GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA STRAZIMIRI KUNDËR SHQIPËRISË
(Kërkesa nr. 34602/16)
VENDIM
Neni 3 – Trajtim çnjerëzor – Trajtim poshtërues – Kushte të këqija në rastet e ndalimit me arrest dhe trajtim mjekësor i papërshtatshëm për një person të sëmurë mendor, i cili i nënshtrohet një trajtimi mjekësor të detyrueshëm me urdhër gjykate – “Braktisje terapeutike”
Neni 5 §1 (e) – Arrest ose ndalim i ligjshëm – Arresti në një institucion për ekzekutimin e dënimeve penale të individit të sëmur mendor, i cili është përjashtuar nga përgjegjësia penale – Dështimi i autoriteteve për një kohë të gjatë për të ndërtuar një institucion mjekësor të posaçëm të integruar në sistemin shëndetësor, në shkelje të ligjit të brendshëm – Problem strukturor
Neni 5 § 4 – Përshpejtimi i shqyrtimit – Vonesë në procedimet e apelit për tre vjet, i cili i atribuohet tërësisht autoriteteve
Neni 5 § 5 – Kompensimi – Mungesa e të drejtës së zbatueshme për kompensim në lidhje me shkeljet specifike të neneve 5 §§ 1 dhe 4
STRASBURG
21 janar 2020
Ky vendim do të bëhet i formës së prerë sipas rrethanave të parashikuara në nenin 44 § 2 të Konventës. Ai mund të bëhet objekt i rishikimit redaktues.
Në çështjen Strazimiri kundër Shqipërisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur si një Dhomë e përbërë nga:
Robert Spano, kryetar,
Marko Bošnjak,
Valeriu Griţco,
Egidijus Kūris,
Ivana Jelić,
Arnfinn Bårdsen,
Darian Pavli, gjyqtarë
dhe Stanley Naismith, sekretar i Seksionit,
Pasi diskutuan me dyer të mbyllura më datë 10 dhjetor 2019,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po atë datë:
PROCEDURA
1. Çështja filloi me një kërkesë (nr. 34602/16) kundër Republikës së Shqipërisë, paraqitur në Gjykatë, më datë 11 qershor 2016, mbështetur në nenin 34, të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”), nga një shtetas shqiptar, z. Arben Strazimiri (“kërkuesi”).
2. Kërkuesi u përfaqësua nga znj. E. Skendaj, nga Komiteti i Helsinkit i Shqipërisë. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti i saj, në atë kohë, znj. Alma Hicka nga Avokatura e Shtetit.
3. Kërkuesi u ankua se kushtet e arrestit t tij dhe trajtimi i papërshtatshëm mjekësor, që ai ka marrë, kanë qenë në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Gjithashtu, ai u ankua se: i) izolimi i tij në burg nuk është urdhëruar “në mbështetje të një procedure të parashikuar me ligj” dhe nuk ka qenë e “ligjshme”, sipas interpretimit të nenit 5 § 1 të Konventës, ii) nuk i është dhënë mundësia që ligjshmëria e ndalimit të tij të shqyrtohej “pa vonesë” nga një gjykatë sipas parashikimit në nenin 5 § 4, dhe iii) ai nuk ka pasur të drejtën e zbatueshme për kompensim për shkeljet e pretenduara sipas nenit 5, mbështetur në nenin 5 § 5 të Konventës. Së fundmi, ai u ankua për mungesë të një mjeti efikas dhe se ishte diskriminuar për shkak të sëmundjes së tij mendore, në kundërshtim me nenit 13 dhe 14 të Konventës, respektivisht.
4. Më 5 tetor 2016, Qeveria u njoftua për ankesat në mbështetje të neneve 3, 5 § 1, 4 dhe 5, neneve 13 dhe 14 të Konventës, ndërsa pjesa tjetër e kërkesës u deklarua e papranueshme sipas Rregullit 54 § 3 të Rregullores së Gjykatës.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur në vitin 1973. Në momentin kur ai paraqiti kërkesën e tij, ai mbahej i ndaluar në Qendrën Spitalore të Burgut të Tiranës (“Qendra Spitalore e Burgut”). Ai është diagnostikuar me skizofreni paranojake.
A. Procedimet gjyqësore në lidhje me trajtimin e detyruar mjekësor të kërkuesit
1. Grupi i parë i procedimeve
6. Kërkuesi u arrestua në muajin prill 2008, në flagrancë teksa përpiqej të kryente një vrasje. Në vijim, ai u gjykua për vrasje të paramenduar të mbetur në tentativë.
7. Më 25 mars 2009, Gjykata e Rrethit Tiranë konstatoi se kërkuesi, i cili kishte kryer veprën penale të vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë, duhej të përjashtohej nga përgjegjësia penale për shkak të sëmundjes së tij mendore dhe kërkoi trajtimin e detyruar për kërkuesin në një institucion mjekësor, në përputhje me nenin 46 të Kodit Penal. Vendimi mbështetej në një raport mjekësor të ekspertit, të datës 23 maj 2008, në të cilin konstatohej se “kërkuesi e kishte kryer veprën nën ndikimin e sëmundjes së tij, dhe për pasojë si nuk do të bëhej përgjegjës për veprimet e tij, dhe se kërkuesi kishte nevojë për trajtim të detyruar spitalor, duke qenë se konsiderohej si ‘një person i cili përbën rrezik të lartë social’”.
8. Vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë mori në konsideratë faktin se:
“1. Gjykata e Rrethit Tiranë urdhëroi trajtimin e detyruar mjekësor për kërkuesin, pa shtrim në spital, nën kujdesin e familjes së tij, në një vendim të datës 13 janar 2006;
2. Gjykata e Rrethit Tiranë urdhëroi shtrimin e përkohshëm të kërkuesit në pavijonin e psikiatrisë së Qendrës Spitalore të Burgut, me anë të vendimit të datës 8 mars 2007;
3. Gjykata e Rrethit Tiranë urdhëroi lirimin e tij nga burgu me anë të vendimit të datës 27 dhjetor 2007.”
9. Më datë 8 prill 2009, mbështetur në urdhër-ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, të datës 25 mars 2009, kërkuesi u dërgua në Burgun e Krujës.
2. Grupi i dytë i procedimeve
10. Në një datë të papërcaktuar, në vitin 2010, kërkuesi kërkoi revokimin e vendimit të datës 25 mars 2009. Gjykata e Rrethit Tiranë urdhëroi një tjetër kontroll mjekësor për gjendjen e shëndetit mendor të kërkuesit. Raporti mjekësor i datës 7 korrik 2010, konstatoi se:
“1. Kërkuesi vuante nga skizofrenia paranojake;
2. Gjendja e tij nuk ishte e qëndrueshme;
3. Rekomandohej të vijohej me trajtimin e detyruar mjekësor të pacientit, me shtrim spitalor.”
11. Më 27 tetor 2010, mbështetur në raportin mjekësor të sipërpërmendur, Gjykata e Rrethit Tiranë urdhëroi vijimin e trajtimit mjekësor të detyruar me shtrim spitalor. Në vijim, gjykata deklaroi se familjarët e kërkuesit nuk kishin demonstruar se ata mund të ofronin kushte të cilat do të ishin të përshtatshme, duke marrë në konsideratë rrezikun shoqëror të kërkuesit për shkak të sëmundjes së tij. Më 11 mars 2011, Gjykata e Apelit Tiranë, e la atë vendim në fuqi.
12. Më 30 mars 2011, prokurori lëshoi një urdhërekzekutimi për vendimet e gjykatave.
13. Më 20 qershor 2011, kërkuesi u transferua në Qendrën Spitalore të Burgut, ku mbahej në kohën kur ai paraqiti kërkesën e tij.
3. Grupi i tretë i procedimeve
14. Më 16 janar 2013, Gjykata e Rrethit Tiranë shqyrtoi proprio motu, sipas nenit 46 të Kodit Penal, trajtimin e detyruar mjekësor me shtrim spitalor të kërkuesit. Pasi mori në konsideratë dy raporte të ndryshme mjekësore, gjykata urdhëroi vijimësinë e trajtimit të detyruar me shtrim spitalor të kërkuesit, me arsyetimin se kjo gjë justifikohej me gjendjen shëndetësore të kërkuesit, pamundësinë e familjes së tij për të siguruar kushte të përshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore, si edhe përpjekjet e dështuara të kërkuesit për të kryer vetëvrasje. Ky vendim u la në fuqi në apel më 3 prill dhe 30 maj 2013 nga Gjykata e Apelit Tiranë dhe Gjykata e Lartë, respektivisht.
15. Më 15 prill 2013, prokurori lëshoi një urdhërekzekutimi për vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 3 prill 2013.
4. Grupi i katërt i procedimeve
16. Në një datë të papërcaktuar, përfaqësuesi i kërkuesit bëri një kërkesë në Gjykatën e Rrethit Tiranë për revokimin e trajtimit me shtrim në spital të kërkuesit, duke argumentuar se gjendja e tij ishte përmirësuar, si edhe për trajtim pa qenë i shtruar në spital. Gjykata e Rrethit Tiranë pranoi një kërkesë të përfaqësuesit të kërkuesit që të shtoheshin dy ekspertë të pavarur në ekipin e ekspertëve nga Instituti Mjekoligjor, i cili ishte i ngarkuar të paraqiste një raport mjekësor në gjykatë. Ekipi i ekspertëve paraqiti dy raporte mjekësore të ndryshme.
17. Raporti i parë mjekësor, i datës 9 dhjetor 2013, paraqiste ndër të tjera, si më poshtë:
“1. Z. Strazimiri vuan ende nga skizofrenia paranojake.
2. Gjendja e tij aktuale e shëndetit mendor nuk është e qëndrueshme; ai demonstron simptoma psikotike të pakontrolluara.
3. Trajtimi më i mirë për të, duke pasur në konsideratë mbrojtjen e jetës së tij dhe të jetës e shëndetit të të tjerëve, është trajtimi i detyruar mjekësor me shtrim në spital.
4. Mbështetur në gjendjen e tij aktuale mendore dhe nivelin aktual të rrezikut që ai paraqet për shoqërinë, një masë e tillë është ende e nevojshme.”
18. Raporti i dytë mjekësor, i datës 12 dhjetor 2013, i hartuar nga dy ekspertët e pavarur mjekësorë të propozuar nga përfaqësuesi i kërkuesit parashtronte, ndër të tjera, si më poshtë:
“1. Z. Strazimiri vuan ende nga skizofrenia paranojake.
2. ...
3. Në kushtet e gjendjes së tij aktuale shëndetësore, z. Strazimiri nuk mund të nxirret ende për mjekim të lirë. Megjithatë trajtimi më i mirë për të, është trajtimi i detyruar mjekësor si pacient i cili nuk është i shtruar në spital.
4. Në mbështetje të gjendjes së tij aktuale psikiatrike dhe nivelit të rrezikut për shoqërinë, trajtimi i detyruar mjekësor në një institucion psikiatrik, më konkretisht Qendra Spitalore e Burgut, nuk është i nevojshëm.”
19. Gjykata e Rrethit Tiranë shqyrtoi të dyja raportet mjekësore dhe më 3 shkurt 2014, ajo urdhëroi vijimin e trajtimit me shtrim spitalor, duke deklaruar se:
“Z. Strazimiri i është nënshtruar trajtimit të detyruar pa qenë i shtruar në spital... gjë e cila rezultoi joefikase, duke qenë se ai tentoi të vriste A.R. ... Mbështetur në raportet e ekspertit të përgatitur gjatë këtyre viteve, dokumentet e paraqitura gjatë këtij grupi procedimesh dhe provat e disponueshme në dosjen e çështjes, gjykata konstaton se kjo vepër u krye si rezultat i transkurimit të mjekimit nga ana e z. Strazimiri... Për pasojë, trajtimi i detyruar pa shtrim spitalor të pacientit nuk ofron ndonjë siguri se z. Strazimiri nuk do të kryejë vepra të tjera penale ndaj palëve të treta dhe/ose akte vetëvrasjeje.
Ekspertët e caktuar nga z. Strazimiri nënvizuan nevojën për marrjen e mjekimit me përpikëri, si edhe ofrimin e kujdesit familjar për të trajtuar sëmundjen; në rast të kundërt gjendja e tij shëndetësore do të përkeqësohet.
Gjykata vëren se në seancën e datës 3 shkurt 2014, pavarësisht se z. Strazimiri ishte i qetë, ai goditi me grusht në fytyrë, pa asnjë arsye të dukshme, oficerin e policisë së burgut, i cili po e shoqëronte. Ky veprim demonstron faktin se z. Strazimiri vijon të jetë i dhunshëm dhe i rrezikshëm për palët e treta, edhe pse ai mbikëqyret nga një personel i specializuar.
...
Në vitin 2012, z. Strazimiri tentoi të kryente vetëvrasje, edhe pse ishte në mbikëqyrje mjekësore strikte dhe në kushte të posaçme të përshtatshme për shëndetin e tij mendor, diçka të cilën familja e tij nuk do ta kishte përballuar.
Z. Strazimiri ka deklaruar se po pret me padurim lirimin e tij për të përdorur alkool dhe lëndë narkotike.
...
Familjarët e kërkuesit nuk kanë provuar se ata mund të përballojnë trajtimin e duhur mjekësor në raport me nivelin e rrezikut që ai paraqet për shoqërinë për shkak të shëndetit të tij mendor.”
20. Gjykata e Rrethit Tiranë vendosi se trajtimi i detyruar mjekësor në një institucion mjekësor ishte e vetmja masë në përpjesëtim me rrezikun që paraqiste kërkuesi, nevojën për vëmendje të vazhdueshme për jetën dhe shëndetin e tij, dhe mbrojtjen e familjarëve të tij dhe pjesëtarëve të komunitetit.
21. Ai vendim u la në fuqi në apel, më 11 qershor dhe 25 shtator 2014, nga Gjykata e Apelit Tiranë dhe Gjykata e Lartë, respektivisht.
22. Më 20 qershor 2014, prokurori urdhëroi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, të datës 11 qershor 2014.
a) Grupi i pestë i procedimeve
23. Më 17 shtator 2014, kërkuesi, në mbështetje të neneve 3 dhe 5 të Konventës, Kushtetutës, Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe ligjit për shëndetin mendor paraqiti një ankesë në Gjykatën e Rrethit Tiranë duke kërkuar që kjo e fundit të ndërpriste trajtimin e tij poshtërues dhe çnjerëzor dhe izolimin e tij në Qendrën Spitalore të Burgut, dhe ta kalonte për trajtim në një institut të posaçëm mjekësor në varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai pretendonte se kushtet në të cilat mbahej i ndaluar, si edhe trajtimi mjekësor për të, në mjediset e burgut, ishin konsideruar si çnjerëzore dhe poshtëruese nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor ose Poshtërues (“KPT”). Ai iu referua një protokolli për diagnozën dhe kujdesin terapeutik të skizofrenisë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilit sëmundja e tij do të trajtohej në një mënyrë efikase duke kombinuar mjekimin me terapi të tjera mbështetëse.
24. Më 20 nëntor 2014, Gjykata e Rrethit Tiranë konstatoi se, mbështetur në të dhënat përpara saj, avokati i kërkuesit nuk kishte nënvizuar ndonjë shembull specifik për trajtim çnjerëzor dhe poshtërues, përveçse mungesës së trajtimit mjekësor, ose se kërkuesi ishte privuar nga liria e tij në mënyrë të paligjshme. Gjykata e rrëzoi ankesën si dukshëm të pabazuar, duke pohuar se:
“Në mbështetje të provave të marra gjatë këtij grupi procedimesh dhe veçanërisht në një shkresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (“Shërbimi i Burgjeve”), rezulton se:
- Më 23 shtator 2009, z. Strazimiri, për shkak të rikonstruksionit të Qendrës Spitalore të Burgut, u dërgua në Burgun e Krujës, për të vuajtur trajtimin e detyruar mjekësor. Burgu i Krujës është një institucion i specializuar, i cili ofron shërbime shëndetësore në 24 orë (të ofruara nga doktorë dhe infermierë)...
- Që prej datës 26 qershor 2011, z. Strazimiri është transferuar në një pavijon të specializuar, të ndërtuar për trajtimin e personave me sëmundje mendore, në Qendrën Spitalore të Burgut.
- Grupi i pacientëve, ku bën pjesë edhe z. Strazimiri, duhet të jetë nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi i Burgjeve kanë negociuar për kalimin e tyre nën Ministrinë e Shëndetësisë. Faktikisht, shumica e këtij grupi pacientësh, të cilët i nënshtrohen një mase mjekësore janë vendosur në Burgun e Krujës dhe 20% prej tyre janë vendosur në Spitalin e Burgut.
Sipas një letre nga Spitali i Burgut, rezulton se ‘z. Strazimiri është shtruar në spital dhe vijon të marrë trajtim të specializuar në Spitalin e Burgut duke përfshirë terapinë respektive sipas diagnozës... dëshirojmë t’ju informojmë se Spitali i Burgut i ka vendosur në një pavijon të posaçëm të gjithë personat të cilët i nënshtrohen trajtimit të detyruar. Kjo ka ndodhur, sepse kjo kategori pacientësh nuk mund të qëndrojë me pacientë të tjerë, të cilët janë të shtruar për shkaqe shëndetësore dhe do të qëndrojnë përkohësisht deri në rehabilitimin e tyre ose në përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Edhe pse kjo kategori pacientësh është vendosur në një pavijon të posaçëm, administrata e Spitalit të Burgut ka marrë të gjitha masat për të garantuar respektimin e të drejtave të tyre, në mbështetje të rregullores së Spitalit të Burgut, miratuar nga Ministria e Drejtësisë. Është me vend të përmendet e drejta e tyre për ushtrime në mjedise të jashtme..., për këshillim në grup dhe individual, për përfshirjen në aktivitete të ndryshme socio-kulturore, për të paraqitur një ankesë; të interesuarit mund të angazhohen në bibliotekë; dhe kanë të drejtën për këshillim ligjor.
...
Është e vërtetë se ligji për shëndetin mendor (ligji nr. 44/2012) parashikon se personat të cilët i nënshtrohen trajtimit të detyruar mjekësor me urdhër gjykate duhet t’i nënshtrohen kësaj mase në institucione të specializuara shëndetësore, të cilat janë pjesë e sistemit të integruar shëndetësor. Megjithatë, ai nuk parashikon se këto institucione duhet të jenë llogaridhënëse për Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas seksionit 29, Ministria e Shëndetësisë është e detyruar të ofrojë ndihmë të specializuar.
Është po aq e vërtetë se institucione të tilla nuk ekzistojnë në Republikën e Shqipërisë. Gjithsesi, Shteti ka marrë masat e nevojshme për ta kontrolluar situatën deri në ndërtimin e institucioneve të specializuara. Bashkëpunimi midis Shërbimit të Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka vijuar me qëllim adresimin e këtij problemi.
...
Gjykata konstaton se ankesa e z. Strazimirit nuk është e mbështetur në prova dhe në ligj. Për këtë arsye, ajo vendos ta rrëzojë atë.”
25. Më 22 dhjetor 2015, Gjykata e Apelit Tiranë, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë, të datës 20 nëntor 2014.
26. Më 11 janar 2016, kërkuesi apeloi në Gjykatën e Lartë ndaj të dyja vendimeve. Rezulton se çështja është ende pezull në Gjykatën e Lartë.
B. Procedimet ndaj ekzekutimit të vendimeve të gjykatës, të cilat urdhëronin trajtimin e detyruar mjekësor për kërkuesin
27. Më 17 korrik 2014, kërkuesi e kundërshtoi urdhrin e ekzekutimit të prokurorit për vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 11 qershor 2014 (shih paragrafin 22 më sipër). Kërkuesi argumentoi se përderisa ai nuk ishte as i dënuar dhe as i paraburgosur në pritje të gjykimit, mbajtja e tij në një institucion të vuajtjes së dënimit, i tillë si Qendra Spitalore e Burgut, nën varësinë e Shërbimit të Burgjeve, ishte në kundërshtim me legjislacionin e brendshëm, më konkretisht me nenin 46 të Kodit Penal dhe seksionin 45 të aktit për ekzekutimin e vendimeve penale dhe po ashtu në kundërshtim me vendimet e gjykatës të cilat urdhëronin mbajtjen e tij në një institucion të posaçëm mjekësor. Ai parashtroi se një masë e tillë ishte një shkelje e legjislacionit vendës nga KPT-ja dhe Avokati i Popullit.
28. Më 20 tetor 2014, Gjykata e Rrethit Tiranë e rrëzoi ankesën e tij si haptazi të pabazuar, duke konstatuar se urdhri i ekzekutimit ishte lëshuar në mbështetje të legjislacionit të brendshëm. Më 14 prill 2015, Gjykata e Tiranës e la atë vendim në fuqi.
29. Më 21 prill 2015, kërkuesi apeloi ndaj të dy vendimeve në Gjykatën e Lartë. Rezulton se ky grup procedimesh është ende pezull përpara asaj gjykate.
C. Ankesat penale të kërkuesit
1. Grupi i parë i procedimeve
30. Më 24 korrik 2014, kërkuesi paraqiti një ankesë në prokurorinë e Tiranës, duke pretenduar se urdhrat e prokurorit, të cilët e kishin vendosur fillimisht në Burgun e Krujës dhe më pas në Qendrën Spitalore të Burgut, shkelnin ligjin (shih paragrafët 9, 12, 15 dhe 22 më sipër). Gjithashtu, kërkuesi bëri një kërkesë që prokuroria të hapte një çështje dhe të fillonte procedimet penale ndaj zyrtarëve publikë, të cilët kishin qenë përgjegjës për shkeljen përmendur më sipër. Në vijim, ai pretendonte se trajtimi i papërshtatshëm ndaj tij në ato institucione, i mbështetur nga konstatimet e KPT-së, ishte çnjerëzor dhe poshtërues.
31. Më 30 shtator 2014, prokuroria u përgjigj se duke qenë se nuk ekzistonte asnjë institucion mjekësor i posaçëm në vend, i cili të kujdesej për individët që vuanin nga çrregullimet mendore, që i nënshtroheshin trajtimit të detyruar mjekësor me urdhër gjykate, vendosja e kërkuesit në institucionet në fjalë nuk kishte qenë në kundërshtim të ligjit. Në vijim të përgjigjes së tij, më 29 tetor 2014, prokuroria i ofroi kërkuesit informacione të cilat i kishte marrë nga Shërbimi i Burgjeve, ku shpjegohej se një numër i caktuar individësh që i ishin nënshtruar trajtimit të detyruar mjekësor me urdhër gjykate ishin vendosur në Burgun e Krujës me anë të vendimit të prokurorit, të datës 23 shtator 2009, për shkak të rinovimeve që po bëheshin në Qendrën Spitalore të Burgut. Shërbimi i Burgjeve deklaronte se kjo kategori njerëzish duhej të ishte nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe se negociatat midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit të Burgjeve për transferimin e tyre nën Ministrinë e Shëndetësisë ishin në proces.
32. Pas një ankese të Prokurorit të Përgjithshëm, prokuroria regjistroi një ankesë penale në mbështetje të udhëzimeve të ofruara nga Drejtoria e Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Prokurorisë së Përgjithshme. Më 26 janar 2015, Prokuroria vendosi të mos niste procedime penale në lidhje me ankesën e kërkuesit, duke konstatuar se ai nuk kishte qenë objekt i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues ose i një privimi të paligjshëm të lirisë së tij. Prokurori pranoi se në vend nuk ekzistonte asnjë institucion i specializuar që të kujdesej për nevojat e personave të sëmurë mendorë, të cilët i nënshtroheshin trajtimit të detyruar mjekësor me urdhër gjykate. Personat e sëmurë mendorë do të vijonin t’i nënshtroheshin kësaj mase në mjediset e përshtatura nga autoritetet për këtë qëllim, deri në ndërtimin e një institucioni të specializuar.
33. Më 10 qershor 2015, Gjykata e Rrethit Tiranë, pas apelimit së kërkuesit ndaj vendimit të prokurorit, e rrëzoi apelimin. Rezulton se procedimet janë pezull në Gjykatën e Apelit.
2. Grupi i dytë i procedimeve
34. Më 23 korrik 2015, kërkuesi paraqiti një ankesë në prokurori, duke i kërkuar kësaj të fundit të niste procedimet penale ndaj administratorëve dhe menaxherëve të Spitalit të Burgut dhe Burgut të Krujës me pretendimin për kryerjen e veprimeve arbitrare, me pretendimin për mosmarrjen e masave për t’i dhënë fund paligjshmërisë, me pretendimin për mbajtjen në arrest pa një vendim, dhe me pretendimin për shkeljen e barazisë së qytetarëve sipas neneve 250-253, të Kodit Penal.
35. Më 3 shtator 2015, prokurorët vendosën të mos ndërmerrnin procedime penale për këto vepra. Nuk rezulton që kërkuesi të ketë paraqitur një apelim ndaj vendimit të prokurorit.
D. Raporti i ekspertizës mjekësore në lidhje me gjendjen shëndetësore të kërkuesit
1. Raporti i datës 11 shtator 2015
36. i pjesë të këtyre vërejtjeve, kërkuesi paraqiti një raport të ekspertizës mjekësore, të datës 11 shtator 2015, i cili ishte urdhëruar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, në përputhje me nenin 46 të Kodit Penal, për të shqyrtuar gjendjen mjekësore të kërkuesit. Ekspertëve mjekësorë u kërkua t’u përgjigjeshin pyetjeve të mëposhtme:
“1. A vuan ende nga ndonjë çrregullim mendor z. Strazimiri?
2. Nëse po, prej cilit?
3. Cila është gjendja e z. Strazimiri, në këtë periudhë?
4. Nëse ai vuan ende nga çrregullime mendore, cila është mënyra më e mirë për ta trajtuar, duke pasur në konsideratë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të tij, dhe atë të të tjerëve:
a) Trajtimi i detyruar pa shtrim në spital
b) Trajtimi i detyruar me shtrim në një institucion mjekësor?
5 A është ende i nevojshëm trajtimi i detyruar mjekësor i urdhëruar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, në vendimin e saj të datës 25 mars 2009? ”
37. Konstatimet e ekspertëve të mjekësisë ishin si më poshtë:
“Pacienti vuan ende nga skizofrenia paranojake, një sëmundje kronike, pa ndonjë lehtësim në rastin e tij. Ekziston një rrezik i lartë për shfaqje dhune për shkak të sëmundjes së tij.
Simptomat psikotike aktive janë ende të dukshme, edhe pse vihet re një ndryshim pozitiv në krahasim me raportin e fundit mjekësor. Fakti se procesi i tij i të menduarit varet nga, dhe ndryshon si rezultat i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, mbart një rrezik për një sjellje të paparashikueshme.
Sipas dosjes së tij mjekësore, ai manifeston shpesh sjellje disforike, të paktën çdo dy muaj, duke kërkuar injeksione urgjente dhe ndërkohë, ai trajtohet me një kombinim antipsikotikësh në një dozë të lartë.
Përveç psikozës që ai manifeston aktualisht dhe historisë së tij të agresivitetit dhe sjelljes së paparashikueshme, ai manifeston edhe mosndjekje dhe mosrespektim të planit të trajtimit të tij mjekësor, duke paraqitur në këtë mënyrë vështirësi në trajtimin e tij si një pacient i cili nuk është i shtruar në spital.
Për këtë arsye, rekomandohet trajtim i detyruar me shtrim në spital.”
2. Raporti i datës 14 shkurt 2017
38. Si pjesë të vërejtjeve të tij, kërkuesi paraqiti një raport mjekësor të datës 14 shkurt 2017, të urdhëruar nga Gjykata e Rrethit Tiranë në përputhje me nenin 46 të Kodit Penal për të kontrolluar gjendjen mjekësore të kërkuesit si pjesë e një grupit të veçantë procedurash, rezultati i të cilave nuk i është bërë i njohur Gjykatës. Ekspertët e mjekësisë u ngarkuan me detyrën për t’iu përgjigjur të njëjtave pyetje, të paraqitura në paragrafin 36 më sipër.
39. Konstatimet e ekspertëve mjekoligjorë ishin si më poshtë:
“Z. Strazimiri ka vuajtur për shumë vite nga skizofrenia paranojake. Kjo sëmundje ka kushtëzuar gjykimin dhe sjelljen e tij, duke përbërë një rrezik të lartë për sjellje të paparashikuara.
Sipas vlerësimit HCR20 (historik, klinik, menaxhim risku), i cili është një mjet për të matur rrezikun për një sjellje të dhunshme... ky pacient ka përmbushur tre komponentët e HCR dhe është klasifikuar si rrezik i lartë social.
Në këtë kontroll, në mbështetje të vendimit të Gjykatës së Rrethit Tiranë, u konstatua se me doza të larta dhe politerapeutike (antipsikotikësh), menaxhimi klinik i sëmundjes siguronte të mos kishte as përsëritje dhe as përkeqësim. Duke marrë në konsideratë faktin se ka pasur një ndryshim të dukshëm në një nga tre komponentët të [HCR], ia lemë gjykatës të vendosë për masën e duhur mjekësore.
Përfundime
1. Arben Strazimiri vuan nga një sëmundje mendore.
2. Arben Strazimiri vuan nga skizofrenia paranojake.
3. Arben Strazimiri aktualisht shfaq simptoma të lehtësuara të sëmundjes.
4. Sipas progresit aktual të sëmundjes, pavarësisht aspekteve pozitive, nuk mund të rekomandojmë trajtim të detyruara pa shtrim në spital, duke ia lënë gjykatës të vlerësojë masën mjekësore.
5. Duke qenë se një nga tri elementet ka shfaqur ndryshime, ia lëmë vlerësimit të gjykatës të vendosë për masën mjekësore.”
3. Raporti i datës 27 mars 2017
40. Përfaqësuesi i kërkuesit mori një ekspert mjekoligjor të pavarur për të realizuar një vlerësim për gjendjen mjekësore të kërkuesit. Eksperti u ngarkua me detyrën për të realizuar një vlerësim krahasues për trajtimin mjekësor të kërkuesit gjatë viteve të tij në izolim të detyruar në qendrat mjekësore të burgut. Raporti i ekspertit iu referua Protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetit për Trajtimin Mjekësor të Skizofrenisë Paranojake, dhe nënvizoi se deinstucionalizimi dhe forma të ndryshme të psikoterapisë përfaqësonin praktikën standarde për trajtimin efikas të këtij tipi patologjie. Në lidhje me gjendjen e kërkuesit në datën e vizitës (27 mars 2017), eksperti vërejti se ai kishte paraqitur çrregullimet e tij mendore. Për më tepër, raporti i ekspertit nënvizonte se pothuajse i gjithë mjekimi i parashikuar në protokoll i ishte dhënë edhe pacientit, teksa ai nuk i ishte nënshtruar asnjë prej psikoterapive të vlerësuara si thelbësore për shërimin e tij (të tilla si: terapia në grup, terapi familjare, rehabilitim social dhe profesional, dhe kështu me radhë). Në Qendrën Spitalore të Burgut mungonin kushtet bazë mjekësore dhe personeli i trajnuar mjekësor për të realizuar atë trajtim. Për këtë arsye, aplikimi te pacienti i pothuajse të gjitha llojeve të mjekimit të disponueshëm në planin për trajtimin e kësaj patologjie, e shoqëruar me një mungesë totale psikoterapie dhe regjimi në burg (në të cilin përfshiheshin gjithashtu periudha izolimi), rrezikonin ndjeshëm që të sillnin efektin e kundërt dhe të ulnin ndjeshëm mundësitë e një shërimi të mundshëm të pacientit. Eksperti mjekoligjor sugjeronte me këmbëngulje që kërkuesi të transferohej në një qendër mjekësore të përshtatshme dhe, gjithashtu, të rishikohej në detaje plani për trajtimin e tij.
E. Korrespondenca me institucionet shtetërore
41. Më 21 janar 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Kontrollit Strategjik për
Çështjet e Jashtme në Ministrinë e Drejtësisë i dërgoi një shkresë përfaqësuesit të kërkuesit, duke theksuar midis të tjerash, si më poshtë:
“Problemet në lidhje me trajtimin e personave (të sëmurë mendorë), që i janë nënshtruar trajtimit të detyruar mjekësor me urdhër gjykate janë trashëguar dhe kanë mbetur të paadresuara për një periudhë për më shumë se 10 vjet, për shkak të mungesës së një “institucioni të specializuar” në sistemin shëndetësor, i cili do të ofronte trajtim të detyruar për këtë kategori njerëzish sipas ligjit për shëndetin mendor (ligji nr/ 88/2012) dhe ligjit për ekzekutimin e vendimeve penale (ligji nr. 8331/1998).”
Një memorandum mirëkuptimi i lidhur midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë i ishte bashkëngjitur shkresës, duke listuar sipërmarrjet e secilit institucion për trajtimin personave të sëmurë mendorë.
42. Më 28 prill 2016, pas një kërkese nga përfaqësuesi i kërkuesit, Qendra Spitalore e Burgut ofroi më shumë informacione për kushtet në këtë institucion. Shkresa nënvizonte, ndër të tjera, sa më poshtë:
“1. Njëqind e gjashtë njerëz aktualisht marrin trajtim me shtrim spitalor, prej të cilëve dyzet e katër janë në trajtim të detyruar mjekësor dhe njëzet e dy janë me shtrim të përkohshëm. Të gjithë individët, të cilëve iu është privuar liria dhe të cilët vuajnë nga probleme shëndetësore, janë të shtruar në këtë institucion.
2. Kapaciteti i institucionit është nëntëdhjetë e nëntë [pacientë], sipas miratimit me anë të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Burgjeve nr. 303, i datës 23 mars 2016.
3. Numri i personelit mjekësor është dyzet e gjashtë...
4. Individët nën trajtim të detyruar mjekësor marrin shërbimin e kujdesit shëndetësor në standardet më të mira të mundshme. Ata vendosen me individë të cilët i përkasin së njëjtës kategori, duke respektuar parimet e përgjithshme. Ata janë nën kujdesin e një psikiatri, i cili punon me kohët të plotë për institucionin... Trajtimi i tyre me mjekime është në përputhje me protokollin e mjekimit për mjekimet psikotropike të klasave të ndryshme... Në lidhje me infrastrukturën e përgjithshme, pavarësisht përmirësimit të vazhdueshëm, nuk është e mundur të bëhet më shumë për shkak të numrit të kufizuar të shtretërve dhe një kërkese në rritje të vazhdueshme. Zgjidhja përfundimtare do të ishte krijimi i standardeve duke ndjekur shembullin e vendeve më të zhvilluara dhe... çelja e një institucioni mjekoligjor të posaçëm.
5. Personat me probleme të shëndetit mendor trajtohen me programe individuale trajtimi për personat me çrregullime psikologjike dhe psikiatrike me qëllimin për të përmirësuar gjendjen psikoemocionale...
Midis aktiviteteve rehabilituese dhe terapeutike, duhet të përmendet: këshillimi individual dhe në grup, aktivitetet socio-kulturore... ushtrimet në natyrë... dhe lojërat që luhen në një tavolinë/kornizë...”.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE E BRENDSHME
A. Kuadri legjislativ për personat me sëmundje mendore
1. Kushtetuta
43. Kushtetua parashikon, për sa ka të bëjë me çështjen konkrete, si më poshtë:
Neni 25
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor apo poshtërues.”
2. Kodi i Procedurës Penale (“KPP”).
44. Kodi i Procedurës Penale parashikon, për sa ka të bëjë me çështjen konkrete, si më poshtë:
Neni 46
Masat mjekësore të detyrueshme
1. Në çdo rast kur gjendja mendore e të pandehurit tregon se ai duhet të kurohet, gjykata, vendos, edhe kryesisht shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik.
2. Kur është vendosur ose duhet vendosur masa mjekësore e detyrueshme për të pandehurin, gjykata urdhëron që i pandehuri të ruhet në një institucion psikiatrik.
3. Gjatë hetimeve paraprake, prokurori i kërkon gjykatës të vendosë për shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik dhe kur vonesa paraqet rrezik, urdhëron shtrimin e përkohshëm deri në marrjen e vendimit nga gjykata
KAPITULLI V
KOMPENSIMI PËR BURGIM TË PADREJTË
Neni 268
Kushtet e zbatimit
1. Ai që është deklaruar i pafajshëm me vendim të formës së prerë ka të drejtën e kompensimit për paraburgimin e vuajtur, me përjashtim të rasteve kur është provuar që vendimi i gabuar ose moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur është shkaktuar tërësisht ose pjesërisht prej tij.
2. E njëjta e drejtë i takon edhe të dënuarit që ka qenë i paraburgosur, kur me vendim të formës së prerë vërtetohet se akti me të cilin është caktuar masa është nxjerrë pa qenë kushtet e parashikuara nga nenet 228 dhe 229 [të KPP-së].
3. Dispozitat e paragrafëve 1 dhe 2 zbatohen edhe në favor të personit për të cilin është vendosur pushimi i çështjes nga gjykata ose prokurori.
4. Kur me vendim të gjykatës është vërtetuar se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, për shkak të shfuqizimit të dispozitës përkatëse, e drejta e kompensimit nuk njihet për atë pjesë të paraburgimit të vuajtur para shfuqizimit.
Neni 269
Kërkesa për kompensim
1. Kërkesa për kompensim duhet të bëhet, ndryshe nuk pranohet, brenda tre vjetëve nga data në të cilën vendimi i pafajësisë ose i pushimit të çështjes ka marrë formë të prerë.
2. Masa e kompensimit dhe mënyra e llogaritjes, si dhe rastet e kompensimit për arrestin në shtëpi caktohen me një akt të veçantë.
3. Kodi Penal.
45. Kodi Penal parashikon, për sa ka të bëjë me çështjen konkrete, si më poshtë:
Neni 46
Masat mjekësore dhe edukuese
Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer vepër penale, …
Masat mjekësore janë:
1. Mjekimi i detyruar ambulator;
2. Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor;
…
Vendimi gjyqësor për masat mjekësore… është i revokueshëm në çdo kohë kur zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë. Në çdo rast, gjykata është e detyruar që pas kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në shqyrtim vendimin e saj.
Rregullat për revokimin e vendimit gjyqësor që përmbajnë masa mjekësore parashikohen në Kodin e Procedurës Penale.”
4. Kompensimi për burgim të padrejtë (ligji nr. 9381 i datës 28 prill 2005)
46. Sipas seksionit 3 të këtij Akti, burgimi i paligjshëm konsiderohet periudha e: 1) e paraburgimit në rastin kur prokuroria ka ndërprerë hetimin ose gjykata ka liruar të akuzuarin ose ka pushuar çështjen; 2) burgimit pas dënimit nga një gjykatë teksa më vonë dënimi është rrëzuar, është dhënë një vendim lirimi ose çështja është pushuar me anë të një vendimi të formës së prerë; 3) koha e tejzgjatur e vuajtjes së burgimit krahasuar me kohën e dhënë në vendimin e formës së prerë; 4) paraburgimit në rastin kur, me anë të një vendimi të formës së prerë, është provuar se vendimi është lëshuar në shkelje të neneve 228 dhe 229 të KPP-së; 5) paraburgimit përtej afatit statutor; 6) burgimit të paligjshëm për shkak të një gabimi në urdhrin e ekzekutimit, dhe 7) arrestit në shtëpi të parashikuar në paragrafët 1, 3, 4 dhe 5.
5. Ligji për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve (ligji nr. 8328, i datës 16 prill 1998, i ndryshuar – në vijim “Ligji për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”).
47. Ligji për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim fillimisht u zbatua për të gjithë individët e dënuar me burgim me anë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Ndryshimet e vitit 2014, të cilat hynë në fuqi më 29 maj 2014, e shtrinë zbatueshmërinë e tyre edhe për individët në paraburgim. Për sa ka të bëjë me çështjen përpara Gjykatës, ligji për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, i ndryshuar në vitin 2014, parashikon si më poshtë:
Neni 10
Individualizimi i trajtimit
“Trajtimi i të paraburgosurit dhe të dënuarve duhet të bëhet sipas kriterit të individualizimit në përputhje me gjendjen dhe karakteristikat individuale të secilit të dënuar.
Individualizimi i trajtimit bëhet duke vlerësuar nevojat individuale psikologjike, shoqërore, të moshës, gjinore, gjendjen shëndetësore, orientimin seksual ose identitetin gjinor, situatën kulturore dhe ekonomike, mjedisin ku ka jetuar i paraburgosuri ose i dënuari, faktorët e riskut dhe motivimin për t’u përfshirë në veprimtaritë që organizohen në institucion.
Vëzhgimi bëhet në fillim të trajtimit dhe rezultatet e tij verifikohen vazhdimisht gjatë ekzekutimit, duke bërë përshtatjet e duhura në bashkëpunim me të dënuarin.”
Neni 11
Programi dhe realizimi i trajtimit
“Pas procesit të vlerësimit bëhet programimi i trajtimit, në bashkëpunim me të paraburgosurin ose të dënuarin.
Për çdo të paraburgosur dhe të dënuar hartohet plani i riintegrimit, ndërsa për kategoritë e veçanta të të paraburgosurve dhe të dënuarve hartohet programi individual i trajtimit duke mbajtur parasysh edhe nevojat specifike të tyre. Rëndësi e veçantë i kushtohet trajtimit psikosocial… të personave me çrregullime të shëndetit mendor.
…
Vëzhgimi, programimi dhe realizimi i trajtimit bëhen nga administrata e institucionit me anë të personelit të vet, në bashkëpunim me organet dhe institucionet shtetërore përkatëse.
…”
Neni 16
Institucionet mjekësore të posaçme dhe seksionet mjekësore të posaçme
“Institucionet mjekësore të posaçme jashtë sistemit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe seksionet mjekësore të posaçme brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale shërbejnë për mjekimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor.
Vendosja e personave në institucionet mjekësore të veçanta, jashtë sistemit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, kryhet në zbatim të vendimit të gjykatës.
Vendosja e personave në seksione mjekësore të posaçme kryhet në zbatim të vendimit të gjykatës ose të urdhrit të ekzekutimit të prokurorit. Në rastet që nuk presin, vendosja e personit të paraburgosur ose të dënuar urdhërohet nga drejtori i institucionit ku ndodhet i paraburgosuri ose i dënuari, duke vënë në dijeni menjëherë prokurorin.
Dalja nga institucionet mjekësore të posaçme bëhet me vendim të gjykatës në vijim të propozimit të drejtuesit të institucionit, kërkesës së të paraburgosurit dhe të dënuarit ose kujdestarit ligjor të tij, si dhe me iniciativën e gjykatës, duke respektuar afatin maksimal të një viti për rivlerësimin e gjendjes së personit.
Për vendosjen, refuzimin e vendosjes, daljen ose refuzimin e daljes nga institucionet mjekësore të posaçme, i paraburgosuri dhe i dënuari, mbrojtësi ose kujdestari i tij kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni.
Trajtimi në seksionet mjekësore të posaçme brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale bëhet për aq kohë sa gjykata nuk shprehet për trajtimin e tyre në një institucion mjekësor të posaçëm, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për shëndetit mendor.
Në institucionet mjekësore të posaçme dhe seksionet mjekësore të posaçme respektohen të gjitha të drejtat e të paraburgosurve dhe të dënuarve, sipas këtij ligji, si dhe të drejtat e pacientit.
Ministri i Drejtësisë dhe ministri i Shëndetësisë me udhëzim të përbashkët përcaktojnë mënyrën e zbatimit të procedurave që lidhen me trajtimin e kësaj kategorie personash.”
Neni 33/1
Kujdesi shëndetësor për kategori të veçanta
“Shërbimi shëndetësor në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale organizohet pa diskriminim…
Trajtimi i personave me çrregullime të shëndetit mendor mbështetet në ligjin për shëndetin mendor. Të dënuarit dhe të paraburgosurit që gjenden në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor gëzojnë të drejtën për trajtim të veçantë shëndetësor pranë seksioneve mjekësore të posaçme të institucioneve ose në qendrën spitalore të burgjeve.
…
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve merr masa për të mundësuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore të nevojshme në institucione dhe, në pamundësi të tyre, në institucione të specializuara jashtë sistemit të burgjeve.”
6. Ligji për shëndetin mendor
48. Ligji për shëndetin mendor, i cili hyri në fuqi në vitin 1996 (ligji nr. 8092, i datës 21 mars 1996) nuk përmbante parashikime për trajtimin e personave të burgosur me sëmundje mendore, të cilët përjashtoheshin nga përgjegjësia penale për shkak të çrregullimeve të shëndetit mendor.
49. Ligji për shëndetin mendor 1996 u zëvendësua me një ligji të ri për shëndetin mendor, i cili hyri në fuqi më 31 maj 2012 (ligji nr. 44/2012). Për sa ka lidhje me çështjen përpara Gjykatës, ligji për shëndetin mendor 2012 parashikon si më poshtë:
Neni 28
Institucionet mjekësore të posaçme
“1. Institucionet mjekësore të posaçme janë institucione, që shërbejnë për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë kryer një vepër penale, për të cilët gjykata kompetente ka vendosur mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor të të paraburgosurve apo të të dënuarve që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor gjatë vuajtjes së dënimit, si dhe për trajtimin e personave, për të cilët gjykata ka vendosur shtrimin e përkohshëm në një institucion mjekësor të posaçëm, sipas nenit 239, të Kodit të Procedurës Penale.
2. Trajtimi i personave në institucionet mjekësore të posaçme është i njëjtë me trajtimin e pacientëve të tjerë me çrregullime të shëndetit mendor. Institucionet mjekësore të posaçme, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, janë pjesë e sistemit shëndetësor të integruar. Mënyrat dhe
rregullat e ngritjes dhe funksionimit të këtyre institucioneve mjekësore të posaçme dhe masat e sigurisë për ruajtjen e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Neni 29
Shëndeti mendor në institucionet e ekzekutimeve penale
“1. Të dënuarit dhe të paraburgosurit që gjenden në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, gëzojnë të drejtën për trajtim të veçantë shëndetësor pranë këtyre institucioneve ose në Qendrën Spitalore të Burgjeve.
2. Trajtimi dhe përkujdesja për shëndetin mendor, sipas pikës 1, të këtij neni, ofrohet në mënyrë jodiskriminuese dhe sipas standardeve shëndetësore që zbatohen edhe për kategoritë e tjera të personave me çrregullime të shëndetit mendor.
3. Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet shërbimeve të shëndetit mendor, ofron, sipas nevojave, të gjithë asistencën e nevojshme për diagnostikimin, kurimin dhe rehabilitimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, sipas pikës 1 të këtij neni.”
7. Ligji për ekzekutimin e vendimeve penale (ligji nr. 8331/1998, ndryshuar me ligjin nr. 10024/2008)
50. Neni 13, i ligjit për ekzekutimin e vendimeve penale parashikon se prokurori lëshon një urdhër ekzekutimi për vendimet penale. Neni 46 përcakton se “masat mjekësore në lidhje me trajtimin e detyruar ekzekutohen në një institucion të specializuar mjekësor, sipas përcaktimit të Ministrisë së Shëndetit, me kërkesë të prokurorit”.
8. Mjediset për personat me çrregullime mendore
51. Sipas planit të veprimit për zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor për periudhën 2013-2022, sipas përcaktimeve në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë[1], rrjeti i godinave civile për shëndetin mendor përbëhen nga spitalet psikiatrike, pavijonet e psikiatrisë në spitalet civilë, qendrat komunitare të shëndetit mendor dhe qendrat rezidenciale (të përkujdesjes).
B. Legjislacioni tjetër i brendshëm
Kodi i Procedurës Civile
52. Më 5 nëntor 2017, hynë në fuqi një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Civile (ligji nr. 38/2017). Nenet përkatëse mbi kohëzgjatjen e procedimeve parashikojnë si më poshtë:
“Kapitulli X – Gjykimi i kërkesave për konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm, përshpejtimin e procedurave dhe shpërblimin e dëmit
Neni 399/1 Objekti
1. Në kompetencë të gjykatave, sipas shkallëve të gjykimit të përcaktuar në këtë krye, hyjnë edhe shqyrtimi i kërkesave për shpërblimin e drejtë të personit që ka pësuar një dëm pasuror ose jopasuror, për shkak të kohëzgjatjes së paarsyeshme të çështjes, sipas përkufizimit të nenit 6/1, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
2. Dispozitat e këtij kreu përcaktojnë vlerësimin e kohëzgjatjes së arsyeshme të procesit, si edhe shpërblimin e drejtë, kur konstatohet kohëzgjatje e paarsyeshme në procedurat e hetimit, gjykimit të çështjeve, si edhe në procedurat e ekzekutimit të vendimeve.
...
Neni 399/9 - Pranimi i kërkesës
1. Gjykata vendos pranimin e kërkesës, kur vërtetohet shkelja e afatit të arsyeshëm, sipas nenit 6/1, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
....”
C. Praktika gjyqësore dhe raportet e brendshme
1. Vendimet e Gjykatës së Lartë
53. Në vendimin e saj nr. 00-2014-1950, të datës 14 korrik 2014, Gjykata e Lartë përcaktoi kategoritë e ndryshme të njerëzve, shëndeti mendor i të cilëve do të ndikonte në rezultatin e procedimeve penale, duke përfshirë: individët të cilët nuk ishin përgjegjës penalisht në kohën e kryerjes së një vepre penale, por ishin subjekte të procedimeve penale, dhe ndaj të cilëve gjykata vendos një masë mjekësore të detyrueshme; individët të cilët ishin pjesërisht përgjegjës në kohën e kryerjes së një vepre penale dhe ishin subjekte të procedimeve penale, të masave të sigurisë dhe që në fund u dënuan me një dënim më të ulët; individët të cilët kishin përgjegjësi penale përpara kryerjes së një vepre penale dhe, pas kryerjes së veprës, kanë pasur çrregullime ose sëmundje të shëndetit mendor dhe që ishin në pritje të gjykimit penal sipas të cilit do të urdhërohej edhe trajtimi mjekësor, në përputhje me nenet 43-46, të Kodit të Procedurës Penal, ose sipas ligjit mund të urdhërohej pezullimi i procedurave penale; individët e dënuar për një vepër penale (ata kanë pasur përgjegjësi penale në kohën e kryerjes së veprës dhe gjatë gjykimit), të cilët vuanin nga çrregullime të shëndetit mendor teksa vuanin dënimin me burgim, çrregullimet e shëndetit mendor të të cilëve do të ishin një pengesë për ekzekutimin e vendimit penal dhe sipas të cilit mund të urdhërohej lirimi përpara kohe nga burgu.
54. Gjykata e Lartë gjykon se në mbështetje të nenit 46, të Kodit Penal, një gjykatë mund të japë urdhrin për masa mjekësore vetëm për personin i cili nuk ka përgjegjësi penale për kryerjen e një vepre penale dhe është përjashtuar nga përgjegjësia penale për shkak të shëndetit të tij/saj mendor. Lloji i masës mjekësore që urdhërohet do të ishte në varësi të gjendjes psikiatrike të autorit të veprës, rrezikut që ai ose ajo paraqet për shoqërinë, dhe nevojës për trajtim. Neni 16, i ligjit për të drejtat dhe trajtimin e individëve të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve parashikonte vendosjen e individëve në paraburgim dhe atyre të dënuar me burgim me çrregullime të shëndetit mendor në institucione të posaçme mjekësore, [që duhet të ndërtohen] jashtë sistemit penal, për të marrë trajtim mjekësor në zbatim të një vendimi gjykate.
55. Gjykata e Lartë i përsërit këto parime në vendim e radhës nr. 00-2016-347, të datës 2 mars 2016.
2. Raportet e Avokatit të Popullit
56. Kërkuesi paraqiti katër raporte të përgatitur nga Zyra e Avokatit të Popullit, në rolin e tij si Mekanizmi Kombëtar Parandalues, i krijuar sipas protokollit fakultativ të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Dënimeve të tjera të Ashpra, Çnjerëzore dhe Poshtëruese.
Raportet në lidhje me Qendrën Spitalore të Burgut
i) Raporti i datës 22 janar 2015
57. Më 22 janar 2015, Avokati i Popullit nxori një raport pas një vizite në Qendrën Spitalore, më datë 9 dhjetor 2014. Raporti vërente se Qendra Spitalore e Burgut kishte një kapacitet prej nëntëdhjetë e nëntë vendesh, teksa në kohën e vizitës kishte një total prej nëntëdhjetë e shtatë të burgosurish, duke përfshirë pesëdhjetë e një individë, të cilët merrnin “trajtim të detyruar”, me urdhër gjykate dhe me “shtrim të përkohshëm”. Nuk kishte ndarje midis individëve në paraburgim dhe atyre me burgim. Të shtruarit ishin vendosur në tri pavijone të ndryshme sipas natyrës së sëmundjeve nga të cilat vuanin.
58. Në lidhje me kushtet materiale, godina ishte në një gjendje të avancuar rrënimi, me lagështirë të përhapur gjithandej në mure dhe një mungesë të plotë ngrohje qendrore. Ekipi inspektues mori ankesa për gjendjen e higjienës dhe kushtet sanitare, si edhe për mungesën e një sistemi për ngrohje qendrore. Dushet ishin në një gjendje emergjente për riparim. Kishte mungesë të produkteve bazë të higjienës, të cilat siguroheshin nga familjarët. Edhe pse nuk kishte probleme me furnizimin me ujë, të shtruarit raportuan, sidoqoftë se, kishte pasur raste kur nuk kishte ujë të ngrohtë për të bërë një dush. Në lidhje me sigurinë, godina ishte e pajisur me kamera CCTV (kamera të videove televizive me qark të mbyllur), të instaluara në mjediset e jashtme dhe të brendshme të godinave.
59. Të shtruarit mund t’i takonin familjarët e tyre katër herë në muaj në një hapësirë të caktuar specifikisht për këtë qëllim. Pavijoni i psikiatrisë përbëhej nga dhjetë dhoma, në të cilat mungonin mobiliet. Dyshekët dhe çarçafët e shtretërve ishin të gërricur. Ekipi inspektues u informua se dëmet në mobilie dhe në çarçafët e shtretërve mund t’u atribuoheshin të shtruarve. Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, ky pretendim nuk ishte i mjaftueshëm për të justifikuar faktin se të shtruarit mbaheshin në kushte poshtëruese dhe çnjerëzore. Ndriçimi natyral ishte i dobët për shkak të dritareve të vogla, ndërsa ndriçimi artificial nuk ishte i mjaftueshëm.
60. Për sa i përket realizimit të ndonjë aktiviteti, nuk kishte librari dhe as vende lutjeje. Personeli psikosocial pohoi se realizimi i aktiviteteve ishte i rrallë për shkak të mungesës së mjediseve të përshtatshme dhe gjendjes shëndetësore të të shtruarve. Aktivitetet në grupe të vogla në lidhje me çështjet sociale dhe aktuale organizoheshin dy herë në muaj. Këshillimi individual kryhej një herë në muaj me secilin të shtruar, ndërkohë që nuk kishte këshillim në grup. Terapia artistike dhe orët e kopshtarisë zhvilloheshin me raste. Planet për trajtim individual fokusoheshin më së shumti te njerëzit, të cilët kishin bërë përpjekje të kryenin vetëvrasje ose te të varurit nga droga. Ndërhyrja e personelit psikosocial nuk koordinohej në mënyrë të kënaqshme me personelin mjekësor.
61. Të gjithë të shtruarit ishin të kënaqur me ofrimin e kujdesit shëndetësor. Doktorët kryenin konsulta të përditshme çdo mëngjes. Në farmaci kishte pasur mungesë mjekimesh, të cilat ishin sjellë pas alokimit të burimeve buxhetore shtesë.
ii) Raporti i datës 5 janar 2016
62. Më 5 janar 2016, Avokati i Popullit nxori një raport pas vizitës në Qendrën Spitalore të Burgut, më datë 25 nëntor 2015. Raporti nënvizonte se Qendra Spitalore e Burgut kishte një kapacitet prej nëntëdhjetë e nëntë vendesh, ndërsa në kohën e vizitës kishte 103 të shtruar, duke përfshirë gjashtëdhjetë individë të cilët ishin subjekte të një urdhri gjykate për “trajtim të detyruar” dhe “shtrim të përkohshëm”.
63. Raporti përmbante pothuajse të njëjtat gjetje si ato të përshkruara në raportin e datës 22 janar 2015.
3. Protokolli për diagnozën dhe kujdesin terapeutik të skizofrenisë
64. Protokolli për diagnozën dhe kujdesin terapeutik të skizofrenisë, i cili u referua nga kërkuesi gjatë grupit të pestë të procedimeve gjyqësore (shih paragrafin 23 më sipër), fillimisht u publikua në muajin dhjetor 2010 dhe u miratua nga Ministria e Shëndetësisë. Paragrafët më poshtë janë disa pjesë të shkëputura në lidhje me trajtimin e sëmundjes.
“1.3 Rëndësia e trajtimit të duhur të skizofrenisë
... Skizofrenia është një nga shkaqet kryesore të paaftësisë në të gjithë botën. Është sëmundja e tetë kryesore për njerëzit nga mosha 15 deri në 45 vjeç, sipas një studimi të realizuar nga Organizata Botërore e Shëndetit. Trajtimi optimal i pacientëve duhet të jetë shumëplanesh. Një gjë e tillë kërkon kombinimin e terapive më të mira farmakologjike me terapitë më të mira jofarmakologjike. Veçanërisht kur përmirësimi ndodh si rezultat i administrimit të dozave të vogla [të mjekimeve], duke përdorur antipsikotikë (neuroleptikë) (antipsikotikë atipikë të rinj ose të vjetër), pacientët mund të marrin pjesë në një sërë programesh rehabilitimi psikosocialë. Qëllimi i një kursi të suksesshëm trajtimi do të jetë reduktimi i simptomave, parandalimi i një episodi psikotik në të ardhmen dhe riintegrimi i individit në jetën sociale. Një plan trajtimi, i cili kombinon mjekimin me terapitë mbështetëse konsiderohet një plan efikas.”
III. MATERIALET PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE
A. Raportet nga Komisioni Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor ose Poshtërues (“KPT”)
1. Raporti i datës 22 janar 2003 (CPT/Inf (2003) 9)
65. Më datë 22 janar 2003 u publikua raporti i KPT-së për një vizitë periodike në Shqipëri nga data 4 deri në datën 14 dhjetor 2000. Raporti nënvizonte se shumica e personave të sëmurë mendërisht të cilët ishin deklaruar se nuk kishin përgjegjësi penale duhej të ishin vendosur në një spital psikiatrik të sigurisë së lartë. Në vend të kësaj, për shkak të mungesës së një institucioni të tillë, ata ishin pranuar në Qendrën Spitalore të Burgut.
2. Raporti i datës 22 janar 2003 (CPT/Inf (2003)11)
66. Në Raportin e tij të datës 22 janar 2003, pas një vizite të posaçme në Shqipëri nga data 22 deri më 26 tetor 2001, KPT-ja nënvizoi se për sa i përket zbatimit të ligjit për shëndetin mendor 1996 “Ligji, i cili përfshin një sërë garancish me qëllimin për të ruajtur të drejtat themelore të pacientëve, nuk ishte zbatuar ende në Shqipëri, siç duket për shkak të mungesës së vullnetit dhe bashkëpunimit midis palëve të ndryshme (kryesisht anëtarë të profesioneve mjekësore dhe gjyqësore). Siç edhe është deklaruar më herët (shih KPT-në (2001) 29, paragrafi 138), një ngërç i tillë mund të cenojë themelet e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe përjetëson imazhin e një psikiatrie me bazë azili, e cila besohej se kishte mbetur në histori. Për këtë arsye, KPT-ja mirëpret vendimi e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për të ngritur një komision interministerial për të shqyrtuar këtë çështje me departamentet e tjerë përkatës, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë. KPT-ja dëshiron të marrë informacione të përditësuara mbi ecurinë e kësaj çështje”.
3. Raporti i datës 12 korrik 2006 (CPT/Inf (2006)22)
67. Në raportin e tij të datës 12 korrik 2006, pas një vizite të posaçme në Shqipëri, nga data 13 deri më 18 korrik 2003, KPT-ja përsëriti të njëjtat gjetje, ashtu si edhe në raportin e datës 22 janar 2003, në lidhje me zbatimin e ligjit për shëndetin mendor 1996.
4. Raporti i datës 12 korrik 2006 (CPT/Inf (2006)24)
68. Në raportin e tij, të datës 12 korrik 2006, pas një vizite periodike në Shqipëri nga data 23 maj deri më 3 qershor 2005, KPT-ja nënvizoi se “ishin shumë të shqetësuar për faktin se për shkak të mungesës së lehtësirave të përshtatshme alternative, individët të cilët nuk ishin deklaruar përgjegjës penalisht, mbaheshin ende në mjediset e burgut [më konkretisht Qendra Spitalore e Burgut]”. KPT-ja i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të ndërmerrnin hapa pa u vonuar më shumë për t’i vendosur personat, të cilët nuk ishin deklaruar përgjegjës penalisht, në një godinë më të përshtatshme”.
69. KPT-a theksoi se “Ligji për shëndetin mendor 1996 nuk po zbatohej ende, pavarësisht rekomandimit specifik të dhënë në mënyrë të përsëritur nga KPT-ja në të gjitha raportet për vizitat e tij të mëparshëm dhe pavarësisht garancive dhënë nga autoritetet shqiptare në përgjigjen e tyre për vizitën e vitit 2003”.
5. Raporti i datës 6 shtator 2007 (CPT/Inf (2007)35)
70. KPT-ja realizoi një vizitë të posaçme në Shqipëri nga data 28 deri më 31 mars 2006, në lidhje me dështimin e vazhdueshëm të autoriteteve për të zbatuar ligjin për shëndetin mjekësor 1996. KPT-ja konstatoi se vazhdonte të ishte e njëjta gjendje.
6. Raporti i datës 21 janar 2009 (CPT/Inf (2009)6)
71. Në Raportin e tij të datës 21 janar 2009, pas një vizite të posaçme në Shqipëri në periudhën 16 deri më 20 qershor 2008, KPT-ja iu referua konsultimeve me autoritetet në lidhje me “situatën e individëve të cilët janë deklaruar të papërgjegjshëm penalisht dhe në këtë mënyrë i janë nënshtruar masave mjekësore për “trajtim të detyruar mjekësor në institucionin mjekoligjor” (sipas nenit 46/1, të Kodit Penal). Faktikisht, të gjithë individët në fjalë (shtatëdhjetë e tetë në kohën e vizitës) mbaheshin ende në Qendrën Spitalore të Burgut, për shkak të mungesës së mjediseve të përshtatshme jashtë sistemit të burgjeve”. KPT-ja inkurajonte autoritetet “të bënte të gjitha organizimet e nevojshme për të siguruar hapjen e [një] institucioni mjekoligjor pa vonesë”.
7. Raporti i datës 20 mars 2012 (CPT/Inf (2012) 11)
72. Në raportin e tij, të datës 20 mars 2012, pas një periudhe periodike në Shqipëri nga datat 10 deri më 21 maj 2010, KPT-ja “ngrinte pyetjen e pranisë në Qendrën Spitalore të Burgut, më shumë se 13 vjet pas vizitës së tij të parë në Shqipëri, të pacientëve psikiatrikë të deklaruar të papërgjegjshëm penalisht dhe të nënshtruar ndaj një mase për trajtim të detyruar sipas [nenit 46/1], të Kodit Penal dhe të pacientëve psikiatrikë, të nënshtruar një shtrimi spitalor të përkohshëm sipas nenit 239 të KPP-së. Këta pacientë ende mbaheshin në Qendrën Spitalore të Burgut, në vend që të ishin në një institucion mjekësor të specializuar ose në një godinë psikiatrike, sipas... parashikimit në legjislacionin përkatës shqiptar. Deri më sot, autoritetet shqiptare nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme për këtë problem, dhe ka pasur shumë pavendosmëri për ndërtimin e një godine të posaçme në Durrës ose në Krujë.”
73. KPT-ja nënvizoi se “Qendra Spitalore e Burgut nuk ishte e mbipopulluar... të gjitha dhomat... kishin një lavaman dhe një strukturë sanitare të ndarë. Gjithashtu, ato ishin të përmasave të arsyeshme dhe ndriçoheshin mjaftueshëm me dritë natyrale, si edhe ndriçim artificial. Për më tepër, dhomat ishin të pajisura me mjaftueshëm mobilie. Në përgjithësi, gjendja e përgjithshme e higjienës dhe e pastërtisë në [Qendrën Spitalore të Burgut] mund të përshkruhej, në përgjithësi, si e kënaqshme... në lidhje me stafin dhe trajtimin, me përjashtim të dukshëm të kujdesit psikiatrik, numri i stafit të kujdesit shëndetësor në [Qendrën Spitalore të Burgut], në tërësi mund të konsiderohej si i kënaqshëm... kishte një mungesë të theksuar stafi për sa i përket kujdesit psikiatrik. Një psikiatër i vetëm – dashamirësia dhe energjia e të cilit duhet të theksohen – ishte përgjegjës për mbi 70 pacientë psikiatrikë (nga 87 pacientët e pranishëm në spital), prej të cilëve 60 ishin deklaruar të papërgjegjshëm penalisht dhe subjekte të një urdhri të detyrueshëm trajtimi. Një mungesë e tillë e mjekëve, gjatë turneve, duhet të marrë një përgjigje të shpejtë dhe vendimtare nga autoritetet shqiptare. [Qendra Spitalore e Burgut] duhet të përfitojë nga të paktën dy mjekë psikiatër me kohë të plotë. KPT-ja rekomandon marrjen e masave urgjente për këtë situatë.”
8. Raporti i datës 3 mars 2016 (CPT/Inf (2016) 6)
74. Më 3 mars 2016, u publikua raporti i KPT-së në lidhje me një vizitë periodike në Shqipëri nga data 4 deri më 14 shkurt 2014. Pas vizitës në Qendrën Spitalore të Burgut dhe Burgut të Krujës. KPT-ja nënvizoi se “ishte një çështje shqetësuese fakti se pavarësisht rekomandimit specifik të bërë në mënyrë të përsëritur nga KPT-ja, që prej vitit 2000, 17 pacientë psikiatrikë të deklaruar pa përgjegjësi penale vijuan të mbaheshin në mjediset e burgut në shkelje të legjislacionit vendës, për shkak se nuk ishte ndërtuar ende një institucion i specializuar mjekoligjor psikiatrik. Gjithashtu, dy të tretat e pacientëve psikiatrikë nën trajtim të detyruar me urdhër gjykate (76 nga 104 pacientë), gjatë vizitës së bërë në vitin 2014, mbaheshin në Burgun e Krujës në kushte, të cilat sipas këndvështrimit të Komisionit, kishte mundësi të ktheheshin në një braktisje terapeutike. Në fakt, godina prej mbi një vit nuk kishte asnjë mjek psikiatër, stafi i infermierëve ishte reduktuar ndjeshëm dhe nuk ofrohej asnjë aktivitet rehabilitues i denjë.”
75. Në vijim, KPT-ja nënvizonte se kushtet materiale në Qendrën Spitalore të Burgut në tërësi ishin të kënaqshme. Megjithatë, mungesa pothuajse totale e ngrohjes ishte e papranueshme. Pacientët përfitonin vetëm prej dy orëve me ushtrime në mjediset e jashtme, por ata ishin të izoluar për pjesën tjetër të ditës, pa iu ofruar ndonjë veprimtari me një qëllim të caktuar. Niveli i stafit të kujdesit shëndetësor në përgjithësi kishte mbetur i kënaqshëm. Gjithsesi, KPT-ja theksonte se ishte “totalisht e pamjaftueshme që Qendra Spitalore e Burgut të kishte vetëm një mjek psikiatër për t’u kujdesur për 60 pacientë psikiatër në total (duke përfshirë 26 pacientë mjekoligjorë, nën një urdhër për trajtim të detyruar). Situata është përkeqësuar më tej nga fakti se mjeku psikiatër ishte de facto përgjegjës edhe për trajtimin e të gjithë pacientëve psikiatrikë në Burgun e Krujës.” KPT-ja i bëri thirrje autoriteteve të merrnin masa urgjente për të përforcuar trajtimin psikiatrik në Qendrën Spitalore të Burgut.
76. KPT-ja konstatoi se trajtimi psikiatrik në Qendrën Spitalore të Burgut vijonte të mbështetej kryesisht në farmakoterapi dhe nuk kishte vërejtur ndonjë mungesë të mjekimeve psikotropike. Në mungesë të aktiviteteve terapeutike psikosociale, KPT-ja rekomandonte që aktivitete të tjera profesionale dhe psikosociale të zhvillohen më tej në Qendrën Spitalore të Burgut dhe t’i ofrohej një numri maksimal pacientësh psikiatri, veçanërisht atyre të cilët ishin subjekte të urdhrit për trajtim të detyruar.
9. Raporti i datës 24 maj 2018 (CPT/Inf (2018) 18)
77. Pas një vizite të posaçme në Shqipëri nga data 2 deri më 9 shkurt 2017, në raportin e tij më 24 maj 2018, KPT-ja shprehu “shqetësimin serioz se pavarësisht rekomandimit specifik të bërë në mënyrë të vazhdueshme që prej vizitës së vitit 2000 dhe në kundërshtim me legjislacionin vendës, pacientët psikiatrik mjekoligjorë vazhdonin të mbaheshin [në Qendrën Spitalore të Burgut dhe Burgun e Krujës] nën kushte, të cilat sipas këndvështrimit të KPT-së, lehtësisht mund të konsideroheshin si çnjerëzore dhe poshtëruese për shumë pacientë. Faktikisht, kushtet e jetesës në të dy godinat ishin përkeqësuar edhe më shumë që prej vizitës së vitit 2014 (veçanërisht, për sa i përket nevojës për riparim dhe mbipopullimit), kishte një mungesë pothuajse totale të ngrohjes dhe përdorim të limituar të ujit të ngrohtë, ndërsa niveli i kujdesit psikiatrik mbetej qartazi i pamjaftueshëm. Në tërësi, delegacioni krijoi edhe një herë përshtypjen e “braktisjes terapeutike” për shumë pacientë psikiatrikë mjekoligjorë.” KPT-ja i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të përgatisnin pa vonesa të mëtejshme një plan të detajuar për krijimin e një godine psikiatrike mjekoligjore, si edhe të ndërmerrnin hapat e nevojshëm për të garantuar ndërtimin e përshpejtuar të një godine të tillë.
78. KPT-ja konstatoi se kushtet materiale ishin përkeqësuar për sa kishte të bënte me nevojën për riparim dhe higjienën si në Burgun e Krujës edhe në Qendrën Spitalore të Burgut. Një sërë qelish në Qendrën Spitalore të Burgut ishin të mbipopulluara dhe KPT-ja u trondit nga mungesa pothuajse totale e ngrohjes që prej vitit 2014. Ai bëri një sërë rekomandimesh për autoritetet që të merrnin masa për të përmirësuar kushtet e jetesës, si edhe për të reduktuar nivelet e mbipopullimit më Spitalin e Burgut.
79. KPT-ja i pranonte vështirësitë me të cilat përballej administrata e burgut për rekrutimin e specialistëve në fushën e psikiatrisë, por sidoqoftë, ai shprehu shqetësimin se pavarësisht rekomandimit specifik të dhënë pas vizitës së bërë në vitin 2014, trajtimi psikiatrik në Qendrën Spitalore të Burgut nuk ishte rritur. Ende kishte vetëm një mjek psikiatër për 84 pacientë psikiatrikë (dhe gjashtë të burgosur me një çrregullim mendor).
10. Raporti i datës 17 shtator 2019 (CPT/Inf (2019) 28)
80. Në raportin e tij, të datës 17 shtator 2019, pas vizitës periodike në Shqipëri nga data 20 deri më 30 nëntor 2018, KPT-ja “shprehu shqetësimin serioz se pavarësisht rekomandimit specifik të bërë vazhdimisht nga Komisioni që prej vizitës së vitit 2000 dhe në kundërshtim me legjislacionin vendës, pacientët psikiatrikë mjekoligjorë vijonin të mbaheshin në Qendrën Spitalore të Burgut dhe në Burgun e Krujës, në kushte të papranueshme. Faktikisht, kushtet e jetesës në këto dy godina ishin përkeqësuar edhe më shumë që prej vizitës së vitit 2014 (veçanërisht për sa i përket nevojës për riparim dhe mbipopullimit), teksa niveli i kujdesit psikiatrik mbetej qartazi i pamjaftueshëm. Në përgjithësi, Komisioni krijoi përshtypjen e një “braktisje terapeutike” për shumë pacientë psikiatrikë mjekoligjorë.”
81. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Drejtësisë kishin theksuar se “Qeveria ishte plotësisht e angazhuar për krijimin e një godine mjekoligjore për kujdes psikiatrik, si një çështje për t’u trajtuar me prioritet dhe se po vijonin konsultimet me donatorët e mundshëm në lidhje me bashkëfinancimin për ndërtimin e saj në aftësi të Tiranës, megjithatë KPT-ja vërejti se hapja e një godine të përkohshme për akomodimin e personave të sëmurë mendërisht “ishte shumë e vonuar dhe se kishte ende një mungesë të theksuar qartësie në lidhje me rolin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, menaxhimin dhe stafin e godinës në të ardhmen.”
B. Raporti i Komisioneres së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut
82. Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut (“Komisionerja”) dhe delegacioni i saj vizituan Shqipërinë nga data 21 deri më 25 maj 2018. Në përmbledhjen e raportit, Komisionerja pohonte si më poshtë:
“Komisionerja është e shqetësuar për faktin se pavarësisht angazhimit të autoriteteve për orientimin drejt deinstitucionalizimit, ka ende persona me aftësie të kufizuara intelektuale dhe psikosociale, duke përfshirë fëmijët në institucionet për kujdesin social në Shqipëri. I bëhet thirrje autoriteteve të hartojnë dhe të zbatojnë, me përfshirjen aktive të personave me aftësi të kufizuar, një plan të detajuar për deinstitucionalizimin dhe zëvendësimin e institucioneve me shërbime të bazuara në komunitet, duke garantuar se asnjë person i deinstitucionalizuar me një aftësi të kufizuar nuk do të mbetet pa mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme. Heqja dorë nga rastet e reja të vendosjes së personave me aftësi të kufizuara në mjedise institucionale dhe garantimi se këtyre personave u ofrohen shërbime të mbështetura në komunitet, do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.”
LIGJI
I. KUNDËRSHTIMET PARAPRAKE TË QEVERISË
83. Qeveria parashtroi se pretendimet e kërkuesit duhej të kundërshtoheshin për mosshfrytëzim të mjeteve të brendshme. Ata pohuan se kërkuesi kishte aplikuar në gjykatat vendëse për rivlerësimin e shëndetit të tij mendor dhe për rishqyrtimin e trajtimit të detyruar me shtrim spitalor. Si përgjigje, Gjykata e Lartë kishte marrë dy vendime të formës së prerë më 30 maj 2013 dhe 25 shtator 2014. Çdo ankesë për ato grupe procedimesh, të cilat kishin përfunduar me vendimet e formës së prerë të Gjykatës së Lartë, do të duhej të rrëzohej nga Gjykata nën cilësimin për tejkalim afati.
84. Në lidhje me dy grupet e tjera të procedimeve në të cilat kërkuesi kishte aplikuar në gjykatat e brendshme për të ndaluar trajtimin e tij poshtërues dhe çnjerëzor, Qeveria parashtroi se ato ishin ende pezull në Gjykatën e Lartë dhe për këtë arsye duhej të rrëzoheshin si të parakohshme.
85. Si pjesë e formularit të tij të aplikimit, kërkuesi parashtroi se në sistemin e brendshëm nuk kishte mjete efikase për ankesat e tij në lidhje me Konventën. Ai argumentoi se gjykatat e brendshme kishin lejuar që e njëjta situatë të vijonte, dhe pavarësisht ankesave të tij të pasuksesshme, ai vazhdonte të ishte viktimë e një praktike e cila shkelte Konventën.
A. Shterim i mjeteve të brendshme
86. Gjykata përsërit se rregulli i shterimit të mjeteve të brendshme i detyron ata persona të cilët kërkojnë të paraqesin çështjen e tyre kundër Shtetit përpara një organi gjyqësor ose arbitror ndërkombëtar për të përdorur fillimisht mjetet e ofruara nga sistemi ligjor vendës. Rregulli mbështetet në prezumimin se ekziston një mjet efikas i disponueshëm për shkeljen e pretenduar në sistemin e brendshëm, pavarësisht nëse dispozitat e Konventës janë të inkorporuara në ligjin e brendshëm ose jo. Në këtë mënyrë, është një aspekt i rëndësishëm i parimit se makineria e mbrojtjes e krijuar nga Konventa është suplementare në sistemet e brendshme në mbrojtje të të drejtave të njeriut (shih Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë [DHM], nr. 10865/09 dhe 2 të tjerë, § 220, GJEDNJ 2014 (ekstrakte)). Në të njëjtën kohë, është detyrë e Qeverisë të pretendojë mosshterimin për të bindur Gjykatën se mjeti ishte efikas, i disponueshëm në teori dhe në praktikë në kohën e caktuar, që do të thotë, se ishte i arritshëm, mund të ofronte korrigjim për pretendimet e ankuesit dhe ofronte një perspektivë të arsyeshme suksesi (shih Grori kundër Shqipërisë, nr. 25336/04, § 108, 7 korrik 2009).
87. Duke u rikthyer në faktet e çështjes në fjalë, Gjykata vëren se kërkuesi përdori mjete të brendshme të ndryshme pa asnjë dobi, duke kërkuat lehtësim nga gjykatat vendëse për shkeljet e pretenduara të neneve 3 dhe 5 të Konventës. Qeveria nuk provoi se në kohën kur kërkuesi paraqiti kërkesën në Gjykatë ose më pas, kishte pasur një mjet tjetër, të disponueshëm në teori dhe praktikë, i cili të mund të ofronte korrigjim.
88. Në vijim, Gjykata vëren se dy grupet e procedimeve në të cilat kërkuesi kundërshtonte kushtet dhe ligjshmërinë e burgimit të tij, ishin pezull përpara Gjykatës së Lartë që prej muajit prill 2015 dhe janar 2016, dhe se nuk ishte dhënë asnjë vendim. Në këto rrethana, dhe duke qenë se kërkuesi ishte ende në burgim, në momentin kur paraqiti kërkesën e tij, Gjykata konstaton se pretendimi i kërkuesit sipas neneve 3 dhe 5 të Konventës nuk mund të konsiderohen si të parakohshme në lidhje me procedimet gjyqësore të pritshme, dhe as nuk mund të konsiderohen të papranueshme për shkaqe mosshterimi (shih, për shembull, Hadžić dhe Suljić kundër Bosnje-Hercegovinës, nr, 39446/06 dhe 33849/08, § 32, 7 qershor 2011).
89. Për këtë arsye, kundërshtimi i Qeverisë duhet të pushohet.
B. Pajtim me afatin kohor gjashtëmujor
90. Gjykata përsërit se kërkesat në nenin 35 § 1 në lidhje me shterimin e mjeteve të brendshme dhe periudha gjashtëmujore fillojnë që prej datës së vendimit të formës së prerë në procesin e shfrytëzimit të mjeteve të brendshme. Në rastin kur për kërkuesin nuk është i disponueshëm asnjë mjet efikas, periudha fillon që prej datës së akteve ose masave për të cilat është bërë ankesë, ose që prej datës kur njoftohet ai akt ose efektet e tij mbi ose dëmi ndaj kërkuesit (shih Varnava dhe të tjerët kundër Turqisë [DHM], nr. 16064/90 dhe 8 të tjerë, § 157, GJEDNJ 2009). Gjykata, në vijim, pohon se rregulli gjashtë-mujor nuk zbatohet për situatat në vijimësi (po këtu, § 159). Në të tilla raste, periudha gjashtëmujore fillon që prej ndërprerjes së asaj situate (shih Iordache kundër Rumanisë, nr. 6817/02, § 50, 14 tetor 2008). Koncepti i “situatës në vijimësi” i referohet një situate e cila vihet në lëvizje nga aktivitete të vazhdueshme nga ose për Shtetin për ta kthyer kërkuesin në viktimë (shih Petkov dhe të tjerët kundër Bullgarisë (vendim), nr. 77568/01, 178/02 dhe 505/02, 4 dhjetor 2007).
91. Tashmë, Gjykata do të shqyrtojë rregullin gjashtë-mujor për burgimin e kërkuesit në Burgun e Krujës dhe në Qendrën Spitalore të Burgut.
1. Në lidhje me kohën e kaluar në Burgun e Krujës
92. Gjykata thekson se si rezultat i trajtimit mjekësor të detyruar me urdhër gjykate, më 25 mars 2009, kërkuesi u vendos në Burgun e Krujës, ku qëndroi deri më 20 qershor 2011, kur u transferua në Qendrën Spitalore të Burgut. Megjithatë, kërkuesi e paraqiti kërkesën e tij në Gjykatë, më 11 qershor 2016, pothuajse pesë vjet pasi ishte larguar nga Burgu i Krujës. Shumica e procedimeve gjyqësore ndodhën pas transferimit të tij nga ajo godinë. Në këto rrethana, Gjykata konstaton se kjo pjesë e kërkesës u paraqit përtej afatit sipas parashikimeve në nenin 35 § 1 të Konventës, dhe për këtë arsye e rrëzon atë.
2. Në lidhje me kohën e kaluar në Qendrën Spitalore të Burgut
93. Gjykata vëren se më 20 qershor 2011, kërkuesi u transferua në Qendrën Spitalore të Burgut, në mbështetje të dokumenteve në dosjen e çështjes, ku edhe ka qëndruar që prej asaj date (shih paragrafin 13 më sipër). Në një sërë rastesh, në vitin 2013 dhe 2014, kërkuesi kundërshtoi pa sukses izolimin e tij në Qendrën Spitalore të Burgut, kushtet në të cilat mbahej dhe trajtimin mjekësor të pretenduar si të papërshtatshëm që i ofrohej (shih paragrafët 14, 16, 23 dhe 27 më sipër). Dy grupe procedimesh gjyqësore të ndërmarra nga kërkuesi kanë mbetur pezull në gjykatat vendëse që prej muajit prill 2015 dhe janar 2016. Kërkuesi ka ngritur të njëjtat ankesa në kërkesën e tij për Gjykatën.
94. Gjykata konstaton se, në lidhje me natyrën e vazhdueshme të izolimit të kërkuesit në Qendrën Spitalore të Burgut, ku mbahet që prej vitit 2011, kushtet e pandryshuara të izolimit, mungesa e trajtimit të duhur mjekësor për të cilin ankohet dhe procedimet
gjyqësore të mbetura pezull, ankesat e tij në mbështetje të neneve 3 dhe 5 i referohen një “situate vijimësie” (shih, për shembull, Alimov kundër Turqisë, nr. 14344/13, § 57-62, 6 shtator 2016; Fetisov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 43710/07 dhe 5 të Tjerë, § 75, 17 janar 2012, dhe Svipsta kundër Letonisë, nr. 66820/01, § 116 GJEDNJ 2006-III (ekstrakte)).
95. Rrjedhimisht, kundërshtimi i Qeverisë duhet të pushohet.
C. Përfundim
96. Gjykata vendos se pretendimet e kërkuesit nuk janë qartazi të pabazuara sipas interpretimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Në vijim, ajo konstaton se ato nuk janë të papranueshme për ndonjë shkak tjetër. Për këtë arsye, ato duhet të deklarohen të pranueshme.
II. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 3 TË KONVENTËS
97. Kërkuesi pretendonte se mungesa e trajtimit të duhur mjekësor e marrë gjatë arrestit të tij, e kombinuar me kushtet e këqija të arrestit, shkaktuan shkelje të nenit 3 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
98. Kërkuesi parashtroi se izolimi i tij në Qendrën Spitalore të Burgut, i kombinuar me trajtimin e papërshtatshëm mjekësor të marrë, sollën një trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Në këtë këndvështrim, autoritetet kombëtare nuk kishin bërë dallimin midis karakterit ndëshkues të një dënimi në burg dhe natyrës jondëshkuese të një urdhri për trajtim të detyruar mjekësor. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të kërkuesit, gjykatat e brendshme i kishin rrëzuar pretendimet e tij, mbështetur në argumentin se trajtimi jashtë spitalit i pacientit, kur është fjala për kërkuesin, do të përbënte një rrezik për interesin publik, ndërsa konstatimet e autoriteteve monitoruese të brendshme dhe ndërkombëtare, për kushtet e arrestit, nuk cilësoheshin si mjaftueshëm të dhëna për të provuar pretendimet e tij.
99. Kërkuesi, në mbështetje të raporteve të Avokatit të Popullit dhe raporteve të KPT-së (shi paragrafët 56-63 dhe 65-81 më sipër), pretendonte se Qendra Spitalore e Burgut nuk kishte pasur mjaftueshëm personel për t’u kujdesur për të gjithë paciente e tij. Ai parashtroi se autoritetet nuk kishin marrë ndonjë hap për të verifikuar pretendimet e tij për keqtrajtim. Raportet mjekësore të përgatitur nga autoritetet nuk kishin ofruar një analizë të përshtatshme dhe të detajuar për ndryshimet midis protokollit mjekësor detyrues për të trajtuar sëmundjen mendore të kërkuesit në një klinikë psikiatrike civile dhe trajtimit në Qendrën Spitalore të Burgut. Raportet mjekësore nuk kishin bërë komente për ndikimin që trajtimi për kërkuesin në mjedisin e burgut kishte pasur në gjendjen e shëndetit të tij mendor. Një pamundësi e tillë i kishte veshur gjykata e brendshme me të diskrecion të pakufizuar për të spekuluar mbi gjendjen e shëndetit mendor të kërkuesit gjatë izolimit të tij të detyruar në mjediset e burgut. Raportet mjekësore nuk përmendnin implikimet e mundshme trajtimi i tij në Qendrën Spitalore të Burgut do të kishte mbi shëndetin mendor të kërkuesit, dhe kjo jo për shkak të mungesës së psikoterapisë së domosdoshme. Në çdo rast, kërkuesi pretendonte deinstitucionalizimin (procesi i zëvendësimit të spitaleve psikiatrike afatgjata, me shërbimet më pak të izoluara të komunitetit për shëndetin mendor) kishte qenë trajtimi i duhur mjekësor për sëmundjen e tij.
2. Qeveria
100. Qeveria parashtroi se kërkuesi ishte vendosur në institucionet e posaçme të mjekimit sipas vendimeve të gjykatave të brendshme. Ai kishte marrë trajtim mjekësor në përputhje me gjendjen e tij. Kjo mbështetej nga fakti se ai kishte bërë kërkese në gjykatat e brendshme për ndryshim ose revokim të masës, me argumentin se gjendja e tij ishte përmirësuar. Në vijim, Qeveria iu referua informacionit të ofruar avokatit të kërkuesit nga Qendra Spitalore e Burgut, e cila deklaronte se institucioni kishte 106 persona, nga të cilët dyzet e katër i ishin nënshtruar trajtimit të detyruar mjekësor me urdhër gjykate, me një staf të kujdesit mjekësor prej dyzet e gjashtë personash (shih paragrafin 42 më sipër). Si rezultat, pretendimet e kërkuesit ishin të pabazuara.
101. Në vijim, Qeveria parashtroi se gjykatat vendëse kishin marrë në konsideratë gjendjen e kërkuesit. Gjykatat e brendshme kishin dhënë vendime pas marrjes së opinionit të ekspertëve të mjekësisë, të cilit me anë të këshillave të tyre ishin në favor të vijimit të trajtimit të kërkuesit. Në këtë lidhje, Qeveria iu referua specifikisht vendimit të Gjykatës së Rrethit Tiranë, të datës 3 shkurt 2014 (shih paragrafin 19 më sipër). Sipas mendimit të tyre, kërkuesi nuk kishte paraqitur asnjë provë për të kundërshtuar gjetjet e ekspertëve mjekësor.
102. Qeveria parashtroi se masat e marra ndaj kërkuesit kishin qenë në përputhje me ligjin për shëndetin mendor, i cili parashikonte se individët që i nënshtroheshin trajtimit të detyruar mjekësor me urdhër gjykate mund ta vuanin këtë masë në institucionet mjekësore të cilat nuk ishin domosdoshmërisht nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ata mbështeteshin në nenin 29 të ligjit për shëndetin mendor 2012 (shih paragrafin 49 më sipër), ku parashikohej se të burgosurit dhe individët në paraburgim, të cilët vuanin nga probleme të shëndetit mendor kishin të drejtën merrnin trajtim të posaçëm mjekësor në këto institucione ose në Qendrën Spitalore të Burgut. në mbështetje të kësaj dispozite, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë kishin lidhur një memorandum mirëkuptimi në lidhje me bashkëpunimin e tyre në të ardhmen.
B. Vlerësim i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
103 Gjykata i referohet parimeve të përgjithshme të parashikuar në vendimin e kohëve të fundit të Dhomës së Madhe në çështjen Rooman kundër Belgjikës ([DHM], nr. 18052/11, §§ 141-48, 31 janar 2019). Veçanërisht, Gjykata i referohet paragrafëve si më poshtë (referencat janë hequr):
“147. Në këtë situatë, “përshtatshmëria” e ndihmës mjekësore mbetet elementi më i vështirë për t’u përcaktuar. Gjykata thekson se fakti i thjeshtë se një i arrestuar është kontrolluar nga një doktor dhe i është rekomanduar një formë e caktuar e trajtimit nuk mund të çojë automatikisht në konkluzionin se ndihma mjekësore ishte e përshtatshme. Autoritetet duhet të garantojnë edhe se janë mbajtur të dhëna të detajuara në lidhje me gjendjen shëndetësore të të arrestuarit dhe trajtimit të tij ose të saj teksa është në arrest, se diagnoza dhe kujdesi janë të menjëhershme dhe të duhurat, dhe se kur është e nevojshme për shkak të natyrës së një gjendje mjekësore, mbikëqyrja është e rregullt dhe sistematike dhe përfshin një strategji terapeutike të detajuar me synimin për trajtimin e duhur të problemeve shëndetësore të të arrestuarit ose për parandalimin e përkeqësimit të tyre, në vend që të adresohen ato në një bazë simptomatike. Gjithashtu, autoritetet duhet të tregojnë se janë krijuar kushtet e nevojshme për dhënien e trajtimit i cili duhet të ndiqet. Për më tepër, trajtimi mjekësor i ofruar në mjediset e burgut duhet të jetë i përshtatshëm, që do të thotë, në një nivel të krahasueshëm me atë që autoritetet Shtetërore janë angazhuar të ofrojnë për të gjithë popullatën në tërësi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo të arrestuari duhet t’i garantohet i njëjti trajtim mjekësor që është i disponueshëm në mjediset më të mira jashtë ambienteve të burgut (...).
148. Në rastin kur trajtimi nuk mund të ofrohet në vendin ku personi mbahet i arrestuar, duhet të jetë i mundur transferimi i të arrestuarit në spital ose në një njësi të specializuar (...).”
2. Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen konkrete
104. Fillimisht, gjykata është e mendimit se problemet e shëndetit mendor të kërkuesit, në fillim të trajtimit të tij të detyruar mjekësor me urdhër gjykate, nuk janë kundërshtuar. Ai është vendosur në një trajtim mjekësor të detyruar me vendim gjykate në një institucion mjekësor sipas raporteve mjekësore të ndryshme të cilat vërtetojnë se ai vuante nga skizofrenia paranojake. Për këtë arsye, kërkuesi është mbajtur në gjendje arresti në Burgun e Krujës dhe në Qendrën Spitalore të Burgut që prej muajit prill 2009.
105. Duke qenë se kërkuesi ka paraqitur pretendime në mbështetje të nenit 3 të Konventës për kushtet materiale të arrestit të tij dhe papërshtatshmërisë së trajtimit mjekësor që ai merrte, Gjykata do të përqendrojë shqyrtimin e ankesës sipas nenit 3, tek ata elementë për periudhën e vuajtur në Qendrën Spitalore të Burgut, duke pasur në konsideratë gjetjet e saj në paragrafët 93-95 më sipër. Gjatë shqyrtimit të nenit 3, duhet të merren në konsideratë efektet kumulative të kushteve të arrestit, kohëzgjatja e arrestit dhe papërshtatshmëria e trajtimit mjekësor (shih Dybeku kundër Shqipërisë, nr. 41153/06, § 38, 18 dhjetor 2007).
106. Në lidhje me kushtet materiale në Qendrën Spitalore të Burgut, Gjykata mban në konsideratë konstatimet e Avokatit të Popullit në vitin 2015 dhe 2016, në lidhje me gjendjen e avancuar të rrënimit të atij institucioni, lagështirën e shpërndarë gjithandej dhe mungesën pothuajse të plotë të ngrohjes qendrore, KPT-ja, në vijim të vizitave të tij të posaçme dhe periodike në vitin 2017 dhe 2018, i nxirrte këto konstatime në dy raportet e tij të fundit të datës 24 maj 2018 dhe 17 shtator 2019, duke deklaruar se kushtet e jetesës ishin përkeqësuar më tej në krahasim me vizitat e tij të mëparshme. Gjykata konstaton përkeqësimin e kushteve të jetesës, duke përshirë mungesën e ngrohjes qendrore në Qendrën Spitalore të Burgut, e cila kishte vijuar për një kohë shumë të gjatë. Shqetësues është edhe fakti se pacientët, si kërkuesi, përfitonin nga aktivitetet e papërshtatshme jashtë dhomave, siç konstatohet në raportin e KPT-së së datës 3 mars 2016 (shih paragrafin 75 më sipër). Gjykata nënvizon se kërkuesi, pasi është mbajtur në arrest në Qendrën Spitalore të Burgut që prej muajit qershor 2011, është ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga përkeqësimi i përgjithshëm i kushteve të jetesës dhe i regjimit të cilit i nënshtrohej.
107. Në lidhje me trajtimin e kërkuesit, janë përgatitur një sërë raportesh të ndryshme mjekësore gjatë procedimeve të brendshme, të cilat tregonin se kërkuesi vijonte të vuante nga skizofrenia paranojake, prej së cilës po ndiqte një mjekim. Veçanërisht sipas raporteve mjekësore të datës 11 shtator 2015 dhe 27 mars 2017, kërkuesi kishte marrë në mënyrë të vazhdueshme mjekimin e rekomanduar nga doktorët (shih paragrafët 37 dhe 40 më sipër).
108. Gjykata rikujton parimet e saj të përgjithshme në paragrafin 103 më sipër (shih edhe Blokhin kundër Rusisë [DHM], nr. 47152/06, § 146, 23 mars 2016). Megjithatë, nuk ka asnjë tregues se ka ekzistuar nj strategji e detajuar terapeutike me qëllimin për të trajtuar kërkuesin. Nga ana e saj, Qeverie nuk ka provuar se kërkuesi ka marrë kujdesin mjekësor të përshtatshëm, veçanërisht trajtimin terapeutik të nevojshëm sipas gjendjes së tij. Ajo nuk paraqiti një plan të individualizuar trajtimi të përgatitur për kërkuesin ose të provonte administrimin e trajtimit terapeutik në të mirë të tij ose dhënien e kujdesit të duhur psikiatrik.
109. Për më tepër, Gjykata e vendos theksin në gjetjet e KPT-së, të paktën që prej vitit 2014, në lidhje me nivelin e pamjaftueshëm të kujdesit psikiatrik dhe “përshtypjen e braktisjes terapeutike” të shumë pacientëve psikiatrikë, veçanërisht të atyre që i nënshtroheshin trajtimit të detyruar mjekësor me urdhër gjykate, si kërkuesi. Për më tepër, raporti mjekësor i datës 27 mars 2017 përqendrohej në mungesën e plotë të ofrimit të psikoterapisë (shih paragrafin 40 më sipër). Gjykata është e mendimit se i takon autoriteteve të vendosin, në mbështetje të rregullave të njohura të shkencës mjekësore, për metodat terapeutike që duhet të përdoren për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor të pacientëve nën çrregullimet e shëndetit mjekësor (shih Dybeku, cituar më sipër, § 47). Megjithatë, Gjykata nuk mund të pranojë se pacientët, si për shembull kërkuesi, t’i jenë nënshtruar një gjendje të “braktisjes terapeutike”. Kjo është edhe më e sigurt, përderisa Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur dhe miratuar një protokoll për diagnozën dhe kujdesin terapeutik të skizofrenisë, i cili urdhëron një kombinim programesh të trajtimit farmakologjik dhe këshillim psikosocial (shih paragrafin 64 më sipër).
110. Së fundmi, Gjykata nënvizon se kërkuesi është ankuar disa herë përpara gjykatave të brendshme për papërshtatshmërinë e trajtimit mjekësor dhe kushtet e arrestit të tij duke artikuluar se një institucion mjekësor i posaçëm do të ishte mjedisi i duhur ku ai do të mbahej në arrest. Faktikisht, gjykatat dhe autoritetet e brendshme, veçanërisht prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë, kanë pranuar mungesën e një institucioni të posaçëm mjekësor për personat e sëmurë mendërisht që i janë nënshtruar një trajtimi mjekësor të detyruar me urdhër gjykate. Në rastin e individëve të sëmurë mendërisht, Gjykata është e mendimit se vlerësimi në lidhje me faktin nëse trajtimi ose dënimi në fjalë është i papajtueshëm me standardet e nenit 3, duhet të marrë në konsideratë cenueshmërinë e këtyre individëve dhe, në disa raste, pamundësinë e tyre, për t’u ankuar sipas rastit ose aspak, për mënyrën se si ndikohen nga cilido trajtim i posaçëm (shih, për shembull, Murray kundër Holandës [DHM], nr. 10511/10, § 106, 26 prill 2016).
111. Në këto rrethana, Gjykata është e mendimit se efektet kumulative të përkeqësimit të kushteve të jetesës në Qendrën Spitalore të Burgut, ku kërkuesi është mbajtur në izolim që prej vitit 2011, dhe trajtimi i pamjaftueshëm psikiatrik dhe terapeutik për kërkuesin në Qendrën Spitalore të Burgut, kanë sjellë trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues.
112. Në përputhje me këtë situatë, ka pasur një shkelje të nenit 3 të Konventës.
III. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 5 § 1 TË KONVENTËS
113. Kërkuesi u ankua se kufizimi i tij në burg nuk ishte i ligjshëm ose në respektim të një procedure të parashikuar nga ligji. Ai mbështetej në nenin 5 § 1 të Konventës, pjesët respektive të të cilit parashikojnë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
…
e. kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
…”
A. Parashtrimet e palëve
114. Kërkuesi parashtroi se gjykatat e brendshme kishin urdhëruar trajtimin e detyruar mjekësor në një institucion mjekësor. Megjithatë, autoritetet e brendshme e kishin vendosur atë në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale. Vendimet e mëpasshme nuk morën në konsideratë faktin nëse autoritetet e brendshme i ekzekutuan në mënyrë efikase vendimet e mëparshme gjyqësore në lidhje me natyrën e institucionit ku dërgohej kërkuesi për të vuajtur trajtimin e detyruar mjekësor me urdhër gjykate. Ata nuk merrnin në konsideratë as mungesën e pëlqimit nga familja e kërkuesit në lidhje me izolimin në spitalin e burgut. Në vijim kërkuesi nënvizoi se Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi i Burgjeve kishin pranuar se ndërtimi i klinikave të ndalimit për individët e sëmurë mendërisht do të kishin qenë mënyra më e përshtatshme për të siguruar zbatimin efikas të vendimeve të gjykatave të brendshme të cilat urdhëronin trajtimin mjekësor me shtrim spitalor.
115. Qeveria e kundërshtoi atë argument. Ajo parashtroi se kërkuesi ishte izoluar në mbështetje të urdhrave të gjykatës në përputhje me një procedurë të parashikuar me ligj. Gjykatat e brendshme caktuan ekspertë mjekësor për të realizuar vlerësimet e gjendjes shëndetësore të kërkuesit në përputhje me nenin 46 të Kodit Penal. Në përgjigje të kësaj, ekspertët mjekësor dolën në përfundimin se gjendja e kërkuesit nuk ishte e stabilizuar dhe se izolimi ishte me vend.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet e përgjithshme
116. Gjykata i referohet parimeve të përgjithshme të parashikuara në vendin e Dhomës së Madhe në çështjen roman ([DHM], cituar më sipër, §§ 205-14). Veçanërisht, Gjykata i referohet paragrafëve të mëposhtëm (referencat janë hequr):
“208. Analiza e praktikës gjyqësore, veçanërisht e zhvilluar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, tregon qartazi se tashmë duhet ët merret në konsideratë fakti se ekziston një lidhje e ngushtë midis “ligjshmërisë” së arrestimit të personave që vuajnë nga çrregullimet mendore dhe përshtatshmëria e trajtimit të dhënë për gjendjen e tyre mendore. Megjithëse kjo kërkesë nuk parashikohej ende në vendimet e para të dhëna në këtë fushë (...), nga e cila rezulton se funksioni terapeutik i izolimit të detyruar nuk garantohej si i tillë sipas Nenit 5, praktika gjyqësore aktuale tregon qartazi se administrimi i terapisë së përshtatshme është bërë një kërkesë në kontekstin e konceptit më të gjerë të “ligjshmërisë” së privimit të lirisë. Çdo ndalim i personave të sëmurë mendërisht duhet të ketë një qëllim terapeutik, me qëllimin e posaçëm dhe për aq sa është e mundshme, të kurojë ose të lehtësojë kushtin e shëndetit mendor, duke përfshirë, ku është e mundur, duke sjellë një reduktim ose kontroll ndaj rrezikshmërisë së tyre. Gjykata ka theksuar se pavarësisht ambientit në të cilin vendosen këta persona, ata kanë të drejtën t’iu ofrohet një mjedis mjekësor i përshtatshëm, shoqëruar me masat reale terapeutike, me qëllimin për t’i përgatitur për lirimin e tyre, në fund (...).
209. Për sa i përket objektivit të trajtimit të ofruar, Gjykata është e mendimit se niveli i kujdesit të kërkuar për këtë kategori të arrestuarish duhet të shkojë përtej kujdesit bazë. Aksesi te profesionistët e shëndetit, konsultimet dhe ofrimi i mjekimit nuk mund të mjaftojnë që një trajtim të konsiderohet si i përshtatshëm dhe në këtë mënyrë i kënaqshëm sipas nenit 5. Megjithatë, roli i Gjykatës nuk është analizimi i përmbajtjes së trajtimit që ofrohet dhe administrohet. Ajo që është e rëndësishme është që Gjykata të mund të verifikojë nëse një program i individualizuar ofrohet duke marrë në konsideratë detajet specifike të shëndetit mendor të të arrestuarit më qëllimin për ta përgatitur atë për riintegrimin e mundshëm në të ardhmen në shoqëri (...). në këtë fushë, Gjykata i jep një farë tolerance autoriteteve për sa i përket formës dhe përmbajtjes së kujdesit terapeutik ose programit mjekësor në fjalë.
210. Në vijim, vlerësimi i faktit nëse një ambient i caktuar është “i përshtatshëm”, duhet të përfshijë shqyrtimin e kushteve specifike të arrestit që mbizotërojnë në të, dhe veçanërisht trajtimin e ofruar për individët që vuajnë nga çrregullime psikologjike. Në këtë mënyrë, çështjet e shqyrtuara në praktikën gjyqësore ilustrojnë se është e mundur që një institucion i cili është a priori i papërshtatshëm, si për shembull një strukturë burgu, gjithsesi mund të konsiderohet si i kënaqshëm nëse ofron kujdesin e duhur (...), dhe nga ana tjetër, një institucion psikiatrik i specializuar, i cili normalisht duhet të jetë i përshtatshëm, mund të rezultojë i paaftë në ofrimin e trajtimit të nevojshëm (...). Këta shembuj e bëjnë të mundur daljen në përfundimin se trajtimi i duhur dhe i individualizuar është një pjesë esenciale e nocionit të “institucionit të përshtatshëm”. Ky përfundim vjen nga konstatimi tashmë i pashmangshëm se privimi i lirisë, i parashikuar në nenin 5 § 1 (e) ka një funksion të dyfishtë: nga njëra anë, funksioni social i mbrojtjes dhe nga ana tjetër një funksion terapeutik i cili lidhet me interesin individual të personit me një mendje të sëmurë në marrjen e një forme të përshtatshme dhe të individualizuar terapie ose linje trajtimi. Nevoja për të garantuar funksionin e parë nuk duhet të justifikojë a priori mungesën e masave të synuara për ofrimin e funksionit të dytë. Sipas kësaj, në mbështetje të nenit 5 § 1 (e), një vendim i cili nuk lejon lirimin e një individi në izolim të detyruar mund të bëhet i papajtueshëm me objektivin fillestar të arrestimit parandalues në gjykim, në rast se personi në fjalë është arrestuar për shkak të rrezikut që ai ose ajo mund të përsërisë veprën, por në të njëjtën kohë privohet nga masat e tilla si – terapia e përshtatshme – të cilat janë të nevojshme për të demonstruar se ai ose ajo nuk është më i rrezikshëm (...).”
2. Zbatimi i parimeve të mësipërme në çështjen konkrete
117. Është e padiskutueshme se arresti i kërkuesit sjell një privim lirie dhe se neni 5 është i zbatueshëm. Në lidhje me privimin e lirisë së individëve të cilët vuajnë nga çrregullimet mendore, një individ nuk mund të konsiderohet së ka një “mendje të sëmurë” dhe i privuar nga liria e tij ose e saj, në rast se nuk përmbushen tri kushtet e mëposhtme minimale: së pari, ajo ose ai duhet të provohet në mënyrë të besueshme të ketë një mendje të sëmurë; së dyti, çrregullimi mendor duhet të jetë i një lloji ose niveli që urdhëron izolimin e detyruar; së treti, vlefshmëria e izolimit të vazhduar varet nga vijimësia e një çrregullimi të tillë (shih Winterwerp kundër Holandës, 24 tetor 1979, § 39, seritë A nr. 33, dhe Stanev kundër Bullgarisë [DHM], nr. 36760/06, § 145, GJEDNJ 2012).
118. Gjykata, në lidhje me tri kushtet e vendosura në praktikën gjyqësore të Winterwerp, për sa i përket privimit të lirisë së “personave me një mendje të sëmurë”, nënvizon se kërkuesi vuan nga skizofrenia paranojake, siç është dëshmuar që prej të paktën vitit 2009. Gjendja e tij mjekësore ishte e tillë sa e nxiti Gjykatën e Rrethit Tiranë të urdhëronte trajtimin e detyruar mjekësor të kërkuesit më datë 8 prill 2009, në përputhje me një “procedurë të parashikuar nga ligji”. Nuk është paraqitur asnjë provë e cila mund të verë në dyshim përfundimet e autoriteteve për rrezikshmërinë e kërkuesit dhe nevojën për izolimin e tij. Arrestimi i kërkuesit ishte, për këtë arsye, një masë e trajtuar në nenin 5 § 1 (e) të Konventës, ç’ka është e padiskutueshme nga palët.
119. Për t’u siguruar se arresti i kërkuesit – i cili është një person me “mendje të sëmurë” – ka qenë i ligjshëm, Gjykata, duke marrë në konsideratë gjetjet e saj në mbështetje të nenit 3, do të vlerësojnë se sa i përshtatshëm është institucioni në të cilin është ndaluar kërkuesi, duke përfshirë faktin nëse arresti i vazhduar i kërkuesit ka pasur “qëllim terapeutik, me synimin specifik, dhe për sa është e mundur, për kurimin ose lehtësimin e gjendjes së shëndetit të tij mendor, duke përfshirë ku është e mundur, reduktimin ose kontrollin e rrezikshmërisë” (shih Rooman [DHM], cituar më sipër, § 208). Për këtë qëllim, Gjykata “do të verifikojë nëse është vendosur një program i individualizuar, duke marrë në konsideratë detajet specifike të shëndetit mendor të të arrestuarit me synimin për ta përgatitur atë për një riintegrim në të ardhmen në shoqëri” (shih Rooman [DHM], cituar më sipër, § 209).
120. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se, që prej datës 20 qershor 2011, kërkuesi, i cili ishte përjashtuar nga përgjegjësia penale, është mbajtur nën arrest në Qendrën Spitalore të Burgut, i cili është një institucion i ekzekutimit të vendimeve penale dhe jo pjesë e integruar e sistemit shëndetësor. Është për t’u shqetësuar fakti se që prej vitit 2000, KPT-ja është kritikuar vazhdimisht për vendosjen e “personave me mendje të sëmurë”, të përjashtuar nga përgjegjësia penale, në institucione të ekzekutimit të vendimeve penale. Në të gjithë raportet e tij, veçanërisht në raportet për vitin 2018 dhe 2019, KPT-ja ka qenë i mendimit se Qendra Spitalore e Burgut nuk ishte një institucion i përshtatshëm për mbajtjen në arrest të individëve të sëmurë mendërisht, të cilit ishin nën një trajtim të detyruar mjekësor me urdhër gjykate, sipas nenit 46 të Kodit Penal dhe janë përjashtuar nga përgjegjësia penale.
121. Për më tepër, Gjykata nuk mund të anashkalojë vërejtjet e Avokatit të Popullit, i cili shpjegon se mbajtja nën arrest i individëve të sëmurë mendërisht, të përjashtuar nga përgjegjësia penale, në institucionet e ekzekutimeve penale, ishte në shkelje me ligjin e brendshëm. Në të vërtetë, në nenin 28 të ligjit për shëndetin mendor parashikohet se individë të tillë – si kërkuesi – duhet të vendosen në institucione mjekësore, të cilët duhet të jenë pjesë e sistemit të integruar shëndetësor në vend të sistemit penal. Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka bërë të njëjtin konstatim në vendimin e saj të datës 14 korrik 2014 (shih paragrafin 54 më sipër). Fakti që autoritetet shqiptare për një kohë të gjatë nuk e ndërtuan një institucion të tillë, në kundërvajtje të dukshme me detyrimet statutore të brendshme që prej vitit 2012, është tregues i një problemi strukturor, i cili rezulton të jetë i paadresuar.
122. Gjithashtu, Gjykata vëren se autoritetet nuk morën në konsideratë mjete alternative për vendosjen e kërkuesit jashtë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, për shembull, në një institucion civil për shëndetin mendor (shih paragrafin 51 më sipër), siç propozohet bë raportin e ekspertizës mjekësore të datës 27 mars 2017 (shih paragrafin 40 më sipër) dhe i mbështetur në raportin e Komisionerit (shih paragrafin 82 më sipër) me qëllimin për të shkuar drejt deinstitucionalizimit. Në vendimet e tyre, gjykatat e brendshme u kufizuan vazhdimisht në konstatimin se familja e kërkuesit nuk kishte mundësi të ofronte kushtet e duhura për sëmundjen e tij.
123. Veç kësaj, trajtimi i kërkuesit kryesisht mbështetej në farmakoterapi me anë të administrimit të mjekimeve psikotropike. Gjykata nuk është e bindur se kërkuesit i është ofruar mjedisi i duhur terapeutik, i përshtatshëm për një person të ndaluar me probleme mendore. Në lidhje me këtë situatë, Gjykata, duke nënvizuar se në periudhën në fjalë, në Qendrën Spitalore të Burgut gjendej vetëm një mjek psikiatër për tetëdhjete e katër pacientë, nuk është e mendimit se kërkuesi ka marrë trajtimin e duhur psikiatrik. Raportet e KPT-së ngrenë shqetësime serioze për “braktisjen terapeutike” të pacientëve të sëmurë mendorë në, midis vendeve të tjera, Qendrën Spitalore të Burgut. Gjykata i referohet konstatimeve të saj në paragrafin 108 më sipër, sipas së cilit, Qeveria nuk ka ofruar një kopje të planit të individualizuar të trajtimit të përgatitur për kërkuesin, duke përfshirë kujdesin terapeutik që ai ka marrë gjatë gjithë gjendjes së tij të arrestit.
124. Në këtë situatë, Gjykata është e mendimit se privimi i vazhduar i lirisë së kërkuesit nuk ishte i ligjshëm dhe ishte në shkelje të kërkesave të nenit 5 § 1 (e) të Konventës. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se ka pasur një shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës.
IV. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 5 § 1 TË KONVENTËS
125. Kërkuesi u ankua se për sa i përket apelimit të tij, pezull përpara Gjykatës së Lartë që prej datës 11 janar 2016, atij nuk i ishte dhënë mundësia të shqyrtonte ligjshmërinë e ndalimit të tij me arrest në mënyrë të përshpejtuar nga gjykata. Ai mbështetej në nenin 5 § 4 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“...
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.
…
”
126. Qeveria e kundërshtoi ankesën e tij. Ajo parashtroi se kërkuesi kishte nisur procedimet ligjore ndaj arrestit të tij në shtator 2014 dhe kishte marrë një vendim nga Gjykata e Apelit Tiranë më 22 dhjetor 2015 (shih paragrafin 25 më sipër), i cili kishte qenë i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm. Apelimi i kërkuesit në Gjykatën e Lartë ishte ende pezull. Për këtë arsye, Qeveria argumentonte se procedimet kishin qenë në linjë me kërkesat e Konventës për një shqyrtim të përshpejtuar të ndalimit të kërkuesit.
127. Gjykata përsërit se neni 5 § 4 i Konventës, në garantimin e për individët e ndaluar e të drejtës për të ndërmarrë procedime për të kundërshtuar ligjshmërinë e ndalimit të tyre, gjithashtu thekson të drejtën e tyre, me nisjen e këtyre procedimeve, për një vendim të përshpejtuar gjyqësor në lidhje me ligjshmërinë e ndalimit dhe urdhërimin e ndalimit të tij, nëse provohet të jetë i paligjshëm. Çështja nëse është respektuar e drejta për një vendim të përshpejtuar, duhet të përcaktohet në kuadër të rrethanave të secilës çështje dhe – siç është çështja për kërkesën për “afat të arsyeshëm” në nenet 5 § 3 dhe 6 § 1 të Konventës – duke përfshirë kompleksitetin e procedimeve, realizimin e tyre nga autoritetet e brendshme dhe nga kërkuesi dhe çfarë rrezikohet për këtë të fundit (shih midis të tjerëve, Ilnseher kundër Gjermanisë [DHM], nr. 10211/12 dhe 27505/14, § 251-52, 4 dhjetor 2018).
128. Në lidhje me parashtrimin e Qeverisë, se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë i datës 22 dhjetor 2015 ishte i formës së prerë, Gjykata vëren se ky vendim ishte i hapur për apelim, një mundësi të cilën kërkuesi e shfrytëzoi, dhe rezulton se është pezull përpara Gjykatës së Lartë. Në mbështetje të konstatimeve të saj në Gjyli kundër Shqipërisë (nr. 32907/07, §§ 33-34, 29 Shtator 2019), Gjykata konstaton se ky vendim nuk ishte bërë res judicata dhe për këtë arsye kundërshton vërejtjet e Qeverisë. Megjithëse në të vërtetë neni 5 § 4 nuk garanton asnjë të drejtë, si të tillë, për një apelim ndaj vendimeve që urdhërojnë ose zgjasin ndalimin, sipas qëllimit dhe synimit të kësaj dispozite kërkesat e saj duhet të respektohen nga gjykatat e apelit, në rast se një apelim është kundër një vendimi (shih Hutchison Reid kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 50272/99, §§ 78, GJEDNJ 2003-IV).
129. Asgjë nuk sugjero se kërkuesi, i cili ka paraqitur apelimin e tij në Gjykatën e Lartë, më 11 janar 2016, shkaktoi vonesa në shqyrtimin e tij. Gjykata është e mendimit se në mungesë të arsyeve të parashtruara nga Qeveria, vonesa prej më shumë sesa tre vitesh për këtë grup procedimesh përpara Gjykatës së Lartë i atribuohet plotësisht autoriteteve. Në këto rrethana, Gjykata konstaton se periudha përpara Gjykatës së Lartë nuk mund të konsiderohet e pajtueshme me kërkesën për “shpejtësi” në nenin 5 § 4, e cila kërkon shqyrtim të posaçëm për procedimet. Në këtë mënyrë, ka pasur një shkelje të këtij neni.
V. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 5 § 5 TË KONVENTËS
130. Kërkuesi u ankua se nuk kishte pasur një mjet efikas kompensimi në lidhje me ankesat mbështetur në nenin 5. Ai mbështetje në nenin 5 § 5 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
Neni 5
“5. Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.”
131. Qeveria argumentoi se kërkuesi nuk kishte shfrytëzuar mjetet e ndryshme të parashikuara në legjislacionin e brendshëm.
132. Gjykata thekson se neni 5 § 5 i Konventës respektohet kur është e mundur të zbatohet për kompensim për privimin nga liria të zbatuar në kushte të cilat bien në kundërshtim me nenin 5 §§ 1, 2, 3 ose 4. E drejta për kompensim e parashikuar në nenin 5 § 5, në këtë mënyrë presupozon se është shkelur një nga paragrafët e tjerë, ose nga një autoritet i brendshëm ose nga institucionet e Konventës (shih Stanev [DHM], cituar më sipër, § 182).
133. Duke u rikthyer në çështjen konkrete, Gjykata vëren se, nëse sipas konstatimeve të saj ka pasur një shkelje të nenit 5 §§ 1 dhe 4, do të zbatohet paragrafi 5. Gjykata duhet të përcaktojë nëse ligji shqiptar i ka ofruar ose i ofron aktualisht kërkuesit një të drejtë të zbatueshme për kompensim për shkelje të nenit 5 § 1 dhe 4 të Konventës në këtë çështje.
134. Në lidhje me shkeljen e nenit 5 § 1, neni 268 i KPP-së dhe kompensimi për aktin për burgim të padrejtë parashikon të drejtën e një personi për kompensim sipas shkallëve specifike. Ky i fundit nuk rezulton të parashikojë kompensim për ndalim të paligjshëm të personave të gjendur në një situatën specifike të kërkuesit. Nuk rezulton se një e drejtë e tillë u sigurua sipas ndonjë parashikimi tjetër të legjislacionit shqiptar dhe Qeveria nuk ka parashtruar praktikë gjyqësore për të kundërtën e kësaj.
135. Në lidhje me shkeljen e nenit 5 § 4, Gjykata vëren se Qeveria nuk iu referua parashikimeve ligjore për të drejtën e kompensimit. Gjykata vëren se në nëntor 2017, në fuqi hyri një mjet i ri në lidhje me një shkelje të pretenduar të kërkesës për kohë të arsyeshme, sipas parashikimit të nenit 6 § 1 të Konventës (shih paragrafin 52 më sipër). Edhe pse mjeti i ri u bë efikas pas hyrjes në fuqi të zbatimit më 11 qershor 2016, Gjykata, duke pasur parasysh mungesën e praktikës ligjore, nuk mund të arrijë në përfundimin se mjeti i ri do të zbatohej për kërkesën e “përshpejtimit” sipas nenit 5 § 4 të Konventës, sipas të cilit kërkuesit nuk mund t’i kërkohet ta shterojë atë. Për këtë arsye, nuk rezulton që të jetë siguruar e drejta për kompensim sipas legjislacionit shqiptar.
136. Gjykata arrin në përfundimin se kërkuesi nuk kishte një të drejtë të zbatueshme, sipas parashikimit të nenit 5 § 5 të Konventës, në lidhje me shkeljet e neneve 5 §§ 1 dhe 4. Për këtë arsye, ka pasur një shkelje të nenit 5 § 5 të Konventës.
VI. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 13 TË KONVENTËS NË LIDHJE ME NENIN 3 TË KONVENTËS
137. Kërkuesi u ankua se nuk ka pasur mjete efikase sipas ligjit të brendshëm për ankesat e tij, në mbështetje të nenit 3 të Konventës. Ai u mbështet në nenin 13 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.”
138. Kërkuesi argumentoi se, edhe pse legjislacioni i brendshëm formalisht i siguronte mbrojtje të garantuar nga Konventa, në praktikë gjykatat e brendshme nuk kishin siguruar lehtësim për ankesën e tij sipas nenit 3.
139. Qeveria parashtroi se kërkuesi i kishte shfrytëzuar mjetet e brendshme, duke ndërmarrë shtatë grupe procedimesh përpara gjykatave të brendshme.
140. Gjykata është e mendimit se për sa u përket gjetjeve të saj në mbështetje të nenit 3, të Konventës, është e panevojshme të shqyrtohet në mënyrë të më veçantë ankesa sipas nenit 13, të Konventës.
VII. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 14 TË KONVENTËS, NË LIDHJE ME NENIN 3 DHE 5 TË KONVENTËS
141. Në vijim, kërkuesi u ankua se ai ishte diskriminuar për arsye të sëmundjes së tij mendore. Ai u mbështet në nenin 14 të Konventës, në lidhje edhe me nenin 3 dhe nenin 5 § 1 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë:
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
142. Kërkuesi pretendonte se sjellja e autoriteteve në çështjen e tij kishte qenë diskriminuese, përderisa ai ishte vendosur për trajtim në institucione të ekzekutimit ët vendimeve penale ë vend të një klinike ndalimi në gjendje arresti, për pacientët psikiatrikë, si rezultat i së cilës ai kishte marrë trajtimin e papërshtatshëm mjekësor.
143. Qeveria parashtroi se autoritetet i kishin siguruar kërkuesit të njëjtin trajtim, si edhe ai për individët e tjerë në të njëjtën situatë. Të gjithë individët të cilët ishin përjashtuar nga përgjegjësia penale dhe i ishin nënshtruar një trajtimi mjekësor më urdhër gjykate, ishin vendosur në të njëjtat institucione si kërkuesi. Qeveria iu referua edhe praktikës gjyqësore të vendosur nga Gjykata, e cila parashikon se vetëm ndryshimet në trajtimin e mbështetur në karakteristika të identifikueshme, ose në “status”, mund të sjellin diskriminim sipas interpretimit të nenit 14.
144. Gjykata është e mendimit, se për sa u përket konstatimeve të saj sipas neneve 3 dhe 5 të Konventës, është e panevojshme të shqyrtohet e ndarë ankesa sipas nenit 14 të Konventës.
VIII. ZBATIMI I NENEVE 46 DHE 41 I KONVENTËS
145. Neni 146 i Konventës parashikon si më poshtë:
“1. Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje ku ato janë palë.
2. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës i përcillet Komitetit të Ministrave, i cili mbikëqyr ekzekutimin e tij.”
146. Neni 41 i Konventës parashikon si më poshtë:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Neni 46
147. Gjykata thekson se konstatimet e shkeljes në vendimet e saj janë esencialisht deklarative (shih, midis të autoriteteve të tjera Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) kundër Zvicrës (nr. 2), [DHM], nr. 32772/02, § 61, GJEDNJ 2009 dhe Ë.D. kundër Belgjikës, nr. 73548/13, § 167, 6 shtator 2016). Sipas nenit 46 të Konventës, nj konstatim shkelje vendos mbi Shtetin përgjegjës një detyrim ligjor jo vetëm t’iu paguajë personave konkretë shumat e akorduara me anë të justifikimit të drejtë sipas nenit 41, por edhe të përzgjedhë, objekt mbikëqyrej nga Komiteti i Ministrave, masat e përgjithshme dhe/ose individuale, nëse është me vend, për t’u miratuar në rendin e tyre ligjor të brendshëm për t’i dhënë fund dhunës së konstatuar nga Gjykata dhe për të korrigjuar me sa është e mundur pasojat [shih, midis të tjerëve, Broniowski kundër Polonisë [DHM], nr. 31443/96, § 192, GJEDNJ-V; Dybeku, cituar më sipër, § 63; dhe Sławomir Musiał kundër Polonisë, nr. 28300/06, § 106, 20 Janar 2009).
148. Gjykata është e mendimit se Shteti përgjegjës duhet të marrë masa të një karakteri të përgjithshëm në mënyrë të menjëhershme për të siguruar kushtet e duhura të jetesës dhe shërbimet e kujdesit të duhur shëndetësor për personat e sëmurë mendërisht, të cilët janë të privuar nga liria në rrethanat e një trajtimi të detyruar mjekësor me urdhër gjykate. Shteti përgjegjës, objekt i mbikëqyrjes së Komisionit të Ministrave, mbetet i lirë të zgjedhë mjetin me anë të cilit do të përmbushë detyrimin e tij ligjor sipas nenit 46 të Konventës (shih Scozzari dhe Giunta kundër Italisë, [DHM], nr. 39221/198 dhe 41963/98, §249, GJEDNJ 2000-VIII).
149. Gjykata është e mendimit se Shteti përgjegjës duhet të krijojë “institucionin e duhur” duke pajisur godinat ekzistuese ose ndërtesën e një godine të re të specializuar për strehimin e personave si kërkuesi për përmirësimin e kushteve të jetesës. Një godinë e tillë duhet të respektojë qëllimin terapeutik të kësaj forme privimi lirie, me synimin për të kuruar ose lehtësuar gjendjen e shëndetit mendor të të ndaluarve, duke përfshirë ku është e mundur, një reduktim ose kontroll mbi rrezikshmërinë e tyre dhe lehtësimin e riintegrimit të tyre në shoqëri. Trajtimi farmakologjik duhet të kombinohet me forma të tjera të njohura për trajtimin terapeutik, si pjesë e një plani të individualizuar trajtimi për secilin individ. Për këto qëllime, autoritetet duhet të sigurojnë edhe rekrutimin e një numri të mjaftueshëm punonjësish të kualifikuar të kujdesit për shëndetin mendor, në këto godina. Për më tepër, autoritetet duhet të marrin në konsideratë, ku është e mundur, mundësinë e trajtimit të shëndetit mendor pa shtrim spitalor.
150. Për sa ka të bëjë me masat individuale, autoritetet duhet të sigurojnë me urgjencë administrimin e formave të përshtatshme dhe të individualizuara të terapisë për kërkuesin, dhe të marrin në konsideratë mundësinë për ta vendosur atë në një mjedis alternativ jashtë institucioneve për ekzekutimin e vendimeve penale.
B. Neni 41
1. Dëmi
151. Kërkuesi pretendonte të merrte 48,666 euro për dëm monetar dhe 15,000 euro për dëmin jomonetar. Kërkuesi u shpreh se shpërblimi i drejtë që duhej t’i paguhej, duhej të përllogaritej në bazë të kompensimit për secilën ditë të gjendjes së arrestit sipas parashikimit në aktin për kompensimin e ndalimit të paligjshëm.
152. Qeveria i kundërshtoi pretendimet e kërkuesit, me argumentin se ishin të pabazuara.
153. Gjykata u shpreh se në çështjen konkrete nuk tregohet nëse ekziston një lidhje shkakore midis shkeljeve të neneve 3 dhe 5 të Konventës dhe dëmit monetar të pretenduar nga kërkuesi. Për këtë arsye, ajo i kundërshton pretendimet e tij për këtë aspekt.
154. Megjithatë, ajo konstaton se kërkuesi pa dyshim pësoi dëme të natyrës jomonetare në lidhje me ndalimin e tij të vazhduar të detyruar pa trajtimin e duhur për gjendjen e tij shëndetësore, në shkelje me nenet 3 dhe 5 § 1 të Konventës. Duke e përllogaritur me drejtësi, Gjykata i akordon atij 15,000 euro për dëmin jomonetar.
2. Kostot dhe shpenzimet
155. Kërkuesi paraqiti si pretendim 10,000 euro për kostot dhe shpenzimet e shkaktuara përpara gjykatave të brendshme dhe për ato të shkaktuar përpara Gjykatës. Ai paraqiti një tabelë me kostot dhe shpenzimet e shkaktuara nga përfaqësuesit e tij.
156. Qeveria parashtroi se këto pretendime ishin të tepruara dhe të pabazuara.
157. Pasi shqyrtoi dokumentet në dosjen e çështjes, Gjykata vëren se kërkuesi nuk ka paraqitur një listë të plotë dokumentesh, të tilla si faturat ose kontratat në mbështetje të shumave në total të kostove dhe shpenzimeve të shkaktuara në procedimet e brendshme. Megjithatë, Gjykata konstaton se, për sa u përket dokumenteve në dosjen e çështjes, kërkuesi duhet të ketë pasur disa kosto dhe shpenzime gjatë procedimeve përpara gjykatave vendëse dhe kësaj Gjykate. Sipas rastit, në situatën konkrete, duke iu referuar informacionit që ka në zotërim, Gjykata e mendon të arsyeshme t’i akordojë kërkuesit shumën prej 2,500 euro.
3. Interes i papaguar
158. Gjykata e mendon me vend që norma e interesit të papaguar duhet të mbështetet në normën margjinale të huas së Bankës Qendrore Evropiane, së cilës i duhen shtuar tri pikë përqindje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NË MËNYRË UNANIME,
1. E deklaron kërkesën të pranueshme;
2. Vendos se nuk është shkelur neni 3 i Konventës, në pjesën që ka të bëjë me ndalimin e kërkuesit dhe trajtimin mjekësor të papërshtatshëm në Qendrën Spitalore të Burgut;
3. Vendos se është shkelur neni 5 § 1 i Konventës;
4. Vendos se është shkelur neni 5 § 4 i Konventës për sa ka të bëjë me mosshqyrtimin e përshpejtuar të apelimit të kërkuesit të datës 11 janar 2016;
5. Vendos se është shkelur neni 5 § 5 i Konventës;
6. Vendos se nuk është e nevojshme të shqyrtohet nëse është ankesa sipas nenit 13 të Konventës, së bashku me nenin 3 të Konventës;
7. Vendos se nuk është e nevojshme të shqyrtohet ankesa sipas nenit 14 të Konventës, së bashku me nenet 3 dhe 5 të Konventës;
8. Vendos:
a) se Shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data në të cilin vendimi bëhet i formës së prerë, në përputhje me nenin 44 § 2, të Konventës, shumat e mëposhtme, të cilat duhet të konvertohen në vlerën monetare të Shtetit të paditur në normën e zbatueshme në datën e shlyerjes:
i. 15 000 euro (pesëmbëdhjetë mijë euro) plus çdo taksë e cila mund të tarifohet, për dëmin jomonetar,
ii. 2 500 euro (dy mijë e pesëqind euro), plus çdo taksë e cila mund të jetë e tarifueshme për kërkuesin, për kostot dhe shpenzimet;
b) se nga përfundimi i tre muajve të përmendur më sipër deri në shlyerje, interesi i thjeshtë do të jetë i pagueshëm për shumat më sipër në një normë të barabartë me normën margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së vonesës, plus tri pikë përqindje;
9. Pushon pjesën tjetër të pretendimit të kërkuesit për kompensim të drejtë.
Hartuar në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më datë 21 janar 2020, sipas Rregullit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Stanley Naismith
SEKRETAR
Robert Spano
KRYETAR
[1] https://shendetesia.gov.al/ëp-content/uploads/2018/08/pv1/pdf
Full & Egal Universal Law Academy