SINDIKATA KOMBËTARE E PUNËTORËVE TË HEKURUDHAVE, DETAR DHE TË TRANSPORTIT kundër MBRETËRISË SË BASHKUAR
(kërkesë nr. 31045/10)
8 prill 2014
ndalimi i grevës mbështetëse të sindikatës së transportit kundër një punëmarrësi, i cili nuk ishte palë e mosmarrëveshjes së punës nuk përbën shkelje të nenit 11 të Konventës
I. Faktet kryesore
1. Sindikata Kombëtare e Punëtorëve të Hekurudhave, Detar dhe të Transportit (RTM), është një sindikatë me bazë në Londër me një anëtarësi prej më shumë se 80 000 persona të punësuar në sektorë të ndryshëm të industrisë së transportit në Mbretërinë e Bashkuar.
2. RMT parashtroi dy ankesa në lidhje me kufizimet ligjore për sa i përket të drejtës së grevës.
3. Kështu së pari, kërkuesi pretendoi se parashikimi në të drejtën e brendshme, përsa i përket organizimit për votimin në lidhje me zhvillimin e grevës, ishte shumë i detajuar dhe e kufizonte këtë veprimtari. RMT solli para Gjykatës shembullin e kompanisë së energjisë EDF, me të cilën kishte pasur mosmarrëveshje në 2009 mbi pagën dhe kushtet e punës. Sindikata bëri thirrje për tu futur në një grevë, por punëdhënësi arriti të merrte një urdhër gjyqësor për mos zhvillimin e grevës, me arsyetimin se kërkuesi nuk kishte përcaktuar mjaftueshmërisht qartë kategorinë e stafit që do të votonte. Pas dhënies së urdhrit gjyqësor, kërkuesi filloi mbledhjen e përshkrimeve të sakta të punës së punëtorëve në fjalë dhe i përfshiu në njoftimin e ri për votimin në lidhje me grevën, votim i cili përfundoi me një rezultat në favor të zhvillimit të grevës. Greva u zhvillua në dhjetor 2009 dhe në fillim të janarit 2010. EDF bëri një ofertë të përmirësuar më 7 janar 2010, e cila u pranua nga anëtarët e kërkuesit dhe marrëveshja kolektive hyri në fuqi më 1 prill.
4. Pretendimi i dytë i kërkuesit kishte të bënte me faktin se ai nuk kishte të drejtë të zhvillonte greva apo të ndërmerrte veprime të tjera sindikaliste mbështetëse. Kjo formë e veprimit sindikalist ishte e kufizuar në Mbretërinë e Bashkuar që prej vitit 1980 dhe konsiderohej i paligjshëm që nga viti 1990. RMT parashtroi shembullin e një situate që përfshinte dy kompani në sektorin e mirëmbajtjes së hekurudhave, i quajtur Hydrex dhe Jarvis. Një grup prej 20 punëtorësh, anëtarët e RMT, u transferuan nga Jarvis tek HYDREX në vitin 2007. Këta punëtorë dolën në grevë, kur kompania njoftoi dy vjet më vonë se do të ndryshonte, jo në favor të tyre termat dhe kushtet e punësimit, duke i barazuar me ato të punonjësve të saj. Edhe pse kompania e ndryshoi disi qëndrimin e saj, punonjësit votuan për refuzimin e ofertës së rishikuar. Megjithatë,duke qenë se ata ishin shumë të paktë në numër që greva e tyre të kishte ndonjë efekt të dukshëm në kompani, nuk kishin zgjedhje tjetër veçse të pranonin termat dhe kushtet e reja. Sindikata pretendoi se greva ishte joefektive pikërisht për shkak të numrit të vogël të punonjësve që morën pjesë. Ata duhet të kishin organizuar një grevë mbështetëse me punonjësit e firmës Jarvis - edhe pse nuk ishte palë në mosmarrëveshjen e punës - në mënyrë që të rriste presionin mbi HYDREX, por kjo ishte qartësisht e ndaluar me ligj.
II.Vendimi i Gjykatës
5. Kërkuesi në kërkesën drejtuar GJEDNJ-së më 1 qershor 2010, pretendoi se kërkesat ligjore të njoftimit të votimit për zhvillimin e grevës dhe mos lejimin e grevave mbështetëse, tregonin ekzistencën e kufizimeve të tepruara mbi lirinë e saj të organizimit në bazë të nenit 11 të Konventës, duke cenuar kështu aftësinë për të mbrojtur interesat e anëtarëve të saj.
A. Në lidhje me njoftimin për votimin për zhvillimin e grevës
6. Gjykata e shpalli këtë pretendim të papranueshëm pasi nuk kishte asnjë bazë që Gjykata të konstatonte se ishte ndërhyrë në ushtrimin e të drejtave të kërkuesit sipas nenit 11 të Konventës, për më tepër që i ishte kërkuar të përmbushë kërkesa procedurale të përcaktuara në ligj, të cilat i përmbushi me sukses. Faktet e shembullit praktik të dhënë, siç paraqiten nga kërkuesi, tregojnë se edhe pse sindikata pati disa vonesa në marrjen e masave për të mbrojtur interesat e anëtarëve të saj, ajo arriti të zhvillonte një grevë dy muaj më vonë. Ky veprim, me pohimin e vetë kërkuesit, e detyroi EDF të përmirësonte ofertën e saj ndaj anëtarëve të sindikatave, të cilët e pranuan dhe hyri në fuqi menjëherë si marrëveshje kolektive. Ajo konsideroi se çfarë situata e EDF-së tregonte në të vërtetë është në fund të fundit aksion i suksesshëm kolektiv nga kërkuesi në emër të anëtarëve të tij.
B. Në lidhje me veprimet sindikaliste mbështetëse
7. Për herë të parë, Gjykata duhet të vlerësonte nëse e drejta për zhvillimin e grevës mbështetëse binte në fushëveprimin e nenin 11, siç pretendonte kërkuesi.
8. Së pari, Gjykata vërejti se veprimet sindikaliste mbështetëse ishin të njohura dhe të mbrojtura nga Konventa nr. 87 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe Karta Sociale Evropiane dhe do të ishte e papajtueshme që Gjykata të miratonte, në lidhje me nenin 11, një interpretim të fushëveprimit të lirisë së organizimit të sindikatave shumë më të ngushtë se ai që mbizotëron në të drejtën ndërkombëtare. Përveç kësaj, një kuptim i tillë i lirisë sindikale gjen mbështetje në praktikën e shumë shteteve evropiane që kanë pranuar prej kohësh grevat mbështetëse si një formë e ligjshme e veprimit sindikal.
9. Mundet që veprimet sindikaliste mbështetëse, për nga natyra e tyre, të jenë një aspekt dytësor më tepër se një aspekt thelbësor i lirisë sindikale, megjithatë, ndërmarrja e veprimeve mbështetëse nga një sindikatë, përfshirë grevat, kundër një punëdhënësi për të mbështetur një mosmarrëveshje ndërmjet anëtarëve të sindikatës së tyre dhe një tjetër punëdhënësi, duhet të konsiderohet si pjesë e aktivitetit sindikal të mbuluara nga neni 11. Kështu Gjykata konkludoi se ndalimi ligjor i veprimeve sindikaliste mbështetëse, siç demonstrohej nga shembujt e parashtruara nga kërkuesi, përbënin ndërhyrje në të drejtat e kërkuesit sipas kësaj dispozite. Që të ishte në përputhje me paragrafin 2 të nenit 11, një ndërhyrje e tillë duhet të ishte e parashikuar me ligj, të ndiqte një qëllim legjitim dhe të ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike për të arritur këto qëllime. Gjykata vërejti se ndërhyrja ishte e parashikuar në nenin 224 të Ligjit të vitit 1992 për Marrëdhëniet e Punës dhe Sindikatat.
10. Për më tepër, ndalimi kishte ndjekur qëllimin legjitim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve, i cili përfshinte jo vetëm të drejtat e punëdhënësit në një mosmarrëveshje të punës. Veprimi sindikalist mbështetës kishte potencialin për të cenuar të drejtat e personave që nuk ishin palë në mosmarrëveshjen e punës, për të krijuar çrregullime të mëdha në ekonominë e vendit dhe ndikonte në ofrimin e shërbimeve për publikun, duke sjellë kështu implikime shumë më të gjera se veprimi kryesor.
11. Më tej, Gjykata theksoi se në bazë të Konventës sindikatat duhet të jenë në gjendje, sipas së drejtës kombëtare, të mbrojnë interesat e anëtarëve të tyre. Pra, e rëndësishme ishte shkalla në të cilën kërkuesi kishte qenë në gjendje, në ato rrethana, të mbronte interesat e anëtarëve të saj, pavarësisht ndalimit të zhvillimit të grevës kundër Jarvis. Faktet e çështjes tregojnë se kërkuesi kishte qenë në gjendje për të përfaqësuar anëtarët e tij, të negocionte me HYDREX në emër të tyre dhe të organizonte një grevë në vendin e tyre të punës, megjithëse në një shkallë të kufizuar dhe me rezultate të kufizuara. Ishte dëshira e tij për ta përshkallëzuar grevën, përmes kërcënimit për përfshirjen apo përfshirjen reale të qindra anëtarëve të saj në Jarvis, një tjetër kompani, e cila nuk ishte aspak e përfshirë në mosmarrëveshjen tregtare në fjalë dhe që cenohej në këtë mënyrë. Gjykata vërejti se bindja e kërkuesit se veprimi sindikalist mbështetës do ta kishte kthyer rezultatin në favor të tij mbetej gjithsesi në nivelin e hamendësimeve.
12. Gjykata theksoi se, në këtë fushë të politikave legjislative me një ndjeshmëri të njohur, Shteti gëzon një hapësirë të gjerë vlerësimi për rregullimin e lirisë sindikaliste, përfshirë edhe aspekte dytësor të kësaj lirie, si në rastin në fjalë. Kështu, parlamentet e zgjedhur në mënyrë demokratike, në parim janë në një pozicion më të mirë se gjyqtarët ndërkombëtar për të vlerësuar interesin publik dhe se cilat janë masat legjislative më të përshtatshme për kushtet e vendit të tyre, me qëllim zbatimin e politikave të caktuara sociale, ekonomike apo sindikaliste.
13. Gjatë kohës së zhvillimi të ngjarjeve, Mbretëria e Bashkuar, bënte pjesë në të paktat shtete anëtare të BE-së që e ndalojnë veprimin sindikalist mbështetës[1]. Gjithashtu, Gjykata i konsideron vlerësimet negative kundrejt Mbretërisë së Bashkuar, të bëra nga organet përkatëse të monitorimit të ILO-s dhe Kartës Sociale Evropiane jo të një rëndësie të madhe për përcaktimin nëse zbatimi i ndalimit ligjor për grevat mbështetëse në rrethana të tilla, si ato të kundërshtuara në rastin konkret, mbeten brenda gamës së mundësive të lejueshme për autoritetet kombëtare në bazë të nenit 11 të Konventës. Ndalimi i veprimeve sindikaliste mbështetëse ka mbetur i paprekur për më shumë se njëzet vjet, pavarësisht dy ndryshime të Qeverisë gjatë kësaj kohe, çka nënkupton një konsensus demokratik në mbështetje të saj dhe një pranim të arsyeve që qëndrojnë pas saj.
14. Edhe pse kërkuesi parashtroi argumente të fuqishme për solidaritetin sindikalist dhe efikasitetin, këto nuk e bindën Gjykatën se Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte arsyet e mjaftueshme politike dhe faktike për t’a konsideruar ndalimin e kundërshtuar të veprimit sindikalist mbështetës si "të nevojshëm në një shoqëri demokratike".
15. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se në dritën e fakteve specifike të çështjes në fjalë nuk kishte një ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën e sindikatës për lirinë e organizmit, sipas nenit 11 të Konventës. Për më tepër nuk mund të thuhej se ndalimi i veprimit sindikalist mbështetës, në lidhje me marrëdhëniet e sindikatës me HYDREX, ishte jo proporcional. Kështu, Gjykata vendosi se nuk kishte pasur shkelje të nenit 11 të Konventës.
[1]Sipas një studimi krahasues mbi rregullimin e veprimeve sindikaliste në Evropë (Rregullat e Grevës në BE dhe përtej, Një pasqyrë krahasuese, Ë. Ëarneck, Instituti Evropian i Sindikatave për Kërkimin, Edukimin, Shëndetin dhe Sigurinë, 2007), veprimet sindikaliste mbështetëse janë të mbrojtura dhe të lejuara dhe i nënshtrohen kufizimeve dhe kushteve të ndryshme, në shumicën e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian. Shtetet që, ashtu si Mbretëria e Bashkuar, nuk i lejojnë ato janë Austria, Luksemburgu dhe Holanda.
Full & Egal Universal Law Academy