© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA TARANTINO DHE TË TJERËT KUNDËR ITALISË.
(kërkesë nos 25851/09, 29284/09 et 64090/09)
VENDIMI
[Ekstrate]
STRASBURG
20 qershor 2013
Ky vendim do të bëhet përfundimtar në kushtet e përcaktuara nga neni 44 § 2 të Konventës. Ai mund të pësojë përmirësime vetëm në formë.
Në çështjen Tarantino dhe të tjerë kundër Italisë,
Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut ( seksioni i dytë), që u mblodh, në një dhomë të përbërë nga :
Danutė Jočienė, kryetare,
Guido Raimondi,
Peer Lorenzen,
Dragoljub Popović,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Paulo Pinto de Albuquerque, gjyqtarë,
dhe Françoise Elens-Passos, ndihmës sekretar i seksionit,
Pasi ka diskutuar në dhomën e këshillit në 5 mars 2013;
Jep vendimin e mëposhtëm të miratuar në këtë datë :
PROCEDURA
1. Çështja nis me tri kërkesa (nos 25851/09, 29284/09 et 64090/09) të drejtuara kundër Republikës italiane nga tetë shtetas të këtij shteti, Znj. Claudia Tarantino, Z. Giuseppe Reitano, Znj. Laura Aziz dhe zotërinjtë, Maurizio Brancadori, Massimo Crosia, Massimo Filetti, Pasqualino La Mela dhe Carmelo Marcuzzo (« kërkuesit »), të cilët i janë drejtuar Gjykatës në 18 maj, 2 nëntor dhe16 nëntor 2009 sipas nenit 34 të Konventës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore (Konventa).
2. Kërkuesit janë përfaqësuar nga Av. G.Lipari, avokat në Misilmeri. Qeveria italiane (« Qeveria ») është përfaqësuar nga bashkagjentja e tij, Znj. P. Accardo.
3. Kërkuesit e konsiderojnë veten viktima të shkeljes së të drejtës për arsimim të garantuar nga neni 2 i Protokollit no 1 të Konventës. Ata pretendojnë veçanërisht se qëllimet e ndjekura nga ligji no 127/1997 që lidhen me numerus clausus nuk ishin të ligjshme dhe se masa në fjalë nuk është në përpjestim me këto qëllime.
4. Në 21 qershor 2011, kërkesat u bashkuan dhe iu përcollën Qeverisë. Përveç kësaj u vendos që dhoma të shprehej në të njëjtën kohë mbi pranueshmërinë dhe mbi themelin e çështjes (article 29 § 1).
PËRSHKRIMI I FAKTIT
I. RRETHANAT E RASTIT
5. Të dhënat e kërkuesve figurojnë në tabelën shtesë të vendimit.
A. Origjina e çështjes
1. Kërkuesja e parë, Znj. Tarantino
6. Në 4 shtator, 2 000 studentë, ndër të cilët Znj Tarantino, u paraqitën në konkursin për të hyrë në Fakultetin e mjekësisë në Palermo, për 210 vende të lira. Znj. Tarantino nuk e fitoi këtë konkurs, ashtu sikundër edhe në vitin 2008 dhe 2009. Në 14 dhjetor 2007, Znj. Tarantino dhe studentë të tjerë i drejtuan Presidentit të Republikës një ankesë në të cilën, duke kritikuar veçanërisht dy kriteret shtrënguese të përdorura nga ministria për të caktuara numrin e studentëve që do të pranoheshin të studionin në Fakultetin e mjekësisë të çdo universiteti (paragrafi 17 më poshtë), pretendonin se ligji no 264/1999 s’ishte në pajtueshmëri me nenin 3 § 2 c) dhe g) të Traktatit themelues të Bashkësisë Ekonomike Evropiane, me direktivën 2005/36/CE që lidhet me njohjen e kualifikimeve profesionale, me nenin 15 të Kartës së të drejtave themelore të Bashkimit Evropian, me parimin e barazisë dhe me nenin 6 § 2 të Traktatit mbi Bashkimin Evropian, me parimin e barazisë dhe me nenin 2 të Protokollit no 1 të Konventës. Kërkuesja e parë kundërshton, nga njëra anë, vendimin e shtetit për të imponuar të njëjtat kufizime për universitetet private, dhe nga ana tjetër rëndësinë e konkursve të pranimit. Ajo kërkonte përveç kësaj të pranohej përkohësisht dhe me kusht në universitet.
8. Me një dekret të 2 korrikut 2008, Këshilli i Shtetit (Consiglio di Stato) e rrëzoi kërkesën për masë të përkohshme të bërë nga kërkuesja e parë.
9. Në 23 shtator 2008, kërkuesja e parë paraqiti vërejtje shtesë dhe përsëriti kërkesën për të marrë një vendim paraprak të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkësive Evropiane (« GjDBE »). Këto vërejtje iu përcollën Këshllit të Shtetit në tetor 2008.
10. Me një dekret (no 2256) të 28 prill 2009, i miratuar në bazë të një opinioni këshillimor të lëshuar nga Këshilli i Shtetit në 12 nëntor 2008 dhe i njoftuar kërkueses të parë në 14 maj 2009, Presidenti i Republikës i hodhi poshtë ankesat e studentëve. Ai saktësonte se duke mbajtur parasysh burimet njerëzore dhe materiale të universiteteve, kufizimet e kontestuara për hyrjen në fakultet, sipas të cilave ishin pranuar vetëm studentët që e meritonin, ishin të arsyeshme dhe për rrjedhojë, në pajtueshmëri me dispozitat e cituara të së drejtës së Bashkimit Evropian (« BE »). Përveç kësaj ai nënvizonte se për shkak të rritjes së nevojave të shoqërisë për mjekë të specializuar, pranimet në fakultetet e mjekësisë në vitin 2008-2009 ishin rritur në nivelin 10 deri në 20%. Ai vinte në dukje se pas marrjes së diplomës, provimi profesional nuk ishte një titull akademik në vetvete por një provim shteti i ngjashëm me ato të organizuar në shumicën e shteteve. Më në fund, ai e hidhte poshtë pretendimin sipas të cilit përmbajtja e testeve ishte e papërshtatshme
2. Shtatë kërkuesit e tjerë
11. Shtatë kërkuesit e tjerë ushtronin qysh prej shumë vitesh profesionin e laborantëve dentarë apo ndihmës stomatologëve.
12. Në 4 shtator 2009, pavarësisht përvojës profesionale përkatëse, të gjithë u rrëzuan në konkursin e pranimit në fakultetin e stomatologjisë (mjekësisë dentare). Edhe përpjekjet e tyre të mëpasshme ishin të pasuksesshme.
13. M. Marcuzzo (« kërkuesi i tetë ») megjithatë e fitoi konkursin e pranimit për vitin universitar 1999/2000. Megjithatë, meqë nuk kishte mundur të jepte provime për tetë vjet rresht, për arsye të rënda familjare, ai e kishte humbur statusin e studentit në korrik 2009, sipas rregullores së Universitetit dhe nenit 149 të Dekretit mbretëror no 1592/1933.
14. Këta shtatë kërkues pranojnë se ata nuk i kanë përdorur rrugët e brendshme të ankimit, duke shpjeguar se i konsiderojnë si joefikase, sepse sipas jurisprudencës tashmë të konsoliduar të Këshillit të Evropës, vendosja e kufizimeve për pranimet në universitet është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me të drejtën e BE (shih, ndër të tjera, opinionin këshillimor të sipërpërmendur të 12 nëntorit 2008). Kërkuesi i tetë shton se Këshilli i Shtetit ka thënë gjithmonë se arsyet subjektive si problemet familjare (siç është ky rast) nuk mund ta justifikonin që të bëhej një përjashtim nga rregulli i vazhdimësisë së studimeve dhe se, për rrjedhojë ai nuk mund ta fitonte këtë çështje para gjykatës së lartë.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME PËRKATËSE.
A. Ligji no 127/1997
15. Ligji no 127/1997, i cili modifikon nenin 9 § 4 të lgjit no 341/1990, ka futur numerus clausus (kufizimin e numrit të vendeve) në universitetet italiane publike dhe private. Në nenin 17 § 116, ligji thotë se është detyrë e Ministrisë së Universiteteve dhe të Kërkimit shkencor dhe teknologjik të caktojë numerus clausus. Megjithatë, ai nuk vë kritere të qarta sipas të cilave të përcaktohen fakultetet që duhet të jenë objekt i këtyre kufizimeve, numri i vendeve të lira dhe procedura e përzgjedhjes. .
16. Në 27 nëntor 1998 (vendimi no 383/1998), Gjykata kushtetuese, të cilës iu adresua një kërkesë shqyrtimi për kushtetutshmërinë e nenit 17 § 116 të ligjit no 127/1997, dha një vendim në të cilin konfirmonte kushtetutshmërinë e këtij ligji. Ajo gjykoi se liria që gëzonte Ministria e universiteteve dhe Kërkimit nuk ishte e pakufizuar meqë ajo duhej të vepronte në pajtueshmëri me kuadrin juridik të vendosur tashmë. Në këtë drejtim, ajo nënvizoi se, nëse nuk kishte tekste kombëtare mbi këtë çështje, ministria duhej sidoqoftë të respektonte direktivat evropiane përkatëse, të cilat synonin të siguronin një nivel adekuat të arsimit në BE. Së fundi, ajo çmoi se i përket Parlamentit të shprehet mbi këtë çështje.
17. Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ligji no 264/1999 u miratua. Ky ligj parashikonte se ministria e Universiteteve dhe Kërkimit do të caktonte kuotat e pranimit në fakultetin e mjekësisë, të mjekësisë veterinare, të stomatologjisë, arkitekturës dhe të shkencave infermierike duke u nisur nga dy kritere shtrënguese : kapacitet pritëse dhe burimet e universiteteve nga njëra anë, dhe nevojat e shoqërisë për çdo profesion (fabbisogno di professionalità del sistema sociale e produttivo) nga ana tjetër. Duke u nisur nga këto kritere, ministria do të duhej të caktonte numrin e vendeve të hapura në çdo fakultet të interesuar.
18. Në 21 prill 2009, autoriteti i konkurrencës dhe tregut (Autorità Garante della Concorrenza e del Mercato, që do ta quajmë « autoriteti i konkurrencës ») nxori një rekomandim që lidhej me kriteret e pranimit në fakultetin e stomatologjisë. Ai vuri në dukje se: a) në praktikë, dy kriteret e parashikuara nga ligji ishin zbatuar në bazë të vërejtjeve të ministrisë së Universiteteve dhe të Kërkimit dhe të Ministrisë së Shëndetit, dhe b) të gjitha të dhënat e mbledhura ishin shqyrtuar nga një panel ekspertësh të përbërë veçcanërisht nga mjekë të Urdhërit të mjekëve dhe të dentistëve.
19. Autoriteti i konkurrencës ishte i mendimit se qeveria italiane nuk e respektonte vendimin no 383/1998 të Gjykatës Kushtetuese (paragrafi 16 më lart) as të drejtën e BE sepse, ndërkohë që ministritë duhej juridikisht të mbanin parasysh si normat pedagogjike ashtu edhe nevojën për profesionistë të shëndetit, ato vendosnin shifrat vetëm mbi bazën e nevojës për profesionistë të shëndetit në sektorin publik kombëtar. Ai çmonte se, kufizimi për pranimet në fakultetin e stomatologjisë përbënte një kufizim të paarsyeshëm të konkurrencës në profesionet liberale sepse, duke marrë parasysh vetëm nevojat e shërbimeve publike të shëndetsisë dhe jo ato të shërbimeve private, ulej artificialisht numri i dentistëve të nevojshëm, kështu që shpenzimet dentare rriteshin në mënyrë të pajustifikuar. Përveç kësaj, autoriteti i konkurrenës ishte i shqetësuar për faktin se në panelin e ekspertëve merrnin pjesë shoqata profesionale, kështu që vendimi i tyre rrezikonte të ishte i ndikuar fort nga interesat e tyre personale.
20. Për t’u pranuar, kandidatët në konkursin e pranimit duhej t’i përgjigjeshin mirë një pyetësori me alternativa që përmbante 80 pyetje të kulturës së përgjithshme (përfshi këtu pyetje mbi historinë, dhe gjeografinë botërore), mbi biologjinë, kiminë matematikën dhe fizikën. Provimi, i cili mbështetej mbi programin e shkollës së mesme, synonte të testonte aftësitë e kandidatëve për të studiuar lëndët e fakultetit që do të zgjidhnin.
B. Jurisprudenca
21. Gjykatat e brendshme kompetente kanë gjykuar disa herë se numerus clausus dhe mënyra se si është zbatuar në kuadrin juridik italian ishin në pajtueshmëri si me Kushtetutën ashtu edhe me të drejtëne e BE-s. Ndërmjet shembujve të vendimeve në këtë drejtim, mund të përmendim vendimet nos 1931 i 29 prillit 2008, 5418 i 24 qershorit 2008 dhe 5542 i 6 qershorit 2008 të Këshillit të Shtetit, vendimi no 197 i 12 shkurtit 2007 i gjykatës administrative të Firences, vendimi no 4559 i 2008 i gjykatës administrative të Napolit, vendimi no 1931 i 17 prillit 2008 i gjykatës administrative të Firences, vendimi no 145 i 11 qershorit 2008 i gjykatës administrative të Trentos dhe vendimi no 1631 i prillit 2010 i Këshillit të Shtetit.
Në veçanti, në përgjigje të argumentit se kriteri lidhur me nevojën e shoqërisë për një profesion të veçantë nuk duhet kufizuar në territorin kombëtar, duke përjashtuar nevojat aktuale dhe të ngutshme të Bashkësisë Evropiane si një e tërë, Këshilli i Shtetit ka thënë se, në vendimin e vet no 1931 të 29 prillit 2008, ishte e qartë se kriteri kryesor dhe përcaktues ishte ai që kishte të bënte me kapacitetet pritëse dhe burimet e universiteteve dhe synonte të mundësonte një formim të mirë shkencor siç e kërkon legjislacioni evropian, dhe se ashtu si e kishte thënë, më parë Gjykata kushtetuese (vendimi no 393 de 1998), e drejta për të pasur akses në arsimin e lartë, madje edhe për studentët më të mirë, varej nga mundësia e mjeteve teknike dhe e burimeve njerëzore, veçanërisht në fushën e studimeve shkencore, që ishin njëkohësisht teorike dhe praktike. Ai vëren se e drejta e BE-s nuk e ndalonte numerus clausus dhe se direktivat evropiane parashikonin njohjen e titujve dhe të diplomave në bazë të normave minimale të studimit dhe të garancive për fitimin real të dijeve të domosdoshme për të ushtruar një profesion, por i linin çdo shtetit kujdesin për të përcaktuar instrumentet, mjetet dhe metodat që duhen përdorur për të respektuar detyrimet që ato caktojnë. Ai ka çmuar se kriteri lidhur me nevojën e shoqërisë për një profesion të veçantë ishte më pak i rëndësishëm se ai që kishte të bënte me kapacitetet dhe burimet dhe madje ishte një kriter dytësor që hynte në lojë vetëm në rastin gati të pamundur kur mundësia do të ishte aq e madhe saqë do të ishte e nevojshme të kufizohej aksesi në profesion me qëllim që shmagej tejngopja e tregut. Ai vëren se rekomandimi për kufizim të numrit të studentëve të regjistruar që kishte nxjerrë Ministria e Shëndetësisë (rekomandim që përbënte bazën e vendimit që lidhej me numrin e vendeve të lira për vitet 2006-2007), duhej parë si një kufizim sasior i miratuar jo në bazë të nevojave të shoqërisë por nga shqetësimi që studimet e specializuara t’u përgjigjen normave evropiane. Duke marrë parasysh se, nga njëra anë, nuk ishte provuar se ky kriter luante një rol në caktimin e numrit të kandidatëve që do të regjistroheshin çdo vit dhe nga ana tjetër, se e drejta e BE-s nuk parashikonte një akses të pakufizuar dhe të pakushtëzuar në arsimin e lartë, ai vlerësoi se nuk ishte e domosdoshme të paraqitej çështja në Gjykatën e drejtësisë së bashkësive evropiane (GjDBE).
22. Sipas vendimit no 1855 të 2005-ës të Këshillit të Evropës, kufiri prej tetë vjetësh i parashikuar nga dekreti no 1592 de 1933 nuk është një periudhë parashkrimi që mund të ndërpritet, por afati maksimal në përfundim të të cilit e drejta (për të ndjekur mësimin) shuhet.
C. E drejta përkatëse e Bashkimit Evropian
23. Neni 39 (neni i mëparshëm 48) i Titullit III të Traktatit themelues të Bashkësisë evropiane ka të bëjë me qarkullimin e lirë të njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve. Ai është formuluar kështu :
« 1. Qarkullimi i lirë i punonjësve është siguruar brenda Bashkësisë.
2. Ai nënkupton heqjen e çdo diskriminimi, të bazuar mbi kombësinë, midis punonjësve të shteteve anëtare, për sa i përket punësimit, pagesës dhe kushteve të tjera të punës.
3. Ai përmban të drejtën, me përjashtim të kufizimeve të justifikuara për arsye të rendit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit publik :
a) për t’iu përgjigjur punësimeve efektivisht të ofruara;
b) për t’u zhvendosur për këtë qëllim lirisht në territorin e shteteve anëtare ;
c) për të qëndruar në një nga shtetet anëtare me qëllim punësimi në pajtueshmëri me dispozitat legjislative, rregulloret dhe dispozitat administrative që rregullojnë punësimin e punonjësve kombëtarë;
d) për të qëndruar, në kushte që do të ishin objekt i rregulloreve zbatuese të vendosura nga Komisioni, në territorin e një shteti anëtar, pasi të kesh zënë një punë aty.
4. Dispozitat e këtij artikulli nuk janë të zbatueshme për punësimet në administratën publike ».
24. Tekstet e tjera të rëndësishme të Bashkimit Evropian përmbajnë : direktivën 86/457/CEE të Këshillit të 15 shtatorit 1986 që lidhet me një formim specifik në mjekësinë e përgjithshme, direktivën 93/16/CEE të Këshillit të 5 prillit 1993 që synon të lehtësojë qarkullimin e lirë të mjekëve dhe njohjen reciproke të diplomve, certifikatave dhe titujt të tjerë dhe direktivën 2005/36/CE të Këshillit të 7 shtatorit 2005 që lidhet me njohjen e kualifikimeve profesionale.
PËRSHKRIMI I TË DREJTËS.MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 2 TË PROTOKOLLIT No 1 NË KONVENTË.25. Kërkuesit e konsiderojnë veten viktima të shkeljes së të drejtës për arsim të garantuar nga neni 2 i Protokollit no 1 të Konventës që është formuluar kështu :
« Askujt nuk mund t’i refuzohet e drejta për arsim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve që do të përmbushë në fushën e edukimit dhe arsimit, do të respektojë të drejtën e prindërve për ta siguruar këtë edukim e arsimim në pajtueshmëri me bindjet e tyre fetare dhe filozofike. »
26. Qeveria e kundërshton këtë tezë.
(...)
B. Mbi themelin
1. Pretendmet e palëve
a) Kërkuesit
35. Kërkuesit pretendojnë se kufizimi për t’u pranuar në degët që ata zgjedhin vetë, d.m.th. baza e zbatimit të numerus clausus, bie ndesh me Kushtetutën dhe të drejtën e BE-së.
36. Ata pretendojnë gjithashtu se objektivat që ndjek ligji nuk janë as legjitime as proporcionale. Në veçanti, ata pranojnë se është e domosdoshme të garantohet një nivel i përshtatshëm kompetence i profesionistëve të ardhshëm, por nuk i pranojnë dy kriteret e vendosura nga ligji no 264/1999 dhe as zbatueshmërinë e tyre si në universitete private ashtu dhe në universitete publike. Përveç kësaj, ata mendojnë se nevojat e shoqërisë nuk mund të vlerësohen vetëm në bazë të sektorit publik, po të mbahet parasysh, në veçanti, fakti se shumica e praktikantëve, sidomos te dentistët, punojnë në sektorin privat. Për më tepër, autoritetet i vlerësojnë këto nevoja vetëm mbi bazë lokale, pa marrë parasysh faktin se personat që studiojnë në Itali mund të dëshirojnë ta ushtrojnë profesionin në një vend tjetër.
37. Kërkuesit shpjegojnë se Ministria e Universiteteve dhe Kërkimit cakton numrin e vendeve në çdo universitet në bazë rajonale në varësi të nevojave lokale, por se kohët e fundit, institucionet italiane të arsimit mendojnë se kufizimi i pranimit në fakultete kishte krijuar një mungesë praktikantësh madje disa rrethe kishin konfirmuar se spitalet e tyre së shpejti nuk do të kishin më mjekë dhe dentistë. Duke u mbështetur në artikujt e shtypit, ata citojnë si shembull rajonin e Lombardisë i cili ka llogaritur se në 2015 do të humbë 40 % të praktikantëve aktualë (mjekë dhe dentistë) për shkak të daljes në pension. Rajoni i ka kërkuar Qeverisë të rrëzojë sistemin aktual të aksesit të kufizuar, por Ministria e Shëndetësisë mendonte se në Itali kishte tashmë më shumë mjekë se ç’duhen. Kërkuesit nga ana e tyre mendojnë se shkalla e mbingopjes së një sektori nuk është një arsye juridike që justifikon ndalimin e operatorëve që të hyjnë në treg. Ata besojnë se qëllimi i vërtetë i kufizimeve të vendosura aktualisht është të mbrojnë interesat e mjekëve dhe të dentistëve duke kufizuar konkurrencën në sektor, qëllim që do të ishte në kundërshtim me legjislacionin e BE-së. Veçanërisht, ata kundërshtojnë zbatimin e këtyre kufizimeve në universitetet private, dhe pohojnë se pa këtë gjë, këto universitete mund t’i kishin rritur kapacitetet e tyre të pranimit pa i imponuar një barrë financiare shtesë shtetit. Pra, sistemi aktual i pengon kërkuesit të ndjekin studimet në degët që dëshirojnë, jo vetëm në një universitet publik, por gjithashtu në një universitet privaet, kundrejt pagese. Kështu ai do t’i impononte të drejtës për arsim një kufizim që nuk do të mbështetej në asnjë arsye të vlefshme. Në këtë drejtim, kërkuesit nënvizojnë se në Çështjen gjuhësore belge, Gjykata ka vendosur se masa e kontestuar ishte proporcionale po të mbahet parasysh fakti se ajo nuk i pengonte kërkuesit e kësaj çështjeje të regjistroheshin (me shpenzimet e tyre) në shkolla frankofone private dhe fetare.
38. Kërkuesit pretendojnë se Gjykata në këtë rast duhet të përcaktojë pajtueshmërinë me Konventën të masës së kontestuar dhe jo të fakteve të çështjes ashtu si janë shqyrtuar nga gjykatat kombëtare. Ata mendojnë se kjo masë, d.m.th. kombinimi i provimit të pranimit me kufizimin e bazuar në « nevojën e shoqërisë për një profesion të veçantë » (dhe jo numerus clausus në vetvete), nuk është proporcional me qëllimet e ndjekura.
39. Ata shtojnë se ekzistenca e një provimi profesional të konceptuar për të vlerësuar karakterin adekuat të përgatitjes së mjekëve dhe të dentistëve në përfundim të studimeve të larta e bën të panevojshëm vendosjen e një kufizimi paraprak për hyrjen në universitet. Për më tepër, provimi i pranimit i cili konsiston në një test me alternativa, do të lejonte vetëm vlerësimin e nocioneve të sipërfaqshme dhe jo aftësitë reale të kandidatëve. Nga ana tjetër, ai do të ishte i pasigurt, jo adekuat dhe i dëmtuar nga raste të shumta të shkarjeve dhe gabimeve në formulimin e pyetjeve. Përveç kësaj, meqë shumica e kërkuesve i kanë marrë diplomat e tjera me vlerësime pozitive, rrëzimi i tyre në provimin e pranimit nuk mund t’i vishet përgatitjes jo të mirë por numrit të ulët të vendeve të lira. Kështu, në provimin e stomatologjisë të 2010-ës, ka pasur njëzet e gjashtë herë më shumë kandidatë se sa vende të lira.
b) Qeveria
40. Qeveria pretendon se në parim, kufizimi i studentëve të pranuar për të ndjekur studime universitare, nuk është në kundërshim me nenin 2 të Protokollit no 1, po të merren parasysh burimet në dispozicion dhe qëllimi për të arritur një nivel të lartë profesionalizmi, veçanërisht në profesione aq të rëndësishme si ato të fushës mjekësore. Kështu, zbatimi i numerus clausus nuk mund të bjerë ndesh me këtë dispozitë për sa kohë masa do të ishte e arsyeshme dhe në përputhje me interesin e përgjithshëm të shoqërisë. Shteti do të gëzonte në këtë fushë një hapësirë të gjerë vlerësimi.
41. Në këtë rast, atoritetet kanë vendosur për një proces përzgjedhjeje që mbështetet në një test aftësish që do të mundësonte një vlerësim objektiv në sajë të të cilit numri i kufizuar i vendeve të lira do t’u jepej kandidatëve më të mirë. Sa për rekomandimin e autoritetit të konkurrencës, ai nuk ka të bëjë me aspektet e përgjithshme që justifikojnë masën. Përveç kësaj, nuk i takon Gjykatës të shqyrtojë faktet që kanë çuar gjykatat e brendshme të marrin këtë vendim dhe jo një tjetër.
42. Së fundi, situata e kërkuesit të tetë ka të bëjë me rregulla të vendosura qysh më parë.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Parimet e përgjithshme
43. Gjykata kujton se garancitë e nenit 2 të Protokollit no 1 zbatohen për institucionet e arsimit të lartë që ndodhen në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe se e drejta për të hyrë në këto institucione përbën një element që lidhet ngushtë me të drejtën e përcaktuar në frazën e parë të kësaj dispozite (Leyla Şahin kundër Turqisë [GC], no 44774/98, §§ 134-42, GJEDNJ 2005-XI, dhe Mürsel Eren kundër Turqisë, no 60856/00, § 41, GJEDNJ 2006‑II).
44. Sado e rëndësishme të jetë, kjo e drejtë gjithsesi nuk është absolute ; ajo mund të japë shkas për kufizime të pranuara në mënyrë të nënkuptuar sepse « ajo kërkon për nga vetë natyra e saj një rregullim nga Shteti» (« Çështja që lidhet me disa aspekte të regjimit gjuhësor në arsimin në Belgjikë» (vendim për themelin), 23 korrik 1968, Seria A no 6)). Sigurisht, rregullat që qeverisin institucionet arsimore mund të ndryshojnë në kohë dhe në hapësirë në varësi të nevojave dhe të burimeve të komunitetit si dhe të veçorive të arsimit në nivele të ndryshme. Për rrjedhojë, autoritetet kombëtare gëzojnë në këtë fushë një farë lirie vlerësimi, por i përket Gjykatës të vendosë në instancë të fundit për respektimin e kërkesave të Konventës (Leyla Şahin [GÇ], i lartpërmendur, § 154, dhe Ali kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 40385/06, § 53, 11 janar 2011).
45. Për t’u siguruar që kufizimet e vëna në jetë nuk e cenojnë këtë të drejtë, deri në atë masë sa të prekin thelbin e vet dhe ta privojnë nga efektiviteti i saj, Gjykata duhet të verifikojë se ato janë të parashikueshme për palën ndërgjyqëse dhe ndjekin një qëllim legjitim. Sidoqoftë, ndryshe nga nenet 8 deri në 11 të Konventës, ajo nuk detyrohet nga një listë e shterueshme e « qëllimeve legjitime » në fushën e nenit 2 të Protokollit no 1. Përveç kësaj, një kufizim i tillë pajtohet me këtë nen vetëm nëse ekziston një raport i arsyeshëm proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit të ndjekur (Leyla Şahin [GC], I lartpërmendur, § 154).
46. Së fundi, neni 2 i Protokollit no 1 lejon në çdo rast të kufizohet hyrja në universitete vetëm për ata që kanë kërkuar sipas rregullave regjistrimin dhe kanë fituar provimin përkatës (Lukach kundër Rusisë (vend.), no 48041/99, 16 nëntor 1999).
b) Zbatimi i këtyre parimeve në këtë rast për sa u përket të gjithë kërkuesve.
47. Në këtë rast, Gjykata pranon se kufizimet e caktuara nga shteti italian, d.m.th. provimi i pranimit dhe zbatimi i një numerus clausus, ishin të parashikueshme, sipas ligjit no 127/1997 si dhe ligjit no 264/1999, i miratuar më pas, i cili solli saktësime sa i përket zbatimit të numerus clausus.
48. Gjykata mendon përveç kësaj se këto kufizime i përgjigjen qëllimit legjitim për sigurimin e një niveli të lartë kompetence profesionale të praktikantëve në mënyrë që arsimi universitar të realizohet në kushte të mira dhe të arrijë një nivel minimal të mjaftueshëm, qëllim që ka interes të përgjithshëm.
49. Sa i përket proporcionalitetit të kufizimeve, Gjykata nënvizon së pari, për sa i përket provimit të pranimit, se vlerësimi i kandidatëve me anë të testeve të përshtatshme që synojnë të zbulojnë studentët më të mirë është një masë në proporcion me qëllimin për të siguruar një nivel minimal të mjaftueshëm në universitete. Sa i përket përmbajtjes së testeve, ajo ka thënë tashmë, megjithëse në një kontekst të ndryshëm, në vendimin Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen kundër Danemarkës (7 dhjetor 1976, § 53, Seria A no 23), se përcaktimi dhe përshtatja e programit të studimeve, në parim, janë kompetencë e shteteve kontraktuese dhe se nuk i përket asaj të shprehet mbi këto çështje. Po kështu, ajo nuk është kompetente për të vlerësuar as përmbajtjen as përshtatshmërinë e testeve në fjalë.
50. Sa i përket numerus clausus, Gjykata nënvizon se kërkuesit ankohen në veçanti për bazën mbi të cilën ai është zbatuar, d.m.th. dy kriteret që kanë të bëjnë a) me kapacitetet pritëse dhe burimet e universiteteve, dhe
b) me nevojat e shoqërisë për një profesion të dhënë. Ajo mendon se duhet ruajtur një ekuilibër midis interesit individual të kërkuesve dhe atij të shoqërisë në tërësi, përfshi këtu interesin e studentëve të tjerë që ndjekin studimet universitare. Ajo vëren se këto dy kritere janë në pajtueshmëri me jurisprudencën e saj sipas të cilës rregullimi i të drejtës për arsim mund të ndryshojë në kohë dhe në hapësirë në varësi të nevojave dhe burimeve të komunitetit dhe të individëve (shih Çështja gjuhësore belge, e lartpërmendur). Përveç kësaj ajo vë në dukje se në këtë çështje, këto kufizime duhet të vlerësohen në kontekstin e nivelit më të lartë të arsimor, d.m.th. në arsimin e lartë.
51. Sa i përket kriterit të parë, Gjykata vlerëson se konsideratat që lidhen me burimet janë qartas të përshtatshme dhe pa asnjë dyshim të pranueshme- kjo buron logjikisht nga interpretimi i dhënë në dispozitën në fjalë, sipas të cilës e drejta për arsim nënkupton aksesin në institucionet e arsimit të lartë « ekzistuese » (ibidem). Gjykata kujton se Konventa nuk vendos detyrime të përcaktuara sa i përket shtrirjes së mjeteve të arsimit dhe mënyrës për t’i organizuar ose për t’i subvencionuar (X kundër Mbretërisë së Bashkuar, no 8844/80, vendim i Komisionit i 9 dhjetorit 1980, DR 23, f. 228, dhe Georgiou kundër Greqisë (vend.), no 45138/98, 13 janar 2000). Kjo nënkupton se e drejta për t’u pranuar në një degë vlen vetëm atëherë kur atje ka vende të lira bashkë me kufizimet që e shoqërojnë, kufizime që varen shpesh nga ndryshime të domosdoshme për funksionimin e institucioneve, veçanërisht nga burimet njerëzore, materiale dhe financiare, me konsideratat që ato nënkuptojnë, veçanërisht për sa i përket cilësisë së tyre. Kjo është e vërtetë sidomos sa i përket universiteteve publike.
52. Sa i përket ankesës që kërkuesit e bazojnë në faktin se të njëjtat kufizime zbatohen edhe për universitete private, d.m.th. për një arsim për të cilin ata janë të gatshëm të paguajnë, Gjykata pranon se është e pamohueshme se burimet e domosdoshme për arsimin teorik dhe praktik në institucionet private varen në fakt në pjesën më të madhe nga kapitali i tyre njerëzor, material dhe financiar dhe se do të ishte e mundshme për këto institucione të pranonin më shumë studentë pa u imponuar një ngarkesë shtesë shtetit dhe strukturave të tij. Ajo nënvizon gjithsesi se duhet mbajtur parasysh se sektori privat në Itali varet pjesërisht nga subvencionet e shtetit. Ajo thekson se nuk do të mund ta gjykonte as joproporcional as arbitrar në rrethanat e rastit, faktin që shteti vendos rregulla, gjithashtu, për institucionet private, duke marrë parasysh faktin se kjo qasje mund të konsiderohet si e nevojshme për të penguar pranimin ose përjashtimin arbitrar të studentëve dhe për të garantuar trajtimin e barabartë për të gjithë. Gjykata kujton se e drejta themelore e secilit për arsim vlen si për nxënësit e institucioneve publike ashtu edhe ato private, pa asnjë dallim, (Leyla Sahin, [GC], i lartpërmendur § 153). Shteti, pra, ka detyrimin për të vendosur rregulla të zbatueshme edhe në institucionet arsimore private, me qëllim që Konventa të respektohet. Gjykata vlerëson si të justifikuar qëndrimin rigoroz të shtetit në rregullimin e këtij sektori- në veçanti për displinat në fjalë, ku është shumë e rëndësishme që arsimi të arrijë një nivel minimal të mjaftueshëm- me qëllim që të garantojë që aksesi në institucionet arsimore private të mos varet thjesht nga mjetet financiare të kandidatëve, pavarësisht nga kualifikimi dhe aftësia e tyre për të ushtruar profesionin në fjalë.
53. Për më tepër, Gjykata pranon se klasat që kanë një numër shumë të madh studentësh mund të dëmtojnë efikasitetin e sistemit arsimor duke i përkeqësuar kushtet e formimit.
54. Kështu, duke mbajtur parasysh këto interesa, ajo mendon se kriteri i parë është njëkohësisht i përligjur dhe proporcional.
55. Sa i përket kriterit të dytë, d.m.th. nevojës së shoqërisë për një profesion të veçantë, Gjykata pranon se interpretimi është kufizues : ai bëhet vetëm në perspektivën kombëtare, madje kufizohet në sektorin publik, perspektivë që injoron të gjitha nevojat përkatëse që mund të ekzistojnë në një kontekst evropian ose privat më të gjerë. Për më tepër, ky intepretim mund të konsiderohet si një interpretim të cilit i mungon vizioni afatgjatë pasi nuk duket se merr parasysh seriozisht nevojat lokale për të ardhmen.
56. Sidoqoftë, për mendimin e Gjykatës, ai është i ekuilibruar : Qeveria me të drejtë mund të marrë masa për të shmangur shpenzime publike të tepërta. Formimi i disa kategorive specifke të profesionistëve përbën një investim shumë të madh. Pra është e arsyeshme që shteti të aspirojë që çdo student i përzgjedhur të përthithet nga tregu i punës. Në fakt, mungesa e vendeve të punës në këto kategori për shkak të një mbingopje të tregut do të ishte një shpenzim shtesë, meqë papunësia është padyshim një barrë për shoqërinë në tërësi. Meqë shteti e ka të pamundur të përcaktojë numrin e të diplomuarve të cilët mund të kërkojnë të shkojnë jashtë vendit, duke lënë kështu tregun e brendshëm, Gjykata nuk mund të gjykojë si të paarsyeshme që shteti të tregohet i kujdeshshëm dhe ta bazojë politikën e tij në supozimin se një pjesë e madhe e tyre do të rrijë në vend për të kërkuar punë. Pra, edhe kriteri i dytë është proporcional.
57. Së fundi, Gjykata nënvizon se kërkuesit nuk janë privuar nga e drejta për t’u regjistruar në një degë tjetër për të cilën do të kishin shprehur interes (shih, mutatis mutandis, Lukach, (vend.) i lartpërmendur) dhe për të cilën ata do të kishin kualifikimet e duhura. Ata nuk kanë qenë të privuar nga mundësia për të ndjekur studimet jashtë vendit, në rast se do të dëshironin ta ndiqnin karrierën e tyre jashtë Italisë. Së fundi, nuk duket se ka kufizim për numrin e herëve kur kandidatët lejohen të hyjnë në provim, në mënyrë që t’u krijohet gjithmonë mundësia të testohen dhe të pranohen në degën që zgjedhin.
58. Si përfundim, Gjykata mendon se masat e kontestuara nuk janë joproporcionale dhe se duke i zbatuar ato, shteti nuk e ka tejkaluar diskrecionin e tij.
59. Për rrjedhojë nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit no 1 të Konventës.
c) Zbatimi i parimeve në këtë rast sa i përket M. Marcuzzo, kërkuesit të tetë
60. Meqë ankesa e kërkuesit të tetë e tejkalon fushëveprimin e konsideratave të paraqitura më sipër, për faktin se ai e ka përsëritur konkursin e pranimit ngaqë ishte përjashtuar nga fakulteti sepse kishte munguar tetë vjet, Gjykata vëren se nuk pretendohet që kjo masë ishte e paparashikuar. Ajo mendon, përveç kësaj se nuk është e paarsyeshme të përjashtohet nga fakulteti një student që nuk kishte dhënë provime prej tetë vitesh rresht, veçanërisht, po të merret parasysh fakti se në këtë degë zbatohet numerus clausus. Për rrjedhojë, ajo çmon se masa për të cilën ai ankohet ndjek një qëllim legjitim dhe meqë shteti duhet të rregullojë të drejtën për arsim, kjo masë është proporcionale : ajo ka ruajtur në fakt një ekuilibër midis interesit të kërkuesit nga njëra anë, dhe interesave të personave të tjerë që dëshirojnë të regjistrohen në këtë degë dhe të komunitetit në tërësi, nga ana tjetër.
61. Për rrjedhojë nuk ka pasur shkelje të Konventës për sa i përket kësaj pjese të kërkesës së kërkuesit të tetë.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
(...)
2. Deklaron, me gjashtë vota pro dhe një kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit no 1 në Konventë ;
3. Deklaron, unanimisht, se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit no 1 në Konventë për sa i përket ankesës shtesë të kërkuesit të tetë.
Hartuar në anglisht, transmetuar më pas me shkrim në 2 prill 2013, në zbatim të nenit 77 §§ 2 dhe 3 të rregullores.
Françoise Elens-PassosDanutė Jočienė
Ndihmës/sekretare Kryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të rregullores, përshkrimi i mendimit pjesërisht mospajtues i gjyqtarit Pinto de Albuquerque.
D.J.
F.E.P.
Mendimet e pakicës nuk janë përkthyer, por ato gjenden në anglishtdhe/ose në frëngjisht në versionet zyrtare të gjykimit, dhe mund të lexohen në bazën e të dhënave të Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy