VEREIN GEGEN TIERFABRIKEN SCHWEIZ (VgT) kundër ZVICRËS (NR. 2)
(kërkesa nr. 32772/02)
30 qershor 2009
Dhomë e Madhe
detyrimi i shteteve për të ekzekutuar vendimet e GJEDNJ
I. Faktet kryesore
1. Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) është një shoqatë për mbrojtjen e kafshëve e regjistruar në Zvicër, që bën veçanërisht fushatë kundër eksperimentimit mbi kafshët dhe pularive me prodhimtari të lartë.
2. Në kundërpërgjigje të reklamave të ndryshme të prodhuara nga industria e përpunimit të mishit, VgT realizoi një reklamë televizive ku përfshihej një skenë që shfaqte një sallë të zhurmshme ku derrat mbaheshin në kafaze shumë të vogla.
3. Leja për ta transmetuar reklamën u refuzua në janar 1994 nga Kompania e Reklamave Televizive dhe në shkallë të fundit nga Gjykata Federale. Shoqata kërkuese paraqiti një kërkesë fillestare në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në vendimin e 28 qershorit 2001 theksoi se refuzimi i autoriteteve zvicerane për ta transmetuar reklamën në fjalë përbënte një shkelje të lirisë së shprehjes. Gjykata gjeti një shkelje të nenit 10 të Konventës dhe caktoi si dëmshpërblim për shoqatën 20 mijë franga zvicerane (rreth 12 mijë euro) për koston dhe shpenzimet gjyqësore.
4. Më 1 dhjetor 2001, mbi bazën e vendimit të Gjykatës, shoqata kërkuese paraqiti një kërkesë pranë Gjykatës Federale për rishikimin e vendimit të formës së prerë që ndalonte transmetimin e reklamës. Në një vendim të 29 prillit 2002, Gjykata Federale e hodhi poshtë kërkesën, duke argumentuar ndër të tjera se shoqata kërkuese nuk kishte vërtetuar që transmetimi i reklamës kishte ende vlerë.
5. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, që është përgjegjës për mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës, nuk ishte informuar fare që Gjykata Federale e kishte hedhur poshtë kërkesën për rishikim dhe për pasojë e mbylli shqyrtimin e kërkesës fillestare të shoqatës kërkuese, duke aprovuar një rezolutë përfundimtare në korrik 2003. Prapëseprapë, rezoluta sugjeronte mundësinë për të kërkuar rihapjen e procedimeve në Gjykatën Federale.
2. Vendimi i Gjykatës
6. Në korrik 2002, shoqata kërkuese paraqiti kërkesën e saj në Gjykatë, për sa i përket hedhjes poshtë që i bëri Gjykata Federale kërkesës për të rihapur procedimet dhe ndalimit të vazhdueshëm të transmetimit të reklamës së saj televizive. Në një vendim dhome të datës 4 tetor 2007, Gjykata Europiane tha se kishte pasur një shkelje të nenit 10. Dhoma e Madhe e pranoi kërkesën e qeverisë zvicerane, që çështja t’i kalohej Dhomës së Madhe sipas nenit 43 të Konventës (referimi për Dhomën e Madhe). Komentet e palëve të treta u morën nga Qeveria Çeke, e cila kishte marrë leje nga Presidenti për të ndërhyrë me procedurë me shkrim.
7. Shoqata kërkuese pretendoi se ndalimi i vazhdueshëm i transmetimit të reklamës televizive, pasi Gjykata Europiane kishte gjetur shkelje të lirisë së shprehjes më 28 qershor 2001, përbënte një shkelje të re të nenit 10 të Konventës.
A. Në lidhje me nenin 35
8. Qeveria zvicerane pretendoi se kërkesa ishte e papranueshme, sepse kishte lidhje me një subjekt – ekzekutimi i vendimeve të GJEDNJ-së – që, sipas nenit 46, përfshihej në juridiksionin ekskluziv të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.
9. Gjykata përsëriti, se konstatimet e një shkeljeje nga ana e saj ishin në thelb shpjeguese dhe se mbikëqyrja e ekzekutimit ishte e Komitetit të Ministrave. Roli i këtij komiteti në këtë drejtim, prapëseprapë, nuk donte të thoshte se masat e marra nga një shtet përgjegjës për korrigjimin e një shkeljeje të gjetur nga Gjykata nuk përbënin një problem të ri, kështu që formohej subjekti i një kërkese të re. Në çështjen në fjalë, vendimi i Gjykatës Federale i 29 prillit 2002, që refuzonte kërkesën e shoqatës kërkuese për të rihapur procedimet, ishte mbështetur mbi baza të reja dhe për pasojë përbënte informacion të ri, për të cilin nuk ishte informuar fare Komiteti i Ministrave dhe që do t’i shpëtonte gjithë shqyrtimit sipas Konventës, nëse Gjykata Europiane nuk do të kishte mundësi ta merrte në shqyrtim. Për rrjedhojë, kundërshtimi paraprak i Qeverisë në këtë drejtim u hodh poshtë.
B. Në lidhje me nenin 10
10. Gjykata përsëriti se liria e shprehjes ishte një nga parakushtet për një demokraci funksionale dhe se ushtrimi efektiv dhe i vërtetë i kësaj lirie nuk varej thjesht nga detyrimi i Shtetit për të mos ndërhyrë, por mund të kërkonte gjithashtu marrjen e masave pozitive. Në çështjen në fjalë, duke parë rëndësinë e ekzekutimit efektiv të vendimeve të Gjykatës në sistemin e Konventës, Zvicra kishte pasur detyrimin për të ekzekutuar në mirëbesim vendimin e vitit 2001, duke u pajtuar edhe me përfundimet e vendimit, edhe me frymën e tij. Në këtë drejtim, rihapja e procedimeve të brendshme kishte qenë një masë domethënëse për të siguruar ekzekutimin e vendimit, por me siguri që nuk mund të konsiderohej si masë përfundimtare në vetvete. Në mungesë të çdo baze të re, që mund të justifikonte vazhdimin e ndalimit sipas nenit 10, autoritetet zvicerane kishin pasur detyrimin për të autorizuar transmetimin e reklamës, pa u vendosur në pozicionin e shoqatës kërkuese për të gjykuar nëse debati në fjalë ishte ende një çështje e interesit publik.
11. Për rrjedhojë Gjykata gjeti një shkelje të re të nenit 10.
C. Në lidhje me nenin 41
12. Gjykata caktoi për shoqatën kërkuese 4 mijë euro për kostot dhe shpenzimet gjyqësore.
Full & Egal Universal Law Academy