GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I DYTË
ÇËSHTJA TOPI KUNDËR SHQIPËRISË
(Kërkesa nr. 14816/08)
VENDIM
STRASBURG
22 maj 2018
VENDIM I FORMËS SË PRERË
22.8.2018
Ky vendim është bërë i formës së prerë, bazuar në nenin 44§2 të Konventës. Ai mund të bëhet objekt i rishikimit redaktues.
Në çështjen Topi kundër Shqipërisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i dytë), e mbledhur si një Dhomë e përbërë nga:
Robert Spano, kryetar,
Paul Lemmens,
Ledi Bianku,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Jon Fridrik Kjølbro,
Stéphanie Mourou-Vikström, gjyqtarë,
dhe Stanley Naismith, kryesekretar,
pasi diskutoi me dyer të mbyllura, më 17 prill 2018,
shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po atë datë.
PROCEDURA
1. Çështja filloi më 14 shkurt 2008, me një kërkesë (nr. 14816/08) kundër Republikës së Shqipërisë, paraqitur në Gjykatë nga shtetasi shqiptar Arben Topi (kërkuesi).
2. Kërkuesi u përfaqësua nga z. A. Kasapi, avokat i cili ushtron profesionin në Tiranë. Qeveria shqiptare (qeveria) u përfaqësua nga agjentja e saj, në atë periudhë, znj. L. Mandia nga Avokatura e Shtetit.
3. Kërkuesi pretendonte se i ishte mohuar aksesi në Gjykatën Kushtetuese dhe se gjykimi i tij në mungesë kishte shkelur nenin 6 të Konventës.
4. Më 26 qershor 2012, kërkesa iu komunikua qeverisë.
5. Qeveria e kundërshtoi në mënyrë absolute shqyrtimin e çështjes nga një komitet (neni 28§1(b)), duke argumentuar se përfshiheshin çështje të cilat nuk ishin objekt i praktikës gjyqësore të mirëpërcaktuar të Gjykatës. Gjykata e pranon këtë kundërshtim.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
6. Kërkuesi ka lindur në Peqin, në vitin 1977. Aktualisht, ai po vuan dënimin me burgim.
7. Në vitin 1998, kërkuesi u përfshi në kryerjen e veprës penale së krijimit dhe pjesëmarrjes në një bandë të armatosur dhe të veprave të tjera penale.
8. Më 4 shkurt 1999, prokurori e akuzoi atë për veprat e pjesëmarrjes në një bandë të armatosur, vrasje të paramenduar, të mbetur në tentativë dhe për vepra të tjera penale. Njoftimi i akuzave të prokurorit u morr nga avokati i kërkuesit i caktuar kryesisht.
9. Rezulton se gjatë gjithë procedurave të hetimit, kërkuesi u përfaqësua nga një avokat i caktuar kryesisht.
10. Më datë 12 shkurt 1999, Gjykata e Rrethit Elbasan lëshoi urdhrin për arrestimin e kërkuesit. Megjithatë, urdhri nuk mund të zbatohej sepse kërkuesi nuk mund të gjendej.
11. Më datë 19 shkurt 1999, Gjykata e Rrethit Elbasan e shpalli kërkuesin si të arratisur nga drejtësia, pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta lokalizuar atë. Vendimi pohonte se këto kërkime kanë bërë të mundur kapjen e të pandehurit, pasi ai rezulton të ketë ikur në drejtim të paditur.
12. Në një datë të pacaktuar, prokurori vendosi ta dërgonte kërkuesin për gjykim.
13. Më 28 maj 1999, Gjykata e Lartë e transferoi çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit Durrës.
14. Më datë 2 qershor 1999, babai i kërkuesit caktoi një avokat për të përfaqësuar kërkuesin përpara gjykatave vendëse.
15. Procedurat e gjykimit ndaj kërkuesit u zhvilluan në mungesë dhe ai u përfaqësua nga një avokat i caktuar nga familja e tij, mbështetur në nenin 48§3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
16. Më datë 15 shkurt 2000, Gjykata e Rrethit Durrës e dënoi kërkuesin në mungesë për krijimin dhe pjesëmarrjen në një bandë të armatosur dhe për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë. Ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burgim. Vendimi bazohej në të dhënat nga dokumentet dhe dëshmitë e dëshmitarëve.
17. Avokati i caktuar nga familja e kërkuesit dhe të bashkakuzuarit e tjerë u ankuan ndaj dënimit në Gjykatën e Apelit Durrës (Gjykata e Apelit). Në datën 19 prill 2000, Gjykata e Apelit hodhi poshtë kërkesën për shqyrtim të ankesës së kërkuesit, me arsyetimin se familja e kërkuesit nuk i kishte dhënë shprehimisht autoritetin avokatit për një procedurë të tillë. Megjithatë, Gjykata e Apelit e shqyrtoi çështjen e kërkuesit si pjesë të shqyrtimit të saj të përgjithshëm, duke marrë në konsideratë apelimet e kërkuesve të tjerë. Ajo e dënoi kërkuesin për të njëjtat vepra si më parë dhe e dënoi atë me trembëdhjetë vjet burgim.
18. Në datën 7 dhjetor 2000, Gjykata e Lartë pushoi apelimet nga kërkuesi dhe të bashkakuzuarit e tjerë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, të datës 19 prill 2000.
19. Në datën 16 shtator 2005, kërkuesi u arrestua nga autoritetet çeke, sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Shqipëria.
20. Në datën 25 janar 2006, kërkuesi u ekstradua në Shqipëri.
21. Në datën 1 mars 2006, kërkuesi u informua zyrtarisht për dënimin e tij në mungesë.
22. Në datën 13 shtator 2007, kërkuesi paraqiti një apelim kushtetues ndaj dënimit në mungesë.
23. Në datën 24 tetor 2007, Gjykata Kushtetuese, e mbledhur me dyer të mbyllura, e shpalli afatin për apelin të përfunduar, sepse afati dyvjeçar kishte filluar të përllogaritej që në datën 7 dhjetor 2000. Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmonte se gjatë gjithë procedurave, kërkuesi ishte përfaqësuar nga një avokat i caktuar kryesisht ose nga një avokat i caktuar nga familja dhe se, sipas rrethanave, ai kishte pasur mundësinë të njihej me procedurat e nisura ndaj tij.
II. LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDËSE
24. Ligji dhe praktika përkatëse vendëse, në atë periudhë, përshkruhen në mënyrë të detajuar në vendimet Shkalla kundër Shqipërisë (nr. 26866/05, §§ 28–35, 10 maj 2011) dhe Izet Haxhia kundër Shqipërisë (nr. 34783/06, §§ 19–42, 5 nëntor 2013).
25. Në datën 30 mars 2017, Kodi i Procedurës Penale (KPP) u ndryshua me anë të ligjit nr. 35/2017 dhe dispozitat e reja hynë në fuqi më 1 gusht 2017. Dispozitat e reja të zbatueshme për çështjen konkrete parashikojnë si më poshtë:
Neni 147
Rivendosja në afat (ndryshuar në vitin 2017)
“1. Prokurori, i pandehuri, viktima, viktima akuzuese dhe palët private rivendosen në afatin e caktuar, kur provojnë se nuk kanë pasur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fator ose të forcës madhore.
2. Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë për çdo shkallë të procedimit.
3. Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e faktit që përbënte rast fator ose forcë madhore. Për kërkesën vendos organi që procedon në kohën e paraqitjes së saj.
4. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve ...”
Neni 410
Ankimi i të pandehurit (ndryshuar në vitin 2017)
“2. Kundër vendimit të dhënë në mungesë, mbrojtësi mund të bëjë ankim vetëm kur është i autorizuar posaçërisht nga i pandehuri me akt përfaqësimi të lëshuar në format e parashikuara nga ligji ose me deklarim në seancë”.
Neni 420 § 1
Rivendosja në afatin e ankimit (shtuar në vitin 2007)
“1. Palët rivendosen në afatin e ankimit kur provojnë se nuk kanë pasur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fajtor ose të forcës madhore ...
2. Kur gjykimi është zhvilluar në mungesë [si rezultat i tërheqjes së kërkuesit nga pjesëmarrja në procedime], i pandehuri mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kur provon se nuk ka marrë dijeni për vendimin.
3. Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e faktit që përbënte rast ose forcë madhore, kurse në rastet e parashikuara në paragrafin 2 të këtij neni, nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për vendimin. Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë dhe për çdo shkallë të procedimit.
...
8. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve ...”.
Neni 450
Rastet e rishikimit (ndryshuar në vitin 2017)
“Rishikimi mund të kërkohet:
a) Kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë;
b) Kur [gjykata e cila ka shpallur] vendimi/n është bazuar në një vendim të gjykatës civile ose administrative, i cili është revokuar më pas;
c) Kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar;
d) Kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale;
e) Kur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka miratuar një vendim që e bën të domosdoshëm shqyrtimin e çështjes ...
f) Kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes. Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data kur personi është ekstraduar ...
g) Kur personi është gjykuar në mungesë ... dhe kërkon rigjykimin e çështjes. Kërkesa paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data e marrjes dijeni [për gjykimin në mungesë] ....”.
III. MATERIAL I KËSHILLIT TË EVROPËS
26. Në datën 21 shtator 2017, Komiteti i Ministrave, shpalli vendimin për ekzekutimin e vendimit në çështjen Shkalla (cituar më sipër), në lidhje, midis problematikave të tjera, mosrihapjen e procedurave në mungesë nga autoritetet shqiptare. Ky vendim, i cili u miratua në mbledhjen e tij të 1265-të, për sa ka të bëjë me çështjen konkrete, parashikonte si më poshtë:
“Deputetët
1. Me kënaqësi vunë re masat individuale të marra në këto çështje, veçanërisht se të gjithë kërkuesit kanë pasur mundësinë efikase për të përfituar rihapjen e procedimeve të kundërshtuara, si edhe faktin se për ata kërkues që kanë bërë kërkesën, u dhanë garancitë se procedimet e reja ose ishin realizuar ose do të realizoheshin në përputhje me kërkesat e nenit 6 të Konventës dhe, se, teksa këto procedime do të ishin në vijim, kërkuesit mund të kërkojnë lirimin; duke marrë në konsideratë, sipas rastit, se për këtë grup çështjesh nuk kërkohen masa të tjera individuale;
...
3.i. Inkurajuan autoritetet të finalizonin shpejt reformën në proces e sipër në sistemin gjyqësor për të parandaluar shkeljet e mëtejshme në lidhje me mungesën e garancive ndaj procedimeve penale të mbajtura në mungesë, të drejtën për mbrojtjen e dikujt në gjykatë dhe paraqitjen e dëshmitarëve; vendosi të vijonin me shqyrtimin e këtyre masave në çështjet Caka, Cani dhe Izet Haxhia dhe të mbyllte çështjet e ngjashme Berhani dhe Shkalla”.
27. Në datën 7 dhjetor 2017, Komiteti i Ministrave shpalli vendimin për ekzekutimin e vendimit në çështjen Izet Haxhia (cituar më sipër), në lidhje me, midis problematikave të tjera, mosrihapjen e procedimeve në mungesë nga autoritetet shqiptare. Ky vendim, i cili u miratua në takimin e tij të 1302-të, parashikonte, për sa ka të bëjë me çështjen, si më poshtë:
“Deputetët
...
mirëpritën masat e përgjithshme të ndërmarra, veçanërisht, ndryshimet legjislative në Kodin e Procedurës Penale, miratuar më 30 mars 2017, në lidhje me garancitë për procedimet penale në mungesë, të drejtën për mbrojtjen e dikujt në Gjykatë dhe paraqitjen e dëshmitarëve; mori në konsideratë se masat e përgjithshme të miratuara janë mjaftueshëm për të parandaluar shkelje të ngjashme dhe se në këtë mënyrë këto çështje mund të mbyllen”.
28. Në vendimin e po së njëjtës ditë, Komiteti i Ministrave parashikoi për sa ka të bëjë me çështjen, si më poshtë:
“Deputetët
...
Duke rikujtuar detyrimin e Shtetit të Paditur, në përputhje me Nenin 46, paragrafi 1, i Konventës, të pajtohet me të gjitha vendimet e formës së prerë, në çështjet në të cilat ka qenë palë, dhe se ky është një detyrim për shlyerjen e çdo shume të përcaktuar nga Gjykata, miratimin nga autoritetet e shtetit të paditur, sipas kërkesës:
- Të masave individuale për t’i dhënë fund shkeljeve dhe për eliminimin e pasojave të tyre, për të arritur sa më shumë të jetë e mundur restitutio in integrum;”
29. Me anë të këtij vendimi, Komiteti i Ministrave mbylli shqyrtimin e vendimit të çështjes Izet Haxhia.
LIGJI
I. SHKELJE E PRETENDUAR E NENIT 6§1 TË KONVENTËS
30. Mbështetur në nenet 6§1 dhe 13 të Konventës, kërkuesi u ankua se i ishte mohuar aksesi në Gjykatën Kushtetuese dhe se gjykimi i tij në mungesë ishte në shkelje të nenit 6§1 të Konventës.
31. Gjykata, e cila ndihmon në karakterizimin e fakteve të çështjes sipas ligjit, konstaton se ankesat e mësipërme mund të shqyrtohen vetëm në mbështetje të nenit 6§1, i cili parashikon si më poshtë:
“Në përcaktimin e ... çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësish ... nga [një] ... gjykatë ...”
A. Parashtrimi i palëve
1. Parashtrimet e Qeverisë
32. Qeveria parashtroi se shteti shqiptar ishte në procesin e reformës në drejtësi, për të përmirësuar legjislacionin dhe për të garantuar të drejtat themelore të individëve. Në kuadrin e programit të reformës, shteti kishte bërë ndryshime themelore në legjislacionin penal me anë të ligjit nr. 35/2017, të datës 30 mars 2017, më konkretisht në nenet 410 dhe 449–451 të KPP-së, si edhe ishte shtuar një nen i ri 420§1. Gjithashtu, u parashtrua se Komiteti i Ministrave e kishte mbyllur shqyrtimin e vendimeve për çështjet Shkalla kundër Shqipërisë (nr. 26866/05, 10 maj 2011) dhe Izet Haxhia kundër Shqipërisë (nr. 34783/06, nëntor 2013).
33. Gjithashtu, qeveria parashtroi se të metat vendëse të konstatuara në çështjet Shkalla dhe Izet Haxhia (cituar më sipër), të cilat po ashtu kishin të bënin me çështjen konkrete, ishin adresuar nga masat e përgjithshme të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi, për të parandaluar shkelje të ngjashme në të ardhmen në lidhje me padrejtësitë në procedimet penale.
34. Në parashtrimet fillestare, qeveria përmendte se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet vendëse. Ai mund të kishte paraqitur një kërkesë për rivendosje në afat të apelimit ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit, në përputhje me nenin 147 të KPP, në atë kohë.
35. Qeveria pranoi se kërkuesi ishte gjykuar dhe dënuar në mungesë. Kishte qenë e pamundur të gjendej kërkuesi. Si pasojë, njoftimet ishin dërguar tek avokati i tij i caktuar kryesisht, sipas ligjit. Gjykatat vendëse e kishin shpallur si person që i ishte arratisur drejtësisë dhe kishin vijuar me procedurat në mungesë pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta gjetur atë. Megjithatë, qeveria argumentoi se procedimet vendëse nuk kishin qenë të padrejta. Kërkuesi ishte përfaqësuar ose nga një avokat i caktuar nga familja ose nga një avokat kryesisht dhe se të drejtat e kërkuesit për t’u mbrojtur ishin respektuar.
36. Gjithashtu, qeveria parashtroi se kërkuesi kishte pasur dijeni për ndjekjen penale dhe gjykimin ndaj tij. Këtu, ishte marrë në konsideratë fakti se ngjarjet kishin ndodhur në një qytet të vogël, ku të gjithë banorët e njihnin njeri-tjetrin. Ishte marrë në konsideratë edhe fakti se ngjarjet në fjalë ishin trajtuar gjerësisht në median kombëtare dhe atë lokale dhe se të afërmit e kërkuesit kishin dijeni për gjykimin ndaj tij.
37. Së fundmi, u parashtrua se afati për të paraqitur një ankesë kushtetuese për procedimet e zhvilluara në mungesë kishte hyrë në fuqi që prej datës, kur vendimi i formës së prerë i ishte njoftuar të akuzuarit. Megjithatë, në çështjen në fjalë, nuk ishte mohuar aksesi në gjykatë, sepse kërkuesi kishte pasur dijeni për procedurat ndaj tij.
2. Parashtrimet e kërkuesit
38. Kërkuesi parashtroi se përdorimi i masave të përgjithshme të cilat adresojnë të metat e identifikuara në çështjet Shkalla dhe Izet Haxhia (cituar më sipër) sigurisht që u mirëpritën, por nuk ndikuan në çështjen e tij, duke qenë se ankesat e tij të lidhura me ngjarjen ndodhën 10 vjet më parë.
39. Kërkuesi argumentoi se masa për rivendosje në afat nuk ishte një mjet i zakonshëm apelimi. Në vijim, ai parashtroi se kishte bërë rekurs në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 131(f) të Kushtetutës, pasi gjykatat vendëse kishin marrë një vendimin për themelin e çështjes.
40. Në kërkesën e tij, kërkuesi pretendonte se ai nuk ishte njoftuar personalisht për ndonjë nga aktet, dhe as nuk kishte marrë ndonjë informacion gjatë hetimit penal dhe gjatë procedurave gjyqësore. Ai ishte njoftuar vetëm në momentin kur ishte ekstraduar në Shqipëri. Në parashtrimet e tij, ai pretendoi se nuk ishte bërë me dije për procedurat ndaj tij. Bërja me dije në mënyrë joformale për ndjekjen penale dhe gjykimin nuk ishte në zbatim të nenit 6§3(a) të Konventës.
41. Kërkuesi, gjithashtu, pohoi se ishte shkelur e drejta e tij për akses në gjykatë si rezultat i pushimit të apelimit të tij kushtetues nga Gjykata Kushtetuese, duke qenë se ai ishte informuar për procedurat në mungesë në mars 2006.
B. Vlerësimi i Gjykatës
1. Pranueshmëria
a) Në lidhje me mjetet e reja të paraqitura në vitin 2017
42. Gjykata thekson se vlerësimi nëse janë shteruar mjetet vendëse, normalisht realizohet duke iu referuar datës në të cilën është paraqitur kërkesa. Megjithatë, ky rregull u nënshtrohet përjashtimeve, të cilat mund të justifikohen nga rrethanat specifike për secilën çështje (shih, për shembull, Baumann kundër Francës, nr. 33592/96, §47, GJEDNJ 2001‑V (ekstrakte). Në këto rrethana, Gjykata do të shqyrtojë nëse qeveria, në vitin 2017, paraqiti mjete efikase të reja, të cilat mund t’i përdorte kërkuesi, duke marrë në konsideratë referencat eksplicite të qeverisë ndaj atyre parashikimeve, të cilat Gjykata i konsideron të përshtatshme për t’u trajtuar si kundërshtim paraprak.
43. Fillimisht, Gjykata vëren se rivendosja në afat paraqitur sipas nenit 420§1 të KPP-së parashikon se një kërkesë e tillë duhet të paraqitet brenda dhjetë ditëve nga data në të cilën i pandehuri “kërkon të marrë dijeni” për vendimin, në mënyrë efikase. Për më tepër, rivendosja në afat nuk mund të garantohet më shumë se një herë për secilën palë dhe për secilën fazë të procedimeve. Në këtë mënyrë, Gjykata arrin në përfundimin se përderisa kërkuesi u informua për dënimin e tij në mungesë më 1 mars 2006 (shih paragrafin 21 më sipër), ai nuk mund të përdorë një mjet të tillë.
44. Së dyti, Gjykata vëren se sipas nenit 450, nënparagrafët (f) dhe (g), të ndryshuar, kërkesa për rishikimin e vendimit të formës së prerë duhet të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data në të cilën personi është ekstraduar ose nga data në të cilën kërkuesi bëhet me dije për gjykimin në mungesë. Sipas rastit, duke marrë në konsideratë rrethanat e çështjes, Gjykata arrin në përfundimin se kërkuesi nuk mund ta përdorte as atë mjet.
45. Së treti, Gjykata vëren se nuk ka asnjë parashikim të ri në KPP, i cili i lejon gjykatat vendëse të shqyrtojnë pa afat kohor çështjet e vjetra, gjykimi i të cilave u zhvillua në mungesë.
46. Së katërti, Gjykata vëren se qeveria nuk parashtroi ndonjë praktikë gjyqësore vendëse, ku parashikimet e reja të KPP-së të ishin përdorur në rrethana të ngjashme me ato në çështjen konkrete.
47. Së fundmi, Gjykata vëren se Komiteti i Ministrave ishte i mendimit se masat e përgjithshme të miratuara ishin të mjaftueshme për të parandaluar shkelje të ngjashme. Megjithatë, përderisa çështja nuk u ngrit në rastet Shkalla dhe Izet Haxhia (cituar më sipër), Komiteti i Ministrave nuk vendosi se masat e përgjithshme të miratuara do të parandalonin shkelje të ngjashme në çështjet e vjetra ku gjykimi është zhvilluar në mungesë, ku afatet kohore për përdorimin e mjeteve të paraqitura, sipas parashikimeve të reja të KPP-së tashmë kishin kaluar. Gjithashtu, Gjykata i referohet rëndësisë së masave individuale për t’u dhënë fund shkeljeve të konstatuara dhe për të shuar pasojat e tyre, për të arritur sa më shumë të jetë e mundur restitutio in integrum (shih paragrafin 28 më sipër).
48. Për të gjitha arsyet e mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin, se mjetet e reja të paraqitura në vitin 2017, të cilat mund të jenë efikase në çështjet e paraqitura pas hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të KPP-së, nuk janë të zbatueshme në çështjen konkrete. Në këtë mënyrë, Gjykata rrëzon kundërshtimin paraprak të Qeverisë.
b) Në lidhje me kundërshtimet e tjera të Qeverisë të ngritura në parashtrimet e saj fillestare
49. Për sa i përket kundërshtimit të qeverisë në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës, se procedimet ishin të padrejta, Gjykata përsërit përfundimet në vendimin Izet Haxhia (cituar më sipër, §§54–55):
“54. Gjykata vëren se sipas nenit 147§2 të KPP-së, një i akuzuar paraqit një kërkesë për rivendosje në afat, me kushtin se dënimi ishte dhënë në mungesë dhe se i akuzuari nuk ishte njoftuar për dënimin. Kërkesa për rivendosje në afat duhet të paraqitet në gjykatë brenda dhjetë ditëve nga njoftimi i dënimit dhënë në mungesë, i cili e dënon të akuzuarin (shih paragrafin 36 më sipër). Sipas praktikës gjyqësore vendëse, afati dhjetëditor fillon të hyjë në fuqi nga data në të cilën i akuzuari i dorëzohet autoriteteve shqiptare, pikë në të cilën ai supozohet të njoftohet për dënimin dhënë në mungesë (shih vendimin e Gjykatës së Rrethit në paragrafët 25–26 më sipër). Sapo të jetë dhënë rivendosja në afat, i akuzuari ka mundësinë të apelojë ndaj dënimit dhënë në mungesë, duke paraqitur argumentet faktike dhe ligjore të cilat i konsideron të nevojshme për mbrojtjen e tij gjatë procedimeve të apelimit.
55. Më tej, Gjykata vëren se, sipas praktikës gjyqësore të fundit të Gjykatës së Lartë, kërkesa e një të akuzuari për rivendosje në afat nuk jepet, në rastin kur avokati i caktuar nga familja ka apeluar më herët në Gjykatën e Lartë pa pasur sukses dhe në rastin kur një i bashkakuzuar ka apeluar ndaj vendimit dhe meritat e çështjes janë shqyrtuar në tërësi (shih paragrafët 28–34 më sipër).”.
50. Duke u rikthyer në çështjen konkrete, Gjykata vëren se avokati i kërkuesit i caktuar nga familja jo vetëm që kishte apeluar pa pasur sukses në Gjykatën e Lartë, por edhe se i bashkakuzuari tjetër kishte apeluar, gjithashtu, pa sukses ndaj të gjithë vendimeve të gjykatave. Në këto rrethana, kërkesa për rivendosje në afat ishte destinuar të dështonte (ibid., §56).
51. Për këtë arsye, Gjykata i rrëzon kundërshtimet e qeverisë.
c) Përfundim
52. Gjykata vëren se këto ankesa nuk janë qartazi të pabazuara në fakte. Në vijim, ajo konstaton se ato nuk janë të papranueshme për ndonjë shkak tjetër. Për këtë arsye, ato duhet të deklarohen të pranueshme.
2. Meritat
a) Realizimi i procedurave në mungesë
53. Gjykata vëren se parimet e përgjithshme, në lidhje me procedimet e mbajtura në mungesë, përshkruhen në vendimin Sejdovic kundër Italisë ([DHM], nr. 56581/00, §§81–95, GJEDNJ 2006‑II). Në vijim, Gjykata vëren se edhe pse procedurat të cilat mbahen në mungesë të të akuzuarit në vetvete nuk janë në përputhje me nenin 6 të Konventës, një mohim i drejtësisë gjithsesi ndodh pa dyshim në rastin kur një person i dënuar në mungesë nuk mund të marrë nga Gjykata, e cila ka dëgjuar çështjen e tij, një përcaktim të ri të meritave të akuzës, në lidhje me ligjin dhe faktin, në rastin kur nuk është përcaktuar se ai ose ajo ka hequr dorë nga e drejta e tij ose e saj për t’u paraqitur dhe për t’u vetëmbrojtur (shih Sejdovic cituar më sipër, §82 dhe Hokkeling kundër Holandës, nr. 30749/12, §58, 14 shkurt 2017).
54. Në çështjen konkrete, palët nuk debatuan mbi faktin se kërkuesi u gjykua dhe u dënua në mungesë. Qeveria argumentoi sugjerimin se kërkuesi nuk kishte pasur dijeni për procedurat ndaj tij. Megjithatë, Gjykata konstaton se nuk është treguar se kërkuesi kishte mjaftueshëm dijeni në lidhje me to. Në fakt, u gjykua se ai nuk ishte informuar për dënimin dhënë në mungesë, deri më 1 mars 2006, datë në cilën ai ishte dorëzuar tek autoritetet shqiptare. Gjithashtu, nuk ishte treguar as se ai kishte autorizuar në mënyrë eksplicite ose implicite apelimin nga familjarët e tij ose se hiqte dorë pa mëdyshje, nga e drejta e tij për t’u paraqitur në gjykatë, duke iu fshehur drejtësisë në mënyrë të qëllimshme. Sipas ligjit vendës, nuk kishte mundësi që kërkuesi të kërkonte një rigjykim (shih paragrafët 51–53 më sipër dhe Izet Haxhia, cituar më sipër, §63).
55. Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkuesi nuk pati mundësinë të përftonte një përcaktim të ri të meritave të akuzave ndaj tij nga një gjykatë, e cila do ta kishte dëgjuar në procedime në përputhje me garancitë për drejtësi të nenit 6§1.
56. Për këtë arsye, është shkelur neni 6§1 i Konventës.
b) E drejta për akses në gjykatë
57. Gjykata thekson se fillimisht u takon autoriteteve vendëse dhe, më konkretisht, gjykatave, të interpretojnë ligjin vendës dhe se ajo nuk do të zëvendësojë interpretimin e saj me interpretimin e tyre në mungesë të arbitraritetit. Kjo gjen zbatim, veçanërisht ,në interpretimin nga gjykatat të rregullave të një natyre procedurale, të tilla si afatet kohore për dorëzimin e dokumenteve ose për dorëzimin e apelimeve (shih Jensen kundër Danimarkës, nr. 8693/11, §35, 13 dhjetor 2016).
58. Gjykata vëren se akti i Gjykatës Kushtetuese parashikonte në të kohë një afat kohor prej dy vjetësh, për paraqitjen e apelimit kushtetues. Afati kohor fillonte të përllogaritej që nga data e njoftimit të vendimit të gjykatës së shkallës së fundit.
59. Duke iu rikthyer çështjes konkrete, Gjykata vëren se apelimi kushtetues i kërkuesit u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese si përtej afatit, me arsyetimin se kërkuesi kishte qenë në dijeni të procedimeve ndaj tij. Për këtë arsye, Gjykata e përllogariti kalimin e afatit dyvjeçar nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë, më 7 dhjetor 2000. Megjithatë, siç edhe konstatohet më sipër, Gjykata vëren se procedurat dhe dënimi ndaj kërkuesit u kryen në mungesë. Për këtë arsye, Gjykata është e mendimit, se duke pasur parasysh se periudha filloi të përllogaritej prej momentit kur kërkuesi nuk ishte në dijeni për ekzistencën e vendimit të Gjykatës së Larë, me rezultatin se afati kohor kishte përfunduar në momentin kur kërkuesi u bë me dije për atë vendim jo më herët se data 1 mars 2006, Gjykata Kushtetuese ia bëri të pamundur kërkuesit të ushtronte me efikasitet të drejtën e tij për të paraqitur një ankesë kushtetuese (shih Shkalla, cituar më sipër, § 53).
60. Gjykata është e mendimit se vendimi i kundërshtuar rezultoi në një mohim të pajustifikuar të së drejtës së kërkuesit për akses në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë mënyrë, është shkelur neni 6§1 i Konventës.
II. PRETENDIME PËR SHKELJE TË TJERA TË KONVENTËS
61. Në kërkesën e tij, kërkuesi u ankua duke u mbështetur në disa aspekte në nenin 6§ të Konventës, më konkretisht për mungesë të arsyetimeve në vendimet e gjykatave vendëse; për faktin se ishte dënuar në mënyrë arbitrare nga gjykatat vendëse dhe, se Gjykata e Lartë nuk kishte qenë e paanshme dhe e pavarur kur kishte vendosur ta transferonte çështjen nga Gjykata e Rrethit Elbasan në Gjykatën e Rrethit Durrës. Gjithashtu, sipas nenit 6§1 dhe nenit 13, ai u ankua se i ishte mohuar aksesi në Gjykatën Kushtetuese, sepse çështja e tij ishte shqyrtuar me dyer të mbyllura. Në vijim, ai u ankua për një shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë, mbështetur në nenin 6§2, si edhe për shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 7 të Konventës, sepse Gjykata e Apelit kishte refuzuar një kërkesë të paraqitur nga avokati i caktuar nga babai i tij. Së fundmi, ai u ankua mbështetur në nenin 4, të protokollit nr. 7, të Konventës, për një shkelje të parimit ne bis in idem.
62. Gjykata ka shqyrtuar ankesat e mësipërme të parashtruara nga kërkuesi. Megjithatë, mbështetur në të gjithë materialin e zotëruar prej saj dhe, për aq kohë sa çështjet për të cilat është bërë ankesë janë brenda kompetencave të saj, Gjykata konstaton se nuk demonstrohet ndonjë shfaqje e shkeljes së të drejtave dhe lirive të parashikuara në Konventë ose në protokollet e saj. Ajo vijon me arsyetimin se kjo pjesë e kërkesës është qartazi e pabazuar në fakte dhe duhet të rrëzohet në përpurthje me nenin 35§§3(a) dhe 4 të Konventës.
III. ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
63. Neni 41 i Konventës parashikon si më poshtë:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”.
64. Kërkuesi nuk paraqiti kërkesë për dëm monetar dhe jomonetar.
65. Gjykata thekson konstatimet e saj në vendimin Shkalla (cituar më sipër, §§ 77–79) dhe Izet Haxhia (cituar më sipër, §70), se në rastin kur një kërkues është dënuar në shkelje të të drejtave të tij ose të saj të garantuara nga neni 6 i Konventës, forma më e duhur e korrigjimit do të ishte të garantohej se kërkuesi është vendosur sa më shumë të jetë e mundur në pozicionin në të cilin ai ose ajo do të kishte qenë në rast se do të ishte respektuar ky parashikim. Forma më e përshtatshme e korrigjimit, në parim do të ishte një gjykim i ri ose një rihapje e procedurave, në rast se një gjë e tillë kërkohet.
66. Kërkuesi kërkoi 5,000 euro për kostot dhe shpenzimet e bëra në gjykatat vendëse dhe në Gjykatë.
67. Qeveria e kundërshtoi pretendimin e kërkuesit si të pabazuar në fakte dhe të dhëna. Gjithashtu, ky pretendim nuk ishte i arsyeshëm në bazë kuanti.
68. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës, një kërkues ka të drejtën të rimbursohet për kostot dhe shpenzimet vetëm për aq kohë sa vërtetohet se këto kosto janë bërë faktikisht dhe kanë qenë të nevojshme për t’u bërë dhe janë të arsyeshme sipas kuantit (shih, për shembull, Gjyli kundër Shqipërisë, nr. 32907/07, §72, 29 shtator 2009). Gjykata vëren se kërkuesi nuk specifikoi detajet e pretendimeve të tij dhe nuk paraqiti dokumentet e nevojshme mbështetëse, të parashikuara në rregullën 60 të Rregullores së Gjykatës.
69. Gjykata konstaton se kërkuesi mund të ketë pasur disa kosto dhe shpenzime gjatë procedimeve. Sipas rastit, në çështjen konkrete, duke u kushtuar vëmendje informacionit të zotëruar nga Gjykata dhe kritereve të mësipërme, Gjykata e konsideron të arsyeshme që kërkuesit t’i jepet shuma prej 1,000 eurosh për procedimet në Gjykatë.
PËR KËTO ARSYE, NË MËNYRË ANONIME, GJYKATA:
1. I deklaron ankesat në lidhje me padrejtësinë e procedimeve në mungesë dhe shkeljen e së drejtës për të pasur akses në gjykatë, të pranueshme dhe pjesën tjetër të kërkesës të papranueshme;
2. Gjykon se është shkelur neni 6§1 i Konventës, në lidhje me realizimin e procedimeve penale në mungesë;
3. Gjykon se është shkelur neni 6§1 i Konventës, në lidhje me një mohim të pajustifikuar të së drejtës së kërkuesit për akses në Gjykatën Kushtetuese;
4. Gjykon:
a) Se shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi bëhet i formës së prerë, në zbatim të nenit 44§2 të Konventës, 1,000 euro plus çdo taksë që mund t’i ngarkohet kërkuesit, për kostot dhe shpenzimet, duke u konvertuar në lek shqiptar, në normën e zbatueshme në datën e shpalljes së këtij vendimi;
b) Që nga përfundimi i periudhës tremujore të sipërpërmendur deri në kompensim, interesi i thjeshtë do të paguhet për shumën më sipër në një normë të barabartë me normën margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së vonesës së pagesës plus tre pikë përqindjeje;
Hartuar në anglisht dhe njoftuar me shkrim, në datën 22 maj 2018, në mbështetje të rregullës 77§§2 dhe 3 të Rregullave të Gjykatës.
Stanley Naismith
KRYESEKRETAR
Robert Spano KRYETAR
Full & Egal Universal Law Academy