AXEL SPRINGER kundër GJERMANISË dhe VON HANNOVER (2) kundër GJERMANISË
(kërkesat nr. 39954/08, 40660/08 dhe 60641/08)
7 shkurt 2012
Dhomë e Madhe
mbulimi mediatik i jetës private të personave të famshëm mbrohet nga neni 10, nëse ekziston interesi i përgjithshëm dhe vendoset një ekuilibër i arsyeshëm me të drejtën për respektimin e jetës private
I. Faktet kryesore
i) Axel Springer AG
1. Shoqëria kërkuese, Axel Springer AG ("Springer"), e regjistruar në Gjermani, është botuesja e Bild, gazetës së përditshme me tirazhin më të madh në vend.
2. Në shtator 2004, Bild ka publikuar një artikull në faqen e parë të saj për X, një aktor i njohur televiziv, duke u arrestuar në festën e birrës në Mynih pasi i ishte gjetur kokainë. Artikulli gjithashtu përmendi se X, i cili kishte luajtur rolin e një inspektori policie në një serial televiziv popullor prej vitit 1998, ishte dënuar edhe në korrik 2000 me dënim me kusht për posedim droge. Gazeta publikoi një artikull të dytë në korrik 2005, duke raportuar se X ishte dënuar dhe gjobitur për posedim të paligjshëm të drogës, pasi kishte rrëfyer plotësisht ngjarjen.
3. Kur artikulli u publikua për herë të parë, X nisi një proces gjyqësor kundër Springer në Gjykatën Rajonale të Hamburgut. Gjykata pranoi kërkesën e X-it dhe ndaloi çdo publikim të mëtejshëm të atij artikulli dhe fotove lidhur me të. Në një tjetër set procedurash në lidhje artikullin e dytë botuar për dënimin e X-it, Gjykata Rajonale e Hamburgut dha gjithashtu një urdhër. Vendimet u lanë në fuqi nga Gjykata e Apelit në Hamburg dhe Gjykata Federale e Drejtësisë. Në të dy rastet, gjykatat vendosën se e drejta e X-it për mbrojtjen e jetës së tij private, mbizotëroi mbi interesin publik.
ii) Von Hannover (nr. 2)
4. Kërkuesit ishin Princesha Caroline von Hannover, e bija e të ndjerit Princit Rainier III i Monakos dhe bashkëshorti i saj Princi Ernst August von Hannover.
5. Prej fillimit të viteve 1990 Princesha Caroline është përpjekur për të parandaluar publikimin e fotografive të jetës së saj private në shtyp. Dy sete të fotografish, botuar në vitin 1993 dhe 1997 në revista gjermane kanë qenë subjekt i tre serie procedurash përpara gjykatave gjermane. Këto procedura në fund u konkluduan me vendim nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (shih “Caroline von Hannover k. Gjermanisë (nr. 59320/00)”). Në këtë rast, Gjykata u shpreh se publikimi i fotografive kishte cenuar të drejtën e Princeshës Caroline për gëzimin e jetës së saj private, sipas nenit 8 të Konventës.
6. Duke iu referuar çështjes “Caroline von Hannover k. Gjermanisë”, Princesha Caroline dhe Princi Ernst August kanë hapur një sërë procesesh gjyqësore përpara gjykatave civile gjermane ku kërkojnë një urdhër kundër publikimit të fotografive të mëtejshme të tyre. Gjykata Federale e Drejtësisë pranoi kërkesën e Princeshës sa i përket publikimit të dy fotografive, duke deklaruar se ato nuk kontribuojnë në një debat me interes të përgjithshëm. Megjithatë, kjo gjykatë rrëzoi kërkesën e saj për një foto tjetër të çiftit duke ecur gjatë një pushimeve dimërore në Shën Moritz. Kjo fotografi u shoqërua me një artikull mbi shëndetin e dobët e princit Rainier të Monakos. Në marrjen e vendimit të saj, Gjykata Federale vendosi se shëndeti i dobët Princit ishte një çështje me interes publik dhe se shtypi ka pasur të drejtë për të raportuar për mënyrën në të cilën fëmijët e tij pajtojnë detyrimet e tyre të solidaritetit familjar me nevojat legjitime të jetës së tyre private.
7. Më pas, Gjykata Kushtetuese Federale hodhi poshtë një ankesë kushtetuese bërë nga Princesha Caroline, duke rrëzuar në mënyrë të veçantë pretendimin e saj se gjykatat gjermane kishin shpërfillur ose nuk kishin marrë parasysh mjaftueshëm çështjen “Caroline von Hannover k. Gjermanisë”.
8. Axel Springer AG u ankua se urdhri për të ndaluar çdo publikimin e mëtejshëm të artikujve për aktorin X kishte cenuar të lirinë e tyre të shprehjes, sipas nenit 10 të Konventës.
9. Princesa Caroline von Hannover dhe Princi Ernst August von Hannover ankuan se refuzimi i gjykatave gjermane për të ndaluar çdo publikim të mëtejshëm të fotografive objekt gjykimi kishte shkelur të drejtat e tyre sipas nenit 8 të Konventës. Në veçanti, ishte theksuar se gjykatat gjermane nuk e kishin marrë në konsideratë vendimin Caroline von Hannover k. Gjermanisë.
II. Vendimet e Gjykatës
A. Në lidhje me nenin 10
i. Axel Springer AG
10. Dhoma pranë së të cilës kërkesat ishin paraqitur për gjykim si aplikime të ndara vendosi bashkimin e tyre dhe hoqi dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe.
11. Fakti se vendimet e gjykatave gjermane përbënin një ndërhyrje në të drejtat e Springer sipas nenit 10, nuk u kundërshtua nga palët. Në të njëjtën linjë qëndronte dhe fakti se ndërhyrja në fjalë ishte e parashikuar nga ligji gjerman dhe se kishte ndjekur një qëllim legjitim, për mbrojtjen e dinjitetit të të tjerëve.
12. Për sa i përket pyetjes nëse ndërhyrja kishte qenë e nevojshme në një shoqëri demokratike, Gjykata vërejti se artikujt në fjalë, në lidhje me arrestimin dhe dënimin e aktorit, përbënin fakte gjyqësore publike, mbi të cilat publiku kishte një interes për t`u informuar. Gjykatave vendase i takonte të vlerësonin se sa i njohur ishte ky person, duke u ndalur në faktin se ky aktori ishte gjerësisht i njohur në nivel kombëtar. Gjykata vërejti se, Gjykata gjermane e Apelit kishte theksuar se aktori kishte luajtur rolin e një inspektori të policisë gjatë një periudhe të gjatë kohe dhe ishte mirënjohur e shumë popullor. Prandaj, Gjykata vërejti se X ishte një figurë e cila mund të kualifikohej si publike. Ky fakt përforconte interesin e publikut për t`u informuar për arrestimin e tij dhe procedurat e mëtejshme gjyqësore.
13. Gjykata mund të pajtohet me vlerësimin e gjykatave gjermane se interesi i gazetës për të publikuar artikujt vinte vetëm nga fakti se personi i arrestuar ishte aktor i mirënjohur, i cili kishte kryer një vepër penale – vepër që nuk do të kishte qenë raportuar nëse do të ishte kryer nga një individ i panjohur për publikun. Gjykata theksoi se aktori ishte arrestuar në publik në festën e birrës në Mynih. Pritshmëria e aktorit se jeta e tij private do të mbrohej në mënyrë efektive, duhet të ishte reduktuar edhe nga fakti se ai vetë kishte zbuluar detaje rreth jetës së tij private në një numër intervistash të dhëna më parë.
14. Në bazë të një deklarate bërë nga një prej gazetarëve të përfshirë, fakt i cili nuk u kundërshtua nga qeveria gjermane, informacioni i publikuar në gazetën Bild në shtator të vitit 2004 ishte marrë nga zyra e prokurorit publik të Mynihut dhe policia. Për këtë arsye ekzistonte një bazë e mjaftueshme faktike, për të besuar vërtetësinë e informacionit. Nuk ekziston asnjë bazë për të argumentuar se Springer nuk kishte ndërmarrë në shqyrtim balancimin ndërmjet interesit të tij në publikimin e informacionit dhe të drejtës së aktorit për të respektuar jetën e tij private. Duke pasur parasysh se Springer kishte marrë konfirmimin e informacionit të përcjellë nga autoritetet e ndjekjes penale, nuk ka pasur arsye mjaftueshmërisht të forta për të besuar se ajo duhet të ruajë anonimitetin e aktorit. Nuk mund të thuhet pra, se kompania kërkuese ka vepruar me keqbesim.
15. Gjithashtu, Gjykata theksoi se artikujt nuk kanë zbuluar detaje në lidhje me jetën private të aktorit, por ishin ndalur kryesisht tek rrethanat e arrestimit dhe rezultatin e procesit penal kundër tij. Artikujt nuk përmbanin shprehje përçmuese apo pretendime të pabaza dhe autoritetet nuk kishin provuar se publikimi i artikujve kishte rezultuar në pasoja të rënda për aktorin, ndërsa sanksionet e vendosura mbi Springer, mund të prodhonin një efekt frenues mbi kompaninë. Gjykata arriti në përfundimin se kufizimet e vendosura ndaj kompanisë nuk kishin qenë proporcionale me qëllimin legjitim të mbrojtjes së jetës private e aktorit. Për rrjedhojë, ka pasur një shkelje të nenit 10 të Konventës.
ii. Von Hannover (nr. 2)
16. Gjykata vërejti se, pas vendimit të saj në 2004 “Caroline von Hannover k. Gjermanisë”, Gjykata Federale e Drejtësisë kishte bërë ndryshime në jurisprudencën e saj të mëparshme. Në veçanti, Gjykata Federale e Drejtësisë kishte deklaruar se ishte e rëndësishme nëse një raport në media kontribonte në një debat faktik dhe nëse përmbajtja e tij shkonte përtej një dëshire të thjeshtë për të kënaqur kuriozitetin e publikut. Gjykata Federale e Drejtësisë ka theksuar se sa më e madhe vlera e informacionit për publikun, aq më shumë ekziston interesi i një personi të mbrojë jetën e tij private dhe anasjelltas.
17. Fakti se, Gjykata Federale e Drejtësisë ka vlerësuar vlerën e informacionit dhe fotos në fjalë në dritën e artikullit që është botuar së bashku me të, nuk mund të kritikohet në bazë të Konventës. Gjykata mund të pranojë që fotoja, në kontekstin e shkrimit në një farë mase, kontribuonte për një debat me interes të përgjithshëm. Gjykatat gjermane u shprehën se karakterizimi i sëmundjes së Princit Rainier si një rast i një shoqërie bashkëkohore, nuk mund të konsiderohej i paarsyeshëm.
18. Gjykata më tej vuri në dukje se pavarësisht pyetjes se në çfarë mase Caroline von Hannover mori funksionet zyrtare në emër të Principatës së Monakos, ajo nuk mund të pretendojë se nuk ishte e njohur nga publiku, duke u trajtuar si një individ i zakonshëm privat. Kështu kërkuesit duhej të konsiderohen si figura publike. Gjykatat gjermane kishin konstatuar se kërkuesit nuk kishin provuar se fotot ishin kryer në një klimë të përgjithshme shqetësimi, apo ishin bërë në mënyrë të fshehtë, ashtu siç kishin pretenduar kërkuesit.
19. Në përfundim, Gjykata vendosi se gjykatat gjermane kishin balancuar me kujdes lirinë e shprehjes kundrejt të drejtës së kërkuesve për respektimin e jetës së tyre private. Duke vepruar kështu, gjykatat gjermane kishin zbatuar jurisprudencën e GJEDNJ, duke përfshirë këtu dhe çështjen “Caroline von Hannover k. Gjermanisë”. Për rrjedhojë, në këtë rast nuk kishte pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
B. Në lidhje me nenin 41
20. Gjykata vendosi se Gjermania duhet t`i paguante kompanisë Axel Springer AG vlerën prej 17 734.28 euro në kuadër të dëmit material dhe 32 522.80 euro në lidhje me shpenzimet gjyqësore.
Full & Egal Universal Law Academy