© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA SVINARENKO DHE SLYADNEV kundër RUSISË
(Kërkesat nr. 32541/08 dhe 43441/08)
VENDIM
[Ekstrakt]
STRASBURG
17 Korrik 2014
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Në çështjen e Svinarenko dhe Slyadnev k. Rusisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Dhoma e Madhe me trup gjykues të përbërë prej:
Dean Spielmann, President,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Peer Lorenzen,
Boštjan M. Zupančič,
Danutė Jočienė,
Ján Šikuta,
George Nicolaou,
Luis López Guerra,
Vincent A. de Gaetano,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Helen Keller,
Helena Jäderblom,
Johannes Silvis,
Dmitry Dedov, gjyqtarë,
dhe Michael O’Boyle, Zëvëndës Kancelar,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 18 shtator 2013 dhe 11 qershor 2014,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në bazë të dy kërkesave (nr. 32541/08 dhe 43441/08) kundër Federatës Ruse drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga dy shtetas rus, Z. Aleksandr Sergeyevich Svinarenko dhe Z. Valentin Alekseyevich Slyadnev (“kërkuesit”), më 5 maj 2008 dhe 2 korrik 2008 respektivisht.
2. Kërkuesit pretenduan, në veçanti, se mbajtja e tyre në një "kafaz metalik" në sallën e gjyqit përbënte trajtim poshtërues i cili ndalohej nga neni 3 i Konventës dhe se kohë zgjatja e procedurës penale kundër tyre kishte qenë e tepruar, në shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës.
3. Kërkesat iu caktuan për gjykim Seksioni të parë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 11 dhjetor 2012 një Dhomë e atij Seksioni dha vendimin e saj. Dhoma vendosi bashkimin e kërkesave (neni 42 § 1 i Rregullores së Gjykatës), shpalli pretendimet në lidhje me vendosjen e kërkuesve në një "kafaz metalik" dhe kohëzgjatjen e procedurave kundër tyre të pranueshme dhe pjesën e mbetur të pretendimeve të papranueshme dhe vendosi unanimisht se kishte pasur shkelje të neneve 3 dhe 6 § 1 të Konventës. Dhoma përbëhej nga Presidenti Isabelle Berro-Lefèvre dhe gjyqtarët Elisabeth Steiner, Nina Vajić, Anatoly Kovler, Khanlar Hajiyev, Mirjana Lazarova Trajkovska, Julia Laffranque, si dhe André Wampach, zëvënëdës Kancelari i Seksionit. Më 7 mars 2013 Qeveria e Federatës Ruse (Qeveria) kërkoi referimin e çështjes në Dhomë të Madhe, në përputhje me nenin 43 të Konventës dhe Dhoma e Madhe e pranoi këtë kërkesë më 29 prill 2013.
4. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe nenit 24 të Rregullores së Gjykatës.
5. Kërkuesit dhe Qeveria paraqitën pretendimet me shkrim në lidhje me themelin (neni 59 § 1 i Rregullores së Gjykatës).
6. Seanca publike u zhvillua në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 18 shtator 2013 (neni 59 § 3 I Rregullores së Gjykatës).
U paraqitën përpara Gjykatës:
(a) për Qeverinë
Z.G. Matyushkin, përfaqësues i Federatës Ruse në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Agjent,
Z.N. Mikhaylov,
Z.P. Smirnov,
Znj. O. Ocheretyanaya, Këshilltar;
(b) për kërkuesit
Z.V. Palchinskii, përfaqësues i Z. Svinarenko,Përfaqësues ligjor,
Z.E. Plotnikov,
Z.V. Taysaeva, përfaqësues i Z. Slyadnev.Përfaqësues ligjor.
Gjykata dëgjoi parashtresat e Z. Palchinskii, Z. Plotnikov, Znj. Taysaeva dhe Z. Matyushkin.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
7. Kërkuesit kanë lindur në 1968 dhe 1970 respektivisht. Kërkuesi i parë, Z. Svinarenko, aktualisht është duke vuajtur dënimin me burg në rajonin Murmansk. Kërkuesi i dytë, Z. Slyadnev, jeton në Sinegorye në disktriktin e Yagodninskiy të rajonit Magadan
A. Hetimet paraprake
8. Në vitin 2002 Departamenti i Hetimeve i Distriktit Federal të Lindjes së Largët në Ministrinë e Brendshme ngriti disa procese penale kundër një Z. Grishin
9. Më 24 shtator 2002, kërkuesi i parë u morr në pyetje si një nga të dyshuarit në këto procese. Më 9 tetor 2002 ai u arrestua. Në vendimin e 12 nëntorit 2002 ku u urdhërua paraburgimi i tij në pritje të gjykimit, Gjykata e Qytetit Magadan vuri në dukje se krimet për të cilat akuzohej ishin kryer gjatë periudhës tre-vjeçare, kohë gjatë të cilës ai ishte i liruar me kusht sipas një vendimi të Gjykatës së Distriktit Yagodninskiy të Rajoni Magadan të 13 prillit 2001 ku ishte dënuar për vjedhje me burgim me kusht për pesë vjet. Gjithashtu ajo vuri në dukje se kishte referenca negative nga vendbanimi i tij dhe se ai nuk kishte respektuar detyrimin e tij për t’u paraqitur përpara organit hetues. Sipas akuzave përfundimtare kërkuesi i parë akuzohej për grabitje me dhunë kundër Z. A.S. dhe Znj. T.S. në shtator 2002, si anëtar i një bande të kryesuar nga Z. Grishin, dhe për blerje të paligjshme, ruajtje, transportim dhe posedim të municioneve.
10. Më 20 janar 2003 kërkuesi i dytë, i cili po shlyente dënimin me burgim, dhënë nga Gjykata e Distriktit Yagodninskiy në Rajoni Magadan më 26 korrik e 2002 për vrasje nga pakujdesia në bazë të nenit 109 § 1 të Kodit Penal të Federatës Ruse ("KP"), u morr në pyetje si një nga të dyshuarit në procesin kundër Z. Grishin. Më 22 janar 2003 ai u akuzua për veprat penale të mëposhtme:
(i) krijimi i një bandë të armatosur nën drejtimin e Z. Grishin-së dhe pjesëmarrja në sulmet e bandës mbi qytetarët nga tetori 2001 deri në shtator 2002 - në bazë të nenit 209 § 1 të KP;
(ii) grabitja me armë dhe duke ushtruar dhunë që rrezikon jetën dhe shëndetin në tetor të 2001 të Z. V.B., drejtor i një kompanie private rafinimi ari dhe kërcënimi për të përdorur një dhunë të tillë, nga një grup i organizuar, me qëllim përvetësimin e pronës të një personit tjetër në vlerë të konsiderueshme - në bazë të nenit 162 § 3 të KP;
(iii) mbajtja dhe transportimi i paligjshëm i metaleve të çmuara (ar industrial që mendohet të jetë përvetësuar nga Z. V.B) në një vlerë të konsiderueshme nga një grup i organizuar në tetor 2001 - në bazë të nenit 191 § 2 i KP;
(iv) grabitjen e Z. V.B në tetor 2001 nëpërmjet kërcënimit për përdorim të dhunës, nga një grup i organizuar - në bazë të nenit 163 § 3 të KP;
(v) grabitja e Z. Ya.B. në tetor 2001 me përdorimin e armëve dhe dhunës që rrezikon jetën dhe shëndetin si dhe kërcënimin për të përdorur një dhunë të tillë nga një grup personash sipas një plani të paramenduar për hyrjen e pa ligjshme në banesë me qëllim përvetësimin e sendeve në një vlerë të konsiderueshme - në bazë të nenit 162 § 3 i KP; dhe
(vi) blerja e paligjshme, ruajtja, transportimi dhe mbajtja e armëve të zjarrit, nga një grup i organizuar në tetor 2001 - në bazë të nenit 222 § 3 të KP.
...
B. Procesi gjyqësor
...
3. Gjyqi i tretë
35. Më 4 shtator 2007, Gjykata Rajonale e Magadan filloi procesin. ...
38. Një juri, e përbërë nga dymbëdhjetë anëtare dhe dy zëvendësues të zgjedhur nga 34 kandidatë që ishin paraqitur para gjykatës, u krijua më 5 shkurt 2008 dhe gjykimi filloi. Gjykata mbajti pesë ose gjashtë seanca mujore nga shkurti deri në qershor 2008, dy seanca në korrik, katër në gusht (pas një ndërprerje për shkak të marrjes së pushimeve nga anëtaret e jurisë nga 1 korriku deri 18 gusht), njëmbëdhjetë në shtator, gjashtë në tetor, dhjetë në nëntor dhe katër në dhjetor të vitit 2008. Disa prej seancave u zhvilluan pa praninë e jurisë duke qenë se kishin të bënin me çështje të ndryshme procedurale, duke përfshirë edhe pranueshmërinë e provave dhe kërkesave për ekzaminimin e provave para jurisë. Gjykata shqyrtoi provat e shumta të paraqitura para saj, përfshirë dëshmitë e më shumë se shtatëdhjetë viktimave e dëshmitarëve, si dhe raportet e shumta të ekspertëve.
...
40. Më 13 shkurt 2009, Gjykata Rajonale nisi seancat dëgjimore.
41. Më 7 mars 2009, juria ktheu mbrapsht një vendim "pafajësie" në lidhje me kërkuesin e parë. Ajo shpalli kërkuesin e dytë fajtor për "veprime arbitrare të paligjshme" dhe jo fajtor për akuzat e mbetura.
42. Më 12 mars 2009, Gjykata Rajonale urdhëroi lirimin e kërkuesit të dytë me kushtin që të mos largohej nga vendbanimi i tij dhe t’i bindej ligjit.
43. Më 19 mars 2009 Gjykata Rajonale dha vendimin e saj. Ajo vendosi lirimin e kërkuesit të parë ndërsa në lidhje me kërkuesin e dytë vërejti se më 11 tetor 2001 ai, Z. Grishin dhe Z. N.G (procedura penale kundër të cilit ishin pushuar për shkak të vdekjes së tij) i kishin kërkuar Z.Ya.B. të shlyente përsëri një borxh në vlerën prej 100.000 rubla ruse (Rub). Pasi Z. Ya.B. refuzoi, Z. Grishin dhe Z. N.G e rrahën atë; kërkuesi i dytë kishte rrahur Z. S.K, i cili ishte dëshmitar në rrahjen e Z. Ya.B.-së. Më pas, ata e kishin cuar Z. Ya.B. në shtëpinë e tij dhe Z. Grishin i kishte marrë atij shumën prej 247,000 RUB.
44. Gjykata Rajonale vuri në dukje se ka pasur referenca të ndryshme në materialet e rastit të kërkuesit të dytë, i cili ishte karakterizuar negativisht nga autoritetet lokale dhe nga një oficer i policisë së distriktit të vendbanimit të tij dhe pozitivisht nga administrata e burgut kur ai u mbajt në paraburgim dhe nga administrata e burgut ku ai kishte kryer dënimin e tij pas një dënimi të mëparshëm.
45. Gjykata Rajonale e dënoi kërkuesin e dytë me dy vjet e dhjetë muaj burgim, sipas nenit 330 § 2 të KP për "veprime arbitrare të paligjshme" me anë të përdorimit të dhunës, shfuqizoi dënimin me kusht të vitit 2001 duke qenë se vepra e re penale ishte kryer gjatë kohës së lirimit me kusht dhe pasi shtoi dënimin me kusht të shfuqizuar, i dha atij një dënim me katër vjet e pesë muaj burgim në total. Ajo e çliroi atë nga detyrimi për të shlyer dënimin lidhur me veprën penale sipas nenit 330 § 2, duke qenë se përgjegjësia e tij ishte parashkruar dhe gjithashtu konstatoi se ai e kishte shlyer pjesën e mbetur të dënimit të tij gjatë periudhës që mbahej në paraburgim nga 24 prilli 2003 deri më 22 qershor 2004 dhe nga 6 dhjetori 2005 deri më 12 mars 2009, pra për një periudhë prej katër vjetësh, pesë muajsh dhe gjashtë ditësh në total. Ajo hodhi poshtë akuzat e mbetura.
...
C. Kushtet në sallën e gjyqit
48. Gjatë mbajtjes në paraburgim ata u dërguan në Gjykatën Rajonale të Magadan nga forcat e policisë. Gjatë seancave ata qëndronin të ulur në një stol të mbyllur nga të katër anët me shufra metalike me diametër 10 milimetra. Ky kafaz metalik ishte 255 centimetra i gjatë, 150 centimetra i gjerë dhe 225 centimetra i lartë, me një tavan rrjetë çeliku dhe një derë me shufra metalike. Distanca ndërmjet shufrave metalike ishte 19 centimetra.
49. Forcat e armatosura të policisë qëndronin pranë bankës së të akuzuarve. Gjithmonë kishte dy oficerë policie për çdo të burgosur, pra tetë në total gjatë gjyqit të parë dhe të dytë dhe në gjyqin e tretë ishin gjashtë oficerë policie për kërkuesit dhe një për një të pandehur tjetër.
D. Procedurat e dëmshpërblimit
50. Pasi vendimi i pafajësisë të kërkuesit të parë mori formë të prerë, ai filloi procedurat kundër Shtetit për dëmet e pësuara si rezultat i procesit penale kundër tij.
51. Më 23 tetor 2009, Gjykata Rajonale e Magadan i akordoi atij fshij shumën 18,569 RUB në lidhje me dëmin material që përfaqësonte ndihmën për papunësinë e cila nuk ishte përfituar si pasojë e mbajtjes së tij në burg. Më 17 dhjetor 2009, Gjykata e Lartë e Federatës Ruse la në fuqi vendimin e Gjykatës Rajonale
52. Më 1 mars 2010, Gjykata e Qytetit Magadan i akordoi kërkuesit të parë shumën 50,000 RUB në lidhje me dëmin jo material që ai kishte pësuar si pasojë e ndjekjes penale, detyrimit për të mos u larguar nga vend banimi i tij dhe mbajtjes në paraburgim nga 9 tetori 2002 deri në lirimin e tij, pas vendimit të jurisë "jo fajtor", më 22 qershor 2004 dhe nga 6 dhjetori 2005 deri më 17 nëntor 2006. Kërkuesi e kundërshtoi vendimin me argumentin se, inter alia, shuma e akorduar nuk ishte e drejtë dhe as e arsyeshme. Më 30 mars 2010, Gjykata Rajonale e Magadan rrëzoi ankesën e kërkuesit dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Qytetit.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Ndalimi i trajtimit poshtërues
53. Neni 21 i Kushtetutës së Federatës Ruse parashikon, në pjesët përkatëse, si më poshtë:
“1. Dinjiteti i njeriut mbrohet nga Shteti. Asgjë nuk mund të justifikojë përjashtimin nga ky detyrim.
2. Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dhunës apo trajtimeve e dënimeve të tjera të rënda apo poshtëruese...”
54. Neni 9 i Kodit të Procedurës Penale të Federatës Ruse ndalon, inter alia, trajtimin poshtërues të personave në një proces penale.
B. Kafazet metalike në sallat e gjyqit
1. Udhëzimi i Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatës së Lartë dhe të Ministrisë së Brendshme
55. Një udhëzim i pabotuar e 3 shkurtit 1993, e nxjerrë bashkërisht nga Ministria e Drejtësisë e Federatës Ruse (nr. 5-63-96.), Gjykata e Lartë e Federatës Ruse (nr. 11-nk / 7) dhe Ministria e Brendshme e Federatës Ruse (nr. 1/483) përmbante "propozime për krijimin e kushteve të duhura për shqyrtimin nga ana e gjykatave të çështjeve penale dhe sigurinë e pjesëmarrësve në gjykim, rojeve të trupave të brendshme dhe eskortave të policisë në kryerjen e detyrave të tyre". Ai i udhëzonte kryetarët e gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm ", të siguronin, përpara datës 1 janar 1994, pajisjen e të gjitha sallave të gjykimit me struktura të veçanta metalike fikse që i mbanin të pandehurit në çështjet penale ndarazi nga gjyqtarët dhe vizitorët që merrnin pjesë në seancë". Ky udhëzim gjithashtu instruktonte oficerët që shoqëronin të burgosurit, të vendosnin pas këtyre "strukturave" çdo të pandehur që mbahej në paraburgim.
2. Urdhrat e Ministrisë së Brendshme
(a) Urdhri i 1996
56. Udhëzimi mbi Ruajtjen dhe Transferimin e të Dyshuarve dhe Akuzuarve, e aprovuar paraprakisht nga Gjykata e Lartë e Federatës Ruse, Ministria e Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, dhe e miratuar më pas nga Ministria e Brendshme e Federatës Ruse më 26 janar 1996 nga Urdhri nr. 41 (dsp) "vetëm për përdorim të brendshëm", parashikonte mbajtja e të pandehurve në një sallë gjyqi prapa "strukturës" metalike
(b) Urdhri i 2006
57. Një dispozitë e ngjashme u përfshi në Udhëzimin mbi Funksionimin e Qendrave të Përkohshme të Paraburgimit dhe Njësive për Ruajtjen dhe Transferimin e të Dyshuarve dhe Akuzuarve, e aprovuar paraprakisht nga Zyra e Administrimit të Gjykatave në Gjykatën e Lartë të Federatës Ruse më 8 shkurt 2006 (nr. CD-AG/269) dhe Prokurori i Përgjithshëm i Federatës Ruse më 16 shkurt 2006 (nr. 16 13 06) dhe aprovuar më 7 mars 2006 nga Ministria e Brendshme e Federatës Ruse me Urdhrin nr. 140 (dsp) "vetëm për përdorim të brendshëm". Sipas këtij Udhëzimi, transferimi i të dyshuarve dhe akuzuarve në salla gjyqi të cilat nuk ishin të pajisura me "struktura të sigurisë" (защитное ограждение, барьер) ishte e ndaluar.
(c) Rishikimi i urdhrave nga Gjykata e Lartë
58. Urdhri nr. 41 u kundërshtua para Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse nga Z. Sh. me arsyetimin se mbajtja e të pandehurve në "strukturat" metalike gjatë zhvillimit të gjyqeve shkelnin të drejtën e brendshme dhe Konventën duke qenë se të dyja ndalonin trajtimin poshtëruese dhe garantonin të drejtën e një gjykimi të drejtë. Ai u ankua se ishte mbajtur në një kafaz metalik në sallë gjatë gjykimit të tij dhe kjo e kishte bërë të pamundur komunikimin ndërmjet tij dhe avokatit të tij.
59. Në vendimin e saj të datës 19 tetor 2004, Gjykata e Lartë, në një formacion me një gjyqtar, vuri në dukje se dispozita e kundërshtuar kishte të bënte me personat që mbaheshin në paraburgim sipas një vendimi gjykate, në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale dhe ishte përgjegjësia e policisë për ruajtjen dhe transferimin e këtyre personave nga ambientet e paraburgimit në gjykatë (neni 10 § 16 i Ligjit të Policisë). Gjykata përsëriti se ndalimi i këtyre personave në pritje të gjykimit duhej të bëhej në përputhje me parimet e ligjshmërisë, drejtësisë, prezumimit të pafajësisë, të barazisë para ligjit, humanizmit, respektit për dinjitetin njerëzor dhe në përputhje me Kushtetutën, parimet dhe normat të drejtës ndërkombëtare si dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Federatës Ruse. Për më tepër gjatë ndalimin këta persona nuk duhet t’u nënshtrohen akteve të torturës apo të tjera që kanë për qëllim shkaktimin e vuajtjeve fizike dhe morale (ligji Federal për mbajtjen të ndaluar të dyshuarve dhe të pandehurve). Në funksion të sa më sipër, Gjykata e Lartë vërejti se dhënia e urdhrit për mbajtjen e të pandehurit pas një "strukture" metali nuk mund të konsiderohet se cenon nderin dhe dinjitetin e njeriut apo shkel të drejtën për gjykim të drejtë.
60. Z. Sh. apeloi kundër vendimit të Gjykatës së Lartë duke argumentuar, inter alia, se vendimi nuk ishte i arsyetuar. Më 23 dhjetor 2004 seksioni i apelit në Gjykatën e Lartë, në një formacion të përbërë prej tre gjyqtarësh hodhën poshtë ankesën e tij dhe lanë në fuqi vendimin në shkallë të parë. Ajo vuri në dukje se urdhri i kontestuar nuk përcaktonte karakteristikat e "strukturës" metalike.
61. Ankesat që kundërshtonin ligjshmërinë e të dy urdhrave (ai i 1996 dhe i 2006, shih paragrafët 56 dhe 57 më lart) me argumentin e mungesës së publikimit zyrtar të tyre u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë e Federatës Ruse, e cila vendosi se urdhrat nuk mund të botoheshin pasi përmbanin informacion konfidencial dhe për më tepër ishin regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë (vendimi i 2 dhjetorit 2002 në lidhje me urdhrin nr. 41, i cili u la në fuqi edhe nga seksioni i apelit në Gjykatën e Lartë më 24 prill të vitit 2003 dhe vendimi i 7 dhjetorit 2011 në lidhje me urdhrin nr. 140).
3. Rregullat e konstruksionit
(a) Rregullat në kohën e gjykimit të kërkuesve
62. Më 2 dhjetor 1999 Zyra e Administrimit të Gjykatave në Gjykatën e Lartë të Federatës Ruse miratoi, me urdhrin nr. 154, Rregullat mbi Projektimin dhe Ndërtimin e Ndërtesave të Gjykatave për Gjykatat e Juridiksionit të Përgjithshëm (SP 31‑104‑2000). Këto Rregulla u miratuan më pas nga Komiteti Shtetëror Federale për Ndërtimin, Strehimin dhe Shërbimet Komunale dhe hyri në fuqi më 1 gusht 2000. Ato u përgatitën nga një grup ekspertësh duke përfshirë kryetarin e Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse, Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës së Administrimit të Gjykatave në Gjykatën e Lartë të Federatës Ruse dhe anëtarët e Këshillit të Gjyqtarëve të Federatës Ruse. Rregullat morën parasysh propozimet e paraqitura në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatës së Lartë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të 3 shkurtit 1993 (shih paragrafin 55 më lart).
63. Rregullat parashikonin se të pandehurit do të mbaheshin në një zonë të veçantë në sallën e gjyqit gjatë dëgjimit të çështjeve penale, e cila do të ishte e mbyllur në të katër anët me shufra metalike (металлическая заградительная решетка), me diametër jo më pak se 14 milimetra, 220 centimetra të larta me një tavan me tela çeliku ose që zgjateshin deri në tavanin e sallës së gjyqit dhe gjithashtu me një derë (paragrafët 5.4, 5.9 dhe 8.3 të Rregullave).
64. Ndërmjet shumë masash të tjera sigurie Rregullat gjithashtu parashikonin që transferimi i të pandehurve nga qelitë ku mbaheshin të ndaluar në sallën e gjyqit të bëhej nëpërmjet korridoreve dhe shkallëve të veçanta si dhe nëpërmjet një hyrje të veçantë. Hyrja e publikut në gjykatë dhe në sallën e gjyqit për të dëgjuar cështjet penale kërkonte instalimin e detektorëve metalikë. Shufra metalike duhet të vendoseshin në dritaret e sallës së gjyqit (paragrafët 5.11, 5.35, 8.1 dhe 8.2 të Rregullave).
(b) Rregullat e reja
65. Që prej 1 korrikut 2013 dizenjimi dhe ndërtimi i ndërtesave të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm rregullohej me Rregulloren e përgatitura nga një grup i ekspertëve nga Zyra e Administrimit të Gjykatave në Gjykatën e Lartë të Federatës Ruse, organizatat arkitekturore dhe ndërtuese dhe ishte miratuar nga Agjencia Federale për Ndërtimin, Strehimin dhe Shërbimet Komunale më 25 dhjetor 2012.
66. Rregullat e reja parashikonin dy lloje "kabinash sigurie" (защитные кабины) në sallat e gjyqit për personat në paraburgim dhe konkretisht një "kabinë sigurie" të përbërë nga shufra metalike me karakteristika identike me ato të parashikuara nga Rregullat e vjetra (shih paragrafin 63 më lart) dhe një "kabinë sigurie transparente", i përbërë nga skelet çeliku me mure xhami antiplumb. Të dy kabina duhet të ishin të pajisura me dyer që mbyllen vetëm nga jashtë.
C. Paraburgimi
67. Sipas nenit 108 të Kodit të Procedurës Penale të Federatës Ruse, gjykata vendos masën e sigurisë arrest me burg për personat e dyshuar ose të akuzuar për një vepër penale të dënueshme jo më pak se dy vjet burgim (tre vjet burgim që nga dhjetori 2012), në rastet kur nuk mund të jepet një masë tjetër sigurie më pak kufizuese, si për shembull, detyrimi për të mos u larguar nga vendbanimi, dorëzania ose garancia pasurore. Megjithatë mund të vendosen nën arrest me burg edhe personat e dyshuar ose të akuzuar për një vepër penale të dënueshme me burgim më pak se dy vjet burgim (tre vjet burgim që nga dhjetori 2012) në rrethana të jashtëzakonshme, veçanërisht nëse nuk kanë një vendqëndrim të përhershëm, nuk njihet identiteti i tyre, kanë shkelur një masë të vendosur më parë ose janë arratisur.
68. I takonte gjykatës të vlerësonte nëse kishte arsye të mjaftueshme për të menduar se i pandehuri mund të arratisej, të kryente krime të tjera apo të pengonte procedimin (ibid., neni 97). Gjithashtu duhet të merren parasysh edhe rrethana të tjera, të tilla si rëndësia e veprës penale, personaliteti i të akuzuarit, mosha e tij, gjendja shëndetësore, statusi familjar dhe profesioni (ibid., neni 99).
69. Si rezultat i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale në periudhën ndërmjet dhjetorit 2009 dhe nëntorit 2012, personat e dyshuar ose të akuzuar për krime jo të dhunshme kundër pasurisë dhe në sferën e aktivitetit ekonomik nuk mund të mbaheshin në paraburgim.
III. MATERIALE DHE PRAKTIKA PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE
A. Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara
70. Në mbledhjen e datës 20 mars 2014, pas shqyrtimit të parashtrimeve nr. 1405/2005, të paraqitur nga Mikhail Pustovoit kundër Ukrainës, Komiteti i OKB-së të Drejtave të Njeriut miratoi Qëndrimin se vendosja e Z. Pustovoit në një kafaz metalik gjatë gjykimit të tij publik, me duart e prangosura pas shpine, shkelte nenin 7 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike për shkak të trajtimit poshtërues të cilit ai i ishte nënshtruar dhe shkelte nenin 14 (1) të saj, për shkak të trajtimit poshtërues i cili kishte ndikuar në drejtësinë e gjyqit të tij (paragrafët 9.3 dhe 10 tek Qëndrimi).
B. Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve
71. Rregullat Minimale Standarde për Trajtimin e të Burgosurve, të miratuara nga Kongresi i Parë i Kombeve të Bashkuara mbi Parandalimin e Krimit dhe Trajtimin e Shkelësve në 1955 dhe aprovuar nga Këshilli Ekonomik dhe Social me rezolutat 663 C (XXIV) të 31 korrikut 1957 dhe 2076 (LXII) të 13 majit 1977, përfshijnë parimet e mëposhtme udhëzuese në lidhje me mjetet shtrënguese:
“33. Mjetet shtrënguese, të tilla si prangat, zinxhirët, hekurat dhe xhaketa e forcës, nuk duhet kurrë të përdoren si dënime. Për më tepër, zinxhirët apo pranga nuk përdoren si mjete ndaluese. Mjetet e tjera shtrënguese përdoren veçse në rrethanat vijuese:
(a) Si një masë parandaluese ndaj arratisjes së mundshme të një ndaluari gjatë transferimit dhe i hiqen kur del përpara autoriteti gjyqësor ose administrativ;
...”
C. Tribunalet penale ndërkombëtare
72. Rregullat e Procedurës dhe Provave të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (neni 83 i Rregullores) dhe të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën (neni 83 i Rregullores) parashikon se mjetet shtrënguese, të tilla si prangat, mund të përdoret vetëm si një masë parandaluese kundrejt arratisjes gjatë transferimit ose për arsye të tjera sigurie. Megjithatë sapo i akuzuarit del para gjykatës, këto mjete shtrënguese i hiqen.
73. Neni 63 i Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale parashikon si më poshtë:
“1. I akuzuari është i pranishëm gjatë gjykimit.
2. Nëse i akuzuari, duke qenë i pranishëm para Gjykatës, vazhdon të pengojë gjykimin, Dhoma e Gjykimit mund ta largojë të akuzuarin dhe i krijon kushte që të ndjekë gjykimin dhe të këshillojë avokatin jashtë gjykatës, përmes përdorimit të teknologjisë së komunikimit, nëse kjo kërkohet. Masa të tilla ndërmerren vetëm në rrethana të posaçme, pasi të gjitha mundësitë e tjera të arsyeshme të jenë provuar si të papërshtatshme dhe vetëm për kohën e përcaktuar rreptësisht.”
D. Amnesty International
74. Manuali i Gjykimi të Drejtë i Amnesty International parashikon si më poshtë:
“15.3 Procedurat që cenojnë prezumimin e pafajësisë
...
Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar faktit që asnjë shenjë faji të mos rëndojë mbi të akuzuarin gjatë gjykimit çka mund të ndikojë në prezumimin e tij të pafajësisë. Shenja të tilla mund të përfshijnë mbajtjen e të akuzuarit në një qeli brenda sallës së gjyqit...”
E. Përdorimi i një "kafazi metalik" në sallat e gjyqit në Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës
75. "Kafazet metalikë" janë përdorur si masa standarde sigurie në lidhje me të dyshuarit dhe të akuzuarit që mbaheshin në paraburgim kur nxirreshin para një gjykate, në disa shtete anëtare të Këshillit të Europës si Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina. Armenia dhe Gjeorgjia kanë hequr dorë nga përdorimi i tyre (shih Ashot Harutyunyan k. Armeninë, nr. 34334/04, § 118, 15 qershor 2010 dhe Rezolutën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM/ResDH (2011) 105). Moldavia dhe Ukraina janë në proces për të bërë të njëjtën gjë (shih, në lidhje me Ukrainën, dispozitat kalimtare të Kodit të Procedurës Penale të 2012, veçanërisht paragrafin 21 të Seksionit XI, i cili udhëzon Këshillin e Ministrave për të paraqitur propozimet në Parlament për të siguruar financimin për zëvendësimin e "kafazit me ekranin metalik" në sallat e gjyqit me "ekrane qelqi apo organike"). Në Azerbajxhan, ndërkohë që në disa gjykata "kafazet metalike" janë zëvendësuar me "kafaze qelqi" (shih, për shembull, nenin 3 "Zhvillimet në Sektorin e Drejtësisë" të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë 2011, Raporti i Monitorimit të Gjyqeve në Azerbajxhan), përdorimi i tyre vazhdon të jetë i parashikuar nga Udhëzimi i Ministrisë së Drejtësisë të Azerbajxhanit i 29 dhjetori 2012 ‘Mbi Procedurat për Shoqërimin e të Arrestuarve dhe të Dënuarve dhe Udhëzimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Azerbajxhanit të 14 janarit 2013 ‘Mbi Procedurat për Ruajtjen dhe Shoqërimin nga Policia të Personave të Mbahen në Qendrat e Paraburgimit.
76. Disa Shtete të tjera anëtare i përdorni "kafazet" për arsye sigurie në rrethana të caktuara ose në gjykata të caktuara. Për shembull, në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Shqipëri i akuzuari qëndron në një bankë të rrethuar nga shufra metalike. Në Serbi ka një sallë gjykimi ndihmëse në Gjykatën e Lartë në Beograd - në Burgun e Distriktit (qendror) në Beograd – në të cilën është vendosur një bankë për të pandehurit e cila është e kufizuar me shufra metalike dhe xham antiplumb. Në Francë, disa gjykata të përdorin bankat e qelqit, të cila rrallë herë përforcohen me kabllo çeliku dhe përdoren vetëm kur ka një vendim të kryetarit të gjykatës. Në Letoni, edhe pse ende ekziston një pakicë e gjykatave që kanë kafaze metalike, kjo praktikë po zhduket. Në Itali, kafaze metalike të instaluara në vitet 1980 për gjyqet e të dyshuarve si anëtarë të grupeve terroriste apo mafias nuk përdoren më.
E DREJTA
...
II. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 3 TË KONVENTËS
84. Kërkuesit u ankuan për mbajtjen e tyre në një kafaz metalik në sallën e gjyqit gjatë gjykimit të tyre. Ata pretenduan se masë e tillë përbënte trajtim poshtërues, të ndaluar me nenin 3 të Konventës, i cili parashikon si më poshtë :
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
...
B. Parashtrimet e palëve në Dhomë të Madhe
1. Qeveria
88. Qeveria parashtroi se, në Bashkimin Sovjetik banka e të pandehurve në një çështje penale, i ngjante një foltoreje. "Rrjeta" metalike u përdor për herë të parë gjatë gjyqit të famshëm të vrasësit serial A. Chikatilo në 1992, në mënyrë që të mbronte të pandehurin nga të afërmit e viktimave të tij të shumta.
89. Në Rusi, "strukturat metalike" në sallat e gjyqit u përdorën në 1994, sipas një urdhri të përbashkët të datës 3 shkurt 1993 të Ministrisë së Drejtësisë të Federatës Ruse, Gjykatës Supreme të Federatës Ruse dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës ruse (shih paragrafin 55 më lart), si përgjigje ndaj një valë krimi që erdhi si pasojë e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe riorganizimit të sistemit shtetëror. Masa në fjalë kishte për qëllim parandalimin e një arratisje të mundshme të të pandehurit gjatë procesit penal apo sulmet ndaj oficerëve që e shoqëronin, gjyqtarëve, dëshmitarëve e viktimave si dhe për garantimin e sigurisë së vizitorëve në sallat e gjyqit, duke qenë se numri i incidenteve të tilla ishte rritur.
90. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Federatës Ruse, Ministrisë së Drejtësisë e Federatës Ruse dhe Komiteti i Statistikave i CIS (Komuniteti i Shteteve të Pavarura), norma e krimit në Rusi dhe në CIS në 1992, krahasuar me një vit më parë, arriti 27% dhe 24%, respektivisht. Në të njëjtën periudhë në Rusi numri i krimeve të rënda u rrit më shumë se 30%, krimet e kryera nga grupe të organizuara në 30% dhe grabitjet 66%. Në vitin 1994 numri i përgjithshëm i personave të dënuar me vendime të formës së prerë u rrit 16,7%, krahasuar me vitin e kaluar dhe arriti në 924,574.
91. Qeveria argumentoi se, megjithëse gjendja ishte përmirësuar, përdorimi i "barrierave të sigurisë" ende justifikohej si një mjet për të parandaluar arratisjet, për të lejuar gjyqtarët dhe prokurorët të përqendrohen tek detyrat e tyre kryesore, për të lejuar viktimat, dëshmitarët dhe pjesëmarrësit e tjerë në proces të ndihen më të sigurt dhe për të siguruar mbrojtjen e të pandehurve nga sulme të mundshme të viktimave të tyre. Përveç kësaj, të pandehurit nuk kufizoheshin nga lëvizjet e tyre nëpërmjet prangave të dorës apo kyçit të këmbës dhe ishin të lirë për të qëndruar në mënyrën më të rehatshme. Qeveria deklaroi se parandalimi i arratisjes së të pandehurit ishte më e sigurt se arrestimi i tij pas arratisjes. Ata parashtruan se nuk ekzistonin instrumente ndërkombëtare që ndalonin vendosjen e të pandehurve pas "barrierave të sigurisë" në sallat e gjyqeve apo vendosin kushte për përdorimin e "barrierave" të tilla.
92. Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme të Federatës Ruse, nga viti 2009 deri në vitin 2013 numri i përgjithshëm i personave që arratiseshin nga sallat e gjykimit në Rusi ishte 0, 4, 5, 2 dhe 3 në vit, respektivisht; numri i përgjithshëm i sulmeve nga të dyshuarve apo të akuzuarit që mbaheshin në paraburgim ndaj agjentëve të Shtetit në sallat e gjykimit ishte 1, 1, 7, 0 dhe 7 në vit, respektivisht; dhe numri i përgjithshëm i incidenteve ku personat që mbaheshin në paraburgim vetë-gjymtoheshin në sallat e gjykimit ishte 4, 14, 20, 16 dhe 18 në vit, respektivisht. Qeveria parashtroi se këto shifra do të kishin qenë më të larta nëse të dyshuarit apo të pandehurit që mbaheshin në paraburgim gjatë gjykimit të tyre nuk do ishin vendosur pas "barrierës së sigurisë".
93. Qeveria parashtroi se vendosja pas "barrierës të sigurisë" është përdorur në lidhje me të gjithë të dyshuarit apo të akuzuarit që mbaheshin në paraburgim në pritje të gjykimit. Megjithatë, ajo shtoi se procedura për vendosjen dhe zgjatjen e paraburgimit shërbente si garanci kundër arbitraritetit dhe garantonte përdorimin të verbër të kësaj mase sigurie. Ata iu referuan kuadrit ligjor vendas në lidhje me paraburgimin, i cili ishte menduar si një masë parandaluese e përdoruar në raste të jashtëzakonshme që vendosej nga një autoritet gjyqësor pasi vlerësonte rrethanat e veçanta që tregonin ekzistencën e rrezikut të arratisjes, përsëritjes së shkeljes ose pengimit të drejtësisë dhe vetëm në lidhje me personat e dyshuar ose të akuzuar për krimet të rënda të cilët paraqisnin rrezik serioz për shoqërinë (shih paragrafët 67-69 më lart).
94. Sipas raporteve vjetore statistikore të Zyrës së Administrimit të Gjykatave në Gjykatën e Lartë të Federatës Ruse, përqindja e të pandehurve që mbaheshin në paraburgimin nga numri i përgjithshëm i të pandehurve në gjykim në gjykatat e shkallës së parë zbriti nga 17,7% ose 241,111 persona që ishte në 2007 (duke përjashtuar gjykatat ushtarake) në 12.8%, ose 134,937 persona në 2012.
95. Qeveria argumentoi se kërkuesit në rastin në fjalë ishin mbajtur në një kafaz në sallën e gjyqit, në interes të sigurisë publike dhe në pajtim të plotë me legjislacionin e brendshëm. Nuk ka pasur asnjë provë se gjendja e tyre shëndetësore kishte qenë e dobët apo që ishte e nevojshme asistencë e vazhdueshme mjekësore gjatë seancave. Kërkuesit nuk ishin figura publike të mirënjohura, vendosja e të cilëve në sallën e gjyqit pas "barrierës së sigurisë" do të kishte dëmtuar seriozisht reputacionin e tyre. Gjyqi i tyre nuk kishte qenë i një natyre të profilit të lartë dhe nuk kishte asnjë provë që ishte raportuar gjerësisht nga mediat apo kishin qenë të pranishëm publik i gjerë gjatë gjykimit, përveç mbulimit që kishte marrë në media vendore. Për më tepër, dëshmitarët dhe viktimat kishin refuzuar të merrnin pjesë në seancat gjyqësore nga frika e hakmarrjes nga kërkuesit. Qeveria shprehu dyshime nëse të afërmit apo të njohurit e kërkuesve kishin qenë të pranishëm në ndonjë nga seancat gjyqësore, për më tepër që gjykimi ishte zhvilluar në Magdalas ndërsa kërkuesit vinin nga Sinegorye, 500 km larg dhe nga ku nuk kishte transport të rregullt publik.
96. Qeveria argumentoi se ishte e qartë që Dhoma i kishte nënvlerësuar dënimet e mëparshme të kërkuesve (...) Ata kishin një historik me krime të dhunshme të kryera në grupe të organizuara, një fakt i cili, sipas mendimit të Qeverisë, ishte i mjaftueshëm për të konfirmuar predispozitën e kërkuesve për t’u përfshirë në akte dhune dhe ekzistencën e rreziqeve të sigurisë. Përveç dënimin për vjedhje të kërkuesit të parë, Qeveria solli në vëmendje edhe dënimin e tij për dhunimin e një të mituri i mbetur në tentativë në 1990, dënimin për grabitje në 2001 dhe dënimin e dhënë nga Gjykata Rajonale e Magadan në 2011 për anëtarësimin në një organizatë kriminale të madhe që vepronte që prej 1990. Gjithashtu të dy kërkuesit kishin pasur referenca negative nga kreu i autoritetit lokal dhe një oficer i policisë së qarkut të vendbanimit të tyre që i përshkruante ata si individë të cilët bënim një jetë jo sociale duke abuzuar me alkoolin, duke mos punuar, duke pasur lidhje me personat me të dhëna kriminale dhe duke demonstruar sjellje fyese ndaj të tjerëve. Për më tepër, kërkuesit u akuzuan për krime të dhunshme.
97. Qeveria më tej pretendoi se, referenca në urdhrat e vendosjes së masës së sigurisë me arrest me burg ndaj frikës së dëshmitarëve, kishte qenë e mbështetur në fakte të shumta, konkretisht deklaratat e dëshmitarëve në hetimin paraprak në 2002-2003 dhe nga gjyqi i dytë në 2005-2006. Sipas mendimit të Qeverisë, frika e dëshmitarëve dhe viktimave u referohej të katër të pandehurve në gjykim pasi ata kishin duke vepruar si një grup i organizuar.
98. Qeveria vuri në dukje se kërkuesit kishin marrë pjesë në procesin kundër tyre lirisht dhe në mënyrë aktive pa treguar shenja frike apo sikleti.
99. Në bazë të elementeve të mësipërme, Qeveria theksoi dallimin që ekzistonte ndërmjet rastit konkret nga çështjet që kishin të bënin me përdorimin e kafazit metalik në sallën e gjyqit, gjë e cila ishte konsideruar shkelje e nenit 3 nga Gjykata (ata iu referuan Sarban k. Moldavisë, nr. 3456/05, 4 Tetor 2005; Ramishvili dhe Kokhreidze k. Gjeorgjisë, nr. 1704-1706, 27 janar 2009; [Ashot Harutyunyan k. Armenisë, nr. 34334/04], 15 qershor, 2010; Khodorkovskiy k. Rusisë, nr. 5829/04, 31 maj 2011; dhe Piruzyan k. Armenisë, nr. 33376/07, 26 qershor 2012) dhe tregoi ngjashmëritë me një rast në të cilin nuk ishte gjetur asnjë shkelje për shkak të përdorimit të kafazit, konkretisht Titarenko k. Ukrainës, nr. 31720/02, §§ 58 64, 20 shtator 2012.
100. Qeveria arriti në përfundimin se mbajtja e kërkuesve në sallën e gjyqit pas "barrierës së sigurisë" justifikohej nga ruajtja e sigurisë. Në mënyrë të qartë një trajtim i tillë nuk arrinte nivelin minimal të ashpërsisë së nevojshme që të konsiderohej në shkelje të nenit 3 dhe vuajtja e poshtërimi i kërkuesve nuk tejkalonte atë çka ishte normale në raste të përdorimit të justifikuar të një masë legjitime sigurie.
101. Qeveria vuri në dukje se rregullat e reja për dizenjimin e gjykatave, në fuqi që prej 1 korrikut 2013 parashikonin përdorimin e "kabinës së xhamit" antiplumb, përveç "barrierës prej rrjete metalike" tashmë ekzistuese (shih paragrafin 66 më lart). Zëvendësimi i "barrierës prej rrjete metalike" me "kabinat e xhamit" nuk ishte i detyrueshëm dhe nuk ishin përcaktuar afate. Në të njëjtën kohë, disa gjykata i kishin zëvendësuar tashmë, me iniciativën e tyre, " barrierat prej rrjete metalike " me "kabinat e xhamit" dhe ky proces kishte filluar që prej 2004. Qeveria parashtroi se gjykatat nuk ndaloheshin të përcaktonin kërkesa më specifike për projektimin e "kabinave të sigurisë".
102. Qeveria parashtroi se duke qenë se kishim të bënim më një masë të zakonshme e cila përdorej që prej njëzet viteve dhe zbatohej për të gjithë të pandehurit në paraburgim, përdorja e "barrierës së sigurisë" në rastin e kërkuesve nuk mund të kishte ndikim tek juria në gjyqin e tyre apo të cenonte prezumimin e pafajësisë. Përveç kësaj, kryetari i trupit gjykues i kishte tërhequr vëmendjen anëtarëve të jurisë mbi faktin se mbajtja e kërkuesve në paraburgim nuk përbënte provë të fajësisë së tyre. Për më tepër, kërkuesi i parë ishte liruar nga të gjitha akuzat dhe kërkuesi i dytë në shumicën e akuzat të ngritura kundër tij.
2. Kërkuesit
103. Kërkuesit parashtruan se mbajtja e të dyshuarve dhe të akuzuarve të paraburgosur në një kafaz metalik në sallën e gjyqit ishte një praktikë e përgjithshme që zbatohej pavarësisht rrethanave individuale, natyrës së veprave penale qoftë krime ekonomike, vrasje, vjedhje apo shkelje të lehta, pavarësisht nëse procesi zhvillohej para gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm apo nga gjyqtari të paqit si dhe pa marrë parasysh nëse një person kishte apo jo një të kaluar kriminale.
104. Sipas kërkuesve, kjo praktikë ishte e paligjshme. Ata shpjeguan se urdhrat e Ministrisë së Brendshme, të cilat parashikonin përdorimin e këtyre kafazeve në sallat e gjyqit (shih paragrafët 56-57 më lart), nuk ishin botuar asnjëherë. Duke u mbështetur në nenin 15 të Kushtetutës së Federatës Ruse, sipas së cilit ndalohej përdorimi i çdo instrumenti normativ që cenonte të drejtat dhe liritë e njeriut, nëse nuk ishin të publikuara, këto urdhra nuk duhet të ishin zbatuar dhe aq më pak të përdoreshin si referencë nga Qeveria para Gjykatës. Rregullat e ndërtimit të vitit 2000 dhe 2013 (shih paragrafët 62-66 më lart) nuk ishin përcaktuar më ligje të miratuara nga autoriteti legjislativ dhe rrjedhimisht nuk mund të vendosnin kufizime në ushtrimin e të drejtave të njeriut. Legjislacioni i brendshëm për vlerësimin e ligjshmërisë së përdorimit të një kafazi gjatë procedurës gjyqësore ishte Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale. Asnjëra prej këtyre të dyjave nuk parashikonin mundësinë e mbajtjes së personave në një kafaz në sallën e gjyqit.
105. Kërkuesit theksuan se dinjiteti njerëzor është një vlerë absolute e cila nuk mund të cenohej për asnjë arsye dhe Shteti duhet t’a mbronte pavarësisht nga historiku i një personi, dosjes së tij penale apo ndonjë karakteristike tjetër. Prandaj, sipas mendimit të tyre, Qeveria gabonte kur pohonte se vendosja e kërkuesve në një kafaz nuk përbënte trajtim poshtërues duke qenë se ata nuk ishin figura publike apo persona të mirënjohur dhe se për këtë shkak gjyqi i tyre nuk kishte tërhequr vëmendjen të madhe publike apo mediat me mbulim të gjerë.
106. Kërkuesit më tej parashtruan se Qeveria gabonte kur deklaronte se nuk kishte instrumente ndërkombëtare që ndalonin vendosjen e të pandehurve në këto kafaze. Një ndalim i tillë parashikohej në Komentin e Përgjithshëm nr. 32 të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB mbi nenin 14 të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, botuar më 23 gusht 2007.
107. Vendosja e kërkuesve në një kafaz, si të ishin kriminelë të rrezikshëm të cilët ishin shpallur tashmë fajtor, kishte shërbyer si një instrument për të ushtruar ndikim të paligjshëm mbi jurinë, në shkelje të rregullave që rregullonin gjykimet e jurisë, sipas të cilave ndalohej çdo veprim i cili mund të cenonte prezumimin e pafajësisë dhe, në veçanti, parashtrimet të cilat mund të ndikonin në paragjykimin e të pandehurve nga juria, për shembull duke iu referuar dënimeve të mëparshme të tyre ose faktit se ata ishin alkooliket apo të droguar kronike, përveç nëse këto informacione ishte e nevojshme për krijimin e elemente të veprave penale për të cilat akuzoheshin. Për sa më sipër, nuk mund të thuhej se kërkuesit ishin gjykuar drejtë duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Ata kurrë nuk kishin pranuar fajësinë dhe ishte e nevojshme të kapërcehej paragjykimi i jurisë në mënyrë që të provohej pafajësia e tyre. Duke u mbajtur në një kafaz para gjyqtarëve të tyre të cilët do të vendosnin fatin e tyre, kërkuesin ishin ndjerë të pa fuqishëm, inferior dhe në gjendje ankthi gjatë gjithë gjykimit. Një trajtim i tillë, i ashpër, kishte ndikuar aftësinë e tyre për t’u përqendruar dhe vigjilencën mendore gjatë procedurave në fjalë duke qenë se bëhej fjalë për një çështje mjaft të rëndësishme si liria e tyre.
108. Kërkuesit, si "majmunë në një kopsht zoologjik", ishin prezantuar në një kafaz për publikun e gjerë, duke përfshirë edhe numrin e madh të anëtarëve të jurisë, dëshmitarëve të cilët ishin banorë të vendbanimit të tyre dhe anëtarët e familjeve dhe të njohurit e kërkuesve të cilët kishin ndjekur seancat. Në kundërshtim me parashtrimet e Qeverisë, ekzistonte në fakt një shërbim i rregullt urban ndërmjet vendbanimit të kërkuesve dhe Magdalas, vendit ku zhvillohej gjykimi. Gjyqi i kërkuesve ishte raportuar nga televizioni lokal në 2002-2004.
109. Në lidhje me argumentin e Qeverisë se akuzat për krime të dhunshme justifikonin vendosjen e kërkuesve në kafaz, tre herët kur kërkuesi i parë ishte deklaruar i pa fajshëm nga gjykata konfirmonin se akuzat kundër tij ishin të pabaza. Kërkuesi i dytë ishte gjetur i pafajshëm për shumicën e akuzave kundër tij, përfshirë vagabondazhin dhe grabitjen. Në çdo rast, këto nuk mund të shërbejnë si argument i rëndësishëm duke qenë se kërkuesit mbrohen nga parimit i prezumimit të pafajësisë.
110. Për sa i përket precedentëve kriminale të kërkuesve, gjykata kur kishte vendosur mbi kërkuesin e parë një dënim me kusht në datën 15 qershor 2001, pra duke mos e privuar atë nga liria, kishte pranuar se ai nuk përbënte rrezik për shoqërinë. Për sa i përket dënimit të kërkuesit të parë në 2011, ishte e pa kuptueshme se si mund të justifikohej vendosja e tij në një kafaz disa vite më parë.
111. Në lidhje me frikën e dëshmitarëve, të sjellë si argument nga Qeveria, baza për frikën e pretenduara dhe rrethanat në të cilat deklaratat e dorëzuara nga Qeveria ishin marrë, asnjëherë nuk i ishin nënshtruar ndonjë shqyrtimi. Për më tepër, para se të arrestohej përsëri më 6 dhjetor 2005 Z. Slyadnev kishte qenë i lirë për një vit dhe pesë muaj që prej pas lirimit të tij më 22 qershor 2004. Gjatë kësaj periudhe nuk asnjë veprim i tij nuk provonte këto shqetësime, pra, nuk kishte asnjë dëshmi që tregonte se ai kishte kërcënuar viktimat apo dëshmitarët, ose kishte kryer ndonjë akt tjetër, të paligjshëm kundër tyre. Në vendimin e datës 8 shkurt 2005, Gjykata Rajonale e Magadan kishte vendosur mbi kërkuesit detyrimin për të mos u larguar nga vendbanimi i tyre, si një masë parandaluese e cila kishte zgjatur për dhjetë muaj. Gjykata dhe Prokuroria, e cila nuk e kishte apeluar këtë vendim, i kishin konsideruar kërkuesit të pa rrezikshëm për shoqërinë. Nuk kishte pasur asnjë arsye për të ndryshuar masën parandaluese në fjalë me masën e arrestit në burg më 6 dhjetor 2005. Z. Slyadnev ishte mbajtur në paraburgim sipas të njëjtave arsye për të cilat mbahej në paraburgim i bashkë-pandehuri, Z. Grishin. Konstatimi i Gjykatës për shkelje të nenit 5 § 3 të Konventës, në çështjen e paraqitur nga Z. Grishin, konkretisht konstatimi i mungesës së arsyeve për frikën e dëshmitarëve, ishte i zbatueshëm edhe për rastin në fjalë (shih Mikhail Grishin k. Rusisë, nr. 14807/08, §§ 147-156, 24 korrik 2012). Nëse masës së arrestit më burg i mungonin arsyet "relevante dhe të mjaftueshme" dhe si rrjedhojë nuk mund të konsiderohej e ligjshme, duke ndjekur logjikën e Qeverisë, as vendosja në kafaz nuk mund të konsiderohej e ligjshme. Asgjë nuk dëshmonte për një sjellje të pahijshme të kërkuesve gjatë gjykimit në fjalë.
112. Kërkuesit arritën në përfundimin se Qeveria nuk kishte arritur të provonte se rreziku i sigurisë, i pretenduar nga ana e tyre, kishte ekzistuar realisht dhe se kërkuesit mund të ishin arratisur apo të kryenin veprime të dhunshme. Nuk kishte pasur asnjë arsye serioze për të pasur frikën e sjellje të mundshme të paligjshme nga ana e tyre në sallën e gjyqit. Vendosja e tyre në një kafaz metalik gjatë dëgjimit të çështjes të tyre nga Gjykata Rajonale Magadan, jo vetëm që nuk justifikonte pretendimet e Qeverisë për ruajtjen e sigurisë, por përbënte trajtim poshtërues në kundërshtim me nenin 3. Një trajtimi i të tillë, i krahasueshëm me trajtimin e kafshëve të egra që mbahen në kafaze metalike në cirqe ose kopshte zoologjike, i kishte frikësuar kërkuesit, i kishte poshtëruar ata në sytë e publikut dhe kishte ngjallur tek ata ndjenjën e frikës, ankthit dhe inferioritetit, duke cenuar gjithashtu parimin e prezumimit të pafajësisë. Iniciativa, e filluar kohët e fundit për zëvendësimin e kafazeve metalike në gjykata me kabina xhami tregonte, në vetvete, njohjen nga ana e Rusisë se përdorimi i kafaze metalike përbënte shkelje të të drejtave të njeriut.
C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Parimet përkatëse
113. Siç Gjykata ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, neni 3 i Konventës përbën një nga vlerat më themelore të shoqërisë demokratike. Ajo ndalon në terma absolute torturën ose dënimet apo trajtimet çnjerëzore ose poshtëruese, pavarësisht nga rrethanat dhe sjellja e viktimës (shih, ndërmjet shumë vendimesh të tjera, Labita k. Italisë [GC], nr. 26772/95, § 119, ECHR 2000-IV).
114. Keq trajtimi duhet të arrijë një nivel minimal ashpërsie në mënyrë që të bjerë në fushëveprimin e nenit 3. Vlerësimi i këtij minimumi është relativ; ai varet nga të gjitha rrethanat e rastit, të tilla si kohëzgjatja e trajtimit, efektet e tij fizike dhe mendore dhe, në disa raste, nga seksi, mosha dhe gjendja shëndetësore e viktimës (shih, për shembull, Jalloh k. Gjermanisë [GC], nr. 54810/00, § 67, ECHR 2006-IX). Edhe pse duhet të merret parasysh nëse qëllimi i një trajtimi të tillë ishte poshtërimi apo përulja e viktimës, mungesa e një qëllimi të tillë nuk mund të përjashtojë përfundimisht konstatimin e shkeljes së nenit 3 (shih, midis vendimesh të tjera, V. k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24888/94, § 71, ECHR 1999-IX).
115. Trajtimi është konsideruar të jetë "poshtërues" brenda kuptimit të nenit, kur ai ka për qëllim të poshtërojë ose përulë një person, duke treguar një mungesë të respektit dhe fyerje për dinjitetin e tij apo të saj, dhe konsiderohet se shkakton tek viktima ndjenja frike, ankthi apo inferioritetit që çojnë në thyerjen e rezistencës së tij apo të saj morale dhe fizike (shih M.S.S k. Belgjikës dhe Greqisë [GC], nr. 30696/09, § 220, ECHR 2011, dhe El-Masri k. ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë [GC], nr. 39630/09, § 202, ECHR 2012). Natyra publike e trajtimit mund të jetë një faktor relevant ose rënduese në vlerësimin nëse trajtimi është "poshtërues" brenda kuptimit të nenit 3 (shih, midis të tjerash, Tyrer k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 32, Seria A nr. 26; Erdoğan Yağız k. Turqisë, nr. 27473/02, § 37, 6 mars 2007; dhe Kummer k. Republikës Çeke, nr. 32133/11, § 64, 25 korrik 2013).
116. Në mënyrë që trajtimi të jetë "poshtërues", vuajtja apo poshtërimi duhet të arrijnë një intensitet që tejkalon nivelin e pashmangshëm të vuajtjeve apo poshtërimit normal të lidhura me një formë të caktuar të trajtimit të ligjshëm (shih V. k. Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, § 71). Masa e privimit të një personi nga liria shpesh mund të përfshijë një trajtim të tillë. Por nuk mund të thuhet se ekzekutimi i masës së arrestit me burg ngre në vetvete një çështje sipas nenit 3. Megjithatë, në bazë të kësaj dispozite, Shteti duhet të sigurojë që, një personi të mbahet i ndaluar në kushte të cilat respektojnë dinjitetin e tij njerëzor dhe mënyra e ekzekutimit të masës së arrestit të mos ta vendosë atë në gjendje ankthi apo mundimi të një intensiteti që tejkalon nivelin e pashmangshëm të vuajtjes normale në paraburgim (shih Kudla k. Polonisë [GC], nr. 30210/96, §§ 92-94, ECHR 2000-XI).
117. Në lidhje me masat e shtrëngimit të tilla si prangosja, këto zakonisht nuk ngrenë ndonjë çështje sipas nenit 3 të Konventës kur janë përdorur në rastet e ndalimeve të ligjshme dhe nuk kanë sjellë përdorimin e forcës apo ekspozimit publik përtej asaj çfarë konsiderohet në mënyrë të arsyeshme e domosdoshme në rrethanat përkatëse të çështjes. Në këtë drejtim, ka rëndësi për shembull nëse ka arsye për të besuar se personi në fjalë do t’i rezistonte arrestimit ose do të përpiqej të arratisej, të plagoste, apo të dëmtonte apo zhdukte dëshmitë (shih Raninen k. Finlandës, 16 dhjetor 1997 §56, Përmbledhje e Vendimeve 1997-VIII; Öcalan k. Turqisë [GC], nr. 46221/99, § 182, ECHR 2005-IV; dhe Gorodnitchev k. Rusisë, nr. 52058/99, §§ 101, 102, 105 dhe 108, 24 maj 2007; shih gjithashtu Mirosław Garlicki k. Polonisë, nr. 36921/07, §§ 73-75, 14 qershor 2011).
118. Respektimi i dinjitetit njerëzor qëndron në vet thelbin e Konventës (shih Pretty k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, § 65, ECHR 2002-III). Objekti dhe qëllimi i Konventës, si instrument për mbrojtjen e qenieve njerëzore individuale, kërkojnë që dispozitat e saj të interpretohen dhe të zbatohen në mënyrë që të bëjë masat e saj mbrojtëse praktike dhe efektive. Çdo interpretim i të drejtave dhe lirive të garantuara në Konventë duhet të jetë në përputhje me frymën e përgjithshme të Konventës, një instrument i projektuar për të ruajtur dhe për të promovuar idealet dhe vlerat e një shoqërie demokratike (shih Soering k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 87, Seria A nr. 161).
2. Qëndrimi në çështje të mëparshme të ngjashme
119. Gjykata ka shqyrtuar në vitet e fundit disa raste që kanë pasur të bëjnë me përdorimin e kafazeve metalike në sallat e gjyqit nga këndvështrimi i nenit 3. Gjykata e ka konsideruar trajtimin në fjalë si "të ashpër" dhe "poshtërues" (shih Ramishvili dhe Kokhreidze, cituar më lart, § 102, Ashot Harutyunyan, cituar më lart, §§ 128 129 dhe Piruzyan, cituar më lart, §§ 73-74). Ajo ka vlerësuar nëse një trajtim i tillë mund të justifikohej nga argumenti i ruajtjes së sigurisë në rrethanat e një rasti të veçantë, të tilla si personaliteti i kërkuesit (shih Ramishvili dhe Kokhreidze, cituar më lart, § 101), natyra e veprave penale për të cilat akuzohet, edhe pse ky faktor i vetëm nuk mund të konsiderohet si një justifikim i mjaftueshëm (shih Piruzyan, cituar më sipër, §71), historiku i tij kriminal (shih Khodorkovskiy, cituar më lart, § 125, dhe Khodorkovskiy dhe Lebedev k. Rusisë, nr. 11082/06 dhe 13772/05, §§485-486, 25 korrik 2013), sjellja e tij (shih Ashot Harutyunyan, cituar më lart, §127) ose dëshmi të tjera të rrezikut të sigurisë në sallën e gjyqit dhe rrezikut të arratisje së kërkuesit (ibid.). Gjithashtu, ajo ka marrë në konsideratë faktorë të tillë shtesë, si prania e publikut dhe mbulimi mediatik i procesit (shih Sarban, cituar më lart, §89, dhe Khodorkovskiy, cituar më lart, §125).
120. Ka qenë pa justifikueshmëria ose përdorimi i "tepruar" i një mase të tillë të kufizimit, në rrethana të veçanta, të cilat e kanë çuar Gjykatën të vendoste, në rastet e mësipërme, se vendosja në një kafaz metalik në sallën e gjyqit përbënte trajtim poshtërues. Megjithatë, në një rast, Gjykata vendosi me shumicë se nuk kishte pasur shkelje të nenit 3 (shih Titarenko, cituar më lart, §§ 58-64).
3. Vendimi i Dhomës
121. Dhoma mbajti të njëjtin qëndrim që ishte mbajtur në rastet e cituara më lart (shih paragrafin 119 më lart). Duke mos konstatuar asnjë dëshmi të aftë për të dhënë arsye serioze për frikën se kërkuesit paraqisnin rrezik për rendin dhe sigurinë në sallën e gjyqit, apo se do të ushtronin dhunë apo do të arratiseshin, ose se përbënin rrezik për sigurinë e tyre, ajo u shpreh se vendosja e tyre në një kafaz metalik në sallën e gjyqit nuk ishte i justifikuar dhe, për këtë arsye, përbënte trajtim poshtërues (shih paragrafin 70 të vendimit[1] të Dhomës).
4. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
122. Në rastin në fjalë, Gjykata po përballet me praktikën e vendosjes së të pandehurve në kafaze metalike kur ata nxirren para një gjykate në një proces penal ndërkohë që mbahen në paraburgim. Dikur, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kjo praktikë ka qenë standarde në disa prej Shteteve Kontraktuese, të cila më parë kishin qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, por ajo tashmë ishte një praktikë e braktisur gjerësisht. Edhe ato pak Shtete Kontraktuese të cilat e vazhdojnë këtë praktikë, përfshirë edhe Shtetin e paditur, kanë tashmë filluar procesin e heqjes së kafazeve metalike nga sallat e gjykimit (shih paragrafët 75 dhe 101 më lart).
123. Kafazet metalike në sallat e gjyqeve janë përdorur për çdo të dyshuar dhe të akuzuar që mbahej në paraburgim në Rusi (shih paragrafët 57 dhe 93 më lart). Ajo mbetet një praktikë e miratuar në Rusinë e sotme pa ndonjë angazhim nga ana e Shtetit për ta braktisur atë (shih paragrafët 65-66 dhe 101 më lart). Kushtet për dhënien e masës së arrestit me burg (shih paragrafët 67-69 më lart) dhe statistikat e Qeverisë - 17,7%, ose 241,111 të pandehur në paraburgim në 2007 dhe 12,8% ose 134,937 në 2012 (shih paragrafin 94 më sipër) - ilustrojnë shkallën e përdorimit të kësaj praktike.
124. Gjykata vëren në veçanti se, një praktikë e tillë është e rregulluar nga një urdhër i papublikuar ministror (shih paragrafët 57 dhe 61 më lart). Fakt i tillë është shumë problematikë në vetvete, duke pasur parasysh rëndësinë themelore të shtetit të së drejtës në një shoqëri demokratike, e cila presupozon aksesueshmërinë e rregullave ligjore (shih, për shembull, Silver dhe të Tjerët k. Mbretërisë së Bashkuar, më 25 mars 1983, që §§ 86-87, Seria A nr. 61).
125. Gjykata vëren, në bazë të fotografive të një salle gjyqi në Gjykatën Rajonale të Magadan, se kërkuesit ishin mbyllur në një strukturë të përbërë nga shufra metalike në të katër anët dhe një tavan me rrjetë teli (shih paragrafin 48 më lart), i cili mund të përshkruhet si një kafaz. Kërkuesit ishin ruajtur nga forca të policisë të armatosur të cilët kishin qëndruar pranë kafazit (shih paragrafin 49 më lart).
126. Kërkuesit ishin mbajtur në një kafaz gjatë gjyqit të tyre me juri të zhvilluar në Gjykatën Rajonale të Magadan në vitet 2008-2009 sipas aktakuzës për grabitje me dhunë, si anëtarë të një bande dhe vepra të tjera që pretendoheshin se ishin kryer në vitet 2001-2002 (...). Qeveria argumentoi se, natyra e dhunshme e krimeve për të cilat kërkuesit akuzoheshin, marrë së bashku me të historikun e tyre kriminal, referencat negative nga vendbanimi i tyre dhe “frikën e dëshmitarëve për sjellje të paligjshme të kërkuesve”, ishin të mjaftueshme për të konfirmuar gatishmërinë e tyre për kryerjen e akteve të dhunës dhe ekzistencën e rrezikut real për sigurinë në sallën e gjyqit si dhe për të justifikuar përdorimin e një kafazi për sigurimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e gjykimit. Kërkuesit kundërshtuan, duke argumentuar, në mënyrë të veçantë, se shpallja e pafajësisë së plotë të kërkuesit të parë dhe lirimi i kërkuesit të dytë nga shumica e akuzave, duke përfshirë vagabondazhin dhe grabitjen, kishte konfirmuar se akuzat kundër tyre kishin qenë të pabazuara dhe se kjo në asnjë rast nuk mund të të jetë një argument i rëndësishëm, duke pasur parasysh parimin e prezumimit të pafajësisë.
127. Gjykata pajtohet me Qeverinë se, rendi dhe siguria në sallën e gjyqit janë me rëndësi të madhe dhe mund të shihen si të domosdoshme për administrimin e duhur të drejtësisë. Nuk është detyrë e Gjykatës të diskutojë çështje që kanë të bëjnë me arkitekturën e sallës së gjyqit dhe as të japë indikacione se cilat masa të veçanta të kufizimit fizik mund të jenë të nevojshme. Megjithatë, mjeti i zgjedhur për të garantuar rendin dhe sigurinë në sallat e gjyqit nuk duhet të përfshijë masa kufizuese të cilat për nga niveli i tyre i ashpërsisë (shih paragrafin 114 më lart) ose për nga natyra e tyre do të binin në fushëveprimin e nenit 3. Siç Gjykata është shprehur në mënyrë të përsëritur, neni 3 ndalon në terma absolut torturën dhe trajtimit ose ndëshkimin çnjerëzor ose poshtërues, pra ja pse nuk mund të ketë justifikim për asnjë trajtim të tillë.
128. Prandaj, Gjykata do të shqyrtojë së pari nëse niveli minimal i ashpërsisë së përmendur në paragrafin 127 më sipër është arritur në rrethanat e çështjes. Duke e bërë këtë, ajo do të mbajë parasysh efektet që masa e kufizimit e kundërshtuar do ketë mbi kërkuesit.
129. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se rasti i kërkuesve ishte gjykuar nga një gjykatë e përbërë nga një juri me dymbëdhjetë anëtarë, plus dy anëtarë zëvendësues të pranishëm dhe nga kryetari i trupit gjykues. Ajo gjithashtu vë në dukje praninë e personave të tjerë në sallën e gjyqit gjatë procesit, përfshirë një numër të madh dëshmitarësh - më shumë se shtatëdhjetë dëshmitarë dhanë dëshminë e tyre - dhe kandidatësh për anëtar jurie që ishin paraqitur në gjykatë për procesin e përzgjedhjes së jurisë (shih paragrafin 38 më lart) si dhe faktin se seancat ishin të hapura për publikun e gjerë. Ajo vlerëson se ekspozimi i kërkuesve për syrin e publikut në një kafaz duhet të ketë dëmtuar imazhin e tyre dhe duhet të ketë ngjallur tek ta ndjenjën e poshtërimit, pafuqisë, frikës, ankthit dhe inferioritetit.
130. Gjykata më tej vëren se kërkuesit iu nënshtruan trajtimit të kundërshtuar gjatë gjithë gjykimit para Gjykatës Rajonale Magadan cila zgjati më shumë se një vit, me disa seanca, të mbajtura pothuajse çdo muaj.
131. Për më tepër, fakti që trajtimi i kundërshtuar ka ndodhur në sallën e gjyqit gjatë gjykimit të kërkuesve ngre çështjen e parimit të prezumimit të pafajësisë në procesin penal si një nga elementet e gjykimit të drejtë (shih, mutatis mutandis, Allen k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 25424/09, § 94, ECHR 2013) dhe rëndësinë që vesh paraqitja tek publiku e miradministrimit të sistemit të drejtësisë (shih Borgers k. Belgjikës, 30 tetor 1991, § 24, Seria A nr. 214-B; Zhuk k. Ukrainës, nr. 45783/05, § 27, 21 tetor 2010; dhe Atanasov k. ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nr 22745/06, § 31, 17 shkurt 2011). Çfarë është në rrezik është besimi që gjykatat, në një shoqëri demokratike, duhet të përçojnë tek publiku dhe mbi të gjitha, në rastet e proceseve penale, tek të akuzuarit (shih, mutatis mutandis, De Cubber k. Belgjikës, 26 tetor 1984 § 26, Seria A nr. 86).
132. Gjykata vëren se Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka konstatuar kohët e fundit se mbajtja e një të pandehuri nën pranga në një kafaz metalik gjatë gjyqit të tij publik, përbën trajtim poshtërues, i cili gjithashtu ndikon në drejtësinë e gjykimit të tij (shih paragrafin 70 më lart). Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve dhe Rregullat e Procedurës së gjykatave ndërkombëtare penale parashikojnë, në lidhje me mjetet e kufizimit, se ato mund të përdoren vetëm si masa parandaluese ndaj arratisjes së të akuzuarave gjatë një transferimi, me kusht që sapo të akuzuarit të nxirren përpara një gjykate t’u hiqen këto masa (shih paragrafët 71 dhe 72 më lart). Manuali i Amnesty Internationals për Gjykim të Drejtë parashikon mbajtja e të akuzuarve në "një qeli brenda sallës së gjyqit" mund të ndikojë mbi prezumimin e pafajësisë (shih paragrafin 74 më lart).
133. Gjykata mendon se kërkuesit duhet të ketë përjetuar frikë objektivisht të justifikuar se ekspozimi i tyre në një kafaz gjatë seancave dëgjimore do të përcillte tek gjyqtarët që i gjykonin ata, imazhin e personave të dhunshëm deri në pikën që ishte i nevojshme kufizimi fizik i tyre duke shkelmuar kështu prezumimin e pafajësisë. Kjo duhet t’u ketë shkaktuar atyre ankth dhe shqetësim, duke pasur parasysh seriozitetin e vendimit që do të merrej gjatë procesit në fjalë.
134. Gjykata vuri re se elementë të tjerë të gjykimit të drejtë mund të jenë të rëndësishëm në kontekstin e një mase izolimi në sallën e gjyqit (megjithëse nuk kanë të bëjnë me rastin në fjalë) konkretisht, e drejta e të pandehurit për të marrë pjesë në mënyrë efektive në proces (shih Stanford k. Mbretërisë së Bashkuar, 23 February 1994, §§ 27 32, Seria A nr. 282-A) dhe për të marrë ndihmë ligjore praktike dhe efektive (shih Insanov k. Azerbajxhanin, nr. 16133/08, §§ 168-170, 14 mars 2013 dhe Khodorkovskiy dhe Lebedev, cituar më lart, §§ 642-648).
135. Së fundi, Gjykata nuk gjen argumente bindëse që të mbështesin, në rrethanat aktuale, se mbajtja e të pandehurit në një kafaz (siç përshkruhet në paragrafin 125 më lart) gjatë gjykimit të tij është një mjet i nevojshëm i kufizimit fizik që parandalon arratisjen e të pandehurit, kur ai është i padisiplinuar apo agresiv, apo për mbrojtjen e tij kundër agresionit nga jashtë. Kjo praktikë e vazhdueshme vështirë se mund të shikohet ndryshe, veçse si një mjet që fyen dhe poshtëron personin që vendoset në kafaz. Kështu, objektivi i poshtërimit dhe përuljes së personit i cili mbahet në kafaz gjatë zhvillimit të gjyqit të tij është i dukshëm.
136. Përkundër këtij sfond, Gjykata konstaton se vendosja e kërkuesve në një kafaz në sallën e gjyqit gjatë gjykimit të tyre në mënyrë të pashmangshme duhet ti ketë shkaktuar atyre ankth të një intensiteti që tejkalon nivelin e pashmangshëm të vuajtjes që normalisht ata përjetojnë në paraburgim dhe se trajtimi i kundërshtuar arrin nivelin minimal të ashpërsisë për trajtuar brenda fushëveprimit të nenit 3.
137. Gjykata vlerëson se përdorimi i kafazit (siç përshkruhet më sipër) në këtë kontekst nuk mund kurrë të justifikohet në bazë të nenit 3 (shih paragrafin 138 më poshtë) siç Qeveria është përpjekur ta paraqes në parashtrimet e tyre duke iu referuar kërcënimit të supozuar ndaj sigurisë (shih paragrafin 126 më lart). Në këtë pikë të fundit, në çdo rast, Gjykata nuk e pranon se një kërcënim i tillë është i vërtetuar. Ajo vëren se Gjykata Rajonale e Magadan kurrë nuk e kishte vlerësuar nëse kufizimi fizik i kërkuesve ishte i nevojshëm gjatë seancave. Për më tepër nuk ishin dhënë arsye për mbajtjen e kërkuesve në kafaz. Këto arsye nuk paraqiteshin as në urdhrat e gjykatës për dhënien e masës së arrestit me burg, në kundërshtim me argumentin e Qeverisë se kërkuesit përbënin kërcënim për dëshmitarët dhe se kjo kishte qenë edhe arsyeja e vendosjes së tyre në paraburgim. Kërkuesi i parë nuk ishte mbajtur në paraburgim gjatë kohës së zhvillimit të gjyqit të tretë. Ai ishte mbajtur në paraburgim në procese të tjera që nuk kanë lidhje me çështjen në fjalë për arsye që nuk njihen (...) Masa e arrestit me burg për kërkuesin e dytë ishte urdhëruar nga të njëjtat vendime gjyqësore, si ato të cilat Gjykata i kishte shqyrtuar në rastin e të bashkë-akuzuarit të kërkuesve dhe kishte konstatuar mungesën e arsyeve "relevante dhe të mjaftueshme" që paraburgimi të ishte në përputhje me nenin 5 § 3 të Konventës dhe, në veçanti, nuk kishte arsye të cilat tregonin për rrezikun e mundshëm të hakmarrjes apo presionit kundër dëshmitarëve sic pretendohej nga Qeveria (shih Mikhail Grishin, cituar më lart, §§ 149-150).
Ky përfundim është plotësisht i zbatueshëm në rastin në fjalë dhe parashtrimet e Qeverisë në Dhomë të Madhe nuk tregonin asgjë që të mund ta rrëzonin këtë përfundim. As akuzat se kërkuesit kishin kryer krime të dhunshme apo dënimet e tyre të mëparshme - disa prej tyre dënime me kusht - gjashtë ose më shumë vjet përpara gjyqit në fjalë, apo dënimet e mëvonshme të kërkuesit të parë, nuk mund të konsiderohen se në mënyrë të arsyeshme mbështesin parashtrimet e Qeverisë në këtë respekt. Për sa i përket referencave negative të përmendura nga Qeveria (shih paragrafin 96 më lart), ato nuk sugjerojnë se personalitetet e kërkuesve ishin të tilla sa të kërkonin kufizimin fizik të tyre gjatë gjykimit të tyre. Për më tepër kërkuesi i dytë kishte referenca pozitive nga administratat e qendrës së tij të paraburgimit dhe burgut (shih paragrafin 44 më lart).
138. Pavarësisht rrethanave konkrete të rastit në fjalë, Gjykata rithekson se thelbi i vet Konventës është respektimi i dinjitetit njerëzor dhe se objekti dhe qëllimi i Konventës, si instrument për mbrojtjen e qenieve njerëzore individuale, kërkojnë që dispozitat e saj të interpretohen dhe zbatohen në mënyrë që ti bëjnë masa e saj mbrojtëse praktike dhe efektive. Prandaj, ajo është e mendimit se mbajtja e një personi në një kafaz metalik gjatë zhvillimi të gjyqit të tij përbën në vetvete - duke pasur parasysh natyrën e saj objektivisht poshtëruese, e cila është e papajtueshme me standardet e sjelljes së qytetëruar që janë shenjë dalluese e një shoqërie demokratike - fyerje për dinjitetin e njeriut, në shkelje të nenit 3.
139. Rrjedhimisht, vendosja e kërkuesve në një kafaz metalik në sallën e gjyqit, përbën trajtim poshtërues, i cili ndalohet nga neni 3 i Konventës. Rrjedhimisht nuk ka pasur shkelje të kësaj dispozite
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI
...
3. Vendos se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës;
...
Përgatitur në gjuhën angleze dhe franceze dhe njoftuar në seancë publike më 17 korrik 2014 në Pallatin e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Michael O’BoyleDean Spielmann
Zëvendës KancelarPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e pakicës në vazhdim i bashkëngjiten këtij vendimi:
...
(b) Mendimi i përbashkët i gjyqtarëve Nicolaou dhe Keller;
(c) Mendimi paralel i gjyqtarit Silvis.
D.S.
M.O’B.
Mendimet e pakicës nuk janë të përkthyera, por gjendjen në gjuhën angleze dhe/ose franceze në versionet në gjuhën zyrtare të vendimeve, të cilat gjenden në bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës, HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] për pranueshmërinë dhe themelin
Full & Egal Universal Law Academy