke u bazuar në Varbanov kundër Bullgarisë (nr. 31365/96, § 47, GJEDNJ 2000-X), kërkuesi deklaroi se ai kishte qenë vendosur në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras pa marrë ndonjë vlerësim të shëndetit mendor të tij në atë kohë.
(b) Qeveria
136. Qeveria parashtroi se vendosja e kërkuesit në shtëpi pajtohej me ligjin e brendshëm pasi kujdestarja kishte nënshkruar një marrëveshje me anë të së cilës kërkuesi do të përfitonte shërbime sociale në interes të tij. Ajo kishte vepruar kështu në përputhje me përgjegjësitë e saj dhe kishte kryer detyrën e saj për të mbrojtur personin nën kujdestarinë e pjesshme.
137. Duke pasur parasysh se qëllimi i vetëm i vendosjes kishte qenë ofrimi i shërbimeve sociale sipas Ligjit të Ndihmës Sociale dhe jo administrimi i mjekimit të detyrueshëm, Qeveria parashtroi se kjo masë nuk mbulohej nga neni 5 § 1 (e) i Konventës. Në lidhje me këtë, autoritetet kishin marrë parasysh gjendjen e tij financiare dhe familjare, pra mungesën e burimeve dhe mungesën e të afërmve të aftë për ta ndihmuar atë ditë-për-ditë.
138. Qeveria vërejti në të njëjtën kohë që kërkuesi mund të konsiderohej si një "person i sëmurë mendërisht" sipas kuptimit të nenit 5 § 1 (e). Vlerësimi mjekësor i kryer gjatë procedurës për heqjen e zotësisë për të vepruar në vitin 2000 tregonte qartë se ai vuante nga çrregullime mendore dhe se kjo ishte një arsye legjitime për autoritetet për ta vënë atë në një institucion për njerëzit me probleme të ngjashme. Së fundi, duke u mbështetur në vendimin Ashingdane (cituar më lart, § 44), Qeveria parashtroi se kishte një lidhje të mjaftueshme ndërmjet arsyes së vendosjes, që ishte gjendja shëndetësore e kërkuesit, dhe institucionit ku ai ishte vendosur. Prandaj, Qeveria nënvizonte se masa në fjalë nuk përbënte shkelje të Nenit 5 § 1 (e).
(c) Pala e tretë
139. Në bazë të studimit të përmendur në paragrafët 112-114 më sipër, Interights vuri në dukje se në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, vendosja e personave me çrregullime mendore në një shtëpi të përkujdesjes sociale shihej vetëm në aspektin e mbrojtjes sociale dhe rregullohej nga e drejta kontraktuale . Duke qenë se vendosja nuk konsiderohej si një formë e privimit nga liria sipas ligjit të brendshëm, masat mbrojtëse procedurale në fuqi në lidhje me izolimin e pavullnetshëm psikiatrik nuk ishin të zbatueshme.
140. Interights pretendonte se situata të kësaj natyre ishin të krahasueshme me atë të rastit e HL kundër Mbretërisë së Bashkuar (cituar më lart), në të cilin u kritikua sistemi i para vitit 2007 në Mbretërinë e Bashkuar, ku doktrina e nevojshmërisë e pëcaktuar nga common law autorizonte ndalimin "informal" të personave të paaftë që vuanin nga çrregullime mendore. Gjykata kishte vlerësuar se mungesa e rregullave fikse procedurale në pranimin dhe ndalimin e këtyre personave ishte befasuese. Në pikëpamjen e saj, kontrasti mes kësaj mungese rregullash dhe rrjetit të gjerë të masave të zbatueshme për internimet formale psikiatrike të mbuluara nga legjislacioni për shëndetin mendor ishte i konsiderueshëm. Në mungesë të një procedure pranimi formale që të përcaktonte se kush mund të propozonte pranimin, për çfarë arsyesh dhe në çfarë baze dhe duke pasur parasysh mungesën e përcaktimit mbi kohëzgjatjen e ndalimit ose të natyrës së trajtimit apo përkujdesjes, profesionistët e përkujdesjes shëndetësore të spitalit kishin marrë kontrollin e plotë të lirisë dhe trajtimin e personit të paaftë vetëm mbi bazën e vlerësimeve të tyre klinike të kryera me mënyrën dhe në kohën që ata e shihnin të arsyeshme. Ndërkohë që nuk vihej në dyshim se ata profesionistë kishin vepruar në mirëbesim dhe në interesin më të mirë të kërkuesit, Gjykata vuri re se qëllimi i masave mbrojtëse procedurale ishte mbrojtja e individëve kundër çdo gabimi profesional (HL kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më sipër, §§ 120-121).
141. Interights i kërkoi Gjykatës të mbetej në përputhje me këtë qasje dhe të vendoste se në këtë rast natyra joformale e pranimit dhe e ndalimit në një shtëpi të përkujdesjes sociale binte në kundërshtim me garancitë kundër arbitraritetit sipas nenit 5. Gjykatat nuk ishin përfshirë në ndonjë fazë të procedurës dhe asnjë organ tjetër i pavarur nuk kishte detyrën e monitorimit të institucioneve në fjalë. Mungesa e rregullimit shoqëruar me dobësinë e personave mendërisht të çekuilibruar lehtësonte abuzimet me të drejtat themelore në kontekstin e një mbikëqyrje tejet të kufizuar.
142. Pala e tretë më tej nënvizoi se në shumicën e rasteve të këtij lloji, vendosjet ishin automatike pasi kishte mundësi të pakta alternative të dhënies së ndihmës sociale. Ajo pretendonte se autoritetet duhet të kishin një detyrim praktik për të siguruar masat e duhura, më pak kufizuese të lirisë personale, por që megjithatë siguronin një kujdes mjekësor dhe shërbime sociale për personat mendërisht të çekuilibruar. Ky do të ishte një mjet për të zbatuar parimin se të drejtat e garantuara nga Konventa nuk duhet të jenë teorike apo iluzive por praktike dhe efektive.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
143. Gjykata rithekson se në mënyrë që të përputhet me nenin 5 § 1, ndalimi në fjalë duhet para së gjithash të jetë "i ligjshëm", duke përfshirë respektimin e një procedure të përcaktuar me ligj. Në këtë drejtim Konventa i referohet në thelb legjislacionit vendas dhe përcakton detyrimin për t’u përshtatur me rregullat themelore dhe procedurale të tij. Ajo kërkon më tepër që çdo privim nga liria të jetë në përputhje me qëllimet e Nenit 5, pikërisht për të mbrojtur individët nga arbitrariteti (shih Herczegfalvy kundër Austrisë, 24 shtator 1992, § 63, Seria A nr. 244). Për më tepër, ndalimi i një individi është një masë tepër e rëndë e cila justifikohet vetëm kur masat tjera më pak të rënda janë marrë në konsideratë dhe janë vlerësuar si të pamjaftueshme për të mbrojtur interesat individuale ose publike që mund të kërkojnë që personi i interesuar të ndalohet. Kjo do të thotë se nuk mjafton që privimi nga liria të jetë në përputhje me ligjin kombëtar, por duhet gjithashtu të jetë i nevojshëm për rrethanat (shih Witold Litwa kundër Polonisë, nr 26629/95, § 78, GJEDNJ 2000-III.).
144. Përveç kësaj, nën-paragrafët (a) deri tek (f) të nenit 5 § 1 përmbajnë një listë të plotë të shkaqeve të lejuara të privimit nga liria; një masë e tillë nuk do të jetë e ligjshme nëse ajo nuk përfshihet në një nga këto shkaqe (ibid., § 49, shih gjithashtu, në veçanti, Saadi kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 13229/03, § 43, 29 janar 2008, dhe Jendrowiak kundër Gjermanisë, nr 30060/04, § 31, 14 prill 2011).. .
145. Përsa i përket privimit nga liria të personave mendërisht të çekuilibruar, një individ nuk mund të privohet nga liria e tij si i "sëmurë mendërisht" nëse tri kushte minimale nuk plotësohen: së pari, duhet treguar në mënyrë të besueshme që ai është i sëmurë mendërisht, së dyti, çrregullimi mendor duhet të jetë i një lloji ose shkalle që e legjitimon ndalimin e detyrueshëm, së treti, vlefshmëria e ndalimit të justifikohet nga vazhdueshmëria e një çrregullimi të tillë (shih Winterwerp kundër Hollandës, 24 tetor 1979, § 39, Seria A nr. 33.; Shtukaturov, cituar më lart, § 114, dhe Varbanov, cituar më lart, § 45).
146. Sa për kushtin e dytë, ndalimi i një personi me çrregullime mendore mund të jetë i nevojshëm jo vetëm kur personi ka nevojë për ilaçe, terapi ose trajtim tjetër klinik për të kuruar ose lehtësuar gjendjen e tij, por edhe kur personi ka nevojë për kontroll dhe mbikëqyrje për ta parandaluar atë, për shembull, që t’i shkaktojë dëm vetes apo personave të tjerë (shih Hutchison Reid kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 50272/99, § 52, GJEDNJ 2003 IV).
147. Gjykata rithekson më tej se duhet të ketë një lidhje midis shkakut të privimit nga liria dhe vendit dhe kushteve të ndalimit. Në parim, "ndalimi" i një personi si një pacient me probleme mendore do të jetë "i ligjshëm" për qëllimet e Nenit 5 § 1 (e) vetëm nëse kryhet në një spital, klinikë apo institucion tjetër të përshtatshëm e të autorizuar për këtë qëllim (shih Ashingdane, cituar më lart, § 44, dhe Pankiewicz kundër Polonisë, nr. 34151/04, § § 42-45, 12 shkurt 2008). Megjithatë, në varësi të sa më sipër, neni 5 § 1 (e) nuk ka lidhje në parim me trajtimin ose kushtet e përshtatshme (shih Ashingdane, cituar më lart, § 44, dhe Hutchison Reid, cituar më lart, § 49).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin në fjalë
148. Në shqyrtimin nëse vendosja e kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras ishte e ligjshme sipas kuptimit të Nenit 5 § 1, Gjykata duhet të vlerësojë nëse masa në fjalë ishte në përputhje me legjislacionin e brendshëm, nëse ajo mbulohej nga një prej përjashtimeve të parashikuara në nënparagrafët (a) deri tek (f) të nenit 5 § 1 mbi mbrojtjen e lirisë personale, dhe, së fundi, nëse ajo justifikohej mbi bazën e një prej përjashtimeve.
149. Në bazë të instrumenteve përkatëse vendore (shih paragrafët 57-59 më lart), Gjykata vëren se legjislacioni bullgar e parashikon vendosjen në një institucion të përkujdesjes sociale si një masë mbrojtëse marrë me kërkesë të personit të interesuar dhe jo një masë detyruese urdhëruar mbi bazën e një prej shkaqeve të renditura në nën-paragrafët (a) deri tek (f) të nenit 5 § 1. Megjithatë, në rrethanat e veçanta të rastit konkret, masa në fjalë shkaktoi kufizime të rëndësishme të lirisë personale që arriti në një privim të lirisë pa marrë në konsideratë vullnetin e kërkuesit (shih paragrafët 121-132 më lart).
150. Lidhur me çështjen nëse u respektua procedura e parashikuar me ligj, Gjykata vëren së pari se sipas ligjit të brendshëm, kujdestari i një personi të cilit i mungon pjesërisht zotësia për të vepruar nuk është i autorizuar të ndërmarrë hapa ligjore në emër të atij personi. Çdo kontratë e hartuar në raste të tilla është e vlefshme vetëm kur nënshkruhet së bashku nga kujdestari dhe personi nën kujdestari të pjesshme (shih paragrafin 42 më sipër). Për rrjedhojë, Gjykata konkludon se vendimi i kujdestarit R.P. për të vendosur kërkuesin në një shtëpi për përkujdesjen sociale për persona me çrregullime mendore, pa marrë pëlqimin e tij paraprak, ishte i pavlefshëm sipas ligjit bullgar. Ky përfundim është në vetvete i mjaftueshëm për Gjykatën për të vendosur se privimi nga liria e kërkuesit ishte në kundërshtim me nenin 5.
151. Në çdo rast, Gjykata konsideron se kjo masë nuk ishte e ligjshme sipas kuptimit të Nenit 5 § 1 të Konventës pasi ajo nuk ishte e justifikuar në bazë të ndonjë nga nën-paragrafët (a) deri tek (f).
152. Kërkuesi pranoi se autoritetet kishin vepruar kryesisht në bazë të marrëveshjeve që rregullojnë asistencën sociale (shih paragrafin 134 më lart). Megjithatë, ai argumentoi se kufizimet e vëna arritën në një privim nga liria që nuk ishte parashikuar nga ndonjë prej përjashtimeve të parashikuara në nën-paragrafët (a) deri tek (f) të nenit 5 § 1 mbi mbrojtjen e lirisë personale. Qeveria pretendonte se vendosja e kërkuesit në shtëpi kishte për qëllim vetëm mbrojtjen e interesit të tij për të përfituar nga përkujdesja sociale (shih paragrafët 136-137 më sipër). Megjithatë, ajo deklaroi se nëse Gjykata vendos që Neni 5 § 1 është i zbatueshëm, masa në fjalë duhet të vlerësohet se është në përputhje me nën-paragrafin (e) duke pasur parasysh çrregullimin mendor të kërkuesit (shih paragrafin 138).
153. Gjykata vëren se kërkuesi kishte të drejtë të përfitonte nga asistenca sociale, pasi ai nuk kishte strehim dhe nuk ishte në gjendje për të punuar për shkak të sëmundjes së tij. Gjykata është e mendimit se, në rrethana të caktuara, mirëqenia e një personi me çrregullime mendore mund të jetë një faktor shtesë për t’u marrë në konsideratë, përveç dëshmive mjekësore, në vlerësimin nëse është e nevojshme të vendosësh një person në institucion apo jo. Megjithatë, nevoja objektive për strehim dhe ndihma sociale nuk duhet automatikisht të çojnë në marrjen e masave që përfshijnë privimin nga liria. Gjykata konsideron se çdo masë mbrojtëse duhet të pasqyrojë sa më shumë të jetë e mundur dëshirat e personave të aftë për të shprehur vullnetin e tyre. Mungesa e marrjes së mendimit të tyre mund të çojë në situata abuzimi dhe që pengojnë ushtrimin e të drejtave të personave të dobët. Prandaj, çdo masë e marrë pa konsultimin paraprak të personit të interesuar, si rregull kërkon një shqyrtim të kujdesshëm.
154. Gjykata mund të pranojë se vendosja e kërkuesit në shtëpi ishte pasojë e drejtpërdrejtë e gjendjes së shëndetit të tij mendor, e shpalljes së pazotësisë së pjesshme për të vepruar dhe vendosjes së tij nën kujdestari të pjesshme. Gjashtë ditë pasi u emërua si kujdestare e kërkuesit, znj. R.P., pa e njohur ose takuar atë, vendosi në bazë të dosjes t’u kërkonte shërbimeve sociale për ta vendosur atë në një shtëpi për njerëzit me çrregullime mendore. Shërbimet sociale, nga ana e tyre, duke iu referuar gjithashtu shëndetit mendor të kërkuesit e pranuan kërkesën. Është e qartë për Gjykatën se në qoftë se kërkuesi nuk do të kishte qenë i privuar nga zotësia juridike për shkak të çrregullimit mendor të tij, ai nuk do të kishte qenë i privuar nga liria. Kështu, rasti në fjalë duhet të shqyrtohet në bazë të nën-paragrafit (e) të nenit 5 § 1.
155. Mbetet për t’u përcaktuar nëse vendosja e kërkuesit në shtëpi plotësonte kërkesat e përcaktuara në jurisprudencën e Gjykatës në lidhje me ndalimin e personave me çrregullime mendore (shih parimet e përshkruara në paragrafin 145 më lart). Në lidhje me këtë, Gjykata rithekson se në përcaktimin nëse një individ duhet të ndalohet si një "person i sëmurë mendërisht", autoriteteve kombëtare u duhet lënë një liri veprimi e caktuar, pasi ato janë të parat që vlerësojnë provat e paraqitura para tyre në një rast të veçantë; detyra e Gjykatës është që të shqyrtojë, në bazë të Konventës, vendimet e këtyre autoriteteve (shih Winterwerp, cituar më lart, § 40, dhe Luberti kundër Italisë, 23 shkurt 1984, § 27, Seria A nr. 75. ).
156. Në këtë rast është e vërtetë se raporti mjekësor i ekspertëve prodhuar gjatë procedurës për heqjen e zotësisë juridike të kërkuesit u referohej çrregullimeve nga të cilat ai vuante. Megjithatë, shqyrtimi përkatës u bë para nëntorit 2000, ndërkohë që kërkuesi u vendos në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras më 10 dhjetor 2002 (shih paragrafët 10 dhe 14 më lart). Më shumë se dy vjet kaluan nga vlerësimi psikiatrik i ekspertëve mbështetur nga ana e autoriteteve dhe vendosjes së kërkuesit në shtëpi, kohë gjatë së cilës kujdestari i tij nuk kishte kontrolluar nëse kishte pasur ndonjë ndryshim në gjendjen e tij dhe nuk e kishte takuar ose konsultuar atë. Ndryshe nga Qeveria (shih paragrafin 138 më sipër), Gjykata vlerëson se kjo periudhë është e tepruar dhe se një opinion mjekësor i dhënë në vitin 2000 nuk mund të konsiderohet si një pasqyrim i besueshëm i gjendjes së shëndetit të kërkuesit në kohën e vendosjes së tij. Duhet gjithashtu të theksohet se autoritetet kombëtare nuk ishin nën ndonjë detyrim ligjor për të urdhëruar një raport psikiatrik në kohën e vendosjes. Qeveria shpjegoi në lidhje me këtë se dispozitat e zbatueshme ishin ato të Ligjit mbi Asistencën Sociale dhe jo ato të Ligjit mbi Shëndetin (shih paragrafët 57-60 dhe 137 më lart). Megjithatë, sipas mendimit të Gjykatës, mungesa e një vlerësimi mjekësor të përditësuar do të ishte e mjaftueshme për të arritur në përfundimin se vendosja e kërkuesit në shtëpi nuk ishte e ligjshme siç e kërkon neni 5 § 1 (e).
157. Në një konsideratë plotësuese, Gjykata vëren se as kërkesat e tjera të nenit 5 § 1 (e) nuk ishin plotësuar në rastin në fjalë. Përsa i përket nevojës për të justifikuar vendosjen me ashpërsinë e çrregullimit, ajo vë në dukje se qëllimi i raportit mjekësor të vitit 2000 nuk ishte për të shqyrtuar nëse gjendja shëndetësore e kërkuesit kërkonte vendosjen e tij në një shtëpi për njerëzit me çrregullime mendore, por vetëm për të përcaktuar çështjen e mbrojtjes së tij ligjore. Ndërsa është e vërtetë që neni 5 § 1 (e) autorizon ndalimin e një personi që vuan nga një çrregullim mendor, edhe aty ku trajtimi mjekësor nuk është domosdoshmërisht i parashikuar (shih Hutchison Reid, cituar më lart, § 52), një masë e tillë duhet të arsyetohet siç duhet nga gjendja e rëndë e personit për të siguruar mbrojtjen e tij apo të saj ose të të tjerëve. Në rastin në fjalë, nuk ishte përcaktuar se kërkuesi përbënte një rrezik për veten ose të tjerët, për shembull për shkak të gjendjes së tij psikiatrike, deklarimet e thjeshta nga dëshmitarë të caktuar që ai bëhej agresiv, kur pinte (shih paragrafin 10 më lart ) nuk mund të mjaftonin për këtë qëllim. Autoritetet nuk kishin raportuar ndonjë akt dhune nga ana e kërkuesit gjatë kohës së qendrimit në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras.
158. Gjykata vëren gjithashtu mangësitë në vlerësimin nëse çrregullimet që justifikuan ndalimin e kërkuesit vazhdojnë ende. Edhe pse ai ishte nën mbikëqyrjen e një psikiatri (shih paragrafin 31 më sipër), qëllimi i mbikëqyrjes nuk ishte që të siguronte një vlerësim në intervale të rregullta për të parë nëse ishte ende e nevojshme mbajtja e tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras për qëllimet e Nenit 5 § 1 (e). Në të vërtetë, asnjë dispozitë nuk e parashikonte një vlerësim të tillë sipas legjislacionit përkatës.
159. Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata vëren se vendosja e kërkuesit në shtëpi nuk ishte urdhëruar "në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj" dhe se privimi i tij nga liria nuk justifikohej nga nën-paragrafi (e) i nenit 5 § 1. Për më tepër, Qeveria nuk tregoi ndonjë nga shkaqet e tjera të renditura në nënparagrafët (a) deri tek (f), që mund të justifikonte privimin nga liria në rastin në fjalë.
160. Prandaj, ka pasur shkelje të Nenit 5 § 1.
II.PRETENDIMI PER SHKELJEN E NENIT 5 § 4 TË KONVENTËS
161. Kërkuesi u ankua se ai nuk kishte pasur mundësi që t’i kërkonte një gjykate të shqyrtonte ligjshmërinë e vendosjes së tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras. Ai u mbështet në nenin 5 § 4 të Konventës, i cili parashikon:
" 4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm."
A.Parashtresat e palëve
1. Kërkuesi
162. Kërkuesi parashtroi se ligji vendas nuk siguronte mjete specifike në lidhje me situatën e tij, të tilla si rishikimi periodik gjyqësor i ligjshmërisë së vendosjes së tij në një shtëpi për njerëzit me çrregullime mendore. Ai shtoi se, pasi ai u konsiderua i paaftë për të ndërmarrë veprime ligjore, ligji vendas nuk i jepte atij mundësinë e paraqitjes së një kërkese pranë një gjykate për tu larguar nga shtëpia e përkujdesjes sociale të Pastras. Ai deklaroi gjithashtu se nuk kishte qenë në gjendje të kërkonte ndërprerjen e marrëveshjes së vendosjes për shkak të konfliktit të interesave me kujdestarin e tij, i cili në të njëjtën kohë ishte dhe drejtori i shtëpisë.
163. Kërkuesi më tej vuri në dukje se ai nuk ishte lejuar të kërkonte para gjykatave fillimin e procedurës së parashikuar në nenin 277 të KPP-së (shih paragrafin 51 më lart) dhe që, për më tepër, një veprim i tillë nuk do të kishte çuar në një rishikim të ligjshmërisë së privimit të tij nga liria, por vetëm për një rishikim të kushteve që justifikonin kujdestarinë e pjesshme në rastin e tij.
164. Ai më tej parashtroi se procedura e parashikuar në nenet 113 dhe 115 të Kodit të Familjes (shih paragrafët 49-50 më lart) në teori u njihte të afërmve të tij të ngushtë të drejtën t’i kërkonin kryetarit të bashkisë zëvendësimin e kujdestarit apo detyrimin për të ndërprerë marrëveshjen e vendosjes. Sidoqoftë, ky ishte një mjet jo i drejtpërdrejtë tek i cili nuk kishte patur akses, pasi gjysmë-motra e tij dhe gruaja e dytë e babait të tij nuk kishin qenë të gatshme të fillonin një procedurë të tillë.
2. Qeveria
165. Qeveria parashtroi se, përderisa qëllimi i vendosjes së kërkuesit në shtëpi kishte qenë ofrimi i shërbimeve sociale, ai mund të kishte kërkuar në çdo kohë përfundimin e marrëveshjes së vendosjes pa qenë nevoja e përfshirjes së gjykatave. Në argumentet e tyre, për aq sa kërkuesi pretendonte se kishte konflikt interesash me kujdestarin e tij, ai mund të ishte mbështetur në nenin 123, paragrafi 1, i KF (shih paragrafin 50 më lart) dhe t’i kërkonte autoritetit të kujdestarisë të emëronte një përfaqësues ad hoc, i cili më pas mund të kishte dhënë pëlqimin për një ndryshim të rezidencës së përhershme.
166. Qeveria më tej pohoi se të afërmit e kërkuesit nuk e kishin përdorur mundësinë e parashikuar në nenet 113 dhe 115 të KF për zëvendësimin e kujdestarit të tij apo kundërshtimin e hapave të marra nga ky i fundit. Ajo shtoi se në rast refuzimi, të afërmit e tij mund të ishin ankuar në gjykatë, e cila do ta kishte shqyrtuar çështjen në themel dhe, nëse do të ishte e përshtatshme, do të emëronte një kujdestar të ri, i cili më pas mund të kishte ndërprerë marrëveshjen e vendosjes. Kjo, në argumentet e Qeverisë, do t’u kishte mundësuar atyre të kundërshtonin në thelb marrëveshjen e nënshkruar mes zonjës R.P. dhe shtëpisë së përkujdesjes sociale të Pastras.
167. Së fundi, Qeveria parashtroi se një procedurë për rivendosjen e zotësisë për të vepruar (sipas nenit 277 të KPP-së - shih paragrafin 51 më lart) përbënte një mjet efektiv për qëllimet e Nenit 5 § 4 që pasi, nëse do të ishte vënë re një përmirësim i mjaftueshëm i shëndetit të kërkuesit dhe ai do të ishte liruar nga kujdestaria, ai do të kishte qenë i lirë të largohej nga shtëpia.
B. Vlerësimi i Gjykatës
Parime të përgjithshme
168. Gjykata përsërit se neni 5 § 4 u jep të drejtën personave të ndaluar të fillojnë procedurën për shqyrtimin e pajtueshmërisë të privimit të tyre nga liria me kushtet procedurale dhe substanciale që janë thelbësore për "ligjshmërinë" në kuptimin e Konventës. Nocioni i "ligjshmërisë" sipas paragrafit 4 të nenit 5 ka të njëjtin kuptim si në paragrafin 1, kështu që një person i ndaluar ka të drejtë për një rishikim të “ligjshmërisë " së ndalimit të tij nën dritën jo vetëm të kërkesave të ligjit të brendshëm por edhe të Konventës, parimeve të përgjithshme të mishëruara aty dhe qëllimit të kufizimeve të lejuara nga neni 5 § 1. Neni 5 § 4 nuk garanton të drejtën e rishqyrtimit gjyqësor në përmasa të tilla që të fuqizojë gjykatën kompetente për të zëvendësuar në të gjitha aspektet e çështjes vlerësimin e autoritetit vendimmarrës me vlerësimin e saj. Megjithatë kontrolli duhet te jetë aq i gjerë sa të mbulojë secilin prej kushteve të domosdoshme për një ndalim të "ligjshëm" të një personi sipas nenit 5 (shih E. kundër Norvegjisë, 29 gusht 1990, § 50, Seria A nr . 181-A). "Gjykata" rishikuese nuk duhet të ketë funksione thjesht këshillimore, por duhet të ketë kompetencën për të "vendosur" mbi "ligjshmërinë" e ndalimit dhe të urdhërojë lirimin nëse ndalimi është i paligjshëm (shih Irlanda kundër Mbretërisë së Bashkuar, 18 janar 1978, § 200, Seria A nr 25;. Weeks kundër Mbretërisë së Bashkuar, 2 mars 1987, § 61, Seria A nr 114;. Chahal kundër Mbretërisë së Bashkuar, 15 nëntor 1996, § 130, Raporte të vendimeve 1996-V; dhe A. dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 3455/05, § 202, 19 shkurt 2009).
169. Format e shqyrtimit gjyqësor që plotësojnë kërkesat e nenit 5 § 4 mund të ndryshojnë nga një sferë në tjetrën dhe varen nga lloji i privimit të lirisë në fjalë. Nuk është detyrë e Gjykatës të hetojë se cili do të ishte sistemi më i përshtatshëm në lëndën në shqyrtim (shih Shtukaturov, cituar më lart, § 123).
170. Megjithatë, neni 5 § 4 garanton një mjet që duhet të jetë në dispozicion të personit në fjalë dhe duhet të parashikojë mundësinë e shqyrtimit të përputhshmërisë me kushtet që duhen plotësuar me qëllim që ndalimi i një personi të sëmurë mendërisht të konsiderohet si "i ligjshëm" sipas nenit 5 § 1 (e) (shih Ashingdane, cituar më lart, § 52). Kërkesat e Konventës për një kontroll të pavarur gjyqësor në rastin e një privimi nga liria marrin një rëndësi themelore në kontekstin e nenit 5 të Konventës për të siguruar mbrojtje kundër arbitraritetit. Ajo që është në rrezik është mbrojtja e lirisë fizike të individëve dhe siguria e tyre personale (shih Varbanov, cituar më lart, § 58). Në rastin e ndalimit për shkak të sëmundjes mendore, mund të kërkohen garanci të veçanta procedurale që të mbrohen interesat e personave që, për shkak të aftësive mendore të kufizuara, nuk janë plotësisht të aftë për të vepruar për veten e tyre (shih, midis autoriteteve të tjera , Winterwerp, cituar më lart, § 60).
171. Parimet e jurisprudencës së Gjykatës në lidhje me nenin 5 § 4 për "personat e sëmurë mendërisht" janë si më poshtë:
(a) në ato raste kur nuk ka një shqyrtim automatik, të rregullt e gjyqësor, një person i ndaluar për një periudhë të pacaktuar ose të gjatë kohore gëzon, në parim, të drejtën të ndërmarrë procedura “në intervale të arsyeshme kohore” para një gjykate, për të kundërshtuar “ligjshmërinë” e ndalimit të tij sipas kuptimit të Konventës;
(b) Neni 5 § 4 kërkon që procedura e ndjekur të ketë një karakter gjyqësor dhe të ofrojë garancitë individuale përkatëse të përshtatshme për llojin e privimit nga liria. Në mënyrë që të përcaktohet nëse procedura ofron garanci të mjaftueshme duhet të mbahet parasysh natyra e veçantë e rrethanave në të cilat ajo zhvillohet;
(c) procedurat gjyqësore të përmendura në nenin 5 § 4 nuk duhet të jenë gjithmonë të shoqëruara nga të njëjtat garanci si ato që kërkohen nga neni 6 § 1 për mosmarrëveshjet civile apo penale. Megjithatë, është e domosdoshme që personi i interesuar të ketë akses në një gjykatë dhe mundësi që të dëgjohet personalisht ose, kur është e nevojshme, nëpërmjet përfaqësimit (shih Megyeri kundër Gjermanisë, 12 maj 1992, § 22, Seria A nr. 237-A).
2. Zbatimi i këtyre parimeve në rastin konkret
172. Gjykata vëren se Qeveria nuk ka ofruar ndonjë mjet të brendshëm që do të mund t’i jepte kërkuesit mundësi të drejtpërdrejtë për të kundërshtuar ligjshmërinë e vendosjes së tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras dhe zbatimin e vazhdueshëm të asaj mase. Gjithashtu, Gjykata vëren se gjykatat bullgare nuk janë përfshirë në asnjë moment dhe në asnjë formë në vendosjen e tij atje dhe legjislacioni i brendshëm nuk parashikon automatikisht shqyrtimin të vendosjes në shtëpitë për personat me çrregullime mendore. Më tej, meqenëse vendosja e kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale nuk konsiderohet nga ligjet bullgare si privim nga liria (shih paragrafin 58 më lart), nuk ka asnjë dispozitë që parashikon mjete ligjore përmes të cilave të kundërshtohet ligjshmëria e saj për sa i përket privimit të lirisë. Përveç kësaj, Gjykata vëren që, duke pasur parasysh praktikën e gjykatave vendase, vlefshmëria e marrëveshjes së vendosjes mund të ishte kundërshtuar mbi bazën e mungesës së miratimit vetëm me iniciativën e kujdestarit (shih paragrafin 54 më lart).
173. Për sa i përket referencës së Qeverisë tek procedura për rivendosjen e zotësisë për të vepruar sipas Nenit 277 të Kodit të Procedurës Penale (KPP) (shih paragrafin 167 më lart), Gjykata vëren se qëllimi i kësaj procedure nuk është shqyrtimi i ligjshmërisë së vendosjes së kërkuesit per se, por vetëm rishikimi i statusit të tij ligjor (shih paragrafët 233-246 më lart). Gjithashtu, Qeveria iu referua procedurave për shqyrtimin e hapave të marrë nga kujdestari (shih paragrafët 165-166 më lart). Gjykata e konsideron të nevojshme të përcaktohet nëse këto mjete do të kishin çuar drejt një shqyrtimi gjyqësor të ligjshmërisë së vendosjes siç kërkohet nga Neni 5 § 4.
174. Në lidhje me këtë, ajo vëren se Kodi i Familjes i vitit 1985 u jepte të drejtën familjarëve të afërt të një personi nën kujdestari të pjesshme që të kundërshtonin vendimet e autoritetit të kujdestarisë, i cilit, nga ana tjetër, duhej të shqyrtonte hapat e marrë nga kujdestari – përfshirë edhe marrëveshjen për vendosje – dhe ta zëvendësonte këtë të fundit në rast të moszbatimit të detyrave të tij/saj (shih paragrafët 48-50 më lart). Megjithatë, Gjykata vëren se kërkuesi nuk kishte akses të drejtpërdrejtë në ato mjete. Për më tepër, asnjë nga personat e caktuar parimisht për përdorimin e tyre nuk shprehu ndonjë qëllim për të vepruar në interes të Z. Stanev dhe, ai vetë, nuk kishte mundësi të vepronte me iniciativën e tij pa miratimin e tyre.
175. Është e paqartë nëse kërkuesi do të mund t’i kishte kërkuar kryetarit të bashkisë të kërkonte shpjegime nga kujdestari apo të pezullonte zbatimin e marrëveshjes për vendosje mbi bazën e pavlefshmërisë së saj. Sidoqoftë, duket se, meqenëse ai ishte privuar pjesërisht nga zotësia për të vepruar, ligji atij nuk i lejonte të paraqiste kërkesë para gjykatave për të kundërshtuar hapat e marrë nga kryetari i bashkisë (shih paragrafin 49 më lart); kjo nuk u kundërshtua nga Qeveria.
176. I njëjti përfundim nxirret edhe për sa i përket mundësisë që kërkuesi kishte për t’i kërkuar kryetarit të bashkisë zëvendësimin e përkohshëm të kujdestarit të tij me një përfaqësues ad hoc për shkak të një konflikti të supozuar interesash dhe, më pas, të kërkonte ndërprerjen e marrëveshjes për vendosjen e tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale. Në këtë pikë, Gjykata vëren se kryetari i bashkisë e ka mundësinë që të përcaktojë nëse ka konflikt interesash (shih paragrafin 50 më lart). Së fundi, nuk duket që kërkuesi ka pasur mundësi t’u kërkonte gjykatave një rishikim të themelit në rast refuzimi nga kryetari i bashkisë për të ndërmarrë një veprim të tillë.
177. Prandaj Gjykata arrin në përfundimin që mjetet të cilave u referohet Qeveria ishin ose të padisponueshme për kërkuesin, ose të natyrës jo-ligjore. Për më tepër, asnjë prej tyre nuk mund të rezultojë në një shqyrtim të drejtpërdrejtë të ligjshmërisë së vendosjes së kërkuesit në shtëpinë e Pastras, sipas ligjit të brendshëm dhe Konventës.
178. Duke pasur parasysh këto konsiderata, Gjykata e rrëzon kundërshtimin e Qeverisë për shterimin e mjeteve ligjore të brendshme (shih paragrafët 97-99) dhe vendos se ka pasur shkelje të Nenit 5 § 4 të Konventës.
III. PRETENDIMI PËR SHKELJEN E NENIT 5 § 5 TË KONVENTËS
179. Kërkuesi deklaroi që atij nuk i ishte lejuar kompensimi për shkeljet e pretenduara të të drejtave të tij të mbrojtura nga Neni 5 §§ 1 dhe 4 i Konventës.
Ai u mbështet në Nenin 5 § 5, i cili parashikon:
“Çdo person, që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, ka të drejtën e dëmshpërblimit.”
Parashtresat e palëve
180. Kërkuesi deklaroi që rrethanat në të cilat një ndalim i paligjshëm do të mund të rezultonte në kompensim ishin renditur në mënyrë të plotë në Ligjin mbi Përgjegjësinë Shtetërore për Dëmet të vitit 1988 (shih paragrafët 62-67 më lart) dhe që situata e tij nuk mbulohej (parashikohej) nga asnjë prej tyre. Më tej, ai u ankua se nuk kishte pasur mjete ligjore mbi bazën e të cilave do të mund të kërkohej kompensim për shkak të shkeljes së Nenit 5 § 4.
181. Qeveria u shpreh se procedura e kompensimit sipas Ligjit të vitit 1988 do të kishte mundur të fillohej nëse vendosja e kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale do të ishte vlerësuar si pa bazë ligjore. Meqenëse vendosja është gjetur të ishte në përputhje me ligjin e brendshëm dhe me interesat e tij, ai nuk kishte mundur të fillonte procedurën në fjalë.
B. Vlerësimi i Gjykatës
182. Gjykata përsërit që Neni 5 § 5 respektohet atëherë kur është e mundur të kërkohet kompensim kundrejt privimit nga liria të kryer në kundërshtim me paragrafët 1, 2, 3 apo 4 (shih Wassink kundër Hollandës, 27 shtator 1990, § 38, Seria A nr. 185-A, dhe Houtman dhe Meeus kundër Belgjikës, nr. 22945/07, § 43, 17 mars 2009). Kështu, e drejta për kompensim që parashtrohet në paragrafin 5 presupozon konstatimin e shkeljes së njërit nga paragrafët e tjerë ose nga një autoritet vendor, ose nga institucionet e Konventës. Në lidhje me këtë, gëzimi efektiv i të drejtës për kompensim që garantohet nga Neni 5 § 5 duhet të sigurohet në nivel të mjaftueshëm (shih Ciulla kundër Italisë, 22 shkurt 1989, § 44, Seria A nr. 148; Sakık dhe Të Tjerë kundër Turqisë, 26 nëntor 1997, § 60, Raporte 1997-VII; dhe N.C. kundër Italisë [GC], nr. 24952/94, § 49, KEDNJ 2002‑X).
183. Duke iu rikthyer çështjes në fjalë, Gjykata vëren se, duke pasur parasysh shkeljen e paragrafëve 1 dhe 4 të Nenit 5, paragrafi 5 është i zbatueshëm. Prandaj, ajo duhet të sigurohet nëse para këtij vendimi kërkuesi ka pasur të drejtën e detyrueshme në nivel vendor për kompensim dëmesh, apo nëse ai do ta ketë një të drejtë të tillë pas miratimit të këtij vendimi.
184. Lidhur me këtë, Gjykata përsërit që, për të gjetur shkelje të Nenit 5 § 5, ajo duhet të konstatojë që gjetja e shkeljeve të njërit prej paragrafëve të tjerë të Nenit 5 nuk mund të rezultonte, si përpara ashtu edhe pas vendimit të Gjykatës, në një pretendim për kompensim para gjykatave vendase (shih Brogan dhe Të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, 29 nëntor 1988, §§ 66-67, Seria A nr. 145‑B).
185. Duke pasur parasysh praktikën gjyqësore të cituar më lart, Gjykata konsideron se së pari duhet të përcaktohet nëse shkelja e Nenit 5 §§ 1 dhe 4 e konstatuar në rastin konkret do të mund të kishte rezultuar, para shpalljes së këtij vendimi, në të drejtën e kompensimit para gjykatave vendase.
186. Për sa i përket shkeljes së Nenit 5 § 1, Gjykata vëren se neni 2(1) i Ligjit mbi Përgjegjësinë Shtetërore për Dëmet i vitit 1988 parashikon kompensim për dëmet që rezultojnë nga një vendim gjyqësor që urdhëron disa lloje të caktuara të ndalimit kur vendimi vlerësohet si ligjërisht i pabazë (shih paragrafin 62 më lart). Megjithatë, në këtë rast nuk ka ndodhur kështu. Nga dosja duket se autoritetet gjyqësore bullgare në asnjë moment nuk e kanë gjetur masën të paligjshme apo në shkelje të Nenit 5 të Konventës. Për më tepër, argumentimi nga ana e Qeverisë ishte që vendosja e kërkuesit në shtëpinë e Pastras ishte në përputhje me ligjin vendor. Prandaj Gjykata arrin në përfundimin që kërkuesi nuk ka pasur mundësi të pretendonte asnjë kompensim sipas dispozitës së lartpërmendur në mungesë të njohjes nga autoritetet kombëtare të faktit që vendosja ishte e paligjshme.
187. Për sa i përket mundësisë sipas nenit 1 të ligjit në fjalë, të kërkimit të kompensimit për dëme që kanë rezultuar nga veprimet e paligjshme të autoriteteve (shih paragrafin 63 më lart), Gjykata vëren se Qeveria nuk ka paraqitur asnjë vendim të brendshëm që tregon se dispozita është e zbatueshme në rastet që kanë të bëjnë me vendosjen e personave me çrregullime mendore në shtëpitë e përkujdesjes sociale mbi bazën e marrëveshjeve të të drejtës civile.
188. Më tej, meqenëse ligji bullgar nuk parashikonte asnjë mundësi ligjore përmes së cilës të shqyrtohej ligjshmëria e vendosjes, kërkuesi nuk do të mund të kishte përdorur përgjegjësinë shtetërore si bazë për marrjen e kompensimit për shkelje të Nenit 5 § 4.
189. Atëherë ngrihet pyetja nëse vendimi në rastin konkret, ku janë gjetur shkelje të paragrafëve 1 dhe 4 të Nenit 5, do t’i lejojë kërkuesit që të kërkojë kompensim sipas ligjit bullgar. Gjykata vëren se, nga legjislacioni përkatës, nuk duket të ketë ndonjë mundësi të tillë; dhe, në fakt, as Qeveria nuk ka paraqitur ndonjë argument për të vërtetuar të kundërtën.
190. Kështu, nuk është vërtetuar që kërkuesi ka pasur mundësi të shfrytëzonte, para vendimit të Gjykatës në rastin konkret, e as nuk është treguar që ai do të ketë mundësi të shfrytëzojë pas shpalljes së vendimit, të drejtën e kompensimit për shkeljen e Nenit 5 §§ 1 dhe 4.
190. Prandaj ka pasur shkelje të Nenit 5 § 5.
IV. PRETENDIMET PER SHKELJEN E NENIT 3 TË KONVENTËS, I MARRË MË VETE DHE NË LIDHJE ME NENIN 13
192. Kërkuesi ankohej se kushtet e jetesës në shtëpinë e Pastras ishin të këqija dhe se ligji bullgar nuk parashikonte mjete ligjore efektive për një ankesë të tillë. Ai u mbështet në Nenin 3 të marrë më vete dhe në lidhje me Nenin 13 të Konventës. Këto dispozita thonë si vijon:
Neni 3
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
Neni 13
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e njohura në këtë Konventë, ka të drejtë të bëjë ankim efektiv tek një organ i vendit të tij, edhe kur shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
Kundërshtimi paraprak për mosshterimin e mjeteve të brendshme ligjore
193. Në deklaratën e saj para Dhomës së Madhe Qeveria për herë të parë pretendoi mosshterimit e mjeteve ligjore të brendshme për sa i përket kërkesës sipas nenit 3 të Konventës. Ajo parashtroi se kërkuesi do të mund të kishte marrë kompensim për kushtet e jetesës në shtëpinë e përkujdesjes sociale duke hapur procedurën sipas Ligjit mbi Përgjegjësinë Shtetërore për Dëmet të vitit 1988.
194. Gjykata thekson që, në përputhje me nenin 55 të Rregullores së Gjykatës, çdo kërkesë për papranueshmëri, për aq sa lejojnë natyra dhe rrethanat e saj, duhet të ngrihet nga Pala Kontraktuese përgjegjëse në konstatimet e saj me shkrim ose në formë verbale lidhur me pranueshmërinë e ankimit (shih N.C. kundër Italisë, cituar më lart, § 44). Kur një pretendim për mosshterimin e mjeteve vendase ngrihet jashtë afateve, sipas nenit 55, pretendimi rrjedhimisht duhet të rrëzohet (shih Velikova kundër Bullgarisë, nr. 41488/98, § 57, KEDNJ 2000‑VI, dhe Tanrıbilir kundër Turqisë, nr. 21422/93, § 59, 16 nëntor 2000).
195. Në rastin konkret, Qeveria nuk ka cituar rrethana që justifikojnë mosngritjen e pretendimit në fjalë në kohën e shqyrtimit të pranueshmërisë së çështjes nga Dhoma.
196. Duke marrë parasysh këtë, Gjykata vëren se Qeveria është jashtë afatit për të ngritur një pretendim të tillë, i cili rrjedhimisht duhet rrëzuar.
Themeli i ankesës sipas Nenit 3 të Konventës
Parashtrimet e palëve
197. Kërkuesi parashtroi që kushtet e varfra të jetesës në shtëpinë e Pastras, veçanërisht ushqimi i pamjaftueshëm, kushtet e mjerueshme sanitare, mungesa e ngrohjes, trajtimi i detyruar mjekësor, dhomat e gjumit më të ngarkuara sesa duhet dhe mungesa e aktiviteteve terapeutike dhe kulturore, përbëjnë një trajtim të ndaluar sipas nenit 3.
198. Ai vërejti se Qeveria kishte njohur në vitin 2004 faktin që këto kushte jetese nuk ishin në përputhje me standardet e duhura evropiane dhe kishte marrë përsipër të bënte përmirësime (shih paragrafin 82 më lart). Megjithatë, kushtet kishin mbetur të pandryshuara, të paktën deri nga fundi i vitit 2009.
199. Në konstatimet e saj para Dhomës, Qeveria i njohu mangësitë e kushteve të jetesës në shtëpinë e përkujdesjes sociale. Ajo shpjegoi që burimet e pamjaftueshme financiare të caktuara për institucione të këtij lloji përbënin pengesën kryesore për mospërmbushjen e standardit minimal të jetesës. Gjithashtu, Qeveria deklaroi që, pas një inspektimi nga Agjencia e Asistencës Sociale, autoritetet kishin vendosur ta mbyllnin shtëpinë e Pastras dhe të merrnin masa për përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e saj. Në parashtrimin e Qeverisë, meqenëse kushtet e jetesës ishin të njëjta për të gjithë banorët e shtëpisë dhe nuk kishte pasur qëllime keqtrajtimi, kërkuesi nuk i ishte nënshtruar trajtimit çnjerëzor.
200. Para Dhomës së Madhe Qeveria deklaroi që punimet për rinovime ishin zhvilluar nga fundi i vitit 2009 në pjesën e shtëpisë ku banonte kërkuesi (shih paragrafin 24 më lart).
Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
201. Neni 3 mishëron një nga vlerat themelore të shoqërisë demokratike. Ai ndalon në mënyrë absolute torturën apo trajtimin ose dënimin çnjerëzor apo poshtërues, pavarësisht nga rrethanat dhe sjellja e viktimës (shih, mes autoriteteve të tjera, Kudła kundër Polonisë [GC], nr. 30210/96, § 90, KEDNJ 2000-XI, dhe Poltoratskiy kundër Ukrainës, nr. 38812/97, § 130, KEDNJ 2003‑V).
202. Keqtrajtimi duhet të arrijë një shkallë minimale rreptësie që të shqyrtohet sipas nenit 3. Vlerësimi i këtij minimumi, sipas natyrës së gjërave, është relativ; ai varet nga të gjitha rrethanat e çështjes, siç është natyra dhe konteksti i trajtimit, mënyra dhe metoda e ekzekutimit të tij, kohëzgjatja, pasojat e tij fizike ose mendore, dhe, në disa raste, gjinia, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës (shih Kudla, cituar më lart, § 91, dhe Poltoratskiy, cituar më lart, § 131).
203. Trajtimi është cilësuar “çnjerëzor” nga Gjykata sepse, inter alia, ai ka qenë me paramendim, është zbatuar për orë të tëra në vazhdimësi dhe ka shkaktuar ose lëndime trupore ose vuajtje intensive fizike ose mendore (shih Labita kundër Italisë [GC], nr. 26772/95, § 120, KEDNJ 2000‑IV). Trajtimi është konsideruar “poshtërues” kur ishte i atillë që shkaktonte tek viktimat ndjenja frike, ankthi dhe inferioriteti me aftësinë që t’i fyenin dhe poshtëronin ato dhe me gjasë të thyenin rezistencën e tyre fizike ose morale apo t’i shtynin ato që të vepronin kundër vullnetit apo ndërgjegjes së tyre (shih Jalloh kundër Gjermanisë [GC], nr. 54810/00, § 68, KEDNJ 2006‑IX). Në lidhje me këtë, nëse një trajtim i tillë kishte për qëllim fyerjen apo përuljen e viktimës, ky është një faktor që vlen të merret parasysh, megjithëse mungesa e një qëllimi të tillë nuk çon në mënyrë të pashmangshme drejt gjetjes që nuk ka pasur shkelje të Nenit 3 (shih Peers kundër Greqisë, nr. 28524/95, §§ 67, 68 dhe 74, KEDNJ 2001-III, dhe Kalashnikov kundër Rusisë, nr. 47095/99, § 95, KEDNJ 2002-VI).
204. Vuajtjet dhe poshtërimi, sidoqoftë, duhet të shkojnë përtej elementit të paevitueshëm të vuajtjes apo poshtërimit që janë pjesë e një forme të caktuar të trajtimit apo dënimit legjitim. Masat që privojnë një person nga liria shpesh mund ta përfshijnë një element të tillë. Megjithatë, nuk mund të thuhet që privimi i lirisë në vetvete ngre një çështje sipas nenit 3. Pavarësisht nga kjo, sipas atij neni, Shteti duhet të sigurojë që një person të ndalohet në kushte të cilat janë në përputhje me respektin për dinjitetin njerëzor, që mënyra dhe metoda e ekzekutimit të masës nuk bën që personi në fjalë t’u nënshtrohet mjerimit apo vështirësive të një shkalle të tillë që e kalon nivelin e pashmangshëm të vuajtjes që shkakton ndalimi dhe që, duke pasur parasysh kërkesat praktike të burgimit, shëndeti dhe mirëqenia e tij të sigurohen si duhet, mes të tjerash, duke i siguruar atij ndihmën e duhur mjekësore (shih Kudla, cituar më lart, §§ 92-94).
205. Në vlerësimin e kushteve të privimit të lirisë sipas nenit 3 të Konventës, duhet të merren parasysh efektet e tyre kumulative dhe kohëzgjatja e masës në fjalë (shih Kalashnikov, cituar më lart, §§ 95 dhe 102; Kehayov kundër Bullgarisë, nr. 41035/98, § 64, 18 janar 2005; dhe Iovchev kundër Bullgarisë, nr. 41211/98, § 127, 2 shkurt 2006). Në lidhje me këtë, një faktor i rëndësishëm që duhet pasur parasysh, krahas kushteve materiale, është regjimi i ndalimit. Gjatë vlerësimit nëse një regjim kufizues mund të përbëjë trajtim në kundërshtim me nenin 3 në një rast të dhënë, duhet të merren parasysh kushtet e veçanta, rreptësia e regjimit, kohëzgjatja e tij, objektivi i synuar dhe pasojat e tij mbi personin në fjalë (shih Kehayov, cituar më lart, § 65).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin konkret
206. Në rastin konkret Gjykata ka gjetur që vendosja e kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale të Pastras – një situatë për të cilën duhen mbajtur përgjegjëse autoritetet vendase – përbën privim të lirisë në kuptim të nenit 5 të Konventës (shih paragrafin 132 më lart). Rrjedh që neni 3 është i zbatueshëm në situatën e kërkuesit, duke parë që ai ndalon trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues të cilitdo nën kujdesin e autoriteteve. Gjykata thekson që ndalimi i keqtrajtimit sipas nenit 3 zbatohet njësoj ndaj të gjitha formave të privimit të lirisë, dhe sidomos nuk bën dallim sipas qëllimit të masës në fjalë; nuk ka rëndësi nëse masa përkon me burgimin e urdhëruar në kontekstin e procedurave penale apo pranimin në një institucion me qëllim të mbrojtjes së jetës apo shëndetit të personit në fjalë.
207. Gjykata vëren fillimisht që, sipas Qeverisë, godina në të cilën banon kërkuesi është rinovuar nga fundi i vitit 2009, çka ka rezultuar në përmirësimin e kushteve të tij të jetesës (shih paragrafin 200 më lart); kërkuesi nuk e ka kundërshtuar këtë. Prandaj, Gjykata konsideron që ankesa e tij duhet të merret si e tillë që i referohet periudhës mes vitit 2002 dhe vitit 2009. Gjykata nuk e ka mohuar që gjatë asaj periudhe kushtet e jetesës së kërkuesit përputheshin me përshkrimin e tij dhe, po ashtu, ka njohur faktin që, për arsye ekonomike, ka pasur disa mangësi në këtë aspekt (shih paragrafët 198-199 më lart).
208. Gjykata vëren që, megjithëse kërkuesi ka qendruar në një dhomë prej 16 metra katrorë bashkë me katër banorë të tjerë, ai ka gëzuar liri të konsiderueshme lëvizjeje si brenda, ashtu edhe jashtë shtëpisë, një fakt që duket se i lehtëson pasojat e pafavorshme të vendit të kufizuar në dhomën e fjetjes (shih Valašinas kundër Lituanisë, nr. 44558/98, § 103, KEDNJ 2001-VIII).
209. Pavarësisht nga kjo, aspekte të tjera të kushteve fizike të jetesës së kërkuesit përbëjnë shkak të konsiderueshëm për shqetësim. Në mënyrë të veçantë, duket se ushqimi ka qenë i pamjaftueshëm dhe i cilësisë së keqe. Godina nuk ka pasur ngrohje të mjaftueshme dhe në dimër kërkuesi duhet të flinte me pallton veshur. Ai kishte mundësi të bënte dush një herë në javë në një banjë jo higjienike dhe të rrënuar. Tualetet ishin në gjendje të tmerrshme dhe përdorimi i tyre ishte i rrezikshëm, sipas gjetjeve të KPT-së (Komiteti për Parandalimin e Torturës) (shih paragrafët 21, 22, 23, 78 dhe 79 më lart). Përveç kësaj, shtëpia nuk ua kthente rrobat të njëjtëve personave pasi laheshin (shih paragrafin 21 më lart), çka kishte gjasa të shkaktonte ndjenjë inferioriteti mes banorëve.
210. Gjykata nuk mund të anashkalojë faktin që kërkuesi ka qenë i ekspozuar ndaj të gjitha kushteve të lartpërmendura për një periudhë të konsiderueshme prej afro shtatë vitesh. As nuk mund të injorojë gjetjet e KPT-së, i cili, pasi vizitoi shtëpinë, arriti në përfundimin që kushtet e jetesës atje në kohën përkatëse mund të thuhej se përbënin trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Pavarësisht nga dijenia për këto gjetje, gjatë periudhës nga viti 2002 deri në vitin 2009 Qeveria nuk ka vepruar me iniciativën e vet që ta mbyllte institucionin (shih paragrafin 82 më lart). Gjykata e konsideron mungesën e burimeve financiare të cituar nga Qeveria si argument jo të përshtatshëm për justifikimin e mbajtjes së kërkuesit në kushtet e përshkruara të jetesës (shih Poltoratskiy, cituar më lart, § 148).
211. Megjithatë ajo thekson që nuk sugjerohet se autoritetet shtetërore kanë pasur për qëllim të vullnetshëm shkaktimin e trajtimit poshtërues. Sidoqoftë, siç shënohet më lart (shih paragrafin 203), mungesa e një qëllimi të tillë nuk mund ta përjashtojë gjetjen e një shkeljeje të Nenit 3.
212. Në përfundim, duke vërejtur përmirësimet që duket se janë bërë në shtëpinë e kurimit në Pastra që nga fundi i vitit 2009, Gjykata konsideron që, në përgjithësi, kushtet e jetesës në të cilat ka qëndruar kërkuesi gjatë një periudhe prej afro shtatë vitesh përbëjnë trajtim poshtërues.
213. Prandaj, ka pasur shkelje të Nenit 3 të Konventës.
Themeli i ankesës sipas nenit 13 në lidhje me nenin 3
1. Parashtrimet e palëve
214. Kërkuesi ka parashtruar që, pa pëlqimin e kujdestarit të tij, ai nuk ka pasur qasje në asnjë mjet vendas, përfshirë edhe kërkesën për kompensim të parashikuar nga Ligji mbi Përgjegjësinë Shtetërore për Dëmet të vitit 1988. Në lidhje me këtë fakt ai theksoi se nuk ka pasur kujdestar fare për një periudhë prej më se dy vjetësh, mes fundit të afatit të caktuar të Znj. R.P. më 31 dhjetor 2002 (shih paragrafin 12 më lart) dhe emërimit të një kujdestari të ri më 2 shkurt 2005 (shih paragrafin 17 më lart). Për më tepër, kujdestari i tij i ri ishte njëkohësisht drejtori i shtëpisë së kurimit. Prandaj do të kishte pasur konflikt interesi mes kërkuesit dhe kujdestarit të tij në rast mosmarrëveshjeje lidhur me kushtet e jetesës në shtëpi dhe kërkuesi nuk do të kishte mundur të priste që kujdestari t’i mbështeste akuzat e tij.
215. Në parashtrimin e Qeverisë, një veprim për rivendosjen e zotësisë për të vepruar (shih paragrafët 51-52 më lart) përbënte një mjet me anë të të cilit kërkuesi do të kishte mundur të siguronte rishikimin e statusit të tij, dhe, në rast të heqjes së kujdestarisë së pjesshme, ai do të kishte mundur të largohej nga shtëpia e përkujdesjes sociale dhe do të kishte përfunduar së duruari kushtet e jetesës për të cilat është ankuar.
216. Qeveria shtoi që kërkuesi mund të bënte ankesë të drejtpërdrejtë në lidhje me kushtet e jetesës në shtëpinë e Pastras duke filluar një procedurë gjyqësore sipas nenit 1 të Ligjit mbi Përgjegjësinë Shtetërore për Dëmet të vitit 1988 (shih paragrafët 62-67 më lart).
2. Vlerësimi i Gjykatës
217. Gjykata i referohet praktikës së saj të mëparshme gjyqësore në lidhje me faktin që Neni 13 garanton ekzistencën e mjeteve vendase për të zgjidhur thelbin e një “pretendimi të diskutueshëm” sipas Konventës dhe për të ofruar kompensim të përshtatshëm. Shteteve Kontraktuese u jepet njëfarë hapësire për sa i përket mënyrës në të cilën ata u përmbahen detyrimeve të tyre sipas kësaj dispozite. Hapësira e detyrimeve sipas Nenit 13 ndryshon në varësi të natyrës së ankesës sipas Konventës. Pavarësisht nga kjo, mjetet e kërkuara nga Neni 13 duhet të jenë “efektive” si në praktikë ashtu dhe në ligj (shih McGlinchey dhe Të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 50390/99, § 62, KEDNJ 2003‑V).
218. Aty ku, si në rastin konkret, Gjykata ka gjetur shkelje të Nenit 3, kompensimi për dëmin jo material të shkaktuar si rezultat i shkeljes parimisht duhet të jetë pjesë e gamës së mjeteve në dispozicion (ibid., § 63; dhe Iovchev, cituar më lart, § 143).
219. Në rastin konkret, Gjykata vëren se neni 1(1) i Ligjit mbi Përgjegjësinë Shtetërore për Dëmet e vitit 1988 vërtetë është interpretuar nga gjykatat vendase si i zbatueshëm në lidhje me dëmin e vuajtur nga të ndaluarit si rezultat i kushteve të këqija të burgimit (shih paragrafët 63-64 më lart). Megjithatë, sipas parashtrimeve të Qeverisë, vendosja e kërkuesit në shtëpinë e përkujdesjes sociale në Pastra nuk shihet si ndalim sipas ligjit vendas (shih paragrafët 108-111 më lart). Rrjedhimisht, atij nuk do t’i kishte takuar kompensim për kushtet e këqija të jetesës në shtëpi. Për më tepër, nuk ka precedentë gjyqësorë tek të cilët kjo dispozitë është gjetur të jetë e zbatueshme për akuzat mbi kushtet e këqija të jetesës në shtëpitë sociale të kurimit (shih paragrafin 65 më lart) dhe Qeveria nuk ka paraqitur ndonjë argument për të vërtetuar të kundërtën. Duke pasur parasysh këto konsiderata, Gjykata arrin në përfundimin që mjetet në fjalë kanë qenë jo efektive në kuptim të Nenit 13.
220. Për sa i përket argumentit të Qeverisë ndaj procedurës për rivendosjen e zotësisë për të vepruar (shih paragrafin 215 më lart), Gjykata konsideron që, edhe nëse presupozohet se, si rezultat i atij mjeti, kërkuesi do të kishte pasur mundësi që t’i rivendosej zotësia për të vepruar dhe të largohej nga shtëpia, ai nuk do të kishte fituar asnjë kompensim për trajtimin pësuar gjatë qëndrimit të tij atje. Rrjedhimisht, mjeti në fjalë nuk mund të ofronte zgjidhjen e përshtatshme.
221. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 13 të Konventës, i marrë së bashku me nenin 3.
V. PRETENDIM PËR SHKELJEN E NENIT 6 § 1 TË KONVENTËS
222. Kërkuesi pretendoi se ligji bullgar nuk i ka ofruar atij mundësinë për të kërkuar në gjykatë rivendosjen e zotësisë për të vepruar. Ai u mbështet në Nenin 6 § 1 të Konventës, pjesa përkatëse e të cilit lexon:
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet ... nga një gjykatë ... e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze të natyrës penale që i është drejtuar....”
Pretendime paraprake
223. Dhoma e Madhe vëren se Qeveria ka paraqitur para saj kundërshtimin ku pretendohet mosshterimi i mjeteve të brendshme. Kundërshtimi bazohet në Nenin 277 të Kodit të Procedurës Penale (CPP), i cili, sipas Qeverisë, i jepte kërkuesit të drejtë të kërkonte personalisht pranë gjykatës rivendosjen e zotësisë së tij për të vepruar.
224. Dhoma e Madhe vëren që në vendimin e saj mbi pranueshmërinë të datës 29 qershor 2010 Dhoma u shpreh që kërkuesi e ka kundërshtuar mundësinë për të ushtruar mjetet të cilat, sipas Qeverisë, do t’i kishin mundësuar atij të fitonte rishikimin e statusit të tij ligjor dhe që ai argument e përforconte pretendimin e tij sipas Nenit 6 § 1. Kështu, Dhoma vendosi të shqyrtonte kundërshtimin e Qeverisë së bashku me themelin e ankesës në fjalë. Dhoma e Madhe nuk sheh arsye për të lëvizur nga përfundimi i Dhomës.
B. Themeli
Parashtrimet e palëve
225. Kërkuesi u shpreh se ai personalisht e kishte pasur të pamundur fillimin e procedurave për rivendosjen e zotësisë së tij për të vepruar sipas Nenit 277 të KPP-së dhe se kjo kishte rezultuar nga vendimi i Gjykatës së Lartë Nr. 5/79 (shih paragrafin 51 më lart). Në mbështetje të këtij argumenti ai parashtroi që Gjykata e Qarkut të Dupnitsas kishte refuzuar të shqyrtonte kërkesën e tij për rishikim gjyqësor të refuzimit të kryetarit të bashkisë për ta hapur procedurën, me arsyetim që kujdestari nuk kishte kundërfirmosur (shih paragrafët 39-40 më lart).
226. Më tej, megjithëse ai nuk kishte pasur mundësi të ndërmerrte veprime për rivendosjen e zotësisë së tij për të vepruar, kërkuesi u përpoq të hapte një çështje të tillë gjyqësore përmes prokurorisë, kryetarit të bashkisë dhe kujdestarit të tij (drejtorit të shtëpisë). Megjithatë, meqenëse në gjykatë nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për këtë qëllim, të gjitha përpjekjet e tij kishin dështuar. Rrjedhimisht, kërkuesi nuk e kishte pasur kurrë mundësinë që çështja e tij të dëgjohej nga një gjykatë.
227. Qeveria parashtroi që Neni 277 i KPP-së i kishte ofruar kërkuesit akses të drejtpërdrejtë në gjykatë në çdo kohë për rishikimin e statusit të tij ligjor. Ajo theksoi se, ndryshe nga pretendimet e kërkuesit, vendimi i Gjykatës së Lartë nr. 5/79 e kishte interpretuar Nenin 277 të KPP-së të tillë që nënkuptonte se personat pjesërisht të privuar nga zotësia për të vepruar mund të bënin kërkesë të drejtpërdrejtë pranë gjykatës për lirim nga kujdestaria. I vetmi kusht për bërjen e një kërkese të tillë ishte paraqitja e provave të përmirësimit të gjendjes së personit. Megjithatë, siç u vërtetua nga vlerësimi mjekësor i zhvilluar me kërkesë të prokurorit (shih paragrafin 37 më lart), i cili arrinte në përfundimin se gjendja e kërkuesit vazhdonte të mbetej njësoj dhe që ai ishte i paaftë të kujdesej për interesat e tij, ishte e qartë se kërkuesi nuk kishte pasur dijeni për asnjë prej këtyre provave. Kështu, Qeveria arriti në përfundimin se kërkuesi nuk kishte tentuar t’i drejtohej gjykatës vetë me kërkesë të tij sepse nuk kishte qenë në gjendje të ofronte prova për kërkesën e tij.
228. Më tej Qeveria vërejti që gjykatat rregullisht kishin shqyrtuar kërkesat për rivendosjen e zotësisë për të vepruar të paraqitura, për shembull, nga një kujdestar (shih paragrafin 52 më lart).
Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
229. Gjykata përsërit që Neni 6 § 1 i siguron çdo personi të drejtën të paraqesë çdo lloj pretendimi në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij civile para një gjykate (shih Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shkurt 1975, § 36, Seria A nr. 18). Kjo “e drejtë për t’iu drejtuar gjykatës”, një aspekt i së cilës është e drejta e aksesit, mund të shfrytëzohet nga çdo person që konsideron mbi baza të arsyeshme se ka pasur një ndërhyrje të paligjshme në ushtrimin e të drejtave të tij civile dhe ankohet që nuk i është dhënë mundësia ta parashtrojë atë pretendim në gjykatë duke përmbushur kështu kriteret e Nenit 6 § 1 (shih, inter alia, Roche kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 32555/96, § 117, KEDNJ 2005‑X, dhe Salontaji-Drobnjak kundër Serbisë, nr. 36500/05, § 132, 13 tetor 2009).
230. E drejta për akses në gjykatë nuk është absolute por mund t’u nënshtrohet kufizimeve; këto lejohen për shkak se e drejta e aksesit “nga vetë natyra e saj kërkon rregullime nga Shteti, rregullime të cilat mund të ndryshojnë në varësi të vendit dhe kohës sipas nevojave dhe burimeve të komunitetit dhe individëve” (shih Ashingdane, cituar më lart, § 57). Me vendosjen e një rregullimi të tillë, Shtetet Kontraktuese gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi. Ndërkohë që vendimi përfundimtar lidhur me përmbushjen e kërkesave të Konventës i takon Gjykatës, nuk është pjesë e funksionit të Gjykatës që të zëvendësojë vlerësimin nga autoritetet kombëtare me ndonjë vlerësim tjetër të asaj që mund të jetë politika më e mirë në këtë fushë. Pavarësisht nga kjo, kufizimet që zbatohen nuk duhet të ngushtojnë aksesin që i mbetet individit në mënyrë të atillë apo deri në atë masë sa të dëmtohet vetë thelbi i së drejtës. Për më tepër, një kufizim nuk do të jetë në përputhje me nenin 6 § 1 nëse nuk ka një qëllim legjitim dhe nëse nuk ekziston një marrëdhënie e arsyeshme proporcionaliteti mes mjeteve të shfrytëzuara dhe qëllimit që synohet të arrihet (ibid.; shih gjithashtu, mes shumë autoriteteve të tjera, Cordova kundër Italisë (nr. 1), nr. 40877/98, § 54, KEDNJ 2003-I, dhe përmbledhjen e parimeve përkatëse në Fayed kundër Mbretërisë së Bashkuar, 21 shtator 1994, § 65, Seria A nr. 294-B).
231. Më tej, Konventa ka për qëllim të garantojë jo të drejta që janë teorike apo të pazbtueshme por të drejta që janë praktike dhe efektive. Kjo është sidomos e vërtetë për garancitë e mishëruara në nenin 6, duke pasur parasysh vendin e rëndësishëm që ka në një shoqëri demokratike e drejta për një proces të rregullt me të gjitha garancitë brenda këtij neni (shih Princi Hans-Adam II i Lihtenshtejnit kundër Gjermanisë [GC], nr. 42527/98, § 45, KEDNJ 2001-VIII).
232. Së fundi, Gjykata vëren që në shumicën e rasteve që kanë dalë para saj në të cilat përfshihen “persona me mendje jo të shëndoshë”, procedurat vendase kanë pasur të bëjnë me ndalimin e tyre dhe kështu janë shqyrtuar në kuadër të nenit 5 të Konventës. Megjithatë, është shënuar vazhdimisht që garancitë “procedurale” sipas nenit 5 §§ 1 dhe 4 të Konventës janë gjerësisht të ngjashme me ato të nenit 6 § 1 (shih, për shembull, Winterwerp, cituar më lart, § 60; Sanchez-Reisse kundër Zvicrës, 21 tetor 1986, §§ 51 dhe 55, Seria A nr. 107; Kampanis kundër Greqisë, 13 korrik 1995, § 47, Seria A nr. 318-B; dhe Ilijkov kundër Bullgarisë, nr. 33977/96, § 103, 26 korrik 2001). Në rastin Shtukaturov (cituar më lart, § 66), për të vendosur nëse procedurat e paaftësimit kishin qenë të drejta, Gjykata kishte marrë parasysh, mutatis mutandis, praktikën e mëparshme gjyqësore sipas Nenit 5 §§ 1 (e) dhe 4 të Konventës.
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin konkret
233. Gjykata vëren që në fillim se, në rastin konkret, asnjëra nga palët nuk e ka kontestuar zbatueshmërinë e nenit 6 në procedurat për rivendosjen e zotësisë për të vepruar. Kërkuesi, i cili është privuar pjesërisht nga zotësia për të vepruar, është ankuar se ligji bullgar nuk i ka vënë në dispozicion aksesin e drejtpërdrejtë në gjykatë ku ai të mund të bënte kërkesë për rivendosjen e zotësisë për të vepruar. Gjykata e ka pasur mundësinë të qartësonte që procedurat për rivendosjen e zotësisë së tij për të vepruar janë drejtpërdrejt vendimtare në përcaktimin e “të drejtave dhe detyrimeve civile” (shih Matter kundër Sllovakisë, nr. 31534/96, § 51, 5 korrik 1999). Pra Neni 6 § 1 i Konventës është i zbatueshëm në këtë rast.
234. Mbetet të përcaktohet nëse është kufizuar apo jo aksesi i kërkuesit në gjykatë dhe, nëse po, të përcaktohet nëse ky kufizim ka pasur një qëllim legjitim dhe nëse ka qenë në proporcion me të.
235. Gjykata vëren së pari që qëndrimi i palëve ndryshon për sa i përket faktit nëse një person ligjërisht i pazotë kishte locus standi për të bërë kërkesë të drejtpërdrejtë në gjykatat bullgare për rivendosjen e zotësisë për të vepruar; Qeveria argumentoi në favor të kësaj, ndërkohë që kërkuesi deklaroi të kundërtën.
236. Gjykata e pranon argumentin e kërkuesit që, për të bërë kërkesë në gjykatën bullgare, një person nën kujdestari të pjesshme duhet të kërkojë ndihmën e personave të cekur në Nenin 277 të KPP-së të vitit 1952 (i cili është bërë Neni 340 i KPP-së së vitit 2007). Lista e personave të cilët kanë të drejtë të paraqiten në gjykatë sipas ligjit bullgar nuk përfshin shprehimisht personin nën kujdestari të pjesshme (shih paragrafët 45 dhe 51 më lart).
237. Për sa i përket vendimit të Gjykatës së Lartë të vitit 1980 (shih paragrafin 51 më lart), Gjykata vëren që, megjithëse fjalia e katërt e paragrafit 10 të vendimit, e lexuar veças, mund të krijojë përshtypjen që një person nën kujdestari të pjesshme ka akses të drejtpërdrejtë në gjykatë, Gjykata e Lartë shpjegon më tej se aty ku kujdestari i një personi pjesërisht të pazotë dhe autoriteti i kujdestarisë refuzojnë të fillojnë procedurat për rivendosjen e zotësisë për të vepruar, personi në fjalë mund t’i kërkojë prokurorit që ta bëjë këtë. Sipas mendimit të Gjykatës, nevoja për të kërkuar ndërhyrjen e prokurorit nuk përputhet pothuaj fare me aksesin në gjykatë të personave nën kujdestari të pjesshme, për sa kohë që vendimi për të ndërhyrë i lihet në dorë prokurorit. Rrjedhimisht, vendimi i Gjykatës së Lartë të vitit 1980 nuk mund të thuhet se ka afirmuar qartë ekzistencën e një mundësie të tillë në ligjin bullgar.
238. Më tej Gjykata vëren se Qeveria nuk ka paraqitur ndonjë vendim gjyqësor që të tregojë se personat nën kujdestari të pjesshme kanë pasur mundësi të paraqisnin vetë në gjykatë kërkesë për heqjen e një mase; megjithatë, Qeveria ka treguar që të paktën një kërkesë për rivendosjen e zotësisë për të vepruar është ngritur me sukses nga kujdestari i një personi plotësisht të pazotë (shih paragrafin 52 më lart).
239. Kështu, Gjykata konstaton që kërkuesi nuk ka pasur mundësi të bënte kërkesë për rivendosjen e zotësisë së tij për të vepruar në mënyrë tjetër përveç se përmes kujdestarit të tij apo njërit prej personave të renditur në Nenin 277 të KPP-së.
240. Gjithashtu, Gjykata do të theksonte se, për sa i përket aksesit në gjykata, ligji vendas nuk bën dallim mes atyre që privohen krejtësisht nga zotësia për të vepruar dhe atyre, si kërkuesi në fjalë, që privohen vetëm pjesërisht. Për më tepër, legjislacioni vendas nuk ofron ndonjë mundësi për shqyrtim automatik të rregullt për të parë nëse bazat për vendosjen e një personi nën kujdestari mbeten ende të vlefshme. Së fundi, në rastin e kërkuesit, masa në fjalë nuk ishte e kufizuar në kohë.
241. Kështu pra, e drejta për t’iu drejtuar gjykatës nuk është absolute dhe kërkon për nga vetë natyra që Shteti të gëzojë njëfarë hapësire vlerësimi në rregullimin e lëndës në shqyrtim (shih Ashingdane, cituar më lart, § 57). Përveç kësaj, Gjykata njeh faktin që kufizimet mbi të drejtat procedurale të një personi, edhe kur personi është vetëm pjesërisht i privuar nga zotësia për të vepruar, mund të justifikohen për hir të mbrojtjes së vetë personit, mbrojtjes së interesave të të tjerëve dhe për hir të administrimit të duhur të drejtësisë. Sidoqoftë, rëndësia e ushtrimit të këtyre të drejtave ndryshon në varësi të qëllimit të padisë të cilën personi në fjalë e paraqet në gjykatë. Në mënyrë të veçantë, e drejta për të kërkuar në gjykatë rishikimin e një deklarate të pazotësisë është një nga të drejtat më të rëndësishme për personin në rastin konkret sepse një procedurë e tillë, pasi të fillojë, do të jetë vendimtare për ushtrimin e të gjitha të drejtave dhe lirive tek të cilat ndikon deklarata e pazotësisë si dhe për çdo kufizim që mund të vendoset mbi lirinë e personit (shih gjithashtu Shtukaturov, cituar më lart, § 71). Prandaj, Gjykata konsideron që kjo e drejtë është një nga të drejtat procedurale themelore për mbrojtjen e atyre që janë privuar pjesërisht nga zotësia për të vepruar. Rrjedh që persona të tillë duhet parimisht të gëzojnë qasje të drejtpërdrejtë në gjykata në këtë aspekt.
242. Megjithatë, Shteti mbetet i lirë të vendosë procedurën e realizimit të kësaj qasjeje të drejtpërdrejtë. Njëkohësisht, Gjykata konsideron që nuk do të ishte kundër nenit 6 nëse legjislacioni kombëtar do të ofronte disa kufizime të caktuara lidhur me aksesin në gjykatë në këtë aspekt, vetëm me qëllim që të sigurohet që gjykatat nuk po mbingarkohen me kërkesa të tepruara dhe haptazi të pabazuara. Pavarësisht nga kjo, duket qartë që ky problem mund të zgjidhet me mënyra të tjera më pak kufizuese sesa mohimi automatik i aksesit të drejtpërdrejtë, për shembull duke kufizuar shpeshtësinë e kërkesave apo futjen e një sistemi për shqyrtim paraprak të pranueshmërisë së tyre mbi bazën e dosjes.
243. Më tej Gjykata vëren që tetëmbëdhjetë nga njëzet sistemet kombëtare të studiuara në këtë kontekst ofrojnë akses të drejtpërdrejtë në gjykata për çdo person pjesërisht të pazotë që kërkon rishikimin e statusit të tij/saj. Në shtatëmbëdhjetë Shtete një akses i tillë ofrohet edhe për ato që janë deklaruar krejtësisht të pazotë (shih paragrafët 88-90 më lart). Kjo tregon që tani ekziston një tendencë në nivel evropian drejt lejimit të personave ligjërisht të pazotë që të kenë akses të drejtpërdrejtë në gjykata për kërkimin e rivendosjes së zotësisë së tij për të vepruar.
244. Po ashtu Gjykata është e detyruar të konstatojë rëndësinë gjithmonë e më të madhe që strukturat ndërkombëtare për mbrojtjen e personave me çrregullime mendore po i vënë dhënies këtyre të fundit sa më shumë autonomi ligjore që është e mundur. Në këtë pikë, i referohet Konventës së Kombeve të Bashkuara të 13 dhjetorit 2006 mbi Të Drejtat e Personave të Paaftë dhe Rekomandimit Nr. R (99) 4 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi parimet e mbrojtjes ligjore të të rriturve të paaftë, të cilat rekomandojnë vendosjen e masave të duhura procedurale për mbrojtjen e personave ligjërisht të pazotë sa më shumë që të jetë e mundur, për të siguruar që të ketë rishikime periodike të statusit të tyre dhe të ofrohen mundësitë e duhura (shih paragrafët 72-73 më lart).
245. Duke pasur parasysh sa u tha më lart e veçanërisht tendencat në legjislacionin kombëtar dhe strukturat ndërkombëtare përkatëse, Gjykata konsideron që Neni 6 § 1 i Konventës duhet të interpretohet si i tillë që garanton parimin që çdo person që është deklaruar pjesërisht i pazotë, siç është rasti i kërkuesit në fjalë, të ketë akses të drejtpërdrejtë në gjykatë për të kërkuar rivendosjen e zotësisë së tij për të vepruar.
246. Në rastin konkret, Gjykata vërejti se aksesi i këtij lloji nuk është garantuar në shkallë bindëse të mjaftueshme nga legjislacioni bullgar përkatës. Kjo gjetje mjafton që Gjykata të arrijë në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës për sa i përket kërkuesit.
247. Përfundimi i mësipërm e liron Gjykatën nga shqyrtimi për të parë nëse mjetet ligjore indirekte të cilave u referohet Qeveria i kanë ofruar ankuesit garanci të mjaftueshme që çështja e tij të paraqitej në gjykatë.
248. Prandaj, Gjykata e hedh poshtë kundërshtimin e Qeverisë mbi mos shterimin e mjeteve vendase (shih paragrafin 223 më lart) dhe del me përfundimin që ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës.
VI. PRETENDIMET PËR SHKELJEN E NENIT 8 TË KONVENTËS, I MARRË VEÇAS DHE NË LIDHJE ME NENIN 13
249. Kërkuesi pretendoi që regjimi i kujdestarisë kufizuese, përfshirë vendosjen e tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale në Pastra dhe kushtet fizike të banimit atje, përbënin ndërhyrje të pajustifikueshme në të drejtën e tij për respektimn e jetës private dhe banesës. Ai parashtroi që ligji bullgar nuk i kishte ofruar zgjidhje të mjaftueshme dhe të përdorshme në këtë aspekt. Ai u mbështet në Nenin 8 të Konventës, të marrë veças dhe në lidhje me Nenin 13.
Neni 8 parashikon që:
“1. Çdokush ka të drejtë që t’i respektohet jeta private e familjare, vendbanimi dhe korrespondenca e tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur, në një shoqëri demokratike, kjo masë është e domosdoshme për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mirëqenien ekonomike të vendit, për mbrojtjen e rendit ose për parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.
250. Kërkuesi deklaroi në mënyrë të veçantë se regjimi i kujdestarisë nuk ishte drejtuar vetëm ndaj tij si individ por të njëjtat kufizime i imponoheshin automatikisht çdo personi që gjykata e shpallte të pazotë. Ai shtoi se fakti që atij i ishte dashur të jetonte në shtëpinë e përkujdesjes së Pastras efektivisht e kishte penguar atë nga pjesëmarrja në jetën e komunitetit dhe nga zhvillimi i marrëdhënieve me persona të zgjedhur nga ai. Autoritetet nuk ishin përpjekur të gjenin zgjidhje terapeutike alternative në komunitet apo të merrnin masa që e kufizonin më pak lirinë e tij personale, si pasojë e të cilave atij i ishte zhvilluar “sindroma e institucionalizimit”, d.m.th. humbja e shkathtësive sociale dhe tipareve të personalitetit.
251. Qeveria i kundërshtoi të gjitha këto pretendime.
252. Duke pasur parasysh përfundimet e saj të mbështetura në Nenet 3, 5, 6 dhe 13 të Konventës, Gjykata konsideron që asnjë çështje e re nuk mund të ngrihet në kuadër të Nenit 8 të Konventës, të marrë veças dhe/ose në lidhje me Nenin 13. Prandaj është e panevojshme që të shqyrtohet kjo ankesë.
VII. NENET 46 DHE 41 TË KONVENTËS
Neni 46 i Konventës
253. Pjesët relevante në nenin 46 të Konventës lexojnë:
“1 Palët e Larta Kontraktuese zotohen t’u binden vendimeve përfundimtare të Gjykatës në lidhje me mosmarrëveshjet në të cilat janë palë.
2. Vendimi përfundimtar i Gjykatës i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr zbatimin e tij....”
254. Gjykata përsërit që, sipas Nenit 46 të Konventës, Palët Kontraktuese kanë marrë përsipër t’u përmbahen vendimeve përfundimtare të Gjykatës në çdo çështje në të cilën ato janë palë, ku ekzekutimi mbikëqyret nga Komiteti i Ministrave. Rrjedh, inter alia, që një vendim në të cilin Gjykata gjen shkelje të Konventës ose Protokolleve të saj imponon mbi Shtetin e paditur një detyrim ligjor jo vetëm për t’u paguar personave përkatës shumat e caktuara me qëllim të shpërblimit të drejtë, por edhe për të zgjedhur, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, masat e përgjithshme dhe/ose individuale që do të merren në rendin ligjor përkatës për t’i dhënë fund shkeljes së gjetur nga Gjykata dhe për të sheshuar sa më shumë pasojat e saj (shih Menteş dhe Të Tjerë kundër Turqisë (Neni 50), 24 korrik 1998, § 24, Raporte 1998‑IV; Scozzari dhe Giunta kundër Italisë [GC], nr. 39221/98 dhe 41963/98, § 249, KEDNJ 2000-VIII; dhe Maestri kundër Italisë [GC], nr. 39748/98, § 47, KEDNJ 2004-I).
Më tej Gjykata vëren që i takon kryesisht Shtetit në fjalë të zgjedhë, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave, metodat që do të përdoren në rendin dhe ligjin vendas për të zbatuar detyrimet sipas Nenit 46 të Konventës (shih Scozzari dhe Giunta, cituar më lart; Brumărescu kundër Rumanisë (shpërblim i drejtë) [GC], nr. 28342/95, § 20, KEDNJ 2001-I; dhe Öcalan kundër Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 210, KEDNJ 2005‑IV).
255. Megjithatë, me qëllim që të ndihmohet Shteti i paditur për përmbushjen e detyrimeve të veta sipas Nenit 46, Gjykata mund të kërkojë që të tregohet lloji i masave individuale dhe/ose të përgjithshme që mund të merren për t’i dhënë fund situatës që ajo ka gjetur se ekziston (shih Broniowski kundër Polonisë [GC], nr. 31443/96, § 194, KEDNJ 2004-V, dhe Scoppola kundër Italisë (nr. 2) [GC], nr. 10249/03, § 148, KEDNJ 2009‑...).
256. Në këtë rast, Gjykata konsideron që është e nevojshme, duke pasur parasysh gjetjen e shkeljes së Nenit 5, të tregohen masat individuale të ekzekutimit të këtij vendimi. Ajo vëren se ka gjetur shkelje të këtij Neni për shkak të mospërmbushjes së kërkesës që çdo privim i lirisë duhet të jetë “në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj” dhe për shkak të mungesës së justifikimit për privimin e kërkuesit nga liria sipas nën-paragrafit (e) apo cilido prej nën-paragrafëve të tjerë të Nenit 5 § 1. Gjithashtu ajo ka vërejtur mangësi në vlerësimin e pranisë dhe vazhdimësisë së çrregullimeve që kanë arsyetuar vendosjen në shtëpinë e përkujdesjes sociale (shih paragrafët 148-160 më lart).
257. Gjykata konsideron se, në mënyrë që korrigjohen pasojat e shkeljes së të drejtave të kërkuesit, autoritetet duhet të sigurohen nëse ai dëshiron të qëndrojë në shtëpinë në fjalë. Asgjë në këtë vendim nuk duhet parë si pengesë për vazhdimin e qendrimit të tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale në Pastra apo në çdo shtëpi tjetër për persona me çrregullime mendore, nëse vendoset që ankuesi pajtohet me vendosjen aty. Megjithatë, nëse kërkuesi e kundërshton një vendosje të tillë, autoritetet duhet të rishqyrtojnë pa vonesë situatën e tij duke pasur parasysh gjetjet e këtij vendimi.
258. Gjykata vëren që ajo ka gjetur edhe shkelje të Nenit 6 § 1 për shkak të mungesës së aksesit të drejtpërdrejtë në gjykatë për një person i cili është privuar pjesërisht nga zotësia për të vepruar duke synuar të kërkojë rivendosjen e saj (shih paragrafët 233-248 më lart). Duke pasur parasysh këtë përfundim, Gjykata rekomandon që Shteti i paditur të hartojë masat e nevojshme për të siguruar mundësinë efektive të një qasjeje të tillë.
B. Neni 41 i Konventës
259. Neni 41 i Konventës parashikon që:
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqjen e pjesshme të pasojave të shkaktuara nga shkelja, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”.
1. Dëmi
260. Kërkuesi nuk ka paraqitur pretendime për dëme materiale por ka kërkuar 64,000 Euro për dëme morale.
261. Ai pohoi në mënyrë të veçantë që ai kishte vuajtur nga kushte të këqija të jetesës në shtëpinë e kurimit dhe kërkoi një shumë prej 14,000 Euro për këtë arsye. Në lidhje me qendrimin e tij në shtëpinë e përkujdesjes sociale në Pastra, ai deklaroi që kishte përjetuar ndjenja ankthi, mjerimi dhe irritimi që nga koha kur kjo masë kishte filluar të zbatohej në dhjetor të vitit 2002. Vendosja e tij e detyruar në shtëpinë e Pastras gjithashtu kishte pasur ndikim të konsiderueshëm në jetën e tij, sepse ai ishte lëvizur nga ambienti i tij shoqëror dhe i ishte nënshtruar një regjimi shtrëngues, çka e kishte bërë më të vështirë ri-integrimin në komunitet. Ai deklaroi që, megjithëse nuk kishte precedent të krahasueshëm gjyqësor lidhur me ndalimin e paligjshëm në një shtëpi kurimi për personat me çrregullime mendore, duhet të mbahet parasysh shpërblimi i drejtë i caktuar nga Gjykata në rastet e ndalimit të paligjashëm në institucionet psikiatrike. Ai iu referua, për shembull, vendimeve në çështjet Gajcsi kundër Hungarisë (nr. 34503/03, §§ 28-30, 3 tetor 2006) dhe Kayadjieva kundër Bullgarisë (nr. 56272/00, § 57, 28 shtator 2006), duke vërejtur që ai ishte privuar nga liria e tij për një periudhë shumë më të gjatë kohore sesa kërkuesit në çështjet e lartpërmendura. Ai parashtroi që një shumë prej 30,000 Euro do të përbënte një shpërblim të drejtë në lidhje me këtë. Së fundi, ai shtoi që mungesa e aksesit së tij në gjykatë për të kërkuar rishikimin e statusit të tij ligjor kishte kufizuar ushtrimin e disa lirive dhe të drejtave të tij në sferën e jetës private, duke shkaktuar dëme morale të tjera, të cilat mund të kompensoheshin me një shumë prej 20,000 Euro.
262. Qeveria parashtroi që pretendimet e kërkuesit ishin të tepruara dhe të pabaza. Ajo argumentoi që, nëse Gjykata do të caktonte ndonjë shpërblim për dëme morale, ato nuk do të duhej t’i kalonin shumat e caktuara në çështjet kundër Bullgarisë në lidhje me vendosjen e detyrueshme në institucione psikiatrike. Qeveria iu referua vendimeve në çështjet Kayadjieva (cituar më lart, § 57), Varbanov (cituar më lart, § 67), dhe Kepenerov kundër Bullgarisë (nr. 39269/98, § 42, 31 korrik 2003).
263. Gjykata vëren se ka gjetur shkelje të disa dispozitave të Konventës në rastin konkret, konkretisht të neneve 3, 5 (paragrafët 1, 4 dhe 5), 6 dhe 13. Ajo konsideron që kërkuesi duhet të ketë vuajtur si pasojë e vendosjes së tij në shtëpinë e kurimit, vendosje e cila ka filluar në dhjetor 2002 dhe ende vazhdon, duke marrë parasysh pamundësinë e tij për të siguruar rishqyrtimin gjyqësor të asaj mase dhe mungesën e aksesit në gjykatë për të kërkuar heqjen e kujdestarisë së pjesshme. Kjo vuajtje pa dyshim ka shkaktuar tek ai ndjenjën e pafuqisë dhe ankthit. Gjykata më tej konsideron që kërkuesit i janë shkaktuar dëme morale si pasojë e kushteve poshtëruese të jetesës të cilat është dashur t’i duronte për më shumë se shtatë vite.
264. Duke vendosur mbi baza barazie, siç kërkohet nga neni 41 i Konventës, Gjykata konsideron që kërkuesit duhet t’i caktohet një shumë totale prej 15,000 Euro për dëme morale.
2. Kosto dhe shpenzime
265. Kërkuesi nuk ka paraqitur kërkesë në lidhje me kosto dhe shpenzime.
3. Interesi i munguar
266. Gjykata e konsideron të arsyeshme që masa e interesit të munguar duhet të bazohet mbi shkallën margjinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane, së cilës duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Hedh poshtë, njëzërazi, pretendimet paraprake të Qeverisë për mosshterimin e mjeteve juridike të brendshme;
2. Vendos, njëzërazi se ka patur shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës;
3. Vendos, njëzërazi se ka patur shkelje të nenit 5 § 4 të Konventës;
4. Vendos, njëzërazi se ka patur shkelje të nenit 5 § 5 të Konventës;
5. Vendos, njëzërazi se ka patur shkelje të nenit 3 të Konventës, marrë më vete dhe bashkë me nenin 13;
6. Vendos, njëzërazi se ka patur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës;
7. Vendos me trembëdhjetë vota pro dhe katër kundër, se nuk është i nevojshëm të shqyrtohet nëse kishte shkelje të nenit 8 të Konventës, marrë më vete dhe së bashku me nenin 13;
8. Vendos, njëzërazi,
(a) se shteti përgjegjës duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajsh, 15,000 EUR (pesëmbëdhjetë mijë euro) për dëmin moral, të konvertuara në leva bullgare me kursin e ditës së vendimit, si dhe çdo taksë të detyrueshme;
(b) se nga skadimi i tre muajve të siperërmendur derisa të bëhet pagesa, interesa do të paguhen mbi këtë shumë me një kurs të njëjtë me kursin margjinal të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane, të cilit duhet t’i shtohen tri pikë përqindjeje.
9. Hedh poshtë, njëzërazi, pjesën tjetër të kërkesës së kërkuesit për dëmshpërblim të drejtë.
Bërë në anglisht dhe në frengjisht, dhe shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 17 Janar 2012.
Vincent BergerNicolas Bratza
JuriskonsultPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e pakicës vijuese i bashkëngjiten si shtojcë këtij vendimi:
(a) mendim pakice pjesërisht i gjyqtarëve Tulkens, Spielmann dhe Laffranque;
(b) mendim pakice pjesërisht i gjyqtares Kalaydjieva.
N.B.
V.B.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglisht dhe frëngjisht. Ky përkthim u krye me mbështetje të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën, e cila nuk mban përgjegjësi për cilësinë e tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut () ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën Gjykata e ndan atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo-komerciale, me kusht që të citohet titulli i plotë i çështjes, së bashku me të dhënat e mësipërme për të drejtën e autorit dhe referencën për Fondin e Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Për përdorimin e çdo pjese të këtij përkthimi për qëllime komerciale, ju lutemi të kontaktoni në adresën publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012.
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights (/humanrightstrustfund ) or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012.
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (/humanrightstrustfund ), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sour réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à de fins commerciales est invitee à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy