© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 179
Nëntor 2014
Tarakhel k. Zvicës [DhM] - 29217/12
Vendim 4.11.2014 [DhM]
Neni 3
Dëbim
Kanosje për dëbim të një familjeje afgane azilkërkuese drejt Italisë në bazë të Rregullores Dublin II: dëbimi do të përbënte shkelje
Faktet – Paditësit janë bashkëshortët dhe gjashtë fëmijët e tyre të mitur, shtetas afganë me qëndrim në Zvicër. Çifti dhe pesë fëmijët e tij të parë zbarkuan në brigjet italiane në korrik 2011 dhe iu nënshtruan menjëherë procedurës së identifikimit EURODAC, marrjes së fotografive dhe të gjurmëve të gishtërinjve. Pastaj paditësit shkuan në Austri e, më vonë, në Zvicër, ku kërkuan azil. Por kërkesa e tyre u rrëzua me arsyetimin se, në bazë të Rregullores së Bashkimit Evropian Dublin II, kërkesa për azil duhej t’u drejtohej autoriteteve italiane. Autoritetet zvicerane urdhëruan kështu kthimin e tyre në Itali. Ankimet e paditësve kundër kësaj mase u rrëzuan. Në kërkesëpadinë e tyre pranë Gjykatës Evropiane, paditësit çmojnë se kthimi i tyre nga Zvicra drejt Italisë do të ishte në kundërshtim me të drejtat e tyre që rrjedhin nga neni 3 i Konventës.
Ligji – Neni 3: Në rastin e kësaj çështjeje, Gjykata duhet të kërkojë të shohë nëse, duke pasur parasysh situatën e përgjithshme të mekanizmit të pritjes së azilkërkuesve në Itali dhe situatën e veçantë të paditësve, ka arsye serioze dhe të vërtetuara për të besuar se, në rast kthimi drejt Italisë, paditësit do të rrezikonin të pësojnë trajtime në kundërshtim me nenin 3. Gjykata çmon se duhet të ndjekë një qasje të ngjashme me atë që ajo kishte zgjedhur në vendimin M.S.S. k. Belgjikës e Greqisë, ku ajo e kishte shqyrtuar situatën individuale të paditësit në dritën e situatës së përgjithshme që ekzistonte në Greqi në kohën e ngjarjeve.
a) Lidhur me situatën e përgjithshme të sistemit të pritjes së azilkërkuesve në Itali – Në vendimin e saj në çështjen Mohammed Hussein me të tjerë k. Vendeve të Ulëta e Italisë, Gjykata ka venë në dukje se Rekomandimet e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe Raporti i Komisarit për të Drejtat e Njeriut, të botuar më 2012, bënin fjalë për një numër të caktuar mangësish lidhur veçanërisht me ngadalësitë e procedurës së identifikimit, me kapacitetet e ulëta të strukturave pritëse dhe me kushtet e jetesës që mbizotëruakan nëpër strukturat e disponueshme.
b) Lidhur me kapacitetet strehuese të strukturave pritëse për azilkërkues – Numri i vendeve qenka qartësisht më i vogël sesa nevojat. Kështu, pa i hyrë debatit rreth saktësisë së të dhënave të disponueshme në shifra, Gjykata vëren shpërpjesëtimin flagrant midis numrit të kërkesave për azil të paraqitura gjashtë muajt e parë të vitit 2013 (14 184) dhe numrit të vendeve të disponueshme në strukturat pritëse të rrjetit për pritjen e refugjatëve SPRAR (9 630 vende).
c) Lidhur me kushtet e jetesës në strukturat e disponueshme – Ndonëse duke vënë re njëfarë përkeqësimi të kushteve të pritjes si edhe një problem mbipopullimi në qendrat e pritjes së azilkërkuesve (CARA), UNHCR-ja nuk bën fjalë për situata të përhapura dhune ose papastërtie, duke përshëndetur madje edhe përpjekjet e bëra nga autoritetet italiane me qëllim për të përmirësuar cilësinë e pritjes së azilkërkuesve. Për sa i përket Komisarit për të Drejtat e Njeriut, në Raportin e tij për vitin 2012, edhe ai e vë re ekzistencën e disa problemeve në “disa qendra pritjeje”. Së fundi, gjatë seancës së datës 12 shkurt 2014 Qeveria italiane, nga njëra anë, ka pohuar se disa episode dhune kishin ndodhur në CARA pak përpara mbërritjes së paditësve dhe, nga ana tjetër, ka mohuar që familje azilkërkuesish të jenë ndarë sistematikisht, me përjashtim të disa rasteve e për periudha shumë të shkurtra, sidomos gjatë ditëve të para të marrjes në ngarkim dhe të identifikimit.
Kështu, situata e tanishme e Italisë nuk ka aspak sesi të krahasohet me situatën e Greqisë në kohën e vendimit M.S.S., të cituar më lart, ku Gjykata kishte vënë re në veçanti se qendrat e pritjes kishin më pak se 1 000 vende, përballë dhjetëra mijëra azilkërkuesish, dhe se kushtet e skamjes më të plotë të përshkruara nga paditësi ishin një dukuri në shkallë të gjerë.
Pra, ndonëse struktura dhe situata e përgjithshme e mekanizmit të pritjes në Itali nuk mund të përbëjnë në vetvete një pengesë për çdolloj kthimi azilkërkuesish drejt këtij vendi, të dhënat dhe informacionet e parashtruara këtu më sipër ngjallin megjithatë dyshime serioze për sa u përket kapaciteteve të tanishme të sistemit. Nga kjo rezulton se nuk ka sesi të mënjanohet si e pabazë hipoteza e një numri domethënës azilkërkuesish të pastrehë ose të strehuar nëpër struktura të mbipopulluara në kushte bashkëjetese me të tjerë në një vend të ngushtë, madje papastërtie ose dhune.
d) Lidhur me situatën individuale të paditësve – Ashtu sikurse situata e përgjithshme e azilkërkuesve në Itali nuk ka krahasim me atë të azilkërkuesve në Greqi, siç është analizuar kjo e fundit në vendimin M.S.S., situata e veçantë e paditësve në këtë çështjen e tanishme është e ndryshme nga ajo e paditësit në atë çështje: ndërsa të parët janë marrë menjëherë në ngarkim nga autoritetet italiane, i dyti ishte vendosur fillimisht në ndalim e pastaj ishte braktisur në fatin e tij, pa asnjë mjet jetese.
Në çështjen në fjalë, duke pasur parasysh situatën e tanishme të sistemit të pritjes në Itali, hipoteza që një numër domethënës azilkërkuesish të kthyer drejt këtij vendi të jenë të pastrehë ose të strehuar nëpër struktura të mbipopulluara, në kushte bashkëjetese me të tjerë në një vend të ngushtë, madje papastërtie ose dhune, nuk është e pabazë. Prandaj, u takon autoriteteve zvicerane që të sigurohen, pranë homologeve të tyre italiane, se në momentin e mbërritjes së tyre në Itali paditësit do të priten në struktura e në kushte që i përshtaten moshës së fëmijëve, dhe se do të ruhet uniteti i qelizës familjare
Sipas Qeverisë italiane, familjet me fëmijë konsiderohen si një kategori veçanërisht e brishtë dhe merren normalisht në ngarkim brenda rrjetit SPRAR. Ky sistem u garantuaka atyre strehimin, ushqimin, ndihmën mjekësore, kurse për italisht, orientimin drejt shërbimeve sociale, këshilla juridike, kurse për përgatitje profesionale, trajnime dhe një ndihmë në kërkimin e një banese autonome. Ndërkohë, në vërejtjet e saj me shkrim e me gojë, Qeveria italiane nuk ka dhënë më shumë saktësime rreth kushteve specifike të marrjes në ngarkim të paditësve.
Është e vërtetë se në seancën e datës 12 shkurt 2014 Qeveria zvicerane ka vënë në dukje se autoritetet italiane e kishin njoftuar Zyrën Federale të Migrimeve (ODM) se, në rast kthimi drejt Italisë, paditësit do të strehoheshin në njërën nga strukturat e financuara nga Fondi Evropian për Refugjatët (FER). Megjithatë, në mungesë të informacioneve të hollësishme e të besueshme për sa u përket strukturës së saktë të mbërritjes, kushteve materiale të strehimit dhe ruajtjes së unitetit familjar, autoritetet zvicerane nuk kanë elemente të mjaftueshme për t’u siguruar se, në rast kthimi drejt Italisë, paditësit do të merreshin në ngarkim në një mënyrë të përshtatshme për moshën e fëmijëve.
Për rrjedhojë, në qoftë se paditësit duhej të ktheheshin në Itali pa iu marrë paraprakisht autoriteteve italiane nga ana e autoriteteve zvicerane një garanci individuale lidhur me, në njërën anë, një marrje në ngarkim të përshtatur sipas moshës së fëmijëve dhe, në anën tjetër, ruajtjen e unitetit familjar, atëherë do të kishte shkelje të nenit 3 të Konventës.
Përfundimi: dëbimi do të përbënte shkelje (katërmbëdhjetë vota në favor dhe tri kundër).
Neni 41: konstatimi se dëbimi do të përbënte shkelje është i mjaftueshëm në vetvete për dëmin moral.
(Shih M.S.S. k. Belgjikës e Greqisë [DhM], 30696/09, 21 janar 2011, Shënimi informativ 137, dhe Mohammed Hussein me të tjerë k. Vendeve të Ulëta e Italisë (vend. pran.), 27725/10, 2 prill 2013, Shënimi informativ 162; shih gjithashtu skedën tematike rreth çështjeve “Dublin”)
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy