© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Shënim informativ rreth jurisprudencës së Gjykatës Nr. 165
Korrik 2013
Vinter me të tjerë k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM] - 66069/09, 130/10 et 3896/10
Vendim 9.7.2013 [DhM]
Neni 3
Trajtim poshtërues
Trajtim çnjerëzor
Burgim i përjetshëm me mundësi lirimi vetëm në rast sëmundjeje në fazë fundore ose paaftësie të rëndë: shkelje
Faktet – Në Angli dhe në Uells, vrasja dënohet me burgim detyrimisht të përjetshëm. Para hyrjes në fuqi të ligjit të vitit 2003 për drejtësinë penale, periudhën minimale të burgimit që i dënuari me burgim të përjetshëm do të duhej të kryente para se të mund të përfitonte nga një lirim të parakohshëm me kusht e caktonte ministri. Që prej hyrjes në fuqi të ligjit të vitit 2003, kjo kompetencë ushtrohet tashmë nga juridiksioni gjykues. Të dënuarit, periudha minimale e burgimit të të cilëve është shpallur nga ministri sipas regjimit të mëparshëm, mund të kërkojnë rishqyrtim të dënimit të tyre nga High Court.
Paditësit janë dënuar secili me burgim të përjetshëm real për vrasje. Një dënim i tillë do të thotë që veprat e tyre penale janë gjykuar aq të rënda saqë atyre do t’u duhet të mbeten në burg për sa të jenë gjallë me përjashtim të rastit nëse ministri, në bazë të fuqisë së tij vetëgjykimore, e urdhëron lirimin e tyre për arsye humanitare në rast rrethanash të jashtëzakonshme – praktikisht, ndonjë sëmundje vdekjeprurëse në fazë fundore a ndonjë invaliditet i rëndë. Dënimi me burgim të përjetshëm real në rastin e paditësit të parë, Z. Vinter, është shpallur nga juridiksioni gjykues sipas ligjit të vitit 2003 dhe është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit me arsyetimin se i interesuari ishte quajtur tashmë si fajtor për vrasje. Dënimet me burgim të përjetshëm real në rastin e paditësit të dytë e atij të tretë janë shpallur nga ministri sipas praktikës së mëparshme, por janë lënë në fuqi pas rishqyrtimit nga High Court sipas ligjit të vitit 2003 me vendime të lëna më pas në fuqi në apel. Lidhur me paditësin e dytë, Z. Bamber, është vënë në dukje se vrasjet ishin me paramendim e më shumë se një herë; këto elemente ekzistonin edhe për sa i takon paditësit të tretë, Z. Moore, tek i cili shtohej edhe një synim për kënaqje seksuale.
Në kërkesat që kanë paraqitur pranë Gjykatës, paditësit çmojnë se burgimi i përjetshëm real i dhënë në rastin e tyre përbën konkretisht një dënim i pazbritshëm, çka bie ndesh me nenin 3 të Konventës.
Në një vendim të 17 janarit 2012 (shih Shënimin informativ 148), një dhomë e Gjykatës ka dalë, me katër vota në favor e tri kundër, në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 3 të Konventës. Duke mos pranuar të shihte te dënimet e dhëna ndaj paditësve ndonjë trajtim çnjerëzor e poshtërues, ajo ka çmuar në veçanti se të interesuarit nuk ia kishin dalë të vërtetonin se mbajtja e tyre në burgim nuk ndiqte asnjë qëllim të drejtë me natyrë penologjike. Ajo ka theksuar gjithashtu se dënimet në fjalë me burgim të përjetshëm real ose ishin dhënë kohët e fundit nga një juridiksion gjykimi (në rastin e Z. Vinter), ose ishin rishqyrtuar kohët e fundit nga High Court (në rastin e Z. Bamber e të Z. Moore).
Ligji – Neni 3 : Dhoma e Madhe nxjerr të njëjtin përfundim me dhomën se çdolloj dënimi qartazi i shpërpjesëtuar bie ndesh me nenin 3 të Konventës, sado që ky kriter përmbushet vetëm në raste të rralla e të jashtëzakonshme. Në çështjen në fjalë, paditësit nuk kanë kërkuar të mbrohen duke thënë që dënimet e tyre me burgim të përjetshëm real janë qartazi të shpërpjesëtuar: në vend të kësaj ata kanë mbrojtur mendimin se mungesa e një detyrimi të paravendosur procedural për rishqyrtim përbën një keqtrajtim jo vetëm kur, siç e ka thënë dhoma, mbajtja në burgim nuk përligjet më me asnjë arsye të drejtë të natyrës penologjike, por edhe që me shpalljen e dënimit.
Gjykata rikujton se shteteve kontraktuese duhet t’u njihet një hapësirë për vlerësim me qëllim që të përcaktojnë kohëzgjatjen e duhur të dënimeve me burgim për këtë apo atë vepër penale dhe se ato duhet të mbeten të lira për t’u dhënë dënime me burgim të përjetshëm personave të rritur që kanë kryer vepra penale veçanërisht të rënda. Megjithatë, dënimi i një të rrituri me burgim të përjetshëm të pazbritshëm mund të përbëjë problem në lëmin e nenit 3. Për të përcaktuar nëse në një rast të caktuar një dënim i përjetshëm mund të paraqitet si i pazbritshëm, Gjykata sheh nëse mund të thuhet që një i dënuar me burgim të përjetshëm ka shanse për t’u liruar. Aty ku e drejta kombëtare e jep mundësinë për ta rishikuar dënimin e përjetshëm me qëllimin për ta ndryshuar atë, për ta pezulluar, për t’i dhënë fund apo edhe për ta liruar me kushte të burgosurin, plotësohen kërkesat e nenit 3.
Janë disa arsyet që e shpjegojnë se, për të mbetur në pajtueshmëri me nenin 3, një dënim me burgim të përjetshëm duhet të japë njëherazi një shans për lirim dhe një mundësi për rishqyrtim. Së pari, kuptohet afërmendsh se askush nuk mund të mbahet i burgosur në qoftë se kjo gjë nuk përligjet me asnjë arsye të drejtë me natyrë penologjike. Baraspesha midis arsyeve që e përligjin mbajtjen në burg nuk është medoemos e pandryshueshme dhe mund të ndryshojë gjatë zbatimit të dënimit. Këta faktorë ose ndryshime mund të vlerësohen me korrektësi vetëm përmes një rishqyrtimi në një stad të përshtatshëm të zbatimit të dënimit. Së dyti, një person i vendosur në burgim të përjetshëm pa asnjë perspektivë lirimi a rishqyrtimi të dënimit të tij me burgim të përjetshëm rrezikon të mos mundë kurrë ta rehabilitojë veten, çfarëdo që të bëjë në burg e sado të jashtëzakonshme që të mund të jenë përparimet e tij në udhën e pendimit. Së treti, do të ishte e papajtueshme me dinjitetin njerëzor që, përmes ushtrimit të forcës, shteti ta privonte një person nga liria e tij pa i dhënë atij të paktën një shans për ta rifituar një ditë atë. Së fundi, e drejta evropiane dhe e drejta ndërkombëtare e përforcojnë sot në mënyrë të qartë parimin që të gjithë të burgosurve, duke përfshirë edhe ata që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm, t’u jepet mundësia për të treguar pendesë si edhe perspektiva për t’u liruar nëse ia dalin një gjëje të tillë.
Për pasojë, neni 3 duhet të interpretohet se kërkon që dënimet me burgim të përjetshëm të jenë të zbritshme, domethënë të nënshtruara ndaj një rishqyrtimi që u lejon autoriteteve kombëtare të shohin nëse i burgosuri, gjatë zbatimit të dënimit të tij, ka ndryshuar e përparuar në udhën e pendesës aq sa mbajtja e tij në burg nuk përligjet dot më me asnjë arsye të drejtë me natyrë penologjike. Ndonëse Gjykata nuk ka për detyrë të diktojë formën (administrative ose gjyqësore) që duhet të marrë një rishqyrtim i tillë, nga elementet e së drejtës së krahasuar dhe të së drejtës ndërkombëtare të paraqitura përpara saj del një prirje e qartë në favor të vendosjes së një mekanizmi të posaçëm që e garanton një rishqyrtim brenda një afati maksimal prej njëzet e pesë vjetësh pas dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm, pastaj rishqyrtime periodike më vonë. Aty ku e drejta kombëtare nuk e parashikon mundësinë e një rishqyrtimi të tillë, një dënim me burgim të përjetshëm real nuk i mban parasysh kërkesat që rrjedhin nga neni 3 i Konventës. Së fundi, ndonëse rishqyrtimi i nevojshëm është një ngjarje që si përkufizim nuk mund të ndodhë përveçse pas shpalljes së dënimit, i burgosuri i dënuar me burgim të përjetshëm real nuk duhet të jetë i detyruar të presë që të ketë kaluar një numër të pacaktuar vitesh në burg përpara se të mundë të ankohet për një mospërputhje të kushteve ligjore të dënimit të tij me kërkesat e nenit 3 në këtë fushë. Një i burgosur i dënuar me burgim të përjetshëm real ka të drejtën që ta dijë, qysh në fillimin e dënimit të tij, se çfarë duhet të bëjë që të merret parasysh lirimi i tij dhe se cilat janë kushtet e zbatueshme, sidomos se në cilin moment do të ndodhë ose do të mund të kërkohet rishqyrtimi i dënimit të tij. Për këtë arsye, në rastin kur e drejta kombëtare nuk parashikon asnjë mekanizëm e asnjë mundësi rishqyrtimi të dënimeve me burgim të përjetshëm real, papajtueshmëria me nenin 3 që rrjedh andej lind që në datën e dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm dhe jo në ndonjë stad të mëvonshëm të burgimit.
Qeveria mbron përpara Gjykatës mendimin se një nga qëllimet e Ligjit të vitit 2003 ishte që ta përjashtonte tërësisht ekzekutivin nga procesi vendimmarrës në lëmin e dënimeve me burgim të përjetshëm dhe se, pikërisht për këtë arsye, është shfuqizuar regjimi i mëparshëm i cili parashikonte një rishqyrtim pas njëzet e pesë vjetësh nga ministri. Gjykata çmon megjithatë se do të kishte qenë më në përputhje me vullnetin e ligjvënësit që të parashikohej se ky rishqyrtim, në vend që të hiqej i tëri, të bëhej tashmë në një suazë krejtësisht gjyqësore.
Gjykata është më tej e mendimit se e drejta që i përcakton tani perspektivat e lirimit për të burgosurit me burgim të përjetshëm në Angli e në Uells ka mungesë qartësie. Ndërkohë që neni 30 i Ligjit të vitit 1997 ia jep ministrit të Drejtësisë kompetencën për të liruar të burgosurit e çfarëdo kategorie, duke përfshirë edhe ata që vuajnë një dënim me burgim të përjetshëm real, Urdhëresa në fuqi e administratës së burgjeve parashikon që lirimi urdhërohet vetëm kur i burgosuri vuan nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse në fazë fundore ose nga ndonjë invaliditet i rëndë. Këto kushte janë skajshmërisht kufizuese dhe, në sytë e Gjykatës, një lirim i tillë për arsye humanitare nuk përputhet me çka përfshin shprehja “perspektivë lirimi” e përdorur në vendimin Kafkaris.
Prandaj, duke pasur parasysh këtë dallim të madh ndërmjet formulimit shumë të përgjithshëm të nenit 30 dhe listës shteruese të kushteve të vendosura nga Urdhëresa e administratës së burgjeve, si edhe mungesën e një mekanizmi të posaçëm që të mundësojë rishqyrtimin e dënimeve me burgim të përjetshëm real, Gjykata nuk bindet se, aktualisht, dënimet me burgim të përjetshëm të dhëna ndaj paditësve mund të cilësohen si të zbritshme sipas qëllimeve të nenit 3. Ajo del kështu në përfundimin se kërkesat e kësaj dispozite lidhur me këtë fushë nuk janë respektuar ndaj asnjërit prej të tre paditësve.
Duke qenë kështu, Gjykata nënvizon se konstatimi i shkeljes i shpallur në rastin e paditësve nuk mund të kuptohet pra sikur u jep atyre një perspektivë lirimi të afërt. Mundësia e lirimit të tyre do të varej, për shembull, nga pika nëse ka ende arsye të drejta me natyrë penologjike që vazhdojnë ta përligjin mbajtjen e tyre në burgim e nëse ata duhet të mbeten në burg për arsye rrezikshmërie. Këto pyetje nuk shtroheshin në rastin e çështjes në fjalë dhe nuk kanë qenë pika debati përpara Gjykatës.
Përfundimi: shkelje (gjashtëmbëdhjetë vota në favor dhe një kundër).
Neni 41 : konstatim shkeljeje i mjaftueshëm në vetvete për dëmin moral të pësuar nga paditësi i parë; asnjë kërkesë e formuluar për dëm moral nga paditësit e tjerë.
(Shih gjithashtu Kafkaris k. Qipros [DhM], 21906/04, 12 shkurt 2008, Shënim informativ 105; Iorgov k. Bullgarisë (nr. 2), 36295/02, 2 shtator 2010, Shënim informativ 133; Schuchter k. Italisë (vend. pran.), 68476/10, 11 tetor 2011, Shënim informativ 145; dhe Harkins e Edwards k. Mbretërisë së Bashkuar, 9146/07 dhe 32650/07, 17 janar 2012, Shënim informativ 148)
© Këshilli i Evropës /Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
E hartuar nga sekretaria, kjo përmbledhje nuk e kushtëzon Gjykatën.
Klikoni këtu për të hyrë te Shënimet informative rreth jurisprudencës
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy