© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015. Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën. Për më shumë informacion, shiko shënimin e plotë në lidhje me të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur á la fin du présent document
SEKSIONI I KATËRT
ÇËSHTJA VELYO VELEV kundër BULLGARISË
(Kërkesa nr. 16032/07)
VENDIM
[Ektrakt]
STRASBURG
27 Maj 2014
Ky vendim është bërë përfundimtar, sipas nenit 44 § 2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohet korrigjimeve
Në çështjen e Velyo Velev k. Bullgarisë,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i katërt), me trup gjykues të përbërë prej:
Ineta Ziemele, President,
Päivi Hirvelä,
Ledi Bianku,
Nona Tsotsoria,
Zdravka Kalaydjieva,
Paul Mahoney,
Faris Vehabović, gjyqtarë,
dhe Françoise Elens-Passos, Kancelare e Seksionit,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 6 maj 2014,
Jep këtë vendim, i cili u mor në datën e lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën mbi bazën e kërkesës (nr. 16032/07) kundër Republikës së Bullgarisë drejtuar në Gjykatë, sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ("Konventa") nga një shtetas bullgar, Z. Velyo Nikolaev Velev (“kërkuesi”), më 5 mars 2007.
2. Kërkuesi u përfaqësua nga Znj. E. Syarova, avokate që ushtron aktivitetin në Stara Zagora. Qeveria Bullgare (“Qeveria”) u përfaqësua nga agjenti i saj, Znj. M. Kotseva, i Ministrisë së Drejtësisë.
3. Kërkuesi pretendoi se nuk ishte lejuar të ndiqte arsimimin e tij, ndërkohë që qëndronte në burgun e Stara Zagorës, në shkelje të nenit 2 të Protokollit Nr. 1 dhe se ishte trajtuar si "përsëritës" para marrjes së një dënimi përfundimtar në rastin e tij, në shkelje të nenit 6 § 2 të Konventës.
4. Më 14 dhjetor 2010 kërkesa e paraqitur iu komunikua Qeverisë.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
5. Kërkuesi ka lindur në 1977 dhe jeton në Stara Zagora. Në vitin 2003 ai është dënuar për veprën penale të mashtrimit dhe kreu dënimin e tij në burgun e Stara Zagora nga 11 shkurti 2003 deri në 9 gusht 2004. Më 1 tetor 2004 ai u arrestua pasi dyshohej për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit. Në periudhën 29 nëntor 2004 deri më 20 prill 2007 ai mbahej i paraburgosur në burgun e Stara Zagora, ku sipas tij mbahej së bashku me të burgosurit "përsëritës" (shih paragrafin 20 më poshtë).
6. Duke qenë se kërkuesi nuk e kishte përfunduar arsimin e mesëm, kërkoi të regjistrohej në shkollën që operonte në mjediset brenda burgut të Stara Zagora. Në gusht 2005 ai i paraqiti një kërkesë me shkrim Guvernatorit të Burgut të Stara Zagora, për t’u regjistruar në shkollë për vitin shkollor 2005/06. Ai nuk mori asnjë përgjigje para fillimit të vitit shkollor më 15 shtator 2005, prandaj i shkroi përsëri Guvernatorit më 29 shtator 2005 dhe gjithashtu edhe Ministrisë së Arsimit dhe Prokurorisë (në Bullgari, prokurori është autoriteti kompetent për të mbikëqyrur ligjshmërinë e ekzekutimi të vendimit të paraburgimit dhe të burgimit). Më 6 tetor 2005, kërkuesi morri një letër nga Prokurori, në të cilën thuhej se administrata e burgut e kishte konsideruar siç duhej mundësinë e kërkuesit për të studiuar, në dritën e dënimit të tij të mëparshëm. Prokurori më tej shprehej se pretendimi i kërkuesit për refuzim e mundësisë së arsimimit të tij, nuk ishte konfirmuar. Gjithashtu, kërkuesi mori një përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit më 24 tetor 2005. Në letrën e saj thuhej se personat e privuar nga liria (лишени от свобода) kishin të drejtë të vazhdonin edukimin e tyre në burg dhe nuk bëri asnjë referencë specifike për ata që qëndronin në paraburgim.
7. Ndërkohë, më 19 tetor 2005, kërkuesi i dërgoi një kërkesë tjetër Guvernatorit të Burgut, Ministrisë së Arsimit dhe Prokurorit të Gjykatës së Apelit. Më 26 tetor 2005, kërkuesi i shkroi përsëri Guvernatorit të Burgut, ku i kërkonte sërish të kishte mundësinë të regjistrohej në shkollën e burgut për vitin shkollor 2005/06. Duke iu referuar letrës së datës 24 tetor 2005, kërkuesi argumentoi se Ministria e Arsimit i ka njohur atij të drejtën për të vazhduar arsimimin e tij në burg. Më 7 dhjetor 2005 ai mori një përgjigje të nënshkruar nga Drejtori i Drejtorisë së Ekzekutimit të Dënimeve në Ministrisë së Drejtësisë, ku hidhej poshtë kërkesa e tij. Në letër, ndër të tjera thuhej:
“Kërkuesi ende nuk është dënuar. Pasi ai të marrë dënimin, do të transferohet në një burg për përsëritësit.
Përfshirja e përsëritësve në programet arsimore dhe të punës në një burg për jo-përsëritësit do të shkelte detyrimin që kategori të ndryshme të të burgosurve duhet të mbahen ndarazi dhe gjithashtu të marrim pjesë në programe rehabilituese të veçanta sipas kategorive...”
8. Më 21 dhjetor 2005 kërkuesi apeloi kundër refuzimit për regjistrimin e tij në shkollë, duke pretenduar se në mungesë të një vendimi të dytë me burgim ai nuk mund të trajtohej si "përsëritës". Në parashtrimet e tij me shkrim ai u mbështet në mënyrë të qartë në të drejtën për arsimim, të garantuar nga neni 53 i Kushtetutës dhe nga neni 2 i Protokollit Nr. 1 të Konventës, si dhe në Neni 77 i Rregullave Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve, i cili, inter alia, parashikon se "duhet t’u ofrohet shkollim i mëtejshëm të gjithë të burgosurve të cilët mund të përfitojnë nga kjo". Sipas opinionit të kërkuesit Ligji për Ekzekutimin e Dënimeve i 1969 (shih paragrafët 15-19 më poshtë) i detyronte autoritetet t’u siguronte akses të njëjtë në arsimim si personave që mbaheshin në paraburgim dhe atyre të dënuar me burgim. Refuzimi nuk ndiqte asnjë qëllim legjitim dhe ishte në kundërshtim me Ligjin mbi Arsimin dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Diskriminimit në Arsim (botuar në Fletoren Zyrtare në vitin 1963). Gjatë seancës ai tregoi se persona të tjerë që kishin qenë në situatë të njëjtë me të ishin lejuar të vazhdonin studimet dhe se autoritetet e burgut nuk kanë treguar asnjë bazë ligjore për refuzimin e tyre. Guvernatori i burgut pranoi se kishte pasur më parë një praktikë të tillë, por kjo ishte ndërprerë për shkak të shqetësimit në lidhje me ndikimin që mund të kishin "përsëritës" tek "jo përsëritësit". Kërkuesi i ishte refuzuar e drejta për të vazhduar studimet pasi ai konsiderohej "përsëritës" sipas Ligjit për Ekzekutimin e Dënimeve i 1969 (shih paragrafin 20 më poshtë), dhe nëse do të ndiqte shkollën, ai do të ishte në kontakt me jo përsëritësit .
9. Në një vendim të datës 24 mars 2006, Gjykata Rajonale e Stara Zagora pranoi apelin e kërkuesit dhe urdhëroi Guvernatorin për të përfshirë atë në programin edukativ të burgut. Ajo konstatoi, në veçanti, se refuzimi i Guvernatorit të Burgut ishte bazuar në supozimin se kërkuesi ishte "përsëritës" dhe duke qenë se burgu i Stara Zagora ishte burg për "jo përsëritës", ishte detyrë e administratës së burgut ta përjashtonte atë nga programe që përfshinin të burgosur të tjerë, shumica e të cilëve ishin "jo recidivistë". Gjykata u shpreh se kërkuesi nuk mund të konsiderohej "përsëritës", siç përcaktohet në nenin 158 të Ligjit për Ekzekutimin e Dënimeve, pasi edhe pse ai kishte marrë më parë një dënim me burgim, procedurat aktuale kundër tij ishin ende në pritje dhe ai nuk kishte marrë një dënim të dytë. Pra rregulli sipas së cilit "recidivistë" duhet të mbaheshin më vete nga "jo përsëritësit " ishte i pazbatueshëm në këtë rast.
10. Guvernatori i Burgut apeloi kundër këtij vendimi. Ai argumentoi se, në përputhje me parimin e trajtimit të diferencuar të kategorive të ndryshme të të burgosurit, kërkuesi ishte vendosur në grupin e atyre të paraburgosurve të cilët, në rast të një dënimi, do të përfshiheshin në kategorinë e "përsëritësve". Për më tepër, burgu i Stara Zagora ishte një burg për "jo përsëritës" dhe akomodimin i "përsëritësve", duke përfshirë edhe të paraburgosurit të cilët trajtoheshin si të tillë (pra si përsëritës), bëhej në raste të jashtëzakonshme.
11. Para shqyrtimit të ankesës, më 9 gusht 2006 kërkuesi i kërkoi Guvernatorit ta regjistroni në shkollën e burgut për vitin e ri shkollor, duke filluar nga 15 shtator 2006. Ndërsa ai nuk mori asnjë përgjigje për kërkesën e tij, më 21 shtator 2006, ai i paraqiti një kërkese të ngjashme Drejtorisë së Ekzekutimit të Dënimeve në Ministrinë e Drejtësisë.
12. Më 26 shtator 2006, Gjykata e Lartë Administrative dha një vendim përfundimtar në lidhje me pretendimin e kërkuesit për përjashtimin e tij nga arsimimi në burg. Para Gjykatës së Lartë Administrative, prokurori (i cili ndërhyn në të gjitha procedurat e Gjykatës së Lartë) ishte i mendimit se vendimi i Gjykatës Rajonale i Stara Zagora ishte i drejtë dhe se duhej rrëzuar ankesa e Guvernatorit të Burgut. Prokurori më tej shprehu mendimin se arsyet e këtij ankimi ishin të paqarta dhe të bazuar në një interpretim të gabuar të ligjit në fuqi, në kundërshtim me interpretimin e saktë të dhënë nga gjykata e shkallës së parë kundër vendimit të së cilës po apelohej. Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë theksoi se para ndryshimeve të vitit 2002, Ligji për Ekzekutimin e Dënimit parashikonte edukimin e detyrueshëm të të gjithë të burgosurve nën moshën 40 vjeç. Dispozitat aktuale parashikojnë edukimin e detyrueshëm vetëm për personat nën moshën 16 vjeçare; për ata të moshës 16 e lartë Shteti kishte detyrimin për edukimin vetëm të të burgosurve të cilët e dëshironin një gjë të tillë. Megjithatë, të burgosurit e dënuar kishin të drejtë sipas ligjit të brendshëm për t’u bërë pjesë e programeve arsimore vetëm kur ata kishin marrë një dënim me një vit burgim ose më shumë, për të garantuar që ata të kishin mundësinë e përfundimit të vitit shkollor (shih paragrafët 15-19 më poshtë).Gjykata Supreme vendosi se:
“e drejta për arsimim (i detyrueshëm ose vullnetar), është parashikuar dhe rregulluar në legjislacionin e Republikës së Bullgarisë vetëm në drejtim të personave të privuar nga liria, si pasojë e një dënimi të formës së prerë (лишаване от свобода) dhe jo në drejtim të atyre që mbaheshin në paraburgim (задържане под стража)”.
Sipas saj pyetja nëse konsiderimi i kërkuesit nga autoritetet e burgut si "përsëritës" bazohej ose jo në ligj ishte e parëndësishme.
13. Duke iu referuar këtij vendimi, më 6 nëntor 2006 Drejtoria e Ekzekutimit të Dënimeve iu përgjigj letrave të kërkuesit të 9 gushtit dhe 21 shtatorit 2006, duke e informuar se ai nuk do të regjistrohej në shkollën e burgut për vitin shkollor 2006/07.
14. Më pas, kërkuesi u shpall fajtor dhe u dënua me burgim në lidhje me veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit. Më 20 prill 2007 ai u largua nga burgu i Stara Zagora dhe u transferua në burgun e Pazardjik. Qeveria informoi Gjykatën se kërkuesi nuk kishte paraqitur ndonjë kërkesë për të marrë pjesë në programet arsimore ndërkohë që qëndronte në atë burg. Megjithatë, në parashtrimet e tij për Gjykatën, kërkuesi deklaroi se nuk kishte paraqitur një kërkesë të tillë pasi në burgun e Pazardjik nuk kishte asnjë shkollë. Përveç kësaj, ai i paraqiti Gjykatës dokumentet ku tregohej se të paktën një i burgosur i cili konsiderohej "përsëritës", kishte marrë pjesë në programin e arsimit në burgun e Stara Zagora. Kërkuesi u lirua nga burgu Pazardjik më 27 korrik 2008.
II. E DREJTA E BRENDSHME PËRKATËSE
A. Aksesi i të dënuarve në arsimim
15. Gjatë periudhës në fjalë, aksesi i të burgosurve në arsim rregullohej nga ligji për Ekzekutimin e Dënimeve i 1969 ("Ligji i 1969" i cili qëndroi në fuqi deri në qershor 2009); rregulloret zbatuese të Ligjit të 1969; Urdhri nr. 2 i 19 prillit 1999 në lidhje me statusin e të paraburgosurve (në fuqi deri në vitin 2007, "Urdhri"); Ligji për Arsimin Kombëtar i vitit 1991 ("Ligji i 1991"); dhe rregulloret zbatuese të Ligjit të 1991. Duhet të theksohet se para vitit 2002 statusi i të paraburgosurve rregullohej me udhëzime të lëshuar nga Ministri i Drejtësisë. Në vitin 2002 këto rregulla u bënë pjesë e Ligjit të 1969. Duket se Urdhri vazhdoi të zbatohej deri në vitin 2006, kur rregulloret zbatuese të Ligjit të 1969 u plotësuan me dispozita për rregullimin më në detaje të statusit të të paraburgosurve.
16. Para vitit 2002 arsimi në burg ishte i detyrueshëm për të burgosurit nën moshën 40 vjeç (neni 39(1) i Ligjit të 1969), por vetëm kur ata ishin të dënuar me një vit ose më shumë burgim (neni 47(1) i rregulloreve zbatuese të Ligjit të 1969 i). Neni 39(1) i Ligjit të 1969 u shfuqizua në vitin 2002, por dispozitat e rregulloreve zbatuese të Ligjit të 1969 mbetën në fuqi.
17. Dispozitat përkatëse parashikonin tri regjime të ndryshme të aksesit në arsim. Së pari, të burgosurit e moshës 14 deri 18 vjeç, të cilët mbaheshin në "shtëpi riedukimi" në vend të burgjeve, kishin të drejtë të ndiqnin studimet. Arsimi ishte i detyrueshëm për të burgosurit e moshës 16 e poshtë (shih nenin 39(3) të Ligjit të 1969 dhe nenin 7(1) të Ligjit të 1991). Të burgosurit më të vjetër në moshë kishin të drejtë të kërkonin përfshirjen në programet arsimore dhe administrata e burgjeve ishte e detyruar t’ua mundësonte këtë gjë (neni 39(4) i Ligjit të 1969 dhe neni 75(1) i rregulloreve zbatuese të Ligjit të 1969). Në kohën e pranimit në institucionin e burgut autoritetet e burgut ishin të detyruara të bënin një vlerësim të nevojave individuale të të burgosurit për sa i përket arsimimit të tij (neni 66a(1)(3) i Ligjit të 1969). Të burgosurit të cilët ishin të angazhuar në aktivitetet edukative dhe nuk punonin kishin të drejtën që koha e kaluar në shkollë t’u zbritej nga dënimi në bazë të rregullave të njëjta me atë për ditët e punës (neni 103(4) i Ligjit të 1969).
18. Neni 128 i Ligjit të 1969 parashikonte që në mungesë të dispozitave të tjera, dispozitat e Ligjit të 1969 në lidhje me të burgosurit e dënuar ishin të zbatueshme për të paraburgosurit. Një dispozitë e ngjashme u përfshi në rregulloret zbatuese të Ligjit të 1969 (neni 168).
19. Ligji i ri për Ekzekutimin e Dënimeve dhe Paraburgimet i vitit 2009 ("Ligji i 2009") përmban dispozita të ngjashme. Në këtë ligj është përcaktuar se përfshirja në programet arsimore të burgosurve të dënuar nën 16 vjeç ishte e detyrueshme (neni 162(1) i Ligjit të 2009). Administrata e burgut mund të ofronte edhe programe edukative për të burgosurit mbi këtë moshë (neni 162(2)). Përfshirja e të paraburgosurve në programet arsimore "inkurajohej" (neni 257(2)). Së fundi, koha e kaluar në shkollë zbritej nga dënimi i përgjithshëm në bazë të të njëjtave rregulla si për ditët e punës (neni 178(4)).
B. Përsëritës
20. Në kohën në fjalë, neni 158(1) i Ligjit të 1969 parashikonte se, për qëllimet të ligjit, "përsëritës" ishin:
“(a) personat që janë dënuar dy ose më shumë herë me burgim për vepra penale të kryera me qëllim, për të cilat nuk jepet një dënim i bashkuar ..., në qoftë se ata e kanë shlyer një dënim me burgim;
(b) personat të cilët janë dënuar për një vepër penale e cila cilësohet si përsëritje e rrezikshme.”
Neni 12 i Ligjit të 1969 kërkonte që "përsëritësit" t’i shlyenin dënimet e tyre në institucione të veçanta. Sipas nenit 8 a(3) "aktivitetet riedukuese do të zhvillohen veçmas për kategori të ndryshme të burgosurish". "Përsëritësit" sipas kuptimit të këtij ligji, do të mund të transferohen në burgjet e tjera vetëm në raste të jashtëzakonshme nëse kanë sjellje të mirë dhe nuk ka rrezik që të ndikojnë negativisht tek të burgosurit e tjerë (nenin 12(2) i Ligjit të 1969). Të paraburgosurit të cilët ishin dënuar më parë me burgim dhe nuk ishin rehabilituar duhet të vendoseshin veçmas nga të paraburgosurit e tjerë (neni 130б (1)(5) i Ligjit të 1969). Ligji i 2009 përmban dispozita të ngjashme.
II. DOKUMENTET PËRKATËSE TË KËSHILLIT TË EVROPËS
A. Rregullat Evropiane të Burgjeve
21. Rregullat Evropiane të Burgjeve janë rekomandime të Komitetit të Ministrave për Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për sa i përket standardeve minimale që duhet të aplikohen në burgje. Shtetet inkurajohen të udhëhiqen nga Rregullat në legjislacionin dhe politikat e tyre dhe të sigurojnë një përhapje të gjerë të tyre tek autoritetet gjyqësore, stafit i burgjeve dhe të burgosurit
1. Rekomandimi Nr. 87(3) mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve
22. Rregullat Evropiane të Burgjeve të 1987 janë miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 12 shkurt 1987. Ato përmbanin dispozitat e mëposhtme, inter alia, në lidhje me të burgosurit të pa gjykuar:
“11.1. Në shpërndarjen e të burgosurve në institucione apo regjime të ndryshme do të merret parasysh siç duhet gjendja e tyre gjyqësore e juridike (të burgosur të pagjykuar ose të dënuar, fajtorë për herë të parë ose përsëritës, dënim i lehtë ose i rëndë), kërkesat e veçanta për trajtimin e tyre, nevojat e tyre mjekësore, seksi dhe mosha.
...
3. Në parim, të burgosurit e pagjykuar do të mbahen veçmas nga ata të dënuar, përveç rastit kur ata pranojnë të qëndrojnë ose të marrin pjesë së bashku në aktivitetet e organizuara në interes të tyre.
...
91. Pa paragjykuar rregullat ligjore për mbrojtjen e lirisë individuale ose përshkruar procedurën që duhet zbatuar lidhur me të burgosurit e pagjykuar, këta të burgosur, që prezumohen si të pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia, do t’iu sigurohen përfitimet që rrjedhin nga Rregulli 90 dhe të trajtohen pa kufizime, me përjashtim të atyre që janë të nevojshme për procedurën penale dhe sigurinë e institucionit.
...
96. Të burgosurve të pagjykuar do t’u ofrohet, kurdoherë që është e mundshme, mundësia për të punuar, por nuk do t’u kërkohet të punojnë. Ata që vendosin të punojnë do të paguhen si të burgosurit e tjerë. Në qoftë se është siguruar kualifikimi arsimor ose profesional, të burgosurit e pagjykuar do të inkurajohen që të përfitojnë nga këto mundësi..”
2. Rekomandimi Nr. (89) 12 mbi Edukimin në Burgje
23. Më 13 tetor 1989, Komiteti i Ministrave miratoi Rekomandimin mbi Edukimin në Burgje. Në preambulën e tij citohej:
“Duke pasur parasysh se e drejta për arsimim është një e drejtë themelore;
Duke pasur parasysh rëndësinë e arsimit në zhvillimin e individit dhe të komunitetit;
Duke kuptuar në veçanti se një pjesë e madhe e të burgosurve kanë pasur shumë pak përvojë të suksesshme arsimore dhe për këtë arsye tani kanë nevoja të shumta në këtë drejtim;
Duke pasur parasysh se arsimi në burg ndihmon për të krijuar kushte më njerëzore në burgjet;
Duke pasur parasysh që arsimimi në burg është një mënyrë e rëndësishme për të lehtësuar kthimin e të burgosurve në komunitet;
Duke pranuar se në zbatimin praktik të disa të drejtave të caktuara ose masave, në përputhje me rekomandimet e mëposhtme, dallimet ndërmjet të burgosurve të dënuar dhe të burgosurve të pagjykuar mund të justifikohet;
Duke pasur parasysh Rekomandimin Nr. R (87) 3 mbi Rregullat Europiane të Burgjeve dhe Rekomandimi Nr. R (81) 17 mbi Politikat e Arsimit të Personave Madhor”.
Rekomandimi vazhdon si më poshtë, inter alia:
“1. Të gjithë të dënuarit duhet të edukohen dhe kjo duhet të realizohet nëpërmjet klasave mësimore, edukimit profesional, aktiviteteve kulturore dhe krijuese, sporteve dhe edukimit fizik, edukimit social dhe shërbimit bibliotekar; ...
4. Të gjithë ata që përfshihen në sistemin e burgjeve duhet të lehtësojnë dhe mbështesin edukimin sa më shumë të jetë e mundur; ...
6. Duhet të bëhet çdo përpjekje për të inkurajuar të burgosurit të marrin pjesë aktivisht në të gjitha aspektet e edukimit; ...
17. Duhet të vihen në dispozicion fondet, pajisjet dhe stafi mësimor i nevojshëm për të aftësuar të burgosurit të marrin edukimin e përshtatshëm.”
3. Rekomandimi R (2006) 2 mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve
24. Më 11 janar 2006 Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës miratoi një version të ri të Rregullave Evropiane të Burgjeve, duke vënë në dukje se Rregullat e 1987 "kishin nevojë të rishikoheshin në mënyrë thelbësore dhe të përditësoheshin për të reflektuar zhvillimet që në politikën penale, praktikat e dënimit dhe menaxhimi i përgjithshëm i burgjeve në Evropë". Rregullorja 2006 përmban parimet e mëposhtme bazë:
“Parimet bazë
1. Personat, të cilëve u është mohuar liria, trajtohen me respekt ndaj të drejtave të tyre njerëzore.
2. Personat te cilëve u është mohuar liria, gëzojnë të gjitha të drejtat që nuk u janë marre atyre në mënyrë të ligjshme nga vendimet që i dënojnë ata ose që i lënë në paraburgim.
3 Kufizimet për personat të cilëve u është mohuar liria ushtrohen në masën minimale të nevojshme dhe në përpjesëtim me objektivat legjitime për te cilat ato janë vendosur.
4. Kushtet në burg, që cenojnë të drejtat e njeriut të të burgosurve nuk justifikohen nga mungesa e burimeve.
5. Jeta në burg duhet të përafrohet sa më shumë të jetë e mundur me aspektet pozitive të jetës në komunitet..
6. E gjithë koha e ndalimit menaxhohet në mënyrë të tillë që të lehtësojë ri-integrimin ne një shoqëri të lirë të personave të cilëve u është mohuar liria. ...
Qëllimi dhe aplikimi
...
10.2 10.2Në parim, personat të cilët mbahen në paraburgim me vendim të një autoriteti gjyqësor dhe personat të cilëve u është hequr liria pas dënimit, mbahen vetëm ne burgje, pra në institucione të rezervuara për të ndaluarit e këtyre dy lloj kategorive.
Vendosja dhe strehimi
...
18.8 Gjate marrjes së vendimit për të strehuar të burgosur në burgje të veçanta ose në seksione të veçanta të një burgu i jepet rëndësi nevojës për të:
a. ndarë të burgosurit e pagjykuar nga të burgosurit e dënuar;
b. të burgosurit meshkuj nga të burgosurat femra; dhe
c. të burgosurit e rinj nga të burgosurit më të mëdhenj në moshë.
18.9 Bëhen përjashtime nga kërkesat për burgim të veçuar, të parashikuara në paragrafin 8, në mënyrë që të gjithë të burgosurve t’u bëhet e mundur të marrin pjese bashkërisht në veprimtari të organizuara. Grupet shpërndahen gjithmonë gjatë natës, me përjashtim të rasteve kur ata japin pëlqimin që të qëndrojnë së bashku dhe kur organet e burgut gjykojnë se një veprim i tille është në interes të të gjithë të burgosurve.
...
Arsimimi
28.1 Çdo burg duhet t’u japë të gjithë te burgosurve të drejtën për të marre pjesë në programe edukative të cilat janë të kuptueshme dhe plotësojnë nevojat individuale duke marre parasysh aspiratat e tyre.
28.2 Përparësi u jepet të burgosurve që kanë probleme me shkrimin dhe numërimin dhe atyre që nuk kanë arsim bazë ose profesional.
28.3 Vëmendje e veçante i kushtohet arsimimit të burgosurve në moshë të re dhe të burgosurve me nevoja të veçanta.
28.4 Arsimimi nuk ka më pak rëndësi sesa puna brenda regjimit të burgut dhe të burgosurit nuk kanë disavantazhe financiare ose disavantazhe të tjera kur marrin pjesë në procesin arsimor.
28.5 Çdo institucion ka një bibliotekë, e cila përdoret nga të gjithë të burgosurit, të pajisur ashtu siç duhet me mjete edukative dhe çlodhëse, libra dhe media te ndryshme.
28.6 Kur është e mundur, biblioteka e burgut organizohet në bashkëpunim me shërbimet e bibliotekës së komunitetit.
28.7 Aq sa të jetë praktike, arsimimi i të burgosurve:
a. integrohet me sistemin arsimor dhe sistemin e trajnimit profesional të vendit në mënyrë që pas lirimit të tyre ata të mund të vazhdojnë arsimimin dhe trajnimin profesional pa vështirësi; dhe
b. zhvillohet nën vëzhgimin e institucioneve të jashtme arsimore.
...
Të burgosurit e pagjykuar
Qëndrimi në lidhje me të burgosurit e pagjykuar
95.1 Regjimi për të burgosurit e pagjykuar nuk influencohet nga mundësia që ata mund të dënohen për një vepër penale në të ardhmen.
95.2 Rregullat në këtë pjese ofrojnë elemente të tjerë shtesë për të burgosurit e pagjykuar.
95.3 Gjate trajtimit të të burgosurve të pagjykuar, organet e burgut udhëhiqen nga rregullat që aplikohen për të gjithë të burgosurit dhe i lejojnë të burgosurve të pagjykuar të marrin pjesë në veprimtari të ndryshme të cilat parashikohen në këto rregulla.
...
Aksesi në regjimin e tw burgosurve të dënuar
101. Nëse një i burgosur i padënuar kërkon që të lejohet të ndjekë regjimin për të të burgosur të dënuar, organet e burgut pranojnë këtë kërkesë sa me shpejt të jetë e mundur.”
E DREJTA
...
II. THEMELI
A. Pretendimi për shkelje të nenit 2 të Protokollit Nr.1 të Konventës
26. Kërkuesi pretendoi se ai i ishte mohuar e drejta për të studiuar në shkollën e burgut të Stara Zagora, në shkelje të nenit 13 të Konventës dhe nenit 2 të Protokollit Nr. 1 të Konventës. Gjykata është e mendimit se pretendimi duhet të shqyrtohet në bazë të nenit 2 të Protokollit Nr. 1, i cili parashikon si vijon:
“Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike.”
1. Argumentet e palëve
27. Kërkuesi argumentoi se legjislacioni i brendshëm nuk i ndalonte shprehimisht të burgosurit në pritje të gjykimit për të marrë pjesë në programin edukativ të burgut, prandaj ai duhet të ishte trajtuar në të njëjtën mënyrë si të burgosurit e dënuar dhe të lejohej të bëhej pjesë e programeve arsimore. Në veçanti, sipas tij, dispozitat në lidhje me aksesin në institucionet arsimore të burgut duhet të jenë jo vetëm në shërbim të të burgosurve të dënuar por edhe të të gjithë të paraburgosurve. Në parashtrimet e tij, kërkuesi pretendonte se autoritetet vendore i kanë interpretuar dispozitat përkatëse në mënyrë të gabuar dhe si rezultat e kishin trajtuar atë në mënyrë diskriminuese, ia kishin kufizuar të drejtat më shumë se sa ishte e nevojshme për qëllime të ndalimit të tij dhe e kishin privuar automatikisht dhe në mënyrë arbitrare nga e drejta e tij për arsimim.
28. Gjithashtu, kërkuesi kundërshtoi argumentin, ku u mbështetën autoritetet e burgut dhe Qeveria, në parashtrimet e tyre, se një person që ka gjasa të dënohet si "përsëritës", ishte e justifikueshme t’i mohohej e drejta për t’u arsimuar në burg, në interes të "jo përsëritësve" të cilët arsimoheshin po aty. Ai vuri në dukje se gjatë periudhës që ai mbahej në burgun e Stara Zagora, të burgosur të tjerë që ishin përsëritës arsimoheshin në shkollën e burgut. Pra, kjo tregonte se parimi i ndarjes së "përsëritësve" nga të burgosurit e tjerë nuk ishte respektuar. Për më tepër, kërkuesi deklaroi se ishte i palogjikshëm përjashtimi i tij nga shkolla me argumentin se duke qenë se ishte i burgosur i padënuar, ekzistonte mundësia që ai të lirohej para përfundimit të vitit shkollor. Ai kaloi pothuajse dy vite të plota shkollore në paraburgim në burgun e Stara Zagora. Autoritetet e burgut mund të kishin marrë edhe informacion nga Prokuroria në lidhje me kohëzgjatjen e mbajtjes së tij në burg. Kërkuesi pretendoi se ai prezumohej i pafajshëm deri në dhënien e një dënimi nga ana e gjykatës dhe nuk duhet t’i ishte mohuar e drejta për arsimim gjatë kësaj periudhe. Kur u dënua dhe u transferua në burgun Pazardjik, ai nuk kishte mundësi për t’u arsimuar, sepse nuk kishte asnjë shkollë në atë burg.
29. Qeveria pretendoi se, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës, u takonte autoriteteve të brendshme për të rregulluar dhe planifikuar institucionet arsimore në vendin e tyre. Vendimi nga autoritetet e burgut për të përjashtuar kërkuesin nga shkolla e burgut ishte e arsyeshme, duke pasur parasysh nevojën për të aplikuar standardet dhe kushtet e ndryshme në lidhje me kategoritë e ndryshme të të burgosurve. Ndalimi i kërkuesit në burgun e Stara Zagorës, një burg i projektuar kryesisht për "jo përsëritësit", ishte e jashtëzakonshme dhe, në atë kohë, ishte e paqartë se sa kohë ai do të vazhdonte të qëndronte atje. Së pari, Qeveria argumentoi se si i burgosur në pritje të gjyqit nuk ishte e përshtatshme që kërkuesi të shkonte në të njëjtën shkollë me të burgosurit e dënuar. Për më tepër, sipas dispozitave të Ligjit për Ekzekutimin e Dënimeve të zbatueshëm në atë kohë, të burgosurit në pritje të gjykimit nuk lejoheshin të regjistroheshin në shkollën e burgut, përveçse kur dihej me siguri se ata do të qëndronin në burg për të paktën një vit shkollor. Së dyti, si i burgosur në pritje të gjyqit, i cili rrezikonte të dënohej si "përsëritës", ishte e përshtatshme që rregullat mbi burgosurit "përsëritës" të zbatoheshin edhe tek ai (shih paragrafin 20 më lart). Nëse nuk do të bëhej kjo gjë, autoritetet e burgut nuk do të ishin plotësisht në gjendje të mbronin të burgosurit "jo përsëritës" nga kontakti me "përsëritësit". Përveç kësaj, një zbutje e rregullave që zbatoheshin për "përsëritësit" do të dobësonin efektin parandalues të dënimit me burg. Nëse kërkuesi do të ishte shpallur i pafajshëm, ai do të lirohej menjëherë dhe përjashtimi i tij nga shkolla e burgut nuk do të kishte më efekt mbi të. Së fundi, Qeveria theksoi se, pas transferimit të tij në burgun e Pazardjik, kërkuesi nuk kërkoi të përfshihej në aktivitete arsimore.
2. Vlerësimi i Gjykatës
(a) Parimet e përgjithshme
30. Gjykata si fillim theksoi se të burgosurit në përgjithësi vazhdonin të gëzonin të gjitha të drejtat dhe liritë e garantuara sipas Konventës përveç të drejtës për liri, kur ndalimi në mënyrë të ligjshme bie shprehimisht në fushëveprimin e nenit 5 të Konventës. Kështu për shembull, të burgosurit nuk mund të keqtrajtohen apo tu nënshtrohen dënimeve dhe kushteve çnjerëzore e poshtërues të cilat janë në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Ata vazhdojnë të gëzojnë të drejtën e respektimit të jetës familjare, e drejta e lirisë së shprehjes, të drejtën për të praktikuar fenë e tyre, të drejtën për akses efektiv tek një avokat apo në gjykatë për qëllime të nenit 6, të drejtën për respektimin e korrespondencës dhe të drejtën për t’u martuar. Çdo kufizim mbi këto të drejta të tjera kërkon duhet të jetë i justifikuar, ndonëse justifikime të tilla mund të gjenden në kuadër të sigurisë, në veçanti parandalimi i krimeve dhe trazirave, të cila në mënyrë të pashmangshme rrjedhin nga rrethanat e burgosjes (shih Hirst k. Mbretërisë së Bashkuar (nr.2) [GC], nr. 74025/01, § 69, ECHR 2005-IX, dhe rastet e përmendura aty; shih gjithashtu Stummer k. Austrisë [GC], nr. 37452/02, § 99, ECHR 2011). Në vendimin[1] Hirst, cituar më lart, § 70, Gjykata pohonte se " nuk ka... asnjë dyshim se i burgosuri nuk i humb të drejtat e tij sipas Konventës thjesht për shkak të statusit të tij si një person i burgosur pas një vendimi gjyqësor". Ky parim vlen aq më tepër në lidhje me një person, siç është kërkuesi, i cili nuk është i dënuar dhe rrjedhimisht prezumohet i pafajshëm (shih, për shembull, Laduna k. Sllovakisë, nr. 31827 / 02, §§ 64 dhe 67, ECHR 2011).
31. Në lidhje me të drejtën e arsimimit, pavarësisht se neni 2 i Protokollit Nr. 1 nuk mund të interpretohet se detyron Shtetet Kontraktuese për të ngritur ose subvencionuar institucione të veçanta arsimore, nëse këta (Shtete Kontraktuese) vendosin ta bëjnë një gjë të tillë, atëherë ata janë të detyruar të garantojnë akses efektive në këto institucione. E thënë ndryshe, aksesi në institucionet arsimore ekzistuese në një kohë të dhënë është pjesë e pandarë e të drejtës së përcaktuar në fjalinë e parë të nenit 2 të Protokollit Nr. 1 (shih Çështjen "në lidhje me aspekte të caktuara të ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve në arsimin në Belgjikë ", vendim i datës 23 korrik 1968, Seria A nr. 6, §§ 3-4; Ponomaryovi k. Bullgarisë, nr. 5335/05, § 49, ECHR 2011; dhe Catan dhe të Tjerët k. Republikës së Moldavisë dhe Rusisë [GC], nr. 43370/04, 8252/05 dhe 18454/06, § 137, ECHR 2012 (ekstrakte)). Kjo dispozitë vlen për nivelet fillore, të mesme dhe të larta të arsimit (shih Leyla Sahin k. Turqisë [GC], nr. 44774/98, §§ 134 dhe 136, ECHR 2005-XI).
32. Megjithatë Gjykata pranon se, në dritën e rëndësisë së saj, e drejta për arsimim nuk është absolute, pra mund të kufizohet. Me kushtin që të mos cenohet vet thelbi i së të drejtës, këto kufizime lejohen, pasi e drejta për akses "nga natyra kërkon rregullim nga ana e Shtetit". Në mënyrë që të garantohet që kufizimet të mos jenë të tilla që e kufizojnë të drejtën në fjalë në një masë të tillë që të cenojnë vet thelbin e për rrjedhojë dhe efektivitetin e saj, Gjykata duhet të sigurohet që kufizimet janë të parashikueshme dhe ndjekin një qëllim legjitim. Megjithatë, ndryshe nga nenet 8 deri në 11 të Konventës, për nenin 2 të Protokollit Nr. 1 nuk ka një listë shteruese " të qëllime legjitime". Për më tepër, një kufizim është në përputhje me nenin 2 të Protokollit Nr. 1 vetëm nëse ekziston një marrëdhënie e arsyeshme proporcionaliteti ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që kërkohet të arrihet. Edhe pse vendimi përfundimtar në lidhje me respektimin e kërkesave të Konventës i takon Gjykatës, Shtetet Kontraktuese gëzojnë një liri të caktuar vlerësimi në këtë fushë (shih Catan, cituar më lart, § 140, dhe rastet e cituara aty).
33. Është e vërtetë se arsimimi është një aktivitet që është kompleks për t’u organizuar dhe i shtrenjtë për t’u drejtuar, ndërkohë që burimet që autoritetet mund të vënë në dispozicion të këtij aktiviteti nuk janë të pafundme. Është gjithashtu e vërtetë se, Shtete, të cilat janë përgjegjëse për rregullimin në fushën e arsimit, duhet të vendosin një ekuilibër ndërmjet nevojave arsimore të personave nën juridiksionin e tyre nga njëra anë dhe kapacitetit të tij të kufizuar për t’i sistemuar, nga ana tjetër. Megjithatë, Gjykata nuk mund të anashkaloj faktin se, ndryshe nga disa shërbime të tjera publike, arsimi është një e drejtë që gëzon mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Konventës. Gjithashtu, ai është një lloj shumë i veçantë i shërbimit publik, nga i cili përfitojnë drejtpërdrejt jo vetëm ata që e përdorin atë, por i shërben shoqërisë në një kuptim më të gjerë. Në të vërtetë, Gjykata ka theksuar dhe më parë se "në një shoqëri demokratike, e drejta për arsim ... është e domosdoshme për zhvillimin e të drejtave të njeriut dhe luan ... një rol themelor ..." (shih, mutatis mutandis, Ponomaryovi k. Bullgarisë, nr. 5335/05, § 55, ECHR 2011).
(b) Zbatimi i këtyre parimeve në faktet e çështjes në fjalë
34. Ndërsa Gjykata është në dijeni të rekomandimeve të Komitetit të Ministrave se institucionet arsimore duhet të jenë në dispozicion të të gjithë të burgosurve (shih paragrafët 21-24 më lart), ajo kujton se neni 2 i Protokollit Nr. 1 nuk vendos ndonjë detyrim mbi Shtetet Kontraktuese për të ngritur institucione të tilla në dispozicion të të burgosurve (shih Natoli k. Italisë, nr. 26161/95, vendimin e Komisionit të datës 18 maj 1998 të pa raportuar dhe Epistatu k. Romanisë, nr. 29343/10, § 63 24 shtator 2013). Megjithatë, pretendimet e kërkuesit në çështjen konkrete kanë të bëjnë me refuzimin që i është bërë atij për tu regjistruar në institucionet ekzistuese arsimore të burgut të Stara Zagora. Siç u përmend më lart, e drejta e aksesit në institucione ekzistuese arsimore bie nën fushëveprimin e nenit 2 të Protokollit Nr. 1. Çdo kufizim mbi këtë të drejtë duhet, pra, të jetë i parashikueshëm, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të jetë në proporcion me qëllimin e ndjekur (shih paragrafin 32 më lart). Ndonëse neni 2 i Protokollit Nr. 1 nuk vendos një detyrim pozitiv për të siguruar arsimim në burgje në të gjitha rrethanat, kur një mundësi e tillë është në dispozicion ajo nuk duhet të jetë subjekt i kufizimeve arbitrare dhe të paarsyeshme.
35. Gjykata e konsideron të hapur diskutimin lidhur me faktin nëse kufizimi ishte i parashikueshëm për kërkuesin për qëllimet e nenit 2 të Protokollit Nr. 1. Korniza ligjore përkatëse parashikonte se të dënuarit me burgim të moshës 16 vjeçare e lartë kishin të drejtë të kërkonin përfshirjen e tyre në programet arsimore dhe se, në mungesë të rregullave të qarta që tregojnë të kundërtën, dispozitat lidhur me të burgosurit e dënuar zbatoheshin në mënyrë të barabartë edhe për të burgosurit përsëritës. Dispozita e vetme që kishte të bënte me të drejtat e të paraburgosurve në arsim parashikonte se autoritet e burgut duhet të "inkurajonin" të paraburgosurit për të marrë pjesë në programet arsimore të burgut (shih paragrafët 15-19 më lart).
36. Mungesa e qartësisë në kuadrin ligjor u reflektua në faktin se, gjatë procedurave të brendshme dhe asaj pranë kësaj Gjykate, arsye të ndryshme janë dhënë nga autoritetet kombëtare për refuzimin e kërkesës së kërkuesit për t’u regjistruar në shkollë. Kërkesa e tij u refuzua nga Drejtoria e Ekzekutimit të Dënimeve në Ministrinë e Drejtësisë me arsyetimin se "sapo të jepej vendimi i dënimit të tij", ai do të transferohej në një burg për "përsëritësit" dhe se shkeleshin kërkesat ligjore për të mbajtur ndarazi të burgosurit "përsëritës" nga ata "jo përsëritës" nëse ai do të lejohej të ndiqte shkollën në burg së bashku me të burgosurit "jo përsëritës" (shih paragrafin 7 më sipër). Më pas, Guvernatori i Burgut, gjithashtu refuzoi kërkesën e tij mbi baza të njëjta (shih paragrafin 8 më sipër). Kur kërkuesi apeloi kundër vendimit të autoriteteve të burgut për përjashtimin e tij nga e drejta për tu arsimuar në shkollën e burgut, Gjykata Rajonale e Stara Zagora vendosi se ai nuk mund të klasifikohej si "përsëritës" dhe urdhëroi Guvernatorin e Burgut të pranonte kërkesën e tij për t’u regjistruar në shkollën e burgut. Në apelimin e mëvonshëm të Guvernatorit të Burgut, në Gjykatën e Lartë Administrative, kjo e fundit anuloi vendimin e Gjykatës Rajonale me arsyetimin se kërkuesi nuk kishte të drejtë që të merrte pjesë në programin edukativ të burgut pasi e drejta për arsimim sipas legjislacionit në fuqi u takonte vetëm personave të cilët ishin të burgosur në sajë të një vendimi përfundimtar dhe jo atyre të cilët mbaheshin të burgosur në pritje të gjykimit të tyre (shih paragrafin 12 më lart).
37. Përveç kësaj, gjatë procedimit para kësaj Gjykate, Qeveria u mbështet në tri argumente të ndryshme për të justifikuar përjashtimin e kërkuesit nga e drejta për t’u arsimuar në burg. Së pari, ata pretendonin se, duke qenë se kërkuesi mbahej në burg në pritje të gjykimit, ishte e pa përshtatshme që ai të ndiqte të njëjtën shkollë me të burgosurit e dënuar. Së dyti, ata argumentuan se, duke qenë se paraburgimi ishte për një periudhë të pacaktuar, ishte e pa përshtatshme për të që të ndiqte shkollën e cila ishte destinuar për të burgosurit që vuanin dënime prej 12 muajsh e më shumë. Së treti, duke qenë se kërkuesi rrezikonte të dënohej si "përsëritës", nuk ishte në interesin e të burgosurve të dënuar "jo përsëritës" që të ndiqnin të njëjtën shkollë me kërkuesin.
38. Për Gjykatën, vlen të thuhet se Qeveria nuk i ka mbështetur argumentet e saj në prova që kanë të bëjnë me kushtet e zbatueshme në burgun e Stara Zagora. Nevoja për të mbrojtur kërkuesin duke e mbajtur atë larg nga të burgosurit e dënuar, për shkak të statusit të tij si një i burgosur në pritje të gjykimit, nuk ishte argumenti ku ishin mbështetur autoritetet e burgut në refuzimin e kërkesës së kërkuesit. Për më tepër, ishte e qartë nga kërkesat e shumta të kërkuesit që të lejohej të regjistrohej në shkollën e burgut se ai nuk kishte kundërshtim për faktin se do ndodhej së bashku me të burgosurit e dënuar. Në materialin para Gjykatës, nuk ka dëshmi që tregojnë se të burgosurit në pritje të gjykimit do të kishin shkaktuar ndonjë dëm brenda mjediseve të kontrolluar dhe mbikëqyrura të klasës apo që të burgosurit në pritje të gjykimit mbaheshin veçmas nga të burgosurit e dënuar me vendim të formës së prerë apo "përsëritësve" brenda burgut të Stara Zagora dhe nëse po, nëse kjo ndarje zbatohej për të gjitha aspektet e regjimit brenda burgut.
39. Argumenti i dytë në të cilin u mbështet Qeveria ishte se periudha e paraburgimit ishte e papërcaktuar dhe e drejta e brendshme kërkonte që vetëm të burgosurit që vuanin dënime një vit ose më shumë mund të regjistroheshin në shkollën e burgut. Megjithatë, Qeveria nuk kishte dhënë shpjegime pse ky ishte një kusht i nevojshëm për pranimin në një shkollë të burgut. Për sa i përket, në mënyrë specifike, të burgosurve në pritje të gjykimit siç është rasti i kërkuesit, Gjykata nuk mendon se fakti i pa përcaktueshmërisë së periudhës së paraburgimit duhet të përdoret si një justifikim për t’i privuar ata nga aksesi në programet arsimore në burgje, për veçse në rastet kur është më se e qartë, për disa arsye, që paraburgimi do të jetë me kohëzgjatje të shkurtër. Për më tepër, Qeveria nuk i ka parashtruar Gjykatës informacione statistikore në lidhje me disponueshmërinë e burimeve në shkollë të tilla që të justifikojnë, për shembull, një politikë të përqendrimit të burimet të kufizuara vetëm për të burgosurit që vuajnë dënime më të gjata.
40. Së fundi, në lidhje me argumentin e fundit të parashtruar nga Qeveria, përkatësisht nevojën për të mbajtur kërkuesin veçmas nga të burgosurit e tjerë për shkak të rrezikut se ai mund të dënohet si "përsëritës", Gjykata nuk e konsideron këtë një arsye të ligjshme, pasi gjatë kohës në fjalë kërkuesi ishte i padënuar dhe gëzonte të drejtën e prezumimit të pafajësisë.
41. Rrjedhimisht, Gjykata nuk i konsideron argumentet e parashtruara nga Qeveria bindëse, veçanërisht kur ato janë të pambështetura në prova që lidhen me modalitete të qarta për të pasur akses në shkollën e burgut të Stara Zagora. Në anën tjetër të peshores duhet të vendoset interesi i pa dyshuar i kërkuesit për të përfunduar arsimin e tij të mesëm. Përfitimet e ofrimit të arsimimit në burgje, qoftë në lidhje me të burgosurit qoftë për sa i përket mjedisit të burgjeve dhe shoqërisë në tërësi janë njohur nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në rekomandimet e tij për arsimin në burg dhe në Rregullat Evropiane të Burgjeve (shih paragrafët 21-24 më lart).
42. Në rastin konkret Qeveria nuk dha as arsye praktike, për shembull lidhur me mungesën e burimeve në shkollë, as shpjegime të qarta lidhur me bazën ligjore për kufizimin e vendosur kundrejt të drejtës së kërkuesit për t’u arsimuar. Në këto rrethana, bazuar në dëshmitë para saj, Gjykata vlerëson se refuzimi i kërkuesit për t’u regjistruar në shkollën e Burgun të Stara Zagora nuk është mjaftueshëm i parashikueshëm, nuk ndjek një qëllim legjitim dhe nuk është në proporcion qëllimin e ndjekur. Rrjedhimisht ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit Nr. 1.
...
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA NJËZËRI,
1. Deklaron të pranueshme kërkesën;
2. Vendos se ka pasur shkelje të nenit 2 të Protokollit Nr. 1 të Konventës;
...
Përgatitur në gjuhën angleze dhe njoftuar me shkrim më 27 maj 2014, sipas nenit 77 §§ 2 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës.
Françoise Elens-PassosIneta Ziemele
KancelarPresident
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2015.
Ky përkthim u bë i mundur me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk është detyrues për Gjykatën dhe kjo e fundit nuk ka përgjegjësi për cilësinë e përkthimit. Ai mund të shkarkohet nga baza e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, HUDOC (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash të cilës Gjykata ia përcjell. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo fitimprurëse me kushtin e përdorimit të titullit të plotë të çështjes, të dhënat e së drejtës së autorit dhe referencat përkatëse të Fondit të Mirëbesimit të të Drejtave të Njeriut. Nëse pjesë të këtij përkthimi do të përdoren për qëllime fitimprurëse, ju lutem kontaktoni: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2015.
This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has to share it. It may be reproduced for non-commercial purpose on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for the commercial purpose please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2015.
La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée a partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cite en rentier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante: publishing@.
[1] për pranueshmërinë dhe themelin
Full & Egal Universal Law Academy