© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën. Për informacione të mëtejshme, të shihet shënimi i plotë për të drejtën e autorit në fund të këtij dokumenti.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court. For further information see the full copyright indication at the end of this document.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour. Pour plus de renseignements veuillez lire l’indication de copyright/droits d’auteur à la fin du présent document.
Detyrime pozitive
Respektimi i jetës private
Mospranim i juridiksioneve të brendshme për të ndaluar botimin e një fotografie të një çifti të mirënjohur, të marrë pa dijeninë e tyre: jo shkelje
Von Hannover k. Gjermanisë (nr. 2) - 40660/08 dhe 60641/08
Vendim 7.2.2012 [DhM]
Në fakt – Paditësit janë princesha Caroline von Hannover, bijë e të ndjerit princi Rainier III i Monakos, dhe bashkëshorti i saj, princi Ernst August von Hannover. Që në fillimin e viteve 1990, princesha Caroline orvatet, shpesh përmes rrugës gjyqësore, ta ndalojë botimin në shtyp të fotografive rreth jetës së saj private. Dy seri fotografish, të botuara përkatësisht më 1993 dhe 1997 nëpër revista gjermane, kishin qenë shkak për procedura përpara juridiksioneve gjermane, që kishin përfunduar me vendime në parim të dhëna përkatësisht nga Gjykata Federale e Drejtësisë më 1995 dhe nga Gjykata Kushtetuese Federale më 1999, me anë të të cilave ishin hedhur poshtë kërkesat e të interesuarës. Këto procedura u bënë objekt i vendimit Von Hannover k. Gjermanisë[1] (vendimi i parë Von Hannover), ku Gjykata Evropiane vuri re një shkelje të së drejtës së princeshës Caroline për respektimin e jetës së saj private ashtu siç garantohet prej nenit 8 të Konventës.
Duke përfituar nga ky vendim i Gjykatës, paditësit nisën disa procedura pranë juridiksioneve të brendshme me qëllim që të ndalonin botimin e tri fotografive që u ishin marrë pa dijeni gjatë pushimeve të tyre për ski mes viteve 2002 e 2004 dhe botuar në dy revista gjermane. Gjykata Federale e Drejtësisë e pranoi kërkesën e të interesuarve lidhur me dy fotografi – me arsyetimin se ato nuk sillnin ndihmesë në kurrfarë debati me interes të përgjithshëm – por nuk e pranoi atë lidhur me një fotografi të tretë. Kjo e fundit i paraqiste paditësit duke shëtitur gjatë pushimeve të tyre në stacionin e skive të Saint-Moritz-it dhe shoqërohej me një artikull që bënte fjalë, mes të tjerash, për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të princit Rainier. Gjykata Kushtetuese Federale e la në fuqi atë vendim, duke vlerësuar se Gjykata Federale e Drejtësisë mund të kishte pasur me të drejtë parasysh që sëmundja e princit sundimtar përbënte një ngjarje me interes të përgjithshëm dhe që shtypi kishte qenë për pasojë në të drejtën e vet për të raportuar rreth mënyrës se si e pajtonin fëmijët e tij detyrën e tyre për solidaritet familjar me nevojat e ligjshme të jetës së tyre private, sidomos me dëshirën për të marrë ca pushime. Përfundimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë, sipas të cilit fotografia e botuar kishte lidhje të mjaftueshme me ngjarjen e përshkruar nga artikulli, nuk ishte i kritikueshëm në rrafshin e të drejtës kushtetuese.
Në të drejtë – Neni 8: Në përgjigje të argumentit të paditësve, sipas të cilit juridiksionet e brendshme nuk e kanë marrë mjaftueshëm parasysh atë çka ka vendosur Gjykata në vendimin e parë Von Hannover, Gjykata vë në dukje se ajo nuk është ftuar të shqyrtojë nëse Gjermania i ka përmbushur detyrimet që rrjedhin për të nga neni 46 i Konventës për sa i përket zbatimit të atij vendimi, detyrë kjo që i takon Komitetit të Ministrave. Paditë në fjalë kanë të bëjnë pra vetëm me procedurat e reja të çelura nga paditësit. Po ashtu, nuk i takon Gjykatës të shqyrtojë in abstracto legjislacionin dhe praktikën kombëtare të drejtë në vijim të ndryshimeve që i ka bërë Gjykata Federale e Drejtësisë jurisprudencës së saj pas vendimit Von Hannover, por asaj i duhet të shqyrtojë nëse mënyra se si janë zbatuar ato në rastin e paditësve e ka shkelur ose jo nenin 8 të Konventës.
Në zbatim të qasjes së saj të re, Gjykata Federale e Drejtësisë e ka pranuar kërkesën për ndalim botimi të dy fotografive, duke vërejtur se as artikujt që shoqëronin fotografitë shkak për mosmarrëveshje, as vetë fotografitë nuk jepnin ndihmesë në ndonjë debat me interes të përgjithshëm. Për sa i përkiste fotografisë së tretë, ajo vlerësoi gjithsesi se sëmundja e princit sundimtar të Monakos dhe sjellja e anëtarëve të familjes së tij gjatë asaj sëmundje mund të shiheshin si një ngjarje e historisë bashkëkohore, për të cilën revistat mund të raportonin dhe që u jepte atyre të drejtë ta botonin atë fotografi që ishte shkak mosmarrëveshjeje, përderisa ajo e mbështeste dhe e ilustronte atë informacion. Lidhur me cilësimin e sëmundjes së princit Rainier si ngjarje të historisë bashkëkohore, Gjykata Evropiane është e mendimit se ai nuk mund të paraqitet si i paarsyeshëm dhe mund ta pranojë se fotografia shkak për këtë mosmarrëveshje, e kundruar nën dritën e artikullit që e shoqëron atë, ka sjellë, të paktën në njëfarë mase, një ndihmesë në një debat me interes të përgjithshëm (në këtë vështrim, Gjykata vë re se Gjykata Federale e Drejtësisë e ka pohuar ndalimin e botimit të dy fotografive të tjera, të cilat i paraqesin paditësit në rrethana të krahasueshme, pikërisht me arsyetimin se botimi i tyre shërbente vetëm për qëllime zbavitëse). Për më tepër, pavarësisht nga çështja se në çfarë mase paditësja kryen funksione zyrtare për llogari të principatës së Monakos, është e vështirë të pretendohet që paditësit, duke pasur parasysh shkallën e famës së tyre të padyshimtë, të jenë persona privatë të zakonshëm. Ata duhet të konsiderohen përkundrazi si persona publikë. Sa për rrethanat në të cilat janë marrë ato fotografi, juridiksionet kombëtare e kanë marrë këtë parasysh dhe kanë dalë në përfundimin se paditësit nuk kishin sjellë asnjë provë që, siç e pohonin ata, fotografitë qenkëshin marrë tinëz, në fshehtësi apo në kushte që ishin të pafavorshme për ta.
Si përfundim, juridiksionet kombëtare e kanë peshuar imtësisht të drejtën e shoqërive botuese për lirinë e shprehjes me të drejtën e paditësve për respektimin e jetës së tyre private. Duke vepruar kështu, ato i kanë kushtuar një rëndësi parësore çështjes nëse fotografitë, të kundruara nën dritën e artikujve që i shoqëronin ato, kishin sjellë apo jo ndihmesë në një debat me interes të përgjithshëm. Ato kanë shqyrtuar për më tepër edhe rrethanat në të cilat ishin marrë fotografitë. Gjykata Federale e Drejtësisë e ka ndryshuar jurisprudencën e saj pas vendimit të parë Von Hannover dhe Gjykata Kushtetuese Federale, nga ana e saj, jo vetëm e ka lënë në fuqi këtë jurisprudencë, por ka bërë edhe një analizë të hollësishme të jurisprudencës së Gjykatës në përgjigje të ankesave të paditësve, sipas të cilëve vendimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë nuk i kishte marrë parasysh Konventën dhe jurisprudencën e Gjykatës. Në këto kushte, dhe duke marrë parasysh hapësirën e vlerësimit që kanë në këtë fushë juridiksionet kombëtare kur vënë në peshore interesa të papajtueshme, Gjykata del në përfundimin se ato nuk i kanë lënë pa kryer detyrimet e tyre pozitive sipas nenit 8 të Konventës.
Përfundim : jo shkelje (njëzëri).
© Këshilli i Evropës/Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, 2012.
Gjuhët zyrtare të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë anglishtja dhe frëngjishtja. Ky përkthim është bërë me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (/humanrightstrustfund). Ai nuk e kushtëzon Gjykatën dhe kjo e fundit nuk pranon asnjë përgjegjësi për sa i përket cilësisë së tij. Ai mund të shkarkohet nga HUDOC, baza e të dhënave e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (), ose nga çdo bazë tjetër të dhënash me të cilën HUDOC e ka ndarë atë. Ai mund të riprodhohet për qëllime jo tregtare, me kusht që titulli i çështjes të citohet i plotë dhe të shoqërohet me shënimin e mësipërm lidhur me të drejtën e autorit, si edhe me referimin ndaj Fondit të Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut. Cilido që kërkon ta përdorë këtë përkthim në tërësi ose pjesërisht për qëllime tregtare, është i lutur të njoftojë në adresën e mëposhtme: publishing@.
© Council of Europe/European Court of Human Rights, 2012
The official languages of the European Court of Human Rights are English and French. This translation was commissioned with the support of the Human Rights Trust Fund of the Council of Europe (/humanrightstrustfund). It does not bind the Court, nor does the Court take any responsibility for the quality thereof. It may be downloaded from the HUDOC case-law database of the European Court of Human Rights () or from any other database with which the Court has shared it. It may be reproduced for non-commercial purposes on condition that the full title of the case is cited, together with the above copyright indication and reference to the Human Rights Trust Fund. If it is intended to use any part of this translation for commercial purposes, please contact publishing@.
© Conseil de l’Europe/Cour européenne des droits de l’homme, 2012
Les langues officielles de la Cour européenne des droits de l’homme sont le français et l’anglais. La présente traduction a été effectuée avec le soutien du Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme du Conseil de l’Europe (/humanrightstrustfund). Elle ne lie pas la Cour, et celle-ci décline toute responsabilité quant à sa qualité. Elle peut être téléchargée à partir de HUDOC, la base de jurisprudence de la Cour européenne des droits de l’homme (), ou de toute autre base de données à laquelle HUDOC l’a communiquée. Elle peut être reproduite à des fins non commerciales, sous réserve que le titre de l’affaire soit cité en entier et s’accompagne de l’indication de copyright ci-dessus ainsi que de la référence au Fonds fiduciaire pour les droits de l’homme. Toute personne souhaitant se servir de tout ou partie de la présente traduction à des fins commerciales est invitée à le signaler à l’adresse suivante : publishing@.
[1]. Von Hannover k. Gjermanisë, nr. 59320/00, 24 qershor 2004, Shënim informativ nr. 65.
Full & Egal Universal Law Academy