GJYKATA EUROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA VALIO SHIPPING COMPANY kundër SHQIPËRISË
(Ankimi nr. 34230/07)
VENDIM
STRASBURG
6 Tetor 2015
Ky vendim është i formës së prerë dhe mund të jetë objekt i rishikimit redaktues.
VALIO SHIPPING COMPANY kundër SHQIPËRISË
Në çështjen e Kompanisë Valio Shipping kundër Shqipërisë
Gjykata Europiane e rë Drejtave të Njeriut (Seksioni i Katërt), e mbledhur si Komitet, e përbërë nga:
Nona Tsotsoria, President,
Ledi Bianku,
Paul Mahoney, gjyqtarë,
dhe Fatoş Aracı, Zëvendës Regjistrues i Seksionit,
Pasi shqyrtoi çështjen me dyer të mbyllura, më 15 Shtator 2015,
Shpall vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në po të njëjtën datë:
PROCEDURA
Çështja e ka fillesën me një ankim (nr. 34230/07) kundër Republikës së Shqipërisë paraqitur në Gjykatë sipas Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”), nga një kompani greke, Valio Shipping Company (“kompania ankuese”), më 1 Gusht 2007. Kompania ankuese u përfaqësua nga Z. G. Papadimitriou dhe Z. C. Tzimas, avokatë të cilët e ushtronin profesionin në Athinë. Qeveria shqiptare (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjentët e asaj kohe Znj. S. Mëneri nga Ministria e Punëve me Jashtë, dhe në vijim nga Znj. E. Hajro e Zyrës së Avokatit të Shtetit. Më 8 Dhjetor 2008, ankimi iu komunikua Qeverisë.
FAKTET
RRETHANAT E ÇËSHTJES
Kompania ankuese është një kompani që transporton mallra nga deti, në likuidim e strukturuar sipas Ligjit Grek në vitin 1991, me zyra qendrore ligjore në Kallithea, Greqi.
Procedurat në lidhje me kompensimin e dëmeve
Më 13 Mars 1995, Gjykata e Rrethit Vlorë vendosi se mjeti lundrues i kompanisë ankuese ishte ndaluar në mënyrë të paligjshme. Ky vendim u mbajt në fuqi në apel dhe u bë i formës së prerë më 1 Gusht 1995. Më 1 Dhjetor 1995, kompania ankuese ndërmori një akt civil kundër Seksionit të Financës – Degës së Thesarit Vlorë, Prokurorisë së Rrethit Vlorë dhe Doganës së Rrethit Vlorë, duke kërkuar kompensim për dëmin e shkaktuar nga ndalimi i paligjshëm. Administrata e Doganave ndërmori një akt tjetër si kundërpërgjigje, duke kërkuar pagesën për shpenzimet për mbajtjen e mjetit lundrues. Më 4 Korrik 1996, Gjykata e Rrethit Vlore i hodhi poshtë dy aktet civilë. Më 14 Nëntor 1996, Gjykata e Apelit Tiranë e anuloi atë vendim. Ajo urdhëroi Zyrën e Thesarit t’i paguante kompanisë ankuese 1,621,575 dollarë amerikan (“USD”) për
VALIO SHIPPING COMPANY kundër SHQIPËRISË
dëmet. Më tej, ajo urdhëroi kompaninë ankuese t’i paguante Administratës së Doganave 333,120 USD për të mbuluar shpenzimet për mbajtjen e mjetit lundrues. Më 30 Korrik 1997, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit. Pasi ky vendim u bë i formës së prerë, më 27 Tetor 1997, me kërkesë të kompanisë ankuese u lëshua një urdhër zbatimi. Më 22 Prill 1999, Administrata e Doganave dhe prokurori i rrethit dorëzuan një kërkesë për rekurs në interes të ligjit kundër vendimit të Gjykatës së Lartë. Më 29 Mars 2000, Gjykata e Lartë i kërkoi apeluesve të ridorëzonin kërkesën si edhe dokumentet suplementare. Më 28 Prill 2000, apeluesit ridorëzuan kërkesën. Rezulton se kërkesa nuk u shqyrtua kurrë nga Gjykata e Lartë.
Procedurat e zbatimit
Në tre raste, më konkretisht më 10 Nëntor 1999, në vitin 2003 dhe më 21 Qershor 2006, kompania ankuese i kërkoi përmbaruesit të zbatonte vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë. Në përputhje me rrethanat, ajo pagoi pjesërisht taksën e përmbaruesit. Më 8 Gusht 2000, përmbaruesi ndërpreu zbatimin e procedurave, duke patur parasysh pamundësinë e Bankës së Kursimeve për të ngrirë llogarinë vendore të bankës së Thesarit. Më 3 Shkurt 2005, kompania ankuese tërhoqi kërkesën e saj për zbatim. Nga viti 2006 deri në vitin 2008, përmbaruesi kërkoi zbatimin e vendimit nga zyra e Thesarit dhe Ministria e Financave, por pa patur sukses. Më tej, përmbaruesi gjobiti drejtorin e zyrës lokale të Thesarit për moszbatim të vendimit. Më 10 Mars 2008, ai ndërpreu zbatimin mbi argumentin se urdhri për zbatim nuk specifikonte natyrën e detyrimit, i cili duhej të zbatohej, dhe se kompania ankuese nuk kishte paguar plotësisht taksën e përmbaruesit. Vendimi i formës së prerë ka mbetur i pazbatuar edhe sot e kësaj ditë.
LIGJI DHE PRAKTIKA PËRKATËSE VENDASE
Neni 525 i Kodit të Procedurës Civile (“KPC”) parashikon se shpenzimet në lidhje me zbatimin e një vendimi duhet të mbulohen nga kreditori. Në vijim, shpenzimet mbulohen me anë të pagesës së borxhit nga kreditori. Neni 616 i KPP rendit rastet kur përmbaruesi mund të ndërpresë zbatimin. Sipas Nenit 617, urdhri i përmbaruesit për të ndërprerë procedurat është i apelueshëm përpara një gjykate. Neni 320 i Kodit Penal (“KP”) parashikon veprën penale të pengimit të zbatimit të një vendimi gjykate, i cili dënohet me një gjobë ose burgim deri në dy vjet.
LIGJI
PRETENIMI PËR SHKELJE TË NENIT 6 § 1 DHE NENIT 1 TË PROTOKOLLIT NR. 1 TË KONVENTËS
VALIO SHIPPING COMPANY kundër SHQIPËRISË
Kompania ankuese pretendonte se moszbatimi i vendimit të Gjykatës së Apelit më 14 Nëntor 1996, i lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë, shkelte të drejtat e saj sipas Nenit 6 § 1 dhe Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës, i cili për sa ka të bëjë me çështjen, parashikon si më poshtë vijon:
Neni 6 § 1
“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve civile… gjithsecili ka të drejtën për një seancë… të drejtë… dëgjimore… nga [një]… gjykatë…”
Neni 1 i Protokollit Nr. 1
“Çdo person fizik ose ligjor ka të drejtën të gëzojë në paqe zotërimet e tij. Asnjë nuk duhet të privohet nga zotërimet e tij përveçse kur bëhet fjalë për interesin publik dhe kur është objekt i kushteve të parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të ligjit ndërkombëtar.
Megjithatë, parashikimet e procedurave nuk duhet të ndërhyjnë në asnjë mënyrë në të drejtën e Shtetit për të zbatuar këto ligje të nevojshme për të kontrolluar përdorimin e pronës në përputhje me interesin e përgjithshëm, ose për të siguruar pagesën e taksave ose të kontributeve të tjera ose të gjobave.”
Pranueshmëria
Në përputhje me afatin kohor prej gjashtë muajsh
Qeveria parashtroi se ankesa ishte paraqitur më vonë sesa afati kohor prej gjashtë muajsh, pasi ishte marrë vendimi përfundimtar nga përmbaruesi më 8 Gusht 2000. Gjykata vëren se pavarësisht vendimit të përmbaruesit më 8 Gusht 2000, procedurat e zbatimit vijuan deri në vitin 2008. Më tej, vendimi i Gjykatës së Apelit i datës 14 Nëntor 1996, i cili u bë i formës së prerë më 30 Korrik 1997, mbetet i pazbatuar. Për pasojë, situata për të cilën u bë edhe ankesa vazhdonte ende në kohën kur u paraqit ankesa, kështu që rregulli i periudhës gjashtë-mujore nuk gjen zbatim (shiko Puto dhe të Tjerët kundër Shqipërisë, nr. 609/07, § 24, 20 Korrik 2010).
Për sa i përket mosshfrytëzimit të mjeteve vendase
Qeveria parashtroi se kundër vendimeve të përmbaruesit të datës 8 Gusht 2000 dhe 10 Mars 2008, nuk ishte paraqitur asnjë apelim. Gjithashtu, për kompaninë ankuese kishte mbetur e hapur mundësia për të paraqitur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, ose një ankesë penale në përputhje me Nenin 320 të KP. Kompania ankuese argumentoi se nuk kishte asnjë kompensim vendas për t’u përdorur. Gjykata konstatoi se një ankesë kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese nuk është një mjet i efektshëm për sa ka lidhje me moszbatimin e vendimit të formës së prerë (Gjyli kundër Shqipërisë, nr. 32907/07, §§ 58-60, 29 Shtator 2009). Më tej, në lidhje me pamundësinë e vazhdueshme të përmbaruesit për të zbatuar vendimin e formës së prerë në favor të kompanisë ankuese, një apelim kundër vendimeve të saj të cilat ndërpresin zbatimin do të mundësonin kompensimin e situatës. Së fundmi, Gjykata nuk është e bindur se një ankesë penale në përputhje me Nenin 320 të KP do të kishte
VALIO SHIPPING COMPANY kundër SHQIPËRISË
ofruar një korrigjim ose kompensim për kompaninë ankuese. Faktikisht, as vendosja e një gjobe për drejtorin e zyrës vendore të Thesarit nuk rezultoi në një rezultat të favorshëm për kompaninë ankuese. Duke patur parasysh këto të dhëna, Gjykata nuk pranon kundërshtimet e Qeverisë.
Përfundim
Gjykata del në përfundimin se këto ankesa, të cilat nuk janë të pabazuara në fakte ose të papranueshme nga ndonjë pikëpamje tjetër sipas Nenit 35 §§ 1 deri në 3 të Konventës, duhet të deklarohen të pranueshme.
Cilësitë
Kompania ankuese mbrojti pretendimin se ka patur një shkelje të të drejtave të saj bazuar në Konventë në lidhje me moszbatimin e vendimit të formës së prerë në favor të saj. Qeveria argumentoi se vendimi i formës së prerë nuk ishte zbatuar, sepse kompania ankuese jo vetëm që nuk kishte paguar taksën e përmbaruesit të plotë, por edhe urdhri i zbatimit nuk përcaktonte detyrimin e kompanisë ankuese për t’i paguar Administratës së Doganave tarifën për mbajtjen e mjetit lundrues. Më tej, procedurat në lidhje me kërkesën për një rekurs në favor të ligjit ishin ende në pritje në Gjykatën e Lartë. Gjykata përsërit parimet e përgjithshme të përfshira në Burdov kundër Rusisë (nr. 59498/00, §§ 37, 41 GJEDNJ 2002-III), Raylyan kundër Rusisë (nr. 22000/03, §§ 31, 37, 15 Shkurt 2007), Metaxas kundër Greqisë, nr. 8415/02, § 19, 27 Maj 2004). Gjykata nuk mund të pranojë argumentet e parashtruara nga Qeveria për moszbatim të vendimit të formës së prerë. Debitori në këtë rast ishte zyra vendore e Thesarit. Në këtë situatë, taksa e përmbaruesit duhet të mbulohet plotësisht nga debitori në fund të procedurave të zbatimit. Ndonjë përjashtim ose gabim i konstatuar në urdhrin e zbatimit duhet të mbulohet nga Shteti dhe gabimet nuk duhet të kompensohen nga individi në fjalë (shiko Gjyli, cituar mësipër, § 45). Për më tepër, Neni 616 i KPP nuk lejon ndërprerjen e zbatimit bazuar mbi këto rrethana. Gjithashtu, do të rezultonte se kërkesa për rekurs në interes të ligjit nuk u shqyrtua kurrë nga Gjykata e Lartë (shiko paragrafin 10 mësipër). Në vijim të miratimit të një urdhri zbatimi për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, më datë 14 Nëntor 1996, i cili u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, kompania ankuese kërkoi, pa ndonjë përfundim pozitiv, zbatimin në tre raste, më konkretisht në vitin 1999, 2003 dhe 2006. Gjykata vëren se autoritetet përkatëse të shtetit, më konkretisht zyra vendore e Thesarit dhe/ose Ministria e Financës, nuk mundën të zbatonin vendimin pavarësisht kërkesave të përsëritura të përmbaruesit për ta bërë një gjë të tillë. Qeveria nuk ofroi ndonjë arsye bindëse për këtë moszbatim, situatë e cila është ende e njëjtë. Gjithashtu, ata nuk i ofruan kompanisë ankuese ndonjë zgjidhje alternativë. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se ka patur një shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës dhe të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës.
VALIO SHIPPING COMPANY kundër SHQIPËRISË
ZBATIMI I NENIT 41 TË KONVENTËS
Neni 41 i Konventës parashikon:
“Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
Dëmi
Kompania ankuese kërkoi 1,295,455 USD për dëmin monetar, i cili kishte të bënte me shumën e borxhit të përcaktuar nga vendimi i Gjykatës së Apelit (1,288,455 USD) plus taksa e përmbaruesit që ishte paguar (7,000 USD). Nuk u paraqit asnjë pretendim në lidhje me dëmin jo-monetar. Qeveria nuk paraqiti ndonjë koment. Në lidhje me shkeljet e konstatuara, Gjykata vlerëson se Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë kompanisë ankuese shumën e përcaktuar me anë të vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 14 Nëntor 1996, më pak sesa çdo shumë që kompania ankuese i detyrohet Shtetit, siç është vendosur edhe me vendimin e Gjykatës së Apelit. Gjykata nuk jep asnjë vendim për dëmin jo monetar duke qenë se kompania ankuese nuk ka bërë ndonjë kërkesë për një gjë të tillë.
Kostot dhe shpenzimet
Duke patur parasysh se kompania ankuese nuk bëri asnjë kërkesë në lidhje me kostot dhe shpenzimet, Gjykata nuk merr asnjë vendim.
Interesi i vonuar
Gjykata e gjykon të arsyeshme që norma e interesit të vonuar duhet të bazohet në normën marxhinale të huas të Bankës Qendrore Europiane, së cilës i duhen shtuar pikët tre përqindëshe.
PËR KËTO ARSYE, NË MËNYRË UNANIME, GJYKATA
E deklaron ankimin të pranueshëm;
Vlerëson se ka patur një shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës dhe të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës në lidhje me moszbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, të datës 14 Nëntor 1996;
Vlerëson
(a) se Shteti përgjegjës duhet t’i paguajë brenda tre muajve kompanisë ankuese shumën e përcaktuar me anë të vendimit të Gjykatës së Apelit, të datës 14 Nëntor
VALIO SHIPPING COMPANY kundër SHQIPËRISË
1996, më pas sesa çdo shumë që kompania ankuesi i detyrohet Shtetit, siç përcaktohet në vendimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me dëmin monetar;
(b) se që nga data e përfundimit të periudhës së sipër përmendur prej tre muajsh deri në zgjidhjen e situatës, interesi i thjeshtë do të paguhet në një normë të barabartë me normën marxhinale të huas të Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës së vonesës, plus pikë tre përqindëshe;
E përgatitur në anglisht, dhe e njoftuar me shkrim më 6 Tetor 2015, sipas Rregullit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullave të Gjykatës.
Fatoş AracıNona Tsotsoria
Zëvendës Regjistrues President
Full & Egal Universal Law Academy