© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA VON HANNOVER k. GJERMANISË (nr. 2)
(Kërkesëpaditë nr. 40660/08 dhe 60641/08)
VENDIM
STRASBURG
7 shkurt 2012
Ky vendim është bërë i formës së prerë. Atij mund t’i bëhen rishikime në redaktim.
Në çështjen Von Hannover k. Gjermanisë (nr. 2),
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në një Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Nicolas Bratza, kryetar,
Jean-Paul Costa,
Françoise Tulkens,
Josep Casadevall,
Lech Garlicki,
Peer Lorenzen,
Karel Jungwiert,
Renate Jaeger,
David Thór Björgvinsson,
Ján Šikuta,
Mark Villiger,
Luis López Guerra,
Mirjana Lazarova Trajkovska,
Nona Tsotsoria,
Zdravka Kalaydjieva,
Mihai Poalelungi,
Kristina Pardalos, gjyqtarë,
e nga Michael O’Boyle, zëvendëssekretar,
Pasi e diskutoi çështjen në seancë të mbyllur më 13 tetor 2010 dhe 7 dhjetor 2011,
Jep këtë vendim, të miratuar në këtë datë të fundit:
PROCEDURA
1. Në zanafillë të kësaj çështjeje ndodhen dy kërkesëpadi (nr. 40660/08 e nr. 60641/08) të drejtuara kundër Republikës Federale të Gjermanisë dhe me anë të të cilave një shtetase e Monakos, princesha Caroline von Hannover, dhe një shtetas gjerman, princi Ernst August von Hannover (“paditësit”), i janë drejtuar Gjykatës më 22 gusht e 15 dhjetor 2008 përkatësisht në bazë të nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore (“Konventa”).
2. Paditësit shihnin në mospranimin e gjykatave gjermane për të ndaluar çdolloj botimi të ri fotografish ku paraqiteshin ata një shkelje të së drejtës së tyre për respektimin e jetës së tyre private, të garantuar nga neni 8 i Konventës.
3. Kërkesëpaditë i janë caktuar fillimisht Seksionit të Pestë të Gjykatës (neni 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës – “Rregullorja”). Më 13 nëntor 2008, një dhomë e seksionit të lartpërmendur ka vendosur t’ia njoftojë kërkesëpadinë nr. 40660/08 Qeverisë gjermane (“Qeveria”). Ashtu siç ia lejonte neni 29 § 3 i Konventës, në versionin e saj në fuqi asokohe, ajo ka vendosur përveç kësaj të shqyrtojë bashkërisht pranueshmërinë dhe themelin e saj. Më 8 janar 2009, kryetari i Seksionit të Pestë ka vendosur t’ia njoftojë kërkesëpadinë nr. 60641/08 Qeverisë. Ashtu siç ia lejonte neni 29 § 3 i Konventës, në versionin e saj në fuqi asokohe, ai ka vendosur gjithashtu të shqyrtojë bashkërisht pranueshmërinë dhe themelin e saj. Më 24 nëntor 2009, një dhomë e Seksionit të Pestë ka vendosur t’i bashkojë të dyja kërkesëpaditë.
Më 30 mars 2010, dhoma, e përbërë nga gjyqtarët Peer Lorenzen, kryetar, Renate Jaeger, Karel Jungwiert, Rait Maruste, Mark Villiger, Mirjana Lazarova Trajkovska dhe Zdravka Kalaydjieva, si edhe nga Claudia Westerdiek, sekretare seksioni, pasi ka vendosur t’i bashkonte këto kërkesëpadi me kërkesëpadinë Axel Springer AG k. Gjermanisë (nr. 39954/08), të njoftuar gjithashtu nga ana e saj më 13 nëntor 2008 e që kishte të bënte me ndalimin e shoqërisë paditëse për të botuar dy reportazhe rreth arrestimit dhe dënimit penal të një aktori televiziv, ka hequr dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, meqenëse asnjëra nga palët, të pyetura për këtë qëllim, nuk ishte shprehur në kundërshtim me një masë të tillë (nenet 30 i Konventës dhe 72 i Rregullores).
4. Përbërja e Dhomës së Madhe është vendosur në përputhje me ish-nenin 27 §§ 2 e 3 të Konventës (të bërë neni 26 §§ 4 e 5) dhe me nenin 24 të Rregullores. Më 3 nëntor 2011, mandati si kryetar i Gjykatës i Jean-Paul Costa-s ka përfunduar. Në këtë cilësi, ai është zëvendësuar nga Nicolas Bratza, i cili ka siguruar që prej asaj date kryesimin e Dhomës së Madhe për çështjen në fjalë (neni 9 § 2 i Rregullores). Jean-Paul Costa ka vazhduar të marrë pjesë pas mbarimit të mandatit të tij, sipas neneve 23 § 3 të Konventës dhe 24 § 4 të Rregullores. Në diskutimet e fundit, Lech Garlicki e Nona Tsotsoria, zëvendësgjyqtarë, kanë zëvendësuar Rait Maruste dhe Christos Rozakis, të cilët nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë (neni 24 § 3 i Rregullores).
5. Kryetari i Dhomës së Madhe ka vendosur t’i përmbahej zbatimit të nenit 29 § 3 të Konventës në Dhomën e Madhe për një shqyrtim të përbashkët të pranueshmërisë me themelin e çështjes. Ai ka vendosur për më tepër që të veprohej njëkohësisht me hetimin e këtyre kërkesëpadive dhe të kërkesëpadisë Axel Springer AG k. Gjermanisë (neni 42 § 2 i Rregullores).
6. Si paditësit ashtu edhe Qeveria kanë paraqitur vërejtje me shkrim rreth pranueshmërisë dhe themelit të çështjes. Secila nga palët ka parashtruar komente me shkrim rreth vërejtjeve të tjetrës.
7. Vërejtje janë marrë gjithashtu edhe nga Shoqata e Botuesve të Revistave Gjermane (Verband Deutscher Zeitungsverleger), nga shtëpia botuese që kishte botuar njërën nga fotografitë objekt konflikti, shoqëria Ehrlich & Sohn GmbH & Co. KG, nga Media Lawyers Association, nga Media Legal Defence Initiative, nga International Press Institute dhe nga World Association of Newspapers and News Publishers, të cilat kryetari i kishte lejuar të ndërhynin në procedurën me shkrim (nenet 36 § 2 i Konventës dhe 44 § 2 i Rregullores). Palëve u është dhënë mundësia për t’iu përgjigjur këtyre komenteve (neni 44 § 5 i Rregullores).
8. Pasi është informuar, më 17 nëntor 2008, për të drejtën e saj për të paraqitur vërejtje, qeveria e Monakos i ka vënë në dukje Gjykatës se nuk kishte ndër mend të merrte pjesë në procedurë. E informuar përsëri për këtë të drejtë, më 31 mars 2010, pas vendimit të dhomës për të hequr dorë nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, qeveria e Monakos nuk e ka shprehur qëllimin për të marrë pjesë në procedurë.
9. Një seancë është zhvilluar në publik në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 13 tetor 2010 (neni 59 § 3 i Rregullores).
Janë paraqitur:
– për Qeverinë
Znja A. Wittling-Vogel, nga Ministria Federale e Drejtësisë, agjente,
Z.C. Walter, profesor i së drejtës publike,avokat,
ZnjaA. von Ungern-Sternberg, asistente,
ZtëR. Sommerlatte, nga Zyra Federale për Kulturën, dhe
A. Maatsch, gjyqtar në Gjykatën Rajonale të Hamburgut, këshilltarë;
– për paditësit
ZtëM. Prinz, avokat në Hamburg,
M. Lehr, avokat në Hamburg,avokatë,
ZnjaS. Lingens, avokatekëshilltare.
Gjykata ka dëgjuar deklarimet e Z. Walter dhe Z. Prinz.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
10. Paditësit, e bija e parëlindur e të ndjerit princ Rainier III të Monakos dhe bashkëshorti i saj, kanë lindur përkatësisht më 1957 e 1954 dhe janë me vendbanim në Monako.
A. Zanafilla e çështjeve
11. Që nga fillimi i viteve 1990, paditësja orvatet, shpesh në rrugë gjyqësore, që të ndalojë botimin në shtyp të fotografive rreth jetës së saj private.
12. Dy seri fotografish, të botuara përkatësisht më1993 e 1997 në tri revista gjermane dhe ku paditësja tregohej në shoqërinë e aktorit Vincent Lindon ose të bashkëshortit të saj, ishin bërë objekt për tre vargje procedurash përpara juridiksioneve gjermane dhe, në veçanti, për vendime në parim të Gjykatës Federale të Drejtësisë më datën 19 dhjetor 1995 dhe të Gjykatës Kushtetuese Federale më datën 15 dhjetor 1999, me anë të të cilave paditëses i ishin rrëzuar kërkesat.
13. Këto procedura u bënë objekt i vendimit të 24 qershorit 2004, Von Hannover k. Gjermanisë (nr. 59320/00, GjEDNj 2004‑VI), ku Gjykata doli në përfundimin se vendimet gjyqësore e kishin cenuar të drejtën e paditëses për respektimin e jetës së saj private, e drejtë e garantuar nga neni 8 i Konventës.
14. Për sa i përket arsyetimit të juridiksioneve të brendshme, Gjykata kishte parashtruar veçanërisht si vijon:
“72. Mirëpo Gjykata e ka të vështirë të ndjekë interpretimin që juridiksionet e brendshme i kanë bërë nenit 23 § 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit në Fushën Artistike, sipas të cilit një person si i tillë cilësohet si personalitet “absolut” i historisë bashkëkohore. Duke nënkuptuar një mbrojtje shumë të kufizuar të jetës private të personit dhe të së drejtës së tij për të kontrolluar pamjen e vet, një cilësim i tillë mund të kuptohet për personalitete të jetës politike që janë në funksione zyrtare. Megjithatë, ai nuk mund të përligjet për një person “privat” si paditësja, për të cilën interesimi i publikut të gjerë dhe i shtypit bazohet vetëm në përkatësinë e saj në një familje mbretërore, ndërkohë që ajo vetë nuk kryen funksione zyrtare.
Gjithsesi, në këto kushte, për mendimin e Gjykatës del se është i nevojshëm një interpretim më i ngushtë i këtij ligji, në mënyrë që shteti të përmbushë detyrimin e tij pozitiv sipas Konventës për të mbrojtur jetën private të personit dhe të drejtën e tij për të kontrolluar pamjen e vet.
73. Së fundi, dallimi që bëhet midis personaliteteve “absolute” dhe personaliteteve “relative” të historisë bashkëkohore duhet të jetë i qartë dhe i dukshëm, me qëllim që, në një shtet ligjor, individit t’i jepen udhëzime të sakta lidhur me qëndrimin që duhet të mbajë; sidomos, atij duhet t’i bëhet e ditur me saktësi se kur dhe ku ndodhet në një sferë të mbrojtur apo, përkundrazi, në një sferë në të cilën mund të presë ndonjë ndërhyrje nga ana e tjetërkujt dhe veçanërisht nga ana e shtypit që rend pas bujës.
74. Prandaj Gjykata çmon se kriteret e zgjedhura për çështjen në fjalë nga juridiksionet e brendshme nuk ishin të mjaftueshme për të siguruar një mbrojtje efektive të jetës private të paditëses: në fakt, si personalitet “absolut” i historisë bashkëkohore, kjo e fundit nuk ka mundësi që – në emër të lirisë së shtypit dhe të interesit të publikut – të pretendojë një mbrojtje të jetës së saj private përveçse në qoftë se ndodhet në një vend të veçuar, larg syve të publikut, e në qoftë se, për më tepër, arrin që ta provojë këtë gjë, çka mund të dalë e vështirë. Në rast se mungojnë këto elemente, asaj i duhet të pranojë që të fotografohet pothuajse në çdo çast, sistematikisht, dhe që këto fotografi të shpërndahen pastaj shumë gjerësisht, edhe sikur, siç qe madje rasti në çështjen në fjalë, këto fotografi dhe artikujt e tyre shoqërues të kenë të bëjnë vetëm me hollësi të jetës së saj private.
75. Sipas Gjykatës, kriteri i veçimit hapësinor, sado që në teori mund të duket i qartë, në praktikë paraqitet tepër i mjegullt dhe i vështirë për t’u përcaktuar paraprakisht nga personi i interesuar: në çështjen në fjalë, vetëm fakti që paditësja cilësohet si personalitet “absolut” i historisë bashkëkohore nuk mjafton për ta përligjur një ndërhyrje të tillë në jetën e saj private.”
B. Fotografitë objekt konflikti
15. Pas kësaj, duke përfituar prej vendimit të dhënë nga Gjykata në çështjen e paditëses, paditësit nisën disa procedura pranë juridiksioneve civile me qëllim që të ndalohej çdo botim i ri i fotografive të botuara nëpër revista gjermane.
1. Fotografitë e botuara në revistën Frau im Spiegel
16. Tri fotografitë e para janë botuar prej shtëpisë botuese Ehrlich & Sohn GmbH & Co. KG në revistën Frau im Spiegel.
a) Fotografia e parë
17. Fotografia e parë, e botuar në numrin 9/02 të 20 shkurtit 2002, i tregon paditësit duke bërë shëtitje gjatë pushimeve të tyre për ski në Saint-Moritz. Ajo shoqërohet me një artikull me titullin: “Princi Rainier – jo i vetëm në shtëpi” (“Fürst Rainier – Nicht allein zu Haus”). Në artikull shkruhet kështu:
“Në parkun e pallatit të Monakos po çelin lulet e para të – por princi Rainier (78 vjeç) duket se nuk i kushton aspak vëmendje pranverës që po ringjallet. Po bën një shëtitje me të bijën Stéphanie (37 vjeçe). Ajo e mban për krahu. Ai i heq këmbët zvarrë. Mërdhin, me gjithë diellin. Sundimtari plak është i lodhur. Banorët e Monakos e kanë parë princin e tyre për herë të fundit para tri javësh. Qe me rastin e festivalit të cirkut: shfaqte gjallëri e hare përkrah së bijës që qeshte. Por, që atëherë, nuk ka dalë më nga pallati. As për festën e Shën Devotës, pajtores kombëtare. Vendi është i shqetësuar. Edhe fëmijët e princit Rainier. Princi Albert (ky po merr pjesë tani në Lojërat Olimpike në Salt Lake City), princesha Caroline (me pushime në Saint-Moritz me princin Ernst August von Hannover) dhe princesha Stéphanie e bëjnë me radhë për t’u përkujdesur për të atin. Ai nuk duhet të qëndrojë vetëm në shtëpi kur nuk është mirë. Jo pa dashurinë e fëmijëve të vet.”
Në të njëjtën faqe botohen një fotografi e princit Rainier me të bijën, princeshën Stéphanie, dhe një fotografi e princit Albert të Monakos e marrë gjatë Lojërave Olimpike në Salt Lake City.
b) Fotografia e dytë
18. Fotografia e dytë, e botuar në numrin 9/03 të 20 shkurtit 2003, i tregon paditësit në Saint-Moritz teksa shëtisin. Legjenda përkatëse shkruan: “Ernst August von Hannover me bashkëshorten e tij, princeshën Caroline e Monakos, përfitojnë nga dielli e nga dëbora në Saint-Moritz”. Në të njëjtën faqe paraqiten një fotografi e vogël e princit Albert dhe dy fotografi të tjera ku tregohen pjesëtarët e një familjeje mbretërore evropiane. Artikulli që i shoqëron këto fotografi, me titull “Kënaqësi mbretërore në dëborë”, rrëfen për kënaqësinë e personave të fotografuar që ndodhen përsëri në Saint-Moritz.
c) Fotografia e tretë
19. Në fotografinë e tretë, të botuar në numrin 12/04 të 11 marsit 2004, paditësit janë në një teleferik me ndenjëse në Zürs am Arlberg gjatë pushimeve të tyre për ski. Në të njëjtën faqe paraqitet një fotografi e princit Rainier me paditësen e me princin Albert, e marrë gjatë festës kombëtare të 19 nëntorit dhe me titullin “Kjo qe dalja e fundit në skenë e princeshës”. Një fotografi tjetër që zë gjysmën e faqes e tregon paditësen në Ballon e Trëndafilit.
Të tria fotografitë ilustrojnë artikullin me titull “Princesha Caroline. E gjithë Monakoja po e pret”, në pjesët e së cilës që janë me rëndësi për çështjen në fjalë lexohet kështu:
“Biletat e hyrjes për në Ballon e Trëndafilit, që do të bëhet më 20 mars në Monako, janë shitur prej disa javësh. Dhe të ftuarit do të vijnë vetëm për të: princeshën Caroline von Hannover (47 vjeçe). Që prej festës kombëtare, ajo nuk ka marrë pjesë në asnjë takim zyrtar (...). Ajo nuk ishte e pranishme gjatë festivalit të cirkut dhe festës së Shën Devotës, pajtores së Monakos. Çdo vit, ballon e çel tradicionalisht e bija e parëlindur e princit Rainier (80 vjeç). I ka zënë vendin në këtë rol së ëmës, e cila ka humbur jetën në një aksident, dhe kjo ballo është e parapëlqyera e Caroline-s (...) Princi, i sëmurë rëndë, sapo ka dalë nga spitali pas një operacioni në zemër dhe nuk do të mundë të jetë i pranishëm në ballo. Është ende tepër i pafuqishëm. Fjala e mirëseardhjes që do të mbajë për nder të të ftuarve do të ritransmetohet përmes kamerave televizive dhe do të projektohet në një ekran të madh. Princesha Caroline me të shoqin Ernst August von Hannover do ta çelin Ballon e Trëndafilit me një vals.
Të dy së bashku e kanë festuar pesëvjetorin e martesës së tyre në janar. Dhe kishte edhe diçka tjetër për të kremtuar në shtëpinë von Hannover: princi ka mbushur 50 vjeç më 26 shkurt. E ka festuar ditëlindjen në shoqërinë e Caroline-s e të disa miqve në stacionin mondan të Saint-Moritz-it, krejt të zbardhur nga dëbora. Ç’është e vërteta, çifti po i kalonte pushimet në Zürs am Arlberg, por, për festën e ditëlindjes, u ndalën për disa ditë në Palace Hotel në Saint-Moritz.”
2. Fotografia e botuar në revistën Frau Aktuell
20. Shtëpia botuese WZV Westdeutsche Zeitschriftenverlag GmbH & Co. KG ka botuar në numrin 9/02 të 20 shkurtit 2002 të revistës Frau Aktuell të njëjtën fotografi (ose një fotografi pothuajse identike) si ajo e botuar po atë ditë në revistën Frau im Spiegel nr. 9/02 (paragrafi 17 i mësipërm). Artikulli që e shoqëron këtë fotografi në Frau Aktuell titullohet: “Ja, kjo është dashuria e vërtetë. Princesha Stéphanie. Vetëm ajo merret me princin e sëmurë”. Pjesët e tij që janë me rëndësi për çështjen në fjalë janë hartuar kështu:
“Jeta e saj dashurore mund të duket si e shfrenuar. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: kur është fjala për të atin, princesha Stéphanie e di se çfarë i do zemra. Ndërsa pjesa tjetër e familjes bredh nëpër botë, ajo ka vrapuar pranë princit Rainier (78 vjeç), shëndeti i të cilit ngjan shumë i rënë. Është e vetmja që përkujdeset për monarkun e sëmurë. Sepse e motra e Stéphanie-së, Caroline (45 vjeçe), ka marrë disa ditë pushime me të shoqin Ernst August (48 vjeç) e vajzën e tyre Alexandra (2 vjeçe) në stacionin mondan të skive të Saint-Moritz-it, në Zvicër. Princi Albert, nga ana e tij, ishte në Lojërat Olimpike në Salt Lake City, ku merrte pjesë në garën me bobslej katërvendësh. “Për herën e pestë dhe të fundit”, ka shpjeguar ai. Herë pas here, zhdukej për disa ditë. Ka zëra se princi i Monakos është takuar me të dashurën e zemrës, Alice Warlick (24 vjeçe), një kërcyese me shkop amerikane për të cilën thuhet se qenka bashkëshortja e tij e ardhshme. Princi [Rainier], i cili tani e ka zët të qëndrojë i vetmuar, është gëzuar mjaft për vizitën e kanakares së tij. Stéphanie i ka kushtuar shumë kohë princit. Ka bërë me të shëtitje të gjata dhe i kanë rrëfyer njëri-tjetrit gjithë të fshehtat e zemrës. “Rainier-i e ka shijuar praninë e së bijës më të vogël. Kur i ndodhet pranë ajo, çelet i tëri. Në ato çaste, e harron edhe që është i thyer në moshë e i sëmurë”, tregojnë banorët e Monakos. “Stéphanie duhet të vinte shumë më shpesh”.”
Në të njëjtën faqe janë riprodhuar edhe fotografia e princeshës Stéphanie në shoqërinë e të atit, e botuar po atë ditë në revistën Frau im Spiegel nr. 9/02 (paragrafi 17 i mësipërm), një portret i kësaj të fundit, si edhe dy fotografi që tregojnë njëra princin Albert dhe tjetra princin me Alice Warlick.
C. Procedurat lidhur me çështjen
1. Procedurat e nisura nga paditësja
a) Procedura e parë
i. Vendimi i Gjykatës Rajonale i 29 prillit 2005
21. Në një datë të papërcaktuar më 2004, paditësja i drejtohet Gjykatës Rajonale të Hamburgut për t’ia ndaluar shtëpisë botuese Ehrlich & Sohn çdo botim tjetër të tri fotografive.
22. Me një vendim të 29 prillit 2005, Gjykata Rajonale i dha të drejtë kësaj kërkese me arsyetimin se paditësja nuk kishte dhënë pëlqim për shpërndarjen e këtyre fotografive, kusht ky i parashikuar në nenin 22 të Ligjit për të Drejtat e Autorit në Fushën Artistike (“Ligji për të Drejtat e Autorit” – paragrafi 70 i mëposhtëm). Ajo saktësoi megjithatë se, ndonëse mendohej që në rastin e fotografisë së parë nuk nevojitej ndonjë pëlqim, kryesisht për faktin se bëhej fjalë për një pamje që kishte të bënte me historinë bashkëkohore (Bildnis aus dem Bereich der Zeitgeschichte), në kuptimin e nenit 23 § 1 nr. 1 të të njëjtit ligj, botimi i saj nuk ishte i përligjur. Në fakt, sipas paragrafit 2 të kësaj dispozite, botimi i një pamjeje të tillë ishte i ligjshëm vetëm në qoftë se ajo nuk cenonte një interes të drejtë të personit të vënë në shënjestër. Sipas asaj gjykate, pika nëse ekzistonte një interes i tillë i drejtë duhej të vlerësohej përmes një vënieje në balancë të interesave të personit dhe të interesit të publikut për t’u informuar.
23. Gjykata Rajonale qe e mendimit se, në rastin e çështjes në fjalë, epërsi kishte e drejta e paditëses për mbrojtjen e personalitetit të saj. Duke iu referuar gjerësisht përfundimeve të Gjykatës në çështjen Von Hannover, ajo çmoi veçanërisht se marrëdhënia e paditëses me të atin, qoftë ky edhe i sëmurë, nuk jepte ndihmesë për ndonjë debat me interes publik, për më tepër që e interesuara kishte vetëm një lidhje të thjeshtë gjaku me princin e një shteti rëndësia ndërkombëtare e të cilit ishte e vogël dhe që ajo nuk ushtronte kurrfarë funksioni zyrtar.
24. Gjykata Rajonale saktësoi se, ndonëse ky arsyetim nuk ishte krejtësisht në përputhje me parimet e nxjerra nga Gjykata Kushtetuese Federale, e cila e pranonte ekzistencën e një interesi të drejtë vetëm në qoftë se personi i marrë në fotografi ishte tërhequr në një vend të veçuar larg syve të publikut, ajo nuk ishte e kushtëzuar prej kësaj jurisprudence deri në atë masë saqë të mos merrte parasysh jurisprudencën e Gjykatës në këtë fushë.
ii. Vendimi i Gjykatës së Apelit i 31 janarit 2006
25. Shtëpia botuese e apeloi këtë vendim.
26. Me një vendim të 31 janarit 2006, Gjykata e Apelit e Hamburgut e shfuqizoi vendimin me arsyetimin se e drejta e paditëses duhej të shuhej përpara të drejtave themelore të shtypit. Ajo parashtroi se, sado që reportazhet ndiqnin në radhë të parë një qëllim zbavitës, botimi i fotografive ishte prapëseprapë i ligjshëm në vështrim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Federale të 15 dhjetorit 1999, arsyetimet ligjore (tragende Erwägungen) të të cilit përbënin detyrim për Gjykatën e Apelit. Ajo saktësoi se personat e jetës publike duhej të ishin sigurisht të mbrojtur nga rreziku që të merreshin në fotografi në çdo çast e kudo dhe që t’i shihnin pastaj të botuara këto fotografi. Megjithatë, sipas Gjykatës së Apelit, interesi i drejtë i këtyre personave, në kuptimin e nenit 23 § 2 të Ligjit për të Drejtat e Autorit, nuk duhej të kishte si pasojë ndalimin e çdolloj reportazhi rreth personave të njohur prej publikut të gjerë jashtë shfaqjeve të tyre zyrtare. Gjithsesi, e drejta për respektimin e jetës private nuk përbënte detyrim për ndalimin e botimit të fotografive të marra në vende publike të hapura për këdo dhe ku individi ndodhet midis një morie personash të tjerë.
iii. Vendimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë i 6 marsit 2007
27. Paditësja u ankua kundër këtij vendimi në kasacion.
28. Me një vendim të 6 marsit 2007 (nr. VI ZR 51/06), Gjykata Federale e Drejtësisë e rrëzoi kërkesën e së interesuarës lidhur me fotografinë e parë. Për sa u përkiste fotografisë së dytë dhe asaj të tretë, ajo i dha të drejtë kërkesës, e prishi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe rivendosi ndalimin e shpallur nga Gjykata Rajonale.
29. Gjykata Federale e Drejtësisë çmoi se mendimi i Gjykatës së Apelit nuk i përgjigjej konceptit të mbrojtjes së përshkallëzuar (abgestuftes Schutzkonzept), i cili ishte shtjelluar nga jurisprudenca duke u nisur nga nenet 22 e 23 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe për të cilin ajo kishte bërë saktësime në disa vendime të kohëve të fundit, të dhëna pas vendimit Von Hannover e në përgjigje të rezervave parimore që kishte shprehur aty Gjykata. Sipas këtij koncepti të ndryshuar mbrojtjeje, neni 23 § 1 i Ligjit për të Drejtat e Autorit, që parashikonte një përjashtim nga rregulli sipas të cilit një fotografi nuk mund të botohej pa pëlqimin paraprak të personit të prekur, merrte parasysh interesin e publikut për t’u informuar dhe lirinë e shtypit. Prandaj, gjatë vlerësimit të pikës nëse botimi i kundërshtuar i përkiste apo jo fushës së historisë bashkëkohore, në kuptimin e nenit 23 § 1 nr. 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit, ishte me vend që të viheshin në balancë, në njërën anë, të drejtat konkurruese që rridhnin nga nenet 1 § 1 e 2 § 1 të Ligjit Themelor e nga neni 8 i Konventës dhe, në anën tjetër, ato që rridhnin nga neni 5 § 1, fjalia e dytë, i Ligjit Themelor e nga neni 10 i Konventës.
30. Gjykata Federale e Drejtësisë shtoi se kritika e formuluar nga Gjykata lidhur me shprehjen “personalitet absolut i historisë bashkëkohore” kishin të bënin në thelb me pyetjen se në cilat kushte mund të bëheshin objekt reportazhesh persona të tillë të njohur nga publiku i gjerë. Ajo çmoi se, pavarësisht nga pika nëse paditësja duhej të konsiderohej si një personalitet absolut i historisë bashkëkohore, e interesuar ishte sidoqoftë një person i njohur për publikun e që e tërhiqte në veçanti vëmendjen e këtij të fundit. Sipas saj, kjo rrethanë, e bashkuar me faktin që paditësja nuk ndodhej në një vend të veçuar larg syve të publikut kur ishin marrë fotografitë, nuk ishte prapëseprapë e mjaftueshme për të mos e mbrojtur sferën e saj private. Kjo dilte si përfundim jo vetëm nga mendimi i Gjykatës, por edhe nga një kuptim i drejtë i konceptit të mbrojtjes, të shtjelluar në këtë mënyrë.
31. Për këtë arsye, sipas Gjykatës Federale të Drejtësisë, botimi i pamjeve të një personi që, për shkak të rëndësisë së tij në historinë bashkëkohore, duhej si parim të bënte lëshim për shpërndarjen e fotografive që e paraqisnin atë, sipas nenit 23 § 1 nr. 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit, ishte megjithatë i paligjshëm nëse cenoheshin interesat e tij të drejtë (neni 23 § 2). Nuk mund të bëhej përjashtim nga detyrimi për të marrë pëlqimin e personit përveçse kur ishte fjala për një reportazh rreth një ngjarjeje të rëndësishme të historisë bashkëkohore. Shprehja “histori bashkëkohore” – madje njëlloj sikurse fjalët “vlerë informative” – duhej të interpretohej në kuptimin e gjerë dhe duke u nisur nga interesi i publikut. Ajo përmblidhte çdo çështje me interes të përgjithshëm të shoqërisë e përfshinte edhe reportazhet me synim zbavitës, të cilat mund të jepnin gjithashtu ndihmesë në formimin e opinionit publik, madje ta nxitnin atë ose të ndikonin mbi të më shumë sesa do ta bënin një gjë të tillë informacionet e kulluara faktike.
32. Sado që liria e shtypit dhe ndalimi i censurës kërkonin që shtypi të mund të vendoste vetë se për çfarë subjekti kishte ndër mend të bënte një reportazh dhe se çfarë donte të botonte, shtypi nuk ishte i përjashtuar nga detyrimi për të vënë në balancë interesin e vet për të botuar dhe mbrojtjen e sferës private të personit për të cilin bëhej fjalë. Sa më e madhe të ishte vlera informative për publikun, aq më shumë duhej të shuhej interesi për të qenë i mbrojtur. Anasjelltas, sa më pak e rëndësishme të ishte vlera informative, aq më rëndë peshonte mbrojtja e personit për të cilin bëhej fjalë. Interesi i lexuesve për t’u zbavitur kishte përgjithësisht një peshë më të vogël sesa ai i mbrojtjes së sferës private dhe, për këtë arsye, ky interes i lexuesve nuk ishte i denjë për t’u mbrojtur.
33. Gjykata Federale e Drejtësisë deklaroi se, për pasojë, edhe lidhur me personat që, deri tani, ishin cilësuar si personalitete të historisë bashkëkohore, duhej të shqyrtohej pika nëse reportazhi i diskutueshëm jepte ndonjë ndihmesë në një debat që kishte të bënte me fakte (mit Sachgehalt) e nëse përmbajtja e tij shkonte përtej një vullneti të thjeshtë për të kënaqur kërshërinë e publikut. Për këtë qëllim, nuk përjashtohej që të merrej parasysh shkalla se sa i njohur ishte personi për të cilin bëhej fjalë.
34. Gjykata Federale e Drejtësisë theksoi se kjo mënyrë vënieje në balancë të interesave të pranishëm u përgjigjej kërkesave të Gjykatës për sa u përket një mbrojtjeje efikase te sferës private dhe domosdoshmërive të lirisë së shtypit, e se ajo nuk binte ndesh me forcën detyruese të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Federale të 15 dhjetorit 1999. Sigurisht, kjo e fundit e kishte kufizuar mbrojtjen e sferës private ndaj botimit të fotografive të padëshiruara vetëm për raste veçimi hapësinor. Megjithatë, kjo gjë nuk e ndalonte që, gjatë vënies në balancë, të mbahej edhe më shumë parasysh vlera informative për publikun. Madje, Gjykata Kushtetuese Federale [kohët e fundit] e kishte miratuar vënien në balancë sipas këtyre kritereve nga ana e Gjykatës Federale të Drejtësisë në një vendim që kishte të bënte me paditësin (vendim i 13 qershorit 2006, nr. 1 BvR 565/06).
35. Për Gjykatën Federale të Drejtësisë, meqenëse kriteri përcaktues për vënien në balancë ishte vlera informative e fotografisë dhe fotografia objekt konflikti në rastin për të cilin i ishin drejtuar asaj ishte botuar në kontekstin e një reportazhi të shkruar, nuk mund të lihej pas dore përmbajtja e tekstit që e shoqëronte fotografinë.
36. Duke i zbatuar kriteret e shtjelluara kështu në rastin që i parashtrohej, Gjykata Federale e Drejtësisë, duke filluar me fotografinë e dytë dhe atë të tretë, vuri në dukje se fotografia e dytë i tregonte paditësit gjatë pushimeve të tyre për ski në një rrugë plot gjallëri të Saint-Moritz-it. Ndonëse shtypi, si parim, mund të vendoste vetë për përmbajtjen e botimeve të tij e sado që paditësit ndodheshin vërtet në një vend publik midis personash të tjerë, as artikulli, as fotografia nuk kishin të bënin me ndonjë ngjarje me interes të përgjithshëm apo të historisë bashkëkohore. Pushimet e personaliteteve të famshme i përkisnin fushës kyçe (Kernbereich) të sferës private. Botimi i artikullit dhe i fotografisë shërbenin vetëm për qëllime zbavitëse pa asnjë rëndësi shoqërore dhe, për këtë arsye, nuk mund të bëheshin pa pëlqimin e paditëses.
37. Gjykata Federale e Drejtësisë vuri re se fotografia e tretë i tregonte paditësit në një teleferik me ndenjëse në Zürs gjatë pushimeve të tyre për ski. Edhe pse mbajtja e afërme e Ballos së Trëndafilit në Monako, për të cilën bënte fjalë artikulli që shoqëronte fotografinë, mund të cilësohej eventualisht si një ngjarje e historisë bashkëkohore e cila paraqiste një interes të përgjithshëm shoqëror, midis fotografisë dhe kësaj ngjarjeje nuk kishte kurrfarë lidhjeje. Fotografia kishte për qëllim të plotësonte artikullin për aq sa ky tregonte për festën e ditëlindjes së paditësit në Saint-Moritz dhe për pushimet e skive të paditësve në Zürs. Prandaj, bëhej fjalë për informacione që i përkisnin ekskluzivisht sferës private të paditëses e që shërbenin vetëm për interes zbavitjeje. Për rrjedhojë, as fotografia e tretë nuk mund të botohej pa pëlqimin e paditëses.
38. Për sa i takonte fotografisë së parë, Gjykata Federale e Drejtësisë vërejti se, sado që ajo nuk përmbante informacione në lidhje me një ngjarje të historisë bashkëkohore ose nuk jepte ndihmesë për ndonjë debat me interes të përgjithshëm, puna qëndronte ndryshe me tekstin që e shoqëronte atë. Sigurisht, pjesa që kishte të bënte me pushimet për ski të paditëses nuk kishte lidhje me ndonjë ngjarje të historisë bashkëkohore apo me interes të përgjithshëm, edhe sikur të niseshe nga një interpretim i gjerë i këtyre termave. Por nga ana tjetër, lidhur me shëndetin e princit Rainier, Gjykata Federale e Drejtësisë u shpreh konkretisht kështu:
“Objekt i informacionit ishte gjithashtu sëmundja e princit të Monakos që mbretëronte në atë kohë. Sëmundja e tij përbënte pra një ngjarje të historisë bashkëkohore për të cilën shtypi mund të raportonte. Cilësia redaksionale dhe konceptimi i artikullit nuk janë përcaktues, sepse liria e shtypit nuk e lejon që zbatueshmëria e një të drejte themelore të vihet në varësi të cilësisë së produktit mediatik dhe të artikullit redaksional. Kjo vlen gjithashtu për aq sa artikulli komenton sjelljen e pjesëtareve të familjes gjatë sëmundjes së princit, e gjithsesi paditësja nuk e ka sulmuar artikullin në këtë pikë. Fotografia objekt konflikti e mbështet dhe e ilustron këtë informacion.”
39. Gjykata Federale e Drejtësisë del në përfundimin se, në këto rrethana dhe pas vlerësimit të kontekstit të reportazhit në tërësinë e tij, paditësja nuk kishte interesa të drejtë që do të mund ta kundërshtonin botimin e fotografisë e cila i tregonte paditësit në mes të rrugës. Ajo çmoi se kjo fotografi nuk kishte në veçanti ndonjë pasojë shkeljeje të mirëfilltë (eigenständiger Verletzungseffekt) që mund të përligjte një përfundim të ndryshëm dhe se asgjë nuk tregonte që fotografia të ishte marrë fshehurazi ose me mjete teknike të barasvlershme që ta bënin botimin e saj të paligjshëm.
iv. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Federale i 26 shkurtit 2008
40. Me një vendim të 26 shkurtit 2008, Seksioni i Parë (Senat) i Gjykatës Kushtetuese Federale i rrëzoi ankimet kushtetuese të paditëses (nr. 1 BvR 1626/07) dhe të shtëpisë botuese Ehrlich & Sohn GmbH & Co. KG (nr. 1 BvR 1602/07) kundër vendimit të Gjykatës Federale të Drejtësisë (nr. VI ZR 51/06).
Me të njëjtin vendim, ajo e pranoi nga ana tjetër ankimin kushtetues (nr. 1 BvR 1606/07) të shtëpisë botuese Klambt-Verlag GmbH & Co. Kundër ndalimit të shpallur nga ana e Gjykatës Federale të Drejtësisë (vendimi i 6 marsit 2007, nr. VI ZR 52/06) për çdo botim të ri të një fotografie të dalë në revistën 7 Tage që i tregonte paditësit në pushime në një vend të papërcaktuar e që shoqëronte një reportazh të shkruar e fotografik lidhur me mundësinë e marrjes me qira të një vile pushimesh nga familja von Hannover në Kenia. Kjo procedurë përbën objektin e një kërkesëpadie më vete të paditëses pranë Gjykatës (nr. 8772/10).
41. Gjykata Kushtetuese Federale vërejti fillimisht se vendimet gjyqësore përbënin një ndërhyrje në ushtrimin e së drejtës së paditëse për mbrojtjen e personalitetit të saj, të garantuar nga nenet 1 § 1 dhe 2 § 1 të Ligjit Themelor. Mirëpo kjo e drejtë si edhe liria e shtypit nuk ishin të garantuara në mënyrë të pakufizuar. Lirisë së shtypit i përcaktoheshin kufizimet në nenet 22 e vijues të Ligjit për të Drejtën e Autorit, si edhe në nenin 8 të Konventës. Dispozitat e Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe neni 10 i Konventës e ngushtonin nga ana e tyre të drejtën për mbrojtjen e personalitetit. Në rendin juridik gjerman, Konventa kishte rangun e një ligji të zakonshëm federal. Në nivel të së drejtës kushtetuese, të drejtat dhe liritë që garantonte ajo si edhe jurisprudenca e Gjykatës shërbenin si udhërrëfyes interpretimi për të përcaktuar përmbajtjen dhe shtrirjen e një të drejte themelore.
42. Gjykata Kushtetuese Federale rikujtoi jurisprudencën e Gjykatës rreth neneve 8 e 10 të Konventës si edhe jurisprudencën e vet lidhur me të drejtat e ndryshme themelore të pranishme duke iu rikthyer parimeve të nxjerra në vendimin e saj në parim të 15 dhjetorit 1999 (Von Hannover, i cituar më lart, § 25). Ajo shtoi se, meqenëse një pamje nuk sillte nga ana e vet ndonjë ndihmesë në krijimin e opinionit publik, vlera e saj informative duhej të vlerësohej në kontekstin e artikullit që e shoqëronte fotografinë. Mirëpo, sikur të ndodhte që ky artikull të ishte vetëm një shkas për të botuar një fotografi të një personi të njohur nga publiku i gjerë, atëherë aty nuk do të kishte fare ndihmesë për krijimin e opinionit publik dhe, për këtë arsye, nuk do të ishte e udhës që interesi për të botuar të quhej sikur kishte epërsi mbi mbrojtjen e personalitetit.
43. Gjykata Kushtetuese Federale vazhdoi duke deklaruar se, për të vlerësuar atë që kërkonte mbrojtja e personalitetit, ishte me vend të merreshin parasysh jo vetëm rrethanat ku ishte marrë fotografia, për shembull nëse ajo ishte marrë fshehurazi apo nëse ishte fryt i një ndjekjeje të përhershme nga fotografët, por edhe situata në të cilën ishte marrë i interesuari e mënyra se si ishte paraqitur ai. E drejta e mbrojtjes së personalitetit merrte peshë më të madhe atëherë kur fotografia nxirrte në shesh hollësi të jetës private që zakonisht nuk ishin objekt debatesh publike. Po ashtu ndodhte kur personi mund të priste me të drejtë, duke pasur parasysh rrethanat, që të mos i botohej asnjë fotografi ngaqë ishte ndodhur në një situatë që i përkiste sferës private (räumliche Privatheit), sidomos në një vend të mbrojtur në veçanti. E drejta e mbrojtjes së personalitetit mund të kishte gjithashtu epërsi mbi interesin për të botuar edhe jashtë situatave të veçimit hapësinor, sidomos kur personi në fjalë ndodhej në një moment shtendosjeje a lirshmërie, i çliruar nga shtrëngesat e jetës profesionale a të përditshme.
44. Gjykata Kushtetuese Federale theksoi se për këtë ishte me vend që t’i kushtohej rëndësi shpërndarjes së detyrimeve procedurale lidhur me paraqitjen e fakteve dhe me barrën e provës. Duhej treguar kujdes që as shtypi, as personi i vënë në shënjestër, të mos pengoheshin që të provonin rrethanat përkatëse për vënien në balancë të interesave. Në qoftë se shtypi kishte ndër mend që ta botonte një fotografi pa pëlqimin e të interesuarit, atij mund t’i kërkohej që të parashtronte në mënyrë substanciale kushtet në të cilat ishte marrë fotografia, në mënyrë që t’i mundësohej gjyqtarit shqyrtimi i pikës nëse pritmëritë e drejta të të interesuarit ishin në kundërshtim me botimin e fotografisë.
45. Gjykata Kushtetuese Federale rikujtoi se u takonte juridiksioneve civile që t’i zbatonin e t’i interpretonin dispozitat e së drejtës civile në dritën e të drejtave themelore të pranishme, duke pasur gjithashtu parasysh Konventën. Roli i saj kufizohej vetëm në verifikimin e faktit nëse gjyqtari e kishte pasur mjaftueshëm parasysh ndikimin e të drejtave themelore gjatë interpretimit e zbatimit të ligjit dhe gjatë vënies në balancë të të drejtave në konflikt. E tillë ishte edhe shtrirja e kontrollit të gjyqtarit kushtetues për sa i përkiste pikës për të parë nëse juridiksionet e kishin përmbushur detyrimin e tyre për ta përfshirë jurisprudencën e Gjykatës në fushën përkatëse të rendit juridik kombëtar (Teilrechtsordnung). Fakti se vënia në balancë e të drejtave nga ana e gjykatësit në çështje konfliktesh të ndërlikuara dhe shumëpolëshe – domethënë konfliktesh që nënkuptojnë interesa divergjentë – mund të shpjerë gjithashtu në një rezultat tjetër, nuk ishte një arsye e mjaftueshme për ta detyruar gjyqtarin që ta korrigjonte një vendim gjyqësor. Mirëpo kishte shkelje të Kushtetutës kur shpërfilleshin fusha e mbrojtjes (Schutzbereich) ose rrezja e veprimit e një të drejte themelore të pranishme dhe kur, për këtë arsye, vënia në balancë kishte qenë e mangët apo kur kërkesat që rridhnin nga e drejta kushtetuese ose nga Konventa nuk ishin marrë parasysh ashtu siç duhej.
46. Duke marrë në shqyrtim rastin që i ishte paraqitur, Gjykata Kushtetuese Federale vërejti se vendimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë dhe kriteret e shtjelluara prej kësaj të fundit nuk ishin të kritikueshëm nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese. Ajo çmoi në veçanti se Gjykatën Federale të Drejtësisë nuk e kishte penguar asgjë që të shmangej nga jurisprudenca e vet e vazhdueshme në këtë fushë e të shtjellonte një koncept të ri mbrojtjeje. Fakti që ajo vetë, në vendimin e saj në parim të 15 dhjetorit 1999, nuk e kishte vënë në pikëpyetje konceptin e vjetër të mbrojtjes të Gjykatës Federale të Drejtësisë do të thoshte vetëm se ky i fundit kishte qenë në përputhje me kriteret e së drejtës kushtetuese. Por, sidoqoftë, kjo nuk nënkuptonte se këtyre kritereve nuk mund t’u përgjigjej edhe një koncept tjetër. Në veçanti, Gjykata Federale e Drejtësisë nuk kishte pasur asnjë pengesë për ta braktisur konceptin e vet juridik të personalitetit të historisë bashkëkohore e për të privilegjuar një vënie në balancë të interesave të pranishëm në konflikt gjatë shqyrtimit të pikës nëse një fotografi i përkiste fushës së historisë bashkëkohore dhe mund të botohej për këtë arsye pa pëlqimin e personit për të cilin bëhej fjalë (me përjashtim të rastit kur ajo cenonte një interes të drejtë të këtij të fundit).
47. Duke i zbatuar kriteret e vendosura kështu për fotografitë në fjalë, duke filluar nga fotografia e dytë dhe ajo e tretë, ndalimi i botimit të të cilave ishte kundërshtuar nga shtëpia botuese Ehrlich & Sohn (paragrafi 40 i mësipërm), Gjykata Kushtetuese Federale vuri në dukje se Gjykata Federale e Drejtësisë e kishte marrë parasysh faktin se fotografia e dytë e tregonte paditësen në një vend publik që nuk ishte i veçuar apo i mbrojtur nga publiku, por se ajo i kishte dhënë megjithatë një peshë vendimtare faktit që reportazhi kishte të bënte vetëm me pushimet për ski të paditëses, domethënë me një situatë që i përkiste fushës kyçe të sferës private e që i përgjigjej nevojës së paditëses për t’u qetësuar, dhe se aty nuk kishte pra ndonjë interes për publikun përveç kënaqjes së kërshërisë së tij. Nga ana tjetër, në kundërshtim me çka pretendonte shtëpia botuese, interesi i lexuesve për veshjet e brendshme të modës së fundit të paditëses nuk i përgjigjej kurrfarë interesi publik. Madje, artikulli nuk e përmendte këtë aspekt në asnjë çast.
48. Për Gjykatën Kushtetuese Federale, i njëjti përfundim diktohej edhe lidhur me fotografinë e tretë. Në fakt, as artikulli që komentonte udhëtimin e paditëses me të shoqin në Saint‑Moritz për të festuar ditëlindjen e këtij të fundit, as fotografia që i paraqiste ata në teleferikun me ndenjëse nuk kishin për publikun ndonjë interes informues që të shkonte përtej kënaqjes së kërshërisë së tij. Në qoftë se artikulli përmendte edhe Ballon e Trëndafilit – një ngjarje që, sipas Gjykatës Federale të Drejtësisë, mund të konsiderohej eventualisht sikur i përkiste historisë bashkëkohore –, midis kësaj ngjarjeje dhe fotografisë nuk ishte bërë asnjë lidhje.
49. Duke marrë në shqyrtim fotografinë e parë, Gjykata Kushtetuese Federale çmoi se Gjykata Federale e Drejtësisë kishte mundur të konsideronte me të drejtë se sëmundja e princit udhëheqës të Monakos ishte një ngjarje me interes të përgjithshëm. Për pasojë, shtypi kishte pasur të drejtë të raportonte në këtë kontekst edhe se si i pajtonin fëmijët e princit detyrimet e tyre për solidaritet familjar me nevojat e drejta të jetës së tyre private ku bënte pjesë dëshira për të shkuar me pushime. Përfundimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë sipas të cilit fotografia e botuar kishte një lidhje të mjaftueshme me ngjarjen e përshkruar nga artikulli nuk ishte e kritikueshme në rrafshin e së drejtës kushtetuese.
50. Gjykata Kushtetuese Federale nënvizoi se Gjykata Federale e Drejtësisë kishte vënë në dukje që mbrojtja e personalitetit mund të kishte epërsi në rastet kur fotografia në fjalë ishte marrë në kushte veçanërisht të pafavorshme për personin e prekur, për shembull kur fotografia ishte marrë fshehurazi ose kur ajo ishte fryti i një ndjekjeje të përhershme nga fotografët. Mirëpo, shtëpia botuese kishte dhënë hollësi lidhur me marrjen e fotografisë objekt konflikti, ndërkohë që paditësja nuk kishte denoncuar ndonjë pamjaftueshmëri të këtyre informacioneve pranë juridiksioneve civile më të ulëta apo pranë Gjykatës Federale të Drejtësisë. Në veçanti, e interesuara nuk kishte mbrojtur mendimin se fotografia e kundërshtuar ishte marrë në kushte që ishin të pafavorshme për të.
51. Gjykata Kushtetuese Federale rrëzoi edhe pretendimin e paditëses sipas të cilit Gjykata Federale e Drejtësisë e kishte shpërfillur jurisprudencën e Gjykatës ose nuk e kishte marrë atë si duhet parasysh. Duke rikujtuar se një pretendim i tillë mund të ngrihej para saj nëse ishte i mbështetur në një të drejtë themelore të garantuar nga Ligji Themelor, ajo vuri në dukje se Gjykata Federale e Drejtësisë kishte marrë në konsideratë vendimet Von Hannover (të cituar më lart) dhe Karhuvaara e Iltalehti k. Finlandës (nr. 53678/00, GjEDNj 2004‑X) dhe nuk e kishte shkelur detyrimin e saj për të respektuar kriteret e vendosura nga Konventa. Duke bërë një analizë të jurisprudencës së Gjykatës në këtë fushë, ajo vuri në dukje se kriteri përcaktues i kësaj të fundit, kur ishte me vend që të viheshin në balancë të drejtat e pranishme në konflikt, ishte pika që të shihej nëse tërësia e reportazhit (artikull e fotografi) jepte ndihmesë për krijimin e lirë të opinionit publik. Përveç kësaj, duhej të vendosej një dallim midis personazheve politike, personazheve publike dhe personave të zakonshëm. Nëse këta të fundit përfitonin mbrojtjen më të gjerë, personalitetet politike, nga ana e tyre, nuk mund të shpresonin përveç se një mbrojtje të dobët kundër reportazheve që kishin të bënin me to.
52. Sipas jurisprudencës së Gjykatës (Gourguénidzé k. Gjeorgjisë, nr. 71678/01, § 57, 17 tetor 2006, dhe Sciacca k. Italisë, nr. 50774/99, § 27, GjEDNj 2005-I), paditësja bënte pjesë në personazhet publike, çka ia lejonte shtypit që, në prani të një interesi të publikut për informacion, të botonte fotografi edhe nëse këto kishin të bënin me jetën e përditshme publike të personit në fjalë. Një botim i tillë, madje i mbrojtur nga neni 10 i Konventës, mund të shërbente për të ushtruar një kontroll publik mbi sjelljen private të personave me ndikim të jetës ekonomike, kulturore ose gazetareske. Gjykata Kushtetuese Federale rikujtoi se Gjykata kishte shprehur tashmë kritika kur gjyqtari kombëtar kishte zbatuar kritere tepër kufizuese gjatë shqyrtimit të pikës nëse mediet jepnin apo jo njoftime për çështje me interes të përgjithshëm duke raportuar rrethana që i takonin jetës private të një personi që nuk i përkiste sferës politike (referim ndaj Tønsbergs Blad A.S. e Haukom k. Norvegjisë, nr. 510/04, § 87, GjEDNj 2007‑III). Por mjaftonte që reportazhi të kishte të bënte, të paktën në njëfarë mase, me çështje të rëndësishme që i përkisnin fushës politike ose fushave të tjera (referim ndaj Karhuvaara e Iltalehti, i cituar më lart, § 45).
53. Gjykata Kushtetuese Federale doli në përfundimin se, në çështjen në fjalë, Gjykata Federale e Drejtësisë kishte qenë e mendimit që reportazhi objekt konflikti prekte tema të rëndësishme në një shoqëri demokratike. Në vendimin e saj Von Hannover, të cituar më lart, Gjykata nuk e kishte përjashtuar në parim që një reportazh i cili jepte ndihmesë në një debat rreth çështjesh me interes të përgjithshëm të mund të shoqërohej me fotografi që tregonin një skenë nga jeta e përditshme e një personaliteti politik ose e një personazhi publik. Edhe pse Gjykata, në çështjen Von Hannover, kishte dalë në përfundimin se fotografitë objekt konflikti në këtë çështje nuk kishin pasur ndonjë vlerë informative, në pikëpamjen e së drejtës kushtetuese nuk linte vend për kritikë fakti që Gjykata Federale e Drejtësisë, pasi i kishte vlerësuar rrethanat e rastit që i ishte parashtruar asaj duke pasur parasysh jurisprudencën e Gjykatës, kishte mbërritur në përfundimin se fotografia në fjalë e kishte, nga ana e saj, një vlerë informative.
b) Vargu i dytë i procedurave
54. Në një datë të papërcaktuar, paditësja iu drejtua Gjykatës Rajonale të Hamburgut që të ndalohej çdo botim i ri i fotografisë së nxjerrë në revistën Frau Aktuell nr. 9/02 të 20 shkurtit 2002.
55. Me një vendim të 1 korrikut 2005, Gjykata Rajonale i dha të drejtë kërkesës së paditëses.
56. Me një vendim të 13 dhjetorit 2005, Gjykata e Apelit e Hamburgut e pranoi apelimin e shtëpisë botuese dhe e shfuqizoi vendimin e Gjykatës Rajonale.
57. Me një vendim të 6 marsit 2007 (nr. VI ZR 14/06), Gjykata Federale e Drejtësisë e rrëzoi rekursin e paditëses për të njëjtat arsye si ato të parashtruara në vendimin e saj të së njëjtës ditë (nr. VI ZR 51/06 – paragrafët 28-39 të mësipërm). Ajo saktësoi se paditësja nuk kishte pretenduar përpara saj – çka nuk dilte madje askund – se fotografia ishte marrë fshehurazi apo me mjete teknike të barasvlershme duke e bërë botimin të paligjshëm.
58. Me një vendim të 16 qershorit 2008 (nr. 1 BvR 1625/07), një dhomë prej tre gjyqtarësh e Gjykatës Kushtetuese Federale vendosi të mos e pranonte ankimin kushtetues të paditëses, pa e arsyetuar vendimin e saj.
2. Procedurat e nisura nga paditësi
a) Procedura e parë
59. Më 30 nëntor 2004, paditësi iu drejtua Gjykatës Rajonale të Hamburgut me qëllim që t’i ndalohej shtëpisë botuese Ehrlich & Sohn GmbH & Co. KG çdo botim tjetër i tri fotografive të nxjerra në revistën Frau im Spiegel.
60. Me një vendim të 1 korrikut 2005, Gjykata Rajonale i dha të drejtë kësaj kërkese.
61. Me një vendim të 31 janarit 2006, Gjykata e Apelit e Hamburgut e pranoi apelimin e shtëpisë botuese.
62. Me një vendim të 6 marsit 2007 (nr. VI ZR 50/06), Gjykata Federale e Drejtësisë ia rrëzoi paditësit rekursin në kasacion lidhur me fotografinë e parë. Për sa u përkiste fotografisë së dytë dhe asaj të tretë, ajo i dha të drejtë rekursit, e prishi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe e rivendosi ndalimin e shpallur nga Gjykata Rajonale. Ajo i mbështeti përfundimet e veta në të njëjtat arsye si ato të parashtruara në vendimin e saj nr. VI ZR 51/06 të së njëjtës ditë (paragrafët 28-39 të mësipërm). Për sa i takonte faktit se sa i njohur ishte paditësi, ajo la në fuqi mendimin e Gjykatës së Apelit se paditësi ishte një person i njohur për publikun, veçanërisht si bashkëshort i paditëses, e cila, nga ana e saj, e tërhiqte në veçanti vëmendjen e publikut.
63. Me një vendim të 16 qershorit 2008 (nr. 1 BvR 1624/07), një dhomë prej tre gjyqtarësh e Gjykatës Kushtetuese Federale vendosi të mos e pranonte ankimin kushtetues të paditësit, pa e arsyetuar vendimin e saj.
b) Procedura e dytë
64. Më 29 nëntor 2004, paditësi iu drejtua Gjykatës Rajonale të Hamburgut me qëllim që të ndalohej çdo botim i ri nga ana e shtëpisë botuese WZV Westdeutsche Zeitschriftenverlag GmbH & Co. KG i fotografisë së nxjerrë në revistën Frau Aktuell.
65. Me një vendim të 24 qershorit 2005, Gjykata Rajonale i dha të drejtë kërkesës së paditësit.
66. Me një vendim të 13 dhjetorit 2005, Gjykata e Apelit e Hamburgut e pranoi apelimin e shtëpisë botuese.
67. Me një vendim të 6 marsit 2007 (nr. VI ZR 13/06), Gjykata Federale e Drejtësisë ia rrëzoi paditësit rekursin në kasacion për të njëjtat arsye si ato të parashtruara në vendimin e saj të së njëjtës ditë (nr. VI ZR 14/06 – paragrafi 57 i mësipërm).
68. Me një vendim të 16 qershorit 2008 (nr. 1 BvR 1622/07), një dhomë prej tre gjyqtarësh e Gjykatës Kushtetuese Federale vendosi të mos e pranonte ankimin kushtetues të paditësit, pa e arsyetuar vendimin e saj.
II. E DREJTA E BRENDSHME DHE EVROPIANE PËRKATËSE
A. Ligji Themelor
69. Dispozitat përkatëse të Ligjit Themelor janë të hartuara kështu:
Neni 1 § 1
“Dinjiteti i qenies njerëzore është i paprekshëm. Të gjitha autoritetet publike kanë detyrimin për ta respektuar e për ta mbrojtur atë.”
Neni 2 § 1
“Cilido ka të drejtë që ta shpalosë lirisht personalitetin e vet, me kusht që të mos i cenojë të drejtat e të tjerëve a të shkelë rendin kushtetues ose ligjin moral [Sittengesetz].”
Neni 5 §§ 1 dhe 2
“1. Cilido ka të drejtë që të shprehë e të përhapë lirisht mendimin e vet me fjalë, me shkrim e me pamje dhe të informohet pa pengesë në burimet që janë të çelura për të gjithë. Liria e shtypit dhe liria për të informuar përmes radios, televizionit dhe kinemasë janë të garantuara. Nuk ka censurë.
2. Këto të drejta i gjejnë kufizimet e tyre në dispozitat e ligjeve të përgjithshme, në dispozitat ligjore për mbrojtjen e rinisë dhe në të drejtën për respektimin e nderit personal [Recht der persönlichen Ehre].”
B. Ligji për të Drejtat e Autorit në Fushën Artistike
70. Neni 22 § 1 i Ligjit për të Drejtat e Autorit në Fushën Artistike (Gesetz betreffend das Urheberrecht an Werken der bildenden Künste und der Photographie – Kunsturhebergesetz) sanksionon se pamjet mund të shpërndahen vetëm me lejen e dhënë shprehimisht nga personi për të cilin bëhet fjalë. Neni 23 § 1 nr. 1 i këtij ligji parashikon përjashtime nga ky rregull kur pamjet në fjalë i përkasin historisë bashkëkohore (Bildnisse aus dem Bereich der Zeitgeschichte), me kusht që botimi i tyre të mos cenojë një interes të drejtë (berechtigtes Interesse) të personit për të cilin bëhet fjalë (neni 23 § 2).
C. Rezoluta 1165 (1998) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth të drejtës për respektimin e jetës private
71. Pjesët përkatëse të kësaj rezolute të miratuar nga Asambleja Parlamentare më 26 qershor 1998, të cilat kanë lidhje me çështjen në fjalë, shprehen kështu:
“1. Asambleja rikujton debatin për çështje aktuale që ajo i ka kushtuar së drejtës për respektimin e jetës private gjatë sesionit të saj të shtatorit 1997, disa javë pas aksidentit që i kushtoi jetën princeshës së Uellsit.
2. Me këtë rast, janë ngritur disa zëra për të kërkuar një përforcim në nivel evropian të mbrojtjes së jetës private, sidomos të personave publikë, nëpërmjet një konvente, ndërsa disa të tjerë ishin të mendimit se jeta private ishte e mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme nga legjislacionet kombëtare dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, dhe se nuk duhej të cenohej e drejta e shprehjes.
3. Për ta thelluar rrahjen e mendimeve rreth kësaj teme, Komisioni i Çështjeve Juridike dhe i të Drejtave të Njeriut ka organizuar në Paris më 16 dhjetor 1997 një seancë dëgjimore me pjesëmarrjen e personave publikë ose të përfaqësuesve të tyre ashtu si edhe të medieve.
4. E drejta për respektimin e jetës private, e garantuar nga neni 8 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, është përkufizuar tashmë nga Asambleja në deklaratën rreth mjeteve të komunikimit masiv dhe të drejtave të njeriut, të përmbajtur në Rezolutën 428 (1970) si “e drejta për ta jetuar jetën sipas dëshirës e me sa më pak ndërhyrjeje”.
5. Për të marrë parasysh shfaqjen e teknologjive të reja të komunikimit të cilat e bëjnë të mundur që të grumbullohen e të përdoren të dhënat personale, është e udhës që këtij përkufizimi t’i shtohet e drejta për t’i pasur nën kontroll të dhënat e veta.
6. Asambleja është e vetëdijshme se e drejta për respektimin e jetës private bëhet shpeshherë objekt cenimesh edhe në vendet e pajisura me një legjislacion të posaçëm që e mbron atë, sepse jeta private është kthyer në një mall shumë fitimprurës për disa medie. Viktima të këtyre cenimeve janë kryesisht personat publikë, sepse hollësitë e jetës së tyre private përbëjnë një argument shitjeje. Në të njëjtën kohë, personat publikë duhet ta kuptojnë se pozita e veçantë që ata marrin në shoqëri, dhe e cila është shpeshherë pasoja e vetë zgjedhjes së tyre, sjell automatikisht si pasojë një trysni të lartë në jetën e tyre private.
7. Personat publikë janë ata që ushtrojnë funksione publike dhe/ose përdorin burime publike dhe, në një mënyrë më të përgjithshme, të gjithë ata që luajnë njëfarë roli në jetën publike, qoftë ky politik, ekonomik, artistik, shoqëror, sportiv ose tjetër.
8. Pikërisht në emër të një interpretimi të njëanshëm të së drejtës për lirinë e shprehjes, të garantuar nga neni 10 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, shumë shpesh mediet kryejnë cenime të së drejtës për respektimin e jetës private, duke çmuar se lexuesit e tyre kanë të drejtën për të ditur gjithçka rreth personave publikë.
9. Është e vërtetë se disa fakte që i përkasin sferës së jetës private të personave publikë, në veçanti të politikanëve, mund të kenë njëfarë interesi për qytetarët dhe se është pra e drejtë që ato t’u bëhen të njohura lexuesve, të cilët janë gjithashtu edhe zgjedhës.
10. Është pra e nevojshme që të gjendet mënyra për ta mundësuar ushtrimin e baraspeshuar të të dyja të drejtave themelore, njëlloj të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut: atë të së drejtës për respektimin e jetës private dhe atë të së drejtës për lirinë e shprehjes.
11. Asambleja ripohon rëndësinë e së drejtës për respektimin e jetës private të çdo personi dhe të së drejtës për lirinë e shprehjes, si themele të një shoqërie demokratike. Këto të drejta nuk janë as të pakufizuara, as në hierarki midis tyre, meqenëse janë me vlerë të barabartë.
12. Asambleja rikujton sidoqoftë se e drejta për respektimin e jetës private, e garantuar nga neni 8 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duhet ta mbrojë individin jo vetëm kundër ndërhyrjes së autoriteteve publike, por edhe kundër asaj të individëve të tjerë e të institucioneve private, duke përfshirë edhe mjetet e komunikimit masiv.
13. Asambleja është e mendimit se, përderisa Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e kanë ratifikuar tashmë të gjitha shtetet anëtare dhe meqenëse nga ana tjetër shumë legjislacione kombëtare përmbajnë dispozita që e garantojnë këtë mbrojtje, nuk është e nevojshme për pasojë që të propozohet miratimi i një konvente të re për të garantuar të drejtën për respektimin e jetës private.
(...)”
D. Rezoluta e Komitetit të Ministrave lidhur me zbatimin e vendimit Von Hannover (nr. 59320/00) të 24 qershorit 2004
72. Rezoluta e Komitetit të Ministrave (CM/ResDH(2007)124), duke përfshirë aneksin (pjesë të zgjedhura), e miratuar më 31 tetor 2007 gjatë mbledhjes së 1007-të të të Deleguarve të Ministrave, shprehet kështu:
“Komiteti i Ministrave, në bazë të nenit 46, paragrafit 2, të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore, e cila parashikon se Komiteti kontrollon zbatimin e vendimeve të formës së prerë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (më tej “Konventa” dhe “Gjykata”);
Duke parë vendimet që Gjykata i ka përcjellë Komitetit pasi kanë marrë formën e prerë;
Duke rikujtuar se shkelja e Konventës e vënë re nga Gjykata në këtë çështje ka të bëjë me cenimin e respektimit të jetës private të paditëses, princeshës Caroline Von Hannover, të bijës së parëlindur të Princit Rainier III të Monakos, për arsye të rrëzimit nga juridiksionet gjermane të kërkesave të saj që synonin të ndalohej botimi i disa fotografive që kanë të bëjnë me të (shkelje e nenit 8) (shih për hollësi tek Aneksi);
Duke e pasur ftuar Qeverinë e shtetit të paditur për ta informuar atë rreth masave të marra në vijim të vendimit të Gjykatës, duke pasur parasysh detyrimin që ka Gjermania për ta respektuar atë sipas nenit 46, paragrafit 1, të Konventës;
Duke i pasur shqyrtuar informacionet e përcjella nga ana e Qeverisë në përputhje me Rregullat e Komitetit për zbatimin e nenit 46, paragrafit 2, të Konventës;
Duke qenë siguruar se, brenda afatit të caktuar, shteti i paditur i ka paguar palës paditëse shpërblimin e drejtë të parashikuar në vendim (shih për hollësi tek Aneksi);
Duke rikujtuar se konstatimet e shkeljes nga Gjykata kërkojnë, përveç pagesës së shpërblimit të drejtë të dhënë nga Gjykata në vendimet e saj, miratimin nga ana e shtetit të paditur, në rast nevoje:
– të masave individuale që u japin fund shkeljeve dhe që i fshijnë pasojat e tyre, mundësisht me restitutio in integrum; dhe
– të masave të përgjithshme që mundësojnë të parandalohen shkelje të ngjashme;
DEKLARON, pasi i ka shqyrtuar masat e marra nga shteti i paditur (shih në Aneks), se ai i ka përmbushur funksionet e tij në bazë të nenit 46, paragrafit 2, të Konventës në këtë çështje dhe
VENDOS ta mbyllë shqyrtimin e saj.
Aneksi i Rezolutës CM/ResDH(2007)124
Informacion rreth masave të marra për të respektuar vendimin rreth çështjes
(...)
I. Pagesa e shpërblimit të drejtë dhe masa individuale
(...)
b) Masa individuale
Paditësja nuk ka marrë asnjë masë për të penguar botime të reja të fotografive në fjalë pas vendimit të Gjykatës Evropiane, ndonëse e ka mundësinë për këtë në bazë të së drejtës gjermane. Por, nga ana tjetër, ajo u është drejtuar gjykatave lidhur me një fotografi të ngjashme (shih pjesën “Masa të përgjithshme”, pika 4)). Sipas informacioneve që ka Sekretariati, fotografitë e fajësuara në këtë çështje nuk janë ribotuar në shtypin gjerman.
II. Masa të përgjithshme
– Botimi dhe shpërndarja e vendimit të Gjykatës Evropiane: Vendimi ka qenë objekt i një mbulimi të madh mediatik dhe i diskutimeve në gjirin e bashkësisë juridike gjermane. Siç ndodh me të gjitha vendimet e Gjykatës Evropiane, ai është i hapur për publikun në sajtin e Ministrisë Federale të Drejtësisë në internet (, Themen : Menschenrechte, EGMR), i cili përmban një lidhje të drejtpërdrejtë e cila shpie në sajtin që ka Gjykata në internet për vendimet në gjuhën gjermane (/T/D/Menschenrechtsgerichtshof/Dokumente_auf_Deutsch/). Përveç kësaj, vendimi u është shpërndarë edhe autoriteteve dhe juridiksioneve të interesuara përmes një letre të Agjentit të Qeverisë.
– Ndryshim jurisprudence: juridiksionet e kanë marrë parasysh vendimin e Gjykatës Evropiane në çështje të ngjashme që u ishin parashtruar atyre, duke i njohur atij kështu një efekt të drejtpërdrejtë në të drejtën gjermane:
1) Ortaku i një këngëtari të famshëm ka fituar një gjyq pranë Gjykatës së Apelit të Berlinit (KG Urt. v. 29.10.2004, 9 W 128/04 Neue Juristische Wochenschrift, NJW, 2005, f. 605- 607).
2) Parimet e Konventës sikurse i ka përcaktuar Gjykata Evropiane në vendimet e saj janë sanksionuar gjithashtu, ndonëse nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me çështjen, në një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Hamburgut duke e ndaluar që popullariteti i ish-kancelarit Schröder të shfrytëzohej për përfitime tregtare (AG Hamburg, Urt. v. 2.11.2004, 36A C 184/04, NJW-RR 2005, f. 196 - 198).
3) Duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Evropiane, Gjykata Federale Civile ka lënë në fuqi një vendim që lejonte botimin e një artikulli lidhur me një dënim për kundërvajtje të marrë nga bashkëshorti i paditëses për tejkalim shpejtësie në një autostradë franceze. Gjykata ka çmuar se publiku kishte një interes të drejtë për t’u informuar për këtë shkelje, sepse ky lloj sjelljeje është objekt për një debat publik (BGH, Urt. v. 15.11.2005, VI ZR 286/04, që mund të shihet në sajtin ).
4) Lidhur me vetë paditësen, në korrik 2005, Gjykata Rajonale e Hamburgut (Landgericht), duke iu referuar vendimit të Gjykatës Evropiane, është shprehur në favor të paditëses duke ndaluar botimin e një fotografie që e tregonte paditësen të shoqëruar me bashkëshortin e saj në një rrugë të St. Moritz-it gjatë pushimeve të tyre për ski. Por, në dhjetor 2005, juridiksioni i shkallës së dytë (Gjykata e Apelit e Hamburgut, Oberlandesgericht) e ka prishur këtë vendim duke u mbështetur më fort në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane (Bundesverfassungsgericht). Në vijim të një kërkese për rishikim vendimi, të paraqitur nga paditësja, Gjykata Federale Civile (Bundesgerichtshof) ka vendosur më 6 mars 2007 se fotografia në fjalë mund të botohej. Në arsyetimin e tij, juridiksioni i brendshëm, duke vlerësuar interesat e ndryshëm të pranishëm, i ka marrë parasysh shprehimisht standardet e Konventës ashtu siç përcaktoheshin ato në vendimin e Gjykatës Evropiane (BGH Urt. v. 6.3.2007, VI ZR 14/06, që mund të shihet në sajtin ) (...).”
LIGJI
I. RRETH NDARJES MË VETE TË KËRKESAVE
73. Gjykata shënon se, përpara se të tërhiqej nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe, dhoma i kishte bashkuar këto kërkesëpadi me kërkesëpadinë Axel Springer AG k. Gjermanisë (nr. 39954/08 – paragrafi 3 i mësipërm). Mirëpo, duke pasur parasysh natyrën e fakteve dhe të pikëpyetjeve që shtroheshin në themel të këtyre çështjeve, Dhoma e Madhe e gjykoi si të përshtatshme që ta ndante më vete kërkesëpadinë nr. 39954/08 nga këto kërkesëpadi.
II. RRETH SHKELJES SË PRETENDUAR TË NENIT 8 TË KONVENTËS
74. Paditësit ankohen për mospranimin e gjykatave gjermane për të ndaluar çdo botim të ri të fotografisë së dalë më 20 shkurt 2002 në revistat Frau im Spiegel nr. 9/02 dhe Frau aktuell nr. 9/02. Ata pretendojnë se u është shkelur e drejta për respektimin e jetës së tyre private, ashtu siç garantohet ajo nga neni 8 i Konventës, pjesët përkatëse të të cilit që lidhen me çështjen shprehen kështu:
“1. Çdokush ka të drejtë që t’i respektohet jeta private e familjare (...)
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur, në një shoqëri demokratike, kjo masë është e domosdoshme (...) për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
A. Rreth pranueshmërisë
75. Gjykata vë re se ky ankim nuk është haptazi i paarsyetuar në kuptimin e nenit 35 § 3 a) të Konventës. Ajo vë në dukje për më tepër se ai nuk bie ndesh me asnjë arsye tjetër mospranueshmërie. Është pra e udhës që ai të deklarohet i pranueshëm.
B. Rreth themelit
1. Tezat e palëve
a) Qeveria
76. Qeveria nënvizon që në fillim se nuk ka konflikt ndërmjet Gjykatës Kushtetuese Federale dhe Gjykatës. Ajo rikujton se Gjykata Kushtetuese Federale, në vendimin e saj të 14 tetorit 2004 (vendimi Görgülü – nr. 2 BvR 1481/04, Përmbledhje e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese Federale nr. 111, f. 307), ka saktësuar se fakti që gjyqtari kombëtar nuk i kishte marrë mjaftueshëm parasysh Konventën ose jurisprudencën e Gjykatës mund të bëhej objekt për rekurs kushtetutshmërie pranë saj. Ajo mbron mendimin se në rastin e çështjes në fjalë Gjykata Federale e Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese Federale e kanë marrë parasysh jurisprudencën e Gjykatës, e sidomos vendimin Von Hannover. Për këtë arsye, nuk mund t’u folka aspak për ndonjë qëndrim refuzues nga ana e këtyre juridiksioneve të cilat, krejt përkundrazi, i paskan dhënë një mbrojtje shumë më të madhe sesa më parë të drejtës së personalitetit.
77. Qeveria vë në dukje se këto kërkesëpadi kanë të bëjnë fundja vetëm me një fotografi. Sipas saj, ndonëse është e vërtetë se fotografitë e botuara më 20 shkurt 2002, pa qenë identike, janë nxjerrë sipas gjithë gjasave nga e njëjta seri, prapëseprapë për një spektator asnjanës bëhet fjalë për të njëjtën paraqitje fotografike të paditësve, pavarësisht nga ndryshimet në format e në kuadrim. Qeveria rikujton se fotografitë e tjera të shqyrtuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese Federale të 26 shkurtit 2008 ose janë ndaluar për t’u botuar nga Gjykata Federale e Drejtësisë, ose janë objekt i një kërkesëpadie më vete pranë Gjykatës. Të tjera fotografi, të përmendura nga paditësit në vërejtjet e tyre, nuk mund t’u marrkan në konsideratë nga Gjykata, meqenëse procedurat e brendshme për këtë qëllim nuk kanë përfunduar ende.
78. Qeveria parashtron se, deri në vendimin Von Hannover, juridiksionet gjermane kanë përdorur nocionin e “personalitetit absolut të historisë bashkëkohore”, i cili karakterizohet nga njëfarë mungese epshmërie dhe përfitonte vetëm një mbrojtje të mangët në të drejtën gjermane. Pas vendimit Von Hannover, Gjykata Federale e Drejtësisë e paska braktisur këtë koncept dhe paska shtjelluar atë të mbrojtjes (së përshkallëzuar), sipas të cilit tashmë u dashka që për çdo fotografi të vërtetohet se ekziston një interes për ta botuar atë. Përveç kësaj, sipas qasjes së re të zgjedhur nga Gjykata Federale e Drejtësisë, për të vënë në balancë interesat e pranishëm u dashka të përcaktohet nëse botimi jep ndihmesë në ndonjë debat publik. Vlera informative e botimit marrka një rëndësi të veçantë për këtë qëllim. Me pak fjalë, jurisprudenca e re e Gjykatës Federale të Drejtësisë, e ripohuar nga Gjykata Kushtetuese Federale, i dhënka më shumë peshë mbrojtjes së personalitetit, siç e treguaka fakti që dy nga tri fotografitë fillestare janë ndaluar. Nga ana tjetër, fotografia objekt konflikti dhe artikujt që e shoqërojnë atë u dalluakan qartë nga fotografitë dhe komentet e tyre që kishin qenë objekti i vendimit Von Hannover.
79. Qeveria e kundërshton fuqimisht pretendimin e paditësve se paditësja e parë është, sipas konstatimeve të njëkuptimshme të Gjykatës, një person privat. Në disa vendime, Gjykata e paska cilësuar kështu atë si personazh publik duke e dalluar nga një person privat (Gurgenidze, i cituar më lart, § 40; Sciacca, i cituar më lart, § 27; dhe Reklos e Davourlis k. Greqisë, nr. 1234/05, § 38, 15 janar 2009). Duke i vendosur paditësit në kategorinë e personave të jetës publike, juridiksionet gjermane nuk paskan bërë gjë tjetër por vetëm sa e kanë përsëritur jurisprudencën e Gjykatës. Pjesëtare e një dinastie mbretëruese, paditësja iu paraqitka publikut në funksione zyrtare brenda principatës. Ajo kryesuaka madje “Fondacionin Princesha Grace”, veprimtaritë e të cilit qenkan bërë publike nga administrata e Monakos në Vjetarin Zyrtar të Principatës.
80. Qeveria saktëson se paditësit nuk i kanë denoncuar pranë juridiksioneve kombëtare rrethanat në të cilat ishin marrë fotografitë objekt konflikti, ndërkohë që aty bëhet fjalë për elemente që ato i marrin përgjithësisht mirë parasysh. Sipas saj, edhe pse fotografitë objekt konflikti janë marrë me siguri pa dijeninë dhe pa pëlqimin e të interesuarve, kjo prapëseprapë nuk do të thotë që ato janë marrë fshehurazi apo në kushte të pafavorshme për paditësit.
81. Qeveria mbron mendimin se ana e veçantë e disa çështjeve, si në rastin në fjalë, ku gjyqtari kombëtar ftohet të vërë në balancë të drejtat dhe interesat e dy ose disa personave privatë, qëndron në faktin që procedura pranë Gjykatës shihet si një vazhdim i procedurës fillestare, sepse Gjykatës mund t’i drejtohet potencialisht secila nga palët në procedurën e brendshme. Pikërisht për këtë arsye, kur është fjala për vënien në balancë të interesave të pranishëm, nuk mjaftuaka një zgjidhje e vetme por u dashka të ketë një “korridor” zgjidhjesh brenda caqeve të të cilit gjyqtari kombëtar u dashka të gjejë një mundësi për të dhënë vendime në përputhje me Konventën. Përndryshe, për secilën nga këto çështje u dashka të marrë vendim vetë Gjykata, çka nuk mundka të jetë aspak roli i saj. Për rrjedhojë, asaj iu dashka që ta kufizojë shtrirjen e kontrollit të vet e të ndërhyjë vetëm atëherë kur gjykatat e brendshme nuk i kanë marrë parasysh disa rrethana të veçanta gjatë vënies në balancë apo nëse rezultati i kësaj të fundit është haptazi i shpërpjesëtuar (shih, për shembull, Cumpănă e Mazăre k. Rumanisë [DhM], nr. 33348/96, §§ 111‑120, GjEDNj 2004‑XI). Qeveria mbron mendimin se, në marrëdhënien midis shtetit e qytetarit, shtimi i lirisë së personit nënkupton vetëm një kufizim të mundësisë për ndërhyrje nga ana e shtetit, kurse në marrëdhënien midis dy qytetarëve, dhënia më shumë peshë të drejtës së njërit nga personat në fjalë e ngushton të drejtën e të tjerëve, çka ndalohet nga neni 53 i Konventës. Për pasojë, shtrirja e kontrollit të Gjykatës qenka më e paktë në çështje të tilla.
82. Qeveria e vë theksin te hapësira për vlerësim që paska shteti në rastin e çështjes në fjalë. Kjo hapësirë u varka nga natyra e veprimtarive për të cilat bëhet fjalë dhe nga qëllimi i kufizimeve. Në jurisprudencën e saj të kohëve të fundit, Gjykata u paska njohur madje shteteve një hapësirë të gjerë vlerësimi në disa çështje që kanë të bëjnë me nenin 8 të Konventës (A. k. Norvegjisë, nr. 28070/06, § 66, 9 prill 2009, dhe Armonienė k. Lituanisë, nr. 36919/02, § 38, 25 nëntor 2008). Në përgjithësi, hapësira e shteteve qenka më e madhe kur nuk ekziston ndonjë konsensus në rang evropian. Sipas Qeverisë, megjithëse ekziston sigurisht një prirje për harmonizimin e rendeve juridike në Evropë, mbeten prapëseprapë disa dallime të cilat qenkan madje në zanafillë të dështimit të negociatave për miratimin e një rregulloreje të Bashkimit Evropian lidhur me disa norma konflikti në fushën e kundërvajtjeve civile (Rregullorja KE 864/2007 e 11 korrikut 2007 – Rregullorja Romë-II). Hapësira për vlerësim qenka gjithashtu e gjerë kur autoritetet kombëtare duhet të gjejnë një baraspeshë midis interesave konkurrues privatë e publikë ose të drejtave të ndryshme të mbrojtura nga Konventa (Dickson k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 44362/04, § 78, GjEDNj 2007‑XIII, dhe Evans k. Mbretërisë së Bashkuar [DhM], nr. 6339/05, § 77, GjEDNj 2007‑IV). Jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian shkuaka madje në të njëjtin drejtim (vendimet Schmidberger i 12 qershorit 2003, C‑112/00, dhe Omega i 14 tetorit 2004, C‑36/02).
b) Paditësit
83. Paditësit duan të nënvizojnë kontekstin e këtyre kërkesëpadive. Qëkurse paditësja ka humbur burrin e saj të parë më 1985 në një aksident tragjik, mediet paskan kuptuar se historia e vejushës me tre fëmijët e saj të vegjël ishte e përshtatshme për t’u shitur dhe përbënte një treg mjaft fitimprurës. Ndërkohë që Kodi Civil francez e ndaluaka realizimin dhe botimin e fotografive të tilla në Francë, paditësit qenkan ndjekur megjithatë këmba-këmbës prej paparaxëve që i shitkan këto fotografi në tregje të tjera, veçanërisht në Gjermani. Krejtësisht i panjohur më parë nga publiku, edhe paditësi u gjuajtka tani nga paparaxët që prej martesës së tij me paditësen e parë dhe lindjes së fëmijës së tyre. Sipas jurisprudencës së gjykatave civile gjermane, të ripohuar nga Gjykata Kushtetuese Federale më 1999, paditësit paskan mundur ta kundërshtojnë botimin e fotografive të tilla vetëm po të ishin ndodhur në një vend të veçuar, larg syve të publikut. Paditësit paskan pasur vazhdimisht ndjenjën se vëzhgoheshin, ndiqeshin e persekutoheshin dhe prandaj paskan pasur shumë shpresa te vendimi Von Hannover, në të cilin Gjykata e paska vënë në pikëpyetje këtë jurisprudencë. Pikërisht për këtë arsye i paskan nisur ata pastaj gjashtë çështje pilote lidhur me fotografi të krahasueshme me ato që kanë qenë objekt i vendimit Von Hannover. Mirëpo autoritetet gjermane nuk paskan qenë të gatshme për ta ndjekur këtë vendim. Këtë e dëshmuakan sidomos, në njërën anë, deklaratat e ministrit federal të Drejtësisë dhe të kancelarit gjerman të asaj kohe, sipas të cilave vendimi i Gjykatës nuk ishte me karakter detyrues për gjykatat gjermane, ngaqë jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese Federale ishte e një rangu më të lartë sesa Konventa dhe, në anën tjetër, mendimet e shprehura nga gjyqtarët referues përkatës në çështjet Caroline von Hannover pranë Gjykatës Kushtetuese Federale në një intervistë dhe në një artikull juridik, të botuar përkatësisht më 2004 e 2009.
84. Gjermania refuzuaka deri tani kategorikisht që ta zbatojë vendimin Von Hannover, në shkelje të nenit 46 të Konventës. Kështu, në vendimin e saj Görgülü, Gjykata Kushtetuese Federale paska theksuar se duhej të shmangej një zbatim skematik i vendimeve të Gjykatës. Gjykata e Apelit paska vërejtur në mënyrë të qartë nga ana e saj në këtë çështje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese Federale i vitit 1999 kishte përparësi. Për sa u përket Gjykatës Federale të Drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese Federale, ato e shmangkan vendimin Von Hannover dhe vazhduakan të përdorin nocionin e personalitetit (absolut) të historisë bashkëkohore, ndonëse të vënë në pikëpyetje nga Gjykata, duke përdorur termat “person me famë të madhe” ose “person i njohur për publikun e gjerë”, dhe – de facto – elementin e veçimit hapësinor duke përdorur tashmë shprehjen “çaste shtendosjeje e lirshmërie jashtë detyrimeve të jetës profesionale apo të përditshme”. Paditësit vazhduakan të jenë objekt reportazhesh në shtyp rreth jetës së tyre të përditshme e private dhe të persekutohen prej paparaxëve, kurse drejtësia gjermane as që menduaka t’u japë fund këtyre gjërave. Duke mos qenë në gjendje për ta ditur nëse janë të mbrojtur nga bezdisja prej paparaxëve, ata denoncojnë një situatë pasigurie të padurueshme juridike dhe një rrezik shumë të madh financiar lidhur me procedurat gjyqësore që u duhet të nisin.
85. Paditësit mbrojnë mendimin se asnjëra prej fotografive, të marra më vete ose në kontekstin e artikullit të shkruar, nuk jep ndihmesë për ndonjë debat me interes të përgjithshëm në një shoqëri demokratike. Ato shërbyekan vetëm për të kënaqur kërshërinë e disa lexuesve. Pika se ku dhe si i kalojnë paditësit pushimet e tyre qenka e dukshme se nuk ka të bëjë me ndonjë pikë që i intereson publikut. Një shëtitje e paditësve gjatë pushimeve të tyre nuk qenka ndonjë ngjarje e historisë bashkëkohore, e kjo aq më pak për faktin se nuk përfshihet në ushtrimin e ndonjë funksioni të çfarëdoshëm zyrtar.
86. Përmendja e sëmundjes së gjatë të princit Rainier në artikullin që shoqëron fotografitë objekt konflikti nuk mund ta ndryshuaka këtë konstatim. Artikulli nuk u ndalka në pyetjen se mos vallë sëmundja e princit e pengonte atë që t’i kryente detyrat e tij si sovran. Vetëm disa fjali e informuakan lexuesin rreth sëmundjes; thelbi i artikullit rrëfyeka për jetën private të paditësve dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes princore. Sëmundja e princit paska qenë vetëm një shkas për të shpalosur jetën private të paditësve. Nëse mund të ishte tashmë e dyshimtë që të ishte i përligjur botimi i fotografisë që tregonte princin Rainier me të bijën, ai i fotografisë objekt konflikti kuptohej qartazi që nuk qenkësh i tillë. Edhe sikur të pranohej që sëmundja e princit paskësh një vlerë informative, prapëseprapë nuk paska kurrfarë lidhjeje serioze midis pushimeve të paditësve për ski dhe kësaj sëmundjeje. Madje një artikull i thjeshtë paska qenë i mjaftueshëm për ta kënaqur interesimin e publikut.
87. Paditësit parashtrojnë se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme apo të dënueshme që ata të kalonin, njëlloj si familje të tjera, disa ditë pushime skish me bijën e tyre ndërkohë që princi ishte i sëmurë. Ky informacion nuk paska pasur asnjë ndikim në qeverisjen e principatës së Monakos. Pikërisht kur dikush qenka i prekur prej një sëmundjeje të gjatë, atëherë paskan të afërmit nevojë për një mbrojtje të veçantë gjatë disa ditëve që t’u japë atyre mundësi të qetësohen. Në qoftë se sëmundja e një të afërmi mjaftuaka për të përligjur botimin e fotografive, atëherë garancive të nenit 8 u qenka vënë kazma dhe shtypi mund të rrëfyeka pa pushim jetën private të paditësve. Kur fotografitë i tregojnë paditësit pranë princit, ngjarja e historisë bashkëkohore qenka vizita, ndërsa kur paditësit ndodhen gjetiu, atëherë ngjarje qenka mungesa e tyre. Mediet gjermane e paskan kuptuar mirë: për t’i dhënë një reportazhi artificialisht njëfarë vlere informative, mjaftuaka që ai të pasurohet me disa fjali.
88. Paditësit denoncojnë mungesën e dy faktorëve të rëndësishëm në vënien në balancë që kanë kryer juridiksionet gjermane. Ata mbrojnë mendimin se këto të fundit nuk e paskan marrë parasysh faktin që ata nuk kanë kërkuar kurrë ta shpalosin jetën e tyre private nëpër medie, por kanë luftuar përherë kundër çdo botimi të paligjshëm. Ata paskan pasur kështu një shpresë të drejtë për mbrojtjen e jetës së tyre private. Përveç kësaj, në kundërshtim me Gjykatën, gjyqtari gjerman nuk e paska marrë parasysh faktin që paditësit gjendeshin në një situatë të përhershme vëzhgimi dhe persekutimi nga ana e paparaxëve dhe që fotografitë ishin realizuar në padijeninë e tyre dhe pa pëlqimin e tyre. Nga ana tjetër, paditësja e parë nuk qenka ftuar në asnjë çast që të ngjitet në fronin e principatës së Monakos: kur ishin marrë fotografitë objekt konflikti, i ati i saj ishte ende gjallë; pas vdekjes së tij, vendin e tij në fron e kishte zënë vëllai i saj, Alberti.
89. Për sa i përket hapësirës për vlerësim, paditësit mbrojnë mendimin se autoritetet gjermane nuk e gëzojnë më atë që prej vendimit Von Hannover në të cilin Gjykata i ka nxjerrë qartësisht kriteret që duhet të respektohen në çështjet e botimit të paligjshëm të fotografive. Madje në këtë fushë paska një konsensus në rang evropian, i cili qenka përvijuar pikërisht nën ndikimin e këtij vendimi e për të cilin dëshmuaka edhe miratimi i një rezolute nga Asambleja Parlamentare më 1998. Dallimet që mbeten qenkan vetëm të rendit të nuancës. Vendimi Von Hannover qenka përfshirë nga ana e tij në një vijë të përcaktuar jurisprudence dhe qenka ripohuar disa herë më vonë. Paditësit habiten madje që Gjykata, si juridiksion evropian i shkallës më të lartë, u dashka të kënaqet me një kontroll më të moderuar sesa ai që ushtrohet nga Gjykata Kushtetuese Federale, e cila, në procedurën lidhur me fotografinë e botuar në revistën 7 Tage (paragrafi 40 i mësipërm), e ka shpërfillur mendimin e njëmbëdhjetë gjyqtarëve profesionistë që e kishin shqyrtuar çështjen, duke e zëvendësuar atë me mendimin e vet deri edhe në hollësi.
2. Vërejtjet e palëve të treta
a) Shoqata e Botuesve të Revistave Gjermane
90. Shoqata ndërhyrëse nënvizon se vendimi Von Hannover i dhënë nga Gjykata ka pasur efekte të konsiderueshme mbi lirinë e shtypit në Gjermani. Pas këtij vendimi, juridiksionet gjermane i paskan dhënë lirisë së shtypit shumë më pak peshë sesa më parë. Vendimet e tyre në këtë fushë qenkan tashmë në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës, së cilës madje ato iu referuakan shpesh. Shoqata parashtron se shtypi, në rolin e tij si “qen rojtar”, ka për detyrë jo vetëm të vigjilojë mbi parlamentet, qeveritë e ngjarjet politike, por edhe të vëzhgojë jetën publike në përgjithësi në fushat politike, ekonomike, kulturore, shoqërore, sportive apo të tjera. Sipas shembullit të pjesëtarëve të familjeve të tjera mbretërore, paditësja e parë paska një rol modeli dhe qenka me siguri një person publik. Shoqata ndërhyrëse rikujton se, që prej vitit 2003, e interesuara ishte “Ambasadore e vullnetit të mirë” e UNESKO-s, titull që u është dhënë personave të famshëm si Nelson Mandela, Claudia Cardinale ose Pierre Cardin. Gjykata e paska cilësuar madje paditësen e parë si person publik në vendime të marra pas vendimit Von Hannover. Sipas shoqatës, edhe pse jeta private e gëzonte tashmë një mbrojtje të konsiderueshme përpara vendimit Von Hannover, kjo është zgjeruar më pas. Prandaj, juridiksionet gjermane nuk e paskan tejkaluar hapësirën e tyre për vlerësim. Norma, ashtu siç ekziston ajo në Francë, nuk mund të përbëka një model për mbarë Evropën.
b) Shtëpia botuese Ehrlich & Sohn GmbH & Co KG
91. Shtëpia botuese ndërhyrëse rikujton rëndësinë e lirisë së shtypit në Gjermani, sidomos duke pasur parasysh periudhën nacional-socialiste të vendit. Ajo thekson se artikujt zbavitës përfitojnë gjithashtu nga mbrojtja e lirisë së shtypit, në përputhje me një jurisprudencë të vazhdueshme të Gjykatës Kushtetuese Federale. Nga ana tjetër, si bijë e ish-princit mbretërues të një vendi evropian, motër e princit sovran të tanishëm dhe bashkëshorte e kreut të një dinastie të vjetër fisnike gjermane, paditësja e parë qenka padyshim një person publik që ngjall interes, të paktën në Evropë. Shtëpia botuese parashtron së fundi se, pas vendimit Von Hannover të dhënë nga Gjykata më 2004, juridiksionet gjermane kanë bërë një kthesë të papritur jurisprudence duke e zvogëluar mundësinë për të botuar fotografi personash të marra jashtë veprimtarive zyrtare dhe pa pëlqimin e të interesuarve, duke e kufizuar kështu shumë lirinë e informacionit dhe të shtypit.
c) Media Lawyers Association
92. Shoqata ndërhyrëse mbron mendimin se neni 8 i Konventës nuk krijon një të drejtë për imazhin, madje as ndonjë të drejtë për famën. Botimi i fotografisë së një personi nuk përbëka medoemos në vetvete një ndërhyrje në të drejtat e garantuara nga kjo dispozitë. Ekzistenca e një ndërhyrjeje u varka nga një tërësi rrethanash dhe kërkuaka sidomos njëfarë shkalle serioziteti. Qenka jetike që të mbrohet në mënyrë të qëndrueshme e drejta e medieve për të raportuar për çdo temë me interes publik. Sipas kësaj shoqate, sado që Gjykata, në vendimin e saj Von Hannover, ka pranuar me të drejtë se kishte rëndësi që të merret parasysh konteksti në të cilin është marrë një fotografi, ajo ka shkuar tepër larg kur ka pohuar – pa të drejtë – se çdo botim i një fotografie i përket fushës së zbatimit të nenit 8. Gjykata e paska ripohuar fatkeqësisht këtë qëndrim në disa vendime të dhëna më pas. Shoqata mbron mendimin se mënyra e mirë e veprimit është që të shqyrtohet fillimisht nëse fotografia e botuar i përket ose jo sferës private. Në këtë kontekst, qenka e udhës të shqyrtohet pika nëse i interesuari, në vështrim të të gjitha rrethanave, kishte ndonjë shpresë të drejtë për ta pasur të mbrojtur jetën private. Në rast se jo, shqyrtimi u ndalka aty, meqenëse neni 8 i Konventës nuk paska vend se ku të zbatohet. Në rast se po, gjyqtari kombëtar u dashka atëherë të bëjë një vënie në balancë të të drejtave divergjente – me vlerë të barabartë – të cilat rrjedhin nga nenet 8 e 10 të Konventës, duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes. Ushtrimi i vënies në balancë dhe rezultati i saj i përkitkan hapësirës së shteteve për vlerësim. Gjykata u dashka të ndërhyjë vetëm në qoftë se autoritetet kombëtare nuk e kanë bërë vënien në balancë ose kur vendimet e tyre janë të paarsyeshme. Së fundi, vendimi për ta kombinuar një reportazh të shkruar me një fotografi qenka në dorë të gjykimit të botuesit, të cilit nuk u dashka që t’ia zërë vendin gjyqtari.
d) Ndërhyrja e përbashkët e Media Legal Defence Initiative, e International Press Institute dhe e World Association of Newspapers and News Publishers
93. Tri shoqatat ndërhyrëse nënvizojnë se në shtetet kontraktuese vërehet një prirje për përvetësimin nga ana e juridiksioneve kombëtare të parimeve dhe normave të vendosura prej Gjykatës lidhur me vënien në balancë të të drejtave që rrjedhin nga nenet 8 e 10 të Konventës, edhe pse pika se çfarë peshe merr një rrethanë e veçantë mund të ndryshojë nga njëri shtet te tjetri. Ato e ftojnë Gjykatën që t’u lërë shteteve kontraktuese një hapësirë të gjerë për vlerësim. Për këtë, ato mbrojnë mendimin se neni 53 i Konventës shprehet në favor të një hapësire të tillë. Gjykata, në vendimin e saj Chassagnou me të tjerë k. Francës ([DhM], nr. 25088/94, 28331/95 e 28443/95, § 113, GjEDNj 1999‑III), u paska njohur madje shteteve kontraktuese një hapësirë të madhe sa herë që bëhet fjalë për situata ku futen në lojë interesa konkurrues. Po ashtu, shtetet kontraktuese paskan përgjithësisht një hapësirë më të gjerë kur është fjala për detyrimet e tyre pozitive në fushën e marrëdhënieve midis personash privatë ose në fusha të tjera ku, në një shoqëri demokratike, mund të sundojnë me arsye divergjenca të thella mendimi (Fretté k. Francës, nr. 36515/97, § 41, GjEDNj 2002‑I). Gjykata e paska njohur tashmë për më tepër një hapësirë të gjerë në një çështje objekti i së cilës ishte vënia në balancë e të drejtave që rridhnin nga nenet 8 e 10 të Konventës (A. k. Norvegjisë, i cituar më lart, § 66). Roli i saj qenka pikërisht që të sigurohet se shtetet kontraktuese e krijojnë një mekanizëm i cili mundëson që të bëhet vënia në balancë e të verifikohet nëse faktorët e veçantë të marrë në konsideratë nga gjyqtari kombëtar për këtë qëllim janë në përputhje me Konventën dhe me jurisprudencën e saj. Ajo u dashka të ndërhyjë vetëm nëse rrethanat e marra parasysh nga gjyqtari kombëtar janë haptazi të papërshtatshme apo nëse përfundimet e juridiksioneve kombëtare janë qartazi me njolla padrejtësie ose i shpërfillin interesat e personit kur është fjala për mbrojtjen e sferës së tij private a të emrit të tij të mirë. Përndryshe, ajo paska rrezik të kthehet në një juridiksion apeli për çështje të tilla.
3. Vlerësimi i Gjykatës
a) Rreth objektit të kërkesëpadisë
94. Gjykata vë re që në fillim se, në çështjen në fjalë, asaj nuk i kërkohet të shqyrtojë pikën nëse Gjermania i ka plotësuar apo jo detyrimet e saj që rrjedhin nga neni 46 i Konventës lidhur me zbatimin e vendimit Von Hannover të dhënë prej saj më 2004, përderisa kjo detyrë i takon Komitetit të Ministrave (Verein gegen Tierfabriken Schweiz (VgT) k. Zvicrës (nr. 2) [DhM], nr. 32772/02, § 61, GjEDNj 2009‑..., dhe Öcalan k. Turqisë (vend. pran.), nr. 5980/07, 6 korrik 2010). Këto kërkesëpadi kanë të bëjnë vetëm me procedurat e reja të nisura prej paditësve pas vendimit Von Hannover lidhur me botimin e fotografive të tjera ku tregohen ata (paragrafët 15-20 të mësipërm).
b) Parime të përgjithshme
i. Lidhur me jetën private
95. Gjykata rikujton se nocioni jetë private përfshin elemente që kanë të bëjnë me identitetin e personit, si emri, fotografia, integriteti i tij fizik e moral; garancia e ofruar nga neni 8 i Konventës shërben kryesisht për të siguruar zhvillimin, pa ndërhyrje nga jashtë, të personalitetit të secilit individ në marrëdhëniet me të tjerët. Ekziston pra një zonë ndërveprimi midis individit dhe personave të tretë, e cila, edhe në një kontekst publik, mund t’i përkasë jetës private. Prandaj, botimi i një fotografie përzihet me jetën private të një personi, edhe në qoftë se ky person është një person publik (Schüssel k. Austrisë (vend. pran.), nr. 42409/98, 21 shkurt 2002; Von Hannover, i cituar më lart, §§ 50 e 53; Sciacca, i cituar më lart, § 29; dhe Petrina k. Rumanisë, nr. 78060/01, § 27, 14 tetor 2008).
96. Kur është fjala për fotografi, Gjykata e ka theksuar se pamja e një individi është një nga atributet kryesore të personalitetit të tij, për faktin se ajo shpreh origjinalitetin e tij dhe i lejon atij të dallohet nga të tjerët si ai. E drejta e personit për mbrojtjen e pamjes së vet përbën kështu një nga kushtet themelore për zhvillimin e tij personal. Kjo nënkupton kryesisht që individi të jetë vetë zot i pamjes së tij, çka përfshin sidomos mundësinë për të që të mos e pranojë shpërndarjen e saj (Reklos e Davourlis, i cituar më lart, § 40).
97. Gjykata rikujton gjithashtu se, në disa rrethana, një person, qoftë ky edhe i njohur për publikun, mund të përfitojë një “shpresë të drejtë” për mbrojtje dhe respektim të jetës së tij private (Von Hannover, i cituar më lart, § 51; Leempoel & S.A. ED. Ciné Revue k. Belgjikës, nr. 64772/01, § 78, 9 nëntor 2006; Standard Verlags GmbH k. Austrisë (nr. 2), nr. 21277/05, § 48, 4 qershor 2009; dhe Hachette Filipacchi Associés (ICI PARIS) k. Francës, nr. 12268/03, § 53, 23 korrik 2009).
98. Në çështje të tipit të kësaj në shqyrtim vihet në pikëpyetje jo një veprim i shtetit, por pamjaftueshmëria e pretenduar e mbrojtjes së dhënë nga juridiksionet e brendshme për jetën private të paditësve. Mirëpo, në qoftë se neni 8 ka në thelb si objekt që ta ruajë individin kundër ndërhyrjeve arbitrare të autoriteteve publike, ai nuk mjaftohet vetëm duke e urdhëruar shtetin që të mos bëjë ndërhyrje të tilla: këtij zotimi negativ mund t’i shtohen disa detyrime pozitive të brendshme për një respektim efektiv të jetës private dhe familjare. Ato mund të nënkuptojnë marrjen e masave që synojnë respektimin e jetës private deri në marrëdhëniet e individëve midis tyre (X e Y k. Vendeve të Ulëta, 26 mars 1985, § 23, seria A nr. 91, dhe Armonienė, i cituar më lart, § 36). Kjo vlen gjithashtu edhe për mbrojtjen e së drejtës për imazhin kundër shpërdorimeve nga ana e të tretëve (Schüssel, i cituar më lart; Von Hannover, i cituar më lart, § 57; dhe Reklos e Davourlis, i cituar më lart, § 35).
99. Kufiri midis detyrimeve pozitive dhe negative të shtetit në vështrimin e nenit 8 nuk mund të përcaktohet me saktësi; parimet e zbatueshme janë gjithsesi të krahasueshme. Në veçanti, në të dyja rastet, duhet marrë parasysh baraspesha e drejtë që duhet të ruhet midis interesave konkurrues të pranishëm (White k. Suedisë, nr. 42435/02, § 20, 19 shtator 2006, dhe Gurgenidze, i cituar më lart, § 37).
ii. Lidhur me lirinë e shprehjes
100. Meqenëse këto kërkesëpadi kërkojnë një shqyrtim të baraspeshës së drejtë që duhet të ruhet midis së drejtës së paditësve për mbrojtjen e jetës së tyre private dhe së drejtës së shtëpisë botuese për lirinë e shprehjes të garantuar në nenin 10 të Konventës, Gjykata e çmon të dobishme që të rikujtojë edhe parimet e përgjithshme lidhur me zbatimin e këtij të fundit.
101. Liria e shprehjes përbën një prej themeleve kryesore të një shoqërie demokratike, një nga kushtet parësore për përparimin e saj dhe për zhvillimin e secilit. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 10, ajo vlen jo vetëm për “informacionet” apo “idetë” që janë të mirëpritura ose që shihen si të parrezikshme a të parëndësishme, por edhe për ato që lëndojnë, tronditin ose shqetësojnë: kështu e lypin pluralizmi, toleranca dhe fryma e hapjes, pa të cilët nuk ka “shoqëri demokratike”.Ashtu siç e sanksionon atë neni 10, liria e shprehjes shoqërohet me përjashtime të cilat kërkojnë gjithsesi një interpretim të ngushtë, dhe nevoja për ta kufizuar atë duhet të jetë e vërtetuar në mënyrë bindëse (shih, ndër të tjerë, Handyside k. Mbretërisë së Bashkuar, 7 dhjetor 1976, § 49, seria A nr. 24; Editions Plon k. Francës, nr. 58148/00, § 42, GjEDNj 2004‑IV; dhe Lindon, Otchakovsky-Laurens e July k. Francës [DhM], nr. 21279/02 dhe 36448/02, § 45, GjEDNj 2007‑IV).
102. Gjykata e ka theksuar nga ana tjetër shumë herë rolin thelbësor që luan shtypi në një shoqëri demokratike. Edhe pse shtypi nuk duhet t’i kapërcejë disa caqe, sidomos lidhur me mbrojtjen e emrit të mirë dhe të të drejtave të tjetrit, atij i takon megjithatë të japë, në respektim të detyrave dhe përgjegjësive të tij, informacione dhe ide për të gjitha çështjet me interes të përgjithshëm. Funksionit të tij që është të përhapë informacione dhe ide rreth çështjeve të tilla i shtohet edhe e drejta e publikut për t’i marrë ato. Po të ishte ndryshe, shtypi nuk do të mund ta luante rolin e tij të domosdoshëm si “qen rojtar” (Bladet Tromsø e Stensaas k. Norvegjisë [DhM], nr. 21980/93, §§ 59 e 62, GjEDNj 1999‑III, dhe Pedersen e Baadsgaard k. Danimarkës [DhM], nr. 49017/99, § 71, GjEDNj 2004‑XI).
Për më tepër, nuk i takon Gjykatës, madje as juridiksioneve të brendshme, që t’i zënë vendin shtypit në zgjedhjen e mënyrës së raportimit në një rast të caktuar (Jersild k. Danimarkës, 23 shtator 1994, § 31, seria A nr. 298, dhe Stoll k. Zvicrës [DhM], nr. 69698/01, § 146, GjEDNj 2007‑V).
103. Gjykata rikujton së fundi se liria e shprehjes e përfshin botimin e fotografive (Österreichischer Rundfunk k. Austrisë (vend. pran.), nr. 57597/00, 25 maj 2004, dhe Verlagsgruppe News GmbH k. Austrisë (nr. 2), nr. 10520/02, §§ 29 e 40, 14 dhjetor 2006). Megjithatë, aty është fjala për një fushë ku mbrojtja e emrit të mirë dhe e të drejtave të tjetrit merr një rëndësi të veçantë, meqenëse fotografitë mund të përmbajnë informacione tepër personale, madje intime, rreth një individi apo familjes së tij (Von Hannover, i cituar më lart, § 59; Hachette Filipacchi Associés k. Francës, nr. 71111/01, § 42, GjEDNj 2007‑VII; dhe Eerikäinen me të tjerë k. Finlandës, nr. 3514/02, § 70, 10 shkurt 2009).
Nga ana tjetër, fotografitë që botohen në shtypin e ashtuquajtur “për bujë” ose në “shtypin rozë”, i cili ka zakonisht për objekt që të kënaqë kërshërinë e publikut rreth hollësive të jetës thjesht private të një personi (Société Prisma Presse k. Francës (vend. pran.), nr. 66910/01 e nr. 71612/01, 1 korrik 2003, dhe Hachette Filipacchi Associés (ICI PARIS), i cituar më lart, § 40), realizohen shpeshherë në një klimë bezdisjeje të vazhdueshme, e cila mund t’i shkaktojë personit në fjalë një ndjenjë shumë të fuqishme ndërhyrjeje në jetën e tij private, madje edhe persekutimi (Von Hannover, i cituar më lart, § 59, dhe Gurgenidze, i cituar më lart, § 59).
iii. Lidhur me hapësirën për vlerësim
104. Gjykata rikujton se zgjedhja e masave të përshtatshme për të garantuar respektimin e nenit 8 të Konventës në raportet mes individëve i përket në parim hapësirës për vlerësim që kanë shtetet kontraktuese, sido qofshin detyrimet në ngarkim të shtetit, pozitive apo negative. Në fakt, ekzistojnë disa mënyra të ndryshme për të siguruar respektimin e jetës private. Natyra e detyrimit të shtetit do të varet nga aspekti i jetës private për të cilin bëhet fjalë (X e Y k. Vendeve të Ulëta, i cituar më lart, § 24, dhe Odièvre k. Francës [DhM], nr. 42326/98, § 46, GjEDNj 2003‑III).
Po ashtu, në terrenin e nenit 10 të Konventës, shtetet kontraktuese kanë njëfarë hapësire vlerësimi për të gjykuar për nevojën dhe gjerësinë e një ndërhyrjeje në lirinë e shprehjes të mbrojtur nga kjo dispozitë (Tammer k. Estonisë, nr. 41205/98, § 60, GjEDNj 2001‑I, dhe Pedersen e Baadsgaard, i cituar më lart, § 68).
105. Sidoqoftë, kjo hapësirë shkon paralelisht me një kontroll evropian që ushtrohet njëherazi mbi ligjin e mbi vendimet që e zbatojnë atë, edhe kur ato dalin nga një juridiksion i pavarur (shih, mutatis mutandis, Peck k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 44647/98, § 77, GjEDNj 2003‑I, dhe Karhuvaara e Iltalehti, i cituar më lart, § 38). Në ushtrimin e pushtetit të saj për kontroll, Gjykata nuk ka për detyrë që t’ua zërë vendin juridiksioneve kombëtare, por asaj i takon të verifikojë, në dritën e tërësisë së çështjes, nëse vendimet që ato kanë dhënë sipas pushtetit të tyre për vlerësim pajtohen apo jo me dispozitat e përmendura të Konventës (Petrenco k. Moldavisë, nr. 20928/05, § 54, 30 mars 2010; Polanco Torres e Movilla Polanco k. Spanjës, nr. 34147/06, § 41, 21 shtator 2010; dhe Petrov k. Bullgarisë (vend. pran.), nr. 27103/04, 2 nëntor 2010).
106. Në çështje si kjo në fjalë, të cilat kërkojnë një vënie në balancë të së drejtës për respektimin e jetës private dhe të së drejtës për lirinë e shprehjes, Gjykata është e mendimit se rezultati i padisë, në parim, nuk ka përse të ndryshojë në varësi të faktit nëse ajo është paraqitur pranë saj, në këndvështrimin e nenit 8 të Konventës, nga personi që është bërë objekt i reportazhit apo, në këndvështrimin e nenit 10, nga botuesi që e ka botuar atë. Në fakt, këto të drejta meritojnë a priori një respekt të barabartë (Hachette Filipacchi Associés (ICI PARIS), i cituar më lart, § 41; Timciuc k. Rumanisë (vend. pran.), nr. 28999/03, § 144, 12 tetor 2010; dhe Mosley k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 48009/08, § 111, 10 maj 2011; shih gjithashtu edhe pikën 11 të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare – paragrafi 71 i mësipërm). Për këtë arsye, si parim, hapësira për vlerësim duhet të jetë e njëjta në të dyja rastet.
107. Në qoftë se vënia në balancë nga ana e autoriteteve kombëtare është bërë në respektim të kritereve të përcaktuara nga jurisprudenca e Gjykatës, duhen arsye serioze që kjo e fundit ta zëvendësojë mendimin e juridiksioneve të brendshme me atë të sajin (MGN Limited k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 39401/04, §§ 150 e 155, 8 janar 2011, dhe Palomo Sánchez me të tjerë k. Spanjës [DhM], nr. 28955/06, 28957/06, 28959/06 e 28964/06, § 57, 12 shtator 2011).
iv. Kriteret rëndësore për vënien në balancë
108. Për vënien në balancë të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe të së drejtës për respektimin e jetës private, kriteret e dala nga jurisprudenca të cilat paraqiten si rëndësore në rastin e çështjes në fjalë numërohen këtu më poshtë.
α) Ndihmesa për një debat me interes të përgjithshëm
109. Një element i parë thelbësor është ndihmesa që sjell botimi i fotografive ose i artikujve në shtyp për një debat me interes të përgjithshëm (Von Hannover, i cituar më lart, § 60; Leempoel & S.A. ED. Ciné Revue, i cituar më lart, § 68; dhe Standard Verlags GmbH, i cituar më lart, § 46). Përkufizimi i asaj çka është objekti i interesit të përgjithshëm varet nga rrethanat e çështjes. Gjykata e çmon gjithsesi me dobi që të rikujtojë se ajo e ka pranuar ekzistencën e një interesi të tillë jo vetëm kur botimi kishte të bënte me çështje politike apo me krime të kryera (White, i cituar më lart, § 29; Egeland e Hanseid k. Norvegjisë, nr. 34438/04, § 58, 16 prill 2009; dhe Leempoel & S.A. ED. Ciné Revue, i cituar më lart, § 72), por edhe kur ai kishte të bënte me çështje lidhur me sportin apo me artistët e skenës (Nikowitz e Verlagsgruppe News GmbH k. Austrisë, nr. 5266/03, § 25, 22 shkurt 2007; Colaço Mestre e SIC – Sociedade Independente de Comunicação, S.A. k. Portugalisë, nr. 11182/03 e nr. 11319/03, § 28, 26 prill 2007; dhe Sapan k. Turqisë, nr. 44102/04, § 34, 8 qershor 2010). Por nga ana tjetër, problemet eventuale bashkëshortore të një presidenti republike ose vështirësitë financiare të një këngëtari të njohur nuk janë konsideruar sikur i përkasin një debati me interes të përgjithshëm (Standard Verlags GmbH, i cituar më lart, § 52, dhe Hachette Filipacchi Associés (ICI PARIS), i cituar më lart, § 43).
β) Fama e personit të synuar dhe objekti i reportazhit
110. Roli ose funksioni i personit të synuar dhe natyra e veprimtarive që bëhen objekt i reportazhit dhe/ose i fotografisë përbëjnë një kriter tjetër të rëndësishëm, i cili është i lidhur me të parin. Në këtë vështrim, është me vend të bëhet dallimi midis personave privatë dhe personave që veprojnë në një kontekst publik, si personalitete politike ose persona publikë. Kështu, ndërkohë që një person privat i panjohur për publikun mund të pretendojë për një mbrojtje të veçantë të së drejtës së tij për jetën private, punët nuk qëndrojnë njëlloj me personat publikë (Minelli k. Zvicrës (vend. pran.), nr. 14991/02, 14 qershor 2005, dhe Petrenco, i cituar më lart, § 55). Në fakt, nuk ka sesi të barazohet një reportazh i cili rrëfen fakte që mund të japin ndihmesë për një debat në një shoqëri demokratike, për shembull lidhur me personalitete politike në ushtrimin e funksioneve të tyre zyrtare, me një reportazh rreth hollësive të jetës private të një personi që nuk kryen funksione të tilla (Von Hannover, i cituar më lart, § 63, dhe Standard Verlags GmbH, i cituar më lart, § 47).
Në qoftë se, në rastin e parë, roli i shtypit i përgjigjet funksionit të tij si “qen rojtar” që, në një demokraci, është i ngarkuar për të dhënë ide dhe informacione rreth çështjeve me interes publik, ky rol duket më pak i rëndësishëm në rastin e dytë. Po ashtu, në qoftë se në rrethana të veçanta, e drejta e publikut për t’u informuar mund të ketë të bëjë edhe me aspekte të jetës private të personave publikë, sidomos kur është fjala për personalitete politike, nuk ndodh ashtu, edhe sikur personat e synuar të gëzojnë njëfarë fame, kur fotografitë e botuara dhe komentet që i shoqërojnë ato kanë të bëjnë ekskluzivisht me hollësi të jetës së tyre private dhe kanë për qëllim të vetëm që të kënaqin kërshërinë e publikut në këtë drejtim (Von Hannover, i cituar më lart, § 65 me referencat që citohen aty, dhe Standard Verlags GmbH, i cituar më lart, § 53; shih gjithashtu pikën 8 të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare – paragrafi 71 i mësipërm). Në këtë rast të fundit, liria e shprehjes kërkon një interpretim më pak të gjerë (Von Hannover, i cituar më lart, § 66; Hachette Filipacchi Associés (ICI PARIS), i cituar më lart, § 40; dhe MGN Limited, i cituar më lart, § 143).
γ) Sjellja e mëparshme e personit për të cilin bëhet fjalë
111. Sjellja e personit për të cilin bëhet fjalë përpara botimit të reportazhit ose fakti që fotografia objekt konflikti dhe informacionet që lidhen me të kanë qenë më parë objekt i një botimi përbëjnë gjithashtu elemente që duhet të merren parasysh (Hachette Filipacchi Associés (ICI PARIS), i cituar më lart, §§ 52-53, dhe Sapan, i cituar më lart, § 34). Megjithatë, vetëm fakti i bashkëpunimit të mëparshëm me shtypin nuk është me natyrë të tillë që t’i heqë të interesuarit çdo mbrojtje kundër botimit të fotografisë objekt konflikti (Egeland e Hanseid, i cituar më lart, § 62).
δ) Përmbajtja, forma dhe jehonat e botimit
112. Gjithashtu parasysh mund të merren edhe mënyra se si janë botuar fotografia ose reportazhi dhe mënyra se si është paraqitur personi i synuar në fotografi ose në reportazh (Wirtschafts-Trend Zeitschriften-Verlagsgesellschaft m.b.H. k. Austrisë (nr. 3), nr. 66298/01 e nr. 15653/02, § 47, 13 dhjetor 2005; Reklos e Davourlis, i cituar më lart, § 42; dhe Jokitaipale me të tjerë k. Finlandës, nr. 43349/05, § 68, 6 prill 2010). Po ashtu, rëndësi mund të marrë edhe gjerësia e shpërndarjes së reportazhit dhe e fotografisë, në varësi të faktit nëse bëhet fjalë për një gazetë me tirazh kombëtar apo lokal, të madh apo të vogël (Karhuvaara e Iltalehti, i cituar më lart, § 47, dhe Gurgenidze, i cituar më lart, § 55).
ε) Rrethanat e marrjes së fotografive
113. Së fundi, Gjykata e ka gjykuar tashmë se nuk mund të lihen pa përmendur konteksti dhe rrethanat në të cilat janë marrë fotografitë e botuara. Për këtë, është me rëndësi të shqyrtohet pika nëse personi i synuar e ka dhënë pëlqimin e vet për marrjen dhe për botimin e fotografive (Gurgenidze, i cituar më lart, § 56, dhe Reklos e Davourlis, i cituar më lart, § 41) apo nëse ato janë bërë pa dijeninë e tij ose me ndihmën e manovrave mashtruese (Hachette Filipacchi Associés (ICI PARIS), i cituar më lart, § 47, dhe Flinkkilä me të tjerë k. Finlandës, nr. 25576/04, § 81, 6 prill 2010). Është e udhës gjithashtu t’i kushtohet vëmendje natyrës ose seriozitetit të ndërhyrjes e të pasojave të botimit të fotografisë për personin e synuar (Egeland e Hanseid, i cituar më lart, § 61, dhe Timciuc, vendim pranueshmërie i cituar më lart, § 150). Në fakt, për një person privat të panjohur për publikun, botimi i një fotografie mund të përbëjë një ndërhyrje më serioze sesa një reportazh i shkruar (Eerikäinen me të tjerë, i cituar më lart, § 70, dhe A. k. Norvegjisë, i cituar më lart, § 72).
c) Zbatimi i parimeve në rastin e çështjes në fjalë
114. Gjykata vë re ndryshimet që i ka bërë Gjykata Federale e Drejtësisë jurisprudencës së saj të mëparshme pas vendimit Von Hannover. Ky juridiksion ka nënvizuar konkretisht se në të ardhmen duhej t’i kushtohej rëndësi pikës nëse reportazhi objekt konflikti jepte apo jo ndihmesë për ndonjë debat faktik dhe nëse përmbajtja e tij shkonte përtej një vullneti të thjeshtë për të kënaqur kërshërinë e publikut. Në këtë drejtim, ajo ka vënë gjithashtu në dukje se sa më e madhe të ishte vlera e informacionit për publikun, aq më shumë duhej të lëshonte udhë interesi i një personi për të qenë i mbrojtur kundër përhapjes së tij dhe anasjelltas. Duke vërejtur se liria e shprehjes përfshinte gjithashtu edhe reportazhe me qëllim zbavitës, ajo ka saktësuar se interesi i lexuesve për t’u zbavitur kishte, si rregull i përgjithshëm, një peshë më të vogël sesa ai i mbrojtjes së sferës private.
115. Gjykata Kushtetuese Federale e ka ripohuar këtë qasje duke saktësuar se, në qoftë se ajo nuk e kishte vënë në pikëpyetje, në vendimin e saj të 15 dhjetorit 1999, jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës Federale të Drejtësisë, kjo nuk do të thoshte aspak se nuk mund të ishte në përputhje me Ligjin Themelor ndonjë konceptim tjetër i mbrojtjes, duke privilegjuar më shumë vënien në balancë të interesave të pranishëm në konflikt gjatë shqyrtimit të pikës nëse një fotografi i përkiste fushës së historisë bashkëkohore dhe, për këtë fakt, mund të botohej në parim pa pëlqimin e personit të synuar.
116. Meqenëse paditësit pretendojnë lidhur me këtë se qasja e re e ndjekur nga Gjykata Federale e Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese Federale nuk bën gjë tjetër por përsërit jurisprudencën e mëparshme duke përdorur fjalë të tjera, Gjykata rikujton se asaj nuk i takon të shqyrtojë in abstracto legjislacionin dhe praktikën kombëtare përkatëse, por të shohë nëse mënyra se si janë zbatuar ato për paditësit e ka shkelur apo jo nenin 8 të Konventës (Karhuvaara e Iltalehti, i cituar më lart, § 49).
117. Gjykata vë re se, duke zbatuar qasjen e saj të re, Gjykata Federale e Drejtësisë ka çmuar se as pjesa e artikullit e cila shoqëron fotografitë objekt konflikti që kanë të bëjnë me pushimet për ski të paditësve, as vetë fotografitë, nuk përmbanin informacione lidhur me ndonjë ngjarje të historisë bashkëkohore dhe, për këtë arsye, nuk jepnin ndihmesë për ndonjë debat me interes të përgjithshëm. Gjykata Federale e Drejtësisë ka qenë e mendimit se punët qëndronin megjithatë ndryshe duke qenë se artikujt raportonin edhe për sëmundjen e princit Rainier III, në atë kohë sovran mbretërues i principatës së Monakos, si edhe për sjelljen e pjesëtarëve të familjes së tij gjatë kësaj sëmundjeje. Sipas saj, në atë rast bëhej fjalë për një ngjarje të historisë bashkëkohore për të cilën revistat mund të raportonin dhe që i lejonte ato t’i shoqëronin reportazhet e tyre të shkruara me fotografitë objekt konflikti, përderisa këto të fundit e mbështesnin dhe e ilustronin këtë informacion.
Nga ana e saj, Gjykata Kushtetuese Federale ka vënë re lidhur me këtë se Gjykata Federale e Drejtësisë e kishte pranuar se sëmundja e princit mbretërues të Monakos mund të quhej si një ngjarje me interes të përgjithshëm dhe se shtypi kishte pasur për pasojë të drejtë që të tregonte se si i pajtonin fëmijët e princit detyrimet e tyre për solidaritet familjar me nevojat e drejta të jetës së tyre private, ku bënte pjesë dëshira për të shkuar për pushime. Ajo ka ripohuar për më tepër se kishte një lidhje të mjaftueshme midis fotografisë së botuar dhe ngjarjes së përshkruar prej artikullit.
118. Gjykata vëren se fakti që Gjykata Federale e Drejtësisë e kishte çmuar vlerën informative të fotografisë objekt konflikti në dritën e artikullit që e shoqëronte atë nuk lë vend për kritikë në vështrim të Konventës (shih, mutatis mutandis, Tønsbergs Blad A.S. e Haukom, i cituar më lart, § 87, dhe Österreichischer Rundfunk k. Austrisë, nr. 35841/02, §§ 68 e 69, 7 dhjetor 2006). Për sa i përket cilësimit të sëmundjes së princit Rainier si ngjarje e historisë bashkëkohore, Gjykata është e mendimit se, duke pasur parasysh arsyet e parashtruara nga juridiksionet gjermane, ky interpretim nuk mund të paraqitet si i paarsyeshëm (shih, mutatis mutandis, Editions Plon, i cituar më lart, §§ 46-57). Për këtë, nuk është pa interes që të vihet re se Gjykata Federale e Drejtësisë e ka lënë në fuqi ndalimin e botimit të dy fotografive të tjera të cilat i tregojnë paditësit në situata të krahasueshme, pikërisht me arsyetimin se botimi i tyre shërbente vetëm për qëllime zbavitjeje (paragrafët 36 dhe 37 të mësipërm). Gjykata mund ta pranojë pra që fotografitë objekt konflikti, të vështruara në dritën e artikujve që i shoqërojnë ato, kanë sjellë, të paktën në një farë mase, një ndihmesë për një debat me interes të përgjithshëm. Rreth kësaj pike, ajo dëshiron të rikujtojë se funksionit të shtypit për të përhapur informacione dhe ide për të gjitha çështjet me interes të përgjithshëm i shtohet e drejta e publikut për t’i marrë ato (paragrafi 102 i mësipërm).
119. Meqenëse paditësit denoncojnë rrezikun që mediet t’u shmangen kushteve të caktuara prej Gjykatës Federale të Drejtësisë duke përdorur çfarëdo ngjarje të historisë bashkëkohore si shkas për të përligjur botimin e fotografive ku tregohen ata, Gjykata vë re se nuk i takon asaj, në suazën e këtyre kërkesëpadive, që të shprehet se sa përputhen me Konventën botime të ardhshme eventuale fotografish të të interesuarve. Në rast se ndodh kjo, ata do të mund t’u drejtohen fare mirë juridiksioneve kombëtare për këtë qëllim. Gjykata vëren nga ana tjetër që Gjykata Kushtetuese Federale ka saktësuar në vendimin e saj se, sikur të ndodhë që një artikull të jetë vetëm një shkas për të botuar fotografinë e një personi të njohur për publikun e gjerë, atëherë nuk do të kishte ndihmesë për krijimin e opinionit publik dhe do të ishte pa vend që interesit për të botuar t’i jepet epërsi mbi mbrojtjen e personalitetit.
120. Është e vërtetë se Gjykata Federale e Drejtësisë është nisur nga ideja se paditësit ishin personazhe të njohura për publikun, të cilat e tërhiqnin krejt veçanërisht vëmendjen e tij, pa u zgjatur rreth arsyeve në zanafillë të këtij përfundimi. Gjykata çmon sidoqoftë se, pavarësisht nga çështja nëse paditësja kryen funksione zyrtare për llogari të principatës së Monakos dhe në çfarë mase e bën ajo këtë, nuk mund të pretendohet që paditësit, duke pasur parasysh shkallën e pamohueshme të famës së tyre, të jenë persona të zakonshëm privatë. Përkundrazi, ata duhet të konsiderohen si persona publikë (Gurgenidze, i cituar më lart, § 40; Sciacca, i cituar më lart, § 27; Reklos e Davourlis, i cituar më lart, § 38; dhe Guiorgui Nikolaïchvili k. Gjeorgjisë, nr. 37048/04, § 123, GjEDNj 2009‑...).
121. Gjykata Federale e Drejtësisë është ndalur më pas në pikën nëse fotografitë objekt konflikti ishin marrë në rrethana të pafavorshme për paditësit. Lidhur me këtë, Qeveria mbron mendimin se fakti që fotografitë janë marrë në padijeni të paditësve nuk do të thotë medoemos se ato janë marrë fshehurazi në kushte të pafavorshme për paditësit. Këta të fundit, nga ana e tyre, pretendojnë se fotografitë janë marrë në një klimë bezdisjeje të përgjithshme me të cilën ata përballen në mënyrë të përhershme.
122. Gjykata vëren se Gjykata Federale e Drejtësisë ka dalë në përfundimin se paditësit nuk e kishin përmendur ekzistencën e rrethanave të pafavorshme lidhur me këtë dhe se asgjë nuk tregonte që fotografitë ishin marrë fshehurazi apo me ndihmën e mjeteve të barasvlershme që të ishin të tilla që ta bënin të paligjshëm botimin e tyre. Gjykata Kushtetuese Federale, nga ana e saj, ka saktësuar se shtëpia botuese në fjalë kishte dhënë hollësi lidhur me marrjen e fotografisë së botuar në revistën Frau im Spiegel, por se paditësja as nuk kishte denoncuar pamjaftueshmërinë e këtyre informacioneve pranë juridiksioneve civile, as nuk kishte mbrojtur mendimin që fotografia e kundërshtuar të ishte marrë në kushte të cilat ishin të pafavorshme për të.
123. Gjykata vë re se, sipas jurisprudencës së juridiksioneve gjermane, rrethanat në të cilat janë marrë disa fotografi përbëjnë një nga faktorët që shqyrtohen normalisht gjatë vënies në balancë të interesave të pranishëm në lojë. Në çështjen në fjalë, nga vendimet e juridiksioneve kombëtare del se ky element nuk kërkonte një shqyrtim më të thelluar, për mungesë udhëzimesh përkatëse nga ana e paditësve e në mungesë të rrethanave të veçanta e të tilla që ta përligjnin ndalimin e botimit të fotografive. Gjykata shënon fundja, siç e ka vënë në dukje Gjykata Federale e Drejtësisë, se fotografitë ku paditësit tregohen në mes të rrugës në Saint-Moritz në dimër nuk ishin në vetvete fyese në atë masë sa ta përligjnin ndalimin e tyre.
d) Përfundim
124. Gjykata vë re se, në përputhje me jurisprudencën e saj, juridiksionet kombëtare kanë bërë një vënie të hollësishme në balancë të së drejtës së shoqërive botuese për lirinë e shprehjes me të drejtën e paditësve për respektimin e jetës së tyre private. Kështu, ato i kanë kushtuar një rëndësi parësore pikës nëse fotografitë, të vështruara në dritën e artikujve që i shoqëronin ato, kishin sjellë ndihmesë për ndonjë debat me interes të përgjithshëm. Ato kanë shqyrtuar për më tepër rrethanat në të cilat ishin marrë fotografitë.
125. Gjykata vë re përveç kësaj se juridiksionet kombëtare e kanë marrë në mënyrë të shkoqur parasysh jurisprudencën e Gjykatës në këtë fushë. Ndërsa Gjykata Federale e Drejtësisë e ka ndryshuar jurisprudencën e saj pas vendimit Von Hannover, Gjykata Kushtetuese Federale, nga ana e saj, jo vetëm e ka ripohuar këtë jurisprudencë, por edhe ka kryer një analizë të hollësishme të jurisprudencës së Gjykatës në përgjigje të pretendimeve të paditësve sipas të cilëve vendimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë e kishte shpërfillur Konventën dhe jurisprudencën e Gjykatës.
126. Në këto kushte, duke pasur parasysh hapësirën për vlerësim që kanë juridiksionet kombëtare në këtë fushë kur vënë në balancë interesa divergjentë, Gjykata del në përfundimin se ato nuk u janë shmangur detyrimeve të tyre pozitive sipas nenit 8 të Konventës. Prandaj nuk ka pasur shkelje të kësaj dispozite.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA, NJËZËRI,
1. E ndan më vete kërkesëpadinë Axel Springer AG k. Gjermanisë (nr. 39954/08) nga këto kërkesëpadi;
2. I shpall këto kërkesëpadi të pranueshme;
3. Thotë se nuk ka pasur shkelje të nenit 8 të Konventës.
I hartuar në frëngjisht dhe në anglisht, pastaj i shpallur në seancë publike në Pallatin e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, më 7 shkurt 2012.
Michael O’BoyleNicolas Bratza
ZëvendëssekretarKryetar
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2013.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2013
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2013
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
Full & Egal Universal Law Academy