© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 168
Nëntor 2013
Vallianatos me të tjerë k. Greqisë [DhM] - 29381/09 dhe 32684/09
Vendim 7.11.2013 [DhM]
Neni 14
Diskriminim
Përjashtim i çifteve të së njëjtës gjini nga “marrëveshja e bashkëjetesës”: shkelje
Faktet – Në kërkesëpadinë e parë, paditësit janë dy shtetas grekë, kurse në të dytën, gjashtë shtetas grekë dhe një shoqatë që ka si qëllim, ndër të tjera, përkrahjen morale dhe psikologjike të personave homoseksualë. Më 26 nëntor 2008 hyri në fuqi Ligji nr. 3719/2008, me titull “Reforma lidhur me familjen, fëmijët dhe shoqërinë”. Ky ligj vendoste “marrëveshjen e bashkëjetesës”, një formë zyrtare partneriteti kushtuar çifteve të pamartuara, duke e kufizuar këtë mundësi vetëm për çiftet me gjini të kundërt, me përjashtim të atyre të së njëjtës gjini.
Ligji – Neni 14 i bashkuar me nenin 8
a) Zbatueshmëria – Paditësit e kanë formuluar ankimin e tyre në këndvështrimin e nenit 14 të bashkuar me nenin 8 dhe Qeveria nuk e kundërshton zbatueshmërinë e këtyre dispozitave. Gjykata e gjykon si të udhës që të ndiqet kjo qasje. Përveç kësaj, marrëdhënia që kanë paditësit i përket nocionit të “jetës private” si edhe atij të “jetës familjare”, njëlloj si ajo e një çifti me gjini të kundërt i cili ndodhet në të njëjtën situatë. Neni 14 i bashkuar me nenin 8 gjend pra vend për t’u zbatuar.
b) Themeli – Paditësit ndodhen në një situatë të krahasueshme me atë të personave heteroseksualë për sa i përket nevojës së tyre për njohje juridike dhe për mbrojtje të marrëdhënies së tyre si çift. Mirëpo neni i parë i Ligjit nr. 3719/2008 e rezervon shprehimisht mundësinë e lidhjes së “marrëveshjes së bashkëjetesës” vetëm për personat fizikë me gjini të kundërt. Për pasojë, duke i përjashtuar në mënyrë të heshtur personat fizikë të së njëjtës gjini nga fusha e vet e zbatimit, ligji në fjalë vendos një dallim në trajtim mbi bazën e orientimit seksual të të interesuarve.
Sipas Qeverisë, zgjedhjen e ligjvënësit për të mos i përfshirë çiftet e së njëjtës gjini në fushën e zbatimit të këtij ligji e përligjkan dy vargje argumentesh. Në radhë të parë, në rast se marrëveshja e bashkëjetesës do të zbatohej për paditësit, ai sillka për ta, për sa i takon statusit të tyre pronësor, marrëdhënieve të tyre financiare në gjirin e çiftit të tyre dhe të drejtave të tyre trashëgimore, disa të drejta dhe detyrime të cilave ata mund t’u japin tashmë një kornizë juridike përmes zbatimit të së drejtës së zakonshme, domethënë në rrugë kontraktuale. Në radhë të dytë, ligji në fjalë synuaka të arrijë disa qëllime, ndër të cilat forcimin e statusit juridik të fëmijëve të lindur jashtë martese dhe lehtësimin e zgjedhjes së prindërve për t’i rritur fëmijët e tyre pa qenë të detyruar që të martohen. Kjo i dalluaka çiftet me gjini të kundërt nga ato të së njëjtës gjini, për faktin se, nga pikëpamja biologjike, të dytët nuk mund të lindin fëmijë së bashku. Sipas Gjykatës, në vështrim të nenit 8 të Konventës, është e drejtë që ligjvënësi të marrë masa legjislative për ta përfshirë brenda një kuadri ligjor situatën e fëmijëve të lindur jashtë martese e për ta përforcuar gjithashtu në mënyrë të tërthortë institucionin e martesës në gjirin e shoqërisë greke, duke e çuar përpara idenë që vendimi për t’u martuar mund të merret vetëm mbi bazën e vullnetit për zotim të ndërsjellë të dy personave, pavarësisht nga detyrimet e jashtme apo nga perspektiva e bërjes me një fëmijë. Kujdesi për të mbrojtur familjen në kuptimin tradicional të fjalës përbën në parim një arsye të rëndësishme dhe të drejtë, të aftë për ta përligjur një dallim në trajtim. Mbetet për t’u parë nëse në çështjen në fjalë është respektuar parimi i përpjesëtueshmërisë.
Ligji në fjalë synon kryesisht njohjen juridike të një forme partneriteti të ndryshme nga martesa. Sidoqoftë, edhe sikur qëllimi i ligjvënësit të ketë qenë që të përforcohej mbrojtja juridike e fëmijëve të lindur jashtë martese dhe, tërthorazi, e institucionit të martesës, ajo çka mbetet është se me Ligjin nr. 3719/2008 ai ka vendosur për herë të parë një formë partneriteti civil e cila i përjashton çiftet e së njëjtës gjini ndërkohë që çifteve heteroseksuale, qofshin këta me fëmijë ose jo, u jep mundësi që të rregullojnë aspekte të shumta të marrëdhënieve të tyre.
Argumentimi i Qeverisë përqendrohet te situata e çifteve me gjini të kundërt të cilat janë me fëmijë, por pa e përligjur dallimin në trajtim të bërë nga ligji në fjalë midis çifteve homoseksuale dhe çifteve heteroseksuale që nuk janë prindër. Ligjvënësi mund t’i kishte parashikuar disa dispozita specifike lidhur me fëmijët e lindur jashtë martese, duke e shtrirë njëkohësisht mundësinë e përgjithshme për të lidhur një “marrëveshje bashkëjetese” edhe te çiftet e së njëjtës gjini. Së fundi, në të drejtën greke, çiftet heteroseksuale – ndryshe nga çiftet e së njëjtës gjini – e përfitonin edhe përpara futjes së Ligjit nr. 3719/2008 njëfarë njohjeje të marrëdhënies së tyre, qoftë në mënyrë të plotë e të gjithanshme përmes institucionit të martesës, qoftë në mënyrë më të kufizuar sipas dispozitave të Kodit Civil që kanë të bëjnë me bashkimin e lirë. Për pasojë, çiftet e së njëjtës gjini do të ishin veçanërisht të interesuara që të pranoheshin për të përfituar nga “marrëveshja e bashkëjetesës”, sepse kjo e fundit do t’u ofronte atyre, në dallim nga çiftet me gjini të kundërt, bazën e vetme juridike në të drejtën greke për t’i dhënë marrëdhënies së tyre një formë të njohur nga ligji.
Së fundi, megjithëse nuk ka ndonjë qëndrim të përbashkët në gjirin e rendeve juridike të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, sot po përvijohet një prirje për sa i përket krijimit të formave për njohje juridike të marrëdhënieve midis personash të së njëjtës gjini. Ndërmjet nëntëmbëdhjetë shteteve që lejojnë forma partneritetesh të regjistruara përveç martesës, Lituania dhe Greqia janë të vetmet që i rezervojnë ato vetëm për çiftet me gjini të kundërt. Fakti që, pas një evolucioni shkallë pas shkalle, një vend zë një pozicion të veçantë lidhur me një aspekt të legjislacionit të tij, nuk do të thotë medoemos se një aspekt i tillë bie ndesh me Konventën. Megjithatë, duke pasur parasysh çka paraprin më sipër, Qeveria nuk ka nxjerrë arsye të forta e bindëse që mund ta përligjin përjashtimin e çifteve të së njëjtës gjini nga fusha e zbatimit të Ligjit nr. 3719/2008.
Përfundimi : shkelje (gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër).
Neni 41 : 5 000 EUR për secilin nga paditësit, me përjashtim të shoqatës paditëse në kërkesëpadinë 32684/09, për dëm moral.
© Këshilli i Europës/Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
Kjo përmbledhje nuk është detyruese për Gjykatën.
Klikoni këtu për Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2014.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2014
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2014
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy