SITAROPOULOS DHE GIAKOUPOULOS kundër GREQISË
(kërkesa nr.42202/07)
15 mars 2012
Dhomë e Madhe
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesit ishin dy shtetas grek të lindur respektivisht në vitin 1967 dhe 1958, banues në Strasburg, Francë. Kërkuesit mbanin postin e zyrtarit në Këshillin e Evropës.
2. Me dekretin Presidencial nr. 154/2007, parlamenti grek u shpërnda dhe u shpall data e zgjedhjeve të parakohshme më 16 shtator 2007. Kërkuesit i dërguan një faks ambasadorit të Greqisë në Francë, ku i kërkonin të shprehnin vullnetin e tyre me votë për zgjedhjet e ardhshme, prej vendit ku ata jetonin.
3. Ambasadori, duke u mbështetur edhe në direktivat e dhëna nga Minsitria e Punëve të Brendshme të Greqisë i ktheu përgjigje kërkesës tyre, duke u shpjeguar kërkuesve se mungonte baza ligjore për mënyrën e votimit të qytetarëve grek rezident në një vend tjetër, pa qenë nevoja e vajtjes së tyre në Greqi ditën e votimit.
4. Zgjedhjet u zhvilluan në datën e përcaktuar dhe kërkuesit, duke mos patur mundësi që të udhëtonin për në Greqi, nuk e ushtruan të drejtën e tyre për të votuar.
5. Kërkuesit iu drejtuan Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke pretenduar se me pamundësinë që kishin emigrantët grek për të votuar jashtë Greqisë ishte shkelur e drejta e tyre për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre me votë, një e drejtë kjo që garantohej nga neni 3 i Prokollit nr. 1 të Konventës.
II. Vendimi i Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 3 të Protokollit 1
6. Gjykata vlerësoi se, pavarsisht se Kushtetuta greke i kishte dhënë të drejtën emigrantëve për të votuar në vendin ku ata banonin, qeveria nuk kishte ndërmarrë asnjë masë nënligjore për procedurën dhe mënyrën sesi do të mbaheshin këto zgjedhje për emigrantët. Kjo sjellje e qeverisë greke kishte derivuar në një trajtim jo të drejtë të qytetarëve grek, që jetonin jashtë Greqisë.
7. Neni 3 i Protokollit 1 të Konventës është një detyrim për shtetet palë për të mundësuar zgjedhje demokratike si dhe garantimin e të drejtës individuale të votës për të gjithë.
8. Gjykata vërejti se kërkuesit e gëzonin të drejtën për të votuar jashtë vendit të tyre dhe këtë të drejtë ua garantonte Kushtetuta, por ata u ankuan për faktin se nuk janë marrë masat e duhura nënligjore për vënien në praktikë të kësaj të drejte.
9. Për të shqyrtuar këtë pretendim, Gjykata mori në konsideratë praktikat e shteteve të tjera anëtare të Këshillit të Evropës, që lejonin votimet e emigrantëve në vendin ku ato jetonin, instrumenta të ndryshëm ndërkombëtarë në lidhje me këtë problem dhe dispozitat e legjislacionit të brendshëm grek.
10. Sipas Gjykatës, nga shqyrtimi i materialeve të mësipërme, nuk ekzistonte asnjë parashikim apo praktikë e ushtruar, që të detyrojë shtetet për të krijuar kushte të veçanta për votimin e emigrantëve prej vendit ku ata jetojnë.
11. Pavarësisht se Këshilli i Evropës i kishte rekomanduar të gjithë shteteve anëtare të merrnin masat e duhura për ushtrimin e të drejtës së votës nga ana e emigrantëve, Komisioni i Venecias kishte dalë në përfundimin se kjo ishte një këshllë dhe i takonte secilit shtet ta merrte ose jo në konsideratë, duke mos e cilësuar kështu një detyrim.
12. Gjithashtu, Gjykata theksoi se në Kushtetutën Greke këshillohej që të krijoheshin mekanizma për votimin e emigrantëve prej vendit ku ata jetonin, por kjo nuk ishte një detyrim për qeverinë greke.
13. Duke pasur parasysh se ky diskutim ishte ngritur në shtetin grek, dhe partitë politike greke ndanin mendime të ndryshme për mënyrën sesi do të lejohej votimi i emigrantëve jashtë Greqisë, atëherë Gjykata vlerësoi se nuk është detyrë e saj të vendosë për këtë çështje krejtësisht të brendshme.
14. Në përfundim, Gjykata çmoi se shpenzimet që do të kishin kërkuesit dhe familjet e tyre në rast se do të udhëtonin për në Greqi ditën e votimit, nuk përbëjnë shkelje të nenit 3 të Protokollit1 të Konventës.
Full & Egal Universal Law Academy