© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA E SINDIKATËS KOMBËTARE TË PUNËTORËVE TË HEKURUDHAVE, DETAR DHE TË TRANSPORTIT k. MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesë nr. 31045/10)
VENDIM
(Themeli)
STRASBURG
8 Prill 2014
PËRFUNDIMTAR
08/09/2014
Ky vendim është bërë përfundimtar, sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve
Në çështjen e Sindikatës Kombëtare të Punëtorëve të Hekurudhave, Detar dhe të Transportit k. Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i katërt), me trup gjykues të përbërë prej:
Ineta Ziemele, President,
Päivi Hirvelä,
George Nicolaou,
Ledi Bianku,
Paul Mahoney,
Krzysztof Wojtyczek,
Faris Vehabović, gjyqtarë,
dhe Fatoş Aracı, Zëvendës kancelar i Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 4 Mars 2014,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën mbi bazën e kërkesës (nr. 31045/10) kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga Sindikata Kombëtare e Punëtorëve të Hekurudhave, Detar dhe të Transportit (“RST”), më 1 qershor 2010.
2. Kërkuesi u përfaqësua në Gjykatë nga Sekretari i tij i Përgjithshëm, Z. B. Crow. Përfaqësuesi i tij ligjor i kërkuesit u caktua Z. N. Todd nga Zyra e Juristëve Thompsons në Manchester. Ai u këshillua nga Z. J. Hendy QC dhe Z. M. Ford QC, avokatë që ushtronin profesionin në Londër. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjentja e saj, Znj. R. Tomlinson nga Zyra e Jashtme dhe Komonuelth-it.
3. Parashtresa të përbashkëta u paraqitën nga Konfederata Evropiane të Sindikatave (ETUC) dhe Kongresi i Sindikatave (TUC). Parashtresa paraqiti gjithashtu edhe Liberty. Këto tre organizata u lejuan nga Presidenti që të ndërhynin në procedurën me shkrim si palë të treta (neni 36 § 2 i Konventës dhe neni 44 § 2 i Rregullores së Gjykatës). Qeveria iu përgjigj komenteve të Liberty.
4. Kërkuesi pretendoi se aftësia e tij për të mbrojtur interesat e anëtarëve të saj ishte subjekt i kufizimeve të tepruara ligjore, duke shkelur të drejtën e tij për lirinë e organizimit.
5. Më 27 gusht 2012, kërkesa iu komunikua Qeverisë. U vendos gjithashtu të shqyrtohej pranueshmëria e kërkesës në të njëjtën kohë me themelin e saj (neni 29 § 1).
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesi është një sindikatë me bazë në Londër me një anëtarësi prej më shumë se 80,000 persona, të punësuar në sektorë të ndryshëm të industrisë së transportit në Mbretërinë e Bashkuar.
7. Duke vënë në dukje se, në sistemin e brendshëm mosmarrëveshje të punës rregulloheshin nga dispozitat shumë të hollësishme legjislative, kërkuesi ngriti shqetësimin se dy kufizime specifike të mbrojtjes ligjore të grevës ishin në kundërshtim me nenin 11 të Konventës, dhe të dyja këto kufizimeve të kundërshtuara i shoqëroi me faktet përkatëse.
A. Njoftimi për votimin për zhvillimin e grevës: Situata e EDF
8. Faktet përkatëse në të cilat mbështeteshin kërkuesit në bazë të këtij kreu përfshinin kompaninë EDF Energjisë Powerlink Ltd ("EDF"), e cila kishte një kontratë për menaxhimin, funksionimin dhe mbështetjen e rrjetit të energjisë elektrike të përdorur nga sistemi i transportit nëntokësor të Londrës. RMT ishte një nga disa sindikatat qe njihej nga kompania për qëllime të negociatave kolektive. Kompania kishte në total një staf prej 270 personash të shpërndarë në tre qendra të ndryshme, ku numri më i madh, prej 155 të punësuarish, ishte i vendosur në Tufnell Park. Sipas kërkuesit, në kohën në fjalë kishte 52 anëtarë të RMT. Kompania nuk mund të dinte se kush nga punonjësit e saj ishin anëtarë të një sindikate, pasi ajo nuk zbatonte një sistem për zbritjen e shumës së anëtarësimit në sindikata nga pagat e punonjësve.
9. Midis qershor dhe shtatorit të vitit 2009, kërkuesi dhe kompania u ulën së bashku disa herë për të negociuar mbi pagesën dhe kushtet e shërbimit. Të pakënaqur me ofertën e kompanisë, kërkuesi vendosën të bënin grevë dhe më 24 shtator i dërguan kompanisë njoftimin për votim (shih tek e drejta e brendshme më poshtë). Njoftimi përcaktonte kategorinë e punonjësve që do të votonin për zhvillimin e grevës që ishin "Inxhinier/ Teknik" dhe tregonte se sa prej tyre ishin të vendosur në secilin qendër. Një ditë më pas kompania i shkroi kërkuesit, duke deklaruar se nuk e njihte termi "Teknik" (punonjësit e kompanisë kategorizoheshin në një mënyrë më të saktë: testues, montues, inspektorët e testeve në dhomë, testues ditorë, testues sistemi, testues OLBI). Rrjedhimisht ajo e konsideroi njoftimin e kërkuesit për votim të pa pajtueshëm me dispozitat ligjore përkatëse. Kërkuesi u përgjigj javën pasuese, duke pohuar se termi i përdorur ishte i mjaftueshëm që kompania të dinte se cilëve punonjës u drejtohej njoftimi dhe si rrjedhim dispozitat përkatëse të ligjit ishin respektuar.
10. Pas një shkëmbim të mëtejshëm korrespondence midis të dy palëve, kompania iu drejtua Gjykatës së Lartë për nxjerrjen e një urdhri të ndërmjetëm që ndalonte kërkuesin që të bënte grevë në bazë të votimit. Urdhri u dha nga Blake J më 23 tetor 2009.
11. Gjyqtari nuk e pranoi pretendimin e kërkuesit se kërkesat ligjore të kufizonin padrejtësisht ushtrimin e të drejtës së tij për të thirrur zhvillimin e një greve, argument ky i cili ishte refuzuar nga Gjykata e Apelit në çështjen e Metrobus Ltd k.Unite the Union([2009 ] EWCA Civ 829). Ai gjithashtu hodhi poshtë argumentin se meqë procedura ishte ende në një fazë fillestare do të ishte e nxituar ta ndalonin. Përkundrazi ai vlerësoi se rreziku i një greve të paligjshme ishte mjaftueshmërisht emergjent për të justifikuar urdhrin. Duke pasur parasysh sektorin e përfshirë, implikimet e një mbyllje të mundshme do të ishin të mëdha dhe efektet do të shtriheshin edhe më gjerë. Në lidhje me pyetjen nëse kërkuesi kishte përcaktuar mjaftueshmërisht qartë kategorinë e stafit që do të votonte, gjyqtari konstatoi se në fakt ai nuk kishte qenë i qartë, pasi anëtarët e sindikatës që punonin në Tufnell Park bënin pjesë në sindikata të ndryshme. Kërkuesi nuk e kishte këtë një detyrim absolut, por ndërkohë ishte i detyruar të bënte çfarë ishte e arsyeshme për t’i siguruar kompanisë informacion të mjaftueshëm. Fakti se ai përdorte sistemin e vet të klasifikimit të vendeve të punës ishte i rëndësishëm por jo vendimtar. Në mënyrë të ngjashme, fakti që një sindikatë mund të mos ketë një informacion të tillë ishte e një rëndësie të madhe, por jo domosdoshmërisht vendimtare. Kërkuesi e kishte pranuar se ishte e përshtatshme për sindikatën që të jepte informacionin në kontekstin e një vendi me më pak të punësuar - prandaj nuk ishte as e pa përballueshme dhe as e paarsyeshme për të kërkuar nga kërkuesi që ta bërë këtë gjë. Së fundi gjykatësi vërejti se, ndërsa nuk kishte ende një qëllim të deklaruar nga kërkuesi për të thirrur një grevë (votimi nuk kishte ndodhur), kishte një lidhje të qartë ndërmjet dështimit për të bërë njoftimin e nevojshëm dhe aftësisë së punëdhënësit për t’iu përgjigjur situatës qoftë duke u përgatitur për bllokimin e punës qoftë duke tentuar të bindë punonjësit që të mos votonin për zhvillimin e grevës. Prandaj, dështimi i kërkuesit për të respektuar kërkesat ligjore nuk ishte një shkelje thjesht teknike apo e parëndësishme.
12. Aplikimi për leje për të apeluar u refuzua më 24 nëntor 2009. Edhe ri aplikimi për leje për të apeluar u refuzua më 26 janar 2010, pikë në të cilën mosmarrëveshje ndërmjet kërkuesit dhe EDF tashmë ishin zgjidhur.
13. Pas dhënies së urdhrit gjyqësor për mos zhvillimin e grevës, kërkuesi filloi mbledhjen e përshkrimeve të sakta të punës së punëtorëve në fjalë dhe i përfshiu në njoftimin e ri për votimin në lidhje me grevën, votim i cili përfundoi me një rezultat në favor të zhvillimit të grevës. Greva u zhvillua në dhjetor 2009 dhe në fillim të janarit 2010. EDF bëri një ofertë të përmirësuar më 7 janar 2010, e cila u pranua nga anëtarët e kërkuesit dhe marrëveshja kolektive hyri në fuqi më1 prillin vijues.
B. Greva mbështetëse: Situata e Hydrex
14. Faktet sipas këtij kreu, ku u mbështet kërkuesi përfshinin disa anëtarë të RMT, të cilët ishin të punësuar në mirëmbajtjen e hekurudhave nga Fastline Limited, një kompani që bënte pjesë e një grupi kompanish të njohura si Jarvis Plc. Një tjetër kompani e këtij në grupi, Jarvis Rail Limited, ishte e angazhuar në punë inxhinierike hekurudhore. Në atë kohë, Fastline dhe Jarvis Rail ("Jarvis") kishte rreth 1200 persona të punësuar në total, 569 prej të cilëve ishin anëtarë të RMT. Në gusht 2007, Fastline transferoi një pjesë të kompanisë, përfshirë 20 të punësuar, tek një tjetër kompani e njohur si Hydrex Equipment (UK) Limited ("Hydrex"). Terma dhe kushtet ekzistuese të punësimit të këtyre punonjësve qëndruan të pandryshuara edhe pas transferimit tek Hydrex, siç kërkohej nga ligj (Rregulloret e Transferimit të Kompanive (Mbrojtja etë Punësuarve), 2006). Megjithatë, sipas kërkuesit, të punësuarit e prekur nga ky transferim ishin të shqetësuar për gjendjen e tyre pasi punonjësit e Hydrex paguheshin në mënyrë të konsiderueshme më pak. Për më tepër mesa, rezultoi se dhe sindikatat kishin më pak ndikim në atë kompani.
15. Në mars 2009, drejtuesit e Hydrex informuan punonjësit e ish-Jarvis se për shkak të kushteve të vështira të tregut, ishte e nevojshme që termat dhe kushtet e tyre të bëheshin të njëjta me ato të Hydrex. Kjo përkthehej në një reduktim në pagë prej rreth 36-40%, sipas kërkuesit. Në muajt që pasuan, kërkuesi u paraqit tek Hydrex në emër të punonjësve në fjalë si përfaqësues i tyre por nuk u arrit ndonjë marrëveshje. Kur kompania deklaroi se synonte të vazhdonte me planin e saj, kërkuesi organizoi votimin për zhvillimin e një greve të punëtorëve në fjalë (shtatëmbëdhjetë deri në atë fazë). Ata votuan në favor të zhvillimit të grevës, e cila u zhvillua ndërmjet 6 dhe 9 nëntorit 2009. Gjatë grevës, pjesëmarrësit organizuan grumbullime në një numër vendesh ku ata kryenin normalisht punën e tyre. Kjo bëri që Hydrex t’i shkruante kërkuesit për ta kujtuar atë se sipas ligjit këto grumbullime mund të organizoheshin vetëm në ose pranë selisë së punëdhënësit dhe gjithashtu për ta paralajmëruar se sindikata rrezikonte të mbante përgjegjësi për humbjet ekonomike të shkaktuara kompanisë për shkak të këtij veprimi të paligjshëm (shih më poshtë tek e drejta e brendshme).
16. Një grevë e dytë u njoftua për datat 18-20 nëntor të vitit 2009, por u shty kur Hydrex u tregua e gatshme për të rifilluar bisedimet me kërkuesit. Kështu kërkuesi i paraqiti anëtarëve të tij në Hydrex ofertën e rishikuar, duke u rekomanduar ta pranonin atë. Rezultati i votimit u bë i njohur më 21 dhjetor 2009. Nëntë punonjës votuan dhe të gjithë e refuzuan ofertën e Hydrex. Sipas kërkuesit, pozita e tij ishte jashtëzakonisht e dobët duke pasur parasysh numrin shumë të vogël të anëtarëve të tij në gjithëfuqinë punëtore të Hydrex. Ata ishin shumë pak që greva e tyre të kishte ndonjë efekt të dukshëm në kompani, aktivitetet e së cilës, në të vërtetë nuk ishin ndërprerë aspak. Kërkuesi vërejti se do të kishte qenë në një pozicion më të fortë për të mbrojtur interesat e anëtarëve të saj në mënyrë më efektive nëse do të kishte pasur mundësinë të mobilizonte edhe anëtarët e saj të Jarvis. Një kërcënim i thjeshtë greve në këtë shkallë dhe aq më tepër një stopim aktual i punës, do të kishte ushtruar një presion shumë më të madh mbi Hydrex që të respektonte termat dhe kushtet ekzistuese. Kërkuesi deklaroi se punonjësit e Jarvis do të kishin qenë të gatshëm për të mbështetur kolegët e tyre në Hydrex. Por, punonjësit e Hydrex u ishte dashur të rezistonin të vetëm dhe në fund nuk kishin zgjedhje tjetër veçse të pranonin termat dhe kushtet e reja. Ata e bënë këtë duke protestuar.
17. Sipas kërkuesit, të dy kompanitë, Jarvis dhe Hydrex, nuk ekzistojnë më, pasi janë kaluar në procedurë likuidimi në mars 2010 dhe nëntor 2011 respektivisht. Kompania Hydrex u ble nga një kompani tjetër, e cila e shiti atë më pas në nëntor 2012.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA PËRKATËSE E BRENDSHME
18. Në lidhje me rastin e EDF, Blake J iu referua dispozitave të mëposhtme të Ligjit për Sindikatat dhe Marrëdhëniet e Punës (i Unifikuar) të vitit 1992:
“Neni 226 (1) Veprimet e sindikatave që kanë për qëllim nxitjen e personave për të marrë pjesë, ose për të vazhduar të marrin pjesë në grevë
(a) nuk mbrohen nëse greva nuk mbështetet nga një votim paraprak, dhe
(b) kur neni 226A duhet të respektohet në lidhje me punëdhënësin e personave, atëherë nuk mbrohet në lidhje me këtë punëdhënës, përveçse kur sindikata ka vepruar në përputhje me nenin 226A në lidhje me të.”
“Neni 226A (1) Sindikata duhet të marrë hapa të tillë që janë të domosdoshme për të siguruar që —
(a) jo më vonë se dita e shtatë, para ditës së hapjes së votimit, njoftimi i specifikuar në paragrafin (2), ...
është marrë nga çdo person, i cili besohet nga sindikata, në mënyrë të arsyeshme (edhe në momentin e fundit kur mund të ndërmerren hapa në përputhje me paragrafin (a)), të jetë punëdhënësi i personave të cilët do të kenë të drejtë vote në fletën e votimit.
(2) Njoftimi i përmendur në paragrafin (a) të pikës (1) është një njoftim me shkrim—
(a) ku deklarohet qëllimin i sindikatës për organizimin e votimit,
(b) ku specifikohet data që sindikata në mënyrë të arsyeshme mendon se do të jetë dita e hapjes së votimit, dhe
(c) që përmban—
(i) listat e përmendura në paragrafin (2A) dhe shifrat e përmendura në paragrafin (2B), së bashku me një shpjegim se si janë marrë ato shifra, ose
...
(2A)Listat janë—
(a) lista e kategorive të punonjësve të cilat u takojnë punonjësve në fjalë, dhe
(b) lista e vendeve të punës të cilat mbahen nga punonjësit në fjalë.
(2B) Shifrat janë—
(a) numri i përgjithshëm i punonjësve në fjalë,
(b) numri i punonjësve në fjalë në secilën prej kategorive në listën e përmendur në paragrafin (2A)(a), dhe
(c) numri i të punësuarve në fjalë të cilët punojnë në vendet e punës të listuar në listën e përmendur në paragrafin (2A) (b).
...
(2D) Listat dhe shifrat e paraqitura sipas këtij neni, ose informacioni i përmendur në paragrafin (2C), duhet të jetë sa më i saktë të jetë e mundur në dritën e informacionit që zotëron sindikata në kohën kur ajo vepron në përputhje me paragrafin (1) (a).”
19. Në lidhje me situatën e Hydrex, mbrojtja ligjore ndaj përgjegjësisë për shkaktim dëmi në lidhje me akte të kryera "kuadrin apo në mbështetje të një mosmarrëveshjeje tregtare" (neni 219 i Ligjit të 1992) kufizohet, nga neni 244 i të njëjtit Ligj, në "një mosmarrëveshje ndërmjet punëmarrësve dhe punëdhënësit të tyre". Veprimet sindikaliste mbështetëse janë përjashtuar shprehimisht nga mbrojtja ligjore e nenit 224 të Ligjit, i cili e përcakton atë si vijon:
“(2) Veprimet sindikaliste mbështetëse lejohen vetëm në lidhje me një mosmarrëveshje tregtare, kur, dhe vetëm kur, një person—
(a) nxit një tjetër për të zgjidhur një kontratë punësimi ose ndërhyn apo nxit një tjetër për të ndërhyjë në punën e tij, ose
(b) kërcënon se një kontratë punësimi sipas së cilës ai apo një tjetër është i punësuar do të zgjidhet apo do të ndërhyhet në përmbushjen e saj, apo se ai do të nxisë një tjetër për të zgjidhur një kontratë punësimi ose për të ndërhyrë në përmbushjen e saj,
dhe punëdhënësi sipas kontratës së punësimit nuk është punëdhënësi palë në mosmarrëveshje.”
Dispozitat për grumbullimin paqësore të grevistëve janë të përfshira në nenin 220 të Ligjit, i cili parashikon se:
“ (1) Është e ligjshme që një person, në kuadrin apo në mbështetje të një mosmarrëveshjeje tregtare, të marrë pjesë -
(a) në ose në afërsi të vendit të tij të punës, ose
(b) në qoftë se ai është zyrtar i një sindikate, në ose në afërsi të vendit të punës të një anëtari të sindikatës të cilin ai shoqëron apo përfaqëson,
për qëllim e vetëm të marrjes ose komunikimit të informatave në mënyrë paqësore, ose duke e bindur në mënyrë paqësore çdo person për të punuar ose për të mos punuar.
(2) Një person i cili punon apo zakonisht punon—
(a) në asnjë prej atyre vendeve, ose
(b) në një vend vendndodhja e të cilit është e tillë që frekuentimi për qëllime të përmendura në pikën (1) është i pamundur,
vendi i tij i punës për qëllimet e këtij paragrafi, do të jetë çdonjëri nga mjediset e punëdhënësit të tij në të cilat ai punon apo nga të cilat administrohet puna e tij.”
20. Të dyja palët iu referuan kuadrit të mëparshëm legjislativ, i cili përfshinte veprimet sindikaliste mbështetëse në fushëveprimin e mbrojtjes ligjore. Qeveria shpjegoi se veprimet sindikaliste mbështetëse ishin shfuqizuar se pari nga Ligji për Sindikatat dhe Mosmarrëveshjet Tregtare i vitit 1927, i miratuar si pasojë e grevës së përgjithshme të 1926. Situata ndryshoi me Ligjin për Sindikatat dhe Mosmarrëveshjet Tregtare të vitit 1947, i cili hoqi këtë kufizim,
21. Reformat e tjera u ndërmorën në vitin 1970. Ligji për Sindikatat dhe i Marrëdhënieve të Punës i 1974 ofroi mbrojtje më të gjerë në mënyrë të konsiderueshme për grevat krahasuar me mbrojtjen që u ofrohet aktualisht. Ai parashikonte në nenin 13 (1) (i ndryshuar në 1976):
“Një veprim që bëhet nga një person në kuadrin apo në mbështetje të një mosmarrëveshjeje tregtare nuk mund të kundërshtohet me një padi civile mbi bazën e vetme— .
(a) nxit një tjetër për të zgjidhur një kontratë punësimi ose ndërhyn apo nxit një tjetër për të ndërhyjë në punën e tij, ose
(b) se konsiston në kërcënimet e tij se një kontratë punësimi (pavarësisht nëse ai është palë ose jo)do të zgjidhet apo do të ndërhyhet në përmbushjen e saj, apo se ai do të nxisë një tjetër për të zgjidhur një kontratë punësimi ose për të ndërhyrë në përmbushjen e saj,
22. Kjo dispozitë u vlerësua nga Dhoma e Lordëve në rastin Gazetat Express Ltd k. MacShane dhe një tjetër ([1980] AC 672). Rasti kishte të bënte me veprime sindikaliste mbështetëse në industrinë e mediave të shkruara, të udhëhequr nga Bashkimi Kombëtar i Gazetarëve. Shumica e Dhomës së Lordëve vlerësoi se testi që do të zbatohej për të përcaktuar nëse një veprim gëzonte mbrojtjen e nenit 13 (1) ishte subjektiv, që do të thoshte se ishte e mjaftueshme që personi sinqerisht të besonte se akti në fjalë mund të shtynte përpara kauzën e atyre që merrnin pjesë në mosmarrëveshje. Vërtetësia e një besimi të tillë do të mund të testohej nga gjykatat, por personi i cili thërriste zhvillimin e grevës nuk kishte nevojë të provonte se ajo mund të arrinte objektivin. Lordi Wilberforce nuk ra dakord për sa i përket natyrës së testit, por u pajtua me konstatimin se urdhri gjyqësor dhënë kundër sindikatës duhej shfuqizuar.
23. Edhe pse kërkuesi pohoi se vendimi MacShane nuk ishte një zhvillim i rëndësishëm në të drejtë, në atë që ai thjesht konfirmoi interpretimin e një gjuhë të qartë ligjore, rasti është referuar gjatë debateve parlamentare të kalimit të Ligjit të Punësimit të1980, si një nga arsyet për përfshirjen e kufizimeve për veprimet sindikaliste mbështetëse (në nenin 17 të këtij ligji). Ligji i 1980 e ruajti mbrojtjen për veprimet sindikaliste mbështetëse me kusht që të plotësoheshin tri kushte: (i) se ajo ishte ndërmarrë kundër furnizuesit e parë ose konsumatorëve të punëdhënësit në mosmarrëveshje ose kundër punëdhënësit e asociuar të punëdhënësit të cilët e zëvendësonin atë gjatë mosmarrëveshjes; (ii) se qëllimi kryesor ishte për të parandaluar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të ndërpres furnizimin e mallrave apo shërbimeve ndërmjet punëdhënësit në mosmarrëveshje dhe furnizuesit e tij ose konsumatori gjatë mosmarrëveshjes; dhe (iii) se ajo mund ta arrinte këtë qëllim.
24. Rregulli i tanishëm u prezantua fillimisht nga Ligji i Punësimit i 1990 dhe pastaj u ri-fut me Ligjin e 1992 në termat e përcaktuara më lart.
25. Palët paraqitën informacione statistikore për numrin e ditëve të humbura gjatë grevave në Mbretërinë e Bashkuar, duke shkuar prapa në vitet 1970.Qeveria vuri në dukje se në këtë dekadë, numri mesatar i ditëve të humbura çdo vit ishte 12.9 milion. Kjo ra në vitet 1980 në një mesatare prej 7.2 milionë ditësh. Nga fillimi i viteve 1990 deri në ditët e sotme, kjo shifër është shumë më e ulët, duke qëndruar në 700.000 ditëve të humbura në vit mesatarisht. Ata ia atribuuan një pjesë të kësaj rënieje ndalimit të grevave mbështetëse. Kërkuesi e kundërshtoi këtë interpretim. Ai vuri në dukje se statistikat në dispozicion nuk e bënin dallimin ndërmjet grevave kryesore dhe atyre mbështetëse. Prandaj, ishte e pamundur për të identifikuar shtrirjen e vërtetë të veprimet sindikaliste mbështetëse para 1980 dhe, rrjedhimisht, e pamundur për të konstatuar ndikimin e kufizimeve të paraqitura në 1980 dhe 1990. Sipas këndvështrimit të kërkuesit, veprimet sindikaliste mbështetëse kishin qenë relativisht të rralla dhe shumica dërrmuese e grevave në atë kohë kishin qenë greva kryesore. Ajo iu referua shifrave zyrtare (të përfshira në një botim të Qeverisë, "Gazeta e Punësimit") të cilat tregonin se, që nga vitet 1960, Mbretëria e Bashkuar ka qenë vazhdimisht afër mesatares evropiane për ditët e humbura në grevë. Sipas këtij burimi, vendi në mesataren e rendit që nga fundi i viteve 1970. Përjashtimi i vetëm ishte për vitin 1984, për shkak të grevës të gjatë dhe të gjerë në industrinë e minierave atë viti. Qeveria parashtroi se statistikat krahasuese duheshin interpretuar me kujdes, duke pasur parasysh transformim të thellë të Evropës gjatë njëzet viteve të fundit. Fakti se Mbretëria e Bashkuar ka mbetur afër mesatares evropiane në këtë drejtim tregon në fakt se, në kundërshtim me këndvështrimin e kërkuesit, rregullat për grevat nuk ishin aq kufizuese sa ta bënin tepër të vështirë organizimin e tyre.
III. E DREJTA NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
26. Në mbështetje të kërkesës së tij, kërkuesi iu referua instrumenteve të tjera ligjore ndërkombëtare dhe interpretimi që u ishte bërë atyre nga organet kompetente. Materialet më relevante dhe të detajuara janë paraqitur më poshtë.
A. Konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës
27. Edhe pse nuk ka asnjë dispozitë në Konventat e miratuara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës që njeh shprehimisht të drejtën për grevë, si Komiteti për Lirinë e Organizimit dhe Komiteti i Ekspertëve në Zbatimin e Konventës dhe të Rekomandimeve ( "Komiteti i Ekspertëve") kanë zhvilluar një sërë parimesh mbi të drejtën e grevës, në bazë të neneve 3 dhe 10 të Konventës së Lirisë Sindikale dhe Mbrojtjes së të Drejtës së Organizimit të 1948 (Nr. 87) (e përmbledhur Dhënia enjë fytyre njerëzore globalizmit, Zyra Ndërkombëtare e Punës, 2012, në paragrafin 117). Kjo konventë është ratifikuar nga Mbretëria e Bashkuar më 27 qershor 1949.
1. Në lidhje më detyrimin për njoftim
28. Komiteti i Ekspertëve ka komentuar disa herë mbi detyrimin për njoftimin e zhvillimit të grevës në Mbretërinë e Bashkuar. Kërkuesi iu referua deklaratës së mëposhtme, të miratuar në 2008:
“Në komentet e tij të mëparshme, Komiteti kishte marrë parasysh komentet e bëra nga TUC se imuniteti nga detyrimi për njoftimin e zhvillimit të grevës ishte një barrë e pajustifikuar. Komiteti vëren që sipas Qeverisë, një sërë masash tashmë janë ndërmarrë për të lehtësuar nenet 226-235 të TULRA dhe 104-109 të Urdhrit të1995; për më tepër, si pjesë e një plani të publikuar në dhjetor 2006 për të lehtësuar aspektet e ligjit të punësimit, Qeveria ftoi në mënyrë eksplicite sindikatat për të paraqitur idetë e tyre për të lehtësuar më tej ligjin e sindikatave. Që atëherë, Qeveria ka mbajtur diskutime me TUC për të shqyrtuar idetë e tyre për lehtësimin e aspekteve të ligjit mbi votimin për zhvillimin e grevës dhe njoftimet. Këto diskutime ende vazhdojnë. Komiteti vëren se në komentet e tij të fundit, TUC vëren se nuk ka pasur progres në këtë reformë. Komiteti kërkon që Qeveria të tregojë në progres raportin e ardhshëm zhvillimet e bëra në këtë drejtim.”[1]
29. Kohët e fundit, në një kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Komiteti i Ekspertëve deklaroi:
“Në komentet e tij të mëparshme, Komiteti kishte marrë parasysh komentet e bëra nga Kongresi i Sindikatave (TUC) se imuniteti nga detyrimi për njoftimin e zhvillimit të grevës ishte një barrë e pajustifikuar. Komiteti i kërkoi Qeverisë që të vazhdojë të ofrojë informacione mbi çdo zhvillim, si dhe çdo statistikë përkatëse ose raporte mbi zbatimin praktik dhe efektin e këtyre detyrimeve. Komiteti vëren informacionin e Qeverisë se vendimi i Gjykatës së Apelit në RMT k. Serco dhe në ASLEF k. London Midland (2011) EWCA 226, rrëzoi urdhrat të cila ishin marrë nga Serco dhe London Midland Railway kundër dy sindikatat kryesore të transportit në vend, RMT dhe ASLEF. Në të dy rastet, urdhrat ishin marrë në bazë të shkeljeve në lidhje procedurat ligjore të votimin dhe njoftimit nga ana e sindikatave. Ky rast ishte i fundit në një seri rastesh ku është vlerësuar shkalla e detyrimeve teknike të sindikatave, për të siguruar zhvillimin e një procesi të drejtë votimi. Në vendim Serco k. RMT, Gjykata e Apelit bëri disa sqarime kyçe duke e bërë kështu të vështirë që Gjykatat të jepnin urdhra në favor punëdhënësve në të ardhmen për të parandaluar zhvillimin e një greve si rezultat i shkeljeve të procedurave të votimit dhe njoftimit. Një vendim i Gjykatës së Apelit është i detyrueshëm për gjykatat më të ulëta. Pas këtij rasti, në Balfour Beatty k. Unite (2012) EWHC 267 (QB), Gjykata vendosi kundër Balfour Beatty, duke marrë parasysh rastin Serco dhe nevojën për të vendosur balancë ndërmjet përpjekjes për legjitimitetin demokratik dhe vendosjes së barrierave jorealiste sindikatave dhe zyrtarëve të tyre. Komiteti vëren vëzhgimin TUC që, ndërsa i mirëpret të dy vendimet, vlerëson se ata nuk adresojnë plotësisht problemet që ai ka identifikuar nga legjislacioni dhe se legjislacioni vazhdon të imponojë detyrime të pa tolerueshme për sindikatat. Komiteti vëren këto zhvillime me interes dhe kërkon nga Qeveria të japë komentet e saj mbi shqetësimet e ngritura nga TUC.”[2]
2. Në lidhje me veprimet sindikaliste mbështetëse
30. Komiteti i Ekspertëve ka mbajtur qëndrimin e mëposhtëm:
“Në lidhje me të ashtuquajturat greva ‘keqardhjeje’, Komiteti vlerëson se një ndalim i përgjithshëm i kësaj forme të grevës mund të çojë në abuzim, veçanërisht në kontekstin e globalizimit i cili karakterizohet nga rritje ndërvarësia dhe ndërkombëtarizimin të prodhimit dhe se punëtorët duhet të jenë në gjendje për të ndërmarrë një veprim të tillë, me kusht që greva fillestare që ata mbështesin të jetë në vetvete e ligjshme.”
(Dhënia e një fytyre njerëzore globalizmit, op. cit., at paragrafi 125).
31. Komiteti për Lirinë e Organizimit e konsideron gjithashtu këtë formë të veprimit industrial të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare e punës:
“Një ndalim i përgjithshëm i grevave të keqardhjes mund të çojë në abuzime dhe punonjësit duhet të kenë mundësi të ndërmarrin veprime të tilla me kusht që greva fillestare që ata mbështesin të jetë në vetvete e ligjshme.”
“Ndalimi i grevave që nuk kanë lidhje me mosmarrëveshjen kolektive në të cilën punonjësi ose sindikata është palë është në kundërshtim me parimet e lirisë së organizimit.”
(Liria e Organizimit, Përmbledhje e vendimeve dhe parimeve të Komitetit të Lirisë së Organizimit i Organit Qeverisës të ILO-s, Botimi i pestë (i rishikuar), Zyra Ndërkombëtare e Punës, 2006, paragrafët 534 dhe 538).
32. Në shqyrtimin e respektimit të Konventës nr. 87 nga Mbretëria e Bashkuar, Komiteti i Ekspertëve ka kritikuar në mënyrë të përsëritur faktin që veprimet sindikaliste mbështetëse janë të paligjshme. Kritika fillestar ishin përfshirë në vëzhgimin e tijtë 1989[3]në lidhje me Mbretërinë e Bashkuar:
“Komiteti vëren se common law i bën pothuajse të gjitha format e grevave apo formave të tjera veprimi të sindikatave të paligjshme, çështje të së drejtës civile. Kjo do të thotë se punonjësit dhe sindikatat që angazhohen në veprime të tillë mund të paditen për dëmet nga punëdhënësit (ose palë të tjera) që pësojnë humbje dhe (më e rëndësishmja në aspektin praktik) mund të ndalohen të ndërmarrin akte të paligjshme me anë të urdhrave (të nxjerra qoftë për një kohë të caktuar qoftë të përhershme). Komiteti vëren se aksesi i pakufizuar në mjete të tilla ligjore u mohojnë punonjësve të drejtën për të zhvilluar greva apo veprime të tjera me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre ekonomike dhe sociale.
Pra, është më e rëndësishme që punëtorët dhe sindikatat të kenë në dispozicion disa masa mbrojtjeje kundër përgjegjësisë civile. Ka pasur njohje legjislative të kësaj domosdoshmërie që prej 1906 në formën e një sërë ‘imunitetesh’ (ose, më saktë, ‘mbrojtjeje’) kundër përgjegjësisë civile për sindikatat dhe anëtarët e zyrtarët e tyre. Versioni aktual i ‘imuniteteve’ gjendet tek Ligji i Sindikatës dhe Marrëdhënieve të Punës i 1974.
Shtrirja e këtyre mbrojtjeve është ngushtuar në disa aspekte që prej 1980. Komiteti vëren për shembull se, neni 15 i Ligjit të 1974 është ndryshuar duke kufizuar të drejtën e punonjësit për të protestuar në vendin e vet të punës ose, në rastin e një zyrtari të sindikatës, në vendin e punës të anëtarit përkatës, ndërsa neni 17 i Ligjit të1980 heq mbrojtjen e ‘grevave apo veprimeve të tjera sindikaliste mbështetëse’ në kuptimin veprimeve sindikaliste drejtuar kundër një punëdhënësi që nuk është drejtpërdrejt palë në mosmarrëveshjen e punës. Përveç kësaj, përkufizimi i ‘mosmarrëveshjes së punës " i dhënë në nenin 29 të Ligjit të1974 ishte ngushtuar duke përfshirë vetëm mosmarrëveshjet ndërmjet ‘punonjësve dhe punëdhënësit të tyre’, dhe jo mosmarrëveshjet ndërmjet ‘punëdhënësit dhe punonjësve’ ose ‘punonjësve dhe punonjësve’ siç përcaktoheshin dikur.
Të marra së bashku, këto ndryshime duket se e bëjnë praktikisht të pamundur për punonjësit dhe sindikatat të angazhohet ligjërisht në ndonjë formë bojkotimi ose veprime sindikaliste "mbështetëse" kundër palëve edhe kur nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në një mosmarrëveshje të caktuar. Komiteti kurrë nuk ka shprehur ndonjë pikëpamje të caktuar mbi përdorimin e bojkotit si një formë e ushtrimit të së drejtës së grevës. Megjithatë, Komiteti vëren se kur bojkoti lidhet drejtpërdrejt me interesat sociale dhe ekonomike të punonjësve të përfshirë në mosmarrëveshje ose në veprimet sindikale mbështetëse ose në të dyja dhe kur mosmarrëveshja apo veprimet sindikale mbështetëse nuk janë të paligjshme në vetvete, bojkoti duhet të konsiderohet si një ushtrim legjitim i të drejtës së grevës. Kjo është qartësisht në përputhje me qëndrimin e Komiteti në lidhje me ‘greva mbështetëse’:
Duket se kjo formë veprimi po bëhet më e shpeshtë(p.sh. grevat e përkrahjes) për shkak të strukturës ose të përqendrimit të industrive ose shpërndarjes të qendrave të punës në rajone të ndryshme të botës. Komiteti vlerëson se një ndalim i përgjithshëm i veprimeve sindikaliste mbështetëse mund të çojë në abuzim dhe se punonjësit duhet të jenë në gjendje për të ndërmarrë veprime të tilla me kusht që greva fillestare me të cilën ata solidarizohen në vetvete të jetë e ligjshme.”
33. Duket se Komiteti i Ekspertëve nuk mbajti një qëndrim përfundimtar mbi ndalimin derisa në vëzhgimin e tij të 1995 në lidhje me Mbretërinë e Bashkuar, vërejti si vijon:
“Komiteti tërheq vëmendjen e Qeverisë për paragrafin 168 të Studimit të saj të Përgjithshëm të 1994 mbi Lirinë e Organizimit dhe Negociatat kolektive ku ajo tregon se një ndalim i përgjithshëm mbi grevat mbështetëse mund të çojë në abuzim dhe se punëtorët duhet të jenë në gjendje për të ndërmarrë një veprim të tillë, me kusht që greva fillestare me të cilën ata solidarizohen në vetvete të jetë e ligjshme. Heqja e imunitetit e bën veprimin sindikal të prekshëm ndaj përgjegjësisë civile dhe për këtë arsye do të përbënte një pengesë serioze për të drejtën e punëtorëve për bërë greva mbështetëse.”
Ai e ruajti këtë pikëpamje që prej asaj kohe, duke deklaruar në vëzhgimet e tij më të fundit të situatës (vëzhgimi i 2012):
“Imuniteti, për sa i përket përgjegjësisë civile ,të grevave dhe veprimeve të tjera tregtare (nenet 223 dhe 224 të TULRA): Në komentet e tij të mëparshme, Komiteti kishte vërejtur se sipas TUC, për shkak të natyrës së decentralizuar të sistemit të marrëdhënieve të punës, ishte thelbësor që punëtorët të mund të merrnin masa kundër punëdhënësve të cilët e kishin shumë të lehtë për të minuar veprimin e sindikatave me strukturat komplekse të korporatave, transferimin e punës, ose ndarje të kompanive. Komiteti përgjithësisht ngriti nevojën për të mbrojtur të drejtën e punonjësve për të ndërmarrë veprime sindikaliste në lidhje me çështjet që i prekin ata edhe pse, në raste të caktuara, punëdhënësi i drejtpërdrejtë nuk mund të jetë palë në mosmarrëveshje dhe të marrin pjesë në greva mbështetëse me kushtin që greva fillestare me të cilën ata solidarizohen të jetë e ligjshme. Komiteti merr parasysh informacionin e Qeverisë që: (1) qëndrimi i saj mbetet i njëjtë me atë të përcaktuar në raportin e saj për vitin 2006-08, se arsyet nuk kanë ndryshuar dhe se për këtë arsye ajo nuk ka plane për të ndryshuar legjislacionin në këtë fushë; dhe (2) kjo çështje është pjesë e një rasti të sjellë në GJEDNJ nga Sindikatës Kombëtare të Punëtorëve të Hekurudhave, Detar dhe të Transportit(RMT) dhe se Gjykata duhet ende të shqyrtojë rastin. Komiteti kujton shqetësimin e mëparshëm të ngritur, se globalizimi i ekonomisë dhe lëvizshmëria e qendrave të punës mund të ketë një ndikim të madh mbi të drejtën e organizatave të punëtorëve që të organizojnë aktivitetet e tyre në një mënyrë që të mbrojnë efektivisht interesat e anëtarëve të vet në qoftë se veprimet e ligjshme tregtare përkufizohen në mënyrë shumë ë ngushtë. Në këto rrethana, Komiteti përsëri i kërkon Qeverisë të rishikojë nenet 223 dhe 224 të TULRA, në konsultim të plotë me partnerët socialë dhe të japë informacion të mëtejshëm në raportin e saj të ardhshëm mbi rezultatet e këtyre konsultimeve.”[4]
(Raporti i Komitetit të Ekspertëve në Konferencën Ndërkombëtare të Punës, Sesioni 102, 2013, ILC.102 / III (1A), f. 195-196).
B. Karta Sociale Evropiane
34. E drejta e grevës mbrohet nga neni 6 paragrafi 4 i Kartës Sociale Evropiane, ratifikuar nga Mbretëria e Bashkuar më 11 korrik 1962. Ajo parashikon si më poshtë:
“Me synimin për të siguruar një ushtrim efektiv të së drejtës për të negociuar kolektivisht, Palët angazhohen:
...
[të] njohin:
4. të drejtën e punëtorëve dhe të punëdhënësve për veprim kolektiv në rastet e konfliktit të interesave, duke përfshirë të drejtën për grevë, duke ju nënshtruar detyrimeve që mund të lindin nga marrëveshjet kolektive për të cilat është rënë dakord më parë.”
1. Në lidhje me detyrimin për njoftim
35. Komiteti Evropian për të Drejtat Sociale (ECSR) ka shqyrtuar rregullat britanike në lidhje me votimet për zhvillimin e grevës dhe konsiderohen si të papajtueshme me ushtrimin e duhur të të drejtës së grevës. Në vlerësimin e saj më të fundit lidhur me këtë (Konkluzionet XIX-3, 2010) ajo ka deklaruar:
“Komiteti vërejti në konkluzionet e tij të mëparshme ... se kërkesa për të njoftuar punëdhënësin për votimin në lidhje me ndërmarrjen e veprimeve sindikaliste, përveç njoftimit për grevë që duhet të lëshohet para se të zhvillohet, është e tepruar (edhe kërkesat e thjeshtësuara të paraqitura nga Ligji për Marrëdhëniet e Punësimi (ERA) 2004). Duke qenë se situata ka mbetur e njëjtë, Komiteti përsërit gjetjen e tij se situata nuk është në përputhje me nenin 6 §4 të Kartës.”
2. Në lidhje me veprimet sindikaliste mbështetëse
36. Ashtu si Komiteti i Ekspertëve të ILO-së, ECSR ka kritikuar vazhdimisht situatën në Mbretërinë e Bashkuar. Në përfundimet e para në lidhje me çështjen (Përfundime XIII-1, 1993) ai ka deklaruar:
“Duke iu referuar raportit, Komiteti vuri në dukje vërejtjet e Qeverisë në lidhje me kufizime në të drejtën për grevë, të vendosura nga Ligji i Punësimit i 1990 në lidhje me Britaninë e Madhe. Në veçanti, ai vuri në dukje se ndërsa Qeveria theksoi rëndësinë e mbrojtjes të së drejtës të punëdhënësit për të ndërprerë marrëdhëniet e punës me ata të angazhuar në një grevë, ajo gjithashtu theksoi se legjislacioni vazhdon të:
(i) lejojë mbrojtje të veçantë të grumbullimeve paqësore në vendin e tyre të punës;
(ii) sigurojnë imunitet ligjor për grumbullimet paqësore dhe të ligjshme;
(iii) sigurojnë imunitet ligjor për mosmarrëveshje të ligjshme tregtare.
Komiteti gjithashtu vuri në dukje vëzhgimet e fundit të Komitetit të Ekspertëve të ILO ku rekomandohej që legjislacioni të ndryshohej në përputhje me parimin e lirisë së organizimit në përputhje me Konventën e ILO nr. 87 (Liria sindikale dhe Mbrojtja e së Drejtës për t’u Organizuar, 1948).
Duke pasur parasysh këtë informacion dhe duke vërejtur se individët nuk kanë imunitet në lidhje me:
- veprimet sindikaliste mbështetëse, përveç nxitjes në rrjedhën e një grumbullimi paqësore;
- veprimet sindikaliste të organizuara në mbështetje të punonjësve të shkarkuar, për shkak të marrjes pjesë në një veprim jozyrtar;
Komiteti përsëriti konkluzionin e tij të mëparshëm negativ për arsyet e cituara në ciklin e dymbëdhjetë të mbikëqyrjes. "(Përfundimet XIII-I, periudha e referencës 1990-1991).”
37. Në deklarimet më të fundit të ECSR-së për këtë çështje (Përfundimet XIX-3, 2010) u tha:
“Në konkluzionet e tij të mëparshme ... Komiteti konstatoi se një veprim i ligjshëm kolektiv ishte i kufizuar në marrëveshjet ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësit të tyre, duke e ndalur një sindikatë për të vepruar kundër punëdhënësit de facto në qoftë se ky nuk ishte punëdhënësi i drejtpërdrejtë. Gjithashtu ECSR vuri në dukje se gjykatat britanike përjashtuan veprim kolektive në lidhje me një punëdhënës të ardhshëm dhe afatet dhe kushtet e punësimit në të ardhmen në kontekstin e transferimit të një pjese të biznesit nga një kompani në një tjetër (University College London NHS Trust v UNISON). Prandaj, Komiteti vlerësoi se e drejta e punëtorëve për të mbrojtur interesat e tyre përmes veprimit të ligjshëm kolektiv ishte shumë e kufizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Duke pasur parasysh se nuk ka pasur ndryshime të situatës, Komiteti përsërit konstatimin e tij se situata nuk është në përputhje me nenin 6§4 të Kartës.”
C. Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian
Dispozitat përkatëse parashikojnë si më poshtë:
“Neni 12
Liria e tubimit dhe organizimit
1. Kushdo ka të drejtën e lirisë për tubim paqësor dhe organizimit në të gjitha nivelet, sidomos për çështjet politike, sindikale dhe qytetare, çka nënkupton të drejtën e secilit për të krijuar dhe për t’u anëtarësuar në sindikata për mbrojtjen e interesave të tij ose saj.
...
Neni 28
E drejta për bisedime kolektive dhe veprim kolektiv
Në përputhje me të drejtën e Bashkimit dhe me ligjet dhe praktikat kombëtare, punonjësit dhe punëdhënësit apo organizatat e tyre përkatëse kanë të drejtën e bisedimeve kolektive dhe të drejtën për të nënshkruar marrëveshje kolektive sipas niveleve të përshtatshme dhe, në rastet e konflikteve të interesit, të ndërmarrin veprime kolektive për mbrojtjen e interesave të tyre përfshirë grevën.”
Neni 28 ndodhet në titullin IV të Kartës. Për sa i përket Mbretërisë së Bashkuar, referimi duhet bërë në Protokollin (Nr. 30) të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian. Ai parashikon, në pjesët relevante:
“Neni 1
...
2. Në veçanti dhe për të shmangur dyshimin, asnjë dispozitë në Titullin IV të Kartës nuk krijon të drejta të gjykueshme të zbatueshme në Poloni ose në Mbretërinë e Bashkuar për aq sa këto të drejta janë të parashikuara në legjislacionin kombëtar të Polonisë ose të Mbretërisë së Bashkuar.”
IV. ELEMENTTË SË DREJTËS KRAHASUESE
38. Palët parashtruan disa elemente të drejtës krahasuese në lidhje me grevat mbështetëse. Të dy iu referuan një studimi krahasues mbi rregullimin e veprimeve sindikaliste në Evropë (Rregullat e Grevës në BE 27 dhe përtej, Një pasqyrë krahasuese, W. Warneck, Instituti Evropian i Sindikatave për Kërkimin, Edukimin, Shëndetin dhe Sigurinë, 2007). Sipas këtij burimi, veprimet sindikaliste mbështetëse janë të mbrojtura dhe të lejuara dhe i nënshtrohen kufizimeve dhe kushteve të ndryshme, në shumicën e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian. Shtetet që, ashtu si Mbretëria e Bashkuar, nuk i lejojnë ato janë Austria, Luksemburgu dhe Holanda.
39. Në parashtrimet e tyre fillestare, Qeveria kërkoi mbështetje për situatën në Mbretërinë e Bashkuar duke iu referuar situatës në Shtetet e mëposhtme: Spanjë, Holandë, Itali, Austri, Norvegji, Danimarkë dhe Gjermani. Ata pretenduan se këto ilustronin një tendencë të gjerë në Evropë për t’ia nënshtruar veprimet sindikaliste mbështetëse kushteve të cilat ishin edhe kufizuese krahasuar me veprimet sindikaliste fillestare. Në përgjigje të kësaj kërkuesi i paraqiti Gjykatës qëndrimet e ekspertëve të së drejtës së punës në një numër vendesh evropiane që kundërshtonin vërejtjet e Qeverisë. Kërkuesi arriti në përfundimin se Mbretëria e Bashkuar ka legjislacionin më kufizues midis Palëve Kontraktuese të Konventës në këtë aspekt. Qeveria konkludoi se materiali tregonte se, pavarësisht nga larmia e madhe e sistemeve të marrëdhënieve dhe traditave të punës në Evropë, shumica e Shteteve bëjnë dallimin ndërmjet veprimeve sindikaliste fillestare dhe atyre mbështetëse, duke e kufizuar më shumë këtë të fundit. E drejta pa kufizime e pretenduar nga kërkuesi nuk është mbështetur nga asnjë konsensus i vërtetë evropian.
40. Gjykata vëren se informacioni krahasues është në dispozicion nga mekanizmi monitorues i Kartës Sociale Evropiane. Siç tregohet më sipër, ky organ e ka kritikuar vazhdimisht situatën në Mbretërinë e Bashkuar, e cila duket të jetë i vetmi subjekt i kritikave kundrejt këtij Shteti. Gjithashtu ECSR ka komentuar në vitet e fundit lidhur me ligjshmërinë e veprimeve sindikaliste mbështetëse (nganjëherë të njohura edhe me termin "keqardhjeje" ose "solidarizuese") në Shtetet e mëposhtme: Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Malta, Norvegjia, Portugalia, Rumania, Republika Sllovake, Spanja dhe Suedia. Duke iu referuar tre Shteteve të tjera të identifikuara në studimin e Waneck të cilat nuk lejonin veprimet sindikaliste mbështetëse, Gjykata vëren se ECSR nuk ka bërë ndonjë kritikë ndaj situatës në Holandë mbi këtë çështje. As nuk ka bërë ndonjë koment në lidhje me situatën në Austri apo Luksemburg, Shtete të cilat nuk e kanë pranuar nenin 6 paragrafin 4 të Kartës Sociale.
41. Disa informacione të mëtejshme krahasuese janë vënë në dispozicion nga botimet dhe bazat e të dhënave ligjore të ILO-s. Për shembull, Komiteti i Ekspertëve iu referuan heqjes nga kushtetuta turke e ndalimit të grevave mbështetëse (Dhënia e një fytyre njerëzore globalizimit, op. Cit., at paragrafi 125). Ai iu referua gjithashtu, në shqyrtimin e tij lidhur me zbatimin nga ana e Shteteve të Konventës nr. 87, ligjshmërisë së grevave të keqardhjes në Shqipëri, Gjeorgji dhe Letoni. Komiteti për Lirinë e Organizimit i është referuar edhe grevës mbështetëse në Hungari (ankesa nr. 2775) dhe vuri në dukje se e drejta ruse nuk parashikon shprehimisht, apo të ndalojë, veprime të tillë (ankesa nr. 2251).
Përveç kësaj, Gjykata vëren se në të drejtën zvicerane grevat janë të lejuara, nëse ato "kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punësimit" (neni 28 paragrafi 4 i Kushtetutës). Sipas një komentari kushtetues, një grevë duhet të vërtetë të jetë rreth kushteve të punës dhe jo të ndjekë objektiva politike të korporatës ose jashtë ndërmarrjes ose degës (Droit constitutionnel suisse, vol. II, Auer, Malinverni dhe Hottelier fq. 723).
E DREJTA
I. PRETENDIMI PËR SHKELJE TË NENIT 11 TË KONVENTËS
42. Kërkuesi pretendoi se dy situatat e përshkruara më sipër, në lidhje me kërkesat ligjore për njoftimin për votimin për zhvillimin e grevës dhe për grevat mbështetëse, tregonin ekzistencën e kufizimeve të tepruara mbi lirinë e saj të organizimit në bazë të nenit 11 të Konventës, i cili parashikon si vijon:
“1. 1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të ti.
2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.”
43. Qeveria e kundërshtoi këtë argument.
44. Kështu, Gjykata do të shqyrtojë dy grupe të fakteve të paraqitura nga kërkuesi dhe çështjeve të veçanta të Konventës të cilat secila prej tyre ngre.
A. Pranueshmëria
1. Njoftimi për votimin për zhvillimin e grevës
45. Sa i përket kërkesës së parë, e cila nuk i është komunikuar Qeverisë, Gjykata konstaton se ajo është e papranueshme për arsyen vijuese. Faktet e shembullit praktik të dhënë, siç paraqiten nga kërkuesi, tregojnë se edhe pse sindikata pati disa vonesa në marrjen e masave për të mbrojtur interesat e anëtarëve të saj, ajo arriti të zhvillonte një grevë dy muaj më vonë. Ky veprim, me pohimin e vetë kërkuesit, e detyroi EDF të përmirësonte ofertën e saj ndaj anëtarëve të sindikatave, të cilët e pranuan dhe hyri në fuqi si një marrëveshje kolektive menjëherë. Pra ky finalizim i suksesshëm nuk mund të shpërfillet. Do të ishte jo e natyrshme që Gjykata të shqyrtonte nxjerrjen e urdhrit gjyqësor kundër RMT në mënyrë të izoluar nga ngjarjet e mëvonshme. Me pak fjalë, nuk ka asnjë bazë që Gjykata të konstatoj se është ndërhyrë në ushtrimin e të drejtave të kërkuesit sipas nenit 11 të Konventës, për më tepër që i është kërkuar të përmbushë kërkesa procedurale të përcaktuara në ligj, të cilat i përmbushi me sukses. Ndërsa këto kërkesa kishin qenë subjekt i kritikave nga ana e organeve të tjera ndërkombëtare (shih nën pjesën III të Deklaratës së fakteve, sipër), Gjykata mund të shqyrtojë vetëm pretendimet në dritën e fakteve të tyre konkrete. Ajo konsideron se çfarë situata e EDF tregon në të vërtetë është në fund të fundit aksion i suksesshëm kolektiv nga kërkuesi në emër të anëtarëve të tij. Gjykata konstaton se kërkesa është e pabazuar dhe shpallet e papranueshme në bazë të nenit 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.
2. Veprimet sindikaliste mbështetëse
46. Në lidhje me aspektin e dytë të kërkesës, çështja e parë për tu shqyrtuar është pranueshmëria duke qenë se kërkuesi është ankuar për këtë çështje edhe në Komitetin e Lirisë së Organizimit të ILO-s. Kjo ndodhi pasi çështja u paraqit në Gjykatën. RMT kishte deklaruar në kërkesën e tij se kishte për qëllim ta ngrinte çështjen edhe tek Komitetit i Lirisë së Organizimit. Me një letër të 6 qershorit 2013 kërkuesi informoi Gjykatën se e kishte "tërhequr në mënyrë të parevokueshme" kërkesën. Qeveria parashtroi se mbajtja e dy ankesa ndërkombëtare në mënyrë paralele për disa vite dhe pastaj tërheqja e njërës prej tyre për të fituar një avantazh taktik para se Gjykata ta shqyrtojë duhet të konsiderohet abuzim i të drejtës së kërkesës. Ata shtuan se neni 35 § 2 (b) të Konventës (teksti është dhënë në paragrafin 48 më poshtë) nuk duhet të interpretohet në mënyrë që të kufizojë shtrirjen e tij vetëm për rastet kur kërkuesi e ka dorëzuar tashmë çështjen në një proces tjetër ndërkombëtar. Në parashtrimet e tyre, një lexim i tillë, fjalë për fjalë i dispozitës do të humbiste qëllimin e saj pasi do të lejonte që një kërkues të paraqiste një çështje në bazë të Konventës dhe më vonë të ngrinte atë përpara një organi tjetër ndërkombëtar.
47. Kërkuesi u përgjigj se Qeveria kishte qenë në dijeni gjatë gjithë kohës për ekzistencën e ankesës në Komisionin e Lirisë së Organizimit, duke qenë se kishte dorëzuar përgjigjen e saj zyrtare ILO-s në korrik të vitit 2011. Në këtë përgjigje, në fakt, përmendej ekzistenca e kërkesës aktuale para Gjykatës, duke vënë në dukje - korrektësisht - se RMT i kishte dhënë prioritet të qartë procesit lidhur me Konventën. Kjo, për shkakun e thjeshtë se Mbretëria e Bashkuar e kishte injoruar kritikën e shprehur nga organet përkatëse të ILO-s, por ndërkohë do të ishte i detyruar të ekzekutonte një vendim në favor të kërkuesit. Tërheqja e ankesës së bërë tek ILO, para se te merrej një vendim nga Komiteti i Lirisë së Organizimit, do të thotë se argumenti i pluralitetit të procedurave ndërkombëtare lidhur me të njëjtën çështje binte poshtë.
48. Neni 35 § 2(b) i Konventës parashikon:
“2. Gjykata nuk merr në shqyrtim asnjë kërkesë individuale të paraqitur sipas nenit 34, kur
(b) është në thelb e njëjtë me një çështje të shqyrtuar më parë nga Gjykata ose që i është nënshtruar një procedure tjetër për zgjidhje ose hetim ndërkombëtar dhe nuk përmban fakte të reja përkatëse.”
Siç është përcaktuar nga jurisprudenca e Gjykatës, kjo dispozitë nuk është e kufizuar vetëm në situata kur një kërkuesi është drejtuar tashmë një organi tjetër ndërkombëtar për të njëjtën çështje. Gjykata është shprehur se vendimtare nuk është data e kryerjes së veprimit, por nëse është marrë vendim mbi themelin e çështjes në kohën kur Gjykata shqyrton çështjen (Peraldi k. Francës (vendim[5]), nr. 2096/05, 7 prill 2009). Kjo nuk ka ndodhur në rastin konkret (në kundërshtim me POA dhe të Tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (vendim[6]), nr. 59253/11, 21 maj 2013 ku sindikata kërkuese kishte paraqitur tashmë një ankesë të njëjtë në Komitetin e Lirisë së Organizimit, i cili kishte dalë me një vendim për themelin). Për më tepër, Gjykata nuk vlerëson se kërkuesi ka abuzuar me të drejtën e kërkesës. Ai nuk e fshehu nga Gjykata që në fillim qëllimin e tij për të shfrytëzuar ndonjë procedurë tjetër ndërkombëtare (shiko në kundërshtim rastin e Cereceda Martin dhe të Tjerët k. Spanjës, nr. 16358/90, 12, tetor 1992 Vendime dhe Raporte 73, f. 133 ). Vendimi i tij në fund për të tërhequr ankesën si një masë parandaluese, nuk mund të konsiderohet si abuzive brenda kuptimit të nenit 35 § 3 (a) të Konventës. Prandaj Gjykata hedh poshtë kundërshtimin paraprak të Qeverisë sipas këtij kreu.
49. Qeveria më tej parashtroi se kërkesa në lidhje me grevën mbështetëse duhet të refuzohet si e pabazuar. Ata vlerësuan se nuk ka pasur shkelje apo edhe ndërhyrje në të drejtën e kërkuesit për lirinë e organizimit duke qenë se neni 11 nuk njeh asnjë të drejtë për të ndërmarrë veprime mbështetëse. Përkundrazi, dilte qartë nga formulimi i neni 11 se parashikonte veprime kolektive të punëtorëve për të mbrojtur interesat e tyre. Greva vetë keqardhjes, të cilat nuk ishin asgjë më shumë se shfaqje e solidaritetit me një grup tjetër punëtorësh, u mungonte lidhja e nevojshme ndërmjet veprimit kolektiv dhe interesave të drejtpërdrejta të personave që ndërmarrin atë. Nuk u parashtruan faktet se situata e anëtarëve të RMT-së të punësuar nga HYDREX kishte pasur ndonjë ndikim të vërtetë mbi situatën e kolegëve të tyre të sindikatës të punësuar nga Jarvis. Nëse do të kishte ndonjë kërcënim të materializuar kundrejt interesave të këtyre të fundit, atëherë ata mund të zhvillonin grevë, ashtu siç kishin bërë anëtarët e sindikatës që punonin tek HYDREX
50. Kërkuesi nuk ra dakord me leximin nga ana e Qeverisë të nenit 11 § 1 duke e konsideruar tepër të kufizuar.
51. Gjykata vlerëson se kundërshtimi paraprak i Qeverisë në këtë pjesë të dytë ngre një çështje të interpretimit të Konventës dhe nuk është e përshtatshme për t’i dhënë zgjidhje në fazën e shqyrtimit të pranueshmërisë së kërkesës. Prandaj i bashkohet shqyrtimit të themelit të çështjes më poshtë.
52. Duke qenë se nuk është e papranueshme për ndonjë arsye tjetër e deklaron pjesën e kërkesës në lidhje me veprimet sindikaliste mbështetëse të pranueshme.
B. Themeli
1. Parashtrimet e palëve
(a) Sindikata kërkuese
53. Kërkuesi argumentoi se ndalimi i veprimit sindikalist mbështetës e kishte kufizuar seriozisht aftësinë e tij për të mbrojtur në mënyrë efektive anëtarët e tij në HYDREX kundër një përkeqësim drastik të termave dhe kushteve të punësimit të tyre. Nëse do të kishte qenë e mundur për të organizuar një grevë solidariteti në Jarvis, më shumë gjasa do të ndaloheshin ndryshimet negative që u ndodhën punonjësve, anëtar të sindikatës në Hydrex. Me kaq pak anëtarë të punësuar nga HYDREX, efekti i grevës kishte qenë i papërfillshëm. Mundësia shumë e kufizuara ligjore e grumbullimit në mënyrë paqësore nuk kishte pasur asnjë efekt. Oferta e rishikuar nga menaxherët e kompanisë, pavarësisht se ishte prezantuar nën një dritë pozitive nga kreu i sindikatës, ishte refuzuar njëzëri nga të pyeturit si e papërshtatshme. Kërkuesi deklaroi se një grevë nga anëtarët e saj në Jarvis do të kishte qenë e motivuar jo vetëm nga solidariteti me kolegët anëtarët të sindikatës që kishin qenë edhe ish-kolegët e tyre të punës, por edhe nga shqetësimi për të ruajtur termat dhe kushtet e tyre të punësimit. Duke pasur parasysh mjedisin tejet konkurrues në të cilat ata ishin të punësuar, një vendim nga një kompani për të zvogëluar shpenzimet e veta të personelit do të mund të shkaktonte ndryshime të ngjashme në kompanitë konkurrente. Siç situata në Hydrex dëshmoi, ishte e lehtë për një kompani të ndërpriste marrëdhëniet e punësimi të punëtorëve dhe pastaj t’i ri punësonte ata sipas kushte më pak të favorshme. Ndalimi i veprimit sindikalist mbështetës cenoi veprimin e sindikatës në emër të të gjithë anëtarëve të saj në një sektor të caktuar, në dëm të të gjithë këtyre punëtorëve. Nga 1980 e në vazhdim, ka pasur një rënie të konsiderueshme dhe të qëndrueshme të rolit të marrëveshjeve kolektive në ekonominë britanike, çka e bënte edhe më të rendësish me lejimin e sindikatave për të vepruar në mënyrë efektive në emër të anëtarëve të tyre, duke mbrojtur ata që janë në pozita më të dobëta. Sipas mendimit të kërkuesit, vetëm në periudhën para vitit 1980 e drejta për të ndërmarrë veprime sindikaliste mbështetëse kishte qenë e mbrojtur në mënyrë adekuate nga e drejta e brendshme. Qeveria e asaj kohe nuk e kishte konsideruar të nevojshme për ta kufizuar atë të drejtë. Objekt i qartë i legjislacionit të vitit 1980 dhe 1992 kishte qenë cenimi i rolit dhe ndikimit të sindikatave, duke i vendosur punonjësit në një pozicion të pa favorshëm. Pretendimet e Qeverisë se grevat kishin dëmtuar ekonominë në vitet 1970 dhe 1980 nuk vërtetoheshin dhe për më tepër ishin të ekzagjeruara dhe të pasakta. Pavarësisht nga mungesa e çfarëdo prove relevante, sindikatat ishin fajësuar padrejtësisht për problemet ekonomike të Britanisë për më shumë se tridhjetë vjet dhe për këtë arsye i janë nënshtruar një legjislacioni shumë kufizues.
54. Duke iu përgjigjur argumentit të Qeverisë se grevat mbështetëse, për nga natyra e tyre, përfshinin edhe punëdhënës të tjerë të cilët nuk ishin palë në mosmarrëveshje dhe për të cilën nuk kishin asnjë kontroll, kërkuesit parashtruan se konsiderata të tilla ishin të parëndësishme për faktet e këtij rast. Kërkuesi do të kishte thirrur vetëm në grevë vetëm punëtorët e Jarvis, çka do të kishte qenë e mjaftueshme për të detyruar HYDREX të linte termat dhe kushtet ekzistuese të punësimit të paprekura. Në çdo rast, kërkuesi refuzoi, si përgjithësim, argumentin e Qeverisë në lidhje me efektet shkatërruese të veprimeve sindikaliste mbështetëse dhe rreziqeve që ato paraqisnin për të drejtat e Konventës të palëve të treta (ndërhyrjet tek bizneset, kërcënimet për jetesën, madje - në situata ekstreme - për jetën dhe shëndetin). Ekzistonin mjaft garanci në ligje të tjera, përfshirë të drejtën penale. Pra, nuk justifikohej një ndalim i plotë i grevave mbështetëse. Me siguri mund të gjendej një regjim më pak kufizues, siç kërkohet nga parimi i proporcionalitetit. Mundësia e organizimit të grumbullimeve paqësore nuk sillte ndonjë ndryshim të vërtetë, siç tregohet nga faktet e këtij rasti; ajo i zbut aspak efektet jo proporcionale të ndalimit të veprimit sindikalist mbështetës.
55. Duke përmendur disa prej vendimeve për pranueshmërinë dhe për themelin të Gjykatës, në rastet e sindikatave, kërkuesi argumentoi se e drejta e grevës tani duhet të konsiderohet si një element thelbësor i lirisë së organizimit që Shtetet duhet të respektojnë. E thënë ndryshe, Gjykata ka identifikuar marrëveshjet kolektive si një element thelbësor i të drejtave të sindikatave, logjikisht edhe e drejta për grevë është po aq e rëndësishme, duke qenë se nëse nuk do të ekzistonte kërcënimi për veprime sindikaliste, bisedimet kolektive do të privoheshin nga çdo efektivitet dhe do të ishin pak më shumë se "lypje kolektive". Në këtë mënyrë, ndalimi i veprimeve mbështetëse dëmton thelbin e lirisë së organizimit. Një gjë e tillë mund të pranohet vetëm me arsyet vërtetë bindëse që e justifikojnë diçka të tillë. Shteti duhet të kalojë një test të rreptë domosdoshmërie, me një hapësirë të kufizuar vlerësimi, subjekt i shqyrtimit shumë rigoroz të Gjykatës.
56. Kërkuesi i kërkoi Gjykatës të refuzonte një konceptim të ngushtë të lirisë së organizimit të sindikatave të kufizuar në mbrojtjen e interesave rreptësishtë personale të punëtorëve individuale. Një interpretim i tillë do të varfëronte vet thelbin e nenit 11. Në shumë çështje që gjykata kishte shqyrtuar në lidhje me sindikatat, ajo nuk i kishte dhënë rëndësi për çfarë rrezikoheshin punëtorët në mosmarrëveshje. Ishte krejtësisht e ligjshme që sindikatat të ndiqnin objektivat më të gjera të përbashkëta. Sindikalizëm ishte krejtësisht rreth solidaritetit ndërmjet anëtarëve të sindikatave dhe ndërmjet punëtorëve në përgjithësi dhe formulimi i nenit 11 të Konventës duhet të interpretohen në përputhje me këtë. Punëtorët duhet të jenë në gjendje të ndërmarrin veprime sindikaliste për të mbrojtur ata që ndalohen ta bëjnë këtë gjë ose ata që, vetë, nuk kanë fuqinë kolektive për të mbrojtur interesat e tyre në punë. Ky koncept i gjerë i lirisë së organizimit ishte mbështetur nga dy organet më të shquara ndërkombëtare në fushën e të drejtave të sindikatave, Komiteti i Ekspertëve i ILO-s dhe ECSR. Të dy këto organe kishin kritikuar në mënyrë të përsëritur Mbretërinë e Bashkuar për ndalimin e grevave mbështetëse, gjë të cilën ata e konsideronin të papajtueshme me standardet përkatëse ligjore ndërkombëtare. Këto ishin interpretuar që nënkuptonin se i vetmi kusht që mund të ndalonte veprimet sindikale mbështetëse ishte ligjshmëria e vetë veprimit sindikalist kryesor. Kërkuesi i kërkoi Gjykatës të mbajë të njëjtin qëndrim. Në qoftë se kjo do ishte shumë e gjerë, një kriter afërsie mund të gjendej, e thënë ndryshe, një kërkesë për një lidhje ndërmjet punëtorëve të angazhuar në veprimin sindikal kryesor dhe atyre të përfshirë në grevën mbështetëse. Një lidhje e tillë ishte e pranishme në rastin konkret, duke qenë se punëtorët në fjalë kishte qenë fillimisht punonjësit e Jarvis dhe vazhduan të kryenin të njëjtën punë në të njëjtat vende pune edhe pas transferimit. Një përkeqësim i termave dhe kushteve të tyre të punësimit mund të kishte pasoja negative për të gjithë punëtorët në këtë sektor. Në ekonominë moderne, fuqia punëtore ishte duke u bërë gjithnjë e më e fragmentuar nëpërmjet transferimit të ndërmarrjeve ose pjesë të tyre, krijimin e strukturave komplekse të korporatave, punës së agjencive, privatizimit, transferimi i shërbimeve të caktuara nën-kontraktorëve, vetëpunësimi i maskuar dhe kështu me radhë. Kjo na ka çuar në një situatë në të cilën personat që kryejnë të njëjtën punë në të njëjtin vend pune mund të kenë punëdhënës të ndryshëm, çka do të thotë se ata nuk mund të mbështesin ligjërisht njëri-tjetrin në kohë të konfliktit industrial.
57. Me ndalimin e plotë të veprimit sindikalist mbështetës, Mbretëria e Bashkuar bën pjesë në një pakice shumë të vogël të shtetesh evropiane që kanë aprovuar një qëndrim të tillë ekstrem. Qëndrimi i shumicës më të madhe të shteteve evropiane, pavarësisht nga dallimet ndërmjet tyre në fushën e marrëdhënieve të punës në përgjithësi, ishte më liberal. Sipas Kërkuesit ky qëndrim përfaqësonte konsensusin në Evropë mbi këtë çështje.
(b) Qeveria
58. Qeveria nuk e pranoi parashtrimet e fakteve nga kërkuesi rreth situatës në Hydrex. Ata vunë në dukje se, siç kërkohej nga ligji i brendshëm, grupi i ish punonjësve të Jarvis kishte vazhduar të gëzonin të njëjtat terma dhe kushtet punësimi edhe pas transferimit dhe kjo kishte vazhduar për një periudhë prej dy vjetësh. Në këtë pikë, siç tregohet nga dokumentet e paraqitura nga kërkuesi, vështirësitë financiare të kompanisë e kishin detyruara atë të propozonte kontrata më pak të favorshme për personat në fjalë. Kërkuesi mbrojti dhe përfaqësoi më të mirë. Edhe pse oferta ishte refuzuar dhe kërkuesi tani e përshkroi atë si të pamjaftueshme, në fakt, në atë kohë, ajo ishte miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm i RMT, i cili e kishte konsideruar grevën një sukses dhe u kishte kërkuar anëtarëve të sindikatës për të votuar në favor të pranimit të saj.
59. Sa për anëtarët e RMT të punësuar nga grupi Jarvis, Qeveria vuri në dukje se, në kundërshtim me spekulimet e kërkuesit, nuk kishte asnjë dëshmi të ndonjë lëvizje nga ana e punëdhënësit me qëllimin për të reduktuar termat dhe kushtet e tyre siç kishte bërë më pas Hydrex. Të dy kompanitë nuk kishin lidhje. Nëse do të kishte ekzistuar diçka e tillë kërkuesi do të kishte pasur të drejtën për të organizuar një grevë me punonjësit e Jarvis në mbrojtje të interesave të tyre.
60. Qeveria pretendon se e drejta për grevë ishte e mbrojtur në mënyrë adekuate në të drejtën e brendshme. Për sa kohë, veprimi sindikalist u organizua në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse, punëtorët individ ishin të mbrojtur kundër pushimit nga puna dhe sindikatat gëzonin imunitet kundrejt përgjegjësive civile. Gjykatat vendase kishin vendosur se regjimi ligjor ishte në përputhje me nenin 11, siç interpretohet nga kjo Gjykatë (rasti Metrobus, cituar në §11 sipër).Qeveria sqaroi se Parlamenti ishte kujdesur të siguronte që ndalimi i përgjithshëm i veprimit sindikalist mbështetës të mos zvogëlonte veprimet kryesore. Kështu, veprimi sindikalist mbështetës do të jetë i ligjshëm nëse ai përbën gjithashtu një veprim kryesor në lidhje me një mosmarrëveshje tjetër (neni 224 (5) i Ligjit të 1992). Për më tepër, personat që marrin pjesë në veprim sindikaliste ishin të lejuar të fillonin një protestë të qetë në ose afër vendit të tyre të punës, me qëllim për të bindur të tjerët në mënyrë paqësore për të braktisur punën e tyre.
61. Sipas Qeverisë, kuadri i tanishëm ligjor erdhi si reagim ndaj ndërprerjeve të përhapura të punës, të shkaktuara ekonomisë britanike nga veprimet sindikaliste mbështetëse në vitet 1970 dhe 1980. Para hyrjes në fuqi të Ligjit të Punësimit të1980, sindikatat gëzonin një pushtet shumë të gjerë për të organizuar greva mbështetëse, me pasoja shumë të dëmshme për bizneset, forcën e tyre punëtore dhe për publikun e gjerë. Një mosmarrëveshje në një fushë të ekonomisë mund të përhapej shpejt tek të tjerat, duke përfshirë kështu palët e treta që nuk kishin rol në konflikt dhe nuk kishte mjete reale për të zgjidhur atë. Sa shumë tolerant ishte legjislacioni në fuqi në atë kohë u bë plotësisht e dukshme në rastin e MacShane. Qeveria e asaj kohe vendosi se kjo gjë duhej ndryshuar dhe debatet parlamentare sollën shumë shembuj aktuale të dëmit dhe përçarjeve të shkaktuar nga greva e pakufizuara të solidaritetit. Dhjetë vjet më vonë, Qeveria vërejti se edhe në formën e saj më të kufizuar veprimi sindikalist mbështetës kishte potencialin për të dëmtuar ekonominë, sidomos frenonte kompanitë ndërkombëtare për të operuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kështu Parlamenti vendosi kufizimin aktual mbi veprimet sindikaliste mbështetëse. Edhe pse Partia Laburiste, atëherë në opozitë, e kishte kundërshtuar këtë veprim, kurrë nuk tentoi ta shfuqizonte gjatë qëndrimit të saj 13-vjeçar në pushtet. As koalicioni aktual qeverisës nuk ishte qëllim të rishqyrtonte këtë çështje. Kjo tregonte pranimin shumë të gjerë politik, në Mbretërinë e Bashkuar, të bilancit aktual të bërë në lidhje me të drejtën për grevë.
62. Qeveria e pranoi se, në dritën e jurisprudencës së fundit të kësaj Gjykate, e drejta për t’u bashkuar në sindikata sipas nenit 11, normalisht nënkupton aftësinë për grevë. Por kjo nuk ishte aspak një e drejtë absolute. Ajo mund të jetë subjekt i kushteve dhe kufizimeve në përputhje me nenin 11 § 2 që ishin brenda hapësirës së vlerësimit të Shtetit. Gjithashtu, Qeveria nuk i konsideronte veprimet sindikaliste mbështetëse një element thelbësor të lirisë së organizimit, duke mos gjetur mbështetje për një diçka të tillë as në jurisprudencën përkatëse të Gjykatës, ku nuk kishte asnjë çështje që kishte të bënte me grevat mbështetëse.
63. Madje, nga leximi që ata i bënin jurisprudencës së saj dilte se duhet të ekzistonte një lidhje midis interesave të punëtorëve dhe veprimit të ndërmarrë nga sindikata e tyre në emër të tyre, qoftë kjo marrëveshje kolektive apo grevë. Një lidhje e tillë nuk mund të gjendej në situatën e Hydrex. Veprim sindikaliste mbështetëse të punonjësve të Jarvis në mbështetje të ish-kolegët e tyre do të kishte qenë thjesht për solidaritet; një veprim i tillë nuk do të kishte pasur ndonjë lidhje të vërtetë me interesat e tyre me Jarvis, me të cilin ata nuk kishin mosmarrëveshje. Kështu, kufizimi i veprimeve sindikaliste mbështetëse nuk kanë efekt në element thelbësor të lirisë së organizimit. Pra, nuk kishte pasur asnjë ndërhyrje në të drejtën e përcaktuar në nenin 11 § 1.
64. Sipas mendimit të Qeverisë, mënyra në të cilën veprimi sindikalist mbështetës është i rregulluar me ligj, ishte tërësisht brenda hapësirës së vlerësimit të Mbretërisë së Bashkuar. Siç Gjykata e kishte njohur në jurisprudencën e saj, hapësira e vlerësimit në këtë fushë duhet të jetë e gjerë, në dritën e konsideratave të ndjeshme sociale dhe politike të përfshira dhe dallimeve shumë të rëndësishme ndërmjet kornizave kombëtare të marrëdhënieve të punës në Evropë. Në çdo rast, situata duhet të shqyrtohet në dritën e nenit 11 si një e tërë, çka kërkon vendosjen e një balance ndërmjet efekteve të kufizimit të të drejtave të kërkuesit dhe efekteve të mundshme të veprimit sindikalist mbështetës tek palët e treta. Lidhur me efektet e kufizimit të të drejtave të kërkuesit, Qeveria theksoi se ndalimi i veprimit sindikalist mbështetës nuk cenon aftësinë e një sindikate për të ndërmarrë veprime sindikaliste kryesore në mbrojtjen e interesave të anëtarëve të saj. Përballë kësaj duhet vendosur efektet me ndikim të gjerë dhe të pakontrollueshme që veprimeve sindikaliste mbështetëse mund të kenë mbi të drejtat dhe liritë e të tjerëve, duke përfshirë të drejtat e tyre sipas Konventës, në mënyrë specifike në bazë të nenit 1 të protokollit nr. 1 dhe nuk mund të përjashtohet, sipas neni 2. Kur vendosja e ekuilibrit ka të bëjë me të drejtat konkurruese të Konventës, jurisprudenca e Gjykatës u ka dhënë një hapësirë të gjerë vlerësimi autoriteteve kombëtare. Në këndvështrimin e Qeverisë, ekuilibrimi i arritur në Mbretëria e Bashkuar mund të mbrohej.
65. Për më tepër duhej marrë në konsideratë struktura shumë e decentralizuar e marrëdhënieve të punës në Mbretërinë e Bashkuar, e cila qëndronte në kontrast me situatën në shumë Shtete të tjera evropiane. Qeveria vërejti se, kjo kishte amplifikuar efektin përçarës të veprimeve sindikaliste mbështetëse në vitet 1970 dhe do ta bënte përsëri nëse Gjykata do të vendoste për papajtueshmëri me kërkesat e Konventës. Gjithashtu, duhet të kihet parasysh se - sërish për dallimin me sistemet e tjera kombëtare në Evropë - sindikatat tashmë kishin liri të gjerë për të hyrë në greva. Në sistemin britanik nuk e kishte "klauzolën e paqes", e cila ishte detyrimi për të mos ndërmarrë veprime sindikaliste gjatë negocimit për një marrëveshje kolektive. As nuk ekzistonte ndonjë rregull proporcionaliteti për të kufizuar intensitetin ose shkallën e një greve, e cila ishte tërësisht një çështje të cilën e vendosnin sindikatat. Duke iu përgjigjur argumentit të kërkuesit në lidhje me rënien e marrëveshjeve kolektive gjatë 30 viteve të fundit, Qeveria deklaroi neutralitetin e saj për këtë çështje. Nëse punëtorët dhe punëdhënësit dëshirojnë të angazhoheshin bashkërisht ose jo ishte një çështje që u takonte atyre ta vendosnin. Qeveria kundërshtoi faktin se rënia ishte për shkak të ndalimit të veprimeve sindikaliste mbështetëse apo të ndonjë kufizimi tjetër të referuar nga kërkuesi. Ka pasur faktorë të tjerë, të tillë si privatizimi i shumë ish-ndërmarrjeve publike, punëtorët e të cilëve kishin qenë tradicionalisht të bashkuar në sindikata, zhvillimi i të drejtës së punës, dhënia e shumë të drejtave punëtorëve të cilët mund të kërkojnë respektimin e tyre nëpërmjet gjykatave dhe jo veprimtarisë sindikaliste.
66. Kufizimi ka qenë në fuqi për aq gjatë sa që, në këndvështrimin e Qeverisë, kompanitë dhe punëtorët e kishin pranuara të, edhe pse në anën e sindikatave ka pasur shenja të një qëndrim gjithnjë e më konfrontuese ndaj strategjisë ekonomike të Qeverisë në kushtet aktuale të vështira ekonomike . Rimëkëmbja e vendit do të rrezikohej nëse kërkuesi do t’i jepej ajo që kërkonte nga Gjykata dhe Qeverisë do t’i duhej të shfuqizonte ndalimin e veprimeve sindikaliste mbështetëse.
67. Përveç rregullave në lidhje me grevën, sindikatat mund të publikonin ankesat e tyre duke ushtruar të drejtën e gjerë për lirinë e tubimit. Qeveria dha shembullin e disa demonstratave të elektricistëve në disa vende publike për të informuar publikun në lidhje me një mosmarrëveshje pune.
68. Qeveria hodhi poshtë argumentin e kërkuesit se ndalimi i plotë i veprimeve sindikaliste mbështetëse të zëvendësohej me një kufizim të bazuar në konceptin e afërsisë apo largësisë. Këto ishin në thelb koncepte të paqarta dhe çdo rregull i formuluar në terma të tillë, në mënyrë të pashmangshme, do të prodhonte pasiguri ligjore dhe kështu do të sillte një rritje të proceseve gjyqësor. Në të vërtetë, ajo që kërkuesi kërkonte ishte e drejtë për të organizuar greva për shkak të solidaritetit midis punëtorëve në kompani të ndryshme, me kushtin që greva kryesore të ishte e ligjshme. Kjo ishte një kërkesë për heqjen e çdo kufizimi mbi veprimet sindikaliste mbështetëse dhe jo gjetjen e një balance. Një e drejtë e tillë pa kufizime nuk mund të rridhte nga neni 11. Ndërsa kërkuesi pohoi se situata Hydrex nuk paraqiste rrezikun e shtrirjes mbi në sektorë të tjerë, kjo nuk ishte një pikë e rëndësishme pasi Parlamenti kishte vendosur ndalimin e veprimeve sindikaliste mbështetëse jo bazuar në konsiderata rast pas rasti por si një rregull të qartë dhe uniform. Prandaj, ndalimi ose ishte në përputhje me këtë Konventë ose jo. Nëse do të shpallej jo në pajtim me Konventës, pasoja do të ishte njohja e një të drejtë shumë të gjerë për të ndërmarrë veprime sindikaliste mbështetëse, me shumë pasoja të mundshme për shoqërinë.
69. Analiza e mësipërme nuk ishte, sipas mendimit të Qeverisë, e ndikuar nga dispozitat e teksteve të tjera ndërkombëtare të cilave iu referua kërkuesi. Lidhur me nenin 6 § 4 të Kartës Sociale, Qeveria vërejti se ECSR e konsideron të drejtën për grevë si pjesë integrale të procesit të marrëveshjes kolektive ndërmjet sindikatave dhe punëdhënësve në rastet e konfliktit të interesave ndërmjet tyre. Kjo korrespondon me veprimin sindikalist kryesor, ku në lojë janë direkt interesat e punëtorëve në mosmarrëveshje, jo me veprimin sindikalist mbështetës. Më tej, Qeveria vërejti se ECSR nuk ishte një organ gjyqësor apo quasi-gjyqësor, por thjesht një organ i pavarur i cili paraqet konkluzionet e veta Komitetit të Ministrave çdo vit. Ishte ky i fundit që kishte fuqinë për të miratuar rekomandime Shteteve në lidhje me çdo rast të mosrespektimit të Kartës. Për sa i përket ndalimit të veprimeve sindikaliste mbështetëse, Komiteti i Ministrave kurrë nuk kishte mbajtur një qëndrim. Në çdo rast, baza për kritikat e ECSR -it kundrejt Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim ishte se ndalimi mund të kishte efektin e ndalimit të punëtorëve për të zhvilluar greva kundër punëdhënësit "të vërtet" ose de facto, kur ky është një entitet i dallueshëm nga punëdhënësi i drejtpërdrejtë . Kjo ishte edhe bazë për kritikat e shprehura nga Komiteti i Ekspertëve të ILO-s, por nuk kishte rëndësi për situatën e Hydrex, e cila formonte bazën faktike për shqyrtimin e çështjes nga Gjykata. Në çdo rast, as Komiteti nuk ishte një organ gjyqësor ose quasi-gjyqësor dhe interpretimi i tij i Konventave të ILO-s nuk ishte përfundimtar. Përkundrazi, roli i tij ishte që të siguronte një vlerësim të paanshëm dhe teknik të gjendjes së zbatimit të standardeve ndërkombëtare të punës. Në fakt, çështja e ë drejtës së grevës ishte aktualisht shkak i polemikave të mprehta brenda ILO dhe pjesë e tyre ishte edhe statusi i interpretimeve të dhëna nga Komiteti i Ekspertëve, i cili ishte vënë në dyshim. Përveç kësaj, Qeveria kishte perceptuar një divergjencë në qëndrimet ndërmjet Komitetit të Ekspertëve dhe Komitetit të Lirisë e Organizimit dhe më i fundit kishte të bënte me të drejtën për grevë e zbatuar vetëm në mbrojtje të interesave ekonomike të dikujt. Është për tu përmendur se Organi Drejtues i ILO-s nuk kishte mbajtur ndonjë qëndrim mbi situatën. Qeveria në këtë mënyrë nuk ka pranuar se Britania e Madhe ishte në shkelje të detyrimeve të saj sipas Konventës Nr. 87.
70. Duke komentuar mbi informacionin krahasues para Gjykatës, Qeveria vuri në dukje se Britania e Madhe nuk ishte i vetmi shtet që ndalonte ose kufizonte në mënyrë të konsiderueshme veprimet sindikaliste mbështetëse. Duke pasur parasysh diversitetin e madh të sistemeve të ndryshme të marrëdhënieve të punës në Evropë, çdo krahasim sipërfaqësore në këtë pikë do të ishte një ndihmë e kufizuar. Në kundërshtim me atë që kërkuesi pohoi, diversiteti i deklaruar ishte një argument që shkonte në favor të hapësirës së vlerësimit që Shteti gëzon.
(c) Palët e treta
(i) ETUC/TUC
71. Të dy organizatat deklaruan pikëpamjen e tyre se e drejta për grevë është absolutisht thelbësore për funksionimin e sindikatave në shoqëritë e lira dhe se një ndalim total i veprimeve sindikaliste mbështetëse është i papranueshëm. Ata iu referuan një sërë traktatesh ndërkombëtare që shprehimisht njohin të drejtën për grevë, ose janë interpretuar si burime juridike që e mbronin këtë të drejtë. Në jurisprudencën e organeve mbikëqyrëse të ILO-s, e drejta për grevë ishte gjerësisht e zbatuar dhe e mbrojtur fort. Kufizime mund të ketë, por këto nuk duhet të jenë të tilla që të rezultojnë në praktikë në një kufizim të tepruar të të drejtës së grevës. Grevat mbështetëse duhej të lejoheshin. Këtë në mënyrë të qartë e thotë edhe ECSR në jurisprudencën e tij. Ndalim i plotë i veprimeve sindikaliste mbështetëse do të thotë se punëtorët në një mosmarrëveshje nuk mund, në asnjë rrethanë, tu bëjnë thirrje anëtarëve të sindikatës së tyre, apo të ndonjë sindikatë tjetër me të cilën sindikata e tyre ishte e lidhur në një nivel më të lartë (p.sh. federatë ose në konfederatë)për mbështetje. Kjo zvogëlon vet qëllimin e bashkimit me një sindikatë dhe cenon gjithashtu qëllimin e këtij dimensioni të nenit 11, që reflekton parimin se punëtorët duhet të jenë të lirë për t’u bashkuar për përkrahje reciproke në kohë krize.
Ndalimi ishte një risi relativisht e kohëve të fundit, që erdhi në më shumë se pas tetë dekadash pas statutit themelore të marrëdhënieve britanike të punës, Ligjit për Mosmarrëveshjet e Tregtisë i 1906. Qeveria kishte dështuar të justifikonte ndalimin në fjalë para Komitetit të Ekspertëve të ILO-s. Në veçanti, Komisioni nuk e kishte pranuar argumentin e Qeverisë se ndalimi ishte bërë i nevojshëm nga natyra e decentralizuar e sistemit britanik të marrëdhënieve të punës. Përkundrazi, Komisioni ishte i mendimit se kjo e bënte edhe më të rëndësishme për punëtorët të kishin mundësi për të marrë masa kundër punëdhënësve të cilët lehtësisht mund të cenonin veprimtarinë e sindikatave me struktura komplekse korporatash, duke transferuar punën ose duke ndarë kompaninë. Punëtorët në Mbretërinë e Bashkuar ishin të ndaluar për të ndërmarrë veprime në mbështetje të kolegëve të punësuar nga një punëdhënës i cili bënte pjesë në të njëjtit grup kompanish, edhe pse ata mund të prekeshin nga rezultati i mosmarrëveshjes. Kjo nuk mund të jetë e drejtë. Të dy organizatat shprehën tronditje e tyre duke vërejtur se Qeveria po injoronte nevojën për të ndryshuar ligjin dhe po refuzonte ta sillte atë në nivelin e standardeve minimale ndërkombëtare. Qendra e gravitetit midis shteteve evropiane duket se qëndron diku ndërmjet ndalimit të përgjithshëm të veprimi të tillë dhe jo kufizimit. Ndalim total në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar ishte një kufizim i pajustifikueshëm i së drejtës së lirisë së organizimit, i cili nuk mund të justifikohej në asnjë rrethanë me mbrojtjen e të drejtave dhe liri vetë të tjerëve.
(ii) Liberty
72. Liberty e vlerësoi ndalimin e veprimeve sindikaliste mbështetëse një ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtat e punëtorëve dhe sindikatave të tyre. Në shumë situata, punëtorët nuk ishin në fakt në gjendje të ushtronin të drejtën e tyre në bazë të nenit 11 për të ndërmarrë veprime sindikaliste; për shembull, të punësuarit në institucione shumë të vogla, ose që ishin të punësuar nga subjekte ku termat dhe kushtet e punësimit përcaktoheshin efektivisht nga një palë e tretë si për shembull një klient, apo ata me status të pasigurt të punësimit. Skema tradicionale ku të gjithë anëtarë te së njëjtës fuqi punëtore kishin të njëjtin punëdhënës nuk i përgjigjet më realitetit të një kategorie të madhe dhe në rritje punëtorësh. Është llogaritur se mbi 3 milionë vende pune në ekonominë britanike janë tashmë jashtë-kontraktuar, një pjesë e madhe e tyre nga sektori publik, ku densiteti i sindikatave kishte qenë tradicionalisht më i lartë. Ky fragmentim i tregut tradicional të punës solli implikime për të drejtën e punës në përgjithësi dhe e bëri gjithnjë e më vështirë për sindikatat të vazhdonin të mbronin interesat e anëtarëve të tyre, të cilët ishin të shpërndarë ndërmjet operatorëve të ndryshëm ekonomikë. Në këtë kontekst, efekti i ndalimit të grevave mbështetëse ishte reduktimi në masë të madhe i vlerës së anëtarësimit sindikal, duke qenë se pengonte sindikatat të mobilizoheshin gjerësisht në solidaritet dhe në mbrojtje të interesa vetë anëtarëve të tyre të cilit ishin në mosmarrëveshje me punëdhënësin e tyre të drejtpërdrejtë. Ndalimi në fjalë ua bëri më të lehtë kompanive për të goditur ndikimin e sindikatave me anë të ri konfigurimit të kompanisë së tyre. Jurisprudenca e brendshme e kishte përcaktuar në mënyrë të qartë që kjo perde e korporatave nuk mund të hiqej në rrethana të tilla. Kjo i privonte ata nga mundësia e marrjes së masave efektive kundër atyre me fuqi reale vendimmarrjeje dhe kontrolli. Para 1980, fushëveprimi i grevave mbështetëse ishte shumë i gjerë, siç ilustrohet nga Dhoma e Lordëve në rastin N.W.L Ltd k. Woods ([1979] 1 WLR 1294), e cila njohu ligjshmërinë e veprimit sindikal të punëtorëve të dokut të porteve në solidaritet të detarëve të huaj që punonin për një pagë shumë të vogël në anijet me flamur të huaj. Ndalimi i mohoi disa punëtorëve burimin e tyre të vetëm të mbështetjes efektive nga sindikatat në formën e presionit financiar të ushtruar mbi marrëdhëniet tregtare të punëdhënësit. Ajo gjithashtu pengonte lirinë e organizimit në firmat e vogla (më pak se 21 punëmarrës), të cilat ishin të përjashtuara nga procedurat ligjore për njohjen e sindikatave. Nëse një punëdhënës i tillë nuk pranonte të njihte një sindikatë vullnetarisht, ndalimi i veprimeve sindikaliste mbështetëse e bëri të pamundur për anëtarët e tjerë të sindikatës, në vendetë tjera të punës, për të ndërmarrë veprime sindikaliste në mënyrë që të detyronin punëdhënësin për të pranuar përfaqësimin e sindikatave.
73. Liberty argumentoi se kjo Gjykatë e kishte mbrojtur vazhdimisht thelbin e lirisë së organizimit të punëtorëve dhe kurrë nuk i kishte dhënë ndonjë rëndësi faktit nëse një grevë ishte i tipit kryesore ose ndonjë lloj tjetër. E drejta për të ndërmarrë veprime sindikaliste mbështetëse mund të kufizohet në përputhje me kushtet e nenit 11 § 2 dhe të gjendet një balancë metë drejtat dhe liritë e tjera konkurruese, por nuk mund të shkohet aq larg sa të dëmtohet vet thelbi i së drejtës.
74. Qeveria iu përgjigj vëzhgimeve të Liberty, duke vërejtur se ky i fundit adresoi çështje shumë të gjera që nuk ishin relevante për faktet e çështjes në fjalë. Ndërsa pranoi se struktura e tregut të punës kishte evoluar gjatë dy dekadave të fundit, Qeveria nuk u pajtua me argumentin se kjo përgjithësisht kishte penguar gëzimin nga ana e punonjësve të interesuar të të mirave dhe të drejtave të sindikatave. Në të vërtetë, praktika tregonte se sindikatat ishin të afta për të vepruar në mënyrë efektive në rrethana të tilla dhe tre shembujt të cilëve iu referua Liberty ishin në fakt raste të zgjidhjes së suksesshme të një mosmarrëveshjeje të punës nëpërmjet përfshirjes së sindikatave (tre shembujt ishin: njëri që përfshinte stafin e shërbimit të me ushqimit në linjat ajrore, një lidhje e shoferëve të autobusëve në Londër gjatë Olimpiadës 2012 dhe një që kishte të bënte me shoferët e kamionëve të karburantit).Akuza se punëtorët u ndaluan të merrnin masa kundër punëdhënësit real, pra atij që në të vërtetë përcaktonte termat dhe kushtet e tyre të punës nuk ishte më shumë se sa një hipotezë - nuk u paraqitën shembuj aktuale. As nuk kishte pasur ndonjë rënie të numrit të ditëve të humbura për shkak të grevave çdo vit për 20 vitet e fundit, çka hedhin poshtë pikëpamjen e Liberty se legjislacioni i brendshëm gjithnjë e më shumë kishte kufizuar lirinë e sindikatave. Në këtë drejtim, Mbretëria e Bashkuar ishte afër mesatares së BE-së dhe OECD-së. Sa i përket argumentit se pragu prej 21 punonjësish përfaqësonte një shteg që punëdhënësit mundeshin lehtësisht të shfrytëzonin për mos njohjen e një sindikate, Qeveria nuk e shikon këtë me rëndësi për çështjen në fjalë. Megjithatë, ka masa mbrojtëse për të parandaluar punëdhënësit nga shmangia e detyrimeve të tyre ligjore. Vetëm firmat vërtet të vogla ishin të përjashtuar dhe kjo ishte për arsye të vlefshme të politikave. Së fundi, Qeveria parashtroi se, nuk kishte përkrahje eksplicite në jurisprudencën e Gjykatës se e drejta për të ndërmarrë veprime sindikale mbështetëse ishte një element thelbësor i lirisë së organizimit apo se ndalimi nuk mund të justifikohej sipas nenit 11 § 2.
(d) Vlerësimi i Gjykatës
(i) Zbatueshmëria e nenit 11
75. Gjykata duhet së pari të përcaktojë nëse, , veprimet sindikaliste mbështetëse bien në fushëveprimin e nenit 11 të Konventës siç kërkuesi pretendonte apo jo siç Qeveria deklaronte. Pyetja është e pa trajtuar më parë në ndonjë rast të mëparshëm.
76. Çfarë Qeveria propozon është një lexim i fjalë për fjalë i klauzolës së dytë të paragrafit të parë të nenit 11. Edhe pse është e mundur që të nxirret një kuptim i tillë nga gjuha e tekstit i marrë më vete, Gjykata sjell në vëmendje, siç parashikohet nga neni 31 § 1 i Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, se dispozitat e një traktati duhet të interpretohen në përputhje me kuptimin e tyre të zakonshëm, në kontekstin e tyre dhe në dritën e objektit dhe qëllim të tij. Për më tepër, ajo shpesh ka deklaruar se Konventa nuk mund të interpretohet në vakum, por në harmoni me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Gjithashtu, duhet të merren parasysh, siç tregohet në nenin 31 § 3 (c) të Konventës së Vjenës "rregullat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare në fuqi në marrëdhëniet midis palëve", dhe në veçanti rregullat që kanë të bëjnë me mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (shih X. k. Letonisë [GC], nr. 27853/09, § 92, ECHR 2013, me referenca të mëtejshme aty). Në këtë aspekt, është e qartë nga pasazhet e përcaktuara më sipër (paragrafët 26-37) se veprimet sindikaliste mbështetëse janë të njohura dhe të mbrojtura, si pjesë e lirisë sindikale në bazë të Konventës Nr. 87 dhe Kartës Sociale Evropiane. Edhe pse Qeveria u ka dhënë një interpretim të ngushtë qëndrimeve të mbajtura nga organet mbikëqyrëse që veprojnë nën këto dy instrumente, këto organe kanë kritikuar ndalimin e vendosur nga Mbretëria e Bashkuar për veprimet sindikaliste mbështetëse për shkak të rrezikut potencial të abuzimit nga ana e punëdhënësit dhe e kanë ilustruar këtë me disa shembuj. Më tej, Qeveria vuri në pikëpyetje autoritetin, për qëllimet e Konventës, që do t’u atribuohej prononcimeve interpretuese të organeve eksperte të ngarkuara me mbikëqyrjen e pajtueshmërisë me këto standarde të specializuara ndërkombëtare. Gjykata do e konsiderojë këtë më vonë në analizën e saj. Tani për tani mjafton për t’u referuar në pasazhin e mëposhtëm nga vendimi[7]Demir dhe Baykara (§85):
“Gjykata, në përcaktimin e kuptimit të termave dhe nocioneve në tekstin e Konventës, mund dhe duhet të marrë në konsideratë elemente të së drejtës ndërkombëtare përveç të Konventës, interpretimin e elementeve të tilla nga organet kompetente, si dhe praktikën e Shteteve Evropiane të cilat reflektojnë vlerat e tyre përbashkëta.”
Do të ishte në kundërshtim me këtë metodë nëse Gjykata do të miratonte, në lidhje me nenin 11, një interpretim të fushëveprimit të lirisë së organizimit të sindikatave shumë më të ngushtë se ai që mbizotëron në të drejtën ndërkombëtare. Përveç kësaj, një kuptim i tillë i lirisë sindikale gjen mbështetje të mëtejshme në praktikën e shumë shteteve evropiane që kanë pranuar gjatë greva sekondare si një formë e ligjshme e veprimit sindikal.
77. Mundet që veprimet sindikaliste mbështetëse, për nga natyra e tyre, të jenë një aspekt dytësor më tepër se një aspekt thelbësor i lirisë sindikale, një pikë së cilës Gjykata do t’i kthehet në një fazë të mëvonshme të analizës së saj. Megjithatë, ndërmarrja e veprimeve mbështetëse nga një sindikatë, përfshirë grevat, kundër një punëdhënësi për të mbështetur një mosmarrëveshje ndërmjet anëtarëve të sindikatës të tyre dhe një tjetër punëdhënësi, duhet të konsiderohet si pjesë e aktivitetit sindikal të mbuluara nga neni 11.
78. Prandaj, Gjykata konkludon se dëshira e kërkuesit për të organizuar greva mbështetëse në mbështetje të punonjësve të HYDREX duhet të shihet si një dëshirë për të ushtruar, i lirë pa kufizime të vendosura nga e drejta e brendshme, të drejtën e tij për lirinë e organizimit në kuptimin e nenit 11 § 1 të Konventës. Ajo vijon se, ndalimi ligjor i veprimeve sindikaliste mbështetëse siç demonstrohej nga shembujt e parashtruara nga kërkuesi përbënin ndërhyrje në të drejtat e kërkuesit sipas kësaj dispozite. Që të jetë në përputhje me paragrafin 2 të nenit 11, një ndërhyrje e tillë duhet të jetë e "parashikuar me ligj", të ndjekë një qëllim legjitim dhe të jetë "e nevojshme në një shoqëri demokratike" për të arritur këto qëllime.
(ii) Ligjshmërinë dhe legjitimitetin e ndërhyrjes
79. Nuk kishte asnjë mosmarrëveshje ndërmjet palëve se ndërhyrja ishte e parashikuar me ligj. Gjykata pajtohet.
80. Sa i përket qëllimit të ndërhyrjes, kërkuesi argumentoi se nuk vërente ndonjë legjitimitet në nenin 11 § 2. Qartësisht nuk kishte të bënte me sigurinë kombëtare apo sigurinë publike, mbrojtjen e rendit apo parandalimin e krimit, apo ruajtjen e shëndetit ose moralit. Sa i përket qëllimit të mbetur i cili njihet si legjitim, domethënë "mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve", kërkuesi argumentoi se ishte e palogjikshme të kufizohej e drejta për grevë për shkak të ndikimit të grevës mbi punëdhënësin. Qëllimi i grevës ishte pikërisht ndikimi i fuqishëm tek punëdhënësi, për të nxitur atë për të përmbushur kërkesat e punëtorëve. Do të ishte e gabuar që kjo të shërbente si një justifikim për kufizimin e së drejtës për grevë. Prandaj kërkuesi ftonte Gjykatën që të rishqyrtonte arsyetimin e ndjekur në këtë drejtim në rastin UNISON (UNISON k. Mbretërisë së Bashkuar(vendim[8]), nr. 53574/99, ECHR 2002-I), në të cilin Gjykata kishte pranuar se kufizimi i veprimeve sindikaliste kishte të bënte me "të drejtat e të tjerëve", duke iu referuar punëdhënësit. Interesat ekonomike të një punëdhënësi nuk duhet të marrin përparësi mbi të drejtat njerëzore të të punësuarve. Një arsyetim i tillë binte në kundërshtim me qasjen e ECSR, i cili për shembull, nuk ka pranuar asnjë zbatimin e parimit të proporcionalitetit ndërmjet ndërmarrjes së grevës dhe pasojave që kjo ka tek interesat e punëdhënësit. Më tej kërkuesi argumentoi se vendimi UNISON bie në kundërshtim me vendimin[9]e mëparshëm të kësaj Gjykate, në çështjen e Gustafsson k. Suedisë(25 prill 1996 Përmbledhje e Vendimeve 1996-II). Gjykata nuk e kishte pranuar pretendimin e kërkuesit se bojkotimi i biznesit të tij nga ana e sindikatës ishte një ndërhyrje në të drejtat e tij sipas nenit 1 të Protokollit nr. 1. As nuk e kishte pranuar se impakti i grevës tek biznesi i tij edhe pse shkaktonte dëme të konsiderueshme ekonomike, sillte detyrimin pozitiv të Shtetit për t`i ardhur në ndihmë atij. Gjykata duhet të mbante një qëndrim të rreptë, ashtu siç kishte bërë në dy rastet që përfshinin sanksionet kundër punonjësve të sektorit publik të cilët morën pjesë në një grevë një ditore (Karaçay k. Turqisë, nr. 6615/03, 27 mars 2007 dhe Kaya dhe Seyhan k. Turqisë, nr. 30946/04, 15 shtator 2009). Në çdo rast Gjykata nuk u bind se ndërhyrja në fjalë ndiqte qëllime legjitime, edhe pse ajo së fundi e kishte lënë të hapur këtë çështje në funksion të konstatimit të saj se ndërhyrja e kundërshtuar nuk ishte "e nevojshme në një shoqëri demokratike".
81. Qeveria deklaroi se ndalimi synonte të mbronte të drejtat dhe liritë e të tjerëve, mbi të gjitha të personave jo të lidhur me mosmarrëveshjen të punës në fjalë. Në dritën e efekteve potenciale me ndikim të gjerë dhe të pakontrollueshme që veprimet sindikaliste mbështetëse mund të kenë tek palët e treta, duke mbrojtur këto e fundit, ishte e qartë objektivi legjitim që Parlamenti kishte ndjekur kur e miratoi këtë ndalim. Qeveria shtoi se qartësisht mund të parashikohej se si veprimet sindikaliste mbështetëse mund të kërcënonin gëzimin e të drejtave të mbrojtura nga Konventa, të tilla si e drejta e çdokujt për të krijuar jetesën e tij.
82. Gjykata vlerëson se rasti i tanishëm është i dallueshëm nga rasti UNISON. Ky i fundit kishte të bënte me grevat kryesore, ku pretendohej se kërkuesi që ishte një sindikatë nuk ishte ndaluar të ndërmerrte veprime sindikaliste në mbrojtje të interesave të anëtarëve të saj në të ardhmen, në kuadër të privatizimit të pashmangshëm të shërbimeve spitalore. Gjatë procedurave të brendshme, Gjykata e Apelit vlerësoi se ndikimi i një greve të tillë tek publiku ishte e parëndësishme për çështjet ligjore që ngrinte. Kjo Gjykatë mbajti të njëjtin qëndrim dhe për këtë arsye qëllimi i "mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve", është marrë në rrethanat ku i referoheshin vetëm të drejtave të punëdhënësit. Baza për dallimin e rastit të tanishëm, është pikërisht veprimi sindikalist mbështetës. Siç edhe Qeveria kishte argumentuar, për nga natyra e tij, veprim sindikalist mbështetës mund të ketë implikime shumë më të gjerë se veprimi kryesor. Ai ka potencialin për të goditur të drejtat e personave që nuk ishin palë në mosmarrëveshjen e punës, për të krijuar çrregullime të mëdha në ekonominë e vendit dhe ndikon në ofrimin e shërbimeve për publikun. Prandaj, Gjykata vëren se Parlamenti në ndalimin e veprimit sindikalist mbështetës ka ndjekur qëllimin legjitim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve, dhe jo vetëm të punëdhënësit në një mosmarrëveshje të punës.
(iii) Nevoja në një shoqëri demokratike
83. Mbetet të përcaktohet nëse ndalimit ligjor për veprimin sindikalist mbështetës, duke qenë se ndërhyn në mundësinë e kërkuesit për të mbrojtur interesat e anëtarëve të tij të punësuar nga Hydrex, mund të konsiderohet si "i nevojshëm në një shoqëri demokratike". Që të vërtetohet nevoja në një shoqëri demokratike duhet shqyrtuar nëse ndërhyrja e pretenduar i korrespondon një "nevoje shoqërore detyruese", nëse arsyet e dhëna nga autoritetet kombëtare për ta justifikuar atë janë të rëndësishme dhe të mjaftueshme dhe nëse është në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur.
84. Gjykata do të vlerësojë së pari argumentin e kërkuesit se e drejta për grevë duhet të konsiderohet një element thelbësor i lirisë sindikale në bazë të nenit 11dhe kufizimi i saj do të dëmtonte vetë thelbin e lirisë së organizimit. Ajo kujton se në një numër rastesh në të cilat kufizohej veprimi sindikalist ishte konstatuar shkelje e nenit 11 (shih për shembull Karaçay k. Turqisë, nr. 6615/03, 27 mars 2007; Dilek dhe të Tjerë k. Turqisë, nr. 74611/01, 26876/02 dhe 27628/02, 17 korrik 2007; Urcan dhe të Tjerë kundër Turqisë, nr. 23018/04, 23034/04, 23042/04, 23071/04, 23073/04, 23081/04, 23086/04, 23091/04, 23094/04, 23444/04 dhe 23676/04, 17 korrik 2008; Enerji Yapi-Yol Sen k. Turqisë, nr. 68959/01, 21 prill 2009). Kërkuesi e vendosi theksin më të madh tek vendimi[10] i fundit mes tyre, në të cilin termi "rezultati i domosdoshëm" ishte përdorur në lidhje me të drejtën për grevë, duke e lidhur atë me të drejtën për t`u organizuar (Enerji, §24). Megjithatë, duhet të theksohet se ky vendim i referohej qëndrimit të miratuar të organeve mbikëqyrëse të ILO-s dhe jo evoluimit në interpretimin e nenit 11 duke i dhënë një status të privilegjuar të drejtës për grevë. Më në përgjithësi, ajo çfarë rastet e lartpërmendura tregojnë është se grevë është e mbrojtur në mënyrë të qartë nga neni 11. Për rrjedhojë, Gjykata në rastin në fjalë nuk vëren nevojën për të përcaktuar nëse ndërmarrja e veprimeve sindikale u duhet dhënë statusi i një element thelbësor të garancisë që ofron neni 11.
85. Çfarë rrethanat e këtij rasti tregojnë është se kërkuesi në fakt ushtronte dy nga elementet e lirisë së organizimit që janë identifikuar si thelbësore, përkatësisht të drejtën e një sindikate për të kërkuar të bindë punëdhënësin për ta dëgjuar se çfarë ka për të thënë në emër të anëtarëve të saj dhe e drejta për t’u angazhuar në marrëveshjet kolektive. Greva nga anëtarët e saj në Hydrex ishte pjesë e ushtrimit të kësaj lirie dhe edhe pse ajo nuk arriti qëllimin e saj, nuk ishte e kotë duke qenë se ndikoi tek kompania që të rishikonte ofertën e saj, të cilën kërkuesi më pas e përgëzoi tek anëtarët e saj. Edhe pse Qeveria e kritikoi kërkuesin për mbështetjen e ofertës së rishikuar në atë kohë dhe më pas refuzimin e saj në parashtrimet në procedurën para Gjykatës, Gjykata pranoi se kërkuesi është i detyruar të respektojë votën negative e anëtarëve të tij. Megjithatë, fakti se procesi i negociatave kolektive dhe veprimit sindikal, përfshirë këtu grevat kundër punëdhënësit nga anëtarët e sindikatave, të cilët ishin subjekt i mosmarrëveshjes, nuk mund të sillte rezultatin e dëshiruar nga kërkuesi dhe anëtarëve të tij, nuk do të thotë se ushtrimi i të drejtave të nenit 11 ishte iluzive. E drejta për negociata kolektive nuk mund të interpretohet se përfshin një "të drejtë" për marrëveshje kolektive (shih në këtë drejtim §158 të vendimit[11]Demir dhe Baykara, ku Gjykata vërejti se mungesa e një detyrimi mbi autoritetet të hyrë në një marrëveshja kolektive nuk ishte pjesë e çështjes). As e drejta për grevë nuk nënkuptonte të drejtën për të fituar në një mosmarrëveshje. Siç Gjykata shpesh ka deklaruar, çfarë Konventa kërkon është që, sipas të drejtës kombëtare sindikatat duhet të kenë mundësi, në kushte jo në kundërshtim me nenin 11, për të luftuar në mbrojtje të interesavetë anëtarëve të tyre (Demir dhe Baykara, §141; më e fundit Sindicatul "Păstorul cel Bun" k. Rumanisë [GC], nr. 2330/09, §34 9 korrik 2013). Në rastin në fjalë, këtë mundësi, kërkuesi dhe anëtarët e tij të përfshirë në mosmarrëveshje, e kishin.
86. Në rastet e mëparshme që kanë pasur të bëjnë me sindikatat, Gjykata ka deklaruar se duhen mbajtur parasysh arritja e një bilanci të drejtë ndërmjet interesave konkurruese të individit dhe të bashkësisë në tërësi. Duke qenë se arritja e ekuilibrit të duhur midis interesave të punëtorëve dhe të menaxhimit ka të bëjë me çështje të ndjeshme sociale dhe politike, Shtetet Kontraktuese duhet të kenë një liri vlerësimi në lidhje me garantimin e lirisë sindikale dhe mbrojtjen e interesave profesionale të anëtarëve të sindikatave. Në ri pohimet e saj më të fundit lidhur më këtë pikë dhe duke iu referuar shkallës së lartë të divergjencës që ka vërejtur ndërmjet sistemeve të brendshme në këtë fushë, Dhoma e Madhe, vlerëson se hapësira e vlerësimit duhet të jetë e gjerë (Sindicatul "Păstorul cel Bun", cituar më lart , §133). Kërkuesi u mbështet fuqimisht tek vendimi në Demir dhe Baykara[12], në të cilin Gjykata konkludoi se Shteti i paditur duhet të ketë një hapësirë të kufizuar vlerësimi (shih §119 të vendimit).Megjithatë Gjykata thekson se, pasazhi në fjalë shfaqet në një pjesë të vendimit[13]ku shqyrtohet një ndërhyrje me ndikim të gjerë në lirinë e organizimit, që cenon vetë thelbin e brendshëm, që është pikërisht shpërbërja e një sindikate. Nuk duhet kuptuar se hapësira e vlerësimit e autoriteteve të brendshme në lidhje me rregullimin, përmes proceseve normale demokratike, të ushtrimit të lirisë sindikale në kuadrin social dhe ekonomik të vendit në fjalë, ngushtohet me vendosmëri dhe përfundimisht. Gjerësia e hapësirës së vlerësimit ende do të varet nga faktorët që Gjykata në jurisprudencën e saj i ka identifikuar si të rëndësishëm, duke përfshirë natyrën dhe shtrirjen e kufizimit në të drejtën në fjalë të sindikatës, qëllimin e ndjekur nga kufizimi i kundërshtuar dhe të drejtat dhe interesat konkurruese të individëve të tjerë në shoqëri të cilët janë të detyruar të vuajnë pasojat e ushtrimit të pakufizuar të kësaj të drejte. Shkalla e kritereve të përbashkëta ndërmjet Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në lidhje me problemin që shtrohet në rastin në fjalë mund të jetë e rëndësishme, ashtu si edhe ndonjë konsensus ndërkombëtar i cili pasqyrohet në instrumentet ndërkombëtare përkatëse (Demir dhe Baykara, §85).
87. Nëse një kufizim legjislativ cenon thelbin e aktivitetit sindikal, hapësira e vlerësimit që do i lejohet legjislaturës kombëtare është më e vogël dhe kërkohet një arsyetim më i plotë për të justifikuar proporcionalitetin e ndërhyrjes, në interesin e përgjithshëm, me ushtrimin e lirisë së sindikatës. Krejt ndryshe, në qoftë se ndërhyrja nuk prek thelbin por një aspekt dytësor të aktivitetit sindikal, hapësira e vlerësimit është më e gjerë dhe ndërhyrja është, për nga natyra e saj, më shumë gjasa proporcionale sa i përket pasojave të saj për ushtrimin e lirisë së sindikatës.
88. Për sa i përket natyrës dhe masës së ndërhyrjes në ushtrimin e lirisë sindikale të kërkuesit në rastin në fjalë, Gjykata konsideron se kjo ndërhyrje nuk ishte aq e rëndë sa kërkuesi pretendon. Faktet e çështjes tregojnë se kërkuesi zhvilloi një grevë, megjithëse në një shkallë të kufizuar dhe me rezultate të kufizuara. Ishte dëshira e tij për ta përshkallëzuar grevën, përmes kërcënimit për përfshirjen apo përfshirjen reale të qindra anëtarëve të saj në Jarvis, një tjetër kompani, e cila nuk ishte aspak e përfshirë në mosmarrëveshjen tregtare në fjalë dhe që cenohej në këtë mënyrë. Gjykata vëren bindjen e kërkuesit se veprim sindikalist mbështetës do ta kishte kthyer rezultatin në favor të tij. Kjo bindje mbetet gjithsesi në nivelin e hamendësive - duke përfshirë edhe rezultatin e votimit mbi këtë temë –duke qenë se kjo procedurë u përjashtua hapur. Nuk mund të thuhet se efekti i ndalimit të veprimit sindikalist mbështetës goditi vet thelbin e lirisë sindikale të kërkuesit. Mbi këtë bazë ky rast dallohen nga ato të përmendur në paragrafin 84 më sipër, të cilët të gjithë kishin të bënin me kufizime të veprimeve sindikaliste "fillestare" apo të drejtpërdrejta të punonjësve të sektorit publik; dhe hapësira e vlerësimit që u lihet autoriteteve kombëtare është më e gjerë në lidhje me rregullimin, në interes të publikut, të aspekteve të veprimtarisë sindikaliste mbështetëse.
89. Për sa i përket objektit të ndërhyrjes në çështjen në fjalë, ekstrakte nga debatet në Parlament që paraprijnë kalimin e Ligjit të Punësimit të1980 e tregojnë qartë qëllimin e ligjvënësit për të arritur një ekuilibër të ri në marrëdhëniet e punës, në interes të ekonomisë më të gjerë, me kufizimin e së drejtës për të ndërmarrë veprime sindikaliste mbështetëse, e drejtë kjo që ishte mjaft e gjerë. Një dekadë më vonë, Qeveria e asaj kohe vërejti se edhe në formën e saj më të kufizuar veprimi mbështetës përbën një rrezik për ekonominë dhe për investimet e brendshme në aktivitetin ekonomik të vendit. Si një çështje politike ajo vlerësoi se kufizimi i veprimit sindikalist vetëm në greva kryesore (fillestare) do të krijonte një ekuilibër më të pranueshëm brenda ekonomisë britanike. Qeveria e ka përsëritur atë qëndrim edhe në procesin aktual para Gjykatës. Ky qëndrim u kundërshtua ashpër në atë kohë nga ana e opozitës në Parlament dhe është refuzuar nga kërkuesi duke e parë më shumë si armiqësi kundër sindikatave se sa bazuar në ndonjë dëshmi të qartë të dëmit të drejtpërdrejtë që i shkaktohej ekonomisë së vendit. Megjithatë objekti i kësaj kërkese është sigurisht e lidhur me strategjinë sociale dhe ekonomike të Shtetit të paditur. Në këtë drejtim, Gjykata zakonisht u ka lënë një hapësirë të gjerë vlerësimi, për arsye të njohjes së drejtpërdrejtë të shoqërisë së tyre dhe nevojave të saj, autoriteteve kombëtare dhe në veçanti parlamenteve të zgjedhura në mënyrë demokratike duke qenë se janë në parim në pozicion më të mirë se gjyqtari ndërkombëtar për të vlerësuar se çfarë është në interes të publikut për arsye sociale apo ekonomike dhe kush janë masat legjislative më të përshtatshme për kushtet e vendit të tyre në mënyrë që të zbatohen politika e përcaktuara shoqërore, ekonomike apo tregtare (shih midis shumë vendimesh të tjera Stummer k. Austrisë [GC], nr. 37452/02, §89, ECHR 2011).
90. Është e vërtetë se ka faktorë që shkojnë në një drejtim tjetër për sa i përket zgjedhjeve që i lejohen të ketë në dispozicion legjislaturës së Mbretërisë së Bashkuar.
91. I pari nga këto faktorë është shkalla në të cilën mund të thuhet se ka një qëndrim të përbashkët ndërmjet Shteteve evropiane sa i përket veprimit sindikalist mbështetës. Informacioni krahasues i parashtruar para Gjykatës zbulon një spektër të qëndrimeve kombëtare, duke filluar nga një qasje gjerësisht tolerante kundrejt veprimit sindikalist mbështetës në vende të tilla si Greqia, Finlanda, Norvegjia dhe Suedia e deri tek ndalimi apo mosnjohja e tij. Shtete e tjera të përmendura më lartë (në paragrafët 38-41) janë të vendosura ndërmjet këtyre dy skajeve. Qeveria minimizoi rëndësinë e perspektivës krahasuese, duke theksuar dallimet e thella strukturore dhe kulturore ndërmjet Shteteve evropiane në fushën e marrëdhënieve të punës. Gjykata e pranon se ka larmi dhe këtë e ka bërë edhe në raste të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e sindikatave (p.sh. Sindicatul "Păstorul cel Bun", cituar më lart, §133, dhe Sørensen dhe Rasmussen k. Danimarkës [GC], nr. 52562/99 dhe 52620/99, §58, ECHR 2006-I). Megjithatë është e qartë se, me ndalimin e plotë të veprimit sindikalist mbështetës, Shteti i paditur qëndron në skajet e lartpërmendura të spektrit krahasuese, duke qenë se një grup i vogël Shtetesh evropiane e kanë miratuar një qëndrim kaq kategorik për këtë çështje. Megjithatë kjo pikturë krahasuese e cila paraqet ndryshimet midis Shteteve dhe pozita e Mbretërisë së Bashkuar brenda saj, në veten e tyre, nuk do të thotë se autoritetet vendase kanë dalë jashtë hapësirës së tyre legjitime të vlerësimit për të rregulluar këtë aspekt të veprimtarisë sindikale.
92. Së dyti, një tipar i shquar i këtij rasti është larmia e materialeve ndërkombëtare ligjore. Mbretëria e Bashkuar që prej më shumë se dy dekadash e ka ndaluar veprimin sindikalist mbështetës dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë subjekt i komenteve kritike nga ana e Komitetit të Ekspertëve të ILO-s dhe ECSR. Kërkuesi iu referua këtyre materiale në ndihmë të tij. Qeveria pretendoi se kritikat e veçanta të bëra ndaj saj nuk ishin relevante me gjendjen faktike të kundërshtuar në rastin në fjalë, apo të rëndësishme në ndonjë formë tjetër. Gjykata tani do të shqyrtojë këtë çështje.
93. Qeveria argumentoi se kritikat e dy organeve të lartpërmendura nuk ishin relevante ‘në dritën e mënyrës në të cilën ato ishin formuluar, pas ato parashikonin situata të mundshme krejt të ndryshme me atë të kundërshtuar nga kërkuesi (shih paragrafët 33 dhe 37 më lart).
94. Qeveria nuk pranon vlerësimin e ECSR si një burim ligjor i detyrueshëm, pasi pavarësisht pavarësisë dhe ekspertizës të anëtarëve të saj, ECSR nuk kishte statusin e një organi gjyqësor apo quasi-gjyqësor. Roli i tij është të raportojë në Komitetin e Ministrave. Gjykata vëren se kompetenca e ECSR është e përcaktuara në Protokollin që ndryshon Kartën Sociale Evropiane (e njohur edhe si "Protokolli i Torinos", Traktati i Këshillit të Evropës, Seria Nr. 142), dhe konkretisht ECSR ka kompetencë për të "vlerësuar nga pikëpamja juridike përputhshmërinë e së drejtës dhe praktikës kombëtare me detyrimet që dalin nga Karta". Është e vërtetë se ky Protokoll nuk ka hyrë në fuqi për disa nga Shtetet palë të Kartës, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat nuk e kanë ratifikuar atë. Megjithatë, vlera interpretuese e ECSR duket se është pranuar përgjithësisht nga Shtetet dhe nga Komiteti i Ministrave. Është pranuar gjithashtu nga Gjykata, e cila vazhdimisht ka pasur parasysh interpretimin e ECSR për Kartën dhe vlerësimin për pajtueshmërinë e Shtetit me dispozitat e tij të ndryshme (p.sh. Demir dhe Baykara; gjithashtu Tum Haber Sen dhe Cinar kundër Turqisë, nr. 28602/95, §39, ECHR 2006-II, një çështje që kishte të bënte me një sindikatën, në të cilat Gjykata e përshkroi ECSR si një organ "veçanërisht të kualifikuar" në këtë fushë).
95. Sa i përket mungesës së rekomandimeve nga Komiteti i Ministrave ndaj Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me këtë çështje, Gjykata vëren së pari se roli i Komitetit të Ministrave në kuadër të Protokollit të Torinos është t’u adresojë Shteteve rekomandimet mbi baza selektive, të udhëhequr nga konsideratat e politikës sociale, ekonomike dhe politikave të tjera. Roli i tij nuk është të miratojë konkluzionet e ECSR. Së dyti, Gjykata vëren se Komiteti Qeveritar i Kartës Sociale Evropiane ka ndërmarrë një hap të parë në drejtimin e një rekomandimi të Komitetit të Ministrave për çështjen e veprimit sindikalist mbështetës, duke miratuar një paralajmërim për Mbretërinë e Bashkuar që "i bën thirrje Qeverisë që të marrë të gjithë masat e duhura për të sjellë situatën në përputhje me Kartën"(shih Raportin e saj lidhur konkluzionet XIX-3 (2010), T-SG (2012) 1 përfundimtar, në p. 59).
96. Për sa i përket Komitetit të Ekspertëve të ILO-s, Qeveria bëri një vëzhgim të ngjashëm – ky organ nuk ishte formalisht kompetent për të dhënë interpretime të detyrueshme të Konventave të ILO-s. Ajo tërhoqi vëmendjen e Gjykatës në një mosmarrëveshje që vazhdonte të ekzistonte brenda ILO-s, pikërisht në lidhje me statusin ligjor apo edhe ekzistencën e të drejtës për grevë. Kohët e fundit, Komiteti i Ekspertëve ka njohur kufijtë e rolit të tij, duke deklaruar se "mendimet dhe rekomandimet e tij janë jo të detyrueshme brenda procesit mbikëqyrës të ILO-s dhe nuk janë të detyrueshme jashtë ILO-s, përveç nëse një instrument ndërkombëtar shprehimisht i përcakton ato si të tilla apo nëse gjykata e lartë e një vendi vendos kështu me vullnetin e saj"(nga parathënia e Negociatat kolektive në Shërbimin Publik: Një Rrugë Përpara, një raport i Komitetit të Ekspertëve të ILO-s në sesionin 102 të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, 2013). Ky tekst vazhdon të përshkruaj interpretimet e Komitetit të Ekspertëve si një "soft law". Në parathënie konkludohet (§8):
“Në lidhje me interpretimin e Konventave të ILO-s dhe rolit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në këtë fushë, Komiteti ka vënë në dukje që prej 1990 se termat e saj të referencës nuk ia mundësojnë dhënien e interpretimeve përfundimtare të konventave, kompetencë që i është lënë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në bazë të nenit 37 të Kushtetutës së ILO-s. Megjithatë, Komiteti ka deklaruar, se në mënyrë që të kryejë funksionin e tij që është përcaktimi nëse kërkesat e Konventave respektoheshin, Komiteti duhet të vlerësojë përmbajtjen dhe kuptimin e dispozitave të Konventave, për të përcaktuar qëllimin e tyre ligjor dhe kur është e përshtatshme për të shprehur pikëpamjet e tij mbi këto çështje. Rrjedhimisht, Komiteti ka pohuar se, për aq kohë sa qëndrimet e tij nuk janë kundërshtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ato duhet të konsiderohen si të vlefshme dhe të njohura në përgjithësi. Komiteti e konsideron pranimin e këtyre konsideratave të domosdoshëm për ruajtjen e parimit të ligjshmërisë dhe, rrjedhimisht, sigurisë ligjore të nevojshme për funksionimin e duhur të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.”
97. Gjykata nuk e konsideron këtë sqarim se kërkon të rishikojë rolin e këtij organi si një pikë referimi dhe udhëzues për interpretimin e disa dispozitave të Konventës (shih në përgjithësi Demir dhe Baykara, cituar më lart, §§65-86). Në lidhje me mosmarrëveshjet e shprehura në Sesionin e 101të Konferencës Ndërkombëtare të Punës në vitin 2012, të cilave iu referua Qeveria, nga të dhënat e këtij takimi del se mosmarrëveshjet kishin të bënin vetëm më grupin e punëdhënësit (Regjistrimet e Përkohshme të Sesionit të 101 të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, 19 (Rev.), §§82-90). Qeveritë që morën fjalën gjatë atij diskutimi raportohet të kenë thënë se e drejta për grevë ishte "e mirë përcaktuar dhe e pranuar gjerësisht si një e drejtë themelore". Përfaqësuesi i Qeverisë së Norvegjisë kishte shtuar se vendi i tij e pranonte plotësisht interpretimin e Komitetin të Ekspertëve se e drejta për grevë ishte e mbrojtur në Konventën Nr. 87. Në çdo rast, Qeveria e paditur pranonte në procedurë aktuale para Gjykatës se e drejta sipas nenit 11 për t’u bashkuar në një sindikatë normalisht nënkupton mundësinë për grevë (shih paragrafin 62 më lart).
98. Analiza e mësipërme e mendimeve interpretuese të organeve kompetente të ngritura nga instrumentet më relevante ndërkombëtare pasqyron përfundimin e arritur në materialin krahasues para Gjykatës, se me ndalimin e plotë të veprimit sindikalist mbështetës, Shteti i paditur e gjen veten në skajin më kufizues të spektrit të qasjeve rregulluese kombëtare në këtë pikë dhe është jashtë prirjes së qartë ndërkombëtare për një qasje më pak kufizuese. Rëndësia që një përfundim i tillë mund të ketë për shqyrtimin e një çështjeje të caktuar nga Gjykatës është shpjeguar në vendimin[14]Demir dhe Baykarasi më poshtë (në §85):
“Konsensusi i dalë nga instrumentet e specializuara ndërkombëtare dhe nga praktika e Shteteve Kontraktuese përbën një konsideratë pertinente për Gjykatën kur ajo interpreton dispozitat e Konventës në çështje të veçanta.”
Deklarata e Dhomës së Madhe reflekton karakterin e veçantë të shqyrtimit të Gjykatës në krahasim me atë të procedurave mbikëqyrëse të ILO-s dhe Kartës Sociale Evropiane. Organet e specializuara monitoruese ndërkombëtare që operojnë sipas atyre procedurave kanë një pikëpamje të ndryshme, e shfaqur në termat më të përgjithshme të përdorura në analizën për ndalimin e veprimit sindikalist mbështetës. Krejt ndryshe, nuk është detyrë e Gjykatës të rishikojë të drejtën e brendshme përkatëse në mënyrë abstrakte, por të përcaktojë nëse mënyra se si në të vërtetë afektohet kërkuesi shkel të drejtat e tij në bazë të nenit 11 të Konventës (shih Von Hannover k. Gjermanisë (nr. 2) [GC], nr. 40660/08 dhe 60641/08, §116, ECHR 2012;.... edhe Kart k. Turqisë [GC], nr. 8917/05, §§ 85-87, ECHR 2009 (ekstrakte) ). Kërkuesi dhe palët e treta theksuan efektin e mundshëm të ndalimit në skenarë të ndryshëm hipotetike, i cili mund të shkojë aq larg sa të përjashtojë çdo formë të veprimit sindikalist nëse punëtorët në fjalë direkt të përfshirë në mosmarrëveshje nuk ishin në pozitë për të ndërmarrë veprime sindikaliste kryesore, e në këtë mënyrë, ndryshe nga rasti në fjalë, të cenon vet thelbin e lirisë sindikale. Gjithashtu, ata pohuan se ndalimi mund ta bënte të lehtë punëdhënësit për të shfrytëzuar ligjin në favorin e tij përmes dredhive të ndryshme ligjore, të tilla zhvendosja e qendrave të punës, kontraktimi i shërbimeve të caktuara me kompani të tjera dhe miratimit të strukturave komplekse të korporatës me qëllim transferimin e punës, ndarjen e entiteteve ligjore ose copëzimin e kompanisë (shih paragrafët 33 dhe 37 më lart). Me pak fjalë, sindikatat mund të ndodhen në një situatë ku e kanë shumë të vështirë kryerjen e veprimtarive të tyre ligjshme, në mbrojtje të interesave të anëtarëve të tyre. Megjithatë, efektet e supozuara me ndikim të gjerë, të ndalimit ligjor nuk dalin në situatën në HYDREX. Analiza e Gjykatës kufizohet vetëm në faktet e paraqitura për shqyrtim në këtë rast. Rrjedhimisht, Gjykata i konsideron vlerësimet negative të bëra nga organet përkatëse të monitorimit të ILO-s dhe Kartës Sociale Evropiane jo të një rëndësie të madhe për përcaktimin nëse zbatimi i ndalimit ligjor për grevat mbështetëse në rrethana të tilla si ato të kundërshtuara në rastin konkret mbeten brenda gamës së opsioneve të lejueshme të hapura për autoritetet kombëtare në bazë të nenit 11 të Konventës.
99. Megjithatë, fuqia vlerësuese e autoriteteve të brendshme nuk është e pakufizuar, por shkon dorë për dore me mbikëqyrjen evropiane, duke qenë detyrë e Gjykatës për të dhënë një vendim përfundimtar nëse një kufizim i caktuar është i pajtueshëm me lirinë e organizimit të mbrojtur nga neni 11 (Vörður Ólafsson k. Islandës, nr. 20161/06, §76, ECHR 2010). Qeveria ka argumentuar se "nevoja të ngutshme shoqërore" për ruajtjen e ndalimit ligjor për greva mbështetëse është mbrojtja e ekonomisë e brendshme nga efektet shkatërruese të grevave të tilla, të cilat, nëse lejohet, do të përbëjnë një rrezik për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Në sferën e politikës sociale dhe ekonomike, të cilat përfshijnë politikën e marrëdhënieve të punës të një vendi, Gjykata respekton në përgjithësi zgjedhjet e ligjvënësit, përveç nëse nuk është "dukshëm pa baza të arsyeshme" (Carson dhe të Tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [GC ], nr. 42184/05, §61, ECHR 2010). Për më tepër, Gjykata e ka njohur "peshën e veçantë" që i duhet akorduar rolit të politikë bërësit të brendshëm në çështjet e politikës së përgjithshme, mendimet për të cilën në një shoqëri demokratike në mënyrë të arsyeshme mund të ndryshojnë gjerësisht (shih në kontekstin e nenit 10 të Konventës rastin MGN Limited k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 39401/04, § 200, 18 janar 2011, dhe gjithashtu referencën që i bëhet në këtë vendim rastit Hatton dhe të Tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 36022/97, §97, ECHR 2003-VIII, ku Gjykata iu referua "legjitimimit të drejtpërdrejtë demokratike" që legjislatura gëzon).Ndalimi i veprimeve sindikaliste mbështetëse ka mbetur i paprekur për më shumë se njëzet vjet, pavarësisht dy ndryshime të Qeverisë gjatë kësaj kohe. Kjo nënkupton një konsensus demokratik në mbështetje të saj dhe një pranim të arsyeve që qëndrojnë pas saj, të cilat përfshijnë një spektër të gjerë të mendimit politik në Mbretërinë e Bashkuar. Këto konsiderata e çojnë Gjykata në përfundimin se në vlerësimin se si i shërbehet më mirë interesit të gjerë publik në vendin e tyre, në kontekstin politik, social dhe ekonomik të marrëdhënieve të punës, autoritetet legjislative vendase mbështeten në arsyet që ishin relevante dhe të mjaftueshme për qëllime të nenit 11.
100. Gjithashtu, Gjykata duhet të shqyrtojë nëse kufizim i kundërshtuar shkel parimin e proporcionalitetit. Kërkuesi argumentoi se shkelej ky parim, duke pasur parasysh karakterin e tij absolutë, i cili plotësisht përjashtonte ndonjë balancim të të drejtave dhe interesave konkurruese në fjalë dhe ndalonte çdo dallim ndërmjet situatave të ndryshme. Qeveria mbrojti vendimin e legjislaturës për të qëndruar larg vlerësimeve rast pas rasti, në favor të një rregulli uniformë dhe pretendoi se çdo qasje më pak kufizuese do të ishte jo praktike dhe jo efektive. Në parashtrimet e tyre, variacionet e pashmangshme në rastet potencialisht të shumta individuale të tilla si kjo aktualja nuk prishnin ekuilibrin e përgjithshëm të vendosur nga Parlamenti.
101. Gjykata vëren se karakteri i përgjithshëm i një ligji që justifikon një ndërhyrje nuk shkel domosdoshmërisht parimin e proporcionalitetit. Siç ka ri pohuar së fundmi, një Shtet mundet, në përputhje me Konventën, të miratojë masat e përgjithshme legjislative që zbatohen ndaj situatave të paracaktuara pa bërë vlerësime individuale në lidhje me secilin individ, rrethana detyrimisht të ndryshme dhe ndoshta komplekse të çdo rasti të rregulluar nga legjislacioni (shih Animal Defenders International k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 48876/08, §107, 22 prill 2013 me referenca të mëtejshme në lidhje me dispozitat e ndryshme të Konventës dhe Protokollit nr. 1). Kjo nuk do të thotë se faktet e veçanta të rastit individual janë pa rëndësi për analizat e Gjykatës për proporcionalitetin. Në të vërtetë, ato evidentojë ndikimin në praktikë të masës së përgjithshme dhe janë kështu të rëndësishme për të gjykuar mbi proporcionalitetin e saj (ibid., §108). Siç u tha tashmë, ndërhyrja në lirinë e organizimit të kërkuesit në dritën e fakteve në HYDREX të mbështetura nga ai nuk mund objektivisht të konsiderohet si e madhe.
102. Rreziqet që shoqërojnë zbutjen e ndalimit përbëjnë një konsideratë të rëndësishme, e cila kryesisht duhet vlerësuar nga Shteti (ibid., §108). Në këtë drejtim, kërkuesi ka argumentuar se ai do e kishte kufizuar veprimin e tij sindikalist vetëm në grevën mbështetëse në Jarvis, pa e shtrirë më tej. Gjithsesi ky është vetëm një hamendsim. Siç tregohet nga materialet në dosjen e çështjes, arsye e shumta që e shtynë Parlamentin të kufizuar shtrirjen e gjerë të veprimit sindikalist mbështetës ishte aftësia e tij, para 1980, për t’u përhapur larg dhe shpejtë përtej mosmarrëveshjes fillestare të punës. Kësaj situate duhet t’i kthehet Mbretëria e Bashkuar, sipas kërkuesit, në qoftë se do të veprojë në përputhje me kërkesat e nenit 11.
103. Siç është njohur edhe nga jurisprudenca e Gjykatës, është e ligjshme që autoritetet të vlerësojnë realizueshmërinë dhe vështirësitë praktike - të cilat, për disa skema legjislative mund edhe të jenë në shkallë të gjerë - e një qasjeje rast pas rasti, të tilla si pasiguria, çështje gjyqësore të shumta, shpenzimet publike jo proporcionale në dëm të tatimpaguesit dhe ndoshta arbitrariteti (ibid.). Në këtë drejtim është e rëndësishme të kujtojmë se për një periudhë prej dhjetë vjetësh, 1980-1990, Mbretëria e Bashkuar mundi të zbatonte një kufizim të lehtë për veprimin sindikalist mbështetës (shih paragrafët 23-24 më lart).Qeveria nuk ka argumentuar se ky regjim legjislativ solli vështirësitë e përmendura më lart, apo se kjo ishte arsyeja pse u ndalua plotësisht më vonë. Kërkuesi nuk bëri komente në detaje mbi regjimin juridik gjatë asaj periudhe. Ai mbajti qëndrimin se çështja e pajtueshmërisë së tij me Konventën kishte “thjesht një karakter akademik”, megjithëse shtoi se nëse kjo pikë kishte rëndësi ai do të argumentonte se një kufizim i tillë nuk ishte i pranueshëm. Gjykata vëren se, megjithëse historia legjislative e Mbretërisë së Bashkuar tregon për ekzistencën e alternativave të tjera përveç ndalimit, jo nuk është përcaktuese për çështjen. Pyetja nuk është nëse duhet të miratoheshin rregulla më pak kufizuese apo nëse Shteti të përcaktonte nëse pa ndalimin qëllimi legjitim nuk do të arrihej. Pyetja e vërtet është nëse, me miratimin e masës së përgjithshme, ligjvënësi veproi brenda hapësirës së tij të vlerësimit (Animal Defenders, §110) –e cila, për arsyet e analizuara më sipër, Gjykata konstatoi se ishte mjaft e gjerë - dhe nëse, në përgjithësi, ishte arritur një ekuilibër i drejtë. Edhe pse kërkuesi ka argumente të fuqishme për solidaritetin sindikal dhe efikasitetin, këto nuk e kanë bindur Gjykatën se Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte arsyet e mjaftueshme politike dhe faktike për ta konsideruar ndalimin e kundërshtuar të veprimit sindikalist mbështetës si "të nevojshëm në një shoqëri demokratike".
104. Vlerësimet e mësipërme e çojnë Gjykata në përfundimin se faktet e situatës specifike të kundërshtuar në rastin në fjalë nuk tregojnë për një ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën e kërkuesit për lirinë e organizimit, elementet thelbësore të së cilës ai ishte në gjendje për t’i ushtruar, në përfaqësimin e anëtarëve të tij, në negocimin me punëdhënësit në emër të anëtarëve të tij të cilët ishin në mosmarrëveshje me punëdhënësin dhe në organizimin e një greve në vendin e tyre të punës (shih paragrafët 15-16 më lart). Në këtë fushë të politikave legjislative me një ndjeshmëri të njohur, Shteti i paditur gëzon një hapësirë të gjerë vlerësimi të mjaftueshme për të miratuar ndalimin ekzistues ligjor për veprimin sindikalist mbështetës, dhe nuk ka baza në rrethanat e këtij rasti, për të vlerësuar nëse zbatimi i këtij ndalimit në lidhje me faktet e kundërshtuara në HYDREX si sjell një kufizim të konsiderueshëm të të drejtës së kërkuesit sipas nenit 11.
105. Në përputhje me faktet e çështjes në fjalë, nuk ka shkelje të nenit 11 të Konventës.
106. Në mbyllje, Gjykata do të theksonte se juridiksioni i saj është i kufizuar vetëm për Konventën. Ajo nuk ka kompetencë të vlerësojë përputhshmërinë e Shtetit të paditur me standardet përkatëse të ILO-s apo Kartës Sociale Evropiane, e cila përmban dhe një normë më të veçantë dhe të detajuar në lidhje veprimin sindikalist. Vendimi i Gjykatës në këtë rast nuk duhet të kuptohet sikur vënë pikëpyetje analizën në bazë të këtyre standardeve dhe qëllimet e tyre nga Komiteti i Ekspertëve i ILO-s dhe nga ana e ECSR.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI,
1. Bashkon shqyrtimin e kundërshtimin paraprak të Qeverisë themelit dhe e deklaron kërkesën në lidhje me ndalimin e veprimit sindikalist mbështetës të pranueshme dhe pjesën e mbetur të kërkesës të papranueshme;
2. Vendos se nuk ka pasur shkelje të nenit 11 të Konventës.
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 8prill 2014, sipas nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Fatoş AracıIneta Ziemele
Zëvëndës KancelarPresident
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe nenit 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, mendimet e pakicës në vazhdim i bashkëngjiten këtij vendimi:
(a) Mendimi i përbashkët paralel i gjyqtarëve Ziemele, Hirvelä dhe Bianku;
(b) Mendimi paralel i gjyqtarit Judge Wojtyczek.
I.Z.
F.A.
Mendimet e pakicës nuk janë të përkthyera, por gjendjen në gjuhën angleze dhe/ose franceze në versionet në gjuhën zyrtare të vendimeve, të cilat gjenden në bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës, HUDOC
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@
[1]. Teksti Bold është përdorur në dokumentin origjinal.
[2]. Teksti Bold është përdorur në dokumentin origjinal.
[3]. d.m.th. në atë kohë veprimi sindikalist mbështetës ishte thjesht kufizuar dhe ende nuk ishte i ndaluar
[4]. Teksti Bold është përdorur në dokumentin origjinal.
[5]për pranueshmërinë
[6]për pranueshmërinë
[7]për pranueshmërinë dhe themelin
[8]për pranueshmërinë
[9]për pranueshmërinë dhe themelin
[10] për pranueshmërinë dhe themelin
[11]për pranueshmërinë dhe themelin
[12]për pranueshmërinë dhe themelin
[13]për pranueshmërinë dhe themelin
[14]Për pranueshmërinë dhe themelin
Full & Egal Universal Law Academy