© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA VALLIANATOS ME TË TJERË k. GREQISË
(Kërkesëpaditë nr. 29381/09 dhe nr. 32684/09)
VENDIM
[Pjesë të zgjedhura]
Strasburg
7 nëntor 2013
Ky vendim është i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Vallianatos me të tjerë k. Greqisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Dhoma e Madhe), e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Peer Lorenzen,
Danutė Jočienė,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Ledi Bianku,
Angelika Nußberger,
Julia Laffranque,
Paulo Pinto de Albuquerque,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Erik Møse,
André Potocki,
Aleš Pejchal, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 16 janar e 11 shtator 2013,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhen dy kërkesëpadi (nr. 29381/09 dhe nr. 32684/09) të drejtuara kundër Republikës Helenike e të paraqitura pranë Gjykatës përkatësisht më 6 dhe 25 maj 2009 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”): e para (nr. 29381/09) nga dy shtetas grekë, Ztë Grigoris Vallianatos dhe Nikolaos Mylonas, të lindur përkatësisht më 1956 e 1958, dhe e dyta (nr. 32684/09) nga gjashtë shtetas grekë, C.S., E.D., K.T., M.P., A.H. dhe D.N., si edhe nga shoqata “Synthessi – Informim, Sensibilizim, Kërkim”, një person juridik me seli në Athinë (kërkesëpadia nr. 32684/09).
2. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 29381/09, paditësit janë përfaqësuar nga Monitori Grek i Helsinkit, një organizatë joqeveritare me seli në Glyka Nera (Athinë). Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 32684/09, paditësit janë përfaqësuar nga Ztë N. Alivizatos dhe E. Mallios, avokatë në Athinë. Qeveria greke (“Qeveria”) është përfaqësuar nga të deleguarit e agjentit të saj, Znja A. Grigoriou dhe Znja G. Papadaki, këshilltare në Këshillin Juridik të Shtetit, si edhe Z. D. Kalogiros, asistent ligjor në Këshillin Juridik të Shtetit.
3. Paditësit ankoheshin në veçanti në këndvështrimin e neneve 8 e 14, të bashkuar, se fakti që “marrëveshja e bashkëjetesës” i vendosur me Ligjin nr. 3719/2008 u kushtohej vetëm çifteve të përbëra nga persona në moshë madhore me gjini të kundërt e cenonte të drejtën e tyre për jetën private e familjare dhe bënte një diskriminim të papërligjur midis çifteve heteroseksuale dhe çifteve homoseksuale, në dëm të këtyre të fundit.
4. Kërkesëpaditë i janë caktuar Seksionit të Parë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores). Më 3 shkurt 2011, ky i fundit ka vendosur t’ia bëjë ato të njohura Qeverisë. Ashtu siç e lejon neni 29 § 1 i Konventës, ai ka vendosur përveç kësaj të shprehet njëkohësisht për pranueshmërinë dhe për themelin. Së fundi, kryetarja në detyrë e dhomës e ka pranuar kërkesën për anonimitet të formuluar nga gjashtë paditësit e parë në kërkesëpadinë nr. 32684/09 (neni 47 § 3 i Rregullores së Gjykatës).
5. Më 11 shtator 2012, dhoma, e përbërë nga Nina Vajić, Peer Lorenzen, Elisabeth Steiner, Mirjana Lazarova Trajkovska, Julia Laffranque, Linos-Alexandre Sicilianos dhe Erik Møse, si edhe nga Søren Nielsen, sekretar seksioni, është tërhequr nga çështja në favor të Dhomës së Madhe, meqenëse asnjëra nga palët, të pyetura për këtë qëllim, nuk e kishte kundërshtuar këtë gjë (neni 30 i Konventës dhe neni 72 i Rregullores). Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores.
6. Paditësit si edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje me shkrim rreth pranueshmërisë dhe themelit të kërkesëpadive (neni 59 § 1 i Rregullores). Përveç këtyre, vërejtje janë parashtruar edhe nga Qendra për Këshillim për të Drejtat e Individit në Evropë (AIRE Centre), nga Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve (ICJ), nga Federata Ndërkombëtare e Lidhjeve për të Drejtat e Njeriut (FIDH) dhe nga dega evropiane e International Lesbian, Gay, Trans and Intersex Association (ILGA-Europe), që kryetari i kishte autorizuar të ndërhynin në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 3 i Rregullores).
7. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 16 janar 2013 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për qeverinë e paditur
Znja A. Grigoriou, këshilltare pranë Këshillit Juridik
të Shtetit,
Z. D. Kalogiros, asistent ligjor pranë Këshillit Juridik
të Shtetit,
Znja M. Germani, asistente ligjore pranë Këshillit Juridik
të Shtetit, të deleguar të agjentit;
– për paditësit
Znja C. Mécary, avokate,
Z. N. Alivizatos, avokat,avokatë;
Z. P. Dimitras,
Z. E. Mallios, avokat,këshilltarë.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Znjës Germani si edhe të Znjës Mécary e të Z. Alivizatos.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
8. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 29381/09, paditësit jetojnë në çift në Athinë. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 32684/09, paditësja e parë dhe ajo e dytë, nga njëra anë, dhe paditësja e tretë dhe ajo e katërt, në anën tjetër, jetojnë në çift që prej shumë kohësh në Athinë. Paditësi i pestë dhe ai i gjashtë kanë një marrëdhënie por, për arsye profesionale e shoqërore, nuk bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Nga lëvizjet e llogarive të tyre bankare del se kuotat e sigurimeve shoqërore të paditësit të pestë i paguan paditësi i gjashtë. Paditësja e shtatë është një shoqatë jofitimprurëse e cila ka si qëllim, ndër të tjera, që t’u japë përkrahje psikologjike dhe morale personave homoseksualë.
9. Më 26 nëntor 2008 hyri në fuqi Ligji nr. 3719/2008, me titull “Reforma lidhur me familjen, fëmijët dhe shoqërinë”. Ai vendoste për herë të parë në Greqi një formë zyrtare partneriteti të ndryshme nga martesa, “marrëveshjen e bashkëjetesës” (σύμφωνο συμβίωσης). Sipas nenit të tij të parë, një marrëveshje e tillë mund të nënshkruhet vetëm nga dy persona në moshë madhore me gjini të kundërt.
10. Sipas raportit shpjegues të Ligjit nr. 3719/2008, marrëveshja e bashkëjetesës njeh një realitet shoqëror, konkretisht bashkëjetesën jashtë martese, duke u mundësuar kështu të interesuarve që ta vendosin marrëdhënien e tyre brenda një kornize juridike më të zhdërvjellët sesa ajo e institucionit të martesës. Raporti shton se numri i fëmijëve të lindur në Greqi nga çifte që bashkëjetojnë lirisht është shtuar me kalimin e viteve dhe përfaqësonte në atë kohë rreth 5% të numrit të përgjithshëm të fëmijëve të lindur brenda vendit. Ai vë gjithashtu në dukje se statusi i grave që gjenden pa asnjë përkrahje pas periudhash të gjata bashkëjetese dhe, më në përgjithësi, dukuria e familjeve me një prind të vetëm përbëjnë probleme madhore të cilat kërkojnë një ndërhyrje legjislative. Ai saktëson sidoqoftë se martesa fetare ruan një vlerë të pakrahasueshme dhe, bashkë me martesën civile, përbën zgjedhjen më të mirë për çiftet që dëshirojnë të krijojnë një familje duke i pasur të gjitha garancitë juridike, ekonomike dhe shoqërore. Raporti i referohet gjithashtu edhe nenit 8 të Konventës, i cili e mbron, në këndvështrimin e së drejtës për jetën private dhe familjare, bashkëjetesën jashtëmartesore, dhe vë në dukje se një numër i caktuar shtetesh evropiane e njohin juridikisht një formë partneriteti të regjistruar për çifte heteroseksuale ose homoseksuale. Pa shpjegime të mëtejshme, raporti shënon se marrëveshja shërben vetëm për të rriturit me gjini të kundërt. Ai përfundon duke thënë se “marrëveshja e bashkëjetesës” përbën një formë të re partneriteti dhe jo ndonjë lloj “martese të zhdërvjellët”. Sipas raportit, institucioni i martesës nuk dobësohet nga ligji i ri, meqenëse i përket një regjimi juridik të ndryshëm nga ai i “marrëveshjes së bashkëjetesës”.
11. Vënies në zbatim të Ligjit nr. 3719/2008 i parapriu një debat i gjallë. Kisha greke mori zyrtarisht qëndrim kundër tij. Në një komunikatë të botuar më 17 mars 2008 nga Sinodi i Shenjtë, ajo e cilësoi marrëveshjen e bashkëjetesës si “prostitucion”. Për sa i përket ministrit të Drejtësisë, ai deklaroi përpara komisionit parlamentar kompetent:
“(...) Ne kemi mendimin se nuk duhet të shkojmë më larg. Çiftet me gjini të njëjtë nuk duhet të përfshihen. Në fakt, ne jemi të bindur se kërkesat dhe nevojat e shoqërisë greke nuk e lypin që të shkohet përtej; si ligjvënëse, partia politike në pushtet është e detyruar t’i japë llogari popullit grek. Ai ka bindjet e tij dhe ka debatuar rreth këtij problemi; besoj se kjo është rruga që duhet ndjekur”.
12. Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut, në vërejtjet e tij për projektligjin të cilat mbajnë datën 14 korrik 2008, iu referua në veçanti nocionit të jetës familjare, duke shpjeguar se përmbajtja e tij nuk ishte statike por ndryshonte në varësi të zhvillimit të zakoneve (paragrafët 21-24 të mëposhtëm).
13. Më 4 nëntor 2008, Këshilli Shkencor (Επιστημονικό Συμβούλιο) i Parlamentit, një organ këshillimor në varësi të kryetarit të Parlamentit, hartoi një raport për projektligjin në fjalë. Ai vërente aty konkretisht, duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës, se mbrojtja e orientimit seksual hynte në fushën e zbatimit të nenit 14 të Konventës dhe se nocioni i “familjes” nuk përfshinte vetëm marrëdhëniet midis individëve në gjirin e institucionit të martesës, por mund të rrokte në mënyrë më të përgjithshme disa marrëdhënie të barasvlershme de facto me një jetë familjare dhe të vendosura jashtë lidhjeve të martesës (faqja 2 e raportit).
14. Gjatë debatit parlamentar të 11 nëntorit 2008 lidhur me marrëveshjen e bashkëjetesës, ministri i Drejtësisë u mjaftua të deklaronte se “shoqëria e sotme nuk [ishte] ende aq e pjekur për ta pranuar bashkëjetesën e çifteve të së njëjtës gjini”. Disa folës e vunë theksin te shkelja nga Greqia e detyrimeve të saj ndërkombëtare dhe, sidomos, të neneve 8 e 14 të Konventës, për faktin që nga ky mekanizëm përjashtoheshin çiftet homoseksuale.
15. Më 27 shtator 2010, Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut i drejtoi një letër ministrit të Drejtësisë, duke i përsëritur qëndrimin e vet lidhur me karakterin diskriminues të Ligjit nr. 3719/2008. Në këtë letër, Komisioni shprehte mendimin se do të ishte me vend që të hartohej një projektligj i cili ta shtrinte marrëveshjen e bashkëjetesës edhe te personat e së njëjtës gjini.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME DHE NDËRKOMBËTARE PËRKATËSE
(...)
LIGJI
(...)
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 14 TË BASHKUAR ME NENIN 8 TË KONVENTËS
36. Paditësit pretendojnë se fakti që “marrëveshja e bashkëjetesës” e vendosur me Ligjin nr. 3719/2008 u kushtohet vetëm çifteve të përbëra nga persona në moshë madhore me gjini të kundërt, e cenon të drejtën e tyre për jetën private e familjare dhe bën një diskriminim të papërligjur midis çifteve heteroseksuale dhe çifteve homoseksuale, në dëm të këtyre të fundit. Ata i referohen nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës, dispozita të formuluara kështu:
Neni 14
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të njohura në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si gjinia, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, prejardhja familjare ose çdo situatë tjetër.”
Neni 8
“1. Çdokush ka të drejtë që t’i respektohet jeta private e familjare [dhe] vendbanimi (...) [i] tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur, në një shoqëri demokratike, kjo masë është e domosdoshme për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mirëqenien ekonomike të vendit, për mbrojtjen e rendit ose për parandalimin e veprave penale, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
A. Rreth pranueshmërisë
(...)
B. Rreth themelit
1. Tezat e palëve
a) Paditësit
60. Paditësit i referohen vendimit Schalk e Kopf k. Austrisë (nr. 30141/04, GjEDNj 2010) ku gjykata ka pranuar se një çift i së njëjtës gjini i cili bashkëjeton de facto në mënyrë të qëndrueshme i takon nocionit të “jetës familjare”. Sipas tyre, ndonëse legjislacionet evropiane në këtë fushë nuk paraqesin një homogjenitet të plotë, ato priren megjithatë që t’i njohin juridikisht çiftet e së njëjtës gjini. Paditësit shënojnë se, me sa dinë ata, Greqia është i vetmi shtet evropian që ka rezervuar një status juridik të ndryshëm nga martesa vetëm për çiftet me gjini të kundërt. Me fjalë të tjera, Greqia qenka shteti i vetëm që ka miratuar një ligj për rregullimin e një forme partneriteti të regjistruar dhe që, në të njëjtën kohë e nëpërmjet të njëjtit ligj, i ka përjashtuar çiftet e së njëjtës gjini nga fusha e tij e zbatimit. Greqia u larguaka kështu në mënyrë të qartë e rrënjësore nga emëruesi i përbashkët i vendeve evropiane në këtë fushë. Paditësit mbrojnë mendimin se dëshira për të ruajtur lidhjet e familjes tradicionale heteroseksuale nuk përbën dot një arsye serioze që mund ta përligjë zbatimin e një trajtimi të diferencuar ndaj çifteve të së njëjtës gjini. Në fakt, në vend që të merrte masa pozitive që të synonin t’i ndreqin paragjykimet e shoqërisë greke ndaj homoseksualëve, shteti i paditur i paska përforcuar ato përmes Ligjit nr. 3719/2008 duke i mënjanuar çiftet e së njëjtës gjini. Sipas paditësve, ligji në fjalë ka një gjykim moral negativ për homoseksualitetin meqenëse pasqyron një rezervë, madje një armiqësi të papërligjshme ndaj çifteve të së njëjtës gjini: përderisa ligjvënësi ka vendosur ta braktisë martesën si e vetmja bazë formale e jetës familjare, përjashtimi i çifteve të së njëjtës gjini nga fusha e zbatimit të Ligjit nr. 3719/2008 qenka provë e një përbuzjeje të qartë ndaj tyre.
61. Së fundi, paditësit nuk mund ta pranojnë argumentin e Qeverisë sipas të cilit qëllimi i ligjvënësit ishte që të mbronte fëmijët e lindur nga bashkime të lira midis partnerësh heteroseksualë. Ata çmojnë se, me ligjin në fjalë, ligjvënësi synonte qartë të rregullonte jetën e çifteve që nuk dëshironin të martoheshin, pavarësisht nga fakti nëse kishin apo dëshironin të kishin fëmijë. Ata janë kështu të mendimit se përjashtimi i tyre nga fusha e zbatimit të ligjit objekt konflikti nuk gjen ndonjë përligjje objektive dhe të arsyeshme dhe se ai është për rrjedhojë diskriminues.
b) Qeveria
62. Qeveria shpjegon se, për sa u përket qëllimeve të drejta të ndjekura nga Ligji nr. 3719/2008, marrëveshja e bashkëjetesës duhet të shihet si një tërësi dispozitash që u japin mundësi prindërve për t’i rritur fëmijët e tyre biologjikë me një pjesëmarrje të barabartë të babait në ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, por pa qenë të detyruar që të martohen. Qeveria çmon se marrëveshja e bashkëjetesës i çliron në këtë kuptim çiftet nga detyrimi për të lidhur martesë pas një shtatzënësie nga frika se përndryshe nuk do të mund ta kenë marrëdhënien e dëshiruar me fëmijën e tyre, të konsideruar në këtë rast si të lindur jashtë martese. Kështu, sipas Qeverisë, përmes marrëveshjes së bashkëjetesës, ligjvënësi grek tregohet tradicionalist duke u frymëzuar njëkohësisht nga idetë moderne. Në fakt, ligjvënësi grek paska kërkuar që me Ligjin nr. 3719/2008 t’i përforcojë institucionet e martesës e të familjes në kuptimin tradicional të fjalës, përderisa tani e tutje vendimi për t’u martuar do t’u marrka pavarësisht nga perspektiva e pasjes së një fëmije, pra vetëm mbi bazën e vullnetit për angazhim të ndërsjellë të dy personave me gjini të kundërt, sipas një vendimi të marrë pa detyrime nga jashtë.
63. Qeveria mbron gjithashtu mendimin se Ligji nr. 3719/2008 synon të rregullojë një dukuri shoqërore ekzistuese, konkretisht atë të çifteve të përbëra nga persona me gjini të kundërt, të pamartuar dhe me fëmijë. Ligji grek paska dallim në këtë pikë nga legjislacione të tjera evropiane që e parashikojnë një “marrëveshje bashkëjetese”. Në fakt, ligjvënësi grek e paska parashtruar shprehimisht në raportin shpjegues të ligjit se ai dëshironte jo të rregullonte të gjitha trajtat e bashkimit të lirë, por të mbronte fëmijët që lindin nga bashkime të lira midis personash heteroseksualë si edhe prindërit e tyre që nuk duan të lidhen me martesë. Sipas Qeverisë, e gjithë struktura e ligjit dhe përmbajtja e tij janë të orientuara drejt këtij qëllimi. Për pasojë, futja e një marrëveshjeje bashkëjetese në favor të çifteve të së njëjtës gjini kërkon një kornizë legjislative më vete, e cila do të rregullonte një situatë të ngjashme, por jo të njëjtë me atë të një çifti të përbërë nga dy persona me gjini të kundërt.
64. Qeveria vë në dukje se, përpara Ligjit nr. 3719/2008, e drejta e brendshme e njihte në mënyrë të kufizuar bashkëjetesën jashtë martese të dy personave me gjini të kundërt. Në veçanti, “bashkimi i lirë” qenka një formë bashkëjetese e përmendur nga neni 1444 i Kodit Civil, sipas të cilit bashkëshorti i shkurorëzuar që martohet sërish si edhe ai që jeton në suazën e një bashkimi të lirë e humbin të drejtën për një pension ushqimor. Qeveria vëren se, përveç kësaj, bashkimi i lirë përmendet nga nenet 1456 dhe 1457 të Kodit Civil lidhur me shtatzëninë me ndihmë mjekësore. Kështu, neni 1456 parashikuaka që, në qoftë se shtatzënia me ndihmë mjekësore ka të bëjë me një grua beqare, pëlqimi i burrit me të cilin ajo jeton në bashkim të lirë duhet të jepet me akt noterial. Përveç kësaj, neni 1457 i Kodit Civil përcaktuaka kushtet në të cilat lejohet “fekondimi artificial pas vdekjes së bashkëshortit ose të burrit me të cilin gruaja jetonte në bashkim të lirë”.
65. Qeveria është e mendimit se shqyrtimi i përputhshmërisë së nenit të par të Ligjit nr. 3719/2008 me nenet 8 e 14 të Konventës dhe, në veçanti, kërkimi i përpjestueshmërisë së ndërhyrjes në fjalë duhet të marrin parasysh kontekstin e përgjithshëm të çështjes si edhe tërësinë e dispozitave të ligjit të lartpërmendur lidhur me marrëveshjen e bashkëjetesës. Në radhë të parë, Qeveria e fton Gjykatën të bëjë dallim midis paditësve që jetojnë së bashku dhe atyre që nuk bashkëjetojnë. Në rastin e të parëve, ankimet e tyre u dashka që të shqyrtohen në këndvështrimin e së drejtës për “jetën familjare”. Për sa u përket të tjerëve, qenka nocioni i “jetës private” ai që gjetka zbatim.
66. Pastaj, Qeveria bën një analizë të të drejtave dhe detyrimeve të marrëveshjes së bashkëjetesës, për të dalë pastaj në përfundimin se statusi pronësor ashtu si edhe ai personal i paditësve nuk është prekur aspak nga përjashtimi i tyre prej fushës së zbatimit të marrëveshjes së bashkëjetesës. Për sa u takon pikave që kanë të bëjnë me pronësinë, Qeveria përsërit argumentet e saj lidhur me pranueshmërinë ratione personae të këtij ankimi. Ajo vëren se marrëveshja e bashkëjetesës nuk prodhon asnjë pasojë të vetvetishme e detyruese mbi situatën pronësore të partnerëve. Për sa u përket pikave që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, çiftet e së njëjtës gjini u ndodhkan saktësisht në të njëjtën situatë si edhe çiftet me gjini të kundërt që vendosin të lidhin marrëveshjen. Sa për pensionin ushqimor si edhe për pikat që kanë të bëjnë me trashëgiminë, këto mund t’u rregulluakan në rrugë kontraktuale brendapërbrenda një çifti të së njëjtës gjini jashtë marrëveshjes së bashkëjetesës.
67. Lidhur me situatën personale të paditësve, Qeveria mbron mendimin se dallimi biologjik midis çifteve me gjini të kundërt dhe çifteve të së njëjtës gjini, si rrjedhim i të cilit të dytët nuk mund të lindin së bashku fëmijë, e përligj faktin që marrëveshja u kushtohet vetëm çifteve me gjini të kundërt. Qeveria u referohet në veçanti neneve 9 e 10 të Ligjit nr. 3719/2008, të cilët i japin mundësi të atit të një fëmije të lindur jashtë martese të vendosë atësinë e vet dhe të marrë pjesë në edukimin e tij pa pasur nevojë që të martohet me nënën. Kështu, martesa dhe njohja gjyqësore ose e vullnetshme e atësisë së një fëmije nuk do të përbëkan më mënyrat e vetme për përcaktimin e birërisë. Qeveria thekson se objekti i këtyre dispozitave përbën “bërthamën” e marrëveshjes së bashkëjetesës dhe, afërmendsh, nuk mund të ketë të bëjë përveç se me çiftet me gjini të kundërt. Mbi bazën e këtij argumenti, Qeveria mbron mendimin se kjo çështje nuk ka sesi ta shtyjë Gjykatën për të dalë në përfundimin se ka pasur një shkelje të neneve 14 e 8 të Konventës. Në fakt, sipas saj, çiftet e së njëjtës gjini nuk ndodhen në një situatë të njëjtë apo të ngjashme me atë të çifteve me gjini të kundërt, përderisa të parët në asnjë rast nuk mund të lindkan së bashku fëmijë biologjikë.
68. Qeveria shton se, siç parashtrohet në Ligjin nr. 3719/2008, marrëveshja e bashkëjetesës ka dallim nga ligjet e ngjashme të miratuara prej shtetesh të tjera anëtare të Këshillit të Evropës. Ajo saktëson në fakt se, sado që këto tekste prodhojnë efekte financiare ndërmjet kontraktuesve, vetëm ligji grek është ai që vendos një prezumim atësie për sa u përket fëmijëve të lindur në suazën e një marrëveshje bashkëjetese. Qeveria nxjerr kështu konkluzionin se Ligji nr. 3719/2008 përqendrohet më shumë te marrëdhëniet personale të partnerëve sesa te rregullimi i aspekteve pronësore të marrëdhënies së tyre.
c) Palët e treta
69. Palët e treta, AIRE Centre, ICJ, FIDH dhe ILGA-Europe (paragrafi 6 i mësipërm), i referohen jurisprudencës së Gjykatës, veçanërisht vendimit Karner k. Austrisë (nr. 40016/98, GjEDNj 2003‑IX) dhe asaj të juridiksioneve kushtetuese kombëtare, ndër të tjera, të Gjykatës Kushtetuese hungareze, të Gjykatës së Lartë të Kanadasë, të Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Gjykatës Kushtetuese braziliane. Ato mbrojnë mendimin se, sipas këtyre juridiksioneve, kur një diskriminim arsyetohet me gjininë ose me orientimin seksual, atëherë përligjja që kërkohet duhet të jetë e fuqishme. Ato vënë në dukje se një numër në rritje juridiksionesh kombëtare, si evropiane ashtu edhe ndërkombëtare, kërkojnë që çiftet e pamartuara heteroseksuale ose homoseksuale të trajtohen në mënyrë të njëjtë. Ato shtojnë se sot një numër i madh shtetesh anëtare të Këshillit të Evropës e parashikojnë njohjen në rrugë legjislative të marrëdhënieve midis personash të së njëjtës gjini. Ato vënë në dukje gjithashtu se, me sa dinë, rasti i Greqisë është unik, përderisa është fjala për të vetmin shtet evropian që ka futur një “marrëveshje bashkëjetese” duke përjashtuar njëkohësisht nga fusha e zbatimit të tij çiftet e së njëjtës gjini. Dhe me të vërtetë, palët e treta vënë në dukje se në legjislacionet përkatëse të shteteve kontraktuese ndiqen dy modele partneriteti civil të regjistruar për çiftet e së njëjtës gjini: ose “modeli danez”, i futur më 1989, sipas të cilit kjo formë bashkëjetese e regjistruar njihet vetëm për çiftet e së njëjtës gjini, për shkak se çiftet me gjini të kundërt e kanë tashmë mundësinë për t’u martuar, b) ose “modeli francez”, sipas të cilit e drejta për të krijuar një partneritet civil i njihet çdo çifti të pamartuar, homoseksual ose heteroseksual.
2. Vlerësimi i Gjykatës
a) Rreth zbatueshmërisë së nenit 14 të bashkuar me nenin 8
70. Gjykatës i është dashur të shqyrtojë shumë çështje ku pretendohej për diskriminim të bazuar në orientimin seksual në fushën e jetës private dhe familjare. Ajo i ka shqyrtuar disa prej tyre në fushën e nenit 8 të marrë veçmas. Këto çështje kishin të bënin me represionin penal të marrëdhënieve homoseksuale midis të rriturish (Dudgeon k. Mbretërisë së Bashkuar, 22 tetor 1981, seria A nr. 45; Norris k. Irlandës, 26 tetor 1988, seria A nr. 142, dhe Modinos k. Qipros, 22 prill 1993, seria A nr. 259) ose me heqje homoseksualësh nga forcat e armatosura (Smith e Grady k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 33985/96 dhe nr. 33986/96, GjEDNj 1999‑VI). Disa të tjera prej tyre ajo i ka parë në këndvështrimin e nenit 14 të bashkuar me nenin 8. Këto të fundit kishin të bënin me caktimin, në fushën penale, të një moshe të ndryshme dhënieje pëlqimi për marrëdhëniet homoseksuale, në njërën anë, dhe për marrëdhëniet heteroseksuale, në anën tjetër (L. e V. k. Austrisë, nr. 39392/98 dhe nr. 39829/98, GjEDNj 2003‑I), me dhënien e përgjegjësisë prindërore (Salgueiro da Silva Mouta k. Portugalisë, nr. 33290/96, GjEDNj 1999‑IX), me miratimin e kandidatëve për birësimin e një fëmije (Fretté k. Francës, nr. 36515/97, GjEDNj 2002‑I; E.B. k. Francës [DhM], nr. 43546/02, 22 janar 2008, dhe Gas e Dubois k. Francës, nr. 25951/07, 15 mars 2012), me të drejtën e partnerit të mbetur gjallë për kalimin e të drejtave të kontratës së qirasë të nënshkruar nga i vdekuri (Karner, i cituar më lart, dhe Kozak k. Polonisë, nr. 13102/02, 2 mars 2010 ), me të drejtën për mbulim me sigurime shoqërore (P.B. e J.S. k. Austrisë, nr. 18984/02, 22 korrik 2010), me qasjen e çifteve homoseksuale në martesë ose në një formë tjetër njohjeje juridike (Schalk e Kopf, i cituar më lart), si edhe me pamundësinë e qasjes në birësimin bashkëprindëror për çiftet e së njëjtës gjini (X me të tjerë k. Austrisë [DhM], nr. 19010/07, 19 shkurt 2013).
71. Në çështjen në fjalë, paditësit e kanë formuluar ankimin e tyre në këndvështrimin e nenit 14 të bashkuar me nenin 8 dhe Qeveria nuk e kundërshton zbatueshmërinë e këtyre dispozitave. Gjykata gjykon se është e udhës të vazhdohet kjo qasje (shih, në këtë drejtim, Schalk e Kopf, i cituar më lart, § 88).
72. Gjykata rikujton nga ana tjetër se ajo e ka përsëritur shumë herë që neni 14 nuk vepron në mënyrë autonome: ai zbatohet vetëm në marrëdhënie me klauzola të tjera normative të Konventës dhe të Protokolleve, të cilat i plotëson. Ai nuk ka ekzistencë të pavarur, përderisa vlen vetëm për “gëzimin e të drejtave dhe të lirive” të garantuara nga këto klauzola. Sigurisht, ai mund të hyjë në veprim edhe pa një mospërmbushje të kërkesave të tyre dhe, në këto raste, ka një rreze veprimi autonome, mirëpo ai nuk do të gjente vend për t’u zbatuar në qoftë se faktet e mosmarrëveshjes nuk i përkasin fushës të së paku njërës nga klauzolat normative të lartpërmendura (shih, ndër vendime të tjera, Petrovic k. Austrisë, 27 mars 1998, § 22, Recueil 1998‑II; E.B. k. Francës, i cituar më lart, § 47; Schalk e Kopf, i cituar më lart, § 89, dhe X me të tjerë, i cituar më lart, § 94).
73. Duke parë elementet e dosjes, Gjykata vë re se paditësit formojnë çifte të qëndrueshme homoseksuale. Përveç kësaj, nuk kundërshtohet që marrëdhënia që ata kanë i përket nocionit të “jetës private” në kuptimin e nenit 8 të Konventës. Për më tepër, Gjykata rikujton se, në vendimin e saj Schalk e Kopf, ajo ka qenë e mendimit që, duke pasur parasysh ecurinë e shpejtë në shumë shtete anëtare për sa i takon njohjes juridike të çifteve të së njëjtës gjini, “[do të ishte] diçka artificiale që të vazhdohej të mendohet se, krejt ndryshe nga një çift heteroseksual, një çift homoseksual nuk ka sesi të ketë një “jetë private” në kuptimin e nenit 8” (vendim i cituar më lart, § 94). Për këtë arsye, Gjykata çmon se marrëdhënia që kanë paditësit në çështjen në fjalë i përket nocionit të “jetës private” si edhe atij të “jetës familjare”, njëlloj si ajo e një çifti me gjini të kundërt që ndodhet në të njëjtën situatë. Ajo nuk gjen asnjë element që të mundësojë të bëhet dallim, siç e kërkon Qeveria (paragrafi 65 in fine), ndërmjet paditësve që jetojnë së bashku dhe atyre që – për arsye profesionale dhe shoqërore – nuk bashkëjetojnë (paragrafi 8), sepse në çështjen në fjalë mungesa e bashkëjetesës nuk ua heq çifteve të interesuara atë qëndrueshmëri në saje të së cilës ato i përkasin jetës familjare në kuptimin e nenit 8.
74. Si përfundim, Gjykata del në konkluzionin se neni 14 i Konventës i bashkuar me nenin 8 gjen vend për t’u zbatuar në çështjen në fjalë.
b) Rreth respektimit të nenit 14 të bashkuar me nenin 8
i. Rreth objektit të çështjes
75. Gjykata e çmon me rëndësi përcaktimin e objektit të kësaj çështjeje. Ankimi i paditësve nuk ka të bëjë in abstracto me detyrimin e përgjithshëm të shtetit grek për të parashikuar në të drejtën e brendshme një trajtë njohjeje juridike të marrëdhënieve midis personash homoseksualë. Në çështjen në fjalë, paditësit ankohen që Ligji nr. 3719/2008 e parashikon “marrëveshjen e bashkëjetesës” vetëm për çiftet me gjini të kundërt, duke i mënjanuar kështu de plano çiftet e së njëjtës gjini nga fusha e vet e zbatimit. Me fjalë të tjera, paditësit e qortojnë shtetin grek jo se ka dështuar që t’i përgjigjet një detyrimi pozitiv që i qenka ngarkuar atij nga Konventa, por se ka vendosur me Ligjin nr. 3719/2008 një dallim që ata e çmojnë si diskriminues ndaj tyre. Prandaj, pyetja e cila shtrohet është se a mundte shteti grek në çështjen në fjalë, në vështrim të neneve 14 dhe 8 të Konventës, të nxirrte një ligj që krijonte krahas institucionit të martesës një sistem të ri partneriteti të regjistruar kushtuar çifteve të pamartuara, duke e kufizuar këtë mundësi vetëm te çiftet me gjini të kundërt, me përjashtim të atyre të së njëjtës gjini.
ii. Parime që dalin nga jurisprudenca e Gjykatës
76. Sipas jurisprudencës së vazhdueshme të Gjykatës, që të shtrohet një pyetje në vështrim të nenit 14, duhet të ketë një dallim në trajtimin e personave të vendosur në situata të krahasueshme. Një dallim i tillë është diskriminues në qoftë se nuk mbështetet në një përligjje objektive dhe të arsyeshme, domethënë nëse nuk ndjek një qëllim të drejtë a nëse nuk ka një raport të arsyeshëm përpjesëtueshmërie ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit të ndjekur. Shtetet kontraktuese gëzojnë njëfarë hapësire vlerësimi për të përcaktuar nëse dallimet në trajtim përligjen dhe në çfarë mase përligjen me ndryshimet që ka midis situatash të cilat janë analoge në pikëpamje të tjera (Burden k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 13378/05, § 60, GjEDNj 2008; Schalk e Kopf, i cituar më lart, § 96, dhe X me të tjerë, i cituar më lart, § 98). Nocioni i diskriminimit në kuptimin e nenit 14 përfshin gjithashtu edhe rastet kur një individ ose një grup e sheh veten, pa përligjje të përshtatshme, të trajtuar jo aq mirë sa një tjetër, megjithëse Konventa nuk e kërkon atë trajtim më të favorshëm (Abdulaziz, Cabales e Balkandali k. Mbretërisë së Bashkuar, 28 maj 1985, § 82, seria A nr. 94).
77. Orientimi seksual i përket fushës së zbatimit të nenit 14. Gjykata ka deklaruar shumë herë se, ashtu si dallimet e bazuara te gjinia, ato të bazuara te orientimi seksual duhet të përligjen me “arsye veçanërisht të fuqishme dhe bindëse” (shih, për shembull, Smith e Grady, § 90; Karner, §§ 37 e 42; L. e V. k. Austrisë, § 45, dhe X m të tjerë, § 99, të cituara më lart). Kur është fjala për dallime në trajtim mbi baza gjinie a orientimi seksual, hapësira për vlerësim e shtetit është e ngushtë (Karner, § 41, dhe Kozak, § 92, të cituara më lart). Dallimet e motivuara vetëm me konsiderata lidhur me orientimin seksual janë të papranueshme në vështrim të Konventës (Salgueiro da Silva Mouta, § 36; E.B., §§ 93 e 96, dhe X me të tjerë, § 99, të cituara më lart).
iii. Zbatimi i parimeve të lartpërmendura në çështjen në fjalë
α) Krahasimi i situatës së paditësve me atë të një çifti heteroseksual dhe ekzistenca e një dallimi në trajtim
78. Pyetja e parë që i shtrohet Gjykatës është ajo nëse situata e paditësve është e krahasueshme me atë të në çifti heteroseksual që dëshiron të lidhë një “marrëveshje bashkëjetese” në bazë të Ligjit nr. 3719/2008. Gjykata rikujton se çiftet homoseksuale janë, ashtu si çiftet heteroseksuale, të afta për t’u angazhuar në marrëdhënie të qëndrueshme (Schalk e Kopf, i cituar më lart, § 99). Ajo është pra e mendimit se paditësit ndodhen në një situatë të krahasueshme me atë të personave heteroseksualë për sa i përket nevojës së tyre për njohje juridike dhe për mbrojtje të marrëdhënies së tyre si çift (Schalk e Kopf, vend i cit.).
79. Për më tepër, Gjykata vë në dukje se neni i parë i Ligjit nr. 3719/2008 e rezervon shprehimisht mundësinë për ta lidhur “marrëveshjen e bashkëjetesës” vetëm te personat fizikë me gjini të kundërt. Për pasojë, duke i përjashtuar në mënyrë të heshtur personat fizikë të së njëjtës gjini nga fusha e vet e zbatimit, ligji në fjalë vendos një dallim në trajtim të bazuar te orientimi seksual i të interesuarve.
β) Qëllimi i drejtë dhe përpjesëtueshmëria
80. Gjykata vë re se Qeveria mbështetet kryesisht në dy vargje argumentesh të cilat e përligjkan zgjedhjen e ligjvënësit për të mos i përfshirë çiftet e së njëjtës gjini në fushën e zbatimit të Ligjit nr. 3719/2008. Në radhë të parë, ajo mbron mendimin që, në rast se marrëveshja e bashkëjetesës, e vendosur me këtë ligj, do të zbatohej për paditësit, ajo sillka për ta, për sa i takon statusit të tyre pronësor, marrëdhënieve të tyre financiare në gjirin e çiftit që formojnë dhe të drejtave të tyre trashëgimore, disa të drejta e detyrime të cilave ata mund t’u japin tashmë një kornizë juridike përmes zbatimit të së drejtës së zakonshme, domethënë në rrugë kontraktuale. Së dyti, ligji në fjalë synuaka të arrijë disa qëllime: mbrojtjen e fëmijëve të lindur jashtë martese, mbrojtjen e familjeve me një prind të vetëm – siç e saktëson raporti shpjegues i ligjit –, plotësimin e dëshirës së prindërve për t’i rritur fëmijët e tyre pa qenë të detyruar që të martohen dhe, në fund të fundit, forcimin e institucioneve të martesës e të familjes në kuptimin tradicional të fjalës.
81. Lidhur me argumentin e parë të paraqitur nga Qeveria, Gjykata çmon se, edhe sikur të mendohet se është i vlefshëm, ai nuk e merr parasysh faktin që partneriteti civil i parashikuar nga Ligji nr. 3719/2008, si formë bashkëjetese e njohur zyrtarisht dhe e ndryshme nga martesa, ka në vetvete një vlerë për paditësit, pavarësisht nga efektet juridike, të gjera apo të ngushta, që ai mund të prodhojë. Siç e ka vërejtur tashmë Gjykata, çiftet homoseksuale janë të afta, ashtu si çiftet heteroseksuale, për t’u angazhuar në marrëdhënie të qëndrueshme. Në të vërtetë, bashkëjetesa e çifteve të së njëjtës gjini nënkupton po ato nevoja për mbështetje e ndihmë të ndërsjellë si edhe për çiftet me gjini të kundërt. Prandaj, mundësia për të lidhur një marrëveshje bashkëjetese do t’u jepte të parëve të vetmin rast në të drejtën greke për ta zyrtarizuar marrëdhënien e tyre duke i veshur asaj një formë juridike të njohur nga shteti. Gjykata thekson se shtrirja e marrëveshjes së bashkëjetesës te çiftet e së njëjtës gjini do t’u jepte atyre mundësi për t’i rregulluar çështjet e pronësisë, të pensionit ushqimor e të trashëgimisë jo si individë të thjeshtë që lidhin mes tyre një kontratë të së drejtës së zakonshme, por duke përfituar prej regjimit juridik të marrëveshjes së bashkëjetesës, pra prej një njohjeje zyrtare të marrëdhënies së tyre nga shteti.
82. Natyrisht, dhe kjo përbën argumentin e dytë kryesor të Qeverisë, Ligji nr. 3719/2008 mund të synojë që ta përforcojë statusin juridik të fëmijëve të lindur jashtë martese dhe ta bëjë më të lehtë zgjedhjen e prindërve për t’i rritur fëmijët e tyre pa qenë të detyruar të martohen. Ky element mund t’i dallojë çiftet me gjini të kundërt nga ato të së njëjtës gjini, për faktin se, nga pikëpamja biologjike, të dytët nuk mund të lindin fëmijë së bashku.
83. Gjykata është e mendimit se, në vështrim të nenit 8 të Konventës, është e drejtë që ligjvënësi të marrë masa për ta përfshirë brenda një kuadri ligjor situatën e fëmijëve të lindur jashtë martese e për ta përforcuar gjithashtu në mënyrë të tërthortë institucionin e martesës në gjirin e shoqërisë greke, duke e çuar përpara, siç e shpjegon Qeveria, idenë që vendimi për t’u martuar mund të merret vetëm mbi bazën e vullnetit për zotim të ndërsjellë të dy personave, pavarësisht nga detyrimet e jashtme apo nga perspektiva e bërjes me një fëmijë (paragrafi 62 i mësipërm). Gjykata e pranon se kujdesi për të mbrojtur familjen në kuptimin tradicional të fjalës përbën në parim një arsye të rëndësishme dhe të drejtë, të aftë për ta përligjur një dallim në trajtim (Karner, § 40, dhe Kozak, § 98, të cituara më lart). Vetëkuptohet që mbrojtja e interesit të fëmijës është gjithashtu një qëllim i drejtë (X me të tjerë, i cituar më lart, § 138). Mbetet për t’u parë nëse në çështjen në fjalë është respektuar parimi i përpjesëtueshmërisë.
84. Gjykata rikujton parimet që dalin nga jurisprudenca e saj. Qëllimi për të mbrojtur familjen në kuptimin tradicional të fjalës është mjaft abstrakt dhe, për ta realizuar atë, mund të përdoren një larmi e madhe masash konkrete (Karner, § 41, dhe Kozak, § 98, të cituara më lart). Përveç kësaj, duke qenë se Konventa është një instrument i gjallë i cili duhet të interpretohet në dritën e kushteve aktuale (shih, ndër të tjera, Tyrer k. Mbretërisë së Bashkuar, 25 prill 1978, § 31, seria A nr. 26, dhe Christine Goodwin k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 28957/95, § 75, GjEDNj 2002‑VI), shteti duhet t’i zgjedhë masat që duhet të merren në bazë të nenit 8 për ta mbrojtur familjen dhe për të garantuar respektimin e jetës familjare duke marrë parasysh evoluimin e shoqërisë si edhe ndryshimet që shfaqen në mënyrën e perceptimit të çështjeve që kanë të bëjnë me shoqërinë, me gjendjen civile dhe me natyrën e marrëdhënieve, sidomos idenë sipas së cilës nuk ka vetëm një rrugë apo zgjedhje të mundshme për sa i përket mënyrës për të bërë një jetë private dhe familjare (X me të tjerë, i cituar më lart, § 139).
85. Kur hapësira për vlerësim që u lihet shteteve është e ngushtë, për shembull në rastin e një dallimi në trajtim mbi bazë gjinie a orientimi seksual, parimi i përpjesëtueshmërisë jo vetëm që kërkon që masa e zgjedhur të ketë normalisht një natyrë të tillë që ta mundësojë realizimin e qëllimit të synuar, por cakton gjithashtu edhe një detyrim për të vërtetuar se, që të arrihej ky qëllim, ishte e nevojshme që disa persona – në çështjen në fjalë, individët që jetonin një marrëdhënie homoseksuale – të përjashtoheshin nga fusha e zbatimit të masës për të cilën është fjala (Karner, § 41, dhe Kozak, § 99, të cituara më lart). Sipas jurisprudencës së cituar më lart, barra e kësaj prove i bie qeverisë së paditur. Në çështjen në fjalë i takon pra qeverisë greke që të vërtetojë se ndjekja e qëllimeve të drejta që u përmendën dikton nevojën që çifteve homoseksuale t’u ndalohet mundësia për të nënshkruar një “marrëveshje bashkëjetese” të parashikuar nga Ligji nr. 3719/2008 (shih, në këtë drejtim, X me të tjerë, i cituar më lart, § 141).
86. Gjykata vë në dukje se ligji në fjalë nuk kufizohet vetëm me parashikimin e masave që synojnë rregullimin e realiteteve shoqërore dhe arritjen e objektivave të përmendura nga Qeveria (paragrafi 80 i mësipërm). Ai synon kryesisht njohjen juridike të një forme partneriteti të ndryshme nga martesa, “marrëveshjen e bashkëjetesës”. Kjo del e qartë nga përmbajtja dhe nga struktura e këtij ligji. Në fakt, neni i tij i parë e përkufizon marrëveshjen e bashkëjetesës si “kontrata ndërmjet dy personave fizikë në moshë madhore e me gjini të kundërt, me anë të së cilës ata organizojnë bashkëjetesën e tyre”. Përveç kësaj, nenet vijuese nuk kufizohen vetëm me rregullimin e statusit të fëmijëve të lindur jashtë martese, por kanë të bëjnë me modalitetet e jetës së çiftit që ka lidhur “marrëveshjen e bashkëjetesës”. Kështu, nenet 6 dhe 7 u referohen marrëdhënieve financiare të kontraktuesve dhe detyrimit ushqimor pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje. Nga ana e tij, neni 11 parashikon se, në rast vdekjeje të njërit nga bashkëshortët, ai që mbetet gjallë gëzon të drejtën e trashëgimisë (...).
87. Gjykata vë re në këtë drejtim që, në raportin e tij rreth projektit të këtij ligji, Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut ka vënë në dukje se nuk ishte bërë e qartë se për çfarë arsyeje specifike projektligji ishte titulluar “Reforma lidhur me familjen, fëmijët dhe shoqërinë”, ndërkohë që ai parashikonte një formë të re bashkëjetese (...). Duke pasur parasysh çka paraprin më lart, Gjykata çmon se, pavarësisht nga titulli i Ligjit nr. 3719/2008 dhe qëllimit të shpallur të ligjvënësit, synimi i tij kryesor ishte njohja juridike e një forme të re bashkëjetese të ndryshme nga martesa.
88. Sidoqoftë, edhe sikur qëllimi i ligjvënësit të ketë qenë që të përforcohej mbrojtja juridike e fëmijëve të lindur jashtë martese dhe, tërthorazi, e institucionit të martesës, ajo çka mbetet është se me Ligjin nr. 3719/2008 ai ka vendosur për herë të parë një formë partneriteti civil, konkretisht “marrëveshjen e bashkëjetesës”, e cila i përjashton çiftet e së njëjtës gjini, ndërkohë që çifteve heteroseksuale, qofshin këta me fëmijë ose jo, u jep mundësi që të rregullojnë aspekte të shumta të marrëdhënieve të tyre.
89. Rreth kësaj pike, Gjykata vëren në radhë të parë se argumentimi i Qeverisë përqendrohet te situata e çifteve me gjini të kundërt të cilat janë me fëmijë, por pa e përligjur dallimin në trajtim të bërë nga ligji në fjalë midis çifteve homoseksuale dhe çifteve heteroseksuale që nuk janë prindër. Në radhë të dytë, Gjykata nuk bindet prej argumentit të paraqitur nga Qeveria se realizimi i objektivave të përmendura prej saj përmes Ligjit nr. 3719/2008 e presupozon përjashtimin e çifteve të së njëjtës gjini nga fusha e vet e zbatimit. Në të vërtetë, për ligjvënësin nuk do të kishte qenë e pamundur që t’i parashikonte disa dispozita specifike lidhur me fëmijët e lindur jashtë martese duke e shtrirë njëkohësisht mundësinë e përgjithshme për të lidhur një “marrëveshje bashkëjetese” edhe te çiftet e së njëjtës gjini. Gjykata rikujton lidhur me këtë se raporti shpjegues i ligjit në fjalë nuk ofron asnjë sqarim rreth zgjedhjes që ka bërë ligjvënësi për t’ua rezervuar përfitimin nga “marrëveshja e bashkëjetesës” vetëm çifteve me gjini të kundërt (paragrafi 10 i mësipërm). Gjykata shënon madje se Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut ka çmuar që projektligji ishte diskriminues, meqenëse nuk zbatohej për çiftet homoseksuale (...) dhe se Këshilli Shkencor i Parlamentit është shprehur në të njëjtin drejtim (paragrafi 13 i mësipërm).
90. Së fundi, Gjykata vëren se, në të drejtën greke, siç e vë në dukje edhe vetë Qeveria (paragrafi 64 i mësipërm), çiftet heteroseksuale – ndryshe nga çiftet e së njëjtës gjini – e përfitonin edhe përpara futjes së Ligjit nr. 3719/2008 njëfarë njohjeje të marrëdhënies së tyre, qoftë në mënyrë të plotë e të gjithanshme përmes institucionit të martesës, qoftë në mënyrë më të kufizuar sipas dispozitave të Kodit Civil që kanë të bëjnë me bashkimin e lirë. Për pasojë, çiftet e së njëjtës gjini do të ishin veçanërisht të interesuara që të pranoheshin për të përfituar nga “marrëveshja e bashkëjetesës”, sepse kjo e fundit do t’u ofronte atyre, në dallim nga çiftet me gjini të kundërt, bazën e vetme juridike në të drejtën greke për t’i dhënë marrëdhënies së tyre një formë të njohur nga ligji.
91. Si përfundim, dhe për ta plotësuar, Gjykata e çmon me dobi që të rikujtojë se, megjithëse nuk ka ndonjë qëndrim të përbashkët në gjirin e rendeve juridike të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, sot po përvijohet një prirje për sa i përket krijimit të formave për njohje juridike të marrëdhënieve midis personash të së njëjtës gjini. Dhe me të vërtetë, nëntë shtete anëtare e kanë vendosur martesën midis personash të një njëjtës gjini. Përveç tyre, shtatëmbëdhjetë shtete anëtare lejojnë forma partneriteti civil për çiftet e së njëjtës gjini. Për sa i përket pikës specifike që ngrihet nga kjo çështje (paragrafi 75 i mësipërm), Gjykata është e mendimit se prirja që përvijohet në gjirin e rendeve juridike të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës është e qartë: ndërmjet nëntëmbëdhjetë shteteve që lejojnë forma partneritetesh të regjistruara përveç martesës, Lituania dhe Greqia janë të vetmet që i rezervojnë ato vetëm për çiftet me gjini të kundërt (...). Me fjalë të tjera, përveç dy përjashtimesh, kur një shtet anëtar i Këshillit të Evropës vendos të nxjerrë një ligj që krijon një sistem të ri partneriteti të regjistruar i cili u ofron çifteve të pamartuara një alternativë në krahasim me martesën, aty përfshihen edhe çiftet e së njëjtës gjini. Kjo prirje pasqyrohet madje edhe në dokumentet përkatëse të Këshillit të Evropës. Lidhur me këtë, Gjykata i referohet në veçanti Rezolutës 1728(2010) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Rekomandimit të Komitetit të Ministrave CM/Rec(2010)5 (...).
92. Fakti që, pas një evolucioni shkallë pas shkalle, një vend zë një pozicion të veçantë lidhur me një aspekt të legjislacionit të tij, nuk do të thotë medoemos se një aspekt i tillë bie ndesh me Konventën (F. k. Zvicrës, 18 dhjetor 1987, § 33, seria A nr. 128). Megjithatë, duke pasur parasysh çka paraprin më sipër, Gjykata ka mendimin se Qeveria nuk ka nxjerrë arsye të forta e bindëse që mund ta përligjin përjashtimin e çifteve të së njëjtës gjini nga fusha e zbatimit të Ligjit nr. 3719/2008. Për këtë arsye, ajo del në përfundimin se në çështjen në fjalë ka pasur një shkelje të nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës.
(...)
IV. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
95. Neni 41 i Konventës përcakton si vijon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
A. Dëmi
96. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 29381/09, paditësit kërkojnë së bashku 10 000 euro (EUR) për dëmin moral që paskan pësuar për arsye të shkeljes së nenit14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës dhe të mungesës së mundësisë për ankim efektiv për këtë qëllim. Përveç kësaj, ata e ftojnë Gjykatën që t’i bëjë Qeverisë rekomandime të sakta për ta ndryshuar Ligjin nr. 3719/2008 dhe për ta shtrirë zbatimin e “marrëveshjes së bashkëjetesës” edhe te çiftet e së njëjtës gjini.
97. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 32684/09, paditësit kërkojnë 15 000 EUR për çdo çift për dëmin moral që paskan pësuar, ose 45 000 EUR gjithsej. Ata pretendojnë se janë bërë objekt i një diskriminimi të papranueshëm për arsye të parapëlqimeve të tyre seksuale dhe se kanë ndjerë një zhgënjim të madh për shkak të përjashtimit të tyre nga fusha e zbatimit të Ligjit nr. 3719/2008.
98. Qeveria pohon se shumat e kërkuara nga paditësit janë të tepruara dhe se këta të fundit nuk e kanë provuar që të kenë pësuar personalisht e drejtpërdrejt ndonjë cenim të jetës së tyre private dhe familjare. Ajo çmon se konstatimi i shkeljes përbëka në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm.
99. Në kundërshtim me Qeverinë, Gjykata çmon se konstatimi i shkeljes së nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës nuk përbën një zhdëmtim të mjaftueshëm për dëmin moral të pësuar prej paditësve. Duke vendosur me paanësi, siç e lejon neni 41 i Konventës, Gjykata i jep secilit nga paditësit, me përjashtim të paditëses së shtatë në kërkesëpadinë nr. 32684/09, 5 000 EUR për dëmin moral të pësuar, plus çdo shumë që mund të duhet si tatim. Gjykata i rrëzon kërkesat për çdo shtesë si shpërblim të drejtë.
B. Kosto e shpenzime
100. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 29381/09, paditësit kërkojnë së bashku një shumë prej 7 490,97 EUR për kostot e shpenzimet e kryera lidhur me procedurën përpara Gjykatës. Në veçanti, kohën e shpenzuar për këtë çështje prej përfaqësuesve të tyre nga Monitori Grek i Helsinkit ata e vlerësojnë në njëzet orë pune, me një tarifë prej 100 EUR për çdo orë. Ata paraqesin për këtë qëllim një dokument i cili e përcakton me hollësi kohën që përfaqësuesit e tyre i kanë kushtuar hartimit të vërejtjeve të dorëzuara në Gjykatë. Për më tepër, ata kërkojnë 4 485 EUR për përfaqësimin e tyre përpara Dhomës së Madhe nga Z. Mécary, të vërtetuara me faturë honorarësh. Së fundi ata kërkojnë 1 005,97 EUR për shpenzimet e udhëtimit të përfaqësuesve të tyre për seancën përpara Dhomës së Madhe. Paditësit saktësojnë se, për rrjedhojë të një marrëveshjeje me përfaqësuesit e tyre, ata do të jenë të detyruar që t’ua paguajnë tërësisht këtyre të fundit shumën e dhënë nga Dhoma e Madhe për kosto e shpenzime në rast konstatimi të një shkeljeje të Konventës. Ata kërkojnë kështu që çdo zhdëmtim që do t’u jepet atyre për këtë qëllim të derdhet drejtpërdrejt në llogaritë bankare të përfaqësuesve të tyre.
101. Për sa i përket kërkesëpadisë nr. 32684/09, paditësit kërkojnë së bashku një shumë prej 8 000 EUR lidhur me procedurën pranë Gjykatës, duke paraqitur për këtë fatura e llogaritje honorarësh.
102. Qeveria përgjigjet se Gjykata mund të japë shuma të tilla për kosto e shpenzime vetëm për aq sa këto të fundit janë të përligjura mjaftueshëm.
103. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një paditës mund ta fitojë shlyerjen e kostove dhe të shpenzimeve të tij vetëm në atë masë sa provohet vërtetësia e nevoja e tyre, si edhe karakteri i arsyeshëm i shumës së tyre (Creangă k. Rumanisë [DhM], nr. 29226/03, § 130, 23 shkurt 2012). Duke pasur parasysh dokumentet në zotërim të saj dhe kriteret e sipërpërmendura, Gjykata ka mendimin se është me vend që paditësve në kërkesëpadinë nr. 29381/09 t’u jepet bashkërisht shuma prej 5 000 EUR, plus çdo shumë që mund të duhet si tatim mbi këtë vlerë, çka duhet të derdhet drejtpërdrejt në llogaritë bankare të përfaqësuesve të tyre (shih, në këtë drejtim, Carabulea k. Rumanisë, nr. 45661/99, § 180, 13 korrik 2010). Për sa u përket paditësve në kërkesëpadinë nr. 32684/09, Gjykata ka mendimin se është me vend që atyre t’u jepet bashkërisht shuma prej 6 000 EUR për kosto e shpenzime, plus çdo shumë që mund të duhet prej tyre si tatim mbi këtë vlerë.
C. Kamatëvonesat
104. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
(...)
3. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se ka pasur shkelje të nenit 14 të bashkuar me nenin 8 të Konventës;
4. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër,
a) se shteti i paditur duhet të paguajë, brenda tre muajsh, shumat e mëposhtme:
i. 5 000 EUR (pesë mijë euro) për secilin paditës, me përjashtim të paditëses së shtatë në kërkesëpadinë nr. 32684/09, për dëmin moral të pësuar, plus çdo shumë që mund të duhet si tatim;
ii. 5 000 EUR (pesë mijë euro) bashkërisht për paditësit në padinë nr. 29381/09 për kosto e shpenzime, plus çdo shumë që mund të duhet prej tyre si tatim, çka duhet të derdhet drejtpërdrejt në llogaritë bankare të përfaqësuesve të tyre;
iii. 6 000 EUR (gjashtë mijë euro) bashkërisht për paditësit në padinë nr. 32684/09, me përjashtim të së shtatës, për kosto e shpenzime, plus çdo shumë që mund të duhet prej tyre si tatim;
b) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur e deri në derdhjen e tyre, këto shuma do të shtohen me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
5. Rrëzon, njëzëri, kërkesat për çdo shtesë si shpërblim i drejtë.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 7 nëntor 2013.
Michael O’ BoyleDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i përbashkët gjyqtarëve Casadevall, Ziemele, Jočienė dhe Sicilianos;
– mendim pjesërisht pajtues e pjesërisht kundërshtues i gjyqtarit Pinto de Albuquerque.
D.S.
M.O’B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy