SVINARENKO DHE SLYADNEV kundër RUSISË
(kërkesat nr. 32541/08 dhe 43441/08)
17 Korrik 2014
Dhomë e Madhe
I.Faktet kryesore
1. Kërkuesit janë dy shtetas rusë që kanë lindur respektivisht më 1968 dhe 1970. Kërkuesi i parë, Z. Svinarenko, në kohën e vendimit të Gjykatës ishte duke vuajtur dënimin me burg në rajonin Murmansk, kurse kërkuesi i dytë, Z. Slyadnev, jetonte në Sinegorye në disktriktin e Yagodninskiy të rajonit Magadan.
2. Më 24 shtator 2002, Departamenti i Hetimeve i Distriktit Federal të Lindjes së Largët në Ministrinë e Brendshme mori në pyetje kërkuesin e parë, si një nga të dyshuarit në një hetim për disa vepra penale. Më 9 tetor 2002 ai u arrestua. Më 12 nëntor 2002 Gjykata e Qytetit Magadan urdhëroi paraburgimin e tij, në pritje të gjykimit. Sipas pretencës përfundimtare, kërkuesi i parë akuzohej për grabitje me dhunë kundër Z. A.S. dhe Znj. T.S. në shtator 2002, si anëtar i një bande, dhe për blerje, ruajtje, transportim dhe posedim të paligjshëm të municioneve.
3. Më 20 janar 2003 kërkuesi i dytë, i cili po shlyente një dënim me burg për vrasje nga pakujdesia u mor në pyetje si një nga të dyshuarit në procesin e larpërmendur. Më 22 janar 2003 ai u akuzua për krijim bande të armatosur dhe pjesëmarrje në sulme mbi qytetarët, nga tetori 2001 deri në shtator 2002, për grabitje me armë dhe ushtrim dhune me rrezik për jetën ndaj Z. V.B. në tetor të 2001, drejtor i një kompanie private rafinimi ari, si dhe kërcënimi për të përdorur dhunë me qëllim përvetësimin e pronës në vlerë të konsiderueshme të një personi tjetër për mbajtje dhe transportim të paligjshëm të metaleve të çmuara, për disa grabitje dhe për blerje, ruajtje, transportim dhe mbajtje të paligjshme të armëve të zjarrit.
4. Që nga shtatori 2003 deri në korrik 2009 ndaj kërkuesve u zhvilluan tre procese gjyqësore, për shkak se vendimet e Gjykatës Rajonale të Magadanit prisheshin dhe ktheheshin nga Gjykata e Lartë. Në procesin e tretë, që u mbyll në korrik 2009, Gjykata Rajonale e Magadanit e shpalli kërkuesin e parë të pafajshëm dhe dënoi kërkuesin e dytë me katër vjet e pesë muaj burgim për një sërë veprash penale, por vendosi se ai e kishte shlyer dënimin e tij gjatë periudhës që mbahej në paraburgim nga 24 prilli 2003 deri më 22 qershor 2004 dhe nga 6 dhjetori 2005 deri më 12 mars 2009, pra për një periudhë prej katër vjetësh, pesë muajsh dhe gjashtë ditësh në total. Ajo hodhi poshtë akuzat e mbetura.
5. Gjatë proceseve gjyqësore në ngarkim të tyre ata shoqëroheshin për në Gjykatën Rajonale të Magadan nga forcat e policisë. Gjatë seancave gjyqësore ata qëndronin të ulur në një stol të vendosur në një hapësirë të mbyllur nga të katër anët me shufra metalike me diametër 10 milimetra. Ky kafaz metalik ishte 255 centimetra i gjatë, 150 centimetra i gjerë dhe 225 centimetra i lartë, me një tavan me rrjetë çeliku dhe një derë me shufra metalike. Distanca ndërmjet shufrave metalike ishte 19 centimetra. Policë të armatosur qëndronin pranë bankës së të akuzuarve. Gjithmonë kishte dy oficerë policie për çdo të paraburgosur në këto procese, pra tetë në total gjatë gjyqit të parë dhe të dytë, dhe në gjyqin e tretë ishin gjashtë policë për kërkuesit dhe për një të bashkëakuzuar tjetër.
6. Pasi vendimi i pafajësisë të kërkuesit të parë mori formë të prerë, ai filloi procedurat kundër Shtetit për dëmet e pësuara si rezultat i procesit penal kundër tij. Atij iu akorduan 18,569 RUB për shkak të dëmit material të pësuar nga papunësia si pasojë e mbajtjes së tij në burg dhe 50,000 RUB në lidhje me dëmin jo material që kishte pësuar si pasojë e ndjekjes penale, mbajtjes në paraburgim dhe detyrimit për të mos u larguar nga vendbanimi i tij.
7.Përpara Gjykatës kërkuesit u ankuan për mbajtjen e tyre në një kafaz metalik në sallën e gjyqit gjatë proceseve në ngarkim të të tyre. Ata pretenduan se një masë e tillë përbënte trajtim poshtërues, të ndaluar me nenin 3 të Konventës. Kërkuesit theksuan kjo ishte një praktikë e përgjithshme që zbatohej pavarësisht rrethanave individuale, natyrës së veprave penale, qoftë krime ekonomike, vrasje, vjedhje apo shkelje të lehta, pavarësisht nëse procesi zhvillohej para gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe pa marrë parasysh nëse një person kishte apo jo një të kaluar kriminale. Ata pretenduan gjithashtu se proceset penale ndaj tyre ishin zgjatur përtej një afati të arsyeshëm.
II. Vendimi i Gjykatës
A.Në lidhje me nenin 3
8.Gjykata ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, se neni 3 i Konventës përbën një nga vlerat më themelore të shoqërisë demokratike. Ajo ndalon në terma absolute torturën ose dënimet apo trajtimet çnjerëzore e poshtëruese, pavarësisht nga rrethanat dhe sjellja e viktimës. Por që neni 3 të gjejë zbatim duhet që keqtrajtimi të arrijë një nivel minimal ashpërsie dhe vlerësimi i këtij minimumi është relativ; ai varet nga të gjitha rrethanat e rastit, të tilla si kohëzgjatja e trajtimit, efektet e tij fizike dhe mendore dhe, në disa raste, nga seksi, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës. Në mënyrë që trajtimi të jetë "poshtërues", vuajtja apo poshtërimi duhet të arrijnë një intensitet që tejkalon nivelin e pashmangshëm të vuajtjeve apo poshtërimit normal të lidhura me një formë të caktuar të trajtimit të ligjshëm, dhe këtu përfshihet edhe burgimi. Trajtimi është konsideruar të jetë "poshtërues" brenda kuptimit të nenit, kur ai ka për qëllim të poshtërojë ose përulë një person, duke treguar një mungesë të respektit dhe fyerje për dinjitetin e tij, dhe konsiderohet se shkakton tek viktima ndjenja frike, ankthi apo inferioritetit që çojnë në thyerjen e rezistencës së tij morale dhe fizike. Por Gjykata kujtoi se, edhe në rast të mungesës së një qëllimi të tillë nuk mund të përjashtohet përfundimisht shkelja e nenit 3. Ajo vuri në dukje veçanërisht se natyra publike e trajtimit mund të jetë një faktor relevant ose rëndues në vlerësimin nëse trajtimi është "poshtërues" brenda kuptimit të nenit 3.
9.Përsa i përket masave të shtrëngimit të tilla si prangosja, këto në pjesën më të madhe të rasteve nuk ngrenë ndonjë çështje sipas nenit 3 të Konventës, kur janë përdorur në rastet e ndalimeve të ligjshme dhe nuk kanë sjellë përdorimin e forcës apo ekspozimit publik përtej asaj çfarë konsiderohet në mënyrë të arsyeshme e domosdoshme në rrethanat përkatëse të çështjes. Në këtë drejtim, ka rëndësi për shembull, nëse ka arsye për të besuar se personi në fjalë do t’i rezistonte arrestimit ose do të përpiqej të arratisej, të plagoste, apo të dëmtonte apo manipulonte apo ndikonte në prova. Në veçanti në lidhje me vendosjen e të akuzuarve brenda kafazëve metalikë në sallën e gjyqit Gjykata e ka konsideruar trajtimin në fjalë si "të ashpër" dhe "poshtërues". Ajo ka pranuar që një trajtim i tillë mund të justifikohet për arsye sigurie në raste të veçanta për shkak të personalitetit të kërkuesit, të natyrës së veprave penale për të cilat akuzohet, rekordit të tij penal, sjelljes së tij ose të dëshmive të tjera të rrezikut të sigurisë në sallën e gjyqit dhe rrezikut të arratisje së kërkuesit. Gjithashtu prania e publikut dhe mbulimi mediatik i procesit janë elementë që Gjykata mban parasysh në analizën e vet në raste të tilla.
10. Gjithsesi në fund vendimtar është fakti nëse autoritetet nuk kanë cenuar dinjtetin e personit në mënyrë të paarsyeshme. Ka qenë pajustifikueshmëria ose përdorimi i "tepruar" i një mase të tillë shtrëngimi që e kanë bërë Gjykatën të vendosë se vendosja e të akuzuarve në një kafaz metalik në sallën e gjyqit përbënte trajtim poshtërues, megjithëse ka pasur edhe raste kur kjo masë justifikohej, dhe se nuk kishte pasur shkelje të nenit 3[1].
11. Gjykata kujtoi se vendosja e të pandehurve që janë në paraburgim në kafaze metalike kur ata nxirren para një gjykate në një proces penal ka qenë praktikë standarde në disa prej Shteteve Kontraktuese, të cila më parë kishin qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Megjithatë ajo konstatoi se ajo tashmë është një praktikë e braktisur gjerësisht. Ajo pranoi se nuk është detyrë e saj të vendosë arkitekturën e sallave gjyqësore apo për masat e sigurisë fizike në raste të veçanta dhe se rendi dhe siguria në sallën e gjyqit janë me rëndësi të madhe dhe mund të shihen si të domosdoshme për administrimin e duhur të drejtësisë. Megjithatë ajo theksoi se autoritetet, për të garantuar rendin dhe sigurinë në sallat e gjyqit, nuk mund të përdorin masa që për nga niveli i ashpërsisë janë në kundërshtim me nenin 3.
12. Në rastin konkret Gjykata analizoi së pari nëse niveli minimal i ashpërsisë është arritur në rastin e trajtimit të dy kërkuesve. Gjykata vuri re se kërkuesit ishin gjykuar nga një juri me dymbëdhjetë anëtarë. Seancat në procesin kundër tyre kishin qenë publike dhe në to kishin marrë pjesë shumë dëshimitarë dhe shumë persona të tjerë kishin qenë të pranishëm. Seancat gjyqësore kishin qenë të shpeshta dhe të tejzgjatura dhe kishin vazhduar për më shumë se një vit. Në këto kushte ajo vlerësoi se, ekspozimi i kërkuesve në sytë e publikut në një kafaz prej hekuri duhet të ketë dëmtuar imazhin e tyre dhe duhet të ketë ngjallur tek ta ndjenjën e poshtërimit, pafuqisë, frikës, ankthit dhe inferioritetit. Për më tepër një paraqitje e tillë në sallën e gjyqit ku vendosej mbi përgjegjësinë e tyre penale, sipas Gjykatës, ngrinte çështje të prezumimt të pafajësisë, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë që ka paraqitja tek publiku e mirëadministrimit të sistemit të drejtësisë dhe e besimit tek gjyqësori. Për më tepër një izolim i tillë në sallën e gjyqit mund të nxjerrë në pah probleme të tjera në lidhje me të drejtat e mbrojtjes, të tilla si e drejta e të pandehurit për të marrë pjesë në mënyrë efektive në proces dhe për të marrë ndihmë ligjore praktike dhe efektive. Në këto kushte Gjykata konstatoi se, vendosja e kërkuesve në një kafaz në sallën e gjyqit gjatë gjykimit të tyre në mënyrë të pashmangshme duhet ti ketë shkaktuar atyre ankth të një intensiteti që tejkalon nivelin e pashmangshëm të vuajtjes që normalisht ata përjetojnë në paraburgim dhe se trajtimi i kundërshtuar arrin nivelin minimal të ashpërsisë për trajtuar brenda fushëveprimit të nenit 3.
13. Së dyti, Gjykata nuk gjeti as ndonjë arsye të veçantë në rastin e dy kërkuesve që ta bënin të mendonte se izolimi i tyre në kushtet e përshkruara ishte i nevojshëm për të penguar arrestimin e tyre ose mbrojtjen nga ndonjë sulm nga persona të tretë. Referencat në lidhje me kërkuesit, dhe sidomos të dytin, e në mënyrë të veçantë fakti që ndaj tyre dhe disa të bashkëakuzuarve ishin dënuar me kusht në procese të mëparshme dhe ishin shpallur të pafajshëm në pjesën dërrmuese të akuzave konkrete, nuk mbështesnin pretendimet e Qeverisë se ata kishin kryer krime të dhunshme.
14. Gjykata arriti në përfundimin se pavarësisht nga rrethanat e rastit konkret përdorimi i kafazit ashtu siç përshkruhet më sipër gjatë procesit gjyqësor nuk mund të justifikohet asnjëherë në bazë të nenit 3. Ajo ritheksoi se thelbi i vetë Konventës është respektimi i dinjitetit njerëzor dhe se objekti dhe qëllimi i Konventës, si instrument për mbrojtjen e qenieve njerëzore, kërkojnë që dispozitat e saj të interpretohen dhe zbatohen në mënyrë që t’i bëjnë masat e saj mbrojtëse praktike dhe efektive. Prandaj, ajo është e mendimit se mbajtja e një personi në një kafaz metalik gjatë zhvillimi të gjyqit të tij përbën në vetvete - duke pasur parasysh natyrën e saj objektivisht poshtëruese, e cila është e papajtueshme me standardet e sjelljes së qytetëruar që janë shenjë dalluese e një shoqërie demokratike - fyerje për dinjitetin e njeriut, në shkelje të nenit 3.
B.Në lidhje me nenin 6
15.Gjykata konstatoi se proceset penale në ndarkim të kërkuesve kishin zgjatur përkatësisht 6 vjet e 10 muaj për kërkuesin e parë dhe 6 vjet e gjysmë për kërkuesin e dytë, në dy shkallë gjyqësore. Duke iu referuar vendimit të Dhomës ajo nuk gjeti arsye që të justifikonin një kohëzgjatje kaq të madhe në proceset ndaj kërkuesve. Prandaj ajo konfirmoi vendimin e Dhomës se kishte shkelje të nenit 6 § 1 për kohëzgjatje tej afatit të arsyeshëm.
[1] Shih Titarenko k. Ukrainës, nr. 31720/02, 20.09.2012.
Full & Egal Universal Law Academy