© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
ISH-SEKSIONI I PESTË
ÇËSHTJA TRABELSI k. BELGJIKËS
(Kërkesëpadia nr. 140/10)
VENDIM
(Pjesë të zgjedhura)
STRASBURG
4 shtator 2014
Ky vendim do të marrë formë të prerë sipas kushteve të përcaktuara
në nenin 44 § 2 të Konventës. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Trabelsi k. Belgjikës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ish-Seksioni i Pestë), e mbledhur në një dhomë të përbërë nga:
Mark Villiger, kryetar,
Ann Power-Forde,
Ganna Yudkivska,
André Potocki,
Paul Lemmens,
Helena Jäderblom,
Aleš Pejchal, gjyqtarë,
e nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni,
Pasi e diskutoi çështjen në dhomë këshillimi më 1 korrik 2014,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhet një kërkesëpadi (nr. 140/10) e drejtuar kundër Mbretërisë së Belgjikës dhe me anë të së cilës një shtetas tunizian, Z. Nizar Trabelsi (“paditësi”), i është drejtuar Gjykatës më 23 dhjetor 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Në datën e marrjes së këtij vendimi, më 1 korrik 2014, paditësi përfaqësohet nga Z. A. Château, avokat në Bruksel. Qeveria belge (“Qeveria”) përfaqësohet nga agjenti i saj, Z. M. Tysebaert, këshilltar i përgjithshëm, Shërbimi Publik Federal i Drejtësisë.
3. Paditësi pretendon në veçanti se ekstradimi i tij drejt Shteteve të Bashkuara e ka ekspozuar atë ndaj një rreziku për trajtime në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Ai është gjithashtu i mendimit se vënia në zbatim e vendimit për ta ekstraduar atë ka shkelur të drejtën e tij për ankim individual.
4. Më 27 nëntor 2012, kërkesëpadia i është njoftuar Qeverisë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Paditësi ka lindur më 1970 dhe gjendet tani i burgosur në burgun e Rappahannock-ut në Stafford, Virxhinia (Shtetet e Bashkuara).
A. Procedurat penale dhe të azilit
6. Më 14 shtator 2001, paditësi qe objekt i një urdhri ndalimi të lëshuar nga gjyqtar hetues i Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit. Një kontroll në banesën e tij kishte çuar në fakt në zbulimin e disa pasaportave të rreme, armëve automatike dhe municioneve, si edhe të disa formulave kimike që shërbejnë për prodhimin e lëndëve shpërthyese bashkë me një plan të hollësishëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Paris.
7. Pas një kontrolli të ushtruar njëkohësisht në një kafene në Bruksel, të frekuentuar asokohe nga paditësi, dhe në bazë të informatave të dhëna nga një i dyshuar tjetër gjithashtu i ndaluar, policia zbuloi 59 litra aceton dhe 96 kilogramë pluhur sulfuri. Sipas termave të urdhrit të ndalimit që u lëshua më pas, paditësi akuzohej për pjesëmarrje në organizata kriminale, për shkatërrim me anë të shpërthimit, për mbajtje armësh luftarake dhe për pjesëmarrje në një milici private.
8. Paditësi, i cili i kishte pranuar veprat penale për të cilat akuzohej, u dënua me dhjetë vjet burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Brukselit më 30 shtator 2003 për shkak se, ndër të tjera, ishte orvatur të shkatërronte me anë të shpërthimit bazën ushtarake belge të Kleine-Brogel, për falsifikim dokumentesh dhe se kishte qenë nxitësi i një organizate kriminale të krijuar për qëllim atentatesh ndaj personave dhe pasurive. Në vendimin e saj, gjykata vuri në dukje si më poshtë:
“[i interesuari] ka tentuar të kryejë një prej krimeve më të rënda që nga pavarësia e Belgjikës; se pavarësisht nga koha që ka kaluar prej arrestimit të tij, ai nuk po ndreqej, se aftësia e tij keqbërëse mbetej e paprekur dhe se nuk kishte vend për rrethana lehtësuese ndaj tij.”
9. Me një vendim të 9 qershorit 2004, Gjykata e Apelit e Brukselit e la në fuqi dënimin e paditësit me dhjetë vjet burgim për vepra të ndryshme penale, ndër të cilat fakti që kishte:
“- tentuar të shkatërronte përmes një shpërthimi bazën ushtarake belge në Kleine-Brogel, me rrethanën që autori duhet të ketë menduar se në çastin e shpërthimit aty kishte një ose disa persona (...),
- ushtruar njëfarë roli komandues në gjirin e një organizate të krijuar me qëllimin për të kryer krime që dënohen me burgim të përjetshëm dhe, në çështjen në fjalë, për të kryer një atentat terrorist (...),
- marrë nga një organizatë e huaj fonde që shërbenin për të kryer në Belgjikë një veprimtari të tillë që cenonte sigurinë e brendshme të shtetit (...),
- mbajtur në mënyrë të paligjshme një armë luftarake (...),
- krijuar, dhënë ndihmesë ose marrë pjesë në një milici private apo çdolloj organizate tjetër individësh qëllimi i së cilës ishte përdorimi i forcës (...)”.
10. Më 26 janar 2005, paditësi u dënua në mungesë nga një juridiksion ushtarak tunizian me dhjetë vjet burgim për pjesëmarrje në një organizatë terroriste jashtë shtetit në periudhë paqeje. Nga Gjykata Ushtarake e Përhershme e Tunizit u lëshua më 29 qershor 2009 një urdhër shoqërimi për të cilin autoriteteve belge iu paraqit një kërkesë për njohje vendimi përmes një note diplomatike të 10 shtatorit 2009.
11. Dënimi kryesor që kishte marrë paditësi në Belgjikë përfundoi më 13 shtator 2011. Një dënim i dytë dhe një dënim i tretë dytësor përkatësisht me gjashtë dhe me tre muaj burgim u dhanë më 2007 dhe u zbatuan drejtpërdrejt. Paditësi e përfundoi vuajtjen e dënimeve të tij më 23 qershor 2012.
12. Ndërkohë, më 25 gusht 2005, paditësi kishte paraqitur një kërkesë për azil në Belgjikë, të cilën Komisari i Përgjithshëm për Refugjatët dhe Personat Pa Shtetësi e rrëzoi me një vendim të datës 10 prill 2009. Ai e përjashtoi paditësin nga njohja e cilësisë së refugjatit dhe nuk pranoi t’i jepte atij as mbrojtjen dytësore me arsyetimin se ky i fundit ishte bërë fajtor për veprime në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara në kuptimin e nenit 1 f) c të Konventës së Gjenevës. Ky vendim u la në fuqi nga Këshilli për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve me të Huajt me një vendim të datës 18 maj 2009.
B. Procedura e ekstradimit
1. Faza gjyqësore për njohjen e aktakuzës amerikane
13. Me një notë diplomatike të datës 8 prill 2008, autoritetet amerikane u transmetuan autoriteteve belge një kërkesë për ekstradim të paditësit në zbatim të Marrëveshjes për Ekstradim të nënshkruar ndërmjet Mbretërisë së Belgjikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 27 prill 1987. Kërkesa arsyetohej duke iu referuar aktakuzës së lëshuar nga District Court i Distriktit të Kolumbias (Uashington, D.K.) ndaj paditësit më 16 nëntor 2007 dhe e ngarkonte atë me faktet e mëposhtme:
“A. Pjesëmarrje në organizatë kriminale me synimin për të vrarë shtetas të Shteteve të Bashkuara jashtë Shteteve të Bashkuara në shkelje të dispozitave të mëposhtme: 18 U.S.C. § 2332 (b) (2) dhe 1111 (a)
B. Pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe tentativë për përdorim armësh shkatërrimi në masë në shkelje të dispozitave të mëposhtme: 18 U.S.C. § 2332a dhe 2
C. Pjesëmarrje në organizatë kriminale për t’i siguruar mbështetje materiale dhe burime një organizate të huaj terroriste në shkelje të dispozitave të mëposhtme: 18 U.S.C. § 2339B
D. Sigurim mbështetjeje materiale dhe burimesh për një organizatë të huaj terroriste në shkelje të dispozitave të mëposhtme: 18 U.S.C. § 2339B dhe 2.”
14. Kërkesa për ekstradim vazhdonte:
“Një urdhër ndalimi për Z. Nizar Trabelsi është lëshuar më 16 nëntor 2007 nga gjyqtari (...).
Faktet në themel të akuzës tregojnë se, gjatë mesit të vitit 2000 ose më parë, ndërkohë që ndodhej në Gjermani e gjetiu në Evropë, si edhe në Afganistan, Nizar Trabelsi ka lidhur me vetëdashje të plotë marrëveshje me bashkëpunëtorët e Al-Kaidës, midis të cilëve Osama Bin Laden, për të siguruar një mbështetje materiale dhe burime me qëllimin për të vrarë shtetas të Shteteve të Bashkuara që ndodheshin në disa ndërtesa të vëna në shënjestër në Evropën Perëndimore dhe për të përdorur në shkallë të gjerë një mjet shpërthyes (një armë shkatërrimi në masë) për të shkatërruar pasuri të patundshme në Evropën Perëndimore, të cilat përdoren nga Shtetet e Bashkuara dhe/ose nga një departament apo një agjenci e Shteteve të Bashkuara.”
15. Sipas dokumenteve të paraqitura në mbështetje të kërkesës për ekstradim, veçanërisht pjesëve të zgjedhura të ligjit penal (Titulli 18 i United States Code, U.S.C.) të zbatueshme, të përcjella nga autoritetet amerikane, për këto akuza parashikoheshin dënimet e mëposhtme:
“A. 18 U.S.C. § 2332 (b) (2) dhe 1111 (a): një dënim me burgim me kohëzgjatje të papërcaktuar apo të përjetshëm, ose njëherazi një dënim me gjobë dhe me burgim.
B. 18 U.S.C. § 2332a dhe 2: një dënim me burgim me kohëzgjatje të papërcaktuar apo të përjetshëm.
C. 18 U.S.C. § 2339B: një gjobë ose një dënim me burgim deri në 15 vjet ose të dy njëherësh.
D. 18 U.S.C. § 2339B dhe 2: një gjobë ose një dënim me burgim deri në 15 vjet ose të dy njëherësh.”
16. Më 4 qershor 2008, Prokurori Federal iu drejtua Dhomës së Këshillimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Nivelës me një kërkesë që synonte ta bënte të ekzekutueshëm urdhrin e ndalimit të lëshuar më 16 nëntor 2007 në ngarkim të paditësit. Në pretencën e tij, Prokurori Federal sillte si argument se dënimet maksimale për veprat penale ku mbështetej kërkesa për ekstradim ishin përkatësisht me një kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë dhe dhjetë vjetësh.
17. Përmes një note diplomatike të datës 12 nëntor 2008, autoritetet amerikane i njoftuan autoritetet belge për sigurimet e mëposhtme ndaj paditësit:
“The Government of the United States assures the Government of Belgium that, pursuant to his extradition, Nizar Trabelsi will not be prosecuted before a military commission, as enabled by the Military Commissions Act of 2006. The Government of the United States further assures the Government of Belgium that upon extradition, Trabelsi will not be detained or incarcerated in any facility other than a civilian facility in the United States.”
18. Me një urdhëresë të 19 nëntorit 2008, Dhoma e Këshillimit e Gjykatës së Shkallës së Parë të Nivelës i dha të drejtë pretencës së Prokurorit Federal dhe e bëri të ekzekutueshëm urdhrin e ndalimit të lëshuar nga District Court. Urdhëresa saktësonte megjithatë si vijon:
“Shqyrtimi i dokumenteve bashkëngjitur me urdhrin e ndalimit të lëshuar për qëllime ekstradimi (...) zbulon, nga ana e tij, se midis ‘akteve të deklaruara’ (‘overt acts’) që autoritetet amerikane paraqesin me hollësi në mbështetje të akuzës së parë, ka disa prej tyre që përputhen me shumë përpikëri me veprat e kryera në tokën belge, te të cilat është mbështetur dënimi [i paditësit] në Belgjikë.
(...)
Në bazë të parimit ne bis in idem, urdhri i ndalimit për qëllime ekstradimi i lëshuar më 16 nëntor 2007 nga autoriteti gjyqësor kompetent i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk mund të bëhet për këtë arsye i zbatueshëm për sa u referohet ‘akteve të deklaruara’ [nr. 23, 24, 25, 26] të parashtruara në paragrafin 10 të akuzës së parë dhe që mendohet se përsëriten në mbështetje të akuzave të tjera.”
19. Në bazë të apelimit të bërë nga paditësi, Dhoma e Vënieve nën Akuzë e Gjykatës së Apelit të Brukselit, me një vendim të 19 shkurtit 2009, e la në fuqi këtë urdhëresë dhe e shpalli kërkesën të zbatueshme. Pasi kishte konstatuar se ekstradimi synonte vepra të tjera (të kryera sidomos jashtë Belgjikës) nga ato për të cilat paditësi u ndoq penalisht dhe u dënua në Belgjikë, Gjykata e Apelit qe e mendimit se:
“Nuk ka arsye serioze për të menduar që kërkesa për ekstradim është paraqitur me qëllim për ta ndjekur penalisht ose dënuar Trabelsi Nizar-in për konsiderata lidhur me punë race, feje, kombësie ose mendimi politik apo që situata e këtij personi rrezikon të rëndohet për njërën apo tjetrën nga këto arsye.
(...)
Nuk ka as rreziqe serioze për të besuar se Trabelsi Nizar-i, nëse ekstradohet, do t’i nënshtrohet një mohimi flagrant të drejtësisë, veprimeve të torturës apo trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese; nuk ka asnjë arsye për të besuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do t’i respektojnë me përpikëri të gjitha dispozitat, duke përfshirë aty nenet 7.2 dhe 7.3 të Marrëveshjes për Ekstradim të nënshkruar me Belgjikën, dhe se Trabelsi Nizar do të mbahet në një burg civil e do të gjykohet nga juridiksione të zakonshme sipas procedurës tradicionale.
(...)”
20. Më 24 prill 2009, paditësi bëri rekurs në kasacion kundër vendimit të Gjykatës së Apelit. Ai përmendte veçanërisht rrezikun për trajtime në kundërshtim me nenin 3 të Konventës dhe rrezikun për mohim flagrant të drejtësisë. Ai sillte si argument se Gjykata e Apelit nuk i kishte vlerësuar pasojat e dërgimit të paditësit në Shtetet e Bashkuara duke marrë parasysh situatën e përgjithshme në atë vend e rrethanat e veçanta të të interesuarit dhe ishte i mendimit se ishte dashur të ndiqej i njëjti arsyetim me atë të Gjykatës në çështjen Saadi c. Italie [DhM] (nr. 37201/06, GjEDNj 2008). Ai ankohej gjithashtu se problemi që mund të shtronte në këndvështrimin e nenit 3 dënimi i një personi me burgim detyrimisht të përjetshëm ishte lënë pa përgjigje nga Gjykata e Apelit. Së fundi, ai ankohej për shkeljen e parimit ne bis in idem.
21. Me një vendim të 24 qershorit 2009, Gjykata e Kasacionit e rrëzoi rekursin e paraqitur nga paditësi. Ajo çmonte se Gjykata e Apelit e kishte arsyetuar në mënyrë të rregullt dhe e kishte përligjur ligjërisht vendimin e saj duke qenë e mendimit:
“- se shteti kërkues po bën aktualisht një rishikim të plotë të politikës së tij antiterroriste, po e intensifikon luftën e tij kundër torturës dhe trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese, e po bëhet gati për t’i pezulluar gjykatat e jashtëzakonshme si edhe për ta pezulluar burgimin e pakufizuar e pa vendim gjyqësor të personave të kapur në kuadrin e një konflikti ndërkombëtar,
- se, sipas garancive formale të dhëna në mbështetje të kërkesës për ekstradim, paditësi do të gjykohet nga një juridiksion i zakonshëm, sipas procedurës së zakonshme në fuqi në shtetin kërkues dhe me të drejtat e me mjetet për ankim që parashikon sistemi gjyqësor i këtij vendi,
- se paditësi nuk rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm për veprat penale për arsye të të cilave kërkohet ekstradimi i tij dhe se dënimet me të cilat ndëshkohen ato mund të kthehen në dënime të tjera të cilat mund ta lejojnë lirimin me kusht,
- se, duke mos e qenë të veshura ndaj vetë paditësit me atë karakter konkret që do t’i bënte të besueshme rreziqet e pretenduara, elementet e përmendura si argument prej tij nuk lënë vend për të pasur frikë seriozisht që ai t’i ekspozohet ndonjë mohimi flagrant të drejtësisë apo veprave të torturës ose trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese.
(...)”
22. Në një letër të datës 11 nëntor 2009, të drejtuar autoriteteve belge me kërkesën e Prokurorit Federal të ngarkuar me dosjen e ekstradimit, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara dha informacionet plotësuese të mëposhtme:
“The statutory maximum sentence for a conviction of each of the first two of these offenses is life imprisonment and the statutory maximum sentence for the latter two offenses is 15 years. In addition, the United States Sentencing Guidelines, which are the voluntary guidelines that judges may choose to follow in sentencing defendants, call for a life sentence for each of the first two of these offenses.
A life sentence is not mandatory and the court has the discretion to issue a sentence less than life. In issuing a sentence, the court may consider the gravity of the offense and whether any lives were lost or property was damaged. In this instance, Trabelsi did not succeed in carrying out his plans to kill United States nationals and to use weapons of mass destruction. Thus, the court in issuing a sentence, in its discretion, may consider that Trabelsi was not successful in carrying out his plans. The court also may consider any mitigating factors, such as whether the defendant acknowledges responsibility for his actions.
If the court, in its discretion, sentences Trabelsi to a punishment of less than life. i,e., a term of years, Trabelsi’s sentence could be reduced by up to 15% for good behavior while incarcerated. This type of sentence reduction is only possible, however, if the original sentence is to a term of years, however long, rather than a life sentence. Therefore, if Trabelsi were sentenced to a term of 20, 30, or even 50 years, then he could be eligible for a sentence reduction of up to 15% of his original sentence based on his good behavior while incarcerated. If, however, Trabelsi is sentenced to life, he would not be eligible for any reduction in his sentence.
Finally, Trabelsi can apply for a Presidential pardon or sentence commutation. (A pardon would eliminate the conviction; a commutation would be an adjustment to the sentence.) However, this is only a theoretical possibility in Trabelsi’s case. We are not aware of any terrorism defendant ever having successfully applied for a Presidential pardon or sentence commutation.”
2. Faza gjyqësore dhe administrative e përgjigjes ndaj kërkesës për ekstradim
a) Mendimi i Dhomës së Vënieve nën Akuzë
23. Sapo u shpall e ekzekutueshme aktakuza amerikane, u çel procedura lidhur me përgjigjen që duhej t’i jepej kërkesës për ekstradim.
24. Më 4 shkurt 2010, Prokurori Federal ia paraqiti me shkrim pretencën e tij Gjykatës së Apelit të Brukselit duke e ftuar atë, në dritën e jurisprudencës së Gjykatës dhe sidomos të vendimit Kafkaris k. Qipros [DhM] (nr. 21906/04, GjEDNj 2008), që të jepte një mendim pozitiv rreth ekstradimit të paditësit. Ai bënte të ditur se, për dy akuzat e para, paditësi rrezikonte të dënohej me burgim të përjetshëm, kurse për dy të fundit rrezikonte të dënohej me pesëmbëdhjetë vjet burgim.
25. Në një letër të datës 29 mars 2010 drejtuar Shërbimit Publik Federal të Drejtësisë, paditësi konstatonte se në seancën e 24 marsit 2010, Prokurori Federal kishte pranuar se kishte bërë një lajthitje në pretencën e tij gjatë procedurës për njohjen e aktakuzës amerikane, për sa i përkiste dënimit që rrezikonte të merrte paditësi si pasojë e ekstradimit të tij në Shtetet e Bashkuara (shih paragrafin 16 të mësipërm).
26. Më 10 qershor 2010, Dhoma e Vënieve nën Akuzë e Gjykatës së Apelit dha një mendim të favorshëm për ekstradimin e paditësit kundrejt respektimit të disa kushteve:
“- ekstradimi nuk mund të jepet përveçse:
i. me kusht që ndaj N. Trabelsi-t të mos jepet dënimi me vdekje ose, në qoftë se ky kusht nuk mund të respektohet nga Shtetet e Bashkuara, me kusht që dënimi me vdekje të mos ekzekutohet,
ii. me kusht që dënimi me burgim të përjetshëm të mund të shoqërohet me një zëvendësim dënimi, edhe pse dënimi jepet për vepra terrorizmi,
- në rast kërkese për riekstradim të N. Trabelsi-t drejt një vendi të tretë, sidomos drejt Tunizisë, Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë miratimin e Belgjikës në qoftë se, pasi t’u jetë dorëzuar N. Trabelsi, ato do të përballen në të ardhmen me një kërkesë për ekstradim që do t’u ketë drejtuar atyre ndërkohë Tunizia.
Në qoftë se Shtetet e Bashkuara nuk i pranojnë këto kushte, ekstradimi duhet të mos pranohet.”
b) Urdhëresa ministrore për dhënien e ekstradimit
27. Me një notë diplomatike të datës 10 gusht 2010, autoritetet amerikane ripohuan se paditësi nuk rrezikonte t’i jepej dënimi me vdekje dhe i siguruan autoritetet belge se paditësi nuk do të ekstradohej drejt një vendit të tretë pa miratimin e Qeverisë belge. Ato rikujtonin që dënimi maksimal me burgim të përjetshëm nuk ishte i detyrueshëm e që, edhe sikur të mblidheshin e të provoheshin elementet që përbënin veprat e lartpërmendura, gjykata mund ta kishte plotësisht në dorë që të jepte një dënim më të ulët. Nota saktësonte se legjislacioni amerikan parashikonte disa mundësi për uljen e një dënimi me burgim të përjetshëm:
“Regarding the question of commutation of a life sentence, the United States wishes to make it clear, in the first instance, that if Trabelsi were convicted, a life sentence is not mandatory; the court has the discretion to impose a sentence less than life. Also, a defendant has a statutory right to appeal the conviction and sentence, including a life sentence, both directly, and collaterally through a habeas corpus petition. In addition, there are certain statutory bases for reduction of an already-imposed sentence, including where the defendant has provided substantial assistance in the investigation or prosecution of a third party (Federal Rule of Criminal Procedure 35(b) and Title 18 United States Code, Section 3582(c)(1)(B)), or for compelling humanitarian reasons such as the terminal illness of the prisoner (Title 18, United States Code, Section 3582(c)(lXA)(i)).
In addition to these measures, the defendant may request that his sentence be reduced as an exercise of executive clemency by the President of the United States. The President’s power under Article H, Section 2, of the U.S. Constitution, “to grant reprieves and pardons” includes the authority to commute (reduce) a sentence of imprisonment, including a life sentence. There are established regulations and procedures governing the application process for executive clemency, and the Office of the Pardon Attorney has been established in the Department of Justice to review all applications for executive clemency and prepare recommendations for the President on those applications. The U.S. Constitution gives the President absolute discretion to grant executive clemency to a defendant. We note that while such discretion has been exercised sparingly, such relief has, on occasion, been granted for serious offenses implicating national security. For example, in 1999, President Clinton commuted the sentences of 13 members of the FALN, a violent Puerto Rican nationalist organization responsible for numerous bombings in the 1970s and early 1980s, who had been convicted of conspiracy to commit armed robbery, bomb making, sedition and other offenses.”
28. Më 23 nëntor 2011, ministri i Drejtësisë nxori një urdhëresë ministrore që ia akordonte Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ekstradimin e paditësit. Pasi vuri në dukje se paditësi nuk rrezikonte në asnjë rast dënimin me vdekje, urdhëresa shqyrtoi secilën nga garancitë e tjera.
29. Për sa i përket zbatimit të mundshëm të një burgimi të përjetshëm, vendimi ministror shprehet si më poshtë:
“Në përputhje me të drejtën penale federale amerikane, dënimi maksimal i parashikuar për akuzat – veprat penale në pikat A dhe B – nënkupton pamundësinë e një lirimi të parakohshëm, të përkohshëm ose me kusht. Dënimi me burgim të përjetshëm ashtu siç parashikohet në këto dy dispozita të Kodit Penal amerikan vuhet pra, në pikëpamje juridike dhe faktike, në parim përjetësisht.
(...)
Në notën diplomatike nr. 21 të datës 10 gusht 2010 të Ambasadës amerikane, autoriteti amerikan ka dhënë garancinë se, (edhe) në qoftë që jepet një dënim detyrimisht i përjetshëm, është e mundshme të fitohet falja (‘pardon’) nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Kjo e drejtë përcaktohet në nenin 2, II të Kushtetutës amerikane. Për më tepër, falja u është dhënë faktikisht në disa raste në të kaluarën, edhe kohët e fundit, disa personave të dënuar nga juridiksionet – sidomos federale – amerikane.
(...)
Çështja e FALN-ve, edhe sikur të rivendoset në kontekstin e saj historik, tregon se në raste që mund të përfshihen si të parashikuara në legjislacionin e tanishëm lidhur me terrorizmin që prej 11 shtatorit 2001, të cilat duhet të cilësohen objektivisht si shumë më të rënda sesa ato për të cilat dyshohet personi i kërkuar dhe që mendohet se shkaktojnë kështu dënime më të larta, falja mund të jepet efektivisht.
Ndonëse që prej vitit 2001 disa persona janë dënuar me burgime detyrimisht të përjetshme (...) për terrorizëm ose për vepra të lidhura me terrorizmin, nga pikëpamja e përmbajtjes, këto çështje nuk mund të krahasohen me çështjen Trabelsi. Të gjithë personat e dënuar në Shtetet e Bashkuara me burgime të përjetshme pa mundësi lirimi me kusht apo lirimi të parakohshëm janë vënën nën akuzë, ndjekur penalisht dhe më në fund dënuar për përzierjen e tyre si pjesëmarrës në atentate terroriste ku janë shkaktuar të vrarë dhe/ose të plagosur si edhe dëme të konsiderueshme materiale, si për shembull atentatet kundër ambasadave amerikane të Najrobit në Kenia e të Dar-es-Salamit (Tanzani) më 7 gusht 1998. (...)
Për nga rëndësia dhe natyra e tyre, këto vepra penale duket haptazi se nuk janë të krahasueshme me ato që i vihen në ngarkim personit të kërkuar.
Në çështjet e sipërpërmendura, disa persona, nganjëherë në numër shumë të madh, për më tepër shtetas amerikanë, kanë pësuar vërtet dëmtime të konsiderueshme fizike dhe materiale. Kurse personi i kërkuar ndiqet se ka paramenduar e përgatitur një atentat terrorist i cili nuk është ekzekutuar. Personi i kërkuar nuk ka arritur që, bashkë me të tjerë, të shkaktojë dëme në njerëz apo qoftë edhe materiale.
Është pra qartësisht e arsyeshme të mendohet që veprat e vëna në ngarkim të mos mundin të lejojnë që të kërkohet ose të jepet dënimi maksimal i zbatueshëm i parashikuar nga Kodi Penal amerikan, konkretisht një burgim detyrimisht i përjetshëm.
Një studim i kohëve të fundit i OJQ-së Human Rights First tregon se nga 214 personat e ndjekur penalisht që prej 11 shtatorit 2001 për vepra terroriste të lidhura me Al-Kaidën ose me grupime të tjera islamiste apo për vepra penale të lidhura me këto të fundit, 195 janë dënuar. Në secilin rast fjala ishte për ndjekje penale ose për dënime me burim prokuroritë dhe gjykatat federale. 151 të dënuar janë dënuar me heqje lirie ndërsa 20 janë dënuar me burgim me kusht ose me një burgim që përkonte me kohën e vuajtur tashmë gjatë qëndrimit në paraburgim. Kohëzgjatja mesatare e dënimeve të dhëna ishte 8,4 vjet. Vetëm 11 nga të dënuarit kanë marrë një dënim me heqje lirie të përjetshme. Raporti vë në dukje gjithashtu se procedurat e respektojnë të drejtën për një proces të drejtë (Human Rights First, In pursuit of Justice: Prosecuting Terrorism Cases in the Federal Courts – 2009 Update and Recent Developments, 2009, 68 f.).
Nga shifrat del se, objektivisht, rreziku për t’u dënuar me burgim të përjetshëm – pa mundësi lirimi me kusht – në rast ndjekjesh penale për vepra terroriste është ndjeshëm më i kufizuar sesa ajo çka duket që pranohet në përgjithësi.”
30. Në lidhje me mundësinë e riekstradimit të paditësit drejt Tunizisë, urdhëresa ministrore vijonte kështu:
“Në notën diplomatike nr. 21 të datës 10 gusht 2010 të Ambasadës amerikane, autoriteti amerikan ka vënë në dukje në mënyrë të qartë që, në qoftë se autoritetet tuniziane ua kërkojnë ekstradimin Shteteve të Bashkuara, ai nuk do të jepet.
(...)
Duke qenë se është vendosur që Republikës Tuniziane t’i refuzohet ekstradimi dhe se çdo riekstradim kërkon miratimin e shtetit që ka lejuar ekstradimin fillestar, një riekstradim eventual në Republikën Tuniziane nuk mund të ndodhë.
Përderisa autoriteti belg nuk ia ka pranuar ekstradimin Republikës Tuniziane dhe përderisa, në qoftë se Tunizia do t’i drejtonte në të ardhmen një kërkesë për ekstradim Shteteve të Bashkuara, këto të fundit do ta refuzonin gjithashtu atë, riekstradimi eventual nga Shtetet e Bashkuara te Republika Tuniziane është i pamundur.”
31. Së fundi, vendimi ministror e analizoi zbatimin e parimit ne bis in idem me këto fjalë:
“Belgjika dhe Shtetet e Bashkuara janë (...) zotuar në mënyrë të ndërsjellë që ta refuzojnë ekstradimin, në kuadrin e Marrëveshjes (për Ekstradim të 27 prillit 1987), në qoftë se personi i kërkuar ka marrë pafajësi në shtetin të cilit i është bërë kërkesa ose është dënuar atje për të njëjtën vepër penale si ajo për të cilën është kërkuar ekstradimi. Ratifikimi (...) e ka përfshirë këtë marrëveshje në rendin juridik belg dhe në atë amerikan.
Me fjalë të tjera, ato që duhet të jenë identike nuk janë aktet, por cilësimi i tyre, veprat penale.
(...)
Aktet mbi të cilat bazohen veprat penale të vëna nën akuzë përkojnë me ‘aktet e deklaruara’ (‘overt acts’) që veç e veç ose në tërësinë e tyre funksionojnë si elemente në mbështetje të akuzave. Parimi i ‘double jeopardy’ nuk e përjashton mundësinë për t’i përdorur ose jo këto elemente faktike.
Në çështjen në fjalë, veprat penale për të cilat personi i kërkuar është dënuar në mënyrë të parevokueshme nga Gjykata e Apelit të Brukselit më 9 qershor 2004 nuk përkojnë me veprat penale të numëruara në akuzat A deri D që figurojnë në urdhrin e ndalimit tek i cili mbështetet kërkesa amerikane për ekstradim. Elementet që i përbëjnë veprat penale amerikane dhe belge përkatëse, rëndësia e tyre dhe vend(-i/-et) e çast(-i/-et) ku janë kryer ato nuk përputhen.
(...)
Në përputhje me të drejtën penale federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një ‘overt act’ është një element (fakti ose faktik), një akt, një sjellje ose një transaksion që në vetvete nuk mund të cilësohet në mënyrë të pashmangshme si vepër penale. (...)
Çdo ‘akt i deklaruar’ nuk është veçse një element prove në mbështetje, i cili, në vetvete ose i bashkuar me akte të tjera të deklaruara, mund të japë ndihmesë për ta përcaktuar veprën ose veprat penale për të cilën a për të cilat ndiqet personi, konkretisht përbetimin – krijimin e organizatës ose marrëveshjen e fshehtë (‘conspiracy’) – me qëllim, për shembull, për të vrarë shtetas amerikanë (krh. akuzën A). (...)
‘Aktet e deklaruara’ 24, 25 dhe 26 mund të cilësohen, sigurisht, secili si vepra penale, por nuk përbëjnë aspak vepra penale për të cilat kërkohet ekstradimi.”
32. Urdhëresa parashikonte në nenin e saj 2 se “ekstradimi do të ndodhë pasi personi i kërkuar t’i ketë plotësuar kërkesat e drejtësisë belge”.
33. Po atë ditë, me një urdhëresë tjetër ministrore, ministri i Drejtësisë ua refuzoi ekstradimin e paditësit autoriteteve tuniziane (shih paragrafin 10 të mësipërm).
c) Kërkesa ankimore për shfuqizim pranë Këshillit të Shtetit
34. Më 6 shkurt 2012, duke nxjerrë si argument shkeljen e nenit 3 të Konventës dhe të nenit 4 të Protokollit nr. 7, paditësi paraqiti një ankim pranë Këshillit të Shtetit me synimin që të fitonte shfuqizimin e urdhëresës ministrore që jepte ekstradimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara.
35. Në seancën e Këshillit të Shtetit të datës 19 shtator 2013, paditësi paraqiti si argument vendimin e Gjykatës në çështjen Vinter me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM] (nr. 66069/09, 130/10 dhe 3896/10, 9 korrik 2013). Ai nxirrte nga ky i fundit se Gjykata gjykonte tashmë që mundësia për zbutje ose jo të një dënimi me burgim të përjetshëm duhet të bëhej objekt për një kontroll parandalues, që përpara se i burgosuri të fillonte ta vuante dënimin e tij dhe se për këtë nuk kishte më rëndësi dallimi i bërë në vendimin Babar Ahmad me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, (nr. 24027/07, 11949/08, 36742/08, 66911/09 dhe 67354/09, 10 prill 2012) nëse personi që ishte objekt i një ekstradimi ishte dënuar apo jo.
36. Me një vendim të 23 shtatorit 2013, Këshilli i Shtetit e rrëzoi kërkesën ankimore për shfuqizim. Në lidhje me argumentin e nxjerrë nga neni 3 i Konventës dhe me rrezikun e një burgimi detyrimisht të përjetshëm, Këshilli i Shtetit u shpreh si më poshtë:
“Edhe sikur paditësi të dënohet nga juridiksionet amerikane me një burgim të përjetshëm, është me vend që të vihet në dukje megjithatë se [Gjykata], në vendimin e saj Vinter me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar të 9 korrikut 2013, ka gjykuar konkretisht se: “thjesht fakti që një dënim me burgim i përjetshëm të mund të vuhet i plotë nuk e bën atë të pazbritshëm”, se një “dënim me burgim të përjetshëm të zbritshëm de jure dhe de facto nuk ngre asnjë pikëpyetje në fushën e nenit 3 (...)” dhe se “aty ku e drejta kombëtare e ofron mundësinë e rishikimit të dënimit me burgim të përjetshëm me qëllim për ta kthyer, për ta pezulluar atë, për t’i dhënë atij fund ose edhe për ta liruar të burgosurin me kushte, kërkesat e nenit 3 plotësohen”.
Në çështjen në fjalë, ashtu si në çështjen Babar Ahmad me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar që ka çuar në vendimin e [Gjykatës] të 10 prillit 2012, paditësi nuk është dënuar nga ndonjë juridiksion amerikan me burgim të përjetshëm dhe kështu që a fortiori nuk ka filluar ta vuajë një dënim të tillë.
Prandaj, ashtu si në këtë çështje të sipërpërmendur, ai nuk e vërteton që, në rast marrjeje eventuale të një dënimi të tillë, do të shtrohet pyetja se mos mbajtja e tij në burgim nuk do të përligjet me asnjë arsye të drejtë të natyrës penologjike.
Madje, në parashtresën e tij të fundit, paditësi e pranon se një dënim eventual me burgim të përjetshëm që mund t’i jepet atij do të ishte de jure i zbritshëm. E drejta amerikane ia jep atij në fakt mundësinë për një rishqyrtim ose për të kërkuar një falje a një ndryshim dënimi dhe paditësi nuk e mbron mendimin se kjo fuqi për falje a për zëvendësim dënimesh qenka e shoqëruar me kufizime të krahasueshme me ato për të cilat bëhej fjalë në vendimin e sipërpërmendur të [Gjykatës] të datës 9 korrik 2013.
Sigurisht, paditësi e kundërshton që një dënim i tillë të jetë de facto i zbritshëm. Sidoqoftë, nga shpjegimet që autoritetet amerikane i kanë dhënë palës kundërshtare del se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka përdorur tashmë edhe më parë kompetencën e tij për zëvendësim dënimesh. Rruga juridike që iu çelka kështu paditësit në rast dënimi me burgim të përjetshëm nuk përjashtohet pra në praktikë.
Për më tepër, pohimi i paditësit se, që prej atentatit të 11 shtatorit 2001, qenka e paimagjinueshme që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të japë një falje ose t’ia ndryshojë dënimin një personi të dënuar për terrorizëm, nuk është i mbështetur me asnjë të dhënë bindëse dhe nuk ka sesi të jetë i tillë duke pasur parasysh këtë periudhë kohore relativisht të shkurtër, në krahasim me burgimin e përjetshëm, që ka kaluar që prej atij atentati dhe dënimeve penale të mëvonshme.
Ashtu si në çështjen Babar Ahmad (...), nuk vërtetohet pra që autoritetet amerikane nuk do të pranonin kur të vijë koha që t’i zbatonin mekanizmat e disponueshme për zbritje të dënimeve në qoftë se mbajtja e paditësit në burgim nuk do të përligjej me asnjë arsye të drejtë të natyrës penologjike.
Një dënim eventual me burgim të përjetshëm me të cilin do të dënohej paditësi del pra gjithashtu i zbritshëm de facto.
Prandaj, nuk është me interes që të përcaktohet nëse pala kundërshtare e paska pasur gabim që ka qenë e mendimit se paditësi nuk do t’u dënuaka medoemos me burgim të përjetshëm. Në fakt, edhe sikur ai të dënohet me një burgim të tillë, ky sanksion nuk do të përbënte një shkelje të nenit 3 të [Konventës]”.
37. Për sa i përket argumentit të nxjerrë nga neni 5 i Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Mbretërisë së Belgjikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga neni 4 i Protokollit nr. 7 të Konventës dhe nga neni 14 § 7 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Këshilli i Shtetit qe i mendimit si më poshtë:
“Autoritetet amerikane e kërkojnë ekstradimin e paditësit për katër akuza, konkretisht:
1) pjesëmarrje në organizatë kriminale me synimin për të vrarë shtetas amerikanë jashtë Shteteve të Bashkuara;
2) pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe tentativë për përdorim armësh shkatërrimi në masë;
3) pjesëmarrje në organizatë kriminale për t’i siguruar mbështetje materiale dhe burime një organizate të huaj terroriste;
4) sigurim mbështetjeje materiale dhe burimesh për një organizatë të huaj terroriste.
Sipas po këtyre autoriteteve amerikane, për t’i vënë në jetë këto vepra për të cilat akuzohet, paditësi si edhe keqbërës të tjerë kanë kryer një tërësi “aktesh të deklaruara”, nga të cilat ato se përse u jepet ekstradimi autoriteteve amerikane paraqiten si më poshtë : [vijon një listë me 28 akuza]
Në Belgjikë, akuzat (“në rrethin gjyqësor të Brukselit dhe, në bashkëlidhje, gjetiu në Mbretëri”) që qëndrojnë kundër paditësit paraqiten si më poshtë: [vijon një listë me 13 akuza].
Në qoftë se të gjitha “aktet e deklaruara” për të cilat u jepet ekstradimi autoriteteve amerikane dhe të gjitha veprat e akuzave belge, që kanë ndodhur “në rrethin gjyqësor të Brukselit dhe (...) gjetiu në Mbretëri”, shihen si dy anët e një krahasimi, atëherë është e udhës të vihet në dukje se të parat nuk kanë asnjë lidhje territoriale me Mbretërinë e Belgjikës dhe përbëjnë një tërësi veprash që shërbejnë si elementë përbërës të tri akuzave të ngritura nga autoritetet amerikane.
Nga provat shkresore të dosjes del se paditësi kërkohet nga autoritetet amerikane për vepra penale për të cilat ai nuk është “shpallur fajtor, dënuar apo shpallur i pafajshëm në shtetin të cilit i bëhet kërkesa” dhe se “aktet e deklaruara” përbëjnë elemente që do t’u shërbejnë autoriteteve gjyqësore amerikane për të përcaktuar nëse paditësi është fajtor ose jo për katër akuzat e ngritura kundër tij.”
C. Caktimi i një mase të ndërmjetme dhe fazat e mëtejshme të procedurës pranë Gjykatës
38. Më 6 dhjetor 2011, datë e njoftimit të urdhëresave ministrore lidhur me kërkesat për ekstradim (paragrafët 28 dhe 33), paditësi iu drejtua Gjykatës me një kërkesë për caktim të një mase të ndërmjetme në zbatim të nenit 39 të Rregullores me qëllim që ta pezullonte ekstradimin e tij.
39. Po atë ditë, Gjykata e pranoi kërkesën e paditësit dhe vendosi që, në interesin e palëve dhe të mbarëvajtjes së procedurës pranë saj, t’i kërkonte Qeverisë të mos e ekstradonte paditësin drejt Shteteve të Bashkuara.
40. Më 20 dhjetor 2011, duke sjellë veçanërisht si argument se caktimi i masës së ndërmjetme ishte i parakohshëm për faktin që paditësi nuk ishte ende në arrest ekstradimi dhe se kjo krijonte një situatë që e vinte në vështirësi miradministrimin e drejtësisë, Qeveria belge kërkoi që ajo të hiqej.
41. Më 11 janar 2012, Gjykata, pasi e shqyrtoi kërkesën e paditësit në dritën e informacioneve të dhëna nga palët, vendosi, duke i pasur parasysh këto informacione, që ta refuzonte heqjen e masës së ndërmjetme.
42. Më 21 maj 2012, Qeveria bëri një kërkesë të dytë për heqje të masës së ndërmjetme.
43. Si përgjigje, Gjykata, vuri në dukje në një letër të datës 25 maj 2012 se kërkesa për heqje të masës së ndërmjetme dhe kërkesa e paditësit do të rishqyrtoheshin sapo të merrte formë të prerë vendimi i dhënë më 10 prill 2012 nga Gjykata në çështjen Babar Ahmad me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar, të cituar më lart.
44. Me një letër të datës 25 qershor 2012, Gjykata i njoftoi palët se shqyrtimi i kërkesës për heqjen e masës së ndërmjetme ishte shtyrë pa afat duke pasur parasysh kërkesën për kalim në Dhomën e Madhe të çështjeve Vinter me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 66069/09) dhe Harkins e Edwards k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 9146/07 dhe nr. 32650/07).
45. Më 3 gusht 2012, Gjykata i njoftoi palët se ishte vendosur që çështja Vinter e cituar më lart t’i kalohej Dhomës së Madhe dhe se çështja e kërkesës për heqjen e masës së ndërmjetme do të rishqyrtohej kur të ishte marrë një vendim lidhur me kërkesën për kalim në Dhomën e Madhe të çështjes Babar Ahmad me të tjerë, të cituar më lart.
46. Kërkesëpadia iu njoftua Qeverisë së paditur më 27 nëntor 2012.
47. Në vërejtjet e saj rreth pranueshmërisë dhe themelësisë së kërkesëpadisë, Qeveria e kërkoi për të tretën herë heqjen e menjëhershme të masës së ndërmjetme.
48. Gjykata, me një letër të datës 7 janar 2013, u përgjigj se Qeveria do të njoftohej në kohën e duhur për vendimin që do të merrte Gjykata lidhur me masën e ndërmjetme.
49. Më 15 janar 2013, u vendos që masa e ndërmjetme të mbahej për aq kohë sa të zgjaste procedura pranë Gjykatës.
50. Në përgjigje të një kërkese të katërt të Qeverisë për heqjen e masës së ndërmjetme, Gjykata vuri në dukje, me një letër të datës 18 qershor 2013, se masa e ndërmjetme mbahej dhe zbatohej deri në përfundimin e procedurës pranë saj.
51. Më 10 korrik 2013, Gjykata i njoftoi palët se shqyrtimi i çështjes shtyhej për më vonë për të marrë parasysh vendimin e afërm të Këshillit të Shtetit si edhe vendimin e Dhomës së Madhe në çështjen Vinter me të tjerë [DhM] (nr. 66069/09, 130/10 dhe 3896/10, 9 korrik 2013).
52. E pyetur nga Qeveria lidhur me afatin e trajtimit të çështjes, Gjykata e informoi atë më 25 shtator 2013 se shqyrtimi i çështjes do të bëhej në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit.
53. Më 18 tetor 2013, Gjykata i njoftoi palët për qëllimin e dhomës së krijuar për shqyrtimin e çështjes për të hequr dorë nga juridiksioni për këtë çështje në favor të Dhomës së Madhe, në bazë të nenit 30 të Konventës.
54. Me një letër të datës 31 tetor 2013, paditësi bëri të ditur se e jepte pëlqimin e tij për një heqje dorë nga juridiksioni. Ndërsa Qeveria vuri në dukje, me një letër të datës 8 nëntor 2013, se ajo e kundërshtonte heqjen dorë nga juridiksioni.
D. Mbajtja në burg për ekstradim
55. Duke filluar nga 24 qershori 2012, pasi i kishte vuajtur dënimet me të cilat ishte dënuar (shih paragrafin 11 të mësipërm), paditësi u mbajt në burg për qëllim të ekstradimit të tij në zbatim të nenit 3 të Ligjit të 15 marsit 1874 për Ekstradimet.
56. Më 7 qershor 2012, paditësi paraqiti një kërkesë të parë për lirim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Nivelës. Me urdhrin e 12 qershorit 2012, dhoma e këshillimit e rrëzoi kërkesën. Ky urdhër u la në fuqi nga Dhoma e Vënieve nën Akuzë e Gjykatës së Apelit të Brukselit më 28 qershor 2012.
57. Më pas, duke u transferuar ndërkohë fillimisht në burgun e Bryzhit pastaj në burgun e Haseltit, paditësi paraqiti një kërkesë të dytë për lirim më 13 gusht 2012 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Haseltit. Më 24 gusht 2012, dhoma e këshillimit i dha të drejtë kërkesës së tij. Mbi bazën e apelimit të prokurorisë, me një vendim të datës 6 shtator 2012, Dhoma e Vënieve nën Akuzë e Gjykatës së Apelit të Anversës e ndryshoi këtë urdhër dhe e rrëzoi kërkesën.
58. Më 3 dhjetor 2012, paditësi paraqiti një kërkesë të tretë për lirim. Me një urdhër të datës 14 dhjetor 2012, dhoma e këshillimit e Gjykatës së Shkallës së Parë të Haseltit e shpalli kërkesën si të pabazuar. Paditësi bëri apelim pranë Dhomës së Vënieve nën Akuzë të Gjykatës së Apelit të Anversës e cila, me një vendim të 10 janarit 2013, e la në fuqi atë urdhër.
59. Në janar 2013, duke u transferuar ndërkohë në burgun e Monsit, paditësi paraqiti një kërkesë të katërt për lirim e cila u shpall e pabazuar nga dhoma e këshillimit e Gjykatës së Shkallës së Parë të Monsit më 4 shkurt 2013, pastaj nga Dhoma e Vënieve nën Akuzë e Gjykatës së Apelit të Monsit, më 21 shkurt 2013.
60. Më 23 gusht 2013, duke u transferuar ndërkohë në burgun e Itrës, paditësi paraqiti një kërkesë të pestë për lirim. Kjo u rrëzua nga dhoma e këshillimit e Gjykatës së Shkallës së Parë të Nivelës, më 28 gusht 2013, pastaj nga Dhoma e Vënieve nën Akuzë e Gjykatës së Apelit të Brukselit, më 12 shtator 2013.
61. Ndërkohë, më 5 shtator 2013, paditësi ishte larguar nga burgu i Itrës për në burgun e Bryzhit pasi i ishte dhënë një datë për kremtimin e martesës së tij me një shtetase belge me të cilën kishte dy fëmijë.
E. Ekstradimi i paditësit
62. Më 3 tetor 2013, paditësi u njoftua se do të transferohej nga burgu i Bryzhit në burgun e Itrës. Në të vërtetë, ai u dërgua drejt aeroportit ushtarak të Melsbrëkut ku po e prisnin disa agjentë të Federal Bureau of Investigation (“FBI”). Në orën 11.30, ai u transferua drejt Shteteve të Bashkuara.
63. Ministri i Drejtësisë bëri një deklaratë publike në orën 13.30 duke njoftuar nisjen e paditësit.
64. Në orën 15.00, avokati i paditësit paraqiti një kërkesë të njëanshme me urgjencë të skajshme pranë kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit. Urdhri, i dhënë në orën 18.30, konsideroi se shteti belg duhej ta respektonte masën e ndërmjetme të caktuar nga Gjykata dhe urdhëroi “ndalimin e ekstradimit të paditësit ose pezullimin e tij, me aq sa të ishte e mundur”, përndryshe rrezikohej të vendosej një gjobë në një shumë prej 5 000 eurosh (“EUR”). Gjykata nuk është njoftuar për ushtrimin eventual të ndonjë mjeti ankimi kundër këtij urdhri.
F. Mbajtja në burg e paditësit në Shtetet e Bashkuara
65. Në Shtetet e Bashkuara, paditësi u vu menjëherë në burgim. I asistuar nga një avokate e caktuar kryesisht, ai u çua më 7 tetor 2013 para District Court të Distriktit të Kolumbias për leximin e akuzave të ngritura kundër tij.
66. Paditësi mbahet aktualisht në burgun rajonal të Rappahannock-ut në Stafford (Virxhinia). Më 1 nëntor 2013, një letër e administratës së burgut drejtuar autoriteteve belge vinte në dukje se paditësi u ishte nënshtruar aty të njëjtave kushte burgimi si të burgosurit e tjerë.
67. Sipas një mesazhi elektronik që avokatja amerikane e paditësit i dërgoi më 6 nëntor 2013 përfaqësuesit të tij pranë Gjykatës, paditësi mund të kishte kontakte me letërkëmbim me botën e jashtme, por të gjitha letrat do të përktheheshin dhe lexoheshin paraprakisht nga Qeveria amerikane. Ai mund të kishte gjithashtu kontakte telefonike me disa pjesëtarë të familjes së tij me kusht që të ishte i lirë një përkthyes me gojë. Pjesëtarët e familjes së tij të ngushtë mund t’i bëjnë vizitë në qoftë se marrin vizë hyrjeje në Shtetet e Bashkuara.
68. Paditësit i shkoi për vizitë avokatja e tij e cila, në një mesazh elektronik dërguar më 7 dhjetor 2013 një pjesëtari të familjes së tij, vinte në dukje se atë e kishin vendosur në një qeli të veçuar. Ajo thoshte se ndihej e shqetësuar për gjendjen e tij psikologjike.
(...)
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 3 TË KONVENTËS LIDHUR ME EKSTRADIMIN E PADITËSIT
84. Sipas paditësit, vendimi i autoriteteve belge për t’ua dorëzuar atë Shteteve të Bashkuara ka sjellë si pasojë një mospërmbushje nga Belgjika të kërkesave të nenit 3 të Konventës, të formuluar kështu:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
(...)
B. Rreth themelësisë
1. Tezat e palëve
a) Paditësi
94. Paditësi ankohet se ekstradimi i tij drejt Shteteve të Bashkuara e ka ekspozuar atë ndaj disa trajtimeve të papajtueshme me nenin 3 të Konventës. Ai mbron mendimin se për veprat penale A dhe B për të cilat është dhënë ekstradimi i tij parashikohet një dënim maksimal me burgim detyrimisht të përjetshëm de facto dhe se, në rast dënimi, ai nuk do të ketë asnjë shpresë për t’u liruar.
95. Paditësi e nxjerr pazbritshmërinë de facto të dënimit nga notat diplomatike të 11 nëntorit 2009 dhe të 10 gushtit 2010. Ai tërheq vëmendjen se autoritetet amerikane i janë referuar një shembulli të vetëm zëvendësimi dënimi që kishte të bënte me vepra të rënda penale ndaj sigurisë kombëtare dhe kanë deklaruar se nuk kanë fare dijeni për ndonjë falje presidenciale apo zëvendësim mase në rast dënimi për vepër penale terroriste të një lloji si ato që i vihen në ngarkim paditësit. Lidhur me këtë, shembulli i mëshirës së Presidentit Clinton më 1999 nuk ka të bëjë me rastin në fjalë. Ai duhet të rivendoset në kontekstin e vet i cili nuk ka të bëjë më aspak me nisjen, që prej 11 shtatorit 2001, të një lufte të vërtetë ndaj terrorizmit të quajtur me “frymëzim islamik”, kuadër në të cilin është ndjekur penalisht paditësi.
96. Paditësi çmon përveç kësaj se burimet e përdorura nga Qeveria për të vërtetuar të kundërtën janë pak të besueshme. Kjo e fundit nuk e ka përmendur se OJQ-ja Human Rights First drejtohej, gjatë botimit të studimeve të cituara, nga një person i cili, që nga ajo kohë, ka marrë detyra në gjirin e pushtetit ekzekutiv amerikan. Paditësi shtron pyetje edhe rreth cilësisë së informacioneve të paraqitura. Sipas tij, është në fakt shumë e habitshme që problematika e kushteve të burgimit të personave të ndjekur penalisht për akuzën e terrorizmit të mos preket fare ndërkohë që ajo ishte për më tepër në qendër të shqetësimeve të Gjykatës veçanërisht në çështjen Babar Ahmad me të tjerë, të cituar më lart. Mirëpo, OJQ-ja CagePrisoners, e cila përkrah të burgosurit e besimit islamik që mbahen në lidhje me terrorizmin nga Shtetet e Bashkuara, ka zhvilluar një hetim që tregon se këta të fundit janë viktima kushtesh burgimi shumë të rrepta, të një politike diskriminimi në gjirin e burgjeve, se atyre u merren me pahir pohime nën torturë, u jepen dënime të shpërpjesëtuara e të padrejta, etj.
97. Paditësi i interpreton ndryshe të dhënat me shifra që citohen nga Qeveria. Ai vë në dukje se kohëzgjatja mesatare prej 8,4 vjetësh i përjashton dënimet me burgim të përjetshëm që janë dhënë dhe nuk merr parasysh as kohëzgjatjen e mbajtjes në burg të kryer nga të dënuar ose të liruar në momentin e gjykimit, ose të dënuar me një masë prove. Këto studime nuk i marrin gjithashtu parasysh as personat e arrestuar gjatë periudhës së referencës, por ende të pagjykuar. Për më tepër, shifrat e paraqitura nga Departamenti amerikan i Drejtësisë janë të ndryshme: nga 403 personat e gjykuar tashmë ndërmjet 11 shtatorit 2001 dhe 18 marsit 2010, 31 nuk janë dënuar ende, 12 janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 5 me gjashtëdhjetë vjet burgim ose më shumë. Paditësi citon rastin e Richard Reid, emri i të cilit u përmend disa herë në dosjen penale që ka përfunduar me dënimin e paditësit në Belgjikë si edhe gjatë procedurës së ekstradimit. Ky person është dënuar më 2003 me burgim të përjetshëm për të njëjtën akuzë B si paditësi sepse kishte bërë plan të shkatërronte një avion në fluturim me anë të këpucëve të mbushura me lëndë shpërthyese.
98. Paditësi mbron mendimin se rasti i tij nuk është i krahasueshëm me atë të paditësve në çështjen Babar Ahmad me të tjerë, të cituar më lart, për faktin se ai është dënuar tashmë nga juridiksionet belge me dënimin maksimal të zbatueshëm në Belgjikë në momentin e veprave për të cilat është akuzuar dhe se ai nuk ka përfituar nga asnjë rrethanë lehtësuese.
99. Së fundi, paditësi sjell si argument se, për të, e vetmja “shpresë për t’u liruar” mbështetet në shanset për sukses, de facto të paqena në kontekstin e periudhës pas atentateve të 11 shtatorit 2011, të një kërkese për falje presidenciale apo për zëvendësim dënimi. Kjo mundësi, e lënë në duart e ekzekutivit jashtë çdolloj kontrolli nga një gjyqtar, nuk ka jo vetëm asgjë si garanci, por edhe asgjë juridike. Ajo i nënshtrohet paqëndrueshmërisë së opinionit publik dhe nuk mbështetet në kurrfarë kriteri minimal të paracaktuar. Ajo është pra në kundërshtim të plotë me kërkesat për koherencë e parashikueshmëri ashtu siç rezultojnë ato nga vendimi Vinter me të tjerë i cituar më lart.
b) Qeveria
100. Paraprakisht, Qeveria çmon se, sipas shembullit të mënyrës se si ka vepruar Gjykata në çështjet Harkins e Edwards dhe Babar Ahmad me të tjerë të cituara më lart, duhet të analizohet problematika e dënimeve me burgim të përjetshëm në kontekstin e një ekstradimi dhe të mbahet siç duhet parasysh që ekstradimi i paditësit është kërkuar vetëm për qëllim ndjekjeje penale pranë juridiksioneve amerikane dhe se nuk është aspak e sigurt që paditësi do të gjykohet si fajtor për akuzat që rëndojnë mbi të.
101. Është gjithashtu e udhës të merret parasysh se, edhe sikur të mblidhen elementet që i përbëjnë ato vepra penale të cilat përmbahen në akuzat A dhe B (shih paragrafin 13 të mësipërm) e për të cilat paditësi mund të dënohet me burgim të përjetshëm (paragrafi 15 i mësipërm), autoritetet amerikane kanë dhënë siguri se ky dënim ishte në dorën e drejtësisë dhe se juridiksioni që merrej me çështjen nuk ishte i detyruar të jepte dënimin maksimal të parashikuar prej ligjit. Për më tepër, edhe sikur të jepej një dënim me burgim të përjetshëm, kundër dënimit dhe masës së tij ekzistojnë mjete ligjore për apelim, të drejtpërdrejta e të tërthorta, një mundësi për të kërkuar rishikimin e dënimit, si edhe mjete për uljen e masës së tij. Të gjitha këto i shtohen sigurisë së dhënë nga autoritetet amerikane se paditësi do të ndiqej pranë juridiksionesh të zakonshme, se ai do të mbahej vetëm në një institucion civil burgimi dhe se ai nuk rrezikon në asnjë rast dënimin me vdekje.
102. Qeveria sjell si argument se nuk ka asnjë arsye për t’i vënë në pikëpyetje siguritë e dhëna kështu. Belgjika është e lidhur me Shtetet e Bashkuara përmes një traktati ekstradimi që prej vitit 1901 dhe nuk ka ndeshur kurrë ndonjë rast në të cilin Shtetet e Bashkuara të mos i kenë respektuar detyrimet që rrjedhin nga garancitë e dhëna diplomatike.
103. Sidoqoftë, sipas Qeverisë, rreziku real që paditësi të dënohet më vonë me dënimin maksimal të parashikuar për veprat penale që përfshihen në akuzat A dhe B është i kufizuar siç e dëshmojnë të dhënat e paraqitura në raportet e Human Rights First të përforcuara nga të dhënat statistikore të Departamentit amerikan të Drejtësisë në lidhje me dënimet për vepra terrorizmi (paragrafi 29 i mësipërm). Nga këto botime del në fakt e qartë se rastet e dënimit me burgim të përjetshëm kanë të bëjnë me vepra shumë më të rënda sesa ato për të cilat akuzohet paditësi. Shembulli i dhënë nga paditësi për Richard Reid (shih paragrafin 97 të mësipërm) përfshihet në të njëjtën kategori, përderisa i interesuari ishte arrestuar ndërkohë që po merrej me vënien në zbatim të planit të tij. Në raste të tjera, disa persona të dyshuar për vepra penale në kuptimin e akuzave A dhe/ose B të zbatueshme ndaj paditësit nuk janë dënuar me masën maksimale të parashikuar nga ligji amerikan.
104. Lidhur me pikën nëse masa e burgimit të përjetshëm që rrezikon t’i jepet paditësit për arsye të veprave penale të përfshira në akuzat A dhe B e plotëson “testin” e parashtruar nga Gjykata në çështjen Kafkaris të përmendur më lart dhe është e zbritshme de jure dhe de facto, Qeveria e fton Gjykatën të ndjekë të njëjtin arsyetim si në çështjet Babar Ahmad me të tjerë dhe Harkins e Edwards të cituara më lart.
105. Edhe sikur në çështjen në fjalë të shtrohet pika e përpjesëtueshmërisë ndërkohë që paditësi kërkohet vetëm për qëllim ndjekjeje penale, është me vend pikësëpari të konsiderohet se, duke pasur parasysh seriozitetin e veprave që i vihen atij në ngarkim, dënimet që rrezikon t’i jepen nuk janë haptazi të shpërpjesëtuara. E vetmja pikë që shtrohet është pra ajo nëse mos vallë, pavarësisht faktit që sipas ligjit duhet të dënohet me një masë burgimi të përjetshëm, ai të mund të paraqitet sikur ka shanse për t’u liruar.
106. Konstatimi i parë që del si i pashmangshëm dhe të cilin paditësi e ka pranuar përpara Këshillit të Shtetit është se, duke pasur parasysh mundësitë ligjore për të fituar një zëvendësim dënimi ose faljen presidenciale në Shtetet e Bashkuara ashtu siç përshkruhen ato në notën diplomatike 10 gushtit 2010, dënimi me burgim të përjetshëm është de jure i zbritshëm.
107. Së dyti, vërtetohet se ulje dënimi ose falja presidenciale janë dhënë efektivisht në disa raste dhe se dënimi me burgim të përjetshëm është gjithashtu de facto i zbritshëm. Qeveria jep në mbështetje të kësaj të dhënat me shifra lidhur me faljet dhe zbritjet e dënimit që janë zbatuar që prej vitit 1990 e që figurojnë në sajtin e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara në internet. Ajo sjell si argument se deri më sot të gjithë presidentët e Shteteve të Bashkuara e kanë zbatuar të drejtën e tyre për zëvendësim vendimi ose për falje. Presidenti George Bush e ka përdorur këtë në fakt më 2008 ndaj një personi të dënuar për trafikim lëndësh narkotike me një burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht. Këto masa kanë pasur të bëjnë edhe me persona të dënuar për vepra penale në lidhje me sigurinë kombëtare. I tillë qe veçanërisht rasti i çështjes së pjesëtarëve të FALN-ve të cituar nga autoritetet amerikane në notën diplomatike të 10 gushtit 2010.
108. Rrethana që nuk ka rast uljeje dënimi ose faljeje presidenciale për personat e dënuar me burgim të përjetshëm për vepra terrorizmi në lidhje me Al-Kaidën nuk jep mundësi që të nxirret asnjë përfundim i ndryshëm. Bëhet i pashmangshëm i njëjti arsyetim si në çështjen Iorgov k. Bullgarisë (nr. 2) (nr. 36295/02, 2 shtator 2010): duke pasur parasysh aspektin e vonë të dënimeve të dhëna nga autoritetet amerikane për vepra të tilla, personat e dënuar nuk ka sesi të kenë kërkuar tashmë falje presidenciale. Atyre u duhet që ta kenë vuajtur në fakt paraprakisht një pjesë të dënimeve të tyre me burgim përpara se të mundin të pretendojnë që të përfitojnë eventualisht prej një mase të tillë. Mungesa e akteve të faljes për vepra të tilla penale nuk mund të bëhet shkak për të konstatuar që sistemi i faljes nuk qenka funksional. Po të dënohet dhe ta ketë vuajtur një pjesë të masës së dënimit të tij, paditësi do të mundë, kur të vijë koha e në përputhje me çka parashikon ligji amerikan, ta kërkojë faljen ose zëvendësimin e masës së tij të dënimit. Në favor ose kundër një mase të tillë mund të ndikojnë disa elemente dhe në këtë stad është e pamundur të spekulohet nëse paditësi do të mundë të lirohet e kur.
109. Qeveria vë në dukje përveç kësaj se sistemi amerikan përputhet me saktësimet e bëra nga Gjykata në vendimin Vinter me të tjerë të cituar më lart që, thekson ajo, kishte të bënte me dënime me burgim detyrimisht të përjetshëm dhe jo në dorë të drejtësisë si në çështjen në fjalë. Falja presidenciale është një masë e njohur paraprakisht dhe për pasojë e parashikueshme në vështrim të legjislacionit si edhe një masë e duhur e aq e gjerë saqë t’u ofrojë disa perspektiva ligjore për lirim të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm real. Pasi është thënë kjo, ka gjithashtu rëndësi të vihet në dukje që sistemi amerikan është i ndryshëm nga sistemi britanik. Në kundërshtim me Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara një person i dënuar mund ta kërkojë kurdoherë zëvendësimin e dënimit të tij ose faljen. Afati ose karakteri i masës së dënimit nuk luan kurrfarë roli. Nuk ka asnjë kufizim për sa i përket numrit të kërkesave që mund të paraqesë një i dënuar. Procedura kërkon një vlerësim paraprak nga Pardon Attorney, që varet nga Departamenti i Drejtësisë e që i jep një mendim jo kushtëzues Presidentit, i cili merr parasysh rrethanat e krimit dhe personin e kërkuesit.
2. Vlerësimi i Gjykatës
110. Shkelja e pretenduar qenka se e paska ekspozuar paditësin, me ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara, ndaj rrezikut për t’u dënuar me një masë burgimi të përjetshëm të pazbritshëm dhe pa mundësi lirimi me kusht, në kundërshtim me kërkesat e nenit 3 të Konventës.
111. Gjykata do t’i qaset problemit që i shtrohet asaj duke filluar me disa konsiderata të përgjithshme rreth gjendjes së jurisprudencës lidhur me nenin 3, nga njëra anë për sa i përket dënimeve me burgim të përjetshëm, nga ana tjetër për sa i përket largimit të të huajve. Pastaj, ajo do të procedojë me pikën e zbatimit të parimeve që kanë të bëjnë me dënimet me burgim të përjetshëm në situatën e paditësit, objekt i një ekstradimi.
a) Parime të zbatueshme për burgimin e përjetshëm
112. Në jurisprudencën e Gjykatës është përcaktuar mirë tashmë se as neni 3 i Konventës, as kurrfarë dispozite tjetër e Konventës nuk e ndalon në vetvete dhënien e një dënimi me burgim të përjetshëm ndaj një keqbërësi në moshë të rritur (Kafkaris, i cituar më lart, § 97, dhe referencat e cituara) me kusht që ai të mos jetë kurrë qartësisht i shpërpjesëtuar (Vinter me të tjerë, i citur më lart, §§ 88 e 89). Megjithatë, Gjykata ka çmuar se dhënia e një dënimi me burgim detyrimisht të përjetshëm ndaj një personi mund të ngrinte një pikëpyetje në këndvështrimin e nenit 3 (Kafkaris, i cituar më lart, § 97).
113. Nga ky parim i fundit rrjedhin dy të tjerë. Së pari, neni 3 nuk e kundërshton që një dënim me burgim të përjetshëm të mund të vuhet praktikisht në tërësinë e tij. Ajo çka ndalon neni 3, është që dënimi me burgim të përjetshëm të jetë de jure dhe de facto i pazbritshëm. Së dyti, për të përcaktuar nëse në një rast të dhënë një dënim me burgim të përjetshëm mund të paraqitet si i pazbritshëm, Gjykata kërkon të shohë se a mund të thuhet që një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm ka shanse për t’u liruar. Aty ku e drejta kombëtare e ofron mundësinë për ta rishikuar dënimin me burgim të përjetshëm me qëllimin për ta zëvendësuar, për ta pezulluar ose për t’i dhënë fund apo edhe për ta liruar të burgosurin me disa kushte, neni 3 përmbushet (Kafkaris, i cituar më lart, § 98, dhe referencat e cituara).
114. Deri kohët e fundit, Gjykata çmonte se vetëm mundësia për ta ndryshuar eventualisht dënimin me burgim të përjetshëm mjaftonte për t’i përmbushur kërkesat e nenit 3. Ajo gjykoi kështu se mundësia e një lirimi të parakohshëm, edhe kur varej ekskluzivisht nga kompetenca vetëgjykimore e kreut të shtetit (Kafkaris, i cituar më lart, § 103), si edhe shpresa për një falje të dhënë nga kreu i shtetit, e cila mund të merrte ose trajtën e faljes, ose atë të zëvendësimit të masës së dënimit (Iorgov k. Bullgarisë (nr. 2), nr. 36295/02, §§ 51 deri 60, 2 shtator 2010), mjaftonin për ta karakterizuar një mundësi të tillë.
115. Me rastin e çështjes Vinter me të tjerë, të cituar më lart, Gjykata e rishqyrtoi pikën se qysh duhej të përcaktohej nëse, në një rast të dhënë, një dënim me burgim të përjetshëm mund të paraqitej si i zbritshëm. Ajo e shqyrtoi këtë pikë në dritën e qëllimeve parandaluese dhe integruese të masës së dënimit (§§ 112 à 118). Duke iu referuar një parimi të parashtruar tashmë në vendimin Kafkaris, Gjykata theksoi se, për t’u paraqitur si i zbritshëm, një dënim i përjetshëm duhej t’i nënshtrohej një rishqyrtimi që t’u lejonte autoriteteve kombëtare që të kërkonin nëse, gjatë ekzekutimit të dënimit të tij, i burgosuri kishte pasur aq shumë ecuri e përparim në udhën e ndreqjes saqë asnjë arsye e drejtë me natyrë penologjike nuk e lejonte më që të përligjej mbajtja e tij në burgim (§ 119). Gjykata saktësoi, përveç kësaj e për herë të parë, se një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm real kishte të drejtën për ta ditur, që në fillimin e dënimit të tij, se çfarë duhet të bënte ai në mënyrë që shihej mundësia e lirimit të tij dhe se cilat ishin kushtet e zbatueshme. Ai kishte të drejtën për ta ditur momentin se kur do të bëhej ose do të mund të kërkohej rishqyrtimi i dënimit të tij. Për këtë arsye, në rastin kur e drejta kombëtare nuk parashikonte asnjë mekanizëm e asnjë mundësi për rishqyrtimin e dënimeve me burgim të përjetshëm real, papajtueshmëria me nenin 3 që rezultonte andej lindte që në datën e dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm dhe jo në ndonjë stad të mëvonshëm të mbajtjes në burg (§ 122).
b) Parime të zbatueshme për largimin e të huajve
116. Është jurisprudencë e përhershme që mbrojtja kundër trajtimeve të ndaluara nga neni 3 të jetë absolute dhe prej saj rezulton se largimi i një personi nga territori i një shteti kontraktues mund të shtrojë një problem në vështrim të kësaj dispozite dhe ta ngarkojë kështu me përgjegjësi shtetin në fjalë në bazë të Konventës, kur ka arsye serioze për të besuar se i interesuari, nëse e largojnë drejt shtetit ku duhet të mbërrijë, do të ketë atje një rrezik real që t’i nënshtrohet një trajtimi në kundërshtim me nenin 3 (Soering k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 korrik 1989, § 88, seria A nr. 161). Rrethana se keqtrajtimet qenkan vepër e një shteti të tretë në raport me Konventën nuk merret fare në konsideratë (Saadi, i cituar më lart, § 138). Në këtë rast, neni 3 nënkupton detyrimin për të mos e larguar personin në fjalë drejt atij vendi, qoftë ky edhe një shtet i tretë. Gjykata nuk bën dallim sipas bazës ligjore të largimit; qoftë fjala për një dëbim apo për një ekstradim, Gjykata zgjedh të njëjtin arsyetim (Harkins e Edwards, i cituar më lart, § 120, dhe Babar Ahmad me të tjerë, i cituar më lart, § 168).
117. Nga ana tjetër, Gjykata rikujton se ajo është plotësisht e vetëdijshme për vështirësitë që ndeshin shtetet për ta mbrojtur popullsinë e tyre kundër dhunës terroriste, e cila përbën në vetvete një kërcënim të rëndë për të drejtat e njeriut. Ajo ruhet kështu që të mos i nënvlerësojë përmasat e rrezikut që përfaqëson terrorizmi dhe kërcënimin që ai përbën për shoqërinë (Othman (Abu Qatada) k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8139/09, § 183, GjEDNj 2012 (pjesë të zgjedhura), dhe referencat e cituara). Ajo ka mendimin se, përballë një kërcënimi të tillë, është e drejtë që shtetet kontraktuese të tregojnë rreptësi të madhe ndaj atyre që japin ndihmesë për akte terrorizmi (po aty). Së fundi, Gjykata nuk i harron për asnjë çast as themelet e ekstradimit që janë për të mos lejuar që keqbërësit e ikur t’i shmangen drejtësisë, as qëllimin e dobishëm që ndjek ai për të gjitha shtetet në një kontekst daljeje të kriminalitetit jashtë kufijve (Soering, i cituar më lart, § 89).
118. Megjithatë, asnjë nga këto elemente nuk e vë dot në pikëpyetje karakterin absolut të nenit 3. Siç e ka pohuar disa herë Gjykata, nga ky rregull nuk bëhet asnjë përjashtim. Pra, është me vend të ripohohet ai parim i shprehur sa e sa herë që prej vendimit Chahal k. Mbretërisë së Bashkuar (15 nëntor 1996, §§ 80 e 81, Recueil des arrêts et décisions 1996-V) se nuk është e mundur të merren parasysh veprimet e personit të shqyrtuar, sado të padëshirueshme apo të rrezikshme qofshin ato, as të vihen në balancë rreziku për keqtrajtime me arsyet e përdorura për largimin, me qëllim për të përcaktuar nëse shteti ngarkohet me përgjegjësi në fushën e nenit 3 (Saadi, i cituar më lart, § 138; shih gjithashtu Daoudi k. Francës, nr. 19576/08, § 64, 3 dhjetor 2009, dhe M. S. k. Belgjikës, nr. 50012/08, §§ 126 e 127, 31 janar 2012).
119. Për të përcaktuar një përgjegjësi të tillë, Gjykata nuk mund ta lërë pa e vlerësuar situatën në vendin e mbërritjes me kutin e kërkesave të nenit 3. Gjithsesi, fjala nuk është për ta kthyer Konventën në një instrument që rregullon aktet e një shteti të tretë, as për të pretenduar t’u kërkohet shteteve kontraktuese që ato t’i diktojnë norma një shteti të tillë (Soering, i cituar më lart, § 86, dhe Al-Skeini me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 55721/07, § 141, GjEDNj 2011). Në qoftë se ka ose mund të ketë ndonjë përgjegjësi në fushën e Konventës, ajo bie mbi shtetin që ekstradon, për arsye të një akti i cili ka si pasojë që e ekspozon dikë ndaj keqtrajtimeve të ndaluara (Soering, i cituar më lart, § 91, Mamatkoulov e Askarov k. Turqisë [DhM], nr. 46827/99 e nr. 46951/99, § 67, GjEDNj 2005‑I, dhe Saadi, i cituar më lart, § 126).
120. Në qoftë se ekstradimi përbën rrezik që në vendin e mbërritjes të ketë pasoja të cilat do të ishin të papajtueshme me nenin 3 të Konventës, shteti kontraktues nuk mund të ekstradojë; këtu vihet në pikëpyetje efektiviteti i garancisë së siguruar nga kjo dispozitë, duke pasur parasysh seriozitetin dhe pandreqshmërinë e vuajtjes që pretendohet se rrezikohet (shih Soering, të cituar më lart, § 90).
c) Zbatimi i parimeve në çështjen në fjalë
121. Gjykata shënon se paditësi është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara ku ndiqej penalisht për vepra të lidhura me akte terrorizmi të frymëzuara nga AL-Kaida dhe se, në qoftë se ai gjendet fajtor dhe dënohet për disa nga këto vepra, atij mund t’i jepet në maksimum një masë vetëgjykimore me burgim të përjetshëm. Fjala është për një dënim vetëgjykimor në kuptimin që gjyqtari mund të caktojë një masë dënimi më pak të rreptë dhe të vendosë të japë një dënim të përcaktuar në numër vitesh.
122. Pyetja që i shtrohet Gjykatës është ajo nëse mos vallë, duke pasur parasysh rrezikun që rëndon mbi paditësin, ekstradimi i tij ka rënë ndesh me nenin 3 të Konventës. Gjykata është përballur disa herë me pikëpyetjen që shtron rreziku i një dënimi me burgim të përjetshëm. Në secilën çështje, ajo ka kërkuar të përcaktojë, duke i marrë parasysh sigurimet diplomatike të dhëna nga vendi i mbërritjes, nëse ekstradimi i të interesuarve i ekspozonte ata efektivisht ndaj një rreziku të tillë dhe, në rast se po, nëse masa e dënimit me burgim të përjetshëm mund të bëhej objekt për një ndryshim duke u ofruar atyre një shpresë për t’u liruar (shih, ndër të tjera, Nivette k. Francës (vend. pran.), nr. 44190/98, GjEDNj 2001-VII, Einhorn k. Francës (vend. pran.), nr. 71555/01, GjEDNj 2001-XI, Salem k. Portugalisë (vend. pran.), nr. 26844/04, 9 maj 2006, Olaechea Cahuas k. Spanjës, nr. 24668/03, GjEDNj 2006-X, dhe Schuchter k. Italisë, (vend. pran.), nr. 68476/10, 11 tetor 2011).
123. Problematika e sipërpërmendur është paraqitur sërish në çështjet Harkins e Edwards dhe Babar Ahmad me të tjerë, të cituara më lart. Në këto çështje, shumica e paditësve kërcënoheshin me ekstradim nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shteteve të Bashkuara ku ata ndiqeshin për vepra penale të lidhura me akte terrorizmi të frymëzuara nga Al-Kaida dhe, në rast dënimi, mund të merrnin një dënim me burgim të përjetshëm të detyrueshëm ose vetëgjykimor.
124. Duke u frymëzuar prej jurisprudencës së saj rreth burgimit të përjetshëm në rendin e brendshëm ashtu siç parashtrohet ajo në vendimin e saj Kafkaris (shih paragrafët 112 deri 114 të mësipërm), Gjykata qe e mendimit se, me përjashtim të rastit kur masa e dënimit ishte krejtësisht e shpërpjesëtuar, burgimi i përjetshëm vetëgjykimor pa mundësi lirimi me kusht përbënte problem në bazë të nenit 3 vetëm në qoftë se provohej që mbajtja e të interesuarit në burgim nuk përligjej dot më me asnjë arsye të drejtë të natyrës penologjike dhe që dënimi ishte i pazbritshëm de facto dhe de jure (Harkins e Edwards, i cituar më lart, § 135, dhe Babar Ahmad me të tjerë, i cituar më lart, §§ 241 e 242).
125. Gjykata çmoi pastaj se paditësit, duke mos qenë dënuar dhe duke mos pasur a fortiori as filluar ta vuanin masën ndëshkimore që mund të rezultonte nga dënimi i tyre, nuk e kishin vërtetuar që, në rast ekstradimi, burgimi i tyre në Shtetet e Bashkuara nuk do të ndiqte kurrfarë arsyeje të drejtë të natyrës penologjike. Ajo e gjykoi si edhe më pak të vërtetuar që, nëse do të arrihej ndonjëherë në atë pikë, autoritetet e Shteteve të Bashkuara do të refuzonin t’i përdornin mekanizmat e disponueshme ligjore për t’i zbritur dënimet e tyre (Harkins e Edwards, i cituar më lart, §§ 140 e 142, dhe Babar Ahmad me të tjerë, i cituar më lart, §§ 130, 131 e 243). Gjykata doli në përfundimin se rreziku i pësimit të dënimeve me burgim të përjetshëm nuk e pengonte ekstradimin e paditësve.
126. Në çështjen në fjalë, Gjykata shënon se paditësi, para ekstradimit të tij, ndodhej në një situatë shumë të krahasueshme me atë të paditësve në çështjen Babar Ahmad me të tjerë.
127. Sipas shembullit të qasjes së ndjekur në atë çështje, Gjykata është e mendimit se, duke pasur parasysh seriozitetin e veprave terroriste për të cilat akuzohet paditësi dhe rrethanën se masa e dënimit do të jepet eventualisht vetëm pasi gjyqtari t’i ketë marrë në konsideratë të gjithë faktorët lehtësues e rëndues, dënimi vetëgjykimor me burgim të përjetshëm që mund të jepet eventualisht nuk do të ishte krejt i shpërpjesëtuar (Babar Ahmad me të tjerë, i cituar më lart, § 243).
128. Qeveria e paditur mbron në thelb mendimin se, për të përcaktuar se sa përputhet kjo masë ndëshkimore me nenin 3 të Konventës në një kontekst ekstradimi, duhet të zbatohet ai “test” që Gjykata ka zbatuar në çështjet Harkins e Edwards dhe Babar Ahmad me të tjerë dhe se në çështjen në fjalë nuk përligjet që ky “test” të shmanget mbi bazën e jurisprudencës më të vonë që rezulton nga vendimi Vinter me të tjerë.
129. Sipas Qeverisë, duhet pasur parasysh fakti se paditësi është ekstraduar vetëm për qëllime ndjekjeje, se ai nuk është dënuar ende dhe se kështu nuk është e mundur që përpara dënimit të përcaktohet nëse do t’u shtruaka ndonjëherë pika duke nisur nga e cila mbajtja e tij në burg nuk do të ndjekka më një arsye penologjike, as të spekulohet rreth mënyrës se si, në atë moment, autoritetet e Shteteve të Bashkuara do t’i zbatuakan mekanizmat ekzistuese. Rrethana që, në vendimin Vinter me të tjerë (§ 122), Gjykata ka çmuar se, për të përcaktuar përputhshmërinë me nenin 3 të Konventës, duhej që ta vësh veten në datën e dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm, qenka pa lidhje me çështjen në fjalë, përderisa paditësi nuk është dënuar ende.
130. Gjykata çmon se ajo nuk mund ta ndjekë këtë arsyetim. Ky ka si efekt që ta anashkalojë funksionin parandalues te nenit 3 të Konventës në lidhje me largimin e të huajve, i cili synon të mos lejojë që të interesuarit të jenë efektivisht viktima të një dënimi a trajtimi që e arrin atë prag serioziteti të ndaluar nga kjo dispozitë. Gjykata rikujton se neni 3 i detyron shtetet kontraktuese që ta pengojnë kryerjen e një trajtimi të tillë apo zbatimin e një mase të tillë dënimi (shih paragrafin 120 të mësipërm). Prandaj, ashtu sikurse vepron në çështjet e ekstradimit që prej çështjes Soering, Gjykata çmon se ajo duhet ta vlerësojë rrezikun që i kanoset paditësit në vështrim të nenit 3 ex ante – domethënë, në këtë rast, përpara dënimit të tij eventual në Shtetet e Bashkuara – dhe jo ex post facto siç e sugjeron Qeveria.
131. Detyra e Gjykatës është që të sigurohet se ekstradimi i paditësit pajtohej me nenin 3 dhe, për këtë, të shqyrtojë nëse dënimi vetëgjykimor me burgim të përjetshëm që rrezikon t’i jepet paditësit i përmbush kriteret që ajo ka vendosur në jurisprudencën e saj në këtë fushë (shih paragrafët 112 deri 115 të mësipërm).
132. Në këtë fushë, Qeveria pohon se sistemi amerikan përputhet si me kërkesat e vendosura nga Gjykata në vendimin Kafkaris ashtu edhe me kriteret e vendosura nga Gjykata në vendimin Vinter me të tjerë. Ajo sjell si argument se dënimi me burgim të përjetshëm që mund t’i jepet paditësit është de jure i zbritshëm për faktin se ky i fundit do ta ketë mundësinë, në bazë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që të kërkojë faljen presidenciale ose zëvendësimin e masës së dënimit të tij. Ai mund ta bëjë kërkesën për këtë në çdo kohë sapo vendimi të marrë formë të prerë dhe sa herë që të ketë dëshirë. Kërkesa e tij do të shqyrtohet nga Pardon Attorney i cili do t’ia japë mendimin e vet, jo kushtëzues, Presidentit. Arsyet për të cilat paditësi do të mundë ta fitojë faljen janë, sipas mendimit të Qeverisë, mjaft të gjera e, gjithsesi, më të gjera sesa ato që merren parasysh në Mbretërinë e Bashkuar e që janë shqyrtuar në vendimin Vinter me të tjerë. Dënimi vetëgjykimor me burgim të përjetshëm është gjithashtu de facto i zbritshëm. Qeveria mbështetet te siguritë diplomatike dhe te të dhënat me shifra të paraqitura nga autoritetet amerikane, të cilat dëshmojnë se të gjithë presidentët amerikanë e kanë përdorur kompetencën e tyre për falje ose për zëvendësim mase dënimi dhe se prej kësaj kanë përfituar tashmë disa persona të dënuar me burgim të përjetshëm ose për vepra penale në lidhje me sigurinë kombëtare.
133. Paditësi, nga ana e tij, mbron mendimin se e vetmja “shpresë për t’u liruar” e tij mbështetet te shanset për sukses, de facto të paqena në kontekstin e periudhës pas atentateve të 11 shtatorit 2001, të një kërkese për falje presidenciale ose për zëvendësim dënimi. Kjo mundësi, e lënë krejtësisht në duart e ekzekutivit, nuk ka asgjë të përbashkët me ndonjë garanci dhe nuk mbështetet në asnjë kriter të parapërcaktuar. Në këto kushte, dënimi vetëgjykimor me burgim të përjetshëm që mund t’i jepet atij nuk mund të konsiderohet si i zbritshëm de jure dhe de facto në kuptimin e dhënë nga Gjykata në vendimin Vinter me të tjerë.
134. Nga dispozitat e legjislacionit amerikan të cilave u referohet nota diplomatike e 10 gushtit 2010 e paraqitur nga autoritetet amerikane, Gjykata kupton se ato nuk parashikojnë mundësi për lirim me kusht në rast dënimi me burgim të përjetshëm, qoftë ky i detyrueshëm ose vetëgjykimor, por se ekzistojnë disa mundësi për zbritje të një dënimi të tillë. Një zbritje mund të bëhet mbi bazën e bashkëpunimit thelbësor të të burgosurit në hetimin e çështjes së tij ose në ndjekjet penale të një apo disa të tretëve. Ajo mund të vijë si rezultat i ekzistencës së arsyeve të domosdoshme humanitare. Përveç kësaj, një i burgosur mund ta kërkojë zëvendësimin e masës së dënimit të tij ose faljen presidenciale mbi bazën e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara (shih paragrafët 27 dhe 79 deri 83 të mësipërm).
135. Gjykata vë re më tej se, pavarësisht nga kërkesa e posaçme e formuluar më 10 qershor 2010 nga Dhoma e Vënieve nën Akuzë e Gjykatës së Apelit të Brukselit në mendimin e saj lidhur me ekstradimin e paditësit (shih paragrafin 26 të mësipërm), autoritetet amerikane nuk e kanë dhënë në asnjë çast sigurinë që paditësi do t’i shpëtonte dënimit me burgim të përjetshëm apo që, në rast dhënieje të një mase të tillë dënimi, kjo do të shoqërohej me një zbritje ose me një zëvendësim dënimi (shih, a contrario, Olaechea Cahuas, të cituar më lart, § 43, dhe Rushing k. Vendeve të Ulëta (vend. pran.), nr. 3325/10, § 26, 27 nëntor 2012). Gjykata nuk ka kështu përse të verifikojë, në çështjen në fjalë, nëse siguritë e dhëna nga autoritetet e vendit të mbërritjes janë të mjaftueshme, nga pikëpamja e përmbajtjes së tyre, për të garantuar që paditësi është i mbrojtur ndaj rrezikut të një mase dënimi të papajtueshme me nenin 3 të Konventës. Ajo është e mendimit se shpjegimet e autoriteteve amerikane lidhur me caktimin e dënimeve dhe referencat e tyre ndaj dispozitave të zbatueshme në legjislacionin amerikan të cilat e parashikojnë zbritjen e dënimit ose faljen presidenciale janë gjithsesi shumë të përgjithshme dhe të vagullta e nuk mund të konsiderohen se e arrijnë saktësinë e duhur (shih Othman (Abu Qatada), të cituar më lart, § 189).
136. Gjykata i kthehet tani pikës qendrore në çështjen në fjalë, e cila ka të bëjë me përcaktimin nëse, pavarësisht nga siguritë e dhëna, dispozitat e legjislacionit amerikan që parashikojnë mundësi zbritjeje të një dënimi me burgim të përjetshëm dhe faljeje presidenciale i përmbushin kriteret që ka vendosur ajo për të vlerësuar zbritshmërinë e një mase dënimi me burgim të përjetshëm dhe përputhshmërinë e saj me nenin 3 të Konventës.
137. Përgjigja për këtë pikë nuk kërkon shtjellime të gjera; Gjykatës i mjafton në fakt që të konstatojë se, ndonëse dispozitat e lartpërmendura dëshmojnë se ekziston një “shans për lirim” në kuptimin e vendimit Kafkaris – edhe pse mund të shprehen dyshime rreth vërtetësisë së këtij shansi në praktikë –, asnjë nga procedurat e parashikuara nuk mund të shihet si një mekanizëm rishqyrtimi i cili i detyron autoritetet kombëtare që, mbi bazë kriteresh objektive dhe të parapërcaktuara për të cilat i burgosuri duhet të ketë marrë qartësisht dijeni në momentin e caktimit të dënimit me burgim të përjetshëm, të kërkojnë nëse gjatë ekzekutimit të dënimit i interesuari ka pasur aq ecuri e përparim saqë mbajtja e tij në burgim nuk përligjet me asnjë arsye të drejtë të natyrës penologjike (shih paragrafin 115 të mësipërm).
138. Në këto kushte, Gjykata është e mendimit se masa me burgim të përjetshëm me të cilën mund të dënohet paditësi nuk mund të cilësohet si e zbritshme nga pikëpamja e nenit 3 të Konventës në kuptimin e vendimit Vinter me të tjerë. Duke e ekspozuar paditësin ndaj rrezikut për një trajtim në kundërshtim me këtë dispozitë, Qeveria e ka ngarkuar me përgjegjësi shtetin e paditur në bazë të Konventës.
139. Prandaj, Gjykata del në përfundimin se ekstradimi i paditësit drejt Shteteve të Bashkuara ka përbërë shkelje të nenit 3 të Konventës.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 34 TË KONVENTËS
140. Paditësi ankohet se ekstradimi i tij drejt Shteteve të Bashkuara është kryer në shkelje të masës së ndërmjetme të caktuar nga Gjykata në bazë të nenit 39 të Rregullores së saj dhe se ai ka përbërë kështu shkelje të së drejtës së tij për kërkesë individuale. Ai i referohet nenit 34 të Konventës, i cili shprehet kështu:
“Gjykatës mund t’i paraqiten kërkesa nga çdo person, organizëm joqeveritar ose grup individësh që pretendojnë se janë të dëmtuar nga një shkelje prej një Pale të Lartë Kontraktuese e të drejtave të njohura nga Konventa ose protokollet e saj. Palët e Larta Kontraktuese zotohen të mos pengojnë në asnjë mënyrë ushtrimin efektiv të kësaj të drejte.”
Neni 39 i Rregullores së Gjykatës parashikon si më poshtë:
“1. Me kërkesën e një pale ose të çdo personi tjetër të interesuar apo me nismën e vet, Dhoma ose, kur është e nevojshme, kryetari i seksionit apo një gjyqtar i shërbimit të përhershëm i caktuar në përputhje me paragrafin 4 të këtij neni munden që t’ju caktojnë palëve çdolloj mase të ndërmjetme që ata çmojnë se duhet të merret në interesin e palëve ose të mbarëvajtjes së procesit.
2. Nëse është rasti, Komiteti i Ministrave duhet të vihet menjëherë në dijeni në lidhje me masat e marra në një çështje.
3. Dhoma ose, kur është e nevojshme, kryetari i seksionit apo një gjyqtar i shërbimit të përhershëm i caktuar në përputhje me paragrafin 4 të këtij neni mund t’i ftojnë palët që t’u japin atyre të dhëna për çdo pikë lidhur me vënien në jetë të masave të ndërmjetme të caktuara.”
A. Tezat e palëve
141. Paditësi mbron mendimin se ekstradimi i tij pa e përfillur masën e ndërmjetme të caktuar nga Gjykata është vendosur jashtë çdolloj konsiderate juridike dhe ishte rezultati i një vendimi të qëllimshëm me natyrë politike që mbështetej në arsye të rreme. Qeveria nuk jep asnjë element që të vërtetojë të ashtuquajturën rrezikshmëri të paditësit; ky i fundit nuk është bërë madje objekt për asnjë hetim për pasojë të ndonjë tentative për arratisje apo aktesh propagande fetare; përkundrazi, mendimet e dhëna nga drejtorët e burgjeve ku ka qëndruar paditësi flasin të gjitha për një qëndrim të paqortueshëm. E vetmja arsye që e ka motivuar Qeverinë belge ishte vullneti politik për t’ua dorëzuar paditësin autoriteteve amerikane sa më parë që të qe e mundur dhe për të mos u ekspozuar ndaj ndonjë vendimi të Gjykatës që mund të konstatonte shkeljen e nenit 3 në rast ekstradimi. Ky vullnet ishte madje i qartë që prej shumë kohësh siç e dëshmojnë kërkesat e përsëritura për ta hequr masën e ndërmjetme, ndërkohë që ankimi i papërfunduar pranë Këshillit të Shtetit nuk e pezullonte vendimin e ekstradimit. Duke vepruar kështu, Qeveria e ka cenuar në mënyrë të pakthyeshme të drejtën për ankim individual të paditësit, i cili ndodhet kështu në pamundësi juridike, për shkak të largimit të tij, dhe materiale, për shkak të izolimit të tij në një burg pothuajse të shkëputur nga bota e jashtme, që ta ndjekë në mënyrë të dobishme ankimin e tij pranë Gjykatës.
142. Qeveria nënvizon në radhë të parë se, sipas jurisprudencës së Gjykatës dhe në veçanti vendimit Mamatkoulov e Askarov (të cituar më lart, § 108), qëllimi i një mase të ndërmjetme është që të lehtësojë ushtrimin e së drejtës për ankim individual të garantuar nga neni 34 i Konventës dhe që të ruhet kështu objekti i kërkesës atëherë kur Gjykata çmon se ka një rrezik që paditësi të pësojë një dëm të pandreqshëm. Mirëpo, në çështjen në fjalë, Gjykata qenka dashur që nga papranueshmëria e kërkesës (shih paragrafin 39 të mësipërm) të nxirrte se masa e ndërmjetme ishte pa përligjje reale.
143. Qeveria parashtron, në radhë të dytë, arsyet që e kanë shtyrë atë për ta ekstraduar paditësin më 3 tetor 2013. Ky ekstradim është vendosur pasi Këshilli i Shtetit kishte qenë i mendimit, me imtësi dhe duke e ditur jurisprudencën e Gjykatës, në një vendim të datës 23 shtator 2013, se ankesat e bëra nga paditësi për një shkelje të Konventës nuk ishin të bazuara. Si ministri ashtu edhe Këshilli i Shtetit ishin siguruar, në saje të garancive të dhëna prej autoriteteve amerikane, se paditësi nuk do të ekspozohej ndaj trajtimesh në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Kësaj i shtohet se paditësi përfaqësonte një kërcënim për rendin publik belg për arsye të propagandës së tij fetare brenda burgut, të kontakteve të tij me mjedisin ekstremist xhihadist si edhe të tentativave të tij për arratisje, dhe se sa më shumë të zgjatej mbajtja e tij në burg aq më shumë shtoheshin gjasat që juridiksionet hetimore të urdhëronin lirimin e tij. Mirëpo, Qeveria nuk ka dashur të rrezikonte që të mos ishte në gjendje për t’i respektuar zotimet e saj për t’ua dorëzuar paditësin Shteteve të Bashkuara për shkak të arratisjes apo të lirimit të tij.
B. Vlerësimi i Gjykatës
144. Gjykata ka rikujtuar kohët e fundit, në çështjen Savriddin Dzhurayev k. Rusisë, nr. 71386/10, §§ 211 deri 213, GjEDNj 2013 (pjesë të zgjedhura)), rëndësinë thelbësore dhe rolin jetik të masave të ndërmjetme në sistemin e Konventës. Ajo i referohet kësaj.
145. Duke e parë këtë çështje në dritën e këtyre parimeve, Gjykata rikujton se, më 6 dhjetor 2011, ajo e pranoi kërkesën e paditësit për të zbatuar nenin 39 të Rregullores së Gjykatës dhe i caktoi Qeverisë belge, në interesin e palëve dhe të mbarëvajtjes së procedurës pranë saj, që të mos e ekstradonte paditësin drejt Shteteve të Bashkuara. Ajo rikujton gjithashtu se ka refuzuar tri herë që t’u jepte përgjigje pozitive kërkesave të Qeverisë për ta hequr masën e ndërmjetme dhe ka saktësuar, disa herë – nga të cilat herën e fundit më 18 qershor 2013 –, se masa e sipërpërmendur ishte caktuar deri në përfundimin e procedurës pranë saj. Qeveria ishte pra plotësisht e vetëdijshme për rrezen e veprimit të kësaj mase.
146. Më 3 tetor 2013, Belgjika e ka ekstraduar megjithatë paditësin drejt Shteteve të Bashkuara (shih paragrafin 62 të mësipërm).
147. Qeveria lë të kuptohet se masa e ndërmjetme nuk ishte e përligjur për arsye të karakterit të ashtuquajtur të parakohshëm të kërkesës dhe se Gjykata qenka dashur ta rishikonte përligjjen e saj pas një shqyrtimi rreth pranueshmërisë së saj.
148. Gjykata rikujton se ajo i ka caktuar Qeverisë belge që ta shtyjë për më vonë ekstradimin ditën që u njoftua urdhëresa ministrore e cila e jepte ekstradimin e paditësit (shih paragrafin 39 të mësipërm). Ky i fundit e kishte në atë moment mundësinë për të paraqitur një kërkesë ankimore për shfuqizim të kësaj urdhërese në Këshillin e Shtetit; megjithatë, duke qenë se ky ankim nuk kishte efekt pezullimi të ekstradimit, ai nuk i paraqiste kërkesat e efektivitetit që kërkoheshin nga Gjykata në këndvështrimin e nenit 13 të Konventës (shih, mutatis mutandis, Čonka k. Belgjikës, nr. 51564/99, § 83, GjEDNj 2002‑I, Hirsi Jamaa me të tjerë k. Italisë [DhM], nr. 27765/09, § 200, GjEDNj 2012, dhe De Souza Ribeiro k. Francës [DhM], nr. 22689/07, § 82, GjEDNj 2012). Për këtë arsye, në përputhje me jurisprudencën, mosshterimi i këtij mjeti ligjor ankimi nuk kishte përse të llogaritej.
149. Qeveria e pranon se autoritetet belge kanë vepruar në kundërshtim me masën e ndërmjetme të caktuar nga Gjykata. Megjithatë, ajo çmon se ky qëndrim përligjej përderisa ishte verifikuar që paditësi nuk do t’u ekspozohej trajtimeve që bien ndesh me Konventën dhe se duhej shmangur me çdo çmim që ai të mos mundte t’u dorëzohej autoriteteve amerikane për arsye të ndonjë arratisjeje eventuale apo vendimi gjyqësor për lirim. Mirëpo, procedura pranë Gjykatës i komprometonte zotimet e Belgjikës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe zgjatja e saj e rriste rrezikun që paditësi t’u shpëtonte autoriteteve belge.
150. Gjykata vë re se shteti i paditur e ka ulur me dashje dhe në mënyrë të pakthyeshme nivelin e mbrojtjes së të drejtave të përmendura në nenin 3 të Konventës të cilat paditësi kërkonte t’i respektoheshin duke paraqitur kërkesëpadinë e tij pranë Gjykatës. Më së paku, ekstradimi i ka hequr çdolloj dobie një konstatimi eventual shkeljeje të Konventës, përderisa paditësi është larguar drejt një vendi i cili nuk është palë në këtë instrument, ku ai pretendonte se rrezikonte që t’u nënshtrohej trajtimeve në kundërshtim me këtë të fundit.
151. Gjykata çmon se asnjë nga argumentet e paraqitura nga Qeveria belge nuk mund ta përligjte mosrespektimin e masës së ndërmjetme. Sigurisht, Qeveria nuk ia ka fshehur kurrë Gjykatës se gjendej e zënë ngushtë në raport me autoritetet amerikane si edhe dëshirën e saj që të hiqej masa e ndërmjetme. Megjithatë, ajo nuk ka treguar në asnjë çast për ndonjë përçapje të çfarëdoshme nga ana e saj për t’ua shpjeguar situatën autoriteteve amerikane apo për të kërkuar ndonjë zgjidhje alternative në krahasim me mbajtjen e paditësit në burg, e cila do t’u kishte dhënë megjithatë mundësi autoriteteve belge që ta mbikëqyrnin atë. Përveç kësaj, duke e ditur se Gjykata i kishte shqyrtuar të gjitha elementet e paraqitura nga Qeveria për ta bindur atë që ta pushonte masën, përfshirë aty edhe siguritë diplomatike të dhëna nga autoritetet amerikane, por i kishte hedhur poshtë ato, nuk i takonte shtetit belg që, pas vendimit të dhënë nga Këshilli i Shtetit, ta zëvendësonte vlerësimin e Gjykatës lidhur me këto siguri dhe me themelësinë e kërkesëpadisë me atë të tijin, për të vendosur që ta kapërcente masën e ndërmjetme të caktuar prej Gjykatës.
152. Gjykata rikujton për me tepër se efektiviteti i ushtrimit të së drejtës për ankim nënkupton që ajo të mundë, përgjatë të gjithë procedurës së nisur pranë saj, ta shqyrtojë kërkesëpadinë sipas procedurës së saj të zakonshme.
153. Mirëpo, në çështjen në fjalë, paditësi mbahet i burgosur në një burg të Shteteve të Bashkuara, nën një regjim veçimi dhe, sipas konstatimeve të avokates së tij, është shumë i kufizuar në kontaktet e tij me botën e jashtme (shih paragrafët 64 deri 67 të mësipërm). Nuk duket që ai të ketë mundur të marrë kontakt drejtpërdrejt me përfaqësuesin e tij pranë Gjykatës. Këto elemente i mjaftojnë Gjykatës për të konstatuar se për paditësin, për arsye të veprimeve të Qeverisë, është bërë më e vështirë që ta ushtrojë të drejtën e tij për ankim dhe se, për këtë shkak, është penguar ushtrimi i të drejtave të garantuara nga neni 34 i Konventës (shih, mutatis mutandis, Chtoukatourov k. Rusisë, nr. 44009/05, § 147, 27 mars 2008, dhe Toumi k. Italisë, nr. 25716/09, § 76, 5 prill 2011).
154. Në dritën e elementeve në zotërim të saj, Gjykata del në përfundimin se, duke mos vepruar me dashje në përputhje me masën e ndërmjetme të caktuar në bazë të nenit 39 të Rregullores së saj, shteti i paditur nuk i ka respektuar detyrimet që i takonin atij në vështrim të nenit 34 të Konventës.
(...)
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
(...)
2. Thotë se ekstradimi i paditësit drejt Shteteve të Bashkuara e ka shkelur nenin 3 të Konventës;
3. Thotë se shteti i paditur nuk i ka përmbushur detyrimet e tij në bazë të nenit 34 të Konventës;
(...)
I hartuar në frëngjisht, pastaj i njoftuar me shkrim më 4 shtator 2014, në zbatim të nenit 77 §§ 2 e 3 të Rregullores.
Claudia WesterdiekMark Villiger
SekretareKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimit më vete të gjyqtares Yudkivska.
M.V.
C.W.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy