© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA VINTER ME TË TJERË k. MBRETËRISË SË BASHKUAR
(Kërkesëpaditë nr. 66069/09, 130/10 dhe 3896/10)
VENDIM
STRASBURG
9 korrik 2013
Ky vendim është bërë i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Vinter me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann, kryetar,
Josep Casadevall,
Guido Raimondi,
Ineta Ziemele,
Mark Villiger,
Isabelle Berro-Lefèvre,
Dragoljub Popović,
Luis López Guerra,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Nona Tsotsoria,
Ann Power-Forde,
Işıl Karakaş,
Nebojša Vučinić,
Linos-Alexandre Sicilianos,
Paul Lemmens,
Paul Mahoney,
Johannes Silvis, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 28 nëntor 2012 dhe 29 maj 2013,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhen tri kërkesëpadi (nr. 66069/09, 130/10 dhe 3896/10) të ngritura kundër Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe të Irlandës së Veriut e me anë të të cilave tre qytetarë të këtij shteti, Z. Douglas Gary Vinter (“paditësi i parë”), Z. Jeremy Neville Bamber (“paditësi i dytë”) dhe Z. Peter Howard Moore (“paditësi i tretë”) i janë drejtuar Gjykatës përkatësisht më 11 dhjetor 2009, më 17 dhjetor 2009 dhe më 6 janar 2010 në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësi i parë, i lindur më 1969, gjendet tani i burgosur në institucionin e vuajtjes së dënimit në Frankland. Ai është përfaqësuar përpara Gjykatës nga Z. S. Creighton, avokat në Londër pranë studios Bhatt Murphy Solicitors, i ndihmuar nga av. P. Weatherby, QC (Queen’s Counsel), në cilësinë e konsulentit, dhe nga profesori D. van Zyl Smit.
3. Paditësi i dytë, i lindur më 1961, gjendet tani i burgosur në institucionin e vuajtjes së dënimit në Full Sutton. Ai është përfaqësuar përpara Gjykatës nga Z. B. Woods, avokat në Lids pranë studios Cousins Tyrer Solicitors, i ndihmuar nga av. R. Horwell, QC, dhe nga av. L. Hindmarsh, në cilësinë e konsulentëve.
4. Paditësi i tretë, i lindur më 1946, gjendet tani i burgosur në institucionin e vuajtjes së dënimit në Wakefield. Ai është përfaqësuar përpara Gjykatës nga studioja Chivers Solicitors, nga Bingley, me ndihmën e av. M. McKone, në cilësinë e konsulentit.
5. Qeveria britanike (“Qeveria”) është përfaqësuar nga agjentja e saj, Znja L. Dauban, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Komonuellthit.
6. Paditësit i shihnin dënimet me burgim të përjetshëm real të shpallura ndaj tyre si keqtrajtime në kundërshtim me nenin 3 të Koventës.
7. Kërkesëpaditë i janë caktuar Seksionit të Katërt të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës – “Rregullorja”). Në vendimin e saj të 17 janarit 2012, një dhomë e këtij seksioni e përbërë prej gjyqtarëve Garlicki, David Thór Björgvinsson, Bratza, Hirvelä, Nicolaou, Bianku dhe De Gaetano, si edhe prej T.L. Early, sekretar seksioni, vendosi njëzëri t’i bashkojë kërkesat dhe t’i shpallë ato të pranueshme lidhur me pretendimet e formuluara në fushën e nenit 3 dhe të papranueshme për gjithçka më tepër. Dhoma, me katër vota në favor e tri kundër, doli gjithashtu në përfundimin se, për secilin nga paditësit, nuk kishte pasur shkelje të nenit 3. Vendimit i bashkëngjitej paraqitja e mendimit pajtues të gjyqtarit De Gaetano dhe e mendimit pjesërisht kundërshtues të përbashkët për gjyqtarët Garlicki, David Thór Björgvinsson dhe Nicolaou.
8. Më 9 korrik 2012, duke i dhënë të drejtë një kërkese të formuluar nga paditësit më 12 prill 2012, kolegji i Dhomës së Madhe ka vendosur ta kalojë çështjen përpara kësaj të fundit sipas nenit 43 të Konventës.
9. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me nenet 26 §§ 4 e 5 të Konventës dhe 24 të Rregullores. Gjatë diskutimeve përfundimtare, András Sajó, i cili nuk mund të merrte pjesë, është zëvendësuar nga Işıl Karakaş, zëvendësgjyqtare (neni 24 § 3 i Rregullores).
10. Edhe paditësit, edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje plotësuese me shkrim rreth thelbit (neni 59 § 1 i Rregullores).
11. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 28 nëntor 2012 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
ZnjaL. Dauban,agjente,
ZtëD. Perry QC,
L. Mably,avokatë,
J. Guess,
ZnjaA. Foulds,këshilltarë;
– për paditësit
ZtëR. Horwell QC,
P. Weatherby QC,
L. Hindmarsh,avokatë,
S. Creighton,
B. Woods,
D. Van Zyl Smit,këshilltarë.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Zve Perry e Weatherby si edhe përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të saj.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
A. Hyrje
12. Që prej ndalimit të dënimit me vdekje në Angli e në Uells, vrasja dënohet atje detyrimisht me burgim të përjetshëm (mandatory sentence of life imprisonment). Tashmë, çdo juridiksion gjykimi që shpall një dënim të tillë është i detyruar të caktojë, në funksion të seriozitetit të veprës penale të kryer, një periudhë minimale burgimi (minimum term of imprisonment) që i burgosuri duhet të kryejë për qëllim ndëshkimi e shlyerjeje krimi. Parimet që e udhëheqin vlerësimin e periudhës së duhur minimale nga ana e juridiksionit gjykues parashtrohen në aneksin 21 të Ligjit të vitit 2003 për drejtësinë penale (Criminal Justice Act 2003, “Ligji i vitit 2003” – paragrafët 38 dhe 39 të mëposhtëm). Pasi e kryen këtë periudhë burgimi, i burgosuri mund ta kërkojë lirimin e tij pranë Komisionit të Lirimit me Kusht.
Megjithatë, në mënyrë të jashtëzakonshme, juridiksioni gjykues mund të shpallë një dënim me burgim të përjetshëm real (whole life order) në vend të në periudhe minimale burgimi, në qoftë se, në zbatim të parimeve të parashtruara në aneksin 21, ai çmon që vepra penale është e një serioziteti të jashtëzakonshëm.
I burgosuri i dënuar me burgim të përjetshëm real mund të lirohet atëherë vetëm në saje të kompetencës vetëgjykimore që i është dhënë ministrit nga neni 30 § 1 i Ligjit të vitit 1997 për dënimet në fushën kriminale (Crime (Sentences) Act 1997 – “Ligji i vitit 1997”). Ministri mund ta ushtrojë këtë kompetencë vetëm për arsye humanitare, në rast se i interesuari është i prekur nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse në fazë fundore ose nga ndonjë invaliditet i rëndë (Urdhëresa nr. 4700 e administratës së burgjeve – Prison Service Order 4700 – paragrafi 43 i mëposhtëm).
13. Para hyrjes në fuqi të Ligjit të vitit 2003, në praktikë, juridiksioni gjykues shpallte dënimin me burgim detyrimisht të përjetshëm dhe ministri caktonte, me rekomandim të vetë këtij juridiksioni dhe të Lord Chief Justice, periudhën minimale të qëndrimit në burg që duhet të kryente i burgosuri përpara se të mund të përfitonte nga një lirim i parakohshëm me kusht. Kjo periudhë quhej atëherë edhe “periudhë ndëshkimore” (tariff) e dënimit.
Ministri kishte gjithashtu mundësi të caktonte një periudhë ndëshkimore të përjetshme (whole life tariff). Praktikisht, ministri e rishqyrtonte këtë masë pas njëzet e pesë vjetësh burgim, për të përcaktuar nëse ajo përligjej ende, sidomos kur i burgosuri kishte bërë përparime të jashtëzakonshme në institucionin e vuajtjes së dënimit (shih çështjen Hindley, paragrafi 46 i mëposhtëm).
Që prej hyrjes në fuqi të Ligjit të vitit 2003 (dhe sidomos të nenit të tij 276 e të aneksit të tij 22, të cilët parashtrojnë një varg masash kalimtare për personat që vuajnë tashmë një dënim me burgim të përjetshëm – paragrafët 40 dhe 41 të mëposhtëm), të gjithë të burgosurit periudha ndëshkimore e të cilëve është caktuar nga ministri mund të ankohen në High Court me një kërkesë për rishqyrtim të kësaj mase. High Court mund të caktojë një periudhë minimale qëndrimi në burg ose të urdhërojë burgimin e përjetshëm real.
14. Kjo çështje ka të bëjë me tre paditës që, të gjetur fajtorë për vrasje në përfundim të procedurave penale më vete të ndjekura në Angli e në Uells, vuajnë aktualisht dënime me burgim detyrimisht të përjetshëm. Dënimi me burgim të përjetshëm është shpallur në të tria rastet: në rastin e paditësit të parë, nga juridiksioni gjykues në përputhje me rregullat e tanishme të caktimit të dënimeve dhe, në rastin e paditësve të dytë dhe të tretë, të dënuar përpara hyrjes në fuqi të Ligjit të vitit 2003, nga High Court. Që të tre paditësit çmojnë se këto dënime me burgim të përjetshëm real, ashtu siç zbatohen në rastin e tyre, janë të papajtueshme veçanërisht me nenet 3 dhe 5 § 4 të Konventës. Faktet e çështjes në fjalë, ashtu siç janë parashtruar prej palëve, mund të përmblidhen si më poshtë.
B. Z. Vinter
15. Më 20 maj 1996, paditësi i parë u dënua, për vrasjen e një kolegu pune, me burgim të përjetshëm me një periudhë minimale qëndrimi në burg prej dhjetë vjetësh. Ai u nxor në liri me kusht më 4 gusht 2005.
16. Ai filloi të bashkëjetojë me një grua e cila do të bëhej viktima e vrasjes së tij të dytë. U martua me të më 27 qershor 2006. Më 31 dhjetor 2006, ai mori pjesë në një përleshje në një bar dhe u akuzua për ushtrim dhune (affray, vepër penale e cila përkufizohet me përdorimin ose me kanosjen për përdorim të një dhune të paligjshme). Lirimi i tij me kusht u shfuqizua dhe ai u fut përsëri në burg. Në korrik 2007, meqenëse e pranoi fajësinë e vet për akuzën e rrahjes, ai u dënua me gjashtë muaj burgim. Ai u nxor përsëri në liri me kusht në dhjetor 2007 dhe u kthye të jetonte me bashkëshorten e vet dhe me katër fëmijët e kësaj të fundit. Më pas, çifti u nda dhe i interesuari u largua nga banesa bashkëshortore.
17. Më 5 shkurt 2008, paditësi i parë e ndoqi nga pas të shoqen në një bar. Ai ishte i pirë dhe kishte marrë kokainë. Çifti u grind dhe vajza e bashkëshortes së të interesuarit, e cila ishte e pranishme, i telefonoi policisë për ta alarmuar. Paditësi i parë e urdhëroi të shoqen që të hipte në një automjet. Kur e bija e së shoqes u orvat t’i ngjitej aty së ëmës për ta mbrojtur, ai e dëboi andej me anë të forcës. Pastaj, ai u nis bashkë me të shoqen. Kur policia i telefonoi kësaj të fundit për t’u siguruar se ishte jashtë rreziku, ai e detyroi atë të përgjigjej se ishte mirë. Ai e mori vetë policinë në telefon për t’i thënë se gjithçka ishte në rregull me të shoqen. Disa orë më vonë, ai u paraqit vetë në polici dhe deklaroi se e kishte vrarë të shoqen. Një autopsi zbuloi se e ndjera e kishte hundën të thyer, kishte shenja të mëdha e të thella në qafë (që përputheshin me një tentativë për mbytje) dhe katër plagë në gjoks të shkaktuara nga goditje me thikë. Në vendngjarje u gjetën dy thika, njëra prej të cilave e kishte tehun të thyer.
18. Më 21 prill 2008, paditësi i parë e pranoi fajësinë e tij për akuzën e vrasjes dhe e porositi avokatin e tij që të mos kërkonte asnjë rrethanë lehtësuese për të mos ia shtuar dhimbjen familjarëve të viktimës. Juridiksioni gjykues qe i mendimit se ai bënte pjesë te personat e rrallë të cilët duhej të privoheshin përgjithmonë prej lirisë së tyre. Ai e dënoi me burgim detyrimisht të përjetshëm dhe urdhëroi burgimin e përjetshëm real.
19. Më 25 qershor 2009, Gjykata e Apelit nuk e pranoi kërkesën për rekurs me të cilën i ishte drejtuar asaj paditësi i parë. Ajo pati parasysh parimet e përgjithshme që udhëheqin caktimin e periudhës minimale të qëndrimit në burg në rast dënimi me burgim detyrimisht të përjetshëm (siç parashtrohen ato në aneksin 21 të Ligjit të vitit 2003 – paragrafët 38 dhe 39 të mëposhtëm). Ajo gjykoi që, duke pasur parasysh rrethanat e veprës penale të kryer, nuk kishte asnjë arsye për t’u shmangur nga rregulli parimor i parashtruar në aneksin 21 të Ligjit të vitit 2003, sipas së cilit, për t’iu përgjigjur nevojave të domosdoshme për ndëshkim e shkëshillim, dënimi me burgim të përjetshëm real duhet të urdhërohet ndaj çdo të dënuari për vrasje recidivist.
C. Z. Bamber
20. Më 7 gusht 1985, prindërit e paditësit të dytë, e motra e tij përmes birësimit dhe të dy fëmijët në moshë të vogël të kësaj të fundit u vranë me armë zjarri. I interesuari u akuzua më pas për këto vrasje, pastaj u gjet fajtor për to më 28 tetor 1986. Sipas akuzës, vrasjet kishin qenë të paramenduara e të planifikuara dhe kishin pasur si shtysë tundimin e fitimit. Paditësi i dytë e paskësh rregulluar gjithashtu vendngjarjen e krimit në mënyrë të tillë që ta mashtronte policinë duke dashur ta bënte të besojë se kishte qenë e motra ajo e cila e kishte vrarë familjen përpara se të vetëvritej.
21. Juridiksioni gjykues i shkroi ministrit një letër me rekomandimin që paditësi i dytë të kalonte “si minimum” (fjalë të nënvizuara prej këtij juridiksioni) njëzet e pesë vjet në burg; në po atë letër, Lord Chief Justice kishte shtuar si koment: “unë për vete nuk do ta kisha liruar kurrë” (nënvizim i autorit). Më 1988, ministri caktoi një periudhë ndëshkimore të përjetshme. Praktika në atë kohë ishte që i burgosuri të mos informohej për këtë vendim. Me një letër që mbante datën 15 dhjetor 1994, të interesuarit iu bë e ditur që ministri kishte nxjerrë përfundimin se nevojat e domosdoshme të ndëshkimit dhe të shkëshillimit mund të plotësoheshin vetëm në qoftë se ai mbetej në burg për sa kohë të ishte gjallë.
22. Më 2008, pas hyrjes në fuqi të nenit 276 të Ligjit të vitit 2003 dhe të aneksit 22 të tij, paditësi i dytë drejtoi një kërkesë në High Court për rishqyrtimin e periudhës së tij ndëshkimore të përjetshme. Mbi bazën e aneksit 21 të po atij ligji, High Court doli në përfundimin se, duke pasur parasysh numrin e vrasjeve të bëra nga paditësi i dytë dhe praninë e një elementi paramendimi, vepra penale e kryer hynte qartësisht në kategorinë e rasteve ku pikënisja ishte burgimi i përjetshëm real. Pasi shqyrtoi për më tepër disa deklarata të formuluara nga të afërm të viktimave dhe disa elemente të parashtruara nga paditësi i dytë, konkretisht disa relacione lidhur me sjelljen e tij dhe me përparimet e bëra prej tij në burg, High Court gjykoi se nuk kishte asnjë arsye për t’i ndryshuar përfundimet e nxjerra nga Lord Chief Justice dhe nga ministri. Ajo urdhëroi kështu burgimin e përjetshëm real.
23. Paditësi i dytë iu drejtua Gjykatës së Apelit, e cila e rrëzoi kërkesën e tij më 14 maj 2009. Juridiksioni i lartë vuri re se ministrit, përpara se ky të urdhëronte një periudhë ndëshkimore të përjetshme më 1988, i kishin ardhur rekomandimet e dy autoriteteve të ndryshme gjyqësore, një nga juridiksioni gjykues me mendimin për një periudhë minimale burgimi prej njëzet e pesë vjetësh dhe tjetri nga Lord Chief Justice me mendimin që i interesuari të mos lirohej kurrë, dhe se ministri kishte kompetencën për të zgjedhur qoftë njërin, qoftë tjetrin nga këto rekomandime ose për të mos zgjedhur asnjë prej tyre. Gjykata e Apelit vuri re përveç kësaj se vendimi i marrë nga High Court për të urdhëruar burgimin e përjetshëm ishte jo vetëm korrekt, por edhe plotësisht i përligjur në vështrimin e qëllimeve për ndëshkim e shkëshillim.
24. Duke u mbështetur në precedentin e saj R k. Bieber (paragrafi 47 i mëposhtëm), Gjykata e Apelit gjykoi se në fushën e nenit 3 të Konventës nuk shtrohej asnjë pikëpyetje, meqenëse burgimi i përjetshëm real nuk ishte një dënim i përjetshëm i pazbritshëm në kuptimin që ky term ishte përdorur në vendimin Kafkaris k. Qipros ([DhM], nr. 21906/04, GjEDNj 2008). Së fundi, ajo e çmoi procedurën e rishqyrtimit të vendosur nga Ligji i vitit 2003 si të pajtueshme me nenin 7 të Konventës me arsyetimin se, sipas dispozitave ligjore përkatëse, të interpretuara me korrektësi, një i burgosur nuk kishte sesi të cenohej nga rezultati i kësaj procedure, përderisa dënimi i mbetur për t’u vuajtur sidoqoftë mund të zvogëlohej ose të ruhej, por nuk mund as të shtohej, as të zgjatej.
25. Paditësi i dytë iu lut Gjykatës së Apelit që të deklaronte se vendimi i saj ngrinte një pikë juridike me interes të përgjithshëm, e cila meritonte të shqyrtohej nga Dhoma e Lordëve. Kjo kërkesë u rrëzua më 23 qershor 2009.
D. Z. Moore
26. Më 29 nëntor 1996, në përfundim të procesit të tij në Crown Court të Çestërit (Chester), paditësi i tretë u gjykua fajtor për katër akuza vrasjeje. Viktimat ishin homoseksualë dhe i interesuari, vetë homoseksual, i paskësh kryer këto krime për kënaqjen e vet seksuale. Secila nga viktimat ishte goditur disa herë me një thikë të madhe luftarake të cilën e kishte blerë për këtë qëllim. Viktima e parë u sulmua në banesën e vet më 23 shtator 1995. Pak kohë më pas, në fundjavën e 7 tetorit 1995, i interesuari e takoi viktimën e tij të dytë në një bar dhe e bindi që ta shoqëronte në shtëpinë e tij për të kryer aty një marrëdhënie seksuale; në vend të kësaj, ai e shpuri atë në një pyll, e goditi atje për vdekje dhe e la trupin aty. Viktima e tretë u godit me thikë më 30 nëntor 1995 në karavanën ku jetonte. Së fundi, pak përpara Krishtlindjeve të vitit 1995, paditësi i tretë shkoi në një plazh të njohur si një qendër takimesh mes homoseksualësh. Aty, ai takoi viktimën e katërt dhe e goditi me thikë.
27. Te një xhaketë e paditësit të tretë dhe te thika u gjet gjak që u përkiste viktimës së parë dhe asaj të tretë. Atij iu gjetën në zotërim objekte që u përkisnin viktimës së parë, asaj të dytë dhe asaj të katërt. Përpara policisë, ai bëri pohime të plota lidhur me të katra vrasjet. Përpara se ai ta përmendte një gjë të tillë, policia nuk kishte dijeni për ekzistencën e një viktime të dytë, trupi i së cilës u gjet në pyll me ndihmën e të interesuarit. Gjatë procesit të tij, ky i fundit u mbrojt duke pohuar se vrasjet ishin kryer nga dikush tjetër, duke pohuar njëkohësisht se kishte qenë i pranishëm te të gjitha, me përjashtim të asaj të viktimës së dytë.
28. Pasi u gjykua fajtor paditësi i tretë, juridiksioni gjykues e dënoi atë me burgim detyrimisht të përjetshëm dhe i vuri në dukje ministrit të Brendshëm se, për mendimin e saj, ishte e udhës që ai të mos lirohej kurrë. Lord Chief Justice, duke pasur parasysh dosjen, çmoi se periudha minimale e qëndrimit në burg përpara çdo mundësie për lirim me kusht duhej të caktohej në tridhjetë vjet. Më 27 shtator 2002, ministri vendosi një periudhë ndëshkimore me burgim të përjetshëm.
29. Më 2008, duke u mbështetur në nenin 276 të Ligjit të vitit 2003 dhe në aneksin 22 të këtij të fundit, paditësi i tretë bëri një lutje në High Court për ta rishqyrtuar periudhën ndëshkimore me burgim të përjetshëm të shpallur nga ministri. Në vendimin e saj të dhënë më 12 qershor 2008, High Court e hodhi poshtë argumentin e paditësit të tretë sipas të cilit ajo duhej ta pranonte rekomandimin e bërë nga Lord Chief Justice për ta caktuar periudhën minimale të burgimit në tridhjetë vjet. Ajo gjykoi se, ndonëse këtij rekomandimi i duhej dhënë njëfarë peshe, Lord Chief Justice nuk i kishte marrë parasysh parimet e parashtruara në aneksin 21 të Ligjit të vitit 2003, të cilat ajo vetë ishte e detyruar t’i respektonte. Ajo hodhi poshtë përveç kësaj edhe argumentin se vendosja nga ana e ministrit e një periudhe ndëshkimore me burgim të përjetshëm shtronte një problem në fushën e nenit 6 të Konventës. Ajo qe e mendimit se procedura e ankimit në High Court, e parashikuar nga neni 276 i Ligjit të vitit 2003 dhe aneksi 22 i këtij të fundit, e plotësonte kërkesën e një rishqyrtimi të pavarur të mundësisë së lirimit të një të burgosuri. Ajo çmoi për më tepër se burgimi i përjetshëm real ishte në pajtueshmëri me nenet 3 dhe 5 të Konventës. Duke pasur parasysh parimet e përgjithshme që e udhëhiqnin caktimin e periudhës minimale të qëndrimit në burg për sa i përket burgimit detyrimisht të përjetshëm (ashtu siç paraqiteshin ato në aneksin 21 të Ligjit të vitit 2003), ajo nxori përfundimin se ky sanksion nuk ishte arbitrar dhe se karakteri i shpërpjesëtuar ose jo i këtij të fundit varej nga rrethana specifike të secilës çështje.
30. High Court gjykoi se, përderisa bëhej fjalë për një çështje që karakterizohej nga vrasja e më shumë se një personi, nga një sjellje seksuale e sadiste dhe nga një shkallë e madhe paramendimi, pikënisja e parashikuar nga aneksi 21 ishte burgimi i përjetshëm real. Ajo qe e mendimit se nuk ekzistonte asnjë rrethanë lehtësuese dhe se vetë Lord Chief Justice, i cili kishte rekomanduar megjithatë një periudhë minimale prej tridhjetë vjetësh qëndrimi në burg, kishte çmuar bashkë me juridiksionin gjykues se do të ishte ndoshta gjithmonë diçka me rrezik që të lihej i lirë paditësi i tretë. Nga këto, ajo nxori përfundimin se nuk kishte asnjë arsye që të zbutej ajo pikënisje që përbën burgimi i përjetshëm real. Ajo shtoi se, sado që pikënisja mund të kishte qenë një periudhë minimale tridhjetëvjeçare qëndrimi në burg, rrethanat rënduese të vrasjeve të kryera ishin të tilla që e bënin të pashmangshëm burgimin e përjetshëm real.
31. Paditësi i tretë iu drejtua Gjykatës së Apelit e cila, më 26 shkurt 2009, nuk ia pranoi kërkesën me arsyetimin se High Court jo vetëm kishte të drejtën, por edhe ishte dukshëm e bazuar për të dalë në përfundimin se burgimi i përjetshëm real ishte një sanksion i duhur.
32. Duket se, për të pasur mundësi që t’i drejtohej Dhomës së Lordëve, paditësi i tretë iu lut më pas Gjykatës së Apelit që të deklaronte se vendimi i saj ngrinte një pikë juridike me interes të përgjithshëm, e cila meritonte të shqyrtohej nga juridiksioni më i lartë. Më 14 gusht 2009, Zyra e Apelimeve për Çështje Penale e Gjykatës së Apelit e njoftoi se, përderisa kjo e fundit nuk qe se ia kishte pranuar kërkesën për leje apelimi kundër dënimit të tij dhe pastaj ia kishte rrëzuar rekursin, por ia kishte rrëzuar menjëherë kërkesën në fjalë, nuk ishte e mundur që të kërkohej një deklaratë e tillë.
II. E DREJTA DHE PRAKTIKA E BRENDSHME LIDHUR ME ÇËSHTJEN
A. Ligji i vitit 1998 për të Drejtat e Njeriut
33. Neni 3 § 1 i Ligjit të vitit 1998 për të Drejtat e Njeriut (Human Rights Act 1998 – “Ligji për të Drejtat e Njeriut”) shprehet kështu:
“Me sa të jetë e mundur, aktet ligjore dhe nënligjore duhet të interpretohen e të zbatohen në pajtim me të drejtat e njohura nga Konventa.”
Neni 6 § 1 i këtij ligji thotë se një autoritet publik bën veprim të paligjshëm kur vepron në mënyrë të papajtueshme me një të drejtë të njohur nga Konventa.
Neni 7 § 1 parashikon se cilido që pretendon se një autoritet publik ka vepruar në një mënyrë të paligjshme në vështrimin e nenit 6 § 1 mund ta çojë atë autoritet përpara drejtësisë.
B. Dispozitat ligjore për sa i përket burgimit detyrimisht të përjetshëm
1. Ligji i vitit 1965 rreth heqjes së dënimit me vdekje për vrasje
34. Në Angli dhe në Uells, neni 1 § 1 i Ligjit të vitit 1965 lidhur me heqjen e dënimit me vdekje për vrasje (Murder (Abolition of Death Penalty) Act 1965) e dënon vrasjen me burgim detyrimisht të përjetshëm.
2. Ligji i vitit 2003 për drejtësinë penale (Criminal Justice Act 2003 – “Ligji i vitit 2003”)
a) Kapitulli 7 i pjesës 12
35. Në vedimin R (Anderson) v. the Secretary of State for the Home Department ([2003] 1 AC 837), Dhoma e Lordëve e ka quajtur të papajtueshme me nenin 6 të Konventës kompetencën, që i jepet ministrit nga neni 29 i Ligjit të vitit 1997 për dënimet në fushën penale (Crime (Sentences) Act 1997 – “Ligji i vitit 1997”), për ta caktuar periudhën ndëshkimore për individët e dënuar me burgim detyrimisht të përjetshëm. Ky vendim është në zanafillë të miratimit të kapitullit 7 të pjesës 12 të Ligjit të vitit 2003, të titulluar “Efekte të dënimeve me burgim të përjetshëm” dhe të përbërë nga nenet 269 deri në 277, dhe nga anekset e tij 21 e 22.
36. Neni 269 § 2 i Ligjit të vitit 2003 i dikton çdo juridiksioni gjykues që, kur jep një dënim me burgim detyrimisht të përjetshëm, ta përcaktojë periudhën minimale të qëndrimit në burg që duhet të vuajë i dënuari përpara se të mundë të lirohet me kusht. Neni 269 § 3 saktëson se kohëzgjatja e kësaj periudhe duhet të ketë parasysh seriozitetin e veprës penale. Neni 269 § 4 i lejon juridiksionit gjykues të vendosë që, për arsye të seriozitetit të veprës penale, i burgosuri të mos mundë të përfitojë një lirim të parakohshëm me kusht (çka do të thotë që të japë një dënim me “burgim të përjetshëm real”). Neni 269 § 4 zbatohet vetëm ndaj të dënuarve që kanë mbushur së paku moshën 21 vjeç në datën e kryerjes së veprës penale. Neni 269 § 5 saktëson se, kur çmon seriozitetin e veprës penale, juridiksioni gjykues duhet të marrë parasysh veçanërisht parimet e parashtruara në aneksin 21 të Ligjit.
37. Neni 276 i jep efekt aneksit 22 (lidhur me rastet kalimtare – paragrafi 40 i mëposhtëm).
b) Aneksi 21
38. Aneksi 21 (i titulluar “Caktimi i periudhës minimale të qëndrimit në burg për dënimet me burgim detyrimisht të përjetshëm”) parashikon tri “pikënisje” më vete, domethënë dënime që mund të rriten ose të ulen në varësi të faktit nëse vepra penale shoqërohet ose jo me rrethana rënduese ose lehtësuese: dënimin e përjetshëm real, një periudhë minimale qëndrimi prej tridhjetë vjetësh në burg dhe një periudhë minimale qëndrimi prej pesëmbëdhjetë vjetësh në burg.
39. Në bazë të paragrafit 4(1) të këtij aneksi, në qoftë se serioziteti i veprës penale është “jashtëzakonisht i lartë”, pikënisja që duhet zgjedhur është burgimi i përjetshëm real. Paragrafi 4(2) saktëson se, në parim, në këtë kategori hyjnë rastet e mëposhtme:
“a) vrasja e më shumë se një personi, kur secila vrasje karakterizohet prej njërit nga elementet e mëposhtme:
i. një shkallë e madhe paramendimi dhe planifikimi,
ii. rrëmbimi i viktimës ose
iii. një sjellje seksuale a sadiste,
b) vrasja e një fëmije në rast se ka pasur rrëmbim të këtij të fundit ose në rast se nxitja ka qenë me natyrë seksuale apo sadiste,
c) vrasja e kryer për të mbrojtur një kauzë politike, fetare a ideologjike, ose
d) vrasja e kryer nga një person i dënuar më parë për vrasje.”
Sipas paragrafit 5(1), pikënisja që duhet të zgjidhet për një vepër penale që nuk i përket paragrafit 4(1) por serioziteti i së cilës është “veçanërisht i lartë” është një periudhë minimale qëndrimi në burg për tridhjetë vjet. Paragrafi 5(2) saktëson se, në parim, në këtë kategori hyjnë rastet e mëposhtme:
“a) vrasja e një punonjësi policie ose e një punonjësi burgu gjatë ushtrimit të detyrave të tij,
b) vrasja ku përfshihet përdorimi i një arme zjarri ose i lëndëve shpërthyese,
c) vrasja e nxitur nga tundimi i fitimit (e kryer për shembull gjatë ose për qëllim të një vjedhjeje ose të një vjedhjeje me thyerje, kundrejt ndonjë shpërblimi ose me shpresën për të nxjerrë prej saj ndonjë fitim),
d) vrasja që synon të pengojë punën e drejtësisë,
e) vrasja që karakterizohet nga ndonjë sjellje seksuale ose sadiste,
f) vrasja e më shumë se një personi,
g) vrasja e rënduar nga arsye racore a fetare ose nga arsye që kanë të bëjnë me orientimin seksual,
h) vrasja që i përket paragrafit 4(2) të këtij aneksi, e kryer nga një person që është të paktën në moshën 21 vjeç në momentin e ngjarjeve.”
Në të gjitha rastet e tjera, paragrafët 6 e 7 parashikojnë si pikënisje një periudhë minimale qëndrimi në burg prej pesëmbëdhjetë vjetësh (dymbëdhjetë vjet për të miturit nën moshën 18 vjeç).
Paragrafët 8 dhe 9 përcaktojnë se, pasi caktohet pikënisja, juridiksioni gjykues merr parasysh çdo rrethanë rënduese ose lehtësuese që mund të shpjerë në vendosjen e një periudhe minimale qëndrimi në burg për çfarëdo kohëzgjatje (pavarësisht nga pikënisja) ose të burgimit të përjetshëm real.
Paragrafi 10 rreshton rrethanat rënduese të mëposhtme:
“a) një shkallë e madhe paramendimi dhe planifikimi,
b) cenueshmëria e veçantë të viktimës për shkak të moshës së saj ose të ndonjë invaliditeti,
c) shkaktimi i vuajtjeve psikologjike ose fizike ndaj viktimës përpara vdekjes së saj,
d) shpërdorimi i një pozite besimi,
e) përdorimi i detyrimit ose i kërcënimeve ndaj tjetrit për të lehtësuar kryerjen e veprës penale,
f) fakti që viktima ushtronte një detyrë shërbimi publik ose të drejta të posaçme me kompetencë publike, dhe
g) fshehja, asgjësimi ose gjymtimi i trupit.”
Paragrafi 11 përmend rrethanat lehtësuese të mëposhtme:
“a) një qëllim më shumë për të shkaktuar plagë të rënda sesa për të vrarë,
b) mungesa e paramendimit,
c) prania, tek autori i veprës penale, e çrregullimeve mendore ose e një paaftësie mendore që, ndonëse nuk i përkasin nenit 2 § 1 të Ligjit të vitit 1957 për vrasjen e personit, e ulin shkallën e fajësisë së tij,
d) një provokim i pësuar nga autori i veprës penale (për shembull, një stres i zgjatur), por që nuk përbën megjithatë një fakt përligjës,
e) fakti që autori i veprës penale, në një mënyrë apo në një tjetër, ka vepruar për vetëmbrojtje,
f) besimi i autorit të veprës penale se vrasja ishte një akt mëshire, dhe
g) mosha e autorit të veprës penale.”
c) Aneksi 22
40. Aneksi 22 (i titulluar “Dënime me burgim detyrimisht të përjetshëm: raste kalimtare”) parashtron një varg masash kalimtare për të burgosurit që janë dënuar me burgim detyrimisht të përjetshëm përpara hyrjes në fuqi të nenit 269 të Ligjit të vitit 2003 dhe periudha minimale e qëndrimit në burg e të cilëve është caktuar nga ministri. Ai zbatohet edhe ndaj të burgosurve për të cilët ministri ka thënë se nuk do të mundnin kurrë të përfitonin nga ndonjë lirim i parakohshëm me kusht (domethënë ndaj atyre për të cilët është urdhëruar një periudhë ndëshkimore me burgim të përjetshëm). Paragrafi 3 i këtij aneksi u jep mundësi këtyre dy kategorive të burgosurish që të drejtohen në High Court, e cila duhet pastaj, për ata periudha minimale e qëndrimit në burg e të cilëve është caktuar nga ministri, të japë një vendim ku të saktësohet periudha minimale e qëndrimit në burg që i interesuari duhet të vuajë përpara se të mundë të përfitojë nga ndonjë lirim i parakohshëm. Në bazë të paragrafit 3(1) b), në ato raste ku ministri i ka bërë të ditur të burgosurit se për të është shpallur një periudhë ndëshkimore me burgim të përjetshëm, High Court mund të vendosë që i interesuari të mos mundë të lirohet (burgim i përjetshëm real).
High Court nuk mund të urdhërojë një periudhë minimale qëndrimi në burg më të gjatë sesa ajo e caktuar më parë nga ministri (paragrafi 3(1) a)).
Dispozita të ngjashme zbatohen edhe për dënimet e shpallura pas hyrjes në fuqi të këtij ligji lidhur me vrasjet e kryera përpara kësaj hyrjeje në fuqi. Paragrafi 10 parashikon se gjyqtari nuk mund të caktojë një periudhë minimale qëndrimi në burg që ai do ta çmonte se është më e gjatë sesa ajo që do të kishte zgjedhur me gjasa ministri në bazë të praktikës së mëparshme.
41. Kur asaj i paraqitet ndonjë kërkesë në bazë të paragrafit 3 të aneksit 22, High Court duhet të marrë parasysh veçanërisht seriozitetin e veprës penale dhe, duke bërë këtë, të mbajë parasysh edhe parimet e përgjithshme të parashtruara në aneksin 21 si edhe çdo rekomandim të bërë për ministrin nga juridiksioni gjykues ose nga Lord Chief Justice për sa i përket periudhës minimale të qëndrimit në burg që do të duhet të vuajë i dënuari përpara se të mundë të përfitojë nga ndonjë lirim me kusht (paragrafët 4 dhe 5 të aneksit 22). I dënuar mundet gjithashtu të paraqesë vërejtje në High Court përpara se ajo të marrë vendim rreth kërkesës së tij dhe sidomos të kërkojë që të vlerësohen sjellja e tij dhe përparimet e bëra në burg që nga data e veprës penale. Vërejtje përpara High Court mund të paraqesin gjithashtu edhe viktimat ose familjarët e tyre.
C. Fuqia vetëgjykimore e ministrit për të liruar
42. Neni 30 § 1 i Ligjit të vitit 1997 ia lejon ministrit që, në çdo moment, të lirojë me kusht një të burgosur të dënuar me burgim të përjetshëm në qoftë se bindet që disa rrethana të jashtëzakonshme e përligjin një masë të tillë për arsye humanitare.
43. Kriteret e ushtrimit të kësaj kompetence vetëgjykimore janë të përcaktuara në kapitullin 12 të Urdhëresës nr. 4700 të administratës së burgjeve. Fjala është për një tekst të botuar nën autoritetin e ministrit, i cili parashtron politikën dhe parimet lidhur me trajtimin e të burgosurve që vuajnë një dënim me kohëzgjatje të papërcaktuar (duke përfshirë aty edhe një dënim me burgim detyrimisht të përjetshëm), dhe kjo si gjatë mbajtjes në burg ashtu edhe më vonë, pas një lirimi me kusht.
Pjesët përkatëse të kapitullit 12 shprehen kështu:
“Kriteret e lirimit në shenjë njerëzie për arsye mjekësore, të cilat zbatohen ndaj të gjithë të burgosurve të dënuar me një burgim me kohëzgjatje të papërcaktuar, janë si më poshtë:
– i burgosuri është prekur nga një sëmundje vdekjeprurëse dhe rrezikon të vdesë brenda një afati shumë të shkurtër (për këtë nocion nuk ka përkufizim tjetër, por një afat prej tre muajsh duket si i arsyeshëm për t’i paraqitur kërkesë Seksionit për Rastet e Mbrojtjes Publike – Public Protection Casework Section), ka mbetur në shtrat ose vuan nga ndonjë invaliditet (paralizë ose probleme të rënda kardiake, për shembull);
dhe
– rreziku për recidivë (në veçanti për një vepër penale me karakter seksual ose të dhunshëm) është minimal;
dhe
– mbajtja në gjendje burgimi do t’i pakësonte shpresat për jetë të të burgosurit;
dhe
– për të mjekuar e trajtuar të burgosurin jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit janë marrë disa masa të përshtatshme;
dhe
– një lirim i parakohshëm do të ishin shumë në interesin e të burgosurit ose të familjes së tij.”
[nënvizimet janë sipas origjinalit]
Urdhëresa saktëson gjithashtu se lirimi për arsye humanitare duhet të miratohet nga vetë ministri: një vendimmarrje e tillë nuk mund të delegohet.
44. Sipas Qeverisë, më 28 prill 2011, në Angli dhe në Uells kishte 4 900 të burgosur që vuanin një dënim me burgim detyrimisht të përjetshëm për vrasje.
Një urdhëresë për burgim të përjetshëm real qenkësh dhënë ndaj dyzet e një vetëve prej tyre (duke përfshirë edhe ata të shtruar nëpër spitale të sigurisë së lartë). Që prej vitit 2000, asnjë i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm nuk qenkësh liruar për arsye humanitare. Në përgjigje të një kërkese të hartuar nga paditësi i parë mbi bazën e lirisë së informimit, ministri i Drejtësisë ka vënë në dukje se, më 30 nëntor 2009, numëroheshin trembëdhjetë persona të dënuar me burgim të përjetshëm, por jo me burgim të përjetshëm real, të cilët ishin liruar për arsye të tilla.
D. Jurisprudenca e brendshme përkatëse lidhur me dënimet me burgim detyrimisht të përjetshëm dhe me Konventën
1. Jurisprudenca lidhur me regjimin përpara Ligjit të vitit 2003
45. Në çështjet R. v. Lichniak dhe R. v. Pyrah ([2003] 1 AC 903), Dhoma e Lordëve gjykoi se, ashtu siç zbatohej atëherë, burgimi detyrimisht i përjetshëm nuk ishte i papajtueshëm as me nenin 3, as me nenin 5 të Konventës.
Ajo çmoi se ky dënim ishte pjesërisht shtypës e pjesërisht parandalues, ku pjesa shtypëse përfaqësohej nga periudha ndëshkimore e vendosur për shpagimin e krimit të rëndë të kryer nga vrasësi i dënuar. Për sa i përket pjesës parandaluese, ajo përfaqësohej nga kompetenca për ta mbajtur vrasësin e dënuar brenda në burg për aq kohë sa Komisioni i Lirimit me Kusht, një organ i pavarur, të mos e kishte vlerësuar lirimin e tij si të parrezikshëm, si edhe nga kompetenca për ta riburgosur një vrasës të dënuar e të liruar, në qoftë se gjykohej e nevojshme të veprohej ashtu për mbrojtjen e publikut (Lord Bingham of Cornhill, paragrafi 8 i vendimit të Dhomës së Lordëve).
Dhoma e Lordëve doli në përfundimin se, së pari, pretendimet e apeluesit nuk ishin të një serioziteti të mjaftueshëm për ta futur në lojë nenin 3 të Konventës dhe se, së dyti, burgimi i përjetshëm nuk ishte një dënim arbitrar apo në kundërshtim për ndonjë arsye tjetër me nenin 5 § 1 të Konventës. Lordi Bingham shtoi:
“Sikur të kishim nxjerrë përfundimin se shpallja e një dënimi me burgim detyrimisht të përjetshëm për vrasje do të thotë që vrasësit të dënuar t’i konfiskohet liria nga shteti për aq kohë sa të jetë gjallë dhe ai të mbetet në burg për aq kohë sa ministri i Brendshëm nuk ka dekretuar se do të ishte më fort në interesin e përgjithshëm që ai të lirohej sesa të mbahej në burg, nuk kam asnjë pikë dyshimi se një dënim i tillë do të gjykohej në kundërshtim me nenet 3 dhe 5 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (...) për arsye të karakterit të tij arbitrar e të shpërpjesëtuar (...)”.
46. Në vendimet e saj R. v. Secretary of State for the Home Department, ex parte Hindley ([2001] 1 AC 410, HL) dhe R. v. Anderson ([2003] 1 AC 837, HL), Dhoma e Lordëve gjykoi se, në bazë të rregullave të atëhershme për periudhën ndëshkimore, nuk kishte “asnjë arsye, në parim, që një ose disa krime, nëse ato janë aq mizore, të mos konsiderohen se e meritojnë burgimin e përjetshëm vetëm e vetëm për qëllimet të ndëshkimit” (Lord Steyn, p. 416H). Lordi Steyn shtoi: “nga një pikëpamje logjike, nuk është aspak në papajtueshmëri me nocionin e periudhës ndëshkimore që të thuhet se ka raste kur krimet janë aq të urrejtshme saqë, edhe pse i burgosuri do të mbetej në burg deri sa të vdiste, prapëseprapë nuk do të plotësoheshin tërësisht nevojat e domosdoshme për shpagim e shkëshillim” (p. 417H). Dhoma e Lordëve çmoi përveç kësaj se ministri nuk e kishte kufizuar në mënyrë të paligjshme kompetencën e tij vetëgjykimore duke rishqyrtuar rastet e të burgosurve të dënuar me një periudhë ndëshkimore burgimi të përjetshëm të cilët kishin kaluar njëzet e pesë vjet në burg dhe duke e shkurtuar periudhën kur ishte rasti. Vendimi mbante shënim deklaratën në parim të bërë nga ministri më 10 nëntor 1997, në të cilën ky i fundit shprehej i gatshëm për të pranuar që, në raste të jashtëzakonshme, sidomos në atë të një kryerje nga ana e të burgosurit e përparimeve të jashtëzakonshme në institucionin e vuajtjes së dënimit, të mund të paraqitej si me vend një shkurtim i periudhës ndëshkimore. Ministri shtonte se ai nuk do ta harronte këtë mundësi kur të rishqyrtonte, në krye të njëzet e pesë vjetësh qëndrimi në burg, rastet e të burgosurve të dënuar me një periudhë ndëshkimore burgimi të përjetshëm dhe se, për këtë qëllim, ai do të merrte parasysh edhe elemente të tjerë e jo vetëm nevojat e domosdoshme për shpagim e shkëshillim (p. 417A-C).
2. Jurisprudenca lidhur me regjimin e vendosur nga Ligji i vitit 2003 dhe me pajtueshmërinë e tij me Konventën
a) R v. Bieber
47. Në vendimin e saj R v. Bieber ([2009] 1 WLR 223), Gjykata e Apelit shqyrtoi pajtueshmërinë e Ligjit të vitit 2003 me nenin 3 të Konventës në dritën e vendimit Kafkaris (të cituar më lart).
Duke vënë në dukje se, në këtë vendim, Gjykata kishte thënë s dhënia e një dënimi me burgim të përjetshëm të pazbritshëm mund të shtronte një problem në vështrimin e nenit 3, Gjykata e Apelit shtoi:
“39. Neve na duket se Gjykata [në vendimin Kafkaris] ka çmuar që burgimi i përjetshëm i pazbritshëm ngrinte një pikëpyetje në vështrimin e nenin 3 kur rrezikonte të çonte në mbajtjen në burgim të kriminelit përtej kohës së përligjur prej qëllimeve të drejta të burgosjes. Pikërisht kjo është që rrjedh në mënyrë të heshtur nga fakti se në fushën e nenit 3 nuk duket të shtrohet asnjë pikëpyetje po qe se ekziston, në ligj e në praktikë, mundësia që krimineli të lirohet, sado që mbetet e mundshme, madje ka gjasa, që ai ta kalojë tërë pjesën tjetër të jetës së tij në burg. Kriteri thelbësor duket të jetë mundësia e një kontrolli i cili të lejojë që të përcaktohet nëse mbajtja në burg vazhdon të jetë ose jo e përligjur.
40. Qëllimet e drejta të burgosjes janë ndëshkimi, shkëshillimi, ndreqja dhe mbrojtja e publikut. Kur jepet një dënim burgimi detyrimisht të përjetshëm për një krim, ka mundësi që të gjitha këto qëllime të përmbushen në të gjallë të të burgosurit. Ky do të ketë kaluar ndoshta aq kohë në burg sa t’i plotësojë nevojat e domosdoshme të ndëshkimit e të shkëshillimit dhe do të jetë ndrequr mbase aq sa të mos përbëjë më një kërcënim për publikun. Në qoftë se, megjithëkëtë, ai mbetet i burgosur për sa kohë të jetë gjallë, është e mundur që së paku të mbrohet teza se këtu bëhet fjalë për një trajtim çnjerëzor. Kështu që ne kemi dalë në përfundimin se, sa herë që një krim dënohet me burgim detyrimisht të përjetshëm e të pazbritshëm pavarësisht rrethanave të veçanta në të cilat ai është kryer, në fushën e nenit 3 ngrihet njëfarë pikëpyetjeje.
41. Vendimi i marrë në çështjen Kafkaris ngre një pyetje më delikate: a ekziston vallë ndonjë periudhë maksimale burgimi që të mund të përligjet me qëllimet e ndëshkimit dhe të shkëshillimit përtej së cilës i burgosuri do të duhet të lirohet në qoftë se ai, duke qenë ndrequr, nuk rrezikon më të kryejë veprimtari kriminale? Në u dashtë të përgjigjemi në mënyrë pohuese, atëherë mund të thuhet me njëfarë të drejte se një dënim me burgim të përjetshëm të pazbritshëm i cili mund të shpjerë në një mbajtje në burg që shkon përtej kësaj periudhe është çnjerëzor dhe se ai ngre një pikëpyetje në vështrimin e nenit 3. Gjyqtari Bratza, në mendimin e tij pajtues, dhe pesë gjyqtarët e tjerë autorë të një mendimi pjesërisht kundërshtues kanë çmuar se pikërisht i tillë ishte rasti. Tekstet evropiane të cilave u jemi referuar tregojnë që, për disa shtete anëtare, nevoja e domosdoshme për ndëshkim mund të përligjë vetëm një kohë të kufizuar burgimi, pas kalimit të së cilës disa konsiderata humanitare kërkojnë medoemos që të burgosurit t’i jepet mundësia për të treguar se është i aftë që të kthehet sërish në gjirin e shoqërisë.
42. Mbretëria e Bashkuar nuk figuron mes këtyre vendeve anëtare. Aneksi 21 i Ligjit të vitit 2003 niset nga postulati se disa krime janë aq të urrejtshme saqë e përligjin burgimin e autorit të tyre për sa të jetë gjallë, cilado qoftë koha që kjo gjë përfaqëson. Në paragrafin 104 të vendimit Kafkaris, shumica i ka njohur dallimet e qasjes midis shteteve të ndryshme anëtare. Në këtë çështje, Gjykata ftohej të shqyrtonte një dënim me burgim detyrimisht të përjetshëm, dhe arsyetimi i saj duhet të vlerësohet po në këtë kontekst. Ne nuk mendojmë se nga vendimi i shumicës së Dhomës së Madhe duhet të dilet në përfundimin që një dënim me burgim të përjetshëm të pazbritshëm, i quajtur si ai i duhur nga gjyqtari për të plotësuar nevojat e domosdoshme të ndëshkimit e të shkëshillimit në rastin e një vepre penale shumë të rëndë, rrezikon të hyjë në konflikt me nenin 3.”
48. Gjykata e Apelit kërkoi të shohë pastaj nëse ishte vetë dhënia e një dënimi me burgim të përjetshëm të pazbritshëm ajo që përmbante shkelje të nenit 3 apo nëse shkelja potenciale materializohej vetëm atëherë kur burgimi që e tejkalonte kohëzgjatjen mund të përligjej me nevojat e domosdoshme për ndëshkim e shkëshillim. Ajo përqafoi tezën e dytë.
49. Ja si u shpreh ajo:
« 45. Ndonëse, në të drejtën angleze, vrasja është një vepër penale që shpie në një dënim burgimi detyrimisht të përjetshëm, ky dënim nuk është i pazbritshëm në parim. Gjyqtari përcakton periudhën minimale të qëndrimit në burg që, për qëllime ndëshkimi e shkëshillimi, autori i kësaj vepre penale do të duhet të kryejë përpara se të mundë të shpresojë që të përfitojë nga një lirim me kusht. Nëse urdhërohet burgimi i përjetshëm real, kjo bëhet ngaqë gjyqtari çmon se vepra penale është aq e rëndë saqë, për qëllime ndëshkimi e shkëshillimi, autori i saj duhet të qëndrojë në burg për sa të jetë gjallë. Për arsyet që kemi paraqitur, ne nuk besojmë që Gjykata e Strasburgut të ketë thënë se një burgim i përjetshëm i pazbritshëm, i dhënë qëllimisht nga një gjyqtar në rrethana të tilla, përbën një burgim në kundërshtim me nenin 3. Gjithashtu, ne nuk mendojmë as se ajo do të arrijë në të ardhmen në një përfundim të tillë.
46. Ndoshta, jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut do të zhvillohet. Me sa duket, në Evropë ekziston një rrymë që është kundër dhënies së dënimeve shumë të gjata me burgim e të pazbritshme. Pra, mbase do të lindë nevoja që të shihet nëse janë në të vërtetë të pazbritshme dënimet me burgim të përjetshëm real të urdhëruara në juridiksionin tonë.
(...)
48. Në kuadrin e regjimit të tanishëm, neni 30 i Ligjit të vitit 1997 për dënimet në lëmin penal i jep ministrit një kompetencë të kufizuar për lirimin e personave në burgim të përjetshëm.
(...)
Sot, ministri e përdor këtë kompetencë me kursim, për shembull kur i burgosuri është i prekur nga ndonjë sëmundje në fazë fundore, kur ai ka mbetur në shtrat apo kur ndodhet në ndonjë gjendje invaliditeti të ngjashëm. Megjithatë, në qoftë se situata është e tillë sa mbajtja në burg e një të burgosuri të mund të quhet e barabartë me një trajtim çnjerëzor ose poshtërues, sipas nesh asnjë arsye nuk pengon që ministri, duke pasur parasysh veçanërisht detyrimin për të respektuar Konventën, ta lirojë të interesuarin ashtu siç ia jep kompetencën për këtë ligji.
49. Për këto arsye dhe në të njëjtën vijë qasjeje të zgjedhur nga Gjykata e Strasburgut në vendimin Kafkaris, ne nuk mendojmë se burgimi i përjetshëm real duhet të konsiderohet si një dënim i pazbritshëm. Për këtë arsye, në qoftë se ndokush do që ta kundërshtojë dhënien e burgimit të përjetshëm real mbi bazën e nenit 3, kjo gjë duhet të bëhet jo në mometin e shpalljes së dënimit, por në stadin kur i burgosuri mbron mendimin se, duke pasur parasysh tërësinë e rrethanave që kanë të bëjnë me çështjen, sidomos kohën e kaluar dhe përparimet e kryera në institucionin e vuajtjes së dënimit, çdo zgjatje e mëtejshme e burgimit do të përbënte një trajtim çnjerëzor ose poshtërues.
50. Ja përse ne e hedhim poshtë argumentin e nxjerrë nga neni 3 për të kundërshtuar dënimin e dhënë ndaj të paditurit.”
b) R v. Oakes and others
50. Në vendimin e saj R v. Oakes and others ([2012] EWCA Crim 2435), Gjykata e Apelit e shqyrtoi edhe një herë pajtueshmërinë e burgimit të përjetshëm real me nenin 3 të Konventës. Ajo tha konkretisht kështu:
“Çdo vend i qytetëruar e pranon parimin e sanksionuar në nenin 3.
(...)
Megjithatë, çdo vend i qytetëruar pranon edhe parimin që një person i shpallur fajtor për një vepër penale të marrë një dënim të drejtë. Të gjitha këto pika që kanë të bëjnë me karakterin e drejtë dhe të përpjesëtuar të dënimit ngjallin debate racionale dhe mospajtime të njerëzishme. Vlerësimi i atij që duhet të konsiderohet si një dënim i drejtë ose si një dënim çnjerëzor a poshtërues në këtë apo atë rast mund të lërë me plot të drejtë vend për përgjigje të ndryshme sipas vendeve të ndryshme, madje, brenda të njëjtit vend, për përgjigje të ndryshme sipas epokave të ndryshme. Ky është, të paktën pjesërisht, fryti i historisë së secilit vend. Pika nëse burgimi i përjetshëm real përbën një shkelje të nenit 3 të Konventës, ose madje të parimit të vjetër të common law i cili kërkon që dënimi të jetë në përpjesëtim me tërësinë e rrethanave përkatëse të veprës penale dhe me situatën e autorit të saj, është objekt debatesh të gjera.”
Gjykata e Apelit vuri pastaj në dukje se qoftë Lord Justice Laws në vendimin Wellington (paragrafi 54 i mëposhtëm), qoftë pakica e Dhomës në vendimin e dhënë në atë çështje, ishin treguar shumë të shqetësuar përpara dënimit me burgim të përjetshëm real. Megjithatë, ajo vërejti gjithashtu se ishte shprehur edhe mendimi i kundërt, konkretisht në vendimet Hindley dhe Wellington (paragrafët 46 i mësipërm e 57 i mëposhtëm), dhe se ishte me vend që të pranoheshin e të respektoheshin siç duhej pikëpamjet e drejta por kontradiktore të shprehura rreth kësaj pike.
51. Pasi shqyrtoi vendimet e dhëna nga Gjykata në çështjet Babar Ahmad me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 24027/07, 11949/08, 36742/08, 66911/09 dhe 67354/09, 10 prill 2012), Harkins e Edwards k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 9146/07 e nr. 32650/07, 17 janar 2012), si edhe në këtë çështje, Gjykata e Apelit u shpreh si vijon (paragrafi 22 i vendimit të saj) :
“Në dritën e kësaj analize të precedentëve të Gjykatës Evropiane, na duket e qartë se kjo e fundit niset nga parimi se, mjafton që gjykatat të kenë shqyrtuar mundësinë e pranimit të rrethanave lehtësuese në favor të të akuzuarit, një dënim me burgim të përjetshëm real i urdhëruar prej tyre në kuadrin e kompetencës së tyre vetëgjykimore për vlerësim të nivelit të përshtatshëm të sanksionit për qëllime ndëshkimi e shkëshillimi, pas dënimit për një krim të seriozitetit më të rëndë, nuk përbën një dënim çnjerëzor apo poshtërues. Me pak fjalë, çdo shtet e ka mundësinë që, në legjislacionin e vet, të parashikojë dhënien e një periudhe minimale qëndrimi në burg që duhet vuajtur në cilësinë e burgimit të përjetshëm real, dhe gjykatat e kanë mundësinë që, kur e lejon rasti, ta urdhërojnë një dënim të tillë në bazë të kompetencës së tyre vetëgjykimore si juridiksion.”
52. Së fundi, pasi nënvizoi se burgimi i përjetshëm real ishte një dënim që jepej në shkallë të fundit, se në ligj nuk kishte asgjë që t’ia diktonte juridiksionit gjykues dhënien e tij nëse këtë gjë nuk e kërkonte interesi i drejtësisë dhe se parimet e parashtruara në aneksin 21 mund të zbatoheshin në mënyrë elastike, Gjykata e Apelit nxori përfundimin:
“Nga kjo del se burgimi i përjetshëm real, fryt i akteve ligjore, ruhet vetëm për veprat e rralla penale të një serioziteti aq të rëndë saqë, pasi e shqyrton tërësinë e rrethanave rënduese dhe të rrethanave lehtësuese, gjyqtari bindet se shpallja e këtij dënimi është e nevojshme në vështrimin e domosdoshmërive për ndëshkim të drejtë e për shpagim. Në qoftë se – por vetëm në qoftë se – përligjet dalja në një përfundim të tillë, burgimi i përjetshëm real është me vend. Nuk është fjala as për një dënim të detyrueshëm, as për një dënim të vetvetishëm, as për një dënim dysheme.
Në këto kushte, dispozitat e aneksit 21 të Ligjit të vitit 2003, e sidomos të paragrafit 4 të tij, i cili u jep mundësi gjykatave të urdhërojnë burgimin e përjetshëm real në rast vepre penale të një serioziteti të jashtëzakonshëm, nuk janë të papajtueshme me nenin 3 të Konventës dhe nuk e shkelin atë.”
3. Vendimi R (Wellington) v. Secretary of State for the Home Department ([2008] UKHL 72)
53. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kishin kërkuar autoriteteve britanike që të ekstradonin Ralston Wellington me qëllim që ai të mund të gjykohej në Misuri për dy akuza vrasjeje të shkallës së parë. Z. Wellington kishte paraqitur rekurs kundër ekstradimit të tij, duke mbrojtur mendimin se ekzistonte një rrezik real që atij t’i bëhej një trajtim çnjerëzor ose poshtërues, konkretisht një dënim me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, dhe se masa e parashikuar ishte pra në kundërshtim me nenin 3 të Konventës.
54. Duke shpallur vendimin e High Court ([2007] EWHC 1109 (Admin)), Lord Justice Laws vuri re se ekzistonin “argumente të fuqishme filozofie penale” të cilët lejonin që të konsiderohej se rreziku i një burgimi të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht ishte në vetvete në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Ai tha konkretisht kështu:
“Sado që ndalimi i dënimit me vdekje mund të jetë përshëndetur e përligjur në mënyra të ndryshme, prapëseprapë ai duhet të jetë mbështetur së paku tek ideja se jeta e çdo personi, sado e shthurur që të jetë, ka një vlerë të patjetërsueshme. Ndonëse shkatërrimi i një jete mund të jetë i pranueshëm në disa rrethana të veçanta, për shembull në rast vetëmbrojtjeje apo lufte të drejtë, nevoja për një ndëshkim shpagues nuk do të mjaftojë kurrë për ta përligjur atë. Mirëpo burgosja e një personi pa shpresë lirimi afrohet në shumë pikëpamje me një dënim me vdekje. Ky person nuk do të mundë kurrë ta shlyejë fajin e tij. Pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjë gjatë burgimit të vet për t’u ndrequr, ndëshkimi i tij do të marrë fund vetëm kur të japë frymën e fundit. Njëlloj si dënimi me vdekje, burgimi i përjetshëm real është ligji i hakmarrjes dhëmb për dhëmb. Mirëpo ngjashmëria teorike ose reale e burgimit të përjetshëm me krimin për të cilin është dënuar i burgosuri (virtyti i vetëm i ligjit të hakmarrjes dhëmb për dhëmb) nuk garanton aspak një sanksion të përpjesëtuar sepse ky dënim është arbitrar ngaqë mund të matet me ditë ose me dhjetëvjeçarë, sipas kohës që i mbetet të jetojë të burgosurit. Ai rrezikon kështu të jetë i shpërpjesëtuar – pikërisht e meta që dënohet në fushën e nenit 3 – në mos u zbatoftë sigurisht logjika e dënimit me vdekje: krimi është aq i urrejtshëm saqë nuk mund të shlyhet dot. Por, në një rast të tillë, vlera e hamendësuar si e patjetërsueshme e jetës së të burgosurit rrudhet thjesht në një mbijetesë të tij, në hiçgjë më tepër veç aftësisë së tij për të marrë frymë e për të parë rrjedhën e ditëve në disa kushte, pa pikë dyshimi, të pranueshme. Kjo do të ishte sa për të larë gojën me vlerën e jetës, por jo për të pasur nderim për të.”
Megjithatë, dhe “jo pa ngurrime”, Lord Justice Laws qe i mendimit se, duke marrë parasysh jurisprudencën përkatëse, përfshirë aty edhe atë të Gjykatës Evropiane , një dënim me burgim të përjetshëm të pazbritshëm nuk do të ngrinte gjithmonë një pikëpyetje në vështrimin e nenit 3.
55. Z. Wellington paraqiti një rekurs pranë Dhomës së Lordëve. Pesë lordët anëtarë të Dhomës gjykuan të gjithë së bashku se, duke pasur parasysh kompetencat e guvernatorit të Misurit për falje dhe për kthim dënimi, dënimi i parashikuar për të do të ishte po aq i zbritshëm sa edhe ai që diskutohej në çështjen Kafkaris (të cituar më lart).
56. Ata shtuan se, në po atë çështje, Gjykata vetëm sa kishte thënë se dhënia e një dënimi me burgim të përjetshëm të pazbritshëm mund të shtronte një pikëpyetje në vështrimin e nenit 3. Sipas tyre, një dënim me burgim të përjetshëm real mund të përbënte një trajtim çnjerëzor e poshtërues në kundërshtim me nenin 3 vetëm kur ai ishte qartësisht ose haptas i shpërpjesëtuar. Lordi Brown, në veçanti, doli në përfundimin se një dënim i pazbritshëm mund të konsiderohej nga Gjykata sikur e shkelte nenin 3 vetëm nga çasti kur mbajtja në burg nuk përligjej dot më nga asnjë nevojë e domosdoshme: as nga ajo e ndëshkimit, as nga ajo e shkëshillimit, as nga ajo e mbrojtjes së publikut.
57. Për më tepër, Lordi Hoffmann, Lordi Scott, baronesha Hale dhe Lordi Brown shprehën që të gjithë dyshime lidhur me mendimin e dhënë nga Lord Justice Laws se burgimi i përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht do të ishte ligji i hakmarrjes dhëmb për dhëmb. Lordi Hoffmann, baronesha Hale dhe Lordi Brown nuk e pranuan postulatin e Lord Justice Laws sipas të cilit ndalimi i dënimit me vdekje ishte mbështetur tek ideja se jeta e çdo personi ka një vlerë të patjetërsueshme: sipas tyre, në zanafillë të ndalimit kishin qenë arsye të tjera, më pragmatike, për shembull karakteri i pakthyeshëm dhe mungesa e efektit shkëshillues të këtij dënimi. Lordi Scott e mënjanoi idenë që një dënim me burgim të përjetshëm të pazbritshëm të ishte çnjerëzor e poshtërues ngaqë ia refuzonte të burgosurit mundësinë për shlyer fajin e vet: sipas tij, nëse pranohej që burgimi i përjetshëm real mund të përbënte një dënim të drejtë, i burgosuri e shlyente fajin e vet duke e vuajtur atë.
58. Kërkesa e paraqitur nga Z. Wellington në Gjykatë u çregjistrua më 5 tetor 2010, meqenëse autori i saj bëri të ditur se dëshironte ta tërhiqte atë (Wellington k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 60682/08, 5 tetor 2010).
III. ELEMENTE PËRKATËSE TË SË DREJTËS EVROPIANE, NDËRKOMBËTARE DHE TË KRAHASUAR LIDHUR ME DËNIMET ME BURGIM TË PËRJETSHËM DHE ME DËNIMET “QARTAZI TË SHPËRPJESËTUARA”
59. Në paragrafët 68 deri në 76 të vendimit Kafkaris të cituar më lart ndodhen të paraqitura tekstet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe të Bashkimit Evropian si edhe instrumente të tjera ndërkombëtare lidhur me vendosjen dhe rishqyrtimin e dënimeve me burgim të përjetshëm, duke përfshirë aty edhe detyrimet që u vë Këshilli i Evropës shteteve të tij anëtare në suazën e ekstradimit të personave drejt shteteve ku këtyre ka rrezik t’u jepen dënime të këtij lloji. Këtu më poshtë do të paraqitet përmbledhja e elementeve shtesë të parashtruara përpara Gjykatës në çështjen në fjalë (si edhe ato të cituara në vendimin Kafkaris e të përmendura shprehimisht prej palëve).
A. Tekstet e Këshillit të Evropës
1. Rezoluta 76(2)
60. Duke filluar nga viti 1976, Komiteti i Ministrave ka miratuar një varg rezolutash e rekomandimesh lidhur me të burgosurit që vuajnë dënime afatgjata (“dënime të gjata”) dhe me ata që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm. Në Rezolutën e tij 76(2) të 17 shkurtit 1976, e para rreth kësaj pike, Komiteti i Ministrave u rekomandonte konkretisht shteteve anëtare:
“1. të ndjekin një politikë penale sipas së cilës dënimet e gjata duhet të jepen vetëm nëse janë të nevojshme për mbrojtjen e shoqërisë;
2. të miratojnë masat e duhura legjislative dhe administrative për të favorizuar një trajtim të përshtatshëm gjatë ekzekutimit të këtyre dënimeve;
(...)
9. të sigurohen që rastet e të gjithë të burgosurve do të shqyrtohen sa më parë për të shikuar nëse atyre mund t’u jepet një lirim me kusht;
10. t’i japin të burgosurit lirimin me kusht, po qe se plotësohen kërkesat ligjore lidhur me afatet, që në momentin kur mund të formulohet një prognozë e favorshme, sepse refuzimi i lirimit me kusht nuk mund të përligjet vetëm mbi bazë arsyesh parandalimi të përgjithshëm;
11. t’u përshtatin dënimeve me burgim të përjetshëm të njëjtat parime si ato që disiplinojnë dënimet e gjata;
12. të sigurohen që për dënimet me burgim të përjetshëm të bëhet shqyrtimi i parashikuar [në paragrafin 9], në rast se një shqyrtim i tillë nuk është bërë tashmë, më së shumti pas tetë deri në pesëmbëdhjetë vjetësh burgim dhe që ai të përsëritet periodikisht;”
2. Rekomandimi 2003(23)
61. Më 9 tetor 2003, Komiteti i Ministrave ka miratuar Rekomandimin (2003)23 lidhur me menaxhimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe të të burgosurve të tjerë afatgjatë nga ana e administratave të burgjeve, hyrja e të cilit thotë:
“(...) zbatimi i dënimeve me heqje lirie nënkupton kërkimin e një baraspeshe midis ruajtjes së sigurisë dhe respektimit të rendit e të disiplinës në institucionet e vuajtjes së dënimeve, në njërën anë, dhe nevojës për t’u ofruar të burgosurve kushte të pranueshme jetese, regjime aktive dhe një përgatitje konstruktive të lirimit të tyre, nga ana tjetër;”
Paragrafi 2 i këtij rekomandimi paraqet më pas qëllimet e menaxhimit të të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe të të dënuarve të tjerë afatgjatë, të cilat mendohet se janë:
“ – të tregohet kujdes që institucionet e vuajtjes së dënimit të jenë vende të parrezikshme e të sigurta për të burgosurit dhe personat që punojnë me ta ose që i vizitojnë ata;
– të zbuten efektet negative që mund të shkaktojë burgimi afatgjatë dhe i përjetshëm;
– të rritet e të përmirësohet mundësia e këtyre të burgosurve për t’u riintegruar me sukses në shoqëri dhe për të bërë pas lirimit të tyre një jetë në respektim të ligjeve.”
Mes parimeve të përgjithshme të menaxhimit të të burgosurve të këtij lloji që formulohen në këtë rekomandim figurojnë i) parimi i individualizimit, sipas të cilit duhet të merret në konsideratë larmia e karakteristikave individuale të të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe të të burgosurve afatgjatë si edhe të mbahet ajo parasysh për të hartuar plane individuale të ekzekutimit të dënimeve, dhe ii) parimi i përparimit, i cili parashikon që planifikimi individual i menaxhimit të dënimit me burgim të përjetshëm ose afatgjatë të një të burgosuri të synojë sigurimin e një evoluimi të përshkallëzuar përmes sistemit të burgjeve (shih paragrafët 3 dhe 8 të Rekomandimit). Raporti bashkëngjitur me rekomandimin, i hartuar nën drejtimin e Komitetit Evropian për Problemet Kriminale, shton se përparimi ka si qëllim të fundit një kalim konstruktiv nga jeta e burgut në jetën në shoqëri (paragrafi 44 i raportit).
Paragrafi 10 i Rekomandimit (planifikimi i dënimeve) parashikon që planet e ekzekutimit të dënimit duhet të shërbejnë si qasje sistematike sidomos për përparimin e përshkallëzuar të të burgosurit përmes sistemit të burgjeve në kushte përherë e më pak shtrënguese deri në një etapë përfundimtare që më e mira do të ishte të zhvillohet në mjedis të hapur, mundësisht brenda gjirit të shoqërisë, si edhe për kushtet dhe masat e marrjes në ngarkim të cilat favorizojnë një mënyrë jetese në respektim të ligjeve dhe përshtatjen ndaj komunitetit pas një lirimi me kusht.
Paragrafi 16 parashtron se rrezikshmëria dhe nevojat për të kryer krim nuk janë karakteristika në thelb të qëndrueshme dhe se prandaj është e udhës që të kryhet në mënyrë periodike një vlerësim i rreziqeve dhe i nevojave.
Së fundi, paragrafët 33 dhe 34 (lidhur me përgatitjen e kthimit në shoqëri) saktësojnë këtë:
“33. Për t’i ndihmuar të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe të burgosurit e tjerë afatgjatë për kapërcimin e problemit të veçantë të kalimit nga një burgim i zgjatur në një mënyrë jetese në respektim të ligjeve në gjirin e shoqërisë, lirimi i tyre duhet të përgatitet që mjaft më parë dhe të ketë parasysh pikat e mëposhtme:
– nevojën për të hartuar plane specifike lidhur me periudhat para lirimit dhe pas lirimit, duke llogaritur rreziqe dhe nevoja rëndësore;
– llogaritjen e kujdesshme të mundësive që favorizojnë një lirim dhe ndjekjen pas lirimit e të gjitha programeve, ndërhyrjeve ose trajtimeve objekt i të cilave mund të kenë qenë të burgosurit gjatë burgimit të tyre;
– nevojën për të siguruar një bashkëpunim të ngushtë midis administratës së burgjeve, autoriteteve që sigurojnë marrjen në ngarkim pas lirimit dhe shërbimeve sociale e mjekësore.
34. Dhënia dhe vënia në zbatim e lirimit me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe të burgosurit e tjerë afatgjatë duhet të udhëhiqen nga parimet e përfshira në Rekomandimin Rec(2003)22 për lirimin me kusht.”
Paragrafi 131 i raportit bashkëngjitur me këtë rekomandim bën saktësimin e mëposhtëm lidhur me paragrafin e tij 34:
“Rekomandimi Rec (2003)23 parashtron parimin se të gjithë të burgosurit, me përjashtim të atyre që vuajnë dënime jashtëzakonisht të shkurtra, duhet të kenë mundësinë e përfitimit të një lirimi me kusht. Ky parim, sipas termave të këtij rekomandimi, zbatohet edhe për të dënuarit me burgim të përjetshëm. Megjithatë, është e udhës të shënohet se bëhet fjalë vetëm për mundësinë që të dënuarve me burgim të përjetshëm t’u jepet një lirim me kusht dhe se kjo gjë nuk duhet të jetë sistematike.”
3. Rekomandimi 2003(22)
62. Rekomandimi (2003)22, lidhur me lirimin me kusht, është miratuar nga Komiteti i Ministrave më 24 shtator 2003. Ai citohet gjerësisht në paragrafin 72 të vendimit Kafkaris (të cituar më lart). Për ta përmbledhur thënë me pak fjalë, ai parashtron një varg rekomandimesh lidhur me përgatitjen e lirimit me kusht, dhënien e tij, kushtet që mund t’i vihen dhe garancitë procedurale që e shoqërojnë. Ja cilat janë disa prej parimeve të përgjithshme që parashtrohen aty (paragrafët 3 dhe 4.a):
“3. Lirimi me kusht duhet të synojë t’i ndihmojë të burgosurit për ta kryer me sukses kalimin nga jeta e burgut në jetën në komunitet në respektim të ligjeve, duke siguruar pas lirimit disa kushte e masa mbikëqyrëse që i shërbejnë këtij objektivi dhe japin ndihmesë për sigurinë publike dhe uljen e kriminalitetit në gjirin e shoqërisë.
4.a. Me qëllim që të zbuten efektet e dëmshme të qëndrimit në burg dhe që të favorizohet riintegrimi i të burgosurve në kushte që synojnë të garantojnë sigurinë e shoqërisë, legjislacioni duhet të parashikojë mundësinë që të gjithë të burgosurit e dënuar, duke përfshirë edhe ata të dënuar me burgim të përjetshëm, të përfitojnë nga lirimi me kusht.”
Parashtrimi i arsyeve bashkëngjitur me këtë rekomandim saktëson si më poshtë lidhur me paragrafin 4 të këtij të fundit:
“Të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm nuk duhet t’u hiqet shpresa për të fituar një lirim. Pikësëpari, sepse nuk mund të ketë arsye që të mendohet se të gjithë të dënuarit me burgim të përjetshëm do të mbeten përgjithmonë të rrezikshëm për shoqërinë. Së dyti, sepse qëndrimi në burg i personave që nuk kanë asnjë shpresë për t’u liruar shtron probleme të rënda menaxhimi, qoftë për t’i nxitur ata për të qenë bashkëpunues e për t’i vënë fre sjelljes së tyre turbulluese, qoftë për të propozuar programe zhvillimi personal, për të organizuar planifikimin e dënimit apo për të garantuar sigurinë. Kështu, vendet legjislacioni i të cilave përmban dënime efektive me burgim të përjetshëm duhet të krijojnë mundësi për rishqyrtim të dënimit pas një numri të caktuar vitesh dhe në intervale të rregullta, me qëllim që të vendoset nëse një i(e) burgosur i(e) dënuar me burgim të përjetshëm mund ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit të vet në gjirin e komunitetit, si dhe në cilat kushte e me çfarë masash mbikëqyrjeje.”
4. Dokumenti i punës i Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimeve ose Dënimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese rreth dënimeve me burgim të përjetshëm real/efektiv
63. Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimeve ose Dënimeve Çnjerëzore ose Poshtëruese (KPT) ka miratuar më 2007 një raport (KPT (2007) 55, 27 qershor 2007), të titulluar “Dënime me burgim të përjetshëm real/efektiv” dhe të hartuar nga Z. Jørgen Worsaae Rasmussen, anëtar i këtij komiteti, i cili kalon në revistë tekste të ndryshme të Këshillit të Evropës rreth dënimeve me burgim të përjetshëm, ndër të cilat Rekomandimet (2003)22 e (2003)23, dhe vë në dukje në thelb a) se parimi i parashikimit për të gjithë të burgosurit i mundësisë për të përfituar nga një lirim me kusht vlen edhe për “të dënuarit me burgim të përjetshëm” dhe b) se të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës e parashikojnë mundësinë e një lirimi për arsye humanitare, por se kjo “trajtë e posaçme lirimi” dallohet nga lirimi me kusht.
Ky raport vë në dukje ekzistencën e një rryme mendimi që paska qenë në zanafillë të disa propozimeve për reformim të procedurës për rishikimin e dënimeve me burgim të përjetshëm në Danimarkë, në Finlandë e në Suedi dhe sipas së cilës lirimi vetëgjykimor i të burgosurve, ashtu si edhe dënimi i tyre, i përket kompetencës së gjykatave dhe jo të ekzekutivit. Raporti citon gjithashtu, duke e miratuar atë, raportin e hartuar nga KPT-ja në përfundim të vizitës së tij në Hungari më 2007, ku mund të lexohet:
“për sa u përket «të dënuarve me burgim mirëfilli të përjetshëm», KPT-ja shpreh rezerva serioze lidhur me vetë konceptin sipas të cilit të burgosurit në fjalë, pas dënimit të tyre, të konsiderohen një herë e përgjithmonë si një kërcënim i përhershëm për komunitetin dhe të privohen nga çdolloj shprese për lirim me kusht.”
Në përfundimet e tij, ky dokument formulon rekomandime të ndryshme: asnjë i burgosur nuk duhet të “katalogohet” si dikush që mund ta kalojë jetën në burg, refuzimi i lirimit nuk duhet të jetë kurrë përfundimtar e madje edhe të burgosurit e rënë përsëri në burg nuk duhet të privohen nga shpresa për lirim.
5. Raporti i KPT-së për Zvicrën
64. Raporti i KPT-së rreth vizitës së tij në Zvicër nga 10 deri më 20 tetor 2011 (KPT/Inf (2012) 26, 25 tetor 2012) përmbledh vërejtjet e mëposhtme lidhur me sistemin zviceran të burgimit të përjetshëm për autorët e veprave penale me karakter seksual ose të dhunshëm, të cilët konsiderohen si skajshmërisht të rrezikshëm e të pandreqshëm:
“KPT-ja shpreh rezerva serioze për sa i përket vetë konceptit të burgimit «për gjithë jetën» sipas të cilit këta persona, sapo deklarohen skajshmërisht të rrezikshëm e të pandreqshëm, konsiderohen një herë e përgjithmonë sikur paraqesin një rrezik të përhershëm për shoqërinë dhe privohen rreptësisht nga çdo shpresë për lehtësim të ekzekutimit të masës, madje edhe nga ndonjë lirim me kusht. Duke qenë se, për personin në fjalë, e vetmja mundësi për t’u liruar varet nga ndonjë përparim shkencor, ai është i privuar nga çdolloj aftësie për të pasur një ndikim në lirimin e tij eventual përmes sjelljes së vet të mirë në kuadrin e ekzekutimit të masës, për shembull.
Për këtë qëllim, Komiteti i referohet Rekomandimit Rec (2006)2 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, të 11 janarit 2006, për Rregullat Evropiane të Burgjeve, si edhe paragrafit 4.a. të Rekomandimit Rec (2003)22 të Komitetit të Ministrave, të 24 shtatorit 2003, lidhur me lirimin me kusht, i cili vë qartësisht në dukje se legjislacioni duhet të parashikojë për të gjithë të burgosurit e dënuar, duke përfshirë edhe personat që janë objekt i një sanksioni penal të përjetshëm, mundësinë që të përfitojnë nga lirimi me kusht. Paraqitja e arsyetimeve të [këtij të fundit] ngulmon në faktin se të dënuarve me burgim të përjetshëm nuk duhet t’u hiqet shpresa për t’u liruar.
KPT-ja çmon pra se është çnjerëzore që një person të futet në burg për gjithë jetën pa shpresa reale për lirim. Për pasojë, Komiteti i fton me forcë autoritetet zvicerane për ta rishqyrtuar konceptin e burgosjes «për gjithë jetën».” [germat e zeza janë sipas origjinalit]
B. E drejta penale ndërkombëtare
65. Neni 77 i Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (“GjPN”) e lejon dhënien e një dënimi me burgim të përjetshëm nëse këtë e përligjin serioziteti i skajshëm i krimit dhe situata e të dënuarit. Neni 110 § 3 sanksionon se, kur një person i ka mbushur njëzet e pesë vjet burgim në rastin e një dënimi me burgim të përjetshëm, GjPN-ja e rishqyrton dënimin për të përcaktuar nëse është me vend që ai të ulet. Ajo nuk e kryen këtë rishqyrtim përpara këtij afati. Paragrafët 4 e 5 të nenit 110 janë formuluar kështu:
“4. Gjatë rishqyrtimit të parashikuar në paragrafin 3, Gjykata mund ta ulë dënimin nëse konstaton se janë realizuar një ose disa nga kushtet e mëposhtme:
a) Personi ka shfaqur që në fillim e në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e tij për të bashkëpunuar me Gjykatën në hetimet dhe në procedimet e kësaj të fundit;
b) Personi e ka lehtësuar spontanisht ekzekutimin e vendimeve dhe të urdhëresave të Gjykatës në raste të tjera, veçanërisht duke e ndihmuar atë për të lokalizuar asete të cilat janë objekt vendimesh që urdhërojnë konfiskimin e tyre, pagesën e një gjobe ose të një dëmshpërblimi e të cilat mund të përdoren në të mirë të viktimave; ose
c) Faktorë të tjerë të parashikuar në Rregulloren e Procedurës dhe të Provës dëshmojnë për një ndryshim të dukshëm rrethanash me pasoja të vlerësueshme, të tilla që ta përligjin uljen e dënimit.
5. Nëse, gjatë rishqyrtimit të parashikuar në paragrafin 3, Gjykata përcakton se nuk ka qenë e udhës që të ulet dënimi, ajo e rishqyrton më pas çështjen e uljes së dënimit në intervalet e parashikuara në Rregulloren e Procedurës dhe të Provës dhe duke zbatuar kriteret që parashtrohen aty.”
Procedura dhe kriteret e tjera të rishqyrtimit përcaktohen te rregullat 223 dhe 224 të Rregullores së Procedurës dhe të Provës.
Rregulli 223 parashikon:
“Kritere për shqyrtimin e çështjes së uljes së dënimit
Kur shqyrtojnë çështjen e uljes së një dënimi në bazë të paragrafëve 3 dhe 5 të nenit 110, tre gjyqtarët e Dhomës së Apelit marrin në konsideratë kriteret e numëruara në pikat a) e b) të paragrafit 4 të nenit 110, si edhe kriteret e mëposhtme:
a) Faktin se sjellja në burg e personit të dënuar tregon që i interesuari është ndarë nga krimi i vet;
b) Mundësitë për risocializim e riintegrim të suksesshëm të personit të dënuar;
c) Perspektiva që lirimi i parakohshëm i personit të dënuar nuk ka rrezik për të qenë një shkak paqëndrueshmërie shoqërore domethënëse;
d) Çdo veprim domethënës i ndërmarrë nga personi i dënuar në favor të viktimave dhe ndikimet që mund të ketë lirimi i parakohshëm te viktimat dhe familjarët e tyre;
e) Situata personale e personit të dënuar, sidomos rëndimi i gjendjes së tij shëndetësore fizike ose mendore apo mosha e tij e thyer.”
Rregulli 224 § 3 thotë se, për zbatimin e paragrafit 5 të nenit 110 të Statutit, tre gjyqtarë të Dhomës së Apelit e shqyrtojnë çështjen e uljes së dënimit çdo tre vjet, nëse nuk është caktuar një interval më i vogël në ndonjë vendim të marrë në zbatim të paragrafit 3 të nenit 110. Ai shton se, në rast se ndryshojnë ndjeshëm rrethanat, këta tre gjyqtarë mund ta lejojnë personin e dënuar që të kërkojë një rishqyrtim gjatë kësaj periudhe trevjeçare ose në çdo interval më të shkurtër që ata mund të kenë caktuar.
66. Neni 27 i Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (“GjPNJ”) sanksionon se dënimi me burgim kryhet në një shtet të përcaktuar nga GjPNJ-ja. Burgimi u nënshtrohet rregullave kombëtare të shtetit në fjalë, nën kontrollin e GjPNJ-së. Neni 28 (falje dhe kthim dënimi) saktëson:
“Në qoftë se i dënuari mund të përfitojë ndonjë falje ose kthim dënimi në bazë të ligjeve të shtetit në të cilin ai mbahet në burg, ky shtet e njofton Gjykatën për këtë gjë. Kryetari i Gjykatës, në këshillim me gjyqtarët, merr vendim sipas interesave të drejtësisë dhe parimeve të përgjithshme të së drejtës.”
Dispozita të ngjashme me nenet 27 e 28 të Statutit të GjPNJ-së gjenden edhe në nenet 26 e 27 të Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën, në nenet 22 e 23 të Statutit të Gjykatës së Posaçme për Sierra-Leonen dhe në nenet 29 e 30 të Statutit të Gjykatës së Posaçme për Libanin.
C. E drejta e Bashkimit Evropian
67. Neni 5 § 2 i vendimit-kuadër lidhur me urdhërndalimin evropian dhe me procedurën e dorëzimit ndërmjet shteteve anëtare, të miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 13 qershor 2002, thotë:
“kur për veprën penale që është në bazë të urdhërndalimit evropian kërkohet një dënim ose një masë sigurimi me heqje lirie me karakter të përjetshëm, ekzekutimi i këtij urdhri mund t’i nënshtrohet kushtit që sistemi juridik i shtetit anëtar i cili e ka lëshuar atë të parashikojë dispozita që mundësojnë një rishikim të dënimit të dhënë – me kërkesë ose e shumta pas njëzet vjetësh – ose zbatimin e masave të mëshirës që mund të pretendojë personi në bazë të së drejtës ose të praktikës së shtetit anëtar lëshues me qëllim të mosekzekutimit të këtij dënimi a kësaj mase.”
D. Burgimi i përjetshëm në gjirin e shteteve kontraktuese
68. Duke u nisur nga disa elemente të drejte të krahasuar që i janë paraqitur Gjykatës, në gjirin e shteteve kontraktuese vihen re praktikat e mëposhtme.
Së pari, sot janë nëntë vende që nuk e njohin burgimin e përjetshëm: Andorra, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Spanja, Mali i Zi, Norvegjia, Portugalia, San-Marino dhe Serbia. Kohëzgjatja maksimale e burgimit në këto vende shkon nga njëzet e një vjet për Norvegjinë në dyzet e pesë vjet për Bosnjë-Hercegovinën. Në Kroaci mund të jepet një dënim me pesëdhjetë vjet burgim në rast bashkimi dënimesh.
Së dyti, në shumicën e vendeve ku ekziston dënimi me burgim të përjetshëm, një mekanizëm i posaçëm mundëson rishqyrtimin e këtij të fundit pas kryerjes së njëfarë periudhe minimale qëndrimi në burg për një afat të përcaktuar me ligj. Një mekanizëm i tillë, i përfshirë në të drejtën dhe në praktikën lidhur me caktimin e dënimeve, është i parashikuar me ligj në tridhjetë e dy vende: në Armeni (20 vjet), në Austri (15 vjet), në Azerbajxhan (25 vjet), në Belgjikë (15 vjet, me një zgjatje në 19 ose 23 vjet për përsëritësit), në Bullgari (20 vjet), në Danimarkë (12 vjet), në Estoni (30 vjet), në Finlandë (12 vjet), në Francë (në parim 18 vjet, por 30 për disa vrasje), në Greqi (20 vjet), në Gjeorgji (25 vjet), në Gjermani (15 vjet), në Hungari (20 vjet, me përjashtim të një vendimi të kundërt nga gjyqtari), në Irlandë (shqyrtim fillestar nga Komisioni i Lirimit me Kusht në krye të 7 vjetëve, përveçse për disa lloje vrasjesh), në ish‑Republikën Jugosllave të Maqedonisë (15 vjet), në Itali (26 vjet), në Letoni (25 vjet), në Lihtenshtajn (15 vjet), në Luksemburg (15 vjet), në Moldavi (30 vjet), në Monako (15 vjet), në Poloni (25 vjet), në Qipro (12 vjet), në Republikën Çeke (20 vjet), në Rumani (20 vjet), në Rusi (25 vjet), në Sllovaki (25 vjet), në Slloveni (25 vjet), në Suedi (10 vjet), në Shqipëri (25 vjet), në Turqi (24 vjet, 30 në rast burgimi të përjetshëm me rrethana rënduese dhe 36 në rast dënimesh të bashkuara me burgim të përjetshëm me rrethana rënduese) dhe në Zvicër (15 vjet, që mund të ulen në 10).
Për sa i përket Mbretërisë së Bashkuar, Gjykata shënon se, në Skoci, çdo gjyqtar që jep një dënim me burgim të përjetshëm është i detyruar të caktojë një afat minimal qëndrimi në burg, sado që ky mund ta kapërcejë në dukje numrin e viteve që i mbeten të burgosurit për të jetuar (Ligji i vitit 2001 për respektimin e të drejtave të sanksionuara nga Konventa (Skoci) – Convention Rights (Compliance) (Scotland) Act 2001).
Së treti, pesë vende nuk parashikojnë mundësi lirimi me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm: Islanda, Lituania, Malta, Ukraina dhe Vendet e Ulëta. Ato u lejojnë megjithatë të burgosurve të këtij lloji që të kërkojnë kthimin e dënimit me burgim të përjetshëm përmes një faljeje ministrore, presidenciale ose mbretërore. Në Islandë, ndonëse vazhdon të ekzistojë, ky dënim nuk është dhënë kurrë.
Së katërti, përveç Anglisë dhe Uellsit, një sistem lirimi me kusht e kanë edhe gjashtë vende, por e përjashtojnë zbatimin e tij për disa vepra penale ose dënime: Bullgaria, Franca, Hungaria, Sllovakia, Turqia dhe, së fundi, Zvicra (për autorët e veprave penale me karakter seksual ose të dhunshëm që gjykohen të rrezikshëm e të pandreqshëm, shih raportin e KPT-së të cituar në paragrafin 64 të mësipërm).
E. Gjermania
69. Neni 1 i Ligjit Themelor të Republikës Federale të Gjermanisë sanksionon që dinjiteti i personit njerëzor është i paprekshëm dhe që të gjitha autoritetet publike kanë detyrën për ta respektuar e për ta mbrojtur atë. Neni 2 § 2 sanksionon:
“Cilido ka të drejtë për jetën dhe për tërësinë fizike. Liria e personit është e paprekshme. Këto të drejta nuk mund të cenohen përveçse në bazë të një ligji.”
Gjykata Kushtetuese Federale e shqyrtoi se sa pajtohej me këto dispozita një dënim me burgim detyrimisht të përjetshëm për një vrasje me një “mizori të panevojshme” në një çështje lidhur me burgimin e përjetshëm (Lebenslange Freiheitsstrafe) të 21 qershorit 1977 (BVerfGE, vëllimi 45, f. 187)[1].
Ajo gjykoi se shteti nuk mund ta bënte autorin e veprës penale objekt të parandalimit të kriminalitetit në dëm të së drejtës së tij të garantuar me kushtetutë për të përfaqësuar një vlerë të shoqërisë. Ajo deklaroi se respektimi i dinjitetit njerëzor dhe shteti i së drejtës bënin që ekzekutimi i një dënimi me burgim të përjetshëm të mund të ishte njerëzor vetëm në rast se të burgosurit i ofrohej një “shans konkret dhe realist” për ta rifituar një ditë lirinë e tij, dhe se shteti e cenonte dinjitetin njerëzor në vetë thelbin e tij në qoftë se ia hiqte një të burgosuri çdo shpresë për ta fituar ndonjëherë përsëri lirinë e vet.
Gjykata Kushtetuese Federale qe e mendimit se riintegrimi ishte një nevojë e domosdoshme kushtetuese për çdo shoqëri që e quante dinjitetin njerëzor si shtyllën e vet. Ajo shtoi se çdo i dënuar që e kishte shlyer krimin e vet duhej të mund të kthehej përsëri në gjirin e shoqërisë dhe se shteti kishte detyrimin, sa të ishte e mundur, të merrte çdo masë të nevojshme për arritjen e këtij qëllimi. Për të, institucionet e vuajtjes së dënimit ishin të detyruara të bënin çmos për t’i përgatitur të burgosurit që të riintegrohen në shoqëri, për ta ruajtur aftësinë e tyre që t’i bëjnë ballë jetës dhe për t’i zbutur pasojat negative të qëndrimit në burg dhe ndryshimet shkatërruese për personalitetin që sjell ai.
Ajo pranoi sidoqoftë se, ndaj kriminelëve që mbeten një kërcënim për shoqërinë, objektivi i riintegrimit mund të mos arrihej kurrë; në këtë rast, sipas analizës së saj, ajo që duhej të shpinte në nxjerrjen e një konkluzioni të tillë ishte situata e veçantë personale e të interesuarit dhe jo vetë dënimi me burgim të përjetshëm.
Gjykata Kushtetuese Federale gjykoi se, me kusht që të mbaheshin parasysh këto përfundime, burgimi i përjetshëm për vrasje nuk ishte një dënim i pakuptimtë ose i shpërpjesëtuar. Sipas saj, duke pasur parasysh mundësinë e lirimit që Kodi Penal u ofronte në parim të dënuarve me burgim të përjetshëm pas njëfarë afati qëndrimi në burg, dispozitat e të njëjtit kod mund të interpretoheshin e të zbatoheshin në një mënyrë të pajtueshme me Ligjin Themelor.
70. Më vonë, në një çështje të vitit 1986 lidhur me një kriminel lufte (72 BVerfGE 105), ku paditësi, me moshë tetëdhjetë e gjashtë vjeç, kishte kryer njëzet vjet nga dënimi me burgim të përjetshëm që i ishte dhënë për dërgimin e pesëdhjetë vetëve në dhomat e gazit, Gjykata Kushtetuese Federale qe e mendimit se serioziteti i krimit mund të ndikonte lidhur me pikën nëse i dënuari ishte i detyruar ose jo që ta vuante të gjithë dënimin e tij. Ajo çmoi megjithatë se vënia në balancë e elementeve të çështjes nga gjyqtari nuk duhej t’i jepte tepër peshë seriozitetit të krimit në krahasim me personalitetin, me gjendjen shpirtërore dhe me moshën e të dënuarit. Ajo shtoi se, në raste si ai i çështjes në fjalë, shqyrtimi i mëtejshëm i një kërkese për lirim të formuluar nga i interesuari duhej të merrte parasysh më shumë sesa më parë personalitetin e tij, moshën e tij dhe dosjen e tij të burgut. Sipas saj, në fakt, pasojat negative të një dënimi bëheshin gjithnjë e më të thella pas një periudhe me gjatësi të pazakontë qëndrimi në burg.
Gjykata Kushtetuese Federale deklaroi se Ligji Themelor nuk e përjashtonte në parim kryerjen e plotë të një dënimi me burgim të përjetshëm, sidomos kur serioziteti i veprës penale kërkonte një dënim më të gjatë sesa afati minimal i qëndrimit në burg të parashikuar për vrasje. Ajo saktësoi megjithatë se, edhe në një rast të tillë, nuk do të ishte në përputhje me Ligjin Themelor që të ngushtohej mundësia e një lirimi vetëm te personat e prekur nga një paaftësi mendore ose fizike apo në prag të vdekjes. Sipas saj, një lirim për arsye të tilla nuk do të përputhej as me dinjitetin njerëzor, as me nevojën për t’i dhënë çdo të burgosuri një shans konkret e realist për ta fituar përsëri lirinë e tij, cilado qoftë natyra e veprës së tij penale.
71. Madje Gjykata Kushtetuese Federale ka dhënë më 16 janar 2010 një vendim (BVerfG, 2 BvR 2299/09) për një çështje ekstradimi ku autori i ngjarjeve rrezikonte të dënohej me “burgim të përjetshëm me rrethana rënduese deri me vdekje” (erschwerte lebenslängliche Freiheitsstrafe bis zum Tod) në Turqi. Qeveria Gjermane kishte kërkuar sigurinë se do të shqyrtohej mundësia për ta liruar të interesuarin dhe kishte marrë si përgjigje se Presidenti i Republikës së Turqisë kishte fuqi të jepte falje dënimi për arsye sëmundjeje kronike, paaftësie ose moshe të thyer. Gjykata Kushtetuese Federale nuk pranoi ta jepte ekstradimin me arsyetimin se kjo fuqi, e cila jepte vetëm një shpresë të mjegullt për lirim, ishte e pamjaftueshme. Ajo çmoi se, edhe duke pasur parasysh nevojën për respektimin e rendeve të huaja juridike, një dënim i cili nuk ofronte asnjë perspektivë konkrete lirimi duhej të quhej se ishte mizor e poshtërues (grausam und erniedrigend) dhe në kundërshtim me dinjitetin njerëzor, respektimin e të cilit e diktonte neni 1 i Ligjit Themelor.
F. Italia
72. Neni 27 § 3 i Kushtetutës italiane sanksionon që një dënim nuk duhet të jetë çnjerëzor dhe duhet të synojë riintegrimin e të dënuarit.
Gjykata Kushtetuese italiane ka dhënë katër vendime kryesore lidhur me këtë dispozitë.
Së pari, në një vendim të 27 qershorit 1974 (nr. 204/1974), ajo mori vendim për një kërkesë lirimi me kusht që një i burgosur i kishte drejtuar ministrit të Drejtësisë. Ky i fundit ishte këshilluar me gjyqtarin e ngarkuar me ekzekutimin e dënimit, i cili, nga ana e tij, e kishte dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për të marrë mendimin e saj rreth kushtetutshmërisë së ligjit për lirimin me kusht, i cili ia jepte ministrit fuqinë për të marrë vendim në këtë fushë. Gjykata Kushtetuese gjykoi se, në bazë të nenit 27 § 3 të Kushtetutës, riintegrimi ishte qëllimi i ndjekur nga çdo dënim dhe një e drejtë të cilën e gëzonte çdo i burgosur. Ajo nxori përfundimin se dënimi duhej të rishqyrtohej, më shumë nga një gjyqtar sesa nga një pjesëtar i ekzekutivit, me qëllim që të përcaktohej nëse ishte arritur ky qëllim, duke pasur parasysh numrin e viteve te kaluara në burg. Ajo shtoi se, nën rezervën e respektimit të disa kushteve, lirimi me kusht ishte thelbësor për plotësimin e këtij qëllimi. Në një vendim (nr. 192/1976) të 14 korrikut 1976, që kishte të bënte me dy oficerë ushtarakë gjermanë të cilët vuanin një dënim me burgim të përjetshëm për krime të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo mbërriti në të njëjtin përfundim për të dënuarit me burgim të përjetshëm të cilët mbaheshin në burgje ushtarake.
Së dyti, në një vendim (nr. 264/1974) të dhënë më 7 nëntor 1974, ajo u shpreh rreth një çështjeje të kaluar nga Gjykata Penale e Veronës, e cila e pyeste nëse një dënim me burgim të përjetshëm e lejonte riintegrimin e të burgosurit dhe nëse ai pajtohej kështu me nenin 27 § 3. Duke u mbështetur te precedenti i 27 qershorit 1974, Gjykata Kushtetuese nxori përfundimin se ekzistonte një mundësi lirimi me kusht edhe për të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe se vendimet në këtë fushë duhej të merreshin jo nga ekzekutivi, por nga gjyqtari. Ajo gjykoi se riintegrimi i një të dënuari me burgim të përjetshëm ishte i mundur dhe se, prandaj, praktika e dënimeve me burgim të përjetshëm ishte në pajtim me nenin 27 § 3.
Vendimi i tretë (21 shtator 1983, nr. 274/1983) kishte të bënte me një dispozitë të së drejtës italiane që, në atë kohë, lejonte uljen e dënimeve me njëzet ditë për çdo periudhë gjashtëmujore qëndrimi në burg të kryer, por që nuk zbatohej për të dënuarit me burgim të përjetshëm. Gjykata Kushtetuese e gjykoi këtë dispozitë si antikushtetuese, duke rikujtuar se neni 27 § 3 i Kushtetutës vlente për të gjitha dënimet pa dallim dhe se në parim dënimet me burgim të përjetshëm nuk mund të përjashtoheshin nga fusha e zbatimit të dispozitës që e lejonte uljen e dënimeve (qëllimi i shpallur i së cilës ishte që të favorizonte riintegrimin). Ky vendim ka pasur si efekt që t’i bëjë dispozitat rreth uljeve të dënimit të zbatueshme për periudhën që duhet të kryejë një i dënuar me burgim të përjetshëm përpara se të mundë të përfitojë një lirim me kusht.
Vendimi i katërt (2-4 qershor 1997, nr. 161/1997) kishte të bënte me nenin 177 të Kodit Penal, në bazë të të cilit një i dënuar me burgim të përjetshëm i cili nuk i kishte respektuar kushtet e vendosura për lirimin e tij me kusht (dhe i cili ishte burgosur kështu përsëri) e humbiste për të ardhmen çdo të drejtë për të kërkuar një lirim me kusht. Duke rikujtuar precedentët e saj që vinin në plan të parë nevojën e domosdoshme për riintegrim dhe rëndësinë që kishte për këtë qëllim lirimi me kusht, Gjykata Kushtetuese gjykoi se neni 177 kishte si efekt që e përjashtonte çdo mundësi riintegrimi të të burgosurit. Ajo çmoi se një dënim me burgim të përjetshëm nuk mund të gjykohej se ishte në pajtim me nenin 27 § 3 përveçse kur shoqërohej me një mundësi lirimi me kusht. Ajo nxori përfundimin se, ashtu siç ishte i formuluar atëherë, neni 177 ishte antikushtetues dhe se i takonte si detyrë ligjvënësit që t’i caktonte, në respektim të Kushtetutës, kushtet e dhënies së lirimit me kusht.
G. Jurisprudenca e disa vendeve të tjera rreth dënimeve qartas të shpërpjesëtuara dhe dënimeve me burgim të përjetshëm
1. Dënimet “qartas të shpërpjesëtuara”
73. Dënimet qartas të shpërpjesëtuara janë të ndaluara në legjislacionin ose në jurisprudencën e këtyre vendeve:
– të Kanadasë (neni 12 i Kartës Kanadeze të të Drejtave dhe të Lirive, ashtu siç është interpretuar në vendimet R. k. Smith (Edward Dewey), [1987] 1 RCS 1045); R. k. Luxton [1990] 2 RCS 711, dhe R. k. Latimer [2001] 1 RCS 3;
– të Hong-Kongut (vendimi Lau Cheong v. Hong Kong Special Administrative Region [2002] HKCFA 18);
– të Mauriciusit (neni 7 i Kushtetutës; State v. Philibert [2007] SCJ 274);
– të Namibisë (State v. Tcoeib [1997] 1 LRC 90 (paragrafi 74 i mëposhtëm), State v. Vries 1997 4 LRC 1, dhe State v. Likuwa [2000] 1 LRC 600);
– të Zelandës së Re (neni 9 i Ligjit neozelandez të vitit 1990 lidhur me Deklaratën e të Drejtave);
– të Afrikës së Jugut (Dodo v. the State (CCT 1/01) [2001] ZACC 16; Niemand v. the State (CCT 28/00) [2001] ZACC 11); dhe
– të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (amendamenti i tetë i Kushtetutës, ashtu siç është interpretuar sidomos në vendimin Graham v. Florida 130 S. Ct. 2011, 2021 (2010)).
2. Dënimet me burgim të përjetshëm
74. Në vendimin State v. Tcoeib ([1997] 1 LRC 90), Gjykata e Lartë namibiane e gjykoi dhënien e një dënimi vetëgjykimor me burgim të përjetshëm si të pajtueshëm me nenin 8 të Kushtetutës së vendit (paragrafi 2 c) i së cilës është identik me nenin 3 të Konventës). Chief Justice Mahomed, në emër të Gjykatës së Lartë të shprehur njëzëri, deklaroi se regjimi i lirimit i parashikuar me ligj ishte i mjaftueshëm, por ai shtoi se, në qoftë se lirimi duhej të varej nga një “ushtrim sipas tekave” i fuqisë vetëgjykimore nga ana e autoriteteve të burgut ose nga ekzekutivi, shpresa për lirim do të ishte “tepër e mjegullt mjaft tepër e paparashikueshme” që dinjiteti i të burgosurit të mund të ruhej siç e diktonte neni 8.
Dhe Chief Justice vijoi:
“[nj]ë vendim që urdhëron me qëllim burgosjen e një qytetari deri në fund të jetës së tij (...) nuk ka sesi të përligjet nëse ai nënkupton faktikisht që ky të mbyllet përfundimisht prapa hekurave pa pasur as perspektivën më të vogël për të shpëtuar në mënyrë të ligjshme nga kjo situatë përpara fundit të jetës së vet, dhe kjo cilado qofshin rrethanat që mund të krijohen më pas, si rivlerësimi sociologjik e psikologjik i personalitetit të kriminelit, i cili mund t’i fashisë druajtjet e mëparshme se mos lirimi i tij pas disa vitesh mund ta vërë në rrezik jetën e të tjerëve, ose disa elemente që tregojnë nga ana tjetër se i interesuari ka mbërritur në një moshë aq të thyer, është bërë aq i gjymtuar e i sëmurë ose pendohet aq shumë për të kaluarën e vet saqë mbajtja e tij në burgim me shpenzimet e shtetit do të ishte një mizori që interesi i përgjithshëm nuk e lejon më të mbrohet.”
Chief Justice shtoi se një kulturë e tillë “dëshpërimesh që e përforcojnë njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë” ishte e papajtueshme me vlerat e Kushtetutës namibiane, të cilat i diktonin shoqërisë që t’ua lejonte të burgosurve ta shlyenin veten dhe të ndreqeshin gjatë qëndrimit të tyre në burg.
75. Në çështjen de Boucherville v. the State of Mauritius ([2008] UKPC 70), apeluesi ishte dënuar me vdekje. Me ndalimin e dënimit me vdekje në Mauricius, dënimi i tij u kthye në burgim detyrimisht të përjetshëm. Pasi shqyrtoi vendimin Kafkaris (të cituar më lart) të Gjykatës, Komisioni Gjyqësor i Këshillit Privat vuri në dukje se garancitë e pranishme në Qipro, të cilat i kishin lejuar paditësit Kafkaris që të mbante gjallë një shpresë lirimi, mungonin në Mauricius. Gjykata e Lartë mauriciane kishte çmuar se ky dënim e dënonte Z. de Boucherville me heqje liri për krim deri në fund të jetës së tij, një ndëshkim ky ku nuk gjenin zbatim dispozitat e legjislacionit përkatës në fushën e lirimit me kusht dhe të uljes së dënimit. Prandaj, Këshilli Privat nxori përfundimin se ky dënim ishte haptazi i shpërpjesëtuar e arbitrar, dhe pra në kundërshtim me nenin 10 të Kushtetutës mauriciane (dispozitë që synonte të garantonte mbrojtjen nga ligji, dhe sidomos të drejtën për një proces të drejtë).
Apeluesi kishte mbrojtur madje mendimin se karakteri i detyrueshëm i dënimit ishte në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës (ndalim i torturës dhe i dënimeve e i trajtimeve të tjera çnjerëzore ose poshtëruese). Duke pasur parasysh përfundimin e nxjerrë në fushën e nenit 10, Këshilli Privat e gjykoi si të panevojshme që të merrte vendim rreth kësaj çështjeje dhe të shqyrtonte se sa me vend ishte mundësia e lirimit që ofronte neni 75 (e drejtë e posaçme faljeje presidenciale). Ai vuri në dukje megjithatë se garancitë që paraqiteshin në Qipro (konkretisht fuqia që ka Attorney-General për të rekomanduar lirimin dhe ajo e Presidentit të Republikës për t’i kthyer dënimet ose për të urdhëruar lirimin) nuk ekzistonin në Mauricius. Ai shtoi se nuk duhej të ekzagjeroheshin dallimet që mund të viheshin re eventualisht midis dënimeve detyrimisht me vdekje e atyre me burgim detyrimisht të përjetshëm, dhe citoi për këtë qëllim duke i miratuar ato dicta-t që kishin parashtruar Lordi Bingham në vendimin Lichniak dhe Lord Justice Laws në vendimin Wellington (paragrafët 45 e 54 të mësipërm).
IV. INSTRUMENTET PËRKATËSE NDËRKOMBËTARE LIDHUR ME RIINTEGRIMIN E TË BURGOSURVE
76. Tekstet e Këshillit të Evropës dhe instrumente të tjera përkatëse ndërkombëtare që kanë të bëjnë me objektivat e dënimeve me burgim, sidomos për sa i përket rëndësisë që duhet t’i kushtohet riintegrimit, ndodhen të paraqitura në vendimin Dickson k. Mbretërisë së Bashkuar ([DhM], nr. 44362/04, §§ 28-36, GjEDNj 2007‑V). Për nevojat e kësaj çështjeje, ato mund të përmblidhen si vijon.
A. Tekstet e Këshillit të Evropës
77. Përveç Rekomandimeve (2003)22 dhe (2003)23 që u kushtohen riintegrimit të të burgosurve dhe përgatitjes konstruktive të lirimit të tyre, tekstin kryesor të Këshillit të Evropës në këtë fushë e përbëjnë Rregullat Evropiane të Burgjeve të vitit 2006.
Një prej parimeve thelbësore që sanksionon ai është rregulli nr. 6, i cili thotë:
“Çdo burgim menaxhohet në mënyrë të tillë që t’ua lehtësojë riintegrimin në shoqërinë e lirë personave të cilëve u është hequr liria.”
Rregulli nr. 102.1 parashikon se regjimi i zbatueshëm për të burgosurit e dënuar duhet të jetë i konceptuar në mënyrë të tillë që t’u lejojë atyre të bëjnë një jetë të përgjegjshme dhe pa krim. Komenti i Rregullave të vitit 2006 (i hartuar nga Komiteti Evropian për Problemet e Kriminale) saktëson se rregulli nr. 102 është në përputhje me kërkesat e instrumenteve thelbësore ndërkombëtare, për shembull neni 10 § 3 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (paragrafi 80 i mëposhtëm).
Rregulli nr. 103 ka të bëjë me vënien në jetë të regjimit të zbatueshëm për të burgosurit e dënuar. Ja pjesët e tij që kanë lidhje me çështjen në fjalë:
“103.2 Sa më parë pas pranimit [në burg], për të burgosurin e dënuar duhet të hartohet një raport i plotë ku të përshkruhet situata e tij personale, projektet për ekzekutim dënimi që i propozohen atij dhe strategjia për përgatitjen e daljes së tij.
(...)
103.4 Ky projekt duhet të parashikojë sa të jetë e mundur:
a. një punë;
b. një arsimim;
c. veprimtari të tjera; dhe
d. një përgatitje për lirimin.
(...)
103.8 Një kujdes i veçantë duhet t’u kushtohet projektit për ekzekutim dënimi dhe regjimit të të burgosurve të dënuar me një burgim të përjetshëm ose afatgjatë.”
Rregulli nr. 107 (për lirimin e të burgosurve të dënuar) parashikon në veçanti se, lidhur me të burgosurit e dënuar me dënime më afatgjata, duhet të merren masa për t’u siguruar atyre një kthim të përshkallëzuar në jetesën në mjedis të lirë (rregulli nr. 107.2), dhe se autoritetet e burgjeve duhet të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet dhe organizmat që i shoqërojnë e i ndihmojnë të burgosurit e liruar për të gjetur përsëri një vend në shoqëri (rregulli nr. 107.4).
B. Rregullat Minimale Standard të Kombeve të Bashkuara
78. Rregullat Minimale Standard të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve (1957) përmbledhin parimet udhëheqëse të mëposhtme lidhur me të burgosurit e dënuar:
“58. Qëllimi dhe përligjja e dënimeve dhe e masave me heqje lirie janë në fund të fundit që ta mbrojnë shoqërinë nga krimi. Në qëllim i tillë do të arrihet vetëm po qe se përfitohet nga periudha e heqjes së lirisë për të arritur, sa të jetë e mundur, që keqbërësi, pas lirimit, jo vetëm të ketë dëshirë, por edhe të jetë i aftë për të jetuar duke e respektuar ligjin e për t’i plotësuar nevojat e veta.
59. Për këtë qëllim, regjimi i burgjeve duhet të vërë në përdorim të gjitha mjetet shëruese, edukuese, morale, shpirtërore e të tjera, si edhe të gjitha trajtat e ndihmës që mund të ketë në dispozicion, duke kërkuar për t’i zbatuar ato në përputhje me nevojat e trajtimit individual të keqbërësve.
60. 1) Regjimi i institucionit duhet të përpiqet t’i zvogëlojë dallimet që mund të ekzistojnë ndërmjet jetës në burg dhe jetës së lirë, sepse këto dallime kanë prirje për ta [zbehur] ndjenjën e përgjegjësisë së të burgosurit ose respektimin e dinjitetit të personit të tij.
2) Përpara përfundimit të ekzekutimit të një dënimi ose mase, është e dëshirueshme që të merren masat e nevojshme për t’i siguruar të burgosurit një kthim të përshkallëzuar drejt jetës në shoqëri. Ky qëllim mund të arrihet, sipas rasteve, me një regjim përgatitor për lirimin, të organizuar në vetë institucionin ose në një institucion tjetër të përshtatshëm, ose me një lirim me vënie në provë nën një kontroll i cili nuk duhet t’i besohet policisë, por që do të përmbajë një asistencë sociale të efektshme.
61. Trajtimi nuk duhet ta vërë theksin te përjashtimi i të burgosurve nga shoqëria, por përkundrazi te fakti se ata vazhdojnë të bëjnë pjesë në të. Për këtë qëllim, duhet të përdoret, sa të jetë e mundur, bashkëpunimi i organizmave të komunitetit për ta ndihmuar personelin e institucionit në detyrën e tij për riklasifikim të të burgosurve. (...)
(...)
Trajtimi
65. Trajtimi i individëve të dënuar me një dënim ose masë me heqje lirie duhet të ketë si qëllim, për aq sa e lejon këtë gjë afati i dënimit, që të krijojë tek ata vullnetin dhe aftësitë të cilat i bëjnë ata të jenë në gjendje, pas lirimit, për të jetuar duke e respektuar ligjin dhe për t’i plotësuar nevojat e veta. Ky trajtim duhet të jetë i tillë që t’ua nxisë atyre respektin për veten dhe t’ua zhvillojë ndjenjën e përgjegjësisë.
66. 1) Për këtë, duhet të përdoren në veçanti përkujdesjet fetare në ato vende ku kjo gjë është e mundur, arsimimi, orientimi dhe përgatitja profesionale, metodat e asistencës sociale individuale, këshillimi lidhur me punësimin, zhvillimi fizik dhe edukimi i karakterit moral, në përputhje me nevojat individuale të çdo të burgosuri. Është e udhës të merren parasysh e kaluara shoqërore dhe kriminale e të dënuarit, aftësitë e vetitë e tij fizike dhe mendore, prirjet e tij personale, afati i dënimit dhe perspektivat e tij për riklasifikim.”
79. Referenca për riintegrimin gjenden edhe te rregullat nr. 24 e 62 (konstatim e trajtim i çdo zhvillimi të pamjaftueshëm fizik ose mendor që mund të bëhet pengesë për riklasifikimin e një të burgosuri), 63 (mjedis i hapur), 64 (asistencë pas burgimit), 67 (klasifikim e individualizim), 75 § 2 (punë) dhe 80 (marrëdhënie me personat jashtë burgut).
C. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike
80. Neni 10 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike thotë, në pjesët e tij që kanë lidhje me çështjen në fjalë:
“1. Çdo person të cilit i është hequr liria trajtohet me njerëzi dhe me respektin e dinjitetit që lidhet me personin njerëzor.
(...)
3. Regjimi i burgut përmban një trajtim të të dënuarve qëllimi thelbësor i të cilit është ndreqja e tyre dhe riklasifikimi i tyre shoqëror. Keqbërësit e rinj ndahen nga të rriturit dhe i nënshtrohen një regjimi në përshtatje me moshën dhe me statusin e tyre ligjor.”
81. Në Vërejtjen e Përgjithshme të tij nr. 21 (1992) për nenin 10, Komiteti i të Drejtave të Njeriut ka çmuar, në veçanti, se asnjë sistem burgjesh nuk duhet të bazohet vetëm te ndëshkimi, por se një sistem i tillë duhet të synojë në thelb ndreqjen dhe ripërshtatjen shoqërore të të burgosurit (paragrafi 10 i Vërejtjes).
LIGJI
I. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 3 TË KONVENTËS
82. Përpara Dhomës së Madhe, paditësit vazhdojnë të kërkojnë papajtueshmërinë e dënimit të tyre me burgim të përjetshëm real me nenin 3 të Konventës, i cili shprehet kështu:
“Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.”
A. Përfundimet e dhomës
83. Përpara dhomës, palët kishin rënë dakord që të pranonin se çdo dënim qartas i shpërpjesëtuar duhet të quhet se përbën një keqtrajtim në kundërshtim me nenin 3. Pasi vuri në dukje se kriteri i shpërpjesëtimit të qartë njihej e zbatohej gjerësisht për vlerësimin e pikës nëse një dënim duhet të cilësohet ose jo si trajtim çnjerëzor ose poshtërues, dhoma e përqafoi mendimin e palëve, jo pa nënvizuar se ky kriter do të plotësohej vetëm në “raste të rralla e të jashtëzakonshme” (paragrafët 88 dhe 89 të vendimit të saj).
84. Dhoma ka thënë pastaj se, me kusht të kësaj kërkese të përgjithshme sipas së cilës një dënim nuk duhet të jetë kurrë qartas i shpërpjesëtuar, duhej të dalloheshin tre lloje dënimesh me burgim të përjetshëm (paragrafi 90 i vendimit të saj):
“i. burgimi i përjetshëm me mundësi lirimi pas një periudhe minimale qëndrimi në burg,
ii. burgimi i përjetshëm vetëgjykimor pa mundësi lirimi me kusht (domethënë një dënim i parashikuar me ligj, por për dhënien e të cilit nevojitet një vendim drejtësie), dhe
iii. burgimi detyrimisht i përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht (domethënë një dënim i parashikuar me ligj për një vepër penale të veçantë dhe që nuk i lë gjyqtarit asnjë kompetencë vlerësimi për sa i përket volisë për ta dhënë atë).”
85. Dhoma ka gjykuar se lloji i parë i dënimit me burgim të përjetshëm ishte haptazi i zbritshëm dhe nuk ngrinte kështu asnjë pikëpyetje në vështrim të nenit 3 (paragrafi 91 i vendimit).
86. Lidhur me llojin e dytë të dënimit, dhoma tha kështu:
“në parim, ky dënim jepet për veprat penale më të rënda, për shembull për vrasjen dhe vrasjen me dashje. Në çdolloj sistemi juridik, vepra të tilla penale, edhe në mos qofshin të dënueshme me burgim të përjetshëm, do të kërkojnë normalisht dënime të rënda me burgim, nganjëherë me afat prej disa dhjetëvjeçarësh. Prandaj, çdo person i dënuar për një vepër penale të këtij lloji duhet të presë që të kalojë një numër të madh vitesh në burg përpara se të mund të ushqejë në mënyrë realiste ndonjë shpresë të çfarëdoshme për lirim, qoftë kur dënimi i dhënë është burgimi i përjetshëm, qoftë kur ai është me afat të caktuar. Për pasojë, një dënim me burgim të përjetshëm vetëgjykimor i dhënë nga gjyqtari në përfundim të një shqyrtimi të përshtatshëm të tërësisë së rrethanave lehtësuese dhe rënduese përkatëse të çështjes nuk ka sesi të ngrejë ndonjë pikëpyetje në vështrim të nenit 3 në datën e dhënies së tij.”
87. Gjithashtu, dhoma ka gjykuar se në këndvështrimin e nenit 3 do të ngrihej një pikëpyetje vetëm në qoftë se mund të vërtetohej i) që mbajtja në burg e të interesuarit nuk përligjej dot më me një arsye të ligjshme të çfarëdoshme të natyrës penologjike dhe ii) që dënimi ishte de facto dhe de jure i pazbritshëm (paragrafi 92 i vendimit të saj).
88. Për sa i përket llojit të tretë të dënimit, domethënë burgimit detyrimisht të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, dhoma ka thënë se, ndonëse lindte nevoja e një kontrolli më të thelluar për vlerësimin e karakterit të tij qartas të shpërpjesëtuar ose jo, një dënim i tillë nuk ishte i papajtueshëm në vetvete me Konventën dhe do të ngrinte një pikëpyetje në vështrim të nenit 3 vetëm në të njëjtat kushte me burgimin vetëgjykimor pa mundësi lirimi me kusht.
89. Duke bërë zbatim të këtyre kritereve, dhoma ka nxjerrë përfundimin se dënimet e dhëna ndaj paditësve ishin, në realitet, dënime me burgim të përjetshëm vetëgjykimor pa mundësi lirimi me kusht.
90. Ajo ka vërejtur më tej se politika e ndjekur nga ministri në fushën e lirimit për arsye humanitare ngjante shumë më e rreptë sesa ajo e shqyrtuar në vendimin Kafkaris (të cituar më lart) dhe e zbatuar në Qipro në fushën e faljes. Së pari, ajo ka çmuar se kjo politikë mund të sillte teorikisht si pasojë që një i burgosur, po të mos vuante nga një sëmundje vdekjeprurëse në fazë fundore ose nga ndonjë invaliditet fizik, të mbetet në burg sado që mbajtjen e tij në burgim të mos e përligjte asnjë arsye legjitime me natyrë penologjike. Së dyti, ajo ka vënë në dukje se regjimi ligjor në fuqi më parë në Angli dhe në Uells e kërkonte që të rishqyrtohej nevoja e dënimit me burgim të përjetshëm real në krye të njëzet e pesë vjetëve qëndrimi në burg. Ajo ka shënuar se mungesës së këtij mekanizmi në regjimin e tanishëm të vendosur nga Ligji i vitit 2003 nuk i ishte dhënë asnjë shpjegim. Lidhur me këtë, ajo ka shtuar se Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare parashikonte një sistem identik rishqyrtimi për dënimet me burgim të përjetshëm të dhëna nga ky juridiksion. Së treti, ajo ka shprehur disa dyshime rreth mundësisë për ta barazuar një lirim për arsye humanitare me një nxjerrje të mirëfilltë në liri, që nga momenti që një lirim i atillë do të thoshte thjesht se i interesuari do të vdesë jo brenda mureve të një burgu, por në shtëpinë e tij a në ndonjë strehë.
91. Megjithatë, duke bërë zbatim të kritereve të parashtruara prej saj në paragrafin 92 të vendimit të vet, dhoma ka vënë re pastaj se në vështrim të nenit 3 në çështjen në fjalë nuk ishte ngritur ende asnjë pikëpyetje, përderisa asnjëri prej paditësve nuk e kishte vërtetuar se mbajtja e tij në burgim nuk ndiqte kurrfarë qëllimi të drejtë me natyrë penologjike: paditësi i parë po e vuante dënimin e tij vetëm që prej tre vjetësh (paragrafi 95 i vendimit të dhomës), dhe paditësi i dytë e ai i tretë, ndonëse qëndronin në burg që prej përkatësisht njëzet e gjashtë dhe gjashtëmbëdhjetë vjetësh, kishin marrë në fakt një dënim të ri më 2008 pas kërkesës që ishte paraqitur prej tyre në High Court për qëllim të rishqyrtimit të dënimit të tyre me burgim të përjetshëm real. High Court kishte çmuar se mbajtja në burgim nuk ndiqte kurrfarë qëllimi të drejtë me natyrë penologjike as në rastin e njërit, as në rastin e tjetrit nga këta dy paditës; përkundrazi, ajo kishte nxjerrë në të dyja rastet përfundimin se nevojat e domosdoshme të ndëshkimit e të shkëshillimit mund t’i plotësonte vetëm burgimi i përjetshëm real (po aty).
B. Tezat e palëve
1. Qeveria
92. Qeveria ka mendimin se dhoma e ka bërë me të drejtë një dallim ndërmjet tre llojeve të dënimeve me burgim të përjetshëm. Sipas saj, as burgimi i përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, as kryerja e një dënimi të tillë, nuk janë në parim të pajtueshme me nenin 3. Midis shteteve kontraktuese nuk paska konsensus në fushën e burgimit të përjetshëm, siç e dëshmuaka për shembull formulimi jodetyrues i nenit 5 § 2 i vendimit-kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian lidhur me urdhërndalimin evropian (paragrafi 67 i mësipërm). Politika penale e Anglisë dhe e Uellsit qenka e vendosur prej shumë kohësh. Ajo shprehka pikëpamjen e pranuar si nga gjykatat kombëtare ashtu edhe nga Parlamenti se disa krime janë aq të rënda saqë, vetëm për qëllim ndëshkimi, autorët e tyre meritojnë një mbyllje të përjetshme në burg.
93. Qeveria çmon nga ana tjetër se dhoma ka pasur gjithashtu të drejtë të thoshte se, në datën e shpalljes së tij, një dënim me burgim të përjetshëm vetëgjykimor pa mundësi lirimi me kusht (domethënë, në Angli e në Uells, burgim i përjetshëm real) nuk ngre asnjë pikëpyetje në vështrim të nenit 3. Sipas saj, një dënim i tillë mundet madje fare mirë të mos përbëjë kurrë problem në këndvështrimin e kësaj dispozite. Ja përse Konventa nuk diktuaka asnjë mekanizëm rishqyrtimi të dënimeve me burgim të përjetshëm. Për Qeverinë, një mekanizëm i tillë nuk mund të qenka i prirë veçse për të ofruar një fije shprese për lirim. Brishtësia e kësaj shprese ardhka në faktin se burgimi i përjetshëm real u dhënka për ta dënuar individin për seriozitetin e jashtëzakonshëm të krimit të tij, ndërkohë që serioziteti i një krimi nuk ndryshuaka me kalimin e kohës. Neni 3 nuk kërkuaka një procedurë që ofron një shpresë kaq të brishtë: ai diktuaka më fort që të respektohen të drejtat që rrjedhin prej Konventës për një të burgosur, nëse qëllon që mbajtja e tij në burg të dalë e papajtueshme me nenin 3. Mirëpo, në rastin e paditësve, kjo pikëpyetje nuk qenka shtruar dhe ajo mundka fare mirë të mos shtrohet kurrë.
94. Duke u mbështetur te vendimi Bieber i dhënë nga Gjykata e Apelit dhe te kompetenca për lirim që i është dhënë ministrit nga neni 30 i Ligjit të vitit 1997 (paragrafët 47 dhe 42 të mësipërm), Qeveria mbron mendimin se burgimi i përjetshëm real nuk është një dënim i pazbritshëm. Kompetenca e ministrit qenka e gjerë dhe jo e kushtëzuar. Duke e ushtruar atë, ministri qenka i detyruar të veprojë në përputhje me Konventën. Prandaj, Qeveria çmon se, sikur paditësit të pretendonin një ditë se mbajtja e tyre në burgim nuk përligjet më me asnjë arsye me natyrë penologjike dhe sikur të vërtetohej se i tillë është vërtet rasti, neni 30 e lejuaka lirimin e tyre. Ajo shton se çdo vendim i ministrit për të mos e dhënë lirimin qenka e mundur të sulmohet përmes kontrollit të juridiksionit.
95. Për sa i përket vërejtjes së dhomës lidhur me mungesën e një rishqyrtimi në krye të njëzet e pesë vjetëve në regjimin ligjor të tanishëm në fushën e burgimit të përjetshëm real, të vendosur nga Ligji i vitit 2003, Qeveria parashtron se një prej qëllimeve të këtij teksti ishte që vendimi rreth kohëzgjatjes së burgimit që duhej të caktohej për qëllime ndëshkimi e shkëshillimi të merrej nga gjyqtarët. Aneksi 21 i Ligjit të vitit 2003 përmbajtka kritere të hollësishme dhe jo urdhëruese për caktimin e periudhave minimale të qëndrimit në burg në suazën e dënimeve me burgim të përjetshëm. Qeveria shton se dënimet me burgim të përjetshëm real të dhëna ndaj paditësve të çështjes në fjalë janë dhënë nga gjyqtarë të pavarur të cilët kanë marrë parasysh seriozitetin e veprave penale të kryera dhe të gjitha rrethanat rënduese e lehtësuese përkatëse, dhe se këto vendime i janë nënshtruar kontrollit të Gjykatës së Apelit.
96. Për arsyet e mësipërme si edhe për ato të parashtruara nga dhoma në vendimin e saj, Qeveria çmon se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 ndaj asnjërit prej të tre paditësve.
2. Paditësit
97. Paditësit e quajnë veten viktima të një shkeljeje të nenit 3. Në kundërshtim me tezën e mbrojtur nga Qeveria, dënimi i tyre qenka i pazbritshëm: asnjë i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm real nuk qenka liruar kurrë ndonjëherë në bazë të nenit 30 të Ligjit të vitit 1997 ose të çfarëdo kompetence tjetër.
98. Paditësit çmojnë se dhoma e ka bërë me të drejtë një dallim ndërmjet tre llojesh dënimesh me burgim të përjetshëm. Por ata kanë nga ana tjetër mendimin se ajo e ka pasur gabim kur ka nxjerrë pastaj përfundimin se në fushën e nenit 3 ngrihet një pikëpyetje vetëm nga momenti që mbajtjen në burgim nuk e përligj më asnjë arsye e drejtë me natyrë penologjike. Ky përfundim qenka i gabuar sepse shpërfillka dy elemente: i) pikëpyetjen bazë të ngritur në këndvështrimin e nenit 3, që qenka për të ditur nëse dënimet me burgim të përjetshëm real të dhëna në rastin e tyre përbënin që në fillim një keqtrajtim, dhe ii) kërkesën procedurale sipas së cilës çdo dënim i këtij lloji duhet detyrimisht të përfshijë një kontroll të aftë për të garantuar që të mos ketë asnjë shkelje të nenit 3.
99. Për sa i përket pikës së parë, paditësit e pranojnë se një i dënuar me burgim të përjetshëm mund ta kalojë pjesën e mbetur të jetës së tij në burg po qe se vazhdon të përbëjë një rrezik për shoqërinë dhe se kjo gjë nuk ngre atëherë asnjë pikëpyetje në fushën e nenit 3. Por, nga ana tjetër, një dënim me burgim të përjetshëm real i dhënë vetëm për qëllime ndëshkimi e cenuaka drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor, e shkatërruaka shpirtin e njeriut dhe e shpërfillka mundësinë që të shihen të lindin më vonë arsye të afta për të përligjur një lirim me kusht. Sipas fjalëve të dhomës, arsyet që e përligjin mbajtjen në burg qenkan nevojat e domosdoshme për ndëshkim, për shkëshillim, për mbrojtje të publikut dhe për riintegrim. Mirëpo baraspesha ndërmjet këtyre faktorëve mundka të ndryshojë me rrjedhën e kohës. Një dënim me burgim të përjetshëm real pa mundësi rishqyrtimi shpënka në mbajtjen e të burgosurit në burg deri sa të vdesë, pavarësisht nga ndryshimet që mund të ndodhin brenda këtyre faktorëve gjatë ekzekutimit të dënimit të tij.
Madje, që prej ndalimit të dënimit me vdekje, burgimi i përjetshëm real qenka dënimi i vetëm që e përjashton në mënyrë të përhershme një të burgosur nga shoqëria dhe që bie ndesh me parimin e riintegrimit, i cili predominuaka në politikat penale në Evropë. Për burgimin e përjetshëm real nuk dhënka garanci asnjë tekst i Këshillit të Evropës dhe disa organe, si KPT-ja, e konsideruakan dënimin me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht si çnjerëzor (shih dokumentin e punës dhe raportin për Zvicrën, të cituar në paragrafët 63 e 64 të mësipërm). Këtë e konfirmuakan konsensusi evropian kundër dhënies së dënimeve të kësaj natyre, mendimi i Gjykatave Kushtetuese italiane dhe gjermane, si edhe pikëpamjet e shprehura nga juridiksionet supreme ose kushtetuese të mbarë botës (shih elementet përkatëse të së drejtës së krahasuar, të paraqitura në paragrafët 68 deri 75 të mësipërm). Një tjetër element instruktiv: Skocia nuk e paska burgimin e përjetshëm real dhe ligji i Parlamentit skocez, i cili e detyron gjyqtarin të caktojë periudha minimale qëndrimi në burg në të gjitha rastet, qenka konceptuar për të siguruar pajtueshmërinë e ligjit skocez me Konventën (paragrafi 68 i mësipërm).
100. Për sa i përket pikës së dytë, domethënë kërkesës procedurale për një rishqyrtim të dënimeve me burgim të përjetshëm real, paditësit mbrojnë mendimin se Qeveria nuk ka qenë në gjendje t’i parashtrojë Gjykatës as arsyen më të vogël parimore të aftë për ta shpjeguar mungesën e një rishqyrtimi në krye të njëzet e pesë vjetëve në Ligjin e vitit 2003. Shpjegime të tilla nuk qenkan dhënë as gjatë hedhjes poshtë nga ana e Dhomës së Lordëve në mars 2012 të një ndryshimi legjislativ që synonte rivendosjen e këtij mekanizmi. Edhe Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare shkuaka në drejtimin e një rishqyrtimi në krye të njëzet e pesë vjetëve: të 121 shtetet palë të këtij teksti e paskan pranuar shprehimisht nevojën e tij, edhe në rastet më të rënda, si gjenocidi.
101. Së fundi, në mbështetje të pretendimit të tyre sipas të cilit dënimet e tyre përbëjnë keqtrajtime, paditësi i parë dhe ai i dytë përmendin dy raporte ekspertësh në psikologji klinike të cilët e dëshmuakan gjendjen e depresionit e të dëshpërimit ku ata jetuakan sot, si edhe dëmtimin e personalitetit që u paska ndodhur atyre gjatë kryerjes së dënimit.
C. Vlerësimi i Dhomës së Madhe
1. “Shpërpjesëtimi i qartë”
102. Sipas vendimit të dhomës, çdo dënim qartas i shpërpjesëtuar është në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. I tillë është gjithashtu edhe mendimi që kanë shprehur palët në vërejtjet e tyre përpara dhomës dhe përpara Dhomës së Madhe. Për sa i takon kësaj të fundit, ajo e miraton dhe e përqafon konkluzionin e dhomës. Ajo çmon gjithashtu, bashkë me këtë të fundit, se kriteri i shpërpjesëtimit të qartë do të plotësohet vetëm në raste të rralla e të jashtëzakonshme (paragrafi 83 i mësipërm dhe paragrafët 88 e 89 të vendimit të dhomës).
2. Dënimet me burgim të përjetshëm
103. Megjithatë, përderisa paditësit nuk kanë kërkuar të mbrohen duke pretenduar shpërpjesëtimin e qartë të dënimeve të tyre me burgim të përjetshëm, është e nevojshme të shihet, siç ka bërë dhoma, se mos këto dënime janë për arsye të tjera në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Kjo analizë do të udhëhiqet nga parimet e parashtruara këtu më poshtë.
104. Në jurisprudencën e Gjykatës është diçka e vendosur mirë tashmë se zgjedhja e një regjimi drejtësie penale që bën shteti, duke përfshirë aty rishqyrtimin e dënimit dhe modalitetet e lirimit, nuk i nënshtrohet në parim kontrollit evropian të ushtruar prej saj, mjaft që sistemi i zgjedhur të mos i shpërfillë primet e Konventës (Kafkaris, i cituar më lart, § 99).
105. Përveç kësaj, ashtu siç e ka vënë në dukje Gjykata e Apelit në vendimin e saj R v. Oakes (paragrafi 50 i mësipërm), pikat lidhur me karakterin e drejtë dhe të përpjesëtuar të dënimit ngjallin debate racionale dhe mospajtime të njerëzishme. Prandaj, shteteve kontraktuese duhet t’u njihet një hapësirë vlerësimi për të përcaktuar afatin e përshtatshëm të dënimeve me burgim për veprat e ndryshme penale. Siç e ka deklaruar Gjykata, nuk është detyra e saj të thotë se cili duhet të jetë afati i qëndrimit në burg për këtë ose atë vepër penale, as se cila duhet të jetë kohëzgjatja e dënimit, me burg ose tjetër, që do të vuajë një person i dënuar nga një gjykatë kompetente (T. k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 24724/94, § 117, 16 dhjetor 1999; V. k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 24888/94, § 118, GjEDNj 1999‑IX, dhe Sawoniuk k. Mbretërisë së Bashkuar (vend. pran.), nr. 63716/00, GjEDNj 2001‑VI).
106. Për të njëjtat arsye, shtetet kontraktuese duhet gjithashtu të mbeten të lirë për t’u dhënë dënime me burgim të përjetshëm personave të rritur që kanë kryer vepra penale veçanërisht të rënda si vrasja: të vepruarit ashtu nuk është në vetvete diçka e ndaluar nga neni 3, as nga asnjë dispozitë tjetër e Konventës, e nuk është ndonjë gjë e papajtueshme me këtë të fundit (Kafkaris, i cituar më lart, § 97). Kjo është edhe më e vërtetë në rastin e një dënimi jo të detyrueshëm por të dhënë nga një gjyqtar i pavarur i cili do të ketë marrë parasysh tërësinë e rrethanave lehtësuese dhe rënduese që e karakterizojnë çështjen konkrete.
107. Megjithatë, siç e ka thënë gjithashtu Gjykata në vendimin Kafkaris, dhënia e një dënimi me burgim të përjetshëm të pazbritshëm ndaj një personi të rritur mund të shtrojë një pikëpyetje në këndvështrimin e nenit 3 (po aty). Nga ky parim rrjedhin dy pika të veçanta, por që lidhen me njëra-tjetrën, të cilat Gjykata e gjykon të nevojshme t’i nënvizojë e t’i ripohojë.
108. Së pari, thjesht fakti që një dënim me burgim i përjetshëm të mund të vuhet i plotë nuk e bën atë të pazbritshëm. Një dënim me burgim të përjetshëm të zbritshëm de jure dhe de facto nuk ngre asnjë pikëpyetje në fushën e nenit 3 (Kafkaris, i cituar më lart, § 98).
Lidhur me këtë, Gjykata dëshiron të theksojë se asnjë pikëpyetje nuk ngrihet në këndvështrimin e nenit 3, në qoftë se, për shembull, një i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili mund ta fitojë teorikisht një lirim në bazë të legjislacionit kombëtar, kërkon që të lirohet por nuk i pranohet kërkesa me arsyetimin se ai vazhdon të përbëjë një rrezik për shoqërinë. Dhe me të vërtetë, Konventa i detyron shtetet kontraktuese të marrin masa që synojnë ta mbrojnë publikun nga krimet e dhunshme dhe ajo nuk i ndalon ata që t’i japin një personi i cili vërtetohet se ka kryer një vepër të rëndë penale një dënim me afat të papërcaktuar që mundëson mbajtjen e tij në burgim kur këtë e kërkon mbrojtja e publikut (shih, mutatis mutandis, T. k. Mbretërisë së Bashkuar, § 97, dhe V. k. Mbretërisë së Bashkuar, § 98, të cituar më lart). Madje, pengimi i përsëritjes së krimit nga një keqbërës është një nga “funksionet thelbësore” të një dënimi me burgim (Mastromatteo k. Italisë [DhM], nr. 37703/97, § 72, GjEDNj 2002‑VIII; Maiorano me të tjerë k. Italisë, nr. 28634/06, § 108, 15 dhjetor 2009, dhe, mutatis mutandis, Choreftakis e Choreftaki k. Greqisë, nr. 46846/08, § 45, 17 janar 2012). Kështu është veçanërisht në rastin e të burgosurve të njohur si fajtorë për vrasje ose për vepra të tjera të rënda penale kundër personit. Thjesht fakti që ata ndoshta kanë qëndruar tashmë për një kohë të gjatë në burg nuk e zbeh aspak detyrimin pozitiv për ta mbrojtur publikun, që i bie shtetit: ky i fundit mund ta përmbushë atë duke i mbajtur në burg të dënuarit me burgim të përjetshëm për aq kohë sa ata mbeten të rrezikshëm (shih, për shembull, vendimin e cituar më lart Maiorano me të tjerë).
109. Së dyti, për të përcaktuar nëse një dënim me burgim të përjetshëm mund të duket si i pazbritshëm në një rast të dhënë, Gjykata sheh nëse mund të thuhet se një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm ka shanse për t’u liruar. Aty ku e drejta kombëtare e ofron mundësinë e rishikimit të dënimit me burgim të përjetshëm me qëllim për ta kthyer, për ta pezulluar atë, për t’i dhënë atij fund ose edhe për ta liruar të burgosurin me kushte, kërkesat e nenit 3 plotësohen (Kafkaris, i cituar më lart, § 98).
110. Janë disa arsye që shpjegojnë se, për të mbetur i pajtueshëm me nenin 3, një dënim me burgim të përjetshëm duhet të ofrojë njëherazi një shans për lirim dhe një mundësi rishqyrtimi.
111. Vetëkuptohet se askush nuk mund të mbahet në burg nëse këtë nuk e përligj një arsye e drejtë me natyrë penologjike. Ashtu siç e kanë thënë Gjykata e Apelit në vendimin e saj Bieber dhe dhoma në vendimin e saj të dhënë në çështjen në fjalë, nevojat e domosdoshme për ndëshkim, shkëshillim, mbrojtje të publikut dhe riintegrim bëjnë pjesë tek arsyet që mund ta përligjin një mbajtje në burg. Në fushën e burgimit të përjetshëm, në çastin kur jepet ky dënim do të jenë të pranishme shumë prej këtyre arsyeve. Megjithatë, baraspesha midis tyre nuk është medoemos e pandryshueshme, ajo do të mund të evoluojë gjatë ekzekutimit të dënimit. Ajo çka ishte përligjja e parë e burgimit në fillim të dënimit nuk do të jetë më ndoshta e tillë pasi të jetë kryer një pjesë e mirë e tij. Këta faktorë a zhvillime mund të vlerësohen me korrektësi vetëm nëpërmjet një rishqyrtimi të përligjjes së mbajtjes në burg në një stad të përshtatshëm të ekzekutimit të dënimit.
112. Për më tepër, një person i vënë në burgim të përjetshëm pa asnjë perspektivë lirimi, as mundësi për të kërkuar rishqyrtim të dënimit të tij me burgim të përjetshëm, rrezikon që të mos mundë kurrë ta shlyejë veten: çfarëdo që ai të bëjë në burg, sado të jashtëzakonshme që të mund të jenë përparimet e tij në rrugën e ndreqjes, ndëshkimi i tij mbetet i pandryshueshëm dhe i përjashtuar nga kontrolli. Ndëshkimi, madje, rrezikon të rëndohet edhe më shumë me kalimin e kohës: sa më shumë të jetojë i burgosuri, aq më i gjatë do të jetë dënimi i tij. Kështu, edhe kur burgimi i përjetshëm është një ndëshkim i merituar në datën e dhënies së tij, me rrjedhjen e kohës, ai nuk garanton më aspak një sanksion të drejtë e të përpjesëtuar, nëse përsëriten fjalët e përdorura nga Lord Justice Laws në vendimin Wellington (paragrafi 54 i mësipërm).
113. Përveç kësaj, siç e ka pranuar Gjykata Kushtetuese Federale gjermane në çështjen lidhur me burgimin e përjetshëm (paragrafi 69 i mësipërm), do të ishte diçka e papajtueshme me dispozitën e Ligjit Themelor që sanksionon dinjitetin njerëzor që, përmes detyrimit, shteti t’ia heqë një personi lirinë e vet pa i dhënë atij së paku një shans për ta rifituar atë një ditë. Pikërisht ky konstatim e ka bërë këtë juridiksion të lartë të dalë në përfundimin se autoritetet e burgjeve e kishin për detyrë që të punonin për riintegrimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe se ky i fundit ishte një nevojë e domosdoshme kushtetuese për çdo shoqëri që e kthente dinjitetin njerëzor në shtyllën e saj. Ajo ka saktësuar madje më vonë, në një çështje lidhur me një kriminel lufte, se ky parim zbatohej për të gjithë të dënuarit me burgim të përjetshëm, cilado që të ishte natyra e krimeve të tyre, dhe se nuk mjaftonte të parashikohej mundësia e një lirimi vetëm për personat e paaftë ose në prag të vdekjes (paragrafi 70 i mësipërm).
Konsiderata të ngjashme duhet të zbatohen edhe në suazën e sistemit të Konventës, vetë thelbi i të cilit, siç e ka thënë shpesh Gjykata, është respektimi i dinjitetit njerëzor (shih, ndër të tjera, Pretty k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 2346/02, § 65, GjEDNj 2002‑III, dhe V.C. k. Sllovakisë, nr. 18968/07, § 105, GjEDNj 2011).
114. Faktikisht, e drejta evropiane dhe e drejta ndërkombëtare e përforcojnë sot qartazi parimin që të gjithë të burgosurve, duke përfshirë edhe ata që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm, t’u jepet mundësia për t’u ndrequr dhe perspektiva për t’u liruar nëse ia arrijnë ta bëjnë këtë gjë.
115. Gjykata e ka pasur tashmë rastin për të vënë në dukje se, sado që ndëshkimi mbetet njëri prej qëllimeve të burgimit, politikat penale në Evropë e vënë tani e tutje theksin tek objektivi për riintegrim i mbajtjes në burg, sidomos aty nga fundi i dënimeve të gjata me burgim (shih, për shembull, Dickson, i cituar më lart, § 75, dhe Boulois k. Luksemburgut [DhM], nr. 37575/04, § 83, GjEDNj 2012, dhe referencat e tjera të cituara). Rregullat Evropiane të Burgjeve janë instrumenti juridik i Këshillit të Evropës që e shpreh më qartë këtë gjë: rregulli nr. 6 thotë se çdo burgim menaxhohet në mënyrë të tillë që t’ua lehtësojë riintegrimin në shoqëri personave të cilëve u është hequr liria, kurse rregulli nr. 102.1 parashikon se regjimi në burg i të burgosurve të dënuar duhet të jetë i konceptuar në mënyrë të tillë që t’u lejojë atyre të bëjnë një jetë të përgjegjshme dhe pa krim (paragrafi 77 i mësipërm).
116. Përveç kësaj, instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës të paraqitura në paragrafët 60 deri 64 dhe 76 të mësipërm vërtetojnë pikësëpari se nevoja e domosdoshme për riintegrim vlen po aq për të burgosurit e dënuar me burgim të përjetshëm dhe pastaj se, kur të burgosur të tillë ndreqen, edhe ata duhet të mundin të shpresojnë që të përfitojnë një lirim me kusht.
Rregulli nr. 103 i Rregullave Evropiane të Burgjeve parashikon se, në suazën e regjimit në burg të të burgosurve të dënuar, duhet të hartohen projekte individuale ekzekutimi dënimi të cilët të parashikojnë sidomos një përgatitje për lirimin. Rregulli nr. 103.8 shton shprehimisht se një projekt i këtij lloji duhet të hartohet edhe për të burgosurit e dënuar me burgim të përjetshëm (paragrafi 77 i mësipërm).
Rezoluta 76(2) e Komitetit të Ministrave rekomandon që të shqyrtohet sa më parë rasti i të gjithë të burgosurve – duke përfshirë edhe ata të dënuar me burgim të përjetshëm – për të përcaktuar nëse atyre mund t’u jepet një lirim me kusht. Ajo rekomandon përveç kësaj që rishqyrtimi i dënimeve me burgim të përjetshëm të bëhet në krye të tetë deri në katërmbëdhjetë vjetëve burgim dhe të përsëritet periodikisht (paragrafi 60 i mësipërm).
Rekomandimi 2003(23), lidhur me menaxhimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe të të burgosurve të tjerë afatgjatë nga ana e administratave të burgjeve, thekson se të dënuarit me burgim të përjetshëm duhet të përfitojnë një përgatitje konstruktive për lirimin e tyre dhe sidomos të kenë mundësi, për këtë qëllim, që të bëjnë përparime brenda gjirit të sistemit të burgjeve. Ai shton shprehimisht se të dënuarit me burgim të përjetshëm duhet të kenë mundësinë që të përfitojnë një lirim me kusht (shih, në veçanti, paragrafët 2, 8 e 34 të këtij rekomandimi dhe paragrafin 131 të raportit të bashkëngjitur me të, pjesë këto të cilat janë riprodhuar të gjitha në paragrafin 61 të mësipërm).
Edhe Rekomandimi 2003(22), lidhur me lirimin me kusht, e saktëson mirë se të gjithë të burgosurit duhet ta kenë mundësinë që të përfitojnë një lirim me kusht dhe se të dënuarve me burgim të përjetshëm nuk duhet t’u hiqet çdo shpresë për lirim (paragrafi 4.a i Rekomandimit dhe paragrafi 131 i parashtrimit të arsyeve, që të dy të cituar në paragrafin 62 të mësipërm).
Pikëpamje të ngjashme ka shprehur edhe Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, së fundi në raportin e tij për Zvicrën (paragrafi 64 i mësipërm).
117. Për më tepër, praktika e shteteve kontraktuese e pasqyron këtë vullnet për të punuar për riintegrimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe për t’u ofruar atyre njëherazi një perspektivë lirimi. Pikërisht kjo gjë del nga jurisprudenca e juridiksionit kushtetues gjerman dhe e atij italian rreth riintegrimit dhe dënimeve me burgim të përjetshëm (paragrafët 69 deri 71 dhe 72 të mësipërm) si edhe nga elementet e tjera të së drejtës së krahasuar të paraqitura përpara Gjykatës. Këto elemente tregojnë se një shumicë e madhe shtetesh kontraktuese ose nuk japin kurrë dënim me burgim të përjetshëm, ose – nëse e bëjnë këtë – parashikojnë një mekanizëm të posaçëm, të përfshirë në legjislacionin për caktimin e dënimit, i cili garanton një rishqyrtim të dënimeve me burgim të përjetshëm pas njëfarë afati të caktuar, në përgjithësi pas njëzet e pesë vjetësh qëndrimi në burg (paragrafi 68 i mësipërm).
118. Në të drejtën ndërkombëtare gjendet po ky vullnet për t’i riintegruar të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe për t’u ofruar atyre perspektivën që të lirohen një ditë.
Rregullat Minimale Standard të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve i detyrojnë autoritetet e burgjeve që të vënë në përdorim të gjitha mjetet e mundshme për t’u siguruar keqbërësve një kthim në gjirin e shoqërisë (rregullat 58 deri 61, 65 dhe 66, të cituar në paragrafin 78 të mësipërm). Edhe disa rregulla të tjera bëjnë fjalë shprehimisht për riintegrimin (paragrafi 79 i mësipërm).
Po ashtu, neni 10 § 3 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike thotë shprehimisht se sistemi i burgjeve ka si qëllim thelbësor ndreqjen dhe riklasifikimin shoqëror të të burgosurve. Këtë ka theksuar Komiteti i të Drejtave të Njeriut në Vërejtjen e Përgjithshme të tij për nenin 10, e cila i mëshon faktit se asnjë sistem burgjesh nuk duhet të bazohet vetëm te ndëshkimi (paragrafët 80 dhe 81 të mësipërm).
Së fundi, Gjykata mban shënim dispozitat përkatëse të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ku janë palë 121 shtete, ndër të cilët pjesa më e madhe e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, dhe i cili e parashikon në nenin 110 § 3 të tij rishqyrtimin e dënimeve me burgim të përjetshëm pas njëzet e pesë vjetësh qëndrimi në burg e pastaj periodikisht. Rëndësia e kësaj dispozite nënvizohet përmes parashtrimit, në nenin 110 §§ 4 e 5 të po këtij statuti dhe në rregullat 223 e 224 të Rregullores së Procedurës dhe të Provës të GjPN-së, të garancive të hollësishme procedurale e materiale që duhet të udhëheqin në këtë rishqyrtim. Ndër kriteret për uljen e dënimit figurojnë pika nëse sjellja në burg e të burgosurit të dënuar tregon që ai është ndarë nga krimi i vet si edhe mundësitë e tij për risocializim (rregulli 223 a) dhe b), i cituar në paragrafin 65 të mësipërm).
3. Përfundim i përgjithshëm lidhur me dënimet me burgim të përjetshëm
119. Për arsyet e paraqitura më sipër, Gjykata është e mendimit se, për sa i përket dënimeve me burgim të përjetshëm, neni 3 duhet të interpretohet se kërkon që ato të jenë të zbritshme, domethënë t’i nënshtrohen një rishqyrtimi që u mundëson autoriteteve kombëtare të shohin nëse, gjatë ekzekutimit të dënimit të tij, i burgosuri ka pasur aq shumë evoluim e përparim në udhën e ndreqjes saqë mbajtjen e tij në burgim nuk e lejon më të përligjet asnjë arsye e drejtë me natyrë penologjike.
120. Gjykata dëshiron të nënvizojë megjithatë se, duke pasur parasysh hapësirën për vlerësim që duhet t’u jepet shteteve kontraktuese në fushën e drejtësisë penale dhe të përcaktimit të dënimeve (paragrafët 104 e 105 të mësipërm), ajo nuk e ka për detyrë të diktojë trajtën (administrative ose gjyqësore) që duhet të marrë një rishqyrtim i tillë. Për të njëjtën arsye, asaj nuk i takon të thotë se në cilin moment duhet të bëhet ky rishqyrtim. Megjithatë, ajo vë re gjithashtu se nga elementet e së drejtës së krahasuar dhe të së drejtës ndërkombëtare të paraqitura përpara saj del një prirje e qartë në favor të vendosjes së një mekanizmi të posaçëm që garanton një rishqyrtim të parë pas një afati maksimal prej njëzet e pesë vjetësh pas dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm, e pastaj rishqyrtime periodike në vijim (paragrafët 117 dhe 118 të mësipërm).
121. Nga kjo rrjedh se, aty ku e drejta kombëtare nuk e parashikon mundësinë e një rishqyrtimi të tillë, një dënim me burgim të përjetshëm real i shpërfill kërkesat që rrjedhin nga neni 3 i Konventës.
122. Ndonëse rishqyrtimi i kërkuar është një ngjarje që, si përkufizim, mund të ndodhë vetëm pas shpalljes së dënimit, në i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm real nuk duhet të jetë i detyruar të presë që të ketë kaluar në burg një numër të papërcaktuar vitesh përpara se të mundë të ankohet për një mospërputhje midis kushteve ligjore që lidhen me dënimin e tij dhe kërkesave të nenin 3 në këtë fushë. Kjo do të ishte në kundërshtim jo vetëm me parimin e sigurisë juridike, por edhe me parimet e përgjithshme lidhur me cilësinë e viktimës, në kuptimin e kësaj fjale që nxirret nga neni 34 i Konventës. Përveç kësaj, në rastin kur dënimi është i pazbritshëm në bazë të së drejtës kombëtare në datën e shpalljes së tij, do të ishte e palogjikshme që nga i burgosuri të pritej që ai të punojë për riintegrimin e vet ndërkohë që ai nuk e di nëse, në një datë të panjohur në të ardhmen, do të vendoset apo jo ndonjë mekanizëm që lejon të shihet mundësia e lirimi të tij duke pasur parasysh përpjekjet e tij për riintegrim. Një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm real ka të drejtën për ta ditur, që në fillimin e dënimit të tij, se çfarë duhet të bëjë ai në mënyrë që shihet mundësia e lirimit të tij dhe se cilat janë kushtet e zbatueshme. Ai ka të drejtën, sidomos, për ta ditur momentin se kur do të bëhet ose do të mund të kërkohet rishqyrtimi i dënimit të tij. Për këtë arsye, në rastin kur e drejta kombëtare nuk parashikon asnjë mekanizëm e asnjë mundësi për rishqyrtimin e dënimeve me burgim të përjetshëm real, papajtueshmëria me nenin 3 që rezulton andej lind që në datën e dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm dhe jo në ndonjë stad të mëvonshëm të mbajtjes në burg.
4. Çështja e tanishme
123. Mbetet për t’u përcaktuar nëse, duke pasur parasysh elementet e mësipërme, dënimet me burgim të përjetshëm real të dhëna ndaj paditësve në çështjen në fjalë i plotësojnë kërkesat e nenit 3 të Konventës.
124. Gjykata vëren pikësëpari se, sikurse edhe dhoma (shih paragrafin 94 të vendimit të kësaj të fundit), ajo nuk bindet nga arsyet e dhëna prej Qeverisë për të shpjeguar vendimin për të mos e përfshirë një rishqyrtim në krye të njëzet e pesë vjetëve brenda legjislacionit sot në fuqi në Angli e në Uells lidhur me burgimin e përjetshëm, konkretisht Ligjit të vitit 2003 (paragrafi 95 i mësipërm). Ajo rikujton se një rishqyrtim i tillë, ndonëse në duart e ekzekutivit, ekzistonte në regjimin e mëparshëm (paragrafi 46 i mësipërm).
Qeveria shpjegon se, në qoftë se rishqyrtimi pas njëzet e pesë vjetësh nuk është përsëritur në Ligjin e vitit 2003, kjo ka ndodhur sepse një prej qëllimeve të këtij teksti ishte që vendimet lidhur me kohëzgjatjen e qëndrimit në burg që duhej të caktohej për ndëshkim e shkëshillim t’u besoheshin gjyqtarëve (paragrafi 95 i mësipërm). Mirëpo nevoja për t’ua lënë gjyqtarëve të pavarur marrjen e vendimit se sa i volitshëm është urdhërimi i burgimit të përjetshëm dallohet plotësisht nga ajo për të kërkuar rishqyrtimin e një dënimi të tillë në një stad të mëvonshëm me qëllim që të verifikohet se ai mbetet i përligjur nga arsye të drejta të natyrës penologjike. Për më tepër, përderisa qëllimi i deklaruar i këtij ndryshimi legjislativ ishte që të përjashtohej krejtësisht ekzekutivi nga procesi vendimmarrës në fushën e dënimeve me burgim të përjetshëm, do të kishte qenë më e logjikshme që rishqyrtimi pas njëzet e pesë vjetësh, në vend që të hiqej fare, të parashikohej që të bëhej tani e tutje në një suazë tërësisht gjyqësore dhe jo më, si më parë, nga ekzekutivi nën kontrollin e gjyqtarit.
125. Përveç kësaj, legjislacioni që përcakton sot mundësitë e lirimit për të dënuarit me burgim të përjetshëm nuk e ka qartësinë e duhur. Është e vërtetë se neni 30 i Ligjit të vitit 1997 i jep ministrit fuqinë për t’i liruar të burgosurit e çfarëdo kategorie, duke përfshirë edhe ata që vuajnë një dënim me burgim të përjetshëm real (paragrafi 42 i mësipërm). Është e vërtetë gjithashtu se, teksa e ushtron këtë kompetencë – siç ndodh kur ai ushtron çfarëdo kompetence tjetër që i jep atij ligji –, ministri është i detyruar ligjërisht të veprojë në përputhje me Konventën (shih nenin 6 § 1 të Ligjit për të Drejtat e Njeriut, të cituar në paragrafin 33 të mësipërm). Ashtu siç e mbron mendimin e saj Qeveria në vërejtjet e saj përpara Gjykatës, në nenin 30 mund të shihet pra jo vetëm një kompetencë për lirim që i është dhënë ministrit, por edhe një detyrim i tij për ta ushtruar këtë kompetencë dhe për të liruar çdo të burgosur mbajtja e të cilit në burg do të dilte e papajtueshme me nenin 3, për shembull sepse kjo masë nuk do të mund të përligjej më prej asnjë arsyeje të drejtë me natyrë penologjike.
Pikërisht kjo është mënyra se si e ka lexuar nenin 30 Gjykata e Apelit në vendimin e saj Bieber e që ajo e ka ripohuar në vendimin e saj Oakes (shih, në veçanti, paragrafin 49 të mësipërm, ku përsëriten paragrafët 48 e 49 të vendimit Bieber, me pjesën ku Gjykata e Apelit vërente se, sado që ministri e përdorte me kursim kompetencën që rridhte nga neni 30, asgjë nuk pengonte që ai ta përdorte atë në mënyrë që të sigurohej respektimi i duhur i nenit 3 të Konventës).
Një lexim i tillë i nenit 30, i aftë për t’u ofruar disa perspektiva ligjore lirimi të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm real, do të ishte, në parim, në përputhje me vendimin e dhënë nga Gjykata në çështjen Kafkaris (të cituar më lart). Në rastin e paditësve, në se do të mund të vërtetohej me siguri të mjaftueshme se e drejta kombëtare sot në fuqi e ka këtë orientim, dënimet e tyre nuk do të mund të paraqiteshin si të pazbritshme dhe çështjet e tyre nuk do të zbulonin kurrfarë shkeljeje të nenit 3.
126. Megjithatë, Gjykata duhet të përqendrohet te legjislacioni në atë gjendje që ky shprehet sot në urdhëresat e botuara dhe në jurisprudencë, si edhe ashtu siç zbatohet ai në praktikë ndaj të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm real. Por mbetet fakti që, pavarësisht nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit në çështjen Bieber, ministri nuk e ka ndryshuar përmbajtjen e politikës shtrënguese të parashtruar shprehimisht prej tij lidhur me situatat ku ai ka ndër mend ta ushtrojë kompetencën që i jep neni 30. Me gjithë mënyrën se si e ka lexuar këtë dispozitë Gjykata e Apelit, urdhëresa e administratës së burgjeve mbetet në fuqi dhe parashikon se lirimi do të urdhërohet vetëm në disa raste, të cilat janë numëruar në mënyrë shteruese e jo cituar si shembuj: duhet që i burgosuri të jetë prekur nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse në fazë fundore ose nga ndonjë invaliditet i rëndë dhe që të respektohen disa kushte të tjera (duhet të jetë e vërtetuar që rreziku i përsëritjes së fajit të jetë minimal, që mbajtja në burg do ta shkurtonte jetëgjatësinë e të burgosurit, që janë marrë masat e përshtatshme për përkujdesjen dhe mjekimin e të burgosurit jashtë burgut, si edhe që një lirim i parakohshëm do të ishte shumë në interesin e të burgosurit ose të familjes së tij).
127. Këto janë kushte skajshmërisht shtrënguese. Edhe sikur të hamendësohet që një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm të mundë t’i plotësojë ato, Gjykata çmon se dhoma ka pasur të drejtë të dyshojë se nxjerrja në liri për arsye humanitare që mund t’u jepet personave të prekur nga një sëmundje vdekjeprurëse në fazë fundore ose nga ndonjë gand i rëndë fizik të mund të konsiderohet si një lirim i vërtetë në qoftë se ajo përmblidhet vetëm në lejimin e të interesuarit që të vdesë në shtëpinë e vet apo në ndonjë strehë dhe jo brenda mureve të një burgu. Faktikisht, për mendimin e Gjykatës, një nxjerrje e tillë në liri për arsye humanitare nuk i përgjigjet asaj çka përmbledh shprehja “perspektivë lirimi” e përdorur në vendimin Kafkaris (të cituar më lart). Në vetvete, dispozitat e urdhëresës në fjalë nuk do të ishin në përputhje me këtë vendim dhe nuk do të mjaftonin pra për të përmbushur kërkesat e nenit 3.
128. Për më tepër, urdhëresa e administratës së burgjeve mendohet se u drejtohet si të burgosurve ashtu edhe autoriteteve të burgjeve. Megjithatë, ajo nuk i përmban saktësimet e bëra në cilësi rezervash nga Gjykata e Apelit në vendimin Bieber, e të përmendura nga Qeveria në vërejtjet e saj përpara Gjykatës, për sa u përket efekteve të Ligjit për të Drejtat e Njeriut dhe të nenit 3 të Konventës mbi ushtrimin e kompetencës për lirim nga ana e ministrit, të cilën atij ia jep neni 30 i Ligjit të vitit 1997. Në veçanti, urdhëresa nuk e tregon mundësinë – e ofruar nga Ligji për të Drejtat e Njeriut – që kanë të burgosurit e dënuar me burgim të përjetshëm, si edhe me burgim të përjetshëm real, për të kërkuar, në një moment të caktuar gjatë kryerjes së dënimit të vet, lirimin e tyre për arsye të drejta me natyrë penologjike. Prandaj, nëse u përmbahemi vetë vërejtjeve të Qeverisë për sa i përket gjendjes të së drejtës të zbatueshme kombëtare, mund të druhet se urdhëresa e administratës së burgjeve u jep të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm real – atyre që preken drejtpërdrejt prej saj – vetëm një pamje të pjesshme të kushteve të jashtëzakonshme që mund ta bëjnë ministrin ta ushtrojë kompetencën që i jep atij neni 30.
129. Për këtë arsye, duke pasur parasysh mungesën e qartësisë që mbretëron sot për sa i përket gjendjes të së drejtës kombëtare të zbatueshme ndaj të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm real, Gjykata nuk mund të pajtohet me tezën e Qeverisë sipas së cilës neni 30 i Ligjit të vitit 1997 mund të konsiderohet se përbën një rrugë juridike të duhur e të përshtatshme që paditësit do të mund ta ushtronin ditën kur të kërkonin të tregonin se asnjë arsye e drejtë me natyrë penologjike nuk e përligj më mbajtjen e tyre në burg dhe se kjo e fundit është kështu në kundërshtim me nenin 3 të Konventës. Sot, askush nuk mund të thotë nëse, sikur t’i drejtohej një kërkesë për lirim e formuluar sipas nenit 30 nga një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm real, ministri do ta ndiqte politikën e tij shtrënguese të tanishme, ashtu siç parashtrohet në urdhëresën e administratës së burgjeve, apo nëse ai do të çlirohej nga formulimi në dukje shterues i këtij teksti duke zbatuar kriterin e respektimit të nenit 3 të parashtruar në vendimin Bieber. Sigurisht, çdo refuzim lirimi i bërë nga ana e ministrit do të ishte i ankueshëm përmes kontrollit gjyqësor dhe gjendja e së drejtës do të mund të sqarohej fare mirë në suazën e një procedure të tillë, për shembull përmes shfuqizimit dhe zëvendësimit të urdhëresës nga ministri ose përmes anulimit të saj nga gjyqtari. Gjithsesi, këto zgjidhje të mundshme nuk mjaftojnë për ta ndrequr mungesën e qartësisë që ekziston tani për sa i përket gjendjes të së drejtës kombëtare që përcakton mundësitë e jashtëzakonshme për lirimin e të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm real.
130. Prandaj, duke pasur parasysh këtë kontrast midis formulimit shumë të përgjithshëm të nenit 30 (të interpretuar nga Gjykata e Apelit në përputhje me Konventën, ashtu siç e kërkon e drejta e Mbretërisë së Bashkuar në zbatim të Ligjit për të Drejtat e Njeriut) dhe listës shteruese të kushteve të vëna nga urdhëresa e administratës së burgjeve, si edhe mungesën e një mekanizmi të posaçëm që mundëson rishqyrimin e dënimeve me burgim të përjetshëm real, Gjykata nuk bindet se, në kohën e tanishme, dënimet me burgim të përjetshëm të dhëna ndaj paditësve të mund të konsiderohen si të zbritshme sipas nenit 3 të Konventës. Ajo del pra në përfundimin se kërkesat e kësaj dispozite në këtë fushë nuk janë respektuar ndaj asnjërit prej të tre paditësve.
131. Megjithatë, Gjykata vë në dukje që asnjëri nga paditësit nuk ka kërkuar gjatë kësaj instance që të mbrojë mendimin se mbajtja e tij në burg nuk përligjet prej asnjë arsyeje të drejtë me natyrë penologjike. Të interesuarit kanë pranuar gjithashtu se, sado që të plotësoheshin tërësisht nevojat e domosdoshme për ndëshkim e shkëshillim, mbajtja e tyre në burgim do të mbetej përherë e mundshme për arsye rrezikshmërie. Kështu që konstatimi i shkeljes në çështjet e tyre nuk mund të kuptohet pra sikur u jep atyre një perspektivë lirimi të menjëhershëm.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 5 § 4 TË KONVENTËS
132. Në vërejtjet e tyre përpara Dhomës së Madhe, paditësit i përmbahen pretendimit të tyre se mungesa në të drejtën e brendshme e një mekanizmi që mundëson rishqyrtimin e dënimeve të tyre përbën shkelje të nenit 5 § 4 të Konventës, i cili shprehet kështu:
“Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.”
Megjithatë, ky pretendim është shpallur i papranueshëm nga dhoma në vendimin e saj, i cili përkufizon shtrirjen e kompetencës së Dhomës së Madhe (shih, ndër të tjera, Gillberg k. Suedisë [DhM], nr. 41723/06, § 53, 3 prill 2012, dhe Kafkaris, i cituar më lart, § 124, me referenca të tjera). Ai nuk përfshihet pra në objektin e mosmarrëveshjes ashtu siç është shtruar ky i fundit përpara Dhomës së Madhe.
III. RRETH ZBATIMIT TË NENIT 41 TË KONVENTËS
133. Sipas nenit 41 të Konventës,
“Kur Gjykata konstaton shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj, dhe e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese mundëson vetëm ndreqjen e pjesshme të pasojave të shkaktuara nga shkelja, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.”
134. Vetëm paditësi i parë ka formuluar një kërkesë për shpërblim të drejtë.
A. Dëmi
135. Mbi bazën e një ekspertize që përshkruan vuajtjet psikologjike që ai thotë se po pëson në suazën e ekzekutimit të dënimit të tij, paditësi i parë kërkon 1 500 sterlina (GBP), ose rreth 1 844 euro (EUR), për dëm moral.
136. Dhoma e Madhe çmon se konstatimi i një shkeljeje të nenit 3 nga ana e saj përbën në këtë drejtim një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm dhe nuk jep kështu asnjë shumë në këtë cilësi.
B. Kosto dhe shpenzime
137. Paditësi kërkon një shumë të përgjithshme prej 76 646 GBP (rreth 88 957 euro), duke përfshirë TVSh-në, për mbulimin e honorarëve (për më shumë se 120 orë dhe më shumë se 133 orë pune përkatësisht) të solicitor-it të tij e të avokatit të tij.
138. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, një paditësi i lind e drejta e kompensimit të kostove dhe të shpenzimeve të tij me kusht që të vërtetohen vërtetësia e tyre, nevoja e tyre dhe, për më tepër, karakteri i arsyeshëm i shumës së tyre. Në çështjen në fjalë, duke pasur parasysh dokumentet në zotërim të saj dhe kriteret e mësipërme, Gjykata e gjykon të arsyeshme që t’i japë paditësit të parë shumën prej 40 000 EUR për shpenzimet lidhur me procedurën e ndjekur përpara saj.
C. Kamatëvonesat
139. Gjykata e gjykon si të përshtatshme që ta bazojë përqindjen e kamatëvonesave te përqindja e interesit të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane, të rritur me tri pikë përqindjeje.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA
1. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës ndaj secilit prej paditësve;
2. Thotë, njëzëri, se pretendimi i ngritur mbi bazën e nenit 5 § 4 të Konventës del jashtë objektit të mosmarrëveshjes që i është nënshtruar shqyrtimit të saj;
3. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër, se konstatimi i një shkeljeje përfaqëson në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm moral që mund të jetë pësuar nga paditësi i parë;
4. Thotë, me gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër,
a) se shteti i paditur duhet t’i paguajë paditësit të parë, brenda tre muajsh, 40 000 EUR (dyzat mijë euro), të cilat duhet të këmbehen në sterlina me kursin e zbatueshëm në datën e shlyerjes, si kosto dhe shpenzime, plus çdo shumë që mund të duhet më tepër në cilësinë e tatimit mbi këtë shumë;
b) se, duke nisur nga përfundimi i afatit të lartpërmendur e deri në derdhjen e saj, kjo shumë do të duhet të shtohet me një interes të thjeshtë në përqindje të barabartë me atë të huas afatshkurtër të Bankës Qendrore Evropiane të zbatueshme gjatë kësaj periudhe, të shtuar me tri pikë përqindjeje;
5. Rrëzon, njëzëri, kërkesën e paditësit të parë për çdo shtesë si shpërblim i drejtë.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 9 korrik 2013, në zbatim të nenit 77 §§ 2 e 3 të Rregullores.
Michael O’BoyleDean Spielmann
ZëvendëssekretarKryetar
Këtij vendimi i bashkëngjitet, në përputhje me nenet 45 § 2 të Konventës dhe 74 § 2 të Rregullores, paraqitja e mendimeve më vete të mëposhtme:
– mendim pajtues i Znjës gjyqtare Ziemele ;
– mendim pajtues i Znjës gjyqtare Power-Forde ;
– mendim pajtues i Z. gjyqtar Mahoney ;
– mendim pjesërisht kundërshtues i Z. gjyqtar Villiger.
D.S.
M.O’B.
Mendimet më vete nuk janë përkthyer, por janë në anglisht dhe/ose në frëngjisht në variant(in/et) e vendimit në gjuhë zyrtare dhe mund të shihen bazën e të dhënave të jurisprudencës së Gjykatës HUDOC.
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Një përkthim në frëngjisht i disa pjesëve të zgjedhura të vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjermane dhe një koment i këtij vendimi mund të gjenden në librin e autorëve P. Bon dhe D. Maus, Les grandes décisions des cours constitutionnelles européennes, (Coll. Grands arrêts), Paris, Dalloz, 2008, nr. 32, shënimi Fromont.
Full & Egal Universal Law Academy