STOJANOVIĆ kundër SERBISË
(kërkesa nr. 34425/04)
19 maj 2009
çregjistrimi nga lista e një kërkese sipas nenit 37 të Konventës, pasi Gjykata e konsideroi një çështje të zgjidhur
I. Faktet kryesore
1. Kërkuesi, Ljubiša Stojanović, është një nënshtetas serb i lindur në vitin 1956.
2. Çështja lidhej me ankesën e zotit Stojanović, sipas të cilit, teksa vuante dënimin në burg, autoritetet nuk kishin pranuar t’i siguronin atij një protezë dhëmbësh falas. Ai ankohej gjithashtu se autoritetet e burgut kishin hapur korrespondencën e tij me organet e brendshme dhe me Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
3. Në shkurt të vitit 2004, kërkuesi u kontrollua fillimisht nga dentisti i burgut, i cili konfirmoi mungesën totale të dhëmbëve dhe propozoi që kërkuesit t’i sigurohej një protezë dhëmbësh. Më vonë, kërkuesit iu kërkua nga autoritetet që, sipas dispozitave të brendshme për kujdesin shëndetësor, të paguante 60 përqind të shpenzimeve për protezën e dhëmbëve. Kërkuesi propozoi që ta paguante kontributin e tij me këste mujore, por kjo rezultoi pa sukses.
4. Gjatë periudhës prej qershorit 2004 deri në janar 2007, kërkuesi bëri disa përpjekje të tjera për të marrë protezën e dhëmbëve, teksa vazhdonte të kishte probleme serioze gjatë të ngrënit. Atij i ranë të fikët në dy raste, ndërsa herën e dytë ai mori dëmtime të tilla, që u detyrua t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale në nofulla.
5. Më 30 janar 2007, drejtuesi i burgut e informoi kërkuesin se burgu do të mbulonte të gjitha shpenzimet për protezën e tij. Arsyeja për këtë veprim, sipas tij, ishte humanitare dhe se legjislacioni i brendshëm përkatës nuk përmbante asnjë detyrim të këtij lloji për autoritetet. Më 25 qershor 2007, kërkuesi mori protezën e kërkuar.
II. Vendimi i Gjykatës
6. Kërkuesi u ankua për refuzimin e autoriteteve serbe për t’i siguruar atij një protezë dhëmbësh falas, në mungesë të së cilës ai pretendonte se kishte pasur probleme serioze me shëndetin. Ai u ankua gjithashtu për ndërhyrjen e autoriteteve të burgut në korrespondencën e tij me Gjykatën, si edhe me organet e ndryshme kombëtare. Ai u mbështet në nenin 3, 8 dhe nenin 1 të Protokollit të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
A. Në lidhje me nenin 37
7. Gjykata përsëriti se, sipas nenit 37 § 1 (b), ajo mund “... të vendosë në cilëndo fazë të procedimeve që ta heqë një aplikim nga lista e saj e çështjeve për shqyrtim, kur rrethanat të çojnë në përfundimin se... problemi është zgjidhur...”. Me qëllim që të vlerësonte nëse kjo dispozitë i përgjigjej çështjes në fjalë, Gjykatës iu desh t’i përgjigjej dy pyetjeve: së pari, nëse ishin ende në fuqi kushtet për të cilat ishte ankuar drejtpërdrejt kërkuesi; dhe, së dyti, nëse ishin korrigjuar shkeljet e mundshme të Konventës dhe/ose të Protokollit 12.
8. Gjykata vërejti se kërkuesi e kishte marrë protezën e tij falas më 25 qershor 2007. Për më tepër nuk ka asnjë provë, se ai ka vuajtur probleme shëndetësore që atëherë. Nuk ka as dëshmi mjekësore, që ai është lënë të vuajë urinë ose që nuk ka marrë mjaftueshëm ushqim përpara datës në fjalë. Rrjedhimisht Gjykata konsideroi se çështja që kishte sjellë ankesën e kërkuesit ishte “zgjidhur” sipas nenit 37 § 1 (b), prandaj vendosi që ta mbyllte çështjen.
B. Në lidhje me nenin 8
9. Nuk ka asnjë provë, se kërkuesi kishte qenë ndonjëherë dakord me praktikën, nëpërmjet së cilës të burgosurit ishin të detyruar t’ia jepnin letrat e tyre të hapura autoriteteve të burgut dhe në kuadër të faktit se korrespondenca e tij në ardhje hapej dhe vulosej gjithashtu nga ata, Gjykata konsideron se këtu kishte qartësisht një “ndërhyrje nga një autoritet publik” në ushtrimin, që i bënte kërkuesi të drejtës për të respektuar korrespondencën e tij, e garantuar kjo nga neni 8 paragrafi 1 i Konventës.
10. Gjykata vuri re që si Kushtetuta e Serbisë e vitit 1990, ashtu edhe Karta e të Drejtave të Njeriut e Minoriteteve dhe Lirive Civile, të cilat ishin në fuqi në kohën e zhvillimit të çështjes, siguronin se nuk mund të ndërhyhej në korrespondencën e askujt në mungesë të një vendimi specifik nga ana e gjykatës për një gjë të tillë. Meqënëse nuk ishte marrë ndonjëherë një vendim i tillë në lidhje me kërkuesin, e meqë rregullat dhe rregulloret e aplikueshme të burgut ishin për vete mjaft të paqarta në këtë drejtim, ndërhyrja e përmendur nuk ishte “në përputhje me ligjin” në kohën materiale.
11. Për pasojë, Gjykata përfundoi se kishte pasur një shkelje të nenit 8 të Konventës.
C. Në lidhje me nenin 41
12. Gjykata gjeti se gjetja e një shkeljeje përbënte në vetvete mjaftueshëm shpërblim të drejtë për çdo dëm jopasuror të pësuar nga kërkuesi.
Full & Egal Universal Law Academy