© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Njoftim në lidhje me jurisprudencën e Gjykatës Nr. 148
Janar 2012
Stanev kundër Bullgarisë [DHM] - 36760/06
Vendimi 17.1.2012 [DHM]
Neni 6
Procedura civile
Neni 6-1
Aksesi në një gjykatë
Mungesë, nga ana e një personi pjesërisht të privuar nga kapaciteti i tij juridik, për të patur akses të drejtpërdrejtë në një gjykatë me qëllim kërkimin e rifitimit të kapacitetit të tij : shkelje
Neni 3
Trajtime poshtëruese
Kushte jetese në institute rehabilitimi për persona të prekur nga çrregullime mendore : shkelje
Neni 5
Neni 5-1
Privimi i lirisë
Rrugët ligjore
Rregullsia e vendosjes në një institut rehabilitimi të personave të prekur nga çrregullime mendore : shkelje
Neni 5-4
Paraqitja e një rekursi
Mungesë rekursi për të kontestuar ligjshmërinë e vendosjes në një institut rehabilitimi për persona të prekur nga çrregullime mendore : shkelje
Neni 13
Rekursi i efektshëm
Mungesë rekursi për të marrë zhdëmtim për kushtet e këqija të jetesës në një institut rehabilitimi për persona të prekur nga çrregullime mendore : shkelje
Neni 46
Neni 46-2
Zbatimi i vendimit
Masa të përgjithshme
Shteti i paditur ka detyrimin të marrë masa të përgjithshme për t’iu mundësuar aksesin në gjykata atyre personave të cilët dëshirojnë rifitimin e kapacitetit të tyre juridik.
Fakte – Në vitin 2000, me kërkesën e të dy prindërve të kërkuesit, një gjykatë e shpalli këtë të fundit pjesërisht të paaftë me arsyetimin se vuante nga skizofrenia. Në vitin 2002, i interesuari, u vendos, kundër dëshirës së tij, në kujdestari dhe u fut në një institut rehabilitimi për persona të prekur nga çrregullime mendore i cili ndodhej pranë një fshati, në një zonë të largët malore. Gjatë vizitave të tij zyrtare të kryera në vitet 2003 dhe 2004, Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe Dënimeve a Trajtimeve të tjera Çnjerëzore a Poshtëruese (KPT) çmoi se kushtet në institutin e rehabilitimit mund të cilësoheshin si trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Në vitin 2004-2005, me anën e avokatit të tij, kërkuesi i kërkoi pa sukses prokurorit dhe kryetarit të bashkisë që të nisnin një procedim me qëllim që të pushonin vendosjen në kujdestari. Edhe kujdestari i tij refuzoi të ndërmerrte një padi të tillë, me arsyetimin se instituti ishte shtëpia më e përshtatshme për të përsa kohë ai nuk kishte mjetet e duhura për të patur një jetë autonome. Në vitin 2006, me nismën e avokatit të tij, kërkuesi u ekzaminua nga një psikiatër i pavarur, i cili përmbylli se diagnostikimi me skizofreni nuk ishte i saktë porse kërkuesi ishte i prirur të abuzonte me alkoolin dhe se simptomat e këtyre dy patologjive mund të ngatërroheshin me njëra tjetrën, se ai ishte i aftë të ripërfshihej në shoqëri dhe se mbajtja në institut ishte tejet e dëmshme për shëndetin e tij.
E drejta – Neni 5 § 1
a) Zbatueshmëria – Vendosja e kërkuesit në një institut rehabilitimi është atribut i autoriteteve kombëtare, duke qenë se është rezultat i akteve të ndryshme të ndërmarra që me kërkesën e futjes në institut si edhe përgjatë zbatimit të masës nga ana e autoriteteve dhe institucioneve publike që veprojnë me ndërmjetësinë e agjentëve të tyre. Kërkuesi ishte strehuar në një bllok të institutit nga i cili mund të dilte, por koha e kaluar jashtë institutit dhe vendet ku mund të shkonte ishin përherë të kontrolluara dhe të kufizuara. Ky regjim autorizimesh për të dalë prej aty dhe fakti se administrata i mbante dokumentet e identitetit të kërkuesit kanë përbërë kufizime të mëdha të lirisë individuale të të interesuarit. Edhe pse kërkuesi ka mundur të kryejë disa zhvendosje, ai ndodhej vazhdimisht në kontroll dhe nuk ishte i lirë të largohej nga instituti pa autorizim atëherë kur dëshironte. Qeveria nuk ka treguar se gjendja shëndetësore e kërkuesit ishte e tillë që ta vendosnin në një situatë rreziku të menjëhershëm apo të urdhëronin miratimin e kufizimeve speciale me qëllim mbrojtjen e tij. Kohëzgjatja e vendosjes së tij në institutin e rehabilitimit nuk ka qenë e caktuar dhe kësisoj mbetet e pacaktuar, duke qenë se kërkuesi ka qenë i regjistruar në regjistrat civilë të komunës me vendbanim të përhershëm në institut. Tashmë prej tetë vitesh, ai vazhdon ende të banojë atje, dhe pa dyshim është duke vuajtur tërësisht pasojat negative të kufizimeve me të cilat është përballur. Atij nuk i është kërkuar të japë mendimin e vet në lidhje me vendosjen aty dhe në asnjë rast nuk ka dhënë pëlqimin e tij të hapur në lidhje me të. Ligji i brendshëm i jepte një farë peshe vullnetit të të interesuarit dhe duket se ky i fundit e kuptonte mirë situatën në të cilën ndodhej. Jo më vonë se në fillim të vitit 2004, kërkuesi kishte shprehur në mënyrë të qartë dëshirën e tij për t’u larguar nga instituti para psikiatërve si edhe në kuadër të procedurave që ka ndërmarrë pranë autoriteteve me qëllim rifitimin e kapacitetit të tij juridik. Gjykata nuk është e bindur nëse i interesuari ka rënë dakord me vendosjen në institut apo nëse diçka të tillë e ka pranuar në mënyrë të heshtur. Duke mbajtur parasysh përfshirjen e autoriteteve bullgare në vendimin për vendosjen e kërkuesit, të regjimit të daljes nga instituti, të kohëzgjatjes së masës dhe të mungesës së pëlqimit të të interesuarit, situata e marrë në shqyrtim dëshmon për privim të lirisë dhe Neni 5 § 1 gjen zbatim në të.
b) Themeli – Vendimi për të vendosur kërkuesin në një institut rehabilitimi për persona të prekur nga çrregullime mendore pa marrë paraprakisht pëlqimin e tij nuk është i vlefshëm në të drejtën bullgare. Ky konkluzion është i vetëmjaftueshëm për t’i mundësuar Gjykatës të konstatojë se privimi i lirisë së kërkuesit ishte në kundërshti me Nenin 5. Në cilëndo rrethanë, kjo masë nuk ishte e rregullt në kuptimin e nenit 5 § 1 të Konventës pasi asnjë nga përjashtimet e parashikuara nga kjo dispozitë nuk ishte e zbatueshme, duke përfshirë këtu edhe nenin Neni 5 § 1 e) – privimi i lirisë së një « personi të paaftë mendërisht ». Në këtë çështje, është e vërtetë se ekspertiza mjekësore e kryer në kuadër të procedurës së privimit të kapacitetit juridik tregon për çrregullime nga të cilat vuante kërkuesi. Gjithsesi, kanë kaluar më shumë se dy vite që nga koha në të cilën ekspertiza psikiatrike mbi të cilën u bazuan autoritetet dhe masa e vendosjes, por kujdestari ende nuk ka proceduar për të verifikuar evoluimin eventual të gjendjes shëndetësore të kërkuesit duke mos e takuar fare e as pyetur. Kjo periudhë kohore është e tepërt dhe nuk do të mund të përfundonim se një opinion mjekësor i shprehur në vitin 2000 pasqyronte në mënyrë bindëse gjendjen e shëndetit mendor të kërkuesit në periudhën e vendosjes në të (në vitin 2002). Del e arsyeshme të çmohet se autoritet kombëtare nuk e kishin detyrimin ligjor për të urdhëruar një ekspertizë psikiatrike në momentin e vendosjes. Mungesa e një vlerësimi mjekësor të kohëve të fundit është e mjaftueshme për të vendosur se vendosja e kërkuesit nuk ka qenë e rregullt. Për më tepër, nuk ka qenë vendosur se kërkuesi ishte i rrezikshëm për veten e tij apo edhe për të tjerët. Gjykata vëren gjithashtu mangësi në verifikimin e vazhdimësisë së çrregullimeve që përligjin mbylljen në institut. Megjithëse kërkuesi ka qenë ndjekur nga një psikiatër, kjo ndjekje nuk kishte si qëllim që të vlerësonte, me intervale të rregullta, nëse mbajtja në institut vazhdonte të ishte e nevojshme përkundrejt nenit 5 § 1 e). Në fakt, një vlerësim i tillë nuk ishte parashikuar as nga legjislacioni veprues. Vendosja e kërkuesit nuk ka qenë urdhëruar « sipas rrugëve ligjore » dhe nuk ka qenë e përligjur as nga pika e), as nga pikat a) deri në pikën f) të Nenit 5 § 1.
Vendimi : shkelje (njëzëri).
Neni 5 § 4 : Qeveria nuk ka paraqitur asnjë rekurs të brendshëm të tipit që do të mund t’i lejonte kërkuesit të kundërshtonte në mënyrë të drejtpërdrejtë ligjshmërinë e vendosjes së tij në institut dhe respektimin e kësaj mase. Gjykatat bullgare në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kanë qenë të përfshira në vendosjen e kërkuesit, dhe legjislacioni kombëtar nuk parashikon kontroll gjyqësor periodik dhe automatik për vendosjen e një personi në ndonjë institut për persona të prekur nga çrregullime mendore. Nga ana tjetër, duke qenë se vendosja e kërkuesit nuk njihet si një privim i lirisë në të drejtën bullgare, kjo e fundit nuk parashikon asnjë rekurs për të kundërshtuar ligjshmërinë e kësaj mase si privim i lirisë. Pavlefshmëria e kontratës së vendosjes për mungesë pëlqimi do të mund të pretendohej vetëm me nismën e kujdestarit.
Vendimi : shkelje (njëzëri).
Neni 5 § 5 : Nuk ka qenë treguar se kërkuesi mund të përfitonte, përpara këtij vendimi të Gjykatës, nga ndonjë e drejtë zhdëmtimi, apo nëse do të mund të përfitojë nga një e drejtë e tillë pas shpalljes së këtij vendimi, për privimin e lirisë së parregullt.
Vendimi : shkelje (njëzëri).
Neni 3 : Neni 3 ndalon trajtimet çnjerëzore dhe poshtëruese të personave të cilët ndodhen në duart e autoriteteve, qoftë kur bëhet fjalë për mbajtje të urdhëruara në kuadër të ndonjë procedure pénale ose të ndonjë internimi që synon mbrojtjen e jetës ose shëndetin e të interesuarit. Në institut ushqimi nuk ishte i mjaftueshëm dhe ishte i një cilësie të keqe. Ndërtesa nuk kishte ngrohjen e duhur dhe, në dimër, kërkuesi duhej të shtrihej megjithë pallton e tij. Dush mund tl bënte vetëm një herë në javë , në një banjë të ndotur dhe të amortizuar. Tualetet ishin në një gjendje të mjerueshme dhe, për më tepër, sipas konstatimeve të KPT-së, ishte me rrezik të hyje në to. Po kështu, instituti shkëmbente rrobat mes të shtruarve pasi laheshin, çka krijonte një ndjenjë inferioriteti mes tyre. Kërkuesi ka qenë i ekspozuar ndaj të gjitha këtyre kushteve përgjatë një periudhe të gjatë prej pothuajse shtatë vitesh (midis viteve 2002 dhe 2009, periudha kur ndërtesa në të cilën ndodhej kërkuesi ishte në rinovim). Pasi kishte vizituar vendet, KPT-ja vendosi se në atë periudhë kushtet e jetesës në institut mund të përshkruheshin si përbërëse të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues. Duke qenë në dijeni të këtyre konkluzioneve, në periudhën 2002 deri në 2009, Qeveria bullgare nuk ka ndërmarrë ndonjë angazhim për të shkuar drejt mbylljes së ndërtesës. Mungesa e burimeve financiare të përmendura nga Qeveria nuk përbën një argument bindës për të përligjur mbajtjen e kërkuesit në kushtet e jetesës të përshkruara më lart.
Vendimi : shkelje (njëzëri).
Neni 13 së bashku me Nenin 3 : Vendosja e kërkuesit në institut nuk konsiderohet si një formë burgosje në të drejtën e brendshme. I interesuari nuk do të mundej kësisoj të përfitonte zhdëmtim për kushtet e këqija të jetesës në këtë institut në përputhje me ligjin e vitit 1988 për përgjegjësinë e shtetit. Nga ana tjetër, nuk ekziston asnjë lloj vendimi drejtësie sipas të cilit ky ligj të ishte i zbatueshëm ndaj pretendimeve që lidhen me kushtet e këqija në institutet e rehabilitimit. Edhe nëse do të supozohej se i interesuari do të mund të kishte rifituar kapacitetin e tij juridik dhe të largohej nga instituti, atij nuk do t’i jepej asnjë zhdëmtim për faktin se ka qenë i mbajtur në ato kushte poshtëruese në atë institut.
Vendimi : shkelje (njëzëri).
Neni 6 § 1 : Kërkuesi nuk kishte mundësi, pa ndërmjetësinë e kujdestarit të tij ose të një prej personave të synuar nga Neni 277 i kodit të procedurës civile, të kërkonte rivendosjen e kapacitetit të tij juridik. E drejta e brendshme nuk bën asnjë lloj dallimi mes personave të deklaruar tërësisht të paaftë dhe atyre që janë prekur pjesërisht nga ndonjë paaftësi, dhe nuk parashikon gjithashtu asnjë mundësi për kontrolle periodike automatike të arsyeve që përligjin mbajtjen nën kujdestari. Për më tepër, në rastin e kërkuesit, kjo masë nuk ka qenë e kufizuar në kohë. Në rast se e drejta për t’iu drejtuar një gjykate nuk është absolute dhe në rast se kufizime të të drejtave procedurale të një personi, edhe nëse është i prekur nga një paaftësi e pjesshme, mund të përligjen, e drejta për t’i kërkuar një gjykate të rishikojë një shpallje paaftësie shfaqet si një ndër më të vyerat për individin e prekur. Prej këtu rrjedh se këta persona duhet që në parim të përfitojnë në këtë fushë një akses të drejtpërdrejtë në drejtësi. Gjithsesi, shteti mbetet i lirë për të përcaktuar modalitetet procedurale për ushtrimin e këtij aksesi të drejtpërdrejtë. Në të njëjtën kohë, nuk do të ishte e papajtueshme me Nenin 6 që ligji kombëtar të parashikonte në këtë fushë disa kufizime për aksesin në drejtësi me qëllimin e vetëm për të shmangur dendjen e gjykatyve nga kërkesa të tepërta dhe haptazi të pa mbështetura në ligj. Sidoqoftë duket qartë se mjetet më pak kufizuese se një privim automatik i aksesit të drejtpërdrejtë mund të zbatohen për të zgjidhur një problem të tillë, për shembull kufizimin e periodicitetit të kërkesave ose vendosjen në zbatim të një sistemi paraprak shqyrtimi për pranueshmërinë e tyre në bazë të dosjeve. Për më tepër, ekziston sot, në nivel europian, një prirje për t’u dhënë individëve të privuar nga kapaciteti i tyre juridik një akses të drejtpërdrejtë në gjykatë me qëllim heqjen e kësaj mase. Për më tepër, instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e personave të prekur nga çrregullime mendore i japin sot rëndësi të madhe dhënies së një autonomie juridike optimale për ata persona. Neni 6 § 1 duhet të interpretohet si garant në parim i cilitdo personi të shpallur pjesërisht i paaftë, siç është rasti i kërkuesit, i një aksesi të drejtpërdrejtë në gjykatë për të rivendosur kapacitetin e tij juridik. Një akses i tillë i drejtpërdrejtë nuk garantohet në një shkallë të mjaftueshme sigurie nga ana e legjislacionit bullgar veprues.
Vendimi : shkelje (njëzëri).
Neni 46 : Për të fshirë pasojat e shkeljes së të drejtave të kërkuesit, autoritetet, duhej të verifikonin nëse ky i fundit dëshiron të qëndrojë në institutin në fjalë. Asnjë element i këtij vendimi nuk duhet në fakt të shihet si një pengesë për mbajtjen e vendosjes së kërkuesit në institutin në fjalë apo në ndonjë institut tjetër për persona të prekur nga çrregullime mendore në rast se vërtetohet se ky i fundit jep pëlqimin për një vendosje të tillë. Në të kundërt, në rastin kur ky i fundit nuk do të jepte pëlqimin, është detyrë e autoriteteve të rishqyrtojnë situatën e tij, pa u vonuar, në dritën e konkluzioneve të këtij vendimi. Duke mbajtur parasysh konstatimin e shkeljes së Nenit 6 § 1 për shkak të mungesës, për një person pjesërisht të privuar nga kapaciteti i tij juridik, të një aksesi të drejtpërdrejtë në një gjykatë për të kërkuar rifitimin e kapacitetit të tij, Gjykata i rekomandon shtetit të paditur të parashikojë masa të përgjithshme të nevojshme për të mundësuar në mënyrë efikase një akses të tillë.
Neni 41 : 15 000 EUR për dëmtim moral.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Hartuar nga sekretari i seancës, kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën
Klikoni këtu për të shkuar tek Njoftime në lidhje me jurisprudencën
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy