VARNAVA DHE TË TJERË kundër TURQISË
(kërkesat nr. 16064 / 90, 16065/90, 16066/90, 16068/90,
16069/90, 16070/90, 16071/90, 16072/90 dhe 16073/90)
18 shtator 2009
Dhomë e Madhe
ky vendim konfirmon karakterin vazhdues të detyrimit të Shteteve për të kryer një hetim efektiv të zhdukjes dhe vdekjes së personave, edhe kur këto kanë ndodhur përpara pranimit të së drejtës së ankimit individual nga Shteti përkatës
I. Faktet kryesore
1.Kërkesat në të cilat bazohet kjo çështje janë paraqitur para Gjykatës në emër dhe për llogari të 18 shtetasve qipriotë, nëntë prej të cilëve ishin zhdukur gjatë operacioneve ushtarake të kryera nga ushtria turke në Qipron veriore në korrik dhe gusht të vitit 1974. Nëntë kërkuesit e tjerë, janë apo kanë qenë të afërmit e personave të zhdukur.
2.Në mesin e personave të zhdukur, tetë ishin anëtarë të forcave greko-qipriote, që kishin tentuar të kundërshtonin përparimin e ushtrisë turke. Sipas një numri dëshmitarësh, ata kishin qenë në mesin e të burgosurve të luftës të kapur nga ushtria turke. Personi i nëntë, Z. Hadjipanteli, një punonjës banke, është marrë në pyetje nga ushtarë turq më 18 gusht 1974. Trupi i tij, i cili mbante disa shenja plumbash, u gjet në vitin 2007, në kuadër të një misioni të kryer nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara të Personat e Zhdukur (K.P.ZH.).
3.Qeveria turke e kundërshtoi faktin se këta persona ishin marrë rob nga ushtria turke. Ata parashtruan se tetë të parët ishin personel ushtarak të cilët kishin vdekur në veprim e sipër dhe se emri i të nëntit nuk përfshihej në listën e të burgosurve greko-qipriote të hartuar në vendin e deklaruar të paraburgimit, të inspektuara nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.
4.Kërkuesit pretenduan se të afërmit e tyre ishte zhdukur pasi u arrestuan nga forcat ushtarake turke në vitin 1974 dhe se që prej atëherë autoritetet turke nuk kishin dhënë asnjë informacion për ta. Kërkuesit u mbështetën në nenet 2, 3, 4, 5, 6, 8, 10, 12, 13 dhe 14 të Konventës.
II. Vendimi i Gjykatës
5.Në një vendim të 10 janarit 2008, Dhoma konstatoi se ka pasur shkelje të neneve 2, 3 dhe 5 të Konventës dhe se nuk kishte çështje më vete që ngriheshin në bazë të neneve 4, 6, 8, 10, 12, 13 dhe 14 të Konventës. Ajo u shpreh gjithashtu se konstatimi i shkeljes përbënte në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për dëmin jopasuror pësuar nga kërkuesit.
6.Më 7 korrik 2008, në bazë të nenit 43 të Konventës çështja iu referua Dhomës së Madhe me kërkesë të Qeverisë turke.
A. Në lidhje me pretendimet paraprake të Qeveria turke
7.Qeveria argumentoi se kërkesat ishte jashtë juridiksionit kohor të Gjykatës për tre arsye. Së pari, ato kishin të bënin me rrethana për të cilat Gjykata ishte shprehur një herë, në vendimin e saj Qipro k. Turqisë[1]. Së dyti, qenë se ato lidheshin me fakte që kanë ndodhur para pranimit të së drejtës për ankim individual nga ana e Turqisë, më 28 janar 1987. Së treti, Qeveria pretendoi se kishte kaluar shumë kohë mes ndodhisë së fakteve dhe paraqitjes së kërkesave të cilat është dashur të shpallen të papranueshme sepse nuk janë paraqitur para Gjykatës brenda gjashtë muajve pas pranimit të së drejtës për ankim individual nga ana e Turqisë.
8.Në lidhje me pikën e parë, interesin ligjor për t’u shprehur mbi çështjen, Gjykata u shpreh se një kërkesë “është në thelb e njëjtë me një kërkesë të shqyrtuar më parë”, sipas nenit 35 § 2, b të Konventës, jo vetëm kur ka të bëjë me të njëjtat ankesa dhe ngjarje, por edhe kur është sjellë nga të njëjtët kërkues. Në këtë kuptim kjo çështje nuk konsiderohej si e njëjtë me atë ku pretendimet ishin ngritur nga Qeveria qipriote. Së dyti, Gjykata vërejti se kërkuesit kishin specifikuar se pretendimet e tyre lidheshin vetëm me situatën pas 28 janarit 1987. Ajo u shpreh se detyrimi për të dhënë llogari për fatin e personave të zhdukur duke kryer një hetim efektiv është i një natyre të vazhdueshme dhe megjithëse ata ishin zhdukur prej më shumë se 34 vjetësh dhe që prej atëherë nuk kishte asnjë lajm për ta, ky detyrim mund të vazhdojë për aq kohë sa nuk dihej gjë mbi fatin e personave të zhdukur. Prandaj, Gjykata e hodhi poshtë këtë pretendim të qeverisë.
9.Gjykata, në lidhje me pretendimin e tretë paraprak, vuri në dukje se kërkuesit kishin paraqitur kërkesat e tyre rreth 15 vjet pasi të afërmit e tyre ishin zhdukur në vitin 1974 dhe se nuk kishte qenë e mundur për ta për ta bërë këtë përpara vitit 1987. Duke pasur parasysh situatën e jashtëzakonshme si pasojë e konfliktit ndërkombëtar, Gjykata ishte e kënaqur se kërkuesit kishin vepruar me një shpejtësi të arsyeshme, edhe pse ata i kishin sjellë kërkesat e tyre rreth tre vjet pasi Turqia kishte pranuar të drejtën për ankim individual. Duke pasur parasysh faktin se ata gjithsesi i kishin sjellë kërkesat vetëm tre ditë pas pranimit të juridiksionit të detyrueshëm të Gjykata nga ana e Turqisë, Gjykata e hodhi poshtë edhe këtë pretendim.
B. Në lidhje me nenin 2
10. Gjykata vuri në dukje se qeveria turke nuk ka paraqitur ndonjë informacion konkret për të treguar se ndonjë nga njerëzit e zhdukur ishte gjetur i vdekur ose ishte vrarë në zonën e konfliktit nën kontrollin e tyre. Ajo nuk dyshonte se shumë vite pas ngjarjeve do të ishte tepër e vështirë të përcaktoheshin faktet rreth vdekjeve, të gjendeshin dëshmitë okulare apo të identifikimin dhe nisnin procedurat ndaj personave përgjegjës. Megjithatë, duke kujtuar jurisprudencën e saj konsistente mbi detyrimin e qartë e shteteve për të hetuar në mënyrë efektive, Gjykata konstatoi se qeveria turke udhët të kishte bërë përpjekjet e nevojshme në këtë drejtim. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se ka pasur një shkelje të vazhdueshme të nenit 2 për shkak të dështimit të Turqisë për të hetuar në mënyrë efektive fatin e nëntë personave të zhdukur në vitin 1974.
C. Në lidhje me nenin 3
11. Gjykata vlerësoi se koha gjatë së cilës vuajtjet e të afërmve kanë vazhduar dhe qëndrimi zyrtar indiferent përballë ankthit të tyre në rritje për të ditur fatin e pjesëtarëve të afërm të familjeve të tyre, përbënte shkelje të nenit 3 në lidhje me kërkuesit.
D. Në lidhje me nenin 5
12. Gjykata konstatoi se kishte të dhëna të mjaftueshme se dy nga personat e zhdukur janë parë për herë të fundit në rrethana që ishin nën kontrollin e forcave qipriote-turke apo turke. Megjithatë, autoritetet turke nuk kishin pranuar se i kishin ndaluar ata dhe as nuk kishin dhënë ndonjë dokument që provonte zyrtarisht lëvizjet e tyre. Ndërsa nuk ka pasur prova që ndonjë prej personave të zhdukur ka qenë në paraburgim gjatë periudhës nën shqyrtimin e Gjykatës, qeveria turke duhet të kishte treguar se kishte kryer një hetim efektiv për pretendimet e ngritura se dy personat që mungonin ishin ndaluar dhe nuk ishin parë më. Për këtë arsye, ka pasur një shkelje e vazhdueshme e nenit 5 në lidhje me dy kërkuesit.
E. Në lidhje me nenet e tjera
13. Gjykata arriti në përfundimin se ajo kishte shqyrtuar çështjet kryesore ligjore të ngritura nga kërkesat e paraqitura para saj dhe se nuk ishte e nevojshme për t’u shprehur më vete për pretendimet e kërkuesve në bazë të neneve të tjera të Konventës.
F. Në lidhje me nenin 41
14. Gjykata iu akordoi secilit prej kërkuesve 12 000 euro në lidhje me dëmin jopasuror dhe 8 000 euro për kostot dhe shpenzimet.
[1]. Vendim i 10 majit 2001, përmbledhja dhe komenti i të cilit janë përfshirë në këtë botim.
Full & Egal Universal Law Academy