© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA TARAKHEL k. ZVICRËS
(Kërkesëpadia nr. 29217/12)
VENDIM
[PJESË TË ZGJEDHURA]
STRASBURG
4 nëntor 2014
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Tarakhel k. Zvicrës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
András Sajó,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Julia Laffranque,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Helen Keller,
André Potocki,
Paul Lemmens,
Helena Jäderblom,
Paul Mahoney, gjyqtarë,
e nga Lawrence Early, këshilltar juridik,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 12 shkurt dhe 10 shtator 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 29217/12) e drejtuar kundër Konfederatës Zvicerane dhe me anë të së cilës tetë shtetas afganë (kolektivisht, “paditësit”), Z. Golajan Tarakhel (“paditësi i parë”), i lindur më 1971, bashkëshortja e tij, Znja Maryam Habibi (“paditësja e dytë”), e lindur më, dhe gjashtë fëmijët e tyre të mitur, Arezoo, e lindur më 1999, Mohammad, i lindur më 2001, Nazanin, e lindur më 2003, Shiba, e lindur më 2005, Zeynab, e lindur më 2008, dhe Amir Hassan, i lindur më 2012, të gjithë me vendbanim në Lozanë, i janë drejtuar Gjykatës, më 10 maj 2012, në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësit janë përfaqësuar nga Shërbimi i Ndihmës Juridike për të Mërguarit (SAJE), për llogari të të cilit vepron Znja Chloé Bregnard Ecoffey. Qeveria zvicerane (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjenti i saj, Z. Frank Schürmann, shef i Njësisë për Mbrojtje Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut të Zyrës Federale të Drejtësisë.
3. Duke iu referuar neneve 3 dhe 8 të Konventës, paditësit ankohen në thelb se dërgimi i tyre në Itali i ekspozuaka ata ndaj një trajtimi çnjerëzor e poshtërues për arsye të rrezikut që të gjenden pa strehim ose që të strehohen në kushte çnjerëzore e poshtëruese. Ky rrezik rrjedhka nga mungesa e garancive për marrje në ngarkim individualisht përballë mangësive sistemore prej të cilave vuajtka mekanizmi i pritjes së azilkërkuesve në Itali.
Në lëmin e neneve 13 dhe 3 të Konventës, paditësit mbrojnë përveç kësaj mendimin se autoritetet zvicerane nuk e kanë shqyrtuar me vëmendje të mjaftueshme situatën e tyre personale dhe se ato nuk e kanë marrë parasysh situatën e tyre familjare.
4. Më 25 qershor 2012, kërkesëpadia i është njoftuar Qeverisë.
5. Më 24 shtator 2013, Dhoma së cilës i ishte caktuar kërkesëpadia, e përbërë nga Guido Raimondi, Danutė Jočienė, Peer Lorenzen, András Sajó, Işıl Karakaş, Nebojša Vučinić dhe Helen Keller, si edhe nga Stanley Naismith, sekretar seksioni, ka hequr dorë nga kjo çështje në favor të Dhomës së Madhe, meqenëse asnjëra nga palët, të pyetura për këtë qëllim, nuk kishte pasur kundërshtim (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i Rregullores). Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores së Gjykatës (“Rregullorja”). Në diskutimet e fundit, Paul Lemmens dhe Nona Tsotsoria, zëvendësgjyqtarë, kanë zëvendësuar Ineta Ziemele dhe Peer Lorenzen, të cilët nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë (neni 24 § 3 i Rregullores).
6. Paditësit si edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje me shkrim rreth pranueshmërisë dhe themelit të kërkesëpadisë (neni 59 § 1 i Rregullores). Përveç kësaj, vërejtje janë paraqitur nga qeveritë italiane, holandeze, suedeze, norvegjeze dhe britanike, si edhe nga organizata Defence for Children, Qendra e Këshillimit për të Drejtat e Individit në Evropë (Qendra AIRE), Këshilli Evropian për Refugjatët dhe të Mërguarit (CERE) dhe Amnesty International, të cilët kryetari i Gjykatës i kishte lejuar të ndërhynin në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 3 i Rregullores). Qeveria italiane është ftuar gjithashtu që të merrte pjesë në procedurën me gojë.
7. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 12 shkurt 2014 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
Z. f. schürmann, shef i Njësisë për Mbrojtje Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Zyra Federale e Drejtësisë, Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë, agjent,
Z. b.dubey, zëvendësshef i Njësisë së të Drejtës Evropiane dhe Koordinimit Shengen/Dublin, Zyra Federale e Drejtësisë, Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë, avokat,
Znja d. steiger leuba, bashkëpunëtore shkencore, Njësia për Mbrojtje Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Zyra Federale e Drejtësisë, Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë, avokate,
Z. j. horni, zëvendësshef dege, dega e Dublinit, Zyra Federale e Migrimeve, Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë, avokat,
Znja v. hofer, agjente ndërlidhëse për “Dublinin” pranë Ministrisë së Brendshme italiane, Zyra Federale e Migrimeve, Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë, avokate.
– për paditësit
Znja c. bregnard ecoffey, përgjegjëse e SAJE-s, juriste,
Znja k. Povlakic, këshilltare.
– për qeverinë italiane (palë e tretë)
Znja p. accardo, bashkagjente,
Z. g. mauro pellegrini, bashkagjent.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Z. Schürmann dhe Z. Horni, si edhe të Znjës Bregnard Ecoffey, Znjës Povlakic e Znjës Accardo dhe përgjigjet e tyre për pyetjet e drejtuara nga gjyqtarët.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Faktet e çështjes mund të përmblidhen si vijon.
9. Në një datë të papërcaktuar, paditësi i parë u largua nga Afganistani për në Pakistan. Ai takoi atje paditësen e dytë, me të cilën u martua. Të dy u nisën pastaj për në Iran, ku jetuan për pesëmbëdhjetë vjet.
10. Në një datë të papërcaktuar, çifti e fëmijët e tij u larguan nga Irani për në Turqi, nga ku ata shkuan në Itali me anije. Sipas konstatimeve të policisë italiane dhe skedave përshkruese që gjenden të bashkëngjitura me vërejtjet e qeverisë italiane, paditësit (çifti dhe pesë fëmijët e tij të parë) zbarkuan në brigjet e Kalabrisë më 16 korrik 2011 dhe iu nënshtruan menjëherë procedurës së identifikimit EURODAC (marrje fotografish dhe gjurmësh të gishtërinjve) pasi kishin dhënë identitete të rreme. Po atë ditë, çifti dhe pesë fëmijët e tij të parë u vendosën në një strukturë pritëse të vënë në dispozicion nga komuna e Satinjanos (provinca e Rexhios së Kalabrisë), ku ata qëndruan deri më 26 korrik 2011, datë në të cilën u transferuan në Qendrën e Pritjes për Azilkërkues (Centro di Accoglienza per Richiedenti Asilo, “CARA”) të Barit, në rajonin e Puljes, sapo u përcaktua identiteti i tyre i vërtetë.
11. Sipas paditësve, kushtet e strehimit në këtë qendër ishin të këqija, sidomos për arsye të mungesës së instalimeve të përshtatshme sanitare, të bashkëjetesës me të tjerë në një vend të ngushtë dhe të klimës së dhunës që paska mbisunduar midis të strehuarve.
12. Më 28 korrik 2011, paditësit u larguan nga CARA e Barit, pa leje. Pastaj, ata shkuan në Austri ku, më 30 korrik 2011, ata u regjistruan sërish në sistemin EURODAC. Ata paraqitën atje një kërkesë për azil, e cila u rrëzua. Më 1 gusht 2011, Austria u dërgoi një kërkesë për marrje në ngarkim të paditësve autoriteteve italiane, të cilat e pranuan atë zyrtarisht më 17 gusht 2011. Në një datë të papërcaktuar, paditësit shkuan në Zvicër. Më 14 nëntor 2011, shërbimet austriake i njoftuan homologët e tyre italianë për anulimin e transferimit për shkak të zhdukjes së paditësve.
13. Më 3 nëntor 2011, paditësit e kërkuan azilin në Zvicër.
14. Më 15 nëntor 2011, paditësi i parë dhe paditësja e dytë u morën në pyetje nga Zyra Federale e Migrimeve (ODM), së cilës ata i deklaruan se kushtet e jetesës në Itali ishin të vështira dhe se paditësi i parë e paskësh të pamundur për të gjetur një vend pune në atë vend.
15. Më 22 nëntor 2011, ODM-ja u kërkoi autoriteteve italiane që t’i merrte paditësit në ngarkim. Në vërejtjet e tyre përkatëse, Qeveria zvicerane dhe Qeveria italiane ranë dakord që ta quanin se kjo kërkesë ishte pranuar në heshtje nga Italia.
16. Me një vendim të datës 24 janar 2012, ODM-ja e rrëzoi kërkesën e paditësve për azil dhe urdhëroi kthimin e tyre në Itali. Ky autoritet administrativ qe i mendimit se “kushtet e vështira të jetesës në Itali [nuk ishin] një arsye për moskërkueshmëri të zbatimit të vendimit për kthim”, se “i përk[iste] pra Italisë që t’i mbështeste paditësit” dhe se “nuk u takon[te] autoriteteve zvicerane që të zinin vendin e Italisë”. Nga këto konsiderata ai nxori si përfundim se “nga dosja nuk [dilte] asnjë element konkret i tillë që të mund ta [vinte] në rrezik jetën e paditësve në rast kthimi në Itali.”
17. Përmes një akti të datës 2 shkurt 2012, paditësit iu drejtuan Gjykatës Administrative Federale. Në mbështetje të ankimit të tyre, ata pretendonin se kushtet e pritjes së azilkërkuesve në Itali e shkelnin nenin 3 të Konventës dhe se autoritetet federale nuk e kishin shqyrtuar këtë ankesë me vëmendje të mjaftueshme.
18. Me një vendim të datës 9 shkurt 2012, Gjykata Administrative Federale e rrëzoi ankimin, duke e lënë tërësisht në fuqi vendimin e ODM-së. Ky juridiksion qe i mendimit se “sado që mekanizmi i pritjes dhe i ndihmës sociale vuan[te] nga mangësi e që azilkërkuesit nuk mund të merre[shin] gjithmonë në ngarkim nga autoritetet ose nga institucionet bamirëse private”, asnjë element i dosjes nuk lejonte “të mënjanohet prezumimi se Italia i respekton[te] detyrimet e saj që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare publike”. Për sa i përkiste më veçanërisht sjelljes së paditësve, ai çmoi se “duke vendosur që të shkojnë në Zvicër, ata nuk ua [kishin] dhënë autoriteteve italiane rastin për t’i marrë përsipër detyrimet e veta duke pasur parasysh situatën e tyre”.
19. Më 13 mars 2012, paditësit i bënë lutje ODM-së për ta rinisur procedurën e për t’ua dhënë atyre azilin në Zvicër. Ata ishin të mendimit se situata e tyre individuale nuk kishte qenë objekt i një shqyrtimi të thelluar. Kjo kërkesë iu përcoll nga ODM-ja Gjykatës Administrative Federale, e cila e ricilësoi atë si një “kërkesë për rishikim” të vendimit të datës 9 shkurt 2012 dhe e rrëzoi atë më 21 mars 2012, me arsyetimin se paditësit nuk i ishin referuar asnjë argumenti të ri të cilit mund të mos kishin mundur t’i referoheshin gjatë procedurës së zakonshme. Paditësit e kishin mbështetur në thelb kërkesën e tyre te një rrëfim më i hollësishëm i qëndrimit të tyre në Itali dhe te fakti se fëmijët e tyre shkolloheshin tanimë në Zvicër.
20. Me anë të një letre të datës 10 maj 2012, të mbërritur në Sekretari më 15 maj, paditësit iu drejtuan Gjykatës dhe i kërkuan asaj, si masë të ndërmjetme, që t’i lutej Qeverisë zvicerane për ta pezulluar dëbimin e tyre drejt Italisë për sa kohë të zgjaste procedura.
21. Me një faks të datës 18 maj 2012, Sekretaria e njoftoi agjentin e Qeverisë zvicerane se gjyqtari i ngarkuar me detyrën e kryetarit të seksionit të cilit i ishte caktuar çështja kishte vendosur t’i kërkonte Qeverisë zvicerane, në zbatim të nenit 39 të Rregullores së Gjykatës që të mos i dëbonte paditësit drejt Italisë për sa kohë të zgjaste procedura pranë Gjykatës.
(...)
III. E DREJTA PËRKATËSE E BASHKIMIT EVROPIAN
(...)
35. Rregullorja Dublin II është zëvendësuar së fundmi me Rregulloren nr. 604/2013 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 26 qershor 2013 (“Rregullorja Dublin III”), e cila ka për qëllim që të rrisë efikasitetin e sistemit “Dublin” dhe të përforcojë garancitë juridike të personave që i nënshtrohen procedurës “Dublin”. Ajo synon veçanërisht që të sigurojë ruajtjen e bashkimit familjar dhe u kushton një vëmendje të veçantë nevojave të të miturve të pashoqëruar e të personave të tjerë që kanë nevojë për një mbrojtje të posaçme. (...)
Neni 6
Garanci në favor të të miturve
“1. Interesi i lartë i fëmijës është një konsideratë parësore për shtetet anëtare në të gjitha procedurat e parashikuara nga kjo rregullore.
(...)
3. Kur vlerësojnë interesin e lartë të fëmijës, shtetet anëtare bashkëpunojnë ngushtë midis tyre dhe i marrin ashtu siç duhet parasysh, në veçanti, faktorët e mëposhtëm:
a) mundësitë për ribashkim familjar;
b) mirëqenien dhe zhvillimin shoqëror të të miturit;
c) konsideratat që kanë të bëjnë me sigurimin e me sigurinë, veçanërisht kur i mituri mund të bjerë viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore;
d) mendimin e të miturit, në varësi të moshës dhe të pjekurisë së tij.”
(...)
LIGJI
(...)
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 3 TË KONVENTËS
A. Tezat e palëve
1. Paditësit
57. Paditësit mbrojnë mendimin se mekanizmi i pritjes së azilkërkuesve në Itali vuan nga mangësi sistemore të cilat kanë të bëjnë sipas tyre, nga njëra anë, me disa vështirësi qasjeje në strukturat pritëse që lidhen me ngadalësitë e procedurës së identifikimit; nga ana tjetër, me një kapacitet strehimi gjithsesi të pamjaftueshëm të këtyre strukturave; dhe, së fundi, me kushtet e papërshtatshme të jetesës që mbizotëronin në strukturat e disponueshme. Në mbështetje të tezës së tyre, paditësit u referohen konstatimeve të bëra nga organizatat e mëposhtme: Organizata Zvicerane për Ndihmë ndaj Refugjatëve (OSAR), Itali: kushtet e pritjes, Situata e tanishme e azilkërkues-e-ve dhe e përfituesve të një mbrojtjeje, në veçanti të atyre që kthehen në Itali në suazën e Dublinit, Bernë, tetor 2013 (“Raporti OSAR”); Maria Bethke e Dominik Bender, Proasyl, Zur Situation von Flüchtlingen in Italien, 28 shkurt 2011, (“Raporti Proasyl”); Jesuit Refugee Service-Europe (JRS), Dublin II info country sheets. Country: Italy, nëntor 2011 (“Raporti JRS”); Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR Recommendations on important aspects of refugee protection in Italy, korrik 2012 (“Rekomandimet e UNHCR-së për 2012”); Raporti i botuar më 18 shtator 2012 nga Komisari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muižnieks, pas vizitës së tij në Itali nga 3 deri më 6 korrik 2012 (“Raporti 2012 i Komisarit për të Drejtat e Njeriut”); Rrjeti Evropian për Bashkëpunim Teknik rreth Zbatimit të Rregullores së Dublinit II, Dublin II Regulation National Report on Italy, 19 dhjetor 2012 (“Raporti 2012 i Rrjetit Evropian Dublin II”).
a) Ngadalësitë e procedurës së identifikimit
58. Paditësit mbrojnë mendimin se e drejta e azilkërkuesve për t’u strehuar nëpër CARA ose në strukturat e rrjetit SPRAR (Sistema di protezione per richiedenti asilo e rifugiati) “merr efekt vetëm pas” regjistrimit zyrtar të kërkesës së tyre për azil nga ana e policisë (verbalizzazione). Mirëpo, sipas tyre, në praktikë, midis momentit kur personat në fjalë e njoftojnë praninë e tyre pranë shërbimit të imigrimit të prefekturës kompetente të policisë dhe momentit të regjistrimit, kalojnë nganjëherë disa javë, madje disa muaj, gjatë të cilëve këta persona mbeten pa strehë. Sipas mendimit të paditësve, ky konstatim është bërë zyrtarisht nga Gjykata Administrative e Frankfurtit në një vendim të datës 9 korrik 2013 (...) mbi bazën e informacioneve të parashtruara nga OSAR-i dhe organizata borderline-europe. Ekzistuakan pra disa mangësi që kanë të bëjnë me zbatimin e procedurës administrative të parashikuar me ligj. Paditësit e pranojnë megjithatë që situata është paksa e ndryshme për sa u përket azilkërkuesve që kthehen drejt Italisë në kuadrin e Rregullores së Dublinit, të cilët teorikisht u dashka të kenë një qasje të menjëhershme jo vetëm nëpër CARA e në strukturat që i përkasin SPRAR-it, por edhe në strukturat e vëna në dispozicion nga komunat si edhe në ato të ngritura në kuadrin e projekteve të financuara nga Fondi Evropian për Refugjatët (FER) për vitet 2008-2013.
b) Kapacitete strehuese të strukturave pritëse
59. Paditësit e pranojnë që strukturat e financuara nga FER-i janë të caktuara për personat e transferuar në kuadrin e Rregullores së Dublinit, mirëpo ata janë të mendimit se numri i vendeve të disponueshme është i pamjaftueshëm në krahasim me numrin e personave të transferuar. Duke cituar Raportin OSAR, ata mbrojnë kështu mendimin se më 2012 kishte gjithsej vetëm 220 vende të disponueshme për 3 551 persona të transferuar, prej të cilëve 2 981 nga Zvicra.
60. Për sa u përket vendeve të disponueshme nëpër CARA dhe strukturave që i përkasin SPRAR-it, paditësit mbrojnë mendimin se personat që janë objekt i një kthimi “Dublin” vështirë se mund të kenë qasje në to.
61. Për sa u takon strukturave të rrjetit SPRAR, paditësit parashtrojnë, gjithmonë duke cituar Raportin OSAR, se vetëm 5% të personave që ishin strehuar aty më 2012 ishin persona të transferuar në kuadrin e Rregullores së Dublinit dhe se, nga këta 5% persona të strehuar, vetëm 6,5% ishin të transferuar nga Zvicra, ndërkohë që transferimet nga Zvicra përfaqësonin 85% të shumës së përgjithshme të transferimeve “Dublin” drejt Italisë. Paditësit dalin nga kjo në përfundimin se shumë persona të kthyer sipas procedurës “Dublin” e shohin veten pa zgjidhje për strehim. Ata shtojnë se, sipas OSAR-it, në shumë raste pjesëtarët e familjeve të transferuara në Itali janë strehuar të ndarë veç e veç.
62. Paditësit japin gjithashtu të dhëna lidhur me strehimin e azilkërkuesve në përgjithësi, qoftë kur kanë qenë, qoftë kur nuk kanë qenë objekt i një procedure kthimi “Dublin”. Lidhur me këtë, ata mbrojnë mendimin se numri i kërkesave për azil në Itali ishte 34 115 më 2011 dhe 15 715 më 2012, me shifra në rritje për vitin 2013. Sipas Raportit OSAR, numri i refugjatëve që jetonin në Itali më 2012 arrinte në 64 000. Mirëpo, gjithmonë sipas Raportit OSAR, më 2012 nëpër CARA kishte vetëm 8 000 vende, me lista pritjeje aq të gjata saqë për shumicën e kërkuesve nuk kishte kurrfarë perspektive realiste për qasje.
63. Për sa u përket strukturave të SPRAR-it, Raporti OSAR vënka në dukje se numri i vendeve arrinte në 4 800 dhe se në listë pritjeje ishin regjistruar 5 000 persona. I njëjti raport shënuaka se, sipas dy organizatave të tjera, Caritas dhe JRS, vetëm 6% të personave të pranuar në strukturat e SPRAR-it, ku pritja qenka madje e kufizuar për një kohëzgjatje gjashtëmujore, ia dalin të gjejnë një vend pune dhe të integrohen profesionalisht në shoqërinë italiane.
64. Për sa u përket qendrave komunale për strehim, të hapura jo vetëm për azilkërkuesit, por edhe për çdo person të skamur, numri i vendeve qenka aty gjithashtu qartësisht më i ulët sesa nevojat. Sipas Raportit OSAR, qyteti i Romës numëruaka 1 300 vende, me një listë pritjeje prej 1 000 personash, dhe afati mesatar i caktimit qenka atje tre muaj. Në Milano paska vetëm 400 vende dhe familjet u ndakan veç e veç në mënyrë sistematike. Paditësit shtojnë se, sado që një numër i caktuar komunash vënë në dispozicion banesa sociale për familjet, ato e bëjnë këtë në një numër qartësisht të pamjaftueshëm dhe me afate pritjeje të rendit dhjetëvjeçar. Nga ana tjetër, paditësit nënvizojnë se as zgjidhjet e strehimit që propozohen nga institucionet fetare dhe OJQ-të nuk japin mundësi që t’i bëhet ballë numrit të kërkesave. Së fundi, tregu i lirë i strehimit qenka i paarritshëm për azilkërkuesit, sepse gjendja ekonomike e Italisë, me një përqindje papunësie në rritje, nuk i lejuaka ata që të gjejnë një vend pune.
65. Si përfundim, paditësit mbrojnë mendimin se, për arsye të mungesës së vendeve të disponueshme në llojet e ndryshme të strukturave pritëse, një numër i madh azilkërkuesish, duke përfshirë aty familje me fëmijë në moshë të njomë, janë të detyruar të jetojnë nëpër banesa të zaptuara e aspak të shëndetshme, ndër banesa të tjera rastësore ose fare thjesht në rrugë të madhe. Si shembull, sipas Raportit OSAR, në qytetin e Romës paska 1 200 deri 1 700 persona të strehuar në kushte të këqija dhe, në të gjithë Italinë, 2 300 deri 2 800 persona që flenë rrugëve.
c) Kushtet e strehimit në strukturat e disponueshme
66. Paditësit pretendojnë se pritja, sidomos nëpër CARA-t, bëhet në shkelje të dispozitave të Direktivës për Pritjen. Ata i referohen një konstatimi të organizatës borderline-europe sipas të cilit, në CARA-t e Trapanit (Sicili), në një hapësirë prej 15 m2 janë strehuar pesë-gjashtë veta, të cilëve u është dashur të flenë mbi dyshekë të vendosur përdhe. Këto qendra paskan gjithashtu probleme lidhur me kushtet sanitare dhe me bashkëjetesën me të tjerë në një vend të ngushtë. Bashkëjetesa me të tjerë në një vend të ngushtë qenka madje një problem që haset shpesh nëpër CARA dhe paska pasoja veçanërisht të dëmshme te fëmijët, sidomos kur nuk respektohet uniteti i grupit familjar, çka ndodhka sistematikisht për shembull në Milano. Në CARA-n e Mineos (Sicili), personat e strehuar nuk marrkan të holla për shpenzime të vogla, kushtet sanitare qenkan të këqija, qasja në mjekime e pamjaftueshme dhe veprimtaritë kriminale si edhe prostitucioni në lulëzim.
67. Në vërejtjet e tyre, paditësit u referohen veçanërisht Rekomandimeve të UNHCR-së për 2012 dhe Raportit 2012 të Komisarit për të Drejtat e Njeriut. Ata i kushtojnë përveç kësaj shumë rëndësi faktit se Gjykata Administrative e Frankfurtit, në vendimin e saj të datës 9 korrik 2013 (...), ka vënë re se rreziku për t’u përballur me keqtrajtime në rast kthimi në Itali, për mungesë kushtesh pritjeje në përputhje me direktivat evropiane, u kanosej 50% të azilkërkuesve.
68. Së fundi, paditësit mbrojnë mendimin se Qeveria zvicerane nuk ka paraqitur asnjë dokument që të vërtetojë ndonjë kërkim zgjidhjeje konkrete për marrjen e tyre në ngarkim. Sipas tyre, nuk duket të jetë bërë asnjë kërkesë garancish minimale pranë autoriteteve italiane, të cilat nuk paskan dhënë asnjë siguri që paditësit do të strehoheshin në kushte të përshtatshme dhe nuk do të ndaheshin nga njëri-tjetri. Ata çmojnë nga ana tjetër se kushtet e jetesës në CARA-n e Barit, ku ata kanë kaluar dy ditë gjatë qëndrimit të tyre në Itali, ishin të papranueshme, sidomos për arsye të situatës së bashkëjetesës me të tjerë në një vend të ngushtë që mbisundonte aty dhe të akteve të dhunës që shkaktonte kjo gjë.
2. Qeveria
a) Ngadalësitë e procedurës së identifikimit
69. Qeveria nuk shprehet rreth vështirësive të përmendura nga paditësit për sa u përket ngadalësive të procedurës së identifikimit.
b) Kapacitetet strehuese të strukturave pritëse
70. Për sa u përket kapaciteteve strehuese të strukturave pritëse, sipas Qeverisë në strukturat e financuara nga FER-i ka 235 vende të rezervuara për azilkërkuesit që janë objekt i një kthimi “Dublin”. Nga ana tjetër, Qeveria parashtron se kapaciteti i rrjetit SPRAR do të çohet në 16 000 vende gjatë periudhës 2014‑2016. Ajo u referohet në thelb Rekomandimeve të UNHCR-së për 2012 dhe Raportit 2012 të Komisarit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, si edhe konstatimeve të Gjykatës në vendimin për pranueshmërinë Mohammed Hussein, të cituar më lart, dhe atyre me të njëjtën përmbajtje që e kanë pasuar atë (Daytbegova e Magomedova k. Austrisë (vend. pran.), 4 qershor 2013, nr. 6198/12; Abubeker k. Austrisë dhe Italisë (vend. pran.), 18 qershor 2013, nr. 73874/11; Halimi k. Austrisë dhe Italisë (vend. pran.), 18 qershor 2013, nr. 53852/11; Miruts Hagos k. Vendeve të Ulëta dhe Italisë (vend. pran.), 27 gusht 2013, nr. 9053/10; Mohammed Hassan me të tjerë k. Vendeve të Ulëta dhe Italisë (vend. pran.), 27 gusht 2013, nr. 40524/10; Hussein Diirshi me të tjerë k. Vendeve të Ulëta dhe Italisë (vend. pran.), 10 shtator 2013, nr. 2314/10).
c) Kushtet e strehimit në strukturat e disponueshme
71. Për sa u përket kushteve të jetesës nëpër strukturat e disponueshme, Qeveria, duke iu referuar përsëri Rekomandimeve të UNHRC-së për 2012 dhe Raportit 2012 të Komisarit për të Drejtat e Njeriut, është e mendimit se nuk mund të dilet në përfundimin që në Itali ekziston një praktikë e vërtetuar shkeljeje sistematike të Direktivës për Pritjen. Ajo shton se nuk ka dijeni për shtete “Dublin” që nuk pranuakan në përgjithësi të bëjnë kthime drejt Italisë dhe se as UNHCR-ja, as Komisari për të Drejtat e Njeriut nuk kanë shprehur dëshirë për të ndërhyrë në këtë procedurë, ndërkohë që e kishin bërë këtë gjë në çështjen M.S.S.
72. Për sa i takon rastit konkret të paditësve, ajo vë në dukje se, më 22 nëntor 2011, ODM-ja u kishte paraqitur autoriteteve italiane një kërkesë për marrje në ngarkim të paditësve, në përputhje me nenin 17 të Rregullores së Dublinit. Kësaj kërkese nuk i qenka dhënë asnjë përgjigje e shkoqur brenda afatit prej dy muajsh të parashikuar në nenin 18 § 1 të Rregullores së Dublinit, çka kishte sipas Qeverisë vlerën e një pranimi në heshtje dhe ishte e zakonshme në atë kohë ndërmjet Zvicrës dhe Italisë.
73. Kjo praktikë paska ndryshuar dhe Italia u dhënka përgjigje shprehimisht kërkesave për marrje në ngarkim që vijnë nga Zvicra.
74. Në përgjithësi, një transferim në kuadrin e një procedure “Dublin” qenka një procedurë e përgatitur me kohë paraprakisht dhe jo për përballimin e një situate të ngutshme, kështu që qenka e mundur të kihet parasysh situata e personave që paraqesin një nevojë për mbrojtje të posaçme, si familjet me fëmijë në moshë të njomë, përpara mbërritjes së tyre në territorin italian. Bashkëpunimi me autoritetet italiane në këtë fushë funksionuaka mirë, sidomos në saje të pranisë së një agjenti ndërlidhës zviceran në gjirin e njësisë Dublin të Ministrisë së Brendshme italiane. Që prej fillimit të vitit 2013, autoritetet italiane paskan përqafuar një praktikë të re ku, në të njëjtën kohë me vendimin e tyre për të pranuar marrjen në ngarkim të azilkërkuesit, u treguaka edhe aeroporti bashkë me strukturën pritëse të mbërritjes.
75. Gjithsesi, në seancën e datës 12 shkurt 2014, Qeveria ka deklaruar se ka qenë e informuar nga autoritetet italiane se, në rast kthimi drejt Italisë, paditësit do të strehoheshin në një qendër të Bolonjës që bën pjesë te strukturat e financuara nga FER-i. Ajo nuk ka dhënë më shumë saktësime për sa u përket modaliteteve të transferimit dhe kushteve materiale të pritjes të parashikuara nga autoritetet italiane.
3. Vërejtje të qeverive italiane, holandeze, suedeze, norvegjeze dhe britanike, si edhe të organizatave Defence for Children, Qendra AIRE, CERE dhe Amnesty International, palë të treta
a) Ngadalësitë e procedurës së identifikimit
76. Sipas vërejtjeve të paraqitura nga Qeveria italiane, neni 20 i dekretligjit të datës 28 janar 2008 (nr. 25/2008) parashikon që kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare mund të strehohen nëpër CARA gjatë kohës së nevojshme për identifikimin e tyre, domethënë përpara regjistrimit të kërkesës së tyre për azil, për një periudhë maksimale prej njëzet ditësh, dhe gjatë kohës së nevojshme për shqyrtimin e kërkesës së tyre për azil nga komisioni territorial, për një periudhë maksimale prej tridhjetë e pesë ditësh. Në rast pranimi të kërkesës së tyre, ata paskan mundësi qasjeje te SPRAR-i. Kështu, sipas nenit 6 të dekretligjit të 30 majit 2005 (nr. 140/2005), në rast mungese të vërtetuar vendesh të lira në strukturat e SPRAR-it, azilkërkuesit që janë në gjendje të vërtetojnë se nuk kanë mjete jetese paskan të drejtën të qëndrojnë nëpër CARA. Sidoqoftë, Qeveria italiane nuk jep të dhëna lidhur me raste eventuale ku azilkërkues të kenë qenë të detyruar të presin për disa javë, madje për disa muaj, përpara se të kishin qasje nëpër CARA, para ose pas identifikimit. Por nga ana tjetër ajo vë në dukje se kohëzgjatja mesatare e shqyrtimit të një kërkese për azil ishte shtatëdhjetë e dy ditë më 2012 dhe nëntëdhjetë e dy ditë më 2013. Këto afate u përligjkan me faktin se, meqenëse marrja në pyetje e secilit azilkërkues nga komisioni territorial duhet të zgjatka të paktën një orë, secili nga dhjetë komisionet territoriale u gjendka në pamundësi materiale për të trajtuar më shumë se dhjetë kërkesa në ditë. Një ligj i hyrë në fuqi më 4 shtator 2013 (nr. 97/2013) paska mundësuar krijimin e një numri të caktuar seksionesh shtesë në gjirin e komisioneve territoriale, me qëllimin për ta përshpejtuar shqyrtimin e kërkesave për azil.
77. Palët e tjera të treta nuk shprehen më shumë sesa Qeveria zvicerane rreth aspektit praktik të kësaj pike.
b) Kapacitetet strehuese të strukturave pritëse
78. Në vërejtjet e saj, Qeveria italiane shpjegon se, me një dekret të datës 17 shtator 2013, Ministria e Brendshme ka vendosur ta dyfishojë kapacitetin e përgjithshëm të rrjetit SPRAR, për të arritur në 16 000 vende në fund të periudhës 2014-2016. Ky rrjet numëruaka tani 9 630 vende, nga të cilat 1 230 vende të krijuara tashmë pas miratimit të këtij dekreti. Nga ana tjetër, një qarkore e datës 7 tetor 2013 i paska ftuar prefektët e rajonit të Sicilisë që të lokalizonin disa struktura strehuese shtesë për pritjen e refugjatëve, sidomos duke përdorur sektorin privat. Deri më sot qenkan identifikuar rreth dyzet struktura, për një shumë të përgjithshme prej 1 834 vendesh. Gjashtë struktura të tjera qenkan gati për t’u vënë në veprim në rast rritjeje të vërshimit të refugjatëve. Madje, sipas Qeverisë italiane, kërkesat për azil të paraqitura gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2013 arrinin në 14 184 (më 15 qershor 2013). Së fundi, gjatë seancës së datës 12 shkurt 2014, përfaqësuesja e Qeverisë italiane e ka cilësuar si “situatë dramatike” vërshimin e azilkërkuesve të regjistruar gjatë dy viteve të fundit.
79. Qeveritë holandeze, suedeze, norvegjeze dhe britanike bashkohen në thelb me qëndrimin e Qeverisë zvicerane. Ashtu si ajo, ato mbrojnë mendimin se, në kundërshtim me çfarë ka bërë për Greqinë, UNHCR-ja nuk ka bërë thirrje për t’u dhënë fund transferimeve të disa grupeve të brishta drejt Italisë.
80. Qeveria suedeze vë në dukje se Italia dhe Zyra Evropiane e Mbështetjes për Azilin (EASO) kanë nënshkruar më 4 qershor 2013 një plan të posaçëm përkrahjeje (Special Support Plan) që ka si qëllim të përmirësojë pritjen e azilkërkuesve. Madje, kthimet “Dublin” drejt Italisë qenkan objekt i një shkëmbimi sistematik informacionesh ndërmjet autoriteteve të të dyja vendeve, të thelluar në veçanti në rastin e personave të brishtë, sidomos të fëmijëve të pashoqëruar.
81. Qeveria britanike mbron mendimin se raportet të cilave u referohen paditësit në vlerësimin që ata i bëjnë situatës në terren, veçanërisht Raporti Proasyl, shpeshherë nuk e bëjnë dallimin midis “azilkërkuesve”, “refugjatëve të njohur” dhe “azilkërkuesve të refuzuar”. Mirëpo, ky dallim qenka themelor përderisa Direktiva për Pritjen u zbatuaka vetëm për azilkërkuesit, statusi i të cilëve qenka në thelb i përkohshëm, ndërsa Direktiva për Cilësimin, e cila u zbatuaka për refugjatët, i barazuaka këta të fundit me shtetasit vendës në fushën e qasjes në punësim, në arsim apo edhe në mbrojtjen sociale. Prandaj, të dhënat që përmbajnë këto raporte qenkan të shtrembëruara; si shembull, Qeveria britanike parashtron se Raporti OSAR i kritikon kushtet e jetesës në strukturën e Tor Marançias, në Romë, duke e pranuar se aty priten burra afganë që e kanë statusin e refugjatit.
82. Organizata Defence for Children bashkohet me konstatimin e paditësve se kapacitetet strehuese për azilkërkuesit në Itali janë qartazi të pamjaftueshme, dhe mbron mendimin se pasojat janë veçanërisht të rënda për fëmijët, disa prej të cilëve qenkan të detyruar të jetojnë nëpër banesa të zaptuara ose banesa të tjera jo të shëndetshme. Kjo OJQ u referohet informacioneve të botuara në Raportin OSAR.
c) Kushtet e strehimit në strukturat e disponueshme
83. Nën shembullin e paditësve, organizata Defence for Children, duke cituar Raportin OSAR, mbron mendimin se disa familje të kthyera në Itali në kuadrin e Rregullores së Dublinit janë ndarë nga njëri-tjetri kur kanë mbërritur në strukturat pritëse, sidomos nëpër CARA. Kjo praktikë qenka madje sistematike në qytetin e Milanos. Në vërejtjet e saj, Defence for Children e vë theksin te nocioni i “interesit të lartë të fëmijës”, ashtu siç përkufizohet ai nga Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës e 20 nëntorit 1989, dhe është e mendimit se në çështjet e kthimeve “Dublin” zhvillimi shoqëror dhe emocional i fëmijës duhet të jetë përcaktues në shqyrtimin e “interesit të lartë” të tij. Kjo OJQ i referohet në veçanti nenit 6 të Rregullores Dublin III, të hyrë në fuqi më 1 janar 2014 (paragrafi 35 i mësipërm).
84. Defence for Children kujton në veçanti rëndësinë që Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara i kushtuaka ruajtjes së mjedisit familjar dhe i referohet jurisprudencës së Gjykatës në fushën e mbajtjes mbyllur të fëmijëve, sidomos migrantë, për sa ka të bëjë me kushtet e strehimit. Si përfundim, kjo OJQ i kërkon Gjykatës që t’i ndalojë kthimet e fëmijëve drejt Italisë, për arsye të kushteve të këqija të strehimit të azilkërkuesve në këtë vend.
85. Duke iu referuar edhe ato nocionit të “interesit të lartë të fëmijës”, Qendra AIRE, CERE dhe Amnesty International janë të mendimit se fëmijët nuk u dashka të transferohen drejt shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian përveçse në qoftë që një masë e tillë përkon me interesit e tyre të lartë.
86. Nga ana e saj, gjatë seancës së datës 12 shkurt 2014 Qeveria italiane, nga njëra anë, ka pohuar se disa episode dhune kishin ndodhur në CARA-n e Barit pak përpara mbërritjes së paditësve dhe, nga ana tjetër, ka mohuar që familje azilkërkuesish të jenë ndarë sistematikisht, me përjashtim të disa rasteve e për periudha shumë të shkurtra, gjatë ditëve të para të marrjes në ngarkim dhe të identifikimit. Në vërejtjet e saj, ajo parashtron madje se azilkërkuesit që i përkasin një kategorie të cilën autoritetet italiane e konsiderojnë si të brishtë – çka qenka rasti i paditësve, si familje me fëmijë – merren në ngarkim brendapërbrenda sistemit SPRAR, i cili u garantuaka atyre strehimin, ushqimin, ndihmën shëndetësore, kurse për italisht, orientimin drejt shërbimeve sociale, këshillat juridike, kurse përgatitjeje profesionale, trajnime dhe ndihmë për kërkimin e një banese autonome.
B. Vlerësimi i Gjykatës
87. Si fillim, Gjykata vë në dukje se, sipas Qeverisë zvicerane, në rast kthimi drejt Italisë, paditësit do të strehoheshin në Bolonjë, në një strukturë që i përket rrjetit të financuar nga FER-i (paragrafi 75 i mësipërm). Edhe sikur të hamendësohet që kjo rrethanë ngre një pikëpyetje në këndvështrimin e nenit 37 § 1 b) ose c) të Konventës, Gjykata është e mendimit se është me vend që kjo të përfshihet në shqyrtimin e saj rreth themelit të kërkesëpadisë (paragrafi 121 i mëposhtëm).
1. Rreth përgjegjësisë së Zvicrës në vështrim të Konventës
88. Gjykata shënon se, në këtë çështje, përgjegjësia e Zvicrës në vështrim të nenit 3 të Konventës nuk kundërshtohet.
Megjithatë, Gjykata e gjykon të dobishme që të rikujtojë se, në çështjen Bosphorus Hava Yolları Turizm ve Ticaret Anonim Şirketi k. Irlandës ([DhM], nr. 45036/98, § 152, GjEDNj 2005‑VI), ajo ka dalë në përfundimin se Konventa nuk ua ndalon Palëve Kontraktuese që t’ia kalojnë disa kompetenca sovrane një organizate ndërkombëtare për qëllime bashkëpunimi në disa fusha veprimtarie. Shtetet mbeten prapëseprapë përgjegjëse në vështrim të Konventës për të gjitha veprimet e mosveprimet e organeve të tyre që rrjedhin nga e drejta e brendshme ose nga nevoja për t’iu përmbajtur detyrimeve juridike ndërkombëtare (po aty, § 153). Një masë e marrë nga shteti në zbatim të detyrimeve të tilla juridike duhet të quhet si e përligjur në qoftë se organizata në fjalë u jep përherë të drejtave themelore një mbrojtje më së paku të barasvlershme me atë që siguron Konventa. Gjithsesi, një shtet mbetet krejtësisht përgjegjës në vështrim të Konventës për të gjitha veprimet që nuk u përkasin rreptësisht detyrimeve të tij juridike ndërkombëtare, veçanërisht kur ai ka ushtruar një kompetencë vlerësimi (po aty, §§ 155-157; shih gjithashtu Michaud k. Francës, nr. 12323/11, §§ 102-104, GjEDNj 2012).
Është e vërtetë se, ndryshe nga Irlanda në çështjen Bosphorus, Zvicra nuk është një shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Megjithatë, në bazë të Marrëveshjes së Asociimit të datës 26 tetor 2004 ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Komunitetit Evropian, Zvicra kushtëzohet nga Rregullorja e Dubinit (...) dhe merr pjesë në sistemin e ngritur me anë të këtij instrumenti.
89. Mirëpo, Gjykata vë në dukje se neni 3 § 2 i Rregullores së Dublinit parashikon që, përmes një derogimi nga rregulli i përgjithshëm i përcaktuar në nenin 3 § 1, çdo shtet anëtar mund ta shqyrtojë një kërkesë për azil që i është paraqitur atij nga një shtetas i një vendit të tretë, ndonëse ky shqyrtim nuk përbën për të detyrim në bazë të kritereve të përcaktuara në Rregullore. Është fjala për klauzolën e ashtuquajtur të “sovranitetit” (...). Në këtë rast, ky shtet bëhet shteti anëtar përgjegjës, në kuptimin e Rregullores, për shqyrtimin e kërkesës për azil dhe i merr përsipër detyrimet që lidhen me këtë përgjegjësi (M.S.S., i cituar më lart, § 339). Përmes efektit të marrëveshjes së asociimit, ky mekanizëm zbatohet gjithashtu edhe për Zvicrën.
90. Gjykata nxjerr nga kjo se autoritetet zvicerane kanë mundësi, në bazë të Rregullores së Dublinit, që të mos i transferojnë paditësit drejt Italisë në qoftë se janë të mendimit që ky vend nuk i përmbush detyrimet e tij në vështrim të Konventës. Për rrjedhojë, ajo çmon se vendimi për t’i kthyer paditësit drejt Italisë nuk ka të bëjë rreptësisht me detyrimet juridike ndërkombëtare që e kushtëzojnë Zvicrën në kuadrin e sistemit të krijuar përmes Rregullores së Dublinit dhe se, për këtë arsye, prezumimi i mbrojtjes së barasvlershme nuk gjen vend për zbatim në këtë çështje (shih, mutatis mutandis, M.S.S., të cituar më lart, § 340).
91. Prandaj, në këtë çështje, Zvicra duhet të konsiderohet si përgjegjëse në vështrim të nenit 3 të Konventës.
(...)
3. Rreth themelit
a) Rikujtim i parimeve të përgjithshme
93. Gjykata rikujton se, sipas jurisprudencës së saj të përhershme, dëbimi i një azilkërkuesi nga një shtet kontraktues mund të shtrojë një problem në vështrim të nenit 3, pra ta ngarkojë me përgjegjësi shtetin në fjalë në bazë të Konventës, kur ka arsye serioze dhe të vërtetuara për të besuar se i interesuari do të ketë në vendin e mbërritjes një rrezik real që t’u nënshtrohet torturës ose dënimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese. Në këtë rast, neni 3 nënkupton detyrimin për të mos e dëbuar personin në fjalë drejt këtij vendi (Saadi k. Italisë [DhM], nr. 37201/06, § 152, GjEDNj 2008; M.S.S., i cituar më lart, § 365; Soering k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, §§ 90-91, seria A nr. 161; Vilvarajah me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, 30 tetor 1991, § 103, seria A nr. 125; H.L.R. k. Francës, 29 prill 1997, § 34, Recueil 1997-III; Jabari k. Turqisë, nr. 40035/98, § 38, GjEDNj 2000‑VIII; Salah Sheekh k. Vendeve të Ulëta, nr. 1948/04, § 135, GjEDNj 2007‑I).
94. Gjykata ka thënë shumë herë se, për t’iu nënshtruar ndalimit që përmban neni 3, trajtimi duhet të paraqesë sadopak seriozitet. Vlerësimi i këtij minimumi është relativ; ai varet nga tërësia e të dhënave të çështjes, sidomos nga kohëzgjatja e trajtimit dhe nga pasojat e tij fizike dhe mendore si edhe, ndonjëherë, nga gjinia, nga mosha dhe nga gjendja shëndetësore e viktimës (shih, sidomos, Kudła k. Polonisë [DhM], nr. 30210/96, § 91, GjEDNj 2000-XI; M.S.S., i cituar më lart, § 219).
95. Gjykata ka qenë gjithashtu e mendimit se neni 3 nuk mund të interpretohet sikur i detyron Palët e Larta Kontraktuese që t’i garantojnë një të drejtë për strehim kujtdo që varet nga juridiksioni i tyre (Chapman k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 27238/95, § 99, GjEDNj 2001‑I). Nga neni 3 nuk mund të nxirret gjithashtu as ndonjë detyrë e përgjithshme për t’u dhënë refugjatëve një ndihmë financiare në mënyrë që këta të fundit të mund të ruajnë njëfarë niveli jetese (Müslim k. Turqisë, nr. 53566/99, § 85, 26 prill 2005; M.S.S., i cituar më lart, § 249).
96. Në vendimin M.S.S. (§ 250), Gjykata ka çmuar megjithatë se pika që duhej të përcaktohej në çështjen në fjalë nuk shtrohej ashtu. Në ndryshim nga situata në çështjen Müslim (të cituar më lart, §§ 83 et 84), detyrimi për t’u dhënë një banesë dhe kushte të përshtatshme materiale azilkërkuesve të skamur përfshihej në të drejtën pozitive dhe u binte si barrë autoriteteve greke në bazë të vetë termave të legjislacionit kombëtar që riprodhonte të drejtën e Bashkimit Evropian, konkretisht Direktivën për Pritjen. Ajo për të cilën paditësi i akuzonte autoritetet greke në atë çështje ishte pamundësia në të cilën ishte gjendur ai, për shkak të veprimit ose të mosveprimeve të tyre me dashje, për t’i gëzuar në praktikë të drejtat e tij për të plotësuar nevojat e tij thelbësore.
97. Në po atë vendim (§ 251), Gjykata i ka dhënë një peshë të rëndësishme statusit të paditësit, i cili ishte azilkërkues dhe i përkiste për këtë arsye një grupi veçanërisht të disfavorizuar e të brishtë të popullsisë, që kishte nevojë për një mbrojtje të posaçme dhe ka shënuar se kjo nevojë për mbrojtje të posaçme ishte objekt i një konsensusi të gjerë në shkallë ndërkombëtare dhe evropiane, siç dilte nga Konventa e Gjenevës, nga mandati dhe veprimtaritë e UNHCR-së si edhe nga normat që përfshihen në Direktivën e Bashkimit Evropian për Pritjen.
98. Përherë te M.S.S. (§§ 252 e 253), duke iu dashur të përcaktonte nëse një situatë skamjeje të skajshme materiale mund të shtronte një problem në këndvështrimin e nenit 3, Gjykata ka rikujtuar se ajo nuk e kishte përjashtuar “mundësinë që shteti të ngarkohe[j] me përgjegjësi [në këndvështrimin e nenit 3] nga një trajtim në kuadrin e të cilit një paditës i varur krejtësisht nga ndihma publike do të përballej me moskokëçarjen e autoriteteve teksa do të ndodhej në një situatë aq të rëndë privimi ose mungese saqë ajo do të ishte e papajtueshme me dinjitetin njerëzor” (Budina k. Rusisë, (vend. pran.), nr. 45603/05, 18 qershor 2009).
99. Për sa u përket më veçanërisht të miturve, Gjykata ka përcaktuar se ishte e udhës që të mos harrohej se situata e brishtësisë së skajshme të fëmijës ishte përcaktuese dhe kishte përparësi mbi cilësinë e të huajit me qëndrim të paligjshëm (Mubilanzila Mayeka e Kaniki Mitunga k. Belgjikës, nr. 13178/03, § 55, GjEDNj 2006‑XI; Popov k. Francës, nr. 39472/07 e nr. 39474/07, § 91, 19 janar 2012). Në fakt, fëmijët kanë nevoja specifike sidomos për shkak të moshës dhe varësisë së tyre, mirëpo edhe të statusit të tyre si azilkërkues. Gjykata ka rikujtuar madje se Konventa për të Drejtat e Fëmijës i nxit shtetet që të marrin masa të përshtatshme në mënyrë që një fëmijë i cili kërkon të marrë statusin e refugjatit të përfitojë nga mbrojtja dhe ndihma humanitare, qoftë vetëm, qoftë i shoqëruar nga prindërit e tij (shih në këtë drejtim Popov, i cituar më lart, § 91).
b) Zbatimi i këtyre parimeve në rastin e çështjes në fjalë
100. Paditësit çmojnë në thelb se, në rast kthimi drejt Italisë, “pa garanci individuale marrjeje në ngarkim”, ata do të bëheshin viktima të një trajtimi çnjerëzor e poshtërues të lidhur me ekzistencën e disa “mangësive sistemore” në mekanizmin e pritjes së azilkërkuesve.
101. Për ta shqyrtuar këtë ankesë, Gjykata çmon se duhet të ndjekë një qasje të ngjashme me atë që ajo kishte zgjedhur në vendimin M.S.S., të cituar më lart, ku ajo e kishte shqyrtuar situatën individuale të paditësit në dritën e situatës së përgjithshme që ekzistonte në Greqi në kohën e ngjarjeve.
102. Ajo rikujton në radhë të parë jurisprudencën e saj të vazhdueshme sipas së cilës dëbimi i një azilkërkuesi nga një shtet kontraktues mund të shtrojë një problem në vështrim të nenit 3 kur ka “arsye serioze dhe të vërtetuara për të besuar” se të interesuarit do t’i kanoset, në vendin e mbërritjes, një “rrezik real” që t’u nënshtrohet torturës ose dënimeve apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese (paragrafi 93 i mësipërm).
103. Nga vendimi M.S.S. del gjithashtu se prezumimi që një shtet pjesëmarrës në sistemin “Dublin” i respekton të drejtat themelore të parashikuara nga Konventa nuk është i pakundërshtueshëm. Nga ana e saj, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka gjykuar se prezumimi që një shtet pjesëmarrës në sistemin “Dublin” i respekton detyrimet e tij që rrjedhin nga neni 4 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian përmbysej në rast “mangësish sistemore të procedurës së azilit në shtetin anëtar përgjegjës, duke nënkuptuar një trajtim çnjerëzor ose poshtërues, në kuptimin e nenit 4 të Kartës, të azilkërkuesve të transferuar drejt territorit të këtij shteti anëtar” (...)
104. Në rastin e një kthimi “Dublin”, prezumimi se një shtet kontraktues “mbërritjeje” e respekton nenin 3 të Konventës mund të hidhet pra me të drejtë poshtë në prani të “arsyeve serioze dhe të vërtetuara për të besuar” se personit objekt të masës së kthimit do t’i kanoset një “rrezik real” që në shtetin e mbërritjes të pësojë trajtime në kundërshtim me këtë dispozitë.
Zanafilla e rrezikut të mundshëm nuk i ndryshon aspak nivelin e mbrojtjes së garantuar nga Konventa dhe detyrimet që kjo e fundit i cakton shtetit autor të masës së kthimit. Ajo nuk e çliron këtë shtet nga detyrimi për ta shqyrtuar në mënyrë të thelluar e të individualizuar situatën e personit objekt të kësaj mase dhe për ta shtyrë për më vonë kthimin në rast se vërtetohet rreziku i trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.
Gjykata shënon madje se kjo qasje është ndjekur nga Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar në vendimin e saj të datës 19 shkurt 2014 (...)
105. Në rastin e çështjes në fjalë, Gjykata duhet të kërkojë pra nëse, duke pasur parasysh situatën e përgjithshme të mekanizmit të pritjes së azilkërkuesve në Itali dhe situatën e veçantë të paditësve, mos ekzistojnë arsye serioze dhe të vërtetuara për të besuar se, në rast kthimi drejt Italisë, paditësit do të rrezikonin që të pësojnë trajtime në kundërshtim me nenin 3.
i. Situata e përgjithshme e sistemit të pritjes së azilkërkuesve në Itali
106. Për sa i përket situatës së përgjithshme, në vendimin e saj për pranueshmërinë Mohammed Hussein (të cituar më lart, § 78), Gjykata ka vënë në dukje se Rekomandimet e UNHCR-së dhe Raporti i Komisarit për të Drejtat e Njeriut, të botuar më 2012, bënin fjalë për një numër të caktuar mangësish. Sipas paditësve, këto mangësi qenkan “sistemore” dhe paskan të bëjnë me ngadalësitë e procedurës së identifikimit, me kapacitetet e pakta të strukturave pritëse dhe me kushtet e jetesës që mbisunduakan në strukturat e disponueshme (...)
α) Ngadalësitë e procedurës së identifikimit
107. Për sa u takon vështirësive që u lidhkan me ngadalësitë e procedurës së identifikimit, Gjykata shënon se paditësit janë identifikuar tashmë dhe se autoritetet zvicerane dhe italiane i kanë tanimë të gjitha informatat përkatëse që kanë të bëjnë me ta. Ajo vë në dukje për më tepër se autoriteteve italiane u janë dashur dhjetë ditë për t’i identifikuar ata në mbërritjen e tyre në Stinjano, ndonëse ata i kishin dhënë policisë identitete të rreme (paragrafi 10 i mësipërm). Për këtë arsye, ky aspekt i ankesës së paditësve nuk është më drejtpërdrejt rëndësor për shqyrtimin e çështjes dhe Gjykata nuk e çmon të dobishme që të ndalet më gjatë aty.
β) Kapacitetet strehuese të strukturave pritëse
108. Lidhur me kapacitetet pritëse të strukturave të strehimit për azilkërkues, paditësit mbështeten në studime të hollësishme të realizuara nga disa organizata joqeveritare, sipas të cilave numri i azilkërkuesve në Itali ishte 34 115 më 2011 dhe 15 715 më 2012, me shifra ne rritje për vitin 2013. Sipas Raportit OSAR, numri i refugjatëve që jetonin në Itali më 2012 arrinte në 64 000. Mirëpo, më 2012 nëpër CARA paska pasur vetëm 8 000 vende, me lista pritjeje aq të gjata saqë për shumicën e kandidatëve nuk paska pasur kurrfarë perspektive realiste për qasje. Për sa u takon strukturave që i përkasin SPRAR-it, Raporti OSAR treguaka se numri i vendeve arrinte në 4 800 dhe se në listë pritjeje ishin regjistruar 5 000 vetë. I njëjti raport treguaka se, sipas dy organizatave të tjera, Caritas dhe JRS, vetëm 6% të personave të pranuar në strukturat e SPRAR-it, ku pritja qenka madje e kufizuar vetëm për një kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, arrijnë të gjejnë një vend pune dhe të integrohen nga pikëpamja profesionale në shoqërinë italiane. Për sa u përket qendrave komunale të strehimit, ku mund të kenë qasje jo vetëm azilkërkuesit por edhe çdo person i skamur, numri i vendeve aty qenka gjithashtu qartësisht më i vogël sesa nevojat. Sipas Raportit OSAR, qyteti i Romës paska 1 300 vende, me një listë pritjeje prej 1 000 personash, dhe afati mesatar i caktimit qenka aty tre muaj. Në Milano paska vetëm 400 vende dhe familjet i ndakan sistematikisht.
109. Gjykata shënon se këto shifra nuk kundërshtohen nga Qeveria zvicerane, e cila mjaftohet vetëm duke e vënë theksin te përpjekjet e bëra nga autoritetet italiane me qëllim për t’i bërë ballë me aq sa munden vërshimit të pandërprerë të azilkërkuesve që po ka në atë vend prej disa vitesh. Në vërejtjet e saj, Qeveria italiane vë në dukje në fakt se veprimet e ndërmarra prej autoriteteve italiane shkojnë në drejtim të një përforcimi të kapaciteteve pritëse për azilkërkuesit. Në veçanti, në shtator 2013 është vendosur që kapaciteti i përgjithshëm i sistemit SPRAR të çohet në 16 000 vende gjatë periudhës 2014-2016; 1 230 vende qenkan dhënë tashmë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të disponueshme në 9 630 (paragrafi 78 i mësipërm).
110. Gjykata vë re se metodat e përdorura për të përllogaritur numrin e azilkërkuesve të pastrehë në Itali kundërshtohen. Pa i hyrë debatit rreth saktësisë së të dhënave të disponueshme në shifra, Gjykatës i mjafton të vërejë shpërpjesëtimin flagrant midis numrit të kërkesave për azil të paraqitura më 2013, që sipas Qeverisë italiane arrinin në 14 184 më 15 qershor 2013 (paragrafi 78 i mësipërm), dhe numrit të vendeve të disponueshme në strukturat e rrjetit SPRAR (9 630 vende) që, gjithmonë sipas Qeverisë italiane, janë ato ku mund të priten paditësit (paragrafi 76 i mësipërm). Për më tepër, duke pasur parasysh se numri i kërkesave të përmendura u referohet vetëm gjashtë muajve të parë të vitit 2013, ka të ngjarë që shifra për numrin e përgjithshëm të vitit të jetë shumë më e lartë, çka e dobësuaka edhe më shumë kapacitetin pritës të sistemit SPRAR.
Nga ana tjetër, Gjykata vëren se as Qeveria zvicerane, as Qeveria italiane nuk kanë pohuar që kapaciteti i bashkuar i sistemit SPRAR dhe i CARA-ve të jetë në gjendje ta përthithë, në mos të gjithën, të paktën më të shumtën e kërkesës për strehim.
γ) Kushtet e pritjes në strukturat e disponueshme
111. Për sa u përket kushteve të jetesës në strukturat e disponueshme, studimet e cituara nga paditësit bëjnë fjalë për disa qendra strehimi ku mbisunduakan bashkëjetesa me të tjerë në një vend të ngushtë, papastërtia, dhe situatat e dhunës së përhapur (paragrafët 66-67 të mësipërm). Paditësit tregojnë madje se kanë qenë vetë të pranishëm në episode dhune gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër brenda CARA-s së Barit. Ata mbrojnë gjithashtu mendimin se, në disa qendra, familjet e azilkërkuesve u ndakan sistematikisht.
112. Gjykata shënon se, në rekomandimet e tij për vitin 2013, UNHCR-ja përshkruan vërtet një numër të caktuar vështirësish që kanë të bëjnë në veçanti me pabarazinë e shërbimeve të disponueshme, sipas madhësisë së strukturave, dhe me një mungesë koordinimi në rrafshin kombëtar. Megjithatë, duke vënë në dukje njëfarë përkeqësimi të kushteve të pritjes, sidomos më 2011, si edhe një problem mbipopullimi nëpër CARA, UNHCR-ja nuk bën fjalë për situata të përhapura dhune ose papastërtie, duke përshëndetur madje edhe përpjekjet e bëra nga autoritetet italiane për të përmirësuar cilësinë e pritjes së azilkërkuesve. Për sa i përket Komisarit për të Drejtat e Njeriut, në Raportin e tij 2012 (...), edhe ai vë në dukje ekzistencën e disa problemeve në “disa qendra pritjeje”, duke shprehur një shqetësim të veçantë për sa i përket ndihmës juridike, përkujdesjeve dhe ndihmës psikologjike në qendrat pritëse të urgjencës, afateve të identifikimit të personave të brishtë dhe nevojës për të ruajtur unitetin familjar gjatë transferimeve.
113. Së fundi, Gjykata shënon se gjatë seancës së datës 12 shkurt 2014 Qeveria italiane, nga njëra anë, ka pranuar se në CARA-n e Barit kishin ndodhur disa episode dhune pak përpara mbërritjes së paditësve dhe, nga ana tjetër, ka mohuar që familjet e azilkërkuesve të ishin ndarë sistematikisht, përveçse në disa raste dhe për periudha shumë të shkurtra, sidomos gjatë procedurave të identifikimit.
114. Duke pasur parasysh çka paraprin më lart, situata e tanishme në Itali nuk ka aspak sesi të krahasohet me situatën e Greqisë në kohën e vendimit M.S.S., të cituar më lart, ku Gjykata kishte vënë re në veçanti se qendrat e pritjes kishin më pak se 1 000 vende, përballë dhjetëra mijëra azilkërkuesish, dhe se kushtet e skamjes më të plotë të përshkruara nga paditësi ishin një dukuri në shkallë të gjerë. Pra, duhet pranuar që qasja në çështjen e tanishme nuk ka sesi të jetë e njëjtë si në çështjen M.S.S.
115. Pra, ndonëse struktura dhe situata e përgjithshme e mekanizmit të pritjes në Itali nuk mund të përbëjnë në vetvete një pengesë për çdolloj kthimi azilkërkuesish drejt këtij vendi, të dhënat dhe informacionet e parashtruara këtu më sipër ngjallin megjithatë dyshime serioze për sa u përket kapaciteteve të tanishme të sistemit. Nga kjo, për sytë e Gjykatës, rezulton se nuk ka sesi të mënjanohet si e pabazë hipoteza e një numri domethënës azilkërkuesish të pastrehë ose të strehuar nëpër struktura të mbipopulluara në kushte bashkëjetese me të tjerë në një vend të ngushtë, madje papastërtie ose dhune.
ii. Situata individuale e paditësve
116. Lidhur me situatën individuale të paditësve, Gjykata shënon se, sipas konstatimeve të policisë italiane dhe skedave përshkruese që ndodhen bashkëngjitur me vërejtjet e Qeverisë italiane, çifti bashkë me pesë fëmijët e tij të parë kanë zbarkuar në brigjet e Kalabrisë më 16 korrik 2011 dhe janë bërë menjëherë objekt i një procedure identifikimi, pasi kishin dhënë identitete të rreme. Po atë ditë, paditësit janë vendosur në një strukturë pritëse të vënë në dispozicion nga komuna e Stinjanos, ku ata kanë qëndruar deri më 26 korrik 2011, datë në të cilën, sapo u përcaktua identiteti i tyre i vërtetë, janë transferuar në CARA-n e Barit. Më 28 korrik 2011, ata janë larguar nga kjo qendër, pa leje, në një drejtim të panjohur.
117. Gjithashtu, ashtu sikurse situata e përgjithshme e azilkërkuesve në Itali nuk ka krahasim me atë të azilkërkuesve në Greqi, siç është analizuar kjo e fundit në vendimin M.S.S. (paragrafi 114 i mësipërm), situata e veçantë e paditësve në çështjen e tanishme është e ndryshme nga ajo e paditësit në çështjen M.S.S.: ndërsa të parët janë marrë menjëherë në ngarkim nga autoritetet italiane, i dyti ishte vendosur fillimisht në ndalim e pastaj ishte braktisur në fatin e tij, pa asnjë mjet jetese.
118. Gjykata rikujton se, për t’iu nënshtruar ndalimit që përmban neni 3, trajtimi duhet të paraqesë një minimum serioziteti. Vlerësimi i këtij minimumi është relativ; ai varet nga tërësia e të dhënave të çështjes, sidomos nga kohëzgjatja e trajtimit e nga pasojat e tij fizike dhe mendore si edhe, ndonjëherë, nga gjinia, nga mosha e nga gjendja shëndetësore e viktimës (paragrafi 94 i mësipërm). Ajo rikujton gjithashtu se, si kategori popullsie “veçanërisht e pafavorizuar dhe e brishtë”, azilkërkuesit kanë nevojë për një “mbrojtje të posaçme” në vështrim të kësaj dispozite (M.S.S., i cituar më lart, § 251).
119. Kjo kërkesë “mbrojtjeje të posaçme” për azilkërkuesit është edhe më e rëndësishme kur personat në fjalë janë fëmijë, duke pasur parasysh nevojat e tyre të veçanta dhe brishtësinë e tyre të skajshme. Kjo vlen edhe kur, ashtu si në rastin e çështjes në fjalë, fëmijët azilkërkues janë të shoqëruar me prindërit e tyre (Popov, i cituar më lart, § 91). Kushtet e pritjes së fëmijëve azilkërkues duhet për rrjedhojë t’i përshtaten moshës së tyre, në mënyrë që ato të mos mundin “të krijojnë për ta një gjendje stresi e ankthi dhe të kenë pasoja veçanërisht tronditëse mbi psikikën e tyre” (shih, mutatis mutandis, Popov, të cituar më lart, § 102), përndryshe ato do ta mbërrinin atë prag serioziteti që kërkohet për t’iu nënshtruar ndalimit të parashikuar në nenin 3 të Konventës.
120. Në çështjen në fjalë, siç e ka vënë re më lart Gjykata (paragrafi 115 i mësipërm), duke pasur parasysh situatën e tanishme të sistemit të pritjes në Itali, dhe ndonëse kjo situatë nuk mund të krahasohet me atë të Greqisë, të cilën Gjykata e ka shqyrtuar në kuadrin e çështjes M.S.S., hipoteza që një numër domethënës azilkërkuesish të kthyer drejt këtij vendi të jenë të pastrehë ose të strehuar nëpër struktura të mbipopulluara në kushte bashkëjetese me të tjerë në një vend të ngushtë, madje papastërtie ose dhune, nuk është e pabazë. Prandaj, u takon autoriteteve zvicerane që të sigurohen, pranë homologeve të tyre italiane, se në momentin e mbërritjes së tyre në Itali paditësit do të priten në struktura e në kushte që i përshtaten moshës së fëmijëve, dhe se do të ruhet uniteti i qelizës familjare.
121. Gjykata shënon se, sipas Qeverisë italiane, familjet me fëmijë konsiderohen si një kategori veçanërisht e brishtë dhe merren normalisht në ngarkim brenda rrjetit SPRAR. Ky sistem u garanton atyre strehimin, ushqimin, ndihmën mjekësore, kurse për italisht, orientimin drejt shërbimeve sociale, këshilla juridike, kurse për përgatitje profesionale, trajnime dhe një ndihmë në kërkimin e një banese autonome (paragrafi 86 i mësipërm). Ndërkohë, në vërejtjet e saj me shkrim e me gojë, Qeveria italiane nuk ka dhënë më shumë saktësime rreth kushteve specifike të marrjes në ngarkim të paditësve.
Është e vërtetë se në seancën e datës 12 shkurt 2014 Qeveria zvicerane ka vënë në dukje se autoritetet italiane e kishin njoftuar ODM-në se, në rast kthimi drejt Italisë, paditësit do të strehoheshin në Bolonjë, në njërën nga strukturat e financuara nga FER-i (paragrafi 75 i mësipërm). Megjithatë, në mungesë të informacioneve të hollësishme e të besueshme për sa u përket strukturës së saktë të mbërritjes, kushteve materiale të strehimit dhe ruajtjes së unitetit familjar, Gjykata është e mendimit se autoritetet zvicerane nuk kanë elemente të mjaftueshme për t’u siguruar se, në rast kthimi drejt Italisë, paditësit do të merreshin në ngarkim në një mënyrë të përshtatshme për moshën e fëmijëve.
122. Për rrjedhojë, në qoftë se paditësit duhej të ktheheshin në Itali pa iu marrë paraprakisht autoriteteve italiane nga ana e autoriteteve zvicerane një garanci individuale lidhur me, në njërën anë, një marrje në ngarkim të përshtatur sipas moshës së fëmijëve dhe, në anën tjetër, ruajtjen e unitetit familjar, atëherë do të kishte shkelje të nenit 3 të Konventës.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
(...)
2. Thotë, me katërmbëdhjetë vota në favor dhe tri kundër, se do të kishte shkelje të nenit 3 të Konventës në qoftë se paditësit duhej të ktheheshin në Itali pa iu marrë paraprakisht autoriteteve italiane nga ana e autoriteteve zvicerane një garanci individuale lidhur me, në njërën anë, një marrje në ngarkim të përshtatur sipas moshës së fëmijëve dhe, në anën tjetër, ruajtjen e unitetit familjar;
(...)
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 4 nëntor 2014, në zbatim të nenit 77 §§ 2 e 3 të Rregullores së Gjykatës.
Lawrence EarlyDean Spielmann
Këshilltar juridikKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimit më vete të gjyqtarëve Casadevall, Berro-Lefèvre dhe Jäderblom.
D.S.
T.L.E.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy